40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Si ta mbani trurin tuaj në formë

Mënyra se si jetoni, ajo çfarë hani dhe pini, si dhe trajtimi që i bëni trupit tuiaj mund të ndikojë në kujtesën tuaj po aq shumë sa mirëqenia dhe shëndeti fizik.
Ja çfarë mund të bëni çdo ditë që të mbani si trupin edhe mendjen të shëndetshme:

Menaxhoni stresin
Streset ditore si presioni i afateve kohore apo zënkat e vogla, mund t’ju shpërqendrojnë dhe të ndikojnë në aftësinë tuaj për t’u përqendruar dhe për t’u kujtuar. Por, problem më i madh është një ndjenjë e vazhdueshme ankthi, që mund të çojë në dëmtimin e aftësisë për të kujtuar. Frymëmarrjet e thella, meditimi dhe joga, mund të jenë mënyra se si ta menaxhoni stresin.

Bëni një gjumë të mirë
Njërëzit që nuk flenë mirë gjatë natës, harrojnë më shumë se sa ata që bëjnë një gjumë të rehatshëm. Një natë e mirë gjumi është thelbesore për konsolidimin e kujtimeve. Arsyeja më e shpeshtë e mungesës së gjumit është insomnia, vështirësia për të rënë dhe për të qëndruar në gjumë.

Fatkeqësisht, shumë ilaçe që përdoren për të trajtuar insomninë, gjithashtu mund të dëmtojnë kujtesën dhe funksionin e përgjithshëm të trurit. Kjo është arsyeja se përse është më mirë që fillimisht të përmirësosh zakonet e të fjeturit dhe t’i përdorësh ilaçet si një zgjidhje të fundit. Nëse keni nevojë për ilaçe, përdorni dozën më të vogël të mundshme për një kohë sa më të shkurtër deri në përmirësimin e gjumit.

Hiqni dorë nga duhanpirja
Konsumuesit e duhanit kanë një shkallë më të lartë të humbjes së kujtesës dhe probleme të tjera me kalimin e moshës , se sa ata që nuk e konsumojnë duhanin. Personat që pijnë më shumë se dy paketa cigaresh në ditë gjatë moshës së mesme kanë një risk më shumë se të dyfishuar për zhvillimin e demencës gjatë plakjes, se sa ata që nuk pijnë duhan.

Nëse pini alkool, bëjeni këtë në mënyrë të kontrolluar
Konsumimi i tepërt i alkoolit rrit riskun për humbje të kujtesës dhe demencë. Njerëzit e alkoolizuar kanë vështirësi në kujtesën afatshkurtër, si përshembull mbajtja mend e listave. Një tjetër lloj i humbjes së kujtesës për shkak të alkoolit quhet sindroma e Korsakofit.

Në këto raste, defiçenca afatgjatë e vitaminës B1 e kombinuar me efektet toksike të alkoolit në tru, mund të shkaktojë amnezi të papritur dhe të menjëhershme. Në disa raste kjo humbje e kujtesës mund të jetë e përhershme, por nëse kapet herët, mund të kthehet deri në njëfarë mase.

Mbrojeni trurin nga dëmtimet
Trauma e kokës është një shkak kryesor i humbjes së kujtesës dhe rritjes së riskut për të zhvilluar demencë. Përdorni gjithmonë mjetet e duhura gjatë aktiviteteve me shpejtësi të madhe dhe sporteve të kontaktit.

Mbani një kokore kur i jepni biçikletës, motorçikletës, kur bëni ski etj. Vendosni rripin e sigurimit kur udhëtoni me mjete motorike. Aksidentet me makinë janë ndër shkaqet më të shpeshta të dëmtimeve të trurit, dhe vendosja e rripit të sigurimit, redukton në sasi të mëdha shanset për një dëmtim të rëndë të kokës.

