20.5 C
Tirana
E premte, 11 Korrik, 2025

Kur bie Kushtetuta, Gjykata Kushtetuese është e asgjësuar

-Partia Demokratike e ka quajtur zgjedhjen e prokurores së përkohshme “antikushtetuese”, por kryetari Basha deklaroi se nuk do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. A e mbështesni këtë vendim?
Së pari, t’i drejtohesh Gjykatës Kushtetuese në këto rrethana do të thotë të tallesh me veten tënde. Gjykata Kushtetuese është një institucion, i cili nuk funksionon si institucion kushtetues emergjence. Pra, nëse i drejtohesh asaj, ajo ka të drejtën të marrë kohën e vetë, që mund të jetë 1 vit, një vit e gjysmë dhe kjo nuk sjell asgjë në skenë. Së dyti, nuk di a e dëgjuat deputetin Braimllari se si me zë e me figurë Vasilika Hysi i kërcënon të atin se e ke gjyqtar. Horra si këta toka nuk ka patur. Dhe çdo gjykatës i Gjykatës Kushtetuese është në një presion të jashtëzakonshëm, vetting e stërvetting, de fakto kur vdes Kushtetuta, ka vdekur para saj Gjykata Kushtetuese. Në Parlament vdiq Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese është vetvetiu e asgjësuar.

– Zoti Berisha edhe grupi i ish-bashkëpunëtorëve tuaj, i të përjashtuarve nga listat e deputetëve, por jo vetëm nga lista, kanë dhe ata mbështetësit e tyre. Dhe sigurisht PD nuk e ka luksin të largojë njerëz nga radhët e saj. U bë prej disa muajsh që në tryezën e zotit Basha janë dy platforma me ndryshime statutore. Ndonëse ju në intervistat tuaja të fundit keni thënë se po bëhen hapa, deri tani ato janë të padukshëm. Pse është kaq e vështirë për t’i thirrur mbështetësit e këtyre platformave në një takim nga ana e kryetarit të Partisë Demokratike? Vërtet mendoni se ka vullnet për bashkim?
Unë besoj se ka një vullnet për bashkim. Ritmet dhe tempet mund të ishin më të shpejta. Por unë besoj se ka një vullnet për bashkim dhe hapa të sigurtë në këtë drejtim janë bërë. Kjo është gjithçka ajo që mund të them.

-Pas seancës së fundit të Kuvendit, Grupi parlamentar i PD zhvilloi një mbledhje të përbashkët me atë të LSI. Duket sikur kundër qeverisë Rama po bëhet bashkë e njëjta aleancë që i dha Partisë Demokratike mandatin e dytë qeverisës në vitin 2009, por që po nga kostot e kësaj aleance, Partia Demokratike i humbi zgjedhjet e vitit 2013. Si mendoni se mund të pritet nga militantët e PD dhe nga qytetarët aleanca e re që po ngjizet, mes PD dhe LSI?
Unë mendoj se Edi Rama përbën, pas Enver Hoxhës dhe diktatorit Ramiz Alia, rrezikun më të madh kombëtar në historinë e këtij kombi. Dhe unë i siguroj shqiptarët se atë që panë dje me votën e pabesë ndaj SHBA-ve është vetëm fillimi, se shumë shpejt do të shohin akte të tjera madhore antikombëtare nga një njeri apatrid, për të cilin kombi është hiçgjë para pushtetit dhe lëkurës së tij personale. Ky është vetëm fillimi i asaj që do të shohin. Nuk është rasti i parë sepse kundër SHBA kanë votuar edhe vjet, qartësisht në një rezolutë pro Rusisë që kishte të bënte me NATO-n dhe që SHBA-të e kishin iniciuar pikërisht për shkak të NATO-s dhe Edi Rama votoi kundër, mashtroi në Parlament se ishte një keqkuptim dhe se do të korrigjohej, por në fakt votoi ashtu siç e urdhëruan. Kështu që kjo që ndodhi është vetëm fillimi, shumë shpejt shqiptarët do të shohin shumë gjëra të tjera antishqiptare të shëmtuara në shkallë ekstreme. Ndaj rrëzimi i tij justifikon çdo aleancë, jo vetëm me LSI, por dhe me çdo forcë tjetër politike, me çdo qytetar të këtij vendi, me mediat, dhe është një emergjencë madhore kombëtare. Me këtë rast u bëj thirrje shqiptarëve kudo që janë, të dënojnë pabesinë dhe votimin, në kundërshtim me interesin kombëtar, të Edi Ramës, i drejtohem forcave politike shqiptare në të katër anët e trojeve të distancohen nga ky akt i shëmtuar i Edi Ramës, ta bëjnë këtë në interesin më të mirë të kombit shqiptar.

