31.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Qytetarët përplasen me policinë në Aeroportin e Rinasit: “Bjere Edi Ramën këtu se ne”…

Qytetarë të shumtë që kishin prerë biletat për të udhëtuar drejt Italisë tek kompania “Fly Ernest” janë konfrontuar me punonjësit e policisë në aeroportin e Rinasit. Pasi “Fly Ernest” anuloi fluturimet edhe pse pasagjerët i kishin blerë biletat, qytetarët janë shfaqur të irrituar.

Ata kërkojnë nga punonjësit e policisë në Rinas që t’iu hapet rruga dhe t’ju lejohet të udhëtojnë sepse kanë harxhuar para për ato bileta, ndërkohë që në sportel nuk ka asnjë punonjës të kompanisë për t’i sqaruar.

“Fly Ernest” nuk lejohet të ulet në aeroport pasi Autoriteti i Aviacionit Civil i pezulloi licencën në 29 dhjetor sepse kishte borxhe në Itali. Por skandali qëndron në faktin se edhe pas vendimit të Autoritetit, kompania vijoi e pashqetësuar të priste bileta për qytetarët deri në datën 13 janar drejt Pizzas, Bergamos dhe Bolonjas.

Qytetarët me të drejtë kanë kërkuar sot të paktën një shpjegim nga ana e “Fly Ernest”, por askush nuk ishte aty për të dhënë përgjigje.

Kjo ka bërë që pasagjerët të shfryjnë inatin me forcat e sigurisë në aeroport pasi nuk po marrin asnjë zgjidhje as për lekët e harxhuara dhe as për punët që i kanë me afat në shtetin italian.

Në një moment, ka edhe konfrontim fizik mes qytetarëve dhe forcave të sigurisë. Pasagjerët kërkojnë që kjo çështje të marrë zgjidhje dhe të angazhohet vetë kryeministri Edi Rama.

Pjesë nga përplasja mes qytetarëve dhe forcave të sigurisë:

Qytetari: Kam 3 ditë që po pres, a jam njeri i shtetit apo s’jam?

Qytetarja: Na hapni rrugën. Rrogën e merrni ju, bëj punën për mua.

Punonjësi i policisë: Rrogën e marr se bëj punën unë. E bëj për të ushqyer familjen time. Ska lidhje kompania me këtu, është në Itali.

Qytetarja: Bjere Edi Ramën këtu se ne të Edi Ramës jemi, votën ia japim.

Punonjësi i policisë: Është zgjedhja juaj kjo.

Qytetarja: 400 euro bileta, puna iku atje.

Qytetari: Pse nuk ka avion shteti?

Qytetari: Hape rrugën…

Qytetari: Nuk ke të drejtë me prek persona, mos na prek!

Qytetari: Ore se ka fëmijë.

Qytetari: Mos na prek me dorë!

Qytetari: Këto janë pamjet e policisë shqiptare, shteti shqiptar.

Gjendet e vrarë gruaja e rrëmbyer në Mallakastër

Një grua është gjendur e vdekur në fshatin Gjerbes, në Mallakastër. Gruaja është gjetur e pajetë në rezervuarin e fshatit, ndërsa ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 5 janar.

Sipas raportimeve paraprake, grabitësit kanë shkuar për të grabitur në banesën e viktimës por pasi janë pikasur kanë marrë me vete gruan, të cilën më pas e kanë vrarë.

Mësohet se ngjarja e ka marrë zanafillën kur tre të rinj, kanë shkuar për të grabitur pranë familjes së gruas, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, duke menduar se në këtë të fundit nuk kishte njeri.

Pasi kanë hyrë brenda territorit të shtëpisë, të rinjtë janë pikasur nga e zonja e shtëpisë e cila mund edhe ti ketë njohur. Fill pas kësaj, autorët mësohet se e kanë marrë gruan, e kanë lidhur dhe trupin e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit.

Por këtë të martë, pasi kanë kërkuar gjithkund, familjarët kanë shkuar pranë rezervuarit ku kanë gjetur edhe trupin e pajetë të gruas, të lidhur me litar.

Raportohet se, deri tani janë shoqëruar nga policia tre persona, të cilët po merren në pyetje, ndërsa vijon puna për zbardhjen e ngjarjes.

Ja si e denoncuan qytetarët para policisë vrasjen në Mallakastër

Vrasja makabër e shtetases Drita Saliaj nga nipi i burrit, ngjarje e ndodhur më 5 janar në fshatin Gjerbës të Mallakastrës, e zbuluar vetëm sot nga policia, fillimisht është denoncuar nga qytetarët në faqen e JOQ.

