16.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Mediat gjermane: Protestë masive në Shqipëri për rrëzimin e qeverisë

Protesta e organizuar nga opozita që pritet të zhvillohet sot të shtunën paradite (16.02.2019) në Tiranë ka ngritur gadishmërinë e policisë për të shmangur incidente potenciale të dhunës, trazirat dhe destabilitetin. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në një deklaratë zyrtare të publikuar në prag të protestës informon të gjitha palët dhe qytetarët se citoj ”Policia e Shtetit ka informacione që persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike”.
Në deklaratë policia e shtetit u bën thirrje organizatorëve, të distancohen nga zërat që inkurajojnë dhunë dhe personat me rekorde të rënda kriminale si edhe të gjithë qytetarëve, që nuk kanë lidhje me protestën, “të evitojnë qëndrimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohet protesta.
OSBE – dhuna nuk është rruga më e shkurtër për të marrë pushtetin
Prania e OSBE-së në Tiranë, në deklaratën e saj në prag të zhvillimit të protestës së opozitës tërheq vëmendjen e organizatorëve, qytetarëve dhe gjithë palëve të përfshira se “aspiratat e të gjithë qytetarëve shqiptarë kërkojnë një diskurs politik të pjekur dhe konstruktiv; trazirat nuk janë një rrugë e shkurtër për të ardhur në pushtet. Shqipëria ka parë boll dhunë politike në të shkuarën.”
OSBE sjell në vëmendje dëmin që mund t’i shkaktohet Shqipërisë nga kthimi pas kohën e protestave me akte dhune, duke patur parasysh precedentet e protestave të opozitave: opozitës së djathtë në vitin 1998 dhe asaj të majtë në vitin 2011, ku u vranë 4 protestues të parmatosur nga qeveria e djathtë e asaj kohe. “Shqipëria futet në një periudhë katërmujore vendimtare, kur të gjitha përpjekjet dhe energjitë duhet t’i kushtohen organizimit të zgjedhjeve vendore, të cilat janë një provë e vërtetë për demokracinë” thekson deklarata e OSBE-së.
Kërkesat e opozitës

Kërkesa kryesore e protestës së organizuar nga opozita është largimi i kryeministrit Rama, formimi i një qeverie kalimtare me akademikë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Opozita e akuzon kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij, se është e lidhur me krimin dhe ka fituar mandatin e dytë qeverisës, në sajë të vjedhjes së votave në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, bazuar në përgjimet e publikuara telefonike të Prokurorisë.
Mes garantimit të së drejtës së protestës e shmangies së dhunës
Policia e shtetit synon të garantojë ushtrimin e së drejtës së qytetarëve për të protestuar dhe njëherazi të shmangë degjenerimin e protestës në dhunë, trazira dhe destabilitet. Për këtë qëllim nuk u është dhënë leja organizatorëve, të përfshijnë në mjediset ku do të zhvillohet protesta edhe rrugën” Ismail Qemali” ku ndodhet Radio-Televizioni Publik, përfaqësi diplomatike dhe institucione shtetërore. Hyrja në Kryeministri , në strehën e të cilës është vendosur vepra ”Maqeque” e artistit të njohur francez Philippe Parreno, është mbuluar dhe izoluar.
Policia e Shtetit ka dhënë leje për zhvillimin e protestës në bulevardin
”Dëshmorët e Kombit” që historikisht është përdorur për protesta dhe ka hapësirë për pjesëmarrje masive të qytetarëve protestues. Sipas të dhënave të sapopublikuara nga PD, protestues nga gjithë vendi janë nisur të shtunën paradite drejt Tiranës, me mjete publike, private, autobusë dhe furgonë.
Lulzim Basha, lideri i Partisë Demokratike, organizatores kryesore të protestës ka reaguar pas vendimit të policisë. Ai e konsideron mosdhënien e lejes për të protestuar në rrugën ku ndodhet RTV Publik “si një përgjegjësi që do të bjerë mbi qeverinë Rama, për pengesën që i bëhet të drejtës së shqiptarëve për të protestuar”. Ndërkohë Kryeministri Rama do të jetë në Vlorë gjatë zhvillimit të protestës në takim me qytetarë në kuadër të takimeve që kreu i qeverisë së Tiranës zhvillon për bashkëqeverisjen me qytetarët.

