20.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Veliaj nuk ndalet! Nesër në mëngjes nis aksioni për shembjen objekteve tek “Astiri”

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka njoftuar se rifillon nesër në ora 6.00, shembjet e objekteve në gjurmën ku do të shtrihet “Unaza e Madhe” në kryeqytet.

“Janë planifikuar të prishen 6 objekte, nga të cilat një me shpërthim të kontrolluar, që do të realizohet një ditë më pas. Objektet që do të prishen, ndodhen pranë rreth-rrotullimit në hyrje të Tiranës (ish shqiponja)”, thuhet në njoftimin e IKMT.

Në mesin e Nëntorit, IKMT zhvilloi një aksion disa ditor në këtë zonë, që degjeneroi në përplasje. Forca të policisë, në mbështetje të punonjësve të IKMT-së u përplasën fizikisht me banorët të cilët kundërshtuan shembjen e banesave të tyre.

Nga ana e forcave të rendit u përdor jo vetëm dhunë fizike, por u hodh edhe gaz lotsjellës, duke helmuar qytetarët protestues. Shumë syresh përfunduan me lëndime në spital, si pasojë e dhunës së policisë.

Banorët e “Astirit” dhe “Unazës së Re”, prej më shumë se një viti kanë protestuar kundër projektit për “Unazën”, që është shoqëruar me hije skandali. Protestat ditore u ndërprenë vetëm pas tërmetit vdekjeprurës të 26 Nëntorit.

Qeveritarët prishin pallatet ku banojnë vetë, por jo ato të qytetareve të dëmtuara rëndë nga tërmeti

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetareje nga Laçi e cila shkruan se, pallatet e parë që po rregullohen pas tërmetit janë ato të drejtuesve lokalë të lidhur me qeverinë.
Berisha shkruan se, qeveritarët prishin pallatet ku banojnë vet, por jo ato të qytetareve të thjeshtë të dëmtuara rëndë nga tërmeti!

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha

Qeveritaret prishin pallatet ku banojne vet, por jo ato te qytetareve te thejshte te demtuara rende nga termeti.

Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital. sb

Pershendetje. Jam nje banore e pallatit 103 Laç, Kurbin. Banoj te pallati 103 te lagjja 4 ku jane 5 pallate që jane te rrezikshme.Mua si banore me shqeteson fakti se nane thene se pallati eshte per rikonstruksion,,,bashke me pallatin 101.Ndersa pallati 1-Kryetares se bashkisae ka dale per shembje 2-pallati i nenprefektit ka dal per shembje 3-dhe pallati i inxhinieres ka dal per shembje.

Si ka mundesi jemi ngjit me njeri tjetrin dhe lozin me jeten tone.Sepse si pallati 103 dhe si pallati 101 ka banore te thjeshte dhe punetore dhe jo persona qe punojne ne bashki.Ju lutem publikojeni se eshte nje shqetesim i madh.Si pallati 101 dhe 103 jane larguar perfundimisht madje dhe rroba`t i kane hecur.ju lutem publikojeni se kemi hall te nadh.Ne do te behemi edhe 2 pallatet bashke dhe do dalim ne cdo media,,,por kemi nevoje dhe per zerin tuaj.Ju falenderoj.

Raporti i fortë i FINCH: Shqipëria me qeveri ilegjitime

FINCH, një organizëm prestigjioz ka publikuar raportin e fundit të tij në lidhje me Shqipërinë. Në raport, Shqipëria renditet në fund të botës ndërsa theksohet se vendi ka sot një qeveri ilegjitime. Një reagim i fortë që vjen nga një ndërgjegjësim gjithnjë dhe më i madh ndërkombëtar në lidhje me pushtetin në Shqipëri.

Kryetari i opozitës, Basha ka reaguar në lidhje me këtë raport, “Sot është publikuar një raport nga Finch, që tregon se Shqipëria renditet me fundin e botës, si një vend me qeveri ilegjitime. Axhenda e tij, është pushteti i tij”, tha Basha.

KOMUNIKIMI ME GAZETARËT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

Pyetje: Zoti Basha, do të zhvilloni një mbledhje me aleatët, është rënë dakord për të gjitha pikat që përfshin Reforma Zgjedhore? Kujtojmë këtu një nga pikat më të diskutuara ka qenë ajo e sistemit zgjedhor. Aleatët kanë kërkuar ndryshim sistemi, a ka një konsensus?

Lulzim Basha: Në emër të Partisë Demokratike dhe të opozitës së bashkuar, kam qenë dhe jam i hapur, e kemi shprehur këtë zyrtarisht, për të diskutuar me të gjithë qytetarët shqiptarë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, cili sistem zgjedhor do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Nisur nga praktika e 7 viteve të fundit, mund të themi me siguri të plotë se cilido sistem të zgjidhet, do të dështojë, nëse nuk garantojmë ndarjen e politikës nga krimi, ndaljen e blerjes së votës me paratë e pista dhe ndëshkimin e krimeve elektorale nga një drejtësi e pavarur.

Ndaj, nga kjo pikëpamje, mund të them se alibia, se “fajin e ka sistemi”, fatkeqësisht mund të kthehet në një shtojcë të propagandës së Ramës, sipas të cilës jemi të gjithë njësoj, sipas të cilës fajin e ka çdokush, përveç atij, për kandidimin e personave me rekorde kriminale, për kapjen e gjithë kupolës së shtetit dhe policisë duke blerë vota me krimin e organizuar.

Në fakt e dimë të gjithë se Shqipëria është sot në një krizë të thellë politike, e cila ka precipituar në krizë ekonomike dhe në një krizë të paimagjinueshme emigracioni, për shkak të përgjegjësive të këtij kryeministri dhe të dështimit total të tij dhe të qeverisë së tij.

Pyetje: Kryeministri sot nga Vjena ka deklaruar se vendi nuk ka një krizë politike, ndërkohë që reforma e re zgjedhore të bëhet bashkë me opozitën jashtë parlamentare, pra me ju, duke pasur parasysh edhe rekomandimet e OSBE-ODIHR. Komenti juaj?

