25.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Bosnja shqipton dënimin e parë për mohimin e gjenocidit dhe lartësimin e kriminelëve të luftës

Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e ka dënuar me dy vjet e gjysmë burgim, në një vendim të shkallës së parë, Vojin Pavloviqin – kryetarin e Shoqatës proruse Alternativa Lindore e Republikës Sërpska – për mohimin dhe lartësimin e gjenocidit në Srebrenicë, si dhe për lavdërimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq.

Gjyqtari, në vendimin e tij, tha se ky është një moment historik për praktikën gjyqësore në Bosnje e Hercegovinë dhe u bëri thirrje prokurorive t’i ndjekin penalisht rastet e tilla.

“Gjykata po dërgon një mesazh të qartë se vendimet për gjenocidin dhe krimet e luftës janë fakte të vërtetuara gjyqësisht, jo vetëm nga Gjykata e Hagës, por edhe nga gjykatat në Bosnje e Hercegovinë”, tha gjyqtari Goran Radeviq, duke shtuar se veprimet e Pavloviqit nuk përbënin shprehje të opinionit politik në kuadër të lirisë së fjalës, por “mohim të ashpër të gjenocidit”.

Pavloviq u dënua sepse më 10 mars 2023, në një kryqëzim në Bratunac, kishte vendosur një pankartë me fotografinë e Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të ushtrisë së RS-së i dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje e Hercegovinë.

Pankarta mbante mbishkrimin: “Gëzuar ditëlindjen, rrofshi me shëndet”.

Në aktgjykim thuhet se Pavloviq, në cilësinë e kryetarit të Alternativës Lindore, ka qenë plotësisht i vetëdijshëm se me këtë veprim ka madhëruar Ratko Mlladiqin.

Ai gjithashtu është shpallur fajtor për miratimin dhe përpjekjen për të justifikuar gjenocidin në Srebrenicë përmes organizimit të një tubimi në Bratunac më 11 korrik 2023, për të cilin kishte përgatitur postera me mbishkrimin: “11 Korriku – Dita e Çlirimit të Srebrenicës. Faleminderit Ushtrisë së Republikës Sërpska”.

Këta postera u ngjitën në zona të ndryshme të komunës së Bratunacit, vetëm disa kilometra larg Srebrenicës.

Pavloviq dhe avokati i tij nuk morën pjesë në shpalljen e vendimit, edhe pse në seancat e para ai ishte deklaruar i pafajshëm.

Ky është vendimi i parë i këtij lloji në Bosnje e Hercegovinë.

Si mbrojtja ashtu edhe Prokuroria e Shtetit mund të parashtrojnë ankesë ndaj vendimit.

Ish-Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, kishte vendosur në korrik të vitit 2021, përmes të ashtuquajturave “kompetenca të Bonit”, ndryshime në Kodin Penal të Bosnjës, përmes të cilave ndalohen dhe ndëshkohen mohimi i gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës, si dhe lartësimi i kriminelëve të luftës.

Shoqata Alternativa Lindore e Republikës Sërpska njihet për ngjitjen e posterve dhe lartësimin e kriminelëve të dënuar të luftës, përfshirë edhe presidentin e entitetit Republika Sërpska, Millorad Dodik.

Në statutin e kësaj shoqate thuhet se ata janë kundër Bashkimit Evropian dhe bashkëpunimit me NATO-n.

Shoqata përkrah bashkëpunimin me Rusinë, Kinën “dhe të gjitha shtetet që janë miqësore ndaj popullit serb”.

Ajo gjithashtu angazhohet për pavarësinë e Republikës Sërpska dhe për “vërtetimin e së vërtetës” mbi Srebrenicën.

Më 23 maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një Rezolutë me të cilën 11 korriku shpallet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe lartësimi i kriminelëve të luftës.

REL

Rastësia e çuditshme me trajnerët, Çabi Alonso dhe Karlo Ançeloti do të prezantohen të dy të hënën

Dita e hënë do të jetë e veçantë për Real Madrid, pasi atëherë do të nisë epika e re në klubin spanjoll, Karlo Ançeloti i jep lamtumirën këtë fundjavë “Los blancos” në “Santiago Bernabeu” dhe nga e hëna vendin e tij do e marrë Çabi Alonso.

