33.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

159 vota

Nga Neli Demi

Ka shifra që peshojnë më shumë se duken. Jo për nga madhësia, por për nga domethënia. Kjo është pesha e një zëri që nuk bërtiti, që nuk premtoi, që nuk bleu, që nuk shiti frikë. Është zëri im dhe i atyre pak vetëve që vendosën të besojnë në një tjetër mënyrë të të bërit politikë.

Nuk jam i befasuar. Por po, jam i zhgënjyer! Jo nga njerëzit, as nga vetja. Por nga një sistem që e ka bërë ndryshimin të padukshëm, të pamundur, të padëgjuar. Një sistem që nuk i ndalon alternativat por i përqesh ato. Nuk i persekuton por i injoron. Dhe kur nuk ia del dot t’i përjashtojë, i zhbën përmes mungesës së shpresës kolektive.

Një nga pyetjet më të shpeshta që më është bërë këto ditë është: “Pse zgjodhe të garosh me KEA dhe me Lulzim Bashën?”

E kam dëgjuar me veshë të hapur dhe mendje të kthjellët. Për shumëkënd, kjo zgjedhje është bërë sinonim i dështimit, i heshtjes, i mosbesimit. Por për mua ajo nuk ka qenë as kompromis, as kalkulim. Ka qenë zgjedhja për të mos kërkuar një strehë politike të sigurt, por një hapësirë ku mund të flas lirshëm dhe të mos jem peng i heshtjeve të diktuara. Dhe kjo më është dhënë.

Më është thënë disa herë, me dashamirësi, por edhe me nënkuptime të forta: “Ti ke vlera, por je në shtëpinë e gabuar.” E kam dëgjuar këtë si para zgjedhjeve, ashtu edhe pas tyre. Si sugjerim, si kritikë, ndonjëherë edhe si thirrje “shpëtimi”.

Por çfarë është “shtëpia e duhur”? A është ajo ku të japin më shumë vota, por të kërkojnë të heshtësh për këtë apo atë gjë? A është ajo ku duhet të bësh sikur nuk sheh, për të përfituar nga llumi që e mbyt këtë vend? A është ajo ku fjalës nuk i kërkohet ndershmëri, por efekt politik?

Zgjedhja për të qenë pranë Lulzim Bashës nuk ka qenë vetëm politike. Ka qenë edhe etike. Unë vendosa t’i bashkohem atij pikërisht kur mori vendimin për të përjashtuar Sali Berishën pas shpalljes “non grata”, në një kohë kur shumë të tjerë po largoheshin, ose po qëndronin në heshtje. Deri në atë moment nuk kisha qenë pjesë e politikës aktive. Ishte pikërisht ky vendim që më bindi se aty mund të ndërtohej një tjetër mënyrë për të bërë politikë me dinjitet, me përgjegjësi, pa frikë dhe pa borxhe ndaj së shkuarës.

Lulzim Basha nuk është i përkryer dhe këtë gjë e di edhe ai vetë. Por nuk kam parë tek ai asnjë gjurmë nga sëmundjet e vjetra të politikës shqiptare: as etjen për hakmarrje, as nevojën për kontroll, as korrupsionin moral që fshihet pas “efikasitetit”.

Ai është refuzuar jo për atë që ka bërë, por për atë që nuk ka qenë. Ai nuk ka qenë brutal, nuk ka qenë populist, nuk ka qenë i pandershëm. Dhe kjo, fatkeqësisht, nuk ka rezultuar “bindëse” për një pjesë të madhe të opinionit publik, që kërkon më shumë spektakël se substancë, më shumë hakmarrje se drejtësi.

Unë nuk jam futur në politikë për të ndërruar shtëpi sa herë ndryshon moti. Nuk më shqetëson që “nuk jam në vendin që më sjell më shumë vota”.
Më shqetëson vetëm ideja që dikush të mendojë se fjalët e mia nuk më përkasin, por janë thjesht strategji.

Jo, nuk janë! Dhe pikërisht sepse nuk janë, do të vazhdoj të flas edhe pa mikrofon, edhe pa podium, edhe pa mandat.

Unë nuk hyra në politikë për të bërë domosdoshmërisht karrierë. Hyra për të provuar se fjala ka ende vlerë. Dhe se ndershmëria, edhe kur nuk të shpërblen në vota, të mban në paqe me veten.

