33.5 C
Tirana
E enjte, 17 Korrik, 2025

Bosi shqiptar i drogës arrestohet në Spanjë

Detaje të reja janë bërë me dije nga mediat spanjolle lidhur me një organizatë të fuqishme droge me bazë në Galicia të Spanjës, që drejtohej nga një shqiptar. Këtë të hënë, disa nga anëtarët janë arrestuar, mes tyre edhe “koka” e organizatës.
Media spanjolle “ABC” raporton se në krye të kësaj organizatë ishte shqiptari me iniciale V.V., 39 vjeç. Ai përshkruhet si një i “regjur” në botën e krimit, që është marrë me trafik droge për një kohë të gjatë. V.V., i cili bënte një jetë modeste në qytetin spanjoll Santiago de Compostela, është mes 8 personave të arrestuar deri më tani në kuadër të aksionit të nisur nga “Guardia Civil” në muajin shkurt.
V.V. udhëhoqi një organizatë kriminale e dedikuar në futjen në Galica të narkotikëve për tu rishitur më pas po në Galicia dhe Asturias, një tjetër rajon në Spanjë. Mes të burgosurve është edhe M.F.V., një spanjoll, i cili konsiderohet nga hetuesit “truri” i organizatës. M.F.V., i njohur nga policia spanjolle për precedentët e shumtë në fushën e narkotikëve, ishte nën urdhrat e drejtpërdrejtë të ‘bosit’ shqiptarit.
V.V. kishte pesë persona që punonin drejtpërdrejtë nën urdhrat e tij, që sipas hetimeve ishin përgjegjës për “kërkimin e blerësve të drogës, shpërndarjen, sigurimin e mbështetjes logjistike dhe garantimin e sigurisë për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme”.
Mediat spanjolle shkruajnë se operacioni është në vijim dhe priten të tjera arrestime. Të hënën u konfiskuan 4 kg kokainë, 1.7 kg heroinë dhe 500 gram lëndë që përdorej si përzierës për drogën. Janë sekuestruar edhe dy automjete. Më herët, këtij grupi i janë bërë sekuestrime të tjera droge. Në mars, është sekuestruar 1 kg kokainë dhe një grua është vënë në pranga. Ndërsa në shtator është sekuestruar 1 kg heroinë dhe një burrë është arrestuar.

 

20 të vrarë në aksidente vetëm gjatë muajit nëntor

Aksidentet fatale në rrugët e Shqipërisë shënuan rritje, duke sjellë 20 viktima vetëm gjatë muajit nëntor të këtij viti. Numri i aksidenteve rrugore dhe personave që kanë humbur jetën prej tyre është rritur në mënyrë të ndjeshme në muajin nëntor të këtij viti. Sipas raportimit të sotëm të INSTAT në muajin nëntor 2017 u numëruan 177 aksidente rrugore, nga 152 aksidente të ndodhur në nëntor 2016 me një rritje 16,4%.
Numri i të aksidentuarve është 235 persona, nga 197 që ishte një vit më parë, për të njëjtën periudhë. Në 11-mujorin e 2017, numri i të aksidentuarve është ulur 4,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i personave të plagosur gjatë muajit nëntor 2017 është 215, nga 182 persona të plagosur në nëntor 2016. Krahasuar me mesataren e personave të plagosur gjatë vitit 2016, ky numër është rritur me 2,8%. Në nëntor, aksidentet rrugore, në 79,1% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Në 11-mujorin e 2017, aksidentet rrugore, të cilat kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit zënë 81,3% të rasteve.
Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25–35 vjeç, duke zënë 27,9% të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u ulur me 4,1%, me njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur në Qarkun e Tiranë, ku kanë humbur jetën 9 persona.
Këtë muaj kanë qene problematikë Durrësi dhe Fieri kryesisht për jetët e humbura.
Edhe pse qeveria shqiptare i ka forcuar masat ndëshkuese për drejtuesit e mjeteve sërish ata mbeten shkaku kryesor i aksidenteve në vend. Si pasojë e kësaj situate, Shqipëria edhe pse ka numrin më të ulët të automjeteve për frymë, ka nivelin më të lartë të aksidente për 1 mijë banorë në rajon.

