19.5 C
Tirana
E martë, 10 Qershor, 2025

Dëshmia e plotë/ Çfarë tregoi për vrasjen në lokalin e tij Redi Popesku

Redi Popescu, pronari i lokalit Monopol, ku ndodhi ‘masakra e Bllokut’ më 4 Tetor, është arrestuar ditën e djeshme për veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, bënë me dije burime zyrtare nga Policia e Tiranës.
Pronari i lokalit në ish-Bllok, ku ndodhi përplasja me armë me një të vdekur e dy të plagosur të enjten mbrëma, ka shpjeguar në polici rrethanat e ngjarjes si dhe bisedat që kanë zhvilluar klientët e tij, Ervin Mata dhe Ervis Martinaj.
Redi Popesku ka sqaruar se fillimisht në lokalin e tij kanë shkuar Ervin Mata, i dashuri i këngëtares Elvana Gjata, i shoqëruar nga oficeri i Zall-Herrit, që ai e identifikon me emrin Joli dhe tre persona të tjerë. Pasi kanë qëndruar për pak kohë, Mata dhe oficeri, shtetasi Mevjol Billo, kanë zbritur për të takuar Elvana Gjatën dhe pasi janë ndarë me të janë kthyer sërish në lokal. Pas kthimit në lokal, Popesku thotë se i ka parë këta dy persona disi të revoltuar.
Rreth 20 minuta pasi ata ishin kthyer në lokal, Popesku thotë se ka dalë për të takuar një të njohurin e tij, që ishte Ervis Martinaj, i cili ishte i shoqëruar nga dy persona të tjerë. Martinaj i ka thënë se do të hynte të takonte Ervin Matën dhe është futur bashkë me personat që e shoqëronin, duke e takuar miqësisht.
Të katërt janë ulur bashkë dhe në këtë kohë Poposku thotë se është futur për të marrë një shishe çivas. Në këtë kohë, personat që shoqëronin Martinajn i janë drejtuar oficerit Mevjol Billo, duke i thënë: “Pse më shikon…” Në këtë kohë ai thotë se ka parë dy persona që janë futur brenda dhe kanë nisur të godasin me grushte komandon Billo. Në këtë moment Martinaj i ka thënë: “Mos, mos, mos…”, ndërsa Ervin Mata po thoshte “Ça po boni, ça është kjo punë”. Njëri nga këta persona, që ai thotë se ishte me kapuç, ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar. Të tjera detaje Popesku s’ka mundur të shohë, pasi është futur pas banakut.
DESHMIA E PLOTE NE POLICI E REDI POPESKUT, PRONARIT TE LOKALIT TEK ISH-BLLOKU, KU NDODHI PERPLASJA ME ARME
Procesverbal me të dhëna përmbledhëse nga personi që ka dijeni për veprën penale, i mbajtur në Tiranë, më datë 05.10.2018, në orën 01:15, para oficerit të Policisë Gjyqësore, në Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda Ndaj Jetës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, duke respektuar kërkesat dhe detyrimet ligjore të parashikuara nga nenet 303/2, germa c, 297, 155, 160 e vijues të K.Pr.Penale.

Procesverbali mbahet për marrjen e të dhënave që tregojnë rrethanat e veprës penale nga shtetasi Redi Popesku, 40 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, Master Of Art, me gjendje civile beqar, me gjendje gjyqësore i padënuar, profesioni administrator i kompanisë “Red Diamond”, me kombësi dhe shtetësi shqiptare.
Pasi iu shpjeguan nenet 155 deri 160 të K.Pr.Penale, të cilat bëjnë fjalë për rregullat e dëshmisë dhe iu kërkua që të tregojë gjithçka di për rrethanat e veprës penale dhe personin, të cilit i atribuohet vepra penale, si dhe pasi u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka nëse bën deklarim të rremë para oficerit të Policisë Gjyqësore, duke dhënë shpjegime që i di se janë tërësisht ose pjesërisht të rreme, apo fsheh fakte ose prova, në bazë të nenit 305/b të Kodit Penal dënohet me burgim deri në gjashtë muaj. Me vullnetin e tij të lirë, bën këtë deklaratë:
Kam gjeneralitetet e mësipërme dhe në lidhje me sa pyetem nga ana juaj, dua të shpjegoj se unë jam administrator i subjektit “Red Diamond” sh.p.k, me adresë, rruga “Ibrahim Rugova”, Tiranë, pallati 7/1, kati i dytë. Më datë 04.10.2018, rreth orës 18:00, kam qenë në ambientet e dyqanit tim. Pas rreth 10 minutash ka ardhur një klient i imi, i cili quhet Ervin Mata, që ka në pronësi hotel “Victoria” në Tiranë, me katër persona të tjerë, të cilët e shoqëronin, ku njëri prej tyre ishte Joli, që është oficer në Zall-Herr, tjetri quhet Qemal, ndërsa dy personat e tjerë nuk i njihja. Pasi erdhën brenda në dyqan kanë filluar të shohin në vitrina dhe janë ulur në tavolinë, ku kanë vazhduar duke diskutuar për problemet e tyre dhe unë i kam shërbyer verë dhe xhin. Më pas janë ngritur nga tavolina shtetasi Ervin Mata dhe Joli, oficeri i Zall-Herrit. Ervin Mata takoi të dashurën e tij Elvana Gjata dhe më pas u kthyen sërish të dy me Jolin brenda në dyqan dhe në këtë moment unë kam parë që ata ishin të revoltuar.
Të dy këta persona u ulën sërish te vendet e tyre në tavolinë. Mbas rreth 20 minutash, unë kam dalë te shkallët dhe kam takuar një të njohurin tim, i cili quhet Vis Martini, që është klient i dyqanit tim. Në këtë moment, Vis Martini ishte me dy persona të tjerë, të cilët e shoqëronin këtë të fundit. Shtetasi Vis Martini më tha se do të hynte brenda në dyqan për të takuar Vin Matën.

