21.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Kush ja rekomandoi Edi Ramës kryetaren e AZHT, motrën e dy banditëve të Suel Çelës?!

Krimi duket se ka shtrirë tentakulat kudo në qeverisjen e Edi Ramës. Ndonëse Babloku del dhe na mburret se në vitin 2030 do hyjnë në BE, nga dita në ditë po dalin fakte se PS po qeveris në aleancë me bandat. Nga Veriu në Jug krimi po bën ligjin dhe kjo falë njerëzve të tyre të implikuar në ministri, bashki dhe drejtori.

Një gjë të tillë e vërtetoi edhe Prokuroria e Posaçme ditën e sotme, e cila zbardhi detaje nga aksioni në Elbasan, ku u godit banda e Suel Çelës. Mes 21 emrave të akuzuar janë dhe Marsel dhe Xhino Roka. Në fakt ata janë vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka.

Zonja në fjalë e ka marrë detyrën në fillimit të nëntorit të vitit 2023, duke zëvendësuar në këtë post Ledia Totën. Roka u katapultua nga juriste në kompaninë e çimentos në Fushë Krujë, në drejtoreshë në AZHT. Pyetja që shtrohet është: Kush ja rekomandoi Edi Ramës emërimin e motrës së dy kriminelëve të bandës së Suel Çelës?

Kush ja rekomandoi Edi Ramës kryetaren e AZHT, motrën e dy

Marsel dhe Xhino Roka

Marjus Lulaj alias Suel Çela është identifikuar si drejtuesi i organizatës, përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si; Mario Çela, Fuad Verzivolli, Bujar Shega, Klaus Matishi alias  Kledjan Çopja, Xhino Roka etj ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve”, tha SPAK.

Edhe pse Babloku deklaron se kushdo që ka ngrënë kumbulla pas shpine duhet të mbajë përgjegjësi personale, duket sikur po shtohen shumë emrat e lidhur me krimin. Rrahman Rrajën e hoqi pasi e përdori për të mbledhur vota. Jurgis Çyrbja na doli jo i lidhur me bandat, por pjesë e tyre dhe një emër mjaft i rëndësishëm te bandat e Shijakut.

Motra e Nuredin Dumanit, ishte punonjësi në Ministrinë e Jashtme. Jo vetëm kaq, por ishte te seksioni për marrëdhëniet me NATO, ku kishte në dorë sekrete shtetërore.

Tani na doli se edhe motra e vëllezërve Roka qenka pjesë e Rilindjes dhe jo në post dosido, por drejtoreshë e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.

Në vitin 2017, kjo agjenci kaloi në varësi të vetë Kryeministrit dhe sipas VKM-së, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Pra zonja, është emëruar me firmën e kryeministrit. Ajo ka si detyrë të zbatojë vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit, pra me pak fjalë është ajo që merret me lejet e ndërtimit. Dhe nuk është çudi që bandat po pastrojnë paratë përmes kullave dhe raporteve, pasi në një prej institucioneve kyçe është motra e dy personazheve të rëndësishëm të botës së krimit. /Pamfleti

Mirela Karabina: Elbasani paska qenë plotësisht nën thundrën e krimit

Nga Mirela Karabina

Goditja nga SPAK e grupit të strukturuar kriminal nga Elbasani, është një lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e Elbasanit, por jo vetëm. Eshtë një lajm sa tronditës për nga përbërja e grupit të përfshirë në krim por dhe shpresëdhënës. Integriteti i këtij institucioni për të godiur grupet kriminale dhe politikanë të korruptuar është shërbimi më i madh që po i bëhet popullit shqiptar në këto 34 vite.

Do të kishte qenë e bukur sikur sot të kishim një marshim qytetar në mbështetje të këtyre prokurorëve të ndershëm, që po përplasen ballazi me krimin 34 vjeçar.

Çdo përpjekje tjetër për ta zbehur këtë aksion, përballë megaoperacionit SPAK, janë thjesht karavidhe shporte.

Por, Elbasani është djepi i arsimit dhe duhet t’i kthehet kjo qasje dhe kjo krenari.
Dituria dhe mësuesia jo rastësisht lindi në Elbasan, në qytetin e njerëzve të urtë e fisnikë, patriotëve dhe gjuhëtarëve, në qytetin e luleve të verës dhe portokallave.

Dhe, falë SPAK e GJKKO dhe alternativës më të mirë qeverisëse së Demokratëve Euroatlantikë, qytetit do t’i kthehet shkëlqimi dhe dinjiteti.
Elbasanasit meritojnë të jetojnë të qetë dhe me dinjitet!

Foto: Qendra e Elbasanit dikur, tani është qytet grumbull-betoni.

