23.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

Deficiti tregtar i Shqipërisë thyen rekord historik, arrin në 5.2 miliardë euro

Nga Gjergj Erebara

Eksportet e Shqipërisë pësuan rënie për vitin e tretë radhazi gjatë vitit 2024, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave. Rënie u shënua në të gjitha grupmallrat, ku më e theksuara ishte rënia te energjia dhe mineralet me 24% dhe materiale ndërtimi e metale me 22%. Grupi veçanërisht i rëndësishëm sa i përket punësimit, Tekstile dhe këpucë, i cili historikisht ka pasur peshën kryesore në eksportet e vendit, pësoi një rënie në masën 17%.

 

Rënia e eksporteve ka nisur në vitin 2023, pas rritjes së shpejtë gjatë krizës së vitit 2022, kur çmimet e lëndëve të para në tregun ndërkombëtar u rritën fort për shkak të Luftës në Ukrainë. Por gjatë vitit 2024, eksportet ishin pothuajse në nivelin e vitit 2021. Rënia e eksporteve përgjatë këtyre dy viteve ka shumë faktorë, ku përfshihet rënia e çmimeve të shitjes në tregun ndërkombëtar si dhe forcimi i lekut kundrejt euros, forcim që ka pjesërisht efekt aritmetikor (llogaritë e tregtisë së jashme mbahen në lekë dhe një sasi mallrash e shitur në euro vitin e kaluar vlen më pak lekë sot) dhe gjithashtu ka për efekt humbjen e konkurrueshmërisë së mallrave shqiptare në tregjet ku eksportohen.

Rënia më shqetësuese duket se është në grupin e mallrave Tekstile dhe këpucë, sektor që gjatë vitit të kaluar eksportoi mbi 1 miliardë euro mallra dhe ishte përgjegjës për 28% të të gjitha eksporteve. Ky është sektori veçanërisht i rëndësishëm nga pikëpamja sociale në Shqipëri për shkak të numrit të madh të punonjësve dhe faktit që fabrikat fason sot operojnë në zona periferike dhe qyteza të vogla, ku rëndësia e tyre për ekonominë lokale është e madhe. Eksportet e këtij sektori janë sot pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2020, vitin e pandemisë kur një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik ishte e paralizuar.

Shqipëria eksportoi në total 372.6 miliardë lekë mallra. Ndërsa eksportet ranë, importet u rritën. Importet arritën në 894.4 miliardë lekë me një rritje nominale prej 2.5%. Efekti i kursit të këmbimit në rastin e importeve sugjeron se rritja reale është më e lartë se sa kaq. Leku shqiptar është forcuar me rreth 10% kundrejt euros, monedha kryesore e tregtisë së jashtme të vendit. Në rastin e importeve, kjo do të thotë se rritja reale është rreth 12% ndërsa në rastin e eksporteve, rënia reale nuk është 15.4 por rreth 5%.

Deficiti tregtar i vendit arriti në 522 miliardë lekë ose rreth 5.2 miliardë euro. Ky është deficiti më i lartë tregtar i shënuar ndonjëherë në Shqipëri./ BIRN

Sanksionet ndërkombëtare bëjnë bashkë Rusinë dhe Iranin, dy vendet bien dakord për një bashkëpunim 20-vjeçar! Çfarë parashikohet

Sanksionet e rrepta ndërkombëtare rëndojnë si mbi Rusinë edhe Iranin. Tani të dyja vendet ranë dakord për një bashkëpunim më të ngushtë për 20 vitet e ardhshme. Bashkëpunimi përfshin edhe fushën ushtarake.

Rusia dhe Irani duan të thellojnë bashkëpunimin e tyre ushtarak dhe ekonomik për 20 vitet e ardhshme. Gjatë vizitës së tij në Moskë, presidenti iranian Masud Peseshkian nënshkroi një marrëveshje partneriteti strategjik me presidentin rus, Vladimir Putin. Lajmi u transmetua nga televizioni shtetëror iranian.

Ekspertët e konsiderojnë bashkëpunimin edhe si një përgjigje ndaj izolimit politik në rritje të të dy vendeve, i cili është rritur ndjeshëm që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. Sanksionet e rrepta ndërkombëtare përbëjnë një barrë të rëndë për ekonomitë dhe sistemet financiare të Moskës dhe të Teheranit.

Më shumë bashkëpunim ushtarako-teknik
Sipas njoftimeve të mediave marrëveshja prej 47 nenesh përfshin bashkëpunimin në fusha të tilla si ushtria, politika, tregtia, kërkimi, arsimi dhe kultura. Marrëveshja vjen në një kohë trazirash politike në Lindjen e Mesme dhe pak para ceremonisë së fillimit nga detyra të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Pas vitesh negociatash tepër sekrete tani janë bërë publike vetëm disa detaje të marrëveshjes. Sipas një versioni të marrëveshjes të publikuar nga media shtetërore iraniane të dyja vendet duan p.sh. të zgjerojnë ndër të tjera bashkëpunimin midis shërbimeve të tyre sekrete dhe institucioneve të sigurisë.

Në fushën e mbrojtjes, Moska dhe Teherani riafirmojnë angazhimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ushtarako-teknik. Një tjetër nen i marrëveshjes parashikon bashkëpunim në fushën e “rendit publik”./DW

Krimi dhe paraja e pisët rrit me 15% çmimet e apartamenteve në Shqipëri gjatë vitit 2025

Faktorët kryesorë që do të ndikojnë te shtrenjtimi i çmimeve mbeten rritja e kostos nga pagat e punëtorëve, shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit dhe kostoja nga rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Rritja e çmimeve të apartamenteve nuk do të ndalet edhe gjatë 2025-s. Ndërtuesit presin të rrisin sërish çmimet e shitjes së apartamenteve. Shtrenjtim pronash pritet të ketë në zonat afër qendrës, Unazës së Vogël dhe Bulevardit të Ri në Tiranë.

Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi, thotë se në kryeqytet, zonat ku do të ketë rritje të çmimeve do të jenë afër qendrës.

“Në disa zona si brenda Unazës së Vogël, Bulevardi i Ri, ish-fusha e Aviacionit, çmimet kanë tendencë për rritje gjatë 2025-s”, thotë z. Harizi.

Rritje të ndjeshme të çmimeve sipas ndërtuesve parashikohet të ketë edhe në zonën e Bulevardit të Ri, për shkak të zhvillimit të shpejtë infrastrukturor që po njeh zona. Një nga zhvilluesit e një prej qendrave rezidenciale në këtë zonë konfirmon se nga janari 2025 do të rrisë çmimet e shitjes me 15% (nga 1,700 euro për metër katror çmimi do të arrijë në 2,000 euro për metër katror).

Për Kryetarin e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, faktorët kryesorë që do të ndikojnë te shtrenjtimi i çmimeve mbeten rritja e kostos nga pagat e punëtorëve, shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit dhe kostoja nga rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

“Kostot e ndërtimit pritet të rriten gjatë 2025-s, ku ndoshta zërin kryesor e zë fuqia punëtore. Sektori ballafaqohet gjithashtu me mungesë fuqie punëtore. Edhe cilësia e ndërtimit është në rritje, pasi ndërtuesit përdorin materiale më cilësore.Shtim të kostove ka edhe nga rritja e detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe taksës së strehimit që erdhi pas ndryshimit të çmimeve të referencës”, pohon ai.

Edhe vetë zhvilluesit e qendrave rezidenciale në Tiranë rendisin si faktor kryesor të shtimit të kostove rritjen e pagave për punëtorinë, për materialet e ndërtimit dhe taksave.

