37.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Protestuesit rrethojnë Ramën në Fier, tension mes policisë dhe banorëve

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot në Fier një tjetër takim me socialistët. Por, protestues të shumtë po mblidhen me shpejtësi dhe i janë drejtuar vendit ku Rama pritet të zhvillojë mitingun e vet.
Dje, në Fier ndodhi e njejta situatë: protestuesit bllokuan rrugën në Roskovec dhe Patos dhe dogjën goma, duke lëshuat thirrje në drejtim të Ramës për të dhënë dorëheqjen, ndërkohë që ai ishte nisur drejt Fierit për një takim me gratë e PS-së me rastin e 8 Marsit.
Po njësoj u prit Rama edhe në Fier: protestuesit shkuan afër vendit ku ai do të bënte takimin, por u ndaluan nga Policia. Gjatë natës, këta protestues u morën nga shtëpitë e tyre dhe u shoqëruan në Polici për t’u marrë në pyetje.
Asnjë nuk u konfronua me Policinë dhe askush nuk u lëndua nga protesta, që u kufizua vetëm me thirrje të fuqishme dhe tym.

Basha: Do të shfuqizojmë ligjin e Ramës për pronat, kompensimi do bëhet me çmimin e tregut

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është duke zhvilluar paraditen e sotme takime derë më derë me banorë të Paskuqanit, duke dëgjuar dhe diskutuar për problematikat e jetës së tyre të përditshme.
Një nga qytetarët u ankua se ka problem me pronat, për të cilat edhe pse janë të njohura, nuk marrin dot lekët e kompensimit.
“Jam pensionist edhe punoj nga pak. Edhe ato lek që fitojmë na i merr shteti. Kam problem edhe me prona, s’më japin lekët”, qau hallin e tij pensionisti gjatë takimit me Bashën.
Përgjigjja e kreut të opozitës ishte një premtim i madh, që prek dhe zgjidh hallin e dhjetëra mijë shqiptarëve.
“Do të shfuqizojmë ligjin e Ramës, për kompensimin e pronave. Kompensimi i pronarëve do bëhet me çmimin e tregut, jo me çmimin që ka miratuar qeveria Rama”, deklaroi ai.

Basha për zgjedhjet e parakohshme; në Maj, në Qershor apo në Tetor…?

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi me siguri se zgjidhja e krizës politike në Shqipëri do të jenë zgjedhjet e parakohshme. “Më e rëndëishme se koha kur do të mbahen këto zgjedhje, në Maj, në Qershor apo në Tetor është fakti se duhet të ketë garanci që ato të jenë të lira”, tha Basha.
“ Ndërkombëtarët e kanë kuptuar se Niçja i Ramës s’është filozofi. Ata po flasin për një qeveri që ka kapur zgjedhjet Kanë ikur ministra për një sanduiç në Slloveni, se kishte ikur pa e paguar, deputetë për një shishe verë në Gjermani, për një biletë treni në Holandë. Kjo pra është, që të mos ketë populli qeverinë, por qeveria popullin. Kjo ndodh kur e lidh fatin me njerëzit, kur e lidh me votën e njerëzve, jo kur e lidh me Avdylajt, me Nicen. Se po e lidhe me Niçen, ça ndodh…vjedh popullin… Arian Çani: Duhet sqaruar se Niçja nuk është filozofi i famshëm gjerman. Basha: Ke të drejtë, nuk është Friedrich-i. A thua ky është keqkuptimi me Knutin, mos ka kujtuar se Vangjushi i ka bërë pazaret për vota me Friedrich Niçen? Ka një histori qendrimi i ndërkombëtarëve, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin. Ata thonë stabiliteti-stabiliteti-stabiliteti.

