31.5 C
Tirana
E diel, 22 Qershor, 2025

Paralajmërimi i frikshëm nga Italia: Këto molto kanë rrezik të bartin salmonelë

Ministria e Shëndetësisë italiane ka bërë një paralajmërim të frikshëm, për disa lloje kroasantesh që po konsumohen gjerësisht, madje edhe në vendin tonë. Siç raportohet nga mediat fqinje këto lloj moltosh prodhohen në e Castel d’Azzano, në provincën e Veronës dhe ka rrezik të bartin bakterin e Salmonelës.
Ministria italiane u ka bërë thirrje të gjithëve ditën e djeshme duke u kërkuar të mos konsumojnë produktin dhe të kthejnë çdo artikull në pikën e blerjes. Megjithatë sipas njoftimit është vetëm një seri moltosh me rrezik, ato që kanë numrin LA8312BR. Të gjitha produktet e tjera me qumësht Bauli nuk ka rrezik të konsumohen.
Kroasantët që do të hiqen nga tregu përmbajnë qumësht dhe vezë me Salmonella spp, të tipit jo-typhoid. Përbërësit kryesirë të saj kanë rrezik të jenë infektuar nga kafshët dhe derivatet e tyre (si mishi, vezët dhe qumështi).
Kujtojmë se edhe në një sërë marketesh në Shqipëri, tregtohen këto molto.

Përdhunimi/ Taulant Ballën nuk e shpëton dot as inflacioni me padi e as show në Prokurori

Pas dorëzimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nga Taulant Balla, lidhur me rastin “Xhisiela”, ku ai ka paditur për shpifje kryetarin e PD, Luluim Basha, deputetët Edi Paloka dhe Enkelejd Alibeaj dhe gazetarin Basir Çollaku, si dhe nënkomisarin Emiljano Nuhu, ka ardhur edhe reagimi i parë nga Alibeaj.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Alibeaj shprehet se Taulant Ballën nuk e shpëton dot as “inflacioni me padi e as shoë në Prokurori”.
Reagimi i Alibejat
“Inflacioni me padi apo show në prokurori nuk e shpeton dot Taulant Ballën nga përgjigja: pse qeveria e tij nuk shfaq çfarë përmbajnë kamerat e Policise së Fushë Krujës.
Përsa kohë qeveria mbulon të vërtetën, Taulant Balla nuk ka pse të ndjehet i fyer, kur ne i kujtojmë se ai ka marrë pjesë në kërcënimin me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut.
Qytetarët e kanë parë sesi ai po sillet si anëtar i bandës së Fushë Krujës në mbrojtje të Rrahman Rrajës dhe djalit të tij përdhunues.
Qytetarët nuk kanë harruar se ditën e parë të reagimit të tij, Taulant Balla quajti “idiotizëm” përdhunimin e vajzës nga djali i kolegut të tij.
Loja me padi është e dalë boje, njësoj si gënjeshtrat e Taulant Yaris se në 21 Korrik ishte një herë ne inaugurim, një herë për peshk”.

Si gënjeu Balla sapo doli nga Prokuroria
Kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka qenë sot për rreth dy orë në Prokurorinë e kryeqytetit në kuadër të hetimeve pas denoncimit të ish-oficerit të policisë së Fushë Krujës, Emiljano Nuhu. Por, siç deklaroi vetë Balla, në dalje nga Prokuroria, ai vetëm për akuzat e oficerit Emiljano Nuhu, nuk ishte pyetur nga prokurorja e Tiranës, Elsa Miha.
Midis të tjerave, Taulant Balla ka artikuluar edhe një sërë gënjeshtrash.
Emiljano Nuhu akuzoi vëllanë e deputetit se i ka vënë pistoletën në kokë, vetë deputetin Rraja, kryebashkiakun Artur Bushi dhe Taulant Ballën se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan në komisariatin e Fushë Krujës në datë 21 korrik.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i konsideroi “grup të strukturuar” kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gazetarin Basir Çollaku dhe oficerin e Policisë, Emiljano Nuhu. Balla tha se ka edhe persona të tjerë të këtij grupi, duke i bërë thirrje Prokurorisë që të marrë në pyetje Lulzim Bashën.
-Ju ishit me vullnetin tuaj?
Unë kam ardhur për të të depozituar një dosje provash që justifikojnë kallëzimin tim. Unë kam bërë kallëzim, nëse është i rremë unë mbaj përgjegjësi.

