26.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025

Atentati në Ndroq/ Autori dhe viktima kanë njohje me njëri-tjetrin, vrasësi u fut në lokal dhe…

Gazetari Igli Çelmeta zbardh detaje të reja nga atentati që tronditi sot Tiranën. Sot rreth orës 15:50 u vra me armë zjarri 50-vjeçari Alfred Dedja.

 

Dedja u ekzekutua brenda në një lokal të Ndroqit, nga Julian Ndroqi, i cili është shpallur në kërkim. Mësohet se viktima dhe autori njiheshin me njëri-tjetrin.

“Viktima ka qenë në tavolinë në lokal dhe autori sapo është futur ne lokal, është ulur në tavolinë tjetër…Më pas, viktima i është afruar, aty kanë debatuar dhe Julian Gjoshi e ka qëlluar. Autori dhe viktima kanë njohje me njëri-tjetrin”, raporton gazetari.

Vrasja e 50-vjeçarit Alfred Dedja me armë zjarri në mes të ditës sot në një lokal në fshatin Ndroq në periferi të Tiranës ka tmerruar klientët që ndodheshin në lokal në momentin kur 50-vjeçari u ekzekutua me gjakftohtësi nga agresori.

Viktima jetonte në Itali dhe se njihej ndryshe me pseudonimin “Daku”. Krimi i rëndë ndodhi sot rreth orës 15:30 brenda në një lokal të Ndroqit, ku viktima ishte klient, ndërsa autori është futur në ambientet e lokalit, ka qëlluar me armë zjarri dhe është larguar.

Autori u afrua në këmbë për ta kryer krimin dhe më pas është larguar me një makinë tip Benz ML, të zi. Burime bëjnë me dije se autori është idenifikuar dhe mësohet se është Julian Gjoshi, nga Shijaku.

Ndërkohë që gazetarja Klodiana Lala raporton se autori i dyshuar i vrasjes, Julian Gjoshi, është një emër i njohur për policinë. Ai ka pasur probleme të mëparshme me ligjin, pasi është arrestuar më 18 janar 2021 për armëmbajtje pa leje dhe për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur. Gjoshi, gjatë arrestimit tre vite më parë, ishte shoqëruar nga një person tjetër në automjet.

Po ashtu, mësohet se Gjoshi është kunati i Altin Hajrit, ky i fundit i shpallur në kërkim për vrasjen e Jan Prengës, ngjarja e bujshme e ndodhur në një kompleks në Shijak. Altin Hajri, përmendet dhe në dosjen ndaj ish-deputetit të PS-së, Jugris Çyrbja, ku dyshohet se ka ndihmuar Çyrbjan të futej në listën e sigurt për deputet në zgjedhjet parlamentare të 2021.

Në një nga bisedat e SkyECC, Altin Hajri mësohet se i ka kërkuar ish-deputeti Jurgis Çyrbja ndihmë për të lirimin apo ndryshimin e masës së sigurisë ndaj kunatit të tij, Julian Gjoshi ose mikut të këtij të fundit pas arrestimit për armëmbajtje pa leje në Tiranë, kundrejt ofrimit të shumave të parave.

Hajri i ka kërkuar ish-deputetit të ndryshohet personi që mbante armën pa leje, si dhe dëmtimin e gjilpërës së armës së zjarrit, përpara kryerjes së ekspertimit nga policia shkencore.

Kush është Altin Hajri

Altin Hajri, pronari i kompleksit “Golden” në Shijak, akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të 2020. Trupi i Jan Prengës është filmuar për herë të fundit në garazhin e komplelsit “Golden”, ku është kapur nga kamerat e sigurisë teksa është nxjerrë nga automjeti Range Rover dhe më pas është transportuar në një furgon.

Altin Hajri, një nga anëtarët e grupit kriminal që vepronte në zonën e Shijakut po gjykohet ne mungesë pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Gjithashtu ishte  shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dyshuar si koka e një rrjeti të trafikut të drogës nga Afganistani në Itali. Por autoritetet italiane pushuan hetimin ndaj tij, duke hequr emrin e tij nga listat e të kërkuarve. Në Shqipëri, Altin Hajrit iu bllokuan pasuri me vlerë rreth 10 milionë euro.

Në tetor 2015 në një operacion të përbashkët të policisë italiane dhe shqiptare të koduar “Enigma”, u arrestuan 16 persona dhe u sekuestruan më shumë se 450 kilogramë drogë e papërpunuar, 325 kilogramë marijuanë, 206 kilogramë heroinë.

Të dyshuar si pjesë e këtij trafiku, në atë kohë u arrestuan në qytetin e Durrësit edhe djali i xhaxhait të Altin Hajrit, dhe një kushëri tjetër i tij, Hajri Balla dhe Fortuz Hajri, 53 dhe 24 vjeç, të dy banues në Shijak. Arrestimi i tyre u bë në bazë të një urdhri ndalimi të gjykatës së Venecias së datës 15 gusht të vitit 2015.

Ata akuzoheshin në atë kohë për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, ndërsa i kishin shpëtuar operacionit të policisë në vitin 2015, bashkë me Altin Hajrin.

Regjistrohen 9 raste të reja me SIDË në Elbasan

9 raste të reja janë regjistruar këtë vit më HIV/AIDS në qarkun e Elbasanit, ndërsa të infektuar në total llogariten 124 raste.

Siç raporton MCN, sa i përket statistikave, pjesa më e madhe e të prekurve me HIV/AIDS janë meshkuj dhe më pak femra.

Sipas përgjegjëses së këtij shërbimi  në Elbasan Elena Bibaja grup-mosha më e prekur është ajo 35-45 vjeç, ndërsa katër raste i takojnë moshës minorene.