-A mendoni se nuk duhet të ishin lënë për në muajin janar protestat e opozitës?
Ti po pyet një njeri, cili çdo ditë mendon se protesta duhet të jetë nesër. Unë jam, por ata që organizojnë kanë detyrat e tyre. Unë çdo ditë bëj thirrje për protestë.

-Prisni vërtet një revolucion demokratik në muajin janar?
Unë jam i bindur që do të ndodhë. Unë u përkas atyre njerëzve që besojnë se pavarësisht nga ngritje-uljet, shpresa është e përjetshme. Dhe kam shumë besim pavarësisht nga situatat dëshpëruese, se do të dilet përsëri dhe Edi Rama do të marrë atë që meriton. Një revoltë e fuqishme popullore e pret përpara për të fshirë këtë regjim droge, krimi, antishqiptar dhe antikombëtar, pas regimit të Hoxhës, më i ziu i këtyre trojeve.

Largimi i Ramës, emergjencë kombëtare

Ish-kryeministri Sali Berisha dënon ashpër votën e Shqipërisë kundër SHBA në OKB, duke e cilësuar atë si një akt të tuprshëm dhe anti kombëtar. Përmes një interviste për Tv “Klan”, Berisha e ka cilësuar si një akt fondamental të klikës në pushtet, votën kundër të Shqipërisë në OKB ndaj njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Berisha e cilësoi votën e djeshme në OKB si votë turpi në historinë e Shqipërisë dhe kthim në politikën e vjetër antiamerikane. “Jeruzalemi de facto është kryeqyteti i Izraelit dhe jam i bindur se do jetë i tillë, për sa kohë do të ekzistojë shteti i Izraelit. Ndaj dhe kjo që bëri Edi Rama ishte një akt ekstrem pabesie ndaj një vendi që ne i detyrohemi”, shprehet Berisha. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të djegë apo jo mandatin e deputetit, Berisha tha se “jam duke e shqyrtuar këtë problem, nuk kam marrë vendim. Unë po ndjek, ka një debat dhe forcat politike do të diskutojnë dhe po diskutojnë për qëndrimet që do të mbajnë ndaj Parlamentit. Unë e kam dhënë mendimin tim. Nuk janë aspak të detyruara ta marrin për bazë, por nuk jam tërhequr nga mendimi im. Të gjitha ata që njohin alfën e kushtetutave të vendeve të lira”.

-Zoti Berisha votën e Shqipërisë në OKB kundër rezolutës së Shteteve të Bashkuara për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit ju e keni quajtur një akt të rëndë antikombëtar. Përse ky qëndrim?
Sepse unë kam bindjen më të thellë se ky ishte një akt madhor fondamental antikombëtar i klikës në pushtet. Shqipëria mund të ishte vendi i fundit në botë që të votonte për dënimin e SHBA. Shqipëria nuk bëri dot atë që bëri Kroacia, Bosnje-Hercegovina paçka se shqiptarët në historinë e tyre të lirisë kanë patur në çdo moment SHBA-të me një rol përcaktues për lirinë e tyre. Për çdo shqiptar që ndjehet si i tillë, Jeruzalemi i shqiptarëve është Kosova dhe në këtë kontekst ishte fuqia udhëheqëse politike dhe fuqia ajrore e SHBA që çliruan Kosovën, një vend me 95% myslimanë shqiptarë. Pa këtë determinizëm Kosova do të ishte sot nën pushtimin serb ose do të ishte ndarë, copëtuar dhe spastruar, ose do të ishte një pjesë apo provincë e Serbisë. Por s’është vetëm kaq. Ata, të cilët e kanë të shtrenjtë interesin kombëtar dhe kombin nuk mund të harrojnë kurrë vitet ‘20 të shekullit të shkuar. Rreth para 100 vitesh, fuqitë e mëdha europiane vendosën të shpërbëjnë dhe copëtojnë dhe Shqipërinë londineze, dhe ishte SHBA dhe presidenti i tyre Ëilson që hodhi poshtë planin e copëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë. Përndryshe sot, shqiptarët do të flisnin në Tiranë shqipen që flasin shqiptarët në Plavë, në Pazarin e Ri, që flasin shqiptarët në Rekë, në Nish apo në Kuç të Malit të Zi. Me një fjalë, ndërhyrjet e SHBA për ekzistencën e kombit shqiptar kanë qenë vendimtare. Nga ana tjetër se e shoh që është një qëndrim mirëfilltas kundër SHBA, sepse Presidenti Trump s’po bën asgjë tjetër veçse po zbaton një ligj të Kongresit amerikan të marrë pothuajse në unison të plotë në vitin 1995, i cili urdhëron ekzekutivin amerikan të transferojë në Jeruzalem ambasadën dhe të njohë për kryeqytet Jeruzalemin. Presidenti Trump e premtoi gjatë fushatës dhe e bëri realitet në këtë kohë. Vota e djeshme, një votë turpi në historinë tonë, një rikthim atavist i Edi Ramës dhe Sul Bushatit, sepse në fakt dje në OKB kanë votuar kriminelët Kristaq Rama dhe Sul Bushati, kanë votuar pra, bllokmenët. Ky ishte pra, një kthim në politikën e vjetër antiamerikane të klikës komuniste, të klikës hoxhiste. Nuk mund ta bënte kurrë. Në fund të fundit realiteti është ky: nga vitet 1967 deri në ditët e sotme, këto vende që votuan kundër s’kanë mundur të ndryshojnë qoftë dhe një milimetër, të zbatojnë rezolutën e OKB të vitin 1967 dhe realiteti është se Jeruzalemi de fakto është kryeqyteti i Izraelit dhe jam i bindur se do të jetë i tillë për sa kohë të ekzistojë shteti i Izraelit. Ndaj dhe kjo që bëri Edi Rama ishte një akt ekstrem pabesie ndaj një vendi që ne i detyrohemi. E them dhe një herë se, po të qe për ata që votuan dje, që sot janë miq, por s’duhet të harrojmë se dikur po të qe për ta ne nuk ekzistonim. Na ndanë ata dhe më ‘20-tën, na copëtuan, vendosën që të mos ketë shqiptar si komb në Europë.

