20.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Rama duhet të ishte sot një histori e së shkuarës!

Nga Namir Lapardhaja

Të gjithë e dinë që nuk mund të ketë një qeveri të korruptuar dhe një kryeministër të ndershëm.

Nuk mund të ketë ministra dhe zyrtarë të rëndësishëm në hetim për korrupsion dhe kryeministër jashtë procesit.

Është jo logjike dhe e papranueshme të dënohet vartësi dhe të shpëtojë eprori.

Në Shqipëri i lyejnë të gjithë duart, duke filluar nga shefi i madh që merr pjesën e luanit e duke vijuar më poshtë.

Këtë e dinë ndërkombëtarët, e dinë shqiptarët, madje këtë e di dhe vetë Edi Rama.

Në kushtet e një goditje dhe prishjeje imazhi, Rama synon të largojë vëmendjen nëpërmjet lëvizjeve taktike dhe nëpërmjet mbajtjes në lojë të politikanëve të vjetër të tranzicionit.

Flet me pompozitet të madh për projekte të Shqipërisë 2030, ndërkohë që tollombacja propagandistike mund t’i shpohet në çdo moment, për shkak të korrupsionit galopant të qeverisjes së tij, ashtu sikurse shndërrohet në drejtor shkolle dhe bën takime me prindërit për mbyllje të TikTok-ut, ndërkohë që gangrena e arsimit është shumë herë më e thellë se sa problemi i përdorimit të rrjeteve sociale nga adoleshentët.

Me këto tregon se kësaj mazhorance i ka shteruar kreativiteti për të dhënë shfaqje, si i vetmi talent ku ka shkëlqyer në këto vite.

Është e qartë se një qeverisje thellësisht e korruptuar dhe lehtësisht e goditshme nga sistemi i drejtësisë si kjo e Edi Ramës, vijon të qëndrojë në këmbë për shkak të inercisë dhe për shkak të problemeve të mëdha që ka kampi opozitar, i cili është marrë peng për halle personale, që nuk kanë asgjë të përbashkët me pritshmëritë e shqiptarëve.

Në të gjitha variantet e një opozite të çliruar nga pengmarrja, Edi Rama do ishte një histori e së shkuarës.

Braktisja e shkollës nga të rinjtë, defekti kryesor i mediokritetit të qeverisë ‘Rama’!

Nga Spartak Ngjela

Një grua e bukur më tha sot që askush më mirë se një grua, nuk mund ta njohë saktë dhe qartë nivelim e ulët të intelektit të një burri.

Dhe ky ka qënë zhgënjimi dhe mërzitja jonë sot në Shqipëri. Dhe kishte të drejtë

Por unë e dija se ata që kanë bërë analizën e intelektit në Shqipëri, kanë konstatuar se intelekti i gruas dhe i vajzës sot në Shqipëri është superior.

Duke e biseduar me ekspertë këtë çështje më thanë se djemtë e lënë shkollën dhe nul e ndjekin deri në fund. Por ajo pakicë që e ndjek këtu dhe jashtë shtetit në Perëndim, është në shkëlqim shkencor: edhe në inxhinieri edhe në shkencat e natyrës, dhe kjo më qetësoi.

Por gjithsesi braktisja e shkollës nga të rinjtë është në fakt defekti kryesor i mediokritetit të qeverisë Rama.

Një qeveri e paaftë ose antishqiptare bëhet shkaku kryesor i rënies së nivelit të shkollës së mesme dhe universiteteve në Shqipëri.

Kjo gjendje e arsimit duhet të analizohet gjerësisht nga ekspertët në shtypin shqiptar.

Urgjentisht!

Por, a e ka kryeministri shqiptar sot në Shqipëri çështjen e arsimit një nga përparësitë e ngritjes së nivelit të tij?

Ne na rezulton se ky kryeministër nuk ka as aftësinë që të kuptojë se çdo të thotë ngritje e nivelit arsimor të vendit në një cilësi të re, sepse shenjat janë që edhe nuk e do këtë, por edhe nuk di se si ta bëjë.

Por ka një aksiomë në logjikë që thotë: individi që nuk di si ta bëjë diçka, nuk e kupton fillimisht se çfarë është ajo.

Kjo është gjendja shqiptare e arsimit sot në Shqipëri, gjendje kjo e cila është realisht në favor të antishqiptarisë.