“Gjatë 2024-s, pagesat ditore për punonjësit nisin nga 5,000-6,000 dhe deri në 7,500 lekë në ditë (tarifa më e lartë është paguar për lidhësit e hekurit të armaturës). Niveli i pagesës është i lartë. Për 2025 pritet që të shkojnë edhe 8,000 lekë/dita. Kostoja është e lartë edhe për materialet e ndërtimit. P.sh., për qiranë e skelave, tarifat variojnë nga 19 deri në 22 euro për metër katror. Që nga vjeshta e vitit 2023, ndërtuesit janë ngarkuar me 50 euro shtesë për metër katror nga rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë. Për shkak të kostove më të larta, rritja e çmimeve është e pashmangshme”, pohon një nga ndërtuesit në Tiranë.

Në 2024, ndërtuesit u goditën në kosto edhe nga rritja e detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe taksës së strehimit.

Vendimi për rritjen e çmimeve të referencës nga muaji gusht 2023, dha ndikim të menjëhershëm edhe mbi aktivitetin e ndërtimit, duke qenë se këto çmime shërbejnë si faktor kryesor për përcaktimin e vlerës së taksës në infrastrukturë dhe në vlera monetare zëvendësuese të taksës 3% të kontributit në strehimin social.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë për Tiranën është në nivelin 8% dhe llogaritet për metër katror mbi çmimet e referencës, të cilat nga gushti i vitit të kaluar u rritën nga 5 deri në 76% për 32 zonat kadastrale të saj.

Kërkesa për blerje apartamentesh, pritet e njëjta ecuri si në vitin 2024

Pavarësisht se në kryeqytet vijon të ketë bum ndërtimesh, sipas operatorëve të tregut, kërkesa për blerje në vitin 2024 shënoi rënie. Shkak kryesor i rënies së kërkesës ishte rritja e lartë e çmimeve dhe emigrimi, kryesisht i të rinjve. Por ndërtuesit nuk presin shtim të kërkesës edhe gjatë 2025-s.

“Në Tiranë, tregu është konstant te ndërtimet e reja, ndoshta rishitja ka njëfarë stanjacioni, si pasojë e taksës shumë të lartë, 15% të tatimfitimit, pasi çmimet e referencës kanë diferencë të madhe krahasuar me 2018”, nënvizon Erjon Harizi, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve.

Në korrik të 2023, në Fletoren Zyrtare u botua vendimi për rritjen e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të Tiranës. Rritja e çmimeve për zonat kadastrale të Tiranës ishte nga 5 deri në 76% dhe nisi zbatimin nga muaji gusht 2023.

Pas rritjes së çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të Tiranës mbi të cilat llogaritet taksa e ndërtesave, vlerat e tyre u rritën edhe për 5 njësitë administrative të Tiranës, si: Dajt, Farkë, Kashar, Petrelë dhe Prezë. Për këto zona, çmimet fiskale mbi të cilat llogaritet taksa e ndërtesave u rrit nga 29 deri në 73%.

Me ndryshimet e vendimit të muajit korrik, çmimet e referencës mbetën të pandryshuara në rrethe. Rritja e çmimeve të referencës shtoi detyrimet e qytetarëve dhe bizneseve për taksën e ndërtesës, që llogaritet mbi këto çmime.

Ylli Sula, drejtuesi i “Çelësi Media Group”, thotë se kërkesa për blerje në 2025 pritet të ndjekë tendencën rënëse të vitit paraardhës. Z. Sula thotë se rënia nuk do të reflektohet te kërkesa reale e familjeve për banim, pasi ajo ndër vite pothuajse është përmbyllur dhe çmimet e larta të shitjes po rrisin më tepër tendencën për zgjidhjen e çështjes së strehimit nëpërmjet qirasë afatgjatë.

Por sipas tij, ajo që pritet të shënojë rënie është kërkesa informale për blerje, për shkak të publikimit të bisedave në EncroChat të personave me aktivitet kriminal.

Në Tiranë, oferta e ndërtimit vijon të jetë me mbingopje, ku ritmet e dhënieve të lejeve të ndërtimit janë të larta, ndonëse kemi edhe emigrim më të madh të të rinjve. Pra volumi i rritjes së dhënies së lejeve për ndërtime të reja mbetet jashtë logjikës së kërkesës së qytetarëve për qëllime banimi apo edhe të bizneseve për ambiente zyrash dhe dyqanesh.

Trendi i kërkesës reale për strehim nuk është në rritje dhe pritet zgjerim edhe për vitin 2025, pasi çmimet janë të papërballueshme për familjet e reja. Të pasurit e kanë ezauruar kërkesën për strehim. Kërkesa për prona për dyqan apo zyra ka rënë edhe nga bizneset, për shkak të çmimeve të larta.

Në vitin 2025 pritet të ketë ndryshime te kërkesa për blerje pronash me para të padeklaruara. Parashikoj që kërkesa nga kjo kategori të ulet, pasi pas shkodimeve të përgjimeve në Sky dhe EncroChat mes grupeve kriminale dhe hetimeve të nisura për to nga SPAK, sigurisht që do të stepin këtë kategori të blejnë prona me çmime të lartë në Tiranë. Po ashtu edhe hetimet e nisura nga SPAK për figura të politikës dhe biznesit do të vijojnë të ndikojnë te kërkesa e blerjeve me para të padeklaruara”, thotë z. Sula.

PARASHIKIMI

“Në vitin 2025 pritet të ketë ndryshime te kërkesa për blerje pronash me para të padeklaruara. Parashikoj që kërkesa nga kjo kategori të ulet, pasi pas shkodimeve të përgjimeve në Sky dhe EncroChat mes grupeve kriminale dhe hetimeve të nisura për to nga SPAK, sigurisht që do të stepin këtë kategori të blejnë prona me çmime të lartë në Tiranë. Po ashtu edhe hetimet e nisura nga SPAK për figura të politikës dhe biznesit do të vijojnë të ndikojnë te kërkesa e blerjeve me para të padeklaruara”, thotë z. Ylli Sula i “Çelësi”.

EncroChat është një rrjet komunikimi dhe ofrues shërbimi me bazë në Europë, i përdorur kryesisht nga anëtarët e krimit të organizuar, përfshirë edhe persona me aktivitet kriminal nga Shqipëria. Platforma u zbulua nga Europol gjatë një operacioni të zhvilluar në vitet 2020-2021. Ky shërbim rezultoi se kishte rreth 60,000 abonentë të botës së krimit, përfshirë edhe shtetas shqiptarë që dërgonin mesazhe të koduara.

Kërkesa për blerje u ngadalësua edhe në vitin 2024. Ndërtuesit pohuan se shitjet ishin më të ulëta se në vitin 2023. Por pavarësisht luhatjeve të kërkesës, rritja e çmimeve nuk u frenua.

Në dhjetor 2024, në zonën e “Komunës së Parisit”, zyrat e shitjes së njësive të reja raportojnë çmime në nivel rekord për zonën. Të kontaktuar nga “Monitor”, zyra e shitjeve për një nga objektet e reja që po zhvillohet në zonë (pranë institucionit të Aviacionit Civil) thotë se çmimi i shitjes është 3,500 euro për metër katror. Krahasuar me 2023, kur çmimi maksimal ishte nga 2,600 deri 2,800 euro për metër katror, rritja është 25 deri në 35%.

Po ashtu, deri në muajin korrik, çmimet e apartamenteve në disa nga zonat qendrore u rritën 10 deri në 16%, krahasuar me muajin korrik 2023 sipas të dhënave të agjencive pasurive të patundshme.

Konkretisht te disa zona, si ajo pranë stadiumit “Selman Stërmasi” çmimi maksimal arriti 2,900 euro për metër katror nga 2,600 euro për metër katror që ishte në vitin 2023. Rritja ishte 16%.

