32.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025

Nuk është Tik Toku, por sistemi edukativo-kulturor që ka dështuar, ja pse duhet fajësuar struktura dhe jo teknologjia

Nga Rigels Seliman

Në një kohë kur fëmijët tanë janë më shumë të lidhur me ekranet e telefonëve sesa me librat dhe aktivitetet kulturore, qeveria shqiptare po përpiqet të hedhë fajin mbi rrjetet sociale, si Tik Tok, për ndikimin negativ tek brezi i ri. Kjo është një përpjekje e pamatur për të fshehur dështimin e një sistemi të kalbur edukativo-kulturor, i cili, në vend që të ofrojë mundësi për zhvillimin intelektual dhe krijues të fëmijëve, i ka lënë ata në baltë, pa alternative. Fajësimi i Tik Tokut dhe rrjeteve sociale nga kryeministri Edi Rama është i pasaktë dhe i padrejtë, sepse ato janë vetëm pasojë e një sistemi që ka dështuar të krijojë mundësi për zhvillimin e fëmijëve.

Në vend që të ofronte mundësi dhe hapësira për shprehjen artistike dhe kulturore, qeveria shqiptare ka mbyllur teatrot, kinematë dhe ka shkatërruar sheshet e lojërave. Pse duhet të çuditemi që fëmijët e sotëm, kur nuk kanë mundësi të shikojnë një film të mirë, të frekuentojnë një teatër ose të argëtohen me aktivitete kulturore e sportive, i kthehen Tik Tokut? Ky është rezultat i një politike të kultivuar nga qeveria, e cila ka investuar shumë më tepër në ndërtimin e pallateve se sa në hapësira për kulturë dhe arsim. Kur nuk ofron gjë për të rritur shpirtin e fëmijës, ata do të kërkojnë një mënyrë tjetër për të kaluar kohën, dhe Tik Toku u ofron mundësinë për të shpërthyer në botën e informacionit dhe argëtimit virtual, pavarësisht se sa shumë mund të jetë kjo e dëmshme.

Në vend që të përmendë rrjetet sociale si shkakun e rënies morale të shoqërisë, Z. Rama dhe qeveria e tij duhet të reflektojnë për atë që ata nuk kanë ofruar. Kur teatrin kombëtar e shembin dhe e çojnë në një godinë të dytë e pa kushte, kur kinematë janë shndërruar në parkime, kur mjediset për fëmijët janë të pakta dhe të pasuksesshme, nuk mund të presim që ata të zhvillohen shëndetshëm. Përkundrazi, duhen ofruar mundësi për krijim, mësim dhe zhvillim të aftësive, jo vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale. Nëse qeveria do të mendonte se çfarë mund të bëjë për të rinjtë, do të investonte në shndërrimin e infrastrukturës kulturore dhe edukative.

Në këtë situatë, Tik Toku është vetëm një pasojë e një mungese të thellë të mundësive që i ofrohen fëmijëve tanë. Ajo është një shpërqendrim që është krijuar nga mungesa e alternativave të shëndetshme. Çfarë mund të presim nga një sistem që shemb dhe shpërndan çdo mundësi zhvillimi për brezin e ri? Këtu, në vend të një politike aktive për ringjalljen e kulturës dhe edukimit, kemi një qeveri që fshihet pas gishtit dhe gjen fajin tek të tjerët.

Në fund të fundit, Z. Kryeministër, nuk është Tik Toku që i ka shpërbërë fëmijët tanë. Ata janë produkt i një sistemi që nuk ka investuar asnjëherë në të ardhmen e tyre, që ka braktisur kulturën, arsimin dhe ka krijuar një ambient që i detyron të mbështeten te rrjetet sociale për argëtim dhe zhvillim. Fajësimi i Tik Tokut është vetëm një tentativë për të fshehur dështimet e një qeverie që, ndërsa predikon “rilindjen”, nuk ka ofruar asgjë për rinovimin e kulturës dhe edukatës për brezin e ri në Shqipëri në këto 30 e kusur vite demokraci.

Nga rënia e euros dhe kontratave, brenda vitit te sektori fason shkurtohen mbi 10 mijë vende pune

Sektori i eksporteve të tekstileve dhe veshjeve te këmbës vijon të jetë në vështirësi për shkak të rënies së euros dhe kontratave porositëse nga vendet e Europës. Vështirësitë e sektorit kanë sjellë mbylljen e një sërë fabrikash dhe shkurtim të vendeve të punës.

Edvin Prençe kryetari i Shoqatës ProEksport Albania tha për “Monitor” se nga muaji nëntor i vitit 2023 deri në muajin nëntor 2024, në sektor llogariten mbi 10 mijë vende pune të shkurtuara dhe rreth 50 biznese që kanë mbyllur aktivitetin.

“Përveç mbylljes së fabrikave, shkurtimi i shumë prej vendeve të punës ka ardhur edhe për shkurtimin e linjave të prodhimit. Shumë prej fabrikave kanë përgjysmuar linjat e prodhimit për të reduktuar kostot e tyre. Ndërsa numri i fabrikave të mbyllura është i lartë. Vetëm brenda muajit janë mbyllur 3 fabrika në zonën e Durrësit me rreth 400 punonjës. Javën e kaluar u mbyll një tjetër fabrikë në zonën e Ndroqit, me pronësi italiane. Pas mbylljes së aktivitetit pronari u detyrua të shesë makineritë me çmim të lirë”.

Shkurtime të vendeve të punës në sektorin fason pati edhe përgjatë vitit 2023, ku ndër zonat më të prekura ishin në Krujë, Fushë-Krujë, Laçi, Lezhë e Shkodër.

“Më të prekura nga mbyllja e vendeve të punës janë zonat rurale dhe krijon ndikim social te punësimi i këtyre zonave, ku nuk ka zhvillim ekonomik për të krijuar vende pune”, nënvizon kryetari i ProEksport Albania.