-Sa qëndruat?
Gati 120 minuta. Ky është një grup i strukturuar, Basha, Nuhu dhe Çollaku dhe persona të tjerë që fabrikuan një inskenim të turpshëm. Kam deklaruar në kallëzimin tim se nuk kam qenë në Krujë.
-Ju kërkoj shpjegime prokurorja edhe për çështjen Nuhu?
Çështjet që isha unë, ishte vetëm për kallëzimin tim penal. Në datë 10 Basha nëse kthehet në Shqipëri, e pres edhe në gjykatën e Tiranës dhe për një çështje tjetër. Prokuroria, Bashën ta thërrasë sa më shpejt për të sqaruar sa më shpejt opinionin. Një opozitë pa program ka përfunduar në prodhimin e Babaleve.
Ish-oficeri i Krujës, Nuhu akuzoi se në datë 21 korrik është kërcënuar më armë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja. Ai akuzon se në datë 21 korrik vëllai i deputetit i ka vënë pistoletën në kokë, në prani të deputetit Rraja, kryebashkiakut Artur Bushi dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, të cilët se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan.

Dokumenti/ Ministria e Arsimit në shërbim të PS, mbledh të dhënat personale të prindërve të nxënësve

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka vijuar me publikimin e denoncimeve të mbërritura në adresë të tij.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Berisha ka publikuar denoncimin e mbërritur nga një prind, i cili shprehet se shkolla u ka këkruar fëmijëve të dhënat personale të prindërve, ndërsa denoncimin e mbështet me një formular që duhet plotësuar nga prindërit.
Postimi i ish-Kryeministrit Berisha në Facebook
“Ndrikull Vila mbledh ne dhunim te ligjeve te dhena personale te prinderve te nxenesve!
Lexoni mesazhin e prindit dixhital dhe shikoni foton e derguar prej tij. sb
Pershendetje dr kerkoj ndjese qe smund tju kontaktoj drejtperdrejt per arsye frike nga ndonje hakim i mundshem dhe me ngjarjet qe jemi msuar te shohim e degjojme se si perfundojne ne disfavor te denoncuesit…Shkolla “Kongresi i Manastirit” ne Tirane u ka dhene ultimatum mesuesve e per rrjedhoje kta ja percjellin nxenesve te plotesojne kete formular
Me kujton filmin “Perralle nga e kaluara” kur Gjinuo ankohet:Njera thot hip se te vrava,tjetra thot sbrit se te vrava-Si do veje ky halli im.Vjen ky formular si leter anonime sepse nese do kishte emer mbier apo vule institucionale dhe regjistrim audio nga mesuesit….do ishte shume e thjeshte ti drejtoheshim gjykates
Femija uleret do e plotesosh sesben….ndryshe nuk shkoj ne shkolle Me thoni i nderuar doktor… cduhet te bej?”, thuhet në denoncim.

Artistët në protestë kundër indiferencës së BE për shembjen e Teatrit

Aleanca për Mbrotjen e Teatrit po zhvillon një protestë përballë pallatit të Kongreseve, kundër indiferencës së Bashkimit Europian.
Protesta po zhvillohet gjatë kohës që ministri Ditmir Bushati po flet në një konferencë për shtyp me homologen e tij austriake.
Artistë dhe shumë qytetarë janë mbledhur para Pallatit të Kongreseve dhe hedhin parrulla kundër qeverisë.
“Qeveria ka uzurpuar kompetencat e bashkisë. Përgjigja që morëm në shtator mjaftonte që të kthehej ligji. Duhet të qendroni pro parimeve që promovuat. Asnjë qeveri e BE-së nuk do të ndërmerrte këto vendime”, shprehen protestuesit.

