29.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Bamir Topi: Berisha e Rama prej 2008 janë bashkë, vijnë nga kontingjenti i komunistëve shqiptarë

Për ish-presidentin Bamir Topi, kryeministri Edi Rama dhe Sali Berisha janë arkitekëtët e shkatërrimit të demokracisë në Shqipëri. Për Report Tv, Topi thotë se Berisha e Rama prej 2008 janë bashkë dhe sipas tij vijnë nga i njëjti kontingjent politik, i lidhur me të kaluarën komuniste të Shqipërisë.

“Janë arkitektët e shkatërrimit të demokracisë në Shqipëri. Kjo lloj politike e ndërtuar në këtë mënyrë, prodhon institucionet dhe gjithë thonë çfarë është ky shtet që nuk na garanton, origjina e së keqes është tek politika. Për ta koncentruar është tek dy individë, që kanë qenë bashkë në 2008, dhe vazhdojnë të jenë bashkë. Se si e shohin njerëzit, besoj një pjesë e dinë, një pjesë janë në atë nivel që nuk merren me analizë politike.

Sot ka një histori paralele. Çfarë ka ndodhur pas luftës së dytë botërore në Shqipëri, është e njëjta metodikë. Në mënyrën se si administrohet pushteti, se si rekrutohen njerëzit, linjat familjare, do e gjesh origjinën patjetër tek kuadrati i bllokut. Janë te dy që vijnë nga kontingjenti i komunistëve shqiptarë institucional. Unë nuk merrem me biografinë, por ata edhe janë, dhe veprojnë në të njëjtën mënyrë pavarësisht se janë në kampe gjoja të ndryshme”, tha Topi në Report Tv.

Uran Butka shpërthen kundër Sali Berishës: Bolshevik që kurrë nuk do rikthehesh në pushtet!

Uran Butka, dikur një nga emrat intelektual më të spikatur të Partisë Demokratike, ka folur në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku për politikën që po përdor Sali Berisha për të ardhur në pushtet. Zoti Butka thotë që Berisha është tipi i revolucionarit bolshevik, që përdor çdo lloj forme për të ardhur në pushtet, edhe përmes dhunës. Por pikërisht për këtë arsye, Berisha do të humbasë, thotë Butka.

“Unë jam kundër këtyre protestave që bën Berisha. E djathta sot është në rrugë të gabuar si në 1944-ën. Sulmi i 8 janarit 2022 në selinë e PD-së është shenjë e luftës civile që Berisha e ka përzemër. Polemikat e mia me zotin Berisha kanë sqaruar shumë gjëra. Berisha mund të jetë kreu i PD-së. Ishte lufta brenda partisë që më bëri të largohem nga PD-ja dhe parimet e Berishës.

Me revolucion dhe përpjekje të tilla që organizon Berisha në Shqipëri, i bëhet dëm vendit, por edhe respektit dhe mbështetjes që kanë të huajt për Shqipërinë. Berisha është revolucionar i tipit bolshevik që kërkon përmbysje me çdo formë, me dhunë. Kjo bie në kundërshtim me parimet demokratike të shquara që përmend Konica, Mit’hat Frashëri. Sepse sjellin më shumë dhunë. Mund ta marrësh pushtetin, por shenjat e dhunës dhe shkatërrimi mbeten. Kjo është edhe arsyeja pse Berisha do të humbasë. Nuk mund të fitosh me këto metoda. Shqiptarët janë lodhur nga lufta e brendshme, lufta civile, nga urrejtja për njëri-tjetrin. Nuk fitohet demokracia me luftë.”, tha zoti Butka në DritareTV./

“Kosotot e jetesës, pagat e pensionet problemet e shqiptarëve, jo të pandëshkuarit që luftojnë kundër SPAK”, Basha: Më 11 maj të çelim një kapitull të ri për një politk që u shërben qytetarëve

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, thotë se shqetësimet kryesore të familjeve shqiptare, janë çmimet e larta dhe pagat e ulëta, ndërsa qeveria dhe një pjesë e opozitës po shmangin debatin nga problemet reale të qytetarëve.

Në një postim në facebook, Basha thekson se tronditjet që po shkakton drejtësia në nivele të larta të politikës po përdoren për të krijuar kriza artificiale. Sipas tij, Edi Rama dhe Sali Berisha duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, po kërkojnë të riciklojnë veten me manovra që synojnë mbajtjen me çdo çmim të pushetit të tyre.