Flasin qytetarët: Protestojmë të rrëzojmë Ramën, ne i thamë atij të na presë, ai paska ikur në Vlorë…

Qytetarë nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur sot në Tiranë për të protestuar kundër qeverisë. Gazetarja News24 e pozicionuar nga rruga e Elbasanit, pranë Fakultetit Ekonomik, ka sjellë disa prononcime të qytetarëve që vijnë nga Juglindja por jo vetëm.
Ata thonë se kanë ardhur për të protestuar për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. “Kemi ardhur për protestë nga Pogradeci. Kemi dy javë që kemi thënë se do vijmë. Ne i thamë atij të na presë, ai paska ikur në Vlorë”, tha një qytetar.
“Sot sa mundemi në mënyrë paqësore. Nuk do bëjmë rrëmujë. Ta rrëzojmë Ramën”, u shpreh një tjetër. “Vdekshin hajdutët. Ne duam të fitojë populli fukara dhe këta që merren me drogë kaput që nga Edi”, tha një qytetar i moshuar.
“Do protestojmë për të gjitha të zezat që ka bërë ky kryeministër. Për taksat, për papunësinë, për kriminalitetin, gjithë të zezat”, deklaroi një tjetër qytetar.

Basha: Mesazhin Rama do ta marrë në shesh!

Kryetari i PD, Lulzim Basha pyetjes se, çfarë mesazhi keni për Ramën, Basha duke hyrë në selinë PD u shpreh: Mesazhin Rama do ta marrë në shesh”.
Kryetari i PD, Lulzim Basha tashmë ndodhet në zyrën e tij dhe pritet që t’i bashkohet protestës. “Askush nuk mund të ndalojë protestën e qytetarëve”, deklaroi Basha një ditë më parë.
Protesta nuk do të shtrihet vetëm përpara por në të dy anët e tjera të kryeministrisë, në rrugën “Ismail Qemali”, nga ana e policisë kjo kundërshtohet.
Tashmë kanë nisur grumbullimi i protestuesve në selinë PD dhe në selinë e LSI_së. Marshimi është parashikuar të nisë në orën 11:00. Ndërkohë dhjetra autobusë dhe makina kanë sjellë protestues nga qytetet e tjera për tiu bashkuar protestës së opozitës.
Policia ka blinduar kryeministrinë…

Mesazhi i fortë i aktorit drejtuar Ramës!

Aktori i njohur i teatrit dhe kinemasë, Neritan Liçaj i ka drejtuar një mesazh të fortë kryeministrit Edi Rama. Liçaj, një nga kundërshtarët më të vendosur të shembjes së Teatrit, i ka bërë të qartë se do të jetë në krye të protestës së sotme dhe ia ka renditur një për një arsyet:
“Do të jem aty përball teje, çitjane, siç kam qënë gjatë gjithë këtij viti të gjatë, o njeri mediokër dhe banal, për të të pështyrë në fytyrë ty dhe larove të tu, se unë jam qytetari, forca, kurajo, guximi dhe të thyej në mes.
Dhe, që s’ke parë asgjë akoma o mi i frikur që s’ke takat të shohësh në sy askënd, si hajn i rëndomtë që je! Plehu do të hidhet në plehra, ajo dihet!”

Zëri i Amerikës publikon sondazhin: Në Shqipëri, korrupsion, papunësi dhe s’ka shpresë

Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë publikoi sondazhin e vitit 2018, sipas të cilit papunësia është shqetësimi kryesor i qytetarëve, krahas korrupsionit dhe besimit të ulët tek politika.
Sondazhi me 5600 vetë në 18 qytete të mëdha të vendit zbuloi se qytetarët ankohen për varfërinë ekonomike, ndaj shprehin gadishmërinë për emigrim, sepse nuk kanë besim tek një e ardhme më e mirë.
Qendra për Qeverisje të Mirë i kryen këto sondazhe prej disa vjetësh me mbështetjen e Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer” për të matur perceptimin e opinionit publik mbi qeverisjen dhe nivelin e demokracisë në vend. Shqetësimi kryesor i qytetarëve të intervistuar nga 20 – 45 vjeç është papunësia dhe sidomos mungesa e perspektivës për të gjetur një vend pune.
Gjatë vitit të kaluar të anketuar dy herë në qershor dhe në dhjetor, afro 60 për qind e qytetarëve pohuan se gjendja ekonomike është më keq se një vit më parë, afro 30 për qind se ekonomia ishte njëlloj si më parë dhe vetëm afro 10 për qind thanë se ekonomia është më mirë.
Sondazhi gjeti se papunësia dhe moszhvillimi ekonomik ndikuan tek niveli i përgjithshëm i të ardhurave familjare.
Rënia e të ardhurave bëri që 58 % e qytetarëve nuk arritën të kursejnë asgjë, dhe paguan vetëm detyrimet kryesore dhe ushqimet e përditshme.

