30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Rrëfimi i rrallë i Mid’hat Frashërit në 1946: “Komunizmi? Ja çfarë e pret Shqipërinë”!

“Enver Hoxha dhe banda e tij përgatisnin plane në ç’mënyrë ta bëjnë Shqipërinë një provincë serbe, edhe mbasandaj kanë guximin të thonë se kanë luftuar për lirinë e Shqipërisë…”
Më poshtë mund ta lexoni një letër të Mid’hat Frashërit shkruar në mërgim, më 1 dhjetor 1946, plot një vit pasi komunistët kishin ardhur në pushtet në Shqipëri. Kjo ishte një thirrje për të mos i besuar komunizmit, që ai e quan një kolerë që shkatërron shpirtin e njeriut. Letra na zbërthen çdo pikëpamje të tij mbi situatën e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, shqetësimet e tij, revoltën, trishtimin dhe parashikimet mbi sistemin e ri që po vendosej në Shqipëri.
Kundërshtar i Partisë Komuniste, Mid’hat Frashëri u detyrua që në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali, ku edhe mendohet se është shkruar kjo letër. Më poshtë letra e plotë.
“Për miqtë e mi t’Amerikës
Të dashur miq,
Kemi dy vjet që u detyruam të largohemi nga Shqipëria dhe të bëhemi refugjatë. Sot, në tokën e mërgimit të anës perëndimore të adriatikut, jemi afër 750 shqiptarë, në mes të të cilëve edhe gra, kalamanj e pleq. Në greqi janë 800 refugjatë të tjerë, të larguar nga atdheu, mezi të shpëtuar nga masakrat, despotizma dhe tmerri që ka mbuluar Shqipërinë. Këta 1500 refugjatë ajnë nga të gjithë anët e Shqipërisë: Konispoli, Shqipëria e mesme dhe e veriut edhe nëj numër i madh nga Kosova.
Që dy vjet, kujdesi ynë i parë ka qenë të hyjmë në korespondencë me miqtë dhe farefisin që kemi në vendet e largët: Australi, Turqi, Egjypt, Shtetet e Bashkuara t’Amerikës, por veçanërisht me këtë të fundit, ku ndodhet kolonija jonë më e madhe. Shqipërinë e lam në tym e në flakë. Komunizma përgatitej të festonte triumfin e saj në mënyrë komuniste, do me thënë, duke therur, pushkatuar, mbytur, vrarë e torturuar, gra, burra, djem, çupa, të mëdhenj e të vegjël dhe sidomos të pafajshëm.

Deshëm të tërheqim vërejtjen e vëllezërve tanë që ndodhen larg Atdheut dhe që s’kishin pasur mundësi të informohen dhe të kuptojnë të vërtetën. Kjo nuk na dukej një çudi as edhe një gjë e mosbesuar, se, të paktën tri radio të mëdha në gjuhën shqipe ishin në favor të komunistëvet dhe bënin propagandën e tyre. Por, ne na duhej të shpejtonim që të shpëtojmë opinionin e shqiptarëvet që ishin larg Atdheut: Kishim për detyrë të ndriçonim mendjen e tyre dhe t’u viheshim në shërbim për çdo informatë që ata mund të kishin nevojë. Ata që kishin mbetur në Shqipëri, mund t’i quanim që të gjithë si të mjerë të burgosur, me zinxhirë në këmbë dhe me litar në grykë. Kishim nevojë, një orë e më parë, të shpëtonim nga robëria, në mos materiale por morale, kolonitë tona. Bëmë thirrje në ndjenjat patriotike dhe njerëzore të miqve tanë të largët.
Gjithë shpresën e mëkëmbjes së madhe e kishim te kolonija juaj, se ju rroni në një vend të lirë, nën një qeverisje liberale. Ju ishit larg tiranisë, larg despotizmës dhe larg diktaturës kuqalashe. Nuk kishit në Shtetet e Bashkuara, asnjë Mehmet Shehu, asnjë Enver Hoxha, asnjë Tito. Pastaj, kujtonim edhe patriotizmën tuaj të viteve 1919 dhe 1920. Kujtonim se qysh, të gjithë së bashku, si një njeri i vetëm, jini ngritur atëhere në këmbë dhe kini luftuar për indipendencën e asaj Shqipërie, për kufijtë e asaj Shqipërije dhe për nderin e asaj Shqipërije. Më të shumtët prej jush i njoh dhe më njihni personalisht. Kishim, pra, jo vetmë detyrën që të hynim në korespondencë me ju, por edhe të drejtën.
Me qindra letra ju janë dërguar, jo vetëm miqvet tuaj si unë, por edhe prej vëllezërvet, kushërinjvet, nipërvet dhe ungjërvet tuaj. Disave nuk u është kthyer përgjigje. Me çdo kusht ishte nevojë që të ndriçohej opinioni i tyre që të vononin akoma të mësojnë edhe të kuptojnë të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë çdo ditë u bë më tepër tragjike. Krimet e komunistëvet gjatë luftës, i vazhduan krime të tjerë, ekzekutimet pa gjyq ose me gjyq rrugësh, me ligje edhe pa ligje, vajtën duke u shumëzuar. Perëndija vetëm e di numurin e atyre që janë mbytur. Më të shumtët as ekzekutoheshin, as edhe masakroheshin në burgje, por vriteshin e çpoheshin me thikë në udhë e sipër. Sot vallë janë të burgosur, 16.000 apo 26.000? Sa prej tyre gjenden të sëmurë dhe gati për vdekje? Sa familje gjenden të internuar në Krujë, Berat e gjetkë?…