Tani kanë filluar të ndërgjegjësohen, se po të shikosh të gjitha mediat kryesore evropiane po thonë: protestat në Shqipëri janë kundër një qeverie që akuzohet për korrupsion, të lidhur me krimin dhe që ka kapur apo ka prishur zgjedhjet”, tha Basha.
Basha: Jam politikani më proevropian në Shqipëri, Putin s’ka investim më të mirë se Ramën
Pyetja që vret e Arian Çanit: Lulzim Basha, biri im, a mos ndoshta sonte ka ardhur fiks moment që ju të deklaroni dhe të pohoni nga kjo studio se në fakt djegien e mandateve dhe fillimin e këtyre protestave i bëni sepse keni prapa mbështetjen e Moskës?
Lulzim Basha: Kjo po që është për humor. Kjo pjesë e propagandës të kujton propagandën e Enverit. Se të rinjtë ndoshta s’e mbajnë mend. Në fund fare, kur nuk ecte asgjë tjetër, shpikej armiku i jashtëm që mbështeste kundërshtarin e brendshëm. Dhe në këtë rast, ata që e kanë shpikur këtë, më duket edhe se janë të kohës së Enverit. Sa i përket Lulzim Bashës, sa më përket mua, unë jam politikani më proevropian, më evropian në radhë të parë, që ka sot Shqipëria. Ndoshta nesër vjen dikush tjetër më evropian se unë, por deri më sot, politikan më evropian se unë nuk ka. Ndërsa Edi Rama është ai që pret oligarkët rusë në zyrë, i ka pritur prapë Gunvorin, naftën e Shqipërisë jua ka dhënë sot rusëve. Putini, investim më të mirë se tek Edi Rama nuk ka. Naftën e merr me Gunvorin, sistemin demokratik e ka shkatërruar, me një stil të ngjashëm, dhe agjendën rajonale për ndarjen e Kosovës, Vuçiç e Rama e bëjnë fare mirë, kështuqë nuk ka fare nevojë të investohet në asnjë factor tjetër politik. Dhe padyshim, nuk ka nevojë të investohet tek Lulzim Basha, i cili njihet botrisht për pikëpamjet e tij evropiane dhe atlantiste.

Basha replikë me Çanin: Jo Shqipëria nevojtore, por qeveria

Basha ka shkëmbyer replika me Çanin ndërsa ai e etiketuar vendin si një “nevojtare të madhe”. Basha ka ndërhyrë duke e bërë të qartë se kjo nuk i shkon vendit , por vetëm qeverisë.
Gjatë intervistës në ‘Zonë e Lirë’ ka patur një debat ku kreu i PD-së, Lulzim Basha, është përplasur me moderatorin Arian Çani.
Lideri i opozitës shprehu bindjen e tij se ajo që ai thotë do të bëhet realitet. Ndërkohë, Çani e cilësoi Shqipërinë si një vend të dorës së tretë dhe e krahasoi atë me një nevojtore.
Çani: Kur të dëgjoj të që flet kështu më duket sikur nuk jam në Shqipëri, pastaj kujtohem …
Basha: Kjo që them unë do të jetë realitet në Shqipëri sepse sot jemi më keq se para 30 vitesh.
Çani: Shqipëria është një vend i dorës së tretë, si një novojtore e madhe.
Basha: Jo, më vjen keq që e the atë për Shqipërinë, nuk mund ta thuash këtë gjë për vendin. Shqipëria është vend i bukur dhe i pasur, por i vjedhur. Novojtore është qeveria

Basha: Protesta po rritet, e ushqen urrejtja për regjimin dhe shpresa për ndryshim

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi nga studio “Zonë e Lirë” se protestat e opozitës janë nga më të mëdhatë në historinë e pluralizmit dhe se ato vetëm do të rriten, pasi ushqehen nga urrejtja për regjimin dhe shpresa për ndryshi. “Më në fund ajo që po konstatojmë në këto protesta është se ka shpresë për ndryshim”, tha Basha.
I ftuar në Zonë e Lirë përballë Arian Çanit, kreu i opozitës Lulzim Basha ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend. Sipas tij, njerëzit e kanë kuptuar se ka ardhur momenti për ndryshim rrënjësor.
“Unë besoj tek forca e njerëzve. Unë besoj se shteti është si një familje e madhe, ka për detyrë të kujdeset për njerëzit, për mirëqënien e tyre, të kujdeset ndaj çdo qytetari edhe ndaj më të pamundurit.
Çfarë bën një familje? Një familje me kërkesë të lartë llogarie, çfarë bën? Kujdeset që brënda familjes, gjithkush të bëjë detyrat e veta dhe ne për këtë po luftojmë; të kemi një shtet ku gjithësecili të bëjë detyrat e veta dhe askush të mos ketë mundësinë të abuzojë me pasuritë publike dhe me fatin e njerëzve.
Ky shtet sot ka vetëm një qëllim: vjedhjen, abuzimin dhe në funksion të kësaj ka frikën dhe propagandën. Sa mund ta zgjasë kështu? Shqiptarët po bashkohen dhe po bashkohen me një qëllim: ti japin fund kësaj gjendjeje dhe të krijojnë, nëqoftëse krahasojmë shtetin me familjen, një shtet i cili të japë llogari para tyre, mos ti vjedhë, mos ti dhunojë, mos ti tallë port ë kujdeset për ta. Shpresa për këtë ndryshim është shumë më e fortë se sa frika që po mundohet në grahmat e fundit të ngjallë ky regjim.
Nuk po i funksionon më frika.