Pranë parkut “Olimpik” në Tiranë, në një nga komplekset e reja që po ndërtohet, në muajin korrik 2024, çmimet e shitjes arritën nga 2,200 euro vlera minimale deri në 2,900 euro për metër katror vlera maksimale. Në këtë zonë, çmimet e shitjes në 2023 nisën nga 2,300 deri në 2,600 euro për metër katror.

Rritja ishte 10%. Brenda Unazës së Tiranës, çmimet e shitjes së apartamenteve janë mbi 2,300 euro për metër katror.

Rritje çmimesh ka pasur edhe në zonat periferike. Sipas agjentëve të tregut të pasurive të paluajtshme, rritja e çmimeve është ndikuar nga shtimi i kërkesës, pasi familjet e reja nuk arrijnë të përballojnë blerjen e shtëpisë në zonat qendrore.

Në “Kombinat”, çmimet e apartamenteve në muajin korrik arritën 1,200 deri në 1,300 euro për metër katror nga 1,100 që ishin vitin e kaluar. Rritja është nga 9 deri në 18%.

Në zonën e “Astirit”, çmimet u luhatën nga 1,200 deri në 1,300 euro për metër katror në vijat e para të ndërtimit nga 1,250 euro që ishte vjet. Në këtë zonë, çmimet janë rritur me 4%.

Në zonën e “Freskut”, çmimet e shitjes së apartamenteve nga 900-1000 euro për metër katror kanë arritur në 1,100 euro për metër katror.

Rritja është rreth 11%. Në Paskuqan nga 850-900 euro për metër katror, çmimet kanë arritur në 1,050 euro për metër katror, për shkak të kërkesës së lartë sipas agjentëve të pasurive të patundshme.

Lejet e ndërtimit, në rritje

Shoqata e Ndërtuesve parashikon për 2025 ecuri pozitive të aktivitetit të ndërtimit, pasi shumë leje zhvillimi të dhëna në 2024 do të nisin zbatimin sivjet.

Për vitin 2025, ecuria e sektorit të ndërtimit do të vazhdojë në të njëjtin ritëm si në 2024, ndoshta edhe më mirë, pasi shumë leje ndërtimi në Tiranë e bregdet nuk kanë filluar punë ende”, pohon Erjon Harizi.

Për periudhën janar-shtator 2024, sipërfaqja që është dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet ka arritur një nivel të ri historik, duke tejkaluar nivelin e 2022, që mbante rekordin deri tani.

Sipas INSTAT, për 9-mujorin e këtij viti janë dhënë gjithsej sipërfaqe leje ndërtimi prej 1.58 milionë metra katror, me rritje prej 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe në raport me 2022, që deri tani shënonte rekordin, sipërfaqja e lejeve është 8% më e lartë.

Lejet më të shumta janë dhënë në tremujorin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me 666 dhe 684 mijë metra katrorë. P.sh. në tremujorin e tretë u dhanë leje që ishin në sipërfaqe sa 70% e gjithë vitit 2023./ MONITOR

I përjashtuar pa “ceremoni” nga partia dhe me 4 akuza mbi shpinë, a po e kërcënon Veliaj SPAK-un me flamurin e PS-së?

Kolegët e tij në Prokurorinë e Posaçme kanë vazhduar veprimet hetimore ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, të dy të dyshuar si pjesë e një skeme të pastrimit të parave të korrupsionit.

Të martën, më 14 janar, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle të befasishme në një apartament që përdorej nga Ajola Xoxa në funksion të kompanisë së saj “Harabel”.

Pas thirrjes së fundit në prokurori kur mësoi për denoncimin e Nesti Angonit, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj e krahasoi punën e prokurorëve të SPAK me atë të sigurimit në diktaturë, duke i akuzuar se kanë përdorur presione dhe frikësim për t’i detyruar të dëshmojnë kundër vetes.

Ndërkaq një ditë pas këtij operacioni te banesa e fshehtë deri në atë moment që përflitet se u zbulua nga zbërthimi i telefonit celular që iu sekuestrua Ajola Xoxës në kontrollin e pak javëve më parë tek “Harabeli”, të mërkurën e 15 janarit bashkëdrejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj në takimin e Kuvendit Rinor të Tiranës, deklaroi se do të punojë edhe më fuqishëm për fitoren e PS-së dhe Edi Ramës në zgjedhjet e 11 Majit.

Por përtej vetë-ofrimit të socialistit të katapultuar me mik në PS, Veliaj bëri dhe një deklaratë që u lexua më shumë si një kërcënim ndaj sistemit të drejtësisë dhe atyre prokurorëve që kanë futur “Harabelin” në kafazin e hetimeve ndaj tij dhe familjarëve të tij.

Dhe ajo që la shije të hidhur në atë fjalim të sforcuar të socialistit “G 99”, ishte mburoja e hallit të tij nën kësulën e Partisë Socialiste, ku hetimet ndaj tij i barazoi si sulme ndaj partisë duke thënë se PS nuk dorëzohet kurrë përballë forcave të liga, që nuk kanë bërë asnjë punë.

I vetëdijshëm tashmë që ai është “de facto” i përjashtuar nga drejtimi i socialistëve të Tiranës, pas prurjeve të Blendi Goxhes në Tiranë dhe Pandeli Majkos në Kavajë (Qarku Tiranë), të cilët i janë bashkëngjitur Elisa Spiropalit dhe Ogerta Manastirliutm Erion Veliaj e ul aq shumë pazarin sa tenton ta shesë veten si një socialist i thjeshtë, edhe pse këta të fundit rezultojnë në sondazhet e vetë selisë rozë që nuk e duan atë.

Takimi i fundit politik duket se i shërbeu Veliajt edhe si një formë “shantazhi” për Ramën, duke nënkuptuar që vetëm falë tij PS-ja mund të fitojë në Tiranë.

“Nuk ka gjë në botë të më ndalojë të jem aktivisti më shembullor për fitoren e PS në 11 maj. Do të punoj me gjithë energjinë dhe forcën time, me të gjitha orët e ditës sime dhe pasionin tim, sepse Tirana ka nevojë për Edi Ramën dhe PS. Tirana ka nevojë të shkojë edhe më lart, edhe më fort, edhe më shpejt”, tha ai, teksa shtoi se nuk ka asgjë që e ndalon PS-në për të arritur një super-fitore në 11 maj./OraNews

Gara për rrëmbyer “trurin” e botës, cila vende janë “gjahtarët” më të rrezikshëm të gjenive?!

 Nga Murat Yülek

 

 

Vendet në mbarë botën, i kanë intensifikuar vitet e fundit përpjekjet e tyre për të tërhequr njerëzit më të aftë dhe të talentuar. Nga Gjermania në Singapor, qeveritë po zbatojnë politika për të tërhequr talentet e huaja për të nxitur rritjen ekonomike, inovacionin dhe mbushur boshllëqet e në tregun e tyre të punës.

Kjo garë globale për më të talentuarit, nuk ka të bëjë vetëm me konkurrimin për sigurimin e shërbimit nga mendjet më të ndritura, por edhe me sigurimin e së ardhmes së kombeve në një botë gjithnjë e më konkurruese dhe të ndërlidhur.

Singapori: Magneti i talenteve

Singapori, ka qenë prej kohësh një lojtar kyç në garën e tërheqjes së talenteve në Azi. Politika e dyerve të hapura e këtij vendi ndaj punëtorëve të kualifikuar, e ka ndihmuar atë të bëhet një nga ekonomitë më dinamike në botë. Duke tërhequr më të talentuarit nga e gjithë bota, Singapori ka zhvilluar një fuqi punëtore shumë të aftë, ka ushqyer sektorët e saj financiarë dhe teknologjikë shumë të lulëzuar, duke arritur ta ruajë pozicionin e saj si një qendër kryesore globale për biznesin dhe inovacionin.