Si të përmirësoni shëndetin duke bërë joga

Joga e përmirëson shëndetin fizik në disa mënyra të ndryshme. Disa nga këto mënyra vijnë si pasojë e një menaxhimi më të mirë të stresit. Të tjera janë pasojë më direkte e lëvizjeve fizike dhe pozicioneve në joga, që mund të përmirësojnë fleksibilitetin dhe të reduktojnë dhimbjen e kyçeve.

Studimet paraprake tregojnë se joga mund të ndihmojë me migrenën, osteoporozën, problemet me balancimin dhe lëvizjen, sklerozën multiple, sëmundjen inflamatore të zorrëve, fibromialginë dhe ADHD.

Ndërsa efekte pozitive në shëndet, të mbështetura dhe nga shkenca janë:
Reduktimi i dhimbjes së shpinës

Dhimbja e shpinës është një nga problemet më të zakonshme me shëndetin me kalimin e moshës. Por joga mund të ndihmojë me këtë. Një meta – analizë e 10 studimeve të randomizuara, e vitit 2013, zbuloi “ prova të forta për efekte afatshkurtra dhe prova të moderuara për efekte afatgjata të jogës në dhimbjen kronike të shpinës”.

Në fakt, Shoqata Amerikane e Dhimbjes, nxit doktorët që të konsiderojnë rekomandimin e jogës në pacientët me dhimbje kronike të shpinës.

Edhe pse është tunduese të qëndroni në krevat, pa lëvizur, kur keni dhimbje shpine, mjekët nuk e rekomandojnë këtë. Ndërkohë që të qëndruarit shtrirë minimizon stresin mbi vertebrat lumbare, gjithashtu shkakton muskujt që të humbasin lëvizshmërinë, ndër probleme të tjera.

Joga ndihmon në largimin e dhimbjes së shpinës duke rritur fleksibilitetin dhe forcën e muskujve. Një rol mund të luajnë dhe relaksimi, reduktimi i stresit dhe njohja më e mirë e trupit, që sjell joga.

Në një studim, të publikuar në revistën shëndetësore “Shpina”, personat me dhimbje të shpinës që bënë dy seanca 90 – minutëshe në javë, për 24 javë, patën një reduktim të dhimbjes me 56%.

Ata kishin gjithashtu depresion më të ulët, krahasuar me personat me dhimbje shpine që morën kujdes të standartizuar, si ilaçe kundra dhimbjes. Rezultatet sugjeruan nje trend drejt uljes së përdorimit të ilaçeve kundra dhimbjes, në ata persona që bënin joga.

Dhimbje e reduktuar e artritit
Është parë që aktiviteti fizik mund të ndihmojë në largimin e dhimbjes dhe mpirjes që vjen si pasojë e osteoartritit. Problemi është që këto simptoma mund ta bëjnë të vështirë të merresh me aktivitet fizik.

Joga ofron një formë më të lehtë uhtrimesh që ndihmon në përmirësimin e shkallës së lëvizjeve dhe forcimin e muskujve rreth kyçeve që dhembin.
Në një studim të vitit 2014 me 36 gra me osteoartrit në gjunjë, ato që bënë joga, përjetuan një përmirësim domethënës të simptomave të tyre krahasuar me gratë e tjera që nuk e bënë këtë.

Joga mund të ndikojë dhe tek personat me artrit reumatoid. Në një studim të vitit 2015, gratë me artrit reumatoid, raportuan përmirësime në shëndetin e tyre fizik, në aftësinë për të ecur, në nivelet e dhimbjes, energji, humor dhe më pak dhimbje dhe enjtje në kyçe, pasi bënë dy orë seanca joge në javë për 8 javë.

Orari i gjatë i punës rrit rrezikun e diabetit tek femrat

Studime të shumta veçse kanë dëshmuar se të punuarit për më gjatë se 39 orë në javë është gjë e pashëndetshme për gjithsecilin.

Por, tani duket se orari i gjatë i punës është më i dëmshëm posaçërisht për gratë.
Në fakt, femrat të cilat punojnë mbi 45 orë në javë janë deri në 63% më të prira ta zhvillojnë diabetin sesa ato të cilat punojnë mes 35 dhe 40 orë në javë.

