22.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

Pastrimi i parave me leje ndërtimi: Edi Rama i ligjëron trafikut kullat dhe resortet në të gjithë vendit

Në një intervistë publike, kryeministri Edi Rama e tha hapur:

Kam dhënë dhe do të vazhdoj të jap leje ndërtimi për pallate, kulla e resorte – dhe nuk dua t’ia di se nga vijnë paratë.

Ky është një pranim zyrtar i kapjes së shtetit nga ekonomia e paligjshme, një sinjal i qartë për të gjithë botën e krimit se në Shqipëri ka një derë të hapur; nëse ke para për të investuar në beton, je i mirëpritur. Nuk pyet kush për origjinën.
Dhe kur këtë e thotë vetë kryeministri dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të Territorit, atëherë çdo leje ndërtimi e dhënë nga ai nuk është më vetëm autorizim urban, por bashkëpunim institucional për pastrimin e parave të krimit.

Paratë që vijnë nga krimi, ndërtojnë Shqipërinë, me izmën shtetërore

Dosjet e hapura dhe investigimet ndërkombëtare e vendase tregojnë qartë se një pjesë dërrmuese e lejeve të ndërtimit janë në duar të individëve me histori të dokumentuar kriminale.

Dhjetëra emra të lidhur me trafiqe, vrasje, grupet mafioze shqiptare dhe ndërkombëtare, kanë marrë leje për të ndërtuar pallate, vila, kulla, porte jahtesh, hotele, ferma dhe aeroporte private.

Lista është e gjatë. Por më e frikshme është heshtja e shtetit.

Sipas Ligjit Antimafia, para se të jepet një leje ndërtimi për investim, duhet të kërkohet informacion nga Policia e Shtetit, SHISH, Drejtoria e Inteligjencës Financiare, Tatimet dhe Bankat. Asnjë nga këto nuk është bërë. Sepse urdhri është politik: “Mos pengoni investitorët.”

Në fakt, në raportin vjetor të vitit 2022 në Kuvend, Altin Dumani deklaroi se 90% e sektorit të ndërtimit në Shqipëri është mbuluar nga para të pista. Por ajo që nuk tha është se SPAK nuk ka goditur asnjë nga këta emra me pasuri të dukshme e pa burim të justifikuar.

Në Shqipëri krimi ka ndërtuar jo vetëm kullat, por edhe sistemin që i legalizon ato.
Ai është ulur në zyrat e KKT-së. Është futur në ligjet e “investimeve strategjike”. Ka rrënjë në zyrat e kryeministrit, në agjencitë e territorit, në tatime, në hipotekë.

Dhe Rama, jo vetëm që nuk e ndal, por e lehtëson. E inkurajon. E mbështet publikisht. Sepse për të, zhvillimi matet me volum betoni, jo me burim kapitali.
Nëse sot ti ndërton me para droge, je zhvillues. Nëse pyet për burimin e fondeve, je sabotues.

“Kodi zgjedhor të ndryshohet urgjentisht” – Analisti: Berisha duhet të heqë dorë nga politika

Analisti Agim Baçi, i ftuar në “Opinion” në News, u shpreh se Shqipëria ka nevojë urgjente për një kod të ri zgjedhor, pasi me aktualin nuk shprehet realisht vullneti i qytetarëve në votime.

Sipas Baçit, ka ardhur koha për një ridimensionin të politikës, me gjithë forcat opozitare, të vogla e të mëdha, që duhet bashkohen, qoftë edhe me një kompromis që politika i njeh, por këtë nuk mund ta bëjë Sali Berisha me “sektin” e vet në PD.

“Sali Berisha e dinte që pa hyrë në zgjedhje presion e administratës apo ndikime të tjera, por shkoi në zgjedhje. Berisha e ka deklaruar me pathosin e madh: Kryetari që humb zgjedhjet, largohet. Madje e quajti neni Basha. Berishizmi është një lloj sekti që nuk largohet, kujtojnë ’92, 2005 dhe plot gjëra të tjera. Edhe në 85’ kur vdiq Enver Hoxha thonin ‘u bubu’ kush do na drejtojë tani. Por e pamë që nuk ndodhi asnjë gjë, ashtu është edhe për Berishën.

Kreu i PD-së fshihet pas një termi të ri, me fjalën misionar. Nuk e kuptoj sa pika të përbashkëta duhej të kishin partitë e vogla që të bëheshin bashkë. Në politikë ka gjithnjë kompromis, partitë e vogla u vetëndëshkuan. Berisha nuk ka pse akuzon tani partitë e vogla kur ai nuk arriti t’i bëjë bashkë para 11 majit. Me listat e mbyllura u gabua, e tregojnë më së miri votat e Tabakut dhe Alimehmetit, të cilët tani brenda forumeve kanë një kredibilitet tjetër. Ata që u zgjodhën nga listat e mbyllura tani nuk ndihen mirë karshi këtyre dy figurave.

Gjithë forcat politike që humbasin i nënshtrohen një lloj analize, edhe pse mund të mos jetë faji plotësisht i tyre si pasojë e represionit të pushtetit. Kemi nevojë për një ridimensionim të politikës. Personalisht nuk besoj se këtë mund ta bëjë Berisha. Partitë e reja duhet të gjejnë kurajon dhe të bëjnë hapa konkretë për të qenë bashkë, pavarësisht se sot janë të paktë në numër. Kodi zgjedhor nuk shpreh realisht vullnetin e popullit.

Nëse njerëzit llogarisin se kush është më pak i keqi, natyrisht që do të kemi këtë rezultat. Pastaj ka njerëz që janë të lodhur mes zënkave të vetë PD-së. Për hir të vërtetës kemi një hendek edhe mes votave të Diasporës. Kemi një lloj urgjence për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. PS duhet të ndërgjegjësohet dhe të ketë një ndershmëri në këtë që të pasqyrohet vullneti i qytetarëve.

Në Shqipëri, pavarësisht pretendimeve të palëve kur humbin, vetëm zgjedhjet e ’96 nuk janë pranuar nga ndërkombëtarët. Prisja nga Diaspora një emancipim me fshehtësinë e votës, por pamë se ndodhi edhe më keq me votimin kolektiv duke filmuar veten. Nuk e di se si, ata me pasaporta europiane, votuan Ramën, që kishte si pikën kryesore të fushatës këtë lajtmotiv, shumë habitshme. Ata kanë pasaportë europiane, nuk janë si qytetarët në Shqipëri” – u shpreh ndër të tjera analisti Agim Baçi.

Shtresa e mesme nën presionin e kostove të larta të jetesës! Për 70%, shpenzim kryesor mujor është ushqimi

Grocery prices increase and Inflation as Food price increase cause. Collage with shopping basket and arrow of the inflation graph

Kostot e jetesës për shtresën e mesme janë rritur vitin e fundit më shumë se të ardhurat, treguan rezultatet e anketës së “Monitor” me 271 pjesëmarrës, 95% e të cilëve ishin të arsimuar me paga të larta. 49% pohuan se kostot e jetesës ishin përkeqësuar në krahasim me fillimin e vitit 2024. Rreth 70% pohuan se pjesa më e madhe e të ardhurave mujore shkonin për blerjen e ushqimeve, të ndjekura nga strehimi dhe shërbimet shëndetësore. Dypunësimi, rritja profesionale, emigrimi, shkurtimi i shpenzimeve për argëtim etj., janë disa kundërpërgjigje për shtrenjtimin e jetesës. Ulja e taksave dhe rritja e pagave, së bashku me përmirësimin e arsimit dhe shëndetësisë, sugjerohen si zgjidhje

Rritja e kostove të jetesës nga çmimet më të larta të ushqimeve, qirave, shërbimeve shëndetësore dhe arsimore gjatë vitit të fundit kanë vënë në vështirësi shtresën e mesme, sipas një ankete që “Monitor” zhvilloi me 271 persona në shkurt-mars 2025, ku 95% e tyre ishin me arsim të lartë dhe studime pasuniversitare.

Rezultatet e anketës treguan se personat e arsimuar (58% kishin të ardhura familjare mbi 100 mijë lekë në muaj) shumicën e shpenzimeve mujore i çojnë për ushqime dhe strehim.

Gati 49% pohuan se kostot e jetesës ishin përkeqësuar në krahasim me fillimin e vitit 2024, ndërsa 12% pohuan se niveli i tyre i jetesës ishte përmirësuar, pjesa tjetër ishte njësoj. Shumica pohuan se kishin vështirësi të përmbushnim nevojat mujore me ushqime dhe me strehim.

Për të përballuar rritjen e kostove të jetesës, një pjesë e madhe po bënin më shumë se një punë ose kishin shkurtuar shpenzimet për argëtim etj. Shumica vlerësuan se rritja e pagave dhe përmirësimi i shërbimeve arsimore dhe shëndetësore bashkë me uljen e taksave do t’i ndihmonin.

Ballafaqimi i të dhënave tregon se kostot e jetesës në kryeqytet janë rritur më shumë se të ardhurat e shtresës së mesme nga paga dhe biznesi.

Çmimet e qirave, banesave, ushqimeve dhe shërbimeve arsimore janë rritur më shumë se pagat e tyre. Nga 271 personat që plotësuan sondazhin, 95% e tyre jetonin në Tiranë dhe 75% e tyre ishin në grupmoshën 35-54 vjeç. Shumica e pjesëmarrëseve, 66%, ishin të martuar.

