Partia Demokratike ka dhënë shifrat e para të protestuesve të nisur nga rrethet drejt Tiranës. Sipas PD, raportohet se janë nisur më shumë se 60 mijë qytetarë drejt Tiranës. Vihet re sipas këtyre të dhënave, qarku me pjesëmarrjen më të madhe të protestuesve është ai i Durrësit, më pas vjen Shkodra, Elbasani e Lezha.
Drejt sheshit para Kryeministrisë kanë vërshuar edhe qytetarët e Tiranës,
Raportohet se drejt Tiranës janë nisur më shumë se 60 mijë qytetarë.
Qarku Shkodër – 8000 qytetarë
Qarku Lezhë – 6800 qytetarë
Qarku Kukës – 4000 qytetarë
Qarku Dibër – 3500 qytetarë
Qarku Durrës – 9100 qytetarë
Qarku Elbasan – 7500 qytetarë
Qarku Berat – 3000 qytetarë
Qarku Fier – 4800 qytetarë
Qarku Vlorë – 4500 qytetarë
Qarku Gjirokastër – 2000 qytetarë
Qarku Korçë – 4200 qytetarë
Uragan popullor drejt Tiranës!
Protesto!
Haris VONGLI
Patetizmi do të ishte i pavend nëse nesër, në orën 11:00, do të dilnit në protestë thjesht për të denigruar një figurë të caktuar politike. Patetizmi do të ishte gjithashtu i pavend, nëse thjesht me militantizëm, do të bënit hyjnore një forcë politike apo Perëndi figura të ndryshme politike.
Patetizmi do të ishte krejt i pavend edhe nëse do të kapeshit prej “fyti” me të tjerët nëpër kafene apo edhe me veten në shtëpi, për gjithë pakënaqësitë, sepse laku në fyt na është vënë të gjithëve gjithsesi, pa dallim partiak, krahinor, fetar, arsimor, kontributesh, njerëzor, etj dhe për këtë duhet reaguar pa patetizma.
Duhet reaguar me forcën e mendjes dhe shpirtit. Askush nuk mund t’ua pres rrugën atyre që duan të kërkojnë të drejtat e tyre të cilat dhunohen përditë e më shumë. Kudo të kthehesh e përpëlitesh, nuk merr përgjigje, por përplasesh me një mur që dhemb, të ftohtë e shurdh, që bën edhe burrin të qajë, kur në shtëpi s’ka as bukë të hajë.
Nesër, më 16 shkurt, lind nevoja tërësisht legjitime dhe vullneti i padiskutueshëm i lirë i shqiptarëve për të protestuar, në mënyrë qytetare, kundër kësaj keqqeverisjeje dhe fenomeneve nga më tronditëset e depresionueset që po prekin shqiptarët përditë, nga shporta ushqimore bazë, rritja e çmimeve, taksave, dritave, ujit (pa rritje rrogash), heqja e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, kriminalizmit të deri instantave më të larta administrative e qeverisëse, oligarkisë në rritje, e deri ke barazia, mbrojtja e dinjitetit e siguria e jetës.
Patetizmi do të ishte i pavend për të ulëritur, për t’u sharë, e madje edhe për të heshtur.
Është shkatërrimtare heshtja në kushtet ku ndodhet vendi ynë sot, streha e të moshuarve të stërmunduar, e të rinjve të pashpresë që i largohen vendit përditë dhe fëmijëve për të cilët garancia e së ardhmes është aspak e sigurtë dhe e shëndetshme. Është shumë herë më e thjeshtë se kaq. Duhet thjesht të reagojmë për të çarmatosur këtë sistem politik, ekonomik, shoqëror, etj. Është e thjeshtë, të gjithë ne duhet të bëjmë diçka, për ta bërë këtë vend sa më të jetueshëm dhe sa më të sigurtë. Çdo lloj propagande tjetër është një thirrje e dëshpëruar dhe frikë e arrogancës të pa fre të pushtetit më autoritar të ashtuquajturës demokraci në vend në këto 29 vjetë pluralizëm dhe ëndrrës europiane. Është në fakt patetike, në kushtet ku oligarkët po ndiejnë erën turfulluese të sovranit.
Ne kemi nevojë për drejtësi. #protesto #16shkurt #freedom #democracy
Protestë kombëtare, me mijëra nga Kosova e Maqedonia e Veriut në Tiranë për rrëzimin e Ramës
Janë vetë burimet e qeverisë që konfirmojnë se protesta e nesërme do të jetë një protestë kombëtare, ndërsa me mijëra protestues kanë mbërritur në Tiranë për rrëzimin e Ramës edhe Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera ku jetojnë shqiptarët. Pritshmëritë për largimin e Ramës janë në të gjitha trevat shqiptare dhe kudo në Europë. Ata kanë vendosur që të bëhen pjesë të kësja proteste historike.
Shërbimet e Ramës kanë nisur një aksion nëpër hotelet e Tiranës për të konfirmuar numrin e kosovarëve që kanë ardhur për rrëzimin e Ramës. Numri duket se është tejet I madh, ndërsa një punë jot ë vogël kanë edhe personeli I hoteleve që ditën e sotme sipas “qytetarit dixhital” ka qenë nën presionin e hafijeve të ramës.
Postimi i Berishës
Shfazohet i tmerruar Rama nga Kosovarofobia!
“Pershendetje dr me urdher te Rames ka shku policia ne gjithe hotelet e tiranes durresit dhe vlores dhe u ka kerkuar qe ti japin info per te gjithe kosovaret qe do ken ne hotel
Policia u ben reprezale hoteleve per tu marr identitetin e klienteve kosovar.”