Ai bën thirrje për ndëshkimin e kësaj loje politike në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se një votë për Berishën është një mbështetje për Ramën dhe anasjelltas.

“Shqipëria meriton më shumë. Vota për një ndryshim të vërtetë është mjeti për të çelur një kapitull të ri, për një politikë që dëgjon dhe ofron zgjidhje për shqetësimet reale,” shprehet më tej Basha.

Postimi i plotë i Bashës:

Çmimet e larta, pagat dhe pensionet e ulëta prijnë listën e gjatë të shqetësimeve të familjeve shqiptare, sipas një ankete të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Probleme që nuk gjejnë jehonë në hapësirën e përditshme të debatit publik, sepse çoroditja e organizuar nga propaganda e injektuar nga qeveria dhe patericat e saj në opozitë, vendos në qendër të vëmendjes hallet e politikanëve, jo shqetësimet e qytetarëve.

Tronditjet që po shkaktojnë veprimet e drejtësisë në nivelet e larta të politikës kanë nxitur një krizë artificiale, përmes së cilës simbolet e pandëshkueshmërisë të këtyre 34 viteve, po kërkojnë të riciklojnë veten me manovra që synojnë mbajtjen me çdo çmim të pushetit të tyre, qofshin ata në qeveri apo në gjasme opozitë.

Pas zbardhjes nga drejtësia të një pjese të masakrës zgjedhore të vitit 2021, ku u faktua se bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin i siguroi atij votat për të penguar ndryshimin, legjitimiteti moral dhe politik i kryeministrit është zero. Për këtë arsye, çyrbe-kryeministri është investuar prej 3 vitesh në mbajtjen në këmbë të ortakut të tij politik, Sali Berishës, me të cilin mbylli listat dhe amistoi të korruptuarit për t’i përcjellë mesazhe shantazhuese SPAK, sepse, pas 12 vitesh, nuk ka më përgjigje për hallet e qytetarëve, por kërkon përsëri pushtet vetëm për t’u mbrojtur nga hallet e tij me drejtësinë.

Ky teatër i shëmtuar, që serviret me këmbëngulje në çdo ekran, duhet refuzuar dhe ndëshkuar me votë në 11 maj, pasi është tashmë e qartë se çdo mbështetje për Berishën mban më pushtet Ramën, çdo mbështetje për Ramën mban si pseudo opozitë Berishën.

Fundi i tranzicionit është në dorën tuaj, vota për një ndryshim të vërtetë është mjeti juaj për të çelur një kapitull të ri për vendin, për një politikë me fytyrë njerëzore, që dëgjon me dhembshuri zërin tuaj dhe ofron zgjidhje për shqetësimet reale që keni.
Shqipëria meriton më shumë

A po rrëshqasim sërish në një diktaturë hoxhiste?

Nga Spartak Ngjela

Shkrimtari Aloys Winterling në veprën e tij të famshme biografike CALIGULA ka shkruar: Si ndodh që mund të vijë në një sistem politik kombinimi unik kontradiktor e historik i republikës dhe monarkisë?

Dhe kjo sigurisht që është pika kyçe në historinë e shtetit modern brenda pyetjes: republikë apo monarki?

Por kjo pyetje universale ende nuk është zgjidhur, sepse çdo kryeministër që ka përfunduar diktator ka pasur brenda vetes kërkesën për të qenë monark me pushtet absolut.

Por që ka qenë vetëm kryeministër.

Një i tillë ka qenë edhe Musolini, por edhe Enver Hoxha.

Po ku janë tani?

Që të dy gjenden ne ferrin e një diktatori të kriminalizuar.

Po demokracia si ka degraduar në pushtete diktatorialë?

Demokracia si rregull historik ka degraduar në diktaturë nga vullneti i kryeministrit që, pasi ka ardhur në pushtet me vota, ka krijuar sistemin e tij politik individual dhe ka vrarë ose ka persekutuar kundërshtarët politikë.

Dhe pse kanë përfunduar kështu?

Sepse kanë ardhur në pushtet jo si mbretër të fisnikërisë së lartë, por si njerëz të thjeshtë të popullit që kanë shtënë në dorë pushtetin me revolucion me thirrjen: për popullin dhe me popullin.

Por që, pasi kanë ardhur në pushtet, gjithçka e kanë bërë për të ushqyer sëmundjen e tyre patologjike në një pushtet absolut, duke mos qenë mbretër.