24 orë nga jeta e një Fatkeqi

Nga Edison Ypi

Në jetën e Fatkeqit koha nuk rridhte në rend kronologjik.
Ishte më se zakonshme që një ditë që niste, ta zemë, muajin e ardhshëm, të vazhdonte pardje, dhe të përfundonte pasnesër.
Lidhja e jetës së Fatkeqit me Matematikën dhe Numerologjinë ishte diçka që sot e kësaj dite vet Fatkeqi dhe të tjerë nuk e kuptuan kurrë. Nga ky kënd, 24 orët në vazhdim, janë një ilustrim.
Fatkeqi priste me durim të shihte pas mesnate në televizorin pajisur me kanoçe dhe antenë të bëra vetë me tuba bakri dhe zhivë të kuqe nga e nëndetseve të Pasha Limanit ndonjë film të zgjedhur nga Claudio G. Fava te “Cinema di Notte”.
Kur filmi mbaronte, që të mos e kapte paniku i orëve të vogla, Fatkeqi nuk e shihte sahatin. Mbulonte kokën dhe flinte.
Gjatë atyre pak orëve deri në gdhirje, strukur brenda gjumit dhe në kërthizë të ëndërrës, pra në zgëqin më të largët dhe më të qetë të kohë-hapësirës, atje ku diktatura e proletariatit me klithmat e sukseseve dhe urratë e fitoreve nuk mund të hynte, Fatkeqi lodhej e cfilitej të gjente të fshehtën e papërsosmërisë së Universit përmes irrcionalitetit të Pi.
Fatkeqi flinte dhe ëndërronte pa merakun e zgjimit vonë për në punë. Fatkeqit s’i lypsej orë me zile, ku-ku muri, këngë gjeli, lehje qeni, kuisje maçoku, çfryrje zagari, shkrofëtimë kali, muuu lope, pëllitje gomari. Sapo niste zhbirilimin e Pi-së duke pyetur veten nëse Universi është newtonian apo ajnshtajnian, gjeometria është euklidiane apo llobaçevskiane, një sqepar pas koke i çante kafkën. Fatkeqi ndalte hulumtimin, zgjohej, hidhte sytë rrotull, vinte në vete. Në respekt të zbatimit me përpikmëri të ritit të përditshëm trashëguar brez pas brezi nga gjyshërit në shekuj, komshiu çante dru për sobën mbi dysheme që pa gdhirë. Lamtumirë jetë evolucionare darviniane. Nga ai moment, pretendimi për ekzistencë sadopak të arsyeshme, bëhej pluhur e hi.
Megjithatë menderjeta vazhdonte.
Nëse ndodhte që, për ndonjë arësye, zgjimin me sqepar kokës, Fatkeqit nuk ja bënte ai lart, me qysqi, çekan a sharrë ja kryente me përpikmëri komshiu poshtë, ai majtas, tjetri djathtas, dikush para a dikush pas, derisa Fatkeqi kthehej në fatnxirë, Klithma e Munchut shndrrohej në Mozart, koka kovaçhanë, jeta varr.
Kur më së fundi fusha e betejës ishte zbrazur, irracionalja Pi nuk ishte zbërthyer, drutë ishin çarë, sobat ishin ndezur, gjakrat ishin ngrohur, kurrizet ishin tharë, mëngjezi i Fatkeqit invadohej nga një tjetër tmerr edhe më i egër, edhe më i pamëshirshëm: Radioja shtetërore.
E dhunshme dhe e lodhëshme si futja e një kokërr molle brenda një kokërr arre, thirrja në ndihmë e radios për ta bërë Fatin e Fatkeqit qymyr, shkaktonte çorroditjen definitive të mardhënieve mes psikiatrisë, gravitacionit, fiziologjisë, matematikës, gjeometrisë.
Haberet me fitore imagjinare mbi armiq hiporetikë, traktora që çajnë arat, rendimente të larta, tejkalime planesh, në radio i lexonte dikush me zë derri, kancer në tru, tumor në fyt, qurra nëpër turi.
Çfarë arrinte rrëmujshëm në veshët e Fatkeqit nga dëgjimi i jehonave të radiove të komshiut, komshiut të komshiut, komshiut të komshiut të komshiut, ishte një vuajtje verbale para të cilit mallkimet e ndërsjellta të Djallit me Zotin janë komplimenta. Gjatë mishmashit të zërave që për shkak të distancave të ndryshme të radiove nga vinin, në veshët e Fatkeqit arrinin në kohë të ndryshme, qëllonte që fjalët “sukses”, “rendiment”, “rrethim”, “tufëzim”, “mjelëse”, “proletar”, “tufëz”, “rrogëz”, “traktorist”, “armik”, arrinin edhe njëkohësisht si batare kalashnikovi, ose në një rend pa rend që të kujtonte irracionalen Pi.
Krismat e sqeparëve dhe sëpatave, përplasjet e dyerve, ulurimat nëpër shkallë, me kalimin e orëve harroheshin, zallamahia shterrej.
Por fillonte tjetra. Puna, ofiçina, fabrika, zyra, kooperativa. Ku sekretari i partisë ishte më budallai, kryetari i sindikatës më paraziti, spiun i shokëve më bastardi.
Puna fillonte me…punën.
Jo-jo, puna nuk fillonte me punën. Puna fillonte me leximin e Zërit të Popullit. Dhe, po ashtu si pas diplomacisë kërrcasin topat, pas leximit të Zërit fillonte muhabeti i sportit, futbollit.
Pas mbarimit të muhabetit të sportit andej nga ora 11, puntorët u afroheshin me përtesë tornove, inxhinierët duke gromësitur teknogreafave, bujqit plugjeve, mësuesit nxënësve. Por ndërkohë kishte ardhur mesdita, pushimi, çlodhja. Klasa puntore, klasa intelektuale, bashkë me atë kooperativiste, shtronin gazetat, shtrinin picetat, hiqnin kapakët, futnin gishtat brenda kavanozave nxirrnin lëtyrarat.
Fol e mbllaçitu, kërrciste muhabeti veshmëvesh me njëritjetrin:
-Ata gjermanët kanë futboll dhe ekonomi të fortë, por atë dreq politike s’e kanë gjë.
-E more vesh atë hallon që erdhi nga Amerika, atë që ja zbathën edhe çorapet dhe e lanë cullak në mes të rrugës ? Kur e pyetën te shkallët e avionit kur do vinte përsëri, hallua u tha: Lahuni një herë, të keqen hallua lahuni. Hihiqni një herë zhulin, pastaj llafosemi mbase vij prap kur të qethen leshtë.
-Më gjej një tranzistor BFR90 për kanoçe satelitare.
-Ta gjej, por ça po të duhet, ende s’ka satelita.
-Ta kem gati kur të ketë satelita.
-Kosovarët e kan në terezi. Shtëpi po. Tokë po. Emigracion po. Makinë po. Katund me rrugë të sfaltuar po. Telefon po.
-Mos i beso rrenat që thon për Hamit Matjanin. Hamiti është dëshmori i parë i NATO-s.
-Mu ka bo gurrmazi si tub qenefi nga qelbësirat që hamë. Shëëëëëët se na more më qafë. Tu paska mërzit jeta. Të paska marrë malli për Spaçin, Burrelin.
-Veç të iki nga ky vend i mallkuar, do vete të jetoj në Groenlandë me fokat dhe arinjtë e bardhë. Kur Groenlanda të bashkohet me USA, bëhem shtetas statunitens.
-Nuk bëhet Shqipëria. Diktatura e proletariarit ka infektuar dherin. Më jep nja 1 milionë ton dinamit t’a përmbys truallin arbnor. T’i çoj në hale të gomerëve veprat e pes’ vjeçarëve, digat, kombinatet, uzinat, tunelet, repartet ushtarake, emulacionet socialiste, të tëra.
-Nuk pres dot dot sa të bëhet Shqipëria hi dhe hiri Shqipëri përsëri. Nuk jetohet në këtë truall të nëmur ku gdhihesh qen dhe ngrysesh majmun.
-Një shoku im nja 30 vjeç ka lënë pas dore femrat, ka harruar seksin, i është mërzitur jeta në këtë vend, dëshiron të jetë nja 80, mallkon mamin dhe babin që nuk e ngjizën dikund tjetër në botë, por në këtë skëterrë.
-Deshën të arratisen. I sharruan me kalaahnikov mbi telat me gjëmba. I tërhoqën zvarrë me traktor me litar nëpër disa fshatra që t’i shihnin dhe të zinin ment. Traktorist ishte kunati i njërit prej të zvarriturve.
-Një ishullar, pasi dogji Makbethin dhe hirin e futi në një epruvetë. U tha ishullarëve: Kjo kryevepër, sado tragjike, krahasuar me tmerre që po ndodhin këtu, është një pikë në oqean.
Fatkeqi dëgjonte dhe heshtëte.
Në mbarim të menderpunës, Zoti ishte bërë Djall. Djalli Zot, materia antimaterie, meriadianët dhe paralelet lëmsh, busulla çakërdisur, nxitimi gravitacional dhjetfishuar.
Pasdite muzikë dhe libra.
Botë tjetër ajo e pasdites. Newtoni krahaqafë me Ajnshtajnin. Formulat funksiononin. Gjeometria kuptohej. Trigonometria bindej. Pi çfaqej më pak irracionale.
Në mbrëmje Fatkeqi bënte ndonjë Xhiro në bulevard, ku u ngjizën kta legenat, kta hajdutat e sotëm që mbahen për politikanë, biznesmenë, burra shteti.
Kur me afrimin e muzgut, muzika dhe vargjet e poezive, bëheshin lakrimogjene, Fatkeqi qante fshehtas.
Në mesnatë, kur afrohej “Cinema di Notte”, fillonte dehja. Por me të mbaruar filmi, proporcionet, simetritë, rralloheshin. Busulla bënte naze. Gjeometria nuk bindej. Trigonometria gjithashtu. Derisa vinte horrori mëngjezor me çarje drush me sqepar mbi dysheme nga komshiu lart, radio me habere nga syçelësia e Sigurimit, kooperativat, rrethimi borgjez, dhe gjiçka niste nga e para, me shpresë se herët a vonë të paktën Aritmetika do vinte në vete, dhe 1 edhe 1 do bënin 2, çka për Fatkeqin dhe të tjerët, nuk ndodhi kurrë në këtë Atdhje.