Në këtë moment hyri në dyqan Vis Martini me dy personat që e shoqëronin dhe takoi normalisht shtetasin Ervin Mata. Në këtë kohë, Ervis Martini së bashku me dy personat që e shoqëronin dhe me Ervin Matën janë ulur veç të katërt në pjesën pranë derës së banjës, pra në fund të banakut. Në këtë kohë jam afruar unë duke hyrë te banaku dhe u kam thënë se çfarë donin t’i qerasja nga ana ime.
Vis Martini më tha po pate na mbush një gotë çivas. Në këtë moment unë kam marrë katër gotat dhe sapo jam kthyer për të marrë shishen e çivasit në raft, kam dëgjuar dy çunat që shoqëronin Vis Martinin duke i thënë Jolit, oficerit të Zall-Hettit, “pse më shikon”. Joli ishte te tavolina veç, ku u ulën në fillim. Në këtë moment kanë ardhur dy persona nga jashtë, njëri ishte me bluzë të errët, me kapuç, trup i gjatë, me xhinse, i cili bashkë me këtë personin që shoqëronte filluan të shanin dhe godisnin me grushte Jolin, oficerin e Zall-Herrit dhe personat që ishin me Jolin në tavolinë. Në këtë moment Vis Martini po thoshte “mos, mos, mos”, ndërsa Ervin Mata po thoshte “ça po boni, ça është kjo punë”.
Në këtë moment kam parë personin me bluzë të errët, me kapuç, i cili kishte një armë zjarri si automatik. Ngaqë u krijua rrëmujë e madhe, unë kam dëgjuar një krismë që erdhi nga vendi ku ishte personi i gjatë me kapuç në kokë, që po konfliktohej me Jolin, por që nuk e pashë se kush qëlloi.
Mbas kësaj krisme unë jam hedhur direkt poshtë banakut. Në këtë kohë kam dëgjuar krismat e armëve që vazhdonin. Kur krismat pushuan, afër banakut ka ardhur Vis Martini zvarrë, të cilin e pashë se ishte i plagosur në qafë dhe e kam marrë dhe e kam zbritur deri poshtë shkallëve, ku e kam drejtuar drejt taksive. Dua të shpjegoj se kur dola nga banaku të gjithë personat kishin ikur, përveçse personit që ishte i vrarë dhe një person tjetër afër derës që ishte duke u përpëlitur. Më pas unë kam vazhduar të rri në trotuar me shishe në dorë për t’i kthjelluar. Më pas unë kam lënë shishen në trotuar dhe jam kthjelluar. Në këtë moment kam parë dy motorë policie dhe u kam ngritur dorën, duke i njoftuar për atë që kishte ndodhur. Më pas kam hyrë brenda së bashku me forcat e Policisë.

