21.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

Revolta e Spaçit dhe sistemi që nuk mposhti dot shpirtin e lirë

NGA AGIM BAÇI

52 vite më parë, më 21 maj 1973, në një nga burgjet më famëkeqe shqiptare, Spaç, nisi një nga revoltat e rralla nën atë sistem – të burgosurit, duke kundërshtuar rregullat dhe kushtet çnjerëzore, nxorën në pah gjithë revoltën ndaj atij sistemi çnjerëzor dhe valëvitën flamurin e Skënderbeut, pa yll. Ky flamur në valëvitje, bashkë me thirrjet “Ja vdekje ja liri”, “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Rroftë Europa e Lirë”, “Ju jeni katila” – që zgjatën 3 ditë – ishte një ngjarje që tregonte se rezistenca nuk kishte vdekur, se sistemi nuk e kishte mposhtur tërësisht shpirtin e lirë.

Vlen të kujtojmë se në 45 vite diktaturë u ekzekutuan me dhe pa gjyq mbi 6 mijë burra dhe gra, djem dhe vajza. Po kështu, ka pasur mbi 34 mijë të burgosur dhe dënuar për arsye politike, mbi 59 mijë të internuar në kampe përqendrimi, ku mbi 7 mijë prej tyre vdiqën prej trajtimit shtazarak në këto kampe. Po kështu, prej dhunës në burgjet politike numërohen 984 të vdekur gjatë kohës së dënimit. Ndërkohë që mijëra e mijëra të tjerë u survejuan në përditshmërinë e tyre. Aq i fortë ishte ky survejim, sa mjafton të kujtojmë atë që deklaronte ish-kreu i Komisionit Shtetëror të Kontrollit të Figurave, Nafiz Bezhani në librin e tij “Mëkatarët” se, në fund të vitit 1990, një Tiranë me 300 mijë banorë, kishim 30 mijë spiunë dhe bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit famëkeq.

Por çfarë ndodhi me ne që nuk e zbardhëm dot të shkuarën?

Në vitet e para pas marsit 1992, entuziazmi i përmbysjes së diktaturës ishte aq i madh sa shumë nga shqiptarët që kishin vuajtur u mjaftuan vetëm me frymëmarrjen në liri dhe me mundësinë e jashtëzakonshme për të thënë gjithçka që në 45 vite nuk e thoshin dot me zë të lartë. Por, ky ndoshta ishte edhe gabimi që më pas nisi e u bë gati i pandreqshëm – sepse rënia nga pushteti e një elite emrash që kishin drejtuar nomeklaturën komuniste ishte veçse maja e ajsbergut për të keqen që kish ndodhur, ndërkohë shpirti ideologjik që kish mbajtur gjallë atë sistem ishte kudo. Ironikisht, ish-elitat e diktaturës vijuan të drejtonin jetën publike.

Mjaft pret tyre ndërruan “lëkurë politike”, por vijuan të dirigjonin rishikimin e së shkuarës dhe prognozën e së ardhmes. Kështu, akademikët e emëruar në kohën e diktaturës nga partia, arkitektët, shkrimtarët, regjisorët, profesorët e përzgjedhur me aq kujdes nga partia për të edukuar brezin e ri, të cilët në vend të dijeve kishin vetëm devotshmërinë dhe bindjen, vijuan të kishin sërish në dorë të leximin e së shkuarës, duke e bërë të pamundur dekomunistizimin. Lënia në fuqi e një pjese të madhe të elitës së emëruar në diktaturë, e cila në vend të dijes kishte brumosjen me ideologji, si dhe sjelljen me frikë dhe servilizëm, solli kotësinë e shumë debateve publike, duke kontribuar hapur në rrënimin moral të shoqërisë së sotme. Por cilat janë pasojat më fatale të mungesës së dekomunistizimit dhe çfarë paraqiste lënia në fuqi të elitës së emëruar në kohën e diktaturës? Shkollat dhe institucionet e dijes mbetën peng i mentalitetit dhe historigrafisë së ideologjisë komuniste.

Ndërkaq, ish-të përndjekurit mbetën klasa më pak e integruar në shoqërinë shqiptare. Spaçi – simboli i ligësisë së atij sistemi – bashkë me Qafë Barin dhe vendinternimet e shumta mbetën shumë larg syve të qytetarëve dhe larg debateve për atë që kishin përfaqësuar nën diktaturë. Madje, nuk janë të paktë ish-të përndjekurit që nuk arritën dot të ktheheshin në shtëpitë që kishin pasur, duke mbetur edhe sot e kësaj dite në vendinternimet e asaj kohe. Po kështu, ish-pronarët u përballën me moskthim, mosnjohje dhe madje rrëmbim të pronës, duke sjellë një katrahurë që ende nuk sheh një dritë legalizimi dhe qartësimi. Prona është ende një çështje aq e mprehtë sa beteja bëhet thuajse në të gjitha gjykatat. Ndërsa ironikisht, ish-Sigurimi u duk i fortë në lidhjet e tyre, duke hyrë në lojë, i ndihmuar nga neglizhenca e qeverive të pas vitit 1992 për të bërë dekomunistizimin.