Koha ime nuk ka mbaruar.
Ndoshta ajo sapo ka filluar.

Akuzohet si i përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko! Gjykata e Lartë prish vendimin e Apelit të GJKKO për Blendi Tetën, rikthen dosjen për gjykim

Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të Posaçëm që dënoi Blendi Tetën me 25 vite burg, për vrasjen e ish-efektivit të Policisë, Santiago Malko.

 

Blendi Teta dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos më 27 gusht të 2019.

Njoftimi i Gjykatës së Lartë

GJ.K.K.O 52104-00023-00-2023 BLENDI TETA Nenet 78/2, 28/4, 333/a/2, 334 pika 1 te K.Penal. “ Prishjen e vendimit nr. 32, datë 14.6.2022, të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë, me tjetër trup gjykues.

vijon…

“Jemi të vendosur të mbrojmë territorin e NATO-s” – Kancelari Merz pas vendosjes së trupave gjermane në Evropën Lindore: Lituanezët mund të mbështeten te Gjermania

Gjermania dhe partnerët e saj “janë të vendosur të mbrojnë territorin e NATO-s kundër çdo agresioni”, theksoi kancelari Friedrich Merz nga Vilniusi, ku, në një gjest simbolik, viziton forcat gjermane në krahun lindor të Aleancës.

 

“Revizionizmi agresiv i Rusisë kërcënon jo vetëm sigurinë e Ukrainës, por edhe atë të Evropës dhe të hapësirës euroatlantike”, deklaroi Merz, duke theksuar se situata në rajonin e Balltikut mbetet “shumë e tensionuar”.

“Ju mund të mbështeteni te ne. Siguria e aleatëve tanë është edhe siguria jonë”, i tha ai presidentit lituanez Gitanas Nausėda. Të dy liderët, bashkë me ministrat e Mbrojtjes të të dy vendeve, do të vizitojnë më vonë trupat gjermane të vendosura në Lituani.

“Nuk ka pasur kurrë një vendosje më të madhe dhe më të qëndrueshme të Bundeswehr-it në Evropën Lindore. Dhe dua t’ia bëj këtë të qartë botës: Të dashur lituanezë, mund të mbështeteni te Gjermania”, u shpreh kancelari.

Në Lituani, që nga viti 2023, janë vendosur gradualisht rreth 4.800 ushtarë të Bundeswehr-it dhe 200 punonjës civilë, të cilët do të qëndrojnë atje të paktën deri në vitin 2027, me qëllim forcimin e krahut lindor të NATO-s dhe parandalimin e një agresioni të mundshëm rus.

Për herë të parë, Gjermania ruan një bazë kaq të madhe ushtarake jashtë vendit, por Ministria gjermane e Mbrojtjes vlerëson se pozicioni gjeografik i Lituanisë e bën atë “shtetin më të cenueshëm në anën lindore të NATO-s”. Për shkak të kërcënimit rus, qeveria lituaneze njoftoi në janar se do të rrisë shpenzimet e saj për mbrojtjen në 5-6% të PBB-së deri në vitin 2030.

ZYRTARE/ E papritur për fituesin e Topit të Artë, Real Madrid konfirmon vendimin përfundimtar për Modriç

Luka Modriç do të luajë në fundjavë ndeshjen e fundit në shtëpinë e Real Madrid. “Galaktikët” kanë zyrtarizuar vendimin për mbylljen e bashkëpunimit me 39-vjeçarin.

 

Eksperienca e fundit me Realin do të jetë në Botërorin e klubit. Kështu nga muaji korrik, nëse Modriç nuk tërhiqet nga futbolli do të ketë mundësinë për tjetër aventurë.

I bashkuar me Realin në vitin 2012, Modriç u kthye në një nga lojtarët më të rëndësishëm. Plot 28 trofe të fituar, që e kthyen në legjendë.

Liga e Kampioneve dhe Botërori i klubeve u fituan nga gjashtë herë. Triumfi në Superkupën e Europës erdhi pesë herë, katër La Liga, dy Kupa të Mbretit dhe pesë Superkupa të Spanjës janë dëshmi e suksesit.