***
Doni të pyesni për reforma? Jua them unë. Reforma më e bukur, në krijimin e së cilës komunistët e Shqipërisë kanë rrëfyer një zotësi dhe një inteligjencë të vërtetë, është frika: nëna dhe baba të kenë frikë nga çupa dhe nga djali i tyre. Shqiptari të dridhet nga fisi më i afërt i tij se mos veje e ta kallëzoje te policija, simbas sistemit rus, G.P.U dhe N.K.V.D.
Lumturi e popullit? Vërtet një lumturi e mirë! Bujqvet, katundarëvet dhe atyre që s’kishin asgjë, qeveria demokratike dhe popullore e Enver Hoxhës u ka dhënë nga një pëllëmbë dhe. Por gjithë produkti i djersës së tyre vete në hambar të qeverisë dhe i gjori bujk, katundar ose proletar, duhet që të vejë çdo javë në zyrë të marrë te nëpunësi komunist kafshatën e gojës.
Qysh në fillim të regjimit të komunistëvet, gjith mallrat, ilaçet, veglat e mjekësisë dhe të kirurgjisë, çdo gjë që u gjend në drogeritë dhe depozitat e Shqipërisë, u dërgua te xhaxha Tito, dhe kjo për shpërblim të shërbimit që bëri Titoja duke vrarë afro 50.000 shqiptarë të Kosovës. Vajtën leshtë, lëkurët, benzina dhe nafta edhe ato në Jugosllavi. Shumë nga sendet që jep organizata U.N.R.R.A shkojnë në Jugosllavi ose u dorëzohen vetë besnikëvet të regjimit komunist. Fakir fukaraja, në mundshin dhe në gjeçin, le të hanë hithra. Mish nuk tregëtohet më në Tiranë, të shitet e të blihet. Për rroba, mveshje e mbajtje, pëlhurë, stofra e të tjera, mos bëni fjalë, se dyqanet që kishin qenë plot me plaçka, sot janë zbrazur. Edhe në ka eje të shitet ndonjë gjë, i jipet vetëm atyre që kanë marrë bileta nga qeveria…
Kjo është situata e Shqipërisë. Kjo është gjendja e të gjorëvet Shqiptarë që kanë lumturinë të rrojnë nën hijen e “demokracisë së Tiranës”.