Mbyllja e TikTok-ut si opium për popullin

Nga Adri Nurellari

Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang përballjen me përgjegjësitë reale dhe problemet e thella shoqërore, të cilat kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të mirëfillta. Në vend që të përballet me përgjegjësi e kurajë me problemet reale që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, qeveria zgjedh një zgjidhje të thjeshtëzuar dhe simbolike, duke e bërë “TikTok”-un “kokë turku” për të gjitha shqetësimet shoqërore. Kjo sjellje, që përngjan me logjikën e doktor Adhamudhit të Çajupit – “Të dhemb njëri sy? Kërreje të të shpëtojë tjatri!” – përfaqëson një përpjekje për të shmangur përgjegjësitë reale që kanë institucionet dhe prindërit neglizhentë për edukimin e brezave të rinj. Kjo qasje është e padrejtë qoftë në formë e qoftë në përmbajtje. Madje, mund të thuhet se është edhe e dëmshme, pasi shmang debatet e thella dhe të nevojshme për ndërtimin e një kulture teknologjike të përgjegjshme dhe përballimin e sfidave reale të epokës digjitale.

Por ajo që është më ironike dhe e hidhur me këtë vendim, është fakti se rasti i dhimbshëm i adoleshentit të vrarë nuk ishte pasojë e komunikimeve në “TikTok”, por në “Snapchat”. Megjithatë, me “Snapchat”-in nuk na e mban, sepse është kompani amerikane dhe, helbete, nuk bëhet shaka me “miellin e gjermanit”. Në rastin e “TikTok”-ut, që është kinez, është shumë më e lehtë. Duhet thënë se edhe pak surprizues që qeveria po merret me “TikTok”-un e nuk ndaloi “Telegram”-in, që në fund të fundit ishte rus dhe u përdor si mjeti kryesor i shpërndarjes së të dhënave konfidenciale apo sekreteve shtetërore që u hakeruan nga iranianët.

