22.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

34-vite “Rilindje Demokratike”/ Basha: Liria e medias rrezikohet nga mungesa e sigurisë për gazetarët, presionet politike dhe ekonomike

Në 34-vjetorin e krijimit të gazetës “Rilindja Demokratike”, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, vlerësoi guximin e gazetarëve dhe intelektualëve që sollën fjalën e lirë në Shqipëri, duke hapur një epokë të re për demokracinë dhe shtypin e pavarur.

Në postimin e tij, Basha shpreh shqetësimin për sfidat e lirisë së medias në vend, kërcënimet ndaj gazetarëve, autocensurën dhe mungesën e transparencës nga institucionet.

“Kujtojmë sot domosdoshmërinë e mediave të pavarura për mbrojtjen e së vërtetës, interesit publik dhe të ardhmes demokratike të Shqipërisë” – thotë Basha, duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuojnë në informimin e pavarur.

Postimi i plotë i Bashës:

5 Janari shënon 34 vjet nga dita kur “Rilindja Demokratike” solli për herë të parë fjalën e lirë në Shqipëri, duke hapur një kapitull të ri për demokracinë dhe shtypin e pavarur. Guximi i gazetarëve dhe intelektualëve të asaj kohe mbetet një frymëzim për të gjithë ata që edhe sot besojnë se media e lirë është shtylla e një shoqërie demokratike.

Ndërkohë, liria dhe pluralizmi i medias në vendin tonë rrezikohet: nga mungesa e sigurisë për gazetarët, kërcënimet e pavarësisë editoriale, presionet politike dhe ekonomike, autocensura, deri te mbyllja e dyerve për transparencë nga institucionet. Por, pa një shtyp të pavarur, nuk mund të ketë demokraci funksionale as zhvillim të qëndrueshëm.

Në këtë 34 vjetor të Rilindjes Demokratike, u shpreh respektin dhe mirënjohjen time të thellë të gjithë atyre që kanë kontribuar ndër vite për ta bërë këtë media një tribunë të fjalës së lirë, por edhe gjithë gazetarëve dhe redaksive që vazhdojnë të qëndrojnë në llogore të informimit të pavarur, në shërbim të interesit publik.

Le të jetë kjo ditë një kujtesë e rëndësishme për domosdoshmërinë e mediave të pavarura në mbrojtjen e së vërtetës, interesit publik dhe të ardhmes demokratike të Shqipërisë

 

“Punonte në ndërtim”- Vrasja e Ramazan Matajt, flet xhaxhai i tij: Nipi nuk ka pasur probleme! Është rritur me vështirësi

Naim Mataj, xhaxhai i 33-vjeçarit Ramazan Mataj, ka folur për mediat pas vrasjes së të riut në Dragoç. Ai është shprehur se nipi i tij nuk ka pasur ndonjë konflikt që mund të jetë arsyeja e ekzekutimit të tij.

 

Xhaxhai i Ramazanit tregoi se Ramazani para afro një viti e gjysmë ka qenë në Belgjikë, ndërsa kohët e fundit ka punuar në Malin e Zi nëndërtim.

Po ashtu, ai tregoi se pasi kishin marr vesh ngjarjen mëngjesin e sotëm, policia nuk i kishte lejuar të shihnin trupin e 33-vjeçarit.

Xhaxhai i viktimës, Naim Mataj: Nuk ka asnjë konflikt nipi. Punonte në Malin e Zi si mjeshtër në ndërtim. Para afro një viti e gjysmë ka qenë në Belgjikë, ndërsa kohët e fundit ka punuar në Malin e Zi. Vëllai i tij ndodhet në Belgjikë.

Nuk kanë probleme apo ndonjë konflikt. Janë rritur me vështirësi sepse nuk e kanë pasur gjendjen ekonomike. Nuk është i martuar. Shtëpia nga vendngjarja është rreth një kilometër larg. Policia nuk na la të shihnim kufomën.

Sipas burimeve nga vendngjarja, viktima është qëlluar me automatik kallashnikov duke mbetur i vdekur në vend.

ramazan mataj makina (1)

Autorët dyshohet se kanë vëzhguar lëvizjet e të riut gjatë mbrëmjes së djeshme dhe në momentin që ka dalë në rrugën kryesore të fshtatit, e kanë qëlluar duke e lënë të vdekur.

Një prej fqinjëve ka dëgjuar të shtënat mbrëmë, por për shkak se pranë vendngjarjes ndodhet një lokal dasmash, ka menduar se bëhet fjalë për të shtëna nga dasmorët, duke e mos e ditur se bëhet fjalë për një vrasje.

Ndërkohë, në orët e mëngjesit rastësisht banorët e zonës konstatuan viktimën brenda automjetit, të vrarë me armë zjarri.

Pas verifikimeve nga policia, turpi i të ndjerit është transportuar me ambulancë drejt morgut spitalit të Shkodrës.

dragov mataj

PD protestë përpara SPAK, gazetari: Gabimi që po bën Sali Berisha

Gazetari Lavdrim Lita komentoi protestën e Partisë Demokratike të planifikuar për ditën e hënë, 6 janar, përpara godinës së SPAK.

Lita e cilësoi gabim strategjinë e Berishës për të përdorur partinë në betejë kundër institucioneve të drejtësisë.

Ai theksoi se Berisha dhe PD duhet të përqendroheshin te zgjedhjet, ndërsa rikthimin e masës “detyrim paraqitje”, kryedemokrati mund ta ndiqte përmes avokatëve të tij në rrugë gjyqësore.

“Viti ka nisur me Berishën dhe me dosjen Berisha. Berisha mund ta kishte pranuar dhe të paraqitej dhe të fokusohej te fushata e madhe, ku është interesi i qytetarëve. Ai po përdor Partinë Demokratike, deputetët e PD për të goditur SPAK-un, duke lënë jashtë qytetarët. Qytetarët që thirren për të protestuar përpara SPAK-ut nuk kanë halle me SPAK-un. 95% e qytetarëve nuk kanë asnjë problem me SPAK-un apo gjykatën. Është debat i një partie të madhe dhe po e fut partinë në një debat për të mbrojtur veten. Si do t’i fitojë zgjedhjet duke folur 4 muaj për zgjedhjet? Ai po e përdor partinë si një bunker për të mbrojtur veten dhe familjen e tij”, tha Lita këtë të shtunë në emisionin Review në Euronews Albania.

Debati mbi ndikimin e rrjeteve sociale/ Ka më shumë rëndësi si i përdor, dhe jo sa i përdor

Në debatin e përhershëm mbi ndikimin e rrjeteve sociale në shëndetin mendor, shpesh neglizhohet një aspekt shumë i rëndësishëm: si i përdorim ato. A janë rrjetet sociale mjete për të ndërvepruar dhe komunikuar në mënyrë aktive, apo thjesht mbushës pasivë të kohës së lirë? Kjo diferencë ka rëndësi.

Një studim nga Joint Research Center (JRC), shërbimi kërkimor shkencor i Komisionit Evropian, ka zbuluar një lidhje të fortë midis përdorimit pasiv të rrjeteve sociale dhe ndjenjës së vetmisë dhe shkëputjes.

Teprimi

Të dhënat e studimit janë marrë nga sondazhi EU Loneliness Survey, i kryer mbi pak më pak se 30,000 persona në Evropë. Analiza synonte të eksploronte marrëdhënien e të anketuarve me rrjetet sociale dhe aplikacionet e mesazheve të çastit. Në grupmoshën 16-30 vjeç, rreth 34.5% e tyre raportuan se kalonin më shumë se dy orë në ditë në rrjetet sociale, ndërsa 26.1% thanë se shpenzonin po aq kohë në aplikacionet e mesazheve. Për moshat mbi 31 vjeç, këto përqindje ishin dukshëm më të ulëta: vetëm 13.1% në rrjetet sociale dhe 8.8% në aplikacionet e mesazheve.

Mbi një e treta e të rinjve (16-30 vjeç) shfaqën simptoma të varësisë nga rrjetet sociale, duke përfshirë neglizhimin e familjes, shkollës apo punës për të kaluar kohën online disa herë në javë. Në grupmoshën mbi 31 vjeç, kjo përqindje ishte 12%.

Iluzion

Studimi tregoi se kalimi i më shumë se dy orëve në ditë në rrjetet sociale lidhet me një rritje të ndjeshme të ndjenjës së vetmisë. Arsyeja për këtë mund të jetë e fshehur në mënyrën se si i përdorim ato. Përdorimi pasiv, si shfletimi i përmbajtjeve pa ndërveprime, duket se rrit ndjenjën e vetmisë dhe shkëputjes, duke krijuar një paradoks të hidhur për “rrjetet sociale.”