-Le të kthehemi në aktualitetin politik. Seanca e të hënës gjatë votimit të kryeprokurores së përkohshme ishte ndër më të tensionuarat që ka njohur Parlamenti shqiptar. Dhe po ashtu u ndaluat nga Garda që të flisnit në podium. Në prononcimin tuaj për mediat ju u shprehët se, Parlamenti ka vdekur dhe sugjeruat djegien e mandateve, por çka është parë këto ditë, ky propozim nuk ka mbështetjen e Grupit parlamentar të PD dhe kryetarit Basha. Nëse Parlamenti ka vdekur, atëherë a nuk mendoni se prania juaj aty vetëm sa e legjitimon atë? Ju do ta digjni mandatin tuaj personal apo do t’i bindeni vullnetit të grupit?
Së pari, në Parlament, për të gjithë ata të cilët njohin alfën e lirisë, të gjithë ata që njohin alfën e Kushtetutave të vendeve të lira, në Parlament faktikisht u ekzekutua liria e fjalës dhe kjo, absolutisht pse iu bë një ish-presidenti apo ish-kryeministri, por sepse kjo ndodhi në mënyrën më të paimagjinueshme. Unë kërkova fjalën për procedurë. Kryetari i Parlamentit shënoi kërkesën time dhe më dha fjalën. Pasi mbaroi parafolësi u ngrita të marr fjalën në përputhje të plotë me procedurën, Edi Rama, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, kjo është disa herë më e rëndë se zgjedhja e prokurorit, sepse aty vërtet është shkelur një nen për zgjedhjen e prokurorit, por këtu është shkelur themeli i Kushtetutës. Edi Rama, i tmerruar, si një skizofren dhe mjekohet me kokainë jo me haloperdol, mirëpo mjekimi me kokainë nuk ia zhduk atij zërat e brendshëm dhe atij kushedi çfarë i thanë zërat, që Sali Berisha kushedi po del të të qëllojë ty, gjë të cilën kurrë nuk e kisha ndërmend. Unë kisha ndërmend të flisja tre minuta që më takonin konform rregullores. Dhe ai, jashtë çdo kompetence, urdhëron, ia bën me shenjë komandantit të rojeve të dalin e të më bllokojnë rrugën për në platformë. Nuk ndodh kjo në asnjë vend të botës. Nuk mund të ndodhë as në diktatura, nuk ndodh kjo as në demokraci. Kjo ndodh vetëm në një vend që qeveriset nga një skizofren, i cili nuk mjekohet dhe pastaj kryen akte të tilla. Pra, për mua që në këtë moment Parlamenti nuk është më Parlament, Parlamenti ka marrë fund. Ata që mund të mendojnë se unë jam fyer në sedër, në mënyrë absolute jo. Garda ka dalë herë të tjera dhe do të dalë sa herë të mos zbatohet rregullorja, dhe kjo është normale. Mund t’u them qytetarëve që ka patur raste që ata dilnin kur flisja unë dhe ju thoja “ikni, se nuk bie rrufeja aty ku s’duhet”. Pra, Garda del, por të dalë në këtë mënyrë, të mos lejojë deputetin të dalë në platformë për të folur sepse të sëmurit psikikë i thonë zërat se ky tani do të qëllojë, kjo është gjë totalisht e papranueshme. Në këtë kontekst ai ekzekutoi Parlamentin.
Çështja tjetër, zgjedhja e tij kryeprokuror. Ai u zgjodh kryeprokuror pasi opozita ofroi … Opozita, as nuk kishte dëshirë të zgjatej mandati i Llallës, as nuk kishte dëshirë të akuzohej se po lë vendin bosh të prokurorit. Opozita kishte dëshirë të zgjidhte një prokuror me vetting ashtu siç e përcakton Kushtetuta me 3/5 e votave. Por, Edi Rama për t’u zgjedhur vetë prokuror përdori 69 mandate dhe këtë e bëri duke shkelmuar për së dyti Kushtetutën me një qëllim të vetëm, të mbyllë dosjen e tij. Faktikisht, sa për Saimir Tahirin, Tahiri Ramës i çoi edhe kërcënime me jetë ditën e parë fare ndaj dhe betohej Saimiri për kokën e djalit, pikërisht se i kishte kërcënuar djalin dhe Tahirin vetë. Po kur Tahiri nxori dosje të tjera, faktikisht nuk është më dosja e Tahirit kryesorja, është dosja e Ramës kryesorja që e shtyn atë të bëhet kryeprokuror i vendit.