Të paktën kështu e thotë një studim i ri, i cili është publikuar në revistën ‘BMJ Open Diabetes Research & Care’.

Për plot 12 vjet, hulumtuesit kishin monitoruar 7,065 punëtorë (3,502 prej tyre femra dhe 3,563 meshkuj) në Kanadë, të cilët nuk kishin pasur diagnozë të mëhershme të diabetit.

Ndonëse nuk ishte gjetur ndonjë lidhje mes zhvillimit të diabetit dhe orëve të gjata të punës për meshkujt, studimi ka zbuluar se shkaku i orarit të gjatë të punës, te femrat rritet në mënyrë drastike rreziku për diabet.

Pesë arsyet pse Xavi e refuzoi Barcelonën

Gjatë ditëve të fundit është raportuar se Barcelona është në kërkim të një trajneri të ri, pasi që është e gatshme t’i ndajë rrugët me Ernesto Valverden. Më i përfoluri deri më tani ka qenë ish-mesfushori legjendar i klubit, Xavi Hernandez.

Njeriu me të cilin Barcelona dëshironte më së shumti ta zëvendësojë Ernesto Valverden ishte Xavi. Megjithatë, ky i fundit e habiti ish-klubin e tij kur vendosi ta refuzojë ofertën.

Sipas të përditshmes spanjolle Marca, ai i kishte pesë arsye prapa vendimit për të mos u bërë tani trajneri i ri i Barcelonës.

Së pari, Xavi e di se ai mund ta marrë postin e trajnerit në Camp Nou kurdo që të dojë dhe nuk ka nevojë të ngutet. Ai beson se do të ishte më mirë ta merrte këtë post në fund të sezonit dhe është i gatshëm të presë edhe pak.

Së dyti, ai e respekton Ernesto Valverden, i cili e ka fituar titullin e La Ligës që dy vjet radhazi, dhe nuk mendoj se do të ishte e drejtë ta merrte postin e trajnerit në këtë mënyrë.

Pastaj, ai e respekton edhe klubin e tij aktual, Al Sadd, të cilët i besuan atij kontratë shumëvjeçare dhe ia dhanë mundësinë e parë për ta provuar veten si trajner.

Gjithashtu, ai është i përkushtuar ndaj lojtarëve të tij aktual dhe së shpejti do t’u vije finalja e Kupës së Katarit. Xavi nuk do të dëshironte t’i linte ata në baltë para një ndeshjeje kaq të madhe.
Arsyeja e fundit është më e komplikuar.

Ai i është përkushtuar “moralisht” njëri kandidat në zgjedhjet presidenciale të Barcelonës, Victor Fontit. Zgjedhjet do të mbahen vitin e ardhshëm, kur Xavit i përfundon kontrata me Al Saddin. Për këtë arsye, ai do t’ia vë syrin postit të trajnerit të Barcelonës atëherë.

Pasi e kishte mbyllur karrierën e tij si futbollist – gjatë së cilës e fitoi statusin e legjendës në Barcelonë – Xavi e filloi karrierën e tij si trajner. Deri më tani ai e ka udhëhequr skuadrën e Al Saddit në 14 ndeshje, prej të cilave i mori tetë fitore, një humbje dhe pesë barazime.

“Messi është më i miri në çdo pozitë”, Guardiola tallet me krahasimet e Agueros

Aftësitë mbresëlënëse të Sergio Agueros si golashënues i Manchester Cityt e kanë bërë atë ndër më të mirët në botë, mirëpo trajneri i tij, Pep Guardiola, beson se Lionel Messi ende mbetet më i mirë në secilën pozitë.

Sergio Aguero shënoi het-trik në fitoren me rezultat 6:1 të Manchester Cityt kundër Aston Villës të dielën, duke e kaluar Thierry Henryn si golashënuesin më të mirë të huaj në histori të Premierligës.

