21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Indeksi global/ Mosha e mesme në Shqipëri është më e palumtur!

Shqipëria ka bërë hapa para në fusha të ndryshme gjatë dekadave të fundit, por niveli i lumturisë në moshën e mesme (45-59 vjeç) ka bërë hapa pas.

Sipas indeksit Global të Lumturisë për vitin 2024, të anketuarit në Shqipëri që i takojnë moshës së mesme raportuan nivele më të ulëta lumturie për periudhën 2021-2023 në krahasim me 2006-2010 (shiko grafikun e mposhtëm).

Të dhënat globale treguan se niveli i lumturisë tek shqiptarët në kulmin e moshës shënoi rënie me së paku -0.3 pikë ndërmjet 2006 dhe 2023.

Niveli i lumturisë së shqiptarëve shkoi përkundër zhvillimeve në Europën Qendrore dhe Lindore. P.sh. Serbia kryesoi listën për rritjen e nivelit të lumturisë në popullsinë në moshë te mesme.

Popullsia serbe në grupmoshën 45-59 vjeç raportoi nivele të larta të rritjes së lumturisë ndërmjet 2026 – 2025 me gati 1.8 pikë, e ndjekur nga Bullgaria.

Përveç Shqipërisë vendet e Rajonit, Rumania, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut raportuan në vitin 2023 nivele shumë më të larta lumturie se në vitin 2006. Në të gjithë rajonin, vetëm Shqipëria ka shfaqur prirje të kundërt.

Mosha e mesme, ata mbi 45 vjeç, janë brezi që kanë lindur në diktaturë dhe shumica prej tyre janë angazhuar për rrëzimin e saj. Ata kishin ëndrra të mëdha për vendin dhe prosperitetin, të cilat duket se janë thyer tani pas 34 vitesh zhvillime demokratike.

Nga 2006-2010 deri në 2021-2023, niveli i lumturisë së përgjithshme ndryshonte shumë nga vendi në vend, duke filluar nga rritja deri në 1.8 pikë në Serbi, rritje me 69 vende renditje dhe 1.6 pikë në Bullgari. Rënien më të madhe deri në 2.6 pikë e kishte Afganistani ndërmjet 2013 dhe 2024.

Europa Qendrore dhe Lindore pati rritjen më të madhe në nivelin e lumturisë në të gjithë globin në dekadën e fundit. Azia Lindore gjithashtu pati rritje të mëdha, veçanërisht për popullsinë e moshuar.

Në periudhën 2021-2023 emocionet negative ishin në çdo rajon më të pranishme për femrat sesa për meshkujt.

Emocionet negative janë më të shpeshta se në vitet 2006-2010 kudo, përveç Azisë Lindore dhe Europës Qendrore dhe Lindore, ndryshe nga pjesa tjetër e botës.

Emocionet pozitive nuk kanë ndryshuar shumë, ndërkohë që mbeten më të shpeshta tek të rinjtë sesa tek grup-moshat më të vjetra.

Pabarazia globale e lumturisë është rritur me më shumë se 20% gjatë dhjetë viteve të fundit, në të gjitha rajonet dhe grupmoshat, në një masë që ndryshon shumë sipas moshës dhe rajonit./Monitor

figura-59figure-60

Konflikti për pronat, “gangrena” që vijon të vrasë shqiptarët!

Zbardhja e vrasjes së biznesmenit, Eduart Reçi nga të dyshuarit vëllezërit Duka, nxori në pah sërish një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare, atë të konflikti për pronat. Korrupsioni, vonesa e proceseve gjyqësore dhe politikat e gabuara për ndarjen e pronave ndër vite kanë krijuar një kaos të vërtetë në shoqërinë tonë.

Sipas statistikave nga 1998 deri më sot, mbi 630 shtetas shqiptar kanë rënë pre e atentateve për pronën, nga të cilët 186 prej tyre, kanë humbur jetë. Pasqyra e kësaj statistike të frikshme, rëndohet më tej nga realiteti i frikshëm që shfaqet nëpër gjykata, ku mbi 12 mijë padi për pronat janë ende në pritje të zgjidhjes.