***
Për fat të keq, dëmet nuk janë vetëm materiale. Për Shqipërinë e gjorë, me jo më tepër se një milion njerëz, sikur nuk ishte mjaft kjo luftë e përbotshme dhe pushtimi i huaj, sikur nuk ishet mjaft lufta italo-greke që u zhvillua në tokën arbërore dhe shkaktoi një shumicë rrënimesh, njerëzish dhe banesash, por ja se ku vjen edhe kolera e kuqe e komunizmës, që me dorën e shqiptarit të therrë shqiptarin, të sjellë një mizerje dhe një vuajtje që nuk e ka pësuar kurrë gjer më sot vendi ynë. Me mijëra njerëz që u çduknë nga dora trathëtare e komunistëvet, ashtu edhe me qindra milionë që franga ari u shkrinë në zjarr për qejfin e të kuqvet. Nuk e di cili do të ketë mbetur i padëmtuar materialisht dhe moralisht nga miqt që kemi lënë në Shqipëri? Cili nga anëtarët e fisit dhe nga të afërmit do t’i ketë shpëtuar dorës gjaksore?
Të mos kishte ardhur komunizma, sot Shqipërija mund të ishte vendi më i qetë dhe më pak i dëmtuar i Evropës. Mbi gjithë këto vuajtje materiale, shtoi edhe pësimet shpirtërore të një populli të tërë që i shembet vatra, që i shuhet zjarri, që i thyhet gjithë e arthmja dhe i hapet një humnerë në jetën e tij, mosbesim nga çupa, djali, motra, nëna, baba, i dashuri, fisi, fqinji menjëfjalë, përmbysja e ekulibrit moral dhe shoqëror. Si do ta mbledhë i gjori njeri veten e tij mbas kësaj katastrofe dhe qysh do të bëhet i zoti të fillojë jetën normale?!
Mos më flisni për shërbimet politike që mund të kenë bërë komunistët duke luftuar okupatorin. Trimërija e tyre ka qenë e kufizuar me të djegure më të vrarë shqiptarë, me të çkatërruar dhjetra qytete dhe disa qindra fshatra, që do të ishin si rojtarë të atdheut. Shtoni mbi këto edhe rrënimet e Tiranës që u shkaktuan prej komunistëvet bash në orën tek po iknin Gjermanët. Doni të bëjmë fjalë për efektin politik që pati instalimi i regjimit moskovit në Shqipëri?

Tema imediate e politikës së çetës komuniste në Tiranë ka qenë prishja e marrëdhënieve me dy Fuqitë Aleate, Angli dhe Amerikë. Të dy Fuqitë liberale të botës janë armiqësuar me klanin “demokrat” të Tiranës nga shkaku:
1.Se agallarët e kuq e kanë kallur Shqipërinë në sgjedhën e Rusisë dhe të Serbisë: Enver Hoxha dhe banda e tij përgatisnin plane në ç’mënyrë ta bëjnë Shqipërinë një provincë serbe, edhe mbasandaj kanë guximin të thonë se kanë luftuar për lirinë e Shqipërisë!
Se sejmenët e Rusisë, afro 6000 njerëz (oficerë, nëpunës, profesorë, industrialë, organizatorë, ushtarakë, por kryesisht spiunë dhe policë të G.P.U-s) sot janë sundonjësit e vërtetë të tokës shqiptare.
Se sjellja e autoritetevet të Tiranës ka qenë armiqësore dhe pa edukatë, ky brutalitet me qëllim fyes, kishte filluar kundrejt Aleatëve që në fund të vjetit 1945. Por dy veprime më me rëndësi akoma u bënë shkak që bota e tërë, ajo botë që dëshiron paqe dhe drejtësi, të ndjejë një zemërim dhe një urrejtje kundrejt qeverisë së Tiranës dhe këto janë:
Të prurët e Rusisë gjer në Sazan dhe në Sarandë, do me thënë në detit Jonian dhe afër Mesdheut Lindor.
Të qëlluarit me top të vaporrëve anglezë të luftës nga bregu i detit shqiptar.
Nga kjo keqsjellje e qeverisë kuislinge të Tiarnës (themi “kuislinge” se nuk mund të quhet shqiptare një çetë që merr urdhër së jashtmi, dhe aq më tepër prej një shteti si Serbija që gjithnjë ka rrëfyer armiqësi kundër Shqipërisë), qeverija greke ka gjetur një shkak, një pretekst, për të formuluar pretendime absurde kundër vendit tonë dhe kërkesat e saj kanë zgjuar një jehonë të favorshme pranë njërit prej shtetevet të mëdhenj, të cilëvet u cënohen interesat jetike të tyre, kur Shqipërija sjell Rusinë në Mesdhe.