Nga mungesa e leximit të së djeshmes, thuajse e gjithë shoqëria u vu nën presion të dyshimit, ku një numër i madh spiunësh e bashkëpunëtorësh u munduan të bëjnë pis këdo që dinte të vërtetat e tyre. Pasojë e kësaj pafuqie politike janë sot faktet që ish-pronarët kanë mbetur po ish-pronarë, ish-të përndjekurit kanë mbetur ende të papranuar.

Filmat e kohës së diktaturës janë ende fjalori i vetëm mbi të cilin ndërtohen batutat politike, ku “beu” vazhdon të jetë “negativi”. Ngaqë nuk mundëm të bënim atë që duhet, sidomos në rishkrimin e së shkuarës në tekstet shkollore, shumica e fëmijëve të sotëm dinë më shumë se ç’ka ndodhur në ish-Bllok, se sa në Spaç, në Burrel, apo në të gjitha vendet e ish-internimit. Librat e At Zef Pllumit, Ejll Çobës, Lek Pervizit, Fatos Lubonjës, Visa Zhitit, Daut Gumenit, Lekë Tasit, Agim Mustës, Uran Butkës, apo dëshmi rrënqethëse të ish-të dënuarve politikë apo të familjarëve të tyre, të botuara nga ISKK, nuk janë ende në asnjë antologji shkollore. Këto pasoja të mosleximit si duhet të ngrehinës që na la diktatura komuniste kanë vulën e tyre në krizën e përgjithshme, sidomos në atë të krizës tonë morale si shoqëri. Një krizë që ka nevojë urgjente të lexohet, nëse kemi ende dëshirën t’u themi fëmijëve se këtu mund të jetohet.

Ditën e dytë pas zgjedhjeve Rama sulmoi SPAK nëpërmjet ministrit të Drejtësisë/ Lapardhaja: Berisha asnjë fitore në krye të PD, shumë larg nga Basha i 2021

Analiza e situatës paszgjedhore dhe politike nga Namir Lapardhaja në ‘Studio Live’. Pse mendon se berisha nuk do e respektojë statutin, pse kanë frikë nga presioni grupimet brenda PD-së dhe shkaqet e humbjes së opozitës më 11 maj. Pse nuk u bashkuan dot partitë e reja dhe çfarë pritet të ndodhë në politikën shqiptare.

Sali Berisha ka mendësi staliniste me qasjet e tij ndaj argumenteve politike në Shqipëri dhe kundër tij nuk pritet të dalin grupe apo figura të reja, ashtu sikurse as mund të mendohet largimi i tij nga PD për të respektuar pikërisht atë statut që votoi në Kuvendin e partisë si “Neni Basha”, pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit.

Kjo ishte analiza e bërë sot në ‘Studio Live’ nga Namir Lapardhaja, i ftuar i moderatorit Arbër Hitaj në Report Tv për situatën paszgjedhore dhe politike në vend.

Analisti tha se partitë e reja e humbën shansin e tyre në zgjedhje, që ishte bashkimi që do u jepte trefishin e mandateve, ndërsa shpresën e vetme të vendit dhe qytetarëve sheh pikërisht Drejtësinë dhe SPAK, që të çojnë më tej punën e nisur të tyre.

“Ato janë vota edhe kundër qeverisë së Ramës, por edhe kundër Berishës në krye të PD-së. Nëse e ke ditur paskan peshë e marrin vota për deputetë, ti ke përgjegjësi, detyrë permanente që të bënte përpjekjet për bashkim. Edhe pse ata e kishin deklaruar se nuk shkonin te Berisha, pasi rrezikonin të mos merrnin aq vota. E vetmja rrugë për të krijuar mesazh të qartë te opinioni shqiptar ishte bashkimi i një fronti të përbashkët të partive të reja. Sepse ata duhet t’u ofronin shqiptarëve shpresë, atë që kërkojnë edhe qytetarët. Dhe po të ishin bashkuar, do kishin prodhuar të paktën 3-fishin e mandateve që morën”, argumentoi Lapardhaja për ‘Studio Live’.

Por a do vazhdojë misioni i forcave të reja, apo do shuhet dhe a ka shpresë se politika shqiptare do të ndryshojë?