Anketa e “Monitor” ishte me një kampion rastësor dhe që nuk synoi gjetje shkencore, por ka “fotografuar” gjendjen financiare të shtresës së mesme të mirarsimuar dhe me paga mbi mesataren në Tiranë.

Pas pandemisë Covid-19, çmimet e mallrave dhe shërbimeve kryesisht në Tiranë u bënë më të shtrenjta. Zhvillimet demografike kanë rritur trysninë në kryeqytet dhe nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë të rinj zgjedhin të emigrojnë.

Bizneset në kryeqytet po vuajnë mungesën e punonjësve në një kohë që kërkesa po rritet nga prurjet vizitorëve të huaj. Këto zhvillime kanë ndihmuar në rritjen e çmimeve në Tiranë më shpejt se në qarqe, por ndërkohë pagat nuk janë rritur në atë masë sa të përballojnë kostot në rritje, pohuan pjesëmarrësit në sondazh.

“Kam kërkuar rritje page, por asgjë. Mundohem të mos sëmurem dhe të më gatuajnë prindërit. Njësoj për fëmijët mundohem të mos shpenzoj shumë, nuk i nxjerr në parqe, rrimë në shtëpi në fundjavë”, – tha një i anketuar.

fluturim 1fluturim 1

Për 70%, shpenzim kryesor mujor është ushqimi

Përballimi i nevojave mujore për ushqime nuk është stres vetëm për të varfrit, por edhe për shtesën e mesme me arsim të lartë dhe me paga të mira për tregun shqiptar.

Nga 271 pjesëmarrësit në sondazh, 70% e tyre pohuan se pjesa më e madhe e të ardhurave mujore shkonin për blerjen e ushqimeve.

58% e tyre pohuan se kishin paga mbi 100 mijë lekë në muaj, nivel më i lartë se paga mesatare në rang vendi. Rreth 16% e tyre pohuan se kishin paga ndërmjet 80-100 mijë lekë në muaj, 18% merrnin paga ndërmjet 50-80 mijë lekë në muaj, 6% kishin paga 40-50 mijë lekë në muaj dhe një pjesë tjetër, 2.6%, kishin paga më të ulëta se paga minimale 40 mijë lekë në muaj.

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri gjithnjë rriten më shumë se mesatarja e përgjithshme. Vendi ynë është importues neto dhe konsumi në një pjesë të madhe të mallrave mbulohet nga importet. Vitin e kaluar, inflacioni mesatar në vend u rrit me 2.1%, ndërsa çmimet mesatare të ushqimeve u rritën me 2.6%.

“Kam reduktuar daljet, blej ushqime me çmime më të lira, edhe pse janë të cilësisë më të dobët, kam reduktuar udhëtimet me makinë dhe vizitat tek të afërmit”, komentoi një pjesëmarrës në anketë.

Rritja e kostove të jetesës dhe sidomos ushqimeve, po ekspozon një pjesë të madhe të qytetarëve ndaj pasigurisë ushqimore. Për të mbajtur kostot në kontroll synojnë blerje të lira që nuk janë shumë të sigurta.

Në shportën e mallrave për llogari të inflacionit, INSTAT përllogarit se ushqimet zënë 40% të shpenzimeve mujore të familjeve shqiptare. Mirëpo anketat e “Monitor” kanë treguar se ushqimet një peshë shumë më të lartë në buxhetet e pensionistëve dhe atyre me paga minimale.

Madje anketa e fundit tregoi se personat me të ardhura mbi mesataren nuk arrinin të plotësonin të gjitha shpenzimet mujore me ushqimet e dëshiruara për ta, si bananet dhe fruta të tjera.

“Kemi ulur blerjet e panevojshme, fruta ekzotike apo shumë fruta të mos i marrim. Çdo gjë që nuk na duhet, tani nuk e marrim. Çmime të frikshme”, tha një tjetër i anketuar.

Tani këndet e supermarketeve me oferta janë më të frekuentuarat. Menaxherët tregojnë se më parë, ofertat parapëlqeheshin nga një e katërta e blerëseve, por tani kjo përqindje është rritur. Konsumatorët janë bërë më të vëmendshëm për mundësitë që ofrojnë çmimet duke ndryshuar shpesh edhe vendin e furnizimit.

“Bëj magazinimin e ushqimit me çmim më të lirë (kur gjej). Pazarin e fruta perimeve, aty ku ka ulje vetëm” tha një tjetër pjesëmarrës.

Konsumatorët kanë ulur sasinë e blerjeve prej rritjes së çmimeve. P.sh. nëse më parë furnizimet për artikujt e shportës bëheshin me disa kilogram, tani furnizimet në sasi kanë pësuar rënie, pohojnë tregtarët e pakicës.

Janë shmangur furnizimet që bliheshin për një kohë të gjatë. Më së shumti ndryshimi i zakoneve të blerjeve po ndodh te shtresa e mesme, pasi mbi këtë nivel, konsumatorët kanë mbajtur qasjen të pandryshuar.

Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në anketë, mbi 44%, pohuan se shpenzonin mbi 50 mijë lekë në muaj për ushqim, 35% shpenzonin ndërmjet 30-50 mijë lekë në muaj, 20% shpenzonin 10-30 mijë lekë në muaj dhe 0.4%, më pak se 10 mijë lekë në muaj.

fluturim 1

Pas ushqimit, strehimi rëndon më shumë

Për familjet e shtresës në mesme, në vitin 2025, kostot e strehimit, shërbimeve shëndetësore dhe arsimit janë duke rënduar buxhetet e tyre.

Më shumë se 14% e pjesëmarrësve në sondazh pohuan se shpenzimi kryesor mujor i tyre ishte strehimi (kredia ose qiraja), për 4.4% të të anketuarve, shpenzimi kryesor ishin shërbimet shëndetësore; për 3.7% ishin shërbimet arsimore, dhe për 5,5% të pjesëmarrësve, shpenzimi kryesor mujor lidhej me nevoja të tjera.

Rreth 41% e pjesëmarrësve nuk kishin shpenzime për strehimin të tilla si qira apo kredi, por pjesa tjetër po përballet me kosto në rritje në këtë drejtim.

27% e të anketuarve pohuan se kishin shpenzime mujore mbi 40 mijë lekë për shlyerjen e kredive apo qirasë mujore, 20% pohuan se shpenzimet për strehimin ishin ndërmjet 20-40 mijë lekë në muaj, 6.6% pohuan se shpenzonin për strehimin ndërmjet 10-20 mijë lekë në muaj dhe 5.1%, më pak se 10 mijë lekë në muaj.

“Kam nevojë të zgjerohem për strehim, por çmimet janë aq të larta sa më detyrojnë që të vijoj të jetoj në një apartament të vogël banimi, edhe pse me fëmijë adoleshent në ngarkim”, tha një pjesëmarrës në anketë.

“Unë jam 31 vjeç dhe punoj në një departament shumë të mirë në sektorin bankar. Të ardhurat i kam mbi 100.000 lekë. Apartamenti në të cilin jetoj (2+1, 87 m²) është blerë nga kursimet e prindërve dhe kursimet e mia në vitin 2020.

Vlera e këtij apartamenti është rritur sot deri me 125% çmim shitje, por pa një rritje të arsyeshme, qoftë në kërkesë reale për banesa, si p.sh. në përmirësim të zonës përreth banesës, apo një rritjeje eksponenciale brenda këtyre 5 viteve në kosto ndërtimi (e njoh sepse kam qenë ‘head of audit’ në shoqëri ndërtimi).

Për ta përmbyllur arsyetimin, mendoj se kjo rritje në vlerën e pronës sime është vetëm copëz në mozaikun e flluskës së pasurive të paluajtshme në vendin tonë”, tha një pjesëmarrës në anketën e “Monitor”.

Rritja e peshës së shpenzimeve për arsimin është më e dukshme tek të anketuarit që jetojnë në Tiranë.

fluturim 1

Arsimi dhe shëndeti, shpenzimet në rritje

Për 8% të pjesëmarrëseve në sondazh, arsimi dhe shëndetësia zënë pjesën kryesore të shpenzimeve mujore.

Për 4,4% të pjesëmarrësve, shërbimet shëndetësore ishin shpenzimi kryesor në familjet e tyre kurse për 3.7% të anketuarve, arsimi. Personat që kanë në përbërje të familjeve të tyre pensionistë përballen me shpenzime të mëdha mujore për ekzaminime dhe ilaçe.

Të dhëna të tjera tregojnë se vit pas viti, barra e sëmundjeve në popullatë po rritet dhe moshat e reja po preken nga sëmundje jokronike.

Krahas këtyre zhvillimeve, njerëzit po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për shëndetin duke vënë më shumë fonde në dispozicion të tij. “Një pjesë e veshjeve dhe ilaçeve i blej jashtë vendit. Këtu janë më shtrenjtë” tha një pjesëmarrës në sondazh.

Një tjetër komentoi se “po ulim shpenzimet për ushqim e shërbime shëndetësore, ndodh që të marrim gjysmat e mjekimeve kur lind nevoja”. Teksa një tjetër pohoi se “ruhem që të mos sëmurem që të reduktoj shpenzimet për mjekim”.