Suksesi më i madh individual gjatë kohës si lojtar i Realit ishte fitimi i Topit të Artë. Po ashtu lojtari më i mirë i FIFA-s dhe UEFA-s në vitin e paharrueshëm për të, 2018. Vendimi ishte disi i papritur, pasi vetë Modriç kërkonte të vazhdonte bashkëpunimin për të paktën edhe një sezon.

 

Rezultati i opozitës, analiza e Myzafer Elezit: Koha për reflektim

Nga Myzafer Elezi

Zgjedhjet e 11 majit 2025 shënuan një humbje të thellë për opozitën shqiptare, përballë një fitore të theksuar të Partisë Socialiste me 83 mandate. Kjo disfatë nuk është e rastësishme. Ajo është pasojë e një krize të shumëanshme: politike, organizative dhe të besueshmërisë. Reflekton një realitet të dhimbshëm që nuk mund të mbulohet më me justifikime të zakonshme.

Pse humbi opozita?

Sipas meje, disa nga arsyet kryesore mund të përmblidhen si më poshtë:

1. Përçarja dhe mungesa e unitetit

Opozita dështoi të paraqitej si një front i bashkuar. Përçarjet brenda opozitës dhe mes aleatëve krijuan kaos, pasiguri dhe zhgënjim te qytetarët. Në shumë qarqe, opozita garoi kundër vetes, – një vetëvrasje politike që zhbëri çdo shpresë për fitore.

2. Mungesa e një alternative reale

Në vend të një programi bindës, Partia Demokratike u përqendrua në sulme personale dhe retorikë të konsumuar. Shqiptarët nuk panë vizion, por hakmarrje. Nuk dëgjuan zgjidhje, por thirrje të zbrazëta. Në një kohë kur vendi përballet me papunësi, emigracion dhe pasiguri ekonomike, PD nuk ofroi rrugëdalje të besueshme.

3. Dobësi organizative dhe në terren

Strukturat bazë ishin të paralizuara. Komisionerë të papërgatitur, fushatë e çorganizuar, mobilizim i dobët. Ndërkohë që mazhoranca veproi si një makineri e mirëvajisur, opozita ngjau si një trup pa komandë, pa drejtim dhe pa energji.

4. Shkëputja nga qytetarët

Opozita nuk i dëgjoi njerëzit. Nuk ndërtoi ura me të rinjtë, me shtresat e pambrojtura, me fermerët e me punëtorët. Nuk preku realitetin e përditshëm të qytetarëve. Mesazhet e saj nuk ngjallën as emocion, as shpresë.

5. Lidership i konsumuar, mungesë rigjenerimi

Disa nga drejtuesit aktualë të PD janë të lidhur me të shkuarën problematike, me qeverisje të dështuara, akuza për korrupsion e lidhje klienteliste. Mungoi hapja ndaj figurave të reja, me integritet dhe vizion. Në shumë qarqe u ricikluan të njëjtat emra, pa asnjë ndryshim kuptimplotë.

6. Paqartësi në qëndrime politike

Në tema të rëndësishme si integrimi europian, reforma në drejtësi apo marrëdhëniet me aleatët strategjikë, opozita dha sinjale kontradiktore. Kjo krijoi pasiguri dhe mosbesim, brenda dhe jashtë vendit.

7. Fragmentimi i votës opozitare

Forca të reja si “Koalicioni Euroatlantik”, “Djathtas 1912”, “Mundësia”, “Shqipëria Bëhet”, e të tjera, tërhoqën pjesë të rëndësishme të elektoratit opozitar. Mungesa e një koalicioni të qartë dhe vizionar bëri që vota opozitare të shpërndahej, duke humbur mandate në disa qarqe, edhe për shkak të kodit të ri zgjedhor.

8. Avantazhi strukturor i mazhorancës

Partia në pushtet përdori në maksimum mjetet në dispozicion: administratën, fondet publike, median dhe presionin. Por kjo nuk është e re. Ajo që i mungoi opozitës ishte forca për ta përballuar këtë me organizim, integritet dhe besueshmëri. Demokracia nuk rrezikohet vetëm nga abuzimi i pushtetit, por edhe nga dobësia e alternativës.

Çfarë duhet bërë tani?