Problematikat e shumta dhe mungesa e një zgjidhje nga ana e institucioneve dërgon shpesh herë qytetarët të ndërmarrin akte dhune, madje duke shkuar deri në ekstremitete.

Vetëm në 10 muaj të vitit aktual, janë regjistruar të paktën 10 raste konfliktesh për pronën të cilat kanë rezultuar në plagosje dhe vdekje.

Rastet e konflikteve për pronën, shkurt-nëntor 2024:

Më 18 Shkurt 2024, në fshatin Zhamë të Lushnjës, Besnik Dingozi, 33-vjeç qëllohet me armë zjarri për vdekje nga një bashkëfshatar pas një konflikti për pronën.

Më 6 Mars 2024, në fshatin Çukas të Lushnjës, dy vëllezër plagosin njëri tjetrin pas sherrit për pronën. Hazis Musaj 57- vjeç godet me një sopatë vëllanë e tij, Nazif Musaj, 77 vjeç, ndërsa ky i fundit i kundërpërgjigjet duke e plagosur me pistoletë.

Me 24 Prill 2024, në fshatin Shtiqen të Kukësit, 56-vjeçari Emerli Murtati pas një konflikti për motive pronësie, plagos me armë zjarri bashkëfshatarin e tij, Festim Axhami, 46 vjeç.

Më 16 Qershor 2024, ish-deputeti Tom Doshi përfshihet në një konflikt për pronën me familjen e Prek Mollës në fshatin Rrjollë, në Velipojë, duke plagosur 58 vjeçarin Molla.

Më 30 Qershor 2024, në Rrogozhinë, 32-vjeçari Flavio Tafa, plagos me armë zjarri 43-vjeçarin Enis Deda, pas konfliktit për pronën.

Më 25 korrik 2024, në Mamurras, tre kushërinj përfundojnë në spital të plagosur pas një konflikti për pronën. Sahit Ahmetaj, efektiv policie, Adrian Sela dhe Fatos Sela, u plagosën pasi qëlluan ndaj njëri-tjetrit me armë zjarri.

Më 19 Gusht 2024, në Fushë-Milot, tre vëllezërit Murati plagosin pas sherrit për pronën tre vëllezërit me inicialet Y.V., S.V. dhe E.V.. Dy prej tyre të plagosur me sende të forta dhe njëri me armë zjarri.

Më 27 Tetor,2024, në Lezhë, Sokol Boga, dhe djali i tij, Nikolin Boga plagosin me mjetin prerës (kosore) një 47-vjeçar pas konfliktit për pronën.

Më 13 Nëntor 2024, në Tiranë, biznesmeni Eduart Reçi vritet me një plumb në kokë në rrugën “Faik Konica”, pas një konflikti për pronën me vëllezërit Duka, të cilët dyshohen si autorët e kësaj vrasje.

Më 17 Nëntor 2024, në Vlorë, një 41-vjeçar plagos rëndë një 69-vjeçar pas një konflikti për një pronë në lagjen “Uji i Ftohtë”.

Bilanci është i frikshëm; 2 të vrarë dhe 13 të plagosur në harkun kohor të vetëm 10 muajve tregon se konflikti për pronën, vijon të mbetet “gangrena” e shoqërisë tonë. Nga rastet e sipërpërmendura duket qartë se “dashuria” për pronën në shoqërinë tonë, prevalon mbi familje dhe dashurinë për jetën.

Me aq shumë çështje të pazgjidhura në gjykata dhe rastet e shumta të abuzimit dhe korrupsionit me pronat që po zbulohen përditë nga SPAK, duket se jemi shumë larg zgjidhjes së këtij problemin që vijon prej dekadash në Shqipëri!

I zgjedhuri i Trump për Sigurinë Kombëtare zbulon planin për Ukrainën!

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump është “tepër i shqetësuar” nga përdorimi në rritje i llojeve të ndryshme të armatimeve në luftën gati trevjeçare të Rusisë kundër Ukrainës, tha të dielën këshilltari i zotit Trump.