35% e personave që plotësuan sondazhin pohuan se shpenzojnë për shëndetin (vizita, mjekime, barna) 5-10 mijë lekë në muaj, 24% shpenzojnë më pak se 5 mijë lekë, 22% shpenzojnë ndërmjet 10-20 mijë lekë në muaj, 10.7% shpenzojnë më shumë se 20 mijë lekë në muaj dhe 9.2% nuk shpenzojnë, sepse nuk kanë mundësi.

Për familjet me fëmijë duket se shpenzimet kryesore janë ato për arsimim. Sidomos familjet që i shkollojnë fëmijët në shkollat private.

Një i anketuar tha se “i mbuloj shpenzimet për arsim nëpërmjet financimit me kredi dhe kam hequr dorë tërësisht nga argëtimi”.

Nga 271 pjesëmarrësit në anketë, 25% pohuan se shpenzojnë mbi 20 mijë lekë në muaj për shërbime arsimore; 16% ndërmjet 5-10 mijë lekë në muaj; 14% më pak se 5 mijë lekë dhe 32% pohuan se nuk përballen me shpenzime për arsimin, pasi nuk kanë fëmijë ose i kanë mbaruar studimet.

Rritja e tarifave të shkollave private në Shqipëri pas pandemisë ka qenë në një tendencë rritje të vazhdueshme.

Mësuesit në shkollat private, veçanërisht ata me përvojë dhe kualifikime të larta, kërkojnë paga konkurruese, sidomos në një treg ku emigrimi i profesionistëve ka krijuar mungesë specialistësh.

Pas pandemisë, disa shkolla rritën pagat për të mbajtur dhe për të tërhequr staf cilësor, duke reflektuar këtë në tarifat e shkollimit.

Të dhënat tregojnë se tarifat e shkollimit pas pandemisë janë rritur minimalisht me 300 euro në vit. Kostoja mujore mesatare për një fëmijë në shkollë private është 600 euro – tarifë shkolle, ushqim, transport dhe programet pas shkolle.

fluturim 1fluturim 1

Transporti dhe faturat utilitare, ja se shpenzojnë

Çmimet e larta të karburanteve, pagesat në tolle, tarifat e parkingjeve dhe shërbimin e makinave (servisin) së bashku me faturat e ujit dhe të dritave janë pjesë e rëndësishme e kostove mujore të personave të arsimuar që jetojnë kryesisht në Tiranë.

45% e të anketuarve pohuan se shpenzojnë 5-12 mijë lekë në muaj për shërbimet e transportit, 20% shpenzojnë 15-30 mijë lekë në muaj. 3,3% shpenzojnë më shumë se 30 mijë lekë në muaj dhe 7.4% i kanë eliminuar shpenzimet në këtë zë për shkak të pamundësisë.

Faturat e energjisë dhe ujit zënë një pjesë të rëndësishme të shpenzimeve mujore. Mbi 38% e pjesëmarrësve pohuan se paguajnë 10-15 mijë lekë në muaj për ujë dhe energji, 36% pohuan se paguajnë ndërmjet 5-10 mijë lekë në muaj, 18.5% pohuan se paguajnë fatura ndërmjet 15-20 mijë lekë në muaj, 5.5% pohuan se paguajnë mbi 20 mijë lekë në muaj dhe 1.1%.

fluturim 1

Shtresa mesme, pak shpenzime për argëtimin

Kur flitet për rritjen e kostove, shkurtimi më i madh i shpenzimeve bie mbi argëtimin. Një i anketuar tha se “çdo ditë mundohem të kursej dhe të ul shpenzimet në maksimum, duke hequr dorë nga ato jo të domosdoshme, si argëtimi”.

Rreth 66% e pjesëmarrësve pohuan se shpenzojnë për argëtim më pak se 10 mijë lekë në muaj. 10.3% pohuan se kanë eliminuar tërësisht shpenzimet e argëtimit pasi nuk kanë mundësi t’i përballojnë.

Rreth 15% pohuan se shpenzojnë ndërmjet 10-15 mijë lekë në muaj, 11% ndërmjet 15-20 mijë lekë në muaj dhe vetëm 8.5% më shumë se 20 mijë lekë në muaj.

fluturim 1

41%, në pamundësi për të kursyer

Një pjesë e madhe e shtresës së mesme mbi 41% nuk kanë mundësi të kursejnë për shkak të pamundësisë për të përmbushur nevojat aktuale. 28% e pjesëmarrësve pohuan se nuk mund të kursejnë nga pamundësia, teksa 14% pohuan se jo vetëm që nuk kursejnë po janë edhe në borxhe.

Një pjesë e konsiderueshme, rreth 17%, pohuan se kursejnë mbi 30 mijë lekë në muaj, 15% pohuan se kursejnë ndërmjet 10-20 mijë lekë në muaj, 14% kursejnë më pak se 10 mijë lekë në muaj, 7% pohuan se kursejnë ndërmjet 25-30 mijë lekë në muaj dhe 4.8%, ndërmjet 20-25 mijë lekë në muaj.

fluturim 1fluturim 1fluturim 1

Për 49%, niveli i jetesës është përkeqësuar nga 2024 në 2025

Rreth gjysma e pjesëmarrësve në anketë pohuan se, niveli i jetesës është përkeqësuar vitin e fundit, 39% pohuan se ka mbetur njësoj dhe vetëm 12% pohuan se është përmirësuar.

Kjo gjetje sugjeron se pasuria nuk po shpërndahet në mënyrë të barabartë. Teksa ekonomia rritet, përfitimet shpërndahen në pak persona, teksa të tjerët rëndohen më tej nga rritja e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve.

59% pohuan se të ardhurat mujore nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat bazë dhe 41% pohuan se ishin të mjaftueshme.

Rreth 25% e pjesëmarrësve thanë se kishin vështirësi të përmbushnin të gjitha nevojat mujore për ushqime, 25% kishin vështirësi për shpenzimet e strehimit, 5% kishin vështirësi të përballonin arsimin e fëmijëve, 5% nevojat shëndetësore dhe një pjesë tjetër 41% thanë se nuk mund të përballojnë të papriturat, udhëtimet, argëtimet, veshjet, pushimet, blerjet e mëdha, këstet e kredisë, etj.

fluturim 1

Kostot e rritura, si po përballohen

Dypunësimi, shkurtimi i shpenzimeve për argëtim, blerje në oferta, rritje profesionale, emigrim etj., janë disa nga masat që shtresa e mesme e arsimuar ka ndërmarrë ndaj kostove më të larta të jetesës.

Një i anketuar komentoi se “nuk kam marrë asnjë masë momentalisht, por po konsideroj një punë e tjetër apo të largohem nga vendi”. Një tjetër tha se “nuk mund të punoj më shumë për shkak se dua të kaloj më shumë kohë me fëmijët e mi”.

Një shumicë e konsiderueshme pohuan se bëjnë nga dy ose tre punë për të përballuar kostot në rritje. “Bëj tre punë” tha një pjesëmarrës në anketë.

Një tjetër tha “dypunësim dhe shmangie taksash. Të merr shteti e nuk të jep asgjë mbrapsht. Dëm është për pensionet në të ardhmen, por ne po vdesim sot. Ç’më duhet e nesërmja, të paktën të çojmë fëmijët jashtë, të shohin një të ardhme” komentoi një tjetër”.

Një pjesë tjetër po shkurtojnë shpenzimet për të përballuar kostot në rritje. “Blej vetëm gjërat e domosdoshme dhe bazë” – komentoi një pjesëmarrës.

Një tjetër tha se “çdo ditë dhe më shumë mundohem të kursej dhe të ul shpenzimet në maksimum, duke hequr dorë nga shpenzimet jo të domosdoshme”.

Një pjesëmarrës referoi “duke kursyer te sasia dhe cilësia së ushqimeve dhe duke ulur vlerën për argëtim”. “Duke mos bërë kurrë pushime” komentoi një tjetër.

Një pjesë tjetër pohoi se po marrin në konsideratë emigrimin pikërisht nga kostot e larta të jetesës. “Jam duke punuar në një shtet europian por i riregjistruar në Shqipëri. Dhe mendoj të transferohem përgjithmonë nga Shqipëria”.

fluturim 1

Ulja e taksave dhe rritja e pagave shihen si zgjidhje

Shumica e pjesëmarrësve në anketë pohojnë se rritja e pagave, ulja e taksave dhe përmirësimi i shërbimeve shëndetësore dhe arsimore lehtësojnë barrën e kostove të jetesës për shtresën e mesme të arsimuar.

Të anketuarit dhanë më shumë se një sugjerim për lehtësimin e kostove, por 79% (214 persona) mendojnë se mjeti kryesor është rritja e pagave.

Nga 271 të anketuar, 150 prej tyre mendojnë se ulja e taksave është mjet efikas, dhe 185 pohuan se përmirësimi i shërbimeve arsimore dhe shëndetësore çon në lehtësimin e kostove.

82 persona mendojnë se një nga tre zgjidhjet është mbështetja financiare për familjet me të ardhura të ulëta dhe 62 pjesëmarrës konsiderojnë si mjet të rëndësishëm subvencionin e energjisë elektrike dhe ujit.

Një pjesëmarrës sugjeroi se “duhen politika sociale, fëmijët tanë të mos rriten si ne me stresin se si do ta kalojmë muajin. Duhet të mendohet për të ardhmen, hiqni vendet e punës me mik si mësuesit, të cilët ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e brezave. Policia duhet të jetë e pakorruptueshme.