Politikat e Singaporit, janë të projektuara me kujdes për të tërhequr talentet e nivelit të lartë duke balancuar nevojat lokale. Për shembull sistemi i tij i lejes së punësimit, i lejon profesionistët e huaj në fusha të specializuara të jetojnë dhe punojnë në vend, duke siguruar që ekonomia e Singaporit të mbetet konkurruese.

Përqendrimi i qytetit-shtet në ndërtimin e një grupi global talentesh, është i rrënjosur në botëkuptimin se asnjë vend nuk mund të arrijë rritje të qëndrueshme, pa u mbështetur tek mendjet më të zgjuara nga e gjithë bota. Por strategjia e Singaporit, pasqyron një prirje më të gjerë, në të cilën kombet e vogla dhe të mëdha po e pranojnë se më të talentuarit nga e gjithë bota, janë një përbërës jetik në suksesin e tyre ekonomik.

Në një botë ku zhvendosja e teknologjive dhe globalizimi po i riformësojnë industritë, të qenit në gjendje të futesh në grupin global të talenteve, nuk është më një zgjedhje por është një domosdoshmëri.

Si po e siguron Gjermania të ardhmen e saj

Për politikat më të fundit, merrni rastin e Gjermaninë, ku rënia e popullsisë është një shqetësim në rritje. Vendi përballet me një popullsi të plakur, me më pak punëtorë të rinj për të përmbushur role kritike në industri të tilla si inxhinieria, IT dhe kujdesi shëndetësor.

Për ta adresuar këtë sfidë, Gjermania po zbaton rregullore të reja që i lejojnë studentët e huaj të qëndrojnë për të paktën edhe 3 vjet pas diplomimit. Këto rregullore, synojnë të ndihmojnë në ruajtjen e talenteve që arsimohen brenda vendit, duke siguruar që punëtorët e kualifikuar të mbeten dhe të kontribuojnë në ekonominë gjermane.

Qasja e Gjermanisë, është sa pragmatike aq dhe e menduar në perspektivë. Sepse ky vend po e kupton se një fuqi punëtore në tkurrje, do të thotë më pak njerëz që kontribuojnë në sistemet e sigurimeve shoqërore, më pak taksapagues por edhe më pak novatorë. Ndaj duke hapur dyert e saj për punëtorët e kualifikuar nga jashtë, Gjermania synon të ruajë pozitën e saj ekonomike globale.

Po ashtu, ajo po e trajton nevojën për ekspertizë në sektorë, ku mungojnë talentet vendase, duke forcuar kështu avantazhin e tij konkurrues në industritë që janë vendimtare për zhvillimin e saj në të ardhmen.

SHBA-ja po ndryshon qasjen ndaj migracionit

Në anën tjetër të Atlantikut, SHBA-ja po përjeton një ndryshim befasues në politikën e migracionit. Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka njoftuar një ndryshim dramatik të qëndrimit të tij mbi këtë dukuri. I njohur për retorikën e tij të ashpër kundër emigrantëve gjatë mandatit të tij të mëparshëm, Trump ka njoftuar se do të punojë me manjatin e teknologjisë Elon Musk për t’u ofruar viza pune studentëve të huaj.

Ky njoftim, shënon një kthesë dramatike nga qëndrimi i tij i mëparshëm, duke sinjalizuar një qasje të re për tërheqjen e fuqisë punëtore të kualifikuar në SHBA. Kjo lëvizje është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë, për të siguruar që SHBA të mbetet në ballë të inovacionit teknologjik dhe rritjes ekonomike.

Teksa Silicon Valley dhe qendrat e tjera të teknologjisë, po lulëzojnë falë kapitalit intelektual të talenteve të lindur jashtë SHBA, ofrimi i vizave të punës për studentët e huaj, është një mënyrë strategjike për të ruajtur pozicionin e vendit si një lider global në teknologji dhe inovacion.

Kjo masë i kundërpërgjigjet konkurrencës globale në rritje për punëtorët e kualifikuar, pasi  vende si Kanadaja, Gjermania dhe Australia, tashmë kanë politika tërheqëse ndaj emigrantëve. Pasojat e këtij ndryshimi politikash mund të jenë të gjera. Nëse kjo çon në një sistem më të hapur migrimi për punëtorët e kualifikuar, mund ta ndryshojë tendencën e largimit të individëve të talentuar nga SHBA-ja drejt vendeve të tjera.

Me politikat e duhura, SHBA mund të përfitojë nga një fluks i ri i punëtorëve shumë të kualifikuar, të mund të ndihmojnë në nxitjen e rritjes ekonomike dhe përparimit teknologjik. Megjithatë, ky drejtim i ri do të përballet pa dyshim me debate të forta politike dhe publike, sidomos duke pasur parasysh natyrën përçarëse të debateve mbi migracionin.

Gara globale për talente

Kërkimi i madh për fuqi punëtore të kualifikuar nuk është një prirje kalimtare, por më tepër një kundërpërgjigje ndaj disa sfidave urgjente, me të cilat përballen ekonomitë në mbarë botën. Së pari dhe më kryesorja, është plakja e popullsisë në shumë vende të zhvilluara.

Me rënien e nivelit të lindjeve dhe rritjen e jetëgjatësisë, shumë vende po përjetojnë një rënie të popullsisë në moshë pune. Ky ndryshim demografik, krijon një mungesë të fuqisë punëtore, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe produktivitetin.

Për t’iu kundërvënë këtij fenomeni, vendet duhet të tërheqin punëtorë të kualifikuar, të cilët mund të kontribuojnë në ekonomitë e tyre dhe të ndihmojnë në financimin e shërbimeve sociale për një popullsi të plakur. Për më tepër, ritmi i përshpejtuar i ndryshimeve teknologjike, krijon industri të reja dhe prish ato ekzistuese.

Njohuritë dhe ekspertiza e specializuar, janë të nevojshme më shumë se kurrë më parë, nga inteligjenca artificiale tek energjia e rinovueshme. Vendet që nuk arrijnë të kultivojnë një fuqi punëtore të kualifikuar do të mbeten prapa në garën globale për inovacion.

Për pasojë, kombet po synojnë të tërheqin dhe mbajnë talentet, që mund të çojnë përpara përparimet teknologjike dhe të sigurojnë rritje ekonomike afatgjatë. Një fakt tjetër, është se globalizimi ka rritur lëvizshmërinë e punëtorëve. Individët e talentuar nuk janë më të kufizuar në vendet e tyre të origjinës, por kanë mundësinë të punojnë në pjesë të ndryshme të botës.

Rrjedhimisht, vendet po konkurrojnë jo vetëm për të tërhequr këta individë, por edhe për të siguruar që ata të qëndrojnë atje. Këtu bëhen vendimtare politikat që ofrojnë shtigje drejt qëndrimit të përhershëm dhe shtetësisë, si ato të shpallura së fundmi nga Gjermania dhe SHBA-ja.

Vendet duhet t’i bëjnë shumë tërheqëse mjediset e tyre, për të ruajtur talentet për të cilët kanë punuar aq shumë që t’i rekrutonin. Së fundi, ka një vetëdije në rritje se diversiteti nxit inovacionin. Bashkimi i individëve me prejardhje të ndryshme kulturore dhe arsimore nxit kreativitetin, perspektivat e reja dhe qasjet e zgjidhjes së problemeve, të cilat mund të çojnë drejt inovacioneve të reja.

Ndërsa vendet po përpiqen të ruajnë një avantazh konkurrues, tërheqja e talenteve globale është bërë jo vetëm një domosdoshmëri ekonomike, por edhe një çështje e sigurimit të gjallërisë kulturore dhe intelektuale që çon drejt suksesit në shekullin XXI-të.