Ligjvënësi republikan, Mike Waltz, është përzgjedhur nga zoti Trump për të shërbyer si këshilltar i tij për sigurinë kombëtare gjatë administratës së re që fillon punën më 20 janar. Ai tha për kanalin televiziv “Fox News” se vendimi i Presidentit Biden në largim për të lejuar Ukrainën që të përdorë mina tokësore në përpjekje për të ndaluar përparimin e trupave tokësore ruse në fushën e betejës, e ka kthyer luftën në pjesën lindore të Ukrainës në diçka që ngjason me betejën e llogoreve gjatë Luftës së Parë Botërore.

Zoti Waltz tha se vendimi duhet të jetë brenda një kornize më të gjerë për t’i dhënë fund konfliktit.

“Në këtë front kemi të bëjmë me numër të madh civilësh dhe ushtarësh”, tha ai.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara po dërgojnë në Ukrainë mina kundër këmbësorisë për shkak të ndryshimit të natyrës së konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës, fushëbeteja kryesore.

Zoti Austin tha se përparimi i Moskës po udhëhiqet nga trupat tokësore ruse, në vend të forcave më të mbrojtura në transportues të blinduar, kështu që Ukraina ka një nevojë për mjete që mund të ndihmojnë në ngadalësimin e kësaj përpjekjeje.

Zoti Waltz tha se Presidenti i zgjedhur Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, është i shqetësuar nga bilanci i rëndë i viktimave që ka shkaktuar lufta. Ai tha se pyetja kryesore është “si mund të ringjallim parandalimin dhe të sjellim paqen”.

“Duhet ta çojmë këtë (luftë) drejt një fundi të përgjegjshëm”, shtoi ai.

Zoti Trump është shprehur vazhdimisht se do t’i jepte fund luftës Rusi-Ukrainë, madje, përpara se të inaugurohej si Presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara. Zoti Trump nuk ka deklaruar se si do ta bënte një gjë të tillë dhe gjatë debatit presidencial në muajin shtator nuk pranoi të shprehej nëse ai dëshironte që Ukraina të fitonte luftën.

Presidenti Biden hoqi kufizimet ndaj Ukrainës duke e lejuar që të lëshonte raketa amerikane me rreze veprimi deri 300 kilometër, në thellësi të Rusisë, në përgjigje të dislokimit të 10 mijë trupave koreanoveriore për të luftuar krahas forcave të Moskës. Dy ditë më vonë, Kievi vuri si objektiv me këto raketa, depot e armëve në rajonin rus Briansk.

Më pas, Presidenti Vladimir Putin lëshoi një raketë të re eksperimentale duke vënë në shënjestër rajonin Dnipro, në lindje të Ukrainës.

“Është qartazi pëshkallëzim”, tha zoti Waltz. “Ku po shkon ky përshkallëzim? Si mund t’i ulim të dyja palët në tryezë për bisedime për paqe”?

Zoti Waltz, posti i të cilit nuk ka nevojë të konfirmohet nga Senati, tha se ka patur takime me Jake Sullivan, këshilltarin për siguri kombëtare të Presidentit Biden.

Këshilltarët e sigurisë kombëtare të Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe Presidentit Joe Biden në largim, po punojnë ngushtë për të krijuar një front të bashkuar përballë kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara gjatë periudhës së ndryshimit të udhëheqjes në Shtëpinë e Bardhë, tha të dielën Mike Waltz, këshilltar i zotit Trump.

“Për kundërshtarët tanë që mendojnë se kjo periudhë është moment mundësish, që ata mund të vënë njërën administratë kundër tjetrës, ata gabohen”, tha zoti Waltz për kanalin televiziv “Fox News” të dielën.

Zoti Waltz tha se kishte “besim” se zoti Trump do të rivendoste “pa vonesë” paqen në konfliktet në Lindje të Mesme, ku Izraeli po lufton kundër militantëve të mbështetur financiarisht nga Irani, grupi Hamas në Gazë dhe grupi Hezbollah në Liban.