Një tjetër komentoi se “duhet të ketë kontrolle shumë të rrepta për cilësinë e ushqimeve që tregtohen në mënyrë që qytetarët të mos sëmuren por të jenë më të shëndetshëm. Në këtë mënyrë do të ulen kostot e sistemit shëndetësor”.

Një pjesëmarrës tjetër referoi se “lufta ndaj korrupsionit/informalitetit, kontrolli ndaj normave të fitimit për biznesin, bllokimi i përdorimit të parasë nga aktivitete të paligjshme janë masa që lehtësojnë kostot e jetesës”.

Një tjetër sugjeroi “mbështetje sociale për fëmijët (mujore) dhe përmirësimi i shërbimeve shëndetësore në shtet (koha) me qëllim që të mos shpenzohet tek spitalet private”

“Propozimi i politikave mbështetëse për strehimin e familjeve të reja nëpërmjet kredive të buta, banesave me kosto të ulët, subvencioneve” tha një tjetër.

Një pjesëmarrës sugjeroi “uljen e TVSH-së për ushqimet bazë sepse ndonjëherë shkoj edhe në Kosovë për t’u furnizuar dhe po ju them se janë të paktën 20-30% më të lira se ushqimet këtu”.

Një tjetër tha “unë banoj në Tiranë. Rritja e çmimeve të apartamente është çmenduri. Shteti të gjejë forma për ndaljen e këtij ritmi.

Shteti të ndërmarre nisma që të rinjtë (studentë, gjimnazistë) të punojnë ‘part time’ nëpërmjet lehtësive fiskale për bizneset që i punësojnë”.

 

fluturim 1

Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik: Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhja ndër vite ëndrrat ma të bukura për jetën, e lexova fshehurazi të gjithëve dhe…

Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

  Në Gjurmët e një ditari

Në atë dhomë, bashkë me ne, do të ishin edhe dy ish-ushtarë të Mbrojtjes Popullore me emnat Remzi e Njazi, ku i pari ndoshta e pat mbiemnin Hasanllari, të dy nga Devolli, që në burg kishin ra si të implikuem me të burgosunit e ngjarjeve të Postrribës, pra për ndihmën që u kishin dhanë atyne. Ata ishin shumë të edukuem, e si të thuesh, e shikojshin veten vazhdimisht të rrethuem nga mirënjohja e të gjithëve, për sakrificën që kishin ba në dobi të të burgosurve shkodranë, për ka edhe unë u baj pak vend në këtë punim. Nji grup shokësh tonë, tue pasë qenë në nji brigadë me njenin prej tyne, Remzinë, do ta kishin për shumë kohë edhe pjesëtar sofre.

Maliq Teta prej Krujet, do t’ishte nji ndër ata djem të mirë e të guximshëm, që ishte arrestue kur kishte tentue t’u arratiste. Maliqi u njihte qysh ma parë prej disa familje të burgosunish shkodranë, qyshkur ai, si ish-efektiv i Mbrojtjes Popullore, kishte pasë shërbye pranë njenit burg këtu në Shkodër, e ndihmue haptas familjarët e të burgosurve, si edhe vetë të burgosunit. Për shumë kohë në kamp, do t’ishte edhe pjesëtar i sofrës tonë. Prej qyfyreve të burgut nuk do të shpëtonte askush, as priftënt e hoxhallarët kur t’u vinte rasti, sado që ata, sa prej petkut, aq edhe prej qëndrimit që mbajshin, do të gëzojshin vazhdimisht respektin e të gjithëve.

Ali Brahja nga Tropoja mësonte italisht prej Patër Donat Kurtit. Me vende rrijshin pranë e pranë, e siç duket, ishin ba edhe miq për kohën e shumtë që kalojshin bashkë. Ali Brahja ishte njeri i mirë, i dashtun e i squt, por ndërkaq s’ishte thanë, që ndonjiherë ai t’mos përqeshte- ndonëse me masë – edhe të vetët, pa pasë kursye, s’pakut nji herë, as Patër Donatin. Kështu kur nji herë Aliut gjatë mësimit, i’u donte të shqiptonte fjalën “fanciullo”, në kohë që për koinçidencë sytë e tij takuen në buzëqeshjen tonë që po indiqshim si rastësisht nga nji distancë e afërt, ai menjëherë, tue ia pasë me të pabesë Patër Donatit, mikut e mësuesit të tij, për humor, do të merte pozën e nji babloku të trashë, tue ba sikur po kishte shumë vështirësi në shqiptimin e asaj fjale të thjeshtë.

Kështu që ai disa herë me radhë, si t’ishte memec, do të përsëriste rrokjen “fan-fan, fan-tan”, pa mujt gjoja me nxjerrë dy rrokjet në vazhdimësi, derisa dikur, si tue u çlirue prej rrokjes së parë, ai do të shqiptonte i sigurt e me forcë vetëm fjalën “kulo”, me ngarkesë banaliteti, siç kishte qenë edhe qëllimi i tij, ndërkohë që Patër Donati nga ana e tij, i skandalizuem se mos e kishte ndigjue ndonji aty afër, tue ulë qepallat përbrenda gjyzlykëve të tij, do ta korigjonte Aliun me zanin e tij të paktë:

“Jo, jo, Ali, fanciullo, fanciullo”, – dhe Alia mbrapa, pa mëshehë nji nënqeshje sa tinzare aq edhe dashamirëse, përfundimisht do ta shqiptonte atë fjalë si u donte. Tue mos qenë e nevojshme me u zgjatë me galerinë e pa fund të të burgosunve të nji dhome burgu, do të dëshrojsha që tabllonë e saj ta mbyllsha me nji ish-spiun, e pikërisht me Llazar Anastasin, i cili, i penduem nji ditë për veprën e tij në dëm të të bashkëvuajtësve të vet, do të kthente për të mirë, tue u deklarue me “mea culp-ën” e tij, të sinqertë.

Llazar Anastasi kishte pasë dezertue nga Nacionalçlirimtarja në vitin 1944 e rreshtue me forcat kundërshtare të saj, e u thonte se në vazhdim, edhe se kishte bashkëpunue me gjermanët. Flitej se si njifarë Tuçi Lenet e, nja dy-tre tjerëve, edhe ai për disa kohë, i kishte pasë shërbye drejtorisë së burgut si spiun, e mbrapa heqë dorë. I penduem për sa ma sipër, nji ditë do t’u afronte pranë nji grupi tonë, tue na u lutë që ta besojshim se ai ishte shumë i penduem për qëndrimin që kishte pasë mbajt deri para disa kohësh e, se për të na bindë deri në fund, ishte i gatshëm t’u vinte në çfarëdo  provë, sado e vështirë që t’ishte ajo.

Lidhun me kërkesën e tij për t’u “rrëfye”, na i rekomanduem ndonji prej burrave me moshë, dhe ai menjiherë kërkoi pëlqimin tonë për emnin e Xhevat Danit, gja që na ia përkrahëm, tue pasë majtë nji gaz dhe për pak sa nuk na pat shpërthye në sy të tij. Llazari kishte preferue Xhevatin, me që i a njihte butësinë e tolerancën e tij. Kur Llazari në njenin cep të dhomës po u rrëfente para Xhevat Danit për “mëkatet” e tij të shkueme, ne në cepin tjetër të saj, krejt përkundruell, kishim mbarue gazit tek e shikojshim skenën.

Sadoqë na vazhdojshim me mbajt rezerva për Llazarin, si spiun i konsumuem që kishte kenë, e vërteta ishte se Llazari, edhe pse e kishte ba kthesën nji herë e përgjithmonë, vazhdonte të përjetonte me mundim nji bremie fajësie të përhershme, përderisa “qëndrimi i mirë” i tij, t’mos kishte marrë pohimin tonë të sinqertë. Sidomos gjatë qëndrimit në kampin e vështirë Bedenit, ai disa herë e me qëllim, kishte kundërshtue policët dhe nji ditë ata, në sy të të gjithëve, do ta mundojshin shumë, – ndoshta edhe si e dishronte ai vetë – dhe mbasi edhe atë provë të vështirë ta kalonte me sukses para shumë të burgosunve, do të vinte menjëherë të më thonte: “Hë Ahmet, a jeni tash të bindun për mue”?

Llazari këndonte bukur me nji za të lehtë e mjaft melodioz. Si asnji tjetër, me notat ma melankolike, ai do të këndonte sidomos kangën e trishtueshme arbreshe, “O e bukura More, që kur të le, më nuk të pe”! Me të dalë prej burgut ai ishte pasë arratisë në Jugosllavi, dhe s’jam i sigurt nëse ai, – siç patëm ndigjue – të kishte hyë ndonjiherë në territorin shqiptar, për të krye aksion me armë.

E kisha ba zakon që edhe mbasi të flejshin të tjerët, unë ose do të vazhdojsha me bisedue me njenin prej dy të burgosunve që kisha ndër krahë, ose do të lexojsha nji libër, që kisha në dorë. Më kujtohet se në nji ndër ato netë, po përfundojsha së lexuemi librin “Esplorazioni Polari” (Zbulime Polare), mbresat e të cilit dhe emnat e atyne heronjve të mëdhaj, si Amundsen, Nansen, de Nobile e Pearl, – që ma i pari kishte vue në Pol të Veriut, flamurin amerikan – nuk do të m’u shqitshin ma asnjiherë prej kujtesës. Pikërisht në njenë prej atyne netëve, në nji kohë kur heshtja e natës dhe e burgut ishin më të thella se kurrë e, të burgosurit humbë në gjumë prej nji a dy orësh, nji za i fuqishëm do të ushtonte papritmas në dhomë e jashtë saj, e do t’i zgjonte me tronditje gjithë burgosurit e saj. Me atë rast do të vijshin me vrap prej poshtë, edhe dy policët e shërbimit.