Kanë qenë këta të fundit, të cilët kanë publikuar të dhënat e para mbi identitetin e viktimës, si edhe faktin që viktima para se të hidhej në liqen është shtypur me makinë nga autorët, që më pas rezultuan se njëri prej tyre ishte nipi i burrit të viktimës.

Përshendetje JOQ! Eshte vrare nje grua ne fshatin Gjerbes mallakaster. Trupi i se ndjeres eshte gjetur ne Rezervuarin e fshatit nuk e di nese keni info, e gjithe policia eshte atje qe ne mengjes, ju lutem na tregoni dicka. Sepse I kemi prinderit vetem andej kemi merak.

Mami me mori nr cel me tha eshte bere hataja se spara ndodhin gjera keshtu ne ate fshat jo por ju mund te kontaktoni me strukturat atje.

Cfare info psh. Mendohet se grabitje. Ajo jetonte e vetem sepse burri dhe2cunat i kishin ne greqi, punonin me sezone. Emri i se ndjeres eshte Drita Saliaj. Mua mami me tha eshte vrare dhe njerzit kane dyshime dhe thon qe e kan shtypur dhe me makin e kane marre dhe e kan hedhur ne rezervuar ne Lumar.

quhen rezervuari rreth 3 km nga shtepia e saj me sa me tha mamaja njeri prej autorve e kishte treguar po perkete sjam i Sigurt por ka shume polici atje ata i dine ne brendesi’

Zbulohet shuma e parave të grabitura në Tiranë

Detaje të reja zbardhur nga grabitja e ndodhur këtë mbrëmje në zonën e Komunës së Parisit, në Tiranë.

Sipas raportimeve paraprake, një person i maskuar me kapuç dhe me një levë në dorë ka grabitur një institucion financiar, ku ka marrë një shumë parash prej 50 mijë lekësh të rinj.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë

Rreth orës 18:07, në rrugën “Medar Shtylla”, në një zyrë që i përket një institucioni financiar për kredidhënie në shuma të vogla, një person ende i paidentifikuar dhe i pa armatosur, ka marrë një sasi parash rreth 50 mijë lekë të reja dhe është larguar me vrap.

Në ndjekje të autorit janë vënë shërbimet e Policisë “Shqiponjat”, Patrulla e Përgjithshme dhe Forca e Posaçme Operacionale e DVP Tiranë.

Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Ekzekutimi i pronarit të televizionit, reagon Berisha: Një seri vrasjesh të lidhura njera me tjetrën me motiv drogën

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për vrasjen e pronarit të televizionit të Rrëshenit, Kastriot Reçi. Berisha shkruan ndër të tjera në një postim në Facebook se, ky është ekzekutimi i fundit në një seri vrasjesh të lidhura me njëra tjetrën me motiv drogën dhe trafiqen

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha

Mafia godet diten per diell!

Ekzekutohet me snakper drejtori i televizionit te Rreshenit, biznesmeni Kastriot Reçi!
Vrasesi shkoi ne pune te vet!

Miq, ky eshte ekzekutimi fundit ne nje seri vrasjesh te lidhura njera me tjetren me motiv drogen dhe trafiqet!

Kjo vrasje eshte paraprire nga tre vrasje te tjera dhe konkretisht,

-Më 9 shtator 2016 u vra Sajmir Jaku

-Më 28 prill 2017 u vra Gasper Reçi në Romë, Itali

-Më 6 shtator 2017, u vra Kreshnik Gjini(nipi i Sajmir Jakut) në Belgjikë

Duke denuar cdo akt dhune shtoj se sot ne narkoshtetin e Edvin Mafise rendin e bene mafia, vendimet jepen nga shpellat e saj dhe sipas ligjeve te saj. sb

Tre muaj pas zgjedhjeve: Nuk ndërtohet qeverisja me formulat e Rexhep Qosjes!

Enver Bytyçi

U bënë plot tri muaj nga dita kur qytetarët e Kosovës shprehën verdiktin për të rrëzuar pushtetin e inkriminuar të PAN dhe për të sjellë në pushtet opozitën e përfaqësuar nga VV dhe LDK. Votuesit e shprehën vullnetin e tyre që të dy partitë e opozitës të përfaqësohen njësoj në parlamentin e ardhshëm. Kur në parlament ulen një numër deputetësh me diferencën minimale të mundëshme me një deputet, kjo ka vetëm një interpretim: Të dy forcat politike duhet të përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe të balancuar në qeverisjen e vendit.