Pyetje: A mund të na shpjegoni se çfarë karakteristikash kishin dy personat që shoqëronin shtetasin Ervis Martini?
Përgjigje: Njëri prej tyre ishte nën 30 vjeç, trup i dobët, rreth 170 cm, i veshur me të zeza. Ky person ishte personi i plagosur te dera kur unë po dilja me Vis Martinin për ta çuar te taksia. Ndërsa personi tjetër ishte rreth 30 vjeç, me trup normal, rreth 170 cm, i veshur me rroba më të çelura.
Pyetje: A mund të na thoni se çfarë mbante veshur shtetasi Ervin Mata, Joli oficeri i Zall-Herrit, Qemali dhe dy personat e tjerë?
Përgjigje: Ervin Mata mbante të veshur një bluze të zezë, xhinse të zeza. Shtetasi Joli, oficer i Zall-Herrit mbante veshur xhup të zi, bluze polo ngjyrë blu e errët dhe xhinse të errëta. Qemali ishte i veshur me të zeza, ndërsa dy personat e tjerë që ishin me Ervin Matën dhe Jolin nuk i kam fiksuar fare.
Pyetje: A mund të na përshkruani karakteristikat e dy personave që erdhën në momentin e fundit?
Përgjigje: Njëri prej tyre ishte i gjatë, nën 30 vjeç, me bluze me kapuç, i cili sapo hyri brenda u konfliktua me Jolin oficerin, duke u sharë me njëri-tjetrin, pastaj filluan të ziheshin me grushte dhe më pas ky person kishte në dorë një armë zjarri. Në këtë moment unë kam dëgjuar krismën, ku dhe jam shtrirë në pjesën e brendshme të banakut. Ndërsa personin e dytë që ishte pas personit me kapuç nuk e kam fiksuar.
Pyetje: A mund të na thoni se cili person qëlloi me armë personin që është gjendur i vdekur dhe personin e plagosur, në ambientet e dyqanit tuaj dhe cila palë ishte personi i vdekur dhe ai i plagosur?
Përgjigje: Unë siç e përmenda më lart jam ulur në banak, ndërsa për sa pyetem për personin që u gjend i vdekur dhe ai i plagosur ishte i palës së Ervis Martinit.

Pyetje: A mund të na thoni se çfarë konflikti kishin këta persona me njëri-tjetrin?
Përgjigje: Me sa kuptova unë, ky ka qenë një konflikt ordiner për t’u sqaruar në lidhje me ngacmimin e të dashurës së Ervin Matës, shtetases Elvana Gjata. Gjithashtu, dua të sqaroj momentin para se të vinte Ervis Martini, mua më tha Ervin Mata, nëse e kisha unë problem që të vinte te dyqani Vis Martini. Unë i thashë se s’kishte asnjë lloj problemi, pasi Vis Martinin e kisha të njohur. Dua të sqaroj se të dy këta persona, si Ervin Mata dhe Ervis Martini, janë takuar normalisht dhe nuk kishin asnjë shenjë për konflikt. Pra, janë takuar miqësisht dhe nuk kishin ndonjë tendencë për t’u agravuar situata siç ndodhi.
Pyetje: A keni dijeni se me çfarë mjeti ka ardhur Ervis Martini në dyqan?
Përgjigje: Po kur ka ardhur Ervisi, unë kam qenë jashtë lokalit tim dhe e pashë që zbriti nga një makinë “BMW” fuoristradë, me ngjyrë të errët, së bashku me dy çuna të tjerë. Makina “BMW”, sapo zbriti Visi me dy personat e tjerë, është larguar, nuk ka parkuar te vendi ku e lanë.
Pyetje: A keni dijeni për mënyrën e largimit të Ervis Martinit dhe personave të tjerë të plagosur nga lokali juaj?
Përgjigje: Pasi kanë mbaruar të shtënat në lokal, unë kam qenë i shtrirë poshtë banakut. Te vendi ku isha unë i shtrirë, ka ardhur Ervis Martini pranë meje dhe ai ishte i shtrirë dhe po më thoshte: “Më ço në spital”. Unë e pashë që po i dilte gjak nga qafa. Jemi ngritur të dy, Ervisi mbahej nga krahu im. E kam shoqëruar deri te fundi i shkallëve dhe i kam thënë që merr një taksi. Ervisi iku në drejtim të lokalit “KFC” dhe më pas nuk e pashë. Ndërkohë që po shoqëroja Visin për ta nxjerrë nga lokali, te dera kryesore e dyqanit ishte dhe një djalë i shtrirë i plagosur, i cili kishte ardhur me Ervisin. Këtë djalin, kur jam kthyer përsëri në lokal, nuk e kam parë dhe nuk e di se nga iku. Edhe personi që ngeli i vrarë në lokal, kishte ardhur me Ervisin, pra, ishte shok apo shoqërues i tij nuk di ta them. Gjë tjetër për të shtuar nuk kam dhe për sa më sipër deklaroj që janë fjalët e mia të vërteta, të cilat pasi i lexoj, i firmos pa vërejtje.

“Boldnews.al”

Kush është biznesmeni i penduar në Gjermani që zbërtheu rrjetin e drogës në Shqipëri?