31-vjeçari e arriti këtë rekord në tre ndeshje më pak të zhvilluara sesa legjenda franceze e Arsenalit, të cilit i ishin duhur 258 ndeshje për ta arritur rekordin.

Aguero gjithashtu e barazoi rekordin e ikonës së Chelseat, Frank Lampardit, në listën e futbollistëve me më së shumti gola në përgjithësi në Premierligë. Tani ai radhitet në këtë listë pas vetëm dyshes legjendare të Manchester Unitedit Andy Cole dhe Wayne Rooneyt, si dhe legjendës së Newcastle: Alan Shearer.

Kur u pyet pas kësaj ndeshjeje nëse Aguero ishte lojtari më i mirë me të cilin ai ka punuar në karrierën e tij si trajner, Guardiola preferoi ta përmend gjashtë-herë fituesin e Topit të Artë, Lionel Messin e Barcelonës.

“Më i miri është Messi. Messi është nëntëshi, dhjetëshi,, njëmbëdhjetëshi, shtatëshi, gjashtëshi, pesëshi e katërshi më i mirë….”, tha Guardiola, duke buzëqeshur.

“Por Sergio, në mes të disa të tjerëve, është njëri ndër ta. Kam thënë shumë herë se ai do të vdesë duke shënuar gola, është me të vërtetë i talentuar”.

Trajneri spanjoll kishte punuar me Messin gjatë viteve 2008 dhe 2012, në një periudhë kur Barcelona ishte në kulmin e fuqisë, duke i fituar katër tituj të La Ligës, dy Liga të Kampionëve, dy Kupa të Mbretit, dy Superkupa të UEFA-s, dy Kupa të Botës për Klube dhe tre Superkupa të Spanjës.

Ronaldo turpëron Smalling, e lë prapa me një lëvizje

Cristiano Ronaldo e shfaqi talentin e tij me një superlëvizje gjatë ndeshjes të së dielës Roma-Juventusit, kur arriti ta kalojë dhe ta turpërojë Chris Smalling.

Juventusi kaloi në epërsi me rezultat 2:0 qysh herët në ndeshje. Pas kësaj epërsie, Cristiano Ronaldo vendosi të argëtohet në fushën e lojës, në kurriz të Chris Smallingut.

34-vjeçari e la të pashpresë mbrojtësin e huazuar nga Manchester Unitedi me vetëm një lëvizje brenda zonës së 16-metërshit. Ai madje e arriti topin dhe e harkoi atë në zonë.

Pamjet e ngadalësuara të këtij momenti janë bërë virale në rrjetin social Twitter.

Skuadra e Maurizio Sarrit do të jetë e lumtur me paraqitjen e së dielës, pasi që arritën të kthehen në krye të Serisë A, me dy pikë më shumë sesa Interi.

Pas një viti e gjysmë në Serie A, Ronaldo ka arritur të shënojë kundër secilës skuadër të Serisë A me të cilën është përballur.

Rekordi i Zidane me Realin: Nëntë finale, nëntë trofe!

Trajneri Zinedine Zidane tha se triumfi në nëntë finalet e zhvilluara të Real Madridit me të në postin e trajnerit është diçka që duhet të pritet nga një klub i nivelit të “Los Blancos”.

Pas 90 minutave dhe kohës shtesë pa gola, Real Madridi e mposhti rivalin e qytetit, Atletico Madridit, me rezultat 4:1 në penallti, në finalen e Superkupës së Spanjës.

Kapiteni Sergio Ramos e shënoi penalltinë fituese, përderisa Zidane arriti ta vazhdojë rekordin e tij të përsosur si trajner i Real Madridit, duke i fituar nëntë trofe nga po aq finale të zhvilluara.
“Në fund, ne të gjithë jemi bashkë dhe i përgatisim ndeshjet mirë. Nuk e di pse i kemi fituar të nëntat. Kjo ka ndodhur për shkak të asaj se çfarë është klubi. Nuk ka qenë e lehtë, por kemi pasur durim dhe kemi qëndruar të qetë”, ka thënë Zidane.

