32.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Kreu i një grupi kriminal droge, “Visi i Pojës” mori leje nga Rama për ndërtimin e një hoteli

Në kuadër të operacionit të koduar “Ura”, Antimafia italiane në bashkëpunim me SPAK, goditi një grup kriminal të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës me bazë në Durrës, teksa në total u lëshuan 51 masa sigurie, ku janë ekzekutuar 40 pprej tyre.

Dyshohet se në krye të grupit kriminal qëndronte Xhevdet Troplini, i njohur si “Poja”, teksa vitet e fundit drejtimin e organizatës ia kishte lënë nipit të tij, Elvis Doçi, i njohur ndryshe dhe si “Visi i Pojës”, i cili ka mundur t’i shpëtojë arrestimit.

Hetuesit bënë me dije se kanë dokumentuar 30 episode të trafikut të drogës në Itali dhe 10 raste të tjera në Shqipëri dhe në vende të tjera të Evropës, teksa dosja bazohet në komunikimet në “Sky Ecc”, si dhe dëshmitë e të penduarve të drejtësisë.

Po ashtu, janë dokumentuar edhe 30 transaksione të dërgimit të parave nga Italia drejt Shqipërisë me vlerë rreth 5 milionë euro, teksa pasuritë dhe vlerat cash të sekuestruara u tha se kapin vlerën e rreth 7 milionë eurove. SPAK tha se janë sekuestruar 3 restorante dhe një bar-kafe në Durrës, gjashtë shoqëri dhe një stacion televiziv privat në Vlorë.

Nën sekuestro është vendosur dhe shoqëria “Marquez” e Ervin Zeqirit, “Felix Vinum” e Adi Çobës, “Majestic Konstruksion” e Juxhin Drazhit, “Portside” e Elvis Doçit, “Dubai Im” e Nexhmedin Danajt, “Vlora Cable” po ashtu e Nexhmedin Danajt, si dhe një kompani tregtare për shitblerje makinash në pronësi të Olgert Shqevit.

Por, “Portside” nuk është i vetmi biznes që zotëron Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës” dhe i konsideruar dhe si një prej krerëve të organizatës kriminale.

Ai gjithashtu është dhe pronar i kompanisë Eldemar Construction, të cilën e zotëron 100% dhe si objekt të veprimtarisë ka:

“Studim, projektim, zbatim te punimeve dheu dhe murature,betoni,betonarmeje,marrja persiper e sipermarrjeve per kryerjen e puneve ndertuese e rrugore,detare ,hidraulike,elektrike te çdo lloji,sistemim agrar dhe pyjor gjelberim publik dhe arredime perkatese publike dhe restaurim e mirmbajtje te tyre per llogari te vet ose te trete.Sherbime punesimi ne fusha te ndryshme, Krpentier, hekuthyes, murator, suvatues hidraulik, elektricist, brigada specialistesh dhe punonjesish pa profesion etj. Shit-blerje te mallrave te ndryshme industriale. Import-eksport i tyre. Tregtim brenda dhe jashte vendit te te gjitha llojeve te ushqimeve per kafshet, importimi dhe eksportimi i artikujve te ndryshem dhe i materialeve qe kane te bejne me kete veprimtari. Kryerja e cdo lloj veprimtarie tjeter ekonomike, tregtare.”

“Eldemar Construction”

Një vit më parë, kompania Eldemar Construction” e Elvis Doçit ka marrë leje për ndërtimin e një hoteli 10 kate me papafingo dhe me 3 kate shërbimi nën tokë në qytetin e Durrësit. Leja i është dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga Edi Rama, në mbledhjen e datës 2 Prill 2024.

Ky është një rast i pastër se si paratë e krimit të organizuar pastrohen në ndërtim me “bekimin” e Qeverisë me leje për kulla, hotele dhe resorte.

Elvis Doçi, është një personazh i njohur i botës së krimit dhe i dënuar për trafik droge, teksa njl vit më parë, gjatë një aksioni të SPAK, gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën 3 milionë euro cash të futura në fuçi.