Rama nuk ka këllqe! Pse duhet falenderuar Rexhep Rraja

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani i ftuar në studion e Fax News ka komentuar qëndrimin e kryeministrit Rama për çështjen e dhunimit të Xhisiela Malokut.
Sipas Manjanit kryeministri Rama duhet të hetohet lidhur me deklaratat e tij se do ta ndjekë këmba këmbës Emiljano Nuhun, pasi ka folur njësoj si personat që kërkonin që ta vrisnin.
Manjani theksoi se, deklaratat e bëra nga Rexhep Rraja në dalje të Gjykatës së Krujës janë çështja kryesore e cila duhet të na shqetësojë politikisht, për shkak të përdorimit të të fortëve në zgjedhje.
Juristi u shpreh më tej edhe për paketën antimafia që është propozuar nga Edi Rama, e dila nuk mund të votohet sa kohë që duhen 84 vota për ndryshimin e kodit penal.
“Vajza është tërhequr nga deklarata e saj për dhunën, duke ia lënë në dorë policisë pra nënkomisar Nuhut, i cili nuk u tërhoq. Kjo është pika me të cilën duhet të merremi, merren me gjëra sekondare për të fshehur thelbin që është fakti se një oficer policie ka denoncuar eprorin e tij dhe dy deputetë të PS-së për kërcënim me armë. Ka bërë të ditur kërcënimin dhe te presidenti i vendit, dhe është detyruar që të marrë familjen dhe të iki.
Ky është shqetësimi me të cilin duhet të merremi sot. Kryeministri kërcënon punonjësin e shtetit, etika profesionale duhet ta bënte Ramën që të mbyllte gojën, pasi duhet të kishte një proces për verifikimin e denoncimit të punonjësit të policisë.

Prokuroria nuk mund ta lërë pa hetim kryeministrin që thotë se do ndjek këmba këmbës oficerin. Unë nuk dua të bëj politikë në këtë rast, po ai djali duhet falenderuar pasi na e tha qartë se kush është qershia me tortë e kësaj ngjarje “shihemi në zgjedhje”.
Ka njeri që e beson se në Nikël ka zgjedhje të lira dhe të ndershme pas kësaj, unë nuk e besoj. Pasi si ky në të gjithë Shqipërinë ka shumë individë. Kryeministri duhet të hetohet, çfarë fshihet pas fjalëve “do të ndjek këmba-këmbës’ këtë horr. Në shqipëri nuk ekziustgojnë sot institucionet e pavaruara për të provuar pretendimet.
Pse duhet që ti vëmë një kapele të gabuar kësaj çështje, sa kohë që nuk ka hetime. Atij personi nuk i është kthyer përgjigje, drejtori i policisë as që e ka çarë kokën fare, që të ngrinte një grup pune për letrën e Nuhut. Merren me vajzën për të fshehur rrënjën e problemit. Rama nuk ka këllqe që të bëjë paketën Antishpifje pasi për të ndërhyrë në kodin penal i duhen 84 vota që sot nuk i ka. Pse do e ndjekë këmba këmbës oficerin, për ta vrarë?”, u shpreh Manjani.

Kapen 20 milionë euro drogë mes Italisë e Gjermanisë, 13 shqiptarë në pranga

Hetimet e nisura në Gjermani në vitin 2016 ku u prangosën 6 korrierë drogë, kanë çuar në pranga mëngjesin e sotëm 30 persona të tjerë, pjesëtarë të dy grupeve kriminale.
13 prej të arrestuarve mësohet se janë shqiptarë, disa prej të cilëve edhe drejtues të këtij rrjeti të madh droge mes Italisë dhe Gjermanisë.
Arrestimet janë bërë ditën e sotme gjatë operacionit të koduar ‘Mëngjesi i bardhë’.
Hetimet ishin zhvilluar prej dy vitesh nga policia në Mynih dhe në disa qytete të Italisë së veriut.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 140 kilogramë drogë, kokainë, heroinë, marijuanë me një vlerë prej 20 milionë eurosh.
Arrestimet sot janë bërë në Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Trento, Itali dhe Mynih, Gjermani.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, dy bandat kishin shtrirje edhe në Belgjikë dhe Holandë.