Qeveria mashtroi banorët e Zharrëzës, “Bankers” nuk i dëmshpërblen

Banorët e Zharrëzës vazhdojnë të sorollaten pa marrë dëmshpërblimin për shtëpitë e shkatërruara nga lëkundjet e tokës në këtë zonë. Kompania “Bankers Petrolium” ka refuzuar të zbatojë vendimin e qeverisë që e detyron atë të paguajë 900 mijë dollarë për dëmshpërblimin e banesave të shkatërruara gjatë operacioneve të nxjerrjes së naftës në zonën Patos-Marinzë.
Banorët e fshatit Zharrëz kanë jetuar prej vitit 2008 në kalvarin e pasigurisë për shkak të lëkundjeve thuajse të përnatshme të tokës, që u kanë dëmtuar shtëpitë. Banorët kanë akuzuar kompaninë e naftës “Bankers Petroleum” dhe praktikën e ndjekur prej saj të injektimit në tokë të ujit teknologjik, si shkaktar të tërmeteve dhe shkatërrimit të shtëpive të tyre. Por “Bankers” nuk e ka pranuar asnjëherë se shkaku i tërmeteve janë operacionet e saj.
Kulmi i protestës ishte në shkurt të një viti, kur greva e fundit e urisë së banorëve zgjati rreth dy javë. Më pas, në fund të shkurtit, në kulmin e krizës politike në vend dhe kur vetë opozita ishte ngujuar në çadër në bulevard, banorët e Zharrëzës ndërrmorën një marshim të heshtur në këmbë deri në Tiranë, ku u ngujuan përpara Ministrisë së Energjetikës, duke sensibilizuar opinionin publik.
Një protestë që ata nuk deshën kurrë të politizohej. Kjo formë e veçantë proteste u mbyll vetëm pasi qeveria, e gjendur në mes të presionit publik, premtoi të dëmshpërblente 100 për qind dëmet e shkaktuara në shtëpitë e banorëve. Vendimi i datës 1 mars përmbante afate të qarta për përmbushjen e tij. Debati u zhvendos në Parlament, ku Ben Blushi akuzoi qeverinë se mbrojti kompaninë.
Pas verifikimit të dëmeve në terren, muajin e kaluar qeveria miratoi vendimin përfundimtar për dëmshpërblimin e banorëve.
Sipas këtij vendimi, fondi për dëmshpërblimin e familjeve u caktua 1.5 milionë dollarë, nga të cilat 900 mijë dollarë iu ngarkuan “Bankers”-it, ndërsa 600 mijë të tjera u morën përsipër nga buxheti i shtetit. Vetë qeveria i ka kaluar fondet e saj me vendim në buxhetin e Bashkisë së Patosit, e cila duhet të bënte edhe dëmshpërblimin për pjesën e shtetit.
Por sot “Bankers” refuzon të paguajë pjesën e vet. Përmes një përgjigje zyrtare “Bankers” thotë se ka rënë dakord me Ministrinë e Energjisë për pajtimin e një eksperti të pavarur, i cili do të përcaktojë shkaqet e tërmeteve në zonën e Zharrëzës.

Vdes një grua në autobusin e linjës “Tirana e Re”

Një grua ka humbur jetën brenda autobusit të linjës ‘Tirana e Re’ në kryeqytet. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme rreth orës 15:00. Sipas policisë menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Ambulanca. “Më datë 20.12.2017, rreth orës 15:00, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se në Tiranë të Re, në autobus një shtetase ka humbur ndjenjat. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Ambulanca, ku ka rezultuar se në Tiranë të Re, brenda në autobusin e linjës Tiranë e Re, e ulur në një nga sediljet e autobusit, shtetasja L.F., 53 vjeçe, banuese në Dibër, ka humbur jetën. Sipas mjekut të ambulancës paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e “arrestit kardiak”. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ambasada e SHBA korrigjon deklaratën për dhunën

