15.5 C
Tirana
E enjte, 10 Korrik, 2025

Idealja? Të punosh 4 orë në ditë

“The Guardian”

Sa punë intelektuale serioze do ishte e drejtë të kërkohej të bëhej çdo ditë? (Të kuptohemi, nuk po flasim për gjëra si të marrësh pjesë në mbledhje duke e pasur kokën tjetërkund apo duke riorganizuar dollapin e kancelarisë). Duket një pyetje e komplikuar. Mendojmë se kreativiteti është një gjë në thelb misterioze dhe se qeniet njerëzore janë jashtëzakonisht të ndryshëm midis tyre. Pastaj ekzistojnë edhe shumë lloje pune për jaka të bardha: pse të imagjinosh se përgjigja mund të jetë e barabartë për avokatë, akademikë, bankierë dhe inxhinierë?
Por përgjigja nuk është një version më i përpunuar i klasikes “varet”. Përgjigja është: 4 orë. Kjo të paktën është përgjigja në të cilën ka arritur Alex Pang në librin e tij “Rest: Why you get more done when you work less” (Pushoni: Pse siguroni më shumë duke punuar më pak). Më parë është theksuar sesa është i vërtetë pohimi i nëntitullit të Pang dhe sa ideja e ditës së punës nga ora 9 e mëngjesit në orën 17 të pasdites është një mbeturinë e Revolucionit Industrial që nuk ka asnjë vlerë në “punën e dijes” moderne. Jemi krijesa ritmike dhe pjesa e ciklit tonë jetësor që i mundëson trurit të mos mbingarkohet është thelbësore.
Por ajo që godet më shumë në arsyetimin e Pang është specificiteti i tij. Në marrjen me histori dhe zanate krijuese vazhdon të hasesh me një njëjtin fenomen. Charles Darwin punonte për dy blloqe 90 minutëshe në mëngjes, më pas 1 orë më vonë. Matematikani Henri Poincaré punonte nga ora 10 e mëngjesit deri në 12 të drekës dhe më pas nga ora 17 deri në 19. Zakone të ngjashme ndeshen në rutinën e punës së përditshme të Thomas Jefferson, Alice Munro, John Le Carré dhe shumë të tjerëve.
Për të shmangur se mos akuzohemi që ka cituar vetëm shembuj, të cilat i japin peshë arsyetimit të tij, Pang përdor kërkimet e psikologut suedez Anders Ericsson, studimi i të cilit për violinistët – që veç të tjerash përbën bazën e të shumëdiskutuarit “rregull të 10000 orëve” – konfirmon gjetjet e tij. Jemi krijesa ritmike dhe ajo pjesë e ciklit tonë jetësor që i mundëson trurit të mos mbingarkohet është po aq thelbësore për rezultatin final.
Problem është se bota do të ishte një vend më i mirë sikur askush të mos ndjehej i detyruar që të punonte për shumë orë, pavarësisht se kjo është e vërtetë. Fakti është se për sa i përket çdo pune minimalisht kreative, një kulturë që nuk i jep hapësirë pushimit është e dënuar të humbasë, edhe vetëm për sa u përket rezultateve finale.
Adam Smith e kishte parashikuar: “Njeriu që punon në mënyrë aq të moderuar sa arrin të punojë në mënyrë konstante jo vetëm që e ruan më gjatë shëndetin e tij, por, gjatë një viti, kryen një sasi maksimalisht të mundur pune”. Edhe Leonard Woolf, duke përshkruar zakonet e tij të punës dhe ato të Virginia Woolf, theksonte se virtytet e “pak dhe shpesh”, kur thoshte: “Është e habitshme sesa mund të prodhojë një njeri në një vit, qofshin ato bukë, vazo, apo imazhe, nëse punon fort e në mënyrë profesionale për këtë objektiv (mbahuni fort këtu…!!!!) për 3 orë e gjysmë çdo ditë”.
Ndoshta e njëjta gjë nuk vlen vetëm për punët krijuese. Gjysmë shekulli më parë antropologu Marshall Sahlins bëri bujë kur sugjeroi se qeniet njerëzore e shoqërisë së gjuetarë – mbledhësve nuk luftonin në mënyrë konstante për mbijetesë, por se, përkundrazi, kishin arritur të ndërtonin “the original affluent society” (shoqërinë e kamur të origjinës), duke i kufizuar nevojat e tyre dhe më pas duke i plotësuar ato. Duke përdorur të dhëna të ardhura nga Afrika dhe nga Australia, ka llogaritur numrin e orëve që ata njerëz i kushtonin punës çdo ditë me qëllim të ushqyerin e të gjithë komunitetit. Dhe përgjigjia është pikërisht kjo: “Nga 3 deri në 5 orë”. Nuk mendoni se ka ardhur momenti për ta pranuar sugjerimin?