Problemi i Sali Berishës është se nuk i ngjit roli i viktimës

Nga Indrit Vokshi

Kur thotë “Këto janë zgjedhjet më të vjedhura në historinë 35 vjeçare”, iu kujton me zor njerëzve zgjedhjet e 1996, kur ky nxorri opozitën me 8 deputetë.

Kur thotë “Blerja e votës” iu kujton njerëzve se është me LSI dhe ka mbajtur pushtet prej LSI.

Kur thotë “U përdor shteti, u falën gjobat” iu kujton me zor njerëzve se si ky vetë, para çdo palë zgjedhjesh, falte dritat, gjobat e gjithçka.

Kur akuzon Ramën për autokrat, iu kujton njerëzve me zor se ai vetë ka 35 vjet aty dhe sot, edhe pas ka humbur, nuk e zbaton statutin e vet ku parashikohet largim i kryetarit.

Ai i di të gjitha këto, pa diskutim, por i duhet të shpikë gjithçka, të luajë çdo rol, vetëm për të mos u larguar, vetëm për të qëndruar aty, fort e përjetësisht.

Sepse ky ka qenë qëllimi prej në fillim. Ska qenë as bashkimi i opozitës, as vendosja e demokracisë në parti, as vota e lirë, asgjë e tillë. Qëllimi ka qenë ri-instalimi i Sali Berishës si kryetar autokrat e i padiskutueshëm në PD. Për ketë shkoi deri edhe në dhunë fizike.

Roli i viktimës është roli më i dështuar i tij. Absolutisht asgjë personale por besoj atë çka kam besuar gjithmonë: PD smundet të mbetet pronë personale e një njeriu, kushdoqoftë ai.

Kjo parti është krijuar dhe mbajtur nga lëvizja demokratike anti-komuniste e shqiptarëve në vitet 1990 e smund të katandiset në pronë private të askujt. Sa më shumë të personalizohet, aq më thellë do humbë.

E kujt i intereson personalizimi e humbja e PD? Edi Ramës.

21 milionë euro për “Partizanin”: si po e përgatit Rama ligjin për t’i rimbursuar stadiumin Olsit dhe Gazit

Pasi siguroi mandatin e 9-të falë tifozëve të Partizanit, Erion Braçe ka bërë thirrjen e parë politike pas zgjedhjeve: qeveria të paguajë për stadiumin dhe akademinë private të klubit “Partizani”. Mesazhi i shpërndarë sot është, në formë, korrekt. Por në përmbajtje, është një lobim i drejtpërdrejtë për të justifikuar dhënien e miliona eurove publike për një investim privat që lidhet drejtpërdrejt me vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën, dhe mikun e afërt të tij, Gaz Demin.

Në deklaratën e tij, Braçe thotë se stadiumi është ndërtuar 100% me fondet e Gaz Demit dhe se qeveria “ia ka borxh” një mbështetje financiare. Por faktet tregojnë tjetër gjë. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 183, datë 9 mars 2016, qeveria i ka dhuruar Gaz Demit kompleksin sportiv ushtarak “Skënderbej” me 37 mijë m² tokë dhe 5,164 m² ndërtesa.

Ky dhurim nuk ishte simbolik. Ishte bazë për ndërtimin e stadiumit dhe akademisë “Partizani”. Dhe sipas raporteve të inteligjencës financiare, 50% e pronësisë së këtij investimi është e Olsi Ramës, përmes një kontrate të brendshme që nuk figuron në QKR, por që është denoncuar më parë nga agjencitë anti-krim si marrëdhënie ortakërie faktike.

Tani, pasi investimi u bë mbi një pasuri publike të dhuruar, po përgatitet një ligj i personalizuar, që do të përfshijë rimbursim të drejtpërdrejtë nga shteti, sipas modelit të një “sponsorizimi kombëtar për sportin”, që në realitet është një justifikim për të kthyer mbrapsht 21 milionë euro në formën e një subvencioni të ligjëruar. E gjitha, për një klub që nuk është shtetëror, nuk është federatë, nuk është institucion public, por një shoqëri aksionare me përfitime private.