“Misioni politik i forcave të reja mendoj se do vazhdojë, edhe pse ka edhe konflikte mes tyre që i pamë gjatë fushatës dhe i zgjidhin vetë. Shqipëria ka nevojë për një politikë jokonfliktuale, që të mbështesë drejtësinë. Pasi e pamë se ditën e dytë që PS fitoi zgjedhjet, ministri i drejtësisë shkoi te SPAK për t’i treguar se si bëhet hetimi. Por edhe mbyllja e karrierës politike nuk është fundi i botës. Rama ka pasur probleme me qeverisjen në mandatet e tij, sepse pushteti të korrupton dhe pikërisht për këtë shkak mendoj se ai bëri edhe rinovimin e listës së deputetëve, duke e rifreskuar”, tha ai.

Lapardhaja nënvizoi se ajo nga e cila presin qytetarët më shumë se politika, është pikërisht Drejtësia dhe SPAK-u.

“Do shohim nëse SPAK do shkoj deri te Rama dhe familjarët e tij, pasi një pjesë e madhe e zyrtarëve dhe ministrave janë nën hetimin apo verifikimin e SPAK e drejtësisë. Por nëse do rritet kontrolli i pushteteve, arroganca dhe problematikat mendoj se do jenë më të shumta. Me interes dhe rëndësi është ajo që pritet nga SPAK-u, nëse Prokuroria do shkojë deri në fund çështjeve, sepse pjesa tjetër është një film i parë. Kjo është në të mirën e qytetarëve, vendit, por edhe qeverisë. Pra të kenë frikë nga drejtësia, pasi i shërben edhe buxhetit të shtetit dhe më pak problemeve”, përfundoi ai.

U shpall Non Grata nga SHBA: Edhe Franca e Gjermania, sanksione ndaj Milorad Dodik

Nga Dushan Komarçeviq, REL

Bashkimi Evropian duhet të pezullojë projektet financiare që janë të dobishme për Republikën Sërpska, dhe të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve të synuara ndaj individëve në këtë entitet të Bosnje e Hercegovinës, të cilët minojnë sovranitetin dhe rendin kushtetues të shtetit.

Kjo thuhet, ndër të tjera, në një dokument jozyrtar (“non-paper”), të përpiluar nga Franca dhe Gjermania, të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

Në dokumentin e datës 12 maj 2025, që ka pak më shumë se dy faqe, thuhet se kriza aktuale kushtetuese “përbën sfidën më serioze për sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial dhe funksional të Bosnje e Hercegovinës në 30 vjetët e fundit”.

Ekzistenca e këtij dokumenti u bë e ditur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, më 22 maj, pas një mbledhjeje të Këshillit për Siguri Kombëtare, ku ai tha se dokumenti, që u prezantua nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, “vështirëson pozitën e Republikës Sërpska”.

Sipas autorëve, Republika Sërpska ka ndërmarrë disa veprime dhe procese ligjore që minojnë rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës, sidomos pas dënimit të presidentit të këtij entiteti, Millorad Dodik, më 26 shkurt, nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës për moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.

Këto veprime përfshijnë miratimin e disa ligjeve, si ai për ndalimin e funksionimit të institucioneve shtetërore të Bosnje e Hercegovinës në territorin e Republikës Sërpska – përfshirë Gjykatën dhe Prokurorinë shtetërore, dhe agjencinë shtetërore për hetime (SIPA) – si dhe Ligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Sërpska, dhe ligjin për regjistrin e posaçëm të organizatave joqeveritare.

Po ashtu, si veprime të kontestuara përmenden drafti i ri i Kushtetutës së Republikës Sërpska, i prezantuar në mars, dhe Ligji për mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës Sërpska.

Qëllimi i menjëhershëm i dokumentit është “shfuqizimi i ligjeve jokushtetuese dhe tërheqja e draftit të ri kushtetues”.

“Zgjidhja afatgjatë e krizës do të kërkojë, në veçanti, rikthimin e plotë dhe të pakthyeshëm të Republikës Sërpska në rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës, rikthimin e përkushtimit të serbëve të Bosnjës për funksionimin e institucioneve shtetërore, dhe përmbushjen e të gjitha hapave të renditur në rekomandimin e Komisionit Evropian të datës 12 tetor 2022”, thuhet në dokument.

Sipas autorëve, masat që duhet të ndërmerren përfshijnë: kufizimin e mbështetjes financiare për Republikën Sërpska, vendosjen e sanksioneve të synuara, ngadalësimin e procesit të anëtarësimit në BE, dhe ndërprerjen e kontakteve me zyrtarët e këtij entiteti.

Dokumenti kërkon që BE-ja të mbajë të pezulluara të gjitha projektet që janë, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, të dobishme për Republikën Sërpska në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Komisioni Evropian nuk duhet të propozojë projekte të reja që janë të dobishme për Republikën Sërpska. Kriteret për zhbllokimin e masave do të zhvillohen pasi udhëheqësja e Republikës Sërpska të ndërmarrë hapa konstruktivë, me konsultim paraprak të shteteve anëtare.