-Ju do ta digjni mandatin tuaj personal apo do t’i bindeni vullnetit të grupit?
Nuk kam marrë vendim akoma. Por unë po ndjek debatin normal që po zhvillohet mes forcave politike, të cilat po diskutojnë për qëndrimet që do të mbajnë ndaj Parlamentit. Unë e kam dhënë mendimin tim, nuk janë aspak të detyruara ta marrin për bazë. Por unë nuk kam thënë aspak se jam tërhequr nga mendimi. Unë jam duke e shqyrtuar këtë problem, por për mua Parlamenti ka vdekur, e ekzekutoi, e asgjësoi Edi Rama. Kjo është e vërteta. U thellua më tej me përjashtimin e shtatë deputetëve. Pasi përgjakën një deputete nga banditët me uniformë, pasi qëlluan me grusht deputeten tjetër banditë me imunitet dhe përjashtuan dje shtatë deputetë duke treguar se Parlamenti nuk është gjë tjetër veçse një klub trafikantësh, i cili nuk ekziston më si institucion i pluralizmit.

Italia kundër Prokurores së Përkohshme: Duhet konsensus me opozitën

Kuvendi i Shqipërisë miratoi vetëm me votat e socialistëve në seancën e së hënës Arta Markun, në postin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme. Proçedura e zgjedhjes së Markut u kontestua fort nga opozita, e cila protestoi në sallë dhe jashtë saj me argumentin që u shkel Kushtetuta.
Në më pak se 1 javë nga dita e zgjedhjes së Kryeprokurores, ka ardhur edhe reagimi i parë i një diplomati që ka kontestuar procesin.
“Personi i zgjedhur përtej meritave të tij profesionale, që sigurisht janë shumë dhe prandaj nuk duhet të minojnë punën e saj, u zgjodh vetëm nga një parti politike dhe kjo mendoj se ishte një mundësi e humbur”, tha Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo për Radio “Radicale”.
Diplomati italian shtoi se duhej të ishte zgjedhur një prokuror konsensual, sepse ndonjëherë kjo situatë e përkohshme mund të zgjasi për një kohë të gjatë.
Ai tha se prokurorja “është e përkohshme, por askush nuk mund të na tregojë se sa kohë do të zgjasë dhe ndonjëherë situata e përkohshme mund të zgjatet në kohë. Kështu, në të mirë të Shqipërisë, një zgjedhje konsensuale do të ishte e përshtatshme, një zgjedhje që për këtë arsye nuk krijon ndarje. Për fat të keq, dhe këtu themi se partitë politike duhet të vënë në pyetje përgjegjësitë e tyre përkatëse, për fat të keq nuk kemi arritur në këtë lloj zgjedhjeje”.
“Duhet të jemi të vëmendshëm për respektimin e ndarjes së pushtetit”, tha Cutillo, duke folur për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Luftë e re e mafias italiane” për trafikun e drogës nga Shqipëria