Përdorimi pasiv nënkupton thjesht shikimin e përmbajtjeve të të tjerëve pa komente, pëlqime apo ndërveprime. Në të kundërt, përdorimi aktiv përfshin postime, komente dhe ndërveprime me të tjerët.

Kjo ndarje ka qenë më parë e lidhur me përvoja emocionale të kundërta: përdorimi aktiv rrit ndjenjën e lidhjes dhe mbështetjes sociale, ndërsa përdorimi pasiv ndikon negativisht, duke nxitur emocione si zilia, depresioni dhe ankthi.

Nga ana tjetër, përdorimi intensiv i aplikacioneve të mesazheve, si WhatsApp apo Messenger, nuk ka rezultuar të ketë lidhje me nivele të larta të vetmisë.

Temë komplekse

Duhet theksuar se lidhjet e zbuluara në studim janë korelacione, jo marrëdhënie shkak-pasojë. Nuk është e sigurt se rrjetet sociale na bëjnë të ndihemi të vetmuar; mund të jetë e kundërta – njerëzit e vetmuar mund të kenë më shumë kohë të lirë dhe të zgjedhin ta kalojnë atë online. Megjithatë, dallimi midis mënyrave të përdorimit të rrjeteve sociale kujton se nuk është vetëm “koha e kaluar online” ajo që ka rëndësi, por edhe cilësia e kësaj kohe. / bota.al

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë: NATO nuk është gati për një luftë brutale në Arktik me Vladimir Putin

NATO nuk është gati për një luftë brutale në Arktik me Vladimir Putin, kanë paralajmëruar analistët.

Pavarësisht stërvitjeve masive të NATO-s në rajon, trupat do të luftojnë për t’i mbijetuar luftës në shkretëtirën e ngrirë, thanë ata, shkruan The Sun.

Minna Alander, një studiuese e lartë e mbrojtjes dhe sigurisë, tha se Finlanda po përgatitet për luftë në shkallë të plotë nëse Putini i hedh sytë drejt Perëndimit.

Mijëra ushtarë të NATO-s kanë marrë pjesë në mënyrë të përsëritur në stërvitjet e luftës në rajon – me stërvitjet më të fundit, të quajtura Fronti Dinamik 25.

Por Ålander tha se trupat nuk janë të përgatitura për të mbijetuar në këto kushte.

Duke folur në një konferencë sigurie në Arktik, ajo tha: “Ne kemi trupa të NATO-s, por a dinë ata si të mbijetojnë në Arktik para se të hyjnë në luftime?

“Edhe SHBA-ja nuk ka domosdoshmërisht atë që duhet për sa i përket trajnimit bazë të trupave dhe mënyrës se si ju kryeni operacione normale në këto rrethana specifike.

“Jo të gjithë aleatët e NATO-s kanë aftësitë që nevojiten dhe që funksionojnë në mjedisin dhe klimën e Arktikut. Ka kërkesa shumë specifike për gjëra të thjeshta kur është shumë ftohtë. Nuk mund të bësh operacione ekspeditash me trupa pa bazën e duhur – sepse do të vdesësh nga shkaqe natyrore”.

Napoli në krye, Amir Rrahmani: Meritat i takojnë Kontes, akoma herët të flas për titullin

Napoli fitoi me rezultatin 0-3 përballë Fiorentinës. Tri pikë që e ngjisin skuadrën e Kontes në krye të Seria A.

Pas ndeshjes foli për “Dazn”, Amir Rrahmani. Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës i dha meritat kryesore Kontes, ndërsa u tregua i kujdesshëm ndërsa foli për titullin kampion.

“Kemi luajtur një ndeshje të madhe nga fillimi. Krijuam, por pasimi final mungonte dhe më pas golat erdhën. Meritat i shkojnë trajnerit tonë.

Ne lëvizim më shumë në alternative të ndryshme dhe kushdo nga ne mund të jetë i rrezikshëm përpara.

Është shumë herët për të folur për titullin, jemi akoma në gjysmën e kampionatit. Duhet të shikojmë në ndeshjen e radhës, ka shumë të vështira përpara nesh”, u shpreh Rrahmani.