Po ashtu, BE-ja duhet të koordinohet me institucione të tjera financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore, për të adoptuar qasje të ngjashme. Ndihma financiare bilaterale për projekte që ndihmojnë Republikën Sërpska duhet, gjithashtu, të pezullohet.

Sa i përket sanksioneve, propozohet përdorimi i kornizës ekzistuese për masa kufizuese kundër individëve apo entiteteve që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës.

Dokumenti thotë se “pritet që Përfaqësuesi i Lartë dhe/apo nënkryetarja e Komisionit të sjellin propozime në javët në vijim”.

Meqenëse nuk ka konsensus të plotë në BE për këtë çështje, dokumenti sugjeron që shtetet anëtare individualisht të vendosin ndalime udhëtimi për disa zyrtarë të Republikës Sërpska.

“Masat kombëtare janë masa të përkohshme dhe të kthyeshme, me synimin për të ndryshuar sjelljen e individëve dhe entiteteve të targetuara”, thuhet në dokument.

Gjithashtu, rekomandohet që BE-ja të pezullojë kontaktet e nivelit të lartë me liderë të dënuar ose të akuzuar të Republikës Sërpska, përfshirë Dodikun, kryeministrin Radovan Vishkoviq dhe kryetarin e Kuvendit, Nenad Stevandiq.

Komunikimi me zyrtarët e Qeverisë së Republikës Sërpska apo të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) duhet të fokusohet në theksimin e rrezikut nga vijimi i kursit jokushtetues të presidentit Dodik, dhe gatishmërinë e BE-së për të ulur tensionet kur të ketë shenja të ndryshimeve.

Bosnje e Hercegovina është vend kandidat për anëtarësim në BE dhe autorët e dokumentit vlerësojnë se duhet të theksohet qartë se veprimet e Republikës Sërpska janë të papajtueshme me këtë rrugë.

“Non-paper” është një dokument jozyrtar, pa firmë, pa stemë dhe pa kanale zyrtare dërgese.

Ai përmban një propozim apo ide, dhe mund të diskutohet në mënyrë informale nga liderë politikë apo diplomatë.

Ç’ËSHTË DEMOKRACIA (Nga biseda Borges dhe gazetari B. Neustadt)

Bernardo Neustadt (gazetar): Zoti Borhes, çfarë është për ju demokracia?

Jorhe Luis Borhes: Për mua, demokracia është një abuzim me statistikat. Dhe përveç kësaj, nuk mendoj se ka ndonjë vlerë. Ju besoni vërtet se për të zgjidhur një problem matematikor apo statistikë duhet të konsultoheni me shumicën e njerëzve? Unë do të thosha jo. Atëherë, pse të supozojmë që shumica e njerëzve e kupton politikën? E vërteta është se ata nuk e kuptojnë atë dhe mashtrohen nga një sekt të poshtërish, të cilët në përgjithësi janë politikanët e çdo kombi. Këta zotërinj politikanë që shesin portretin e tyre, duke bërë premtime, herë-herë edhe kërcënime, me një fjalë: korruptojnë.
Për mua, të jesh politikan është një nga punët më të trishtueshme për qeniet njerëzore. Nuk po e them këtë kundër ndonjë politikani të veçantë, por në përgjithësi. Një person që përpiqet ta popullarizojë veten te gjithë të tjerët, sigurisht, duhet të jetë i paturp. Politikani mua nuk më frymëzon asnjë respekt.

Bernardo Neustadt: Ç’mendim keni për shtetin, si duhet të jetë ai?

Borhes: Më kanë mësuar se individi gjithmonë duhet të jetë i fortë, ndërsa shteti duhet të jetë i dobët. Kurrë nuk më ka pëlqyer teoria se shteti duhet të jetë më i rëndësishëm se individi.

Në shqip: Bajram Karabolli

Fenomeni/ Si PSD e Tom Doshit “kapi” në zonat rurale mbi 50% të votave

Nga Sebi Alla

“Kristian, mos më luaj me dy porta Kristian! Mos më luaj me dy porta” paralajmëroi kryeministri Edi Rama më 4 maj, kreun e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli. Porta i ngjau “kutisë së votimit” dhe “golat” u përkthyen në shumë vota në favor të Partisë Socialdemokrate.

Në Bashkinë Vau i Dejës, (një bashki periferike e Qarkut Shkodër), PSD doli forcë e parë, me 5951 vota, më pas ndiqej nga PD me 4698 dhe PS zuri vendin e tretë me 2482 vota.