Goditjen e parë e mori me studentët, të dytën e mori me këtë protest që ka nisur e nuk do të ndalet. Do të jetë gjithmonë e më e madhe, sepse protestën nuk e ushqen vetëm zëmërimi I ligjshëm, ka filluar ta ushqejë dhe shpresa që kjo nuk është një lëvizje për pushtet e disa partive politike, por është një lëvizje për ndryshim, një ndryshim të vërtetë për vendin tone”, u shpreh Basha.
“Për herë të parë nuk kanë frikë qytetarët, por ka frikë Rama. Hajdutët të kapur me presh në duar i ka kapur frika nga dënimi popullor. Është një vendim i paprecedentë që kërkon guxim të madh. Nëse vazhdojmë kështu dhe ky vend boshatiset. Jo thjesht për të ndryshuar pushtetin, por vendin. Ka nevojë për një ndryshim të madh. Dhe njerëzit këtë e kanë kuptuar. Është kapur në vjedhje qindra milionëshe me PPP-të. Premtuan reformë në shëndetësi, shëndetësia në pikë të zezë, premtuan reforma në arsim, arsimi në degradim”, u shpreh Basha.
Ai shtoi se, “këto kanë qenë protestat më të mëdha pas vitit 90. Kupa është mbushur. Nuk kemi çfarë presim”.
Kreu i PD-së nuk kurseu komentet as për videon e kryeministrit Rama duke festuar me gratë në Fier.
‘Nuk merret me hallet e grave dhe vajzave shqiptare. Nuk më ngjall asgjë. Ajo është puro propagandë. Ku e keni Kim Jong Un? Se atë më sjell në mendje. Korenë e Veriut’, tha Basha.
Gjatë intervistës në “Zonë e Lirë”, kreu i PD-së Lulzim Basha u shpreh optimist për të ardhmen e vendit, duke besuar te forca e njerëzve, sipas tij.

“Kjo është beteja midis shtetit të frikës dhe popullit. Ka shumë forma që policia kontrollon njerëzit mos shkojnë në protestat e opozitës, të cilat tregojnë se të vetmet armë që i kanë ngelur Ramës janë propoganda dhe frika”, ka thënë Lulzim Basha në studion e “Zonë e Lirë”, duke thënë se Rama ka marrë goditjet e fundit nga protesta e studentëve dhe më pas ajo e opozitës.
“Kam besim tek forca e njerëzve, kemi një koncept që shteti punon me frikë dhe propagandë, këto janë gradat e fundit të një regjimi. Nuk është e vërtetë që ndërkombëtarët përkrahin Ramën. Nuk po i funksionon më frika, goditjen e madhe e mori me studentët, të dytën e mori me këtë protestë që po vazhdon”, tha Basha.
“Asnjë mekanizëm i këtij regjimit nuk mund të shmang të pashmangshmen. Me hapin tonë, kemi krijuar shtratin me të cilin të gjithë qytetarët do të krijojnë një të ardhme. Hapi i parë vrasja e frikës, e dyta një bashkëbisedim i frikës. E vetmja që na ndan nga kjo e nesërme, është forca e ëndrrave sepse ne po ëndërrojmë normalitetin. Forca e protestës është edhe ura e shpresës”, thotë kryetari i PD.
“Këto që po them nuk janë imagjinatë, por do të jenë realitet nesër”, shtoi Basha.
Gjatë një komenti të moderatorit Arian Çani, i cili e etiketoi vendin si një nevojtore, Basha reagoi duke thënë: “Ne jemi një vend i bukur dhe i pasur, por i vjedhur. Nevojtore është qeveria”.