Suel Çela ndikoi tek Ilir Meta për të rikthyer Pajtime Fetahun në gjyqësor

Dosja e SPAK për grupin kriminal të Suel Çelës në Elbasan vizaton qartë kapjen e frikshme të Gjykatës së Elbasanit nga krimi i organizuar.

Në biseda të lira, Pajtime Fetah i drejtohet Suel Çelës me epitetet si; ‘Ylli i sabahut’, ‘dritë’, ‘zemër’, ‘vetëm ty të kam’, ‘jetë’, ‘fllad’ etj., ndërsa Çela është më i përmbajtshëm, por tejet i qartë në synimet e tij, duke përdorur gjyqtaren për mbylljen e dosjeve të tij dhe të ushtarëve, për të vijuar ndërmarrjen kriminale.

Mes të tjerash, Suel Çela thotë se ai është angazhuar për të rikthyer Pajtime Fetah në gjyqësor pas pezullimit, pasi Likja (Ilir Meta) nuk e fuste në rendin e ditës. Pra, Suel Çela pretendon se ka ndikuar tek Ilir Meta për t’i hapur rrugë rikthimit në sistem të Pajtime Fetahut, një gjyqtare me natyrë mafioze, pasi kishte porositur goditjen fizike të gazetarit Saimir Kodra dhe të avokatit Arben Llangozi.

Thëniet e Suel Çelës, të përftuara nga SPAK falë zbërthimit të aplikacionit SkyEcc, përputhen me veprime konkrete të Ilir Metës, kur ishte në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për shkak të funksionit si President i Republikës.

Në shkurt të vitit 2017, Këshilli i Lartë i Drejtësisë pezulloi nga detyra dhe filloi procedimin disiplinor për gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetah, pasi dyshohej se kishte kryer akte dhe sjellje që diskretitojnë figurën e gjyqtarit. Pezullimi i gjyqtares Fetahu erdhi pas publikimit në emisionin investigativ “Stop” me 31 janar 2017, të një numëri përgjimesh të një qytetari me gjyqtaren dhe një punonjës policie, ku shfaqeshin duke bërë pazare. Gjyqtarja kërkonte 2 mijë euro për lirimin e një të burgosuri me emrin Kristjan Leka.

Në shtator të po atij viti (2017) Prokuroria e Krimeve të Rënda pushoi çështjen penale për gjyqtaren, me arsyetimin se nuk u provua përfshirja e gjyqtaret në korrupsion. Çështja për dy sekserët u transferua në prokurorinë e zakonshme.

Me mbylljen e dosjes, Pajtime Fetah kërkoi rikthimin në sistem si gjyqtare, rikthim që kalonte përmes Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili operonte me dy standarde. Kujtojmë këtu pengimin pa arsye të Ina Ramës për t’u kthyer në sistem pasi i mbaroi mandatin si kryeprokurore edhe pse kishte futuar betejën gjyqësore me vendim të formës së prerë.

Nga maji 2017 deri në maji 2018, KLD-ja nuk përfshiu në rendin e ditës kërkesën e Pajtime Fetah për të marrë edhe një herë në dorë çekiçin e drejtësisë. KLD-ja drejtohej pikërisht nga Ilir Meta që nga data 24 korrik 2017 kur u betua si President.

Në maj të vitit 2018, Ilir Meta i hapi rrugë rikthimit të Pajtime Fetah në gjyqësor. Por që Meta të vihej në lëvizje është dashur ‘dora’ e Suel Çelës. Se kush është fuqia që vë në lëvizje Ilir Metën këtë e tregoi një video-skandal i publikuar nga Dritan Prifti në vitin 2011, por po aq qartë e dëshmon dosja e SPAK për korrupsionin e tij 25-vjeçar.

Ndërkaq, në nëntor të vitit 2021, Pajtime Fetah iu nënshtrua një tjetër procedimi disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për cënim të figurës së gjyqtarit dhe paanshmërisë në gjykim, ndërsa KLGJ aplikoi ndaj saj masën e uljes së pagës me 20%.

Hetimi nisi pas publikimit disa fakteve të transmetuara në emisionin investigativ ‘STOP‘ të TV Klan, më 31.01.2017, që diskreditonin rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, ku pretendohej se magjistratja kundrejt një shume monetare kishte marrë përsipër aplikimin e minimumit të dënimit për një të pandehur në paraburgim, që akuzohej për tre vepra penale. Ndoshta kjo është edhe arsyeja se pse Pajtime Fetah kërkonte ‘kokën’ e drejtuesit të emisionit Saimir Kodra./Shqiptarja.com

Pesë vite nga tërmeti/ Sabah Sheta: Qeveria po mashtron qytetarët e Krujës, shtëpitë janë të gatshme, por nuk i fusin brenda

Sabah Sheta, Kryetar i Degës së Demokratëve Euroatlantikë në Krujë, ka reaguar për situatën pas tërmetit të vitit 2019, duke theksuar vështirësitë që po përjetojnë edhe pas 5 vitesh që kur ra ky tërmet.