Në skajin verior të vendit, PSD e drejtuar nga biznesmeni Tom Doshi, ish-deputet, siguroi dy mandate, duke ruajtur me përpikmëri po aq mandate sa në vitin 2021. Gjithashtu edhe në Tiranë, qarkun më të madh të vendit, PSD siguroi një mandat, pa e vendosur asnjëherë në dyshim që do t’i ikte nga duart. Po ku gjeti mbështetje më shumë PSD?

Vota

Rasti Vau i Dejës nuk kaloi lehtë. Tre ditë pas zgjedhjeve, më 14 maj, me kërkesë të SPAK, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), vendosi sekuestrimin e telefonit të kryebashkiakut, i cili konfirmoi rastin, por nuk dha shpjegime mbi çfarë dyshimesh i ishte sekuestruar. Dyshohet se ka të dhëna se në këtë bashki mund të ketë elementë të përfshirjes në krime zgjedhore, por raste flagrante nuk janë shënuar.

Në Qarkun Shkodër, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së (Komisionit Qendror Zgjedhor), PSD mori 15 842 vota, ndërsa me votat e Diasporës për këtë qark, PSD siguroi 964. Nga analizimi i rezultatit (bazuar në të dhënat e KQZ) Faktoje.al konstatoi se në zonën urbane (Shkodër qytet), PSD bindi vetëm 2645 votues dhe pjesa më e madhe e “hambarit” të saj i përket bashkive të vogla, ose njësive të thella administrative.

Në Tiranë

Në Qarkun Tiranë, të dhënat zyrtare të KQZ-së afishojnë 14 451 vota për subjektin PSD dhe vetëm 330 vota nga Diaspora. Prej këtij totali, 4944 vota i ka siguruar në zonat rurale të Tiranës dhe 2833 në bashkitë Kavajë, Vorë, Rrogozhinë dhe Kamëz. Rreth 52 për qind të votave, ose 7777 të tilla, janë marrë nga PSD në zonat rurale duke përfshirë edhe Njësinë 1, e cila shtrihet në një territor të gjerë me zona informale (kryesisht shtëpi banimi private dhe biznese të vogla).

Dominim ndaj të rejave

Tre partitë e reja, “Mundësia”; “Shqipëria Bëhet” dhe “Lëvizja Bashkë”, në numër votash të secilës prej tyre dalin më lart se PSD, por dëmin e patën pikërisht në zonat rurale, aty ku nuk mundën në asnjë qendër votimi të dilnin mbi Partinë Socialdemokrate. Pjesa rurale është e përqendruar kryesisht në bujqësi dhe njësi të vogla shërbimi.

Po çfarë thotë për bujqësinë programi i PSD-së, që tërhoqi pas vetes shumë votues?! “Misioni vazhdon” shkruhet në një sfond të gjelbër të faqes zyrtare të subjektit politik, ndërsa përbri në pamje të madhe është fotografia e kryetarit të saj Tom Doshi.

Në programin për bujqësinë i kanë rënë shkurt, por përmbledhtas në pikat e saj. “Kompensim TVSH-je 8%. Subvencionim për çdo njësi prodhimi dhe krerë bagëtish. Çmim minimal i garantuar për qumështin dhe mishin. 50 qendra të reja grumbullimi të produkteve bujqësore”.

PSD 2021

PSD nuk është më befasi në zgjedhje. Në zgjedhjet parlamentare 2021, PSD arriti të marrë shumë më pak vota se LSI, por siguroi tre mandate deputeti. PSD mori 35.475 vota ose 2.25% përkthyer në tre mandate. Zgjedhjet e 11 Majit, PSD fitoi 47.561 vota ose 3.38% sërish 3 mandate. Kandidati më i votuar i PSD në zgjedhjet e 11 Majit, Besnik Brahimi, mori 3509 vota, ç’ka do të thotë se strategjia e kësaj force politike ka qënë e qartë: votë për PSD, s’ka rëndësi kandidati.

Në faqen e historikut të partisë shkruhet se ka 116 të zgjedhur në Këshillat Bashkiakë në të gjithë vendin. “Misioni vazhdon…” është dyfjalëshi që të shfaqet në çdo klikim të faqes zyrtare të PSD-së.

4 arrestime, 3 të PSD-së

Nga katër të arrestuar për përfshirjen në shitblerje votash, tre raste SPAK dyshon se të ndaluarit po punonin në favor të PSD-së, dy të ndaluar në Kukës dhe një në Fier, ky i fundit është babai i kandidates së PSD-së në këtë qark./faktoje.al

BE “mbyll dyert” për rreth 7,900 shqiptarë/ Rreth 15 mijë morën urdhër largimi, por mbi gjysma u kthyen

Sipas të dhënave të “Agjencisë Europiane të Statistikave”, rreth 15 mijë shqiptarë u urdhëruan të largoheshin nga një vend i BE-së, ndërsa mbi 7,800 persona janë kthyer pas një urdhri për t’u larguar në një nga vendet e Bashkimit Europian ku ishin vendosur, referuar shifrave të vitit 2024.