Një sërë arrestimesh janë bërë dje nga policia e Shtetit dhe Prokuroria, pas operacioneve të ndërmarra me partnerë ndërkombëtarë. Këto operacione u paralajmëruan pak ditë më parë nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj që pati një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë gjermane, Ditier Romann.
Madje Xhafaj dekonspiroi operacionin duk iu rekomanduar gazetarëve të rrinin pranë zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme dhe atij të policisë së Shtetit për të marrë informacione për ato që pritej të ndodhnin.
Anëtarët e grupit kriminal Avdulaj u arrestuan dje e po ashtu dhe dy ish-deputetë të lidhur me ta. Ndërkaq të premten, më 19 tetor në Has u zbulua një laborator i përpunimit të heroinës ku u arrestuan disa persona.
Këto arrestime vijnë në kohën që Arbër Çekaj, pronari i “Arbri Garden” kontenierët me banane të të cilit u kapën me kokainë ndodhet në burg në Gjermani.
Ndaj nuk përjashtohet mundësia që Çekaj të ketë thyer kodin e heshtjes dhe të jetë rrëfyer për policinë gjermane e cila ka bashkëpunuar më pas me policinë shqiptare në operacionet e fundit duke çuar pas hekurave disa persona si pjesëtarë të 4 grupeve kriminale dhe zbuluar rrjete ndërkombëtare të trafikut të drogës.

Policia e pranon: Arrestimet pas bashkëpunimit me agjenci ligjzbatuese jashtë vendit

Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese kanë finalizuar përgjatë orëve të fundit një Mega Operacion të koduar “VOL-VO 4”, të shtirë në 12 qytete nga Hasi deri në Sarandë ku janë goditur anëtarë nga 4 grupe të skeduara kriminale, në kuadër të operacionit ”Forca e Ligjit”.
Forcat policore, RENEA, FNSH, ato operacionale në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë kanë ushtruar kontrolle në qytetet Shkodër, Has, Lezhë, Shijak, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Tiranë, Patos, Sarandë dhe Delvinë.
Gjatë këtij mega operacioni janë arrestuar 27 shtetas dhe 6 u shpallën në kërkim. Gjithashtu u godit një laborator i përpunimit të heroinës në fshatin Brenog në Has, ku ndër të tjera janë sekuestruar 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës.
Procedimi për këtë operacion ka nisur pas një referimi të Policisë së Shtetit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Gjatë kësaj periudhe, veçanërisht me intensitet në muajt e fundit, për dokumentimin e kësaj dosjeje, janë përdorur metoda speciale të hetimit.
Në këtë procedim penal janë me mijëra orë përgjime, filmime, përgjime ambientale, vëzhgime me dron, mijëra faqe me shkresa dhe këmbim informacioni e korrespodencë me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit.
Goditja e kësaj veprimtarie kriminale është bërë në periudha të ndryshme, duke u finalizuar këtë fundjavë.
Në goditjen finale morën pjesë rreth 1.500 forca policore operacionale, FNSH, RENEA dhe nga efektivë nga Policia lokale.
Në datë 18 tetor në mëngjes u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit Mustaf Shuti në fshatin Brenogë, Has, ku u gjetën prekursorë për prodhimin e lëndës narkotike.

Të arrestuar në flagrancë janë 5 shtetas për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale:
1. Vehbi Berushi, 57 vjeç
2. Flamur Çela, 48 vjeç
3. Xhevit Shuti, 48 vjeç
4. Mustaf Shuti, 76 vjeç
5. Anila Shuti, 42 vjeç
U shpallën në kërkim 4 persona: 2 shtetas turq, 1 kosovar dhe 1 shqiptar.
Në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, janë ekzekutuar vendime penale në disa qytete, si dhe janë ushtruar rreth 100 kontrolle banesash dhe ambientesh të tjera.
Të arrestuar për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale janë 18 persona:
1. Jasin Kala, alias Jasin Avdyli, me pseudonimin“Cine”, nga Shijaku;
2. Shkëlqim Avdyli, me pseudonimin“Kiçi”, nga Shijaku;
3. Denis Llaftiu, nga Shijaku;
4. Fatos Llaftiu, nga Shijaku;
5. Hajri Seferi, nga Shijaku;
6. Petro Kuci, alias Abedin Kuçi, nga Delvina;
7. Ilirjan Prifti, nga Fieri;
8. Elton Shehaj, nga Tirana;
9. Armand Spiro, nga Tirana;
10. Astrit Balliu, alias Avdyli, Sulejmani, me pseudonimin “Titi”, nga Shijaku;
11. Altin Avdyli, me pseudonimin“Niçja”, nga Shijaku;
12. Saimir Gjepali, nga Shijaku;