I burgosuni që kishte thirr ishte nji njeri i mirë e që u respektonte prej të gjithëve, por që nën efektin emocional të nji takimi special, që atë ditë kishte pasë me të shoqen, për pak çaste i ishte pasë prishë mendja e folë si përçart në gjuhë të huaj do fjalë të pazakonta, me të cilat do të trondiste të gjithë të burgosurit e dhomës, edhe pse shumica e tyne nuk e kuptojshin atë gjuhë, që s’ishte as italiane. Nuk do të kalojshin veç pak sekonda, që ai me krye të ngrijtun e i mbështetun në njenin bërryl, si dhe me shikim e ton të ashpër e gjithnji me za edhe ma të plotë e të qartë, do t’iu drejtonte dhomës për sẽ dyti: “Apo doni t’jua thom në shqip”?

E përktheu në shqip sa pat thanë pak ma parë, dhe mbrapa u lëshue si i vdekun brenda në dyshek, për t’mos u ndigjue ma, e mbas tij, edhe dhoma e prekun prej gjendjes dëshpruese të tij, do të binte me fjet me heshtjen që ia impononte tronditja e nji bashkëvuajtësi të tyne të nderuem. Në çdo darkë, do të kishte nji vakt që dhoma t’u gjallnonte së tepërmi, e pikërisht at’here kur sinjali me bylbyl i policëve, të lajmonte për ngranëje darkë e dalje për nevojë, kohe kjo kur e gjithë dhoma do t’u përfshinte papritmas në përmbyllje të nxitueme të bisedave që kishin qenë në vazhdim, si dhe të komenteve energjike e shpesh edhe me humor, rreth fatit te lojnave, si shah, tavull apo domino, te lanuna edhe ato të papërfundueme.

Ka kenë pak a shume ky “vakt” mbrëmjet, kur unë i ndodhun në kambë diku në thellësi të dhomës, do të vërejsha se nji i burgosun, të cilit ende s’po iu dallonte fytyra, u fut brenda me do plaçka para dueresh, që shpejt edhe i lëshoi poshtë kambëve të veta, e se si ndërkaq, do të burgosun me vende pranë hymjes, u ngritën përnjiherë me i folë atij, e si gjithashtu mbas tyne, edhe disa të tjerë, që siç duket e njohën, u turrn me të shpejtë drejt tij. Nga kureshtja, edhe unë bana dy-tre hapa para, por tue mos ditë se cili t’ishte ai njeri, prap ndalova. Nuk pat kalue veç nji minut kohë, kur vetë ai i burgosun i ri, te i cili ishte konvergue shikimi i tanë nji dhome, më pau e më njohu, e me duer të shtrime para, u nis drejt meje tue më thirr në emën e mbiemën.

Edhe unë mandej e njoha: ishte Ruzhdi Rroji, të cilit nji ose dy ditë ma parë, i ishte falë jeta, mbas disa muejsh që kishte qendrue i dënuem me vdekje në burgun e Gestapos. Ende pa qenë afrue për t’u përqafue, ai do të më thonte me za të ngrijtun: “… se vuejtjet tueja, i kam ndjekë me lot”. Nuk ka moment ma dëshprues për nji të burgosun, se sa atëherë kur ai të ndjehet i harruem nga shoqnia, që ka lanë përjashta. Nji letër që të vjen në burg prej nji shoku, do të të duket sikur me vete të ka sjellë jehonën e thirrjeve të tuaja, provën e solidaritetit me ty e të vlerësimit të sakrificës tande. “Mos t’i harroni të burgosunit”, do të shkruente nji revolucionar rus i burgosun, tue pasë provue vetë nevojën e madhe që ka i burgosuni, për solidaritet e mbështetje.

Ideja se vazhdon të jetosh në mendjet e zemrat e të gjithë atyne që ti ke dashtë e njohë, të mban nalt moralisht kur je i burgosun, dhe ngjet krejt e kundërta kur të ndihesh i braktisun nga shoqnia e, jo ma nga shtëpia, kur edhe dita e burgut do të të bahej jetë. Veç kësaj, burgu asht edhe ai vend që ban të dalë në sipërfaqe, çdo gja që deri atëherë mund ta keshë mbajt mëshefë në thellësi të shpirtit. Në burg, s’asht turp që ma intimeve t’u shfaqesh ndjenjat, për nevojë që ke me i rijetue. Po kur je njëzet vjeç, e krejt papritmas merr letrën e parë prej nji shoqeje tande, nga e cila q’prej gati dy vjetësh të ka nda burgu, në prag të nji dashunije të madhe, a nuk asht rasti që të provosh nji gëzim e nji mall, që nuk përshkruhet me fjalë?

Kështu ndodhi me mue në mbrëmjen e 24 dhetorit 1949, kur rreshter Teufiku më solli dorazi nji letër prej Simes, shoqes time të dashun e trime, që si Gjylteri, motra para saj, do të vlente ma tepër se nji burrë. Letrën e Simes – emën me të cilin unë do të lidhsha ndër vite ëndrrat ma të bukura për jetën- e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se do ta lexojsha përsëri ma vonë, e futa nën jastëk, ashtu si futet nji thesar, për të cilin nuk don që ta dijë askush. Ernest Përdodës, me të cilin flejshim krye m’krye, nuk u durova pa ia tregue e megjithatë, nga padurimi për ta lexue prap letrën e sa ma parë, po pritsha dhe Ernestin ta zinte gjumi sa ma shpejt, gja që s’po ndodhte me të, as mbasi të bijshin kumbonët e fundit të natës së Kshndellave, qe burgu e ora e vonë e natës, i sillshin edhe ma të thella e melankolike se zakonisht.

Ishte vetë festa që atij, siç duket, i kishte çue mall e largue edhe gjumin. Në të vërtetë, edhe unë ndjeva mall kur ndigjova atë tingllim kumbonësh, mësue me e ndigjue qysh prej së vogli, gja që ia thashë edhe Ernestit. Na do të vazhdojshim me e dasht jetën ashtu siç e kishim gjetë, me “ezane” (thirrje) hoxhësh prej nalt mindaresh, po dhe me kumbonë kishash, me festa bajramesh, po edhe pashkësh me vezë të kuqe e karnevalesh. Dikur Ernestin e zue gjumi dhe unë e nxora letrën për ta rilexue edhe nji a dy herë tjera. “Ti që je shoku i im i shtrejtë dhe i paharrueshëm, që të kujtoj vazhdimisht”, etj., etj., do të ishin fjalët e mrekullueshme të asaj letre të parë, që më mbushshin shpirtin me dashuni e gëzim të veçantë.

Si kohë e ndjenjave të kullueta që ka qenë, mund të them se ditën që unë kapërceva pragun e burgut, Simen e ndjeva se po e kisha brenda meje ma shumë se asnjëherë tjetër ma parë. Gjatë nji vjeti e gjyse në Sigurim, nën hetim e me tortura të pandame, si edhe kur vdekjen e kisha aq pranë, Simja do t’ishte me mue. Me vete do ta kisha gjatë gjithë jetëve tjerë të burgut, tue më pasë qenë ba si vetë e ime e dytë. Lidhja shpirtnore me të, do t’ishte ai idil i mrekullueshëm që vazhdimisht do të më mbushte me ma të bukurin frymëzim poetik e, do t’ishte edhe nji motiv e nji forcë ma tepër në rrugën time të frymezueme nga ideale të nalta.

Abdullah Nela

Burgu i Madh i Shkodrës, ishte nji ndërtesë dy katëshe në trajtë drejtkandëshi që përmbyllte brenda vetes si boshllëk, nji oborr të vogël me shtresë betoni, i quejtun oborri i brendshëm i burgut, në qendër të të cilit kishte nji trumë që na jepte ujë për të pi e, për t’u la. Oborri tjetër, i madhi, ku ne na nxirrshin për ajrosje, u shtrinte në anën tjetër të ndërtesës së burgut e paralel me rrugën që vinte nga “Parruca” për në Bashki. Burgu kishte dhjetë dhoma, nga të cilat katër të mëdha e pikërisht ato me numrat 1, 4, 7 e 9.

Në të dy brinjët e ndërtesës drejtkëndëshe me oborr në mes, kishte nga nji shkallë për zbritje prej katit të sipërm dhe nën secilën prej këtyne dy shkallëve, nga nji çift birucash të vogla kund 1.5 x 1.5 m, me nga nji sportel fare të vogël në derë, që zakonisht u mbante mbyllë e që u donte të shërbente për ajrosje e për shumë pak dritë. Në këto biruca u izolojshin të burgosun për shkelje të rregullave të burgut, por që shërbejshin gjithashtu edhe si pike “tranziti” për të burgosunit e vdekun, para se ata t’i tërhiqshin familjet e tyne.