Në vitin 2024, rreth 123 mijë shtetasve të vendeve të treta iu refuzua hyrja në territorin e BE-së në një nga kufijtë e saj të jashtëm, një rritje e vogël prej 0.3% krahasuar me vitin 2023.

Ndërkohë, rreth 918 mijë persona u gjetën të ishin të pranishëm ilegalisht në një vend të BE-së, duke përfaqësuar një rënie prej 27.4% krahasuar me 1.27 milion në vitin e kaluar.

Numri i shtetasve të vendeve të treta të cilëve u është lëshuar një urdhër për t’u larguar nga një vend i BE-së ishte mbi 450 mijë, një rënie prej 7.3% krahasuar me vitin 2023.

Pas një urdhri për t’u larguar, rreth 110 mijë shtetas të vendeve të treta u kthyen në një vend të tretë, një rritje prej 19.3%.

Sipas shifrave të “Agjencisë Europiane të Statistikave”, në mesin e shtetasve që nuk janë pjesë e BE-së të kthyer nga territori i një vendi të BE-së në këtë periudhë, Gjeorgjianët me 11,585 kryesuan listën e shtetasve të vendeve të treta të kthyer, të ndjekur nga turqit me 7,910 dhe shqiptarët me një numër prej 7,895.

Në total, shiptarët e kthyer nga territori i një vendi të BE-së dhe një vendi jo të BE-së vlerësohet në rreth 8 mijë. Krahasuar me vitin 2023, duket se numri i shqiptarëve të kthyer ka qenë më i ulët një vit më parë.

Sipas Eurostat, kthimet më të mëdha të shtetasve shqiptarë në vitin 2024 janë bërë nga Greqia, Franca, Gjemania, Italia dhe Hungaria./SCAN

80 vjetori i Teatrit – Shqipëria pa Teatër Kombëtar

Nga Mirela Karabina

Një përvjetor që duhej të ishte festë, por është kthyer në dëshmi të një plage të hapur korruptive: shembja e historisë dhe kujtesës.
Dhe aktorët si muhaxhirë, vijnë vërdallë e bëjnë shfaqe ne kinema.

Edi Rama dhe Erion Veliaj e zhdukën barbarisht godinën e Teatrit Kombëtar, duke goditur trashëgiminë kulturore, historinë dhe identitetin.

Por jo të vërtetën, atë nuk e shuajnë dot, ajo është e qartë si drita e diellit.

Erion Veliaj është në burg, zbatuesi, ndërsa Edi Rama, urdhëruesi, në radhë për t’ju bashkuar.

Teatri jeton përmes artistëve, aktrimit të tyre dhe në kujtesën e shqiptarëve dhe qytetarëve që e deshën dhe luftuan për ta mbrojtur atë.

Drejtësia vonon, por nuk harron.

Shqipëria meriton më shumë.

Ajo që po ju ndodh berishistëve, “sipas kokës, festa”!

NGA NAMIR LAPARDHAJA

Në politikën shqiptare, paradokset janë rregull. Normaliteti, përjashtim. Sjellja e grupit të Berishës dhe ndjekësve të tij, sot të kujton shprehjen “sipas kokës, festa”.

Janë ata që dikur betoheshin se me Edi Ramën nuk do të kishte më zgjedhje, që jo vetëm morën pjesë në to, por tani bërtasin më shumë se të gjithë për manipulime.

Ata që premtonin se do t’i ngecnin “vjedhjen në fyt” Edi Ramës, u shndërruan në kor qamës për vjedhjen që nuk arritën kurrë ta ndalnin.

Ata që sot e mallkojnë sistemin zgjedhor, ishin vetë ata që bashkuan votat me Edi Ramën për ta vendosur me shpresë se do të dëmtonin të tjerët, ndërsa vetë do siguronin opozitën. Ironia është se pëlqyen rregullat e lojës derisa loja filloi. Pastaj humbën.

Ata që i mëshojnë akuzave për lidhje të Ramës me bandat, vetë kanë kandiduar njerëz me po të njëjtat rekorde – vetëm ngjyra politike ndryshonte. (Bandat tona janë të mira, bandat e Ramës janë hajdutë).

Opozita që u vetëshpall “fituese” në letër, u kthye në një realitet të hidhur humbës në terren, për shkak të miopisë së saj. Premtimet për përballje të madhe u tretën në detin e pazarit për të siguruar qëndrimin në “piacë”.

Ata që thoshin “Amerika s’na duhet”, investuan miliona për ta bindur Amerikën t’u kthente sytë – por SHBA nuk ia hodhi, as “qurret”.