Vrasja që ndodhi te dera e shkollës “Fan Noli” dhe fenomeni i dhunës në shkollat tona në përgjithësi janë pasqyrime të një dështimi të thellë të sistemit arsimor në Shqipëri, që nuk ka arritur as të kultivojë karakter të përgjegjshëm, vlera morale dhe shoqërore e as të frymëzojë dashuri për dijen, shkencën, sportin dhe artin. Këto fenomene nuk janë pasojë e teknologjisë apo aplikacioneve, por simptomë e një sistemi që ka dështuar të përgatisë të rinjtë siç duhet për të qenë qytetarë dinjitozë të aftë për t’u përballur me sfidat e shoqërisë moderne. Shkollat tona, të cilat duhet të jenë vende edukimi dhe ndërtimi të karakterit, shpesh shndërrohen në hapësira ku mbizotërojnë indiferenca dhe tolerohet mediokriteti. Në vend që të nxisin mendimin kritik dhe kuriozitetin shkencor, shkollat kanë lënë një boshllëk të rrezikshëm, i cili është mbushur me modele toksike dhe sjellje destruktive. Dhuna, pra, nuk është një rast i izoluar, por një tregues i qartë i dështimit kolektiv për të ndërtuar një sistem arsimor që mbështetet mbi vlera, edukatë dhe zhvillim intelektual.

Përveç kësaj, vendimi kinse moralizues e edukativ për të ndaluar “TikTok”-un është një përpjekje për të eksternalizuar përgjegjësinë nga prindërit, të cilët e kanë vështirë ta pranojnë se kanë dështuar në edukimin e fëmijëve të tyre, duke ia lënë me lehtësi në dorë telefonat, sepse përtojnë të merren seriozisht me ata. Ndërkohë që fokusi përqendrohet te ndalimi i “TikTok”-ut, për të cilin mungojnë studime serioze që të demonstrojnë dëmin e tij, është shumë më e domosdoshme të nisë një fushatë kombëtare për ndërgjegjësimin e prindërve të rinj që të ndalojnë dhënien e telefonave të mençur fëmijëve të tyre. Studime të shumta shkencore tashmë kanë treguar se përdorimi i pajisjeve elektronike nga fëmijët mund të shkaktojë një sërë problemesh shqetësuese, si dëmtime në shikim për shkak të ekspozimit të gjatë ndaj ekranit, çrregullime të gjumit për shkak të ndërprerjes së cikleve natyrore të melatoninës, si dhe ankth dhe varësi nga pajisjet teknologjike.

Për më tepër, përdorimi i tepruar i telefonave nga fëmijët është i lidhur me probleme në neurozhvillim, përfshirë vështirësitë në përqendrim, vonesat në zhvillimin e gjuhës dhe problemet sociale që burojnë nga mungesa e ndërveprimeve të drejtpërdrejta me moshatarët. Por, ngaqë nuk guxon kush të thotë të vërtetën për përgjegjësinë e prindërve neglizhentë në këtë situatë, është më e lehtë të gjejnë “TikTok”-un si kokë turku. Në vend që të adresojnë problemin thelbësor të prindërimit të papërgjegjshëm, disa zgjedhin të godasin një platformë të vetme si fajtorin kryesor, një qasje që përkthehet në filozofinë e njohur: “Ngaqë nuk i bien dot gomarit, i bien samarit”. Në të vërtetë, është më produktive të përqendrohemi në ndërtimin e një kulture përgjegjësie dhe kujdesi ndaj fëmijëve, duke i drejtuar ata drejt një përdorimi të ekuilibruar dhe të shëndetshëm të teknologjisë. Vendimi për ndalim të “TikTok”- ut shpalos edhe një veçori tipike shqiptare: zellin për “t’u bërë më katolik se Papa”, duke ndaluar plotësisht diçka që SHBA dhe vendet e tjera perëndimore thjesht e kufizojnë.

Këto vende kanë implementuar disa nivele kufizimesh për aplikacionin, kryesisht për arsye privatësie dhe shqetësime mbi sigurinë kibernetike të lidhura me “ByteDance”, e cila ka lidhje me qeverinë kineze. Institucione të ndryshme, si Komisioni Europian dhe NATO, e kanë ndaluar përdorimin e “TikTok”-ut në pajisjet e tyre zyrtare, ashtu si dhe qeveritë qendrore të shumë vendeve në mbarë botën. Megjithatë, Shqipëria, ndryshe nga këto vende që flasin për dyshime dhe kufizime, për “TikTok”-un flet për ndalim të plotë. Kjo të krijon një ndjesi deja vuje të hidhur të revolucionit kulturor të udhëheqësit Mao Ce Dun, të cilin Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, nga zelli i tepruar, e shtyu edhe më tutje, duke ndaluar me ligj praktikimin e fesë dhe mbyllur me dhunë kishat dhe xhamitë, sepse ato konsideroheshin “opium për popullin”. Në këtë rast, nuk quhet më “opium për popullin”, por “rrugaçi i lagjes” dhe promovohet më lehtësia më e madhe mbyllja, pa e vrarë mendjen për shkeljen që i bëhet lirisë themelore të fjalës dhe shprehjes.