Ndërsa kombet po i përshkallëzojnë përpjekjet e tyre për të tërhequr punëtorë të kualifikuar, është e qartë se gara globale për talentet vetëm sa do të bëhet më e fortë. Vende si Gjermania, SHBA dhe Singapori janë në krye, duke e pranuar se talenti është guri i themelit i rritjes ekonomike, inovacionit teknologjik dhe zhvillimit afatgjatë.

Ndërsa ndryshon demografia dhe evoluojnë industritë, aftësia për të tërhequr dhe mbajtur fuqinë punëtore të kualifikuar, do të jetë një faktor kritik në përcaktimin se cilat vende do të lulëzojnë në dekadat e ardhshme. Për individët me aftësitë dhe ekspertizën e duhur, bota nuk ka qenë kurrë një vend më i hapur për të gjetur mundësi, ndërsa për kombet, grupi i të talentuarve globalë nuk ka qenë kurrë një burim më i vlefshëm se sa sot./Përshtatur nga “Daily Sabah”

*Shënim:Murat Yülek, ish-ekonomist i FMN-së, lektor në universitetet Georgetown dhe Columbia në SHBA.

Shënime nga ‘Shtëpia e të vdekurve”

Nga Agim Baçi

A nevojitet që të shkojmë patjetër në mbretërinë e mundimeve dhe të humbjeve për të vlerësuar atë që kemi rreth nesh, apo kemi edhe rrugë të tjera? A e mendon njeriu atë që ka apo kujtohet vetëm kur nuk e zotëron më? Çfarë ëndërron një njeri kur është në pikun e fundmë të mundësive për të jetuar? Fjodor Mihajlloviç Dostojevski është jo vetëm piktori i panoramës njerëzore që kalëron në botën e mundimeve dhe kushteve të skëterrshme, por njëkohësisht edhe predikuesi i gjetjes së rrugëzgjidhjes për t’u ringritur e për të vlerësuar atë që vlen, atë që mund të të mbajë gjallë brenda kufijve të njeriut. Përmes portreteve të sjella në romanin e tij “Shënime nga ‘shtëpia e të vdekurve’” – portrete që vijnë nga terri i thellë i njeriut të rrëzuar nga jeta,- lexuesi futet edhe në rrethin e pyetjeve pa fund për jetën, për atë që vlen. E më parë se gjithçka duhet të përgjigjesh për një pyetje që duket se ka gjithnjë kureshtarët e pavdekshëm: A vlen t’i duam të tjerët dhe gjithçka përreth nesh vetëm pasi i kemi i humbur, apo duhet që të gjejmë udhët e t’i kuptojmë kur i kemi pranë nesh?
Dostojevski sjell këndvështrimin e botës nga “të vdekurit e gjallë”, përmes shënimeve të Aleksandër Petroviçit, ish i dënuar për vrasjen e gruas nga xhelozia, e që kish mbetur në Siberi edhe pas përfundimit të dënimit. Darët e frikës, që kryqëzojnë edhe botën e ëndërrimeve, vijnë përmes një përshkrimi që të ngulitet thellë, duke patur ndoshta pasqyrën më të qashtër të asaj që njeriu nuk ka mundur dot ta përqafojë kur e ka patur pranë, fare pranë, gati si lëvizja e gjakut në damarin e qafës së tij.
“Të këtushmit kishin botën e tyre, që s’ngjante me asnjë botë tjetër, kishin ligjet dhe zakonet e tyre, kishin shtëpinë e të vdekurve, duke qenë të gjallë dhe bënin jetën që s’bëhej askund…Kishte nga ata që kishin vrarë fare rastësisht, po kishte edhe vrasës profesionistë, kishte banditë dhe kryebanditë, kishte thjesht batakçinj dhe marifetçinj të regjur, kishte dallaveraxhinj dhe kopukë. Por kishte dhe nga ata, për të cilët fort mirë mund të thuhej: e pse t’i kenë sjellë? Dhe secili kishte një histori të vetën, të turbullt dhe të rëndë si plumbi…. Rrallëkush tregonte për jetën e dikurshme, kërshëria nuk qe në modë, quhej diçka poshtëruese…”. (Fjodor Mihajlloviç Dostojevski, “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”, Uegen, botimi i dytë, f.11, 13).
Akim Akimoviçi, Gazini, Sushillovi, Aliu, Çekunovi, Osipi, Kulikovi, e dhjetra e dhjetra emra të tjerë, që vijnë sipas rrëfimeve të tyre, nuk janë veçse pasqyra e fytyrës së të vdekurve nga pafuqia për të parë jetën në sy në çastin e duhur, atëherë kur nuk ishin humbës. Por teksa janë në shkallën e fundmë të takimit me jetën, duan që t’i kthejnë shpinën vdekjes e të mendojnë se si mund të jetonin me ata që i kishin aq pranë. Por ja që i kanë humbur miqtë, pasuritë, e gjithçka që kanë bërë në jetë. Ka qenë ndoshta vetëm një çast që ka shkaktuar rrokullimën e jetës së tyre. Por ja që nga ai çast e gjithë bota e tyre është vënë përballë territ, ku vdekja u jep damkën e vet, duke i lënë sërish në tokë.
Bota që sjellë Dostojevski nuk është thjesht “bota tjetër”, por është “jeta përtej”, atje ku dukesh thjesht një spektator – por një spektator i lojë me jetën tënde, sepse në skenë sheh vetveten duke luajtur keq, pa fantazi, dhe pa kurajë për të parë atë çfarë mund të kishe. E për ironi, skena atje të tregon se ke qenë vetë regjisori i shfaqjes që ku luajtur kundër vetvetes. Ndaj e shkuara te personazhet e romanit është vetëm një gjë që vetëm vetëtregohet, e që nuk dëshiron pyetje të tjera nga askush.
Në tunelin e shpërfytyrimit, Dostojevski nxjerr sërish podiumin e vlerave, duke rreshtuar edhe atje hiearkinë e së keqes, si në rrathët e ferrit, ku dikush lexon se e keqja nuk ka fund. Dhe në atë terr, e vetmja që shtrin dorën kah njeriu është fuqia e pendesës, melodinë e së cilës Dostojevski e ka luajtur mes atyre që vdekjen e kanë ngjitur me qepallën. E megjithatë, ka shpirtra që ajo melodi pendese, edhe në kulmin e vet të tringëllimit, nuk i mbërrin.
“Se ka njerëz që kanë për shok tigrin: u gufon zemra kur lëpijnë gjakun e tjetrit. Kush e provon makar dhe një herë këtë pushtet, këtë sundim të pakufishëm mbi trupin, mbi gjakun, mbi shpirtin e njeriut të bërë nga Zoti ashtu si ai vetë, kush provon këtë pushtet dhe mundësinë e plotë për të poshtëruar sa më s’bëhet atë tjetrin, që ka po atë ymër si dhe ai vetë të dhënë nga perëndia – ky me dashje apo pa dashje e humbet pushtetin mbi ndijimet e veta…. Shoqëria që sodit me shpërfillje dukuri të tilla, është e molepsur nga të këqia të mëdha. Kështu që e drejta që kanë disa për të ndëshkuar fizikisht të tjerët është një gangrenë e shoqërisë, është mjeti më i egër që mbyt ende pa lindur çdo orvatje qytetarie, është një faktorshkatërrimtar deri dhe asgjësues i vetë shoqërisë”. (Dostojevski, “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”, Uegen, botimi i dytë, f.172).
Përshkrimet dhe zhbirimet e jetës njerëzore e kanë kthyer Dostojevskin në “burgun e dosmodoshëm të letërsisë”, sidomos në “burgun e nevojës për të kuptuar veten përpara se gjërat të mos jenë më në dorën tënde”. Siç thotë Stefan Cvajg në përshkrimin e jetës dhe veprës së tij, “Dostojevski, përmes vëzhgimeve të tij të pamata të qenies, mes ëndrrës dhe realitetit përvëlues, na ka afruar në shumë maksima për vetë jetën”.