Lulzim Basha: Unë zgjedh të besoj Bundestagun dhe nuk besoj se ka shqiptar që në mes të Bundestagut dhe Edi Ramës, zgjedh këtë të fundit. E shkruar e zezë mbi të bardhë, vendi është në një krizë të thellë politike dhe këtë shqiptarët, jo vetëm opozita, e ndjejnë në lëkurën e tyre.

E ndjejnë në papunësinë që rritet, në bizneset që mbyllen, e ndjejnë në mungesën totale të shtetit që nxori në pah tërmeti i 26 nëntorit. E nxori mbretin lakuriq. E nxori shtetin pa emergjenca civile, tregoi se edhe një shtet i ri si Kosova kishte dhjetëra herë më shumë kapacitete për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë dhe e tregon sot ku i ka braktisur me mijëra familje në pikë të hallit.

Dua t’ju falënderoj ju dhe kolegët tuaj që vazhdoni t’i mbuloni, në veçanti, në këto ditë të acarta. Axhenda e Edi Ramës është pushteti i tij personal. Për pushtetin e tij personal e ka zhytur vendin në një krizë të thellë legjitimiteti. Sot është publikuar një raport nga Finch, që tregon se Shqipëria renditet me fundin e botës, si një vend me qeveri ilegjitime. Axhenda e tij, është pushteti i tij.

Axhenda ime është ekonomia, shpëtimi ekonomik i Shqipërisë, demokracia, dinjiteti dhe mirëqenia e çdo shqiptari. Dhe në funksion të kësaj, jemi të gatshëm të hedhim çdo hap të nevojshëm, për t’i dhënë fund një orë e më parë, krizës së thellë politike, ku e ka zhytur vendin Edi Rama dhe qeveria e tij e dështuar.

Pyetje: Zoti Basha, a ka PD në tryezë emra të tjerë kryebashkiakësh që kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit?

Lulzim Basha: Për të gjitha këto çështje do të informoheni hap pas hapi.

Pyetje: Një pyetje për tensionin SHBA-Iran. Sa e rrezikuar është Shqipëria?

Lulzim Basha: Liria dhe demokracia e vërtetë ka një çmim të lartë. Në kuptimin e brendshëm, shqiptarët po e kuptojnë, e kanë kuptuar tashmë, se pa luftuar për demokracinë ditë për ditë, ajo rrezikon të zhduket nën peshën e një qeverie të korruptuar dhe të inkriminuar.

Po kështu, liria ka një çmim të lartë ndërkombëtarisht dhe unë jam krenar që, si ministër i jashtëm, kam rreshtuar Shqipërinë krah për krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO dhe besoj fort se kjo aleancë vlerash, mbi të gjitha, është një aleancë e lirisë, dinjitetit njerëzor.

Ndaj dua të shpreh edhe njëherë në emrin tim, në emër të PD dhe në emër të opozitës së bashkuar, qëndrimin tonë të qartë, që e kemi bërë të ditur prej orës së parë të zhvillimit të ngjarjeve, përkrah SHBA, përkrah vlerave të lirisë dhe demokracisë.

Basha: Cilido sistem të zgjidhet do të dështojë nëse nuk garanton ndarjen e politikës nga krimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komentoi debatet e ditëve të fundit për çështjen e sistemit zgjedhor.

“Cilido sistem të zgjidhet do të dështojë nëse nuk garanton ndarjen e politikës nga krimi”, tha Basha.

Sipas tij, “alibia se fajin e ka sistemi, mund të kthehet në një shtojcë të propagandës së Ramës që të gjithë jemi njësoj”.

“Në emër të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar kam qenë dhe mbetem i hapur për të diskutuar, në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, bashkë me qytetarët shqiptarë, sistemin zgjedhor që duhet të aplikohet në Shqipëri për zgjedhjet parlamentare.

Nisur nga praktika e keqe e 7 viteve të fundit, unë besoj se cilido sistem zgjedhor do të dështonte të rriste cilësinë e përfaqësimit dhe llogaridhënies nëse nuk sigurojmë dot shkëputjen e politikës nga krimi, blerjen e votave me paratë e pista, dhe ndëshkimin nga drejtësia e pavarur të krimeve elektorale.

Pa garantuar këto standarde minimale, fshehja pas alibisë që “fajin e ka sistemi”, është thjesht një shtojcë në propogandën e Ramës, që ne jemi të gjithe njësoj dhe që faji është gjithmonë diku tjetër, kur në fakt është ai që kandidoi persona me rekorde kriminale dhe u kap në përgjime duke blerë votat me krimin,” tha Basha.

Sipas Bashës, “agjenda e Edi Ramës është pushteti personal”, por opozitarët janë “të gatshëm” që t’i japin “këtë vit, një orë e më parë, zgjidhje krizës politike”.

Porositësit e vrasjes së Esat Pashës dhe dëshmia e Avni Rrustemit: Fundi i një prej personazheve më enigmatike shqiptare!

Ilir Ikonomi
Në kohën që italianët po përgatisnin terrenin për kthimin e Esatit, plani për vrasjen e pashait po përparonte. Më 21 maj, pas një qëndrimi prej dy javësh në Tiranë, studenti nga Libohova, Avni Rustemi, ishte kthyer në Itali. Avniu kishte lindur në vitin 1895. Ishte shtatvogël dhe thatim, hundën e kishte të mprehtë, mollëzat pak të dala, si të skalitura, sytë të futur dhe buzët përherë të mbledhura. Edhe pse i ri, jeta e tij kishte qenë e ngjeshur me ngjarje.

Në moshën 12 vjeç, e kishin dërguar në Janinë për studime dhe, pas 3-4 vjetësh, në Stamboll. Më 1912 kishte bërë një vit në një kolegj pedagogjik të Gjenevës, ku kishte mësuar frëngjishten. Dy vjet më vonë, në kohën e Vidit, kishte luftuar kundër epirotëve në jug. Më 1915, ishte kthyer në Janinë për të studiuar në një shkollë izraelite dhe për të mos harruar frëngjishten. Më 1917 ishte emëruar mësues në Tepelenë. Në fillim të 1919-s kishte hyrë nxënës në kolegjin italo-shqiptar San Demetrio të Kalabrisë dhe, që nga fillimi i vitit 1920 studionte në Romë me bursë të qeverisë së Durrësit.