***
Tani, miqt e mij, nuk dua t’ju them fjalë të tjera. Po u drejtohem ndërgjegjes dhe ndjenjave tuaja. Nuk kini nevojë as për këshilla, as për lutjet e mia. Kolonitë tona, patriotizmën dhe shërbimin për Atdhe e kanë në traditë. Detyrën tuaj jua rrëfen ndjenja juaj njerëzore dhe inteligjenca juaj. Këtë letër po ua dretonj atyreve që e dinë ç’do me thënë dashuri e prindërvet, që e ndjejnë mallin e Atdheut dhe që mbajnë gjithnjë gjallë nostalgjinë e vatrës së largët të tyre. Gjaku ujë s’bëhet. As edhe njeriu nuk mund të bëhet bishë.
Komunizma, s’kam as më të paktin dyshim, që e keni kuptuar edhe vetë, është sëmundje e tmerruar si tërbim i qenvet dhe ujqërvet, është një kolerë që nuk çkatërron vetëm trupin, por edhe më tepër akoma zemrën dhe shpirtin e njeriut. Jam i sigurt që asnjerit prej jush nuk i pëlqejnë këto sëmundje. Prandaj edhe juve ju bije një detyrë, edhe më urdhëronjëse akoma: të hyni edhe ju në udhën antikomuniste që ka filluar jo vetëm në Shqipëri por edhe n’Amerikë.
Mos harroni se Shqipëria gjindet në një moment delikat. Kujtoni përgjegjësinë tuaj përpara historisë. Kolonitë tona nuk mundin të rrinë indiferente, janë në vende të lirë, janë larg territorit, larg kanosjevet gjaksore të Koçi Xoxëvet dhe çdo indiferencë të tyre, kur atdheu heq çaste agonije, merr formën e një krimi të urrejtshëm.
Kemi sigurinë se do të mbushni detyrën tuaj. Do t’i bëni një mur komunizmës me vullnetin tuaj, me zemrën tuaj dhe me patrotizmën tuaj. Me këtë bindje, ju uronj shëndet edhe punë të mbarë.
Mid’hat Frashëri
Në mërgim më 1 dhjetor”.
/Kujto.al/

Protesta tek Unaza e Re, Meta kërkon zgjidhje të drejtë për qytetarët me dialog

Pas protestes se banoreve te zones se Unazes se Re, te cilet kundershtojne vendimin e qeverise per shembjen e banesave te tyre, vjen nje reagim nga Presidenti Ilir Meta.
Reagimi
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z Ilir Meta po ndjek me shqetësim dhe vëmendje situatën konfliktuale të krijuar në Tiranë mes qytetarëve dhe autoriteteve për shkak të ndërtimit të Unazës së Re.
Presidenti Meta bën thirrje për vendosjen e një dialogu dhe konsultimi mes qytetarëve dhe autoriteteve, me qëllim që të gjithë ankesat të vlerësohen me transparencë dhe përgjegjësi, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe objektive.
Presidenti Meta u bën thirrje të gjitha institucioneve të zbatojnë me përpikmëri procedurat ligjore për hartimin, miratimin dhe implementimin e këtij projekti urban në mënyrë që realizimi i tij të mundësojë një zgjidhjeje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe interesin publik në tërësi.
Presidenti Meta do t’i drejtohet institucioneve përgjegjëse për të marrë informacionin e duhur në lidhje me ndjekjen e procedurave të deritanishme për këtë çështje.
Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha institucionet shtetërore duhet të tregojnë përgjegjshmëri në respektimin e plotë të tyre.

Pse Balla i fshihet si mi padisë së Shkëlzen Berishës?

E keni parë të ngrefet para kamerave sa herë shkon të bëjë denoncime në Prokurorinë e kontrolluar nga Rama, por duhet ta shikoniTaulant Ballën si i fshihet si miu padive të bëra në Gjykatë, kësaj rradhe nga Shkëlzen Berisha.
Është zhvilluar seanca e radhë në Gjykatën e Tiranës në lidhje me padinë e Shkëlzen Berishës ndaj kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Djali i ish kryeministrit ka kërkuar dënimin e Taulant Ballës për deklarimet e tij, ku ai e akuzon Shkelzen Berishen per mospagim te taksave.
Taulant Balla nuk ka marrë pjesë në seancë, ndërsa gjatë fjalës së tij për mediat Shkëlzen Berisha u shpreh me ironi se do ketë qenë duke nxjerrë ndonjë përdhunues nga komisariatet.
‘Proceset për shpifje me zotin Balla janë të shumta sepse profesioni kryesor i zotit Balla është shpifës. Nuk ishte i pranishëm.
Shpresoj të mos ketë qenë duke nxjerrë ndonjë përdhunues nga komisariatet, shpresoj të mos ketë qenë në udhëtim me ndonjë trafikant që e ka mik shtëpie, shpresoj që gjykata të vërtetojë dhe njëherë shpifjen e radhës, kësaj here penalisht për zotin Balla’- tha Shkëlzen Berisha.
Seanca e radhës do të zhvillohet në datë 27 nëntor ne Gjykatën e Tiranës.