Nji ditë ne morëm vesh se në njenën prej birucave të anës përballë nesh, kishin sjellë nji të ri t’dënuem me vdekje. Ma vonë, po gjatë asaj dite, ne do të ndigjojshim se i dënuemi me vdekje, ishte nga Luma e, se emnin e kishte Abdullah. Deri në darkën e asaj dite ne do të mësojshim se ai djalë kishte pasë shërbye në ushtri me gradën kapter e, se ishte dënue nga nji gjykatë ushtarake. Shokët e dhomave nga u ndodhte i dënuemi me vdekje, tue na folë me dhimbje e simpati për të, do të na tregojshin se në kohën kur atë e nxirrshin policët për në W.C. të shoqnuem vazhdimisht prej tyne si i dënuem me vdekje që ishte, ata e kishin pa se ai gjithnji kalonte me krye nalt e tue buzëqeshë. Edhe pse pa u njohë, ne u lidhem shpirtnisht me te dhe ideja se ai mund t’u pushkatonte prej nji dite në tjetrën, na e shtonte edhe ma shume dhimbjen për te.

Me që me dhomë nuk u ndodhshim andej kah ishte biruca me Abdullahin brenda, nuk kishim mundësi t’i parakalojshim për sẽ afërmi asaj biruce, por tue pase ndigjue se ai gjatë gjithë kohes qëndronte mbas derës së saj, na mandej, sa herë që të dilshim në W.C. në shenj inkurajimi, do ta përshëndetshim tue shikue me buzëqeshje në drejtim të tij, e kur t’mos u ndodhte andej roja, edhe tue ia tundë me forcë grushtin, e në të gjitha rastet do të merrshim prej tij si përgjigje nji buzëqeshje që do t’ia kuptojshim prej nji palë dhambësh të rregullt e të bardhë, që do t’u shfaqshin menjiherë në sportelin e vogël.

Si mbas sinjalizimit që policët kishin çue në drejtori të burgut se; “disa të burgosun ishin pa ta përshëndetshin të burgosunin e dënuem me vdekje”, ajo drejtori, nga ana e saj, do të urdhnonte që Abdullahin ta kalojshin në njenën prej dy birucave kah ana e jonë. Qyshe natën e parë, unë dhe Maliq Teta, mundëm që në mshehtësi të cilit kishte nji trumë, që na jepte ujë për të pi e për t’u la. Oborri tjetër, i madhi, ku ne na nxirrshin për ajrosje, u shtrinte në anën tjetër të ndërtesës se burgut e, paralel me rrugën që vinte nga “Parruca”, për në Bashki. Burgu kishte dhjetë dhoma, nga të cilat katër të mëdha e, pikërisht ato me numrat 1, 4, 7 e 9.

Qyshë natën e parë, unë dhe Maliq Teta, mundëm që në fshehtësi të madhe, të hiqshim nji tullë prej murit të anës së mbrapme të birucës, mur përmbas të cilit zbriste shkalla e jonë prej dhomës 9, dhe mbrapa, tullën e hequn, për t’mos u kuptue prej rojeve, do ta vendosshim përsëri në vendin e vet, ashtu të pangjitun. Unë dhe Maliqi qysh atë natë do të komunikojshim me Abdulla Nelën. Të nesërmen në mëngjes, prej pak dritë që hynte në birucë të tij përmes derës së vjetrueme e vrimës që kishim hapë, do të vërejshim për herë të parë se ai Abdullahi, ishte nji djal i ri e mjaft simpatik, i gjatë, i qeshun, që fliste rrjedhshëm e që mbi gjithçka, manifestonte kurajë të madhe. Lidhun me vrimën e hapun në mur, na lajmruem disa prej shokëve tonë, të cilët mandej me radhë do të zbritshin njeni mbas tjetrit për ta takue, e kur t’u kthejshin, do t’u shprehshin pak a shumë kështu: “Pah ç’djalë që ishte! Ishalla i falet jeta”!

Në krye të pesë-gjashtë ditëve të tjera Abdullahit do t’iu falte jeta e, q’prej atëherë e vazhdimisht mbrapa, Abdulla Nela do t’ishte nji prej shokëve tonë të pandamë, gjithnji i guximshëm e i gatshëm për çdo sakrificë. Edhe kur mbas shumë vjetësh ai të plotësonte dënimin, nuk do t’iu lejonte që të shkonte në shtëpi, por do t’u internonte për vite të tanë.

Papritmas nisemi për në kamp

Ditët, të qeta e me ritmin e tyne të zakonshëm, vazhdojshin me u rrokullisë njena mbas tjetrës, derisa krejt papritun, në mëngjesin e 18 janarit 1950, u lajmuem prej drejtorisë se “kujt t’i dilte emni, të bahej gati me gjithë plaçka. “Ishte fjala me u nisë për kamp, megjithëse vazhdonte me qenë dimër. Nuk kishte ndodhe dhe as u mendonte që në kushte dimri t’u dilte në kamp. Lajmi ra si bombë, sidomos për ata që ende nuk kishin mbushë dy muej, nga koha e kthimit prej kampit të Orman Pojanit.

Kampet ishin prove e vështirë për të burgosunit; edhe ma të vështirë do t’ishin për familjet e tyne, për problemet e shumta e disa herë të papërballueshme që atyne u dilshin në kësi rastesh. Dhe e vërteta ka kenë se shumica e familjeve të burgosunve, s’kanë lanë sakrificë pa ba, që të siguroishin ushqime, po edhe ndonji plaçkë, e me to në shpinë, të ndiqshin njerëzit e tyne kudo ku ata t’i kishin degdisë, anekand vendit, veç si të dashunve të tyne t’iu mbajshin jetët gjallë. Kanë qenë ato kohë shumë të vështira, me krizë ekonomike për të gjithë, por që për familjet me njerëz nëpër burgje, disafish ma të vështira, mbasi ato do të ishin të përjashtueme edhe nga e drejta për të pasë nji triskë ushqimi e veshmbathjeje si të tjerët, tue i pasë detyrue që edhe bukën e përditshme, ta blejshin ndër furra të veçanta e me çmim të shtrenjtë, ndërkohë që mundësitë për të fitue jetesën, u ishin bllokue nga të gjitha anët prej pushtetit.

Lajmi se do të dilshim në kamp, e ndryshoi përnjiherë atmosferën e burgut, tue futë ndër të burgosun shumë preukupacion, e si mbas rastit, edhe pikëllim. Të gjithë ata që ndigjuen se u duel emni, filluen të mblidhshin shpejt e shpejt plaçkat e tyne, me qëllim që të kishin kohë të mjaftueshme për me u nda me shokët që do të lejshin në burg. Edhe unë mbështolla plaçkat dhe, si për të ngushllue familjen për këtë rast, u vuna me shkrue nji letër: Mpreha fort nji majë lapsi e në pragun e dritares nisa të shkruej imtë mbi disa fletë të holla cingaresh, ku ndër të tjera, iu lutsha njerëzve të mij, që të bajshin durim e t’u mbajshin të fortë. Me qëllim inkurajimi, po u thojsha edhe nji herë se duhet ta ndjejshin veten të lumtun që prej Sigurimit, kisha dalë i gjallë. Këto fletë të holla, të rrotullueme në trajtën e nji lapsi, i futa në vrimën nëpër të cilën ishte përshkue lastiku i brekëve, dhe bashkë me do rroba të tjera të pa lame, ia lashë nji shoku që të m’i niste për shtëpi.

Metodën e letrës së cingares nëpër kanal të lastikut të brekëve, po e kopjojsha për herë të parë prej praktikës së gruas së re të nji shoku tonë, e cila vazhdimisht na kishte ushqye me lajme politike, herë të marruna prej popullit e herë të ndigjueme prej radiove të hueja. Shokët tonë ma të vjetër, na e kishin përshkrue kampin në të gjithë realitetin e tij të zi, me urinë e stërmundimin e tij, por që megjithatë, disa prej nesh, e dishrojshim daljen në kamp, si nevojë për t’mos vazhdue me qenë të mbyllun si deri atëherë dhe si mundësi për t’u njohë me të burgosun të tjerë.

Mbasi dhomë për dhomë përfundoi leximi i emnave të atyne që do t’u nisshin për kamp dhe mbasi këta, si mbas eksperiencës që kishin, i patën sistemue plaçkat ndër dengje qysh ma parë, i gjithë burgu, tue shfrytëzue lirinë që në kësi rastesh, u jepte pa rezervë nga drejtoria, u përfshi nga nji lëvizje tepër e vrullshme. Tue përjashtue pleq e të sëmurë, mes të cilëve edhe të burgosun me moshë të re, por që kishin sigurue nji raport mjeksor, gjithë të tjerët po u pregatitshin për kamp. Ndamja e të burgosurve prej njeni-tjetrit, kishte të veçantat e saj. U ndajshin shokë e miq, që shumë ia kishin lehtësue njeni-tjetrit peshën e burgut, prej faktit se kishin qenë bashkë, e u ndajshin edhe vëllazën të dalë prej nji bark nane. Ndamja do të ishte mjaft e përmallshme.

