21.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

Pija perfekte e mëngjesit, uji me këtë frut pastron mëlçinë dhe përmirëson tretjen

Një nga pijet më të famshme është uji me rrush të thatë. Pija me rrush të thatë mund të bëhet shpejt një zakon sepse do të vini re ndryshime në trupin tuaj në vetëm disa ditë.

Pastron mëlçinë dhe përmirëson tretjen

Ndihmon në dëbimin e substancave të dëmshme nga trupi dhe pastron mëlçinë, përmirëson tretjen , redukton acidin e stomakut, përshpejton humbjen e peshës dhe jep energji. Ju duhen 400 ml ujë dhe 150 gramë rrush të thatë. Nëse është e mundur, zgjidhni rrush të thatë më të errët sepse janë natyralë.

Si bëhet pija?

Lëreni ujin të vlojë dhe më pas shtoni rrushin e thatë që keni larë mirë. Zijeni për 20 minuta. Kullojeni dhe pijeni. Nëse dëshironi një efekt më të fortë, lini rrushin e thatë në ujë në sobë të fikur gjatë gjithë natës. Në mëngjes kullojeni ujin dhe ngroheni para se ta pini.

Kjo pije pihet një herë në muaj për 4 ditë. Lëngu pihet përnjëherë, gjithmonë me stomak bosh të paktën gjysmë ore para mëngjesit.

Armëpushimi në Gaza/ Mbi 1800 palestinezë do të lirohen, si do të mbërrijnë ndihmat

Më shumë se 1,890 të burgosur palestinezë, pritet të lirohen nga Izraeli në këmbim të lirimit të 33 pengjeve të mbajtura nga Hamasi, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës që fillon zyrtarisht në orën 8:30 të mëngjesit të së dielës.

Siç njoftoi Ministria e Jashtme egjiptiane, ky shkëmbim do të bëhet gjatë fazës së parë 42-ditore të marrëveshjes.

Në të njëjtën kohë, ministri i jashtëm egjiptian Badr Abdelati tha se 50 kamionë me karburant do të hyjnë në Gaza sapo të fillojë armëpushimi.

Egjipti parashikon “hyrjen e 600 kamionëve në ditë në enklavën e rrethuar, duke përfshirë 50 kamionë me karburant.”

“Ne shpresojmë që 300 kamionë do të shkojnë në veri të Rripit të Gazës,” tha ai në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij nigerian.

Për muaj të tërë, Gaza veriore ka qenë nën bombardime intensive izraelite, duke vrarë dhe zhvendosur mijëra njerëz dhe duke përkeqësuar një situatë tashmë të rëndë humanitare.

Në këtë kuadër, dhjetëra kamionë të ngarkuar me ndihma dhe autoambulanca janë rreshtuar në pikën kufitare Rafah në pritje të fillimit të armëpushimit.

“Beogradi vijon diskriminimin për shqiptarët e Preshevës”/ Kamberi: Çështja ngec në dy pika kryesore! Të rritet presioni diplomatik mes dy qeverive

Shqiptarët e Preshevës thonë se Beogradi vijon diskriminimin për të drejtat e tyre. Edhe pse ka një marrëveshje të vitit 2001 për integrimin e shqiptarëve të luginës së Preshevës ata shprehen se Beogradi i ka lënë në mungesë investimesh.

Kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës, Belgzim Kamberi në një intervistë për TV Klan, shprehet se çështja karakterizohet sipas tij nga dy pika kryesore.

“Karakterizohet me dy ngecje kryesore, njëra është mos përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet publike që janë jashtë kompetencave të komunave. Ngecja e dytë kryesore faktikisht është ngecja që ka të bëjë më çështjen e zhvillimit ekonomik dhe të punësimit”.

Kamberi apelon për një angazhim më serioz nga qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë tek ndërkombëtarët për të rritur presionin ndaj Beogradit.