Normalisht, prezantimet do të ishin bërë në fillimin e korrikut apo në qershor. Por meqë Reali kërkon të përgatitet për Botërorin e Klubeve, ka vendosur të mos humbë kohë dhe që të hënën, do të prezantojë Çabi Alonson si teknikun e ri të skuadrës. Ai do të prezantohet në qendrën sportive të klubit, ku do të firmosë kontratën trevjeçare që e lidh me “los blancos”, për të filluar menjëherë punën për përgatitjen e turneut në HSBA.

Si për ironi të fatit, disa orë më vonë, po të hënën, në Brazil do të bëhet prezantimi i Karlo Ançelotit si trajner i ri i i Brazilit. Italiani do të firmosë një kontratë që zgjat vetëm 14 muaj, më saktësisht deri në fundin e Botërorit 2026.

Si të dalloni arrestin kardiak nga ataku i zemrës

Arresti kardiak është një problem serioz vdekjeprurës që mund t’i ndodhë kujtdo.

Kur ndodh arresti kardiak, gjaku në organizmin e njeriut resht së qarkulluari.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, shpesh arresti kardiak ngatërrohet me atakun në zemër, ndonëse janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Arresti Kardiak

Arresti kardiak ka të bëjë me momentin kur zemra krejt papritur resht së pompuari gjak, për shkak të një problem serioz me sinjalet elektrike në këtë organ.

Kur zemra nuk pompon gjak, truri vuan për oksigjen.

Një gjë e tillë shkakton gjendje të fikëti dhe ndalim të frymëmarrjes.

Cilat Janë Shenjat E Arrestit Kardiak?

Një arrest kardiak ndodh pa simptoma dhe krejt papritur.

Nëse nuk trajtohet menjëherë, arresti kardiak mund të jetë vdekjeprurës.

Nëse dikush është goditur nga arresti kardiak, ai ose ajo :

Do të humbasin ndjenjat

Nuk do të reagojnë

Nuk do të marrin dot frymë.

Shenjat e Atakut Në Zemër

Dhimbje kraharori

Shqetësim në pjesën e sipërme të trupit

Djersë të ftohta

Të përzjera.

Këto simptoma mund të jenë të menjëhershme por mund të zgjasin edhe disa ditë përpara se një atak zemre të ndodhë vërtet.

Ndaj AgroWeb.org këshillon të shkoni te mjeku sapo të keni këto shenja.

Shkaktarët E Arrestit Kardiak

Shkaku kryesor i një arresti kardiak është prishja e ritmit normal të zemrës që ndodh kur aktiviteti elektrik në zemër bëhet aq kaotik sa zemra thjesht heq dorë.

Sëmundjet koronare, ataku në zemër, sëmundjet e valvulave të zemrës, miokardit e të tjera janë disa prej shkaktarëve më të zakonshëm të arrestit kardiak.

Cili Është Dallimi Mes Një Arresti Kardiak Dhe Një Ataku Në Zemër?

Njerëzit shpesh mendojnë që një arrest kardiak dhe një atak në zemër janë e njëjta gjë.

Ataku Në Zemër

Ataku në zemër ndodh kur furnizimi i zemrës me gjak ndërpritet si pasojë e një bllokimi të enëve të gjakut.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, ataku në zemër shoqërohet me dhimbje të fortë në kraharor.

Zemra vazhdon të pompojë gjak dhe njeriu vazhdon të marrë frymë.

Arresti Kardiak

Arresti kardiak ndodh kur zemra ndalon së furnizuari trupin me gjak.

Njerëzit që pësojnë një arrest kardiak humbin ndjenjat dhe nuk marrin frymë krejt papritur.

Të dyja rastet kanë nevojë për ndihmë mjekësore të menjëhershme./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Kllounada 5 mln euro e Ramës, fatura marramendëse për Samitin Europian

Drejtuesit e Bashkimit Europian (BE) dhe krerët e disa shteteve të rëndësishme të kontinentit e pritën me buzëqeshje gjetjen e kryeministrit Edi Rama, i cili i priti në Tiranë me një shfaqje animacioni, ku figurat kryesore politike Unionit ishin shformuan në fëmijë, me anën e Inteligjencës Artificiale.