Të burgosurit që mbetshin në burg, qëndrojshin ma të heshtun e të ligështuem, kurse ata që po u largojshin, u mbajshin të fortë e tue kërkue me iu dhanë zemër të parëve. “Lamtumirë “Mbetsh me shëndet”! do t’ishte urimi që iu linte shoqit të mbetun në burg, ndërsa ky i fundit, ndonjiherë edhe me lot për faqe, do t’u përgjigjte: “Ardhë shëndosh”! Nuk zien nji zgjue blete i trazuem fort, ashtu si po ziente ai burg i joni atë ditë. Apo s’po u bante edhe nji goxha potere me atë rast, si prej lëvizjeve të shumta të të burgosunve, ashtu edhe për porosina nga ma të ndryshmet që ata u lejshin, – shpesh herë me za – shokëve të mbetun në burg! Të burgosurit për në kamp, u përcillshin prej shokëve të tyne, si ushtarët për luftë”. Memorie.al Nga Ahmet Bushati

Shpërthimet e gripit të shpendëve te gjitarët dyfishohen, duke rritur rrezikun për njerëzit

Shpërthimet e gripit të shpendëve te gjitarët u dyfishuan në të gjithë botën vitin e kaluar, duke rritur rrezikun që virusi të përhapet potencialisht midis njerëzve, paralajmëroi një agjenci ndërkombëtare.

Gripi i shpendëve është përhapur në të gjithë botën si kurrë më parë në vitet e fundit, duke çuar në eliminimin masiv të shpendëve, duke rritur çmimet e vezëve dhe duke shkaktuar vdekjen e disa njerëzve në kontakt me kafshë të infektuara.

Ndërkohë që rreziku i përgjithshëm i infektimit njerëzor mbetet i ulët, shpërthimet e gripit të shpendëve tek gjitarët si bagëtia, qentë dhe macet rrisin mundësinë që virusi të përshtatet përfundimisht për t’u transmetuar midis njerëzve, tha Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) në një raport të ri.

Numri i shpërthimeve te gjitarët u rrit në 1,022 në 55 vende vitin e kaluar, krahasuar me 459 në vitin 2023, sipas agjencisë me seli në Paris, e cila monitoron sëmundjet e kafshëve në të gjithë botën.

“Është shqetësuese sepse është një ndryshim në modelin e epidemiologjisë së virusit”, tha drejtoresha e përgjithshme e WOAH, Emmanuelle Soubeyran.

Ekspertët e shëndetësisë kanë dhënë alarmin në lidhje me kërcënimin e mundshëm pandemik që paraqet gripi i shpendëve, i cili ka treguar shenja mutacioni ndërsa përhapet veçanërisht midis lopëve të qumështit në Shtetet e Bashkuara.

Raporti i ri vjen në një kohë kur buxhetet e agjencive të shëndetit dhe shkencës në SHBA janë shkurtuar nga administrata Trump.

Kjo përfshinte shkarkimin nga puna në fillim të këtij viti të stafit të një programi epidemiologjik të njohur si “detektivët e sëmundjeve”.

Agjencia e Statistikave të Kosovës publikon shifrat: Shkalla e papunësisë shkon në 10.9%

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar rezultatet e anketës së fuqisë punëtore për tremujorin e katërt 2024. Sipas këtij publikimi, shkalla e papunësisë në Kosovë është 10,9%, një rritje prej 0.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha në tregun punës, e karakterizuar nga një shkallë e lartë e papunësisë, ekonomia joformale e konsiderueshme dhe pabarazia në politikat dhe praktikat e punës.

Ndërkohë, shifrat e punësimit në Kosovë vazhdojnë të jenë shqetësuese, me shifrat që tregojnë ende një shkallë të lartë të papunësisë dhe një pabarazi gjinore të theksuar.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin e fundit, ka treguar se në për tremujorin e katërt të vitit 2024, shkalla papunësisë në Kosovë ishte 10.9%.

Sipas të dhënave të publikuara, shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë është 10.9%, që paraqet një rritje të lehtë prej 0.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (TM 4 2023).

Kjo rritje vjen në një kohë kur tregu i punës po përballet me sfida të shumta, përfshirë migrimin, transformimet ekonomike dhe sfidat strukturore në sektorin privat

Popullsia në moshë pune (15 vjeç e lart) arrin në 1,074,704 persona, ndërsa:

Të punësuar: 417,175 persona (- 27,011 krahasuar me TM 4 2023)

Të papunë: 51,128 persona (- 1,951)

Persona aktivë: 468,303 persona (- 28,962).

Struktura e popullsisë në moshë pune

Popullsia në moshë pune (15 vjeç e lart) në Kosovë në tremujorin e katërt 2024 ka arritur në 1,074,704 persona. Kjo shifër përbën rreth dy të tretat e përgjithshme të popullsisë së vendit. Nga kjo kategori:

Persona ekonomikisht aktivë ishin 468,303, që është një rënie prej 28,962 personash krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2023.

Persona joaktivë ishin 606,401, që paraqet gjithashtu një rënie domethënëse prej 71,170 personash, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Punësimi dhe papunësia në detaje

Numri i të punëve ishte 417,175, një rënie prej 27,011 personash nga tremujori i katërt 2023.

Numri i të papunëve arriti në 51,128, një rënie modeste prej 1,951 personash.

Përkundër kësaj rënieje në numra absolutë, shkalla e papunësisë është rritur lehtë për shkak të ndryshimeve në numrin total të personave aktivë dhe faktorëve të tjerë demografikë e ekonomikë.

Krahasimi TM4 2024 / TM4 2023):

Treguesi TM4 2024 TM4 2023
Shkalla e punësimit 38.8% +1.0%
Shkalla e papunësisë 10.9% +0.2%
Shkalla e papunësisë te të rinjtë (15–24 vjeç) 18.4% -0.6%
Shkalla e joaktivitetit 56.4% -1.3%
Punësimi dhe joaktiviteti sipas gjinisë

Të dhënat theksojnë ende pabarazi të theksuar gjinore në tregun e punës:

Meshkujt e punësuar përbënin 55.8% të popullsisë aktive mashkullore, që është 1.0% më shumë se në TM4 2023.

Femrat e punësuara përbënin vetëm 21.8%, por kjo përfaqëson një rritje modeste prej 0.9%.

Ndërkohë, shkalla e joaktivitetit tek femrat mbetet shumë e lartë, në 73.2%, ndërsa për meshkujt është 39.6%. Kjo tregon për sfida të thella strukturore dhe sociale që kufizojnë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, si mungesa e kushteve për kujdes ndaj fëmijëve, normat tradicionale gjinore dhe qasja e kufizuar në mundësi ekonomike.

Sektorët ekonomikë me punësimin më të lartë

Sipas rezultateve të AFP-së, sektorët me përqindjen më të lartë të të punësuarve janë:

Tregtia – 19.0%
Ndërtimtaria – 12.9%
Prodhimi – 10.1%
Arsimi – 8.2%
Administrata publike dhe mbrojtja – 8.1%
Femrat janë më së shumti të përfshira në sektorët e:

– Tregtisë, arsimit dhe kujdesit shëndetësor (55.8% e femrave të punësuara)

Meshkujt dominojnë në sektorët e:

– Tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit (47.1% e meshkujve të punësuar)

Të dhënat e fundit e tremujorit të katërt 2024 ofrojnë një pamje të gjerë mbi situatën e tregut të punës në Kosovë, duke theksuar:

Rritjen e lehtë të papunësisë, megjithëse ka rënie në numrin absolut të të papunësuarve.

Përmirësimin e shkallës së punësimit, veçanërisht te të rinjtë dhe gratë.

Përmirësimin e ndjeshëm të shkallës së joaktivitetit, që mbetet megjithatë shqetësuese, veçanërisht për femrat.

Kosova ka një popullsi të re, me një moshë mesatare rreth 35 vjeçe.

Numri i të rinjve nga mosha 15 deri në 24 vjeç, sipas regjistrimit të popullsisë të mbajtur vitin e kaluar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), është mbi 256 mijë.

Por, kjo kategori është më e prekura nga papunësia.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, shkalla e papunësisë te të rinjtë (15-24 vjeç), ishte 21.2%, ose 5.0% më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kur ishte 16.2%.

Por, një karakteristikë tjetër shqetësuese është niveli i lartë i të rinjve jashtë punës.

Sipas një raporti të Institutit GAP, “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore jo-aktive”, publikuar më 30 prill 2025, rreth 30% ose mbi 78 mijë të rinj të kësaj moshe nuk janë duke ndjekur as arsim, as punësim dhe as trajnim.

Kjo shifër, sipas Institutit GAP, është dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian me mbi 20% dhe më e larta në Ballkanin Perëndimor./ Monitor

Humbën titullin, Interi nxjerr Asllanin të flasë me mediat: E dimë çfarë ndodhi në Arabi, kishte sulm ndaj meje

Humbja e titullit kampion përballë Napolit ka “qepur” gojët e yjeve të Interit, me klubin zikaltër i cili ka preferuar të mos nxjerrë lojtarët titullarë të flasin para mediave, por ka dërguar Kristjan Asllanin të fliste në konferencën pas sfidës me Komon.

Mesfushori u është përgjigjur ngacmimeve të gazetarëve të cilët sigurisht interesoheshin për situatën te zikaltrit pas kësaj humbje, duke pasur parasysh finalen e Ligës së Kampioneve. “Sigurisht ka zhgënjim dhe keqardhje, kemi lënë shumë pikë rrugës. Por tani kemi kupën më të rëndësishme të sezonit”, tha Asllani duke iu referuar sfidës së javës së ardhshme.