Ata që akuzonin për tradhti, përfunduan duke tradhtuar vetveten, duke u shitur për një copë vulë. (Vula bën hatanë, vula bën kalanë. – Populli i urtë vulëdashës!!)

Sot, të njëjtët që dikur mbollën urrejtje, po mbyten në vrerin e vet. Janë ata që përçmuan, mashtruan, mallkuan – e që tani s’kanë asnjë justifikim. Janë thjesht të telendisur në sytë e njerëzve normal.

Sepse në politikë, si në jetë, gjithçka kthehet.

Dhe ata që vijojnë t’i ndjekin verbërisht pas, e meritojnë plotësisht këtë poshtërim. Sipas kokës, festa.

Dhe kjo kokë duhet mbushur domosdoshmërisht me diçka.

Një kopsht, park dhe sinjalistikë e munguar/Pasojat e një vendimi financiar nga Bashkia e Vlorës

Nga Afrovita Hysaj Në fund të muajit Prill, në kulmin e fushatës elektorale, pas kalimit (më herët) të Ujësjellësit të Vlorës nga Bashkia tek Ministria e Infrastrukturës, Këshilli Bashkiak i këtij qyteti miratoi një marrëveshje për të paguar me këste borxhin e papaguar që Ujësjellësi i kishte Bashkisë.

Marrëveshja do t’i shërbente edhe zgjidhjes së ngërçit financiar të krijuar mes dy institucioneve qysh prej vitit 2018 pasi Ujësjellësi nuk derdhte rregullisht në buxhetin e Bashkisë të ardhurat që grumbullonte nga taksat si ajo e pastrimit apo gjelbërimit.

Negociatat ndërkohë për pagesën e detyrimeve kishin një vit që kishin nisur.

Borxhi

Një grup pune i ngritur më herët kishte llogaritur se shuma e borxhit ishte 261 milionë lekë, nga të cilat 70 milionë lekë të rinj janë kamat vonesa dhe 191 milionë lekë principal.

Ujësjellësi propozoi që ndërmarrja të njohë borxhin sa i takon principalit (duke e paguar me këste), por jo kamatvonesën.

Propozimi më pas kaloi për diskutim në Këshillin Bashkiak me datë 29 Prill

Kundërshtia

Demokratët e kundërshtuan marrëveshjen në mbledhjen e Këshillit Bashkiak me argumentin se, bashkia nuk mund të falë lekët që Ujësjellësi ka mbledhur, dhe që nuk u shkojnë qytetarëve.

Pasojat

Ish-kryetari i Bashkisë Gëzim Zilja si dhe këshilltari aktual demokrat Gjergji Nika dhanë shembuj konkretë për Faktoje.al se çfarë mund të financohej me 70 milion lekë të reja në shërbime publike.

Gjergji Nika tha se një shumë e tillë do të shërbente për investimin e një kopshti ose shkolle në zonat rurale.

Ndërsa Gëzim Zilja tha se shuma e papërfshirë në marrëveshje dhe ‘indirekt e falur’ do shërbente për përmirësimin e sinjalistikës rrugore dhe vendosjen e semaforëve në akset kryesore të qytetit; ripërtëritjen e Pyllit të Sodës; krijimin e lulishteve të vogla katërkëndore përgjatë Lungomares, një parku para ish-shkollës së Marinës; ndërtimin e banesave sociale për të pastrehët si dhe krijimi i fushave sportive publike për fëmijë dhe të rinj.

Reagimi

Drejtori juridik i Bashkisë Vlorë Dorian Demiri tha se borxhi (70 milion lekë të reja) nuk do të falet, por në vijim do të gjendet një rrugë për të kërkuar shlyerjen e kamatvonesës në gjykatë përmes një vendimi të dytë. Ky sqarim nga PD është cilësuar si orvatje pa rezultat.

Vendimi

Anëtari i PD-së në Këshillin Bashkiak, Gjergji Nika, tha se vendimi i miratuar në Këshillin Bashkiak (30 pro, 6 kundër dhe 1 abstenim) që nuk përfshin kamat-vonesat mund të përdoret në gjykatë kundër vetë Bashkisë.

“Sa i përket kamat- vonesave në momentin që ti miraton një kontratë, dhe bie dakord për t’ju përmbajtur një kontrate, plus voton në Këshill një projektvendim ku nuk përmendet kamat- vonesa, por kërkon pagimin vetëm për principalin  atëherë paraqitja në gjykatë është e pavlefshme pasi Bashkia si institucion ka rënë dakord paraprakisht me këtë vlerë dhe gjykata e rrëzon kërkesën e kamatvonesës duke qenë se në fuqi mbetet vendimi i fundit i miratuar (që është ai i fundit pra pa kamatvonesën)”, tha Nika.