Në vitin 2022, qeveria i dha “Partizani SH.A.” 8 milionë euro rimbursim për dëme nga Covid, edhe pse kompania nuk ishte përfitues i tenderëve shtetërorë, siç e kërkonte akt-normativi. Ishte një precedent që sot po shërben si argument për rimbursim të plotë.

Ndërkohë, që nga viti 2014, kompania nuk ka paguar asnjë taksë, deklaron humbje çdo vit dhe ka përfituar falje gjobash në mënyrë të përsëritur. Tani, përmes ndërhyrjes së Braçes, kërkohet që shteti jo vetëm të mos marrë gjë, por të paguajë gjithçka, si shpërblim për investim privat mbi tokë publike të falur.

Kërkesa e Braçes për të shembur “rrënojat pranë akademisë”, në mënyrë që të hapet rruga për ndërtim të ri, nuk është për sportin. Është për ndërtimin e pallateve të reja. Pjesa e mbetur prej 7000 m² që Rama premtoi se nuk do ta jepte, është tani në qendër të presionit politik. Dhe nëse ligji miratohet, ajo tokë do të përfundojë e betonuar nga e njëjta dyshe: Gaz Demi dhe Olsi Rama.

Kjo nuk është ndihmë për sportin. Është kthim borxhi mes klientëve politikë dhe përfituesve të heshtur. Dhe përmes një ligji të përgatitur në mënyrë të personalizuar, Shqipëria do të ketë rastin unikal ku shteti rimburson një stadium privat, ndërtuar mbi tokë të falur, në pronësi të personave më të afërt me kreun e qeverisë./Pamfleti

Përshpejtohet rënia e lindjeve, në 4 vite 26% më pak foshnja

Po kalojnë gati dy vite nga zhvillimi i censit 2023 dhe vendi ende nuk ka popullsinë zyrtare vjetore, por të dhëna të tërthorta si lindjet dhe emigracioni tregojnë se profili demografik i vendit po përkeqësohet me shpejtësi. Në tremujorin e parë të këtij viti në të gjithë vendin lindën 4662 foshnja me rënie 14% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Nga tremujori i parë 2021 në 2025 lindjet në të gjithë vendin kanë shënuar rënie me 26 %. Ritmet e rënies së lindjeve në shkallë vendi janë përshpejtuar pas pandemisë. Duke marrë në krahasim vetëm të dhënat për tremujorin e parë, vërehet numri i foshnjave në tremujorin e parë 2019 ishte 15 për qind më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit 2011. Të dhënat tregojnë se pas pandemisë sidomos me 2025 lindjet kanë pësuar rënie të fortë në të gjitha qarqet.

Në zonat e Veriut lindjet po bien më shpejt. Kukësi pavarësisht se renditet me varësinë më të lartë të popullsisë së re në moshe, pësoi rënien më të madhe të lindjeve në rang vendi në më shumë se 22 % në tremujorin e parë 2025 (shiko grafikun bashkëngjitur).

Kukësi dhe Dibra, territore të varfra u përballën në dekadën e fundit me valë të lartë emigrimi. Për pasojë lindjet ne këto zona bien në mbi një të pestën brenda një viti raportoi INSTAT.

Rënie të fortë kanë pësuar edhe lindjet në Tiranë. Kryeqyteti ka ende fluks të fuqishëm migrimi të brendshëm, por kostoja e lartë e jetesës, çmimet e banesave dhe trendët me më pak fëmijë e kanë ulur fertilitetin. Tirana është i vetmi qark që ka kontrast, pasi popullsia është në rritje dhe po përjeton rënie të fortë të lindjeve. Në tremujorin e parë 2025 Tirana ishte e dyta në rang vendi për rënien e lindjeve me 18%.

Qarqet bregdetare dhe jugore kanë rënie më të butë të lindjeve. Vlora, Gjirokastra dhe Berati shënojnë ulje njëshifrore, pasi kishin përjetuar rënie të forta vitet e mëparshme dhe prej vitesh kanë popullsi të plakur.Megjithëse vendi po përjeton rritje ekonomike kjo nuk po reflektohet në përmirësimin e treguesve demografike. Rritja e ekonomike dhe rënia e lindjeve po shkojnë në përpjesëtim të zhdrejtë.