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Paratë janë të Tahirit, por në burg qendron Sota

Gazetari Basir Çollaku ka reaguar dje në lidhje me vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për lënien në burg të Orest Sotës. Përmes një reagimi në Facebook, Çollaku shprehet: “Gjykata lë sërish në burg Orest Sotën dhe pretendon se 863 mijë eurot e sekuestruara në makinën e tij janë të Saimir Tahirit.
Meqë kanë avokat të njëjtë thua mbrojtja po e mban Tahirin jashtë, duke iu “lutur” Sotës të pranojë ngarkesën dhe qëndrojë brenda?!?!
Meqë Prokuroria në mënyrë të përsëritur pretendon se paratë janë të Saimir Tahirit përse nuk bind Gjykatën me provë konkrete dhe të kërkojë arrestimin e Tahirit?
Po Ministria e Brendshme vazhdon të “kujdeset” për “kontributin” e Sotës dhe frikën ndaj Tahirit, duke i dhënë sërish ankandin për afër 270 mjete të sekuestruara me 165 euro mjetin?
Mesa duket shpresa e heqjes së sikletit nga dosja Tahiri është rrokada dhe ndryshimet në Prokurori?
Ndoshta Prokuroria ka lënë mënjanë një pistë të rëndësishme hetimore. Atë të investigimeve në çdo drejtori policie për drogën. Nga inspektorët tek eprorët deri tek ministri, duke plotësur ndjeshëm provat për trafikun ku dyshohet dhe akuzohet Tahiri i implikuar. Kjo do të sillte të pandehur ministrin dhe më tepër?”

Denoncimi i PD për Rakipin

Nga të dhëna të bëra me dije në rrugë informale, ekziston dyshimi i arsyeshëm se, subjekti Aqif Rakipi ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, në kuptim të nenit 2 të Ligjit Nr. 138/2015, për shkak të rekordeve kriminale në shtetin italian. Për këtë arsye, kërkojmë nga ana juaj që në zbatim të detyrimit të parashikuar nga neni 8 i këtij ligji, të bëni verifikimin e plotë të të dhënave. Kjo është kërkesa jonë, bëhet në kushtet kur pavarësisht fakteve të njohura botërisht, institucioni juaj nuk ka kërkuar verifikimin e plotë të të dhënave kryesisht, në përputhje me pikën 4 të nenit 8 të Ligjit nr. 138/2015.

 

Si e mbuloi policia aksidentin e deputetit të PDIU

Aqif Rakipi përveç deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e PDIU-së, nuk është emër i panjohur. Ai vetëm pak kohë më parë u përfshi në një ngjarje të rëndë, teksa aksidentoi me vdekje një person në autostradën në afërsi të Vorës. Policia e kapur dhe në shërbim të plotë të Ramës nuk ka referuar në Prokurori krimin tjetër të deputetit Aqif Rakipi, atë të ikjes nga vendi ku kreu aksidentin tragjik, që i mori jetën qytetarit. Në dosjen e dorëzuar në Prokurori nga policia nuk figuron asnjë material për ikjen e Qifes nga vendi i krimit. Përse është bërë kjo? Është e qartë për të shpëtuar deputetin mik të Ramës dhe kapur në trafiqe. Mund të jetë një bast unikal, kur policia me urdhër të shefit në qeveri bëhet pjesë në një krim si në rastin e aksidentit të dy ditëve më parë.
Prokuroria ka ngritur dy akuza ndaj deputetit të PDIU, Aqif Rakipi, në lidhje me aksidentin e ndodhur ditë më parë, ku humbi jetën një 54-vjeçar. Akuzat e ngritura ndaj deputetit që po hetohet në gjendje të lirë, janë “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largim nga vendi i aksidentit”. Kjo akuzë e fundit mësohet se është shtuar e formuluar nga Prokuroria pas analizimit të provave e rrethanave të ngjarjes, edhe pse rezulton se policia nuk e ka referuar çështjen për një vepër të tillë.