Ambasada e SHBA ndryshon qendrim në lidhje me protestën e së hënës së shkuar, duke dënuar edhe dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, përfshirë këtu edhe deputetët e opozitës. Në qendrimin e parë të saj, ambasada nuk deklaroi se dënonte dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, por citonte vetëm dënimin e protestës së dhunshme dhe hedhjen e tymuesve në sallën Kuvendit. Por pas një letre që deputetja Kejdi Mehmetaj, e dhunuar nga deputeti socialist, Bujar Çela i dërgoi ambasadorit Lu ku shprehte rezervat e qendrimit të Ambasadës në lidhje me qendrimin e saj ndaj protestës dhe dhunës ndaj protestuesve, Ambasada ka ndryshuar qendrim. Dje, Ambasada amerikane në Tiranë, përmes Zëdhënësit Ryan Roberts, thotë se dënon dhunën, pavarësisht nga vjen ajo. Ky reagim vjen pas letrës që deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, i ka drejtuar ambasadorit Donald Lu, një ditë më parë. Zëdhënësi i kësaj ambasade rikonfirmoi se Ambasadori Lu e ka marrë letrën e saj dhe ka biseduar me deputeten, duke rishprehur edhe një herë qëndrimin se Ambasada dënon dhunën pavarësisht nga vjen. “Ambasadori Lu e mori dhe e lexoi letrën e Znj. Mehmetaj. Po ashtu, pati mundësinë të bisedonte me Znj. Mehmetaj dhe të shihte pamjet, të cilave ajo i referohet në letrën e saj. Ritheksojmë se Ambasada e SHBA dënon me forcë dhunën që ndodhi gjatë protestave. Theksojmë se dhuna, pavarësisht nga vjen, nuk ka vend në demokraci”, thuhet në reagim, raporton Ora News. Një ditë më parë deputetja e LSI i ka drejtuar një letër Ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, përkatësisht diplomatë të SHBA dhe BE-së, në lidhje me reagimet e tyre pas protestës së opozitës para Kuvendit të Shqipërisë, ditën e zgjedhjes së Kryeprokurorit të përkohshëm. “Unë jam Kejdi Mehmetaj, deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në mandatin tim të dytë. I lexova me shumë vëmendje deklaratat tuaja dhe po ashtu si Ju edhe unë e dënoj maksimalisht dhunën që u ushtrua ditën e djeshme në Parlament dhe në rrugë. Fatkeqësisht unë nuk e gjeta veten në deklaratat tuaja, përkundrazi u ndjeva e dhunuar edhe nga ju. Në të drejtën time, si deputete që me bindje kam votuar për ndryshimet kushtetuese të mesnatës së 21 korrikut në vitin 2016, ndjeva përgjegjësinë të protestoj dhe kundërshtoj që, Kushtetuta e vendit tim të cënohet nga një Kryeministër, i cili mendon se është i gjithëpushtetshëm dhe se ligjet e këtij vendi mund t’i shkelë me këmbë. Unë jam bërë deputete kur isha vetëm 20 vjeç dhe kauza ime ishte dhe është të luftoj për ëndrrat e bashkëmoshatarëve të mi, të cilët çdo ditë e më shumë po marrin rrugët e emigrimit. Ata po largohen nga Shqipëria, sepse shkollat i ka marrë peng qeveria, sepse vendi po varfërohet dhe punë për ta nuk ka, sepse detyrohen të kthehen në punonjës të plantacioneve të hashashit dhe si pagë të marrin kokainë, sepse policia nuk mbron qytetarët, por kriminelët, sepse urgjencat e spitaleve prishen rrugës si pasojë e konçesioneve korruptive në shëndetësi, sepse taksat tona Kryeministri i përdor për të pasuruar veten nëpërmjet tenderave dhe PPP-ve dhe sepse ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri edhe pse bashkëpunëtor i Habilajve është sot i lirë”, thuhet ndër të tjera në letrën që Mehmetaj i drejton dy ambasadorëve.

Kejdi Mehmetaj u procedua penalisht bashkë me 9 deputetë të tjerë të opozitës

Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, e cila së bashku me 9 deputetë të tjerë të opozitës u procedua penalisht pas tensioneve dje në Kuvend, u ka dërguar letër Ambasadorit amerikan Donald Lu, por edhe ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin. Mehmetaj thotë se, nuk e ka gjetur veten në deklaratat e tyre dhe se është ndjerë e dhunuar edhe nga ata. Kejdi Mehmetaj u bën me dije dy ambasadorëve se ajo është dhunuar fizikisht dhe verbalisht nga deputeti Bujar Çela. Ajo shkruan se pas dhunës që është ushtruar ditën e djeshme në Parlament dhe jashtë tij, ndihet e dhunuar dyfish edhe nga deklaratat e tyre, pasi në asnjë moment nuk është përmendur ajo se çfarë ndodhi në të vërtetë. Mehmetaj i fton ambasadorët që në protestën e radhës të bëhen pjesë e saj nëse vërtet e duan Shqipërinë demokratike. “I lexova me shumë vëmendje deklaratat tuaja dhe po ashtu si Ju edhe unë e dënoj maksimalisht dhunën që u ushtrua ditën e djeshme në Parlament dhe në rrugë. Fatkeqësisht, unë nuk e gjeta veten në deklaratat tuaja, përkundrazi u ndjeva e dhunuar edhe nga ju. Në të drejtën time, si deputete që me bindje kam votuar për ndryshimet kushtetuese të mesnatës së 21 korrikut në vitin 2016, ndjeva përgjegjësinë të protestoj dhe kundërshtoj që Kushtetuta e vendit tim të cënohet nga një Kryeministër, i cili mendon se është i gjithëpushtetshëm dhe se ligjet e këtij vendi mund t’i shkelë me këmbë. Unë jam bërë deputete kur isha vetëm 20 vjeç dhe kauza ime ishte dhe është të luftoj për ëndrrat e bashkëmoshatarëve të mi, të cilët çdo ditë e më shumë po marrin rrugët e emigrimit”, shkruan Mehmetaj.

