15.3 C
Tirana
E hënë, 12 Maj, 2025

Skandal/ Tenderi 350 mijë dollarë që burri i Spiropalit i dha vëllait të Spiropalit

Një trekëndësh biznesi ndërmjet Salarjon Totaj (bashkëshorti i Spiropalit), Enkli Spiropalit (vëllai i Spiropalit) dhe Marjus Memushajt (krushku i Spiropalit) ka shënuar ndoshta një prej skemave më arbitrare të konfliktit të interesit me tenderat bazuar në disa dhjetëra dokumente të hetuara ekskluzivisht nga BoldNeës.al. Të paktën 350 mijë dollarë është shifra e përfitimeve që ka realizuar ky trekëndësh, që tabanin e vet e ka të mbështetur në karrierën politike të zonjës Spiropali.
Por le ta nisim nga fillimi këtë histori.
Elisa Spiropali ishte një prej dy drejtoresha beqare, të cilave kryeministri Edi Rama u besoi drejtoritë më të rëndësishme fiskale shqiptare, menjëherë pasi mori mandatin e tij të parë, pas zgjedhjeve të vitit 2013.
Sot, Elisa Spiropali ka ecur shumë në karrierë. Ajo u emërua pak kohë më parë në postin e Ministres së Shtetit dhe qëndron në krahun e majtë të Kryeministrit Edi Rama në ulëset e Parlamentit.
Spiropali, bashkëpunëtore e ngushtë e Erion Veliajt në organizatën “Mjaft” iu bashkua ekipit të Edi Ramës në postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave. Zgjedhja e saj u pa me shumë skepticizëm, si nga qytetarët, por edhe nga vetë socialistët, për shkak të moshës, përvojës dhe lidhjeve të pakta me Partisë Socialiste.
Megjithë skepticizmin, Spiropali e mori me zell detyrën e re. Ajo angazhoi strukturat e hetimit doganor për të nisur një valë kontrollesh, sidomos ndaj biznesit të madh, me argumentin zyrtar për të luftuar kontrabandën dhe informalitetit. Kundërshtarë të saj, por edhe biznesmenë të ndryshëm flisnin se fushata kundër kontrabandës, ishte më shumë një fushatë “gjobvënieje”.
Por, përtej akuzave publike apo nën zë, Elisa Spiropali nuk u përball asnjëherë me organet e drejtësisë.

Paralelisht me zhvillimet pozitive në karrierën zyrtare, Elisës po i ecnin mbarë punët edhe në aspektin personal. Ajo ishte një prej atyre vajzave, tek e cila shprehja “me fat në punë, pa fat në dashuri” nuk qëndron.
Spiropali u emëruar nga Edi Rama si drejtuese e Doganave për shkak të statusit të saj civil, beqare. Megjithatë, njerëz pranë saj e dinin se ajo kishte një lidhje të qëndrueshme disa-vjeçare me një djalosh me origjinë nga Tepelena, por që familja e tij kishte vite që jetonte në Fier, Salarjon Totaj.
Elisa dhe Salarjoni janë njohur në ditët e vështira të grevës së urisë që Partisë Socialiste zhvilloi në vitin 2010. Thonë që “dashuritë e lindura në kushte ekstreme nuk i qëndrojnë kohës”. Sërish Elisa është një prej atyre vajzave, e cila i thyen këto klishe.
Lidhja e tyre u forcua më shumë pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste. Salarjoni, si shpërblim për angazhimin e tij politik, emërohet Drejtor i Ujësjellësit të Fierit, një institucion shumë i rëndësishëm në një prej qyteteve më të mëdha të Shqipërisë.
Këto ishin lëvizjet publike të çiftit të pa-zyrtarizuar Spiropali-Totaj. Ndërkohë, edhe familjarët e tyre kishin nisur të lëviznin, për të siguruar benefitet nga pushteti i ri.
Në Gusht 2013, pak javë para se Elisa të merrte postin e premtuar të Drejtoreshës së Doganave, vëllai i saj mendon që t’i hyjë botës së biznesit.
Vëllai dhë krushku
Enkli Spiropali, një djalosh 25-vjeçar që pëlqente jetën e Bllokut, një ditë të bukur del nga Tirana dhe regjistrohet si biznesmen në Fier. Kompania e emërtoi “Solomon Constuction” dhe kishte për objekt “Import-eksport të artikujve industrialë dhe ushqimorë, makineri dhe materiale ndërtimi”.