Megjithatë, besedimet disa mujore për armëpushim në Gazë kanë ngecur ndërsa negociatat për të arritur ndalim të luftimeve mes Hezbollahut dhe Izraelit nuk kanë prodhuar ende një marrëveshje./VOA

Një në 10 lindje janë të parakohshme, mjekët shpjegojnë arsyet: Ndodhin sepse…

Një bebe e lindur para javës se 37-të të shtatzënisë quhet premature.

1 në 10 bebe lindin para kohe në Shqipëri, kaq raportohen edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Prof. Eliona Demaliaj tregon: “Lindjet para kohe janë shqetësuese për familjen, për shoqërinë por edhe për beben pas ndikon në zhvillimin e saj”.

Demaliaj shpjegon se sot ekipet janë specializuar për trajtimin e një lindje premature.

“Me parë humbnin jetën bebet, por sot kemi ecuri të mirë me bebe qe lindin para kohe”, shtoi ajo.

Shkaqet kryesore që çojnë në lindje para kohe lidhen me patologjitë e nënës të cilat mund të mos i ketë trajtuar, por jo vetëm.

Për të parandaluar lindjet e parakohshme, duhet të sensibilizohen nënat si dhe të funksionojnë mirë të gjitha hallkat shëndetësore.

Përfundon plani i Melonit për qendrat e emigrantëve në Shqipëri? The Guardian: Qelitë bosh prej një muaji, kthehen në Itali punonjësit socialë dhe policët

Dhjetëra oficerë policie dhe punonjës socialë italianë, të vendosur nga qeveria në qendrat e emigrantëve në Shqipëri janë kthyer në shtëpi, pasi u zbulua se objektet për strehimin e emigrantëve të kapur nga Italia, kanë qenë bosh prej javësh.

The Guardian shkruan se pas më shumë se një muaj pas hapjes së qendrave të paraburgimit për azilkërkuesit, të cilat supozohej të strehonin deri në 3000 burra në muaj, më shumë se 50 oficerë policie u kthyen në Itali dy javë më parë, ndërsa dhjetëra punonjësve socialë janë larguar gjatë fundjavës, pasi prania e tyre në Shqipëri u cilësua si e panevojshme.

Që nga hapja e tyre më 11 tetor, vetëm 24 azilkërkues janë dërguar në qendrat në Shqipëri, me qëllim riatdhesimin e tyre në vendet e origjinës. Pesë kaluan më pak se 12 orë në një qendër paraburgimi, ndërsa pjesa tjetër qëndruan për pak më shumë se 48 orë.

Të gjithë u transferuan në Itali pasi gjyqtarët italianë e konsideruan të paligjshme ndalimin e tyre në Shqipëri përpara riatdhesimit në vende, si Bangladeshi dhe Egjipti, të konsideruara si “të sigurta” nga Roma. Duke vepruar kështu, gjyqtarët po mbështesnin një vendim të 4 tetorit nga gjykata e drejtësisë e BE-së.

Si rezultat, qendrat, të prezantuara nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si një model i ri për krijimin e qendrave të ndalimit për azilkërkuesit jashtë BE-së, janë bosh prej më shumë se një muaji.

Në një kohë kur qeveria italiane  po përpiqet të balancojë buxhetin, duke shkurtuar fondet për arsimin, shëndetësinë dhe sigurimet shoqërore, partitë opozitare e kanë përshkruar marrëveshjen, që do të kushtojë rreth 1 miliardë euro gjatë pesë viteve, si një katastrofë financiare.

“Misioni u krye!” tha Riçardo Magi, presidenti i partisë së majtë opozitare Più Europa. “Qeveria ka pasur sukses në përpjekjet për riatdhesim. Emigrantët? Jo, operatorë italianë të dërguar në Shqipëri, të cilët do të kthehen në shtëpi brenda fundjavës. Qeveria fillimisht shpenzoi një shumë të madhe fondesh publike, më pas me qendrat e zbrazura, solli disa punonjës policie në Itali dhe tani edhe punonjësit socialë po kthehen në shtëpi. Ky është një dështim”, tha ai sipas The Guardian.