Prençe pohon se vështirësitë në sektor janë krijuar nga rënia e vazhdueshme e monedhës europiane euro që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë. Në kahun tjetër ai thotë se kërkesa në Europë është ulur, sidomos në muajt e dimrit rënie e kontratave ndihet më shumë.

“Vështirësitë për sektorin pritet të shtohen përgjatë muajit dhjetor. Deri në mars të 2025 trendi do të vijojë të jetë i njëjtë. Rritja e kostove pamundëson shumë drejtues të fabrikave të kenë likuiditet të lartë për investime.

Mbyllja e ciklit do të ishte zgjidhje për shumë fabrika, por ky është një proces që nuk mund të realizohet menjëherë. Duhej të ishte ndërmarrë vite më marrë. Rritja e kostove po ndikon negativisht te industria ku partnerët tanë kryesisht italianë po zëvendësojnë fabrikat në shtete të tjera, kryesisht në Tunizi, ku paguhen më pak taksa”, pohon ai.

Për periudhën janar-tetor 2024 sipas të dhënave të INSTAT eksportet e veshjeve tekstile -këmbës arritën e vlerën 88,4 mld lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të mëparshme eksportet ranë 17.1%. Kjo është vlera më e ulët e eksporteve për 10 mujorin, që pas periudhës së pandemisë së Covid-19./MONITOR

Analiza e VOA: Pse Rusia dhe Ukraina po përshkallëzojnë luftën?

Dy sondazhe të kryera së fundmi, njëri në Rusi dhe tjetri në Ukrainë thonë se rusët dhe ukrainasit duan një fund sa më të shpejtë të luftës përmes negociatave.

Megjithatë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina, situata në terren po përshkallëzohet pasi të dyja palët duan të forcojnë pozicionet e tyre para rikthimit të Presidentit të zgjedhur Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Pak ditë më parë Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se Rusia kreu sulm me një raketë hipersonike me aftësi bërthamore në Ukrainë. Ky sulm ngriti pyetje të mëtejshme se pse përshkallëzimi po ndodh vetëm disa javë para transferimit të pushtetit në Uashington.

Gjenerali Sergei Karakayev, shefi i Forcave Strategjike për Raketat të Rusisë, theksoi aftësitë shkatërruese të raketës së re të Rusisë.

“Bazuar në qëllimin dhe rrezen e kësaj arme, ajo mund të arrijë objektiva në të gjithë Evropën”, tha gjenerali Karakayev.

Presidenti Putin tha se sulmi me këtë raketë ruse ishte një përgjigje ndaj vendimit të administratës së Presidentit Biden që Ukraina të shfrytëzonte raketa të dërguara nga Amerika për sulme thellë brenda Rusisë. Ai tha se kishte për qëllim të tregonte se Rusia, nëse dëshiron, mund të godasë thellë në territorin e NATO-s.

Analistët thonë se sulmet me raketa janë pjesë e strategjisë së Rusisë dhe Ukrainës për të treguar forcë dhe për të përforucar pozicionin e tyre nëse shkohet në negociata.

Kremlini akuzon Presidentin në largim Joe Biden se ka sabotuar përpjekjet e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të ndërmjetësuar një fund të shpejtë të luftës, siç premtoi zoti Trump gjatë fushatës së tij.

Kjo është një akuzë që Rusia e ka bërë edhe më parë.

“Në fillim të mandatit të parë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, planet e tij për një dialog normal me Federatën Ruse, u minuan në një masë të madhe. Ka mundësi që sërish po shohim të njëjtën gjë tani”, tha Sergei Lavrov, Ministër i Jashtëm i Rusisë.

Në Uashington, disa analistë thonë se Rusia nuk është e interesuar të ndalojë luftën, me ose pa Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë.

“Kjo luftë është kthyer në një gjë normale për elitën ruse, e cila dëshiron që ajo të vazhdojë sepse gjeneron rritje ekonomike. Çfarë do të ndodhë nëse ndalet? Ku do të shkojnë njerëzit që janë tani në krye?”, thotë për Zërin e Amerikës Vladislav Inozemtsev nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ndërkohë, një sondazh i ri nga Qendra Analitike ‘Yuri Levada’ në Moskë sugjeron se opinioni publik rus duket se po zhvendoset në favor të negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Në Ukrainë, një sondazh i fundit i Gallupit zbulon se mesatarisht 52% e ukrainasve të anketuar do të donin të shihnin vendin e tyre të negocionte për t’i dhënë fund konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur.

Nëse këto të dhëna qëndrojnë, mund të krijohen kushtet që Presidenti i zgjedhur Trump ta çojë përpara planin e tij dhe t’i bëjë të dyja palët të negociojnë një armëpushim pavarësisht përshkallëzimit aktual./VOA/

Të pasigurt për pronën dhe strehimin, shqiptarët renditen të pestët në Europë! Nga mungesa e parave, tek… Ja arsyet

Pasiguria e pronësisë për tokën dhe strehimin është në rritje globalisht, duke përfshirë edhe Europën, paralajmëron një raport i ri. Rritja e kostove të qirasë dhe hipotekës janë ndër shtytësit kryesorë të këtij perceptimi në rritje të pasigurisë.

Vlerësimi më i fundit global i sigurisë së pronësisë së tokës dhe banesave zbulon tendencat shqetësuese. Sipas Prindex* Report 2024, afërsisht 1.1 miliardë të rritur në mbarë botën – që përfaqësojnë 23% të popullsisë globale – ndjehen të pasigurt për të drejtat e tyre për pronë ose tokë. Ky perceptim është rritur ndjeshëm gjatë katër viteve të fundit.

Shqipëria renditet e 5-ta në Europë, ku 20% e të rriturve në vend ndihen të pasigurt në lidhje me pronën dhe strehimin.

Në Evropë dhe Azinë Qendrore, pothuajse një në pesë të rritur (19%) raporton se ndihet i pasigurt. Presionet financiare, të tilla si rritja e kostove të qirasë dhe hipotekave, janë ndër kontribuuesit kryesorë të kësaj pasigurie në rritje në Europë.