Miq, albanofobi Edvin Kristaq Mbatharaku eshte i tmerruar edhe nga mijra shqiptare qe kane hyre 24 oret e fundit ne Shqiperi nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi Presheva, Milano, Vjena, Hamburgu, Londra, Parisi.
Duke denuar qendrimet e tij prej mbatharaku te lemeritur, pershendes vellazerisht te gjithe ata shqiptare qe kane ardhur dhe po vijne per te deshmuar dhe firmosur fundin e Kakistokracise ne Shqiperi. sb
Larg dogmave e fjalëve, duhet aksion konkret
Hamit TAKA
“Gjithçka duhet që e keqja të triumfojë është që njerëzit (e mirë) të mos bëjnë asnjë gjë”. Edmond Burke
Shumë rrallë ne, qytetarët e këtij vendi të bekuar, por të dramatizuar, flasim në vetë të parë kur është fjala për të pasur një angazhim të qartë publik. Problemet tona si shoqëri i klasifikojmë si probleme të tjetrit. Mirëpo ato nuk zgjidhen duke postuar për to në ndonjë rrjet social. As duke i dhënë mbështetje virtuale kujtdo që i lufton problemet. Qytetar do të thotë të jesh aktiv, do të thotë akoma të kesh kurajon t’ia përplasësh ca të vërteta në sy vetes dhe qytetarëve të vendit tënd. Larg fjalëve e dogmave, duhet aksion konkret. Sot gjithësecili prej nesh është thirrur për të qënë në vijën e parë, në front të betejës. Asnjë pozicion tjetër nuk e çon përpara shoqërinë. Roli i sehirxhiut, i rehatuar në kolltukun e shtëpisë, që bën sikur ndryshon gjithçka me pultin e televizorit, është tërësisht i dëmshëm.
Në bisedat e përditshme të gjithë flasim: E ardhmja është e trishtë, e përditshmja është e paralizuar; në emisionin e mëngjesit “Koha për t’u zgjuar” të gazetarit të nderuar, Bashkim Hoxha, të gjithë ankohemi për papunësinë, për varfërinë, për rrogat e ulta e çmimet e larta, për diferencat midis pushtetarëve e qytetarëve të thjeshtë, për korrupsionin, për mungesën e rrugëve që pengojnë tregëtimin e prodhimeve bujqësore, për ndotjen e zonave naftëmbajtëse ku nuk mund të jetohet, për mosshërbimin në administrate, ku punonjësit rrinë me telefona në duar e nuk i shikojnë në sy qytetarët, për injorantët me diploma falso, që drejtojnë njësitë administrative… dhe në fund: ky vend nuk bëhet! Këtu është për të ikur një orë e më parë!
Vetëm në çfarë ka ndodhur muajt e javët e fundit mund të marrrësh shembuj që dëshmojnë qartë për shumë probleme serioze të shoqërisë sonë. Aferat korruptive më të mëdha me konçensionet, eksportimi i tonelatave me drogë, blerja e votave, kriminaliteti në rrugë e në familje deri te mardhëniet seksuale mes minorenëve n shkolla.
Kështu që, meqënëse arritëm ku jemi, kemi dy mundësi. E para, të drejtojmë gishtin drejt qeverisë e ta shpallim atë fajtore. Por ama, ndërsa drejtojmë gishtin drejt saj, harrojmë që gishtat e tjerë janë të drejtuar nga ne, qytetarët. Ndaj, mundësia e dytë është që ne të mos jemi qytetarë me kohë të pjesshme, apo spektatorë virtualë, por të bëjmë pjesën tonë. Të protestojmë për të drejtat e liritë tona të nëpërkëmbura. Nuk duhet të biem në grackën e të menduarit se pa-anësia apo largësia jonë ndaj gjithë kësaj është mjaft. Sepse nuk është. Aq me tepër në këto kohë të vështira. Edhe kur i karikaturizojmë ata që na drejtojnë në portale, facebook apo komente gënjejmë veten se kemi bërë mjaft e notojmë në një lloj pezulltie të rrezikshme. Notojmë në një lloj vetë-kënaqsie që na jep luksin e të qënit indiferentë ndaj problemeve që ka shoqëria sot. Kjo është vrastare. Një gënjeshtër tragjike ndaj vetes. Ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Që përveç të tjerash do të thotë: nëse nuk e duam korrupsionin atëherë nuk duhet ta ushqejmë atë, as kur përftojmë prej tij; nëse nuk na pëlqen qeverisja amorale, atëherë të mos bashkohemi me atë, por t’i kundërvihemi me protestë; nëse duam që gjërat të ndryshojnë, atëherë të largohemi nga rehatia e spektatorit. Të jesh qytetar me kohë të pjesshme është komode. Por e rrezikshme për të gjithë ne. Gjërat nuk do të ndryshojnë vetëvetiu dhe kotmëkot. Duhet të kuptojmë se ekselenca nuk është shprehje e çastit, por rezultat i përpjekjeve të përditshme (rutinore).
Pyetja është: A jemi gati të durojmë kostot në aspektin personal, në favor të së mirës së përbashkët?! Në se po, hajde të protestojmë. Të mençurit e të ndershmit ndihmojnë të dobëtit nuk bashkohen me të fortët.
Paralajmërimi i Bashës: Pas Vlorës, Rama do të kërkojë azil
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë një paralajmërim të fortë pasditen e sotme, ndërsa fliste nga Unaza e Re, ku i ishte bashkuar protestës së qytetarëve.
Basha tha se Rama do të largohet nga qytetarët shqiptarë dhe ai ka nisur arratinë. Sipas kreut të PD, Rama nesër do të arratiset drejt Vlorës, ndërsa pasnesër do të kërkojë azil.