“Pas pjesës së parë, ne nuk dinim se si t’i shkonim edhe më afër golit, por patëm durim. Besuam deri në fund, si gjithmonë. Nuk është kurrë e lehtë të fitosh trofe e aq më pak kundër Atleticos. Të dyja skuadrat patën raste”.

“Jemi ende në shumë gara. Duhet të jemi të lumtur, por ende kemi shumë gjëra për të bërë. Duhet të vazhdojmë të punojmë. Ne do të pushojmë pak dhe pastaj do të luajmë sërish. Nuk mund ta lejojmë të na bie forma”.

“Tani do ta shijojmë veten, por kemi ende shumë punë për të bërë në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Mbretit”.

“Të kesh frikë të ecësh rrugës, nxorën kallashin nga Benz-i zi dhe”…

Një qytetar nga Bulqiza ka treguar se çfarë i ka ndodhur në mes të qytetit kur nga një makinë Benz me xhama të zinj në të cilën ai thotë se, ka parë disa djem të rinj i është nxjerrë kallashi.

Qytetari thotë se beson që të rinjtë ishin në gjendje të dehur që bënin ato veprime, ndërkaq, denoncimin ia ka dërguar ish kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit e ka publikuar në profilin e tij në Facebook.

Postimi i plotë i ish-Kryeministrit Berisha

Bulqiza në duart e gangsterëve dhe kriminelëve të partisë së drogës!

Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital. sb

Mirmbrema Dr. Sali Berisha.

Zgjodha t’ju shkruaj juve pasi nuk dim ku të drejtohemi tjetër.

Në Bulqizë janë shtuar shumë kto ganksterat.

Teksa po shkoja në shpi rrugës më afrohet një Benz i Zi dhe u ndalua pranë meje. Me muzik në fund dhe unë vazhdova rrugën teksa unë hecja ato hecnin ktheva kokën dhe i njoh si fytyra edhe shoferin edhe ate tjetrin që ishte në vend të parë. Nuk pashë nëse kishte të tjerë pas, se ishte mjeti me xhama të zinj mbrapa.

Teksa vazhdoja rrugën mjeti filloj të më ndiqte dhe personi që ishte në vendin e parë nxorri kallashin në dritare dhe duke sharë e bërtitur por nuk qelloi makina nderkohë ishte në ecje. Me sa dukej ishin në gjendje të dehur dhe janë rreth moshës 18-19 vjeç.

Ky është shteti kjo është policia e Bulqizës. Të kesh frikë të hecesh rrugëve se nuk i dihet me çfarë përballesh.

Rama në spital, nuk përmbahet: Si katunar që jam, nesër do…

Kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të spitalit të ri për kirurgjinë. Fjalën e tij Rama e nisi duke treguar një episod nga periudha kur ishte kryebashkiak i Tiranës.

“Kafazin e luanit e kishin shtruar me të një pllaka dhe praktikisht e kishin vendosur luanin në një pozitë që në asnjë xhungël nuk ishte vendosur specia e tij sepse nuk ecte dot, rrëshqiste dhe ishte bërë gjysmë delfin. Natyrisht rrëfimi im i përket kohës kur demokracia erdhi bashkë me pllakat nga Turqia kundër atyre uniformë të bardha që prodhoheshin në vend”, u shpreh Rama.

Spitalin e ri, i cili ka marrë emrin “Frederik Shiroka”, Rama e cilësoi si investimin më të madh në 90 vitet e shëndetësisë shqiptare.