E vetmja politike pro-lindje që njihet si bonusi i bebeve 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 për të dytin, 120 mijë për të tretin, duket së është një vlerë simbolike krahasuar me koston reale të rritjes së një fëmije. Në shumicën e rasteve, kostot e banesave, të arsimit privat dhe pasiguria e tregut të punës pengojnë çiftet e reja të sjellin në jetë fëmijë./ Monitor

Atë Sergi, “mëkati i krenarisë”

Nga Agim Baçi

Njeriu dhe mëkati. Beteja ka nisur kur njeriu hodhi hapin e parë. Rrugët përballë i ndan një fill i hollë, e kufiri i vetëm mbetet ndoshta te një pyetje që duhet ta bëjmë për të kuptuar më pas edhe përgjigjet – kur e kuptojmë botën, kur i kemi kthyer sytë te vetja apo te të tjerët?
Nuk ka nevojë për përgjigje me zë të lartë, sepse vetëm zemra mundet t’ia numërojë rrahjet rrugës së cilës kërkon t’i dish emrin.
Leon Tolstoi ka pikturuar krenarinë e hipur mbi kalin që duhet ta shohin të tjerët teksa trokëllin kur merr udhën, kur hapat e kanë kërcitjen për veshin tjetër, për syrin tjetër, për historinë që duhet të të thurin kur je gjallë e pas vdekjes. Një kalë që, vrapon të të largojë sa më shumë nga ajo shtëpizë brenda kraharorit tënd, brenda qenies tënde, por që thjesht krijon disa largësi të rreme.
Togeri Stepan Kasatskin kapërceu derën e Kishës, për t’u futur në rrobën e murgut, kur kuptoi se nuk mund të ishte ai që kish menduar në rrugën e tij drejt ngjitjes para botës. Krenaria e mori përdore dhe e drejtoi në shtegun e zhvlerësimit të dashurinë së nëpërkëmbur. Po përse? Sepse e fejuara, kontesha Korotkova, me të cilën ai krijoi njohjen, me qëllimin për t’u bërë i pranuar në oborrin e shoqërisë mondane, ishte dashnorja e perandorit Nikollai Pavlloviçit. Por ç’mund të ndodhë kur rrugën drejt Zotit e nis me llogaritë për të kërkuar t’i tregosh të tjerëve veçse krenarinë pa zemrën, për të bërë gjithçka që të tjerët të flasin vetëm për ty?
“…Ai zgjodhi rrugën e manastirit për të qenë më lart se ata që deshin t’i tregonin se qëndronin më lart se ai”, shprehet motra e Kasatskinit kur ai vendos të bëhet murg menjëherë sapo e fejuara i rrëfen historinë me perandorin. (“Atë Sergi”, L. N. Tolstoi, f. 13, botim 1992, përktheu J. Doksani).
Ajo perde që duket aq e hollë në fillim, kur ti kërkon gjithçka ta bësh që të biesh në sy, nis e thuret përditë si një gardh mes teje dhe zemrës tënde. Kështu ndodh me togerin e Tolstoit. Përballja me epshin është aty, e ai e lufton përditë. Ia di fuqinë. I ruhet. Kërkon të japë nga trupi i tij, nga gjaku i tij, që epshi të mos e përshkruajë në zemër. Por, ende ka diçka që nuk ka mundur ta mposhtë: epshi për të bërë një veprim për të rënë në sy mbi të tjerët– ndoshta epshi më i vështirë se gjithëçka tjetër me të cilën përballet njeriu në këtë botë. Ajo krenari për të mos pranuar se ka humbur është ende e fortë brenda tij, duke qëndruar si një portë e hapur për mëkatin.
Por, mëkati nga mendjemadhësia, nga pafuqia për të falur dikë, apo edhe për të pranuar të të ndihmojnë e të falin të tjerët, qëndron aty, për sa kohë nuk ke dashur ta lexosh mrekullinë që vjen nga rruga drejt vetes. Madje, edhe vetëgjymtimi, si i Atë Sergit, për t’i shpëtuar mëkatit me zonjëzën që donte medoemos ta provokonte, nuk e ngre dot britmën deri brenda zemrës. Sepse nëse nisim një rrugë drejt Atij, pa ndërmjetës, pa pasur nevojë as për veshë e sy të tjerë, kemi nevojë të kalojmë nga shtegu mes faljes e pendimit.
Një novelë që sjell para nesh portretin e krenarisë tone për botën. Të paktën deri në momentin kur Atë Sergi përballet me atë që nuk e ka besuar kurrë se është e vërteta, por që e ka patur pranë që në fëmijëri – me Pashenkën që ka tentuar ta tallë e ta shohë si të kotë. Vetëm kur ndeshet me të, me përulësinë e saj, ai nis të lëvizë perden që e kish penguar gjithnjë zemrën të ecte në rrugën e krenarisë pa mëkatin e mendjemadhësisë.
E sa të tillë janë të padukshëm në mirësitë e tyre, rreth e rrotull nesh, pa fjetur në shtrat krenarie? Shumë, mund të jenë më shumë se sa mendojmë, përderisa miliona buzëqeshje tek ne shkaktohen nga “gjërat që nuk i dimë si na erdhën”. Është shpesh Fati me fytyrën e të pamenduarit që na bën shpesh të ndryshojmë në jetën tonë.
“Ja pra, ç’domethënie pati ajo ëndrra ime. Pashenka është njeriu që duhej të isha unë, por që nuk isha. Unë rrojta për njerëzit i fshehur prapa Zotit, ajo rron për Zotin, dhe i duket se rron për njerëzit. Po, një punë e mirë, një gotë ujë që jepet pa bërë hesap shpërblimin, është më e shtrenjtë se bamirësitë e mia drejtuar njerëzve”. (“Atë Sergi”, L. N. Tolstoi, f. 65-66, botim 1992, përktheu J. Doksani).
Një novelë që ja vlen lexohet e rilexohet, sepse arrin të ndërtojë pyetje që kanë nevojë për përgjigje. Sepse, për të kuptuar veten dhe ata që duam t’i kemi pranë, është e rëndësishme të nisim të pyesim: A jemi gati të përballemi me krenarinë tonë për jetën e kësaj bote?
Por, a e kemi zemrën “në vendin e duhur” për të dhënë përgjigje?