Dhe si kanë përfunduar këta sot në historinë e Evropës.

Të gjithë këta janë të regjistruar si figura kriminale në histori.

Pse, a nuk është në një regjistër të tillë edhe Enver Hoxha sot në historinë e Shqipërisë, por edhe Musolini në Itali?

Por me gjithë këtë, a ka ende rrezik Shqipëria dhe populli shqiptar të bien sërish në një diktaturë të tipit Hoxha?

Rreziku sigurisht që ekziston, prandaj shqiptarët, në Shqipëri dhe në Kosovë, duhet të jenë shumë të vëmendshëm me fatin e tyre historik në funksion të sistemit politik. Diktatori, si rregull historik, nuk është me psikikë normale, por me psikikë të sëmurë që e shtyn drejt krimit dhe dhunës, në funksion të pushtetit të tij personal.

FJALIMI HISTORIK i Franklin D. Roosevelt mbi Katër Liritë themelore pas kërcënimit të despotëve gjatë Luftës së II Botërore

Më 6 janar 1941 – një muaj pasi Shtetet e Bashkuara u përfshinë zyrtarisht në luftë, presidenti Franklin D. Roosevelt mban fjalimin e tij mbi “Katër Liritë”.

Liria e fjalës, Liria e besimit, Liria për nevojat minimale njerëzore, Liria nga frika. Pas Luftës së dytë Botërore, “Katër Liritë” shërbyen si frymëzim për formulimin e Kartës se Kombeve e Bashkuara.

Në fjalimin e tij historik në Kongres më 6 janar 1941, Presidenti Franklin D. Roosevelt përsëriti rëndësinë e mbështetjes së Britanisë së Madhe në luftën e saj me Gjermaninë naziste. Roosevelt nënvizoi angazhimin e përbashkët të dy kombeve ndaj katër lirive universale. Më pas, “Katër Liritë” u inkorporuan zyrtarisht në Kartën e Atlantikut të hartuar nga Winston Churchill dhe FDR, në gusht 1941. Sapo Shtetet e Bashkuara hynë në luftë më 8 dhjetor 1941, mbrojtja e këtyre lirive u bë gur themeli i përpjekjeve amerikane për luftë.

Mesazhi i Presidentit Franklin Roosevelt (4 Liritë) për Kongresin (6 janar 1941);

Ju drejtohem juve, anëtarëve të Kongresit të Shtatëdhjetë e shtatë, në një moment të paprecedentë në historinë e Unionit. Unë përdor fjalën “i paprecedentë”, sepse në asnjë kohë të mëparshme siguria amerikane nuk është kërcënuar aq seriozisht nga jashtë sa sot. . . .

Edhe kur shpërtheu Lufta Botërore në vitin 1914, ajo dukej se përmbante vetëm një kërcënim të vogël rreziku për të ardhmen tonë amerikane. Por, me kalimin e kohës, populli amerikan filloi të imagjinonte se çfarë mund të nënkuptojë rënia e kombeve demokratike për demokracinë tonë.

Nuk ka nevojë të mbitheksojmë papërsosmëritë në Paqen e Versajës. Ne nuk duhet të flasim për dështimin e demokracive për t’u marrë me problemet e rindërtimit të botës. Duhet të kujtojmë se Paqja e vitit 1919 ishte shumë më pak e padrejtë sesa lloji i “paqësimit” që filloi qysh përpara Mynihut, dhe që po vazhdon nën rendin e ri të tiranisë që kërkon të përhapet në çdo kontinent sot. Populli amerikan ka vendosur në mënyrë të pandryshueshme fytyrat e tij kundër asaj tiranie.

Çdo realist e di se mënyra e jetesës demokratike në këtë moment po sulmohet drejtpërdrejt në çdo pjesë të botës – e sulmuar qoftë me armë, qoftë nga përhapja e fshehtë e propagandës helmuese nga ata që kërkojnë të shkatërrojnë unitetin dhe të nxisin përçarjen në kombet që janë ende në paqe.

Gjatë gjashtëmbëdhjetë muajve të gjatë, ky sulm ka fshirë të gjithë modelin e jetës demokratike në një numër të tmerrshëm kombesh të pavarura, të mëdha e të vogla. Agresorët janë ende në marshim, duke kërcënuar kombet e tjera, të mëdha e të vogla.