Vështirë të dihet se me ç’njerëz u takua dhe çfarë bëri Avniu gjatë qëndrimit në Shqipëri mes datave 5 dhe 21 maj 1920, por kur kaloi kufirin me tren nga Italia për në Francë, ai kishte në xhep 6,800 lira dhe 300 franga, që llogariten gjithsej në rreth 4,255 dollarë me vlerën e sotme. Avniu arriti në Paris më 31 maj dhe u vendos në Hotel des Tuileries, që ia kishin rekomanduar disa studentë italianë në Romë. Meqenëse hoteli ishte i shtrenjtë, pas disa ditësh mori me qira një dhomë në rrugën “Faubourg Monmartre”.

Avniu thoshte se kishte shkuar në Paris për të ndjekur ndonjë kurs mësuesie dhe kishte vendosur që, ditët e para të shëtiste nëpër kryeqytet. Më 2 qershor shkoi në selinë e delegacionit shqiptar në Hotel Campbell, pranë Harkut të Triumfit, ku u takua me shumë prej anëtarëve. Mit’hat Frashëri i rekomandoi të vizitonte një ekspozitë shqiptare, që hapej të nesërmen.

Në ekspozitë Avniu takoi një 47- vjeçar me emrin Gjergj Goga, i cili i tha se ishte sekretar i Esatit dhe banonte në hotel Continental, rruga “Castiglione”. Goga kishte disa javë që kishte ardhur nga Korfuzi me kërkesë të pashait. Dhoma e tij ishte njëkohësisht zyrë, ku ai mblidhte koleksione pullash për Esatin dhe priste artikuj gazetash, që i interesonin pashait.
Goga thoshte se dilte nga hoteli vetëm me lejen e eprorit.

Disa ditë më vonë, Avniu shkoi ta takojë në hotel dhe të dy biseduan rreth 30 minuta në dhomën-zyrë të Gogës. Avniu iu lut t’i rekomandonte dikë që të mund ta ndihmonte për të kryer studime në Paris dhe Goga i dha adresën e tregtarit Zef Ashiku, që jetonte në Paris. Megjithëse në bisedë nuk u fol për Esatin, Avniu duhet të kishte krijuar tani një ide pak a shumë të qartë për jetën e banorëve shqiptarë të Continentalit.

Në kryeqytetin francez, Esati priste me durim fatin e tij politik, sipas motos turke, të cilën e kishte të gdhendur edhe te vula që përdorte: “I mençuri e pret çastin e tij, i çmenduri i del përpara, budallai e lë t’i kalojë”. Pashai kishte shpresa. E gjithë Shqipëria e Mesme ishte nën ndikimin e tij, tregon Mustafa Kruja, ish-ministër në qeverinë e Durrësit. “Qeveria e Tiranës me Sulejman Delvinën kryeministër e Ahmet Zogun ministër të Brendshëm, – kujton ai, – kishte mbetur e pafuqishme kundrejt çetave esatiste që bridhnin lirisht deri te muret e kryeqytetit”.

Esati i kishte treguar Pashiçit dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit jugosllav se kandidatura e tij për fronin shqiptar po bëhej gjithnjë e më e mundur, sepse tani kishte arritur të merrte edhe mbështetjen e Italisë. U kishte thënë se do të kthehej me kënaqësi në Shqipëri, madje do ta bënte këtë menjëherë, po të mos i trembej ndonjë atentati nga ana e shqiptarëve.

Para disa muajsh i kishte deklaruar një gazete në Zvicër se dëshironte të vdiste siç vdesin ushtarët, duke luftuar në krye të ushtrisë së tij. “Megjithatë, – kishte thënë, – ka patur disa komplote kundër jetës sime dhe ndoshta ndonjë vrasës do t’ia arrijë qëllimit”. Një ditë, aty në apartamentin 176, i kishte treguar Elizës disa gazeta, ku flitej se njerëzit e tij kishin përmbysur qeverinë e Tiranës.

Duhet të ishin lajme të zmadhuara, por i kishte thënë se shpresonte që në të ardhmen të merrte pushtetin, ndonëse në Shqipëri ai kishte shumë armiq. Gjithsesi, në Paris Esati nuk kishte frikë, madje shpesh dilte i vetëm nga hoteli dhe nuk e vriste mendjen për sigurinë personale. Pashai po bëhej gati të ikte nga Continentali për t’u vendosur në një shtëpi të mobiluar në rrugën Villa Said, një adresë prestigjioze, ku do të ishte fqinj me shkrimtarin e madh Anatole France.

Shtëpia sapo ishte zbrazur nga miku i Esatit, Milenko Vesniç, që ishte kthyer në Beograd për t’u bërë kryeministër i Mbretërisë serbo-kroato-sllovene. Kontrata e qirasë ishte lidhur më 10 qershor dhe në Villa Said ishte dërguar një pjesë e sendeve të Esatit: një sënduk prej hekuri që shërbente si kasafortë, një baule prej druri dhe disa valixhe. Shtëpia ishte një tripleks me katër dhoma pranë Pyllit të Bulonjës.

Arsyeja e lëvizjes ishte se në Paris do të vinte së shpejti Shadija, e cila ishte nisur me anije nga Stambolli të shtunën, më 12 qershor. Eliza do të largohej për në Vishi dhe pashai i kishte premtuar se do ta takonte përsëri më vonë. Mbrëmjen e së shtunës, në Continental erdhi nga Nisa nipi i Esatit, Xhemil bej Vlora, për të cilin pashai kishte dashuri të veçantë. Nuk ishin parë prej një viti e gjysmë.

Të dielën, më 13 qershor në mëngjes, Esati bashkë me Xhemilin dhe Elizën bënë një vizitë në shtëpinë e re. Pastaj pashai u kujdes që gazetës së Parisit, Le Temps, t’i dërgohej një promemorie e tij, me të cilën donte që Kruja, të bënte publike kërkesën për dëmshpërblime, meqenëse dukej e pamundur që kjo punë të zgjidhej me rrugë diplomatike.

Në tekst Esati shpjegonte gjerë e gjatë peripecitë e tij, nga koha e Vidit e deri në mbarim të luftës europiane dhe përmendte kontributin që kishte dhënë për aleatët. Në fund hynte në thelbin e kërkesës: “Gjatë më shumë se katër vjetëve, nuk kam marrë asgjë nga të ardhurat e konsiderueshme që më sillnin pronat e shumta.