Skema ka çuar në një përplasje mes qeverisë dhe gjyqtarëve, të cilët janë akuzuar nga partitë e ekstremit të djathtë për pengim të projektit.

Nicola Gratteri, kryeprokurori i Napolit dhe një nga gjyqtarët më autoritativë në Itali, tha në një intervistë televizive këtë javë se: “Ne duhet të ndalojmë së sulmuari gjyqtarët vetëm sepse nuk na pëlqen një vendim. Nuk dua të jap një gjykim politik, por them që në këtë moment në Shqipëri janë 250 oficerë të rendit, që s’po bëjnë asgjë. Është humbje të mbash 250 oficerë policie në një mision në Shqipëri, ndaj mendoj se ata duhet të kthehen në Itali ku po luftojmë me mungesën e personelit për mijëra policë.”

Qeveria ka thënë se qendrat në Shqipëri “do të mbeten të hapura dhe funksionale” dhe se transferimet në Itali janë bërë sipas nevojave të personelit. Megjithatë, besueshmëria e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, është në rrezik pasi ajo e bëri emigracionin një çështje qendrore të fushatës.

Në të kaluarën ajo ka kritikuar paraardhësit për shpenzimin e parave publike për menaxhimin e krizës së migracionit. Transporti nga deti në një anije ushtarake italiane me vetëm tetë burra që mbërritën në Shqipëri gjatë një fundjave në mes të nëntorit kushtoi 250,000 €, më shumë se 31,000 € për azilkërkues në bord.

Elisabetta Piçolotti, një deputete e partisë së Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë, tha: “Qeveria ka dështuar duke e ditur se do të dështonte. Kanë shpenzuar një mal me para dhe kanë luajtur me të drejtat e njerëzve. Kjo do të mbetet në histori si një faqe e turpshme për vendin tonë.”

Sabah Sheta: Mustafa Merlika Kruja, tashmë i nderuar me bust në Krujë

Kreu i degës së Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë në Krujë, Sabah Sheta, ka vlerësuar lart vendosjen e bustit të Mustafa Merlika Krujës në qytetin e tij të lindjes. Ai e cilësoi këtë akt si një rivlerësim të vonuar për ish-kryeministrin, nënshkruesin e Aktit të Pavarësisë dhe një figurë të shquar të historisë shqiptare.

Sheta falënderoi Shoqatën “Trojet e Arbërit”, Bashkinë e Krujës dhe familjen Merlika për organizimin e kësaj ceremonie, duke theksuar rëndësinë e Merlika Krujës si patriot, gjuhëtar dhe shtetar që la gjurmë të thella në historinë kombëtare. “Nga sot, Kruja dhe krutanët mbajnë kokën lart,” u shpreh Sheta, duke vënë në dukje se ky akt është një borxh i shlyer ndaj një prej bijve më të shquar të qytetit.

 

Postimi i Sabah Sheta:

Mustafa Merlika Kruja nga sot mban kokën lart në vendlindje. Lartësohet në bust ish- shtetari, kryeministri dhe nënshkruesi i Dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë

Këtë të dielë Kruja ishte në festë. Nga sot një prej djemve të saj do të mbajë kryet lart në qytetin e tij, aty lindi, ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm për vendlindjen e tij plot histori, për Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar. Në qytetin turistik e historik, nga nesër çdo vizitorë do të gjejë edhe të lartësuar në një bust një personalitet të jashtëzakonshëm si Mustafa Merlika Kruja, në një nga sheshet e qytetit.
Është ky minimumi, që jo vetëm Kruja dhe krutanët, por shqiptarët i detyrohen atdhetarit Mustafa Merlika-Kruja, publicistit, gjuhëtarit, historianit, kryeministrit dhe shtetarit, nënshkruesit për Krujën të Dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912. Krutanët nga sot marrim më frymë lirshëm, sepse një prej djemve që kanë dhënë shumë në historinë e Shqipërisë, nis të rivlerësohet në vendlindjen e tij siç i takon. Produkti i intelektual dhe patriotik i Mustafa Merlika-Kruja nuk u pranua përgjatë regjimit komunist, nuk u bë sa duhet as përgjatë viteve të demokracisë dhe ishte ky akt i sotëm ishte një borxh që ia kishim këtij personaliteti të jashtëzakonshëm.
Si krutan, si i djathtë dua të vlerësojë maksimalisht këtë personalitet të përmasave kombëtare, por dhe shpreh mirënjohje për familjen Merlika-Kruja për gjithçka kanë bërë në aktivitetin e tyre për çështjen shqiptare!
Vlerësim kam për Shoqatën ”Trojet e Arbërit” Prishtinë sepse djali nga Kruja ka bërë shumë dhe për çështjen kombëtare, si iniciuesit e ngritjes së këtij busti në Bashkinë Krujë si dhe organizimin e ceremonisë së rastit e cila u zhvillua në qytetin tonë në sallën e pallatit të kulturës “Ibrahim Berdaka”. Kënaqësi të isha sot pjesë e aktivitetit dhe vlerësimet më të mira shkojnë për të gjitha ata studiues nga Shqipëria dhe në trojet shqiptare si dhe të tjerë nga mërgata shqiptare në botë të cilët në kumtesat tyre folën për rolin patriotikë, intelektual dhe atdhetar të Mustafa Mërlikës-Kruja si një prej shqiptarëve të mirë që e deshi shumë këtë komb dhe dha më të mirën nga vetja për një Shqipëri ndryshe nga ajo që do të pasohej pas vitit 1945 e cila ra nën kthetrat e regjimit komunist. “Në qytetin ku lindi kaloi fëmijërinë, Kruja mbeti në zemrën e Mustafait, jo vetëm si vendi me të cilin u lidhën kujtimet e para e të pashlyeshme fëminore, të shoqëruara nga portretet e familjarëve, ndër të cilët spikat ai i nënës me dhimbjen e thellë të largimit të saj të parakohshëm, por edhe sepse emri i saj i u bashkëngjit mbiemrit të tij për të formuar atë tog fjalësh, që do të dukej në dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare, duke u bërë një pikë referimi në jetën politike, shoqërore e kulturore të Shqipërisë” – do të shkruante në një prej shkrimeve të tij Eugjen Merlika. Ndaj dua realisht ta vlerësoj me përzemërsi Eugjen Merlikën, nipin e Mustafait që foli në emër të fisit Merlika për rolin e shtetarit dhe kryeministrit nga Kruja, por që kurrë nuk harroi rrënjët e të parëve dhe Krujën si tokën e të parëve dhe u lidh pazgjidhshmërisht sërish më tokën e të parëve pas rënies së komunizmit!

Vlora “digjet”, Bashkia “krihet”, denoncimi i Gjergji Nikës: Abuzimet me miliona euro kanë emër

Në një postim në profilin e tij në rrjetin social facebook, Gjergji Nika, kryetar i PD-Demokratët Euroatlantikë, shprehet se në një kohë që Vlora s’ka ujë e rrugët janë të mbuluara nga papastërtitë, Bashkia shkon në Vienë e Londër në takime elektorale.

“Faturat miliona lekë për “qoka”, udhëtime, akomodim e ushqim i paguajnë taksapaguesit vlonjatë!”
– vijon më tej Nika.

Më poshtë postimi i plotë:

Ndërkohë që Vlora s’ka ujë, rrugët janë të mbulurara nga papastërtitë, kanalet ende të papastruara dhe plehrat digjen; bashkia krihet në Vienë e në Londër në takime elektorale!

Faturat miliona lekë për “qoka”, udhëtime, akomodim e ushqim i paguajnë taksapaguesit vlonjatë!

Kush përgjigjet? Abuzimet kanë emër!

Përgjigjen do ta japin shumë shpejt aty ku duhet!