Prandaj, si presidenti juaj, duke kryer detyrën time kushtetuese për t’i “i dhënë Kongresit informacionin për gjendjen e Unionit”, e shoh, fatkeqësisht, të nevojshme të raportoj se e ardhmja dhe siguria e vendit tonë dhe e demokracisë sonë janë të përfshira në masë të madhe, në ngjarje shumë përtej kufijve tanë.

Mbrojtja e armatosur e ekzistencës demokratike po zhvillohet tani me trimëri në katër kontinente. Nëse kjo mbrojtje dështon, e gjithë popullsia dhe të gjitha burimet e Evropës, Azisë, Afrikës dhe Australisë do të dominohen nga pushtuesit. Le të kujtojmë se totali i atyre popullsive dhe burimeve të tyre në këto katër kontinente e tejkalon në masë të madhe shumën totale të popullsisë dhe burimeve të të gjithë Hemisferës Perëndimore – shumë herë më shumë.

Në kohë si këto, është e papjekur – dhe rastësisht, e pavërtetë – që dikush të mburret se një Amerikë e papërgatitur, me një dorë të vetme dhe me një dorë të lidhur pas shpine, mund të mbajë të gjithë botën.

Asnjë amerikan realist nuk mund të presë nga paqja e një diktatori bujarinë ndërkombëtare, apo rikthimin e pavarësisë së vërtetë, apo çarmatimin e botës, apo lirinë e shprehjes, apo lirinë e fesë – apo edhe biznesin e mirë…

Nevoja e momentit është që veprimet dhe politika jonë duhet t’i kushtohen kryesisht – pothuajse ekskluzivisht – përballjes së këtij rreziku të jashtëm. Sepse të gjitha problemet tona të brendshme tani janë pjesë e emergjencës së madhe.

Ashtu si politika jonë kombëtare në punët e brendshme ka qenë e bazuar në respektimin e denjë për të drejtat dhe dinjitetin e të gjithë bashkëqytetarëve tanë brenda portave tona, po ashtu politika jonë kombëtare në punët e jashtme është bazuar në respektimin e denjë për të drejtat dhe dinjitetin e të gjitha kombeve, të mëdhenj e të vegjël. Dhe drejtësia e moralit duhet dhe do të fitojë në fund. Politika jonë kombëtare është kjo:

Së pari, me një shprehje mbresëlënëse të vullnetit publik dhe pa marrë parasysh partishmërinë, ne jemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes kombëtare gjithëpërfshirëse.

Së dyti, me një shprehje mbresëlënëse të vullnetit publik dhe pa marrë parasysh partishmërinë, ne angazhohemi për mbështetjen e plotë të të gjithë atyre popujve të vendosur, kudo, që po i rezistojnë agresionit dhe në këtë mënyrë po e mbajnë luftën larg hemisferës sonë. Me këtë mbështetje, ne shprehim vendosmërinë tonë se kauza demokratike do të mbizotërojë; dhe ne forcojmë mbrojtjen dhe sigurinë e kombit tonë.

Së treti, me një shprehje mbresëlënëse të vullnetit publik dhe pa marrë parasysh partishmërinë, ne jemi të përkushtuar ndaj propozimit se parimet e moralit dhe konsideratat për sigurinë tonë nuk do të na lejojnë kurrë të pranojmë një paqe të diktuar nga agresorët dhe të sponsorizuar nga qetësuesit.

Ne e dimë se paqja e qëndrueshme nuk mund të blihet me çmimin e lirisë së njerëzve të tjerë.

Në zgjedhjet e fundit kombëtare nuk kishte asnjë dallim thelbësor midis dy partive të mëdha në lidhje me atë politikë kombëtare. Asnjë çështje nuk u diskutua në këtë linjë para elektoratit amerikan. Sot është shumë e qartë se qytetarët amerikanë kudo janë duke kërkuar dhe mbështetur veprim të shpejtë dhe të plotë në njohjen e rrezikut të dukshëm.

Prandaj, nevoja imediate është një rritje e shpejtë dhe nxitëse e prodhimit tonë të armatimit. . . .

Një komb i lirë ka të drejtë të presë bashkëpunim të plotë nga të gjitha grupet. Një komb i lirë ka të drejtë të shikojë nga drejtuesit e biznesit, të punës dhe të bujqësisë për të marrë drejtimin në përpjekjet stimuluese, jo midis grupeve të tjera, por brenda grupeve të tyre.