Ai tha se, edhe pse janë ndërtuar pallatet dhe janë rregulluar shtëpitë, shumë familje ende nuk janë vendosur në ato banesa. Sheta kritikoi qeverinë për dështimin në realizimin e premtimeve për shpërndarjen e çelësave dhe bonusin e qerasë, që sipas tij ka munguar për dy vjet.

Ai shprehet se është e papranueshme që qytetarët të jenë pa strehë ndërkohë që shtëpitë janë të gatshme. Më tej Sheta akuzon qeverinë se do t’i shfrytëzojë hyrjet për qëllime elektorale në vitin 2025.

Reagimi i kryetarit të degës të Demokratëve Euroatlantikë në Krujë, Sabah Sheta:

Në radhë të parë dua të përshëndes familjet e të gjithë atyre njerëzve që humbën jetën, t’i ngushëlloj, se vetëm ngushëllimi na ka mbetur neve dhe t’i uroj më të mirat në jetë. Tani, ka 5 vite që ra ky tërmet për të keqen e këtyre njerëzve, për hallet e tyre që kishin dhe ky ishte një hall më vete. Qeveria e mori një angazhim që për dy vite, për tre vite maksimumi, duhet të futen nëpër shtëpia. Kemi në Krujë shumë familje që kanë dy vite që nuk marrin bonus qeraje dhe as në shtëpi nuk futen. Ka 6-7 muaj që janë ndërtuar pallatet, ka ardhur dhe kryeministri vet i ka inaguruar dhe akoma vazhdon po e njëjta histori. Biles atë ditë ishin njerëzit që kërkonin çelësat. Meqë u ndërtuan, u rregulluan, i kërkonin çelësat që të hynin brenda, janë në hall. Njerëzit nuk e dinë se çfarë bën qeveria, njerëzit nuk e kuptojnë se qeveria po puno për 2025-ës që t’i mashtrojë prapë për fushatë. Por të paktën këta qeveritarë të mendojnë diçka njerëzore. A kanë shpirt, a kanë familje vet, a e ndjejnë ndonjëherë që t’i lësh njerëzit pa shtëpi kur shtëpia është e rregulluar. Shtëpitë janë të rregulluara ka 6, 7 muaj, pse nuk i fusin brenda? Apo po presin që të vijnë zgjedhjet e 2025-ës.
Kanë dy vite që këta nuk marrin bonus qeraje. Dhe mirë që nuk marrin bonus qeraje. Sepse edhe këto bonuset e qerasë jepen nga taksat tona, nuk jepen nga paret e shtetit. Se ata shtetarë dinë vetëm me vjedh, nuk dinë të japin ndonjëherë. Prandaj këto janë taksat e këtyre njerëzve prap. Ka 6 muaj që kanë mbaruar pallatet dhe këto 6 muaj u kanë hequr edhe bonusin.
Ka vetëm 2-3 pallate që nuk janë përfunduar, por pjesa më e madhe janë të përfunduar. Këta që janë të përfunduar familjet duhejt të ishin futur brenda. Se erdhi me një hov të madh kryeministri, i inaguroi. Dakord, jemi shumë dakord që u bënë populli ka për t’i paguajtur prapë. Rëndësi ka që u mbaru gjëja, futi brenda. Dhe ne nuk dimë akoma, nuk kemi një listë që a janë përfitues të gjithë ata banorë, se dëgjoj fjalë që kanë ngel disa banorë pa shtëpi. Ne nuk kemi një listë, pra të shpërndahet një listë nga bashkia duke sqaruar që janë kaq familje që janë dëmtuar dhe janë bërë kaq hyrje pallatesh. A plotësohen të gjitha familjet apo nuk plotësohen. Se mund të na dali një tjetër problem nesër, mund të na ngelin njerëzit edhe pa shtëpia. Prandaj unë i bëj thirrje të nxjerrin listën. Se unë komunikoj dhe me njerëzit dhe disa kanë frikë se mund t’i lënë pa shtëpi. Thu se ata i kanë shtëpiat e veta, i kanë privati, i kanë sikur i japin nga xhepi i vet, nga familja e vet. Prandaj unë i bëj thirrje shtetit të marrë masat sa më shpejt të fus njerëzit në shtëpi. Më shumë ua kërkoj njerëzisht.

SPAK ‘zbërtheu’ bandën e Suel Çelës! Në pranga Xhino dhe Marsel Roka, dy vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka

SPAK i ka dhënë një goditje të fortë njërës prej bandave më të rrezikshme në qytetin e Elbasanit, por që operonte dhe në tregjet ndërkombëtare të drogës. Behet fjalë për bandën që drejtohej nga Suel Çela, i njohur ndryshe dhe me emrin Marjus Lulaj.