Kapen 300 kg kokainë në Greqi, kush është shqiptari i arrestuar

Një operacion ndërkombetar droge është realizuar në Greqi dhe Ekuador. Siç mësohet një shqiptar dhe dy grekë në Greqi dhe 6 shtetas në Ekuadorjanë arrestuar. Janë sekuestruar edhe rreth 300 kg kokainë në një velierë me destinacion Australinë.
Operacioni vijon ende në disa shtete, sipas policisë greke bëhet fjalë për një organizatë ndërkombëtare e trafikut të kokainës. Ndërsa shqiptari dhe dy grekët janë drejtuesit e organizatës.
Operacioni është bërë në bashkepunim me DEA-n. Mësohet se emri i shqiptarit është Ilia. Droga transportohej me velierë nga Ecuadori në Australi e më pas nga Australia do vinte në Greqi. Dy nga tre te arrestuarit në Greqi, njëri është pronar kafeneje dhe tjetri merret me shitje makinash.
Droga do të blihej nga tre organizatorët per 1.5 milionë euro. Ne Ekuador edhe një oficer i policisë greke.

Kasmi zbulon kush e ka radhën e arrestimit pas Shullazit

Pasi përshëndeti dënimin e Emiljano Shullazit, sot Ambasada e SHBA në Tiranë ka pyetur qeverinë se kush e ka radhën?
‘Vendimi i marrë është një fitore për sundimin e ligjit në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë tani pyesin ‘Kush e ka radhën’?, thuhej në reagimin e Ambasadës së SHBA.
Duke komentuar këtë deklaratë, kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmi ka zbuluar disa prej emrave që mund të arrestohen.
Kasmi përballë gazetarit Alen Xhelili është shprehur se mund të jetë Saimir Tahiri.
‘Ambasada Amerikane ka mbajtur një qëndrim të qartë për çështjen Shullazi.
Por edhe për çështjen Tahiri ata janë shprehur se, ai u lirua pas presioneve dhe parave.
Mund të jetë Balili apo Tahiri.
Pse Tahiri? Sepse Tahiri vazhdon të jetë në një proces gjyqësor’, është shprehur Bledi Kasmi në SYRI.net.

Mediu: Ja si Rama dhe Veliaj mashtruan banorët me çertifikata legalizimi në fushatë

Kreu i PR, Fatmir Mediu ka reaguar ashpër me tentativën më të fundit të kryeministrit dhe kryebashkiakut të Tiranës, për nxjerrjen e mbi 300 familjeve nga banesat e tyre përgjatë Unazës së re. Sipas Fatmir Mediut, Rama dhe Veliaj, janë të papërgjegjshëm dhe e konsiderojnë “Tiranën pronë ë veten dhe qytetarët vegla të interesave politiko-korruptive”.
Mediu risolli në vëmendje faktin që ata qytetarë “janë mashtruar nga Edi Rama se do legalizonte çdo gjë, të mashtruar nga Veliaj se do legalizonte pronat e tyre. Mjafton të kujtoj se si në fushate për zgjedhjet lokale dhe Parlamentare bridhnin me certifikata legalizimi nëpër duar”.
Duke bërë një paralelizëm sipas të cilit “për 45 vjet komunizmi i baballarëve të Ramës e Velisë i rrëmbeu, kolektivizoj, përndoqi, internoi, i bëri kulak pronarët e ndershëm”, Mediu shtoi se, “ky është pushteti i një grupi, i një klani që janë krenar për historinë e komunizmit dhe kërkojnë ta përsërisin atë, duke sulmuar, shkatërruar, rrëmbyer çdo gjë që nuk është me ta”.
Deklarata e plotë e Fatmir Mediut
Deklarata e Kryetarit te Bashkise se nuk pyet per qytetaret e unazes se Tiranes, shtepite jeten e tyre dhe femijeve te tyre eshte tipike deklarate e nje njeriu te papergjegjshem qe e konsideron Tiranen prone te veten dhe qytetaret vegla te interesava politiko-korruptive.