Islami: Rama gaboi, vota në OKB do të ketë pasoja

Vota e Shqipërisë në OKB kundër SHBA-së ishte një gabim. Kështu shprehet ish-deputeti Kastriot Islami, i cili ka mbajtur edhe postin e ministrit të Jashtëm vite më parë. Islami thekson se kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme, si në rastin konkret, qeveria duhej të ishte konsultuar me Presidentin dhe Kuvendin. Islami shkoi edhe më tej, duke deklaruar se një veprim i tillë mund të cenojë dhe interesat e shqiptarëve në rajon dhe për këtë shkak konsulta mund të kishte pasur edhe me lidershipin shqiptar në Kosovë, por edhe në Maqedoni. “Në të gjitha rastet Shqipëria është konsultuar me SHBA-në. Kur ata kanë toleruar deri në abstenim ne kemi abstenuar. Në rastin konket, ka një problem, se bëhet fjalë për marrëdhëniet tona, vendimi ka rëndësi për vetë nismën që është shumë e rëndësishme për SHBA-në dhe presidenti aktual e ka si sfidë këtë”, tha Islami në një intervistë televizive. Në vijim ai shtoi se përveç konsultimeve të brendshme, vendimi dhe qëndrimi që do të mbante Shqipëria duhej të ishte konsultuar edhe me lidershipin e Kosovës apo Maqedonisë, sepse është partneri kryesor, nuk mund të jetë vullnet i një personi. “Shqipëria ka përcaktuar një qëndrim të keqpeshuar. Ky qëndrim do të ketë pasoja, kam përshtypje se do të ketë, se sa nuk e di se SHBA-të janë shumë seriozë, por partneriteti përcaktohet mbi bazën e interesave reciproke”, tha ai.

Boçi: Parlamenti mori fund me emërimin e kryeprokurorit të Ramës

Deputeti demokrat Luçiano Boçi akuzon mazhorancën për dhunim të Kushtetutës në rastin e zgjedhjes së kryeprokurores Arta Marku. Boçi shprehet se “Drejtësisë e Parlamentit ‘ia vuri flakën’ djegia e Kushtetutës nga Rama e Ruçi dhe jo ndezja e flakadanëve”. Sipas tij, flakadanët e marrja e foltores kishin mesazhin e tyre, sikurse çizmja-mesazh e kryetares së LSI-së, drejtuar Ramës. Sa i përket konsensusit për kryeprokurorin e ri zyrtari demokrat është i prerë: “Konsensusi politik nuk është tavolinë me peshk…”. Boçi shpreh shqetësimin se tashmë me emërimin e kryeprokurores së përkohshme, peshqit e mëdhenj, për të cilët ka folur Donald Lu, nuk do të kapen as në janar e as në prill. Ndërsa përsa i përket marrëdhënies së PD-së me Kuvendin, shprehet, “Kryetari i PD-së Basha i ka parashtruar qartë alternativat. Ose bojkot, ose marrëdhënie e kushtëzuar me Parlamentin, ose djegie mandatesh”.

42 nëpunës të administratës të dënuar për korrupsion

42 zyrtarë publikë janë dënuar dy vitet e fundit në kryeqytet për veprën e korrupsionit aktiv. TV SCAN ka zbardhur të dhënat zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, sipas së cilës, në total gjatë periudhës 2015-2016 janë hetuar 43 raste korrupsioni. Numri i hetimeve dhe procedimeve mbetet gjithsesi shumë i ulët krahasuar me rastet e dërguara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit apo institucione të tjera. Ndërkaq, në total gjatë dy viteve të fundit, Prokuroritë në vend kanë hetuar në total 105 raste funksionarësh publikë të dyshuar për korrupsion aktiv. Në vitin 2013, Prokuroria ka hetuar 15 zyrtarë të dyshuar për korrupsion aktiv, ndërkohë që në vitet 2011 dhe 2012, numri i rasteve të hetuara është përkatësisht 5 dhe 2. Numrin më të madh të procedimeve për këtë vepër, të paktën për vitin e shkuar, e kanë regjistruar Tirana e Shkodra, me respektivisht 15% dhe 13% të totalit. Më pak hetime kanë ndërmarrë prokuroritë e Durrësit e Vlorës, të cilat numërojnë nga 9% të totalit.