Po ashtu, drejtuesit e lartë ndërkombëtarë, të cilët gjenden në Shqipëri këtë fundjavë, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian, u rreshtuan për të vënë firmën në një flamur të shformuar të BE-së, me siguri, pa e ditur se ai ishte simbol i Partisë Socialiste së Ramës në zgjedhjet e shumë-kontestuara parlamentare, të zhvilluara vetëm pak ditë më parë, në 11 Maj 2025.

Shoë, sa ekzotik, aq edhe anadollak i kryeministrit shqiptar, nisi paraditen e së Premtes, ku ai iu ul në gjunjë homologes së tij italiane, Xhorxhia Meloni. Dhe, natyrisht, nuk mungonin as atletet, të cilat Rama nuk i harron thuajse asnjëherë në evente të rëndësishme ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama duke iu “përkulur” kryeministres italiane, Xhorxhia Meloni

Natyrisht, ky spektakël i tepruar tërhoqi kureshtjen e xhaketave të zymta të Brukselit, NATO-s, Londrës e Parisit. Të mbledhur në kryeqytetin shqiptar për një takim me shumë rëndësi, ku diskutohej për Sigurinë e Europës dhe mënyrat e reja për të përballuar konfliktin vrastar mes Rusisë dhe Ukrainës, pak humor dhe adrenalinë me ngjyra nuk dukej aspak keq për ta.

Të mësuar në ftohtësinë e Brukselit apo të zyrave të tyre, ata, me shumë mundësi, as nuk e çojnë ndërmend të kryejnë shpenzime të tepruara për Samite zyrtare. Jo se nuk i dëshirojnë këto evente, por disiplina e rreptë financiare, si edhe institucionet e organizatat që monitorojnë përdorimin e fondeve publike, nuk i lejon që të ndërmarrin kapriçio të tilla.

Ndaj, titullarët e Bashkimit Europian dhe shteteve kryesore të kontinentit ndihen mirë, kur një vend si Shqipëria, me një drejtues si Rama, i cili nuk e ka aspak problem që të shpenzojë miliona euro për drita dhe shkëlqim.

Nën parimin se “po të duan të mos më votojnë”, me kartën e fitores së kundërshtuar të zgjedhjeve të fundit parlamentare, me institucione kontrolluese dhe të drejtësisë në një situatë që është më e pakta t’u thuhet anemike, kryeministri Edi Rama është i gatshëm të shpenzojë fondet publike, vetëm për të plotësuar për një ditë të vetme ndjenjat e tij narciste.

Kllounada me faturë milionëshë

E gjithë kllounada e kreut të qeverisë shqiptare, kushtoi, jo pak, por pesë milionë euro më e pakta. Në një vend, ku pensioni mesatar është 100 euro, fatura për të bërë të buzëqeshur liderët europianë në Tiranë është një “masakër” financiare, por edhe sociale e ekonomike.

Në 4 Prill 2025, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e zëvendëses së Ramës, Belinda Balluku, miratoi vendimin për një shtesë fondi në llogaritë e disa institucioneve. Fondi ishte rreth 4.6 miliardë lekë të vjetra ose rreth 4.5 milionë euro.

Qëllimi: Shpenzime për organizimin e punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Europian (EPC) në datën 16 Maj 2025.

Pjesa më e madhe e fondit, rreth 3.5 milionë euro, kaluan në llogarinë e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Pjesa tjetër, rreth 1 milionë euro, në llogaritë e Ministrisë së Brendshme, për t’u shpërndarë në mënyrë thuajse të barabartë mes Gardës së Republikës e Ministrisë së Brendshme, të dyja struktura që do të angazhoheshin për sigurinë e Samitit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave për shpenzimet për Samitin

Pas marrjes së këtij fondit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka shpallur plot 25 procedura prokurimi, natyrisht, në kushtet e urgjencës, të gjitha janë “me negocim”, pra me përzgjedhjen e kompanive nga vetë institucioni publik.

Shpenzimet e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, rreth 3.5 milionë euro, janë të gjitha objekte dhe shërbime, të cilat nuk janë dhe nuk mund të kthehen në asete të qëndrueshme.

Krahas faturës së çmendur 2.3 milionë euro për blerje kontenierësh,  shpenzimi i radhës me vlerë më të lart, rreth 80 milionë lekë të vjetra, është për banera një-përdorimësh, të cilët, në përfundim të Samitit, do të përfundojnë në landfillin e tejmbushur të Sharrës.