‘Nesër në Vlorë pasnesër në azil. Ky është shembulli konkret i forcës që keni në duar. Kurrë nuk mund ta ketë fatin e fëmijëve tuaj në dorë asnjë qeveritarë, fatin tuaj e keni ju në dorë. Banorët e Unazës së Re u ngritën për shtëpitë e tyre, por e keqja ka zaptuar çdo cep të këtij vendi, ka shtrirë tentakulat në çdo cep të këtij vendi. E keqja është qeveria që është kapur duke vjedhur taksat tuaja, është kapur duke vjedhur pasuritë tuaja, është kapur duke vjedhur pushtetin në bashkëpunim me krimin e organizuar’, deklaroi Basha.
Ndërkohë Basha u bëri apel gjithë qytetarëve shqiptarë që të bëhen të gjithë bashkë ditën e nesërme përballë kryeministrisë për të larguar njëherë e mirë të keqen që po ju merr frymën përditë.
Ndërkombëtarët i kanë nxjerrë kartonin e kuq Ramës
Ditët e para kur erdhi në pushtet në vitin 2013, kryeministri u shpreh se: “Kam ardhur për të bërë shtet dhe jo për të mbajtur pushtet”… Po ky postulat u kthye shpejt në një fluskë të madhe, shpërthimi i së cilës zbuloi se në grupin e tij parlamentar dhe në krye të bashkive solli personazhe me të shkuar dhe të tashme kriminale, të akuzuar e dënuar për përdhunim, trafik prostitucioni, trafik droge dhe vjedhje.
Ky lloj kontingjenti, i përzgjedhur prej tij, ishte një minierë e vërtetë në sigurimin e votave, nëpërmjet presionit, blerjeve apo manipulimeve. Shteti dhe pushteti në duart e Ramës dukshëm anoi nga mbajtja e pushtetit me çdo mjet. Pikërisht këto personazhe iu ofruan në “tepsi” qeverisjen Edi Ramës, ndërsa si haraç kërkonin edhe ata thelën e madhe të fondeve publike dhe aferave të tjera.
Koncepti shtet ra mbi shpinën e qytetarëve që në ditët e para të Ramës Kryeministër kur nisi raprezalja në shkëputjen e energjisë dhe burgjet u mbipopulluar me qytetarë të cilët nuk kishin mundësi të paguanin tarifat e shtrenjtuara, sëpata e “forcës së ligjit” kapi edhe fshatarë që ndërtonin pa leje një avlli, ndërronin tjergullat e shtëpisë apo rikonstruktonin kasollet e bagëtive.
Dhe ai mburrej me këtë pjesë. Por ndërsa qytetarit pa përkrahje i tundte prangat, oligarkut, politikanit të pushtetit, biznesmenit që të doroviste i jepte privilegje në ndërtime kullash, konçensione qindra milionë euro dhe ofrimin e pronës publike për interesa personale. Kjo qe metoda standarde në ndjekjen e politikës së brendshme, ndërsa kursin tentoi ta ndryshonte disi me ndërkombëtarët.
Në fillim i pëlqente ta quanin “lider global”, pati disa takime të rëndësishme me kancelarin Angela Merkel dhe vizita domethënëse në vende të Europës dhe SHBA-së. Edhe pse me skepticizëm, liderët europianë i dhanë një mundësi dhe mbështetje që të ndryshonte vendit dhe Shqipëria të kishte demokraci.
Sot Rama është totalisht i izoluar. Në Europë nuk shkel më si politikan që jep shpresë, përkundrazi në çdo takim edhe pse rend pas më të mëdhenjve refuzohet, shmanget dhe i lënë të kuptojë se është i padëshiruar. Si për të forcuar braktisjen që i kanë bërë liderët e huaj, vjen edhe deklarata e fortë e ministrit të Merkel një ditë para protestës së opozitës.
“Nëse doni të hapni negociatat me BE stop blerjes së votave në zgjedhjet lokale: qeveria e partia e saj ta dëshmojë këtë ndaj opozitës”, kështu u shpreh Christian Schmidt, Raporteri për Shqipërinë në Grupin Parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman një ditë para protestës së opozitës.
Sipas tij, “qeveria të merret me kapobandat e jo me peshqit e vegjël. Ajo të respektojë parlamentin dhe pavarësinë e gjyqësorit”. Mjafton kjo deklaratë e pastër, pa kamuflazh diplomatik për të kuptuar se shqetësimet e ndërkombëtarëve për Edi Ramën janë në tre shtylla kryesore: Mungesa e zgjedhjeve të lira dhe ndershme, lidhjet e politikës me krimin e korrupsionin dhe ndikimi në sistemin e drejtësisë.
Rama ka humbur edhe “sipmatinë” e përfaqësuesve të absadava të huaja në vend, veçanërisht të SHBA dhe BE-së. Kryeministrit i mungon ajo “përkedhelje politike” dhe jo vetëm, që shpesh merrte nga ish-ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin. Përkrah nuk ka më as ish-Ambasadorin Amerikan Donald Lu, që ende vijonte të besonte se kryeministri Rama ishte pro reformës në drejtësi.
“Boldnews.al”
Të protestojmë fuqishëm nesër për të shporrur këtë qeveri!
Nga Martin DEDAJ
Të gjithë jemi dëshmitarë të një realiteti trishtues dhe të frikshëm, atë të largimit të shqiptarëve nga vendi, të cilët në kushtet e pamundësisë së mbijetesës brenda Shqipërisë, shohin si rrugë të vetme shpëtimi atë të largimit nga ky vend! Pa dyshim që ky eksod masiv i shqiptarëve, ritmet e të cilit sa vijnë e shtohen, është si rezultat i qeverisjes së dobët, apo më saktë i keq qeverisjes së rilindjes.