Kapitali fillestar i “Solomon Construction” ishte 100 mijë lekë të reja dhe dukej e paqartë se ku do të gjendeshin fondet për të vënë në lëvizje këtë sipërmarrje të madhe.
Skema Totaj-Spiropali vendoset menjëherë në lëvizje. Në 27 Mars 2014, kompania e Enklit shpallet fituese e një tenderi të zhvilluar nga Ujësjellësi i Fierit, me vlerë 6.6 milionë lekë të reja për “Blerje materiale për ofiçinë”.
Organizatorët e kësaj skeme e kishin të qartë që ky tender mund të ishte fundi i shpejtë për të gjithë, pasi mund të përballeshin me pasoja ligjore. Ndaj morën menjëherë masat për të fshehur gjurmët. Vetëm 4 ditë pasi Enkli Spiropali fitoi tenderin ai vendos të shesë kompaninë e tij.
Por edhe ky operacion i shitjes ishte menduar me kujdes. Paratë e fituara në tenderin nuk duhet të largoheshin nga duart e atyre që e organizuan. Dhe zgjidhja u gjet shumë shpejt.
Më 1 Prill 2014, Enkli Spiropali i shet kompaninë një bashkëmoshatari të tij nga Frakulla e Fierit, Marjus Memushaj. Pronari i ri i kompanisë “Solomon” ishte një njeri i besuar i Salarjon Totës, kushëriri i dytë i tij. Babai i Salarjonit dhe babi i Marjusit janë djalë halle-djalë daje me njeri-tjetrin.
Skema e shitjes së kompanisë funksionoi. Askush nuk mund të dyshonte në lidhjen ndërmjet Salarjon Totaj dhe Marjus Memushaj, për shkak të mbiemrave të ndryshëm.
Marjus Memushaj pagoi për kompaninë “Solomon” 100 mijë lekë, aq sa ishte vlera që Enkli Spiropali e kishte regjistruar biznesnin e tij në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Ndërkohë, blerësi i ri mori bonus edhe tenderin 6.6 milionë lekë. I cili, nuk ishte i vetmi që “Solomon Construction” ka fituar nga Ujësjellësi i Fierit, që drejtohej nga Salarjon Totaj.
Në 8 Janar 2015, “Solomon Construction” fiton tenderin e organizuar nga Ujësjellësi i Fierit, për “Blerje elektromotori pompe”, me vlerë 700 mijë lekë,

Në Prill 2015, kompania “Solomon Construction” fiton tenderin e zhvilluar nga Ujësjellësi i Fierit për “Blerje materiale ndërtimore” me vlerë 4.4 milionë lekë të reja;
Në Qershor 2015, “Solomon” fiton tenderin e zhvilluar nga Ujësjellësi i Fierit për “Blerje materiale ofiçine”, me vlerë 6.3 milionë lekë të reja;
Në Janar 2016, kompania “Solomon” përfiton nga Ujësjellësi i Fierit shumën 1.2 milionë lekë të reja, si shtesë e kontratës për blerje materiale ofiçine.
Në Maj 2016, “Solomon” fiton tenderin e Ujësjellësit të Fierit për riparimin e elektromotorëve dhe pompave. Vlera e tenderit ishte 7.4 milionë lekë të reja.
Po në Maj 2016, kompania “Solomon” fiton edhe një tender tjetër të zhvilluar nga Ujësjellësi i Fierit për “blerje materiale ofiçine”. Vlera e tenderit ishte 6.7 milionë lekë të reja.
Në Shtator 2016, kompania “Solomon” merr edhe një fond prej 1.4 milionë lekë nga Ujësjellësi i Fierit, si shtesë kontrate për riparimin e elektromotorëve dhe transformatorëve”.
Kërkimi i “Boldneës.al” për tenderat e zhvilluar nga Ujësjellësi i Fierit përfundon në këtë periudhë. Në Shtator 2016, Salarjon Totaj largohet nga drejtimi i këtij institucioni.
Ai u largua, pasi i kishte siguruar kompanisë së kushëririt të tij, Marjus Memushaj të fitonte tendera në vlerë totale prej rreth 35 milionë lekë (350 mijë USD) në rreth dy vjet.
Një vëzhgim në regjistrin e prokurimeve publike tregon se kompania “Solomon” ka fituar dhe disa dhjetëra tendera të tjerë në institucione të ndryshme publike, çka shton dyshimet se influenca politike e zonjës Spiropali ka funksionuar gjithandej, por implikimi në ujësjellësin e Fierit, është gjurma që kryqëzon trekëndëshin ndërmjet bashkëshortit, vëllait dhe krushkut të saj.