“Të rritet presioni diplomatik që nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, përderisa nuk ka përmirësim të pozitës së shqiptareve në Luginë të Preshevës. Shqiptaret e Luginës së Preshevës do të kishin nevojë për një qasje pak më serioze të dy qeverive edhe në Tiranë edhe në Prishtinë”, thotë Kamberi.

Kritika ka edhe për qasjen e ndërkombëtarëve, duke vënë në dukje se demokratizimi i Serbisë dhe të drejtat e pakicave janë lënë në hije për shkak të prioriteteve gjeopolitike dhe çështjeve të sigurisë.

Euro ‘zhvlerëson’ edhe eksportet! Prodhimi vendas ‘në vend numëro’

Viti 2024 e thelloi edhe më shumë krizën e eksporteve. Shifrat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit të shkuar eksportuesit humbën 67 miliardë lekë, kryesisht nga zhvlerësimi i monedhës euro. E kundërta ka ndodhur me importet. dyfishimi i tyre gjatë vitit të kaluar bëri që prodhimi i huaj të dominojë tregun vendas. 

Më pak u shitën dhe dyfish më shumë u blenë. Viti 2024 u mbyll me tkurrje të fortë të eksporteve dhe fuqizim të mëtejshëm të importeve.

Referuar shifrave të fundit të Institutit të Statistikave, eksportet gjatë vitit të shkuar janë ulur me 15.4%. Në total bizneset shqiptare kanë shitur jashtë vendit mallra me vlerën 373 miliardë lekë nga 440 miliardë lekë që ishte vlera e eksporteve në 2023-shin duke shënuar një humbje me 67 miliardë lekë. Rënien më të fortë e kanë pasur eksportet e mineraleve-energjisë elektrike me 5.3%, ndjekur nga “Tekstile dhe këpucë” me -4,8% dhe materialet e ndërtimit me tkurrje 4.1%.

Dy janë faktorët kryesorë që dëmtuan bizneset eksportuese shqiptare. Forcimi i monedhës kombëtare ‘lekë’, përkundrejt valutave, sidomos ndaj monedhës europiane, që zhvlerësoi muaj pas muaj fitimet e bizneseve eksportuese, për shkak se shitjet i kanë në euro, kurse kostot në lekë. Por nga ana tjetër ekspertët thonë se edhe ulja e çmimeve në krahasim me krizën e inflacionit ndikon në rënien e vlerës së eksporteve, pasi u shit me çmim më të ulët se viti 2023.

Ndërsa nga ana tjetër prodhimi i huaj ka zënë më shumë vend në tregjet e deri në tryezat tona. Gjatë vitit të shkuar kemi importuar mallra me vlerë 894 miliardë lekë ose 21 miliardë lekë më shumë se në vitin 2023. Praktikisht nga jashtë kemi blerë dyfish më shumë sesa kemi shitur. Sipas INSTAT vjet kemi importuar më shumë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi dhe ushqime.

Gjatë 2024-ës vendet me të cilat ka pasur më shumë rritje eksportesh ishin Kosova, Greqia dhe Kina, kurse rritjen më të madhe të importeve e pati me  Kinën, Gjermaninë dhe SHBA./shqiptarja.com

EKSPORTET E MALLRAVE
Viti 2023     440 mld lekë
Viti 2024     373 mld lekë
Rënia          – 67 mld lekë
IMPORTI I MALLRAVE
Viti 2023      873 mld lekë
Viti 2024      894 mld lekë
Rritja            +21 mld lekë

‘Dhuratë për oligarkët’: PS drejt zgjerimit të amnistisë tatimore për investitorët specialë në turizëm

Me një nismë ligjore të deputetit Blendi Klosi, mazhoranca socialiste synon që ta shtrijë amnistinë nga tatimi mbi fitimin edhe për ato biznese që do të përfitojnë statusin special për hotele ose resorte me katër dhe pesë yje deri në dhjetor të vitit 2026.