Në prangat e megaoperacionit të SPAK kanë rënë vëllezërit, Marsel dhe Xhino Roka, të cilët kishin poste të rëndësishme në hierarkinë e bandës së Suel Çelës. Burime nga SPAK bëjnë me dije se Xhino dhe Marsel Roka janë vëllezërit e Adelajda Rokës, e cila u emëruar në krye të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, rreth një vite më parë.

Kjo është një ndër agjencinë më të rëndësishme të institucioneve shtetërore dhe është përgjegjëse për dhënien e lejeve të ndërtimit në territorin e Shqipërisë.

Xhino dhe Marsel Roka
Xhino dhe Marsel Roka

Në njoftimin e SPAK thuhet se: “Shtetasi Marsel Lulaj (alias Suel Çela.) është identifikuar si drejtuesi i organizatës, përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si;  Mario Çela. Fuad Verzivolli, Bujar Shega, Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja), Xhino Roka.etj ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve”..

Adelajda Roka

Rrjeti i trafikut ndërkombëtar të kokainës

Organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës duke bashkuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine. Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me grupe kriminale vendase në Amerikën Latine.

Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion shtetet si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës në tregun e narkotikëve në Evropë. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp,  Roterdam etj., të cilët shpesh shërbenin si pika kyçe për trafikun e saj në tregun evropian. Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.

Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej:

  1. Në blerjen e lëndës narkotike
  2. Në gjendje cash-i në Shqipëri
  3. Në biznese në dukje të rregullt
  4. Për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit

 Arrest me burg

Marjus Lulaj (alias Suel Çela)

Mario Çela

Xhino Roka

Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja)

Sergej Hasanpapaj

Bruno Hazizolli

Ledio Zabeli

Marsel Roka

Ado Xhika (alias Elkier Cerriku alias Ado Cerriku)

Preke Kodra

Fuad Verzivolli

Metin Mehjam

Renato Hasani

Skender Sufaj

Pajtime Fetau

Dedan Gjoni

Marsel Shega (alias Bujar Shega)

Hajdar Lala (alias Hajdar Xaka alias Hajdar Sefa)

Arrest shtëpie

Blerina Beqiri

Detyrim paraqitje

Elton Qyno

Artan Hoxha

Qeveria qendrore dhe bashkitë të zhytura në borxhe, rritet stoku i detyrimeve të prapambetura

Qeveria qendrore dhe bashkitë nuk po shpëtojnë dot nga borxhet. Detyrimet e prapambetura janë rritur sërish, duke u kthyer në një problem për financat publike.

Qeveria qendrore dhe bashkitë të zhytura në borxhe, rritet stoku

Të dhënat tregojnë se në shtator, stoku i këtyre borxheve arriti në 10.5 miliardë lekë, me rritje 2.7 miliardë kundrejt fundit të vitit të kaluar.

Por kush po krijon detyrime të reja?

Qeveria qendrore dhe bashkitë të zhytura në borxhe, rritet stoku

Rezulton se në këtë periudhë më problem është qeveria, krejt ndryshe nga bashkitë që kanë nisur të paguajnë detyrimet e tyre të prapambetura. Nga totali i borxhit prej 10.5 miliardë lekë, 7 miliardë është i pushtetit qendror dhe vetëm 3.5 miliardë lekë ai i vendorëve.

Pjesa dërrmuese e borxheve iu detyrohet palëve të treta.

Qeveria qendrore dhe bashkitë të zhytura në borxhe, rritet stoku

Ato janë kryesisht detyrime në investime të kryera nga kompanitë private e të papaguara. Ndërkohë që në vend të dytë renditen vendimet e gjykatave për largimet e padrejta nga puna, të bëra si nga institucionet e pushtetit qendror, ashtu edhe nga bashkitë.

E këto detyrime kanë pasoja në buxhetin e institucioneve qendrore dhe bashkive, si dhe në ekonominë e vendit.

Qeveria qendrore dhe bashkitë të zhytura në borxhe, rritet stoku

Ato konsiderohen një ndër risqet për financat publike, së bashku me kontratat e Partneritetit Publik-Privat, vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar dhe borxhin publik të vendit./A2CNN

BE-ja thirrje Izraelit: Pranoni marrëveshjen e armëpushimit me Hezbollahun

Shefi i diplomacisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se “nuk ka asnjë justifikim” për Izraelin që të refuzojë zbatimin e një armëpushimi me Hezbollahun, grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

 

Borrell tha se të gjitha shqetësimet e sigurisë të Izraelit janë adresuar në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca.