Ne që kemi mbetur…

Nga Artan Fuga

Ikën ata që shpallën pavarësinë,
madje iku edhe Haxhi Qamili,
Iku Selam Musai,
vate koha edhe për Themistoklin.
Ikën ata që kishin bërë studimet në Firence, Romë dhe Vienë,
dërguar nga Lartmadhëria Zogu i Parë, i vetëbërë mbret shqiptar,
Ikën edhe ata që më pas i bënë studimet në Moskë, Kiev dhe Leningrad,
mbetën ata që diplomohen me letra pa vlerë
njomur me ujë Lane.
Madje ikën edhe ata që studjuan në Kinë, Vietnam dhe Kore.
Gjithçka në tru ka zënë skorje,
Mall rrethinash elbasani.
Prodhim shkretëtire e Gobit, me etiketë anglosaksone.
Ose edhe ca të tjerë dru me pre!
Ikën gjeneralët,
mbetën kapterrët,
ikën dallëndyshet, lejlekët dhe arinjtë nga malet.
Ikën traktoristët,
Ikën kombajnerët!
Madje ikën edhe shoferët
të skodave Albania,
kontrabandistët,
Mbetën analistët,
Ikën ata që dinin latinisht.
Ikën dhe osmanologët.

Ikën ata të greqishtes së lashtë,
ikën përkthyesit e kinezces
ikën për belà edhe ata që dinin rusisht.
Nuk ka më as të burgosur për të përkthyer veprat e mëdha të artit botëror.
Tani mashtruesit përkthejnë rrëmbimthi me google translator.
Ikën ata që hekurudha dinin të ndërtonin,
ikën edhe ata që operonin,
Ikën ata që mbi supe dinin të mbanin pesëdhjetë vite burg,
ikën meshtarët ilegalë dhe hoxhallarët që agjëronin fshehur.
Ikën dhe besimtarët,
mbetën ne nga vdekja frikur.
Ikën dashnorët e serenatave,
ikën vajzat që kishin frikë mamatë,
ikën gratë që u ndruheshin burrave dhe burrat që nuk kishin frikë nga gratë.
Mbetën T-shirt-et uniseks.
Ikën edhe virgjëreshat bashkë me burrneshat.
Mbeti preshi.
Dhe kastraveci i rritur në furgone
me hormone.

Iku dhe Bulevardi i Korçës,
mbetën kërnackat korçare,
me kullën idiote.
Iku velenca prej leshi.
Iku edhe guna e grrisur mbi tela,
Mbetëm ne që tërë ditën në verë themi : uuuu sa vapë,
ne llotaxhinjtë, që në dimër ankohemi nga të ftohtit,
ne që ruajmë votat që kemi vjedhur,
ne hajdutët që bërtasim “Kapeni hajdutin!”
Mbetën edhe pulat që t’i vjedhim ne hajdutët e pulave.
Mbetëm ne që ikim nga sytë këmbët dhe bërtasim :
“Shqipëri të kam lënë pendët!”
Mbetëm ne të ikurit që nuk ikim dot!
Dhe nga që nuk ikim dot bërtasim :”Kam vendosur të jetoj këtu!:”
Mbetëm ne lexuesit e pornove prej të sëmurësh seksualë në gazeta.
Mbetëm ne rrenacakët që nuk e shohim hundët e pinokut te ata që na gënjejnë.
Mbetën edhe qentë e bashkive. Me vathë në vesh!
Dhe ne që na kafshojnë qentë!
Si edhe karvani që leh kur sheh se qentë shkojnë përpara!