Pesë ndryshime të vogla në dietën tuaj që do të rrisin menjëherë energjinë tuaj

Ndiheni shpesh të lodhur në punë, pavarësisht se keni pushuar mirë dhe konsumuar mjaftueshëm ujë? Dieta juaj mund të jetë një ndër shkaqet e energjisë së ulët.

Ndryshimet e vogla në vakte mund të kenë ndikim të madh në energjinë dhe shëndetin tuaj të përgjithshëm.

Sipas dietologes Dolores Woods nga Shkolla e Shëndetit Publik UTHealth Houston, ndryshimet e menaxhueshme janë çelësi i një jete më të shëndetshme dhe energjike.

Një studim i publikuar në Nature Food në vitin 2021 tregon se zëvendësimi i vetëm 10% të kalorive ditore nga mishi i përpunuar me ushqime më ushqyese, si frutat, perimet, dhe peshku, jo vetëm që mund të zgjasë jetën, por edhe ta bëjë atë më të shëndetshme.

Ja disa këshilla për të përmirësuar dietën tuaj:

1. Shtoni proteina në mëngjes

Proteinat ndihmojnë në mbrojtjen e muskujve dhe rrisin ngopjen. Përfshini vezë, gjizë ose gjalpë arrash në mëngjesin tuaj për energji gjatë gjithë ditës.

2. Hani perimet fillimisht

Perimet me gjethe si brokoli dhe lakrat e Brukselit ndihmojnë shëndetin e trurit dhe tretjen. Filloni vaktin tuaj me zarzavate për të maksimizuar përfitimet ushqyese.

3. Rritni konsumimin e frutave dhe perimeve

Çdo frut dhe perime shtesë ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Përzieni zarzavate në supa, sanduiçe ose makarona për të shtuar lëndë ushqyese.

4. Zëvendësoni drithërat e përpunuara me ato integrale

Drithërat integrale, si quinoa ose hikërrori, përmirësojnë shëndetin e zemrës dhe stabilizojnë nivelin e sheqerit në gjak.

5. Kombinoni ëmbëlsirat me ushqime të shëndetshme

Shoqëroni ëmbëlsirat me fruta, arra ose humus për të ngadalësuar lirimin e sheqerit në gjak dhe për të shmangur rënien e energjisë.

Me këto ndryshime të vogla, mund të ndiheni më energjikë, të përmirësoni shëndetin dhe të shmangni lodhjen e panevojshme gjatë ditës.

Raporti i UNESCO, Pampuri: Shqipëria me përkeqësim në arsim për shkak të buxhetit të ulët të qeverisë

Deputetja e Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Orjola Pampuri, ka reaguar në lidhje me raportin e UNESCO, sipas të cilit Shqipëria po përballet me përkeqësim në arsim dhe ka nevojë urgjente për financim.

Sipas Pampurit, situata është alarmante, me Universitetin e Tiranës që renditet ndër më të ultit në rajon për kërkimet dhe botimet shkencore. Ajo fajëson qeverinë me buxhetin e ulët për arsimin, i cili në vitin 2021 ishte vetëm 3.1% e PBB-së, më të ulëtin në Ballkan.

Deputetja thekson se pagat e ulëta të pedagogëve, mungesa e teksteve të përditësuara dhe fondet e pamjaftueshme për kërkimin shkencor po çojnë në largimin e të rinjve dhe pedagogëve jashtë vendit.

Postimi i plotë i Orjola Pampuri:

Sipas një raporti të UNESCO; ‘Shqipëria ka një përkeqësim në arsim, dhe ka nevojë urgjente për financim’.

Dhe ky tashmë është fakt, të cilin e kemi vënë në dukje prej kohësh, madje, para thuajse dy viteve Universiteti i Tiranës, rankohej ndër të fundit krahasuar me vendet fqinj, sa i përket numrit të kërkimeve dhe botimeve shkencore.

Në fakt, e gjitha kjo jo për faj të stafit as të menaxhimit, por i vetmi problem mbetet buxhetimi i ulët për kërkimin shkencor, buxhetimi i ulët për rinovimin e teksteve të cilat shpesh i sheh të përdoren ato të para shumë viteve duke parë që në shumë fusha, shkenca, kërkimet shkencore ecin përpara, dhe brezat duan e duhet të përfshihen me të rejat e fundit, e ku më mirë se në auditorët e universiteteve mund të njihen me to.