“Boldnews.al”

Basha me aletatët: Nuk e njohim më Ramën Kryeministër të shqiptarëve

Opozita e bashkuar ka marrë sot një nga vendimet më të forta politike. Pas vendimit për djegien e mandateve, Basha dhe aleatët kanë deklaruar para mediave se opozita nuk e njeh më Ramën si Kryeministër të shqiptarëve.
“E gjithë opozita ka marrë një vendim për djegien e mandateve, duke iu bindur urdhrit të sovranit pas protestës mbarëkombëtare të 16 shkurtit. Çdo gjë tjetër thuhet për të devijuar të vërtetën se Edi Rama është kapur si hajduti i zgjedhjeve. Ai nuk është më kryeministri i shqiptarëve”, tha Basha pas takimit me krerët e opozitës.
DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE PAS TAKIMIT ME ALEATËT
Pyetje: Cili është komenti juaj mbi deklarimet e kryeministrit se opozita po luan bllofin me mandatet, pasi, nëse ajo do ta kishte seriozisht, do duhej t’i digjte që sot mandatet dhe jo të përfshihej në teknikalitete
Lulzim Basha: Mos humbisni kohë me budallalliqet e një njeriu të ç’ekulibruar. Sot ka ndodhur një akt i paprecedentë në historinë 28 vjeçare të pluralizmit. E gjithë opozita ka marrë një vendim për t’iu bindur urdhrit të qytetarëve shqiptarë, që u derdhën me trajtën dhe formën e sovranit në protestën mbarëkombëtare të 16 shkurtit. Të tjerat janë budallallëqe për të devijuar të vërtetën. E vërteta është kjo: Edi Rama nuk është më kryeministri i shqiptarëve. Është kapur nga prokuroria shqiptare dhe demaskuar nga Zëri i Amerikës si hajduti i zgjedhjeve të 2017-s. Parlamenti nuk është legjitim dhe ky është shkaku për pasojat që mblodhën qytetarët në shesh.

Këto pasoja janë reale. Është papunësia, është varfëria e ulur këmbëkryq nga qendra e Tiranës e deri në skajin më të largët, keq e më keq. Është kolapsi total i sistemit arsimor, përfshirë atë universitar, është gjendja e shëndetësisë shqiptare… Është pra ekonomia, kriza sociale, emigracioni, që po zbraz Shqipërinë dhe këto probleme kërkojnë zgjidhje. Edi Rama nuk mund t’i japë këto zgjidhje për arsyen e thjeshtë se ai dhe qeveria e tij janë produkt i bashkëpunimit me krimin dhe me oligarkët. Janë të kapur nga krimi dhe oligarkët dhe u shërbejnë vetëm krimit dhe oligarkëve. Asgjë tjetër nuk e shpjegon se pse, pasi është kapur duke vjedhur 30 milionë euro tek Unaza, me një kompani që nuk ekziston, nuk shkon askush në burg. Asgjë tjetër nuk e shpjegon sesi mund të zhvendoset Lumi i Lanës, pak më tutje, për të mbrojtur pronën e një trafikanti droge, me projekt 60 milionë euro, dhe askush nuk penalizohet. Ky është një shtet i kapur nga krimi. Ky nuk është shteti që shqiptarët duan, ky nuk është shteti që shqiptarët meritojnë. Dhe këtë shqiptarët e treguan me protestën më të madhe në Shqipërinë më të rrudhur demografikisht në 28 vite.
Ndaj, ju ftoj të mbani vëmendjen, sepse keni edhe ju një përgjegjësi të madhe, tek ky moment kyç i historisë tonë, që është mbi të gjitha një moment bashkimi, vetëdijësimi dhe qëndrese. Do të ketë një të ardhme për shqiptarët dhe kjo e ardhme nuk i përket as krimit, as oligarkëve, as pupacëve të tyre në parlament e në qeveri. U përket shqiptarëve të ndershëm, u përket njerëzve punëtorë të këtij vendi dhe fëmijëve të tyre dhe ne jemi të vendosur t’i prijmë betejës për t’ua dhënë këtë të ardhme Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Në protestën e opozitës edhe drejtorët e Veliajt, hakmerret duke i shkarkuar