Ky veprim moralist i shtetit, që sillet si prind ndaj qytetarëve duke u imponuar atyre se çfarë është mirë dhe çfarë është keq, dhe duke damkosur “TikTok”-un me barrën e agjitacion-propagandës apo nenin famëkeq 55, vë në pikëpyetje rolin që duhet të ketë një shtet në demokracinë liberale. Për ta kuptuar sa i rëndë është ky akt, mjafton të shohim se cilat qeveritë “simotra”, të cilave shtete e kanë ndaluar plotësisht “TikTok”- un. Bëhet fjalë për vende si Afganistani, Indonezia, Bangladeshi, Somalia dhe Irani, që e kanë ndaluar këtë “rrugaç”, sepse deformon moralin e rinisë dhe nuk përshtatet me parimet e sheriatit. Këtu duhet shtuar se tingëllon shumë paradoksale që akuza për “kriminalizimin” e “TikTok”-ut vjen nga një qeveri, që dikur kishte mbushur parlamentin dhe pushtetin me individë të implikuar në aktivitete kriminale, të ekspozuar nga ligji i dekriminalizimit. Njëkohësisht, kjo qeveri ka emëruar në poste kyçe qeveritare funksionarë të shumtë, të cilët SPAK dhe komunikimet nga platformat “Sky ECC” dhe “EncroChat” po i zbulojnë si pjesë të rrjeteve mafioze.

Le të kthehemi pak te forma dhe metoda “all doktor Adhamudhi” e moratoriumit, për të parë efektshmërinë. Ashtu siç SHBA dështoi me prohibicionizmin e alkoolit, edhe vendi ynë nuk ka mundur të mbrojë pyjet me moratoriumin e prerjeve dhe aq më pak të ndërpresë bixhozin me heqjen e bastoreve, të cilat u transferuan “online”. Nëse ndalohet “TikTok”-u, qytetarët ose do të përdorin VPN, ose do ta transferojnë përmbajtjen te platforma të tjera të ngjashme si Lemon, Zigazoo dhe Clapper. Por, përtej talljes me nxjerrjen në bodec apo fletërrufenë e qeverisë ndaj “TikTok”-ut, le ta shqyrtojmë njëherë rrezikun që i vjen lirisë së fjalës dhe medias. Aq më tepër kur Shqipëria po përjeton tashmë një përkeqësim të lirisë së fjalës dhe mediave konvencionale, siç tregon raporti i përvitshëm i “Reporterëve pa Kufij”, ku Shqipëria në vitin 2024 ka rënë tri shkallë, nga vendi i 96- të në vendin e 99-të, mes 180 shteteve të marra në konsideratë. Mbyllja e “TikTok”-ut përbën një precedent të rrezikshëm, që jo vetëm ndikon në lirinë e medias së re, por mund të përdoret në të ardhmen si model për të kufizuar platforma të tjera, duke cenuar të drejtën e qytetarëve për t’u shprehur lirshëm dhe për t’u organizuar në aksion kolektiv. Platforma si “TikTok”-u janë përdorur më parë nga shoqëria civile dhe opozita për të denoncuar korrupsionin dhe abuzimet në regjime autoritare, siç u pa te protestat e mëdha në Iran, Myanmar dhe Hong Kong, duke dëshmuar rolin kritik të saj në amplifikimin e zërave të lirë që kundërshtojnë shtypjen. Duhet theksuar se ndalimi i “TikTok”-ut jo vetëm që kufizon lirinë e shprehjes dhe krijimtarisë, duke vendosur kështu një precedent të rrezikshëm për censurën digjitale, por gjithashtu sjell dëme ekonomike.

Platforma luan një rol të rëndësishëm ekonomik, duke ndihmuar të rinjtë e talentuar në industrinë kreative që të sigurojnë të ardhura falë imagjinatës dhe fantazisë së tyre. Po ashtu, “TikTok”-u kontribuon në ekonominë lokale duke u mundësuar bizneseve të vogla të rrisin të ardhurat e tyre dhe të arrijnë audienca më të gjera përmes marketingut kreativ. Duhet vënë në dukje gjithashtu se “TikTok”-u është një mjet i fuqishëm për promovimin e kulturës shqiptare dhe tërheqjen e turistëve ndërkombëtarë. Një shembull i kësaj është efekti pozitiv që pati dy vite më parë në promovimin e rivierës shqiptare, e cila u quajt “Maldivet e Europës” pas viralizimit të një videoje të famshme në “TikTok”. Për më tepër, platforma është kthyer në një lidhje të fuqishme me diasporën shqiptare, pasi shqiptarët në “TikTok” shpesh ndajnë gatime, veshje, këngë dhe valle tradicionale. Kjo ndihmon në mbajtjen gjallë të trashëgimisë kulturore dhe krijon një ndjenjë lidhje për diasporën me rrënjët e saj etnike. Përveç përmbajtjes argëtuese, “TikTok”-u ofron një gamë të gjerë videosh edukative dhe informative, që kontribuojnë në zhvillimin personal dhe profesional të të rinjve. Së fundmi, duhet theksuar se “TikTok”- është sot rrjeti social më avangardë në botë, duke udhëhequr me inovacion mes qindra rrjeteve sociale. Madje, ai është shndërruar në një trend-setter që po imitohet nga platforma më tradicionale si “Instagram” dhe “YouTube”.

Prandaj ky ndalim gjithashtu minon përpjekjet e Shqipërisë për të qëndruar konkurruese në botën digjitale globale, duke penguar inovacionin dhe adoptimin e teknologjive moderne. Në këtë aspekt përpjekja për të ndaluar “TikTok”-un përngjan me luditizmin e fillimit të shekullit XIX, kur punëtorët britanikë, të udhëhequr nga Ned Ludd, shkatërronin tezgjahët mekanikë, duke i fajësuar për humbjen e vendeve të punës dhe përkeqësimin e kushteve ekonomike. Në vend që të përballeshin me ndryshimet strukturore të revolucionit industrial, ludistët fajësuan teknologjinë. Ngjashëm, ndalimi i “TikTok”-ut sot është një reagim sipërfaqësor ndaj një teknologjie specifike, duke shpërfillur faktorët themelorë si dështimi i sistemit arsimor, neglizhenca prindërore dhe mungesa e edukimit për përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë. Në vend që të fajësohet një aplikacion, zgjidhja kërkon përpjekje për të adresuar sfidat sociale dhe institucionale që lejojnë këto probleme të shfaqen. Ndërhyrjet e tilla populiste janë po aq të paefektshme sa shkatërrimi i makinave nga ludistët, duke i zhvendosur përkohësisht shqetësimet, por pa i zgjidhur ato në rrënjë.