Kryetari i FRPD: Mesazhi i Joseph Daul, mesazh për Europën dhe mbështetje për rininë shqiptare

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi u takua në Bruksel me Presidentin e Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul.
Në këtë takim u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri dhe përpjekjet që po bën opozita për mbrojtjen e vlerave demokratike dhe themelit të këtyre vlerave, votës së lirë.
Belind Këlliçi vuri në dukje se vota e lirë është sot peng i krimit dhe shqiptarët janë ngritur për t’i dhënë fund kësaj situate.
“Rinia, studentët dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve janë bashkë, janë në këmbë dhe nuk kërkojnë asgjë më shumë për vendin se standardet europiane demokratike. Shqiptarët duan garantimin e votës së lirë, politikanë të pa lidhur me krimin, drejtësi të pa kapur që dënon politikanët të cilët blejnë votat dhe vullnetin e qytetarëve, si dhe vjedhin fondet publike, luftë kundër korrupsionit”- u shpreh Kryetari i FRPD, Belind Këlliçi.
Presidenti i PPE, Joseph Daul, konfirmoi se Partia Popullore Europiane po e ndjek me shumë vëmendje dhe prioritet situatën në Shqipëri, si dhe shprehu vendosmërinë e tij për ta ndihmuar vendin tonë në rrugëtimin europian.
Zoti Daul theksoi se ky rrugëtim kalon përmes parimeve themelore të shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Kryetari i FRPD Belind Këlliçi mori pjesë në konferencën e organizuar nga Grupi i PPE-së në Parlamentin Europian me temë: “Promovimi i proçesit të pajtimit në Ballkanin Perëndimor: perspektiva e të rinjve”.

Kreu i të rinjve demokratë shqiptarë u bëri thirrje drejtuesve të Bashkimit Europian të shtojnë vëmendjen ndaj rajonit të Ballkanit, ku, shkelja e vlerave themelore të demokracisë, në disa vende, po sjell destabilitet.
“BE duhet të rrisë përpjekjet e saj në mbrojtjen dhe ruajtjen e të drejtave themelore në vendet tona, si demokracia funksionale, liria dhe të drejta të tjera me rëndësi vendimtare.” – tha Belind Këlliçi, i cili vlerësoi si kyç për Ballkanin, bashkëpunimin rajonal.
“Bashkepunimi rajonal sjell jo vetëm zhvillim ekonomik dhe punësim, por zbut tensionet dhe forcon stabilitetin rajonal, i cili është një parakusht kyç për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë“ – tha Këlliçi në fjalën e tij.
Kreu i FRPD mbështeti krijimin e zonës ekonomike, duke e parë si një instrument që ndihmon veçanërisht të rinjtë në Ballkanin Perëndimor.
“Krijimi i nje zone ekonomike rajonale do të ishte një hap i rëndësishëm për të lidhur tregjet ekonomike dhe njerëzit duke e unifikuar kështu tregun ballkanik dhe duke e konsideruar si një treg me 20 milionë konsumatorë. Më shumë se 100 mijë vende pune mund të krijoheshin në të gjithë Ballkanin Perëndimor përmes integrimit më të thellë ekonomik dhe social”- theksoi Belind Këlliçi gjatë konferencës së organizuar në Bruksel nga grupi i PPE-së në Parlamentin Europian.