“S’ka frymë”, Naim Hasani: As 200 vetat e Berishës e 1 mijë të Ramës në Londër nuk kthejnë besimin e shqiptarëve tek politika e vjetër

Avokat Naim Hasani, kreu i Demokratëvbe Euroatlantikë dega Britani e Madhe vazhdon të ketë vemendjen e mediave të Tiranës të cilët duan të marrin opinionin e tij sa i përket votës së Diasporës si dhe vizitës së partive politike dhe takimet me shqiptarët në Londër.
Në një intervistë kësaj here për A2CNN zoti Hasani sërish ka bërë një skanim të situatës në terren mbi perceptimin e tij, informaconit që ai ka nga emigrantët të cilët ndonëse kanë interes të shprehin vullnetin e tyre për të votuar janë skeptik, nuk kanë asnjë arsye të shkojnë para kutive të votimit teksa iu duhet të zgjedhin mes disa figurave të konsumuara të transicionin si Rama-Berisha të cilët janë fajtorët e përzenies së tyre nga Shqipëria.  Sipas z.Hasani mospërfaqësimi i emigrantëve për të zgjedhur ata përfaqësuesit e tyre në Kuvend, mbyllja e listave, mëkatet që kanë mbi shpatulla politikanët e vjetër ka bërë që të mos ketë frymë as në diasportë. Duke iu refetuar takimeve në terren të PD dhe PS zoti Hasani tha se: “as 200 vetat e Berishës dhe as 1 mijë të Ramës nuk e kthejnë besimin e shqiptarëevb që punojnë dhe jetojnë në Angli dhe Britani të Madhe tek politika. Kjo sepse duhet një tjetër qasje politike, duhet një frymë e re dhe politikanë të pakripomentueshëm në fushën politike”. Sipas z.Hasani entuziazmi mungon ndër shqiptarë kur iu duhet që të shkojnë të votojnë për deputetin në listat e kryetarëve në qarqet ku kanë vendbanimin në Shqipëri e jo për deputetin që duan. Kur flet për zhgënjim zoti Hasani ndër të tjera pohon dhe faktin që është kjo klasë politike, binomi Rama-Berisha i kanë përzënë shqiptarët. Kjo ka ndodhur nga keqeverisja e mazhorancës me mos marrja në mbrojtje, mosdalja zot dhe mosbesimi tek opozita e drejtuar nga Berisha e cila është në pazar hapur me kryeministrin.
Avokat Naim Hasani thotë që është në mënyrë intensive i angazhuar politikisht që në Shqipëri gjërat të ndryshojnë, të ketë garë të ndershme, qytetarët të votojnë atë që duan dhe atë që do kryetari, ku partitë të mos merren peng nga Rama-Berisha-Meta-Mediu etj, si dhe Shqipëria duhet të kthehet në një qasje europiane duke patur mbështetjen e SHBA, Britanisë së Madhe dhe BE.

Vrau bashkë me të vëllanë Eduart Reçin, kush është oficeri i policisë, i dyshuar si autor i ekzekutimit të biznesmenit pas konflikteve për pronën

 

Efektivi Shkëlqim Duka i dyshuar si autor i vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi, mësohet se është Oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin nr.2 në Tiranë.

 

Sipas policisë, oficeri Shkëlqim Duka bashkë me të vëllanë, Florjan Duka, janë arrestuar si autor të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Reçi, pas konflikteve për pronën.

Mësohet se Eduart Reçi po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë, kufitar me pronën e tij.

Sipas policisë, ndër personat me të cilët Reçi kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Duka.

NGJARJA

Eduart Reçi u ekzekutua në një atentat të organizuar pranë pallatit ku jetonte, të cilin e kishte ndërtuar edhe vetë.

Autorët e krimit raportohet se kanë pritur derisa Eduart Reçi të dilte nga banesa dhe e kanë qëlluar, dyshohet, nga distanca.

Bizmesmeni i ndërtimit, i cili dikur ka qenë punonjës i SHISH, mori një plumb të vetëm në kokë dhe u dërgua te Trauma, por nuk arriti të mbijetonte.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës (13 Nëntor) rreth orës 23:00, në rrugën “Faik Konica”, ndërsa mësohet se kamerat e sigurisë kanë filmuar vetëm momentin kur vikima është qëlluar me plumb dhe është rrëzuar në tokë, por jo atentatorët.

Biznesmeni është baba i dy fëmijëve, ndërsa familjarët kanë deklaruar se nuk kanë pasur konflikte.