Lista me disa nga 25 procedurat tenderuese të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare

Një pjesë e rëndësishme e fondit shkoi për makina me qera, mbi 70 milionë lekë të reja. Ndërsa, numri më i madh i procedurave tenderuese ishte për blerje shërbimi për video, audio, foni dhe, nuk kishte si të mungonte, seti i fotografive.

Dhuratat ceremoniale për titullarët e Bashkimit Europian dhe vendeve të ndryshme të kontinentit shkojnë mbi 30 milionë lekë të vjetra ose rreth 30 mijë euro.

Shërbimet e ndriçimit dhe ekranet LED, në të cilët u shfaqën “bebi-liderët” kanë një faturë më së paku 100 mijë euro.

Këto janë vetëm pjesa më e dukshme e shpenzimeve publike për Samitin Europian, i cili, sipas axhendës, nuk ka asnjë lloj lidhjeje me ndonjë interes të Shqipërisë ose, më së paku, të Ballkanit Perëndimor./Boldnews

Shemsi Prençi: Si i la Berisha 220 mijë vota jashtë koalicionit opozitar…

Ish-kandidati i partisë ‘Koalicioni Euroatlantik’, Shemsi Prençi, është shprehur se kryedemokrati Sali Berisha nuk bëri përpjekjet e duhura për të futur në të njëjtin koalicion partitë e tjera të opozitës, që sipas tij, morën 220 mijë vota.

Komentet Prençi i bëri në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetaren Bruna Çifligu në A2 CNN, ku tha se Berisha harxhoi më shumë energji për të futur brenda koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Madhështore’ parti që nuk kishin vota, sesa subjektet politike që kishin më shumë mbështetje qytetare.

Ai tha gjithashtu se nëse të gjitha partitë opozitare do të bashkoheshin në një front të vetëm, do të krijohej një frymë e cila sipas Prençit, do të sillte të paktën 100 mijë vota shtesë për opozitën dhe do të parandalonte fenomenet e tjetërsimit të votës, shkruan A2 CNN.

“Lidershipi i opozitës më shumë energji harxhoi për të marrë në koalicion parti inekzistente që nuk kanë marrë asnjë votë, që s’kanë patur as kandidatë brenda koalicionit. Partitë që kanë patur kandidatë, si Partia e Lirisë, Partia e Re Demokratike e drejtuar nga Sali Shehu, ka marrë 1400 vota.

Pra të konsumosh energji për të marrë një parti me 1400 vota dhe të mos konsumosh energji për të futur brenda koalicionit 220 mijë vota, që janë gjithsej 7 parti politike të opozitës, kjo nuk është largpamësi e një lideri që synon rotacionin politik. Do ishte krijuar edhe fryma, do të ishin edhe mbi 750 mijë vota. Berisha ka deklaruar në media që Lapaj, Agron Shehaj, Lulzim Basha, janë paterica të Partisë Socialiste.

Nëse do vijojmë t’i bëjmë qejfin Sali Berishës, ne e kemi groposur demokracinë. Nëse do vijojmë të jemi kriticienë racionalë për fenomenet që kanë ndodhur në zgjedhje, ne i bëjmë mirë PD-së, demokracisë, por edhe vetë Berishës. Fryma e një opozite të bashkuar lëviz të paktën 100 mijë vota në Shqipëri. Pastaj kjo frymë parandalon edhe fenomenet e tjetërsimit të votës”, tha Prençi, shkruan A2 CNN.

“Situata në PD dramatike”, Topi: Berisha la tiranasit pa përfaqësim, futi në listë emra që s’kanë lidhje me kryeqytetin

Ish-kreu i shtetit Bamir Topi, ka analizuar zgjedhjet e 11 majit. Ai e cilësoi politikën si një kazermë e mirëpajisur në mënyrë luftarake, teksa situatën në PD e sheh si dramatike.