13. Gjevi Ndoka, alias Xhevahir, me pseudonimin“Xhevi”, nga Lezha;
14. Esat Mehmeti, me pseudonimin“Çakja”, nga Fieri;
15. Saimir Sulejmani, nga Fieri;
16. Orges Jahelezi, alias Artan Elezi, me pseudonimin“Nita”, nga Tirana;
17. Elis Bahushi, nga Elbasani;
18. Elis Guri, nga Shkodra.
19. Artur Balla, nga Elbasani.
Gjithashtu u shpallën në kërkim 2 shtetas: M.Z., dhe P.S.
Në kuadër të këtij mega operacioni, ku u goditën këto 4 grupe kriminale, është zbuluar edhe implikimi i 3 punonjësve të Policisë së Shtetit. Ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatës kriminale:
1. Ardit Gjyriqi, nga Tirana;
2. Jasin Abdul, nga Saranda;
3. Bledar Koçi, nga Lushnja.
Ndërkohë në kuadër të këtij procedimi janë arrestuar më herët edhe 12 persona për vepra të ndryshme penale që lidhen me fushën e narkotikëve.
Gjatë kontrolleve të ushtruara u sekuestruan:
• 3 pistoleta;
• 3 armë gjahu, çifte dhe fishekë;
• 1 shotgan;
• Presë për lëndë narkotike të llojit heroinë;
• Peshore elektronike;
• Sasi lëndë narkotike heroinë e kokainë;
• 13 mjete, njëri i blinduar;
• Sasi e konsiderueshme parash;
• Rreth 75 telefona celularë.
Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet për të zbardhur rolin dhe aktivitetin e tyre apo personave të tjerë të lidhur me ta.
Ne i sigurojmë qytetarët se do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të garantuar qetësi, rend e siguri, duke goditur me ashpërsinë e forcës së ligjit çdo individ të përfshirë në aktivitet kriminal. Operacioni “Forca e Ligjit” vazhdon.

Vitamina që duhet të merrni patjetër gjatë vjeshtës dhe dimrit

Këtë shtesë me ushqim duhet ta marrin të gjithë. Shumica sot pinë shtesa të ndryshme të ushqimit, mirëpo shumica e tyre fare nuk janë të nevojshme për shëndetin.
Vitaminat dhe mineralet janë të domosdoshme – pa hekur, vitaminë C apo kalcium, për shembull, trupi nuk mund të funksionojë si duhet.
Mirëpo, janë të nevojshme shumë sasi të cilat me siguri i merrni nga artikujt ushqimorë, nëse ushqeheni shëndetshëm.
Nga fillimi i tetorit e deri në fund të marsit, nuk kemi mjaft rreze dielli, në mënyrë organizmi të mund ta sintetizojë vitaminën D aq sa e është e nevojshme.
Kjo vitaminë rregullon sasinë e kalciumit dhe fosfatit në trup, prandaj është e domosdoshme për eshtra, dhëmbë dhe muskuj të shëndetshëm.
Shumë studime të ndryshme e kanë ndërlidhur mungesën e vitaminës D me kancerin e gjirit, kancerit e zorrëve, kancerin e prostatës, me sëmundje të zemrës, depresion, shtim të peshës, etj.
Prandaj, përveç se vitamina D është e domosdoshme për eshtra, dhëmbë e muskuj, ajo, sipas ekspertëve shëndetësorë, shërben edhe për trajtimin dhe parandalimin e autizmit, kancerit, dhimbjes kronike, diabetit, shtypjes së lartë të gjakut, osteoporozës, etj.

Mungesa e ushtrimeve fizike është më e dëmshme sesa pirja e duhanit, diabeti dhe sëmundjet e zemrës

Të gjithë kemi dëgjuar se ushtrimet fizike ju ndihmojnë të jetoni më gjatë – por një studim i ri shkon edhe më larg, duke thënë se stili i jetesës pa aktivitet fizik është më i dëmshëm për shëndetin sesa pirja e duhanit, diabeti dhe sëmundjet e zemrës.
Dr. Wael Jaber, kardiolog dhe njëherësh autor i këtij studimi, i ka quajtur rezultatet “tejet befasuese”.
“Mungesa e formës fizike ka prognozë më të keqe sesa të pasurit hipertension, të qenit i diagnostikuar me diabet apo të jeni duhanpirës”, ka thënë Jaber për CNN.
Jaber thotë se hulumtuesit tani duhet t’ua përcjellin rreziqet popullsisë së përgjithshme se mungesa e aktivitetit fizik duhet të konsiderohet faktor rreziku po aq shumë sa hipertensioni, diabeti dhe pirja e duhanit.
“Duhet të trajtohet pothuajse si sëmundje që e ka vetëm një ilaç: ushtrimet fizike”, ka thënë Jaber.
Ndërkaq Dr. Jordan Metzl, doktor sportiv dhe autor i librit: “The Exercise Cure” ka thënë se: “Sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti janë sëmundjet më të shtrenjta në SHBA. Ne shpenzojnë më shumë se 200 miliardë dollarë në vit duke i trajtuar këto sëmundje dhe komplikimet që ato i shkaktojnë. Në vend se të paguajmë shuma të mëdha për tretman të sëmundjeve, ne duhet t’i inkurajojmë pacientët dhe komunitetet të jenë më aktivë dhe të stërviten çdo ditë”
Përndryshe, vlen të ceket se ky studim është publikuar në revistën ‘JAMA Network Open’