Vazhdoj të paguaj shpenzimet civile dhe ushtarake të qeverisë sime që ndodhet në Selanik dhe kam marrë përsipër pensionet e ushtarëve të gjymtuar e të familjeve të atyre që ranë në fushën e betejës në Shqipëri e në Selanik. Me ndërgjegje të plotë vlerësoj se këto shpenzime kapin 10 milionë franga. Me pak fjalë, nga bashkëpunimi im unë nuk marr veçse humbje materiale dhe përbuzje morale”.

Promemorja mbyllej me fjalët: “Kjo pasojë e dyfishtë është rezultat i refuzimit tim ndaj pretendimeve të Italisë. Mendimi se kam bërë detyrën time deri në fund dhe me besnikëri të plotë, mund të ishte për mua një ngushëllim i çmuar, nëse jeta nuk do të kishte kërkesat e saj dhe nëse nuk do të më duhej të siguroja shpërblimin material të atyre bashkatdhetarëve, të cilët, duke besuar tek unë dhe te shpirti i barazisë së Francës, gjatë tre vjetëve braktisën familjet dhe mirëqenien e tyre për të bashkëpunuar me mua. Gjaku shqiptar vaditi fushat e betejës dhe, për hir të drejtësisë, nuk duhet harruar!”.

Atë ditë, ai do të hante drekë me Xhemilin dhe Elizën në restorantin L’Escargot d’Or. Në orën një pa një çerek zbritën të tre për të shkuar tek automobili, që ishte parkuar në të djathtë të hyrjes së Continentalit. Esati kishte veshur një xhaketë gri, mbi të cilën mbante rozetën e Oficerit të Legjionit të Nderit dhe Kryqin francez të Luftës. Para se të dilnin, iu tha të dyve ta prisnin në automobil, sepse do të vonohej pak. Kur Xhemili, Eliza dhe shoferi ishin duke pritur, u dëgjuan dy krisma të forta. Nga pasqyra Xhemili pa një njeri me revolver në dorë përpara portës së hotelit. Të dy dolën nga automobili dhe u larguan me vrap, pa e kuptuar se ç’po ndodhte.

Pak minuta më vonë u mësua se ishte vrarë Esat Pasha dhe njeriu që kishte shkrehur armën kishte qenë Avni Rustemi. Ky kishte qëndruar i fshehur pas njërës prej shtyllave të hyrjes në pritje të pashait. Me të dalë Esati nga porta kryesore, Avniu i kishte ardhur nga prapa dhe e kishte qëlluar nga një farë distance me një revolver Smith & Wesson, që mbante me vete.

Plumbi, sa trashësia e gishtit, kishte depërtuar nën qafë, pranë shtyllës kurrizore dhe, kur trupi ishte duke u rrotulluar e po rrëzohej dhe viktima kishte ngritur krahët për t’u mbrojtur, Avniu e kishte qëlluar përsëri, kësaj here përballë, në anën e majtë të kraharorit, pothuajse në lartësinë e sqetullës. Esati kishte bërë disa hapa, kishte rënë në gjunjë dhe ishte rrëzuar buzë trotuarit.

Ndërkohë që vrasësi e kishte lëshuar revolverin në tokë dhe po përpiqej të ikte, dy portierë e kishin mbërthyer për gryke dhe shoferët e taksive, që ishin ndodhur aty pranë, i kishin gjuajtur me grushte në fytyrë. Ishte dashur ardhja e një polici që ata ta lëshonin. Avniu nuk kishte bërë asnjë rezistencë, por fytyra i ishte ënjtur dhe gjakosur nga goditjet.

Kur arritën Xhemil beu dhe Eliza, ata panë të tronditur trupin pa jetë të Esatit, që shoferi dhe disa të tjerë e kishin sjellë brenda hotelit dhe e kishin shtrirë mbi qilim, pranë ashensorit. Viktimën e bartën sipër, në apartament. Në mbrëmje e transportuan për në shtëpinë e re, në rrugën “Villa Said”, ku trupit iu bë autopsia.

Në polici, Avniu u mor në pyetje nga komisari Eugène Jublin, të cilit i shpjegoi me një frëngjishte të rrjedhshme se po rrinte në hyrje të hotelit duke pritur Gjergj Gogën për t’i kërkuar një informacion, por papritur kishte parë Esatin të dilte dhe në kokë i kishte hipur gjaku. “Pashë se si ecte i kapardisur dhe në mendje m’u shfaqën të gjitha krimet që kishte bërë ky diktator kundër bashkatdhetarëve të mi.

Në kokë m’u shfaq si në një pasqyrë e tërë e keqja që i kishte bërë atdheut tim…Eca drejt Esat Pashës, nxora revolverin dhe e qëllova dy herë”, -tha Avniu. “Nuk më vjen keq për aktin tim. E quaj një shërbim ndaj çështjes shqiptare dhe ndaj gjithë patriotëve të vendit tim që e hoqa qafe gjeneralin”, – tha ai, duke u kujdesur të shtonte se vrasjen nuk e kishte bërë me paramendim.

Kur Jublin i tha se nuk ishte e nevojshme të kishte me vete armë zjarri për të kërkuar një informacion, Avniu iu përgjigj: “Te ne, njerëzit dalin gjithnjë të armatosur”. Shtypi i Parisit i kushtoi vrasjes shkrime në faqet e para. Kryesisht, Esatit i thureshin elozhe si mik i Francës dhe i Serbisë. Le Temps botonte tekstin e plotë të promemories së Esatit, që gazetës i kishte arritur vetëm pak minuta para ngjarjes. Le Monde Illustré shkruante se bashkë me Esatin “u shua një personazh i një epoke tjetër, u zhduk ai pak romantizëm që kishte mbetur. Me të u zhduk klefti dhe Orienti, të cilëve iu kënduan me aq zjarr Hygoi dhe Bajroni.”

Auguste Gauvain, i cili e kishte njohur Esatin qysh në Luftën e parë Ballkanike, aludonte në Journal des Debats se vrasja duhet të ishte nxitur nga qeveria italiane, meqenëse atentatori kishte ardhur nga Roma dhe thoshte se e kishte blerë armën në Itali. Ai shkruante se hetuesit duhet të përcaktonin se nga erdhën mijëra frangat që Avniu kishte në xhep. “Janë shumë për një shqiptar… në një kohë kur francezët nuk gjejnë dot shtëpi ku të fusin kokën në qytetin e tyre”, shkruante Gauvain.