Fuqizimi i narkotrafikantëve me Ramën

Lorenzo BAGNOLI

Në Shqipëri, ish-ministri i Brendshëm u përjashtua nga partia e tij dhe rrezikon të përfundojë në burg, pasi akuzohet se ka bashkëpunuar me një grup trafikantësh që furnizonin Cosa Nostra-n në Siçilinë Juglindore. Një histori që në Itali po hetohet, por që në Tiranë rrezikon t’i kushtojë shumë shtrenjtë. Është hetimi i vitit, një tërmet i shkaktuar ngaqë dikush në Katania, ka bërë detyrën si gazetar.
Çështja shpërtheu në mesin e tetorit, një periudhë veçanërisht frenetike për Guardia di Finanzan nën hijen e Etnës. Janë ditët kur financiarët zbulojnë edhe një trafik nafte që nga Katania shkon deri në Maltë. Operacioni Rosa dei Venti çoi në burg 11 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, trafik armësh (kallashnikov), korrupsion funksionarësh të lartë doganash në Itali e Shqipëri. Në mesin e dhjetorit u mbyllën hetimet paraprake për 15 të hetuar.
Financierët e Katanias kanë sekuestruar, që nga viti 2013, 3500 kilogramë marijuanë të destinuar për Katania, Sirakuza e Raguza. Fitimi i vlerësuar nga këto ngarkesa ishte 20 milionë euro. Familjet Ercolano-Santapaola e Cappello janë bërë më të fuqishme, edhe falë marijuanës shqiptare. Droga e drejtuar për në Sicili arrinte përmes anijeve të peshkimit, ndërsa në Shqipëri grupi kriminal nuk i druhej kontrolleve të policisë.
Mafia shqiptare konsiderohet nga Europol-i si organizata kriminale që është rritur më tepër kohët e fundit, duke arritur një rrezikshmëri të krahasueshme me atë të organizatave kriminale italiane. Ka ndryshuar partner, nisur që nga 2012. Aleanca përherë bëhen më të ngushta me Siçilinë, duke kapërcyer Puglian. Tani që ‘Ndrangheta ka plantacionet e saj në Sila, blerësit e saj janë sidomos nga Siçilia Juglindore.
Në 416 faqet e dosjes hetimore të ‘Rosa dei Venti’ është një emër, i pahetuar, që shfaqet rreth dhjetë herë: “Saimir Tahiri, politikan”. Në redaksinë kataneze të MeridioNews kontaktojnë një koleg shqiptar të “Top Channel”, tv privat me të cilin kanë punuar më parë. Është fundi i botës:
Një histori kronike gjyqësore shpërthen në Parlament në Tiranë. Shumica e qendrës së majtë refuzon mocionin për arrestimin, por imuniteti hiqet pjesërisht. Gjykata për Krime të Rënda mund të vazhdojë hetimin. Delfini i kryeministrit socialist Edi Rama, një javë më pas përjashtohet nga partia e tij. Më 13 dhjetor i bllokohet pasaporta. “Kërkesa e Prokurorisë, por edhe vendimi i Gjykatës, është qesharake. Nuk është paraqitur asnjë element i ri që mund ta përligjë”, deklaroi për median shqiptare Maksim Haxhia, avokati i Tahirit. Pavarësisht kësaj, provat e grumbulluara në Katania nuk janë të mjaftueshme që të përndiqet në Itali.
Lajmi i arrestimit të vëllezërve Habilaj ishte ende i freskët, kur Tahiri iu adresua Parlamentit shqiptar për të thënë se gabimi i tij i vetëm ishte shitja e makinës së tij, një “Audi A8”, këtij kushëriri të largët, Artan Habilaj. Dy vëllezërit e tij, Moisiu (i vetmi i hetuar) e Floriani, nga hetime rezultojnë pjesë e grupit të trafikantëve. Sipas Guardias së Katanias, Moisiu është kapoja i padiskutuar i grupit.
Janë përgjimet ato që vënë në telashe ish-ministrin. Florian e Moisi Habilaj, për shembull, në një bisedë të marsit 2014 diskutojnë borxhet që u kanë bashkëpunëtorëve: “30 duhet t’ia çoj Saimirit”, thonë. Sipas hetuesve, e kanë fjalën për 30 mijë euro që i detyrohen pikërisht ministrit të Brendshëm. Në një tjetër bisedë përmendin dy byzylykë për t’ia çuar “gruas së Saimirit”, fjalë prapa të cilëve duhet të jetë sërish politikani shqiptar.