Më pas ai u pyet se si e cilësonte sezonin e tij. “Deri tani mendoj se ka qenë një rrugëtim me ulje dhe ngritje, e dimë shumë mirë atë që ndodhi në Arabi ndaj Milanit. Kishte një sulm ndaj meje, por nuk ka problem. Nuk është e lehtë të luash herë pas here, por jam i lumtur për rrugëtimin tim, është i rëndësishëm ai i ekipit. Tani ka shumë për të bërë, ka shumë trishtim, ka një ndeshje shumë të rëndësishme që duhet fituar tani:”, tha Asllani.

Askush nuk dëshiron ta hajë këtë perime, por ka efekt jashtëzakonisht të mirë për zemrën

Një analizë e re e botuar në revistën profesionale “JRSM Cardiovaskular Disease” tregon se perimet me gjethe, veçanërisht lakra jeshile dhe spinaqi, luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e sëmundjeve të zemrës. Edhe pse shumë e shmangin atë për shkak të shijes ose zakonit, shkencëtarët theksojnë se është koha që kjo perime e pasur me vlera ushqyese të kthehet në menytë tona.

Hulumtimet tregojnë se konsumi i rregullt i perimeve me gjethe mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare me rreth 16%, sepse ka një efekt pozitiv në enët e gjakut dhe presionin e gjakut.

Avullimi rekomandohet si metoda më e mirë e përgatitjes, pasi ruan lëndët ushqyese.

Perimet me gjethe janë të pasura me fibra, kalium, hekur, antioksidantë, folat dhe vitamina A, C, K, ndërsa lakra jeshile përmban gjithashtu vitaminë B dhe kalcium. Këta përbërës ndihmojnë në uljen e presionit të gjakut, kolesterolit dhe zvogëlojnë stresin oksidativ, i cili kontribuon në shëndetin e zemrës.

Në SHBA, më shumë se 30 milionë njerëz vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut dhe kolesteroli , të cilët janë faktorë kryesorë rreziku për atak në zemër dhe goditje në tru. Kjo është arsyeja pse ekspertët bëjnë thirrje për ndryshime në zakonet e jetesës, dhe ushqyerja e duhur është një nga hapat më të rëndësishëm.

Përveç zemrës, perimet me gjethe kanë një efekt pozitiv në tretje, imunitet, kocka, dhe rekomandohen gjithashtu si parandalim për diabetin e tipit 2, obezitetin dhe disa lloje kanceri. Është veçanërisht e rëndësishme për personat mbi 40 vjeç, por edhe për të rinjtë që duan të zhvillojnë zakone të shëndetshme.

Mjekët këshillojnë ta prezantojnë atë gradualisht dhe në kombinim me ushqime të tjera të shëndetshme. Edhe pse jo të preferuarat e të gjithëve, përfitimet e perimeve me gjethe jeshile për zemrën janë jashtëzakonisht të vlefshme dhe ndryshimet e vogla në dietë mund të sjellin përfitime të mëdha.

Gjikuria “i ngul kthetrat” edhe në Gjirokastër! Merr tenderin megjithëse ofroi 600 milionë më shumë

As ujësjellësit nuk i shpëtojnë “kthetrave” të kompanisë Gjikuria. Në Gjirokastër, një tjetër tender publik ka përfunduar në duart e një bashkimi operatorësh të drejtuar nga Gjikuria sh.p.k., pavarësisht se katër kompani kishin ofruar çmime më të ulëta – dhe në një rast, me rreth 600 milionë lekë të vjetra më pak me TVSH!

Objekti i tenderit është ndërtimi i ujësjellësve në fshatrat Fushëbardhë dhe Zhulat, në Bashkinë Gjirokastër. Procedura u zhvillua nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Gjirokastër SH.A, me një fond limit prej 248 milionë lekësh të reja pa TVSH, ose afërsisht 3 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Fituesi? Bashkimi i operatorëve “Gjikuria” në pronësi të Florenc dhe Milo Gjikuria dhe “EC Pro Partners” në pronësi të Emiliano Delilaj dhe Migel Ali.

Oferta e tyre: 225.5 milionë lekë të reja pa TVSH, që përbën 90.85% të fondit limit. Një përqindje që ngre vetvetiu pikëpyetje mbi garën e zhvilluar.

Ironia është se nga 6 kompani pjesëmarrëse, katër kishin oferta më të ulëta, por çuditërisht “gara” u fitua nga një ofertë që thuajse “prek” tavanin e fondit. Diferenca mes ofertës fituese dhe më të lirat? Plot 600 milionë lekë të vjetra me TVSH, një shumë që mund të ndërtonte një tjetër ujësjellës.

Ky tender i dyshimtë me numër reference REF-34685-12-26-2024 është vetëm një në listën e gjatë ku Gjikuria del “fitues” përkundër konkurrencës më të lirë. Një model që shton dyshimet se jo gjithmonë çmimi më i ulët fiton, por shpesh ai më “i preferuari”./JOQ

Operacioni Shqipëri-Itali kundër trafikut ndërkombëtar të drogës! GJKKO lë në fuqi masat arrest në burg për 11 të dyshuarit, liron avokatin dhe dy të tjerë

GJKKO shpalli vendimin për verifikimin e masave të sigurimit për 14 te arrestuarit e operacionit “Ura”.

gjkko

Gjyqtarja Rudina Palloj la në fuqi masat arrest në burg për 11 të dyshuarit, ndërsa për 3 të ndaluarit, Ervis Deti, Bexhet Mema dhe avokati Armand Tragaj, iu ndryshua masa nga “arrest në burg” me “detyrim paraqitje.

Emrat

1-Elvis Doci, i njohur si Visi i Pojës
2-Indrit Tafili
3-Ogert Shqevi
4-Artan Sulejmani
5-Orges Molla
6-Sueld Elezi
7-Genti alias Ekil Nderjaku
8-Hasan Nderjaku
9-Altin Morina
10-Armand Tragaj
11-Rando Aliu
12-Musa Korca
13-Alfred Hysa
14-Altin Korca
15-Ligor Combashi
16-Edmond Cupi
17-Naim Behluli
18-Edison Cukaj (Gjoka)
19-Serxhio SHkodra
20-Ervis Deti
21-Bexhed Mema
22-Emri Hysenaj
23-Artur SHkoza
24-SOkol Istrefi alias Tatani
25-Ervin Zeqiri
26-Gezim Thartori
27-Ledio Bardhi
28-Juxhin Drazhi
29-Erind Lasku
30-Nexhmedin Danaj – urdher ndalim

Në krye të skemës qëndron vetë Adi Çoba, i cili rezulton të jetë drejtuesi i organizatës, i cili siguronte dhe dërgonte nga jashtë, sasi të mëdha heroine dhe kokaine në Itali. Ai koordinonte dhe drejtonte nga Shqipëria aktivitetet e anëtarëve të tjerë të organizatës, shqiptarë dhe italianë.

“Adi Çoba në cilësinë e shefit dhe promovuesit të grupit, siguronte dhe dërgonte në Itali nga jashtë sasi të mëdha heroine dhe kokaine, koordinonte dhe drejtonte nga Shqipëria aktivitetet e paligjshme të pjesëmarrësve të tjerë të grupit”, – thuhet në dosje. Pasi Çoba kujdesej që droga të shkonte drejt Italisë, atje e prisnin shqiptarë të tjerë pjesë e grupit kriminal, siç shihet edhe në organigramën se si funksiononte rrjeti.

Në territorin italian, një ndër figurat kyçe ishte Erigels Presi, i cili priste drogën në Itali, e merrte e ruante dhe kujdesej për përpunimin e heroinës dhe kokainës të ardhur nga Shqipëria. Së bashku me të vepronin Agron Ganaj, Nuredin Kiptiu, Andrea Buonsante, Giovanni Montedoro, të cilët paketonin drogën me qëllim që të shpërndanin në treg. “Erigels Presi, Massimiliano Fiore, Agron Ganaj, Nuredin Kiptiu, Andrea Buonsante, Giovanni Montedoro akuzohen për pjesëmarrje në këtë organizatë të trafikut të drogës, për llogari të së cilës, duke marrë pjesë në fitime në përpjesëtim me rolin e tyre, merrnin substancën narkotike dhe, pas fshehjes në vendet në dispozicionin e tyre dhe përpunimit e paketimit, e transportonin me mjete të dedikuara për këtë qëllim dhe e shpërndanin në territorin italian te blerësit e qëndrueshëm, nga provinca e Leçes, konkretisht në San Cataldo di Leçe dhe Oria, duke marrë në këmbim pagesa në para ‘cash’, të cilat pjesëmarrësit i transportonin në Shqipëri, ku qëndronte Adi Çoba”, – thuhet në dosje. Pas përpunimit, droga u dorëzohej shpërndarësve të tjerë, të cilët ishin pjesë e hallkës finale: Angelo Zanzarelli, Michele Sterliçhio, Francesca Caputi dhe Mazzuti Luisa, të cilët e shisnin drogën pakicë në zonat e Oria-s dhe San Cataldo-s së Leçes.

Anëtarët e rrjetit kujdeseshin edhe për grumbullimin e shumave të mëdha të parave ‘cash’ të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, të cilat më pas transportoheshin drejt Shqipërisë te kreu i grupit Adi Çoba, përmes linjave të autobusëve.