Mënyra më e mirë për t’u marrë me ata pak dembelë ose problematikë në mesin tonë është, së pari, t’i turpërojmë ata me shembullin patriotik dhe, nëse kjo dështon, të përdorim sovranitetin e qeverisë për të shpëtuar qeverinë.

Unë kam bërë thirrje për sakrificë personale. Jam i siguruar për gatishmërinë e pothuajse të gjithë amerikanëve për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje.

Një pjesë e sakrificës nënkupton pagesën e më shumë parave në taksa. Në Mesazhin tim Buxhetor do të rekomandoj që një pjesë më e madhe e këtij programi të madh të mbrojtjes të paguhet nga taksat sesa po paguajmë sot. Asnjë person nuk duhet të përpiqet, ose të lejohet, të pasurohet nga ky program; dhe parimi i pagesës së taksave në përputhje me aftësinë për të paguar duhet të jetë vazhdimisht para syve tanë për të udhëhequr legjislacionin tonë.

Nëse Kongresi i ruan këto parime, votuesit, duke e vënë patriotizmin para xhepit, do t’ju japin duartrokitjet e tyre.

Në ditët e ardhshme, të cilat ne kërkojmë t’i bëjmë të sigurta, ne presim me padurim një botë të bazuar në katër liri thelbësore njerëzore.

E para është liria e fjalës dhe e shprehjes – kudo në botë.

E dyta është liria e çdo personi për të adhuruar Zotin në mënyrën e tij – kudo në botë.

E treta është liria nga mungesa – e cila, e përkthyer në terma botërorë, do të thotë mirëkuptim ekonomik që do t’i sigurojë çdo kombi një jetë të shëndetshme në kohë paqeje për banorët e tij – kudo në botë.

E katërta është liria nga frika – e cila, e përkthyer në terma botërorë, do të thotë një reduktim mbarë-botëror i armatimeve në një pikë të tillë dhe në një mënyrë kaq të plotë sa që asnjë komb nuk do të jetë në gjendje të kryejë një akt agresioni fizik kundër ndonjë fqinji – kudo në botë.

Ky nuk është vizion i një mijëvjeçari të largët. Është një bazë e caktuar për një lloj bote të arritshme në kohën dhe brezin tonë. Kjo lloj bote është vetë antiteza e të ashtuquajturit rendi i ri i tiranisë që diktatorët kërkojnë të krijojnë me përplasjen e një bombe.

Këtij rendi të ri ne kundërshtojmë konceptin më të madh – rendin moral. Një shoqëri e mirë është në gjendje të përballojë pa frikë skemat e dominimit botëror dhe revolucionet e huaja.

Që nga fillimi i historisë sonë amerikane, ne kemi qenë të përfshirë në ndryshim – në një revolucion paqësor të përjetshëm – një revolucion që vazhdon në mënyrë të qëndrueshme, duke u përshtatur në heshtje ndaj kushteve në ndryshim. Rendi botëror që ne kërkojmë është bashkëpunimi i vendeve të lira, duke punuar së bashku në një shoqëri miqësore, të civilizuar.

Ky komb ka vendosur fatin e tij në duart, kokat dhe zemrat e miliona burrave dhe grave të lira; dhe besimin e saj në liri nën drejtimin e Zotit. Liri do të thotë supremaci e të drejtave të njeriut kudo. Mbështetja jonë shkon për ata që luftojnë për t’i fituar ato të drejta ose për t’i mbajtur ato. Forca jonë është uniteti i qëllimit tonë. Për atë koncept të lartë nuk mund të ketë fund përveç fitores.

E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn takohet me Shefin e Shtabit të FA: SHBA, krenare që qëndrojnë me aleatin e NATO-s në mbrojtje të sigurisë së përbashkët

E Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn ka zhvilluar një takim me Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura, Arben Kingji.

 

Gjatë takimit ata kanë diskutuar për modernizimin e Forcave të Armatosura si dhe bashkëpunimin ushtarak mes Shqipërisë dhe SHBA.

Me anë të një njoftimi, ambasada amerikane në vendin tonë thotë se SHBA janë krenare që qëndrojnë me aleatin e NATO-s në mbrojtje të sigurisë së përbashkët.