Zbulohen nivele të rrezikshme të arsenikut në 7 produkte ushqimore për bebe

Nivele të rrezikshme të arsenikut janë gjendur në 7 produkte me përmbajtje orizi, të shitura nëpër supermarkte dhe shumë të konsumuara nga fëmijët.
Testet e kryera në 26 produkte të ndryshme të orizit, në kuadër të programit Channel 4’s Food Unwrapped, zbuluan se thuajse treçereku i këtyre produkteve i thyenin rregullat e BE-së për sigurinë.
Eksperti Andy Meharg rekomandon prindërit që mos t’i ushqejnë foshnjat me më shumë se 30 gramë produkte me përmbajtje orizi në ditë – rreth 3 lugë gjelle.
“Unë nuk do t’i ushqeja fare foshnjat me oriz”, shprehet ai për Daily Mail.
“Si prind, nuk do ta ndërmerrja këtë risk”.
Profesor Meharg, nga Universiteti Belfast, thotë se përqendrimet sado të vogla të arsenikut mund të kenë disa pasoja në zhvillimin e sistemit imunitar të fëmijës, rritjet dhe koeficientin e inteligjencës.
Disa ushqime përmbajnë në mënyrë natyrale nivele të ulëta të arsenikut, megjithatë orizi ka nivele më të larta sepse rritet në fusha me shumë ujë ku absorbohet më lehtë.

Pjerin Ndreu kundër arrestimit të Arben Ndokës, a do ta shkarkojë Rama deputetin e tij?

Pjerin Ndreu është deputeti i parë i Partisë Socialiste që ka komentuar dhe kritikuar ashpër veprimet e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, të cilat u konkluduan me arrestimin e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Ndreu, njëkohësisht edhe mik i ngushtë me Arben Ndokën, mësohet të ketë deklaruar: “Nuk marr përsipër të gjykoj provat. Kam rezerva për mënyrën skandaloze të veprimit, sjelljen skandaloze dhe se si kanë vepruar me mënyrën e arrestimit.Dhe praktikimin e dy standardeve, një grup që quhet i parëndësishëm dhe merret prokuroria lokale dhe një grup tjetër që merret prokuroria e krimeve të rënda”.
Deputeti Ndreu shtoi më tej se, “duhet shihen me qetësi këto gjëra. Ne si forcë politike nuk mbështesim asnjë veprim të paligjshëm, por mënyra e të proceduarit të Prokurorisë dhe policisë në dy raste të ndryshme në Lezhë është e habitshme. Të presim verdiktin e drejtësisë e të flasim për të tjerat”, është shprehur deputeti Pjerin Ndreu.
Pak javë më parë, Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, largoi nga grupi parlamentar i maxhorancës deputetin e Kurbinit, Gjetan Gjetani, për shkak se ky i fundit kritikoi ashpër policinë lokale.

Për rastin e deputetit Gjetani, Edi Rama u shpreh: “Një deputet që nuk ka bërë punë tjetër veçse ka shantazhuar dhe kërkon ekskluzivitet të vërë shefa policie në Kurbin, bën deklaratë pocaqi kundër policisë në Kurbin ai nuk mund të jetë deputet i PS-së”. Pas kësaj deklarate, Rama urdhëroi grupin parlamentar që të përjashtonte deputetin Gjetani nga radhët e tyre.
Pas përjashtimit nga grupi parlamentar, deputeti, tashmë i pavarur, Gjetan Gjetani, u shpreh për gazetën “Shekulli” se: “Unë kam folur vetëm për zonën e Kurbinit. Nuk pajtohem me vendimin që ka marrë kryeministri. Ai ka të drejtë që të largojë anëtarët, mbase e njeh më mirë sesa unë statutin. Unë nuk di të kem shkelur ndonjë vendim apo pikë të statutit. Kam marrë vendim për t’u larguar. Nuk e di se çfarë ka pasur në kokë Kryeministri. Unë gjykoj se është nxituar dhe nuk duhet ta kishte marrë këtë masë ndaj një deputeti. Ndoshta është ndikuar nga propozimi im për protestë, por unë e kam kërkuar këtë në rast se kryeministri nuk do të merrte masa për pastrimin e krimit në Kurbin. E përsëri, unë i pari dal në protestë për situatën”, tha deputeti Gjetani.
Thuajse në të njëjtën situatë me Gjetanin e ka vendosur veten deputeti i Lezhës, Pjerin Ndreu, paraditen e së Hënës, kur ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Policisë së Shtetit pas arrestimit të Arben Ndokës.
Ky i fundit u arrestua në vijim të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, i dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që zhvillonte aktivitetin e paligjshëm në tjetërsimin e pronave në bregdetin e Lezhës.