Xhepa: Shqetësuese që industria e bujqësia janë të rënie. Pse turizmi sjell para

Profesori universitar Selami Xhepa, i ftuar në emisionin Open në News 24 foli për situatën ekonomike në vendin tonë.

Xhepa tha se shqetësues është fakti që industria e bujqësia janë në rënie.

Më tej, Xhepa deklaroi se turizmi sjell para, pasi shumë shqiptarë japin shtëpitë me qira.

Selami Xhepa: Industria dhe bujqësia kanë rënë dhe kjo është shqetësuese. Kjo ka ndodhur, për shkak të luhatjeve të kursit. Kursin e vendos tregu, por edhe shteti ka rolin e vet. Turizmi sjell para.

Turizmi është sektori më jetik i vendit. Ku duket? Duket tek xhepat e qytetarëve, që kanë dhënë shtëpitë me qira, që deri tani nuk kanë dhënë as taksë, e ndoshta do duhet të japin taksa.

Çfarë duhet të bëjmë ne si prindër?

Nga Agim Baçi

Çfarë duhet të bëjmë kur ne si prindër dhe mësuesit nuk kemi më autoritetin e duhur për t’u shpjeguar fëmijëve se çfarë është më e rëndësishme në jetë, se çfarë është “e mirë” – “e keqe”, apo “e dobishme” – “e padobishme”?

A po mendojmë ne se si të sillemi me fëmijët teksa fuqinë e komunikimit në familje e shkolla e ka marrë tregu i zbavitjes dhe konsumit, një treg që plak gjithçka brenda një kohe të shkurtër, duke krijuar një botë të pafundme ankthi te ata që i besojnë vetëm këtij tregu?

Filozofi dhe psikoanalisti i famshëm italian, Umberto Galimberti, teksa thekson vështirësinë për komunikimin e vështirë që kanë sot prindërit me fëmijët e tyre adoleshentë, sjell në vëmendje gabimin që bëjmë ne si të rritur, duke mos lexuar realitetin e vështirë përballë spektaklit, por u kujtojmë atyre edukimin që kemi marrë ne dikur apo prindërit tanë.

Por a jemi ne sot të vetëdijshëm që fëmijë kanë sot një fjalor të mangët shpjegimi për gjendjen e tyre emocionale? A i dëgjojmë ne për ankthin që i shkakton bota e spektaklit, e videove yë atyre që vrapojnë vetëm pas famës?

Edhe më të vështirë e kanë komunikimin ata prindër që janë rritur me një komunitet që ka bashkëvepruar, që ka folur e lozur me njëri-tjetrin në moshën e fëmijëve të tyre, dhe tashmë gjendet përballë fëmijëve që qëndrojnë gjithnjë e më shumë vetëm dhe që kanë thuajse gjatë gjithë kohës kufje në vesh ku mund të jenë duke dëgjuar muzikë apo duke ndjekur video njëra pas tjetrës.

A mundemi ne të rriturit t’i ruajmë nga admirimi që mund të krijonë për rrugën më të shkurtër për t’u bërë të famshëm dhe me para, si personazhet që ata dëgjojnë e shohin gjatë kohës me vetminë e tyre. Por, kushdo që mendon se kjo situatë është thjesht individuale e fëmijës së tyre, apo vetëm e shoqërisë shqiptare, rrezikon të gjykojë gabim e të prishë urat e komunikimit me to. Një situatë e tillë ka nevojë për një debat sa familjar e shkollor aq edhe mbarëkombëtar, ku të mos i hapim udhë lumit të pesimizmit, pasi në një lumë të tillë nuk dërgon asnjë varkë në një breg zgjidhjesh. Në lumin e pesimizmit dhe moskumunikimit fiton vetëm ankthi i përkohshmërisë, vetëm zemërimi dhe frika.

Ndërkohë që ne të gjithë e dimë se ajo që e mban fillin e fortë mes nesh është besimi dhe dashuria, është empatia dhe solidariteti. Ne si prindër duhet të kuptojmë se premtimi që na është bërë ne si brez dikur për një të ardhme më të mirë, nuk vlen me të njëjtën gjuhë me fëmijët e sotëm, të cilët janë të kërcënuar nga “droga e famës”, nga ethet e pasurimit të shpejtë, që në fund rezultojnë një amfiteatër vuajtjesh dhe padurimi.

Nën ndikimin e spektaklit dhe konsumit dhe të kërcënuar gjithnjë e më shumë nga rezultati dhe jo nga qëllimi i asaj që bëjnë, fëmijët do e kenë gjithnjë e më të vështirë të përcaktojnë emocionalisht kufijtë e kënaqësisë për atë që kanë dhe për atë që duan të bëjnë me jetët e tyre. Mungesa e qëllimeve për të nesërmen e ka kthyer tanishmërinë në një diktaturë padurimi.