Departamenti i Thesarit publikon detajet e sanksioneve për grupin e ngushtë të Dodik: U pasuruan në dëm të qytetarëve

Departamenti i Thesarit i SHBA-ve, ose më saktë Zyra e Departamentit të Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC), ka futur në listën e zezë 13 individë nga entiteti boshnjak i Republika Srpska, shumë prej të cilëve janë zyrtarë politikë, të cilët të gjithë janë të lidhur përfundimisht me presidentin e RS Milorad Dodik.

OFAC thotë se individët e sanksionuar po lehtësojnë përpjekjet e Presidentit të Republika Srpska Milorad Dodik dhe familjes së tij për t’u pasuruar në kurriz të publikut.

Një nga të sanksionuarit, Marko Grujançiç, përfundoi në listën e zezë për përpjekjet e tij për të marrë monopolin e vlerësimeve në Bosnje dhe Hercegovinë me Igor Dodik. Vlen të theksohet se në listën e zezë ishte edhe Pavle Çoroviq, bashkëshorti i vajzës së Dodikut, Goricës.

Më poshtë është deklarata e OFAC:

– Masat e sotme nënvizojnë përpjekjet e vazhdueshme të Dodik për të minuar kuadrin demokratik dhe multietnik që përcakton Bosnjën dhe Hercegovinën moderne, tha ushtruesi i detyrës së nënsekretarit të Thesarit për Kundërterrorizmin dhe Inteligjencën Financiare Bradley T. Smith.

“Shtetet e Bashkuara, duke përdorur autoritetin tonë të zgjeruar, mbeten të përkushtuara për të ndërprerë të gjitha përpjekjet e Dodik dhe aleatëve të tij për të pasuruar veten dhe për të destabilizuar rajonin”.

Përpjekjet e Dodikëve për t’u pasuruar rezultuan në sanksionimin e OFAC për pjesë kyçe të rrjetit të patronazhit të korruptuar të Dodik më 20 tetor 2023, 18 qershor 2024, 6 nëntor 2024 dhe 18 dhjetor 2024, duke përfshirë disa subjekte dhe individë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Djali i Dodikut, Igor Dodik.

Igor kontrollon shumë prej kompanive në këtë rrjet, ndërsa fsheh lidhjet e tij personale me kompanitë duke u mbështetur në pronarë dhe drejtorë formalë. Masat e sotme bazohen në sanksionet e fundit të OFAC dhe përdorin fuqi të zgjeruara për të parandaluar përpjekjet për të anashkaluar sanksionet.

BiH dhe shtetasi serb Pavle Ćorovic është bashkëshorti i Gorica Dodik, i cili është i sanksionuar nga SHBA-të, dhe drejtori i kompanisë Global Liberty doo Laktashi nga RS, e cila u sanksionua gjithashtu më 20 tetor 2023. Së bashku me subjekte të tjera të lidhura me Dodics, Global Liberty ka marrë stimuj fitimprurës nga buxheti i RS.

OFAC sanksionon Corovicin, të ndryshuar, për zotërimin ose kontrollin, drejtpërdrejt ose tërthorazi, Global Liberty, fondet dhe interesat e të cilit janë të bllokuara në përputhje me EO 14033.

Radmila Bojanić dhe Nemanja Reljin nga Bosnja dhe Hercegovina janë respektivisht drejtoresha dhe pronare e Nimbus Innovations doo Banja Luka, një kompani e sanksionuar më 18 dhjetor 2024. Më parë, Bojanić dhe Reljin mbanin të njëjtat pozicione në Sirius 2010, doo Banja sanksionuar më 18 qershor 2024, më parë u bashkua zyrtarisht me Nimbus.

Nimbus dhe Sirius kontrolloheshin nga Igor. Bojanić i dorëzoi raportet e biznesit Igorit dhe kërkoi miratimin e tij përpara se të merrte vendime biznesi.

OFAC sanksionon Bojanić dhe Reljina sipas OE 14033, të ndryshuar, për posedimin ose kontrollin, drejtpërdrejt ose tërthorazi, Nimbus, një entitet fondet e të cilit janë bllokuar sipas OE 14033. Bojanić është sanksionuar gjithashtu për veprim në emër ose nën kontrollin e Igorit.

Për të përfituar nga kompanitë nën kontrollin e tij të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, Igor mbështetet në njohuritë strategjike të bashkëpunëtorëve që janë përgjegjës për interesat e tij. Për shembull, shtetasi i BiH Siniša Dodik e ka informuar Igorin për zhvillime të shumta të profilit të lartë dhe e ka këshilluar atë për mundësitë e biznesit.

Igor dhe shtetasi serb Marko Gujaničić janë identifikuar publikisht në një skemë që lidhet me hulumtimin e medias dhe sondazhet e opinionit publik në BiH, në të cilën ata kërkuan të përfitonin nga një ndryshim i rregullit të fundit, i cili më pas u rrëzua nga një gjykatë e BiH për të qenë kufizues në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me interesin publik.

Igor dhe Gujaničić u përfshinë në themelimin e SEE Media Research LTD në Qipro dhe operacionet lokale në Bosnje dhe Hercegovinë. Igor punoi me bashkëpunëtorët midis të paktën shtatorit 2023 dhe korrikut 2024 për të siguruar që kompania e tij e preferuar të kishte një monopol në matjen e shikueshmërisë televizive. Gujaničić gjithashtu i sugjeroi Igorit një strategji të manipulimit të përgjigjeve të sondazheve televizive për të arritur qëllimet e tij.

OFAC sanksionon Siniša dhe Gujaničić sipas OE 14033 për ofrimin e ndihmës materiale, mbështetjes ose shërbimeve për Igor.

SEE Media Research u sanksionua sipas OE 14033 sepse është në pronësi ose kontrolluar nga Gujaničić.

Nga 8 deri më 10 janar 2024, qeveria e RS organizoi kremtimin e Ditës së RS-së pavarësisht vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese të BiH, e cila e shpalli festimin më 9 janar jokushtetues për shkak të shkeljes së detyrimit të mosdiskriminimit në Kushtetutën e BiH . Dodik mbikëqyri dhe drejtoi personalisht përpjekjet për organizimin e kësaj ngjarjeje.

Pjesëmarrësit e organizatës përfshijnë Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës Siniša Karan, Shefin e Shtabit të Presidentit të Republikës Srpska Danijel Dragičević, Shefin e Protokollit të Republikës Srpska Goran Raković, Sekretarin e Përgjithshëm të Republikës Srpska Dalibor Panić, Drejtori i Radios dhe Televizionit të Republikës Srpska Dijana Milanković, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës Srpska Džerard Selman, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës Srpska Rajko Kuzmanović dhe Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Republika, Srpska Goran Filipović.

OFAC i sanksionon këta individë sipas OE 14033 për kontributin e tyre në shkeljen ose pengimin e zbatimit të marrëveshjeve të paqes dhe vendimeve kushtetuese.

Për më tepër, në vitin 2024, Dodik udhëzoi disa zyrtarë nga Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) të formonin një grup pune për të hartuar një plan për shkëputjen e RS nga Bosnja dhe Hercegovina. Karan dhe Panic ishin pjesë e këtij grupi pune separatist që hartoi një plan për shkëputjen e RS me kërkesë të Dodik.

OFAC sanksionon Karan, Dragičević, Raković, Panić, Milanković, Selman, Kuzmanović dhe Filipović sipas OE 14033 për përgjegjësinë ose pjesëmarrjen e tyre në aktivitete që pengojnë zbatimin e marrëveshjeve të sigurisë dhe paqes rajonale ose që paraqesin një rrezik të konsiderueshëm për kryerjen e aktiviteteve të tilla.

Këto sanksione janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për të parandaluar aktivitetet destabilizuese dhe minimin e sundimit të ligjit në Bosnje dhe Hercegovinë, veçanërisht nga udhëheqja e RS, e udhëhequr nga Milorad Dodik, thuhet në deklaratë, raporton OFAC. (Albania Post)

“Kur na u komunikua ngjarja, unë dorëzova çelsat ku mbaheshin armët e Mehmet Shehut dhe më pas, zbritëm kufomën…”

Nga Dashnor Kaloçi

Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, gazeta ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota.

Në dosjen në fjalë, gjenden faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laburatorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.

(Vijon nga numrat e kaluar)

DOKUMENTI ARKIVOR, ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË PËLLUMB RUSTAJ, OFICER I GRUPIT TË SHOQËRIMIT TË KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHUT, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, SOKOL KOLEKA DHE BASHKIM CAKA

P R O Ç E S – V E R B A L

(I pyetjes së dëshmitarit)

Sot më datën 8.6.1983, në Tiranë.

Ne, hetuesit e M. P. B., Sokol Koleka dhe Bashkim Caka, marrim në pyetje si dëshmitar:

Emri, emri i babës, mbiemri: Pëllumb Myrto Rustaj.

Datëlindja, (dita muaji, viti), 1961.

Arsimi: Shkolla e Lartë e M. P. B.

Vendbanimi: Rrëshen.

Detyra: Oficer në Degën e Punëve të Brendshme Rrëshen.

Anëtarësia në Parti: I paorganizuar në Parti.

A është i dënuar: I padënuar.

Numri i letërnjoftimit: Nuk e ka me vete.

Marrëdhëniet me të pandehurin: Nuk ka lidhje familjare

Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale, në bazë të nenit 202 të K. P., për dëshmi të rreme.

FIRMA E DËSHMITARIT

Pëllumb Rustaj

Në lidhje me çështjen, mund të them si më poshtë:

Kam qenë me detyrën e oficerit të shërbimit në grupin e shoqërimit të armikut Mehmet Shehu, që nga viti 1978. Meqenëse nuk kam pat marrë shtëpi, flija tek dhoma e oficerëve, që ishte pranë shtëpisë së armikut Mehmet Shehu.

Ne si oficerë të grupit të shoqërimit, në kuadrin e përgatitjes fizike dhe ushtarake, zhvillonim dhe ndeshje sportive.

Më datën 17 dhjetor 1981, në prani të oficerit Astrit Veliu, unë e kam pyetur Ali Çenon, nëse do të luanim ditën e nesërme, apo jo, kurse Ali Çeno më është përgjigjur mua: “Ti nuk e shikon nga sytë, se çfarë po bëhet”?!

Unë e pyeta Ali Çenon, se; çfarë po bëhet, por ai nuk më është përgjigjur, por më tha se; nuk do të luajmë. Këto fjalë Ali Çeno, m’i ka thënë mbasi është kthyer në mbledhja e Byrosë Politike, ku kishte shoqëruar Mehmet Shehun.

Mbas kësaj bisede me Ali Çenon, unë kam shkuar në Klubin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku kam ngrënë darkën dhe jam kthyer përsëri aty për të fjetur. Se kush ka qenë oficeri i shërbimit këtë natë, mua nuk më kujtohet, por mbaj mënd se këtë natë kanë fjetur aty Ali Çeno, Milto Kostaqi, Llesh Rroku, (i cili flinte aty për çdo natë) dhe një shofer.

Më datën 18 dhjetor 1981, unë jam ngritur nga gjumi rreth orës 06.’30. Rreth orës 6.’45, kam dalë dhe kam pirë kafe në një klub dhe kam shkuar në punë rreth orës 7.00.

Rreth orës 8.00, dëgjova që Vladimir Shehu, thirri në steriofon Ali Çenon dhe më pas mjekët, për të shkuar në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, por deri në këtë kohë unë nuk kam marrë vesh se çfarë kishte ndodhur.

Kur ka lajmëruar Vladimiri, unë kam qenë në bahçen e shtëpisë dhe kam kujtuar se Mehmet Shehu do të ishte i sëmurë. Më vonë erdhi shoku Xhule Çiraku. Që na e komunikoi ne vetëvrasjen e Mehmet Shehut……………………………………….!

Më pas, si kohë të saktë nuk e përcaktoj dot, Ali Çeno më caktoj mua dhe Rrapush Çelmetën me shërbim roje në qoshen e shtëpisë së Mehmet Shehut, ku kemi qëndruar rreth një orë dhe na kanë zëvendësuar të tjerë.

Mbas kësaj, unë kam shkuar dhe kam dorëzuar çelësin e dhomës ku mbaheshim armët e Mehmet Shehut dhe kam qëndruar te dhoma e shërbimit të oficerëve, ku më vonë na kanë njoftuar që; asnjë të mos largohej nga vendi i shërbimit.

Gjatë kohës që kam qëndruar në këtë vend, mora vesh se në shtëpinë e Mehmet Shehut, kishte ardhur Kadri Hazbiu, por vetë nuk e pashë se kur erdhi, më vonë mora vesh se kishte ardhur edhe grupi hetimor-operativ……………………………!

Kohën e saktë nuk e mbaj mënd, kur me urdhër të Ali Çenos, unë së bashku me Rrapush Çelmetën, jemi caktuar që të bënim shërbim në katin e dytë të ndërtesës, ku ishin dhoma e gjumit dhe studioja e Mehmet Shehut dhe Fiqretes.

Kur jam ngjitur në katin e dytë, kam parë se në korridorin e këtij kati, ishin: Llesh Rroku, Milto Kostaqi, Fatos Harito, Bashkim Çuberi, Elham Gjika, eksperti kriminalist, emrin e të cilit nuk e di, si dhe shoku Xhule Çiraku dhe Raqi Iftica. Tjetër njeri nuk më kujtohet që të kem parë në katin e dytë.

Mesa mbaj mënd, në këtë kohë, ende nuk ishin mbyllur dyert dhe pa kaluar shumë kohë, rreth 10-15 minuta, është bërë dyllosja e dyerve, mbasi ato u kyçën. Nëse gjatë këtij momenti, ka dalë njeri nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut, unë nuk e kam vënë re, sepse akoma nuk e kisha marrë detyrën.

Mbaj mënd se çelësat e dyerve, i ka sjellë Jonuz Luto, që mesa më kujtohet, ja dha Elham Gjikës, i cili me një person tjetër, që nuk e përcaktoj dot se kush ka qenë, ka bërë dyllosjen e derës së dhomës së gjumit dhe të derës së studios së Mehmet Shehut.

Mbasi ka përfunduar kryerja e këtij veprimi, Elham Gjika më ka porositur mua, që të kisha kujdes në ruajtjen e dyerve, që të mos prekeshin nga asnjë………………………………!

Më kujtohet së kanë kaluar rreth 10 minuta, kur që të gjithë personat, kanë ikur dhe janë ulur në katin e parë të shtëpisë. Nëse ata kanë qëndruar në katin e parë, apo janë larguar menjëherë, unë nuk e di………………………………….!

Dua të theksoj që unë, detyrën për të mos lejuar njeri që të futej në këto dhoma, e kam filluar më urdhër të Ali Çenos, mbasi u largua grupi hetimor nga kati i dytë…………………….!

Pasditen e kësaj date, unë me Ali Çenon, Mete Bonin, Jonuz Luton, Elham Gjikën, Milto Kostaqin, Fatos Hariton, jemi futur në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, mbasi kemi marrë kufomën e tij, dhe e kemi ulur në katin e parë.