“Por ia vlen t’i kthehemi një moment për të parë më mirë se pse duhet kohë për të ardhur në këtë spital që është vepra më e madhe e 90 viteve në shëndetësinë e vendit. Për nga cilësia dhe kapaciteteve teknologjike që vendosen në dispozicion të mjekëve. Ndihem shumë i nderuar dhe nuk ka kompliment më inkurajuese sesa fjalët e profesorit që ka shoqëruar një periudhë të rëndësishme të kirurgjisë. Nuk mbaron këtu se ëndrra ime ka qenë që QSUT të transformohet. Sot spitali i kirugjisë ka përfunduar, por QSUT është një kantier.

Enden shumë njerëz nëpër këmbë gjë që nuk ndodh në sitalet normale, për të kuptuar që është nevoja në punën transformuese. Jo vetëm puna në vazhdim me spitalin e sëmundjeve të brendshme apo me pediatrinë, por edhe puna megjithë pjesën e jashtme për të pasur më në fund një parkim që do i grumbullojë të gjitha mjetet në hyrje.

Jam shumë i vetëdijsëm për faktin që shëndetësia nuk është vetëm spitali kryesor i vendit. Është një rrjedhë i tërë shërbimi, për ta lehtësuar këtë kryesorin. Deri më pak vite më parë ëtu ishte edhe shërbim parësor edhe urgjencë për të gjitha llojet e rasteve. Lehtësimi i kësaj barre për krijimine gjithë sistemit rreth e rrotull është pjesë e gjithë këtij procesi.”, u shpreh Rama.

Ndërsa gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë edhe këtë herë nuk hezitoi me një batutë para të pranishmëve.

“Si një katunar që jam nga një katund këtu afër gjëja e parë që do bëj do sjell një varg me hudhra. Ne katunarët siç i thonë nuk kina shkollë por kina eksperiencë. Hudhrat do i sjellë nesër që mos ju marrin në syshë”, u shpreh kryeministri./abcnews.al

Kajmaku i Ramës në “arrati”, Gjykata shtyn seancën…

Është shtyrë seanca për ish kreun e bashkisë Vorë, Agim Kajmakun. Gjykata ka kërkuar që të gjithë provat të sillen në mënyrë e kërkuar nga ligji. Shtyrja e seancës është kërkuar nga avokati i Kajmakut për të paraqitur provat. Seanca tjetër do të zhvillohet në datën 28 janar në orën 11.30.

Kryebashkiaku i Vorës ndodhet në arrati, dhe ende nuk i është dorëzuar organeve të drejtësisë. Ai u akuzua se kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit, dënimin në shtetin grek, për falsifikim dokumentesh.

Kajmaku kërkon ndryshimin e masës së sigurisë

Do të ndryshojë masa e sigurisë arrest me burg ndaj ish-kryebashkiakut socialist të Vorës Agim Kajmaku? Vendimi jepet këtë të hënë në një seancë me dyer të mbyllura nga gjyqtari i Gjykatës së Tiranës Kujtim Vraniçi, i njëjti që ka dhënë masën ‘arrest në burg’ për ish-kryebashkiakun, dy muaj më parë.

Agim Kajmaku, person në arrati, akuzohet nga prokuroria për tri vepra penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i formularëve” dhe “Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.

Prokuroria ka bërë me dije në rrugë zyrtare se Kajmaku kërkohet në lidhje me hetimin e nisur ndaj tij për falsifikim të formularëve, denoncuar së pari nga opozita që ngriti zërin gjatë verës dhe tregoi që Agim Kajmaku kishte qenë i dënuar në Greqi. Ai nuk e kishte raportuar këtë fakt në formularët e dekriminalizimit. Për këtë shkak, u shkarkua nga KQZ nga detyra e kryebashkiakut.

Nga ana tjetër, prokuroria pohon se ai është nën hetim edhe për ushtrim të funksioneve pas dhënies fund të detyrës duke qenë se ka shkarkuar dy nënkryetarë te bashkisë pikërisht ditën kur komisioni qendror i zgjedhjeve i ndërpreu unanimisht mandatin si edhe ka shpërdoruar detyrën. Lidhur me këtë akuzë, avokati i Kajmakut pretendon se këto dy lëvizje janë bërë më 31 Tetor.