Këtë mesazh të votuesve nuk e ka lexuar Albin Kurti dhe Vetëvendosje, ndaj dhe nuk është arritur ende, edhe sot pas tri muajsh, marrëveshja për krijimin e qeverisë. Por kjo ndodh se në Vetëvendosje po aplikohet një lloj taktike e “faktit të kryer”, e tipit “Unë po shkoj te presidenti, ju më sillni 5 emrat e ministrave tuaj”! Absurde kjo për një lider politik, e cila synon kompromisin për krijimin e qeverisë së re. Ose Albin Kurti ka për qëllim të refuzojë bisedimet me Lidhjen Demokratike dhe të adresohet për një lloj koalicioni tjetër. Ndryshe nuk shpjegohen ultimatumet ndaj partnerit, me të cilin kërkon të ushtrosh pushtetin.

Gjithkush e kupton se edhe në Lidhjen Demokratike ka grupe të interesuara që të dështojë koalicioni me Vetëvendosjen. Tashmë dihen emrat dhe mbiemrat e ndërskamësve në këtë forcë politike. Por sjellja e Albin Kurtit të çon në idenë se ai nuk e dëshiron kompromisin. Dhe nëse do të donim të analizonim shkaqet pse ndodh kjo, atëherë pa u përpjekur për spekulime, do të thoja se janë disa:

Së pari, në Vetëvendosje ka politikanë të indoktrinuar me ideologjinë qosiste të përjashtimit. Rexhep Qosja së fundi u shfaq si babai shpirtëror i Albin Kurtit, kur u përpoq që të fajësojë LDK-në për zvarritjen e koalicionit qeverisës. Sot kreu i VV dëshmoi se parapëlqen të imitojë Rexhep Qosjen. Nuk i thuhet partnerit potencial “Më jep emrat e ministrave t’i çoj te presidenti” ende pa nënshkruar një marrëveshje me atë! Nëse Kurti do të vijojë të sillet kësisoj me LDK-në, nuk do ta krijojë qeverinë me këtë parti.

Dështimi i këtij koalicioni i intereson shumë armikut të betuar të Ibrahim Rugovës, pra Rexhep Qosjes. Do të shohim sa larg do të shkojë zoti Kurti në gjurmët e Qosjes. Por Qosja dhe LDK nuk shkojnë bashkë dhe duket se Kurti dhe Qosja nuk ndahen dot! Nëse i marrim këto emërues të mirëqenë, atëherë nuk është aspak çudi që Lëvizja Vetëvendosje ta orientojë bashkëpunimin e saj me Partinë Demokratike të Hashim Thaçit. Kjo do të thotë rikthim i komandantëve në pushtetin e ardhshëm. Për pasojë kuptimi i kësaj shkon te mosrespektimi i vullnetit të sovranit.

Së dyti, mesa duket kreu i Vetëvendosjes i përmbahet filozofisë ideologjike majtiste “Ose gjithçka, ose asgjë”, formulë e ngjashme me atë të Edi Ramës “Na jepni timonin të mos e ndajmë tepsinë”! Se çfarë përfaqësoi kjo aksiomë e kryeministrit të Shqipërisë, këtë po e vujanë jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por edhe ata të Kosovës. “Tamahu i madh të le pa gjë”, thotë një fjalë e urtë popullore. Por Kurti duket se mendon që atë që nuk ia jep LDK ta marrë te PDK. Hashim Thaçi ka synim të vijojë edhe me një mandat të dytë në postin e presidentit të Republikës. Albini, mesa duket, ia garanton këtë ambicie, mjafton që qeveria të jetë plotësisht në duart e tij.

Por ky opsion është i pavotuar nga sovrani. Ndërkaq Kurti mori votat e qytetarëve me premtimin për ndëshkimin e korrupsionit dhe deri më sot nuk është provuar se si i ndëshkon të korruptuarit një forcë politike, e cila bashkëqeveris me ta. Eshtë e sigurt se PDK dhe Thaçi e përkëdhelin ambicjen e zotit Kurti për të krijuar një kabinet qeveritar, në të cilin ai të jetë zot dhe shkop i tij. Modeli i Rilindjes është i gatshëm dhe zoti Rama mund të ofrojë për këtë ekspertizë perfekte.

Çfarë fiton dhe humb Vetëvendosje nga bashkëpunimi me PDK dhe refuzimin e një koalicioni me LDK-në? Fiton pushtet ekzekutiv të pakufizuar. Për pasojë fiton mëvetësi autoritare, mundësi për t’u përfshirë në korrupsion dhe për të mos u zbuluar për shkak të kontrollit të agjencive të zbatimit të ligjit. Fiton kontrollin e pushtetit të gjyqësorit në mënyrë të balancuar më presidentin e vendit. Pra fiton pushtet, për të mos bërë shtet.