Materiali është aq i rëndësishëm sa që në Tiranë, Gjykata e Krimeve të Rënda hap një dosje për bandën e Habilajve e për Tahirin. Emrat e vëllezërve janë të njohur prej kohësh për drejtësinë shqiptare. Saimir Tahiri, më 5 nëntor 2013, lexohet në hetimin shqiptar, i ka shitur makinën e tij “personit nën hetim (jo në Itali) Artan Habilaj, vëllai i të arrestuarit Moisi Habilaj”. Në datat 16.08.2014, 30.08.2014, 29.08.2014, 08.08.2014, vazhdon teksti, Saimir Tahiri udhëtonte ende me atë makinë, i shoqëruar nga Artan Habilaj. Hipoteza investigative është që bënte pjesë në kartelin kriminal.
Në fillim të nëntorit, hetimi shqiptar pati një tjetër zhvillim. Në Elbasan, një sipërmarrës nuk ndalon për kontroll në postbllokun e policisë. Policia e ndjek dhe e kap, i kontrollon makinën. Aty gjejnë 863 mijë euro dhe dy patenta detare në emër të Saimir Tahirit. Makina i përket Orest Sotës, me të cilin familja Tahiri ka marrëdhënie prej kohësh. Dyshimi i hetuesve është që paratë i përkasin pikërisht Tahirit. Publikisht, ish-ministri mohon të ketë ndonjë anije. Kundërshtari kryesor politik i kryeministrit Edi Rama, numri një i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se sipërmarrësi dhe ish-ministri kanë udhëtuar disa herë bashkë në Itali. “Tahiri e Sota përdorin e trafikojnë drogë dhe po kërkojnë vazhdimisht të fshehin provat për ta”, thotë Basha.
Ish-ministri, ishte delfini i Ramës, kryetar i Partisë Socialiste. Por kryeministri nuk mundi t’i jepte ndonjë detyrë në qeverinë e re. Në mars, Tahiri u akuzua se qëndronte pranë trafikantëve dhe policëve “të devijuar”. Zëra që shfaqen që më 2015, kur polici Dritan Zagani, sot refugjat politik në Zvicër, e akuzoi i pari se kishte marrëdhënie me kriminelët kryesorë të Shqipërisë. Ishte ende ministër i Brendshëm, midis 2014 e 2015.
E megjithatë Tahiri në fillim të mandatit i kishte deklaruar luftë “Kanabistanit”, zonës së Lazaratit që ishte ndër qendrat e prodhimit të marijuanës në Evropë. E gjithë ekonomia lokale edhe sot bazohet mbi narkotrafikun: jetohet me pak në atë zonë të vendit. “Ironia e fatit është që sot që asgjësojmë më tepër duket sikur ka më tepër marijuanë. Faktet thonë që, fenomeni ekzistonte që më parë”, deklaronte në nëntor 2016 ish-ministri në një intervistë me “Il Fatto Quotidiano”. Që në fillim në fakt u kuptua që gjithë ai përqendrim forcash nuk e kishte ndaluar fluksin e drogës (marijuanë e heroinë) drejt Evropës.
Në mars 2016, deputeti Arben Ristani deklaroi në median shqiptare se vëllezërit Habilaj, falë marrëdhënies me Tahirin, kishin krijuar kontakte mes ministrit të atëhershëm dhe Klement Balilit, “Pablo Escobari i Ballkanit”. Balili është i pakapshmi i trafikantëve shqiptarë, megjithëse për të ka një mandat arresti ndërkombëtar që nga maji 2016: në më pak se dy vjet akuzohet se ka transportuar rreth 4 tonë kanabis e 83 kilogramë kokainë.
Më 9 maj 2016, një operacion i rëndësishëm i policisë greke çon në sekuestrimin e 670 kilogramëve marijuanë dhe në arrestimin e 15 personave, anëtarë të një prej grupeve kryesore të narkotrafikut në Evropë. Kapoja i tyre, sipas hetuesve, ishte Klement Balili, në atë kohë ende drejtor Transporti në Sarandë. Një detyrë politike e marrë më 2014, kur në qeveri ishte pikërisht Tahiri si ministër i Brendshëm. Balili e humbi detyrën vetëm një javë pas operacionit dhe që atëherë është në arrati. Më 13 maj, policia shqiptare nuk arriti ta gjente dhe më 17, Interpol nxori një mandat arresti ndërkombëtar. Media greke akuzon policinë shqiptare se nuk e arrestoi Balilin për shkak të lidhjeve me politikën.
Vetëm 18 muaj më pas, në Sarandë, ku mbretëron spekulimi ndërtimor që kutërbon erë pastrimi parash, autoritetet shqiptare sekuestruan disa apartamente që i përkisnin Escobarit të Ballkanit dhe një resort luksoz, Santa Quaranta. Në prerjen e shiritit të inaugurimit ishin koka të rëndësishme të politikës.
Ndërkaq, mafia shqiptare është rritur.