Sipas legjislacionit aktual të tatimeve, afati i përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat korporative ka skaduar më 31 dhjetor 2024.

Në projektligjin e dorëzuar në Kuvend në dhjetor, Klosi propozon: “Entitetet që operojnë në struktura akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special” sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një markë tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht ‘brand name’, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat korporative për një periudhe 10- vjeçare, për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026”.

Drafti propozon që efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special”. Në relacionin shoqërues, Klosi argumenton se kjo nismë ligjore synon “incentivimin e sektorit të turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale për hotelet dhe resortet”.

Prej vitit 2019, qeveria e kryeministrit Edi Rama i ka dhënë statusin special të investitorit në struktura akomoduese me pesë yje një grupi biznesmenësh të afërt me të. Këto kompani përfitojnë një sërë lehtësirash të tjera fiskale si përjashtimi nga taksa e infrastrukturës si dhe tatimi mbi vlerën e shtuar, TVSH në masën 6%.

Paralelisht me propozimin e Klosit, në Kuvend po shqyrtohet edhe nisma e një deputeteje tjetër socialiste për shtyrjen e afatit për ligjin e investimeve strategjike./ Me shkurtime nga BIRN

Shoqata e ish-të Përndjekurve reagon kundër Berishës: Jemi shtyllë kryesore e së djathtës, Berisha ka keqpërdorur kauzën tonë

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, ka reaguar nëpërmjet nënkryetarit të saj, Shpëtim Agolli.

“Ish të përndjekurit politikë kanë qenë shtylla kryesore e Partisë Demokratike dhe si të tillë z.Berisha sa herë ka qenë në pushtet i ka tallur, i ka përbuzur ata duke u krijuar vende pune sa për t’i injoruar.
Ishte po z.Berisha i cili i nxorri me shkop gome ish të përndjekurit politikë të cilët hynë në grevë urie në v.1994 pothuajse në çdo qytet të Shqipërisë në kërkim të të drejtave të tyre të mohuara nga një pushtet të cilët ata vetë në masë e kishin votuar më 22 mars 1992.”
– shkruan Agolli në reagimin e tij.

Më poshtë e plotë:

DEKLARATË PUBLIKE E SHOQATËS ANTIKOMUNISTE E ISH TË PËRNDJEKURVE POLITIKË TË SHQIPËRISË
Adresa: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nr.3