“Janë trafiqet e drogës me Shqipërinë që kanë shkaktuar një luftë të re të mafias në territorin e Foxhias e në tërë provincën”, ka deklaruar gjatë takimit të fundvitit me gazetarët, komandanti i Forcave të Rendit të Komunës së Foxhias në Itali, kolonel Marco Aquilio.
“Grupet kriminale lokale po fuqizohen, duke kërkuar burime e dialog me grupet kriminale përtej kufijve, në veçanti në Shqipëri”, tha ai gjatë bashkëbisedimit me mediat, ku prezantoi statistikat e bilancin e aktivitetit të forcave të rendit përgjatë 2017 në tërë territorin e Foxhias.
2017 ka qenë një vit i vështirë në këtë zonë, ku janë regjistruar një shtim i numrit të vrasjeve, një rritje e numrit të personave të arrestuar, si dhe një sasi më e madhe armësh, municionesh e lëndësh narkotike të sekuestruara, në krahasim me vitin 2016.
“Ka nisur një luftë e re mes grupeve kriminale mafioze që ka çuar në mënyrë të pashmangshme në shtimin e numrit të armëve”, u shpreh kolonel Aquilio.
“Konfliktet mes grupeve kriminale janë lidhur me narkotrafikun. E dëshmojnë këtë fakt kontaktet e klaneve mafioze italiane me Shqipërinë e sekuestrimet e mëdha të drogës së trafikuar nga Shqipëria drejt rajonit të Puglias, nga janari i 2017 e deri më sot”, u shpreh kolonel Marco Aquilio.
“Është e qartë, tha ai, se në momentin kur grupet kriminale fokusohen tek trafiku i drogës, rritet konsumi i lëndëve narkotike, por rritet dhe numri i grabitjeve siç janë regjistruar gjatë këtij viti. Grabitje të kryera nga adoleshentë të gatshëm për gjithçka, vetëm për disa qindra euro që u duhen për të blerë drogën”.
Një nga ngjarjet më të përgjakshme të regjistruar në territorin foxhian më 2017 është masakra San Marco in Lamis e 9 gushtit, ku u vranë barbarisht bosi mafioz Mario Luciano Romito, kunati i tij, Matteo De Palma si dhe dy fshatarë të pafajshëm, Luigi e Aurelio Luciano.
Sipas policisë italiane, kjo masakër e rëndë qe një luftë në territor mes dy klaneve mafioze Romito e Alto Tavoliere, për të kontrolluar trafikun e drogës të ardhur nga Shqipëria.
Lidhjet e mafias foxhiane me grupet kriminale shqiptare i ka denoncuar publikisht dhe ish-Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franco Roberti.
Në deklaratat e tij është shprehur se, foxhianët janë lider të trafikut të drogës në Itali falë raportit të tyre të privilegjuar me shqiptarët, të cilët pas amerikano-jugorëve janë brokerit e parë të drogave të lehta në botë. “Kemi sekuestruar tonelata e tonelata hashashi e marijuane nga Shqipëria e jo më kot kemi intensifikuar vizitat në Tiranë së bashku me prokurorë të Antimafias puglieze”, u shpreh kolonel Marco Aquilio.
Trafiku i drogës me klanet shqiptare pas vrasjeve në 2017
Trafiku i drogës me klanet shqiptare qëndron pas shumicës së vrasjeve me sfond mafioz në rajonin e Foggias, në vitin 2017. Koloneli Marco Aquilio tha se, trafiku i lëndëve narkotike me Shqipërinë ka krijuar një luftë të re mafioze në këtë rajon.
Shqiptarët, të cilët sipas EUROPOL-it janë mes klaneve që po fuqizohen gjithmonë e më shumë, po krijojnë bazat e tyre në shtete të ndryshme të vendeve anëtare, për të shoqëruar kalimin nga trafiku i marijuanës në atë të kokainës dhe heroinës.
Pas shumë vitesh zbarkime në Salento, një territor komod për shkak të afërsisë me bregdetin shqiptar, shtetasit tanë po ngjiten më në veri, drejt Foggias, ku kontrolli i territorit nga forcat e rendit është më i vështirë. Por, paratë që po vërshojnë nga vendi i shqiponjave po shkaktojnë një numër të madh përleshjesh e viktimash, shkruan “Il Fato Quotidiano”.
“Jemi përballë evolucionit të një fenomeni garganez”, thotë Akuilo për median italiane, duke iu referuar rajonit ku po kanalizohet biznesi. “Ai po shfrytëzohet si një portë drejt Europës. Interesat e lidhura me trafikun ndërkombëtar kanë nxitur orekset e grupeve të tjera kriminale, gjë që i ka hapur rrugën një përplasjeje të paprecedentë bandash”, tha ai.