Njoftimi i policisë

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 13.11.2024, ku në rrugën “Faik Konica”, u plagos me armë zjarri shtetasi E. R., i cili si pasojë e plagëve marra ndërroi jetë në spital.

Vihen në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të ngjarjes.

Sekuestrohen prova materiale që shërbejnë për dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor në drejtimin Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve, ju informojmë se:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Sh. D., 48 vjeç, (oficer Policie) dhe F. D., 45 vjeç, (vëllezër),të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 e 25 dhe 278/1/4 të Kodit Penal.

Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumenteve, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave si autorë të dyshuar të kësaj ngjarje.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, më datë 23.11.2024 është ushtruar kontroll në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi E. R., po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).

Ndër personat me të cilët shtetasi E. R., kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit F. D., dhe Sh. D.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Revolucioni i Kadifenjtë në Çekosllovaki që rrëzoi komunizmin, si ndodhi ndryshimi i sistemit 35 vite më parë! Udhëheqja s’ishte gati të hiqte dorë plotësisht nga pushteti, por…

Më 24 nëntor 1989 arritën kulmin demonstratat masive në Pragë. Ndryshimi pa dhunë i sistemeve në Çekosllovaki hyri në histori me emrin Revolucioni i Kadifenjtë.

Me përjashtim të disa ndërhyrjeve të dhunshme të policisë, ndryshimi i sistemit politik në Çeki dhe Sllovaki (asokohe Çekosllovaki) kaloi paqësisht. Partia Komuniste nuk kishte më fuqi t’i kundërvihej me forcë të gjithë shoqërisë. Demonstratat e 17 nëntorit 1989 në Pragë shënuan fillimin e revolucionit pa dhunë. Studentët çekosllovakë u mblodhën për të përkujtuar Jan Opletal, një student i vrarë nga nazistët në vitin 1939. Por për shkak të rënies së Murit të Berlinit një javë më parë, kjo ceremoni përkujtimore u kthye në një demonstratë masive politike. Policia ndërhyri me forcë dhe përdori shkopinj gome kundër protestuesve. Bilanci: 600 të plagosur.

Thirrja për grevë dhe bashkimi i qytetarëve

Të nesërmen, studentët bënë thirrje për një grevë pa afat. Kryeministri komunist i pjesës çeke të republikës, Frantisek Pitra, u përpoq të qetësonte situatën përmes një fjalimi televiziv: “Të nderuar qytetarë, po ju drejtohem si kryetar i qeverisë së Republikës Çeke. Para dy vjetësh ne filluam rrugën e transformimeve dhe të demokratizimit. Kuptohet që ky nuk është një proces i shpejtë. Ai lidhet me kërkime, me diskutime dhe me këmbim mendimesh.”

Protestave filluan t’u bashkohen gjithnjë e më shumë qytetarë – mes tyre edhe shkrimtari Vaclav Havel, i cili për shkak të pjesëmarrjes në lëvizjen qytetare për të drejtat e njeriut, Karta 77, kishte kaluar pesë vjet në burg.

Më 24 nëntor në Pragë u zhvillua një demonstratë masive, gjatë së cilës turma thërriste emrin e Havelit, ndërsa reformatori komunist Alexander Dubcek dhe aktivistë të tjerë të Pranverës së Pragës kërkuan dorëheqjen e të gjithë Byrosë Politike, gjë e cila ndodhi pak pas kësaj.

Motoja e Revolucionit të Kadifenjtë

“Drejtësia dhe dashuria duhet të fitojnë përballë gënjeshtrave dhe urrejtjes” – këto fjalë të Havelit u bënë motoja qendrore e revolucionit. Megjithatë, udhëheqja komuniste nuk ishte ende gati të hiqte dorë plotësisht nga pushteti. Pas një greve të përgjithshme dhe protestave masive në mbarë vendin, më 5 dhjetor u hoq teli me gjemba në kufirin me Austrinë. Më 10 dhjetor u krijua një qeveri e unitetit kombëtar, me shumicë jo-komuniste. Dinamika e transformimeve nuk mund të ndalej më./DW