Sa herë ka zgjedhje ish të Përndjekurit Politikë përdoren si mish për top duke mos mjaftuar reprezaljet, vrasjet, burgosjet dhe internimet e mijëra viktimave dhe familjeve të tyre prej diktaturës komuniste, sot ata përballen me injorimin dhe përbuzjen e të gjithë politikanëve shqiptarë sa herë ata vijnë në pushtet.
Sot z.Berisha ftoi tek selia e PD një grup të përndjekurish politikë si pjesëtarë të Departamenteve të Përndjekurve Politikë të PD, apo shoqatë siç i quajti ai, ku i ftoi ata që të bënin programin e tyre i cili do të konsiderohej si një marrëveshje ndërmjet tyre dhe PD, e cila kur të vijë në pushtet e dalë nga zgjedhjet e 11 majit, të konsderohet si e tillë në zbatim të kërkesave të tyre.
Ish të përndjekurit politikë, asnjëherë nuk kanë kërkuar lëmoshë nga shoqëria shqiptare e cila i ka shumë borxhe kësaj shtrese si dhe nga cilido pushtet, përveçëse vendosjes së dinjitetit të nëpërkëmbur nga diktatura komuniste.
Për tre dekada rrjesht, ish të përndjekurve politikë ju janë mohuar shumë të drejta të tyre të munguara megjithëse ato ishin të përcaktuara me ligj.
Ish të përndjekurit politikë kanë qenë shtylla kryesore e Partisë Demokratike dhe si të tillë z.Berisha sa herë ka qenë në pushtet i ka tallur, i ka përbuzur ata duke u krijuar vende pune sa për t’i injoruar.
Ishte po z.Berisha i cili i nxorri me shkop gome ish të përndjekurit politikë të cilët hynë në grevë urie në v.1994 pothuajse në çdo qytet të Shqipërisë në kërkim të të drejtave të tyre të mohuara nga një pushtet të cilët ata vetë në masë e kishin votuar më 22 mars 1992.
Ishte po z.Berisha i cili nuk dënoi krimet e komunizmit me gjithë kërkesën e herë pas hershme të ish të përndjekurve politikë.
Sot z.Berisha pranon se kjo masë duhej të ishte marrë por justifikohet me arsyetimin se nuk e la e majta europiane duke “harruar” se BE ka nënshkruar dy rezoluta në mbështetje të dënimit të krimeve në të gjitha ish vendet komuniste.
Sot z.Berisha premton se të gjithë pronarëve do t’u kompesohet prona e grabitur padrejtësisht duke “harruar” përsëri se ai ka qenë shkaktari kryesor i mohimit të pronës nga viti 1991 e në vazhdim me miratimin e ligjit me nr.7501 për tokat bujqësore si dhe vendosjen padrejtësisht të pronarëve nga të cilët shumica kanë qenë edhe të përndjekur politikë dhe sot enden pambarimisht rrugëve të gjykatave.
Sot z.Berisha i tha atij grupi të mbledhur në seli se pa u plotësuar të drejtat e ish të përndjekurve politikë nuk do të ketë paqe sociale.
Për cilët të përndjekur politikë e ka fjalën z.Berisha pas 34 vjet post komuniste?
Për ata të përndjekur të cilët lanë kockat në tharrjen e kënetave të vendit, në nxjerrjen e kromit dhe piritit nëpër minierat, ndërtimin e rrugëve,aeroportet, portet, pallatet, hidrocentralet etj me punē të papaguar për të cilët me keqardhje shprehim se shumica e tyre ka ndrruar jetë?!
Apo e ka fjalën për familjet e atyre të afërmve të vrarëve me ligj e pa ligj të cilëve nuk ju gjetën eshtrat kurrë dhe z.Berisha nuk ishte në gjendje të bënte një ligj të tillë që ata të preheshin në paqe si çdo i vdekur tjetër pranë familjeve të tyre?!
Për cilët ish të përndjekur politikë e ka fjalën z.Berisha?
Për ata të përndjekur politikë të cilët z.Berisha i përçau në shoqata të ndryshme me qëllim që zëri i tyre të ishte sa më i vagulluar.
Ky është realiteti i hidhur i ish të pērndjekurve politikë me të cilēt edhe sot z.Berisha u tall duke i krahasuar ata me të burgosurin politik Ilir Meta.
Pikërisht me njē prej personave më të rëndësishëm politikē i cili sa herë kishte përvjetorë dhe festa komuniste dilte në krye të tyre me shallin e kuq në qafë dhe me portretin e diktatorit Hoxha në dorë.
Shoqata jonë distancohet nga çdo veprim i tillë injorues dhe tallēs.
Shoqata jonë, një prej shoqatave me antarësinë më të madhe të ish të përndjekurve politikë në vend, me degët e saj në çdo rreth, me Kryetar të saj z.Et’hem Fezollari, ka ndërmarë disa iniciative, përveç aktiviteteve të shumta dhe ka kërkuar nga politika shqiptare e cila të miratojë në Kuvend Statutin e Ri tonin të ndryshuar në të cilin kërkojmë vendosjen e një statusi të veçantë pēr të gjithë ata persona ish të burgosur politikë dhe të internuar të trajtohen me një pension suplementar përveç pensionit të moshës.
Deri më sot shoqata jonë nuk ishte përzierë nē punët dhe konfliktin e brendshëm të Partisë Demokratike, me shpresën se do të gjendej një rrugë e ndërmjetme për bashkimin e saj, por nga sot dhe ditët në vazhdim ne do të dalim me një qendrim të qartë politik për zgjedhjet e 11 majit të v.2025, qëndrim ky i cili do të vendoset nga forumet e saj.