Ne të gjithë prej kohësh shohim se si ndeshen të rinjtë me pyetësorë pa fund, me sondazhe që kërkojnë përgjigje të ngutshme dhe dhënie opinionesh, me statistika dhe kërkimet të tregut. Po kështu, thuajse çdo prind është përballur me emocionet që shkaktojnë te fëmijët rrëfime individuale në programe të përditshme televizive e sidomos në video të shpërndara, përfshi këtu deri ne limitet e fundit te intimes. Këto projekte e emisione i kthejnë të rinjtë në një gjah të konsumit të së sotmes, pa pasur fuqi të mendojnë për nesër, pa mundur të ëndërrojnë. Nën këtë presion, shumë fëmijë nuk e kuptojnë dot që, ajo që duhej të ishte vetëm e tyrja, është e gjithë publikut, pasi është bërë pjesë e show-t, duke u shpërndarë, pa ditur se kjo i bën më pas ata të pafuqishëm për t’iu kundërvënë makthit të spektaklit.

Eshtë përgjegjësia jonë, në shtëpi e shkollë, t’u themi se informacioni nuk është mençuri, por thjesht një mundësi. Duhet t’i themi me qetësi se është reflektimi ndaj asaj që shohim që mund të na japë më shumë dritë në atë që duam të ndjekim, dhe jo eksitimi i gjithanshëm që sugjeron bota e spektaklit. Përndryshe, nëse nuk ua themi hapur, do kemi murin e indiferencës së tyre ndaj asaj që do u kërkojmë më pas.

Ky mur indiference, zemërimi dhe nervozizimi që shfaqin të rinjtë mund të shembet nëse vendosim ura të vërteta bashkëbisedimi, pa u ankuar për atë që nuk kemi patur ne në kohën tonë dhe pa dramatizuar atë qe ata na kërkojnë ata për shkak se janë bijë të kohës së tyre. Dhe, siç shkruan dhe Galmberti në librin e tij, “Bujtësi turbullues”, për të kuptuar sa të rëndësishme janë në jetë raporti me humbjen, zgjidhja e konflikteve, solidariteti dhe empatia, duhet që të mos lejojmë që për fëmijët tanë të jetë baby-sitter televizioni apo aparati celular.

Nëse nuk arrijmë dot të ndërtojmë pyetjet e duhura në familje e shkollë, nuk ka pse, më pas, të bëjmë si të tmerruar nga dhuna që pason shoqërinë tonë, nga cinizmi i të rinjve, të cilët pa përgjigjet e bazuara te fuqia e dashurisë dhe besimit, do zgjedhin atë të talljes, të vënies në lojë dhe të zemërimit dhe ankthit. Nëse nuk i drejtojmë sytë nga dashuria, nëse zemrën e tyre e lëmë në dorë vetëm të rezultatit dhe arsyes, atëherë duhet të llogarisim se mund të jetojmë në mbretërinë e indiferencës së tyre jo vetëm për ne, por për gjithçka rrotull tyre.

Ndaj, le të mos ngurojmë që t’u themi fëmijëve se, nëse ke një zemër të ndjeshme, nuk është dobësi, por është forcë për të kuptuar. Le t’u themi me forcë fëmijëve tanë se, të kesh sa më pak rroba në trup, të të duket më shumë nga lakuriqësia jote, nuk do të thotë se je i hapur ndaj të tjerëve. Natyrisht, të lakuriqësosh shpirtin është më e rëndë se sa të lakuriqësosh trupin. Por ne duhet të këmbëngulim që ata të dinë se, të heqësh gardhin e turpit nuk do të thotë se me tjetrin je kuptuar.

Përkundrazi, mund të lëndosh ata që të kanë menduar të jenë të afërt, pasi rënia e murit të turpit për intimen është jo vetëm humbje e dinjitetit por njëkohësisht edhe përjashtimi i atyre që na duan dhe duam nga të qenurit për ta dhe me ta.

Donald Trump premton se do të ndryshojë emrin “Gjiri i Meksikës”: Ja si do të quhet

Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump u zotua të ndryshojë emrin e Gjirit të Meksikës në “Gjiri i Amerikës” dhe përsëriti premtimin e tij për të vendosur tarifa të konsiderueshme ndaj Meksikës dhe Kanadasë.

“Ajo mbulon shumë territor,” tha ai për Gjirin. “”Gjiri i Amerikës.” Sa emër i bukur.”

Premtimi i tij për të riemërtuar Gjirin i bëri jehonë zotimit të tij të mëparshëm për të kthyer emrin e Denalit, majës më të lartë malore në Amerikën e Veriut, në malin McKinley.

Në një konferencë me gazetarë vetëm dy javë para se të marrë mandatin e ri më 20 janar, Trump la të hapur mundësinë që të përdorë ushtrinë amerikane për të siguruar kontrollin ndaj këtyre dy territoreve.

“Nuk mund të zotohem”, tha ai, i pyetur nëse do të përjashtonte përdorimin e ushtrisë. “Ndodh që do të duhet të bëjmë diçka. Kanali i Panamasë ka rëndësi jetike për vendin tonë”.

Më pas ai shtoi se “Groenlanda na duhet për qëllime të sigurisë kombëtare”. Groenlanda është territor autonom i Danimarkës, një aleat tradicional i Shteteve të Bashkuara dhe njëra prej shteteve themeluese të NATO-s.

Didier Deschamps nuk do të drejtojë më Kombëtaren e Francës pas Kupës së Botës 2026

Didier Deschamps do të njoftojë të mërkurën se nuk do të rinovojë kontratën e tij si trajner i Francës dhe për këtë arsye do të largohet pas Kupës së Botës 2026, sipas një raporti këtë të martë nga L’Equipe .

Ky është një vendim i logjikshëm, duke pasur parasysh se ish-mesfushori i Juventusit dhe Chelsea-t drejtoi Francën për katërmbëdhjetë vjet. Deschamps zëvendësoi Laurent Blanc pas Euro 2012.

Me Francën, Deschamps fitoi Kupën e Botës 2018 dhe humbi dy finale të mëdha në Euro 2016 dhe Kupën e Botës 2022.