Në PD ekziston një situatë akoma më dramatike sesa te PS. Se 2 njerëz fitues të Primareve u futën në listën e hapur. U hodhën në betejë me elektoratin, që dikujt i dha 22 mijë, e dikujt mbi 18 mijë, duke marrë kuptim tjetër. Po tentohet të manipulohet ky faktor nëpërmjet votave, teksa edhe popullsia autoktone e Tiranës nuk ka më përfaqësim. Ndaj popullsia autoktone duhet t’i përgjigjet partive për këtë përgjegjësi. Kaq naivë janë këta banorë autoktonë të Tiranës, që u janë marrë edhe pronat, e që shkojnë sa andej këndej”. E nuk janë pak, janë mbi 150 mijë persona, e pas 35 vitesh politikë e demokraci, thuhet ‘stop’ se më ke mashtruar e manipuluar. Tani kanë mbetur jashtë përfaqësimit politik dhe kjo është e turpshme”, u shpreh ish-presidenti Topi në lidhje me mungesën e disa figurave të PD-së që përfaqësojnë kryeqytetin e që mbetën jashtë Parlamentit.

Topi i krahasoi partitë politike dhe veçanërisht PD-në me kazermë, kurse jetën politikë pa ekuilibër, ku i mungon poli i tretë.

Analiza duhet të jetë reale, ku partitë duhet thënë se janë kazerma politike dhe jo demokratike. Si mund të kesh demokraci ku gjithçka kalon nëpër kazerma politike, të pajisura me mjete, luftarake, ushtarake, satalitë etj. Nuk kemi më ekuilibrim të jetës politike. Problemi është se ku janë të tretët. Të tretët nuk ekzistojnë”, tha ai në ‘Report TV”.

Thellohet skandali/ Rama i dha leje ‘Visit të Pojës’ për resort te Shkëmbi i Kavajës, e futi dhe te procesi i rindërtimit

Dalin në dritë të tjera detaje se si krimi ka përfituar nga qeveria. Ndonëse Babloku pretendon se nuk ka mafie dhe Shqipëria nuk është narkoshtet, faktet po dalin përditë sheshit.

Dje, Policia, SPAK dhe Antimafia italiane zhvilluan një aksion të bujshëm në Durrës, ku u godit grupi i Troplinëve. Një ndër emrat e shënjestruar më të rëndësishëm është Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës. Ai është nipi i Xhevdet Troplinit, i cili thuhet se ka udhëhequr deri vonë organizatën. Por tani e kanë marrë në dorë nipërit e tij, Elvis Doçi dhe Fatmir Troplini.

Thellohet skandali/ Babloku i dha leje 'Visit të Pojës'

Dje, SPAK sekuestroi disa kompani, hotele e bare në emër të Elvis Doçit dhe anëtarëve të tjerë të bandës. Por e vetmja kompani që nuk u vu nën sekuestro është “Eldemar Construction”.

Dje denoncuam se si kjo kompani kishte marrë leje ndërtimi për të ndërtuar hotel në Durrës. Mirëpo ajo nuk ka qenë leja e vetme. Rezulton se Rama, pak muaj para zgjedhjeve, ka dhënë leje ndërtimi për resort te Shkëmbi i Kavajës.

Thellohet skandali/ Babloku i dha leje 'Visit të Pojës'

“Eldemar Construction” ka krijuar kompaninë “Rock Of Kavaja” dhe e ka autorizuar të aplikojë për leje zhvillimore te Shkëmbi i Kavajës. Në shtator të vitit 2024, asaj i është miratuar leja.

Thellohet skandali/ Babloku i dha leje 'Visit të Pojës'

“Rock Of Kavaja” ka lidhur më pas marrëveshje me “Accor” për të sjellë në Shqipëri rrjetin e famshëm të hoteleve “Pullman”.

Thellohet skandali/ Babloku i dha leje 'Visit të Pojës'

Projekti i resortit

Leje Zhvillimi për objektin: ‘Hotel 10 dhe 11 kate mbitokë me 3 kate shërbimi nëntokë’, me vendndodhje Shkëmbi i Kavajës, Bashkia Durrës, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘Rock of Kavaja’ sh.p.k.”, thuhet në vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit.

Por jo vetëm kaq, kompania “Eldemar Construction” rezulton se është pjesë e kompanive që janë futur te procesi i rindërtimit dhe kanë përfituar lehtësira dhe fonde nga shteti.