Por që të arrihen të gjitha këto duhet më shumë buxhet për arsimin. Sipas UNESCO, shpenzimet e qeverisë për arsimin ne vitin 2021 ishin 59.1 miliardë lekë, pra sa 3.1% e PBB, niveli më i ulët krahasuar me vendet fqinje.

Pagat e stafit akademik, tepër të ulëta krahasuar me punën, dhe rolin që duhet të kenë në kërkim shkencor dhe edukim në vazhdim, përfshirje në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, gjë që as nuk mendohet të përballohet me të ardhurat si akademikë.

Pra përkeqësimi i arsimit, drejtpërdrejtë çon në largimin e të rinjve për të studiuar e punuar jashtë vendit, por njëkohësisht largimin e pedagogëve, pjesë e rëndësishme e shtresës së mesme, si tejet të demotivuar nga kushtet që u ofrohen në vendin e tyre krahasuar me kontributin e vyer që japin e kanë dhënë ndër vite.

Një qeveri që ka prioritet bandat për të sjellë deputetë në parlament, korrupsionin për të pasuruar veten, miqtë e për të larguar elitat, as nuk mund të mendohet që arsimin do ta kenë mdonjëherë prioritet, përveç rasteve kur për show inaugurojnë ndonjë fasadë.

2025-a, një vit vendimtar për të ardhmen e Evropës

Nga Ettore Sequi /

2024-a ishte viti i konflikteve, në të cilin u rënduan më tej krizat që ekzistonin tashmë, teksa shpërthyen kriza të reja, duke na vënë përballë një bote të fragmentuar dhe në kaos. Kësisoj kalimi në vitin 2025, ndodhi në një kontekst që po ndryshon me shpejtësi.

Krizat po shumëfishojnë dhe forcojnë njëra-tjetrin, duke gërryer paradigmat tradicionale në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vitin e kaluar pamë që ndërvarësia – energji, tregtare, teknologjike dhe ushqimore – u shndërrua gjithë e më shumë në një instrument konflikti.

Sot lufta nuk është më vetëm një ngjarje e jashtëzakonshme, por një gjendje e përhapur, e cila shprehet përmes konflikteve të armatosura tradicionale, por edhe përplasjeve ekonomike, sulmeve kibernetike dhe fushatave të keqinformimit.

Këtë na e kujtojnë çdo ditë kronikat e lajmeve. Pra sot po jetojmë në “epokën e mungesës së paqes”, pra periudhën e një paqeje “të shpërbërë”, në të cilin konflikti rritet, dhe ku shfaqen në forma të reja, në një ekuilibër të brishtë dhe të pasigurt ndërvarësish.

Shtetet e Bashkuara, një fuqi hegjemonike historike, përballet me ambicien dhe agresivitetin në rritje të Kinës dhe Rusisë, por dhe me ngritjen e aktorëve të rinj, që synojnë të krijojnë një rend ndërkombëtar të ndryshëm nga ai aktual që udhëhiqet nga Uashingtoni.

Lufta në Ukrainë, ka vazhduar të dobësojë sigurinë evropiane dhe globale. E dobësuar nga sanksionet dhe nga një konflikt më i gjatë, më i përgjakshëm dhe më rraskapitës nga sa pritej, Rusia i ka forcuar lidhjet e saj me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut, duke formuar një bllok informal shtetesh gjithnjë e më agresive.

Ndërkaq, po rriten tensionet në rajonin e Indo-Paqësorit, sidomos në Detin e Kinës Jugore dhe pranë Tajvanit, që mbetet një “vijë e kuqe” për SHBA-në dhe Kinën, por edhe një vatër e nxehtë që mund të shpërthejë nga çasti në çast.

Lindja e Mesme vazhdon të sfilitet nga konflikte kronike, të cilat po përshkallëzohen në një trajektore gjithnjë më tragjike, dhe ajo rrezikon që të largohet në mënyrë të pakthyeshme nga aspirata e palestinezëve për të pasur edhe ata një ditë shtetin e tyre.

I dobësuar seriozisht nga shpërbërja e boshtit anti-izraelit të “rezistencës” dhe duke u përballur me një krizë serioze të brendshme, Irani po tundohet të pajiset me armë bërthamore. Turqia, arkitektja në gjysmë-errësirë e dëbimit të Bashar Al-Assad nga Siria, e ka forcuar ndjeshëm ndikim e saj në rajon, duke ushqyer aspiratat e tij për një projekt neo-osman.