Në Shqipëri 8% e të anketuarve ndjehen të pasigurt për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera të nevojshme për të jetuar në pronë. Ndërsa 7% ndihen të pasigurt nga frika se mos pronari apo qiradhënësi mund të kërkojë të largohen.

shq-tab

Pasiguria është më e madhe se gjithë vendet e tjera të Ballkanit, Maqedonia e Veriut nuk përfshihet në raportin e këtij viti.

Screenshot-2024-12-01-223519

Në Mal të Zi dhe Serbi faktori kryesor nxitës i pasigurisë është frika se mos pronari apo qiradhënësi mund të kërkojë të largoheni nga prona. Ndërsa në Kosovë faktor kryesor i pasigurisë janë mosmarrëveshjet me familjen ose të afërmit.

Në vitin 2024, në mesin e 19 vendeve evropiane të përfshira në sondazh që përfshin anëtarët e BE-së, vendet kandidate dhe Mbretërinë e Bashkuar, Turqia dhe Greqia kryesuan listën si vende me nivele të pasigurisë 35 për qind ose më të larta. Pas tyre vjen Ukraina me 33%, me perceptimet e pasigurisë që janë rritur në mënyrë dramatike që nga pushtimi i Rusisë.

Në Qipro, një në katër individë (25%) shprehën ndjenjat e pasigurisë për tokën ose pronën e tyre të banimit, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar, pasiguria e qëndrimit u raportua nga 14% e të anketuarve, një nivel më i lartë se ai i shumë vendeve të tjera europiane.

Perceptimet më të ulëta të pasigurisë janë vërejtur në Lituani (6%), e ndjekur nga Bullgaria dhe Moldavia, të dyja me 7%. Ndërkohë, kjo shifër është 8% në Poloni, 11% në Itali dhe 12% në Hungari dhe Kroaci.

Arsyet e pasigurisë së qëndrimit: Presioni financiar

Të anketuarve që ndiheshin të pasigurt iu kërkua gjithashtu të tregonin arsyet e tyre. Rezultatet, të paraqitura si përqindje të ponderuara të kampionit të përgjithshëm, tregojnë se në nivel global, çështjet financiare dhe konfliktet janë shkaktarët kryesorë të pasigurisë së qëndrimit. Raporti zbuloi se rritja e pasigurisë lidhet me financat, gjë që prek një pjesë të madhe të popullsisë që mund të mos jetë në gjendje të paguajë qiranë, hipotekën apo kosto të tjera.

Në Evropë dhe Azinë Qendrore, dy arsyet kryesore për pasigurinë e qëndrimit janë: “Pronari ose qiramarrësi mund t’ju kërkojë të largoheni” (10%) dhe “mungesa e parave ose burimeve të tjera të nevojshme për të jetuar në këtë pronë”. (9%) ./Monitor

perc

*Prindex, si pjesë e Partneritetit të të dhënave të Komisionit Evropian prezantoi raportin e fundit, bazuar në të dhënat e mbledhura nga 108 vende, që përfaqësojnë 4.9 miliardë qytetarë—ose 87% të popullsisë së rritur të botës.

Kolapsi në fushën e blertë, klubi i Fiorentinës del me komunikatë zyrtare për Bove

Klubi i Fiorentinës ka lëshuar një deklaratë zyrtare ku konfirmon se Edoardo Bove është në terapi intensive, por testet e kryera kanë përjashtuan dëmtime serioze kardiologjike ose neurologjike.

“Bove mbërriti në kushte të qëndrueshme hemodinamike dhe analizat e para kardiologjike dhe neurologjike të kryera kanë përjashtuar mundësinë e dëmtimit akut të sistemit nervor qendror dhe të sistemit kardiak-respirator.

Gjendja e tij do të kalkulohet pas 24 orësh nën kujdesin intensiv. Lutjet tona janë me ty, Edo!”, shkruhet në postimin zyrtar të Fiorentinës.

Për tensionin dhe organizmin, ushqimet e pasura me kalium që duhet të hani më shpesh

Kaliumi është një nga ushqyesit më të nevojshëm për shëndetin e organizmit. Ai ruan ekulibrat e elektroliteve, u vjen në ndihmë muskujve dhe mban nën kontroll tensionin e gjakut.

Marrja e sasive të mjaftueshme të kaliumit nëpërmjet ushqimit është e domosdoshme për të luftuar hipertensionin, i cili është një faktor rreziku për isheminë dhe sëmundjet e zemrës.

Organizata botërore e shëndetësisë rekomandon konsumin e një doze ditore prej 3500 deri në 4700 mg kalium në ditë.

Kjo sasi mund të arrihet nëse konsumoni një regjim ushqimor të pasur me fruta, perime, peshk dhe produkte të bulmetit.

Bananet

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, një banane mesatare përmban 422 mg kalium, që plotëson 9 përqind të dozës së rekomanduar ditore të tij.

Bananet janë gjithashtu të pasura me magnez, hekur, vitaminat C dhe B6,mangan dhe fibër.

Avokadot

Një sasi prej 100 gramë avokado ofron 480 mg kalium. Avokadot janë unike në llojin e tyre sepse përmbajnë më shumë yndyrna se karbohidrate.

Ato përmbajnë 71% yndyrna mono-të-pangopura të shëndetshme për zemrën. Për më tepër, avokadot përmbajnë fibër, folat, magnez, si dhe vitaminat B5, B6, E dhe K.

Patatet

Një patate mesatare me gjithë lëkurë ofron 920 mg kalium dhe vetëm 161 kalori. Patatet janë një burim thelbësor vitaminash dhe mineralesh siç është magnezi, vitamina C dhe B6 si dhe fibër e folat.

Mënyra më e mirë për të marrë këto përfitime është t’i zieni ose t’i piqni patatet dhe t’i hani me gjithë lëkurë.