Per me teper eshte e paturp dhe e papergjegjshme ti quash qytetaret e qytetit tend qe kane votuar pro apo kunder teje “Shpellare”.
Askush nuk eshte kunder rruges, por qindra familje nuk mund te hidhen ne rruge pa strehe e pa shprese.
Ata jane njerez te ndershem, qe kane ndertuar me mund dhe me djerse shtepite e tyre. Jane mashtruar nga Edi Rama se do legalizonte cdo gje, te mashtruar nga Veliaj se do legalizonte pronat e tyre. Mjafton te kujtoj se si ne fushate per zgjedhjet lokale dhe Parlamentare bridhnin me certifikata legalizimi neper duar.
Per 45 vjet komunizmi i babllareve te Rames e Velise i rrembeu, kolektivizoj, perndoqi, Internoj i beri kulak pronaret e ndershem.
Gjithe keto vite Rama i mashtron pronaret pa u dhene asgje, duke mos njohur apo mashtruar Gjykaten e Strazburgut.
Po keto njerez legalizojne ke duan dhe shkaterrojne ke te duan. Nuk njofin detyrimin per shpronesim per interes publik, te shtepive qe jane tashme aty prej vitesh në pritje te legalizimit
Ky eshte pushteti i nje grupi, i nje klani qe jane krenar per historine e komunizmit dhe kerkojne ta perserisin ate, duke sulmuar, shkaterruar, rrembyer cdo gje qe nuk eshte me ta.

Kasmi: Qeveria, kompensim sa për 1 vit qera banorëve që do t’u shemben shtëpitë tek Unaza e re

Kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmi i ftuar mbrëmjen e sotme në studion e SYRI.net, ka dhënë detaje se çfarë po ndodh në Unazën e re.
Duke folur përballë gazetarit Alen Xhelili, Kasmi është shprehur se është qesharak shuma e kompensimit që qeveria u ka propozuar banorëve të Unazës së re.
Sipas Kasmit, qeveria u jep banorëve që do t’u shemben shtëpitë 500 lekë të vjetra për metër katror.
‘Banorët nuk tërhiqen nëse ata nuk kompensohen me çmimin e tregut.
A e dini se sa u ka dhënë çmimin për metër katror qeveria banorëve të zonës?
500 lekë metri katror, kur aty përballë në një pallat minimumi i çmimit të metrit katror është 600 euro.
Një familje që ka një shtëpi prej 100 metrash katrorë i bie të marrë 5 milionë lekë të vjetra. Ku mund të shkojë një familje me kaq para, ku mund të gjejë një banesë tjetër me kaq lek.
Vetëm qeraja e 1 viti është kaq’, tha Kasmi në studion e SYRI.net.

Fyerjet raciste të Veliajt, opozita braktis Këshillin Bashkiak: Do t’i bashkohemi protestës së banorëve të Tiranës

Opozita e Bashkuar ka vendosur që të braktisë punimet e Këshillit Bashkiak që do të mblidhet të enjten.
Me një deklaratë të përbashkët, këshilltarët e opozitës janë shprehur se do ti bashkohen banorëve të Unazës së re, që protesojnë për të drejtën e tyre.
‘Në mbledhjen e përbashkët, Opozita e Bashkuar në Këshillin Bashkiak Tiranë, vendosi:
Si akt proteste ndaj sjelljes së paprecedentë të kryetarit bashkisë Tiranë, fyerjeve raciste, sjelljes denigruese dhe përçarëse ndaj banorëve dhe qytetarëve të Tiranës, të refuzojë pjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak Tiranë, dhe t’i bashkohet protestës së banorëve të Tiranës, në mbështetje të kërkesave të tyre të ligjshme, të drejtës së jetës, banesës dhe dinjitetit njerëzor.
Opozita zgjedh të jetë në krah qytetarëve përballë kësaj klike të korruptuar e të shthurur, që vetëm në sajë te votave të blera nga mafia dhe grupet e trafiqeve të drogës sundon vendin dhe Tiranën’, thuhet në deklaratën e këshilltarëve të opozitës së bashkuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Televizionet në shërbim të Ramës dhe Veliajt, mbyllin ekranet për protstën vetëm FaxNews transmeton

Shumica e mediave në vendin tonë janë kthyer në shërbimin e qeverisë. Në ditën e 12 të protestës së banorëve të Unazës së re, që mbrojnë shtëpitë e tyre nga shkatërrimi me urdhër të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, televizionet informative në vendin tonë, kanë mbyllur ekranet për popullin.
Vetëm televizioni FaxNews ka transmetuar protestën e banorëve të Unazës së re, ndërsa disa prej tyre nuk kanë dhënë as fjalën e kreut të PD-së i cili iu bashkua sot protestës.
Qindra banorë po protestojnë kundër Ramës e Veliajt dhe si me urdhër sot nuk kanë transmetuar protestën e tyre.
Një ditë më parë të gjitha mediat transmetuan protestën, por sot duket se kanë marrë urdhrin për të mos u dhënë hapësirë.
Më poshtë keni fotot e televizioneve:

 

Basha me protestuesit e Unazës së Re publikon 2 VKM: Qeveria, 3 shkelje të mëdha!