Bugajski: Shqipëria duhet të abstenonte

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Janusz Bugajski, tha se nuk beson se vota e vendeve që u shprehën pro rezolutës do të ketë ndonjë efekt mbi këto vende.
Shtetet e Bashkuara, tha ai, nuk mund të ndëshkojnë tërë ato vende që votuan pro, sidomos vendet myslimane.
Zoti Bugajski tha se deklaratat amerikane më tepër se një kërcënim janë një paralajmërim. Për shembull, SHBA mund të shkurtojnë ndoshta kontributin e tyre ndaj Kombeve të Bashkuara në tërësi. Por nuk mendoj, tha zoti Bugajski, se do të kishte pasoja në kuptimin e marrëdhënieve dypalëshe me vendet që votuan kundër Shteteve të Bashkuara.
“Çdo marrëdhënie dypalëshe, – tha ai, – do të shqyrtohej në bazë të meritës së saj dhe jo në bazë të një vote të vetme në OKB”.
Lidhur me argumentin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, se Shqipëria votoi në linjat e Bashkimit Evropian, zoti Bugajski tha se ky argument nuk është dhe aq bindës, sepse nuk ekziston një qëndrim i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe në fakt disa vende të BE-së abstenuan: Polonia, Hungaria, Rumania e të tjera.
Pavarësisht nga qëndrimi i BE-së, tha eksperti, ky ishte një votim më tepër simbolik. “Megjithatë, – tha ai, – SHBA vëzhgojnë se cilët vende e mbështesin në kohë të vështira, prandaj, qëndrimi më i mirë për Shqipërinë do të kishte qenë që ajo të kishte abstenuar”.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit reagoi, duke thënë se mënyra se si kanë votuar vendet e ndryshme nuk është i vetmi faktor që administrata amerikane do të mbante parasysh në marrëdhëniet e SHBA me vendet që zgjodhën të votojnë pro rezolutës.

Presidenti kundër Ramës tek Trump

Presidenti shqiptar Ilir Meta i ka shprehur sot keqardhjen e tij Presidentit amerikan Donald Trump, lidhur me votën e djeshme të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në favor të rezolutës që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA. Në një letër dërguar Presidentit të Shteteve të Bashkuara, ku fillimisht e falenderon për urimet e dërguara prej tij me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë, zoti Meta shkruan se, “vota kundër aleatit dhe mikut tonë të madh, është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës dhe as me Parlamentin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA-ve në momentet më të vështira të ekzistencës së tij”.
Presidenti shqiptar bën më tej të ditur në letrën e tij se, “do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë, që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesave tona kombëtare”.
Edhe më herët gjatë ditës, përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, Presidenti Meta kishte theksuar ndër të tjera se, “ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar”.
Ministria shqiptare për Europën dhe Politikën e Jashtme sqaroi mbrëmë, përmes një deklarate, pozicionin e mbajtur në OKB. “Vota jonë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë çështje. Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër të konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit të saj të linjëzuar me Bashkimin Evropian”, shpjegon deklarata.
Por sipas kryetarit demokrat Lulzim Basha “Shqipëria ka konsoliduar në 27 vite, një qëndrim të rreshtuar krah qëndrimit amerikan për çështjet e Lindjes së Mesme. Për herë të parë, Shqipëria ka ndryshuar qëndrim dhe është rreshtuar me shumicën e vendeve të BE-së”, theksoi mbrëmë gjatë emisionit “Opinion”, në “Tv Klan”. Sipas zotit Basha, Shqipëria ka mbajtur “një qëndrim të gabuar. Kjo çështje ka të bëjë me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, të cilat deri sot janë shërbyer vetëm nga një aleat strategjik që janë SHBA-të, pa të cilët nuk do ishim anëtarë të NATO-s dhe Kosova nuk do ishte e pavaruar”, tha zoti Basha. “Nga ana tjetër – shpjegoi ai – ne kemi një tjetër interes strategjik, atë të anëtarësimit në BE. Por përsa kohë BE-ja nuk e kushtëzoi politikën e vet të jashtme, nuk kishte arsye që Shqipëria të ndryshonte qëndrimin dhe të mos i qëndronte pozicionit amerikan. Jo për mënyrën se si duhet të zgjidhet çështja, por për hir të interesit kombëtar”, nënvizoi zoti Basha.
Në përgjigje të kritikave, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, përmes një statusi në Facebook, reagoi sot duke u shprehur se, “në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve”.
“Shqipëria – shkruan më tej zoti Bushati – ka votuar në mënyrë konstante pro rezolutave të OKB-së në lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme, në tërësi, dhe në veçanti pro rezolutës specifike që trajton çështjen e vendbanimeve në territoret e pushtuara, përfshi Jeruzalemin Lindor, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ky qëndrim i konsoliduar i Shqipërisë ka qenë e mbetet i njëjtë pavarësisht se kush ka qenë në drejtim të punëve të shtetit, përfshi këtu votimin në vitin 2012 dhe në vitin 2013 e deri sot si shumica dërrmuese e vendeve të OKB-së”.