Detaje nga operacioni/ Grupi kriminal përdorte në biseda pseudonime për çdo anëtarë

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me operacionin “Ura” që po zhvillohet në Shqipëri dhe Itali kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës. Në kuadër të operacionit janë lëshuar 52 urdhërarreste në të dy shtetet ndërsa janë zbuluae detaje se si anëtarë e këtij grupi kriminal i drejtoheshin njëri-tjetrit.

Në bisedat e përgjuara zbulohet se anëtarët e grupeve kishin etiketime të ndryshme për anëtarë të ndryshëm të bandës ndërsa disa prej tyre kishin më shumë se një pseudonim. Adi Coba, person që u bë shkak për nisjen e hetimeve etiketohej me emrat, detto “Bazholi”, “bisha”, “i shëndoshi”, “cigani”.

Francesca Caputtim shtetase italine pjesë e këtij grupi njihej me pseudonimin “Gjyshja”, ndërsa ‘halla’ ishte Serafina Palazzo. Nuredin Kipitiu njihej me pseudonimet “Nuro”, “Pacurri”, “Cigani”, “Blaki” ose “Dino” . Rigels Presi, njihej ndryshe me pseudonimet “Gelsi”, “Seriali” ose “Miki”. ‘Ati i asaj’ është një tjetër pseudonim i vendosur ndaj një shtetasi italian, pjesë e grupit kriminal, Giovanni Signorile.

Operacioni i madh kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës, po zhvillohet nga Drejtoria e Hetimit Antimafia e Barit dhe Autoritetet Shqiptare, me ndihmën e Interpolit, Zyrës së Ekspertëve të Sigurisë së Tiranës dhe Policisë së Shqipërisë. Urdhrat u lëshuan nga Gjyqtari për Hetimet Paraprake të Barit dhe nga Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO). Operacioni u nis nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Barit dhe SPAK, me koordinimin e Eurojust (Hagë) dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm të Romës.