Zyrtari i lartë evropian bëri thirrje për rritjen e presionit ndaj Izraelit për të mposhtur linjën ekstremiste brenda Qeverisë izraelite të cilët po refuzojnë që ta pranojnë marrëveshjen.

Duke folur në margjinat e takimit të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) në Itali, Borrell paralajmëroi se nëse marrëveshja për armëpushim nuk zbatohet “Libani do të shpërbëhet”.

Zyrtarët izraelitë thanë se kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu, do të mblidhet më 26 nëntor për të diskutuar për armëpushimin e propozuar. Në mesin e çështjeve që mbesin të pazgjidhura është një kërkesë e Izraelit për të rezervuar të drejtën për të vepruar nëse Hezbollahu shkel obligimet nga marrëveshja e re.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Borrell tha se SHBA-ja do ta udhëhiqte komitetin për zbatimin e armëpushimit, por Franca do të merrte pjesë në të me kërkesën e Libanit.

“Në marrëveshjen e propozuar, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Franca, Izraeli i ka të adresuara të gjitha shqetësimet e sigurisë. Nuk ka asnjë justifikim për moszbatimin e një armëpushimi”, tha Borrell për gazetarët.

Hezbollahu nisi sulmet në kufi kundër Izraelit më 8 tetor 2023, një ditë pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – sulmoi jugun e Izraelit, që nxiti luftën në Gazë.

Luftimet mes Hezbollahut dhe Izraelit u përshkallëzuan shtatorin e këtij viti, me Izraelin që nisi sulme masive ajrore në Liban dhe më pas nisi një ofensivë tokësore në jug të Libanit.

Hezbollahu ka gjuajtur mijëra raketa në qytetet izraelite, përfshirë rreth 250 që i lëshoi më 24 nëntor./rel

I pari qytet që shpalli pavarësinë, çfarë shkruhej në Deklaratën e Elbasanit dhe si e humbi mundësitë për t’u bërë kryeqyteti i Shqipërisë! Edit Durham: Pozita në qendër të vendit ideal për…

Qyteti i parë që shpalli pavarësinë, ishte qyteti i Elbasanit. Rrethanat historike si dhe në dakordësi me Ismail Qemalin, Aqif Pashë Biçakçiu (Elbasani) do të shpallte pavarësinë më 25 nëntor të 1912-ës, duke e bërë Elbasanin të parin qytet të Shqipërisë që shpalli mëvetësinë.

 

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë sjell Deklaratën e Pavarësisë të Elbasanit, në të cilën shkruhej: “Shpallje për vetëqeverimin e Shqipnisë. Ne, populli i Elbasanit, pa ndonjë detyrim nga jashtë apo nga brenda, por nga dëshira jonë e lirë bashkë me të gjithë qytetet e Shqipërisë po ia bëjmë të ditur gjithë botës së qytetëruar, se sot e shpallim veten tonë plotësisht të shkëputur nga Mbretëria turke, duke u rreshtuar si një komb i lirë, i cili me ndihmën e të madhit Zot, mbrojtësit të të gjitha kombeve dhe me mbrojtjen e qeverive të Europës shpall se do të qeverisë me nder, drejtësi dhe paanësi të plotë, pa bërë asnjë dallim feje apo dogme.

Çdo shqiptar ose i huaj në këtë qeveri shqiptare, do të mundë të rrojë lirisht duke i gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore. Edhe ne kemi ndërmend të rrojmë vëllezërisht edhe me shtetet fqinj, pa dashur t’u bëjmë as më të voglin dëm, por duke iu lutur të na ndihmojnë në qeverisjen tonë, sikurse na ndihmuan edhe në rrëzimin e qeverisë turke. Rroftë Shqipëria e lirë! Kështu e bëftë Zoti!”.

HISTORIA

Më 25 nëntor 1912, Elbasani shpalli i pari Pavarësinë kombëtare, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie. 35 patriotë nga Elbasani, por edhe rrethet e tjera të tij, shpallën pavarësinë e këtij qyteti në Shqipërinë e Mesme, duke ngritur të parët flamurin e Pavarësisë dhe duke i paraprirë pavarësisë së vendit në 28 Nëntor. Vështirësitë për të arritur deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ishin të shumta, pasi fati i kombit shqiptar ka kaluar nëpër disa orbita dramatike. Kryengritjet e njëpasnjëshme të shqiptarëve në vitet 1910-1911 ishin preludi i ngjarjes madhore që do të vinte më pas. Ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare.

Ajo po i afrohej Elbasanit, çka i vuri rrethet patriotike të qytetit përballë detyrës urgjente të Shpalljes së Pavarësisë me qëllim që autoritetet ushtarake serbe të viheshin para një fakti të kryer. Edhe Aqif Pashë Elbasani, si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ismail Qemalit, ndihmoi për kryengritjen e përgjithshme antiosmane në vitin 1912, si dhe në organizmin e çetës së Elbasanit.