Mesazhi i Xhafës që dekonspiroi arrestimin e Lul Berishës dhe Klement Balilit

Arben SHAHINI

Jo çdo hap i mirëmenduar mes strukturave policore dhe shërbimeve partnere ka shkuar ashtu sikurse ishte menduar më parë. Një nga njerëzit më të kërkuar në vend, Klement Balili ka mundur ti shpëtojë arrestimit në operacionin e policisë ditën e dielë duke sjellë një zhgënjim në radhët e shërbimeve partnere.
Po kështu i ka shpëtuar arrestimin edhe Lul Berisha, i cili ishte njeriu kyç që do të trafikonte drogën e laboratorit të Hasit që kontrollohej nga Abdylajt.
Si Klement Baliali edhe Lul Berisha janë njerëz të njohur për lidhjete ngushta me krerët e PS. Lul Berisha u lirua nga burgu pas një çertifikate që lëshoi kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, ndërsa Klement Balili nuk arrestohej edhe pse opozita jepte fakte për lëvizjet e tij dhe se si ai kalonte pushimet me zyrtarë të lartë të PS në bregdetin e jugut të vendit.
Po si mundën edhe kësaj here të shpëtojnë, Klement Balili dhe Lul Berisha. Për këtë ka menduar vetë ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa, i cili kësaj here është kapur në flagrancë të dekonspirimit të aksionit të policisë.
Mesazhi i dekonspirimit të operacionit
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka paralajmëruar disa ditë më parë se do ketë zhvillime sa i takon goditjes së segmenteve të krimit të organizuar në vend. Xhafaj tha se do publikohen emrat e bandave kriminale në qytetet problematike të vendit si Tiranë, Shkodër, Vlorë, Lezhë apo dhe Elbasan, të cilat njihen edhe si vatra të kriminalitetit. Nga konferenca e përbashkët për shtyp me kreun e Policisë Federale gjermane, Dieter Romann, Xhafaj dha një mesazh edhe për gazetarët.

“T’ju jap një këshillë, gjatë këtyre ditëve dhe javëve, rrini afër me Ardin dhe Gentin (përkatësisht drejtori i marrëdhënieve me publiuin dhe zëdhënësi), se do ketë lajme interesante. Se kur bashkëpunohet ka dhe gjëra të mira. Të tjerat dalëngadalë.
Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Xhafja dhe Romann e vunë theksin te bashkëpunimi mes dy vendeve për intensifikimin e luftës kundër grupeve kriminale.
Kjo është deklarata që sot vendos Fatmir Xhafën nën akuzën direkte për dekonspirim të operacionit të policisë për arrestimin e Klement Balilit dhe Lul Berishës. Duket kuptuar se mesazhe të tilla publike janë pjesë e gjuhës së mafias. Krerët e mafias dinë se si të përkthejnë deklarata të tilla të bëra publikisht nga një ministër i Brendshëm. Menjëherë sapo i jepet ky sinjal, ata largohen në mënyrë të rrufeshme nga vendi i tyre ose fshihen derisa të zbardhet e vërteta.
Fatmir Xhafa nuk ka bërë gjë tjetër me deklaratën e javës së kaluar vetëm se i ka dërguar kodin mafioz krerëve të krimit në vend që të fshihen, dhe këtë e ka bërë në prezencë edhe të zyrtarit të lartë të policisë gjermane. Bota e krimit është e stërvitur me të tilla mesazhe dhe I kap menjëherë ato, aq më tepër kur ministri del në konferencë shtypi bashkë me një zyrtar të lartë të policisë gjermane. Pyetja në të tilla raste nga bota e krimit shtrohet se përse duhet të vinte në Tiranë ky zytrtar i lartë gjerman dhe ata e kuptojnë se ka mbërritur me një mesazh të qartë për trafiqet e tyre në Gjermani.
Lul Berisha është zhdukur jashtë vendit, ndërs Klement Balaili ëhstë fshehur në një veënd akoma më të sigurtë duke mundur që edhe kësaj rradhe ti shpëtojnë arrestimit, falë kjo edhe ndihmës së ministrit të Brendshëm.

Dosja/ “Të fortët” e Shijakut, vrasja e marshallit italian, vrasjet në pritë dhe atentati në Tiranë ndaj biznesmenit