Varfëria e ulur këmbëkryq dhe e përhapur gjërësisht kudo në Shqipëri, si dhe gjendja e rënduar social-ekonomike, së bashku me keq qeverisjen, kanë ndikuar dhe do të ndikojnë edhe në të ardhmen, që shqiptarët të shohin si mundësi të vetme emigracionin, thënë ndryshe largimin nga Shqipëria.
Shifrat e emigracionit janë tronditëse për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët enden këndej dhe andej kufirit, me shpresën e gjetjes së një të ardhmje më të mirë për vehte dhe familjet e tyre.
Sipas statistikave rezulton se çdo vitë ikin nga vendi ynë afro 5 %, e popullsisë së shqiptarëve, shifër kjo alamuese, të cilës po ti shtojmë edhe faktin se raporti lindje/vdekje është kthyer në favor të kësaj të fundit, (çfarë do të thotë se më shumë vdesin sesa lindin) shumë shpejt Shqipëria ashtu siç dhe kanë parashikuar institucionet prestigjioze ndërkombëtare, shumë shpejt do të ngurtësohet në popullësi në më pak se një milion. Pas eksodit masiv të fillimeve të demokracisë në vitet 1990-1991, ky fenomen në vitet e qeverisjes së rilindjes, që nga viti 2013 e në vazhdim ka marrë përmasa drastike, trishtuese dhe të frikshme dhe nuk dihet kur do të ndalet?!
Në pesë vite të qeverisë Rama, janë larguar nga Shqipëria mbi 500 mijë shqiptarë, që i bie më shumë se 100 mijë shqiptarë të larguar në një vit, dhe nëse do të vazhdohet me këto ritme, kuptohet se sa popullsi do të mbetet në këtë vend nga i cili po ikën mosha më vitale e tij. Sipas statistikave shumica e atyre që emigrojnë për në vendet e Bashkimit Evropian i përkasin moshës 20 – 50 vjeçare, dhe ajo çfarë është më shqetësuese është fakti se, po ikën pjesa më vitale e shoqërisë shqiptare e shkolluar dhe e specializuar, për të cilët shoqëria shqiptare ka investuar ndër vite. Po ikin mjekë dhe infermierë, stamatologë dhe mësues, mekanikë dhe ingjinierë, agronomë dhe veterinerë, hidraulikë dhe elektroutë, e plot profesionistë dhe teknicientë të tjerë, thënë ndryshe specialistët dhe teknicientët më të mirë të vendit tonë dhe Shqipëria shumë shpejt do të mbetet e banuar vetëm nga mosha e thyer, administrata shtetërore dhe popullsia me probleme shëndetësore dhe në kushtet e pamundësisë për të emigruar.
Prandaj të gjithë sëbashku duhet ti themi ndal kësaj gërryerrje masive dhe erozioni të popullsisë shqiptare, dhe duhet të ngrihemi e të protestojmë fuqishëm për të rrëzuar këtë qeveri vrastare të shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve në vendin e tyre.
Pjesa dermuese e familjeve shqiptare janë të prekura nga plaga e rëndë e bragtisjes së detyruar të vendit të tyre, fenomen i cili ka qenë dhe është evident në këto vite të keq qeverisjes së rilindjes, e cila meriton të emërtohet si qeveria e detyrimit të shqiptarëve për të lënë vendin e tyre.
Prandaj për të rikthyer besimin dhe për të krijuar kushtet dhe mundësinë e të jetuarit dhe punuarit në vendin tonë, duhet që me 16 shkurt 2019, të protestojmë fuqishëm dhe paqësisht për të shporrur këtë qeveri, që është shkaktarja e vetme e gjendjes së krijuar. Të protestojmë për të kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur nga kjo qeveri antipopullore, që po na diskriminon përditë e më tepër.
Të bashkuar ne bëhemi qindra mijëra dhe shumë më shumë se kaq dhe kthehemi në uragan. Duke protestuar fuqishëm dhe paqësisht, të gjithë sëbashku ne kthehemi në misionarë të udhënisjes së ndryshimit të madh, që po troket në mbarë Shqipërinë.
16 Shkurti 2019 do të jetë: Dita e këputjes së zingjirëve të varfërisë dhe mjerimit; Dita e kthimit të shpresës së shqiptarëve për të jetuar në trojet e veta; Dita ku do të flasë uragani. Historia ka treguar se kur vendos të flasë uragani bien pushtetarët dhe pushtuesit.
Ne jemi misionarë të së ardhmes. Protesta e 16 Shkurtit do të shërbejë si udhënisje e kësaj të ardhmje të përbashkët në dheun e të parëve, Atdheun tonë të dashur Shqipëri. E ardhmja është e jona, ne jemi misionarë të saj.
Nesër do të ikë Rama!…
Gjatë takimit me strukturat e LSI-së në Njesinë nr.11 në Tiranë, Kreu i Grupit Parlamentar i kësaj force politike, Petrit Vasili ka ironizuar me sjelljet e fundit të kryeministrit Edi Rama.
Sipas Vasilit, kreu i qeverisë është një i luajtur mendsh që kujton antimitingjet e komunistëve në fillim të viteve ’90.
“Nesër të jemi atje, të përkushtuar, të vendosur deri në fund. Nuk do ikim ne, do iki ai. Me këtë mendje duhet të jemi atje”, u shpreh Vasili.
Përmes një postimi në Facebook, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi flet rreth asaj që pritet të ndodhë nesër me protestën e opozitës.