Deschamps fitoi gjithashtu Ligën e Kombeve 2021 dhe ai do të ketë mundësinë ta fitojë përsëri me Les Bleus që do të përballet me Kroacinë në çerekfinale marsin e ardhshëm

Gjakderdhja nga hunda nuk është e padëmshme! Ja cilat janë rastet kur duhet të shkoni urgjentisht te mjeku

Edhe pse gjakderdhja nga hunda është e padëmshme në shumicën e rasteve, ekspertët kanë paralajmëruar për shenjat pak të njohura se ajo mund të sinjalizojë diçka më të keqe.

Kështu, disa lloje të gjakderdhjes nga hundët mund të tregojnë sëmundje të zemrës, dështim të mëlçisë, madje edhe lloje vdekjeprurëse të kancerit të gjakut, shkruan Daily Mail.

Sipas udhëzimeve të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) në Mbretërinë e Bashkuar, kohëzgjatja e gjakderdhjes nga hunda është treguesi më i madh i një problemi themelor. Nëse keni gjakderdhje për më shumë se 20 minuta, duhet të shkoni në urgjencë.

Nëse gjakderdhja vjen nga pjesa e përparme e hundës, por nga të dy vrimat e hundës, kini kujdes pasi mund të jetë një shenjë e një problemi themelor me aftësinë e trupit për të mpiksur gjakun. Kjo do të thotë se kushtet e mundshme mund të jenë dështimi i mëlçisë, ku organi nuk mund të prodhojë proteinat e nevojshme për mpiksjen e gjakut, infeksione të rënda, reaksione medikamentoze dhe, në rastin më të keq, kancer gjaku si leucemia.

Leuçemia mund të shkaktojë një rënie të numrit të trombociteve, të cilat ndihmojnë gjakun tonë të mpikset, duke shkaktuar gjakderdhje të tepërt.

Gjakderdhja nga të dy vrimat e hundës mund të jetë gjithashtu një shenjë e sëmundjes së zemrës. Nëse keni presion të lartë të gjakut, arteriet tuaja janë të ngushta, gjë që ju rrezikon të plasni një enë gjaku në hundë. Ky është një tregues që ju jeni në rrezik të lartë të sulmit në zemër dhe goditje në tru.

Disa hollues gjaku të përshkruara për të parandaluar sulmet në zemër dhe goditjet në tru mund të shkaktojnë gjithashtu gjakderdhje nga hundët.

Lloji më i zakonshëm dhe normal i gjakderdhjes nga hunda është ai që ndodh në njërën vrimë hunde dhe gjakderdhja vjen nga maja e përparme e hundës. Kjo zonë e hundës njihet si zona e Little, e cila përmban enë të vogla gjaku shumë të ndjeshme që janë të ndjeshme ndaj plasjes.

5 në 6 persona të moshës 100-vjeçare janë gra/ Të ardhurat dhe të jetuarit vetëm, problemet kryesore për të moshuarit

Shqipëria po përballet me efektet e dukshme të moshimit të popullatës, si pasojë e një periudhe tranzicioni të shpejtë demografik. Gjatë dekadës së fundit, është vënë re një rritje e ndjeshme e numrit të të moshuarve, ndërkohë që numri i fëmijëve ka pësuar ulje për shkak të rënies së fertilitetit. Paralelisht, emigracioni masiv ka kontribuar në reduktimin e grupmoshës së re.

Ky transformim demografik ka ndikuar në zvogëlimin e madhësisë mesatare të familjeve, e cila ka kaluar nga 3.9 anëtarë që raportonte  Cens2011, në 3.2 anëtarë sipas të dhënave të Cens-it 2023. Këto ndryshime janë reflektuar edhe në raportet e varësisë. Në vitin 2011, raporti i varësisë së të rinjve ishte 30.4%, ndërsa në periudhën aktuale ka rënë në 24%. Ndërkohë, raporti i varësisë së të moshuarve ka shënuar një rritje të ndjeshme, duke u rritur nga 16.7% në vitin 2011 në 30.4% në vitin 2023.

Një aspekt interesant i kësaj analize është edhe numri i personave mbi 100 vjeç që jetojnë në Shqipëri. Sipas të dhënave të analizuara nga “Scan Intel” bazuar në shifrat e Cens-it 2023, në vendin tone janë 364 persona që i përkasin kësaj grupmoshe, prej të cilëve 63 janë burra dhe 301 janë gra, një trend që lidhet me jetëgjatësinë më të lartë të grave krahasuar me burrat.

Shoqata e Gerontologjisë, e krijuar për të evidentuar problemet e të moshuarve, ka zbuluar se rreth 60% e të moshuarve në Shqipëri vuajnë nga sëmundje kronike. Gjithashtu, vështirësitë ekonomike, pamjaftueshmëria financiare dhe të jetuarit vetëm që shpesh çon në një jetesë të izoluar, janë problemet kryesore me të cilat përballen të moshuarit. Konkretisht, në Shqipëri me shume se 64 mije të moshuar jetojneë të vetmuar për shkak të emigracionit të fëmijëve ose braktisjes prej tyre.

Sipas publikimit të një analize mbi hartëzimin e shërbimeve sociale, që i përket vitit 2023, rezulton se në Shqipëri ofrojnë shërbime të përkujdesit shoqëror 391 institucione ose 16% më shumë se sa në vitin 2021. Nëse i kategorizojmë sipas tipologjisë rezulton se shërbimet për të moshuarit përbëjnë 13% të totalit. Por, kjo grupmoshë është kategoria e dytë me peshën më të lartë të atyre që janë në nevojë për këtë shërbim./SCAN