Pse policia dhe Prokuroria hesht për kamerat e policisë në komisariatin e Fushë-Krujës?

Partia Demokratike e ka akuzuar Prokuroren e Përgjithshme Arta Marku se është përfshirë në fshirjen e provave që implikojnë Taulant Ballën, Artur Bushin dhe Rrahman Rrajën në kërcënimin e nënkomisarit Emiljano Nuhu.
Deputeti Gent Strazimiri deklaroi se, “Policia dhe prokuroria janë përfshirë në operacionin e fshirjes së gjurmëve dhe shkatërrimit të provave që implikojnë Taulant Ballën në krimin e kërcënimit të nënkomisar Emiljano Nuhut. Partia Demokratike i kërkoi dje Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës t’i tregojnë publikut çfarë është bërë me kamerat e Policisë së Fushë Krujës dhe me kamerat rreth saj.
Në vend të përgjigjes, Edi Rama ka angazhuar të gjithë makinerinë e propagandës për të hequr vëmendjen nga dëshmia kyçe e nënkomisar Nuhut: se Taulant Balla, Artur Bushi dhe Rrahman Rraja kanë qenë të pranishëm, kur atij i është vënë pistoleta në kokë për të mbyllur çështjen e djalit përdhunues të deputetit të Edi Ramës.
Partia Demokratike njohu dje shqiptarët me denoncimet e punonjësve të policisë dhe të SHKB-së, që varet direkt nga Fatmir Xhafa,

se me kërkesë të Taulant Ballës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, urdhëroi në korrik fshirjen e çdo kamere që mund të provojë praninë e deputetëve socialistë në policinë e Fushë Krujës më 21 korrik.
Punonjës të policisë kanë denoncuar se si grupi i ngritur nga Drejtori i Policisë së Qarkut Durrës, Alfred Çepe, me detyrë specifike fshirjen e kamerave dhe serverave të bizneseve pranë Policisë, ka kërcënuar me tatimorë, banditë dhe armë këdo që ka refuzuar të bashkëpunojë për shkatërrimin e provave.
Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj nuk përgjigjen se çfarë është bërë me kamerat e policisë së Fushë Krujës, sepse sa herë atyre iu kapet në krim një deputet brenda në komisariat, kamerat ose fiken, ose fshihen, si në rastin e përplajses me armë të bandës së Armando Prengës në komisariatin e Laçit.
Megjithëse u vu në dijeni nga nënkomisar Emiljano Nuhu për krimin e Taulant Ballës, Artur Bushit dhe Rrahman Rrajës, shërbëtorja e Edi Ramës nuk nisi hetimet kryesisht. Arta Marku që nuk guxon as ta përmendë me emër Taulant Ballën, provoi se nuk ka ndërmend të hapë një çështje penale kundër tij.
Krimi mbrohet nga qeveria, prokuroria e kapur dhe policia, sepse kryeministri është në të njëjtin grup parlamentar me bandën e Fushë Krujës, me bandën e Emiljano Shullazit, me bandën e Agron Xhafajt; sepse Prokurorja e Përgjithshme caktohet me dhunë nga përfaqësuesit e bandave në Parlament dhe sepse qeveria varet nga bandat që mbajnë peng kukullën e krimit – Edi Rama.

“Mourinho nuk ka faj, United i mbushur me lojtarë qaramanë”