Sipas saj, nesër ndahen dy botë: ajo e krimit e përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij dhe bota e integrimit që përfaqësohet nga shumica e shqiptarëve.
“Përballja e dy botëve nesër. Bota e krimit me botën e Integrimit. Shqipëria në BE”, shkruan Kryemadhi.
Më herët, gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në Njësinë nr.11 në Tiranë, kryetarja e LSI-së u shpreh se këto janë orët e fundit të Ramës në pushtet.
Kryemadhi: Ramës më shumë i dhimbset neoni i kryeministrisë, se sa shqiptarët
Gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në njësinë nr.11 në Tiranë, kryetarja e kësaj force politike, Monika Kryemadhi ka folur rreth protestës së nesërme të opozitës.
Sipas saj, Rama ka frikë nga humbja e pushtetit në PS dhe në qeveri, por koha e tij ka mbaruar.
“Ne jemi peng i një njeriu që nuk e lëshon karrigen. Ai ka frikë. Sot ne kemi nevojë për një qeveri që kujdeset për qytetarët. E patë si e ka rrethuar atë veprën e vetë tek kryeministria? Sikur të kujdesej për shqiptarët njësoj si për imazhin e hyrjes së derës ne do ishim të lumtur. Atij më shumë i dhimbset neoni se minatorët, naftëtarët. Ai njeri ka ikur ka ikur që dje, ne nesër do t’i bëjmë të qartë që s’mund të mbajë peng të ardhmen e shqiptarëve. Populli do i japë leksionin që është ai që të jep karrigen dhe populli të heq nga karrigia. Hapja e negociatave ka rëndësinë më të madhe për ne”, u shpreh Kryemadhi.
Lirohet nga burgu një tjetër vrasës i dënuar me burgim të përjetshëm
Është liruar nga burgu vrasësi i Naim Zyberit të fortit të Tiranës, Gerd Gjenerali, i cili ishte dënuar me burgim për përjetshëm. Lirimi i Gjeneralit është vendosur nga ana e Gjykatës së Korçës, ndërsa kryetar ka qenë Markelian Kuqo.
Gerd Gjenerali u ekstradua në Shqipëri në vitin 2014, ndërsa akuzohet si bashkëpunëtor me Arben Grorin në vrasjen e bujshme të Zyberit. Ende është e paqartë arsyeja mbi të cilën është bazuar gjyqtari për të pranuar lirimin me kusht të të dënuarit përjetë në mungesë.
Gjenerali u dënua me burgim përjetë nga Gjykata për Krimet e Rënda të Milanos, Itali, në vitin 1999, dhe më pas u bë ekstradimi i tij drejt Shqipërisë. Ai u deklarua i fajshëm për veprat penale të “vrasjes me paramendim në rrethana rënduese në dy raste”, “mbajtjes së armëve luftarake”, “prodhimi dhe shitja e lendeve narkotike në formën e organizimit e drejtimit të kësaj veprimtarie” dhe “kryerje e krimeve nga banda e armatosur”. Ky vendim mori formë të prerë në vitin 2001.
Naim Zyberi u vra në spital në Milano
Në fillim të viteve ’90, Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë gjatë atyre viteve, Gaz Muça. Zyberi u ekzekutua më 6 gusht të vitit 1997 nga tre persona, dy prej të cilëve Arben Grori dhe Gerd Gjenerali.
Naim Zyberi në vitet e para të ’90-s kishte arritur të mblidhte rreth vetes një grup djemsh, të cilët, sipas mënyrës që kishin vetëpërcaktuar, bënin ligjin në lagjet e kryeqytetit. Ai u cilësua si një nga atentatorët e Gaz Muçës, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin, i cili nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte nga burgu, por edhe t’i shpëtonte deri në vitin 2010 hakmarrjes së djemve të Rrugës Bardhyl.
Pas hapjes së burgjeve në ’97-n, edhe Naim Zyberi si shumë të tjerë arritën të largoheshin nga qelitë duke rifituar lirinë. Por Zyberi nuk do t’i shpëtonte dot hakmarrjes për vrasjet e Artur Grorit dhe të Gaz Muçës.
Ai u ndoq deri në Itali nga vëllai i Grorit, Arbeni dhe atentati i parë iu bë në një bar në Torino, vend ku Naim Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe për këtë arsye, iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë. Madje, për mjekim më të specializuar u dërgua në spitalin e Milanos. Fakti që Zyberi mbeti gjallë nuk bëri që autorët të dorëzohen.
Më datë 6 gusht, Gerd Gjinarari, që mbante një tufe me lule në dorë, brenda të cilës kishte fshehur pistoletën dhe Arben Grori, bashkë me një person tjetër, futen në dhomën e spitalit ku ndodhej Zyberi dhe e qëllojnë aty për vdekje. Por shumë shpejt arrestohen nga policia italiane.
Dr. Mark Solomon: Largimi i ambasadorit iranian i vonuar, Basha mik i sinqertë i hebrenjve
Dr. Mark Solomon është një nga njohësit më të mirë të zhvillimeve politike dhe lidhjeve mes hebrenjve dhe shqiptarëve. Në një intervistë për RD, Solomon thotë se largimi i ambasadorit iranian nga Tirana ka qenë i vonuar. Ai thekson se Basha është një mik i sinqertë i popullit dhe shtetit hebre.
-Ju drejtohem si një observues dhe një lexues i i vëmendshëm i zhvillimeve në Shqipëri e Ballkan dhe pyetja e parë që do të doja t’ju bëj është e thjeshtë sa e drejtpërdrejtë: Si e gjeni humorin e shqiptarëve gjatë këtyre ditëve?