Patatja e Ëmbël

Një racion prej 100 gramë patatesh të ëmbla ofron 475 mg kalium. E njëjta sasi plotëson 100% të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës A. Kjo vitaminë është një antioksidant i nevojshëm për lëkurën dhe sytë.

Domatet

Domatja dhe nënproduktet e saj (lëngu, salca dhe pureja e bërë vetë) janë një burim i mirë kaliumi.

Në një sasi prej 100 gramë pure domateje gjenden 439 mg kalium. Një gotë me lëng domateje ofron 556 mg kalium. Domatet përmbajnë karotenoidë të cilët ulin rrezikun e tumoreve, sëmundjeve të zemrës dhe problemeve me shikimin.

Fasulet

Fasulet janë të pasura me kalium, por përmbajtja e tij është në varësi të llojit të fasules. 100 gramë fasule të bardha ofron 454 mg kalium.

Studimet kanë konfirmuar se konsumi i të paktën 2-3 racioneve me fasule ose bishtajore në javë ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës me 14 përqind.

Kajsitë E Thata

100 gramë kajsi të thata ofrojnë një sasi befasuese prej 1162 mg kalium. Këto fruta janë tejet të pasura në antioksidantë të cilat e ndihmojnë trupin të luftojë diabetin dhe sëmundjet e zemrës.

Megjithatë, këto fruta janë të rekomanduara për njerëzit që kanë nivele normale të sheqerit në gjak.

Kosi

Në një sasi prej 100 gramë kos me yndyrë të plotë, gjenden 155 mg kalium. Kosi është gjithashtu burim i shkëlqyer i proteinës, kalçiumit, fosforit, magnezit dhe vitaminave B.

Salmoni

Në një sasi prej 100 gramë salmon të egër të gatuar gjenden 628 mg kalium. Salmoni i rezervatit përmban 384 mg kalium.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, salmoni është gjithashtu i pasur me acide yndyrore omega-3 që ofrojnë përfitime ndaj diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare, azmës.

Spinaqi

Një sasi prej 100 gramë spinaqi ofron 558 mg kalium. Spinaqi është gjithashtu i pasur me vitaminat A, C, K, magnez dhe hekur./AgroWeb.org

Sulmi në veri të Kosovës, reagon DASH: Akt i dënueshëm, mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka bërë një postim në rrjetin social “X” përmes të cilit thotë se DASH dënon sulmin e 29 shtatorit në ujësjellësin e Kosovës.

 

“ Dënojmë sulmin e 29 shtatorit në ujësjellësin e Kosovës. Ne do të mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit dhe do të vlerësojmë të gjitha ofertat e mbështetjes për këtë përpjekje. Falë punonjësve të urgjencës dhe të tjerëve, përfshirë KFOR-in për rivendosjen e furnizimeve thelbësore”, shkruan zyrtari amerikan.

 

Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit nga i cili rrezikohet furnizimi me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës, u dënua gjerësisht nga diplomacia perëndimore e cila i ofroi mbështetje Prishtinës në përballimin e situatës së krijuar pas tij.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës miratoi masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve thelbësore.

Të dielën Beogradi mohoi sërish çfarëdo përfshirjeje në sulmin që dëmtoi kanalin furnizues në Zubin Potok rreth 60 kilometra në veri të Prishtinës, nëpërmjet të cilit furnizohen me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit që janë prodhuesi kryesor i energjisë elektrike.

Të shtunën autoritetet thanë se janë arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje në sulmin për të cilin policia dyshon se është përdorur një sasi e mjeteve shpërthyese prej rreth 15 deri në 20 kilogramë.

Prishtina e cilësoi sulmin si një akt terrorist, një cilësim që u përdor edhe nga Bashkimi Evropian, i cili bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë.

Të dielën Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha hodhi poshtë akuzat e Prishtinës se Beogradi qëndron parapa sulmit.

“Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga (kryeministri Albin) Kurti”, tha Presidenti Vuçiç, duke nënvizuar se Serbia ndodhet nën një sulm “hibrid”, që synon “të ngadalësojë” rrugën evropiane të Serbisë, meqë javën e ardhshme pritet vendimi për hapjen e kapitujve të rinj në kuadër të negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Plagosje me thikë në Vlorë, arratiset autori

Rreth orës 20:27, në lagjen “15 Tetori”, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi A. R., 51 vjeç, person me precedent penal, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin Xh. K., 41 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

 

Shtetasi Xh. K. ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, nën kujdesin e mjekëve, në gjendje të rënduar shëndetësore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

vijon…

Dështimi i heshtur i Porto Romanos

Nga Klodian Tomorri

Në fund të muajit korrik, Edi Rama hapi përmes një eventi pompoz garën 392 milionë euro për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Shefi i qeverisë lajmëroi se për ndërtimin e kësaj vepre kishin shprehur interes 15 kompani, pjesa dërrmuese e të cilave nga më të mëdhatë në botë.

“Më vjen shumë mirë që ndër kompanitë e interesuara, ne kemi 5, edhe 5 kompanitë e listuara, si 5 më të mëdha në botë që tregon se çfarë interesi ka ky port”, tha Rama.

Tenderi ishte parashikuar të zhvillohej në datën 16 shtator. Por i gjithë procesi rezultoi një dështim pasi në garë nuk u paraqit asnjë ofertë. Qeveria u detyrua të pranonte zyrtarisht dështimin e tenderit në fillim të tetorit, kur Agjencia e Prokurimeve Publike publikoi njoftimin e anullimit. Por ndryshe nga sa ndodh në këto raste, ku pas anullimit, gara shpallet sërish menjëherë, me portin nuk ndodhi kështu.

Cuditërisht, Autoriteti Portual i Durrësit nuk e ridhodhi sërish në tender ndërtimin e Portit. Dy muaj e gjysmë pas dështimit të tenderit të parë, ndërtimi i portit të ri ka hyrë në kalendat greke, i mbështjellë nga një heshtje, e cila hedh dyshime jo të vogla.

Asgjësimi i nyjës më të madhe tregtare të Shqipërisë është një nga aktet më të rënda të sabotimit të ekonomisë kombëtare. Pak rëndësi ka nëse e gjitha kjo ishte e qëllimshme apo aventurë e përfunduar keq nga paaftësia. Në fund rezultati është i njëjtë.

Lënia e Shqipërisë pa portin më të rëndësishëm tregtar i jep në tavolinë ekonomive konkurrente si Greqia apo Mali i Zi një avantazh të madh në rrafshin financiar dhe atë strategjik, ndërsa ekonomisë kombëtare një thikë në zemër.

Përgjatë kësaj kohe qeveria u ka treguar qytetarëve përrallën e bukur me ndërtimin e portit më të madh në rajon, i cili fillimisht nuk do t’u kushtonte asnjë qindarkë qytetarëve dhe më pas do të ndërtohej bashkë me NATO-n. Me sa duket përrallave po u del boja shpejt dhe tani rreziku i madh nuk janë më 1.3 miliardë eurot që qytetarët do të paguajnë për ndërtimin e portit të ri, që Alabbar të fitojë po kaq me resortin që po ngrihet mbi portin ekzistues në Durrës. Tashmë rreziku më i madh është lënia e Shqipërisë pa port fare.

Kjo të ishte një goditje fatale në formën e farsës qeveritare, që sakaq ka ngrënë jo pak para. Procesi i tenderimit të portit të ri në Porto Romano u udhëhoq nga kompania holandeze Royal Haskoning. Qeveria shqiptare përmes një kontratë të veçantë konsulence i dha kësaj kompanie atribute publike deri në përzgjedhjen e fituesit. Për këtë shërbim, qeveria i pagoi 12 milionë euro kësaj me negociata në tavolinë kësaj kompanie, përmes Autoritetit Portual të Durrësit.

Kontrata kontroverse me hollandezës u nënshkrua falë ndryshimit enkas të ligjit të prokurimeve. Por edhe pse qeveria shkallmoi ligjin e prokurimeve, edhe pse i dha kompanisë hollandeze 12 milionë euro, porti nuk duket gjëkundi. Të vetmet që duken haptazi tashmë janë përrallat e qeverisë dhe 12 milionë eurot që u dhanë në tavolinë./Kapitali.al

Si po e përmbushin Dodik dhe Vuçiq qëllimin strategjik të putinizmit në Ballkan

Nga Meliha Keshmer REL

Gjithçka që dihet për “putinizmin”, një formë autokracie që është konservatore dhe populiste dhe që lidh në mënyrë mitike Rusinë dhe Vladimir Putinin, në masë të madhe mund të shihet edhe në Serbinë e Vuçiqit, thotë Edina Beqireviq, autore e librit “Putinizmi në Ballkanin Perëndimor”, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë (REL).

Beqireviq, ligjëruese në Fakultetin e Kriminalistikës, Kriminologjisë dhe Studimeve të Sigurisë në Sarajevë dhe hulumtuese e Iniciativës Atlantike, njofton se libri i saj për presidentin rus dhe ndikimin e tij kryesisht në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi, do të botohet në dhjetor.

Ajo thotë se e ka shkruar librin kryesisht për të rinjtë, studentët, të cilëve shpesh u mungon “një këndvështrim i nuancuar për çështjet gjeopolitike dhe dinamikën komplekse që rrethon Ballkanin Perëndimor dhe konfliktet globale”.

Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentin e entitetit të Republikës Sërpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, ajo i sheh si lojtarë kyç të “putinizmit”, të cilët së bashku përmbushin qëllimin strategjik të Rusisë, që është ndalimi i integrimeve të mëtejshme euroatlantike në rajon.

Radio Evropa e Lirë: A mund të fillojmë duke e përshkruar çfarë është “putinizmi” dhe cilat janë format e tij të shfaqjes?

Edina Beqireviq: Termi u përdor për herë të parë në Perëndim nga William Safire më 31 janar 2000, në një artikull të publikuar në The New York Times, kur Vladimir Putini ishte ushtrues i detyrës së presidentit të Rusisë.

Safire paralajmëroi epokën e “putinizmit” si një perspektivë të errët për Rusinë — kthim te represioni, ngecja dhe qeverisja autokratike.

Në atë artikull, ai kritikoi presidentin amerikan Clinton për promovimin e idesë në samitin në Davos se Putini mund të ishte një reformator i fshehtë demokratik.

Parashikimet nga artikulli i Safire u realizuan, por rreziku i regjimit të Putinit u injorua për shumë kohë.

Në Perëndim, termi “putinizëm” filloi të përdorej më intensivisht nga viti 2012, dhe autorët bien dakord për disa karakteristika të përbashkëta.

“Putinizmi” është një formë autokracie që është konservatore dhe populliste. Ai lidh mitikisht Rusinë dhe Vladimir Putinin. Shkurt, Putini është Rusia dhe Rusia është Putini.

Konstanta e “putinizmit” janë vlerat antiliberale dhe anti-perëndimore dhe lufta kundër “Perëndimit dekadent”.

Opozita politike në Rusi nuk ekziston, dhe fakti që kaq shumë pushtet është përqendruar në duart e një njeriu ka çuar në shembjen e plotë të institucioneve, represion të gjerë politik dhe vrasje të shpeshta të kundërshtarëve politikë.

“Putinizmi” kulmoi me agresionin ndaj Ukrainës, i cili është shembulli më i dukshëm i pretendimeve imperialiste.

Radio Evropa e Lirë: Kush është lojtari kryesor në përhapjen e “putinizmit” në Ballkanin Perëndimor dhe si vepron ai?

Edina Beqireviq: Shpesh përmendet Milorad Dodik (president i entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska) si lojtari kryesor i Putinit në Ballkanin Perëndimor. Ai është pa dyshim më i spikaturi në rrjetin e ndërlidhur të individëve, partive dhe organizatave që punojnë për interesat ruse në rajon.

Por, të jemi realistë. Milorad Dodik nuk merr asnjë vendim pa u konsultuar me Aleksandar Vuçiqin (president i Serbisë). Ata së bashku përmbushin qëllimin strategjik të Rusisë, që është ndalimi i integrimeve euroatlantike në rajon.

Radio Evropa e Lirë: A mund të flasim për arsyet dhe pasojat e përforcimit të “putinizmit” dhe rolit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor?

Edina Beqireviq: Gjithçka që dimë për “putinizmin” në Rusi në masë të madhe e shohim edhe në Serbinë e Vuçiqit. Si Vuçiqi, ashtu edhe Putini kultivojnë një narrativë të rremë mesianike për lidhjen mes personaliteteve të tyre dhe shteteve që udhëheqin.

Në atë narrativë, ata e tejkalojnë rolin e liderëve modernë duke u paraqitur si mbrojtës të “fateve shpirtërore dhe historike” të kombeve të tyre.

Ata janë “roje morale kombëtare”, mbrojnë popullin nga “forcat e liga perëndimore” dhe kështu e manipulojnë opinionin publik dhe justifikojnë sundimin autokratik.

Rasti i fundit i priftit grek kontrovers Elpidios, i cili i dërgoi një mesazh publikut serb duke u lutur për Vuçiqin dhe duke paralajmëruar se nëse ai rrëzohet, “njeriu që është zgjedhur nga Luciferi do të marrë pushtetin dhe serbët do të bëhen skllevër në vendin e tyre”, ilustron sesi Vuçiqi përmes një narrative të rreme shpirtërore prezantohet si mbrojtës i domosdoshëm i identitetit kombëtar.

Në të njëjtën kohë, çdo opozitë paraqitet si tradhti ndaj interesave kombëtare serbe.

Si Serbia, ashtu edhe Rusia, funksionojnë si regjime autokratike, me një ndryshim që Serbia është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, sipas një institucioni të njohur suedez, V-Dem, Serbia tani klasifikohet si një autokraci elektorale.

Aleksandar Vuçiq mund të konsiderohet një aktor kyç në përhapjen e “putinizmit” në Ballkanin Perëndimor për disa arsye. Serbia, nën qeverisjen e tij, është kthyer drejt një tradicionalizmi të përshpejtuar fetar/ortodoks, ndërsa mediat nën kontrollin e tij kanë përhapur me sukses një narrativë proruse dhe antiperëndimore.

Proceset demokratike jo vetëm që janë ndalur, por janë në regresion të rrezikshëm. Përmes aktorëve politikë dhe partive nën kontrollin e tij, regjimi i Vuçiqit përpiqet t’i ndalojë reformat liberale edhe përtej kufijve të tij.

Në planin ndërkombëtar, “putinizmi” shfaqet në promovimin e një forme autokratike të qeverisjes. Kjo është një nga arsyet kryesore pse Aleksandar Vuçiq kurrë nuk do t’ia kthejë shpinën Vladimir Putinit.

Putini investon në partneritete me liderë autokratë.

Radio Evropa e Lirë: Cili është roli i Kishës Ortodokse Serbe në këto procese?

Edina Beqireviq: Roli i Kishës Ortodokse Serbe në përhapjen e idesë së “botës serbe” mbështetet në konceptin e Putinit për “botën ruse”. Këto janë dy projekte të përputhshme, në të cilat Kisha Ortodokse Ruse dhe Kisha Ortodokse Serbe nuk janë vetëm institucione fetare, por edhe mjete të regjimeve autokratike dhe qëllimeve të tyre ekspansioniste.

Të dyja kishat promovojnë aktivisht narrativin e mbrojtjes së besimtarëve ortodoksë dhe folësve të gjuhës serbe dhe ruse jashtë kufijve të shteteve amë. Termi “bota serbe” është përdorur intensivisht që nga viti 2020 dhe fillimisht nuk është marrë seriozisht në qarqet diplomatike perëndimore. Ai u konsiderua si një formë populizmi, që synonte të zbuste humbjen e projektit të “Serbisë së Madhe” në luftërat e viteve ’90.

Ironia e kësaj zbutjeje të supozuar retorike u bë e qartë menjëherë, por kulmoi në shkurt të vitit 2022, kur “bota ruse” shërbeu si kornizë ideologjike për agresionin kundër Ukrainës.

Është legjitime të pyesim nëse në një moment edhe “bota serbe” do të fillojë një operacionalizim të ngjashëm. Për shembull, patriarku Porfirije në shtator të vitit 2022 haptazi normalizoi pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Bosnjë e Hercegovinës, duke deklaruar se “kufijtë e shtetit të kombit tonë nuk janë përfundimtarë”.

Kisha Ortodokse Serbe luan një rol të ngjashëm në rajon si Kisha Ortodokse Ruse ndaj Ukrainës. Kjo u konfirmua edhe një herë me “Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për të ardhmen e përbashkët të popullit serb” në “Kuvendin gjithëserb”, që Perëndimi e konsideroi si një sulm ndaj sovranitetit të Bosnjë e Hercegovinës dhe mbështetje për planet secesioniste të Milorad Dodikut.

“Kuvendi gjithëserb” u prezantua si një organ politik-teokratik, akademik-shkencor mbishtetëror, dhe organizatorët e tij janë Republika e Serbisë, entiteti i Republikës Srpska dhe Kisha Ortodokse Serbe. Pra, “Kuvendi gjithëserb”i ngjan “Asamblesë së ekspertëve” në Iran, dhe organe të tilla janë karakteristike për regjimet autokratike dhe teokratike.

Radio Evropa e Lirë: Duke marrë parasysh se ju në librin tuaj trajtoni Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi, mund të na shpjegoni shkurt se cilët janë “shembujt e putinizmit” në secilin prej këtyre vendeve dhe cilat janë efektet e tyre?

Edina Beqireviq: Politika malazeze, ashtu si në pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor, pasqyron një model propagandistik të ngjashëm me atë të epokës së hershme të Putinit në Rusi, të përshkruar nga Peter Pomerantzev në librin “Asgjë nuk është e vërtetë dhe gjithçka është e mundur: Zemra e pabesueshme e Rusisë së re”.

Ky model mbështetet te përhapja e dyshimeve dhe pasigurisë; gjuha politike dhe ideologjia janë të shkëputura nga realiteti dhe krijohet një klimë ku e vërteta nuk ka rëndësi.

Në Mal të Zi, nacionalizmi serb, në kombinim me agjendën gjeopolitike ruse, mbështet narrativë që mohojnë identitetin kombëtar malazez, në mënyrë të ngjashme me pretendimet ruse se kombi ukrainas është një mit.

Nuk duhet të harrojmë se nën pretekstin e mbrojtjes së “bashkëkombësve jashtë vendit”, Rusia kreu agresion kundër Ukrainës dhe kjo propagandë aktivizohet para konflikteve të armatosura.

Në Mal të Zi, “putinizmi” pasqyrohet edhe në paradokset politike. Për shembull, persona të akuzuar për përpjekje për grusht shteti, që synonin të ndalonin anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe që ishin aktorë të deklaruar prorusë, si Andrija Mandiq, tani kanë pushtet politik në Malin e Zi, një vend anëtar të NATO-s.

Kjo është një formë e “putinizmit” që mbështetet në luftën hibride të Rusisë.

Në Bosnjë e Hercegovinë, ambiciet secesioniste të Dodikut përshtaten në mënyrë të përsosur me këtë kornizë, sepse çdo fragmentim potencial i Bosnjës dhe Hercegovinës do të ishte një mundësi për Serbinë t’i realizojë planet për “botën serbe”.

Kjo përputhje e Serbisë në sjelljen agresive ndaj fqinjëve, pasqyron një formë të “putinizmit” rajonal. Është një kopje e sjelljes së Rusisë në hapësirën post-sovjetike.

Radio Evropa e Lirë: Në ç’mënyrë ka ndikuar deri tani roli i Rusisë në rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së?

Edina Beqireviq: Fatkeqësisht, Rusia, në bashkëpunim me Serbinë, ka penguar në mënyrë shumë efektive rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Nga shfrytëzimi i tensioneve etnike, financimi i aktorëve politikë, individëve në qarqet akademike, organizatave dhe mediave që portretizojnë Bashkimin Evropian si një kërcënim ndaj vlerave tradicionale, deri te kërcënimet e drejtpërdrejta se vazhdimi i integrimeve evropiane përbën një kërcënim për interesat gjeopolitike të Rusisë.

Në të gjitha shtetet individuale ka pasur një regresion kaq serioz në proceset demokratike, sa që është vënë në pikëpyetje realizueshmëria e kësaj rruge.

Serbia, me një regjim autokratik, nuk ka aspak frymëzim për t’u bërë pjesë e BE-së. Ajo pretendon se është e përkushtuar ndaj BE-së vetëm për të pasur qasje në fondet e BE-së.

Radio Evropa e Lirë: Nga ana tjetër – si e shihni qëndrimin dhe veprimin e BE-së kur bëhet fjalë për ndikimin rus?

Edina Beqireviq: Bashkimi Evropian, në përgjigjen ndaj ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor, ende përdor strategjinë e “stabilokracisë” që mbështetej nga Angela Merkel, pra fokusohet në ruajtjen e status quo-së, në vend që t’i adresojë problemet e thella dhe të rrënjosura.

Megjithatë, një politikë e tillë ka hapur rrugën për forcimin e tendencave autoritare dhe etno-nacionaliste. Një shembull i kësaj është politika e BE-së dhe Perëndimit ndaj Serbisë, që kujton përpjekjet e mëparshme për të bashkëpunuar me Rusinë. Presidenti Vuçiq paraqitet si një reformator i afërt me Perëndimin, ndërkohë që thellon lidhjet me Rusinë.

Kjo strategji, që supozohej ta distanconte Serbinë nga Moska, ka pasur efektin e kundërt: ka forcuar një regjim etno-nacionalist që destabilizon rajonin.

Politika e lëshimeve perëndimore ka inkurajuar më tej Vuçiqin. Roli i Serbisë si një furnizues potencialisht kryesor i litiumit e ka forcuar strategjinë e stabilokracisë.

Kjo sjellje kujton gabimet e mëparshme të Perëndimit me Putinin. Atëherë, gazi rus ishte motivi për partneritet; tani, për shkak të litiumit në Serbi, mbyllen sytë ndaj rreziqeve të “botës serbe” për stabilitetin rajonal.

Qasja e stabilokracisë nga BE-ja, gjithashtu, ka kontribuar në zhgënjimin ndaj integrimeve evropiane në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Përparësia e marrëdhënieve ekonomike dhe ruajtja e lidhjeve me regjime si ai i Vuçiqit, kanë penguar adresimin e problemeve thelbësore, si secesionizmi i Dodikut në Bosnjë e Hercegovinë, incidenti në Banjskë të Kosovës dhe ndikimi gjithnjë në rritje i Rusisë.

Këto probleme janë akumuluar dhe kanë krijuar një krizë që do të jetë e vështirë për t’u zgjidhur.

Thellësia ideologjike e “putinizmit” — një kombinim i nostalgjisë imperialiste dhe sovjetike — shpesh është nënvlerësuar nga Perëndimi. Në mënyrë të ngjashme, Perëndimi duket se e kupton, por injoron përkushtimin ideologjik të regjimit të Vuçiqit.

Mentori i Aleksandar Vuçiqit ishte Vojislav Sheshel, dhe ideologjia e tij ka mbetur e njëjtë. Ashtu si dikur Perëndimi nënvlerësoi Rusinë si një kërcënim dytësor, duke u fokusuar vetëm te Kina, tani nënvlerëson potencialin destabilizues të Serbisë nën Vuçiqin, të forcuar nga ndikimi rus.

Derisa Bashkimi Evropian të heqë dorë nga parimi i stabilokracisë dhe të vendosë kushte të qarta politike që, para së gjithash, do ta detyrojnë Serbinë t’i adresojë themelet e rrezikshme dhe të deformuara të regjimit të Vuçiqit, nuk do të shohim asnjë përmirësim. Pa një ndryshim të tillë, BE-ja rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime që bëri me Putinin.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ndryshimi i administratës amerikane do të ndikojë në përhapjen e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor? Dhe, si e shihni veprimin e deritashëm të SHBA-së për të parandaluar dhe minimizuar ndikimet negative të Rusisë?

Edina Beqireviq: Ndryshimi i administratës amerikane ndoshta nuk do të ndikojë ndjeshëm në ndryshimin e politikës amerikane ndaj rajonit dhe, për fat të keq, as në frenimin e përhapjes së ndikimit rus.

Një mik më tha së fundmi me humor: “Ndoshta Trumpi do t’i zhgënjejë ata ashtu siç na zhgënjeu Bideni”. Edhe pse e thënë me shaka, kjo deklaratë përshkruan mirë thelbin e bisedave që kam pasur kohët e fundit me burime të ndryshme.

Ashtu si administrata e Bidenit nuk i përmbushi shpresat e aktorëve prodemokratikë në rajon, administrata e Trumpit mund të zhgënjejë aktorët e ekstremit të djathtë që presin mbështetje më të fuqishme.

Në mesin e tyre, veçanërisht, mund të jetë i zhgënjyer regjimi i Aleksandar Vuçiqit. Para disa muajsh, dëgjova Vesna Pusiqin në Forumin e Cetinës, duke shpjeguar se kur SHBA-ja nuk ka interes strategjik në një rajon, politika kryesisht formohet përmes qasjeve individuale të ambasadorëve.

Kjo shihet qartë në kontrastin e dukshëm midis strategjive të ambasadorit amerikan në Bosnjë dhe Hercegovinë, Michael Murphy, dhe ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill. Ambasadori Murphy është i vetëdijshëm për rreziqet e ambicieve secesioniste të Dodikut dhe ato imperialiste të Vuçiqit. Ambasadori Hill, duket qartë që jo.

Nga njëra anë, nëse rajoni mbetet një fokus dytësor i administratës amerikane, me angazhim të kufizuar direkt, kjo është e mirë, sepse regjimi i Vuçiqit nuk do të marrë duar të lira për të zbatuar “botën serbe”.

Kjo mund të hapë mundësinë që Bashkimi Evropian të “zgjohet” përballë rreziqeve që vijnë nga regjimi i Vuçiqit, të heqë dorë nga parimi i stabilokracisë dhe të vendosë kushte serioze për demokratizimin e rajonit mbi bazën e marrëdhënieve të shëndosha fqinjësore.

Sigurisht, ekziston edhe një skenar i errët, ku kjo nuk do të ndodhë, dhe ne do të rrëshqasim në një krizë edhe më të thellë, ndërsa Serbia nën ombrellën e “botës ruse” mund të fillojë një zbatim më serioz, ndoshta edhe ushtarak, të “botës serbe”.

Regjimi i Vuçiqit është në një krizë të thellë dhe devijimi i vëmendjes nga kulmi i incidenteve në rajon, qoftë në Kosovë apo në Bosnjë dhe Hercegovinë, do ta lejonte atë të konsolidonte pushtetin brenda Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Për kë e keni shkruar librin për Putinin dhe ndikimin e tij? A mendoni se të rinjve dhe studentëve u mungon perspektiva dhe hulumtimi mbi çështjet gjeopolitike dhe lidhjet me Ballkanin Perëndimor?

Edina Beqireviq: Të rinjve, veçanërisht studentëve, shpesh u mungon një këndvështrim i nuancuar për çështjet gjeopolitike dhe dinamikën komplekse që rrethon Ballkanin Perëndimor dhe konfliktet globale.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për dështimet dhe standardet e dyfishta të Perëndimit – asgjë nuk e ilustron këtë më mirë se qëndrimi i Perëndimit lidhur me gjenocidin që po kryen Izraeli në Gazë.

Gjithashtu, si edukatorë, shpesh dëgjojmë argumente se Perëndimi dhe Rusia në thelb janë të njëjta dhe se lufta në Ukrainë është vetëm një konflikt midis fuqive të mëdha.

Ndonjëherë dëgjoj diskutime ku të rinjtë plotësisht shmangin faktin që Rusia ka kryer agresion kundër Ukrainës. Literatura mbi hipokrizinë perëndimore është me bollëk për studentët, dhe ata kryesisht janë të përqendruar në podkaste që barazojnë Perëndimin dhe Rusinë.

Nga ana tjetër, literatura që trajton thelbin e regjimit të Vladimir Putinit dhe ambiciet e tij imperialiste nuk është e disponueshme për studentët. Ajo që është në dispozicion, është shumë komplekse për ta.

Si edukatorë, kemi detyrimin t’i ndihmojmë të rinjtë të orientohen në një botë që po ndryshon shumë shpejt. Është e rëndësishme që ata të mësojnë të mendojnë në mënyrë kritike mbi narrativët tepër të thjeshtuar që barazojnë demokracinë me autokracinë dhe regjimet autoritare.

Me fitoren e Trumpit në Amerikë, kjo do të bëhet edhe më e vështirë për t’u shpjeguar.

Po, ky libër është shkruar kryesisht për studentët, të cilët kanë gjithnjë e më pak prirje për të lexuar analiza teorike të dendura. Stili është qëllimisht i qasshëm, por prezanton koncepte kyçe dhe kontekst historik që mbështesin argumentet kryesore të librit.

Qëllimi ishte t’i drejtojmë të rinjtë drejt një mendimi kritik mbi çështjet gjeopolitike, t’i njohim ata me ideologjitë ekspansioniste dhe t’u bëjmë të qartë pse integrimet euroatlantike nuk mund të barazohen me qëllimet e “putinizmit” në Ballkanin Perëndimor, edhe kur kemi parasysh standardet e dyfishta për të cilat kam folur.