Taku dhe Kujtja, dy atlantiksat e ‘Amerikës’ në Shqipëri

Besoj i njhni të dy. Njëri e ka emrin Spartak, shkurt Taku, tjetri Kujtim, shkurt Kujtja. Të dy flasin në emër të Amerikës. I pari parashikon si Nostradamusi në emër të Amerikës, tjetri koordinohet çdo ditë me Amerikën për të marrë mandatin e deputetit.
Të dy orën e kanë Atlantic. Të dy thonë se u intereson reforma në drejtësi, ndonëse të parin e kërkojnë borxhlinjtë e gjyqeve të humbura, tjetrin borxhlinjtë e patentave.
Takun thonë se e kanë kërkuar edhe për këshilltar në një nga komisionet e Kongresit, por ka refuzzuar duke pranuar më mirë të japë intervista për Top-gjobën sa herë ka emision Eni. Takut në fakt i mjafton paga që Rama nga biznesmeni i vilës çdo muaj. Me 3 mijë eurot e Capulit ai bëhet edhe alien jo vetëm amerikan
Kujtja është përgatitur të jetë Kryetari i opozitës së re në Parlament që do të përfaqësojë edhe zërin atlantik të Amerikës.
Kujtja thotë se nuk duhet të ishin dorëzuar mandatet e deputetëve në bllok dhe se Basha ka bërë gabim që nuk e ka dëgjuar, ndërsa Taku pret ndërhyrjen amerikane për ti rikthyer mandatet tek opozita. Tak-amerikani tha mbrëmë se kjo opozita e re që do të hyjë në Parlament jo vetëm që ka bekimin e Amerikës, por edhe do të jetë më e mirë se opozita që ishte më parë. E çfarë kishte opozita që ihste më parë? Pyeti Taku.
Kujtja dhe Taku janë në fakt është “amerika” që beson Rama se është ajo që ai kërkon të jetë.

Kryebashkiakia e Rroskovecit përkrah banditëve, terror ndaj banorëve

Ish-deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj përmes një postimi në rrjetet sociale, akuzon kryetaren e baskisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, se pavarësisht dy vendimeve të gjykatave, shkatërroi terrenin sportiv të shkollës “Goja e Artë”.
Sipas nënkryetares së LSI-së, ky veprim i kryebashkiakes së qytezës jugore të vendit, e vendos atë përkrah banditëve.
Postimi i plotë i Kejdi Mehmetaj
Ndjej keqardhje dhe mëshirë të thellë për Kryetaren e Bashkisë Roskovec, e cila në vend se të tregonte sot në ditën e gruas dinjitet, theu sërish ligjin dhe sërish e vuri veten në krah të banditëve.
Edhe pse kishte në dorë dy vendime gjykate, njoftimin zyrtar nga Përmbarimi dhe kallëzim në Prokurori, shkatërroi me urdhër politik terrenin sportiv të shkollës “Goja e Artë”.
I bëj thirrje institucioneve të drejtësisë të zbatojnë ligjin me Kryetaren e Bashkisë Roskovec. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të shkojë në Roskovec, të shohë nga afër terrorin që bëhet çdo ditë ndaj banorëve, të shohin si shkelen ligjet dhe vendimet e gjykatave, të shohin si shkatërrohet qyteti dhe si e trajton Kryetarja e Bashkisë Roskovecin, si ta kishte pronë private.
Majlinda, me ty tani e tutje do të merren institucionet e drejtësisë dhe mos mendo se do ja hedhësh paq, qytetarët e Roskovecit dhe NE do na kesh pas këmba – këmbës.
Nga ana tjetër, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit njofton se ka nisur një aksion në Bashkinë e Roskovecit për prishjen e pesë objekteve. Sipas IKMT ky aksion është në ndihmë të Bashkisë dhe bëhet në kuadër të rikualifikimit urban të qendrës së qytetit.

Shpërthen me tallje rrjeti ndaj Spiropalit: “O shef do më çosh në Peskara për 8 Mars? Memet epike

Ministrja e Ramës, Elisa Spiropali është kthyer sërish në personazh meme-sh në ditën ndërkombëtare të gruas.
Kanë qenë të shumta memet të cilat ironizojnë Spiropalin, e cila kryeministrin Edi Rama e sheh si idhull, madje ka arritur deri aty sa ta vërë në të njëjtin nivel me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun.
Ja memet epike:

Reportazh nga Tirana/ BBC kryqëzon Ramën: Teatri Kombëtar do jetë fundi i qeverisjes së kryeministrit artist