Gjysmën e dytë të vitit sondazhi zbuloi një rritje të borxheve ose kredive, në pamundësi për të plotësuar nevojat bazike.
Sipas studimit, perceptimi i përgjithshëm i opinionit publik është se kemi një rritje të korrupsionit dhe mungesë serioze të luftës kundër tij.
Të pyetur në qershorin e kaluar 2018, se a po luftohej korrupsioni në nivelet e larta, më shumë se gjysma e qytetarëve (50.77 %) thanë “jo”, 18.14 % thanë “po” dhe 31.09 %, thanë se lufta kundër korrupsionit është “vetëm propagandë”.
Emigracioni vazhdon të mbetet një plagë serioze, sidomos në moshat 18-45 vjeç. Në dhjetorin e kaluar 44% e të rinjve pohuan se kanë aplikuar për emigrim, ndërsa rreth 20 përqind thanë se kishin në plan të aplikonin.
Pra, mbi 60% e popullsisë së re në moshë kërkon të largohet. Edhe në sondazhin e vitit 2017, për pyetjen “a e shihni emigrimin si rrugëzgjidhje për problemet tuaja?” afro 67% e qytetarëve thanë “po”, kundrejt 33% që thanë “jo”.
Mbështetjen më të madhe e ka marrë pyetja nëse duhej bërë një veting në radhët e politkës. Afro 94.52 % e qytetarëve thanë “Po”, se duhej një veting në politikë, ashtu siç po bëhet për gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa vetëm 5.48 % thanë “jo”.
Ky tregues, thanë autorët e studimit, dëshmon për pritshmëritë e qytetarëve nga drejtësia e munguar si dhe një apel që pandëshkueshmëria të marrë fund.
Sipas tyre, kjo shifër e lartë tregon se “ka një koalicion të gjerë të qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, që të bëhet një pastrim i politikës nga persona që kanë lidhje me krimin, korrupsionin, abuzimin me ligjin dhe fondet publike.

“VOA”

Sot politika hesht, flasin qytetarët!

Deputeti i PD, Flamur Noka tha nga Shkodra se sot është dita e qytetarëve. Para nisjes për në Tiranë, me protestuesit e Shkodrës, Noka tha se politika sot do të heshtë.
Noka: Siç e shihni janë disa pika ku niset qytetarët drejt Tiranës. Masiviteti është i paparë. Janë mijëra qytetarë që po vërshojnë drejt Tiranës. Sot është dita të flasin qytetarët. Sot do flasin shkodranët, do flasin shqiptarët. Sot politika hesht. Është dita e tyre. Sot pritet ajo që qytetarët e dinë vetë. Sot është fjala e tyre jo e politikës.
Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 11:00 përpara kryeministrisë, duke kundërshtuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, qytetarë dhe mbështetës të opozitës janë nisur që prej orëve të para të mëngjesit për të mbërritur në Tiranë.

Deklarata e fortë e Bugajsit: Duhet një protestë masive kundër qeverisë që të sjellë ndryshim

Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Janusz Bugajski, vjen në një intervistë ekskluzive për SHTV. Ai flet për protestën e madhe të opozitës, raportet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me liderin e opozitës Basha dhe kryeministrin Rama.
Zoti Bugajski ju falenderoj që pranuat të zhvillojmë këtë bisedë mbi zhvillimet shqiptare në rajon.
Faleminderit dhe ju!
Cili është opinioni juaj në lidhje me deklaratat e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve me Serbinë? E shikoni këtë si një projekt që do të ketë impakt negativ për shqiptarët dhe më përgjithësisht në Ballkan në të ardhmen e afërt?
Unë nuk mendoj se do të ketë një korrigjim kufijsh domosdoshmërisht. Unë mendoj që pala amerikane ka thënë se kjo është diçka që mund të shqyrtohet me shpresën se mund të arrihet një zgjidhje përfundimtare në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit. Siç mund ta kujtoni, verën e fundit çështja e territoreve doli në pah papritmas ndërkohë që më parë kishte qenë një tabu dhe një vijë e kuqe e pakapërcyeshme ndërsa befas mundësia që të arrihej një marrëveshje. Sigurisht që ka rrjedhime të rrezikshme që mund të vijnë nga një marrëveshje e tillë nëse do të arrihet edhe pse unë kam dyshimet e mia nëse do të ketë një marrëveshje të tillë.
Çfarë mendimi keni për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe? Është ky një vendim i duhur i kryeministrit Ramush Haradinaj?
Unë do të thoja jo. Nëse tensionon marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, jo.
Pse do t’i tensiononte marrëdhëniet me Shetet e Bashkuara?
Sepse Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft kokëfortë në bindjen e tyre se kjo do të minonte marrëdhëniet të cilat ato po përpiqen të përmirësojnë. Me fjalë të tjera, nëse Uashingtoni po përpiqet që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje, atëherë, vendosja e një takse të lartë mbi Serbinë do të rrezikonte marrëveshjen. Megjithëse unë prirem të mendoj se nëse je duke negociuar me një palë tjetër, ti nis me propozime të forta dhe lëshon disa prej tyre, bën kompromis në disa prej tyre. Unë shpresoj që kjo tarifë 100% ose do të pezullohet ose do të zvogëlohet si shenjë e vullnetit të mirë nga Prishtina.

Do të ishte mjaft e rëndësishme sepse mund të çonte në fërkime të panevojshme me Uashingtonin, gjë për të cilën Kosova nuk ka nevojë tani.
Cili është mendimi juaj për fazën finale të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë? Është kjo gjëja e duhur për t’u bërë apo e shihni si diçka të nxituar nga ana palës shqiptare?
Personalisht mendoj se sa më shpejtë që Kosova të normalizojë, nëse ju pëlqen kështu, marrëdhëniet me Serbinë, hyn në Kombet e Bashkuara, hyn në rrugën e njohjes nga pesë shtetet e BE të cilat nuk e kanë njohur dhe nis procesin e anëtarësimit në Nato. Kjo është sigurisht më mirë për rajonin dhe më mirë për kombin shqiptar në rajon. Unë nuk mendoj se në këtë mes ka diçka të nxituar. Ndërkohë, ajo çka më shqetëson paksa mbeten këto shpresat e shumta për shkëmbimin e territoreve që mund të mos çojnë në ndonjë gjë të madhe ose mund të krijojnë ndjeshmëri të këqija, fërkime në rajon si rezultat. Këtu unë mendoj se dora ruse duhet të survejohet me shumë kujdes.
A perceptoni se ndikimi rus në Ballkan po nxit projektin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Mendoni se ndonjë nga politikanët shqiptarë është pjesë e këtyre influencave/ndikimeve?
Mendoj qartësisht se po. Mendoj se Kremlini është i gatshëm të pranojë dhe lejojë shkëmbime territoriale në Ballkan në mënyrë që të përfitojë përparësi strategjike për veten. Si mund ta bëjnë këtë ata? Së pari mund të vendosin precedent për aneksimin e Krimesë dhe ndoshta rajone të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik si Gjeorgjia, Moldavia apo vende të tjera në rajon. Së dyti mund të nisin një manovër diplomatike në Ballkan për ndryshime territoriale që do të çonin në destabilitet, të cilin Rusia do ta eksportonte në avantazhin e vet. Po flas specifikisht për entitetet serbe në Bosnje-Hercegovinë, të cilat, si rrjedhim i ndonjë marrëveshjeje territoresh Kosovë Serbi, gjithashtu mund të kërkojnë një marrëveshje territoresh me Bosnjën, me fjalë të tjera të kërkojnë bashkim me Serbinë në shkëmbim të Sanxhakut. Kështu që mund të kemi një spirale konfliktesh të cilën Rusia mund ta shfrytëzojë bukur mirë dhe kjo pengon stabilitetin në rajon.