Kallëzohet në Prokurori ish-drejtori i ALUIZNI-t dhe 2 ish-zyrtarë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori ish-drejtorin dhe 2 ish-përgjegjës të sektorit të Drejtorisë Rajonale të “ALUIZNI RURALE”. Sipas KLSH-së, ata kanë kryer legalizime të jashtëligjshme, jashtë kompetencave ligjore për 2 objekte të mëdha në Qendër të Tiranës me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit, duke shmangur zbatimin e ligjit dhe falsifikuar dokumente zyrtare për përfitime të paligjshme dhe kualifikuar 17000 objekte dhe nuk janë legalizuar. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 512/1, datë 12.05.2017, ka audituar Drejtorinë Rajonale Rurale (Jug) të ALUIZNI-t Tiranë, për periudhën 2015 – 6 mujori i I-rë i vitit 2017.
Nga ky auditim, u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për z.A.I, ish-drejtorin e këtij institucioni dhe O.S ish-përgjegjës sektori i legalizimeve, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për:
-Janë lëshuar dy leje legalizimi në kundërshtim me Ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Zonave/Ndërtimeve Informale” i ndryshuar; neni 27 “Dokumentacioni tekniko-ligjor për legalizimin e objektit” (Ndryshuar me Ligjin nr. 9786, datë 19.7.2007) (Ndryshuar me Ligjin nr. 9895, datë 9.6.2008) (Shtuar shkronja “f ” me Ligjin nr. 10 169, datë 22.10.2009) (Ndryshuar me Ligjin nr. 50/2014) (Ndryshuar shkronja d me Ligjin nr. 62/2015); neni 28 “Dhënia e lejes së legalizimit”; neni 29 “Dokumentacioni për regjistrimin e objektit në ZRPP” (Ndryshuar me Ligjin nr. 9895, datë 9.6.2008) (Ndryshuar me Ligjin nr. 50/2014) si dhe me aktet nënligjore dalë në zbatim, si dhe Ligjin nr. 9154, datë 06.11.2003 “Për arkivat”, konkretisht:
-Subjekti vetëdeklarues “G……” është pajisur me Leje Legalizimi me nr. 70055369, datë 13.10.2016. Në Arkivin e Drejtorisë Rajonale Aluiznit Rurale Tiranë nuk ndodhet Leja e Legalizimit (Kopjo e dytë), por ndodhet vetëm fotokopje. Me shkresën nr. 066, datë 02.11.2016, është dërguar në ZVRPP Tiranë për regjistrim “Godinë shërbimi 7 kat me 5 kate nën tokë” (është Qendër Tregtare në Qendër Tiranë), duke shmangur legalizimin e ligjshëm për shtesat e kryera dhe kanë përfshirë të gjithë objektin, i cili është me leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë. ZVRPP Tiranë deri në kohën e auditimit nuk e ka regjistruar, pasi u bë prezent shkelja ligjore nga KLSH-it si regjistrim i paligjshëm. Dokumentacioni shoqërues cituar në shkresën e mësipërme si dhe dosja e plotë e dokumentacionit nuk ndodhet në Arkivin e Drejtorisë së ALUIZNI-t Tirana Rurale, (duke fshehur dokumentacionin e mos paraqitur atë të audituesve të jashtëm shtetëror).
-Subjekti vetëdeklarues “D.M.Q” është pajisur me leje legalizimi (nuk disponohen të dhëna) me të njëjtat shkelje. Me shkresën nr. 067, datë 02.11.2016 nga Drejtoria e ALUIZNI-t Tirana Rurale është dërguar në ZVRPP Tiranë, kërkesa për informacion për regjistrimin e lejes së legalizimit në emër të D.M.Q. (nuk e ka regjistruar nga ndërhyrja e KLSH-it si regjistrim i paligjshëm Veprime këto në kundërshtim me Ligjin nr. 9482, datë 03.04.1996, i ndryshuar dhe aktet nënligjore dalë në zbatim, si dhe Ligjin nr. 9154, datë 06.11.2003 “Për arkivat” dhe që shtetit do t’i sjellin dëme të mëdha financiare nga mos pagesa e taksës së ndikimit në strukturë sipas ligjit për marrjen në dorëzim nga Bashkia Tiranë sipas kërkesave ligjore në fuqi.