Kryetari i Bashkisë sëTiranës Erion Veliaj ka vendosur që të shkarkojë nënkryetaren e bashkisë Kozeta Mesiti e propozuar nga rradhët e PDIU-së.
Burimet nga Bashkia e Tiranes shprehen se veç Mesitit u shkarkua edhe drejtori i tregjeve, Sokol Hysa, po ashtu i propozuar nga radhet e PDIU.
Shkak për ketë dyshohet se ishte pjesmarrja e Hysës dhe Mesitit në protestën e organizuar nga opozita me datë 16 shkurt, ku sipas bashkisë ishte e dhunshme.
Mesiti dhe Hysa ishin ende ne Bashki pas koalicionit ne zgjedhjet e 2015. Shkarkimi i tyre ka ardhur qe ne orët e para të mëngjesit, firmosur nga kryebashkiaku Veliaj.

Lubonja mbështet djegien e mandateve: Të rrethohet Prokuroria, Rama e keqja e vendit

Analisti i njohur Fatos Lubonja ka mbështetur vendimin e PD dhe opozitës për lënien e mandateve. I ftuar në News 24, Lubonja theksoi se opozita nuk mund të jetë fasadë e këtij rregjimi autokratik. Ai theksoi se me lënien e mandateve deligjitimohet më shumë dhe demaskohet para ndërkombëtarëve kjo Shqipëri që Rama e paraqet si demokraci.
Lubonja tha se në këtë mënyrë, çështja del jashtë këtyre ambasadorëve të korruptuar që kemi këtu dhe ndërgjegjëson faktorin ndërkombëtar.
“Kemi nje regjim autoritarist qe kerkon te kape gjithe institucionet. Opozita nuk mund te jete fasade e ketij regjimi autokratik, kete la te kuptohet edhe Basha.
Me lenien e mandateve delegjitimohet me shume dhe demaskohet para nderkombetareve kjo lloj Shqiperie qe paraqitet nga Rama si demokraci. Ne kete menyre ceshtja del jashte ketyre ambasadoreve te korruptuar qe kemi ketu dhe ndergjegjeson faktorin nderkombetar.
Rama eshte e keqja kryesore qe e ka cuar vendin ne kete situate”, u shpreh Lubonja.
Lubonja është i mendimit se, djegia e mandateve nuk është rruga e vetme për rrëzimin e Edi Ramës.
Gjatë një intervite për News 24, Lubonja u shpreh se, e keqja më e madhe e vendit është kryeministri Rama dhe se duhet të rrethohet Prokuroria e Krimeve të Rënda tashmë.
“E keqja kryesore e këtij vendi është Rama, ai i poshtëron çdo ditë, ju thotë deputetëve të opozitës se janë qenë që lehin, pra për të je i vrarë, i papërfillur. Në këtë situatë jemi përballë të panjohurave, ndaj unë shkoj në prokurori dhe ju rrethoj zyrat, se i kanë provat për vjedhjen e votave në zgjedhje. Çfarë ndodh në botë? Në një rast të tillë kryeministrit i hapet një proces për vjedhje votash dhe le të thotë ky pastaj Dako do zgjidhet prapë se këto të përgjimeve janë veç llafe. Unë rrethoj Prokurorinë dhe nuk e lë këtë të dalë pa e marrë një vendim. S’ka nevojë fare të reflektojë Rama, shkoj atje e rrethoj Prokurorinë”, u shpreh Fatos Lubonja.

Zëri i Amerikës: Opozita e bashkuar në djegien e mandateve, kërkohen zgjedhje të lira

Në Shqipëri, grupi parlamentar i Partisë Demokratike iu përgjigj sot unanimisht propozimit të Kryetarit të partisë Lulzim Basha për djegien e mandateve të deputetëve. Këtij vendimi iu bashkuan dhe aleatët e tjerë të partive të vogla të së djathtës, dhe në mbrëmje edhe Lëvizja socialiste për Integrim, forca e dytë më e madhe e opozitës
“Duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare, vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të Partisë Demokratike në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017”, njoftoi zoti Basha në përfundim të një mbledhjeje të gjatë të Grupit parlamentar të partisë së tij, i cili i dha mbështetje propozim të bërë nga ai një ditë më parë.
Kryetari demokrat pati pasdite një takim dhe më drejtuesit e partive të vogla opozitare, disa prej të cilëve janë anëtarë të parlamentit, duke marrë dhe prej tyre mbështetje për vendimin ekstrem.