Humori i shqiptarëve, sidomos në dy vitet e fundit ka rënë drastikisht. Shqiptarët shpresuan shumë në qeverisjen Rama, por ajo që unë observoj dhe perceptoj është se ata tashmë nuk e fshehin zhgënjimin e tyre. Mungesa e investimeve serioze e prodhuese, të vendit e të huaja,boshllëqet ligjore dhe administrative, korrupsioni i lartë në shumë fusha e hallka administrative, zbrazja e arkës së shtetit, ende të varfër e të pakonsoliduar, për të kënaqur interesat e një grushtitë vogël oligarkësh të lidhur me politikën dhe qeverinë Rama, papunësia e lartë, zbrazja e Shqipërisë nga të rinjtë, shumica e të cilëve nuk shohin perspektivë në këtë vend, krimi i organizuar dhe i paorganizuar, prodhimi, shkëmbimi dhe trafiku, tashmë i sofistikuar, i drogave të ndryshme, në e nëpërmjet territorit të Shqipërisë, polarizimi gjithnjë e më i madh në standartin e jetesës midis shtresës që pasurohet mbi kurrizin e shqiptarëve dhe shumicës së këtij populli fisnik si dhe shumë dukuri të tjera negative, janë plagët më të dukshme të Shqipërisënën qeverisjen Rama. Nuk është e vështirë t’i observosh dhe ca më pak t’i prekësh këto realitete.
-Ju observoni këto aspekte negative ndërsa qeveria mëton se ka kryer një sërë reformash….
Prapa së ashtuquajturave reforma, shoh tendencën për të koncentruar në pak duar, në mos në një dorë të vetme, të gjitha pushtetet dhe sferat më të rëndësishme të ekonomisë dhe të shoqërisë shqiptare. Një analizë korrekte e fakteve dhe e mënyrave se si po realizohen këto reforma nuk mund të mos të të çojë në këtë konkluzon. Fasada e reformave po përdoret mirë nga qeverisja Rama dhe nga kryeministri personalisht për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe të huajve që duan një Shqipëri realisht të emancipuar, realisht demokratike, realisht të zhvillueshme sipas modelit perëndimor të shtetit demokratik e ligjor. Shqipëria e Ramës – më lëjoni ta quaj për një moment kështu – realisht po ecën sipas modelit rus, ku pushtetet janë gjithnjë e më të kontrollur nga një njeri i vetëm dhe një grusht oligarkësh që e rrethojnë, me ndryshimin se Putin është në gjendje të kushtëzojë oligarkët e tij, ndërsa Rama është shprehje e interesave të vjetra e të reja të matricave nga të cilat ata lindin si dhe e disa linjave e ndërthurjeve politike rajonale e më gjerë, që kanë kushtëzuar për keq zhvillimin e Shqipërisë, si të asaj komuniste, ashtu edhe të asaj postkomuniste.
Me Ramën në pushtet Shqipëria është rikthyer totalisht në subjekt i politikave dhe forcave që ende arrijnë të mbajnë Ballkanin peng në rrugën e tij tortuoze, por të pashmangshme drejt modelit perëndimor euro-atlantik tëzhvillimit. Kjo duhet të ndryshojë dhe unë vlerësoj se i vetmi lider aktual që mund ta bëjë këtë ndryshim është Lulzim Basha, një politikan me formim solid akademik në Perëndim, tashmë me një eksperiencë të pasur në politikë dhe i papërlyer me oligarkinë dhe krimin e organizuar. Janë këto rekuizitet bazë që çdo perëndimor i thjeshtë dhe çdo forcë politike parlamentare apo qeverisëse në Perëndim do të konsideronte të domosdoshme tek një interlokutor politik e shtetëror në Tiranë.
-Kështu, për ju, të ashtuquajturat reforma nuk kanë dhënë efektet që priteshin…
Si mund të pretendosh se ke bërë reforma kur, më duhet të përsëris, vendi shndërrohet në pak vjet qeverisjeje në prodhues dhe distributor të drogës, kur mungojnë investimet e rëndësishme në infrastrukturë dhe prodhim, kur korrupsioni ka arritur shkallë të paparë ndonjëherë më parë, kur të rinjtë lënë masivisht vendin, kur krimi i organizuar shqiptar po konkuiston gjithnjë e më shumë terren si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, kur ekonomia po i çedohet copë pas cope, një grushti oligarkësh të lidhur me segmente të caktuar të qeverisjes Rama. Faktet janë kokëfortë dhe sado që të kamuflojnë e të kamuflohen zyrtarët e Ramës dhe ai vetë me të dhënat grosolane dhe manipulimet statistikore, shqiptarët e ndjejnë mbi kurrizin e tyre efektin negativ, nga njëra anë të reformave-fasadë dhe, nga ana tjetër, të një zhvillimi oligarkik të vendit.
-Si e konsideroni, në këndvështrimin tuaj, politikën e jashtëme të Shqipërisë?
Politika e jashtëme e Shqipërisëështë përgjithësisht e orientuar dhe ndoherë e kushtëzuar nga fakti që vendi është tashmë prej disa vitesh një anëtar i NATOS dhe ka hyrë në një fazë deçizive në relacion me Bashkimin Europian.