Kjo humbje nuk duhet të jetë fundi, por nisja e një reformimi të thellë. Opozita ka dy rrugë përpara:

1. Të vijojë me status quo-në që sjell vetëm humbje, zhgënjim dhe mbyllje në vetvete; ose

2. Të ndërmarrë një reformë të thellë politike, morale dhe organizative, për të rindërtuar besimin dhe për të ofruar një alternativë serioze.

Ky reformim duhet të bazohet në tre shtylla kryesore:

• Ndryshim lidershipi, me figura të reja, me integritet, ide dhe energji;
• Platformë kombëtare dialogu me qytetarët, për të ndërtuar një program qeverisës të ndershëm, realist dhe të besueshëm;
• Marrëveshje e re opozitare, mbi parime dhe jo mbi inate personale apo pazare politike.

Apeli im është i thjeshtë:
Mjaft me justifikime.
Mjaft me përçarje dhe vetëshkatërrim.
Koha është tani për të ndërtuar një opozitë që fiton me ide, jo me iluzione.
Që udhëheq me vizion, jo me hakmarrje.
Që i shërben Shqipërisë, jo interesave personale.
Shqipëria ka nevojë për një opozitë të re, të bashkuar, të përgjegjshme dhe të besueshme.

Partia Demkratike, si forca më e madhe opozitare, ka përgjegjësinë historike për të udhëhequr procesin e bashkimit të të gjithë faktorëve opozitarë. Vetëm e bashkuar, dhe me një lidership të ri (pa probleme me drejtësinë), opozita mund të rikthehet si shpresë dhe alternativë për qytetarët.

Është koha për reflektim dhe reformim.
Reformimi le të nisë sot.

Ju faleminderit.

Pazari Berisha-Rama i dhuroi pushtetit 10 mandate/ Mirela Karabina: Loja e kungulleshave në kurriz të shqiptarëve

Nga Mirela Karabina

• Më 17 prill 2024, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i ngritur me konsensus politik, u shpërbë pa asnjë produkt konkret, duke injoruar qëllimisht rekomandimet e OSBE–ODIHR-it, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe projektligjet e depozituara nga PD e asokohe.
• Më 11 qershor 2024, Edi Rama i dha vulën PD-së së Rithemelimit, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në lojën opozitare.
• Më 26 korrik 2024, pazari mes PS dhe PD-së prodhoi një kod zgjedhor të përçudnuar, që i fali Ramës 10- 11 mandate në tavolinë, pa garë dhe pa transparencë.
• Më 11 maj 2025, Edi Rama u rikthye në krye të pazarit, duke e mbyllur rrethin e marrëveshjeve në kurriz të qytetarëve.

Pazari është pazar, dhe matrapazët fitojnë.

Transparenca, interesat publike dhe llogaridhënia nuk janë pjesë e kësaj klase politike që ka kapur për fyti demokracinë dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Shqipëria meriton më shumë

Dosja “Toyota Yaris”, GJKKO dënon me burg avokatin Radovan Çela! Ja sa vite do të qëndrojë pas hekurave

GJKKO ka dënuar me 4 vite qëndrim pas hekurave avokatin Radovan Çela, lidhur me dosjen Toyota Yaris.

 

Radovan Çela përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi i ulet përfundimisht në 2.8 vite burg.

I pandehuri ka qenë përfaqësues ligjor i Alfred dhe Elvis Vladi, të arrestuar në vitin 2018 pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit, si pjesë e të ashtuquajturës dosja ‘Toyota Yaris’.

Radovan Çela është përfshirë  në dosjen e ish-Kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, i cili po ashtu u dënua më 20 Maj nga Gjykata e Posaçme me 4 vite burg, por nga gjykimi i shkurtuar i ulet në 2.8 vite qëndrim pas hekurave.

Në dosje janë përfshirë gjithashtu ish-oficerja e policisë gjyqësore pranë ish-prokurorisë për Krime të Rënda, Erjona Daupaj dhe Astrit Vladi.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat e korrupsionit në disa raste, si dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm si dhe nxjerrje të sekretit të hetimit.

Sipas prokurorisë të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet për të ndikuar tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin dhe gjykonin dosjen e 3.4 milion eurove që u bllokua në Portin e Durrësit, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit.