Sipas tij, shuma e kamat- vonesave do qëndrojë në librat kontabël të Bashkisë deri në faljen e tyre me ligj ose me urdhër të brendshëm.

“Ej bishë në traget punohet”- Dosja e trafikut të kokainës! Zbardhen përgjimet! Si Adi Çoba dhe Gertin Aliu ndihmoheshin nga punonjësit e Portit për aktivitetin kriminal

Dosja shqiptare e megaoperacionit “Ura” ka nxjerr në pah sesi anëtarët e grupeve kriminale kishin lidhjet e tyre në portin e Durrësit lehtësimin për trafikun e  drogës drejt Italisë.

Screenshot_1

Sipas dosjes rezultatet e përftuara nga përgjimet telefonike dhe ambientale kanë dokumentuar faktin se shtetasi Gertin Aliu në bashkëpunim me shtetasin Adi Çoba, kishin lidhje me furnitorë të tjerë të lëndës narkotike në Shqipëri.

Pjese nga dosja

Gjatë këtij hetimi janë përdorur metoda speciale të hetimit në Shqipëri dhe në Itali, ku kanë rezultuar dhe dokumentuar disa episode të trafikimit të lëndëve narkotike si dhe të qarkullimit të parave të përftuara nga trafikimi i narkotikëve, si dhe është dokumentuar pastrimi i produkteve të veprave penale të kryera nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal. Në vijim po pasqyrohen në mënyrë të hollësishme të gjitha rastet/episodet e trafikimit, sekuestrimit të lëndës narkotike si dhe episodet që lidhen me veprat e tjera penale që i janë atribuuar shtetasve nën hetim:

Rezultatet e përftuara nga përgjimet telefonike dhe ambientale kanë dokumentuar faktin se shtetasi Gertin Aliu në bashkëpunim me shtetasin Adi Çoba, kishin lidhje me furnitorë të tjerë të lëndës narkotike në Shqipëri. Nga të dhënat e administruara si dhe veprimet hetimore te kryera me metoda speciale të hetimit ka rezultuar se janë kryer përgjime të telefonike, ambientale, vëzhgime të disa shtetasve, ku ndër të tjera, nga këto përgjime rezulton se shtetasi Erigels Presi dhe Genci Telollari, me anë të shtetasit Gertin Aliu, më datë 01.21.2021 kishin marrë 2 (dy) kilogramë lëndë narkotike, të llojit “heroinë”, të cilësuar si cilësi “banana” dorëzuar në dorë të Erigels Presi, në këmbim të pagesës 34 mijë euro, në para cash brenda një parkingu të qendrës tregtare “Conforama” të Savelletri në Fasano (BR), nga një shtetas shqiptare që vetë Presi e kishte treguar si shoferi i një kamioni, me përmasa mesatare, me origjinë nga Vlora. Shoferi ishte identifikuar si Arsen Leskaj, i cili, në mjetin e lundrimit IONIAN STAR është nisur nga Porti i Brindizit, me kamion me targë AA268AN, mbrëmjen e datës 01.12.2021, duke u kthyer në Vlorë.

Shtetasi Arsen Leskaj në datën 22 dhjetor 2021 duhet t’i dorëzonte Erigels Presi edhe 3,360 kg lëndë narkotike e llojit “heroinë” e pastër, të transportuar në mjetin Fiat Iveco Eurocargo, me targë shqiptare AA268AN, kontrolluar nga Karabinierët në Fasano (BR) që gjetën sasinë e  lëndës narkotike. Pas sekuestrimit të lëndës narkotike është arrestuar në flagrancë, Arsen Leskaj, gjatë fazave të kontrollit është kontaktuar disa herë nga një farë “Tani nga Fieri” dhe nga “Nardi”.

Nga përgjimet telefonike dhe vëzhgimet rezulton se Gertin Aliu merrej me dërgimin e lëndës narkotike edhe në sasi disa kilogramë ndonjë herë duke u ndihmuar nga operatorët portualë që e mbanin me vete për të shmangur kontrollet për t’ia dorëzuar më pas shoferëve të kamionëve kur ishte në mjetin e lundrimit “per ta futur, ma tha edhe Gerti (..) më tha ” po jo, nuk e marrin këta direkt, paratë ndahen me atë në traget” (…) punohet në traget, e vënë pas një mbi një dhe dy me dy dhe pastaj e ngarkojnë në traget. Rrethanë e konfirmuar edhe nga Adi Çoba vetë Erigels PRESI: “Unë e pyeta Adin dhe I thashë: Po si?… këtu e aty… mu përgjigj: ej bishë në traget, punohet në traget, e vënë mbi një mbi një me dy me dy dhe pastaj e ngarkojnë në traget!”.