Me respekt
Pēr Kryesinë

N/Kryetari i Shoqatës
Shpëtim Agolli.

Shënim/ Të krahasosh të pakrahasueshmen!

Edi Rama paska thënë se Gjermania është bërë e vështirë për vetë gjermanët dhe jo më për ne, duke nënkuptuar që mundësitë në Shqipëri janë më të mira se atje. (Të mendosh që gjithmonë paranojat e autokratëve janë ta krahasojnë veten me të pakrahasueshmen).

Po, Rama ka të drejtë kur thotë që Gjermania sot ka vështirësi të mëdha, por janë vështirësitë e një shteti prej 84 milionë banorësh që sfidën e ka me veten për të qenë numri një në Evropë për gjithçka dhe për t’u shndërruar në lokomotivën ekonomike të kontinentit.

Ndërkohë që vendi që drejton Edi Rama prej 12 vitesh, e vetmja gjë me të cilën mburret, është kafeja e mirë, madje edhe për këtë gjë nuk ka kurrfarë merite qeveria.

Ashtu sikurse nuk ka meritë për zhvillimin e turizmit apo për sektorë të ngjashëm, të cilët ecin falë projekteve individuale të njerëzve vizionarë, që përveçse vëshitrësive të panumërta, nuk marrin kurrfarë mbështeje nga qeveria e tij.

Përveçse korrupsion, nepotizëm, klientelizën, pasiguri, pabarazi, bukë dhe cirk, çfarë ofron tjetër Edi Rama?

Po vendi që ai drejton me kë e ka garën për t’u krahasuar? Se, me sa shohim, edhe Kosova dhe Maqedonia e kanë lënë prapa! Për të mos hedhur sytë pak më tej./Nga Namir Lapardhaja

Çmimet: Sa janë rritur artikujt bazë në treg vëtëm për pak vite?

Çmimet në treg janë rritur ndjeshëm në krahasim me disa vite më parë. Sa vite keni që shisni në markat?

A kanë ndryshuar çmimet përgjatë këtij 10 vjeçare?

Qytetari: Po që të gjitha janë rritur.

Një/kg domate ka qenë 70 lekë sot është 120. Spinaqi ka qenë 50 lekë sot 120, brokoli ka qenë 50 lekë sot 120 lekë, trangull ka qenë 70 lekë, sot 100 lekë, karota ka qenë 60 lekë sot 100 lekë, lulelakra 80 sot 120 lekë.

Tani do bëjmë disa blerje duke krahasuar se sa perime mund të blej në 2014 dhe në 2025.

Inflacioni në 10 vite ka ngrënë xhepat e shqiptarëve pasi çmimi i fruta perimeve është rritur me 50%. Me 500 lekë në 2014 unë kam arritur të blej gjashtë produkte të ndryshme, ndërsa me të njëjtën sasi parash kam blerë vetëm katër produkte pra më mungon spinaqi dhe karrotat. Ndërkohë që çmimet janë rritur konsumi është ulur.

Qytetarët thonë se çmimet janë tepër të larta dhe që janë rritur 10 fish më tepër. Ndërsa një qytetar thotë se dikur blinte një arkë me portokall ndërsa sot vetëm dy kilogram.

Ndërsa eksperti i ekonomisë Fatmir Guri thotë se tregu është i parregullt.

“Rritja e çmimeve për konsumatorin final nuk është përkthyer në një rritje të rë dëmshme për fermerin. Kjo për vetë faktin se akoma në Shqipëri ne nuk kemi një konsolidim të zinxhirit të vlerës. Struktura jo e drejtë e tregut midis shitësit dhe blerësit”, shprehet Guri.