Sekuestrohen 101 kg drogë e armë nga Shqipëria në Greqi

Policia greke sekuestroi dje 101 kg drogë dhe një kallashnikov të futur nga Shqipëria. Operacioni u krye nga policia greke në Kallpaq të Janinës. Mësohet se mjeti në të cilin ishte ngarkuar droga vinte nga kufiri i gjelbërt dhe drejtohej nga një shtetas grek. 50-vjeçari u ndalua në flagrancë nga policia. Gjatë kontrollit u gjetën në sediljen e pasme të mjetit 65 pako me 101 kg marijuanë. Në makinë ishte fshehur edhe një kallashnikov, 200 euro dhe 2 celularë.
Policia greke ka asgjësuar pjesë nga sasitë e drogës së konfiskuar gjatë këtij viti. Në një nga furrnaltat e zonës së Beotisë, u dogjën 25 kilogramë heroinë, 27 kg kokainë, 300 kilogramë kanabis dhe 1,200 fidanë kanabisi. Në këtë aksion ishte i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i policisë greke, gjeneral leitnant Konstandinos Tsuvalas, që e cilësoi 2017-ën si një vit mjaft të suksesshëm në luftimin e trafikut të drogës. Ai shtoi se 2018-ta do të shpallet si “viti kundër drogës”.
Gjatë 2017-ës u sekuestruan gjithsej 16 tonë kanabis, shumica e të cilave kishin hyrë nga Shqipëria, 302 kg heroinë, 220 kg kokainë dhe 50.000 pilula narkotike. Policia trajtoi 12.000 çështje që lidheshin me drogën. U proceduan 17.000 persona, nga të cilët 12.000 u arrestuan.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke tha se, gjatë vitit të ardhshëm, do të operohet në dy akse në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në sensibilizimin e shoqërisë, për të patur rezultate edhe më të mira në luftën kundër trafikut të drogës.