“BBC i ka kushtuar një reportazh çështjes së Teatrit Kombëtar duke bërë në fund pyetjen nëse çështja e Teatrit Kombëtar do jetë fundi i qeverisjes së kryeministrit artist.
Në reportazh bëhet një përshkrim i shkurtër i historikut të Teatrit Kombtër dhe atij Eksperimental dhe i protestës 1 vjeçare të qytetarëve dhe artistëve që kundërshtojnë fuqishëm prishjen e tij.
BBC: “Kryeministri i Shqipërisë është ndryshe nga një politikan i zakonshëm, ai është një artist, piktor dhe ka hapur disa ekspozita për të shfaqur punën e tij. Por muajt e fundit ai është përfshirë në një çështje delikate lidhur me godinën e Teatrit Kombëtar dhe kjo çështje ka potencialin të ndikojë në karrierën e tij politike.”
Gazetari i BBC-së ka zhvilluar në Tiranë disa takime me përfaqësues të protestuesve, me deputeten e Partisë Demokratike, Vokshi si dhe me kryeministrin Rama.
Ai përshkruan prejardhjen e kryministrit Rama ndërsa habitet sesi një artist si Rama, sot kundërshtar më të ashpër ka pikërisht artistët.
BBC: “Kryeministri Rama, djali i një skulptori që ka bërë disa nga statujat e sistemit komunist nën diktatorin Enver Hoxha, vijon të pikturojë gjatë intervistës. Muret përreth janë të mbuluar me letra muri. Më herët ai ka qenë basketbollist. Në komunizëm, sporti ishte një nga rrugët e pakta për të dalë jashtë vendit. Si kryebashkiak i Tiranës, ai leu muret e shumë ndërtesave në qytet me ngjyra të shumëllojshme. Është e çuditshme që kundërshtarët më të mëdhenj të Ramës tani janë artistët.

Çdo ditë prej më shumë se një viti, aktorë, regjisorë, shkrimtarë, kanë protestuar në qendër të Tiranës kundër planit të Ramës për të prishur Teatrin Kombëtar dhe atë Eksperimental të ndërtuar nga italianët në vitin 1939”.
Më tej në reportazh flitet për “Ligjin Fusha”, që është miratuar nga poarlamenti për të prishur “Teatrin Kombëtar” dhe gazetari pyet kryeministrin Rama dhe deputeten demokrate Vokshi lidhur me këtë çështje.
BBC: “Forumi për Mbrojtjen e Teatrit, presidenti dhe delegacioni i BE-së në Tiranë, kanë thënë se kjo godinë ka vlerë historike dhe arkitektonike. Sipas kryeministrit, ky teatër varrezë duhet prishur dhe në vend të tij duhet ndërtuar një i ri dhe për këtë qeveria nuk do paguajë asnjë lek. Kompania Fusha, me të cilën janë bërë edhe disa projekte të tjera, do paguajë për teatrin dhe në këmbim do marrë 5 mijë metra katrorë ne qendër të Tiranës. Për këtë arsye është bërë edhe një ligj specifik, i njohur me emrin Ligji Fusha në mënyrë për të realizuar këtë marrëveshje”.

Biseda me Vokshin
Vokshi: Aty do ndërtohen 6 qiejgërvishtës dhe fitimi bazuar në llogaritjet që ne kemi bërë është 205 milionë euro. Sigurisht që ka diçka që lidh këtë ndërtues privat Kompaninë Fusha me qeverinë.
Gazetari: Pra ju besoni se kjo është një marrëveshje korruptive?
Vokshi: Absolutisht!
Biseda me Ramën
Gazetari i thotë Ramës se ka pretendime për praktikë të parregullt lidhur me prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një të riu.
Rama: Mund të them se procedura është rishikuar ngë Komisioni Evropian dhe është në linjë me ligjin dhe të gjithë rregullat e procedurës.
Gazetari: A ishte një tender i hapur?
Rama: Është një partneritet Publik-Privat. Bazohet në bashkëpunim me pronarët e tokës private dhe shteti është pronar i një pjese tjetër toke kështu që gjithçka është bërë sipas një procedure të pastër.
BBC: “Askush nuk e di se kur do bëhet shkatërrimi i Teatrit dhe ai mund të ndodhë në çdo çast por protestuesit kanë deklaruar se do i bllokojnë buldozerët me trupat e tyre. A do i mbijetojë qeverisja e Edi Ramës skandalit të Teatrit Kombëtar apo teatri do jetë fundi i kryeministrit artist”.
Reportazhin e plotë mund ta dëgjoni këtu nga minuta 30:20 deri në minutën 35:0.