Ndërkaq humbet autoritetin, legjitimitetin dhe besimin e qytetarëve. Sepse votuesit nuk ia dhanë votën Vetëvendosjes që të rikthejë në pushtet PDK-në. Po të ishte ky qëllimi, atëherë ata do të votonin drejtpërdrejt origjinalin, dmth PDK-në, nuk do të votonin kopjen, dmth Vetëvendosjen. Albin Kurti, nëse synon karrierë politike të gjatë, ka vetëm dy mundësi:

E para, të lëshojë e të sillet me LDK-në si me një partner qeverisës të besueshëm, në mënyrë miqësore dhe korrekte. Pra të japë maksimumin për LDK-në e të ndajë pushtetin me të në mënyrë të balancuar, deri te kompromisi për marrjen e vendimeve në qeveri me parimin konsensual.

E dyta, të largohet nga Rexhep Qosja dhe filozofia e tij politike e përçarjes, e pykave, e ndarjes, e urrejtjes dhe hakmarrjes! Pa u ndarë me Rexhep Qosjen, Albin Kurti nuk do të mund të ndahet nga majtizmi ekstrem e për pasojë nuk do të bëhet një lider i shpresës për Kosovën.

Krimi godet sërish! Grabitje me armë në mes të Tiranës

Një grabitje ka ndodhur mbrëmjen e sotme në mes të Tiranës. Një nga degët e një prej institucioneve financiare në vend në zonën e Komunës së Parisit, është grabitur nga persona të armatosur. Nuk dihet ende shuma e grabitur.

Bëhet e ditur se, është grabitur një nga degët e “NOA”, institucion financiar me aktivitet dhënien e kredive.

Policia ka mbërritur në vendngjarje, por nuk dihet ende shuma e grabitur dhe personat e përfshirë në të. Dyshohet se grabitja është kryer nga disa persona.

Përveç forcave policore, dy ambulanca janë në vendngjarje, ç’ka shton dyshimet se gjatë grabitjes ka pasur persona të plagosur. Policia ende nuk ka një njoftim zyrtar për ngjarjen në fjalë.

Çfarë po ndodh? Zjarr në zyrat e njësisë bashkiake nr.9 në Tiranë

Një zjarr ka rënë nw zyrat shtetëtore të njësisë bashkiake nr.9 në Tiranë. Abc News ka siguaruar pamje nga vendi ku ka rënë zjarri.

Shihen ende shtullungat e zeza të tymit që dalin nga dritarja.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar 10 punonjës dhe 3 automjete zjarrfikëse. Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një ngrohëse.

Pamjet nga Bulevardi Zogu i Parë ku ndodhen njësia bashkiake nr. 8, nr.9 dhe disa institucione të tjera shterore. /abcnews.al

Prokuroria: Betoni jashtë standartit shkak për disa nga viktimat e tërmetit, çdo të ndodhë me Dakon…

Prokuroria e Durrësit po shqyrton të dhënat laboratorike të materialeve të ndërtimit nga 7 ndërtesat e shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit, për të zbuluar përgjegjësit e vdekjeve tragjike të 23 personave nën rrënojat e tyre.

Banesa 4 katëshe e familjes Lala, në Ish-Kënetë, Durrës, pas kolapsimit nga tërmeti.
Tetë nga nëntë anëtarët e familjes Lala humbën jetën më 26 nëntor, pasi lëkundjet e tërmetit shkatërrimtar e kthyen ndërtesën 4-katëshe ku ata banonin, brenda pak sekondash, në një pirg rrënojash betoni dhe hekuri në zonën e ish-kënetës në Durrës.

Dy muaj më vonë, prokurorët po analizojnë me kujdes të dhënat e përftuara nga analizat laboratorike të materialeve të ndërtimit të përdorura në ndërtesën e rrënuar, në përpjekje për të gjetur shkaqet e rrëzimit të saj.

“Prokuroria Durrës ka administruar analizat laboratorike nga laboratori ‘A.L.T.E.A. & Geostudio 2000’ dhe nga të dhënat paraprake dyshohet se betoni i përdorur është jashtë standardeve të ndërtimit,” sqaroi për BIRN një prej tre prokurorëve që po hetojnë çështjen.

Pas tërmetit, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës regjistroi një procedim penal për veprat e shpërdorimit të detyrës, ndërtimit në kundërshtim me rregullat teknike me pasojë vdekjen dhe vrasjen me dashje.

Më 14 dhjetor, me urdhër të prokurorisë, Policia e Shtetit arrestoi 9 persona dhe shpalli në kërkim 8 të tjerë, të dyshuar si përgjegjës për shembjen e 4 ndërtesave me pasojë humbjen e jetëve njerëzore. Në total vetëm në Durrës, nga tërmeti u shembën tërësisht 7 ndërtesa ku humbën jetën 23 persona – përshirë dhe 8 anëtarë të familjes Lala.

Analizat e betonit për 7 ndërtesat e shkatërruara, të para nga BIRN, tregojnë se në të paktën 4 prej tyre, marka e betonit të përdorur për ndërtim dyshohet se ka qenë nën standard.