Bëhet me dije se urdhra për sekuestrim të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme janë ekzekutuar gjithashtu në Shqipëri dhe Itali, ndërsa vlera e tyre arrin në disa milionë euro. Hetimet janë pjesë e një projekti më të gjerë hetimor të DDA-së së Barit dhe SPAK-ut që synon luftimin e trafikut të pandërprerë ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, të menaxhuar nga organizatat kriminale shqiptare, të cilat lëvizin sasi të mëdha heroine dhe kokaine midis Ballkanit, Evropës Veriore dhe Puglias.

Studim: Çrregullimet mendore dhe obeziteti kërcënojnë adoleshentët! Shkencëtarët ngrenë alarmin: Deri në 2030-ën gjysma e të rinjve do të përballen me probleme serioze

Shkencëtarët kanë ngritur alarmin për shëndetin mendor dhe obezitetin që po kërcënon adoleshentët në kohët e sotme.

 

Një studim i botuar në revistën “The Lancet” thotë se shëndeti i adoleshentëve është në një “pikë kritike”. Ata theksojnë se pa ndërmmarrjen e veprime të synuara, deri në vitin 2030 të paktën gjysma e adoleshentëve në botë do të jenë në rrezik të përballen me probleme serioze shëndetësore.

Raporti i dytë i Komisionit “Lancet” mbi Shëndetin dhe Mirëqenien e Adoleshentëve thekson se adoleshentët e sotëm, brezi i parë që rritet në kushte më të ashpra klimatike dhe në praninë e përhapur të teknologjive dixhitale, përballen me kërcënime globale shëndetësore në mënyrë disproporcionale.

Raporti konstaton se gjatë dekadës së fundit, mirëqenien e adoleshentëve ka qenë e pabarabartë

Obeziteti u rrit tetëfish

Mbipesha dhe obeziteti janë rritur tetëfish në disa vende afrikane dhe aziatike gjatë tre dekadave të fundit, ndërsa parashikimet tregojnë se deri në vitin 2030, 464 milionë adoleshentë në të gjithë botën do të jenë mbipeshë ose obezë (143 milionë më shumë se në vitin 2015).

Në fushën e shëndetit mendor, Komisioni parashikon që në vitin 2030 do të humbasin 42 milionë vjet jetë të shëndetshme për shkak të çrregullimeve mendore ose vetëvrasjeve (dy milionë më shumë se në vitin 2015).

Deri në vitin 2030, vlerësohet se mbi një miliard adoleshentë në botë, të moshës 10-24 vjeç, do të jetojnë ende në vende ku problemet e parandalueshme dhe të trajtueshme, të tilla si HIV/AIDS, shtatzënia e hershme, depresioni, ushqyerja e e keqe dhe lëndimet, së bashku kërcënojnë shëndetin dhe mirëqenien e adoleshentëve.

Në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, adoleshentët përbëjnë mbi një të katërtën e popullsisë dhe mbajnë një pjesë disproporcionale të barrës globale të sëmundjeve (9.1%), megjithatë ata marrin vetëm 2.4% të ndihmës globale për zhvillim.

Së fundmi, Komisioni nënvizon se tranzicioni digjital u ofron adoleshentëve mundësi të reja për arsim, punësim, promovim shëndetësor dhe ndërveprim shoqëror.

Megjithatë, shumë përvoja të rëndësishme sociale dhe emocionale tani ndodhin në internet, duke ngritur shqetësime për dëme të mundshme për zhvillimin dhe mirëqenien e tyre.

Vërehet se adoleshentët dhe të rinjtë nga më shumë se 36 vende luajtën një rol qendror në formimin e Komitetit, i cili u bën thirrje të rinjve të kërkojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në formulimin e politikave, kërkimin dhe promovimin e zgjidhjeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre.

Kryediplomatja evropiane tur në Ballkanin Perëndimorë! Kaja Kallas do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, do ta vizitojë Kosovën më 22 maj, në kuadër të një turneu që do ta nisë më 21 maj në Ballkanin Perëndimor, ka bërë të ditur Shërbimi Diplomatik i BE-së.