Shqipëria nuk ka shfrytëzuar mirënjë sërë kushtesh favorizuese, instrumentash e asetesh që sidomos BE, por edhe vende të tjerë miq i kanë gjenerozisht ofruar për të përshpejtuar reformat serioze e plotësuar kushtet e pranimit në BE. Pavarësisht vetë axhendës së BE-së, qeveria Rama nuk ka ndjekur, në gjykimin tim, një politikë univektoriale, por e ka dizorientuar politikën e jashtëme të Shqipërisë nëpërmjet kontakteve dhe relacioneve të pafrytshme në disa momente deçizive. Disa “flirte” të Shqipërisë në politikën e jashtme nuk e ndihmojnë atë të fokusohet në objektivin madhor të saj, që është pranimi në BE. Unë jam i bindur që kjo humbje energjie dhe kredibiliteti nuk do të verifikohet në një qeveri të ardhshme Basha. Është i njohur qëndrimi i paekuivok europianist dhe euroatlantisti liderit të opozitës demokrate shqiptare.
-Ju keni kontribuar në gjithë këto vite, edhe me disa publikime, në forcimin e lidhjeve midis botës hebraike e asaj shqiptare, por pyetja ime e mëtejshme nuk është e lidhur me aktivitetin tuaj, por me një kuriozitet tonin: me sa dimë, si Rama dhe Basha kanë kontakte të ndryshëm e të rëndësishëm me botën hebraike. Dalloni diferenca midis dy lidërve kryesorë shqiptarë në korrelacion me këtë botë?
Së pari do të doja t’ju preçizoj se lidhjet politike të lidërve të ndryshëm, edhe atyre shqiptarë, në pozitë apo në opozitë qofshin, me botën hebraike perëndimore, janë të mundshme në masën në të cilën ndjehet vetëpërkatësia në atë që quhet sistem vlerash tipik i matricës historiko-kulturale judaiko-kristiane, sistem në të cilin bota hebraike ështëhistorikisht bashkëthemeluese dhe plotësisht e e njehësuar dhe në specifikë shteti hebraik i Izraelit përbën një avampost të këtij sistemi në Lindjen e Mesme e më gjerë.
Kur gjendesh i mirëpritur në zyrën e madhe të kryetarit Basha në selinë qendrore të PD-së nuk mund mos të të bjerë në sy më shumë se një objekt-simbol i botës hebraike si dhe botime mbi historinë e popullit hebre e sidomos mbi Holokaustin,të cilët janë vendosur dukshëm e me kujdes të veçantë në librarinë e madhe pas skrivanisë. Gjatëbisedës së ngrohtë me të, pata rastin të mësoj me shumë kënaqësi lidhjet e tij intime, familjare, si me njerëz të thjeshtë, ashtu edhe me personalitete të spikatur të botës së sotme hebraike. Përpos kësaj, ajo çka është kryesore, qëndron në faktin se PD, më shumë se asnjë parti tjetër nëShqipëri, është një forcë e madhe politike që i dedikon vëmendje të posaçme marrëdhënieve me shtetin e Izraelit dhe botën izraeliane të biznesit. Nuk besoj se zbuloj ndonjë sekret kur mund të them se me PD në pushtet dhe zotin Basha kryeministër marrëdhëniet shqiptaro-izraeliane do të marrin një hov të panjohur më parë dhe se do të ketë ndryshime pozitive substanciale në politikën e jashtme shqiptare ndaj Izraelit.
-Por, nëse do të dëgjonim përfaqësuesit apo zëdhënësit e ministrisë së jashtme shqiptare, edhe në këtë moment, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Izraelit janë shumë të mira….
Në vështrimin tim, gjatë qeverisë socialiste të Ramës, në marrëdhëniet me Izraelin, janë konservuar disa elementë të matricës politiko-kulturore të periudhës ish komuniste dhe janë shprehur ndikime të forcave të huaja antiizraeliane, çka është shprehur publikisht në disa qëndrime të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Nuk mund të quhen, thjesht, gabime të një ishministri të jashtëm, njëherësh pinjoll i drejtpërdrejtë i një familjeje të konsoliduar komuniste dhe përçues i frymës së hapur antiizraeliane të ndonjë lideri rajonal, por një orientim i caktuar politik i qeverisë Rama. Në opinionin publik izraelian disa qëndrime të Shqipërisë kanë lënë shije të hidhur për inkoherencën e tyre lidhur me ndjenjat e sinqerta të miqësisëdhe mirënjohjes që lidh popullin hebre me popullin shqiptar, Izraelin me Shqipërinë e sotme si dhe kombet reciprokisht. Unë observoj se qeveria izraeliane, ka replikuar në mënyrën e saj ndaj këtyre qëndrimeve inkoherente, duke u kujdesur gjithmonë për vlerat e vërteta miqësore e njerëzore që lidhin hebrenjte, izraelianët, me Shqipërinë e shqiptarët.
Por, Dr. Solomon, nuk i jeni përgjigjur ende pyetjes sime mbi diferencën që ju dalloni midis lidhjeve të Ramës dhe atyre të Bashës me botën hebraike….
Në vështrimin tim (e faktet flasin vetë), do të thoja që diferenca është substanciale: Rama është mik i afërt dhe i deklaruar i manjatit hebreo-amerikan Xhorxh Soros për aktivitetin e të cilit edhe në Izrael ka objeksione të forta, ndërsa Basha është njohës i shkëlqyer dhe mik i sinqertë i popullit hebre dhe i shtetit hebraik të Izraelit.
-Një çështje tjetër e lidhur: kohët e fundit qeveria Rama deklaroi persona non grata ambasadorin e Iranit në Tiranë, akt që u përcoll me vëmendje nga shumë instanca politike dhe media ndërkombëtare. Ky akt patjetër që e solli Tiranën zyrtare në vëmëndjen e botës hebraike dhe të Jeruzalemit zyrtar, duke parë rëndësinë që Izraeli i kushton kërcënimeve që vijnë prej Iranit ajatollahist. Si e keni gjykuar këtë vendim?