Kreu i opozitës, Lulzim Basha I është bashkuiar sonte sërish protestës së banorëvë të ‘Astirit’, banesat e të cilëve do të shemben nga ndërtimi i Unazës së Madhe.
Gjatë fjalës së tij, Basha është shprehur se projekti është për një autostradë, me jo për një rrugë si unaza.
Basha u shpreh se projekti është i paligjshëm sepse nuk është miratuar nga pushteti vendor.
‘Pushteti vendor nuk duhej që të ishte pranuar. E më pas del njëri, një njeri me shpirt të zi, i cili thotë se janë shpellarë.
Një, kemi të bëjmë me një projekt fantazëm, dy kemi një projekt që nuk është për brenda qytetit dhe tre, nuk është miratuar nga bashkia’, u shpreh Basha.
Keto jane dy dokumentet te cilave iu kreu i PD, Lulzim Basha, gjatë takimit me perfaqesine e protestuesve, qe kerkojne demshperblim per shtepite e tyre.
VKM PROCES LEGALIZIMI e vitit 2011 tregon standartin ligjor të vendosur nga qeveria ‘Berisha’, që pronarët e banesave në proces legalizimi të kompensohen me vlerë të plotë tregu, kur banesat e tyre preken nga projektet me interes publik.
VKM SHPRONËSIMET e vitit 2012 provon që për projektin e Unazës së Madhe janë kompensuar me vlerë të plotë tregu edhe banesa që janë klasifikuar nga ALUIZNI në kategorinë ‘Proces legalizimi’. ?
VENDIM
Nr.563, datë 3.8.2011
PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.138, DATË 23.3.2000 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR KRITERET TEKNIKE TË VLERËSIMIT DHE PËRLLOGARITJES SË MASËS SË SHPËRBLIMIT TË PASURIVE QË SHPRONËSOHEN, TË PASURIVE QË ZHVLERËSOHEN DHE TË TË DREJTAVE TË PERSONAVE TË TRETË, PËR INTERES PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit të 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17 të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
1. Në vendimin nr.138, datë 23.3.2000 të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas pikës 7 shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:
“7/1. Përjashtimisht, për investimet në akse rrugore kombëtare, shpronësohen edhe zotëruesit privatë të objekteve/pasurive të paluajtshme të paregjistruara në regjistrat publikë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Enti që bën shpronësimin, ka të drejtë të kryejë procedurat e shpronësimit ndaj zotëruesve të këtyre pasurive, pas plotësimit të kushteve të mëposhtme:
Zotëruesit e objektit janë në proces administrativ pranë ALUIZNI-t sipas ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, të ndryshuar;
Ndërtimi pa leje ose shtesa pa leje, që zotëron subjekti që shpronësohet, gëzon statuset i vetëdeklaruar e i kualifikuar më parë për leje legalizimi nga ALUIZNI, sipas të gjitha kritereve të vendimit nr.438, datë 28.6.2006 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, të ndryshuar;
Zotëruesit e objektit janë në proces për t’u pajisur me leje legalizimi pasi:
i) disponohet një akt i Këshillit të Ministrave, i botuar në Fletoren Zyrtare, në zbatim të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar, që identifikon objektin e tyre dhe këtë subjekt (person fizik/juridik) si zotërues të objektit pa leje apo shtesës pa leje në parcelën ndërtimore; apo
ii) subjekti zotërues ka ngritur objektin në tokë të tij/shtetit dhe nuk është skualifikuar nga procedura e legalizimit.