Ai bashkë me popullin e Elbasanit dhe me mbështetjen e Ismail Qemalit ngritën flamurin kombëtar më 25 nëntor të vitit 1912, dhe shpallën të parët pavarësinë duke i treguar ushtrisë serbe që po i afrohej Elbasanit, se kishte shkelur në vise të Shqipërisë së Pavarur. Shpallja e Pavarësisë ishte nder për Elbasanin, por edhe e drejtë legjitime për vendin, që zuri dhe rolin që luajti ky qytet në shpalljen e Pavarësisë kombëtare.

PROPOZIMI

Ideja që Elbasani të ishte kryeqyteti i Shqipërisë është që para shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar. Në vitin 1910, në librin “Brenga e Ballkanit”, Edith Durham, shkruan: “Elbasani ëndërron për një të ardhme të ndritur. Pozita e tij në qendër të vendit do të ishte ideale për kryeqytet”. Pak ditë para Shpalljes së Pavarësisë, më 8 nëntor 1912, Ismail Qemali, në një intervistë, dhënë gazetës kryesore vjeneze, “Neue Freie Presse”, pyetjes së gazetarit se cili do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë, do t’i përgjigjej: “Kryeqyteti i Shqipërisë mund të ishte Elbasani për shkak të pozitës së tij qendrore, por rol të madh mund të kishte edhe Vlora…

Elbasani mund të ishte Uashingtoni, ndërsa Vlora, NjuJorku ynë”. Elbasani kryeqytet, ishte edhe kërkesë e Aqif Pashës, madje ai kishte marrë dhe premtimin e Ismail Qemalit. Kjo shprehej në një letër që Esat Pashë Toptani i dërgoi Aqif Pashës, më 8 shtator 1913, ku i kërkonte shkëputjen nga Qeverisja e Vlorës për t’iu bashkëngjitur qeverisë së tij. Përcaktimin e Elbasanit kryeqytet e përforcojnë edhe dy fakte të tjera.

Një letër që Lef Nosi, nga Vlora, ministër në qeverinë e Ismail Qemalit, i dërgonte nënës së tij më 21 Shkurt 1913, ku ndër të tjera i shkruante: “E dashuna im më. …Besoj se nuk asht për t’u vonumë ma puna, e për së shpejti do të vimë në Elbasan në Kryeqytetin e pastajshëm të Shqipniës së re….”. Po kështu, gazeta “Përlindja e Shqypnies”, organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, në numrin e datës, 3 nëntor 1913, shkruante se Princ Vidi për kryeqytet të shtetit të ri, do të zgjidhte Elbasanin. Zgjedhja do të ishte Durrësi dhe jo Elbasani, i cili e humbi mundësinë për t’u bërë kryeqytet.

Kampionët e Italisë kanë befasuar me statistikat, Interi është ekipi më i mirë në botë

Është shumë e vështirë që të krahasosh klube të vendeve të ndryshme që kurrë nuk përballen me njëra-tjetrën, por ia del që ta bëjë këtë “OPTA” me një sistem të mirëfilltë në axhornimin e të dhënave javë pas jave duke iu akorduar skuadrave pikët nga zero në 100.

Modeli klasifikon më shumë se 13 mijë skuadra ndërkombëtare. Por cilat janë skuadrat më të mira në botë për momentin? Në krye të klasifikimit është një ekip italian, Interi, që në fakt duhet ta ndajë podiumin me ekipin e Liverpulit dhe të dyja kanë nga 100 pikë të plota.

INTERI TOP

Pavarësisht se nuk e ka nisur mirë këtë sezon dhe ka pasur uljengritje të shumta, duket se formacioni i Simone Inzagit për sajtin e statistikave është më i miri në botë. Futbolli sulmues që prodhojnë ata, dominimi ndaj rivalit, ecuria në vitet e fundit në finalen e Champions-it, fitorja e titullit kampion me dominim absolut dhe disa trofeve në çdo vit kanë bërë që zikaltrit të jenë përpara të gjithëve në këtë renditje.

Një motiv krenarie për klubin italian dhe për ata që kanë punuar për të rikthyer dinjitetin dhe krenarinë pas shumë viteve të vështira që kaluan sidomos pas “Tripletës” së famshme me Zhoze Murinjon.

Tani Interi është një realitet i bukur edhe në arenën ndërkombëtare, një skuadër që ka fituar respekt dhe në këtë Champions ka treguar se mund të shkojë deri në fund. Ende asnjë gol i pësuar nga formacioni i Inzagit në Europë është një tregues i qartë.

SI RENDITEN

OPTA përdor një sistem global të renditjes së skuadrave që merr në konsideratë 13 mijë ekipe futbolli duke iu vendosur pikë nga zero në 100. Renditja e skuadrave përditësohet çdo ditë në bazë të ecurisë së skuadrave në kampionatet respektive.

Janë marrë në analizë 183 vende të ndryshme dhe 413 liga kombëtare.  Është një sistem që lejon të krahasosh ekipet që iu përkasin edhe kombeve të ndryshme që nuk përballen kurrë me njëri-tjetrin. Për këtë arsye bëhet edhe krahasimi për të nxjerrë më të mirat në botë.

OPTA përdor një sistem vlerësimi hierarkik të bazuar në ELO, që është një vlerësim aftësish që është përshtatur shumë sporte që nga krijimi.

Në këtë rast, algoritmi i ELO analizon rezultatet e më shumë se 2.5 milionë ndeshjeve që nga viti 1990 për të caktuar një vlerësim për çdo ekip që është i krahasueshëm në ligë, vende dhe kontinente. Në atë pikë, renditja e ELOs shndërrohet një renditje. Pas çdo ndeshjeje, pikët e vlerësimit shkëmbehen ndërmjet skuadrave në varësi të rezultatit të ndeshjes.

Nëse fiton skuadra A, atëherë pikët i humbet skuadra B. ELO është një sistem vlerësimi vetë-korrigjues, një ekip do të fitojë ose humbasë pikë në lidhje me vlerësimin e tij përkatës në ELO. Për të krahasuar ekipet që kanë shumë pak ndërthurje me njëra-tjetrën.

OPTA përdor një strukturë hierarkike që lejon që pikat e ELO të qarkullojnë më shpejt, një ekip vlerësohet brenda ligës së tij dhe e njëjta ligë vlerësohet në të gjithë vendin dhe kontinentin.EWTERT

Pasivizimi i adresave në Luginë drejt Gjykatës së Strasburgut! Analiza e REL: Formë e spastrimit etnik nëpërmjet metodave administrative

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg do të jetë adresa e radhës ku do të drejtohet Safet Demiri nga fshati Banjë e Sijarinës në jug të Serbisë.

 

Ai pretendon se autoritetet e këtij vendi ia kanë pasivizuar pa të drejtë adresën në këtë fshat të Medvegjës qysh në vitin 2019.

Për plot pesë vjet, ai iu drejtua instancave të ndryshme gjyqësore në Serbi, derisa Gjykata Kushtetuese e vendit ia hodhi poshtë ankesën në mes të këtij muaji.

Rasti i tij nxiti reagimin e autoriteteve në Kosovë, por edhe në Bashkimin Evropian.

Rasti i Safet Demirit

“Unë jam banor vendas. Nuk kam ardhur turist”, thotë Demiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai tregon se, prej vitesh, jeton dhe punon midis Austrisë dhe Serbisë.

Në Medvegjë, ku jetojnë prindërit e tij, thotë se ka të regjistruar një kompani telekomunikimi, ndërsa në Vjenë punon në ndërtim.

Adresa e tij në vendlindje është e pasivizuar qysh në vitin 2019.

“Ata [autoritetet] vetëm kanë thënë se unë nuk banoj aty. Ata nuk i kanë verifikuar dokumentet e mia, që i kam pronat, kam tokë aty, kam lindur aty”, shprehet 46-vjeçari.

Ai thotë se ka dëshmi që tregojnë se në ditën kur autoritetet serbe pretendojnë se e kanë vizituar adresën e tij dhe nuk e kanë gjetur, ai ka qenë në stacion policor për të marrë një dokument.

Shprehet i bindur se autoritetet serbe nuk e kanë vizituar adresën e tij, siç parashihet në ligj.

“Unë e kam të gjithë ndërtesën e mbuluar nga kamerat. Nënën dhe babanë i kam aty. Ata jetojnë aty 24 orë. Askush nuk ka qenë”, thotë Demiri.

Ai iu drejtua disa gjykatave në Serbi, të cilat ia refuzuan ankesën me arsyetimin se jeton jashtë vendit.

Më 14 nëntor, Gjykata Kushtetuese e Serbisë – institucioni i fundit ku u ankua – ia refuzoi po ashtu kërkesën për vërtetimin e fakteve.

Fatin e Demirit besohet se e ndajnë edhe mijëra njerëz të tjerë që jetojnë në komunat me shumicë shqiptare në Serbi.

Disa herë këtë vit, ata protestuan kundër pasivizimit të adresave, për njohje të diplomave të Kosovës, për integrim në institucionet shtetërore të Serbisë e të tjera.

I pyetur nga gazetarët se si i komenton këto pakënaqësi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “askush nuk po i rrah, nuk po i ngacmon, apo diçka tjetër. Serbia është shtet demokratik dhe ne do të vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë”.