“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Gjenerallejtënant Arben Kingji për të diskutuar mbi përparësitë tona të përbashkëta për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe forcimin e bashkëpunimit tonë ushtarak. Shtetet e Bashkuara janë krenare që qëndrojnë me aleatin tonë të NATO-s në mbrojtje të sigurisë sonë të përbashkët.”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Prej 5 vitesh në paraburgim në Hagë, Hashim Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzat që lidhen me pengim të drejtësisë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat kundër administrimit të drejtësisë, njoftoi më 7 janar Gjykata Speciale në Hagë.

Hashim thaci

Deklarimin, Thaçi e ka bërë në formë të shkruar të hënën, më 6 janar.

“Pas ftesës së gjykatëses së procedurës paraprake në konferencën për ecurinë e çështjes më 17 dhjetor, Hashim Thaçi u deklarua lidhur me fajësinë në formë të shkruar më 6 janar 2025. Ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykatë Speciale, raportojne mediat ne Kosovë.

Thaçi po akuzohet për herë të dytë nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Zyra e Prokurorisë Speciale e ngarkon atë me vepra që lidhen me ndikimin në dëshmitarë – ndersa ai ndodhet në një proces gjyqësor për krime të pretenduara të luftës.

Më 6 dhjetor 2024, Specialja konfirmoi aktakuzë të re kundër Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së Fadil Fazliut.

Bëhet fjalë për vepra penale që lidhen me pretendime për “të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve” në rastin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë hyrë në vitin e pestë që ndodhen në paraburgim nën pretendimet për krime lufte.

Mosbesimi në institucione na sjell kosto të lartë financiare për votimin nga Diaspora

Nga Nevila Gjata

Parlamenti miratoi në fund të korrikut ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me fokus votën e emigrantëve. Përgjegjësinë e organizimit të procesit të votimit pritet ta mbajë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Para se të votojnë, emigrantët do të duhet të rregjistrohen në një platformë të dedikuar online, (PER) ku secili prej atyre duhet të hapë një llogari personale, më pas të ngarkojë aty dokumentin e identifikimit, një dokument që vërteton qëndrimin jashtë dhe adresën e plotë të banimit.

Fleta e votimit për emigrantët do të niset me postë në momentin kur KQZ-ja të ketë përmbyllur procesin e rregjistrimit të kandidatëve dhe ka prodhuar fletën e votimit.

Aplikacioni për rregjistrimin e emigrantëve (PER) duhet të përfundojë së ngrituri më 11 janar.  Votimi do të realizohet përmes postës.

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi të zhvilluar me emigrantët në Selanik premtoi se qeveria do të paguajë shpenzimet e postës si për dërgimin ashtu edhe për kthimin e fletës së votimit. Një qëndrim i konfirmuar më vonë edhe nga Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i cili në podcast për Faktoje.al tha se nga kontaktet me qeverinë është vlerësuar që të paktën këto zgjedhje shpenzimet t’i paguajë shteti.

Numri i diasporës

Askush nuk ka një përgjigje shteruese se sa emigrantë me të drejtë vote kemi jashtë apo sa priten të votojnë prej tyre në zgjedhjet e 2025. Aktualisht kemi të rregjistruar 10,300 emigrantë. Megjithatë disa përllogaritje të përafërta nga partitë politike po bëhen.

Nga KQZ, po përflitet se zgjedhjet e ardhshme mund të kemi 50 mijë votues potencial.

Të kontaktuar nga Faktoje.al përfaqësues të PS-së (që nuk pranuan të flasin me emër) thanë se nëse numri i të regjistruarve shkon në 200 mijë, atëherë kjo do të vlerësohej si sukses për ta. Nga PD nuk jepet asnjë informacion në këtë drejtim. Aktualisht ajo ka hapur një website ku ata që janë të interesuar nga diaspora mund të rregjistrohen për tu njohur më afër me programin e PD dhe aktivitetet e saj në diasporë

Kostoja

Kërkesa për votimin me postë private nga Partia Demokratike ka reflektuar një kombinim të mosbesimit ndaj teknologjisë dhe institucioneve, si dhe një përpjekje për të siguruar që votimi i diasporës të jetë sa më transparent dhe i besueshëm. Mungesa e besimit tek teknologjia, përvoja e kufizuar tek përdorimi i saj në zgjedhje, vështirësia nga opozita për të monitoruar në mënyrë transparente votimin elektronik si dhe përvoja ndërkombëtare me votimin me postë si një metodë e cilësuar si e besueshme dhe e lehtë për tu verifikuar ka bërë që me konsensus të plotë mes dy partive kryesore, diaspora të votojë këto zgjedhje me postë. Por sa na kushton i gjithë ky skepticizëm tek institucionet, që do të thotë votim (jo elektronik) përmes një shërbimi postar privat?