“Mendoj se është detyrim i secilit prej nesh që t’i përgjigjet atij zëri dhe thirrje të qytetarëve shqiptarë, pra të kemi një qëndrim të përbashkët që ka të bëjë me djegien e mandateve të deputetëve”, deklaroi kryetari republikan Fatmir Mediu..
Më herët zoti Basha u takua dhe me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, partia e dytë më e madhe e opozitës dhe me një numër të konsiderueshëm deputetësh. Në mbrëmje, dhe LSI-ja ju bashkua të njejtit qëndrim. “Grupi Parlamentar i LSI-së vlerëson se djegia e mandateve është rruga e vetme për të rikthyer shtetin e së drejtës dhe legjitimitetin e qeverisjes përmes votës së lirë”, njoftoi në përfundim të mbledhjes me deputetët e saj zonja Kryemadhi.
Shumica nga ana e saj është shprehur e pashqetësuar nga vendimi i opozitës, dhe gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të gjithë të fokusohen të përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Tensioni politik në vend kulmoi të shtunën me protestën e opozitës para kryeministrisë ku u rregjistruan episode të dhunshme, me grupe protestuesish që disa herë me radhë sulmuan hyrjen qëndrore të godinës, por u sprapsën nga forcat e sigurisë që përdorën pompat e ujit dhe gazllotsjellësh.

Lumë droge nga Shqipëria në Itali, kapet 1 ton e 250 kg kanabis e fshehur në portokalle e qepë

Një sasi e madhe droge është kapur nga policia italiane në qytetin e Napolit. Operacioni i forcave të rendit në shtetin përtej Adriatikut bëri të mundur kapjen e plot 1250 kg lëndë narkotike e llojit hashash, e cila ishte fshehur në dy kamionë të ngarkuar me portokallë dhe qepë.
Për këtë u arrestuan edhe tre persona, mes tyre edhe një shqiptar i identifikuar si Sami Bodini.
Dy të tjerët ishin shoferët e autobusit, ndërsa shqiptari ishte pasagjer në një nga kamionët ku u gjet sasia e drogës.
Të arrestuarit pritet të dalin para gjykatës në Itali me akuzën e “trafikut të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”.

Edhe LSI përkrah PD, Kryemadhi: Djegia e mandateve rruga e vetme për të rikthyer shtetin e së drejtës

Kryetarja eLSI, Monika Kryemadhi në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes së Grupit Parlamentar ka anonçuar para publikut vendimin e kësaj force politike lidhur me djegien e mandateve.
Sipas Kryemadhit, korrupsioni galopant, mungesa e shpresës te rinia që po çon drejt largimit në masë nga Shqipëria, bullizmi dhe dhuna ndaj opozitës, LSI ka vendosur djegien e mandateve.
“Djegia e mandateve është rruga e vetme për të rikthyer shtetin e së drejtës dhe legjitimitetin e qeverisë përmes votës së lirë. Prandaj ai vendosi djegien e mandateve dhe mandaton kryetaren e LSI për të marrë të gjitha hapat staturore dhe politike në përmbushje të këtij vendimi”, u shpreh Monika Kryemadhi.
Më herët, ishin partitë e tjera opozitare, PR, PAA, PBDNJ, LZHK dhe PDK që njëzëri ranë dakord pro djegies së mandateve, pas takimit me Bashën në PD.
Deklarata e plotë e Monika Kryemadhit
Grupi Parlamentar i LSI i mbledhur sot vlerëson: Me shqetësimin kritik dhe në rritje për rrënimin dhe asgjesimin e funksionimit të Kuvendit, si institucioni themelor i Republikës së Shqipërisë për shkak të arrogancës dhe paligjshmërisë së mazhorancës parlamentare, Me shqetesimin e jashtëzakonshëm për uzurpimin dhe kapjen nga mazhoranca të sistemit të drejtësisë dhe lënien e vendit pa Gjykatë Kushtetuese, Me shqetësimin madhor për shkatërrimin e elementit themelor të demokracisë, ndarjen e pushteteve dhe kontrollin dhe balancën mbi pushtetet, Me vërtetimin botërisht nga media ndërkombëtare dhe dosjet gjyqësore të ilegjitimitetit të faktuar të kësaj qeverie dhe maxhorance për shkak të vjedhjes së votës dhe kriminalizimit të procesit zgjedhor nga kjo mazhorancë në zgjedhjet e 2017,