Se kush i ka hapur dyert dhe se kush i ka mbyllur ato, unë nuk e di, por kur më vonë mora shërbimin këtu në katin e dytë, pashë se dyert, ishin të kyçura dhe të dyllosura në rregull………!

Proces-verbalin mbasi m’u lexua dhe pashë se thëniet e mija janë shkruar drejt, e firmos pa vërejtje.

 Dëshmitari                                                                                      H e t u e s a t

Pëllumb Rustaj                                                                Sokol Koleka  Bashkim Caka

Memorie.al

Pushteti i gjatë i Edi Ramës si model i keqqeverisjes

Thënia e Balzakut te “Lëkura e Shagrenit” – se pushteti, sado i madh që të jetë, nuk të mëson se si ta përdorësh atë dhe vetëm rrit përmasat e njeriut të madh – gjen një jehonë të thellë në realitetin politik shqiptar. Një shembull që ilustron më së miri këtë ide është qeverisja e gjatë e Edi Ramës, i cili, ndonëse ka mbajtur pushtetin për dymbëdhjetë vite, ka treguar se madhësia e pushtetit nuk shoqërohet domosdoshmërisht me aftësinë për ta përdorur atë në favor të qytetarëve.

Edi Rama ka patur një kontroll të jashtëzakonshëm mbi institucionet e shtetit, duke përfshirë parlamentin, pushtetin lokal dhe median. Megjithatë, kjo fuqi e madhe nuk është reflektuar në reforma të prekshme dhe të qëndrueshme. Pavarësisht premtimeve elektorale të shumta, ekonomia shqiptare mbetet e dobët dhe e varur nga remitancat, korrupsioni vazhdon të jetë problematik, dhe emigracioni ka arritur nivele alarmante.

Siç thotë Balzaku, pushteti nuk të ndryshon natyrën; ai vetëm e amplifikon atë. Në rastin e Ramës, kemi të bëjmë me një lider që shpesh ka treguar një prirje për të centralizuar pushtetin. Ky centralizim ka kontribuar në dobësimin e demokracisë dhe në rritjen e perceptimit të qeverisjes si një oligarki e kontrolluar nga interesa të ngushta.
Një aspekt kryesor i keqqeverisjes së Ramës është shpërfillja ndaj shqetësimeve të qytetarëve. Shprehjet e pakënaqësisë publike për ndërhyrjet urbanistike, privatizimet e dyshimta dhe shkatërrimin e mjedisit nuk kanë gjetur pothuajse asnjë përgjigje konstruktive nga qeveria.

Një lider i madh nuk matet vetëm nga madhësia e pushtetit që ka, por nga aftësia për të udhëhequr drejtësisht dhe me ndërgjegje. Balzaku na kujton se pushteti është një barrë që jo çdokush di si ta mbajë. Pushteti i gjatë i Ramës mund të shihet si një rast studimor i një lideri që ka patur mundësinë për të transformuar vendin, por që ka zgjedhur ta shfrytëzojë atë për të forcuar pozitat e tij personale dhe të rrethit të tij politik./ Namir Lapardhaja

Kanibalizmi politik dhe njerëzor

Nga Ardi Stefa

“Po qe se kanibalët do të përdornin pirunj, a do të mund të thoshim se ata kanë shënuar një lloj përparimi, janë evoluuar?”
Përgjigjia në lidhje me këtë pyetje të një poeti të shquar polak, mund të ishte: “Varet se nga çfarë këndvështrimi, apo nga ana e kujt e sheh!”
Nga ana e kanibalit, natyrisht që përbën përparim. Pasi përmirëson mënyrën e të shijuarit të ushqimit dhe shmang kontaktin dramatik me mishin e njeriut.
Por nga ana e viktimës, kam shumë dyshime se do të ekzistonte një vlerësim pozitiv në lidhje me këtë fakt. Dhembja e padurueshme e therrjes, së bashku me mundësinë e fundit të tmerrshëm do të peshonte shumë më tepër në vlerësimin e situatës, sesa mënyra moderne e trajtimit të këtij akti kriminal e po aq barbar.
Kanibalizmi njerëzor
Mediat sociale, faqet e internetit dhe portalet mbushen çdo ditë nga akuza, fyerje, karakterizime personale e lojëra fjalësh të papranueshme me emra e mbiemra.
Jo vetëm nga politika, por edhe nga qytetarë, shpeshherë të verbuar e që realitetin e shohin vetëm me syzet partiake duke u shndërruar në një lloj kanibalizmi njerëzor.
Një rrëshqitje e rrezikshme për një shoqëri që, mbi të gjitha, duhet të respektojë të drejtën e shprehjes së lirë, vullnetin e lirë dhe të drejtën e fjalës, por duke respektuar logjikën minimale dhe interesin e përgjithshëm.
Prandaj, shqetësimi nuk mund të funksionojë si purgator për ata që përpiqen t’i bëjnë politikanët dhe zyrtarët “të kërkuar dhe të shënjestruar politikisht”.
Ka zgjedhje, në të cilat çdo politikan, çdo aspirant për politikan apo qytetar mund të shprehë pa sforcim, me votën e tij, mosmiratimin apo miratimin e politikave dhe të individëve, siç e kërkon demokracia.
Kanibalizmi politik
Politika dhe angazhimi me punët publike, është krijuar si domosdoshmëri qysh në lashtësi si nevojë e shoqërive të strukturuara në mënyrë që ato të mund të organizohen dhe përfundimisht të qeverisen më mirë. Kështu u krijuan partitë politike, lindi pozita e opozita, drejtësia, shoqëria civile, etj.
Të gjitha këto formacione politike udhëhiqen nga parime dhe vlera që anëtarët e tyre duhet t’i zbatojnë dhe miratojnë.
Parimi themelor i politikës dhe i njerëzve që i shërbejnë asaj është “kultura politike”, një parim dhe një pozicion që i është përmbajtur në mënyrë të palëkundur deri më sot, dhe kjo është një nga arsyet që politika si koncept dhe si institucion i ka mbijetuar kohës.
Por aktualisht në Shqipëri, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal “kultura politike” i ka lënë vendin “kanibalizmit politik” dhe pozicionet, parimet dhe vlerat janë gllabëruar nga “kanibalët politikë”.
Kanibalët politikë për pirun, përdorin gjasme interesimin e tyre e gjasme përkujdesjen për qytetarët që “përfaqësojnë”.
Në altarin e interesave të vogla politike dhe të motiveve e ndjekjeve personale, egoiste, disa “politikanë të rinj” me pretekstin “të mirën e vendit, të qytetit”, nën pretendimin se “janë zgjedhur nga qytetarët dhe janë zëri i tyre që u mbron interesat” apo “informimin dhe transparencën” nuk ngurrojnë të njollosin personalitetet njerëzore në logjikën e “I bie dritares të dëgjojë dera!”.
Por, për fat të keq për ta, shoqëria tashmë nuk është më ajo e para. Ka informacion dhe burime të pashtershme informacioni, mendon me kokën e vet dhe si rrjedhojë ka fituar “imunitet”. Dhe kanibalizmi politik e njerëzor bie në vesh të shurdhër.
Aktorët politikë të të gjitha llojeve dhe kalibrave, qendrorë apo lokalë duhet të kuptojnë më në fund se politika mundet dhe duhet të prodhohet përmes përgjegjësisë politike, pozicioneve e parimeve dhe jo në terma të xhunglës e kanibalizmit njerëzor.
Dhe, duhet të kenë gjithmonë parasysh: “E sotmja është imja, e nesërmja është e dikujt tjetër dhe kurrë e askujt!”.