Inceneratorët, 200 milionë euro nuk zgjidhin situatën me mbetjet

Investimi prej 200 milionë eurosh për ndërtimin e inceneratorëve nuk e zgjidh situatën e krijuar nga mbetjet në vendin tonë. Kështu ka deklaruar për Televizionin SCAN kreu i Departamentit për Mjedisin në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi. Sipas Malltezit e vetmja zgjidhje për të shmangur ndotjen mjedisore është zbatimi i ligjit dhe i strategjisë për trajtimin e mbetjeve, hallkat e së cilës sipas tij janë shpërfillur, duke kaluar direkt tek incenerimi, që jo vetëm rrit koston financiarë të trajtimit të mbetjeve, por mund të sjellë pasoja të rënda në shëndetin e qytetarëve. “Është një praktikë, e cila ndodh, por gjithsesi qoftë nga strategjia jonë e mbetjeve, qoftë nga strategjia evropiane e trajtimit të mbetjeve, është hallka e parafundit që duhet ndjekur. Pra ne duhet të fillojmë me reduktimin, rikuperimin, riciklimin, më pas mund të shkojmë me rikuperimin energjetik ku përfshihen edhe inceneratorët dhe e fundit groposja apo lanfillimi. Ne japim zero lekë për tre hallkat e para që duhet të ishin fokusi kryesor sipas ligjit shqiptar, sipas direktivës së BE, strategjisë dhe hierarkisë së mbetjeve. Tre hallka marrin zero euro, hallka e parafundit 200 milionë euro”, u shpreh Jamarbër Malltezi, kreu i Departamentit të Mjedisit, të PD. Malltezi nënvizoi nevojën për ndërtimin e landfilleve të vegjël, ku aktualisht vetëm 3 janë sipas standardeve. “Kemi nevojë për landfille të vogla. E vetmja gjë është se duhet respektuar strategjia e mbetjeve, rendi prioritar i tyre. Më pas ne duhet të respektojmë standardet e BE, duam të jemi seriozë për në BE”, tha kreu i Departamentit të Mjedisit të PD. Malltezi e cilësoi hap pozitiv ndërgjegjësimin e qytetarëve në operacionin për pastrimin e Shqipërisë, nismë e ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, që do të zgjasë 6 muaj.

Fatura e tatimit mbi pronat! Shqiptarët do të paguajnë më shumë vitin e ardhshëm

Shqiptarët do të paguajnë të paktën 21 milionë euro më shumë si taksë prone në buxhetin e vitit të ardhshëm. Këtë parashikim ka bërë Ministria e Financave dhe Ekonomisë në ligjin për buxhetin të vitit 2018, ku totali i të ardhurave në këtë zë është parashikuar rreth 60 milionë euro. Sipas tabelave të buxhetit, arkëtimi nga taksa e pronës në 2018-ën pritet të rritet me 54%, për të arritur në 8.1 miliardë lekë, nga 5.3 miliardë lekë që pritet të mblidhen këtë vit. Qeveria synonte që të reformonte taksimin e pronës për vitin e ardhshëm, por duket se e vetmja pjesë me reformim do të jetë taksa e ndërtesës, ndërsa taksa që paguhet për tokë truall dhe tokë bujqësore do të mbeten sipas modelit të vjetër.
Në Paketën Fiskale të vitit 2018, qeveria ka zyrtarizuar se shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është 0.05% për ndërtesën ku taksapaguesi ka banimin e përhershëm, ose zakonisht banon dhe 0.2% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike. Taksën për ndërtesën duhet ta paguajnë individët, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarë të pasurive të paluajtshme, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave.
Por, taksën do ta paguajnë edhe ata të cilët nuk kanë marrë në dorë një dokument ligjor për legalizimin, por kanë aplikuar në këtë proces. Të paktën 350 mijë ndërtime janë në proces legalizimi dhe ende nuk kanë marrë leje. Në momentet e fundit qeveria rriti numrin e atyre që do të paguajnë, duke shtuar edhe ndërtuesit që nuk kanë respektuar afatet për lejen që kanë marrë. Sipas përcaktimit, kjo kategori do të paguajë 30% të shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.
Aktualisht në Shqipëri, ka qytetarë që kanë në pronësi më shumë se një banesë, dyqan apo prona të tjera të patundshme dhe nuk paguajnë taksa për to. Kjo do të thotë humbje e konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave zyrtare të dikasterit të financave, të ardhurat që mblidhen nga taksa e pasurisë janë ndjeshëm më të ulëta se niveli i taksave të tjera. Për 10-mujorin e këtij viti, nga kjo taksë janë futur në buxhet 4.2 miliardë lekë, duke qenë viti me nivelin më të lartë të arkëtimeve në vitet e fundit.