Viti që shkoi, shënoi edhe një kufi të ri në konkurrencën globale, garën për supremacinë teknologjike: teknologjitë më jetike, gjysmëpërçuesit dhe mikroprocesorët, zemra rrahëse e ekonomisë dixhitale, janë bërë objekt i konkurrencës së fortë gjeopolitika, ashtu si Inteligjenca Artificiale, “guri filozofik i mijëvjeçarit të ri”.

Ardhja e presidencës së dytë të Trump, mund të ndikojë në një përshpejtim të mëtejshëm të këtyre dinamikave. Politikat e shpallura të proteksionizmi amerikan dhe pritshmëritë mesianike që ka nxitur Trump gjatë fushatës së tij elektorale, me premtimin e zgjidhjes së krizave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, mund t’i lënë shumë shpejt vendin tensioneve të reja ndërkombëtare.

Njëkohësisht, Evropa vazhdon të ngrejë pyetje mbi të ardhmen e saj, por dhe mbi aftësinë për të forcuar një autonomi strategjike ende të papërfunduar. Bashkimi Evropian, gjendet në një moment kritik tranzicioni, i ndarë mbi shumë çështje themelore, nga menaxhimi i krizës së migracionit, politikat energjetike dhe të mbrojtjes, deri tek marrëdhëniet me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

Këtë vit, Komisionit të BE-së do t’i duhet të përballet me sfidën për t’u dëshmuar si një aktor autoritar në një botë gjithnjë e më të polarizuar. Në të kundërt, Evropa rrezikon të shndërrohet në një fushëbetejë midis interesave të kundërta.

Pa një kohezion më të madh të brendshëm, ambiciet globale të bllokut do të mbeten deklarata parimore boshe. Në këtë fazë tranzistore shumë të trazuar, diplomacia mbetet një mjet i domosdoshëm. Megjithatë, ajo do të duhet të përshtatet me një botë, në të cilën Azia, Afrika dhe Amerika Latine aspirojnë të jenë protagoniste të një rendi të ri botëror.

Për këtë arsye, viti 2025 premton të jetë vendimtar për trajtimin e krizave të trashëguara, dhe për t’i paraprirë atyre që po shfaqen në horizont. Lufta në Ukrainë, ri-rregullimi gjeopolitik në Lindjen e Mesme, tensionet në Indo-Paqësor dhe konkurrenca teknologjike, do të diktojnë të ardhmen e rendit global.

Gjithsesi, këto kriza nuk duhet që të na largojnë nga prioritetet afatgjata: ndryshimet klimatike, menaxhimi i migracionit, lufta kundër varfërisë dhe rregullimi i veprimtarisë së Inteligjencës Artificiale. Mënyra se si do t’i trajtojnë këto sfida qeveritë dhe publiku, do të jetë një test mbi aftësitë e komunitetit ndërkombëtare për të menaxhuar në një mënyrë të përgjegjshme ndërvarësitë e saj.

Ky është leksioni që duhet të mësojmë në epokën e paqes së prishur. Siç na paralajmëroi dikur Arnold Toynbee: “Ndëshkimi më i madh për ata që nuk janë të interesuar mbi politikën, është të qeverisen nga ata që janë të interesuar vetëm për pushtetin!”. Ky paralajmërim, po vlen më shumë se kurrë për gjeopolitikën, dhe është më i rëndësishëm se asnjëherë për t’u kuptuar./ “La Stampa”

Drejtësia në fokus: Kërkohet gjykimi i akuzuarve për ndikim në çështjen “Toyota Auris”

Nga Edmond Hoxhaj

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të shtunën më 4 janar përfundimin e hetimeve paraprake ndaj ish-kreut të Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka dhe tre të pandehurve të tjerë të akuzuar për ushtrim ndikimi në katër çështje penale që lidhen me dosjen e “Toyota Auris”, një hetim pasuror të Suel Çelës dhe tre çështje të tjera. Dosja penale në ngarkim të Zarkës, ish-oficeres së policisë gjyqësore Eriona Daupaj, avokatit Radovan Çela dhe biznesmenit Astrit Vladi është dërguar në gjykatë për tu kaluar për gjykim, ndërkohë që është ndarë çështja për të hetuar në vijim prokurorët, gjyqtarët apo funksionarët e drejtësisë që dyshohet se lehtësuan akuzat për këto dosje. Hetimet për këtë çështje u nisën bazuar në të dhënat e administruara nga aplikacionet SKY ECC.