SPAK i akuzon po ashtu edhe për favorizim të Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit.

Hetimi nisi mbi bazën e të dhënave të Sky Ecc që SPAK iu vunë në dispozicion nga autoritetet franceze, ku mes të pandehurve u zbuluan  komunikime për çështjet.

DOSJA E SPAK PËR TOYOTA AURIS

Sipas SPAK, është provuar se të pandehurit Astrit Vladi (kushëri i Elvis Vladit i dënuar për 3.4 mln euro të gjetura në makinën Toyota Yaris), Radovan Çela, Eriona Daupaj dhe Aurel Zarka në bashkëpunim me njëri tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive, për secilin prej tyre.

Prokuroria e Posaçme njoftoi më 4 Janar se është vendosur ndarja e çështjes penale dhe veçimi i akteve në lidhje me një sërë komunikimesh të kryera nga të pandehurit.

Konkretisht, nga aktet e këtij proçedimi penal janë veçuar aktet dhe janë rregjistruar proçedimet penale:

Së pari, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat e kryera nga të pandehurit dhe personat e tjerë të administruara gjatë hetimeve, në përmbajtjen e të cilave përmënden persona të tjerë në cilësinë e prokurorëve, gjyqtarëve, funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, për të cilët pretendohet se kanë kërkuar apo kanë marrë përfitime të parregullta.

Së dyti, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat dhe komunikimet që janë administruar gjatë hetimeve, nga të cilat ekzistojnë të dhëna se edhe persona të tjerë mundet të kenë kryer ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që kanë ushtruar funksionin e prokurorit, gjyqtarit apo funksionarëve të organeve të tjera të drejtësisë.

Së treti, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve pasi nga burimet e provave të mbledhura gjatë hetimeve për këtë procedim penal janë krijuar të dhëna dhe dyshime se mundet të jenë kryer veprime që përmbajnë elementët e veprave penale të tjera.

Ambasada e SHBA: Denonconi pranë DEA-së lidhjet e trafikut të drogës apo pastrimit të parave! Të mbrojmë qytetarët e dy vendeve tona

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, njoftoi sot se linja e sinjalizimit e Agjencisë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA) është aktive dhe në funksion të qytetarëve për të denoncuar çdo rast të mbi trafikun e drogës apo aktivitetet e pastrimit të parave.

ambasada amerikane-US embassy

DEA u bën thirrje të gjithë personave që zotërojnë të dhëna në lidhje me këto çështje që të kontaktojnë drejtpërdrejt me përfaqësuesit e DEA-s përmes aplikacionit WhatsApp në numrin +1 571 502-7846 ose përmes email-it në: [email protected].

Ambasada siguron se çdo informacion i dërguar prej tyre do të mbahet i fshehtë.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me të, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve të të dy vendeve tona dhe parandalimin e hyrjes së drogave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara,” thuhet në njoftim.

Mesazhi i Ambasadës së SHBA

Linja e sinjalizimit të Agjencisë së ShBA Kundër Narkotikëve është aktive. DEA nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në WhatsApp në: +1 571 502-7846 ose me email në: [email protected].

Të gjitha të dhënat do të mbahen të fshehta. Falënderimet tona për të gjithë ata individë që kanë dorëzuar të dhëna të besueshme që kanë mbështetur operacionet e DEA-s.

Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me të, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve të të dy vendeve tona dhe parandalimin e hyrjes së drogave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.

 

Pabarazia e kursimeve, kush i ka lekët? Reth 5% e shqiptarëve janë 18 herë më të pasur se pjesa tjetër

Në fund të vitit 2024, vlera e depozitave të sigurueshme që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti 1.59 trilionë lekë, duke përfaqësuar 94.5% të totalit të depozitave. Krahasuar me një vit më parë këto depozita u rritën me 5.2 %, ndërsa rritja në vlerë absolute është 78.9 mld lekë.

Ndërkohë, shifrat e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave tregojnë edhe ndarjen e depozitave sipas vlerës së tyre, nën 100 lekë, nga 100 lekë deri në 2.5 milionë lekë, si dhe mbi 2.5 milionë lekë, pra mbi mbulimin e agjencisë. Individët më të pasur të vendit, pra ata që kanë depozita mbi 2.5 mln lekë numërojnë 125,875 llogari në total, ndërsa ata me një shumë që varion nga 100 lekë deri në 2.5 mln lekë janë plot 1,711,695. Në total janë rreth 2.78 milionë depozita.