Demiri thotë se adresë të radhës tani do ta ketë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë edhe avokati i tij, Aleksandar Olenik.

“Do ta dërgojmë [ankesën] në dy muajt e ardhshëm. Zyra ime për aq kohë do ta përgatisë. Se sa do të zgjasë atje [në Gjykatën e Strasburgut] dhe kur do të nisë procedura [gjyqësore] nuk e di”, thotë Olenik, duke shtuar se ky do të jetë rasti i parë për këtë çështje që do të dalë para gjykatës evropiane.

Cilat janë gjasat e Demirit në Gjykatën e Strasburgut?

Dukagjin Leka, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Universitetin “Haxhi Zeka” në Gjilan, thotë se pas refuzimit të ankesës së Demirit nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë, ai i ka gjashtë muaj kohë ta parashtrojë rastin në Gjykatën e Strasburgut.

“Unë mendoj se pala në këtë rast, shqiptar në Serbi, me humbjen e adresës privohet nga një e drejtë elementare. Në këtë rast është shkelur Konventa [evropiane për të drejta të njeriut]. Mendoj se përfundimi i procesit gjyqësor në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut do të jetë pozitiv për personin që do ta dërgojë rastin atje”, thotë Leka për Radion Evropa e Lirë.

Vendimi në favor të Demirit do të reflektonte, sipas tij, edhe në rastet e personave të tjerë, të cilëve, ngjashëm, u janë pasivizuar adresat në Serbi.

Avokati Olenik shpreson, po ashtu, për një vendim në favor të Demirit nga Gjykata e Strasburgut. Por, nuk beson se rasti i tij do të shërbente si precedent gjyqësor për rastet e tjera të ngjashme.

“Sipas ligjit tonë [në Serbi], por edhe sipas ligjeve tuaja në Kosovë, ne nuk kemi sistem juridik të precedentëve, që një aktgjykim t’i obligojë edhe gjykatat tjera në procedurat e njëjta apo të ngjashme. Megjithatë, praktika gjyqësore ka një lloj ndikimi”, thotë Olenik.

Për të, çështja e pasivizimit të adresave në Serbi nuk është aspak ligjore, por politike dhe ka në shënjestër vetëm komunitetin shqiptar.

“Pasivizimi i adresave ekziston vetëm në jug të Serbisë dhe vetëm për shqiptarët. Në veri, në Vojvodinë, ku jetojnë hungarezët, kroatët, në Sanxhak ku jetojnë boshnjakët, nuk ka pasivizim të adresave”, sipas avoaktit Olenik.

Pse pasivizohen adresat?

Autoritetet e Ministrisë së Brendshme në Serbi nuk iu përgjigjën kërkesave të njëpasnjëshme të Radios Evropa e Lirë për komente.

Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi, të vitit 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si pengje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas raportit, çështja e pasivizimit të adresave “në thelb është formë e spastrimit etnik nëpërmjet metodave administrative”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se pasivizimi i adresave bëhet me urdhrin e autoriteteve serbe.

Ai vlerëson se, deri më tash, nuk ka ndonjë iniciativë serioze nga institucionet ndërkombëtare për t’ia bërë me dije Serbisë që ta ndërpresë praktikën e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë.

Sipas tij, ka shumë familje, adresat e të cilave janë pasivizuar dhe nuk kanë mundësi financiare të ushtrojnë padi në Gjykatën e Strasburgut.

Por, ai shton se në këtë pikë mund të ndihmojë faktori politik që i përfaqëson shqiptarët e këtij rajoni, duke krijuar një fond të veçantë për t’i ndihmuar ata që duan ta realizojnë të drejtën e tyre në Gjykatën e Strasburgut.

“Jo vetëm të lobojmë, por edhe të ndihmojmë, qoftë me gjetjen e avokatëve, qoftë me ndihmë financiare që ky proces të shkojë përpara”, thotë Kamberi. Se sa adresa janë pasivizuar saktësisht, nuk ka të dhëna.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, duke përbërë pakicën e katërt më të madhe atje.

Shqiptarët e bojkotuan regjistrimin paraprak më 2011, për shkak të, siç u tha atëkohë, obligimeve të paplotësuara të shtetit serb ndaj tyre dhe kushteve diskriminuese.

Belgzim Kamberi, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Preshevë, thotë se pasivizimi i adresave “e ka lënduar edhe procesin e integrimit të shqiptarëve, i cili ka nisur në vitin 2001, me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare”.

Pas riaktualizimit të çështjes me rastin Demiri, javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë trysni Serbisë për t’i respektuar të drejtat e shqiptarëve në jug të vendit.

Në Bashkimin e Evropian thanë se janë në dijeni për shqetësimet e shqiptarëve në jug të Serbisë dhe se janë duke i ndjekur nga afër këto zhvillime./REL