Vendimi i qeverisë shqiptare është, natyrisht, për t’u përshëndetur, edhe pse dëbimi i një ambasadori apo një diplomati nuk ndryshon shumë substancën e gjërave në terren. Duhet të dijë opinioni publik shqiptar që ky vendim i qeverisë shqiptare ishte gjithsesi i vonuar, megjithë informacionet e shumta që shërbimet ekselente shqiptare të sigurisë dhe shërbimet e huaja prej vitesh i kanë furnizuar në këto vite qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama personalisht. Kjo do të thotë që midis segmenteve të kësaj qeverie dhe Teheranit ka patur dhe ndoshta vazhdon të ketë një fill të drejtpërdrejtë interesash jo shtetërorë që i kanë kushtëzuar gjërat.
Gjatë bisedës së gjatë me Bashën nuk munda të mos observoj shqetësimin e thellë të tij mbi disa aspekte të influencës iraniane në Shqipëri ( e kam fjalën për atë të regjimit iranian)dhe sidomos reperkusioneve që kjo influencë e strukturuar mund të sjellë si në aspektin e sigurisë në Shqipëri, ashtu edhe në disa marrëdhënie ndërkombëtare të saj, veçanërisht me SHBA dhe shtetin e Izraelit. Në këtë temë, e gjej Bashën plotësisht në koherencë me shqetësimin e zotit Berisha i cili vite më parë denoncoi i pari publikisht në Shqipëri regjimin iranian duke e përkufizuar, as më shumë e as më pak, si një regjim i tipit nazist. Gjej Bashën jo vetëm të mirëinformuar mbi këtë temë, por totalisht në sintoni jo vetëm me politikën e SHBA dhe të Izraelit ndaj Iranit të ajatollahëve, por edhe me dëshirën e popullit të emancipuar iranian për të rivendosur lirinë dhe demokracinë në këtë vend të rëndësishëm të Lindjes së Mesme.
-Edhe një pyetje të fundit; ne jemi media dhe punonjës dhe operatorë të medias në Shqipëri të cilëve kryeministri Rama u ka vënë epitete të padenjë për një kryeministër të një vendi që aspiron të bëjë pjesë nëBE. Cila është konsiderata juaj reth qëndrimeve të kryeministrit shqiptar ndaj shumicës së mediave dhe gazetarëve në Shqipëri?
Si person që ka komunikuar disa herë me e nëpërmjet mediave shqiptare e që e ndjek zhvillimin e tyre më duhet të them se shpesh cilësia e informacionit dhe e mesazheve që ato përcjellin si dhe etika e disa syresh lënë për të dëshiruar. Proçesin selektiv në zhvillimin e mediavevetëkoha po e ndihmon tëpastrohet nga nga uji i tepërt si dhe nga pseudoinformacionet që derivojnë nga nivele të ulët koshiencialë dhe profesionalë. Mirëpo nga këtu e gjer në konsiderimin e mediave “kazan” e kushedi çfarë tjetër epiteti o metafore të linguazhit folklorik të Ramës, më duket se nuk është aspak dinjitoze për një personazh politik e sidomos për një kryeministër vendi. Mediat në Shqipëri nuk janë ilegale e përderisa aktiviteti i tyre është i rregulluar e i garantuar nga ligji, mjafton t’i referohesh këtij të fundit për të mbajtur relacione korrekte me mediat, në vend që t’i etiketosh negativisht e t’i përçmosh ato dhe opertorët e veçantë të tyre.
Qëndrimi ndaj mediave është një tregues i qartë i emancipimit politik të një lideri dhe i nivelit koshiencial të tij, përpos i filozofisë nga e cila udhëhiqet dhe i kahjes së zhvillimit që ai pqërpiqet t’i japë shoqërisë dhe vendit. Shpesh qëndrimi i Ramës ndaj mediave më duket i ngjashëm me atë të Erdoganit në Ankara e të Putinit në Moskë. Ashtu si ata, edhe Rama në Tiranë ka shtënë në dorë mediat kryesore e ato qëende mbeten opozitare të tij i denigron dhe i skualifikon sistematikisht. Kjo nuk deponon në favor të tij si lider politik i një vendi që aspiron BE-në e, për fat të keq, është një ndër elementët që penalizon Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së.
Jam i sigurtë që me Bashën kryeministër do të ndryshojë edhe ky model i relacionit të qeverisjes demokratike me mediat. Me sa kuptova nga biseda me të, ai i konsideron mediat një pasqyrë e jo “kazan” dhe mjafton ky koncept për të kuptuar qëndrimin miqësor të tij ndaj mediave të vendit, të fokalizuar rreth së vërtetës, realitetit dhe synimeve të përbashkëta, edhe kur bëhet fjalë për media kundërshtare.
Është koha që Shqipëria të ndahet njëherë njëherë e mirë nga konceptimet tribale, të stilit Rama të pushtetit, e me Bashën kjo do të ndodhë. Basha është i vetmi lider shqiptar që nuk përdor shprehjen “kur të vijmë ne në pushtet”, por përdor frazën korrekte “kur të vijmë ne demokratët në qeverisje”, shprehje e formimit juridik perëndimor të tij në të cilin vetë fjala “pushtet”, tipike e regjimit komunist, është në vetvete shprehje e abuzimit me detyrën për të qeverisur. Ajo çka, në fakt, ka ndodhur me qeverisjen Rama. Më falni, por nuk kam gjë tjetër për t’i shtuar këtij argumenti.
-Ju faleminderit dhe ju urojmë gjithmonë mirëseardhjen në Tiranë.
Jam unë ai që duhet t’ju falenderoj për mikpritjen tuaj autentike.
Intervistoi Arben SHAHINI