Sipas prokurorisë, është provuar fakti se katër të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë; kanë pranuar premtime dhe përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë; kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë; si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.

Në kohën e kryerjes së veprimeve të kundraligjshme, Zarka ka qenë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Vlorës, e pandehura Eriona Daupaj ka qënë në funksionin e oficeres së policisë gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krime të Rënda dhe më pas në SPAK, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qenë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasve Alfred Vladi e personave të tjerë.

Sipas SPAK, prokurori Zarka dhe personat e tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm për tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme – çështje të cilat lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve.

Interesi kryesor lidhej me çështjen penale të njohur publikisht si “Toyota Auris”, e cila u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018 të 3.4 milionë eurove të thata të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.

Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan fillimisht Klevi Cani, Edi Lika dhe Alban Mollaymeri dhe u akuzuan kushërinjtë Elvis Vladi dhe Alfred Vladi. Astrit Vladi është vëllai i Elvis Vladit.

Hetimet e atëhershme dështuan të provonin se trafiku i parave përmes makinave të përdorura ishte pjesë e një skeme të pastrimit të parave. Një investigim i mëparshëm i BIRN gjeti se si prokuroria dhe më pas gjykata pranuan si provë alibinë e të akuzuarve – duke e çuar çështjen përfundimisht në gjykatë për veprën penale të “modeklarimit të të hollave në kufi”.

Sipas SPAK, prokurori Zarka në bashkëpunim me Erjona Dautin, Astrit Vladin dhe Radovan Çelën kanë ushtruar ndikim të paligjshëm përgjatë viteve 2018-2020 për katër çështje penale që lidheshin me të pandehurit Elvis Vladi, Alfred Vladi dhe Alban Mollaymeri.

Një tjetër çështje ku dyshohet se është ushtruar ndikim lidhet me hetimin pasuror ndaj Suel Çelës në shkurt 2020 nga Prokuroria e Posaçme – një personazh i akuzuar për përfshirje në krim të organizuar në Elbasan dhe i shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasje.

Tre çështjet e tjera penale ku dyshohet se është ushtruar ndikim i paligjshëm u hetuan nga Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Vlorës.

Aurel Zarka akuzohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm 3 herë, nga të cilët 2 herë në bashkëpunim. Po ashtu, ai akuzohet se ka kryer korrupsion aktiv e pasiv. Ish-oficerja e policisë gjyqësore, Eriona Daupaj akuzohet se ka kryer ushtrim ndikimi 4 herë, nga të cilët në 2 raste e ka realizuar në bashkëpunim. Ajo akuzohet dhe për zbulim të akteve e të dhënave sekrete dhe korrupsion pasiv në 2 raste.

Avokati Radovan Çela akuzohet për ushtrim ndikimi të paligjshëm në 5 raste, kur 4 herë ka vepruar në bashkëpunim, ndërsa Astrit Vladi akuzohet se ka kryer 4 herë ushtrim ndikimi të paligjshëm në bashkëpunim dhe korrupsion aktiv.

Në njoftim thuhet se më 26 dhjetor, prokurorët kanë vendosur ndarjen e çështjes penale dhe vijimin e hetimeve lidhur me prokurorët, gjyqtarët e funksionarët e tjerë të drejtësisë që përmenden në bisedat e të pandehurve. Sipas prokurorisë, veçimi i akteve ka të bëjë me një sërë komunikimesh të kryera nga të pandehurit për rrethanat e çështjeve ku kanë ndikuar, si edhe në lidhje me biseda që kanë të bëjnë me fakte dhe rrethana të tjera që kanë dalë gjatë veprimeve hetimore.

Konkretisht, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat e kryera nga të pandehurit dhe personat e tjerë, në përmbajtjen e të cilave përmenden prokurorë, gjyqtarë e funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë, për të cilët pretendohet se kanë kërkuar apo kanë marrë përfitime të parregullta.

Nga bisedat dhe komunikimet e administruara janë konstatuar të dhëna se edhe persona të tjerë mundet të kenë kryer ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj prokurorëve, gjyqtarëve apo funksionarëve të organeve të tjera të drejtësisë. Po ashtu, janë ngritur dyshimet se mundet të jenë kryer veprime që përmbajnë elementë të veprave të tjera penale./ BIRN