Në Angli gjithnjë e më shumë po shtohen zërat që shohin Jose Morurinho-n drejt largimit dhe duket thjesht çështje kohe, duke parë ecurinë e dobët të Manchester United dhe problemet e brendshme, me trajnerin portugez që nuk flet më me disa nga lojtarët e tij, duke nisur nga Paul Pogba, apo kapiteni Antonio Valencia, i cili ditët e fundit pëlqeu një postim në Instagram ku kërkohej pushimi nga puna i trajnerit.
Megjithatë, jo të gjithë janë kundër Mourinho-s dhe një ndër personat më të vlerësuar në Manchester, ish-kapiteni legjendar Roy Keane, ka një këndvështrim tjetër, duke fajësuar vetëm futbollistët për këtë krizë loje e rezultatesh.
Duke folur për Notts TV, Keane ka analizuar momentin e United dhe ka dhënë mendimin e tij, duke i quajtur ‘qaramanë’ futbollistët e Red Devils.
“Jo çdo futbollist shkon mirë me trajnerin, ky i fundit nuk i pëlqen gjithë lojtarët që ka në dispozicion. Megjithatë, çfarëdo lloj problemi të kesh dhe çfarëdo mosmarrëveshjesh të kesh me trajnerët, kur zbret në fushë luan për skuadrën, jo për trajnerin.
“Nuk më intereson fare çfarë ka ndodhur, nuk më intereson nëse jeni kapur për fyti, sepse është pjesë e industrisë, njerëzit shpesh grinden. Ndodh në çdo biznes, por për fat të keq kur je te Manchester United – një prej klubeve më të mëdhenj në botë – gjërat ekzagjerohen.
“Ama, nëse je futbollist i United, e vesh atë fanellë dhe kur zbret në fushë nuk jep 100% sepse je i mërzitur me dikë, atëherë jo, unë i uroj fat Mourinho-s. Nuk e kam me Pogba, por me çdo futbollist që nuk arrin të ndajë çështjet jashtë fushe nga paraqitjet në fushë.
“Lojtarët që zemërohen me trajnerin dhe mendojnë se nuk ka pse të japin maksimumin në stërvitje apo në fushë nga inati janë thjesht qaramanë dhe unë shoh shumë qaramanë në qarkullim, shumë. Kur del në fushë, luan për krenarinë tënde, për familjen dhe qytetin tënd, jo për trajnerin. Zihu pas ndeshjes, por në ndeshje luaj me energji, me shpirt, me krenari. Jep maksimumin, aq sa ke mundësi, sepse ka edhe ditë të këqija, por tifozët e kuptojnë kur një futbollist përpiqet dhe kur një tjetër nuk e vret mendjen fare”.

Real i gjymtuar, historia po përsëritet

Reali i Madridit është në një moment të keq, por nuk janë vetëm rezultatet e dobëta ato që shqetësojnë trajnerin Lopetegui në këtë moment, sepse problem madhor është edhe lista e dëmtimeve, që sa vjen e zgjatet.
Ashtu si sezonin e shkuar, Reali nis të “sakatohet” që në pengesta e para të sezonit. Shtatori ka qenë sërish një muaj problematik për inferimerinë e Los Blancos dhe tetori ka nisur njësoj, duke qenë që në listën e mungesave është shtuar edhe Carvajal.
Me anësorin, shkon në 5 numri i lojtarëve të dëmtuar në muajin e fundit, shumë prej tyre të dëmtuar që në fillim të kalendarit të ngjeshur, duke bërë që Lopetegui të ketë shumë pak alternativa për rotacion.
Isco, Marcelo, Bale, Odriozola dhe për të dytën herë Carvajal, janë dëmtuar që në javët e para të sezonit të ri, duke munguar pikërisht në një situatë delikate, ku Reali ka pasur rënie të theksuar loje e rezultatesh.
Edhe sezonin e shkuar ishte histori e njëjtë, sepse Zidane u përball me një seri të gjatë dëmtimesh që në fillim të sezonit, aq sa situata ishte më e rëndë se tani, sepse mes shtatorit e tetorit të vjetshëm u dëmtuan Bale, Benzema, Carvajal, Marcelo, Vallejo, Theo, Kroos e Kovacic, me disa prej tyre që munguan për shumë javë.
Tashmë Lopetegui duhet të bëjë kujdes dhe jo rastësisht nuk e mori fare me vete në Moskë Sergio Ramos, duke mos rrezikuar, ndërkohë që edhe Gareth Bale duhet ruajtur sa më shumë, sepse ka një histori plot dëmtime në Madrid.