Kostoja do të jetë varësisht e përcaktuar nga numri i emigrantëve që do të regjistrohen në zgjedhje. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në podcasting për Faktoje.al përcolli një shifër maksimale të kostos.

“…Ne kemi llogaritur përshembull që për 800 mijë votues, kosto e shërbimit postar në dërgim është rreth 40 milionë euro”, tha Celibashi. Edhe për kthimin llogaritet e njëjta kosto. “Shto edhe 40 milionë euro”, vijoi ai.

Vetëm pjesa e aplikacionit, sipas Celibashit, shkon diku tek 2-2.4 milionë euro. Tek kostot për diasporën nuk përfshihen as shpenzimet, që shkojnë për pjesën tjetër të votimit.  “Flasim vetëm për votimin nga jashtë. Pastaj pjesa tjetër e votimit nga brenda shkon te rreth 18 deri në 20 milionë euro”, tha Celibashi.

Duke qenë se shifrat për rregjistrimin e diasporës janë evazive, PS-ja deri më tani ka të qartë koston që mund të ketë një votë, 40-50 euro.

Faktoje.al ka bërë një vlerësim individual duke marrë si referencë postën shqiptare dhe na rezulton se për një zarf me peshë 150 gr me postë ekspres me kthim, destinacioni Itali, në rrugë ajrore, kostoja shkon 4000 lekë.

screenshot e kostos te nje vote

Eksperti i ekonomisë nga qendra ALTAX Eduart Gjokutaj në një përllogaritje për Faktoje.al i është referuar kostos minimale të një dërgese postare që për çdo fletë votimi mund të variojë nga 1 deri në 5 euro, në varësi të destinacionit dhe peshës: “Nëse kemi maksimalisht 100 mijë votues potencialë, kostoja totale mund të shkojë nga 100,000 deri në 500,000 euro. Per 800 mijë votues potencialë, kostoja totale mund të shkojë nga 800,000 deri në 4 milionë euro”.

Sipas Gjokutaj, kostoja e votimit për Shqipërinë mund të variojë shumë.

Gjokutaj vëren se shtetet që kanë diaspora të mëdha, si Greqia, Italia, dhe SHBA, kanë krijuar sisteme të centralizuara për të përballuar kostot me postë.

“Në këtë kuadër, Shqipëria mund të krahasohet me këto shtete dhe besoj se do të përdoren përvojat e tyre për të optimizuar koston dhe logjistikën”, thotë ai.

Gjokutaj nënvizon se, në Buxhetin 2025 është parashikuar shuma 9.4 miliardë lekë në total për zgjedhjet, që përfshin nevojat si në aspektin e funksionimit të institucionit të KQZ për 2025, ashtu edhe për zgjedhjet e vitit 2025.

Në një dalje të fundit për A2 CNN, Celibashi tha se aktualisht janë 5 milion euro të vendosura për koston e shërbimit postar.

Por, sipas Gjokutaj, për të arritur një vlerësim të saktë të kostos, do të ishte e nevojshme të analizoheshin numri i diasporës, distancat gjeografike, dhe investimet e mundshme për të siguruar një sistem të qëndrueshëm dhe të sigurt

“Votimi me shërbimin postar për diasporën kërkon që fletët e votimit të dërgohen dhe mblidhen me postë, që mund të shkaktojë një kosto të konsiderueshme logjistike. Në varësi të numrit të diasporës dhe distancës gjeografike, mund të ketë nevojë për dërgesa ndërkombëtare, sigurim për fletët e votimit dhe kontroll për t’u siguruar që procesi të jetë i sigurt dhe i besueshëm”, thotë ai.

Por sa mund të ishte kostoja nëse votimi do të ishte elektronik? Nga KQZ na u komunikua se kostoja përmes votimit elektronik mund të shkonte diku tek 4 milion euro.