Por kontrasti i vërtetë shfaqet kur i shohim këto shifra në vlerë.

Shuma e depozitave mbi 2.5 mln lekë gjatë vitit të kaluar fiksohet në 739.5 mld lekë, duke zënë kështu 58% të totalit, ndërkohë që shuma e depozitave mes 100-2.5 mln lekëve fiksohet në 535.9 mld lekë, duke zënë kështu 42% të totalit të depozitave të individëve në sektorin bankar në vendin tonë.

Në fundin e vitit 2024, depozitat me shuma deri në 2.5 mln lekë shënuan një rritje vjetore prej 5.2%. Ndërkohë, depozitat me shuma mbi nivelin e mbulimit, krahasuar me fundin e vitit 2023 janë rritur në vlerë absolute me rreth 41 mld lekë, ose 5.9%, duke ndikuar në rritjen vjetore prej 5.6% të depozitave të sigurueshme të individëve.

Shifrat tregojnë kështu se, 5% e depozitave të individëve në vendin tonë përfaqësojnë më shumë se gjysmën e parave të individëve në banka, ose më saktë, 58% të tyre. “Scan Intel” ka bërë një analizë ndryshe për të parë më qartë përmasat e pabarazisë. Rreth 125,875 llogaritë bankare që përfaqësojnë 5%-shin më të pasur të shqiptarëve zotërojnë gjithsej 739.5 miliardë lekë, çka përkthehet në një mesatare prej 5.87 milionë lekësh për llogari.

Ndërkohë, pjesa tjetër me shuma nga 100 lekë deri në 2.5 milionë lekë mbajnë gjithsej 535.9 miliardë lekë, ose mesatarisht vetëm 313 mijë lekë për llogari. Kjo do të thotë se çdo individ nga 5%-shi i pasur ka mesatarisht 18 herë më shumë para në bankë sesa të tjerët.

Investigimi tronditës: ‘Lumenj’ droge nga Shqipëria drejt Italisë me traget, heroina fshihej te personat e moshuar

Nga Chiara Spagnolo, La Repubblica

Lumenj heroine pushtojnë Barin, duke ardhur nga Shqipëria. Dhe lumenj parash fryjnë llogaritë e atyre që menaxhojnë një trafik shumë më fitimprurës se ai i kokainës, sepse substanca bazë përzihet – madje edhe me ilaçe dhe detergjent – duke u shumëfishuar deri në pesë herë. Operacioni “Ura” i DIA-s tregoi se tregu i heroinës është më i lulëzuar se kurrë dhe se qendra nervore e trafikut është lagjja Madonnella, sot qendër e zhvillimit turistik dhe jetës së natës.

Në një kompani termohidraulike ngjitur me një shkollë fillore në atë zonë punonte Massimo, i përshkruar nga penduari Domenico Milella si ‘i papritur’, që shërbente si lidhje mes shqiptarëve dhe klanit Palermiti të Japigias. Bëhet fjalë për Massimiliano Fiore, 48 vjeç, i cili përfundoi në burg së bashku me tetë persona të tjerë nga Pulia (Andrea Nicola Buonsante, Cesare Gilberti, Luisa Mazzuti, Giovanni Montedoro, Francesco Patisso, Annalisa Ronghi, Giovanni Signorile dhe Angelo Zanzarelli). Arrest shtëpie është caktuar për Francesca Caputi dhe detyrim paraqitjeje në polici për Serafina Palazzo dhe Domenico De Tullio.

Urdhrat italianë të arrestit — me akuza për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike — janë firmosur nga gjykatësi hetues Francesco Vittorio Rinaldi, me kërkesë të prokurorëve Ettore Cardinali dhe Daniela Chimienti dhe prokurorit të posaçëm Francesco Giannella. Janë kryer edhe 40 arrestime në Shqipëri, duke qenë se hetimet janë zhvilluar paralelisht në të dy vendet falë Njësisë Hetimore të përbashkët të krijuar mes DIA-s italiane dhe Policisë shqiptare. Jo rastësisht, prokurori Roberto Rossi e quajti këtë një ‘bashkëpunim të përkryer’.