Me bindjen se paligjshmëria e kësaj mazhorance të krijuar nga vjedhja dhe kriminalizimi i votës është burim themelor për konfliktualitetin ekstrem politik, keq-qeverisjen e thellë të vendit, të vërtetuar nga skandalet e përditshme dhe pandëshkueshmëria e fajtorëve Thellësisht të shqetësuar për mungesën totale të vullnetit të mazhorancës për të realizuar reformat e nevojshme për hapjen e negociatave për antarësim në BE, Duke vlerësuar të qëllimshme sjelljen e mazhorancës përpara detyrimit për të realizuar reformën zgjedhore, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm në zgjedhjet e ardhshme,
Duke vlerësuar me shumë shqetësim përkeqësimin tronditës të gjendjes ekonomike, rritjen e taksave, korrupsionin galopant, dhe shkatërrimin e besimit tek qytetarët dhe veçanërisht rinia, e cila po largohet masivisht, Demostrimi i mungesës së plotë të vullnetit nga mazhoranca për të kthyer në normalitet ligjor dialogun politik dhe funksionimin e kuvendit, si dhe injorimi, bullizimi dhe dhunimi i opozitës parlamentare nga ana e saj,
Duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar, të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare; Grupi Parlamentar i LSI vlerëson se djegja e mandateve është rruga e vetme për të rikthyer shtetin e së drejtës dhe legjitimitetin e qeverisjes përmes votës së lire. Prandaj, Grupi Parlamentar, vendosi djegjen e mandateve dhe mandatoi Kryetaren e LSI për të ndërmarrë të gjithë hapat statutore dhe politike në përmbushje të këtij vendimi.

Aleatët i bashkohen Bashës: “Do t’i djegim mandatet”

Aleatët e Partisë Demokratike, Dule, Shehi, Duka janë shprehur pro vendimit dhe kanë votuar unanimisht për të djegur mandatet e deputetëve në Parlament. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu tha sot zëri i deputetëve të opozitës do të jetë sëbashku me qytetarët në shesh dhe jo më në parlament. Ai tha se vendimi i u mor me unanimitet. “Djegia e mandateve është vendim i gjithë deputetëve. Zëri që do të mungojë në Kuvendin e Shqipërisë do të jetë një zë që do të jetë me qytetarët shqiptarë” tha Mediu. “Opozita është në kushte e realizimit të misionit të saj. Misioni është i vështirë dhe i rëndë dhe kërkon mbështetje më shumë se kurrë të qytetarëve. Kërkohet mbështetje e gjithë atyre që janë të mashtruar dhe të poshtëruar nga Edi Rama dhe Rilindja”, shtoi Dule.
“Sa kohë të jetë Rama aty do na shihni bashkë. Po nuk qe ai aty edhe mund të shihni ndonjë gjë ndryshe”, tha Shehi para gazetareve.
Ndërkohë që Lulzim Basha pë ta joshur shtoi:“Edhe kur të largohet ai, bashkë do jemi”.
Vetëm LSI megjithëse burime pranë saj e kanë konfirmuar djegjen e mandateve nuk ka dalë me një prononcim zyrtar.
Mbedhja që do ta zyrtarizojë qëndrimi përfundimtar të partive të vogla të opozitës u mbajt sot në ora 15 00.

Deklarata e fortë e deputetit: Është koha që qytetarët të marrin parlamentin që ka vjedhur Edi Rama!