Gjokutaj, në anën tjetër, shpjegon se, “votimi elektronik mund të ketë një kosto më të lartë fillestare për krijimin e infrastrukturës, por mund të ofrojë mundësi për ulje të kostos afatgjatë”./faktoje.al

Marota komenton finalen e humbur kundër Milanit: Mëkat, e doja trofeun e parë si president

Presidenti i Interit, Xhuzepe Marota, ka folur në mikrofonat e “Mediaset”, në kuadër të finales së Superkupës së Italisë kundër Milanit, ndeshje e humbur nga kampionët në fuqi. Sidoqoftë, kreu zikaltër nuk dëshpërohet, edhe pse për të mund të kishte qenë trofeu i parë në rolin e ri.

 

Cilat janë ndjesitë?

Këtë ndeshje e përballuam duke e ditur se është derbi, pavarësisht se jemi mijëra kilometra larg Milanos. Ishte trofeu i parë i sezonit dhe synimi ynë është të fitonim. Për fat të keq nuk ia dolëm.

Sa peshoi mungesa e Turamit?

Jemi Interi dhe kemi një skuadër prej 24 lojtarësh, të cilët na pëlqen t’i përcaktojmë si titullarë dhe bashkëtitullarë. Vlera e Turamit është e lartë, por kushdo që e zëvendëson jep gjithçka. Për më tepër, një skuadër si Interit duhet të varet nga kolektivi dhe jo nga një individ.

Sa ndikon në një finale një trajner i ardhur së fundmi?

Nga pikëpamja motivuese, fitorja ndaj Juventusit u dha shumë motivim. Ky ishte një element i rëndësishëm, por ne menduam për ndeshjen dhe mënyrën për ta përballuar sa më mirë. Fitorja në një finale është gjithmonë në gjysmë të rrugës mes nesh dhe rivalit.

Mund të kishte qenë trofeu i parë si president për ju…

Kjo më emocionoi dhe do të kishte qenë bukur. Të fitoi nuk është e lehtë asnjëherë, por ta bënim këtë do të kishte qenë e këndshme. Përballë kishim një rival dhe nuk arritëm ta kapërcenim.

Odisea e regjistrimit të pronave në Himarë

Në maj, kryeministri Edi Rama vizitoi Himarën dhe bashkë me aleatin e tij socialist Vangjel Tavo shpërndanë 437 certifikata pronësie banorëve me prona të trashëguara.

“Ju falënderoj shumë të gjithëve dhe për 4 mijë shtëpitë do t’i japim certifikatat brenda vitit, brenda vjeshtës madje.”, premtoi Rama në fund të takimit me himariotët.

Rama u rikthye në Himarë me të njëjtin premtim, dy ditë para se himariotët të zgjidhnin Vangjel Tavon si kryetar bashkie në zgjedhjet e pjesshme lokale të 2 gushtit.

Fakt

Ndryshe nga sa premtoi kryeministri, deri në fund të 2024 në Himarë nuk u ndanë 4,000 tituj pronësie për shtëpitë e trashëguara.

Në prag të ndërrimit të viteve, kryeministri ndau certifikata të tjera pronësie në Himarë, por pa e saktësuar numrin e tyre.

“Kemi bërë në 6 muaj pak a shumë, atë që pritej prej shumë e shumë vitesh dhe kemi arritur që gjithë bazën e punës së bërë në kohë e mëparshme, ta shfrytëzojmë për t’i dhënë një ritëm të jaashtëzakonshëm procesit. – u shpreh Kryeministri Rama, në takimin me banorët e Himarës.

Të dhënat e Agjencisë Shtetërore të Kadasrës Vlorë tregojnë se në bashkinë e Himarës nga 2188 dosje gjithsej, 831 janë pa matje. Kjo nënkupton se nuk është kryer verifikimi në terren, pasi nuk janë gjetur pronarët në banesa.

“…për këtë janë njoftuar kryepleqtë e zonave, për të mundësuar njoftimin e aplikuesve”, sqaron ASHK e Vlorës.

Ndërsa në periudhën shtator-dhjetor 2024 janë trajtuar 857 dosje, kundrejt 500 legalizimeve të pesë viteve të fundit. Megjithatë, ecuria e procesit gjatë muajve të fundit nuk mjafton.

“Nuk mund t’ju japim përgjigje për faktin se aplikimet për objektet e ndërtuara para vitit 1991 janë ende të hapura.”, pohon ASHK e Vlorës.

Përfundim

Nisur nga të dhënat e mbledhura, premtimin e kryeministrit Edi Rama për ndarjen4 mijë certifikatave të pronësisë brenda vitit 2024, e kategorizojmë të pambajtur./faktoje.al