“The Vision”

BE: Në Shqipëri, pika të dobëta kufitare trafik i fortë droge

Pasiguria dhe kontrolli i dobët i kufijve në Shqipëri është kryefjala e shqetësimit të ngritur nga Bashkimi Europian në një raport të fundit të hartuar për lëvizjen e lirë të qytetarëve krahas shqetësimit serioz në lidhje me rritjen dramatike të kërkesave nga shqiptarët për azil drejt vendeve të BE shprehet shqetësimi për pasigurinë e pikave kufitare çka i ka hapur rrugë trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore gjithashtu. Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian i kanë listuar Shqipërisë një listë me tetë rekomandime në lidhje me kontrollin dhe sigurinë e kufijve ashtu si edhe zbatimin e marrëveshjes së lëvizjes së lirë. Në raport, Bashkimi Europian i kërkon qeverisë shqiptare të përmirësojë më tej efektivitetin e përpjekjeve të zbatimit të ligjit për të luftuar trafikimin drejt Kosovës të qenieve njerëzore, kontrabandimit të emigrantëve, trafikimit të drogës dhe krimit të organizuar ndaj pronës. BE i kërkon Shqipërisë të rriten hetimet dhe ndjekja penale e grupeve kriminale, veçanërisht atyre që merren me drogë trafikimit dhe kontrabandimit të emigrantëve. Në raport theksohet dosmosdoshmëria e vendosjes së një zyrtari ndërlidhës të Europolit, që do të kontribuojë më tej në një përmirësim bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar. Komisioni i Parlamentit Europian dhe Këshillit ka bërë dje publik raportin për lëvizjen e lirë të qytetarëve në zonën Shengen. Siç edhe konstatohet në pjesën për Shqipërinë, BE dhe PE-ja kanë kritika të shumta, sidomos për sigurinë e kufijve, por edhe të bandave kriminale shqiptare që veprojë në të gjithë Europën. Në raport thuhet se, Shqipëria duhet të rrisë sigurinë në kufijtë e saj. Edhe pse cilëson si të sigurtë pikën e kalimit kufitar të Rinasit, BE thotë se, kontrolli në pikat e tjera kufitare të vendit është i dobët. Një nga këshillat që jepet për Shqipërinë është edhe rikthimi i ‘intervistave në kufi’, me qëllim që qytetarët, të cilët nuk kanë një qëllim të caktuar për udhëtimin e tyre drejt BE-së të mos lejohen të kalojnë. Raporti flet edhe për azilantët shqiptarë. Sipas shifrave, në disa vende ka rënë numri i shqiptarëve, që kërkojnë azil, e në disa vende të tjera është rritur.