Kryesisht rrugët e transmetimit janë marrëdhëniet seksuale të pambrojtura. Por tek të rinjtë vitet e fundit  vihet re se mënyra më e shpeshtë e infektimit ndodh prej përdorimit të shiringave të njëjta gjatë injektimit të lëndëve narkotike.

Aktivitete sensibilizuese u shënuan në Ditën Botërore kundër HIV/AIDS, në Elbasan, të cilat kanë qëllim informimin për mbrojtjen nga sëmundja e cila kryesisht transmetohen nga marrëdhëniet seksuale të pambrojtura.

The Telegraph: Harta që tregon se ‘lufta e fshehtë’ e Rusisë me Perëndimin tani ka filluar

Rrëzimi i avionit të mallrave të postës së shpejtë DHL në afërsi të aeroportit të Vilniusit të hënën, bombat që së fundmi frikësuan banorët e Londrës, nga sheshi Euston, aeroporti Gatwick e deri të ambasada amerikane, janë vetëm disa nga tentativat e Rusisë për të filluar luftën e fshehtë me Perëndimin, shkruan Telegraph.

 

Madje dronët që janë parë duke fluturuar mbi bazat ajrore amerikane në Britani të Madhe dhe shpërthimi i armëve në fabrikat e municionit në Wales në prill, vetëm sa kanë përshkallëzuar situatën.

Kabllot e telekomunikacionit që u këputën në Detin Baltik në fillim të këtij muaji, sulmet me zjarrvënie përfshirë ato të bizneseve ukrainase në Leyton në lindje të Londrës në mars të këtij viti, ndërhyrja në operatorët hekurudhor në Çeki, janë tregues i qartë, janë raste e tjera të regjistruara.

Dëmet në satelitë dhe pengimi, shkaktoi ndryshime në programet televizive në të gjithë Evropën. Dhjetëra incidente tjera të ngjashme ndodhën, ndërsa Perëndimi mbështet Ukrainën, nderkohe Rusia ka rritur veprimet e sabotazhit nëpër Evropë dhe më gjerë – duke ndjellë ndjenjën e pasigurisë në kontinent që nga Lufta e Ftohtë.

Shërbimet e sigurisë tashmë kanë dhënë alarmin. “Ne duhet të presim të shohim akte të vazhdueshme agresioni këtu në shtëpi”, tha drejtori i përgjithshëm i MI5, Ken McCallum në një fjalim muajin e kaluar.

“GRU [shërbimi i inteligjencës ushtarake të Rusisë] në veçanti është në një mision për të krijuar kaos në rrugët britanike dhe evropiane: ne kemi parë zjarrvënie, sabotim dhe më shumë. Veprime të rrezikshme të kryera në rritje”, shtoi ai.

Është, tha ai, një “fushatë e bashkërenduar” që kërkon një “përgjigje të fortë dhe të qëndrueshme”.

Këtë javë, Bruno Kahl, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, tha se “masat hibride” ruse vetëm rrisin “rrezikun që NATO përfundimisht të konsiderojë thirrjen e klauzolës së saj të mbrojtjes reciproke [neni 5]”.

Dhe në një fjalim të përbashkët me homologun e tij francez të premten, Sir Richard Moore, shefi i MI6 – i njohur si “C” – foli për “boshtin moralisht të falimentuar të agresionit” të mbikëqyrur nga Vladimir Putin.

“Kohët e fundit kemi zbuluar një fushatë jashtëzakonisht të pamatur të sabotazhit rus në Evropë, edhe pse Putini dhe bashkëpunëtorët e tij i drejtohen goditjeve bërthamore, për të mbjellë frikë për pasojat e ndihmës ndaj Ukrainës dhe për të sfiduar vendosmërinë perëndimore për ta bërë këtë”, tha ai.

Por, “siguria jonë – britanike, franceze, evropiane dhe transatlantike – do të rrezikohet”, shtoi Sir Richard për perspektivën që Putini ta reduktojë Ukrainën në një shtet vasal.

“Kostoja e mbështetjes së Ukrainës është e njohur mirë, por kostoja e mosbërjes së kësaj do të ishte pafundësisht më e lartë”, shtoi ai.

1

 

Ekzekutoi 50-vjeçarin në Ndroq, autori kunati i Altin Hajrit; u ndihmua nga ish-deputeti Çyrbja për të dalë nga burgu!

Detaje të reja kanë dalë sa i takon vrasjes së ndodhur pasditen e sotme në Ndroq ku ka mbetur i vrarë një 50 vjeçari, Alfred Dedja.

Ndërkohë që autori i identifikuar Julian Gjoshi, është një emër i njohur për policinë, pasi është arrestuar më parë për armëmbajtje pa leje.

Julian Gjoshi, ishte arrestuar në mbrëmjen e 18 Janarit 2021 për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve”, si dhe “Drejtim mjetit në gjendje të dehur”. Bashkë me të ishte në makinë dhe një person tjetër, i quajtur Edvin Barçi i thirrur me nofkën “Boli”.

Por historia nuk mbaron këtu, Gjoshi rezulton të jetë kunati i Altin Hajrit i shpallur në kërkim për vrasjen e Jan Prengës në ambientet e kompleksit “Golden” në Shijak.

Kalimet me gomone/ Qeveria britanike pritet të publikojë një plan të ri për të reduktuar emigracionin

Laburistët në pushtet në Britaninë e Madhe do të publikojnë në ditët në vijim planin e tyre për të trajtuar migracionin, pasi numri i njerëzve që kanë kaluar Kanalin ka arritur një moment të ri historik.

 

Sky Neës raporton se mëngjesin e kësaj të diele dy varka të vogla u kapën në Kanal me dhjetëra emigrantë në bord, duke e çuar numrin e kalimeve që nga korriku në më shumë se 20,000. Këto janë kalimet e para që nga 16 nëntori.

Përpara kësaj date, 19,988 kalime ishin regjistruar që kur laburistët fituan zgjedhjet më 4 korrik.

Totali për vitin, pa përfshirë natën e kaluar, sipas shifrave zyrtare është 33.562 emigrantë.

Ministri i qeverisë Pat McFadden i tha Sky se Mbretëria e Bashkuar “do të ketë gjithmonë nevojë për migrim”, por kjo duhet të balancohet me trajnimin e fuqisë punëtore britanike, në mënyrë që “të mos jenë të varur nga migrimi”.

Ai tha se laburistët do të publikojnë një plan këtë javë që vjen për të reduktuar migrimin legal dhe ilegal.

“Marrëveshje ilegale”/ Aktivistët protestojnë tek porti i Shëngjinit kundër paktit Rama-Meloni

Dhjetra aktivistë shqiptarë dhe italianë kanë protestuar këtë të diel nën moton “Marrëveshje ilegale, rezistence globale” tek porti i Shëngjinit kundër marrëveshjes mes Edi Ramës dhe Giorgia Melonit për strehimin në Shqipëri të refugjatëve nga vendet afrikane që kapen në ujërat ndërkombëtare.

Protesta e tyre vjen në një kohë kur si kampi i Shëngjinit, po ashtu dhe i Gjadërit, janë boshatisur, madje edhe nga punonjësit, pasi Gjykata e Romës bllokoi dërgimin e refugjatëve.

Një prej protestuesve deklaroi për mediat se do vazhdojnë protestat kundër kësaj marrëveshje, pasi sipas tij kërkojnë një Europë, Shqipëri dhe Itali më demokratike.

Kemi protestuar me aq sa kemi mundur kundër kësaj marrëveshje. Është një farë shtyse shumë e fortë që jo vetëm këtë marrëveshje, por me të gjitha këto lloj marrëveshjes ta vazhdojmë rezistencën tonë. Solidariteti juaj është forcë për ne, forcë për të gjithë ata emigrantë. Europa që ne duam nuk është Europa e Melonit, nuk është Europa e Von der Leyen, nuk është Europa e Ramës, por e demokracisë,. Ne do të luftojmë dhe do jemi për një Europë më demokratike, një Itali më demokratike dhe një Shqipëri me demokratike, ku emigrantët të jenë pjesë integrale e shoqërisë dhe të trajtohen si gjithë të tjerët me të drejta të barabarta”, tha ai.

Marrëveshja Rama-Meloni për refugjatët po konsiderohet si e dështuar, pasi deri më tani, të dy kontigjentet e refugjatëve të dërguara nga Italia nuk qëndruan më shumë se 48 orë në Shqipëri.

Azikërkuesit u kthyen në Itali, pas vendimit të Gjykatës së Romës, e cila pasi vendosi kthimin e tyre në shtetin fqinj, ia referoi çështjen Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, për shak se ata vini nga vende të konsideruara jo të sigurta nga kjo gjykatë.

Historia e trishtë e kohës së diktaturës/ “Kur Arbëri i tha të ëmës, se ishte dashuruar me Blerinën, ajo shtangu! Më pas e mblodhi veten dhe i tregoi të birit se ajo ishte mbesa e hetuesit që vrau…”

Nga Reshat KRIPA/ Arbëri qëndronte në qoshkun e tij në sallë, duke pritur mbërritjen e avionit që do ta çonte në një botë tjetër dhe meditonte. Meditonte dhe ëndërronte rrugën plot hithra e ferra, nëpër të cilën kishte kaluar jeta e tij. I kujtoheshin brengat që e kishin shoqëruar vite me radhë. Kishte shumë pasione. Donte të bëhej jurist, gazetar, mjek, inxhinier, artist, shkrimtar apo çfarëdo tjetër gjë, që të mundësohej. Por fati e kishte dënuar që të mos arrinte asnjë, nga majat e ëndërruara. Zhgënjimin e haste në çdo hap të jetës.

Pothuajse në të njëjtën gjendje ishte edhe Arbëri. Por ai, të paktën, ndërgjegjen e kishte të qetë. I kishte treguar Blerinës të vërtetën dhe ishte ajo që duhej të vendoste. Por ishte i ndërgjegjshëm që ky vendim do të ishte shumë i vështirë. A do të ishte në gjendje ajo të thyente tabunë e luftës së klasave? Një gjë e tillë i dukej gati e pamundur.

Për një gjë ishte i sigurt. Edhe në rast se ajo do të thyhej nuk do t’i mbante mëri. Para syve i dilnin fjalët që i kishte thënë në bisedën e fundit: “Unë jam i sigurt se ne do të gjejmë forca për ta përballuar”.

Vendosi ta bisedonte çështjen me Petritin. Pas dy ditësh, ai do të nisej për në universitet. Ishte shoku më i ngushtë i tij. Deri atëherë nuk i kishte thënë asgjë për dashurinë me Blerinën dhe këtë e kishte bërë pikërisht për faktin e hendekut, që e ndante me të dashurën.

“Petrit, dua të bisedoj diçka personale me ty”, – i tha një ditë.

“Çështje personale, cila na qenkërka kjo”? – u përgjigj ai me një farë ironie.

“Këtu nuk mund ta them, por eja të shkojmë në breg të detit”.

Bregu i detit ishte vendi ideal për Arbërin ku mund të shprehte lirisht mendimet e tij. I hipën urbanit dhe mbërritën në bregdet. Arbëri e çoi mikun e tij në vendin e preferuar.

“Dëgjo vëlla. Fillimisht dua të të kërkoj të falur se për këtë  çështje duhej të të kisha njoftuar më parë, por as vetë nuk e di pse nuk e bëra një gjë të tillë. Kërkoj vetëm të mos më ndërpresësh. Dëgjomë me vëmendje”.

Heshti për disa çaste. Edhe Petriti nuk e pyeti. Së fundi ai filloi.

“Jam dashuruar me Blerinën. Ti e njeh. Jemi njohur së bashku me të. Ajo i është përgjigjur dashurisë sime. Por ti e di që familja e saj, dy prindër model, dy mësues model, kanë qenë dhe janë lidhur me pushtetin e sotëm, ndërsa familja ime, i përket krahut të kundërt. Këtu ka një mospërputhje. Këtë mospërputhje ia thashë edhe asaj. U trondit së tepërmi. E lashë të mendohej dhe të vendosë. Kanë kaluar dy javë, që nuk jam takuar me të. Përditë shkoj në vendin e takimit, por ajo mungon! Nuk e di si të veproj”.

Petriti nuk u përgjigj menjëherë. Ai e kuptonte shumë mirë gjendjen në të cilën ndodhej miku i tij. Por ishte i ndërgjegjshëm edhe për situatën në të cilën jetonin. I kuptonte fare mirë pasojat, që mund të vinin nga kjo dashuri.

“Mos bëjë asnjë veprim. Lere të vendosë vetë ajo. I takon asaj vendimi”, – i tha së fundi.

I sugjeroi që këtë çështje, ta diskutonte me nënën e tij. Ajo ishte një intelektuale e njohur dhe do të dinte të gjente një zgjidhje. Në mbrëmje, pasi hëngrën darkë, Arbëri iu drejtua s’ëmës:

“Nënë, jam në udhëkryq”!

“Në udhëkryq, përse”?

“Kam rënë në dashuri”.

“Ke rënë në dashuri?! Po ky është lajmi më i mirë që kam dëgjuar”.

Afërdita u ngrit dhe përqafoi të birin.

“Por dashuria ime, është një dashuri e pamundur”.

“Dashuri e pamundur?! Përse”?

“Sepse i përkasim dy botëve të ndryshme”.

“Çdo të thuash”?!

“Ajo bën pjesë në kampin e fitimtarëve, ndërsa unë në atë të të mundurve”.

“Mjaft or bir, mos më fol me filozofira. Kush është ajo vajzë”?

“Blerina, vajza e mësues Hektorit dhe mësuese Irmës”.

“Mos bir”! – thirri nëna dhe u hodh përpjetë.

Arbëri shtangu. Reagimi i s’ëmës e habiti.

“Përse nënë”?! – i tha

“Më mirë të mos e dish”.

“E përse”?

“Sepse do të të thyhet zemra”.

“Fol nënë, fol! Mos më lër në këtë gjendje”!

Por nëna nuk fliste dot. Ajo nuk mund t’ia thoshte të vërtetën e tmerrshme, që ai nuk e dinte. Qëndroi në heshtje.

“Fol nënë”! i thirri Arbëri, me një ton padurimi.

“Blerina është mbesa e Resulit”, – tha me një zë të lehtë, që mezi dëgjohej.

“Mbesa e Resulit”?!

“Po bir, Irma është motra e Resulit”.

Lajmi ra si bombë mbi ndërgjegjen e Arbërit. Ai paska dashuruar mbesën e vrasësit të babait të tij? Një tufan i brendshëm i shpërtheu në ndërgjegje. Mendja iu çorodit. Mendimet iu  turbulluan. Përse e dënoi kaq shumë fati? Nuk i mjaftonin ato që kishte kaluar familja e tij?! Nga sytë filluan t’i rrjedhin lot. Nëna e vuri re. Iu afrua të birit dhe i tha:

“Pushoi lotët bir! Ulu ta diskutojmë me gjakftohtësi gjendjen”.

“Çfarë ka mbetur më për të diskutuar”?!

“Le ta marrim shtruar. Vajza është e bija e dy prindërve, për të  cilët deri më sot, nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë për karakterin e tyre. Ata janë prindër të nderuar, ndaj edhe vajza duhet të jetë e nderuar. Në çastin e parë, unë të thashë se ajo është mbesa e Resulit. Tani e kuptoj se gabova. Në rast se vajza dhe prindërit e saj, të pranojnë për dhëndër, atëherë edhe unë nuk kam se si të mos pranoj vajzën për nuse. Nuk ka pse të paguajë vajza, për dajon”!

“E dua Blerinën! – tha Arbëri.– Në rast se edhe ti e pranon bashkimin tim me të, kjo është gjëja më e çmuar, që po më dhuron. Faleminderit, nënë! Unë ia tregova historinë e familjes sime dhe jam në pritje të përgjigjes”.

“Lere të vendosë ajo”.

“Po për Resulin”?

“Në bisedën me të, nuk i thashë se nuk e dija”.

“Le të bisedojë me të ëmën”.

Me këto fjalë biseda u mbyll.

Dita e fundit e pushimeve shkollore. Blerina u drejtua për në vendin e zakonshëm të takimit. Arbëri nuk ishte aty. Përse? Mos vallë e kishte harruar nga mungesa prej gati tre javësh?! Megjithatë, vendosi të priste. Nuk vonoi shumë dhe ai erdhi. Qëndruan të dy përballë njeri-tjetrit pa folur. Së fundi u dëgjua zëri i Arbërit:

“Blerina…”!

“Mos fol, – e ndërpreu ajo.- Unë e vendosa. Toka dhe qielli të bashkohen, unë nuk ndahem nga ty”.

“A e mendove mirë”?

“Plotësisht”.

“A e ke biseduar me prindërit? Unë do të të kërkoja që të merrje edhe mendimin e tyre…”?

“Ashtu”?

“Patjetër, ne nuk mund të vendosim pa miratimin e tyre. Unë e bëra një gjë të tillë”.

Në mbrëmje kur u kthye i ati në shtëpi, Blerina iu drejtua prindërve.

“Babi, mami, dua bekimin tuaj”.

“Bekimin tonë? Por ne ta kemi dhënë qysh ditën që linde”.

“Bekimi që kërkoj sot është i një karakteri tjetër dhe unë nuk mund t’jua mbaj të fshehtë”!

“Fol, bijë”!

“Kam rënë në dashuri me një djalë, ndaj kërkoj bekimin tuaj”.

“Ke rënë në dashuri?! – foli e ëma, – Po na thuaj, moj vajzë, cili  është ky djalë”?!

“Po, do t’jua them, por mos u çudisni. Është Arbër Dauti, biri i Afërditës, që dikur ka qenë mësuese, si ju”.

Prindërit u panë sy ndër sy. Qëndruan për një kohë të gjatë në atë gjendje. Asnjeri nuk fliste. Blerina priste fjalën e tyre. Heshtja sundoi në dhomë. Së fundi atë e prishi zëri i Irmës, që foli:

“A e di historinë e asaj familjeje”?

“Po nënë, Arbëri m’i ka treguar të gjitha. Më ka treguar që i ati ka vdekur në qelitë e Sigurimit të Shtetit. Më ka treguar që e ëma nga mësuese, tani punon si punëtore në ndërmarrjen bujqësore. Më ka treguar që për këto arsye, atij i mohuan medaljen e artë dhe të drejtën e studimit”.

“Po tjetër gjë, a të ka treguar”?!

“Jo”.

Prindërit u panë përsëri sy ndër sy.

“Tregoja”, – tha i ati.

“Dëgjo bijë! – filloi e ëma. Do të të them një gjë, që ti nuk e di dhe duhet ta mësosh. Hetuesi i babait të Arbërit, ka qenë dajua yt dhe vëllai im, Resuli. Në kohën kur ndërroi jetë Sokoli, Resuli punonte ne Degën e Punëve të Brendshme”.

Blerina shtangu. Një tjetër hendek i thellë ishte hapur ndërmjet dy të dashuruarve.

“Por ne duhemi, duhemi shumë”, – mundi të thoshte me gjysmë zëri.

“Qetësohu bijë, – ndërhyri i ati. –  Le ta mbyllim për sot këtë bisedë. Pleqëroje me veten tënde dhe nesër e bisedojmë përsëri”.

Edhe një natë tjetër zgjuar. Edhe një natë tjetër mbushur me ëndrra të frikshme. Një përplasje dallgësh në zemrën e Blerinës, por një përplasje dallgësh, edhe në zemrat e prindërve të saj.

“Si do t’ia bëjmë or burrë”?! – pyeti Irma.

“Le t’ia lemë vajzës, të vendosë”, – ishte përgjigja.

Të nesërmen Blerina, hyri në dhomën ku ishin prindërit e saj.

“Baba, nënë, e vendosa. Kërkoj bekimin tuaj”, – tha.

“Mirë bijë, – foli i ati – por më parë, dua ta bisedoj këtë çështje edhe me familjen e Arbërit. Lajmëroi të vijnë sonte”.

Në mbrëmje Afërdita dhe Arbëri, erdhën në shtëpinë e Blerinës.

“Le të futemi në temë – tha Hektori – Të dy palët, jemi para një fakti të kryer. Personalisht kam bindjen, se edhe të dy familjet përputhen. Por koha na hodhi në krahë të kundërta të barrikadës. Nuk dua të zgjatem, me hollësitë e kësaj ndarjeje. Ato dua t’ia le së kaluarës. Vetëm dua të them se; a do të jemi në gjendje t’i përballojmë vështirësitë”?

“Fort i nderuar zoti Hektor! – filloi Afërdita. – Folët ashtu siç ju takonte. Unë nga ana ime, ju garantoj se kurdoherë, në çdo rrethanë që do të na paraqitet, do të di të qëndroj, ashtu siç duhet. Blerina do të jetë vajza jonë dhe do të di si ta mbroj. Unë e kam treguar se jam në gjendje, të përballoj çdo lloj situate”.

“Le t’i pyesim edhe dy të rinjtë”.

“U premtoj se në çdo situatë që do të paraqitet, do të jem gjithmonë në krah të Blerinës, deri në ditën e fundit të jetës”, – tha Arbëri

“Edhe unë gjithashtu”, – e plotësoi Blerina.

“Atëherë na qoftë për mbarë”! – e përfundoi Hektori.

U ngritën dhe filluan të urojnë dhe të përqafoheshin midis tyre. Afërdita nxori nga çanta një varëse floriri dhe ia vari në qafë Blerinës.

“Këtë varëse, ma ka sjellë Sokoli nga Franca dhe unë po ia dhuroj bijës time”.

Ndërsa Irma i dhuroi Arbërit, një orë dore zvicerane, të markës “Omega”.

“Edhe unë e kam kujtim nga babai im i ndjerë” – tha ai.

Blerina dhe Arbëri, nuk përmbaheshin dot nga gëzimi.

“Kam edhe një kërkesë të fundit”, – tha papritmas Hektori.

Të gjithë heshtën.

“Mos u çudisni, – vazhdoi ai. – Sivjet Blerina, është në vitin e  maturës. Pas maturës, do të vazhdojë universitetin. Do të doja që këtë fejesë, hë për hë, të mos ta shpallim, deri sa Blerina të arrijë një moshë më të plotë. Le të paraqiten në publik, si dy shokë të mirë”.

Heshtja pasoi fjalët e tij, për një kohë të shkurtër. Atë e thyen zërat e dy të rinjve: “Plotësisht”. Memorie.al

Donald Trump, adhurues i ushqimeve të shpejta, por ja çfarë e këshillon shefi i kuzhinës që të hajë sapo ai të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë

Ish-kuzhinieri i Donald Trump ka zbuluar të vërtetën pas zakonit të presidentit, McDonald në Shtëpinë e Bardhë – dhe cili do të jetë vakti i tij i parë kur të kthehet.

 

Shefi i kuzhinës Andre Rush i ka kërkuar Trump që të mos hajë burgera  dhe të heqë coca-colën nga dieta e tij, përpara mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Duke folur për The Sun, Andre shpjegoi se çfarë duhet të bëjë republikani për të qenë në formë si fizikisht ashtu edhe mendërisht kur ai të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

“Unë do t’i thoja atij, veçanërisht tetë vjet më vonë dhe në moshën 78-vjeçare, të ndalet për një sekondë, të diktojë vaktet, të marrë atë që dietologu i jep dhe të përfshijë në dietën e tij vakte të shëndetshme”, tha shefi i kuzhinës.

Më tej ai shtoi duke thënë se: Ajo që hani do të diktojë se si do të performoni. Kështu që unë do t’i thoja: mendo për atë që po ha.

Andre Rush filloi të punojë si kuzhinier në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1997 – duke i shërbyer administratave presidenciale të Bill Clinton , George Ë. Bush, Barack Obama dhe Donald Trump .

Kuzhinieri i famshëm u bë një emër i njohur kur u fotografua duke përgatitur një vakt Ramazani për një darkë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2018 – nën presidencën e Trump – me bicepsin e tij gjigant.

Rindërtimi/ Fshatarët detyrohen të lënë tokat dhe të strehohen në ndërtesa të papërfunduara

Tërmeti i 2019-ës ndryshoi përgjithmonë jetën e fshatarëve shqiptarë, duke i larguar ata nga shtëpitë dhe tokat e tyre bujqësore—burimi i vetëm i të ardhurave. Rindërtimi i qeverisë, i fokusuar te pallatet e reja, i la shumë prej tyre me infrastrukturë të papërfunduar dhe ndarje nga jetesa rurale, duke sjellë sfida ekonomike dhe sociale të reja për komunitetet e prekura.

Tërmeti i vitit 2019 në Shqipëri u bë pasojë e ndryshimeve të mëdha në jetën e shumë banorëve të zonave rurale. Goditja e tërmetit shkaktoi dëme të mëdha materiale, por ndryshoi edhe mënyrën e jetës së fshatarëve, të cilët siguronin jetesën e tyre nga të ardhurat që siguronin në tokat e tyre bujqësore, me planin e rindërtimit nga qeveria, një pjesë e banorëve u detyruan të braktisnin të vetmin burim jetese, për tu strehuar në pallata apo shtëpi private.

Këtë dukuri e tregon më së miri zonja Lule, e cila rrëfen për vështirësitë që tani i duhet të përballet pasi është larguar nga shtëpia e saj private për tu spostuar në një apartament të përfituar nga programi i rindërtimit.

“Unë i kam tokat në fshat, rreth 20 minuta larg dhe më duhet gjithmonë një person që të më dërgoj të më marrë, në këmbë nuk bëhet gjithë ajo rrugë, por nuk mundem perimet dhe frutat që kam mbjellë duan personin aty.” shprehet ajo.

Banorja 67 vjeçare tregon se nuk ka pasur mundësi për arsimimin dhe gjithë jetës së saj i është dedikuar bujqësisë, ku dhe tregon sëbashku me bashkëshortin e saj nëpërmjet bujqëisë kanë arritur të siguronin dhe të ardhurat e tyre. Por ata u detyruan të spostohen në një apartament duke braktisur shtëpine e tyre dhe tokat bujqësore me një sipërfaqje prej 3 dynym.

“Unë vetë jam 67 dhe burrin e kam 71, nuk kemi fuqi të shkojmë dhe të vijmë disa herë në ditë, përpos ndonjë paraje që siguroja pasi ikja i shisja dhe 1 herë, 2 herë në javë, kaloja dhe kohën me to,” rrëfen zonja Lule.

Gjithashtu ajo tregon dhe për mungesën e infrastrukturës në apartamentin e ri, ku sipas Lules një pjesë e paisjeve i kanë gjetur të papërfunduara dhe ju është dashur vetë të investojnë, ndërsa tani kanë dhe probleme me ujin, i cili është me orar të reduktuar, dhe gjatë ditës shpeshherë nuk ka.

“Na kanë futur në apartament pa u rregulluar mirë, disa gjëra i kemi shtuar nga lekët tona. Ujin e kemi me orar, zakonisht rreth paradites nga ora 10-11 kemi ujë dhe në atë kohë më duhet të kryej çdo punë, si dhe të mbush disa bidona uji rezervë për ti pasur gjatë ditës. Shpeshherë kemi dhe konflikte me fqinjët, pasi ata që kanë përfituar shtëpitë private, iu duhet të ujisin dhe lulishten apo perimet e tyre, duke bërë që ne në pallate të mos kemi ujë. Siç e shikon po mbajmë depozita jashtë për tu furnizuar me ujë, në verë situata është dhe më keq,” mbyll rrëfimin ajo.

Nga kërkesat për informacion drejtuar Bashkive të ndryshme në zonën e Voprës, Fushë-Krujës dhe Laçit, rezulton se në zonën e Bashkisë Vorë u ndërtuan 619 banesa private dhe 404 apartamente, ndërsa 101 aparatamente në fshatin Marikaj. Ndërsa në Bashkinë Fushë-Krujë u ndërtuan 217 banesa, nga të cilat 95 aparatamente dhe 124 banesa private.  Kjo vlen dhe për fshatin e Bubqit, ku u ndërtuan 235 banesa individuale dhe 45 apartamente.

Në kuadër të projektit të rindërtimit post tërmet, qeveria ndërmorri një fushatë të gjerë për ngritjen e banesave të reja në zona të ndryshme të Shqipërisë veriore, duke filluar nga Tirana, e deri në Kurbin. Në planin e rindërtimit nga qeveria, për zonën e Vorës dhe të Fushë Krujës, dy ishin kompanitë që fituan tenderin në ndërtimin e pallatave apo shtëpive të reja. Në zonën e Bashkisë së Vorës, kompania Salillari Sh.P.K. fitoi tenderin në vlerën e gjashtëqind e nëntë milionë lekë pa TVSH. Ndërsa në zonën e Fushë Krujës, kompania “ERSI/M” sh.p.k., u tenderua nga qeveria shqiptare në vlerën prej shtatëqind e pesëdhjetë e tre milionë lekë pa TVSH.

Rindërtimi filloi në kohë, dhe shumica e ndërtimeve janë thuajse të përfunduar, pa çka pa shumë element bazë si ndriçimi, ashënsorë, dyer të përbashkëta apo rrugë lidhëse, ende të papërfunduara. Mirëpo situata që shihet më problematike është ndërtimi i I banesave nëpër qendrat e qyteteve, si një mënyrë “kursimi” për qeverinë ndaj ndërtimit të shtëpive individuale aty ku ishin dëmtuar, duke bërë kështu që qytetarët të largohen nga shtëpitë e tyre private dhe tokat bujqësore ku dhe siguronin jetesën e tyre, për shkak të distancës apo dhe mungesës së mundësive, apo transportit për ti mbajtur sërish këto toka bujqësore active. Për disa nga fshatarët kjo është bërë mjaft shqetësuese.

Fatmira Karaj, banore në zonën e Bubqit, është një prej përfitueseve të shtëpive të rindërtuara të programit të rindërtimit, të cilës iu desh të barktiste shtëpinë e saj private bashkë me tokat bujqësore ku ajo siguronte të ardhurat për tu zhvendosur në pallatet e reja të termetit.

Ajo shprehet se gjithe jeten e saj që në vajzëri e ka kaluar duke u kujdesur për buqësinë, dhe tokat që ajo kishte rreth banesës së saj private, ajo mbante pulari, kishte toka të mbjellura me pordhime bujqësore si dhe një kopësht me perime dhe pemëtore të shumëllojshme.

Të ardhurat ajo shpesh i siguronte nga shitjet e këtyre prodhimeve por një pjesë e kishte dhe për përdorim vetjak. Pas shembjes së shtëpisë private ajo u detyrua që pularinë që kishte ta braktiste, kjo për shkak se ato kerkojnë përkujdesje disa here në ditë, ndërsa sot ajo mban vetëm disa nga pemiret në oborr të cilat janë dhe më së shumti rezistuese.

Asaj i duhet te shkojë 2-3 herë në javë per tu kujdesur për pemtoren e saj, dhe për këtë i duhet dhe një mjet transporti për të shkuar në ish banesën e saj. Kërkesa e saj ishte ndërtimi apo rinovimi i shtëpisë po në atë zone, në mënyrë që ajo të mos humbiste prodhimet bujqësore, por kërkesa e saj ran ë vesh të shurdhët. Zhvendosja në apartament për të është si një izolim nga bota ku kishte ndërtuar jetën e saj, shprehet ajo.

Përpos këtij problemi, ndonëse nga qeveria pallatet apo banesat e reja u inaguruan dhe u bënë gati për banorët, situata nuk duket kështu, ende mungon infrastruktura, ashtu si në rastin e zonës së Bubqit, të cilët po përballen me mungesa e ujit, apo dhe qendrat ende të pandërtuara dhe të papërdorura nga banorët.

Ajo që shihet është dhe cilësia e dobët e ndërtimit, dhe ajo vihet re dhe në qendrën e Vorës nga ku janë ndërtuar pallatet e reja dhe tashmë disa prej banorëve janë strehuar, ende pa u përfunduar, si dhe zona përreth shihet e braktisur dhe e mbushur me mbeturina.

Rindërtimi/ Fshatarët detyrohen të lënë tokat dhe

Rindërtimi/ Fshatarët detyrohen të lënë tokat dhe

Në zonën e Vorës përfituan 404 individë shtëpi apo apartament të reja, ndërsa në zonën e Fushë-Krujës përfituan 128 banorë.

Njëri prej tyre është edhe xhumali, 67 vjeç, i cili jetonte i vetëm në shtëpinë e tij, ku kishte dhe një oborr me një sipërfaqe prej 300m2, të cilën e kishte të mbjellë me perime dhe fruta të ndryshme, çfarë I siguronte dhe disa pará për të plotësuar nevojat e tij.

Ai i dëshpëruar na tregon se përveç gjendjes emocionale nga kujtimet e në atë shtëpi tashmë dhe gjendja e tij ekonomike është vështirësuar.

“Çfarë të ju them unë, ajo ishtë shtëpia e prindërve të mi, aty rrita dhe fëmijët që tani i kam jashtë, normal nuk kanë ku të rrijnë në këtë apartament. Unë nuk kam më fuqi të iki deri në shtëpinë time të vjetër për tu kujdesur për tokat, tani shtëpia ime është pothuajse 7 km larg, ndonjëherë iki me autobus ose gjej ndonje person që ka rrugën andej, por përsëri është e lodhshme,” rrëfehet ai.

Rindërtimi/ Fshatarët detyrohen të lënë tokat dhe

Rindërtimi/ Fshatarët detyrohen të lënë tokat dhe

Në zonën e Fushë-Krujës, një tjetër problem është fakti që program i rindërtimit nuk ka ende përfunduar plotësisht, gjë për të cilën ankohen dhe banorët e rinj të komplekseve.

“Kur kemi hyrë në apartamentin e dhënë nga shteti, kushtet ishin skandaloze, është dashur që shumë prej riparimeve ti bëjmë vetë dhe ti shtojmë me lekët tona, ballkoni i hyrjes më lartë na pikon gjithë kohës në ambjentin tone,” tregon Fatmiri.

Çifti Fatmir dhe Vera, të cilit prej më shumë se 20 vitesh jetonin në Amerikë dhe vendosën që periudhën e pensionit ta kalonin në vendin e atyre, duket se kjo periudhë po i vështirëson akoma dhe më shumë jetën, fillimisht përpos faktit që atyre iu desh të braktisnin shtëpinë dhe tokat e tyre bujqësore, ku siguronin perimet apo zarzavate të tyre, të cilët shpesh herë dhe i shisnin pranë tregut ushqimorë, ata gjithashtu po përballen dhe me kushtet e papërshtatshme në apartamentet e reja.

“Ne dalim gjithmonë, pothuajse çdo ditë duke pastruar pjesën e përbashkët që kemi me të tjerët, pasi është ambjenti jonë dhe duhet ta mbajmë pastër, por ja shikoni si bëhet, askush nuk kontribuon,” thotë Vera.

Rindërtimi/ Fshatarët detyrohen të lënë tokat dhe

Rindërtimi/ Fshatarët detyrohen të lënë tokat dhe

Edhe në qytetin e Vorës, situata është pothuajse e njëjtë, edhe pse vetë kryeminstri Edi Rama inaguroj ndërtimin e apartamenteve të reja më 4 Maj të vitit 2024, përfituesit janë ende pa shtëpitë e tyre.

Këtë e tregojnë më së miri dy vëllezërit, Sulejman dhe Muharrem Kasa, të cilët janë ende pa një njoftim se kur do ti marrin hyrjet e tyre në pallatet e ndërtuara.

Përveç kësaj ata udhëtojnë cdo ditë rreth 9 km për nga banesa dhe tokat e tyre, në fshatin Prezë, e cila  tashmë e shkatërruar për në qendren e Vorës, aty ku ju është caktuar dhe banesa e re.

“Zgjohem dhe nis të dal në 6 të mëngjesit, shikoj për ndonjë makinë të çastit apo dhe në këmbë për të shkuar deri tek autobusi dhe më pas arrij në Vorë ku dhe po pres të marrë shtëpinë e re. Iki në Tiranë shes perimet dhe më pas kthehem, kthimin e kam më të vështire pasi nuk ka më transport, shpesh here e kam bërë dhe në këmbë dhe tani nuk e di si do ja bëj, tokën atje dhe shtëpinë këtu,” tregon Suljemani.

E gjithë kjo rutinë për Suljemanin dhe Muharremin tani iu është komplikuar dhe më shumë, pasi me hyrjen e re në apartamente do u duhet të braktisin prodhimet e tyre bujqësore nga ku siguronin dhe ato pak të ardhura.

Rindërtimi post-tërmet, megjithë qëllimet e tij, ka izoluar fshatarët nga jeta e tyre tradicionale dhe të ardhurat bujqësore. Pamundësia për të mirëmbajtur tokat dhe problemet infrastrukturore kanë përkeqësuar kushtet e tyre. Ndërsa pallatet dhe shtëpitë e reja ofrojnë strehë, zgjidhja e plotë e nevojave të banorëve mbetet një sfidë që kërkon vëmendje të menjëhershme./ ACQJ – Qëndra për Gazetari Cilësore

Statistikat/ Supersfida e javës! Siti tabu, Liverpuli i ka mundur vetëm një herë në nëntë të fundit

Liverpuli është në krye të tabelës së Premier Ligës me një avantazh të konsiderueshëm prej tetë pikësh ndaj Mançester Sitit. “Reds”- at kanë lënë vetëm pesë pikë gjatë gjithë sezonit. Me një fitore të dielën në “Anfield” ata do të shkëputeshin +11 nga skuadra e Guardiolës. Sot luajnë në 17:00 atë që është dhe supersfida e javës.

 

– Ata kryesojnë gjithashtu renditjen e Ligës së Kampioneve dhe janë skuadra e vetme që kanë siguruar pikët maksimale pas fitores së tyre të merituar ndaj Realit të Madridit 2-0 të mërkurën në “Anfield Road”.

– Nga 19 ndeshjet zyrtare të Liverpulit nën drejtimin e Arne Slotit këtë sezon, ata kanë fituar 17, duke shënuar 44 gola dhe duke regjistruar 10 ndeshje pa pësuar gol.

– Mançester Siti është pa fitore në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, duke humbur pesë prej tyre dhe barazuar 1 dhe ka pësuar dy ose më shumë gola në gjashtë ndeshje radhazi në të gjitha kompeticionet për herë të parë që nga maji 1963.

– Aktualisht Mançester Siti është në periudhën më të errët të rezultateve që kur në “Etihad” u ul Pep Guardiola. Kjo seri rezultatesh është edhe më e dobëta në karrierën e trajnerit katalanas.

– Siti nuk e ka mbajtur portën e pastër që nga 26 tetori dhe ka pësuar 17 gola që atëherë, duke dështuar të shënojë më shumë se një herë jashtë shtëpisë në katër ndeshjet e fundit.

– Pep Guardiola nuk ka kujtime shumë të mira nga vizitat e tij të kaluara në “Anfield”, pasi ka fituar vetëm një herë në nëntë transfertat e tij në Mersejsajd, duke humbur pesë dhe duke barazuar tre.

– Liverpuli ka fituar vetëm 1 nga nëntë përballjet e fundit në Premier Ligë kundër Sitit (5 barazime, 3 humbje), një fitore 1-0 në tetor 2022.

– Siti ka fituar vetëm 1 nga 21 ndeshjet e fundit të Premier Ligës në transfertë kundër Liverpulit (7 barazime, 13 humbje), duke i mundur 4-1 në shkurt 2021. Ata nuk kanë fituar në “Anfield” që prej majit të vitit 2003 (2-1).