Ajo që të bën përshtypje nga hetimi janë shifrat e lëvizjes së parave: gjatë një kontrolli në një banesë, agjentët e DIA-s (të drejtuar nga koloneli Roberto Di Mascio) gjetën 42 mijë euro. Më parë, në Durrës ishin sekuestruar 3 milionë euro cash: shkëmbimet e dokumentuara gjatë hetimeve kapnin vlerën e 4.5 milionë eurove, ndërsa xhiroja e vlerësuar për dy vjet arrinte në 7 milionë euro.

Ajo që e ka rritur kaq shumë përfitimin është zgjedhja për t’u fokusuar te heroina, e cila deri pesë vite më parë dukej sikur ishte zhdukur nga skena në Pulia, pasi Japigia në vitet ’80 dhe ’90 kishte qenë tregu më i madh në jug të Italisë. Sipas dëshmisë së Milellës, i pari që e riktheu heroinën ishte Gianni Di Cosimo (i cili kishte ikur në Shqipëri si i arratisur). Më pas erdhi ‘Enrico’, pra Erigels Presi, 37-vjeçari shqiptar që nga banesa e tij në Poggiofranco menaxhonte gjithë trafikun e heroinës, me miratimin e Eugenio Palermiti, të cilit i mjaftonte që grupi të mos merrej me shitjen e kokainës dhe të mos shkelte në lagjet e kontrolluara nga klani Strisciuglio.

Sipas Prokurorisë Antimafia (DDA), hallka lidhëse mes të huajve dhe klaneve nga Bari ishte pikërisht Fiore — aktiv si në shkëmbimet e mallrave, ashtu edhe në organizimin e trafikut. Nëpërmjet përgjimeve, hetuesit dëgjuan disa herë përgatitjen e ‘paneteve’ të drogës për t’u rishitur. Dhe kuptuan se momenti më i rëndësishëm ishte ai i përzierjes, ku përdoreshin substanca të ndryshme për t’u përzier me heroinën e pastër në një pajisje Bimby, ku lënda ngrohej dhe përzihej. Për peshimin, përdoreshin peshore shumë të sakta — në një përgjim flitet për ‘një peshore për diamantë që kam paguar 250 euro’.

Rezultati ndryshonte në varësi të shkallës së përzierjes, por në përgjithësi cilësia ishte e mirë, ndryshe nga ajo e njohur si ‘banania e çelur, jo e mirë’, që qarkullonte në fund të vitit 2021. Cilësia më e mirë dukej se ishte ‘karamelja’, me të cilën nga një kilogram mund të nxirrje pesë.

Duke pasur parasysh se një kilogram heroinë blihej nga grupi për 4 deri në 6 mijë euro (kundrejt çmimit prej 35 deri 39 mijë euro për kokainën), është e lehtë të kuptohet si shumëfishoheshin fitimet pasi droga përzihej dhe zmadhohej.

Një tjetër element që e karakterizonte grupin si një strukturë sipërmarrëse ishte ndarja e detyrave dhe përdorimi i personave “të padyshueshëm” si korrierë dhe magazinierë. Andrea Buonsante, për shembull, nga pronar bari përfundoi i akuzuar për trafik droge, pasi kishte vënë në dispozicion kamionin e tij me kosh ngritës për transportin e drogës. “Për këtë punë i jepnim 150 euro për çdo udhëtim”, shpjegonte një shqiptar. Giovanni Montedoro, nga ana tjetër, mendohet se e kishte kthyer shtëpinë e tij në Noicattaro në një bazë të errët. Kur u arrestua, bashkëpunëtorët e tij u shqetësuan sepse, duke mos qenë profesionist, kishin frikë se mund të rrëfente gjithçka.

Lënda narkotike mbërrinte në Bari me tragete nga Shqipëria, e fshehur tek persona të moshuar që udhëtonin në kabina ose në karrocat e invalidëve. Ndërsa paratë ktheheshin në Shqipëri të fshehura në autobusët që nisen çdo ditë nga porti i Pulias. Për të lëvizur aty, siç thoshte dikush, ‘duhet të kesh ndihmë’.