Thellohet skandali/ Babloku i dha leje 'Visit të Pojës'

Vetë kompania pranon se është përjashtuar nga TVSH, pasi ka kontribut në procesin e rindërtimit. Të gjithë e dimë masakrën që u bë me rindërtimin, pasi të gjitha bizneset që u përfshinë kanë mbushur xhepat. Elementi tjetër është se gjatë qeverisë së Ramës, rezulton se “Eldemar Construction” ka pasur fitime kolosale. /Pamfleti

Thellohet skandali/ Babloku i dha leje 'Visit të Pojës'

Mandat dhe miliona nga qyetarët/ Misioni i Vasil Llajos, që thotë se ka ardhur për njerëzit në politikë

Gjatë ditëve të fushatës elektorale, shumë media transmetuan pambarimisht një spot elektoral për kandidatin socialist të Sarandës, Vasil Llajo. Në këtë spot, zoti Llajo përshkruhej si bir i Sarandës, që kishte ardhur me mision në politikë për të ndihmuar njerëzit. Paralelisht me spotet ai u shfaq shpesh në shumë emisione prime time.

Cdo kandidat është në të drejtën e tij të bëjë fushatë. Por problemi është se PR i zotit Llajo financohet edhe me paratë e buxhetit, për pacientët që dergjen në spitalet publike të vendit.

Një ditë pasi ishin numëruar votat dhe Vasil Llajo ishte shpallur fitues nga lista e hapur në qarkun e Vlorës, në llogarinë e kompanisë së tij, Layo, mbërritën 154 mijë euro. Dërguesi i parave ishte buxheti i shtetit, përmes Spitalit Universitar të Traumës.

Ky ishte vetëm kësti i radhës, që qeveria derdh në llogaritë e kompanisë së deputetit të saj.

Layo sh.p.k është pjesë e një grushti kompanish, të cilat kontrollojnë tregun e pajisjeve spitalore në Shqipëri, veçanërisht atë që lidhet me protezat ortopedike.

Sipas të dhënave nga thesari i shtetit, në pesë vitet e fundit, Layo ka marrë gati 3.5 milionë euro pagesa nga paratë e qytetarëve për furnizimin e spitaleve me proteza. Por Layo është vetëm njëra nga kompanitë, përmes të cilave zoti Llajo merr bekime nga buxheti. Kompania tjetër është Sëissmed.

Edhe kjo kompani, e cila furnizon pajisje mjekësore, ka marrë gati 2 milionë euro të tjera nga autoritetet publike kontraktore. Muajt e shkuar opozitë kërkoi me ngulm djegien e mandatit të deputetit tjetër socialist Vullnet Sinaj. Kjo pasi disa institucione kishin blerë 35 mijë euro produkte në rrjetin e tij të marketeve.

Vasil Llajo, ende nuk është bërë deputet zyrtarisht. Por 35 mijë euro ai i thith në javë nga buxheti i shtetit. Në finale, Vasil Llajo nuk është përjashtimi, por rregulli.

Kjo është një maxhorancë që ka qenë gjithmonë e zhytur thellë në konfliktin e interesit. Deri në pikën që një pjesë e madhe e deputetëve të saj, ishin aksioner drejtëpërdrejtë në kompani që merrnin miliarda nga fondet publike. Pjerin Ndreu, Sadri Abazi, Safet Gjici e shumë të tjerë ishin të mandatuarit me duart në thesin e parave publike.

Paralelisht me këta, kjo maxhorancë ka prodhuar edhe ministra me kompani familjare, që merrnin asete publike apo dhe status të veçantë. Dhe në fund, ishin dhe aksionerët e fshehtë të skemave 5D.

Nëse ka një moçal, në politikën shqiptare ai është ky. Zotit Llajo thjesht i ka rënë barra ose fati i madh të jetë pjesë e tij. Me mision për t’u shërbyer njerëzve. Por edhe për të futur ngapak duart tek paratë e qytetarëve./Kapitali.al

SPAK sekuestron një pronë të Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës në zonën e ‘Kodrës së Diellit’

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar një pronë të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, e cila ndodhet me masë sigurie “detyrim paraqitje”.

Prona e sekuestruar ndodhet në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë. Organi i akuzës bën me dije se “ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se shtetasit nën hetim Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë konsumuar edhe elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.”

Sipas SPAK, nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se Veliaj dhe Xoxa kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht këta shtetas jetojnë.