Cili është parashikimi juaj për protestën e opozitës shqiptare në Tiranë? A mendoni se do të sjellë ndryshime politike të rëndësishme?
Është mirë të protestosh, është mirë të shfaqësh pakënaqësi, është mirë të organizohesh dhe është mirë të kesh një alternativë. Kjo si protestë kundër qeverisë duhet të kanalizohet në veprim politik. Gjithashtu duhet të ketë përfshirje masive të njerëzve që të sjellin ndryshim. Duhet të ushtrohet presion. Çdo qeveri e cila perceptohet si e korruptuar monopolizon hapësirën publike për rritur kontrollin mbi vendin. Unë jam pro protestës, për sa që është paqësore dhe përsa kohë që është e kanalizuar politikisht për të sjellë ndryshime në strukturën politike të vendit.
Kjo protestë e organizuar nga opozita ka për qëllim të sjellë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij në mënyrë që të përgatisë vendin për zgjedhje të lira e të ndershme sepse siç shprehet opozita, qeveria pamundëson mekanizmin e zgjedhjeve duke i manipuluar dhe blerë zgjedhësit. A mendoni se është tani koha për rotacion politik në Shqipëri mes dy partive kryesore apo edhe forcave të reja të cilat mund të dalin nga kjo situatë?
Unë kam qenë në Shqipëri, kam udhëtuar shumë shpesh aty që prej rënies së komunizmit. Një prej problemeve që unë kam konstatuar në Shqipëri është polarizimi mes dy partive të mëdha. Kur njëra prej tyre vjen në qeveri, tjetra e akuzon për monopolizim të pushtetit, për korrupsion, për favorizim ekonomik etj., e po njësoj ndodh kur vjen në qeveri edhe partia tjetër. Do të ishte mirë të kishte një forcë të tretë politike. Një forcë e re më kumbuese që të mund të sfidojë dy partitë e mëdha. Por kjo duhet të vijë prej procesit politik. Protestat masive e kanalizojnë energjinë publike në aktivitet politik, ato nuk janë zëvendësuese të tij. E thënë ndryshe, pa patur një revolucion në vend, të cilin unë nuk do ta këshilloja, duhet të ushtrohet presion mbi politikanët, nëse është mjaftueshëm presion publik për të thirrur zgjedhje të parakohshme. Por kjo duhet të jetë pjesë e procesit, nu kmund të jetë jashtë sistemit.
Me aq informacion sa ju keni a e gëzon mbështetjen e perëndimit kryeministri Rama dhe e njëjta pyetje për liderin e opozitës Basha?
Për aq sa unë di, të dy ata kanë mbështetje sepse të dy janë pjesë e atij që ende shihet si sistem demokratik. Unë e di që shqiptarët po protestojnë sepse ende nuk është një demokraci e mirëfilltë por edhe demokracitë kanë të metat e tyre, mund të jenë të korruptuara, mund të kenë probleme që duhen zgjidhur.

Por kjo nuk do të thotë se qeveria dhe kryeministri nuk pranohen nga Uashingtoni apo Brukseli si qeveri legjitime e Shqipërisë. Shqipëria ka nevojë për përfaqësim më të mirë në sytë e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Deri kur të ketë zgjedhje dhe të zgjidhet kryeministri i ri, kryeministri Rama do të ketë mbështetje ndërkombëtare. Sigurisht gjithmonë nëse nuk ka zhvillime të mëdha apo kriza që mund të përfshijnë vendin, s’mund të bëjmë gjë tjetër përveçse kritikës së zakonshme. Kështu që po, sa i përket pyetjes suaj ai ka mbështetje si kryeministri legjitim i vendit.
Në dijeninë tuaj, ç’vend zë Shqipëria në interesat e Administratës Amerikane dhe Departamentit Amerikan të Shtetit? A po i ndjekin ata nga afër zhvillimet në Tiranë gjatë kësaj kohe kur këtu nuk ka ende një ambasador?
Sinqerisht mendoj se fokusi ka qenë i jashtëzakonshëm në zgjidhjen e konfliktit mes Maqedonisë dhe Greqisë, zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi dhe një hap i tretë do të ishte përpjekja për të arritur një marrëveshje të re mbi Bosnjë Hercegovinën. Fatkeqësisht nuk ka patur vëmendje të mjaftueshme mbi Shqipërinë. Ka një numër ambasadorësh të cilën nuk janë emëruar ende. E para për shkak të ngadalësisë së kësaj administrate, së dyti për shkak të ngadalësisë së Senatit për t’i konfirmuar në detyrë. Nuk do të thoja se Shqipëria domosdoshmërisht po shihet negativisht në Uashington. Në shumë aspekte do të thotë se s’ka qenë në fokus sepse nuk kemi parë problemet në Shqipëri. Nëse do të ketë një përshkallëzimi të protestës, nëse do të ketë përshkallëzim të konfliktit politik, atëherë mendoj se ambasadori i ardhshëm amerikan do të dërgohet më shpejtë në Shqipëri.
Pjesa më e madhe e investitorëve në Shqipëri janë janë Rusë ose Kinezë dhe më pak nga perëndimi psh nga Shtetet e Bashkuara apo Gjermania, Franca, etj. A mendoni se kjo është e vërtetë? A është ky një problem dhe pse?
Po, në fakt shumë investime ruse dhe kineze janë problem sepse nuk janë vetëm investime. Në rastin e Rusisë janë specifikisht investime politike. Me fjalë të tjera, jo të gjithë por shumica e investitorëve që investojnë jashtë Rusisë janë të lidhur me Kremlinin, janë të lidhur me agjensitë e inteligjencës ruse dhe u shërbejnë qëllimeve të caktuara jo thjeshtë fitimit të parave por nënshtrimit të atij vendi dhe asaj qeverie ndaj politikës Ruse, kundër politikës së perëndimit. Në rastin e Kinës, bëhet fjalë për një rrezik më afatgjatë. Kina ka ambicie të shtrijë kontrollin e vet, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë evropën në mënyrë që të kontrollojë shumicën e ekonomive, sektorë specifikë të ekonomisë. Unë do të thoja këtë që Kina është rrezik afatgjatë për sigurinë dhe demokracinë e Evropës ndërsa Rusia është rrezik afatshkurtër për të dyja.
Zoti Bugajski ju falenderoj për këtë bisedë të shkurtër
Ju falenderoj edhe ju. Qëndrojmë në kontakt për zhvillime të tjera.