Banorët e Unazës së Re kanë qënë sot më të zjarrtë se kurrë në protestën e tyre pothuajse 3 mujore për mbrojtjen e shtëpive të tyre.
Vendimi i opozitës së bashkuar për lënien e mandateve është mirëpritur me entuziazëm nga banorët e kësaj zone të Tiranës të cilët janë në përballje të drejtpërdrejtë me qeverinë prej shumë javësh.
Banorët i kujtuan Ramën thënien e tyre të vjetër: Fundi do të vijë nga banorët e Unazës së Re.
Ata thanë se ky vendim i opozitës do të shpëtojë jo vetëm banorët e Unazës por gjithë Shqipërisë.
“Je në hall z. Rama se duhet t’u kthesh paratë oligarkëve”, tha një qytetar.
Pjesë e protestës së tyre kanë qënë edhe deputetët e PD.
Gjatë fjalës së tij, deputeti Klevis Balliu u kërkoi banorëve të bashkohën me datë 21 para parlamentit.
“Nuk kemi nevojë për imunite dhe mandate, mandatet i kemi në shesh me qytetarët. Askush nuk e pyet më Edi Ramën, sot vendosin qytetarët. Sot jam më krenar se kurrë më Partinë Demokratike sepse sot ne jemi njësh me qytetarët, jemi të gjithë njësoj”, tha deputeti i PD-së.
Balliu i bëri thirrje kryeministrit Rama që të japë dorëheqjen pasi ajo që ka parë me 16 shkurt do ti duket lule në krahasim me atë që do të shohë ditën e enjte.

“Është koha që qytetarët të marrin parlamentin që ka vjedhur Edi Rama, dhe këtë do ta bëjmë të enjten, sepse është koha të ketë aty njerëz të lidhur me artin, librat dhe traditat e shoqërisë tonë dhe jo nga tradhëtarët e kombit. Nëse ky zotëria nuk jep dorëheqjen deri të enjtën ju takon juve të vendosni për fatin e qeverisë”, tha Balliu.
Parlamenti ka 6 vjet që është marrë peng nga përdhunues, nga një skizofren si Rama, që e kanë marrë peng droga, Balili, Habilajt.
Parlamenti duhet të kthehet në një institucion me dinjitet, me burra dhe zonja që votohen nga qytetarët, dhe jo nga Avdylajt dhe bandat e tjera.
Ai parlament nuk mund të përfaqsohet më nga njerëz të kapur nga krimi.
Ju takon ju që me datë 21 tua ktheni parlamentin qytetarëve nëse Rama nuk jep dorëheqjen”.
Banorët akuzuan Ramën se ka urdhëruar hedhjen e lëndëve helmuese për të shpërndarë qytetarët në protestën e 16 shkurtit.
Ata paralajmëruan se të enjtën do të jenë përpara Parlamentit për ti dhënë fund sistemit të Edi Ramës.
Në protestë ishte si çdo natë i pranishëm edhe deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu i cili tha se vendimi i sotëm i opozitës erdhi si rrjedhojë e qëndrimit të mazhorancës.

Paloka: Po e them tani për herë të parë, kam dëshmitare Spiropallën!

Nga Edi PALOKA

E bëra të famshëm…
Çfarë nuk ka bërë për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe mediave të huaja:
Ka shkuar me atlete në samite ndërkombëtare, madje dhe në sallone e oborre mbretërore; ka hapur ekspozita si kryeministër në galeritë më të shtrenjta të botës; ka bërë eksentrikun, sharlatanin e karagjozin sa ka mundur në takime nderkombetare; ka paguar miliona për intervista e reportazhe; ka angazhuar dhe Sorosin për ti bërë publicitet në mediat që kontrollohen prej tij…
Po nuk arriti kurrë të merrte vëmendjen dhe publicitetin që mori pas të enjtes se kaluar.
Faqja e tij e zezë bëri shëtitjen e mediave nga vendet arabe në SHBA, nga Evropa në Azi.
E jo shaka po gjithë mediat më të rëndësishme të planetit.
Sot ka fituar dhe çmime nga këto media (Reuters apo BBC) si kryeministri faqezi i Shqipërisë.
P.S
Po e them tani për herë të parë (kam dëshmitare spiropallën):
Një nga momentet që nuk e kapen dot mediat, një nga ato shumë momente kur kryeministri i ‘rilindjes’ shan e shfryn nga vendi pa mikrofon, sapo ishte bojatisur, mu drejtua duke me kërcënuar.
Më kërcënoi se do vazhdonte të më ‘bënte qesharak’ në Parlament…
E thënë nga ai është për tu marrë në konsiderate, por pa modesti fare, dyshoj që sado të përpiqet, do arrij të më bëj ‘të famshëm’ aq sa arriti ai brenda një dite…