5 shqiptarë kapen në Itali me 2.8 kg kokainë dhe 21 mijë euro

Policia italiane ka sekuestruar 2.8 kg kokainë dhe më shumë se gjysmë kg substancë përzierëse si dhe ka vënë në pranga 5 shqiptarë nën akuzën e trafikut të kokainës. Aktivitetin e tyre, ata e zhvillonin në krahinat e Pratit dhe të Firences. Fillimisht ka nisur ndjekja ndaj dy shqiptarëve në zonën e Sesto Fiorentinos, ku fillimisht janë gjetur rreth 300 gram kokainë.
Hetimet zbuluan më pas edhe një person të tretë, po shqiptar që shërbente si furnizues. Atij ju gjetën 523 gramë kokainë në makinën e tij. Arrestimet çuan edhe në kërkime të mëtejshme në Prato dhe Firence. Në Prato, në zonën qendrore është identifikuar edhe një shtëpi si bazë e kokainës, ku është gjetur 1.5 kg kokainë dhe 300 gram substancë e përdorur për prerjen e lëndës. Ndërkohë, aty janë gjetur edhe 21 mijë euro para të gatshme.
Një tjetër shqiptar u arrestua, pasi u gjet në apartament dhe që shërbente për ruajtjen e narkotikëve dhe të ardhurave nga aktiviteti i paligjshëm. Në Firence, në zonën e San Donnino, ushtria gjeti edhe një gjysmë kg kokainë dhe materiale për paketimin. Operacioni atje çoi në arrestimin e një tjetër shtetasi shqiptar.
Kështu në pranga përfunduan shtetasit me iniciale N.E, 31 vjeç, C.F, 30 vjeç, K.A, 31 vjeç, si dhe D.B, 41 vjeç, banues në Firence. Sasia totale e drogës së kapur është 2.8 kg kokainë dhe më shumë se gjysmë kg substancë përzierëse. Karabinierët gjithashtu kanë konfiskuar shumën prej 21.460 euro, duke vlerësuar se është përfituar nga shitja e drogës dhe materialet për paketimin e dozave. Të pesë shqiptarët janë dërguar në burgun Sollicciano.
Një ditë më parë, dy shqiptarë u arrestuan në Breshia me 15 kg kokainë, vlera e të cilës në tregun italian shkon rreth 5 milionë euro. Një nga shqiptarët e arrestuar rezulton vetëm 14 vjeç, dhe një pjesë e drogës iu gjet në një çantë shkolle. Minoreni së bashku me një 24-vjeçar janë mbajtur në vëzhgim për disa ditë dhe më pas u arrestuan teksa dolën nga një garazh automjetesh. Ata janë ndaluar në bordin e një automjeti dhe në zotërim të 14-vjeçarit janë gjetur 6 kg kokainë e ndarë në disa pako.
Pas kontrollit në banesën e minorenit 14-vjeçar janë gjetur dhe 9 kg të tjera kokainë, 3 kg prej të cilave ndodheshin në çantën e shkollës së bashku me një peshore të vogël. 14-vjeçari shqiptar ka lindur në Itali nga prindër shqiptarë, punëtorë të rregullt e të integruar mirë në jetën sociale breshiane. Një familje perfekte, e cila nuk kishte asnjë dijeni mbi atë çka kishte bërë djali i tyre.

Trafiku klandestinëve drejt Greqisë, 1 milion euro fitimi i grupit shqiptar

 

Një shqiptar dhe një irakian ishin krerët e një grupi kriminal që u asgjësua të premten në Athinë dhe pajiste me dokumente të falsifikuara emigrantë që donin të udhëtonin për në vendet e BE-së. Sipas komunikatës së policisë, nga verifikimet e deritanishme, rezulton se fitimet e këtij grupi e kalojnë shifrën 1 milion euro.
Gjatë operacionit që u realizua ditët e fundit me mbështetjen e Qendrës Europiane kundër trafikimit të emigrantëve – EMSC, u arrestuan 8 persona, 4 irakianë, një shqiptar, një sirian, një bangladeshas dhe një shtetase greke.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e të arrestuarve, u gjetën dhe u sekuestruan dokumenta të falsifikuara si pasaporta, karta identiteti, leje qëndrimi, tre kompjutera, katër vula shërbimesh shtetërore, 19.040 euro, dollarë amerikanë, dinarë irakianë dhe lira turke, 2 automjete dhe 18 telefona celularë.
Sa i përket mënyrës së veprimit, grupi përgatiste dokumente udhëtimi të falsifikuara, që pastaj ua shiste trafikantëve të ndryshëm. Çmimet e shitjes me shumicë varionin nga 100 deri në 240 euro. Pastaj trafikantët pajisnin me këto dokumente dhe kundrejt çmimeve të “kripura”, emigrantë që donin të udhëtonin nga Greqia për në vende të tjera të BE-së.
Sipas policisë, krerët e këtij grupi kriminal ishin një irakian dhe një shqiptar. I pari, merrej me mbylljen e marrëveshjeve dhe dorëzimin e dokumentave te trafikantët, ndërsa shtetasi shqiptar kishte si mision sigurimin e dokumentave të falsifikuara.

Sekuestrohen llogaritë bankare 300 mijë euro të një gruaje në Vlorë

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

 

Policia e Vlorës ka bllokuar dy llogari bankare të një 57-vjeçareje në Vlorë, pasi dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale. Shuma totale e sekuestruar është 298.324 euro dhe janë të depozituara në llogaritë në emrin e shtetases me iniciale T.B, banuesë në Vlorë. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Mësohet se 57-vjeçarja nuk ka asnjë biznes privat apo aktivitet tjetër që të justifikojë shumën e derdhur në bankë. Ajo ka treguar në polici se lekët ja ka sjellë i biri, i cili ndodhet jashtë shtetit.
Nga burime konfidenciale të Policisë së Vlorës mësohet se, shumat e parave janë transferuar nga një bankë e huaj nga djali i 57-vjeçares. Policia dyshon se, paratë janë produkt nga aktiviteti kriminal i të birit. Policia dhe Prokuroria kanë regjistruar procedimin penal për pastrim parash.