Le Temps nuk ishte e vetmja që bënte aluzion për Italinë si porositëse e vrasjes. Ambasadori italian në Paris, Bonin Longare, i kërkoi Ministrisë së Jashtme franceze që t’i jepej fund kësaj “gjuhe skandaloze”. Për t’i përgënjeshtruar zërat, ambasadorit iu desh të flasë vetë me gazetarët, të cilëve u tha se në fakt, marrëdhëniet e Italisë me Esatin po shkonin drejt përmirësimit kohët e fundit.

Edhe në shtypin e Beogradit pati shumë elozhe për Esatin dhe aludohej se dora e vrasësit ishte e armatosur nga Italia. Miku i Esatit, Kryeministri Vesniç, mbajti një fjalim të gjatë në parlament, ku e quajti pashain “martirin e parë të idesë kombëtare shqiptare”. Duke iu referuar tërthorazi Italisë, ai tha se shpëtimi i popullit shqiptar nuk mund të kërkohej jashtë një marrëveshjeje me fqinjët, sidomos me Serbinë.

Në Paris, Pashiçi i tha agjencisë së lajmeve Radio se vrasja e Esatit ishte për të ardhur keq. “Së pari, – tha ai, – sepse pashai ishte mik i serbëve dhe i francezëve; së dyti sepse ky shef i fuqishëm i klaneve veriore, i vrarë nga një shqiptar i jugut, mund t’i ngrejë klanet njërin kundër tjetrit”. “Ne serbët, – tha Pashiçi, – mendojmë se Shqipërisë i duhet dhënë pavarësia, sepse kështu ajo do të qetësohet përgjithnjë. Esati e ndoqi këtë qëllim me të gjitha forcat.

Që kjo të arrihet tani, më duket shumë e pamundur…”. Serbët kishin edhe një merak, siç del nga një telegram që zyrtari i tyre i lartë, Momçillo Ninçiç, i dërgonte Pashiçit nga Beogradi: “Esat Pasha, – shkruante ai, – mes sendeve të tjera ka patur edhe një sënduk metalik, ku ruante arkivën sekrete dhe aty mbante marrëveshjen që ne kishim me të.

Në rast se ai nuk ia ka dhënë sëndukun për ruajtje përfaqësisë sonë në Paris, atëherë duhet ta shtiem në dorë përmes ndonjërit prej njerëzve të pashait sa nuk është vonë. Gjithsesi, sënduku nuk duhet të bjerë në dorë të ministrit të Jashtëm shqiptar, sepse është njeri i pandershëm”. Ninçiç siç duket e kishte fjalën për Pavli Terkën, që ai mendonte se mund t’ia dorëzonte arkivën italianëve.

Në të vërtetë, të gjitha sendet e Esatit ishin dyllosur dhe bllokuar nga qeveria franceze menjëherë pas vdekjes. Autoritetet franceze kontrolluan në të gjitha bankat kryesore dhe rezultoi se Esati kishte llogari rrjedhëse në Bankën Franceze të Tregtisë dhe Industrisë në shumën 266,017 franga, ose 225,600 dollarë me vlerën e sotme. Një ditë para se të vritej, ai kishte tërhequr nga kjo llogari 20 mijë franga, që iu gjetën në xhepin e pantallonave. Sipas dëshmive të Elizës, Esati kishte edhe një kasafortë në Crédit Lyonnais, ku, përpara syve të saj, kishte depozituar “sasi shumë të rëndësishme parash”. Për kasafortën dëshmon edhe shërbëtori i pashait,

Anton Papadhopullos. Më 15 qershor, Pashiçi i raportoi Beogradit se njerëzit e pashait në Paris kishin mbetur pa asnjë mbështetje materiale. “Esat Pasha nuk e ka marrë ndihmën tonë prej disa muajsh. Është e domosdoshme që nëpunësit dhe njerëzit e tij të shërbimit të paguhen, të paktën me një shumë prej 100 mijë frangash (rreth 85 mijë dollarë sot)”, shkruante Pashiçi.

“Ata e dinë se ne nuk e kemi shlyer atë që i detyrohemi Esat Pashës dhe nuk kanë se kujt tjetër t’i drejtohen për ndihmë. Mendoj se ky është borxhi ynë moral dhe interesi ynë politik”. Nga Durrësi, Castoldi i raportonte Romës se kishte zbuluar disa të dhëna që kishin lidhje me vrasjen e Esatit. “Më rezulton, – shkruante ai, – se kur vrasësi kishte qenë në Tiranë kohët e fundit, kishte siguruar 8 mijë lira nga arka qeveritare. Pas kësaj i ishin paguar edhe shuma të tjera”.

“Duhet besuar, – shtonte Castoldi, – se për eliminimin e Esatit, vrasësi ka marrë porosi nga grupet kundërshtare të pashait, sidomos nga Ahmet bej Zogolli, armik i tij personal”.
Castoldi nuk thotë se nga e ka marrë këtë informacion, por gjetjet e tij përputhen me disa dëshmi të mëvonshme.

Sipas Mustafa Krujës, ka qenë Ahmet Zogolli që ka premtuar para për Avniun. Në librin “Plumba politikës”, autori Kastriot Dervishi shkruan se Avni Rustemin e gjeti mësuesi Sali Çeka, që vepronte në zonën e Elbasanit. Çeka ia përcolli Avniun Aqif pashë Elbasanit, që ishte anëtar i Këshillit të Naltë dhe armik i betuar i Esatit. Ali Asllani, funksionar i lartë i administratës, plotësoi çekun me para nga arka e Këshillit të Naltë.

Castoldi raportonte se “qeveria shqiptare kishte filluar përpjekjet për shpëtimin e vrasësit” dhe se ajo do të dërgonte në Paris njeriun e duhur, që do të ndërhynte pranë shtypit dhe qeverisë franceze. Ky njeri, sipas tij, do të shpjegonte aktin politik të Avniut dhe do të përpiqej të ndikonte mbi procesin gjyqësor. Do të ishte në interesin tonë, – shkruante Castoldi, – që edhe shtypi italian të ndiqte një kriter të tillë.

Me vrasjen e pashait, esatizmi duhet quajtur një kapitull i mbyllur”. Dy muaj pas vrasjes, Ministria e Jashtme franceze ngarkoi përfaqësuesin e saj për të hapur në praninë e familjes dhe të noterëve kasafortën e dyllosur të Esatit në Crédit Lyonnais, ku ai mbante para dhe dokumente. Fatkeqësisht, përmbajtja e kasafortës nuk rezulton në dokumentet e arkivit francez.

Kur u hoqën vulat e dyllit në baulet dhe në kasafortën metalike në Villa Said, letrat ishin në rrëmujë të plotë. Dokumentet, që kishin të bënin me subjekte fare të ndryshme, si qeveria e përkohshme në Durrës, administrimi i pronave të Esatit, apo komanda e Taborrit në Selanik, ishin vendosur pranë e pranë në të njëjtat zarfe.

Në grumbullin e dokumenteve, mes të cilave një pjesë ishte në turqisht, ndodhej propozimi i Komitetit Mysliman të Tiranës në vitin 1915 që Esati të arrestonte Krajewskin bashkë me të dërguarin serb në Durrës dhe të shpallte luftën e shenjtë. Ishin gjithashtu letrat që ai i kishte dërguar në korrik dhe gusht 1918 ambasadorit amerikan në Paris, William Sharp, të cilit i shpjegonte gjendjen në Shqipëri dhe shërbimet e saj për Antantën.

Në një dokument tjetër ishin shënimet e tij për takimin me Presidentin Wilson në prill 1919. Në një grup të veçantë ndodheshin dokumentet personale të Castoldi për Ministrinë e Jashtme, Durrës, Princeshës Sofi, të kapura nga shqiptarët kur kishin marrë Konakun pas ikjes së Vidit. Disa dokumente personale të Esatit, që zyrtari i ministrisë franceze i shqyrtoi me vëmendje, ishin korrespondencë me përfaqësuesit e Italisë dhe Serbisë në Durrës.

Zyrtari raportoi se në asnjërën prej letrave nuk gjeti diçka të padëgjuar, apo që të vinte në dyshim besnikërinë e Esatit ndaj Francës. Në raport nuk përmendej gjetja e ndonjë marrëveshjeje të pashait me Serbinë, ose me Greqinë. Familja e Esatit nuk e kundërshtoi hapjen e dokumenteve nga francezët, madje tha se do të ishte më mirë që ato të depozitoheshin në Ministrinë e Jashtme të Francës sesa në ndonjë vend tjetër.

Irani nuk dorëzon kutinë e zezë, dyshohet se avioni ukrainas mund të jetë qëlluar

Irani refuzon të dorëzojë kutinë e zezë të avionit që u rrëzua pranë Teheranit, duke vrarë 176 persona në bord.

Avioni i Ukrainë International Airlines u rrëzua pak pasi ishte ngritur nga aeroporti, duke vrarë të gjithë personat në bord.

Reuters raporton se kutia e zezë është gjetur dhe pavarësisht dëmeve, ajo ka informacoine brenda.

Por Irani po refuzon t’ia dorëzojë autoriteteve ndërkombëtare. Dyshimet se avioni mund të jetë qëlluar po shtohen gjithmonë e më shumë.

Një video tregon se avioni po digjej në qiell përpara se të binte në tokë.
Ndërkohë fotot e rrënojave tregojnë vrima në trupin e avionit.

Irani pretendon se avioni është rrëzuar për shkak të një problemi teknik.

Kompanitë më të mëdha botërore anulojnë fluturimet drejt Iranit dhe Irakut

Linja ajrore gjermane Lufthansa ka pezulluar të gjitha fluturimet ditore midis Frankfurtit dhe Teheranit për shkak të situatës në Iran.

Lufthansa gjithashtu anuloi një fluturim për në Irbil të Irakut të shtunën, pas sulmit ajror të Iranit në bazat ushtarake irakiane dhe Irbil dhe Al Asad, të cilat përdoren nga trupat amerikane.

Linja ajrore Air France njoftoi gjithashtu sot se po pezullon fluturimet mbi hapësirën ajrore Irak-Iran pas sulmeve raketore iraniane në dy baza në Irak, në të cilat janë të vendosura forcat amerikane.

Disa linja ajrore tregtare në Delhi devijuan fluturime për në Lindjen e Mesme për të shmangur rrezikun e mundshëm mes përshkallëzimit të tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Malajzia Airlines tha që “për shkak të ngjarjeve të fundit”, aeroplanët e saj do të shmangnin hapësirën ajrore iraniane.

Singapore Airlines gjithashtu tha që fluturimet e saj për në Evropë do të devijonin fluturimet për të shmangur Iranin.

Administrata Federale e Aviacionit Amerikan tha që po ndalonte pilotët amerikanë që të fluturonin në zona të hapësirës ajrore, iraniane dhe në disa hapësirave ajrore të Gjirit Persik.

FAA tha që kufizimet po bëheshin për shkak të “rritjes së aktiviteteve ushtarake dhe rritjes së tensioneve politike në Lindjen e Mesme, të cilat paraqesin një rrezik për operacionet e aviacionit civil amerikan”.

Hetuesit e diktaturës në Drejtësi/ Shoqata Antikomuniste letër drejtueses së ONM

Kreu i Shoqatës Antikomuniste Shqiptare, Nebil Çika i është drejtuar me një letër drejtueses së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Reformës në Drejtësi, Genoveva Ruiz-Cavalera.

Teksa sjell në vëmendje disa raste të rikthimit në krye të sistemit të drejtësisë, të autorëve të krimeve të komunizmit, Çika i drejtohet Cavalerës, duke i kërkuar të marrë në konsideratë këtë shqetësim.

Ai risjell në vëmendje dhe rezolutën e miratuar nga Parlamenti Europian që detyron trajtimin e njëjtë të krimeve të stalinizmit dhe nazizmit rezolutë, për të cilën thotë se OMN është e detyruar ta zbatojë. Ndër të tjera ai dënon mos reagimin e këtij institucioni, ndonëse shoqata ka denoncuar herë pas here këto raste.

‘Së paku deri tani ne na rezulton që reforma e monitoruar dhe e udhëhequr nga ju ka përfunduar në një marrje peng të drejtësisë shqiptare nga Sigurimi i Shtetit dhe autorë të tjerë të krimeve të komunizmit në Shqipëri, thuhet ndër të tjera në letrën e kryetarit të Shoqatës Antikomuniste.

Më mirë djepi bosh, se shejtani brenda!

Letër e hapur

Drejtuar: Znj Genoveva Ruiz-Calavera, Drejtuese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Reformës në Drejtësi (OMN)

E nderuar Znj, Genoveva Ruiz-Calavera!

Ne të përndjekurit politikë antikomunistë të Shqipërisë ndjehemi shumë të shqetësuar nga zhvillimet dhe produkti i deritanishëm i reformës në drejtësi të cilën ju keni marrë përsipër ta monitoroni si përgjegjësi e BE dhe SHBA e garantuar kjo edhe me ligj nga kushtetuta e Shqipërisë.

Ne si shtresa e interesuar e vendosjes në vendit tonë të shtetit ligjor pasi për 45 vjet diktaturë komuniste, por jo vetëm, kemi qenë viktimat e padrejtësisë komuniste, kemi pritur që reforma në drejtësi të hedhi bazat e drejtësisë normale në këtë vend dhe kemi mbështetur çdo përpjekje për ta arritur këtë.

Mirëpo, me keqardhje dhe shqetësim të madh konstatojmë se deri tani produkti i reformës nuk është ai që prisnim, përkundrazi po biem nga shiu në breshër.

Shqetësimi ynë kryesor ka të bëjë me një fenomen që ne e konsiderojmë si rrezik serioz për drejtësinë shqiptare, për ne si shtresë e të përndjekurve politikë të komunizmit por edhe për të gjithë popullin shqiptar: Rikthimin në krye të sistemit të drejtësisë të autorëve të krimeve të komunizmit, krime kundër njerizimit dhe gjenocid dhe e gjitha kjo po ndodh në mos nën bekimin tuja nën miratimin tuaj të heshtur.

Kemi kontaktuar me keqardhje dhe shqetësimi se procesi i vetingut i monitoruar nga Ju ka injoruar në vendimet e marra pjesëmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në proceset politike gjyqësore të diktaturës komuniste duke konsumuar hapur e në mënyrë të përsëritur një shkelje të ligjit. Kjo ka bërë që në institucionet e reja të drejtësisë madje edhe në krye të tyre të emërohen ish pjesëtarë të Sigurimit të Shtetit, policisë politike të diktaturës hetues, prokurorë e gjyqtarë që kanë qënë pjesë e proceseve politike ndëshkimore ndaj kundërshtarëve të rrëgjimit komunist që karakterizoheshin në të cilat përfshihen tortura, montime, falsifikime dhe dënime të ashpra jo vetëm për ata që dënoheshin ekzekutoheshin ose burgoseshin por edhe për familjarët e tyre përfshi gra pleq e fëmijë që internoheshin e u mohoheshin të drejtat themelore të njeriut. Nuk bëhet fjalë për pak individë por, sipas vetë statistikave të Sigurimit të Shtetit rreth 35% e popullsisë shqiptare u përndoq politikisht gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri dhe e gjithë kjo u realizua nëpërmjet proceseve dhe vendimeve të hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të diktaturës komuniste.

Gjatë kësaj periudhe ne kemi denoncuar rast pas rasti kalimin e vetingut dhe emërimin në krye të drejtësisë të persekutove tanë politike por nuk kemi parë asnjë herë një reagim tuajin për këtë fenomen tejet negativ të të ashtuquajturës ‘reformë në drejtësi’.

Për ta bërë më konkret këtë komunikim me ju dhe me publikun po ju përmend disa raste flagrante ku ju keni ‘shkëlqyer’ me heshtjen dhe miratimin tuaj të paktën në publik.

1-Emërimi ne krye te SPAK-ut të Arben Kraja, një ish hetues i Sigurimit të Shtetit në Shkodër 1987-1992.
2-Emërimi Zëvendësprokuror i Përgjithshëm i Thoma Jano, hetues dhe shef i hetuesisë së Sigurimit të Shtetit në Krujë 1980-1991 autor i dhjetra proceseve hetimore politike komuniste.

3-Emërimi në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) të Ardian Dvoranit nga një prokuror komunist që ka dhënë dënime të rënda politike për kundërshtarët e regjimit komunist si prokuror i diktaturës në Shkodër përfshi edhe ata që rrezuan bustin e Stalinit në 1990.

4- Emërimi në Këshillin i Lartë Gjyqësor (KLGJ) si anëtare Fatmira Luli, gjyqtare në kohën e diktaturës ka dënuar qytetarë pse morën pjesë në rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991 apo për hyrjen në ambasada.

5-Emërimi në Këshilli i Emërimeve në Prokurori (KLP) të Bujar Sheshit ish hetues i Sigurimit të Shtetit autor i shumë arrestimeve torturimeve dhe dënimeve politike si hetues në Rrethin e Fierit, sipas AIDSSH edhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

6- Emërimi në Këshilli i Emërimeve në Prokurori (KLP) e Nurihan Seiti, gjyqtare e diktaturës komuniste, ka dënuar disa persona me akuzat e agjitacion propagandë dhe tentim arratisje nga kufiri.
E nderuar znj. Clavera!

Siç edhe mund ta rikujtoni nga këto raste flagrante që ju përmenda me lart produkti i reformës së monitoruar nga ju ka përfunduar me rikthimin në krye të institucioneve kryesore të drejtësisë të ish persekutorëve komunistë të diktaturës më të egër në Evropë. Dhe mos harroni që bëhet fjalë për krime të rënda, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid të cilat si nga ligi shqiptar edhe ai ndërkombëtare nuk përshkruhen.

Si zyrtare e lartë e BE që jeni dua t’iu kujtoj se Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë që detyron trajtimin e njëjtë të krimeve të stalinizmit dhe nazizmit rezolutë të cilën jeni e detyruar ta zbatoni edhe ju në punën tuaj në krye të OMN, gjë që deri tani nuk na rezulton ta keni bërë.

E nderuar zonjë!

Ne besojmë në standardet dhe vlerat e drejtësisë së BE dhe SHBA që ju përfaqësoni si OMN. Por nuk dimë asnjë rast që një ish pjesëtar i Gestapo SS, prokurorëve apo gjyqtarëve të diktaturës naziste në Evropë të ishte apo të jetë pjese e sistemit të drejtësisë së vendeve të BE e SHBA. Pikërisht këtë standard tuajin dhe rezolutën e BE për krimet e nazizmit dhe komunizmit kishim parasysh kur besuam dhe mbetshëm reformën e imponuar nga partnerët tanë perëndimorë por nuk do na shkonte mendja dhe jemi shumë të zhgënjyer e të dëshpëruar nga standardi krejt i kundërt me ato të vendeve tuaja që po aplikoni në drejtësinë shqiptare. Së paku deri tani ne na rezulton që reforma e monitoruar dhe e udhëhequr nga ju ka përfunduar në një ‘marrje peng’ të drejtësisë shqiptare nga Sigurimi i Shtetit dhe autorë të tjerë të krimeve të komunizmit në Shqipëri.

Une nuk besoj që ju të mos keni pasur dijeni për ketë fenomen pasi në CV e tyre ata e kanë shkruar vetë qenien pjese e gijotinës së përgjakur të diktaturës komuniste. Nga informacioni që ne kemi nga Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit në proceset e vetingut por edhe të emërimeve në institucionet e reja të drejtësisë në të gjitha rastet ose është shmangur verifikimi i pjesëmarrjes në krime të komunizmit ose është injoruar informacioni i përcjellë nga AIDSSH.

E nderuar zonjë!

Sinqerisht jemi të zhgënjyer nga Ju si OMN! Në se ju jeni këtu për të rikthyer Sigurimin e Shtetit në krye të drejtësisë, gjë që po ndodh realisht, do të kishte qënë më mirë të mos kishit ardhuar fare. ‘Drejtësinë’ komuniste ne e kemi pasur mbi shpinën tonë dhe e dimë mire se çfarë është. Korrupsioni dhe padrejtësia në Shqipëri nuk fillon në 1993 apo në 2017. (Pa)Drejtësia shqiptare që po pretendoni të reformoni është zgjatim në këtë pothuaj demokraci i padrejtësisë komuniste dhe problemi nuk janë ligjet as institucionet por standardi dhe mendësia komuniste e të bërit drejtësi që transmetohet në vazhdimësi kohore nga drejtuesit, hetues, gjykatës e prokurorë të diktuarës komuniste të cilët po riciklohen edhe me të të ashtuquajturën ‘drejtësi e re’.

Për këto raste ne shqiptarët kemi një fjalë të urtë: ‘Më mirë djepi bosh se shejtani brenda’. Në se është kështu më mirë lëreni siç është se sa të harxhoni miliona euro të taksapaguesve evropiane e amerikanë, shumë energji njerëzore e tension politik e social për një reformë produkti i të cilës është që në fillim jo një dështim por një rikthim në diktaturë.

Rënia nga shiu në breshër nuk na bën punë as neve e as juve!

Duke shpresuar ta mirëkuptoni shqetësimin tonë ju uroj gjithë të mirat!

Amsterdami shpallet vendi më miqësor në botë për turistët

Sipas një anketimi të ri, Amsterdami është qyteti më miqësor për turistët.
Kryeqyteti holandez ka prirë në listat e vendeve të preferuara të turistëve, duke krijuar përshtypje të mirë me faktorët se sa akomodim përfshihet në ofertë dhe kënaqësinë e përgjithshme për ata që e vizitojnë qytetin.

Hulumtimi i cili është kryer nga “Authentic Vacations” i ka analizuar 10 qytete të mëdha dhe i ka analizuar shumë faktorë për ta zbuluar qytetin më të shoqërueshëm në botë për turistët.

Faktorët kanë përfshirë aeroportet afër qytetit, kualitetin e aeroporteve, lumturinë e përgjithshme të destinacionit, njohjen e gjuhës angleze nga vendasit, sa akomodim është në dispozicion, sigurinë, etj.

Kështu, Amsterdami ka rezultuar si vend brilant për të pushuar.
Fillimisht, në këtë qytet keni shumë gjëra për t’i parë e për t’i bërë brenda dite – duke filluar nga eksplorimi i muzeve e deri te shëtitjet përgjatë kanaleve.

Kur dielli të ketë perënduar, kafenetë e qytetit, diskotekat dhe restorantet vijnë në jetë.
Në përgjithësi ekziston një atmosferë shumë miqësore ndaj turistëve dhe kjo mund të ketë të bëjë me faktin se vendasit janë në mesin e popujve më të lumtur në botë.

Vendin e dytë e ka zënë Vjena, ndërkaq Dubai vendin e tretë.

Shtetet më të rrezikshme dhe më të sigurta për të vizituar në vitin 2020

Hulumtuesit kanë zbuluar se cilat janë shtetet më të rrezikshme për t’i vizituar gjatë vitit 2020.

Libia, Somalia, Sudani Jugor dhe Republika Qendrore Afrikane – që të gjitha në Afrikë, janë shtetet më të rrezikshme, sipas “Travel Risk Map”.

E krijuar nga ekspertët globalë të rrezikut, “International SOS”, harta e renditë sigurinë e shteteve përgjatë tri kritereve të ndryshme: siguria shëndetësore, siguria e përgjithshme dhe siguria rrugore.

Vetëm katër shtetet e përmendura më lart kanë marrë më së paku pikë në secilën kategori.
Në anën tjetër, Islanda, Norvegjia, Finlanda, Danimarka, Zvicra, Slovenia, Andorra dhe Svalbardi kanë marrë më së shumti pikë në tri kriteret, duke rezultuar si shtetet më të sigurta në botë.

Këto janë shtetet më të rrezikshme për vitin 2020:
– Libia
– Somalia
– Sudani Jugor

– Republika Qendrore Afrikane
– Mali
– Siria

– Iraku
– Jemeni
– Afganistani

Këto janë shtetet më të sigurta në botë për vitin 2020:
– Islanda
– Norvegjia

– Finlanda
– Danimarka
– Zvicra

– Luksemburgu
– Sllovenia
– Andorra

– Svalbardi
– Greenlanda.