Kaja Kallas.Kallas do të udhëtojë edhe në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut gjatë vizitës së saj të dytë në rajon, ka njoftuar Brukseli, të

mërkurën.
“Në Kosovë, përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile”, thuhet në një njoftim të BE-së.

Shefja e diplomacisë evropiane ka planifikuar të mbajë edhe një konferencë për media, më 22 maj.

Kallas do ta vizitojë Kosovën në kohën kur autoritetet kosovare po përsërisin thirrjet për heqjen e masave ndaj vendit nga ana e BE-së, madje kanë kërkuar që kjo të ndodhë para vazhdimit të dialogut për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë.

BE-ja, në anën tjetër, ka kërkuar shtensionim situate në Kosovë, teksa Kosova po vazhdon me mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, gjë që ka nxitur reagimin e Brukselit.

Në Prishtinë, Kallas pritet të vizitojë edhe Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si dhe komandantin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, Enrico Barduani.

Vizita e Kallasit në Prishtinë këtë javë ishte paralajmëruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se për shkak të vizitës së saj të planifikuar zyrtare në Zvicër nuk do të mund ta priste kryediplomaten evropiane në Kosovë.

Para vizitës në Kosovë, Kallas do të qëndrojë në Serbi. BE-ja ka njoftuar se Kallas do ta takojë në Beograd presidentin Aleksandar Vuçiq, kryeministrin Gjuro Macut, si dhe ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq, atë për Integrime Evropiane, Nemanja Staroviq, dhe kryetaren e Kuvendit, Ana Bërnabiq, dhe grupet parlamentare opozitare.

Ndërkaq, kryediplomatja evropiane në Shkup do ta takojë kryeministrin Hristijan Mickoski, ka bërë të ditur Brukseli.

Në kryeqendrën maqedonase, Kallas “do ta hapë Dialogun e parë për Siguri dhe Mbrojtje ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut me ministrin për Punë të Jashtme dhe Tregti, Timço Mucunski”, ka njoftuar Shërbimi Diplomatik i BE-së./REL/

“Janë 30 episode të trafikut të drogës të dokumentuara” – Klodiana Lala flet për operacionin e SPAK dhe antimafias italiane dhe SPAK: Grupi kriminal ka kryer dhe atentate në Durrës

Gazetarja Klodjana Lala foli pasditen e sotme në News 24 për operacionin “Ura” të zhvilluar nga SPAK dhe antimafia italiane që çoi në lëshimin e 52 urdhër arreste për një grup kriminal i përfshirë në trafikun e drogës nga Ekuadori drejt Shqipërisë e më pas drejt vendeve të BE-së.

 

Lala thekson se indicie kanë qenë dëshmitë e Nuredin Dumanit dhe më pas vëzhgimet e antimafias italiane, që zbuluan 30 episode të trafikut të drogës, teksa paratë jepeshin në një autobus jeshil që qarkullonte në Durrës.

“Trafik i kokainës nga Amerika Latine drejt BE, ka të bëjë me pastrimin e parave. Bëhet fjalë për sasi të madhe parash. Një prej kompanive edhe një televizion në Vlorë. Ka dhe i sh zyrtarët të policisë. Kanë qenë oficerë në detyrë kur janë kryer veprat penale. Avokati ka qenë anëtar i këshillit bashkiak në Durrës. Altin Morina anëtar i grupit kriminal, efektivi ka raste korrupsioni, ishte në kufi. SPAK ka patur në duar, në bazë të dëshmisë së Nuredin Dumanit. Duke e kryqëzuar me aplikacionin Sky Ec dhe vëzhgimet në terren. Grupi ka bazën në Durrës. Bëhet fjalë për personazhe të rëndësishëm. Ka disa shoqëri në sekuestro.”

Më tej Lala dha detaje se si grupi pastronte paratë e drogës përmes kompanive të ndryshme, mes tyre edhe një televizion lokal në qytetin e Vlorës.