Sot, 106-vjetori i mbajtjes së Konferencës së Paqes në Paris

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot Konferenca e Paqes në Paris, e cila hapi zyrtarisht punimet më 18 janar 1919.

Kjo konferencë u organizua nga Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës së Parë Botërore. Për të përfaqësuar kombin shqiptar, krahas delegacionit zyrtar të Qeverisë së Durrësit morën pjesë edhe delegacione të tjera nga kolonitë shqiptare jashtë atdheut, si nga Federata Panshqiptare “Vatra” në Boston të SHBA, Partia Politike Shqiptare në SHBA, kolonitë shqiptare në Turqi, Rumani, Zvicër e vende të tjera.

Megjithëse, Shqipëria mbajti qëndrim asnjanës gjatë Luftës së Parë Botërore, Konferenca e Paqes nuk mori në konsideratë kërkesat e drejta të delegacionit shqiptar për të ruajtur tërësinë tokësore të shtetit shqiptar si dhe për të rikthyer në favor të tij territoret shqiptare që ishin shkëputur më 1878 dhe në vitin 1913.

Shtetet fqinje kërkuan që të merreshin parasysh pretendimet e tyre territoriale mbështetur në Traktatin e Fshehtë të Londrës të prillit të vitit 1915. Në këtë konferencë nuk u mor parasysh parimi i kombësisë dhe as ai i vetëvendosjes.

Për të ardhmen e Shqipërisë u paraqitën disa projekte që fillonin që nga ngushtimi territorial e deri në zhdukjen e shtetit shqiptar nga harta politike e Ballkanit.

Në janar të vitit 1920 u hartua një projekt për zgjidhjen e Çështjes së Adriatikut, i cili parashikonte aneksimin nga Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene e disa viseve veriore të Shqipërisë, por ky projekt ndeshi në kundërshtimin e presidentit amerikan U. Uillson.

Tre arsye pse Rama s’ka sy e faqe të kërkojë votën e Diasporës!

Teksa shpjegonte tre arsyet pse duhet të votohet kjo qeveri për të marrë mandatin e katërt, “shigjetat” shkonin edhe drejt selisë blu.

Rama shprehet se emigrantët e dinë mirë dhe janë të kthjellët në atë çfarë duhet të bëjnë. Kryeministri ka renditur tre arsye themelore që sipas tij emigrantët janë të kthjellët për hapin që duhet të marrin.

“Në fakt unë mendoj se emigrantët e dinë mirë, madje shumica dërmuese e tyre janë më të kthjellët se sa ne të paktën për tre gjëra themelore. E para ata janë më të kthjellët në vlerësimin e shkallës së përparimit të Shqipërisë sepse nga një anë nuk i kanë ato gërmëret e përditshme të jetës së këtueshme që shpesh na lodhin të gjithëve dhe nga ana tjetër kanë mundësinë të vlerësojnë shumë më kollaj dallimin e asaj që shohin kur vijnë dhe asaj që kanë parë kur kanë qenë herën e kaluar.

E dyta emigrantët nuk kanë iluzione për jetën atje ku janë dhe shpeshherë nuk i kuptojnë madje ankesat tona për faktet që kafet dhe restorantet janë plot dhe ata që rrinë më shumë ulur ankohen më shumë që jo s’ka bukë, s’ka ujë, jo s’ka rrugë, jo s’ka punë.

E treta emigrantët dinë ta vlerësojnë më shumë se sa ne rëndësinë e imazhit dhe të reputacionit të Shqipërisë jashtë kufijve.” tha ai.

Por duhet t’i kujtojmë kryeministrit se sipas të dhënave të Censit 2023, të krahasuara me të dhënat e lindshmërisë në Shqipëri, tregojnë se emigrimi po gërryen një pjesë domethënëse të të rinjve të paktë të vendit, por edhe të vetë fëmijëve, të cilët duket se janë larguar në emigrim bashkë me prindërit.