Megjithatë, tre inxhinierë ndërtimi të pavarur, të konsultuar nga BIRN, këshilluan që të bëhet kujdes për të arritur në përfundime mbi shkaqet që mund të kenë determinuar ose kontribuar në kolapsin e ndërtesave.

Përveç shtatë ndërtesave ku u regjistruan viktima, hetimi i Prokurorisë së Durrësit mbi materialet e ndërtimit pritet të shtrihet edhe në qindra pallatet e dëmtuara nga tërmeti, duke pasur qëllim zbardhjen e shkaqeve dhe përgjegjësit që kanë kontribuar në dëmtimin e tyre.

Beton jashtë standardit

Tërmeti shkatërrimtar me magnitudë 6.3 i shkallës Rihter i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima dhe më shumë se 900 të plagosur në Durrës, Krujë, Tiranë dhe Lezhë, ndërkohë që qindra ndërtesa u dëmtuan duke u kthyer në të pabanueshme dhe mijëra vetë u lanë të pastrehë.

Klasa e betonit apo “marka”, siç njihet në gjuhën e përditshme, shpreh cilësinë e betonit kur ai testohet përmes forcave shtypëse. Nga analizat e lexuara nga BIRN, të realizuara nga laboratori ‘A.L.T.E.A. & Geostudio 2000’ me kërkesë të Prokurorisë, rezultoi se gjysma e 20 mostrave të ndryshme të betonit të marrë nga 7 ndërtesat e shkatërruara rezultojnë me vlera rezistence në shtypje kubike nën standard.

Fletët e analizave për cilësinë e betonit përfshijnë shtëpinë e familjes Lala, pallatin 6-katësh ku ndodhej ish-bar “Baron’s”, pallatin 6-katësh pronë e familjes Konomi, hotelet ‘Mira Mare’, ‘Vila Palma’ ‘ Tropikal’, si dhe “Godinën e Re numër 4” tek Shtëpia e Pushimit të Ministrisë së Brendshme. Për të mos cënuar sekretin hetimor, BIRN do t’i referohet rezultatit te analizave të këtyre ndërtesave vetëm nëpërmjet një numri rendor.

Sipas fletëve të analizave, pas testimit të rezistencës në shtypje kubike të betonit, rezultoi se nga mostrat e marra në 7 objektet, janë përdorur klasa të betonit që luhaten nga 6.32 megapaskal deri në 42.08 megapaskal.

“Grupi hetimor sapo ka nisur hetimet për 7 objektet me pasoja në njerëz, ka marrë pjesë betoni nga strukturat e godinave, në prani të një specialisti të Institutit të Ndërtimit, për t’u analizuar më pas,” sqaroi për BIRN një prej 3 prokurorëve që udhëheqin hetimin.

“Jo gjithmonë klasa e ulët është tregues i keq. Nga këto përjashtohen vlera nën 20 megapaskal. Çfarë është nën të, teorikisht është gabim sepse nuk është beton strukturor,” shtoi ai.

Nga analizat laboratorike të 7 ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti, 3 objekte i kishin të gjitha mostrat nën 20 megapaskal, 2 objekte i kishin të gjitha mostrat e betonit mbi 20 megapaskal, ndërsa në dy të tjerat, mostrat ndaheshin në gjysmë – poshtë dhe lart vlerës 20 megapaskal që i kalsifikon ose jo si beton strukturor.

I kontaktuar nga BIRN, menaxheri i laboratorit “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000’, Skënder Allkja konfirmoi realizimin e analizave të betonit me kërkesë të Prokurorisë, por shtoi se laboratori i tij, përveç rezultateve nuk mund të jepte përfundime nëse cilësia e betonit kishte kontribuar në kolapsin e ndërtesave nga tërmeti.

“Ne kemi realizuar analizat për mostrat e betonit të marra dhe ia kemi vendosur në dispozicion prokurorisë, por nuk bëjmë interpretimin e tyre,” sqaroi Allkja. “Për këtë duhet të shprehet një specialist i fushës,” shtoi ai.

Sipas ekspertëve, standardi minimal për betonin që përdoret në konstruktin e godinave është C16/20, pra klasa 20 e betonit.

Alier Cara, një inxhinier strukturor nga Durrësi me të cilin BIRN konsultoi të dhënat e analizave laboratorike të betonit të ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti, vuri në dukje se vetëm 3 nga 7 objektet kishin marka betoni brenda normave.

“Objekti 1 dhe Objekti 3 duken me klasë normale betoni dhe pjesërisht Objekti 5 deri diku është brenda normave,” tha Cara. “Në vitet ’90, kur ka nisur ndërtimi në Shqipëri ka pasur një gamë të vogël klasash betoni, të vlerave 20, 25 dhe rrallëherë 30 megapaskal,” shtoi ai.