“Televizioni lokal në Vlorë, rezulton se aktiviteti financiar rrjedh nga trafiku kriminal. Ka dhe personazhe të tjerë me rol aktiv. Bëhet fjalë për personazhe, Nerjaku i njohur, emra që i njoh si gazetare kronike. Ervis Dedi rezulton thembra e Akilit. Një grup kriminal nuk mund të jetë i suksesshëm nëse nuk ka pastrimin e parave. Në gjithë këtë histori ka një argument. Paratë e trafikut të drogës, vinin përmes linjës së transportit, ka një autobus jeshil nga pamjet që kalon në mes të qytetit. Janë 30 episode të trafikut të kokainës dhe heroinës, me pamje, paratë numërohen. Paratë në një moment janë vendosur me shifra. Janë dhe para të vjetra. Vinin përmes linjës së udhëtarëve dhe investoheshin në këto kompani. Bëhet fjalë për një shoqëri transporti në qytetin e Fierit. Paratë kanë ardhur në këtë mënyrë dhe janë investuar. Grupi kriminal kishte shkuar deri në investimin në kriptomonedha.”

Mes urdhër-arresteve ishte dhe emri i Elvis Doçit, apo Visit të Pojës siç njihet në Durrës.

“Në mesin e të gjithave shikoje se cila pako është pikërisht ndahej sipas grupeve kriminale. Në bazën e Durrësit, te Elvis Doçi u sekuestruar para 1 muaj e gjysëm një shumë e madhe parash. Në atë kohë kishte të bënte me një aksion të disa grupeve kriminale.”

Grupi i Doçit thekson Lala ka kohë që operon në trafikun e drogës.

“Ke të dhëna sa i përket kodeve të drogës. Grupi i Doçit, ka një kohë të gjatë që operon në trafikun e drogës. Të paktën 2-0 vjet. Janë dokumentuar 30 episode të trafikut të drogës dhe kokainës. Ka qenë një punë e përbashkët, fantastike do thoja. Pas çdo episodi ka para, sasi të drogës, bizhu të shtrenjta. Është e gjitha e plotësuar. Ajo që duhet të themi, ky grupim kriminal nuk është një grup kriminal i ndalur te trafiku i drogës. Por edhe në aktivitet kriminale, në atentate në qytetin e Durrësit. Mendoj se ky hetim është vetëm ngritja e siparit të gjithë aktivitetit kriminal, që do dojë një kohë të gjatë. Po të dëgjosh prokurorin, një prej eksponentëve e kishte në përgjim DEA amerikane.

Janë duke vijuar hetimet në drejtim të personave të tjerë të dyshuar në përfshirje.”

Zyrtarët amerikanë: Izraeli mund të godasë objektet bërthamore të Iranit

Izraeli mund të godasë objektet bërthamore të Iranit. CNN, duke cituar inteligjencën amerikane dhe sipas zyrtarëve amerikanë, shprehet se një sulm i tillë do të shënonte një shkëputje të guximshme nga politika e mëparshme e Trump dhe mund të ndezë një konflikt rajonal në Lindjen e Mesme – diçka që SHBA-ja është e angazhuar për ta shmangur.

c-gettyimages-2207328934

Mbetet e paqartë nëse udhëheqësit izraelitë kanë marrë një vendim përfundimtar. Megjithatë, gjasat për një skenar të tillë janë rritur ndjeshëm muajt e fundit.

Më herët, Ajatollah Khamenei i quajti kërkesat e Trump për të çmontuar programin bërthamor të Iranit “të pakuptimta”.

Khamenei theksoi se Teherani nuk do t’i kërkojë askujt lejen për pasurimin e uraniumit për qëllime paqësore dhe i përshkroi kushtet e vendosura nga SHBA si krejtësisht të papranueshme.

Pas muajsh mbështetjeje të qartë, mediat amerikane kanë filluar të pasqyrojnë zhgënjimin në rritje në Shtëpinë e Bardhë me veprimet e qeverisë izraelite. Burimet thonë se presidenti “nuk është i emocionuar” me sjelljen e kryeministrit dhe mund të rishikojë qasjen e tij ndaj konfliktit.

Ndërkohë, delegacioni izraelit po kthehet nga Katari – një shenjë se negociatat me Hamasin për lirimin e pengjeve kanë dështuar.