NJOFTIMI I SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal Nr. 27 të vitit 2024, që bën fjalë për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 260, 245, 287/2, 257/a/2, 305/b e 301 i Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se shtetasit nën hetim E. V. dhe A. X. kanë konsumuar edhe elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Për këtë shkak, më datë 20.05.2025 emrat e këtyre shtetasve janë regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar veprën penale cituar më lart.

Në vijim, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të datës 20.05.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 342 Akti datë 22.05.2025 ka vendosur:

1. Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, mbi pasurinë e paluajtshme:
Pasuria nr. dhe shtesë me numër pasurie, ‏regjistruar në ASHK në emër të subjektit tregtar “A. K.” shpk;

Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim E. V. dhe A. X. kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht këta shtetas jetojnë.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Alastair Campbell dhe verifikimi minimal i fakteve

Nga Namir Lapardhaja

Alastair Campbell, ish-këshilltar i kryeministrit britanik, Tony Blair, në episodin e fundit të podcast-it “The Rest ist Politics” ka folur, veç të tjerash, edhe për arrestimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, duke e cilësuar atë si një vendim të padrejtë dhe pa një akuzë zyrtare. Campbell e quan arrestimin dhe mbajten në burg të Veliajt si diçka skandaloze, duke akuzuar SPAK se nuk ka një akuzë konkrete të bërë publike.

Është për të ardhur keq që një figurë me përvojë të gjatë në komunikimin politik si Alastair Campbell zgjedh të bëjë një deklaratë publike mbi një çështje penale në një vend tjetër, pa bërë një verifikim minimal të fakteve. E gjitha deklarata e tij është e bazuar jo në të dhëna zyrtare, por në korrespondencën personale që ai pohon se ka me të akuzuarin – gjë që është një burim i njëanshëm dhe thelbësisht i pabesueshëm për të ndërtuar një qëndrim publik kaq të rëndë. Më e pakta që pritej nga dikush me profilin e Campbell-it është profesionalizëm dhe fakt-checking.

Campbell ose është keqinformuar, ose ka zgjedhur të injorojë faktin që SPAK ka bërë publik njoftimin zyrtar për akuzat penale të ngritura ndaj Erion Veliajt në datën 10.02.2025, ku thuhet shprehimisht se:

“Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme më datë 24.01.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 7 Akti/datë 09.02.2025 ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin nën hetim E. V., me detyrë, Kryetar i Bashkisë Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 260 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal…”

(linku https://spak.gov.al/njoftim-per-shtyp-date-10-02-2025/).

Këto janë akuza të rënda penale, të mbështetura sipas SPAK në prova dhe hetim disa mujor, për të cilat është kërkuar masa e sigurimit arrest me burg, një masë që është miratuar nga gjykata, e cila vlerësoi se ekzistonin kushtet ligjore për këtë masë.

Pyetja legjitime që ngrihet është: A do të mbante Alastair Campbell të njëjtin qëndrim nëse Prokuroria e Kurorës në Mbretërinë e Bashkuar do të kërkonte arrestimin e një kryebashkiaku të Londrës apo të një qyteti tjetër të rëndësishëm britanik, për akuza të natyrës së korrupsionit të nivelit të lartë dhe pastrimit të parave, që parashikojnë ne total mbi 25 vite burgim?

Nëse përgjigjja është jo – dhe me gjasë është – atëherë komenti i tij për Shqipërinë nuk është gjë tjetër veçse standard i dyfishtë dhe ndërhyrje e papërshtatshme në një proces penal të një shteti tjetër sovran.

SPAK nuk është një organ i Edi Ramës, por është një institucion kushtetues i pavarur, i ngritur me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare – përfshirë nga Mbretëria e Bashkuar – për të luftuar pandëshkueshmërinë në nivelet më të larta të pushtetit. Të vesh në dyshim legjitimitetin e veprimeve të tij pa verifikuar faktet do të thotë të minosh besimin në drejtësinë që vetë partnerët ndërkombëtarë e kanë ndihmuar të ndërtohet.

Në fund, drejtësia nuk mund të bëhet as nëpërmjet podcasteve dhe as mbi bazën e letrave “të trishtueshme” – ajo bazohet në prova, ligj dhe vendime gjyqësore, që askush, përfshirë edhe zotërinë në fjalë, nuk ka të drejtë t’i relativizojë.