5900 kërkesa për azil në BE në tre muaj

5900 shqiptarë kanë aplikuar për herë të parë për azil në një nga shtetet e BE-së vetëm në muajt korrik-shtator 2017. Të dhënat i bën publike Eurostat. Me këtë shifër shqiptarët renditet ndër të parët në listën me azilkërkuesit më të shumtë, duke lënë pas vetëm vende ku aktualisht po zhvillohet luftë, ose vende të botës së tretë, si Siria e Eritrea. Numri i madh i kërkesave nga azilkërkuesit që tentojnë për herë të parë është bërë në Gjermani, Itali e Francë, nisur dhe nga politikat që këto shtete kanë ndjekur, duke pranuar kërkesa nga vende të pasigurta origjine siç është Siria. Numri i lartë i kërkesave për azil nga shqiptarët është bërë ndër shqetësimet kryesore të kohëve të fundit për shtete si Franca, Holanda e Luksemburgu. Të gjithë këto shtete e kanë shpallur Shqipërinë vend të sigurtë origjine, pra që në mënyrë direkte tregon se çdo kërkesë për azil nga shqiptarët do të refuzohet. E megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar shqiptarët të aplikojnë për azil, nisur kryesisht nga gjendja e dobët ekonomike në atdhe.
Pak javë më parë, Franca dhe Holanda kanë shprehur idenë e rikthimit të regjimit të vizave për Shqipërinë, për shkak të numrit të lartë të azilkërkuesve shqiptarë.

 

DASH: Shqipëria në listën e zezë të vendeve të pastrimit të parave

Departamenti i Shtetit e ka futur zyrtarisht Shqipërinë në listën e vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë. Sipas përcaktimeve ligjore, qeveria amerikane konsideron vend kryesor të pastrimit të parave një vend “institucionet financiare të të cilit janë të përfshira në transferta parash që përfshijnë sasi të ndjeshme të ardhurash që burojnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës”. Ky vendim është bërë i njohur në Raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për Kontrollin e Narkotikëve për vitin 2017. Raporti përgatitet çdo vit nga Departamenti i Shtetit për Kongresin e SHBA-ve dhe mbulon gjendjen dhe përpjekjet e vendeve të ndryshme të botës në luftën kundër drogës dhe pastrimit të parave. Raporti 2017, i cili mbulon si periudhë vitin 2016, thekson se Shqipëria është bazë e krimit të organizuar, pikë e rëndësishme e trafikut ndërkombëtar të drogës, vend ku pastrohen lehtë paratë dhe ku sundon korrupsioni i shfrenuar.