Sipas inxhinierit durrsak, edhe në raste si ai i objektit 2, ku vetëm një nga mostrat e betonit tregon vlerë poshtë standardit të betonit strukturor, ky i fundit mund të ketë kontribuar në rrëzimin e ndërtesës.

“Mostrat e betonit në “Objektin 2” tregojnë për përdorimin e klasës së betonit 40, por nëse ajo është përdorur në katin e dytë dhe në të parin betoni ka pasur vlerën 17.74 megapaskal sipas analizave, objekti e ka marrë goditjen nga kjo cilësi betoni,” tha ai.

“Më duket e çuditshme se si në një objekt është përdorur beton i klasës 40 dhe një vlerë tjetër, që nuk konsiderohet fare klasë betoni për strukturë,” shtoi ai.

Cara shpjegoi se ka godina ku nga tërmeti i 21 shtatorit, betoni mund të ketë pësuar plasaritje apo të ketë dalë jashtë funksionit dhe tërmeti i 26 nëntorit e ka shembur strukturën që mbështetej deri në atë moment vetëm në hekurat e godinës.

“Nëse betoni porositet në një pikë prodhimi, vjen i garantuar dhe ke garancinë se ka një shmangie prej 3 njësi nga klasa e kërkuar, që është normale,” tha Cara. “Ndërsa kur betonin e bën vetë me punëtorë dhe betoniere, nëse nuk ndjek gramaturën e saktë, merr klasën e betonit nga 7 deri tek 40 megapaskal,” shpjegoi ai.

Megjithatë, Cara dhe dy inxhinierët konstruktorë të pyetur nga BIRN theksuan se çdo gjykim mbi analizat është paraprak, pasi ka shumë rëndësi edhe mënyra se si janë marrë mostrat e betonit. Sipas tyre, ato duhen marrë në elementët strukturorë, në disa kolona të objektit, trarë dhe soletë, që të krijojnë një panoramë të plotë.

“Është pak të gjykosh mbi 2 rezultate analizash [për një objekt], por sigurisht që kupton se ka një lajthitje të vlerave në mes,” tha Cara.

Këto dilema, sipas prokurorisë do të zgjidhen nëpërmjet akteve të ekspertimit teknik që do të përpilohen nga specialistë për secilën nga ndërtesat e shkatërruara.

“Pasi t’i vendosen në dispozicion një specialisti analizat e betonit, hekurit, ato gjeologjike, aktet e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe aktet e tjera, më pas do të dilet në një konkluzion përfundimtar se kush është shkaku i rrëzimit të godinave,” sqaroi një prej prokurorëve të çështjes.

Ndërtues pa shkollë

Ruzhdi Xheka, pronari i hotel ‘Mira Mare’-s në plazhin e Durrësit është njëri prej 9 të arrestuarve nga prokuroria, me akuzën e vrasjes me dashje. Nga shembja e hotelit të tij më 26 nëntor humbën jetën dy persona.

Gjatë caktimit të masës së sigurisë për Xhekën në Gjykatën e Durrësit, avokati i tij mbrojtës deklaroi se 79-vjeçari kishte vetëm 7 klasë shkollë dhe ai ishte fajtor vetëm se kishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme – si shumica e shqiptarëve.

“Ruzhdiu nuk kishte njohuritë e nevojshme,” u shpreh avokati mbrojtës gjatë seancës gjyqësore. “Dy ditë pas shembjes doli nga rrënojat, për të vetmin fakt se ka ndërtuar pa leje si gjysma e shqiptarëve,” shtoi ai.

Përveç hotel ‘Mira Mare’-s, grupi hetimor i përbërë nga prokurorët Edmond Kaloshi, Madrid Kullolli dhe Pali Deçolli ka evidentuar si ndërtime pa leje hotelin “Tropikal”, lokalin në katin e parë të pallatit 6-katësh në Durrës ku humbën jetën Hatije Rexhepi dhe Xhulieta Gjana, si dhe banesën 4-katëshe të familjes Lala. Ndërkohë, edhe hoteli “Vila Palma” ka pasur 3 kate shtesë, jashtë projektit fillestar.

Një nga pjesëtarët e grupit hetimor i tha BIRN se ndërtimet pa leje, në mungesë të një projekti, “librit të masave” ku përshkruhen me detaje punimet e realizuara, materiali i përdorur, burimi i tyre, kanë kufizuar dhe vështirësuar hetimin e prokurorisë.

“Godina është ndërtuar në vitet ’94-‘96 nuk e prodhoi vetë hekurin, tullën dhe nëse do kishte të arrestuar, duhej të ishin ndërtuesit,” tha në seancën gjyqësore avokatja Shqiponja Meta, që mbronte ndërtuesin e “Hotel Tropikal”, Avdulla Osmani.

Sipas kërkesës për masë sigurie kundër Osmanit, hotelit i tij është ndërtuar “pa studim gjeologjiko-sizmik, pa projekt konstruksioni dhe pa mbikëqyrje punimesh.”

“Për efekt të marrjes së lejes së ndërtimit dhe legalizimit, projekti është bërë pas realizimit të ndërtimit,” shpjegojnë prokurorët në kërkesën e tyre drejtuar gjykatës, ku kanë kërkuar burg pa afat për Osmanin, i akuzuar për veprën penale ‘vrasje në rrethana të tjera cilësuese.”

Hetime për ndërtuesit e pallateve

Grupi hetimor i Prokurorisë së Durrësit e ka fokusuar hetimin tek përgjegjësit për shembjen e 7 godinave ku humbën jetën 23 persona. Përveç ndërtuesve të këtyre godinave informale, në pranga kanë përfunduar dhe zyrtarë të ALUIZNI-it dhe bashkisë së Durrësit.

BIRN ka mësuar gjithashtu se paralelisht me hetimin për përgjegjësit në humbjen e jetëve njerëzore, policia po referon çdo ditë materiale për një tjetër çështje, që pritet të kalojë në sitë cilësinë e ndërtimit në pallatet ku janë shënuar dëme të mëdha materiale.

Në këtë hetim përfshihen rastet e pallateve, të cilat kanë pësuar dëme në strukturë ose në muraturë. Mostra betoni janë marrë edhe në godinat e shembura nga qeveria, pasi u shpallën të pabanueshme. Ato janë këqyrur përpara shembjes dhe është mbledhur materiali dokumentues i gjendjes së tyre fizike, përpara shembjes së komanduar.

Megjithatë, njëri nga anëtarët e grupit hetimor i tha BIRN se jo domosdoshmërish faji për këto dëme mund t’u adresohet pronarëve të kompanive të ndërtimit.

“Ndërtuesit në vetvete mund të kenë probleme të tjera, por nuk mund të merren menjëherë në përgjegjësi penale,” shpjegoi njëri prej prokurorëve në kushtet e anonimatit.

“Projektin e ka bërë një projektues, bëhet edhe studimi sizmologjik etj. dhe nëse në njërën nga këto hallka ka abuzime, identifikohet më lehtë përgjegjësi,” përfundoi ai. /Birn/

Veliaj kërkon t’i nxjerrë jashtë të prekurit nga tërmeti, banorët: “Nuk dalim, vetëm me na qit të vdek”

“Banorët e prekur nga tërmeti, të strehuar në një pallat tek “Unaza e Re” duhet të lënë banesat”. Këtë urdhër u ka dërguar sot, Policia bashkiake e Tiranë,s banorëve të goditur nga tërmeti, strehuar bujarisht nga banorët e Unazës së Re që në nëntor 2019. Pallati është pronë e banorëve protestues, që për mbi një vit luftojnë për t’u kompensuar nga shteti.

Por, të pastrehët që e kanë marrë këtë lajm në kulmin e dimrit, pas traumës së fortë që kaluan, thanë për “News24” se vetëm të vdekur do të dilnin prej andej, pasi ata nuk kishin asnjë mundësi të strehoheshin diku tjetër.

“Më strehuan këtu se m’u prish shtëpia me qira që kisha tek Rruga Ura. Nuk dal që këtu, vetëm me më qit të vdek. Unë e vdek jam se jam. Jam unë dhe 4 fëmijët me 66 mijë lekë”, tha një prej banorëve që qëndron në këtë pallat.

Ndërkohë, një tjetër grua me lot në sy tregon se ka aplikuar për bonusin e qirasë, ndërkohë që nuk ka mundësi që të gjejë shtëpi tjetër, pasi burrin e ka invalid dhe fëmijët të sëmurë.

Një konflikt i ri, një përballje e re me Policinë po shfaqet sërish në Unazën e Re: katër furgonë të Policisë bashkiake dhe asaj të Shtetit i kanë kërkuar sot zyrtarisht, 70 banorëve të dëmtuar nga tërmeti, që janë strehuar nga protestuesit e Unazës së Re, që të dalin nga apartamentet pasi pallati do të shembet.

Gazetari Ermal Rizaj i Syri.net ka dëgjuar problemet e këtyre banorëve që pas traumës së tërmetit sot janë rënduar prej përballjes me Policinë , që u ka ardhur në hyrje të pallatit dhe kërkon të dalin jashtë.

“Nuk kemi ku të shkojmë, të na japin shtëpi se ndryshe nuk dalim”, kjo qe përgjigja që dhanë thuajse njëzëri këta banorë, që ishin me shumë probleme sociale, ekonomike. Të pyetur nga Syri.net, ja cilat qenë problemet e tyre:

Zotëria: “Dilni se godina do të shembet! Erdhën katër furgonë policie. Po ne nuk kemi ku të shkojmë, sepse na është prishur shtëpia. Jemi nga një fshat i Shijakut. Më herët kam qënë në Tufinë, tre javë dhe pastaj erdhëm këtu, na strehuan këtu. Na kanë ndihmuar, na kanë dhënë për të ngrënë. Ne nuk kemi ku të shkojmë, shtëpia më është shkatërruar komplet. Jemi me fëmijë të vegjël, ku të shkoj në mes të dimrit?! Jam vetë i katërt! Shtëpisë i kanë vënë shiritin, nuk mund të hyhet brenda.”

Bashkëshortja e tij: “Nuk dal nga kjo godinë, vetëm po të na nxjerrin të vdekur. Pa na dhënë shtëpi….I kemi përballuar këto javë me ndihmat nga “Fundjava ndryshe”, nga Unaza e Re. Instancat e shtetit nuk kanë ardhur as për të na pyetur, jo për ndihmë.”

Zonja me 4 fëmijë: “Unë kam jetuar në shtëpi me qira, tek Rruga Ura. Kam fëmijë jetimë. Faleminderit zotërinjve që na strehuan këtu. Ku të shkoj unë vetë i katërt me fëmijët? 66 mijë lekë të vjetra marr përkrahje sociale. Nuk kam ndihmë. Kërkoj nga shteti, të paktën një dhomë e kuzhinë për katër jetimët që kam. Dhe kërkoj për gjithë të tjerët, sepse si unë janë dhe të tjerët. Fëmijët shkojnë në shkollën këtu afër “Dhora Leka” po nuk dimë ku do të shkojmë. Na thanë rrini gati se do të dilni. Veç të vdekur të dalim, se s’kemi ku të shkojmë.”

Zonja e sëmurë: “Unë vij nga Instituti Bujqësor, se shtëpia ka dalë e pabanueshme. Më thanë shko e merr bonusin, po ç’ta bëj bonusin unë? Unë kam burrin e sëmurë e çoj në spital, jam vetë me spoliatrozë…Dy fëmijët janë të sëmurë me azëm. Pse më jep bonusin zotëri, më jep shtëpi?! Unë mezi rri në këmbë. Faleminderit që ma jep, por më jep shtëpinë që të shkoj të futem me fëmijë. Faleminderit këtij pronari këtu që na ka strehuar. E rëndë për ne që të hamë bukën e tjetrit… Mua nuk më dhanë kemp, kurse burrit i kanë dhënë 100 mijë lekë. Ilaçe ai, ilaçe unë! Unë nuk kam ku të shkoj, vetëm kur të shembet godina të më zërë dhe mua. Ta nxjerrësh invalidin është kollaj, por për ta ndihmuar qenka zor!” /SYRI.NET

Dështoi befasia e Zaltan Ibrahimoviç!

Ibrahimoviç ishte përgatitur për një festë të veçantë në ‘San Siro’, por dështoi gjithçka, pasi nuk realizoi gol në debutim dhe Milani barazoi pa gola me Sampdorian.

Kuqezinjtë e nisën vitin 2020 me një barazim, duke u ndalur pa gola në shtëpi nga Sampdoria 0-0.

Milani tentoi vazhdimisht, sidomos pas inkuadrimit të Zlatan Ibrahimovic në pjesën e dytë, që debutoi me Kuqezinjtë, por pa ndonjë rezultat.

“Duhet të vuajmë për momentin. Tifozët nuk janë të lumtur dhe kanë të drejtë sepse rezultatet janë negative. Tani të punojmë dhe mendojmë pozitivisht. Doja shumë të shënoja dhe të bëja shenjën e zotit poshtë ‘Curva Sud’”, deklaroi Ibra.

“Leao? I kam shpjeguar se çfarë lëvizjesh duhet të bëjë”, tha ai.

Rikthimi i Zlatan Ibrahimovic nuk e ka ndihmuar Milanin që të rikthehet te rezultatet pozitive dhe të nisë me këmbë të mbarë vitin.

Kuqezinjtë e nisën vitin 2020 me një barazim, duke u ndalur pa gola në shtëpi nga Sampdoria 0-0.

Milani tentoi vazhdimisht, sidomos pas inkuadrimit të Zlatan Ibrahimoviç në pjesën e dytë, që debutoi me Kuqezinjtë, por pa ndonjë rezultat deri në fund të takimit.

Kështu, Milan regjistroi barazimin e 4, teksa ka edhe 8 humbje pas 18 xhirove në Serie A. Renditet në pozitën e 12 me 22 pikë.