E para qeveria është munduar ta justifikojë këtë braktisje dramatike si një fenomen rajonal, që nuk ka lidhje me qeverisjen, por Banka Botërore jep arsye të tjera.

Një raporti i fundit i BB, që ka analizuar flukset migratore në Europë ka dalë në përfundimin se një nga arsyet madhore që largon qytetarët nga vendet e tyre është korrupsioni. Raporti thotë përkeqësimi i korrupsionit në një vend me një njësi, rrit emigrimin me 9 deri në 29 për qind.

“Më shumë korrupsion shoqërohet gjithashtu me norma më të larta emigracioni. Ky efekt është veçanërisht i fortë tek emigrantët e kualifikuar me aftësi të larta,” thuhet në raport.

Sipas BB, kanalet se si korrupsioni i detyron njerëzit të braktisin vendin e tyre, janë disa.  “Për shembull, nivelet më të larta të korrupsionit kanë një ndikim negativ në cilësinë e institucioneve lokale. Kjo çon në nivele më të ulëta besimi tek institucionet, pasiguri ekonomike për qytetarët, më pak mundësi pune dhe cilësi më të ulët të jetës,” vërejnë ekspertët e Bankës Botërore.

E dyta afro 40% e fuqisë punëtore aktive e Shqipërisë, po punon jashtë vendit, thuhet në raportin global për vitin 2024, të Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin.

Mbi gjashtëdhjetë përqind e shqiptarëve të lindur në vitin 1990 nuk ishin të pranishëm në Shqipëri në kohën kur u bë Censi 2023, shifër kjo që duket se tregon emigrim masiv mes të rinjve, me një shkallë edhe më të lartë se sa norma e përgjithshme e emigrimit në vend që vlerësohet të jetë 48%.

Të dhënat sugjerojnë se emigrimi i dekadës së fundit i ka prekur të gjithë shqiptarët pa përjashtim dhe se vendi përballet me rrezikun që të humbasë edhe ata pak fëmijë që kanë mbetur aktualisht në vitet në vijim, nëse nuk ndërmerren politikat e nevojshme për t’i mbajtur në vend.

Në tërësi, në Shqipëri kanë mbetur 2.4 milionë banorë, nga të cilët, vetëm 488 mijë janë nën 18 vjeç, ndërsa 436 mijë janë mbi 65 vjeç. Të dhënat mbi gjeneratat që pritet të hyjnë në tregun e punës në dekadën e ardhshme dhe atyre që pritet të dalin në pension, pra gjeneratat e shqiptarëve që sot janë 9-18 vjeç dhe atyre që janë 56-65 vjeç, tregojnë se grupi i të rinjve është 277 mijë vetë, ndërsa grupi i njerëzve në prag pensioni është 373 mijë vetë, gjë që do të thotë se sakaq ka 3 pensionistë të ardhshëm për çdo dy punëtorë të ardhshëm.

Por ky raport ka rrezik të përkeqësohet në rast se një pjesë e brezit të ri të shqiptarëve zgjedh emigrimin përkundrejt jetës në Shqipëri. Dhe krahasimi mes numrit të lindjeve në vite dhe numrit të popullsisë së pranishme në vend tregon se në fakt, e gjithë gjenerata e re e shqiptarëve është e prekur nga emigrimi, qoftë individualisht, qoftë familjarisht.

Dhe e treta, zoti kryeministër në 12 vitet e fundit që PS-ja është në pushtet, janë larguar nga vendi më shumë se 40 mijë vetë persona çdo vit. Duke pasur parasysh shtesën natyrore prej 88 mijë vetësh, nëse nuk do të kishim këtë shifër emigracioni, popullsia do të kishte shtim dhe jo pakësim, sikurse tregojnë të dhënat e Censit 2023./ Pamfleti