Komisioneri i BE: Shqipëria kryeson listën e azilkërkuesve

Dimitris Avramopulos, komisioneri për Migracionin, punët e brendshme, dhe qytetarinë në BE, deklaron se vendi ynë mbetet ende shteti që ka numrin më të madh të kërkesave të pabazuara për azil dhe se ky fenomen po shqetëson vendet anëtare të Bashkimit Europian
Sot ne raportojmë për funksionimin e regjimit të heqjes së vizave me vendet e Ballkanit, ashtu si dhe me vendet e partneritetit të Lindjes. Raporti i sotëm është vlerësimi i parë i plotë, që ne publikojmë pas hyrjes në fuqi të mekanizmit të ri të pezullimit të vizave. Bëhet fjalë për monitorimin e procesit të heqjes së vizave për 8 vendet që përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Në raportin tonë ne bëjmë monitorimin e procesit, por nuk marrim vendime. Liberalizimi i vizave është një nga instrumentat më të fuqishëm të Bashkimit Europian, që lehtëson kontaktin direkt midis njerëzve dhe forcon lidhjet me qytetarët përtej kufijve të Bashkimit Europian. Ne jemi tërësisht të angazhuar për mbrojtjen e heqjes së vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe qytetarët e tjerë të vendeve fqinje Lindore. Ne po punojmë së bashku me qeveritë për të arritur këtë objektiv. Dua të jem shumë i qartë: Ne nuk po propozojmë apo vendosim pezullimin e heqjes së vizave, por heqja e vizave shoqërohet me përgjegjësi si për qytetarët e Shqipërisë, ashtu dhe për autoritetet kompetente. Luftë kundër emigracionit të paligjshëm dhe kërkesave të azilit të pabazuara përbëjnë sfidën më të madhe për Shqipërinë në këtë kuadër. E mirëpres faktin që autoritetet shqiptare kanë qenë aktive në forcimin e masave për të luftuar kundër migracionit të paligjshëm dhe përmirësimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare që janë më të prekura nga kjo çështje. Këto përpjekje duhet të shtohen, veçanërisht duke zbatuar më tej aksione bilaterale të aprovuara me shtetet anëtare, sensibilizimin e qytetarëve përmes fushatave të informimit për përgjegjësitë gjatë lëvizjes së lirë në zonën Shengen, përmirësimin e mbrojtjes së kufijve, por gjithashtu rritjen e hetimeve në luftën kundër trafikut të drogës, trafikut të qenieve njerëzore dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar.
-A keni marrë njoftime nga shtete anëtare për problematikën e azilërkërkuesve shqiptarë? Ditët e fundit, ministri i Brendshëm francez vizitoi Shqipërinë dhe një nga çështjet kryesore që preku ishte ajo e azikërkuesve shqiptarë në Francë. Të njëjtën çështje e kanë ngritur më parë edhe autoritetet holandeze?
“Dua të jem shumë i qartë për këtë. Eshtë një çështje problematike. Ka disa shtete anëtare, prej të cilëve ju përmendët dy, që janë shumë të shqetësuara. Por isha shumë i gëzuar kur mësova, që bisedimet në Tiranë ishin shumë pozitive dhe të suksesshme. Besoj, se nuk do të ketë probleme në të ardhmen. Gjithsesi, autoritetet shqiptare duhen të bëjnë pjesën e tyre të punës. Duhet të jenë më të ashpër në zbatimin e angazhimeve që kanë marrë përsipër. Ne jemi të gjithë në favor të hapjes së rrugës për integrimin e Shqipërisë në familjen europiane, por, se edhe shtetet që janë anëtarësuar më parë duhet të kryenin detyrat e shtëpisë”.
-Dhe një nga detyrat e shtëpisë që përbën dhe një nga kriteret për hapjen e negociatave të anëtarësimit është lufta kundër krimit të organizuar. Ju u shprehët se duhen rritur hetimet në luftën kundër drogës. Çfarë nënkuptoni konkretisht me këtë, duke qenë se bëhet fjalë për një nga çështjet më të rëndësishme dhe të ndjeshme aktualisht?
Nëse përbën një nga shqetësimet kryesore në vend, kjo do të thotë që jemi në rrugën e duhur. Sepse kjo do të thotë që autoritetet dhe spektri politik e kanë marrë seriozisht në konsideratë këtë detyrim. Ju e dini që unë jam prej kohësh një mik i Shqipërisë. E dua Shqipërinë dhe e kam vizituar disa herë vendin. Roli im si komisioner është shumë i qartë, por si mik i Shqipërisë dua t’i jap një këshillë secilit. Shqipëria duhet destigmatizuar kryesisht me çështjet lidhur me krimin e organizuar dhe drogën. Shqipëria është një vend i madh me njerëz të mëdhenj. Vendi meriton një reputacion më të mirë dhe është shumë e padrejtë të flitet për të siç flitej për Kolumbinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 20 vjet më parë. Këtë e them sinqerisht, sepse dua të ndihmoj. Shqiptarët janë njerëz që punojnë fort dhe kanë shumë iniciativë. Shqipëria ka kaluar periudha shumë të vështira dhe tani po ndërton bazat e një demokracie moderne. Vendi duhet të përmbushë detyrimet (acquis) apo ndryshe arritjet e deritanishme të BE-së, në emër të integrimit europian, por edhe në emër të shumicës së qytetarëve shqiptarë./abcnews.al

8 rekomandimet e BE-kushtet për Shqipërinë

-Përmirësimi i kontrolleve kufitare, duke përfshirë “intervistat dalëse” në PKK, të kryera në një mënyrë që respekton plotësisht të drejtat themelore të udhëtarëve.
-Vazhdimi i zbatimit efektiv të marrëveshjes së ripranimit, nëse është e nevojshme sipas protokolleve të zbatimit me shtetet anëtare.
-Vazhdimi i zbatimit të veprimeve të dakorduara në mënyrë bilaterale me shtetet anëtare të BE-së për të reduktuar flukset e emigracionit të parregullt.
-Organizimi i një fushate të informimit të profilit të lartë mbi të drejtat dhe detyrimet e lëvizjes pa viza dhe zonat e destinacionit të udhëtimit.
-Ngritja e asistencës ndaj popullit në nevojë dhe të atyre që janë më të prirur për t’u larguar nga vendi në mënyrë të parregullt dhe duke ofruar mbështetje për riintegrimin e shqiptarëve të kthyer.
-Të përmirësojë më tej efektivitetin e përpjekjeve të zbatimit të ligjit për të luftuar trafikimin drejt Kosovës të qenieve njerëzore, kontrabandimit të emigrantëve, trafikimit të drogës dhe krimit të organizuar ndaj pronës.
-Të rriten hetimet dhe ndjekja penale e grupeve kriminale, veçanërisht atyre që merren me drogë trafikimit dhe kontrabandimit të emigrantëve.
-Vendosja e një zyrtari ndërlidhës të Europolit që do të kontribuojë më tej në një përmirësim bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar.