26.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

“29 nëntori 1944 u gdhi gri dhe me shumë lagështi. Qielli i mbuluar me re të zeza dhe zymtësia e shpërhapur tejpërtej ndillte mynxyrë” (Fragment)

Nga Namir Lapardhaja

[…] 29 nëntori 1944 u gdhi gri dhe me shumë lagështi. Qielli i mbuluar me re të zeza dhe zymtësia e shpërhapur tejpërtej ndillte mynxyrë. Tomori madhështor nuk dukej. Jo prej borës së bardhë, por prej mjegullës së zezë. Në pezm e sipër, shumëkush ato ditë po e kuptonte se ditët e haresë po merrnin fund më shpejt se sa e kishin hamendësuar. Përveç njësiteve guerile që kishin zbritur në qytet prej mesit të shtatorit, nuk pipëtinte asgjë tjetër. Shumica e tyre ishin të ardhur dhe për vendasit ata ishin të huaj. Edhe banorët e qytetit të atillë ishin në sytë e tyre. Pluhuri që ngrihej në rrugët me kalldrëm të qytetit e bënte edhe më turbullirë pamjen. Koha kishte ngecur në vend. Frika kishte hedhur rrënjët e saj dhe rritej përditë pa kurrfarë ndalese. Kambanat e bronzta të kishave bizantine dhe zëri melodioz i myezinëve nëpër minaret elegante të stilit otoman, kishin pushuar. Ato po zëvendësoheshin furishëm nga altoparlantë në trajtë hinke, që do të shërbenin për të përforcuar përhapjen në të katër skajet e qytetit të ideologjisë së re. Besimi në Zot do të zëvendësohej gradualisht me një besim të ri. Dhjetë urdhëresat e Teuratit do të zëvendësoheshin nga dhjetë parimet e Njeriut të Ri komunist. I mbrujtur me pikëpamjet e reja dhe i zhveshur nga vlerat hyjnore, qenia e re po niste rrugëtimin e saj, të gjatë dhe të sigurt drejt askundit. Askush nuk e ka menduar se përballë këtij mutacioni të ri njerëzor do të kishte ndofarë pengese të natyrës njerëzore.
Sapo konsoliduan pozitat e pushtetit, komunistët filluan shpagimin. Ata u treguan të pamëshirshëm. Një pushtet i fituar me grykën e pushkës, mund të forcohej vetëm me kamxhikun e terrorit. Dhuna ishte e tmerrshme. E pakompromis. Edhe pse e kishin më të lehtë, sepse një pjesë të kundërshtarëve i kishin eleminuar gjatë periudhës së luftës, nuk falën asnjë nga ata që kishin ngelur. Disa armiq potencial brenda radhëve të frontit nacional-çlirimtar, ishin spastruar nëpërmjet aksioneve të vështira, tradhëtisë, spiunimit tek armiku apo plumbit pas shpine. Rruga dukej se ishte e pastër, por jo xixë. Ndaj duhej vepruar sa më parë me ata pak të mbetur, familjarët dhe të afërmit e tyre, me pikat e kontaktit apo ata që mendohej se kishin pasur një marrëdhënie dhe pa më të voglin dyshim me armiqtë potencial të së ardhmes. Pushteti i ri më shumë rrezik shihte ata që kishin mbetur dhe mund të mendonin me kokën e tyre. Terrori i kuq nisi me inteligjencien e qytetit. Goditja e tyre do të bënte që pjesa tjetër të frikësohej dhe askush të mos bëzante. Heshtni. E patë çfarë i ndodhi filanit? E arrestuan natën në gjumë. Trokitën dhe e morën pa i dhënë asnjë arsye. As të vishej me rroba të tjera nuk kishte mundësi. Ai poeti i ri që u kishte dalë kundër komunistëve për luftën vëllavrasëse, shoku i ngushtë i Kristaqit dhe Margaritës, u tradhëtua tek disa të afërm të tij në fshatin Lapardha. E dorëzuan në mëngjes tek organet e pushtetit. Kishte nxituar për të nxjerr koburen, por kur kishte vënë dorën në brez, e pa që nuk e pati. E tradhëtuan. Pritet dënimi kapital. Një turmë e vuvët njerëzore, në errësirën e natës, iu turr ndërtesës-varr të ish-firmëtarit të pavarësisë dhe kryeministrit të vendit, shpërtheu sarkofagun, mori eshtrat e të ndjerit dhe i flaku në Osum. Gjyqi popullor dënoi me vdekje ish-deputetin e qytetit, djalin e myftiut të famshëm, atdhetarit të madh, qytetarit model. Nxënësi i Fullcit u ekzekutua gjatë natës. E shoqja i shkoi në mëngjes për t’i çuar ushqim dhe veshje, por i dhanë lajmin e ekzekutimit. Nuk e lejuan as të qante. Flitet se është zbuluar një organizatë e madhe me emrin “Bashkimi demokratik” dhe të gjithë anëtarët e saj po arrestohen. Po ngrihen gjyqe speciale nga prokurorë ushtarakë dhe gjykatës profan nga jurisprudenca. Synohet të goditen ata që kanë studiuar në perëndim, ata që nuk kanë qenë në krahun e fituesve apo pjesëmarrësit në organizatën Balli Kombëtar. Nuk shpëtuan as ata që kishin qëndruar neutral. Dhuna po godiste pa mëshirë atë pjesë që mund të reagonte, ndërsa pjesa tjetër do të heshtte. Disa nga frika, të tjerë nga mungesa e kurajos. Do të kalonin disa kohë derisa krimi dhe dhuna të normalizoheshin dhe njerëzit të ngarkoheshin me doza të mëdha urrejtje klasore për të ngjashmit e tyre njerëzorë. Ata që arrestoheshin dhe dënoheshin, tanimë, nuk do të shiheshin më si viktima, por si armiq. Të rrezikshëm. Evidentimi, spiunimi dhe denoncimi i tyre do të ishte një detyrë madhore dhe një urdhëresë partiake.
Qyteti po futej në një spirale ankthi dhe frike. Askush nuk e kuptonte se pse njerëz që deri dje i kishin parë dhe përshëndetur sokakëve të gurtë, të nesërmen zhdukeshin pa nam dhe nishan. Vetëm pas një farë kohe merrej vesh se ishin arrestuar apo ekzekutuar. Ishte një marrëzi kolektive e pajustifikuar. Asnjë përligjje nuk mund të kishte dhuna dhe terrori i atyre ditëve të fundit të nëntorit 1944…

Përse ju duhet Vitamina B për shëndetin? vlerat për gratë dhe burrat

Grupi i vitaminave B është i pazevendësueshëm për trupin. Numërohen rreth 8 prej tyre, ndaj merr dhe emrin vitamina B kompleks. Një nga rolet e saj kryesore është shndërrimi i ushqimit në energji për trupin.

 

Por këto nuk mund të përjashtohen dhe vlerat individuale që secila prej 8 llojeve që kjo vitaminë përmbledh ka në organizëm.

Duke filluar që nga funksionimi më i mirë i trurit, tek forcimi i sistemit imunitar e shumë të tjera të cilat i gjeni më poshtë.

Vitamina B1: Tiamin

Tiamina është e nevojshme për rritjen dhe zhvillimin e qelizave të shëndetshme në trup.

Ajo ndihmon zhvillimin e shëndetshëm të sistemit nervor dhe prodhimin e energjisë.

Vitamina B2: Riboflavina

Riboflavina shndërron lëndët ushqyese në lëndë të tjera kimike të cilat ndihmojnë organizmin të funksionojë normalisht.

Gjithashtu përmban shumë folate, B12, B6 dhe kolinë e cila mban nën kontroll aminoacidet që shkaktojnë më pas sëmundje të zemrës.

Vitamina B3: Niacina

Niacina ndërton dhe riparon ADN-në e trupit të njeriut.

Redukton stresin dhe vepron si një antioksidant që mban larg inflamacionin dhe sëmundjet.

Vitamina B5: Acid pantotenik

Acidi pantotenik është jashtëzakonisht i rëndësishëm për prodhimin e energjisë, hormoneve dhe kolesterolit të mirë.

Një trup i shëndetshëm ka gjithnjë nevojë për kolesterol dhe prodhim hormonesh e kjo vitaminë ndihmon tej mase në këtë çështje.

Vitamina B6: Piridoksina

Trupi juaj ka nevojë për vitaminën B6 për të krijuar neurotransmetues si serotonina dhe dopamina.

Këto hormone njihen për veprimin e tyre në trup si kimikatet e lumturisë apo ndjesive pozitive.

B6 është gjithashtu e rëndësishme për prodhimin e hemoglobinës, e cila ndihmon në shpërndarjen e oksigjenit në gjak.

Vitamina B7: Biotina

Biotina është e njohur më së shumti për të mirëmbajtur flokët, lëkurën dhe thonjtë.

Mungesa e saj mund të sjellë thonj më të brishtë që thyhen, rrallim të flokëve dhe probleme me lëkurën.

Biotina gjithashtu ndihmon në neutralizimin e karbohidrateve dhe yndyrnave në trup.

Vitamina B9: Folatet

Folatet stimulojnë prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, rrisin funksionin e shëndetshëm të qelizave dhe ADN-së.

Vitamina B12: Kobalamin

Vitamina B12 është e nevojshme për formimin e qelizave të kuqe të gjakut, sintezën e ADN-së dhe funksionimin e shëndetshëm të trurit.

Vitamina B për shëndetin e grave

Grupi i vitaminave B rekomandohet për të gjithë pasi siç përmendëm edhe më lart është i rëndësishëm për shëndetin.

Megjithatë gratë duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kur vjen puna tek folatet, vitaminës B6 dhe B12.

Këto janë shumë të rëndësishme nëse jeni shtatzënë apo duke ushqyer fëmijën me gji pasi ndikojnë në zhvillimin e shëndetshëm të fetusit.

Kjo vitaminë gjithashtu mund ta bëjë ciklin tuaj mujor më pak të dhimbshëm dhe më lehtë të menaxhueshëm.

Një studim i vitit 2011 zbuloi se marrja e tiaminës dhe riboflavinës natyralisht nga ushqimi mund të zvogëlojë simptomat e dhimbjes.

Vitamina B për shëndetin e burrave

Ashtu si gratë edhe burrat kanë nevojë për vitaminën B për të qenë të shëndetshëm.

Disa ekspertë thonë se vitaminat B mund të ndihmojnë në rritjen e niveleve të testosteronit dhe ndoshta të ndihmojnë në ndërtimin e muskujve.

Gjithsesi ato ndihmojnë mjaftueshëm në shëndetin e trurit, rritjen e imunitetit dhe në sistemin tretës.

VËZHGIMI/ Silvinjo grumbulloi 47 lojtarë, Asllani “mbreti” i minutave te Kombëtarja! 11 kuqezinj s’u përdorën

Janari i vitit 2023 pa në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit një trajner të ri. Pas largimit të Edi Rejës, Shqipërinë do ta drejtonte për herë të parë një brazilian. Silvio Mendes Kampos Xhunior, ose shkurt siç e thërrasin (Silvinjo).

 

Trajneri që vinte nga një eksperiencë në kampionatin brazilian do të fillonte menjëherë nga puna për të krijuar një skuadër që do të përballej me Poloninë në muajin mars 2023, e vlefshme për kualifikueset e Europianit. Të gjithë më pas e dimë sesi shkoi, por qëllimi i këtij shkrimi është që të sjellë të gjitha emrat e lojtarëve që Silvinjo ka përdorur deri tani, ku po përmbushet dy vite nga ardhja e tij.

Nga një vëzhgim i gazetës, rezulton se nën urdhrat e 50-vjeçarit janë vënë plot 47 futbollistë të ndryshëm, ku padyshim jo të gjithë kanë zbritur në fushë. Duke i ndarë me reparte, në 22 ndeshje që Shqipëria ka luajtur nën drejtimin e Silvinjos, 16 i takojnë Tomas Strakoshës dhe 6 Etrit Berishës. Ndërkohë të grumbulluar kanë qenë edhe Kastrati, Sherri dhe Simoni.

REKORDET NË EPOKËN SILVINJO – Nëse ka një lojtar që Silvinjo i ka besuar më shumë minuta, ai është truri i mesfushës, Kristjan Asllani, me 1855 të tilla. Mario Mitaj ka vetëm 10 minuta më pak dhe është i dyti në rangun e aktivizimit. Më pas vijnë Ylber Ramadani, Nedim Bajrami dhe Jasir Asani. Lista vijon me Hysajn, Ismajlin dhe Gjimshitin.

Ndërkohë, një rekord më vete e mban edhe Jasir Asani. Silvinjo është “fiksuar” me anësorin e sulmit pasi mbetet i vetmi lojtar i cili i ka luajtur të 22 ndeshjet si titullar. Mario Mitaj ka humbur vetëm ndeshjen e parë me Poloninë sepse ka qenë i angazhuar me ekipin U-21, ndërsa pas Asanit vijnë Kristjan Asllani me 21 ndeshje si titullar, Nedim Bajrami me 20 dhe Ylber Ramadani me 19-ë. Sa i përket sulmit, Seferi është më i aktivizuari, i ndjekur nga i tërhequri Sokol Cikalleshi dhe Myrto Uzuni me Rei Manajn.

ASNJË MINUTË- Padyshim që në një gamë kaq të zgjeruar, ka edhe lojtarë që nuk kanë zbritur asnjë minutë në fushë me Silvinjon. Ata janë 11 të tillë duke filluar me: Kastrati, Sherri, Simoni, A.Bajrami, Mersinaj, Lenjani (i tërhequr) Hadroj, Pajaziti, Roshi (i tërhequr), Selahi, dhe Fetai.6KRISTI SEJATLLARI-P

Tre ushqimet që duhet t’i shmangni kur keni dhimbje të fytit

Dhimbja e fytit mund të jetë një simptomë e pothuajse çdo prej problemeve të këqija të frymëmarrjes. Nuk ka dyshim se dhimbja, gërvishtjet dhe acarimi që shkaktojnë dhimbje të fytit mund t’ju bëjnë të ndiheni keq, kështu që ndoshta do të dëshironi të rimendoni të hani çdo gjë që mund ta përkeqësojë, edhe nëse kjo do të thotë të shmangni ushqimin tuaj të preferuar.

 

E vërteta është se ka shumë ushqime që duhen shmangur kur keni dhimbje të fytit, si dhe disa zakone të jetesës dhe madje edhe disa ilaçe shtëpiake.

  1. Ushqimi pikant dhe acid

Ushqimet pikante kanë shumë përfitime shëndetësore, por nuk janë ideale për dhimbjen e fytit. Edhe nëse jeni mësuar të hani ushqimet më të nxehta, tani nuk është koha e duhur t’i dorëzoheni dashurisë për ta. Ushqimet që janë pikante ose kanë salcë të nxehtë dhe speca mund të irritojnë fytin sepse stimulojnë prodhimin e mukusit dhe rrisin inflamacionin në atë zonë .

Ushqimet acidike kanë të njëjtin efekt. Ushqimet pikante shpesh përmbajnë përbërës me aciditet të lartë si domatet. Ushqime të tjera acidike përfshijnë agrumet si portokall, grejpfrut dhe limon. Këto mund të kenë një efekt thumbues në indet e fytit.

  1. Ushqime të kripura dhe krokante

Ushqimet me sipërfaqe të ashpër ndihen si letër zmerile kur keni dhimbje të fytit. Nëse ato janë të lyera me kripë, si patatina, ato gjithashtu mund ta përkeqësojnë gjendjen tuaj.

  1. Alkooli në çdo formë (dhe pirja e duhanit)

Ashtu si ushqimet pikante, alkooli mund të irritojë më tej dhimbjen e fytit dhe të shkaktojë refluks acidi. Alkooli gjithashtu ju dehidron, duke bërë që temperatura juaj të rritet dhe dhimbjet e fytit të përkeqësohen.

Nëse pini duhan kur pini, ky është një negativ i dyfishtë, me ose pa dhimbje fyti. Përveç lëshimit të qindra kimikateve në sistemin tuaj, pirja e duhanit ose avullimi prodhon nxehtësi të thatë. Kjo mund të irritojë seriozisht fytin tuaj, duke shkaktuar dhimbje dhe inflamacion, edhe kur nuk jeni të sëmurë. Nëse jeni të sëmurë, pirja e duhanit mund të pengojë shërimin tuaj dhe të zgjasë kohën që kaloni me dhimbje.

Gjendet e pajetë brenda në banesë 26-vjeçarja ruse, dyshimet e policisë

Një 26-vjeçare nga Rusia është gjetur e pajetë ditën e sotme në lagjen nr 13 në qytetin e Durrësit.

Uniformat blu bëjnë me dije se 26-vjeçarja dyshohet se është vetëvarur në derën e dhomës së gjumit, në një banesë që jepet me qira ditore.

Banesa në të cilën 26-vjeçarja jetonte me qira ditore është në pronësi të një shtetase çeke.

Nuk dihen ende rrethanat dhe motivi që çoi të renë në këtë akt ekstrem. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë

Durrës/Informacion paraprak

Më datë 29.11.2024, në lagjen nr. 13, në një banesë që jepet me qira ditore, në pronësi të shtetases M. K., (shtetase çeke) është gjetur, dyshohet e vetëvarur në derën e dhomës së gjumit, shtetasja ruse A. A., 26 vjeçe.

26-vjeçarja e kishte marrë banesën me qira ditore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Vranësira dhe reshje, parashikimi i motit për fundjavën! Ja zonat ku do të bjerë dëborë

Këtë fundjavë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme me mbizotërim të motit të vranët dhe me reshje shiu.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ditën e shtunë reshjet e shiut do të jenë të herëpasherëshme me intensitet të ulët deri në mesditë në pjesën më të madhe të vendit dhe prej orëve të mesditës reshje shiu me intensitet deri mesatar në formë shtrëngatash.

Reshjet do të vijojnë të jenë të herëpasherëshme në formën e shtrëngatave afatshkurta lokale deri në orët e  vona të mbrëmjes së ditës së diel, kryesisht të përqëndruara në pjesën lindore të vendit.

Në Alpe dhe relievet malore në veri-verilindje-juglindje të vendit parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar në lartësinë mbi 600-800metër.

Era do të fryjë nga kuadrat i veriut me shpejtësi mesatare 3-12m/s, ndërsa në lugina, në relievet e larta malore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës arrin shpejtësi 13-22m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 3-4ballë.

Prezencë e mjegullës së dendur lokale/mjegullinës në orët e mëngjesit/mbrëmjes dhe në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.

Ekonomia gjermane në prag të recesionit, sektori i industrisë më i prekur nga kriza! Cilat kompani do të largojnë mijëra punëtorë?

Gjendja ekonomike në Gjermani është e keqe. Burokracia, energjia e shtrenjtë dhe konkurrenca e ashpër janë disa nga problemet. Shumë kompani duan të shkurtojnë vendet e punës.

Ekonomia gjermane është në prag të recesionit edhe sivjet – industria është veçanërisht e prekur nga kriza. Pesimizmi dominon në kompanitë më të mëdha. “Ato po vuajnë më së shumti për shkak të rënies së aftësisë gjermane të konkurrencës në tregun botëror,” beson Ulrich Kater, kryeekonomist i Dekabanka.

Dobësia e ekonomisë gjermane ka pasoja shumë konkrete. “Kriza industriale dhe rënia ekonomike afatgjatë po lënë gjurmë në tregun e punës”, thotë Enzo Weber nga Instituti për Kërkimin e Tregut të Punës (IAB). Sipas vlerësimeve të studiuesve, papunësia pritet të vazhdojë të rritet. Deri në pranverë, thonë ata, në Gjermani “nuk pritet ndonjë ndryshim i trendit”.

Disa kompani të mëdha gjermane kanë njoftuar pushime masive nga puna në javët dhe muajt e fundit. Këto janë kompanitë e prekura.

Schaeffler

Kompania Schaeffler, e cila prodhon pjesë për industrinë e automobilave, ka njoftuar pushime nga puna dhe mbyllje të fabrikave. Për shkak të problemeve të vazhdueshme në sektorin industrial dhe kërkesës së dobët në tregun e automjeteve, Schaeffler planifikon të shkurtojë gjithsej 4.700 vende pune, nga të cilat 2.800 janë në Gjermani. Gjithashtu, nga një fabrikë në Austri dhe Britani të Madhe do të mbyllen. Kompania njoftoi gjithashtu pezullimin e prodhimit të disa produkteve në Berndorf, Austri, si dhe përfundimin e disa prodhimeve në Sheffield, Angli.

Continental

Furnizuesi i automjeteve Continental planifikon gjithashtu pushime masive për shkak të shitjeve më të dobëta në BMW, Mercedes dhe koncerne të tjerë, si dhe problemet në sektorin e makinave elektrike.

Sipas kompanisë, nga mesi i vitit 2023, tashmë janë eliminuar 5000 vende pune në zhvillim, prodhim dhe administrim. Deri në vitin 2028, ata planifikojnë të shkurtojnë gjithsej 7.150 vende pune, nga të cilat më shumë se një e treta i përket Gjermanisë.

Volkswagen

Prodhuesi më i madh gjerman i makinave (Volkswagen, i cili përfshin markat VW, Audi, Porsche, Seat, Skoda, Cupra, Lamborghini, Bentley dhe Ducati) po përballet me një krizë serioze. Sipas përfaqësuesve të sindikatës, tre fabrika të VW janë aktualisht në rrezik, ndërsa nga shkurtimi rrezikohen dhjetëra mijëra vende pune. Kompanisë i mungojnë blerësit për më shumë se 500.000 automjete, tha Dirk Große-Loheide, anëtar i bordit drejtues të markës VW. “Nëse nuk ka kërkesë, ne duhet t’i përshtatim kapacitetet prodhuese me situatën aktuale”, shtoi ai.

Edhe drejtori i markës Volkswagen, Thomas Schäfer theksoi se masat aktuale, si pensioni i parakohshëm, puna me orar të shkurtuar dhe shkurtimet e tjera nuk janë të mjaftueshme për të ulur shpenzimet. Momentalisht janë duke u zhvilluar negociatat me sindikatat IG Metall, por nuk është arritur asnjë marrëveshje deri tani. Negociatat do të vazhdojnë me 9 dhjetor, por tani për tani parashikohen të shkurtohen dhjetëra mijëra vende pune.

Bosch

Bosch, një tjetër furnizues i madh me pjesë të makinave, planifikon të shkurtojë deri në 5.550 vende pune – prej tyre 3.800 në Gjermani. Shifrat e sakta do të darkodohen në negociata me përfaqësuesit e punëtorëve. I prekur veçanërisht është sektori “Cross-Domain Computing Solutions”, i cili merret me zhvillimin e sistemeve për asistencën në drejtimin e automjeteve dhe në drejtimin autonom.

Bosch planifikon të prezantojë reduktimin e orëve të punës për shumë punonjës në Gjermani, gjë që do të rezultojë edhe me paga më të ulëta. Në total, do të preken rreth 10.000 punëtorë në nëntë lokacione në Gjermani. Kompania përmend krizën në industrinë e automobilave dhe kërkesën më të dobët si arsye, ndërsa rezultatet në sektorin e teknologjive të reja, siç është drejtimi i automatizuar, janë nën pritshmëritë e mëparshme.

ZF Friedrichshafen

Furnizuesi i pjesëve të automjeteve ZF Friedrichshafen planifikon të shkurtojë deri në 14.000 nga 54.000 vende pune sa ka në Gjermani. Vetëm në Saarbrücken, 1.800 punëtorë do të pushohen nga puna deri në fund të vitit 2025. Nëse situata e vështirë me porositë vazhdon, gjithsej 4.500 vende pune mund të shkurtohen deri në fund të vitit 2028. Kompania nuk e përjashton as mundësinë e mbylljes së ndonjë fabrike.

ZF ka probleme edhe me borxhe të mëdha për shkak të blerjeve të mëdha (marrje/blerje kompanish), ndërkohë që rezultatet e shitjeve janë shumë më të ulëta sesa është pritur. “Sipas të dhënave të fundit, në fund të vitit do të na mungojnë tre miliardë euro të ardhura”, tha kryetari i Këshillit të Punëtorëve, Achim Dietrich. Për më tepër, borxhet e mëdha vijnë si pasojë e blerjeve të korporatave të tjera.

Ford

Prodhuesi amerikan i makinave Ford planifikon të shkurtojë 2.900 vende pune në Gjermani deri në vitin 2027, shumica e tyre në fabrikën në Këln. Në total, rreth 4.000 vende pune do të shkurtohen në Evropë. Edhe pse kompania investoi dy miliardë euro gjatë viteve 2023 dhe 2024 në modernizimin e fabrikës në Këln, për prodhimin e automjeteve elektrike, pritshmëritë e shitjeve nuk u përmbushën.

Thyssenkrupp

Prodhuesi më i madh i çelikut në Gjermani, Thyssenkrupp Steel planifikon të shkurtojë rreth 11.000 vende pune gjatë gjashtë viteve të ardhshme. Deri në fund të vitit 2030, numri i të punësuarve do të bjerë nga 27.000 në 16.000. Kompania synon të reduktojë kapacitetin prodhues dhe të rrisë investimet në teknologjitë miqësore ndaj mjedisit, të cilat kërkojnë miliarda investime. Përveç kësaj, importi i çelikut të lirë nga Azia dhe kriza në industrinë e automobilave paraqesin një sfidë të madhe.

BASF

Në vitin 2022, BASF ka shpallur një program kursimi për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe kushteve të vështira të biznesit në Evropë. Një plan shtesë shtrëngimi u prezantua në fillim të këtij viti, duke përfshirë shkurtimet e vendeve të punës në Ludwigshafen. Deri në vitin 2026, BASF planifikon të ulë kostot me një miliard euro në vit. Deri në fund të vitit 2024, kompania do të shkurtojë 3.300 vende pune globalisht, duke përfshirë 2.500 në Ludwigshafen.

Gjithashtu u njoftua edhe mbyllja e tre fabrikave në Ludwigshafen, duke përfshirë prodhimin e acidit adipik – një përbërës kyç për plastikën. Këto masa edhe pse të kuptueshme në situatën aktuale ekonomike, do të lënë pa punë mijëra punëtorë dhe do të përkeqësojnë më tej situatën në tregun e punës.

Zbardhet vendimi, Kushtetuesja lë nën sekuestro inceneratorin e Tiranës

Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar ankimin e bërë për heqjen e masës së sekuestros ndaj inceneratorit të Tiranës. Përmes një vendimi të marrë në Mbledhjen e Gjyqtarëve, Kushtetuesja ka vlerësuar të mos kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare, duke i lënë kështu në fuqi vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit për masën e sekuestros ndaj shoqërisë “INTEGRATED ENERGY BV SPV” SH.P.K. dhe të gjitha pasurive të luajtshme e të paluajtshme të saj.

Masa e sekuestros së kërkuar nga SPAK u miratua në Gjykatën e Posaçme në korrik të vitit të shkuar e më pas edhe në Apel dhe Gjykatën e Lartë, pas dyshimeve se aksionerët de facto të saj janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Sipas SPAK, dy biznesmenët në kërkim nga drejtësia kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmën si pronarë të vërtetë të shoqërisë që fitoi kontratën koncesionare 128 milionë euro dhe se përmes faturave tatimore të falsifikuara ata dyshohet se kanë përfituar 400 milionë lekë. Në ankimin e bërë në Kushtetuese, shoqëria koncesionare pretendonte se i ishte cënuar e drejta e pronës, se sekuestroja ishte vendosur pa prova dhe se SPAK kishte krijuar terma juridikë si “pronari de facto” për të legjitimuar sekuestron.

Në vendimin e arsyetuar Kushtetuesja thekson se shoqëria koncesionare nuk ka arritur të argumentojë se cilat janë pasojat e drejtpërdrejta dhe në çfarë mënyre është cenuar ajo nga vendimet e vendosjes së masës së sekuestros. Sipas Kushtetueses, shoqëria koncesionare nuk ka arritur të provojë nëse zbatimi i kontratës së lidhur me institucionin shtetëror vijon ose është ndërprerë.

“Me fjalë të tjera, ajo nuk ka arritur të identifikojë cila prej tagrave të pronësisë është kufizuar nga masa e sigurimit pasuror dhe se si ky kufizim cenon deri në atë masë të drejtën substanciale të pronës, sa nuk mund të riparohet në procesin e themelit. Sikurse rezulton nga rrethanat e çështjes, kërkuesja, si person juridik, është subjekti i cili ka nënshkruar kontratën me institucionin shtetëror, për të cilën janë nën hetim një numër i konsiderueshëm i funksionarëve të lartë shtetërorë, ashtu edhe individë të cilët rezultojnë të kenë marrë pjesë ose të kenë nënshkruar kontrata me shoqërinë kërkuese”.

Për këtë shkak, thekson Kushtetuesja, objektit të ankimit kushtetues i mungonte legjitimiteti, çka pamundësonte tejkalimin e fazës së shqyrtimit paraprak. Dosja penale me 12 të pandehur për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve edhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është në fazën e shqyrtimit paraprak në Gjykatën e Posaçme./A2 CNN

E rëndë në Greqi/ Asfiksohen nga gazi 4 fëmijët e një familjeje, humb jetën 16-vjeçari, në gjendje kritike motrat e tij! Çfarë ndodhi brenda banesës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Ksanthit në Greqi orët e para të mëngjesit të sotëm, në një shtëpi ku jetonte një familje me gjashtë anëtarë.

 

Mediat greke shkruajnë se një 16-vjeçar ka humbur jetën për shkak të asfiksimit nga gazi në banesë, ndërsa motrat tij janë dërguar me urgjencë në spital.

Sipas autoriteteve, tragjedia u shmang falë nënës 47-vjeçare të familjes, e cila zbriti në katin e poshtëm të banesës për të zgjuar fëmijët e saj dhe i gjeti ata të gjithë në gjendje të rëndë nga një rrjedhje gazi.

Djali 16-vjeçar i familjes ndërroi jetë në spitalin e Ksantisë, ndërkohë që dy motrat e tij, 18 dhe 15 vjeç, po luftojnë për jetën. Motra e tretë, 20 vjeçe, është shtruar në klinikën e patologjisë së spitalit, jashtë rrezikuar për jetën. Në mesditë 18-vjeçarja dhe 15-vjeçarja janë dërguar në spitalin “Hipokrati” në Selanik.

Sipas mediave, babai i fëmijëve i cili flinte në katin e dytë është gjetur në gjendje të mirë dhe nuk ka kërkuar shtrimin në spital, ndërsa nëna është dërguar në spital, por është në gjendje të mirë.

Hetimet për rrethanat që çuan në këtë tragjedi po kryhen nga Policia e Ksantit, në bashkëpunim me Shërbimin Zjarrfikës. Në kuadër të hetimeve paraprake, është dhënë urdhri për kryerjen e një ekspertize mjeko-ligjore për trupin e 16-vjeçarit, si dhe një ekspertizë toksikologjike.

Po ashtu, janë kërkuar ekspertiza teknike për instalimin e botit të gazit pranë banesës së tyre, që dyshohet të jetë vendosur 24 orë para ngjarjes fatale.

Burime policore kanë bërë me dije se ishte krijuar një mjedis mbytës në zonën ku ndodheshin dhomat e gjumit të fëmijëve, dhe se një ditë më parë ishte punuar jashtë shtëpisë për vendosjen e një boti gazi.

“Kundër-Reforma” Rama-Berisha

Nga Gentian Gaba

Kundër-Reforma, ishte reagimi ndaj ndryshimeve të sjella nga Reforma Protestante, që sfidoi Kishën Katolike dhe praktikën e saj të korruptuar të kohës, e cila shpërtheu nën udhëheqjen e Martin Luterit dhe reformatorëve të tjerë. Atëbotë, qëllimi kryesor i Kundër-Reformës ishte të ripërtërinte autoritetin e Kishës Katolike dhe të ndalonte përhapjen e protestantizmit, që filloi në territorin e Perandorisë së Shenjtë Romake me shpalljen e 95 tezave më 1517. Por ndryshimet e thella që Reforma kishte sjellë ishin të pakthyeshme dhe cënuan njëkohësisht autoritetin e Papës dhe unitetin e Perandorisë.

Ky kthimi tek fillimi i fundit i Perandorisë së Shenjtë Romake, që për Volterin nuk ishte as e shenjtë, as perandori dhe as romake, për të analizuar një ngjarje të shkurtër në kohë relativisht të vogël, si Reforma në Drejtësi në një kënd periferik të botës, mund të cilësohet si një shtrirje e tepërt dhe e guximshme e fantazisë. Megjithatë, ndonëse historia nuk përsëritet por zakonisht bën rimë, analogjia me një kontekst të ndryshuar nga evoluimi i qendrave të pushtetit, dalja në sipërfaqe e qendrave të reja të rëndesës dhe përpjekja për balancim, prodhon aksione dhe reaksione, që mund të gjejnë pika takimi, apo të jenë paralele, në dinamikat e ndryshimit dhe rezistencës.

Ashtu si Reforma Protestantem, që sfidoi një sistem të rrënjosur dhe krijoi një rrugë për ndryshim pavarësisht rezistencës, në Shqipëri, Reforma në Drejtësi, në veçanti SPAK-u dhe GJKKO-ja, është përpjekja për të transformuar sistemin e kapur nga interesat e elitave të vjetra. Në të dyja rastet, ndryshimi është shoqëruar me përplasje të forta, por që gjithashtu, ka hapur mundësi të reja.

Dhe të vijmë tek Kundër-Reforma që po ravijëzohet në peizazhin tonë politik. Dy nga aktorët më të vjetër, në dukje të ndryshëm por në interesa të ngjashëm, po artikulojnë në unison qëllimin e tyre politik, të rivendosjes së një ekuilibri të ri me drejtësinë, – pasi kjo e fundit, posaçërisht SPAK-u, ka prishur ekuilibrin e pandëshkueshmërisë të vendosur në 34 vite, – nën refrenin e operës komike të Mozartit, “cosi fan tutte”- (kështu bëjnë të gjitha), në rastin tonë, kështu bëjnë të gjithë, korrupsionin.

Propozimi i kryeministrit Rama është materializuar përmes “Komisionit Xhafaj”, qëllimi publik i të cilit shfaqet si me terma alla “Miss Bota”, pa qenë e përhershme, përkthyer: “Për integrimin europian.” Por, duke ndjekur me vëmendje reagimet e SHBA-së dhe BE-së, të cilët kur u pyetën për Komisionin “Anti-korrupsion”, flasin për pakthyeshmëri të reformës, duke nënkuptuar se ka diçka në këtë iniciativë që i shqetëson promotorët dhe kontributorët në të holla, për Reformën.

Po ashtu, duke patur parasysh dezertimet në masë të institucioneve të drejtësisë, refuzim ky i inkurajuar me syshkelje partnerësh ndërkombëtarë, dhe njëkohësisht duke e parë si përçmuese përgjigjen e Altin Dumanit, për të mos komentuar çuarjen e njerëzve të BKH-së, – të drejtuar nga ish- zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Policisë të emëruar nga kjo mazhorancë, tek ky komision.

Njëkohësisht duke mos i nënvlerësuar shqetësimet e aktorëve shoqëror dhe politik, që po i bien kambanave të alarmit për kanosjen e Reformës, nuk mund të mos shohim tek kjo nismë një përpjekje reaksionare, ndaj efekteve që ajo ka prodhuar, në kopshtin e pasur dhe të mbipushtetshëm të mazhorancës, që është ai ku frutat që janë ngrënë pas krahëve po treten pas hekurave.

Vetë Edi Rama, ka vendosur një fytyrë pokeri kur bëhet fjalë për Reformën. Ndonëse reforma e gjeti në teshat e një kleriku katolik të shekullit të XVI, që shet indulgjenca, ai sillet sikur të ishte Martin Luteri i rilindur, dhe i rreh gjoksit me forcë për autorësinë e saj. Gjithsesi ndjekësit e vëmendshëm të politikës, nuk mund të injorojnë faktin se nga goja e tij, kemi dëgjuar se, “Shqipëria nuk mund të jetë Republikë prokurorësh”, apo tek fshikullon SPAK-un kur heton “investitorët strategjikë” dhe po ashtu të anatemojë veprimtarinë e BKH-së që të mos nxisë institucionet të referojnë korrupsionin (sipas SPAK numri është në rënie), apo të mos i japë mbështetjen financiare që kërkon Prokuroria e Posaçme, dhe, dulcis in fundo, t’i tregojë amerikanëve, që janë promotorët e drejtësisë së re, “Noc Rrokun”, teksa bashkë me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, janë duke festuar, të shumtë në numër, suksesin e reformës në burgjet shqiptare, shumica dërrmuese e të cilëve janë akuzuar për afera që kryeministri i ka mbrojtur publikisht dhe në disa raste edhe ka firmosur, si inceneratori i Elbasanit.

E nëse Athina qan, Sparta nuk qesh. Përballë tij, Edi Rama ka mbajtur “kundërshtarin” e tij të vjetër politik, Sali Berishën. Përmbledhja e armiqësisë së tij me SPAK-un nuk është e nevojshme, pasi janë gjëra të ditura, Urbi et Orbi: Organizatë kriminale; SKAP i partisë; Mercenarë; Kriminelë, etj, etj. Ashtu si Rama, edhe Berisha ka dalë me një kundër-propozim për Reformën në Drejtësi. Projekti i tij ka një emërtim thuajse orwellian, “Komisioni i së Vërtetës”. Qëllimi i deklaruar i Berishës është zhbërja e Reformës.

Pra, dy aktorët më jetëgjatë të politikës shqiptare, njerëzit që e kanë nisur karrierën shekullin e shkuar, po shkojnë në zgjedhjet e ardhshme politike me një propozim të qartë kundër Reformës në Drejtësi. Askush nuk mund të miratojë pa tjetrin planin, që kanë hedhur për konsum publik, aq më tepër, që Reforma aktuale u votua me 140 vota dhe gëzon mbështetje të gjerë publike kombëtare dhe ndërkombëtare.

Por regjimi i vjetër nuk duket i dorëzur, madje kanë bërë edhe prova gjenerale për të arritur të Kundër-Reforma e tyre.
Nuk është as shkencë, as konspiracion, por ngushtimi i hapësirës jetike të Ramës dhe Berishës, që janë tashmë në të njëjtin cep nga i cili duhet të zgjedhin nëse, do të bien njëri pas tjetrit, apo do të dalin bashkarisht duke përdorur mjetet e fuqishme ekonomike, mediatike dhe politike që kanë, për të imponuar rikthimin e ekuilibrit, që vetë politika prishi, për shkak të grykësisë dhe mbipushtetit të akumuluar padrejtësisht në 34 vite, në kurriz të drejtësisë dhe shoqërisë shqiptare.

Është një operacion me laps dhe letër, i programuar dhe zbatuar me durimin me të cilin merimangat thurin rrjetat e tyre.
Dhe, për të mos e zgjatur shumë shkrimin, sepse silueta e përfundimeve është bërë tashmë e kuptueshme, ngjarjet po i përmbledh në mënyrë telegrafike: Berisha shpallet non grata, Rama sheh tek fati i Berishës, të ardhmen e tij; Rama mbështet kthimin e Berishës, për të penguar reformimin e PD-së me mbështetje të SHBA-së,- që nga logjika dialektike do të kulmonte me largimin e tij; Pas zgjedhjeve të 14 majit dhe kthimit të Bashës, Rama pengon riorganizimin e grupit parlamentar të PD-së sipas ndryshimeve statutore, me qëllim pështjellimin e krizës në opozitë, të fryrë edhe nga mediat që tradicionalisht mbështesin kryeministrin; Rama dhe Berisha nisin një krizë artificiale për komisionet parlamentare, e cila filloi me mosrespektimin e qëllimshëm të Kushtetës nga kryeministri, për të nxitur një polarizim të rremë në parlament dhe për të diktuar Berishën si interlokutor të pashmangshëm, me të cilin duhej diskutuar për të ulur tensionet e nisura enkas nga Rama; Krijimi i këtij realiteti nga ana e Ramës, legjitimoi Berishën dhe i hapi rrugë, shkatërrimit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku PD-ja zyrtare, kishte të paktën tre kërkesa jo komode për kryeministrin: Lista të hapura; Shqipëria – Një zonë elektorale; Votim dhe numërin elektronik; Nga ky moment nis hëna e mjaltit mes palëve, të cilat bashkohen për të votuar amnistinë, në të cilën bëhen pjesë zyrtarë të dënuar nga GJKKO-ja, – ndryshe nga sa kishin deklaruar publikisht të dyja palët, për të cilën raport progresi i Komisionit Europian u shpreh se, ishte cënim i punës së SPAK-ut; Amnistia u ndoq nga përgatitja për të mbajtur të paprekur arkitekturën e sistemit zgjedhor të ndërtuar në 2008-ën nga Rama dhe Berisha, me lista që jo vetëm mbyllen, por bëhen të paprekshme në pjesën kryesore, ku qytetarët nuk kanë të drejtë të zgjedhin asnjë emër, por duhet të gëlltisin listën e zezë të partisë; Kjo hënë-mjalti, kulmoi me dhënien e vendimit për vulën e PD-së, që në sfondin e dashurisë së rigjetur mes Ramës dhe Berishës, la shijen tek qytetarë, politikanë, komentatorë dhe ambasadorë të ndryshëm, të një prikë martesore me të cilën kryeministri i shkoi ish-kryeministrit për të sigluar rikthimin e status quo-së, aq shumë të dëshiruar.

Dhe, ja ku jemi përsëri tek Kundër-Reforma, më pak se 6 muaj nga zgjedhjet e ardhshme politike, dy farkëtuesit e sistemit politik, -të lindur nga marrëveshja Rama-Berisha e 16 viteve më parë, po shkojnë tek qytetarët me një ofertë të qartë zgjedhore Anti-SPAK.

Natyrisht njëri e shet veten si polici i mirë, dhe tjetri si polici i keq, gjithsesi të dy, në një gjatësi valësh, për sa i përket qëllimit, që “regjimi i vjetër” ka ndaj drejtësisë së re.
Nëse në zgjedhjet e ardhshme Rama dhe Berisha do të jenë faktorë politikë, Kundër-Reforma do të jetë fakt, ndërsa autonomia që SPAK-u ka fituar nga politika, do të jetë një eksperiment i bukur për sa i përket pritshmërive të qytetarëve, për t’i dhënë fund
pandëshkueshmërisë, por gjithsesi një eksperiment jetëshkurtër.

Kjo nuk do të thotë që SPAK-u, do të mbyllet nga sot nesër, por mekanizmat bizantinë të politikës do t’i mbivendosen duke i vënë një këmishë force, për t’i pamundësuar veprimin në Olimpin e pandëshkueshmërisë, duke na kthyer tek kohët e “arta” të arrestimeve për korrupsion, që do të vinin në shtatorin e ardhshëm, pa specifikuar se për shtatorin e cilit vit bëhej fjalë.

Por nëse tek disa, Reforma ka nxitur frikën e madhe që po prodhon Kundër-Reformën, tek një pjesë e gjerë e shoqërisë ka nxitur një shpresë të madhe të bazuar tek ideja se, pavarësisht problematikave të pamohueshme, nëse implementohet me sukses, mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si funksionon drejtësia në Shqipëri, duke përmirësuar besimin publik, duke forcuar sundimin e ligjit, llogaridhënien, dhe cilësinë e politikëbërjes.

Reforma dhe “Kundër-Reforma” do të përballen në zgjedhjet e ardhshme, duke ndikuar tek balancat e fuqisë për shumë dekada.

Nëse shoqëria me votën e saj do të anojë në mbrojtje të Reformës, do të kemi një ndryshim rrënjësor në strukturën e autoritetit, ndarjes dhe balancimit të pushtetit, pluralizëm dhe lëvizje demokratike, me pasoja pozitive, ekonomike dhe shoqërore.

Nëse shoqëria me votën e saj do të anojë nga Kundër-Reforma, nuk do të ketë nevojë për të rihapur librat e historisë nga shekulli i XVI-të, por do të mjaftojë rifreskim i kujtesës së 16 viteve të fundit, pas marrëveshjes Rama-Berisha të 2008-ës, me demokraci të vobektë, korrupsion të fortë, indulgjenca për politikanët dhe largim për shqiptarët, nën refrenin me të cilin nisi tranzicioni nga regjimi i vjetër tek i riu i cili u vjetërua përsëri: Bashkëfajtorë dhe Bashkëvuajtës.