Ditën e djeshme një operacion i policisë në Shijak vuri në pranga vëllezërit Avdylaj të akuzuar për një sërë veprash penale të kryera brenda dhe jashtë vendit.
Veprat për të cilat ata akuzohen përfshijnë vrasje, trafik heroine, prostitucion dhe të tjera si këto.
Së bashku me ta u lëshua urdhër arrest dhe për Lul Berishën, i cili duket se e ka marrë sinjalin në kohë dhe është larguar jashtë vendit. Kontrollet në banesën e tij nuk kanë sjellë asnjë rezultat.
Po le të ndalemi te vëllezërit Avdylaj dhe historia e tyre e lidhur ngushtësisht me krimin:
Gjithçka fillon në vitin e largët 1996 ku u vra me armë zjarri Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit kokës së bandës. Ai i kishte vendosur një gjobë biznesmenit Tefik Hyka, pronari i fabrikës së tullave në Vlorë.
Dritan Avdyli u telefonua nga një bashkëpunëtor shijakas i Tefik Hykës për të shkuar në zonën e “Katër Rrugëve të Shijakut” për të marrë paratë që i kishte kërkuar Tefikut, por në momentin që bashkë me shokun arrin në lokal goditet me një breshëri plumbash nga një vrasës me pagesë i ardhur nga Tirana, Durim Kusi.
Ndaj Tefik Hykës vitin e kaluar u organizua një atentat në lokalin e tij në kryeqytet, nga i cili biznesmeni arriti të mbijetonte. Ai u dërgua më pas për mjekim jashtë vendit, dhe më pas ka pak informacione rreth asaj që ndodjhi me të.
Astrit Avdyli, djali i xhaxhit të Dritanit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali merr hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin. Ndërkohë që spiralja e hakmarrjes nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin.
Ndërkohë që Jasmin Avdyli është dënuar më parë në Itali pasi u përfshi në vrasjen e një marshalli italian. Ai kishte disa vite që ishte liruar nga burgu dhe jetonte në Shijak.
Ndërsa Flamur Avdyli prej vitit 1996 ka emigruar në Gjermani ku dyshohet se është përfshirë në trafikun e heroinës së bashku me vëllezërit e tij duke sjellë goditjen mbrëmjen e djeshme.

Laboratori në Has/ Zbulohet skema, droga do të transportohej në Gjermani nga Lul Berisha

Janë zbuluar detaje të reja për laboratorin e drogës në Has. Gazetarja Klodiana Lala, raportoi për News24 dhe Balkanëeb se porositësi i lëndën narkotike të laboratorit të Hasit, ishte grupi i Avdylajve, apo të njohur ndryshe si të fortët e Shijakut.
Nga të dhënat e para, dyshohet se Lul Berisha ka marrë përsipër trafikun e drogës. Sasia e drogës, e cila do të bëhej gati në laboratorin e Hasit kishte si destinacion final tregun e Gjermanisë.

Operacioni për arrestimin Lul Berishës u dekonspirua
Mbyllet pa arrestimin e te kerkuarit Lul Berisha operacioni i djeshem i forcave speciale ne Durres e Shijak. Forcat speciale kanë ushtruar kontroll në shtëpinë e Lulzim Berishës, por ai nuk ndodhej në shtëpi në atë moment dhe për rrjedhojë nuk është arritur arrestimi i tij.
Burimet thanë se nga Prokuroria është firmosur një urdhër arresti për ish-kreun e “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha. Për ekzekutimin e këtij urdhërarresti, në drejtim të qytetit bregdetar është nisur një grup operacional, në përbërje të të cilit kanë qenë efektivë të forcave speciale RENEA, FNSH, si dhe efektivë të Forcës së Posaçme Operacionale.
Burimet thanë për Panorama se është ushtruar kontroll në banesën e Berishës, por ai nuk ndodhej aty. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa objekte që mund të jenë në dobi të hetimit, por që nuk mund të konsiderohen të jashtëligjshme.

Nga të dhënat e siguruara më vonë nga Policia ka rezultuar se Lulzim Berisha nuk ndodhej në Shqipëri, pasi ishte larguar jashtë vendit bashkë me familjen, çka nuk përjashton mundësinë e një dekonspirimi. Sipas të dhënave, hetimi ndaj tij i përket së njëjtës dosje me atë të të fortëve të Shijakut, të cilët u arrestuan po dje në një operacion.
Policia e Shtetit ndërhyri duke goditur familjen Avdyli në Shijak dhe arrestuar tre vëllezër dhe kushëririn e parë të tyre. Gjithashtu janë shoqëruar edhe 20 anëtarë të bandës që akuzohet për trafik heroine në Shqipëri dhe në Gjermani.
Burimet thanë se të arrestuar janë vëllezërit Astrit Avdyli, që është “koka” e grupit të dyshuar kriminal, Flamur Avdyli dhe Shkëlqim Avdyli. Gjithashtu është arrestuar edhe kushëriri i tyre Jasim Avdyli, së bashku me shtetasin H. Hoxha, të dënuar në Turqi për trafik heroine. Flamur Avdyli është emigrant prej vitesh në Gjermani, ndërsa akuzohet për trafik heroine atje dhe disa vende të tjera të Bashkimit Europian.
Në emër të vëllezërve Avdyli janë të regjistruara dhjetëra biznese, mes tyre hoteli luksoz në Durrës “Germany”. Sipas informacioneve nga Policia e Shtetit, operacioni nisi pas përgjimeve dhe të dhënave që janë sjellë nga Gjermania. Madje, një operacion i tillë u paralajmërua pak ditë më parë nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, gjatë takimit që ai pati me presidentin e Policisë Federale Gjermane.