“SHTV”
Intervistoi Egon Loli

Policia ndalon autobusin me protestues në hyrje të Tiranës, deputetja: Po ushtrohet presion…

Deputetja e PD-së, Lindita Metaliaj ka denoncuar faktin se një prej autobusave që është duke ardhur në Tiranë nga Lezha, është ndaluar nga ana e policisë në hyrje të Tiranës. Deputetja pretendon se ndalimi i autobusit është bërë me qëllim për të ushtruar presion ndaj qytetarëve.
Reagimi i Metaliajt:
Ndalohet autobuzi i pare me protestues nga Lezha ne hyrje te Tiranes. Forcat e policise ndalojne protestuesit per tu bere presion. Askush dhe asgje nuk i ndal dot!

Policia ndalon gazetarë e kameramanë, nuk lejon transmetuesit e televizioneve

Policia e Shtetit nuk lejon transmetuesit e televizioneve të vendosen pranë Piramidës, për të pasqyruar protestën e opozitës.
Është hera e parë që Policia ndalon mediat të transmetojnë një protestë për të qenë transparentë me publikun
Ora News ka kontaktuar me drejtuesit e policisë dhe kanë deklaruar se nuk do lejohet asnjë media në drejtim të Kryeministrisë.

Skandal, policia fotografon qytetarët që janë nisur drejt protestës

Policia po krijon tension tek qytetarët që janë nisur nga rrethet drejt Tiranës. Situata është tensionuar në Kryebushat të Shkodrës ku forcat poliore kanë ndaluar mjetet me protestues dhe i kanë fotografuar ata.
Qytetarë nga i gjithë vendi kanë vërshuar në orët e para të mëngjesit drejt Tiranës me mjetet e tyre ose me autobuzë për t’u bashkuar në një protestë kombëtare përpara Kryeministrisë. Sapo ata dalin nga fshatrat apo qytetet e tyre, po ndalen, kontrollohen e madje edhe fotografohen.
Policia e Shtetit, me argumentin “për mbarëvajtjen e protestës”, ka nisur të shkaktojë tensionet e para. Mësohet se në Kryebushat të Shkodrës, Policia ka fotografuar listën e udhëtarëve që po nisen drejt Tiranës, ç’ka i ka irrituar qytetarët dhe ka ndezur indinjatën e tyre.
Policët i kanë verifikuar një për një udhëtarët dhe pa ia vënë veshin, reagtimit të tyre, i ka urdhëruar, pas kontrollit deri edhe trupor: Vazhdoni udhëtimin, vazhdoni udhëtimin!
Më tej, furgonë polici kanë ndaluar makinat private, i kanë zbritur pasagjerët, i kanë kontrolluar në trup dhe u kanë marrë emrat shënim.
Gjithçka, sipas qytetarëve që po kalojnë këtë filtër kontrolli, po bëhet me synimin për t’i penguar t’i drejtohen Tiranës për të protestuar.