Procedurat e mësipërme të shpronësimit quhen të kryera nga çasti kur zotëruesi i objektit pa leje apo shtesës pa leje i nënshkruan entit që kryen shpronësimin deklaratën sipas aneksit 1, dhe hyn në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave.
Të gjitha detyrimet ndaj personave të tjerë dhe të tretëve, në lidhje me të drejtat e pronës, zgjidhen nga zotëruesi.
Përjashtimisht, në zbatim të detyrimeve sipas këtij akti, ALUIZNI qendror, për të gjitha dosjet e subjekteve vetëdeklaruese, të kualifikuar, sipas paragrafit 1, arkivon me shënim të veçantë dosjen dhe pezullon çdo veprim administrativ të mëtejshëm me marrjen e urdhërimit për pezullim nga ministria e linjës. Këto dosje të ALUIZNI-t arkivohen si praktika të veçanta pas dërgimit nga MPPT-ja të listës së pasurive dhe numrit rendor të subjektit në vendimet respektive të Këshillit të Ministrave dhe janë subjekt depozitimi në Arkivin e Shtetit.”.
2. Përmbajtja e pikës 1 të këtij vendimi zbatohet edhe për kërkesat për shpronësim, të cilat janë publikuar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Për këto raste, struktura përgjegjëse që merret me procedurën e shpronësimit autorizohet të përfundojë procedurën, për këtë kategori objektesh, brenda 30 (tridhjetë) ditëve.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet e tij deri në datën 1.5.2013.

KRYEMINISTRI
Sali Berisha

Aneksi A
Unë _____________________ , i pajisur më kartë identiteti nr. _____ , me përgjegjësi të plotë ligjore, deklaroj se çdo rrethanë e paraqitur në këtë deklarim për objektin me karakteristikat e mëposhtme:
shtëpi banimi/objekt social _____________ , kate _____________ , mbi nivelin e kuotës zero me sipërfaqe kati __________________________________ , gjithsej __________ , deklaruar më datë , për pajisje me leje legalizimi sipas ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, është i vërtetë dhe se mbaj përgjegjësi civile dhe ligjore për çdo dëm që mund t’i krijohet shtetit në rast deklarimi të rremë për efekt të kryerjes së këtij shpronësimi sipas pikës 7/1 të vendimit nr.138, datë 23.3.2000 të Këshillit të Ministrave “Për kriteret teknike të vlerësimit dhe përllogaritjes së masës së shpërblimit të pasurive që shpronësohen, të pasurive që zhvlerësohen dhe të të drejtave të personave të tretë, për interes publik”, të ndryshuar.
Deklaruesi:
____________________________
(emër, mbiemër, firmë)

VENDIM
Nr. 129, datë 22.2.2012

PËR SHPRONËSIMIN PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR UNAZA E MADHE E TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 pika 1, 20 e 21 të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik” dhe të ligjit nr. 10 487, datë 5.12.2011 “Për buxhetin e vitit 2012”,me propozimin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Unaza e Madhe e Tiranës.
Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqe 34 188.8 (tridhjetë e katër mijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë pikë tetë) m2, me vlerë 167 869 732 (njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e tridhjetë e dy) lekë, objekte me vlerë 13 965 786 (trembëdhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e gjashtë) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 181 835 518 (njëqind e tetëdhjetë e një milionë e tetëqind e tridhjetë e pesë mijë e pesëqind e tetëmbëdhjetë) lekësh.
Shpenzimet procedurale, në vlerën 585 000 (pesëqind e tetëdhjetë e pesë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 181 835 518 (njëqind e tetëdhjetë e një milionë e tetëqind e tridhjetë e pesë mijë e pesëqind e tetëmbëdhjetë) lekësh, të përballohen nga zëri “Investime”, miratuar për Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, për vitin 2012.
Shpronësimi të fillojë nga data 1.3.2012.
Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja” të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Rikonfirmim pranë ZVRPP-së” të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të jepet konfirmim nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, për sipërfaqet e regjistruara, si dhe në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që ata do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
9. Pronarët e objekteve, për të cilat janë bërë shënimet “Leje legalizimi” dhe “Proces kualifikimi nga ALUIZNI”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, në bazë të vendimit nr. 138, datë 23.3.2000 të Këshillit të Ministrave “Për kriteret teknike të vlerësimit dhe përllogaritjes së masës së shpërblimit të pasurive që shpronësohen, të pasurive që zhvlerësohen dhe të të drejtave të personave të tretë, për interes publik”, të ndryshuar.
10. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të likuidojë pronarët, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 7, 8 dhe 9 të këtij vendimi.
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’i vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, dhe të bëjë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pronarët e pasurive të shpronësuara deri në çastin kur të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
13. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha