16.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

Ambasadori i Moskës në OKB: Rusia e hapur për bisedime për përfundimin e luftës në Ukrainë, por vetëm nëse Trump inicion negociatat!

Rusia është e hapur për çdo bisedë paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë nëse negociatat iniciohen nga Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve , Donald Trump.

 

“Çdo bisedim duhet të bazohet në realitetet e përparimeve ruse”, u tha gazetarëve sot në Gjenevë ambasadori i Moskës në selinë e OKB-së.

Trump ka kritikuar vazhdimisht shkallën e ndihmës perëndimore për Kievin dhe ka premtuar t’i japë fund luftës shpejt, pa shpjeguar se si.

Fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit ka ngritur shqetësime në Kiev dhe kryeqytete të tjera evropiane për shkallën e angazhimit të ardhshëm të SHBA-së për të ndihmuar Ukrainën.

“Trump premtoi të zgjidhë krizën ukrainase brenda natës. Në rregull, le të jemi realistë – sigurisht e kuptojmë se kjo nuk do të ndodhë kurrë”, tha Genadi Gablov, ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë. Por nëse ai fillon apo lë të kuptohet se do të fillojë procesin politik, ideja është e mirëseardhur”.

Ai shtoi se çdo negociatë e tillë duhet të bazohet në atë që ai i quajti “realitetet në terren”, duke thënë se Ukraina është në një pozicion për të mbrojtur veten në luftën më shumë se dyvjeçare.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë vazhdimisht se paqja nuk mund të vendoset derisa të dëbohen të gjitha forcat ruse dhe të kthehet i gjithë territori i pushtuar nga Moska, përfshirë Krimenë.

“Plani i fitores” që ai përshkroi muajin e kaluar e ruan këtë kusht, si dhe një ftesë për Ukrainën për t’u bashkuar me NATO-n, diçka që Rusia e ka denoncuar prej kohësh.
Zelensky u tha liderëve evropianë në Budapest javën e kaluar se lëshimet ndaj Rusisë do të ishin “të papranueshme për Ukrainën dhe vetëvrasëse për të gjithë Evropën”.

Gabloff tha se zgjedhja e Trump është një mundësi e re për dialog me Shtetet e Bashkuara.

“Jo vetëm partnerë strategjikë, por edhe miq të sinqertë”- Aleksandër Vuçiç takohet me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është pritur në një takim në Budapest të enjten nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, në prag të një seance të Këshillit Strategjik për Bashkëpunim ndërmjet dy vendeve.

 

Vuçiç shkroi në llogarinë e vet në Instagram se Orbani dhe Qeverinë e tij “nuk janë vetëm partnerë strategjikë e politikë të Serbisë, por edhe miq të sinqertë”.

Zyra e Vuçiçit ka bërë të ditur se në seancën e Këshillit do të marrin pjesë edhe anëtarë të qeverive, të cilët pas seancës do të nënshkruajnë një sërë dokumentesh dypalëshe.
Kjo është seanca e dytë e Këshillit Strategjik për Bashkëpunim ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.

E para u mbajt në qershor të vitit 2023 në Paliq, kur u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi, si dhe një marrëveshje për ndërtimin e një tubacioni nafte që do ta lidhë rafinerinë e Novi Sadit me Hungarinë.

Siç është paralajmëruar, ky tubacion duhet të ndërtohet deri në vitin 2027. Serbia dhe Hungaria bashkëpunojnë edhe në çështjen e gazit.

Në korrik 2023, ata nënshkruan një marrëveshje për krijimin e një kompanie të përbashkët tregtare të gazit. Për shkak të mungesës së kapaciteteve të veta, Serbia ka marrë me qira edhe depo gazi nga Hungaria.

Vuçiçi dhe Orbani kanë theksuar vazhdimisht se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Hungarisë janë në një “nivel të lartë dhe historik”, dhe Orban është ithtari kryesor i hyrjes së shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Në të njëjtën kohë, Serbia dhe Hungaria ruajnë marrëdhëniet e tyre edhe me Pekinin dhe Moskën, duke shkaktuar pakënaqësi në Bashkimin Evropian./REL/

Nga fitorja kundër Realit te barazimi me Kaljarin, Pulisiç flet për Milanin: Kemi edhe 35 ndeshje, titulli brenda mundësisë

Në secilën tetë nga 11 ndeshjet e luajtura nga Milani në kampionatin e sivjetshëm, Kristian Pulisiç ka ndikuar në të paktën një gol.

Për të qenë të saktë, nëse përfshijmë edhe Champions-in, golat janë shtatë e ndërkohë asistet në total pesë. Amerikani që sot i është bashkuar kombëtares së vendit të tij (së bashku me Musah), ka dhënë një intervistë për televizionin e klubit kuqezi duke analizuar situatën e ekipit pas barazimit të fundjavës (3-3) kundër Kaljarit.

Fonseka ishte shumë i qartë, duhet të fitonit në Kaljari për të mos zhvlerësuar fitoren e Madridit?

Rezultat i madh në Madrid mbetet i pamohueshëm dhe na mësoi shumë, por edhe ndeshja e së shtunës ishte shumë rëndësishme sepse na duheshin pikë në Serie A. Për fat të keq nuk arritëm të merrnim fitoren edhe pse ishim dy herë në avantazh.

Si i shpjegoni këto paraqitje?

Në Itali nuk ka kurrë ndeshje të lehta. Edhe me Kaljarin ishte tejet e vështirë. Ata mbronin një kundër një dhe na u desh të lëvizim më shumë pa gjetur të gjitha hapësira e nevojshme. Në Itali luhet shpesh një kundër një ndaj duhet të gjejmë mënyra që të krijojmë hapësirë.

Çfarë ndodhi ndaj Kaljarit?

Mëkat për barazimin sepse e kishim përgatitur mirë ndeshjen. Sidoqoftë, është e vështirë të luash kundër këtyre skuadrave në Itali. Mbrojtëm lart dhe shpesh i kapëm në pozicione jashtë loje, teksa kur duhej të mbronim me prapavijë të rreshtuar befasoheshim nga krosimet. Është një problem i përsëritur e nuk duhet të ndodhë më.

Çfarë i thatë Kamardës pas ndeshjes?

Ai është i zoti, një lojtar më shumë të ardhme. Françesko nuk ka nevojë për këshilla dhe mendoj se e ka treguar sa herë i është kërkuar të zbresë në fushë. Koha luan në favor të tij.

Sa mund të shërbejë kjo ndalesë për të zgjidhur problemet duke qenë se shumica prej jush do të jetë me kombëtaret përkatëse?

Udhëzimet kanë qenë të qarta dhe të gjithë e dimë se çfarë duhet bërë. Ndonjëherë mungon përqendrimi siç ndodhi në golin e parë ndaj Kaljarit. Janë disa gabime të përsëritura nga ana jonë ndaj duhet të marrim përgjegjësitë e të punojmë që të mos ndodhin më.

Ka më shanse Milani për titull?

Kemi luajtur vetëm 11 nga 35 ndeshjet e kampionatit. Janë shumë sfida përpara dhe shumë kohë për të rikuperuar pikët e humbura.

Persekutimi i familjes Belishova/ Kush ishte studenti i shkëlqyer në Akademinë e Moskës, nga frika u largua e shoqja me vajzën! Skenari për eliminimin e Lirisë dhe Fiqiriut

NGA HYQMET ZANE/ Janë të shumtë shembujt e studentëve shqiptarë që studiuan në vendet e Lindjes, por edhe të Perëndimit që në atdheun e tyre u persekutuan, u burgosën, u pushkatuan dhe u internuan. Ata ishin potenciale intelektuale që studiuan me zell në fusha të ndryshme të shkencave dhe u vlerësuan maksimalisht atje ku studiuan dhe u panë me syrin e keq të partisë në pushtet me xhelozinë e madhe të diktatorit që shkoi për studime në Montpelie të Francës dhe erdhi në Shqipëri pa diplomë pa dhënë asnjë provim dhe me një nam të keq moral. Moska, kryeqyteti i ish- Bashkimit Sovjetik, u bë vendi ku studioi në Akademinë e Inxhinierisë Fiqiri Belishova, vëllai i të vetmes anëtare të Byrosë politike deri më 1960 Liri Belishova që pati fatin e një persekutimi të rëndë. Dënimi i saj u bë shkak edhe për persekutimin e të vëllait dhe familjarëve të tjerë të saj. Ky persekutim filloi që më 1947 për Lirinë dhe për vëllain Fiqiriun edhe pse ishte 13 vjeç, që ishin antijugosllavë, duke e përjashtuar nga shkolla ushtarake në Tiranë. U persekutuan edhe shumë të tjerë që ose u vranë si Mustafa Gjinishi e të tjerë, ose pas luftës si Lef Nosi që tha se “djemtë janë të rinj, por nuk e kuptojnë se serbët ia kanë me hile”.

Liri Belishova

Fiqiriu, pasi mbaroi shkollën e lartë ushtarake, ku u titullua oficer në vitin 1954, e dërgojnë për studime në Akademinë e Inxhinierisë në Moskë në specialitetin e fotogrametrisë të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Pikërisht atje u njoh me një vajzë ruse Valentinën dhe kur erdhi me të në Shqipëri, iu lind një vajzë me emrin kuptimplotë shqiptar Iliriana. Por prishja e marrëdhënieve me BS, Valentina me të bijën Ilirjanën e vogël ikën nga frika e persekutimit nga Shqipëria. Këtu nisi edhe persekutimi i Fiqiri Belishovës.

Ai u lind në Mallakastër më 12 maj1934 në një familje patriotike me emër në krahinë. Në vitin 1940, familja Belishova u transferua në Tiranë, ku Fiqiriu kreu shkollën fillore, 7-vjeçare dhe të mesme, si edhe të lartën ushtarake. Nga këto familje të mirënjohura dhe me emër të krahinave të ndryshme të Shqipërisë dolën intelektualë të shquar që studiuan dhe u kthyen në vendin e tyre me pasionin për kontribute në atdhe. Kurrë nuk do ua merrte mendja se partia e Enver Hoxhës pa shkollë të lartë dhe si shërbëtor i serbizmit dhe më pas i stalinizmit do t’i denigronte, do i poshtëronte, do i burgoste, do i pushkatonte dhe internonte familjet, pa asnjë faj, por për xhelozinë dhe ligësinë e diktatorit që i urrente të shkolluarit me potenciale intelektuale.

Kështu e pësoi edhe Fiqiriu që e larguan nga çdo funksion dhe detyrë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe u dërgua në Korçë dhe më pas në Elbasan, në Ndërmarrjen e Bonifikimit dhe Ujërave. Shumë shpejt ing. Fiqiriu dhe pse ishte i përndjekur fitoi respektin e kolegëve dhe shokëve të punës, një bashkëpunues e udhërrëfyes në profesion e jetën e përditshme.

Duhet të themi se si njeri me nivel të lartë në hidroteknikë dhe me njohuri, në çdo sektor jetik të vendit në këtë periudhë filloi ndërtimi i rrjetit vaditës dhe kullues, ku Fiqiriu kontribuoi në çdo vepër hidroteknike. Nuk ka rezervuar, kanal vaditës dhe kullues, stacion pompimi dhe hidrovor, mbrojtje nga lumenjtë dhe ujërat e larta ku nuk është shfaqur mendja dhe dora e inxhinier Belishovës.

Në fillim të viteve ’70, u krijua Ndërmarrja e Ujërave, Ujitjes, Kullimit dhe Sistemimit të Tokës, ku kontributi i inxhinier Fiqiriut ishte shumë konkret, duke përfshirë ideimin, projektimin, ndërtimin dhe shfrytëzimin e veprave hidroteknike.

Një kontribut të veçantë ai dha në ndërtimin e rrjetit vaditës të Dumresë, si dhe në ndërtimin e rezervuarëve të Shalsit, Xibrakës, Marinzës, Plevicës, Projt të Zi dhe të tjerë, si dhe ndërtimin e mbi 50 stacioneve pompimi me rrjetin e kanaleve shpërndarës.

U ndërtua dhe u përmirësua kapaciteti ujëmbajtës i Liqenit të Cestijas si dhe shpërndarja me rrjedhje të lirë duke u vaditur mbi 1200 ha tokë në Dragot e Kosovë. U tha fusha e Leshnicës duke ndërtuar sistemin e kullimit me Hidrovor dhe u përfituan mbi 20 ha tokë bujqësore. Gjithashtu, në Dumre u ndërtua rrjeti ushqyes i rezervuarëve dhe liqeneve nga tre linjat Shkumbin, Devoll dhe Rezervuari i Thanës, ku dërgoheshin 30-35 milion m³ ujë.

Në Peqin u ndërtuan rezervuarë dhe stacione pompimi, si dhe mbrojtje nga lumi Shkumbin.

U ndërtua rrjeti mbrojtës nga ujërat e larta të fushës së Sulovës së Poshtme nga Floqi në Selitë dhe përmirësimi i kanalit vaditës të Sulovës dhe ndërtimi i stacioneve vaditëse. Pesëmbëdhjetë degët e përrenjve të Sulovës u disiplinuan dhe nuk kryenin më përmbytje.

Është një gamë e madhe punësh me rëndësi jetike që inxhinier Fiqiri Belishova me një barrë studimore dhe eksperiencë të bëhej i kërkuari dhe i domosdoshmi në zgjidhjen e shumë problemeve që nuk mund t’i zgjidhnin dot mediokrit e pushtetit me tesera partie apo hetuesit e sigurimit. Është ky njeri me potencë të madhe intelektuale që më në fund të meritonte një mirënjohje të madhe nga kolegët, profesorët dhe Këshilli i Qarkut Elbasan që zhvilloi një ceremoni nderimi për fëmijët e babait të dashur dhe punëbërësit. Për këtë kryetarja e Këshillit të Qarkut Ermira Urupi e celebroi me titullin “Mirënjohja e Qarkut Elbasan”.

Profesor Fetah Elezi apo inxhinier Haxhi Gjini e shumë të tjerë që kishin punuar me inxhinierin akademik Fiqiri Belishova nuk gjenin fjalë vlerësimi për të shprehur komplimentimet e tyre për njeriun që studioi dhe u bë një akademik i sektorit të ujërave dhe më gjerë. Ishte kjo edhe një veprim kuptimplotë për fëmijët Ilirianën, vajza që kishte me Valentinën ruse që kishte ardhur nga Franca ku jeton tanimë, po ashtu edhe Enkelejda, Aida dhe Endri me zonjën e tij Agapinë që e deshi dhe e vlerësoi shumë bashkëshortin Fiqiri. Edhe prania e nipave të tij si Petrit Çomo (Belishova) djali i Lirisë, shoqëruar me miq të kësaj familjeje, bënë plotësinë e një atmosfere vlerësimi miqësor më shumë se sa zyrtare.

Sipas kujtimeve të oratorëve që sollën mesazhet e tyre për Fiqiri Belishovën, pohuan se ai ishte njerëzor dhe një vëlla i dashur dhe i përkujdesur për motrën e tij Lirinë dhe vajzën e ndjerë të saj Drita që ishte drama e madhe që iku nga jeta më sëmundjen e rëndë në moshën 21 vjeçare dhe nënën Liri nuk e lejuan të vizitonte vajzën në grahmat e fundit të kësaj jete. Sot emrin e saj e mban një shkollë 9-vjeçare në Cerrik “Drita Çomo” si vajza që studioi në gjimnaz dhe i mohuan dhënien e diplomës me arsyetime të shërbëtorëve të nomenklaturës për shkrimtaren e re. Këto ishin dhimbje të një familjeje që pati kontribute në luftën antifashiste, që dha kontribute në çlirimin e vendit dhe ndërtimin e një jete që i zhgënjeu parulla se luftuan për Shqipërinë e Lirë dhe Demokratike dhe pësuan Shqipërinë e izoluar dhe diktatoriale. Më shumë se kaq Liri dhe Fiqiri Belishova ishin në listën në numrin 4 dhe 6 të atyre që do të eliminoheshin në rast të ndonjë trazire apo kundërrevolucioni, siç ishin edhe shumë të tjerë e mes tyre edhe babai im Nuri Emin Zane.

Sa ndryshe do të ishte një vend si Shqipëria që pati intelektualë vlerash që u bënë të shquar në shkollat ku studiuan në Austri e Rusi, në Francë dhe Itali, në Gjermani dhe Turqi dhe që pas Luftës II Botërore u eliminuan. Mendohet se deri 5 vjetët e parë të çlirimit me ndikimin e emisarëve serbë janë eliminuar rreth 400 intelektualë të shquar, ku bënin pjesë edhe Liri dhe Fiqiri Belishova.

Në intervistën që unë i kam marrë Fiqiri Belishovës në vitin 2003 në Elbasan, pas pyetjeve të shumta që unë i bëra, në një moment shprehet “Hyqmet, studiova në vendin e madh të Rusisë, u bëra një kuadër për vendin tim, jeta më mori rrjedhë negative, por unë punova, ula kokën dhe bëra më të mirën e mundshme sepse unë e doja vendin tim, edhe pse partia e Enver Hoxhës nuk më deshi mua dhe familjen tone Belishova si dhe shumë të tjera. Nuk jam pishman për punën që kam bërë sepse të duash vendin tënd, të punosh për vendin tënd është shërbim që ju bën brezave që nuk do e harrojnë kurrë veprën e mirë që ne bëmë në shërbim të atdheut”.

“Plotë ngjyra dhe jetë”- Zbulohet korali më i madh në botë (FOTO)

Shkencëtarët kanë njoftuar se kanë zbuluar koralin më të madh në botë pranë Ishujve Solomon në Oqeanin Paqësor, një koral që është tre herë më i madh se mbajtësi i mëparshëm i rekordit.

KORALI 1

“Megjithëse menduam se nuk kishte asgjë më shumë për të zbuluar në planetin Tokë, gjetëm një koral të madh të përbërë nga pothuajse një miliard polipe të vogla plotë jetë dhe ngjyra”, tha ekologu i mjedisit detar Enrique Sala.

K5

Korali u gjet në një zonë të njohur me emrin “Tri Motrat”, në juglindje të Ishujve Solomon, nga një ekip nga National Geographic, i cili mori pjesë në një mision në zonë.

Sipas studiuesve, kjo strukturë e pavarur u zhvillua gjatë një periudhe prej rreth 300 vjetësh, nga një “rrjet i ndërlikuar” polipësh të vogla korali.

Ky koral dallon nga një koral shkëmbor, i cili përbëhet nga koloni të dallueshme koralesh, shpjeguan shkencëtarët.

 

I gjerë 34 metra dhe 32 metra i gjatë, ky “mega-koral”, thanë hulumtuesit, është tri herë më i madh sesa korali më i madh i zbuluar paraprakisht në Samoan amerikane, i quajtur “Big Momma”.

OOOOOOOOOOOOOOOOOOOO

Oqeanet më të nxehta dhe acidet kanë shkatërruar jetën e koraleve në shumë zona të ujërave tropikale. Por, zbulimi i fundit ofron shpresë, tha ekipi që e zbuloi koralin.

“Ka shumë ende për të mësuar për pasuritë e jetës detare dhe të ekosistemit të oqeanit, por ky zbulim hap dyert për dije”, tha zyrtari kryesor i Ishujve Solomon, Collin Beck.

“Duhen kërkime të tjera për të kuptuar më mirë biodiversitetin tonë të pasur dhe të planetit tonë”, shtoi ai.

Pas Bekim Balajt edhe Odise Roshi vendos të tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare

Pas sulmuesit Bekim Balaj, edhe miku i tij, Odise Roshi ka vendosur të tërhiqet nga Kombëtarja kuq e zi.

Lajmin e ka bërë të ditur FSHF me anë të një njoftimi ku vlerëson kontributin e Odise Roshit që ka dhëne për ngjyrat kuqezi.

FSHF është njohur me vendimin e Odise Roshit për t’u tërhequr nga Kombëtarja shqiptare, pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme me ngjyrat kuqezi.ROSHIOdise Roshi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për ekipin Kombëtar, duke dhënë gjithmonë maksimumin e tij në arritjet historike të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Gjatë gjithë karrierës së tij me kuqezinjtë, Odise Roshi i njohur edhe me nofkën “Raketa” nga tifozët, numëron 71 ndeshje dhe 5 gola, ndërsa ishte pjesë e skuadrës në kualifikimin historik në “Euro 2016” dhe pjesë e saj në finalet e Europianit.

Federata e Futbollit e falënderon Roshin për të gjithë kontributin e dhënë ndër vite me fanellën kuqezi, ku do të kujtohet gjithmonë për asistet e tij vendimtar, shpejtësinë dhe energjinë e tij në fushë. I urojmë Odise Roshit suksese të mëtejshme në karrierën e tij.

Intervista/ “Mund të arrijë deri në dështimin e mëlçisë duke rrezikuar jetën”- Zbulimi i hershëm i hepatitit, mjekja: Numër i lartë infektimesh, ja shkaku dhe si ta parandaloni

Gjatë përditshmërisë sonë jemi në kontakt të vazhdueshëm me njerëz e objekte, të cilët pa e kuptuar përbëjnë dhe rrezikun më të shpeshtë të transmetimit të shumë sëmundjeve infektive ku ndër më delikatet dhe të fshehta janë hepatitet.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, mjekja gastrohepatologe, Vlera Lekaj tregon se cilat janë llojet dhe simptomat kryesore të hepatitit. Ajo shton se kjo patologji mund të jetë pa simptoma për një kohë të gjatë dhe të zbulohet rastësisht në analiza rutinë. Lekaj bën apel që të kryhen analiza të rregullta laboratorike, pikërisht ato infektive, për të përjashtuar mundësinë e të qenit në fshehtësi një bartës i hepatitit, i cili gradualisht dëmton mëlçinë si dhe rrezikun e infektimit të njerëzve të tjerë pranë nesh.

Çfarë është hepatiti dhe si paraqiten shifrat e të prekurve në vendin tonë?

Hepatiti përcaktohet të jetë një inflamacion i mëlçisë, i cili karakterizohet nga një fillim simptomatik akut në disa raste ose tërësisht pa simptoma në disa raste të tjera, ku rreziku dhe pasoja më e rëndë e tij mund të jetë insuficienca hepatike, pra dështimi i funksionit të mëlçisë duke rrezikuar kështu dhe jetën. Në Shqipëri fatkeqësisht mbetet akoma i lartë numri i infektimeve me hepatit në krahasim me botën ku numrat janë të përgjysmuar, çka dëshmon kushtet e dobëta të higjienës dhe punën e madhe që duhet kryer në këtë drejtim për mbrojtjen e qytetarëve.

Cilat janë llojet e hepatiteve dhe mënyrat e infektimit prej tyre?

Hepatitet janë 5, ku emërtohen Hepatiti A, B, C, D, E nga ku hepatiti A, E kanë pak a shumë të njëjtat karakteristika dhe rruga e infektimit është fekaloorale, ndërsa hepatiti B, C, D transmetohen nëpërmjet gjakut të kontaminuar si dhe sekrecioneve njerëzore.

Mund të na tregoni se cilat janë simptomat kryesore që tregojnë se mund të jemi prekur nga hepatiti?

Simptomat më të shpeshta të fillimit të një hepatiti ngjajnë me një gjendje virale, ku temperatura, lodhja, dobësia fizike, dhimbja artikulare janë të zakonshme. Simptoma të tilla si ngjyrosja me të verdhë e lëkurës dhe mukozave, urinimi me ngjyrë të errët apo defekimi me ngjyrë të hapur janë shenja klinike që shfaqen në fazën e dytë të sëmundjes, pas 1,2 javësh, dhe praktikisht shoqëruar dhe me vlerat e rritura të enzimave të mëlçisë, bilirubinës në gjak dhe shumë parametrave të tjerë infektiv si dhe specifik të hepatiteve , kombinuar dhe me ekzaminimet radiologjike ku konstatohet një zmadhim i mëlçisë ose i shpretkës atëherë kemi një panoramë të plotë të diagnozës së hepatitit.

Siç u përmend më lart fillimi i simptomave të një hepatiti mund të jetë si një gjendje virale, duke dalë kështu dhe tek shkaku kryesor i kësaj sëmundje, pikërisht viruset. Ndërsa ndër shkaqet e tjera më të shpeshta cilësojmë gjithashtu dhe alkolin, pra një hepatit i induktuar nga alkoli si pasojë e dëmtimit të qelizave hepatike nga toksinat e tij.

Si bëhet kurimi i hepatitit dhe sa kohë kërkon trajtimi I tij?

Fakti më i rëndësishëm për tu përmendur është koha e shërimit dhe rikuperimit nga hepatiti ku hepatitet akute pritet të zgjidhen plotësisht si raste brenda 6 muajve. Një hepatit prezent mbi 6 muaj cilësohet si hepatit kronik, dhe me periudha rekurence sidomos në vlerat specifike në analizat e gjakut së një pacienti.

Rrugëtimi drejt rikuperimit të plotë nga hepatiti mund të jetë i shkurtër dhe i pakomplikuar pavarësisht klinikës së vështirë që ka si sëmundje; por gjithashtu ekziston dhe rreziku i kronicizimit të tij, që do të thotë kujdes dhe trajtim i përjetshëm si dhe rrezik nga komplikacionet e mëvonshme në mëlçi. Sigurisht që shkenca sot mundëson trajtim me antiviral, pra me medikamente por mundësia më e mirë është parandalimi ku vaksinimi mbetet standardi i artë dhe pa diskutim kujdesi shëndetësor dhe higjiena personale si kushtet bazë për një jetesë të shëndetshme.

Cilat janë masat parandaluese për t’u mbrojtur nga kjo patologji?

Duke u nisur nga ky informacion për mënyrat se si mund të infektohesh me hepatit, duhen marrë dhe masat për të mbrojtur veten dhe të tjerët, ku higjienizimi i rregullt me larjen e vazhdueshme të duarve, shmangia e kontakteve me objekte të kontaminuara me fekale ose që mbartin këtë rrezik, uji i pijshëm i kontrolluar dhe i pastër, shmangia e udhëtimeve në vende me epidemi aktuale hepatitesh, dezinfektimi dhe mbajtja pastër e çdo plagë sado e vogël të jetë ajo e deri tek më e rëndësishmja sidomos për grupmoshat e reja, shmangia e kontakteve seksuale të pambrojtura, mbrojtja nga droga, tatuazhet e deri tek kujdesi nga transfuzionet e gjakut që vlen për çdo grupmoshë. Rëndësi të veçantë merr në kuadrin e marrjes së masave për tu mbrojtur nga hepatiti, edhe përdorimi me kujdes i ageve dhe gjilpërave, duke vënë kështu në prioritet për kujdesin e shtuar që duhet të kenë në përditshmërinë e punës, pikërisht personelin shëndetësor.

Siç mund të konstatohet marrja e masave të shumta, të cilat në dukje mund të duken të shumta por në fakt janë elementët bazë për një jetesë të shëndetshme shmang ndjeshëm rritjen e rasteve të infektimit me hepatit dhe komplikacioneve të tij shoqëruese.

Cili është roli i vaksinimit në mbrojtjen nga hepatiti?

Mbrojtja më e mirë vazhdon të jetë parandalimi i cili përveç marrjes së masave mbrojtëse arrihet dhe nëpërmjet vaksinimit, ku realisht vaksinimi ndaj sëmundjeve infektive është parandalim. Në rast konkret të hepatiteve rekomandohet vaksinimi që fëmijë ku në varësi të llojit të vaksinës përcaktohen dhe dozat e vaksinave, p.sh. për Hepatitin A rekomandohet vaksinimi para moshës 24 muaj, i ndarë në 2 doza me distancë kohore 6 deri në 18 muaj nga njëra-tjetra ndërsa për adultët mund të jetë e nevojshme deri në 4 doza.

Ndërsa për Hepatitin B rekomandohet vaksinimi nën moshën 19 vjeç dhe për çdo njeri që dëshiron të vaksinohet si pasojë e një rreziku të lartë që mund të ketë për tu infektuar me hepatit B në aktivitetet e tij të përditshme. Vaksinimi rutinë i fëmijëve të porsalindur kundër Hepatitit B, nis me dozën e parë e parë që para daljes nga spitali e deri në administrimin e dozës së dytë deri në 18 muajsh. Për fëmijët që lindin nga nëna bartëse të Hepatitit B, vaksinimi duhet të kryhet që në lindje, me një dozë të veçantë unike dhe të vetme si dhe të bëhet kontrolli i rregullt me analiza i fëmijës brenda vitit të parë të jetës.

Si ‘peshkohen’ qytetarët nga skemat e mashtrimeve në internet

Hapësira digjitale është e mbushur me rreziqe, dhe ekspertët paralajmërojnë që të bëjmë kujdes duke treguar vigjilencë të shtuar kur marrim mesazhe të dyshimta.

– Nga Arbjona Çibuku

Në një botë ku një klikim mund të çojë drejt rrënimit financiar ose ekspozimit të jetës private, mesazhet më të rrezikshme shpesh maskohen si komunikime legjitime nga burime të njohura, si banka, kompani teknologjike ose institucione publike.

Mashtrimet online po shtohen vit pas viti, duke synuar gjithmonë e më shumë qytetarë përmes platformave të ndryshme digjitale. Autoritetet thonë se grupmoshat më vulnerabël në përdorimin e teknologjisë janë më të shënjestruarat, teksa ndërgjegjësimi konsiderohet si praktika më e mirë për t’u mbrojtur.

“Duhet të bëjmë kujdes kur na vjen një mesazh nga një numër i panjohur apo person i paidentifikuar,” këshillon Tomi Kallanxhi, eksperti i Teknologjisë së Informacionit, duke theksuar se personat me aftësi të kufizuara digjitale, si pensionistët, janë në mënyrë të veçantë vulnerabël.

“Mirë është të mos u kthejmë përgjigje mesazheve apo të flasim me nipërit apo fëmijët për të qenë të sigurt,” shtoi ai.

Sipas Kallanxhit, është e vështirë të identifikohen mesazhet “phishing” – një nga format më të përhapura të mashtrimit në internet, që synon t’i gënjejë njerëzit për të ndarë informacione të ndjeshme, siç janë fjalëkalimet, të dhënat bankare ose numrat e kartave të kreditit.

Fillimisht, mashtruesit ndërtojnë kopje false të faqeve të internetit ku kemi llogari, si për shembull faqet e rrjeteve sociale, bankave, e-Albania, etj. Pas kësaj, ata dërgojnë email-e të rreme, në të cilat na njoftojnë se, për shkak të një ndryshimi politikash, nevojitet që të verifikojmë llogarinë. Ky email shoqërohet me një link, i cili, nëse e klikojmë, na dërgon automatikisht te faqja e “rreme”.

Këtu, duke menduar se po plotësojmë formularë apo kërkesa që vijnë nga kompanitë apo institucionet, u japim mashtruesve të dhënat tona, si emrin, mbiemrin, numrin e telefonit, adresën, llogarinë bankare apo edhe fjalëkalimin.

Me të dhënat tona, mashtruesit mund të përvetësojnë identitetin dhe madje të vjedhin para duke bërë tërheqje, blerje apo pagesa online.

Ndër skemat më të përhapura janë ato që njoftojnë për konkurse dhe dhurata të pazakonta. Për shembull, Posta Shqiptare apo Aeroporti i Rinasit që shesin me nga 1 euro pakot apo valixhet e humbura.

Të tjera raste përfshijnë udhëtime ose para të fituara si vizitori “më me fat” i një faqeje në internet. Në të gjitha, përfundohet në një link që kërkon të plotësohen të dhëna.

Facebook/Dy thirrje të ngjashme “phishing” me profile false të Postës Shqiptare dhe Aeroportit Nënë Tereza.

Por si mund të mbroheni në raste të tilla?

Krimi kibernetik në Shqipëri shënoi një rritje prej 22.35% gjatë vitit 2023, sipas raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme. Në vitin 2022, ndaj 225 personave u iniciuan procedime penale, ndërsa gjatë vitit të kaluar ky numër u rrit në 312.

Në janar dhe prill 2024, u bë mediatike skema e aplikuar në masë me Postën Shqiptare, ku qindra qytetarë morën SMS në telefonat e tyre, ku u thuhej se një pako kishte mbërritur në magazinë në emër të tyre, por që për shkak të adresës jo të plotë kërkoheshin të dhëna shtesë dhe për këtë shoqërohej me një link.

Linku kishte formulim të ngjashëm me atë të Postës Shqiptare, por me ndryshimin se nuk ishte “postashqiptare.al” (faqja zyrtare) por “postashqiptare-al.top”. Ai drejtonte në një faqe të ngjashme, nga ku grumbulloheshin të dhënat bazë si emër, mbiemër, numër telefoni, adresë, dhe më tej kërkoheshin të dhëna për pagesë bankare.

Posta Shqiptare reagoi duke njoftuar se këto mesazhe ishin të rreme dhe synonin vjedhjen e të dhënave.

Faksimil/SMS “smishing” dërguar nga mashtrues që kanë falsifikuar URL-në e Postës Shqiptare.

Në përgjithësi, asnjë kompani apo institucion nuk kërkon emrin, mbiemrin, numrin personal të identifikimit apo fjalëkalimin tuaj përmes mesazheve. Asnjëherë një bankë nuk telefonon për të kërkuar të dhënat ose numrin e kartës.

Asnjë kompani, institucion apo platformë nuk do t’ju kërkojë të verifikoni llogaritë në mënyrë të papritur, pa shpjegime të besueshme, dhe aq më tepër përmes një linku dërguar me email, SMS, apo WhatsApp.

Ekspertët sugjerojnë që të mos klikoni në email-e apo SMS që vijnë nga kompani apo persona me të cilët nuk keni pasur komunikim të mëparshëm.

Përdoruesve u rekomandohet të verifikojnë burimin e mesazheve apo email-eve dhe të tregohen të kujdesshëm ndaj gjuhës ose formulimeve të pazakonta në adresën e dërguesit apo në URL-të e lidhjeve të shoqëruara.

Sugjerohet që të mos klikoni në lidhje të dyshimta ose reklama që duken tepër të mira për të qenë të vërteta.

Gjithashtu, rekomandohet të tregoni kujdes me materialet e shkarkuara nga interneti dhe të shmangni hapjen e skedarëve të bashkëngjitur në email-e nga persona të panjohur. Në raste pasigurie, këshillohet të kërkoni ndihmë nga dikush që ka njohuri në këtë fushë.

Përdorimi i identifikimit me dy ose më shumë faktorë, si fjalëkalimi dhe verifikimi me SMS, për llogaritë personale në rrjetet sociale dhe email, është një masë shtesë sigurie.

Në rast se hasen tentativa të tilla mashtrimi, përdoruesve u sugjerohet të ndajnë përvojën e tyre, të njoftojnë të tjerët, ose të kontaktojnë kompanitë përkatëse për të parandaluar përhapjen e skemës duke rritur kështu ndërgjegjësimin publik.

Një rrezik në rritje

Në Shqipëri, rastet e mashtrimeve online po shtohen, dhe ata që bien pre e këtyre skemave janë grupet më vulnerabël ndaj teknologjisë. Nga janari deri në shtator të këtij viti, në polici janë regjistruar 146 raste mashtrimesh online, ku grupmosha 35-70 vjeç ishte më e prekura.

Skemat e “phishing”, në shumicën e rasteve, burojnë nga jashtë Shqipërisë, dhe kjo shpjegon përse përmbajtjet e tyre përdorin fjalë të pazakonta në shqip, si për shembull “parcelat e humbura” për pakot në rastin e skemës me postën.

Dhjetëra qytetarë të moshës 60-70 vjeç, që plotësuan pyetësorin e Citizens për këtë tematikë, deklaruan se kishin ndeshur mesazhe të ndryshme që i shpallnin ata fitues dhuratash apo ofertash. Në 90% të rasteve, ata e përshkruanin veten si përdorues të thjeshtë të internetit.

Ekspertët e sigurisë theksojnë se ndërgjegjësimi është kyç për parandalimin e këtyre skemave, sidomos për pensionistët, të cilët janë ndër më të rrezikuarit.

Sipas Tomi Kallanxhit, duhet më shumë punë nga institucionet dhe bankat për të mbrojtur qytetarët nga këto rreziqe.

“Ajo që është e nevojshme për të përmirësuar situatën është më tepër ndërgjegjësim për qytetarët dhe përfshirje nga vetë institucionet,” tha ai.

“Po ashtu, bankat duhet të informojnë dhe të edukojnë klientët e tyre për përdorimin e teknologjive të reja,” përfundoi Kallanxhi./ citizens.al

Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënon sulmet ndaj ekipeve paqeruajtëse në Liban

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënon sulmet që janë kryer gjatë javëve të fundit kundër misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Liban (FINUL), duke u bërë thirrje “të gjitha palëve” të garantojnë sigurinë e paqeruajtësve.

 

Përmes një deklarate, shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dënuan dje sulmet ndaj pozicioneve të FINUL-it, që rezultuan me lëndime të anëtarëve të saj.

Megjithatë Këshilli i Sigurimit nuk foli për emra konkretë të përgjegjësve për këto “incidente”, por iu referuan datave kur kanë ndodhur sulmet.

Ata iu referuan në mënyrë specifike sulmeve të 29 tetorit, kur një raketë e gjuajtur nga Hezbollahu, apo aleatët goditi selinë e përgjithshme të misionit paqeruajtës, më 7 nëntor, kur pesë paqeruajtës u plagosën nga bombardimet izraelite dhe më 8 nëntor.

Këshilli i Sigurimit u bëri thirrje “të gjitha palëve të marrin çdo masë për të respektuar sigurinë e personelit dhe objekteve të misionit”, duke këmbëngulur se “paqeruajtësit nuk duhet të jenë kurrë objektivi i sulmit” dhe duke shprehur “mbështetje të plotë” për FINUL.

Më gjerësisht për konfliktin në Liban midis Izraelit dhe Hezbollahut, i cili nuk tregon shenja të depërshkallëzimit, Këshilli i Sigurimit shprehu “shqetësim të thellë” për “viktimat dhe vuajtjet e civilëve, shkatërrimin e infrastrukturës civile, dëmtimin e vendeve arkeologjike në Liban, kërcënimet në vendet e trashëgimisë botërore në Baalbek dhe Tiro të UNESCO-s, dhe numrin në rritje i njerëzve të zhvendosur”.

‘Situatë dramatike’: Paligjshmëritë në sektorin minerar lënë pas një masakër mjedisore

uzë greminës së krijuar nga shpërthimi i minave dhe puna e ekskavatorëve, pishat duken si të rreshtuara gati për ekzekutim. Në të dy anët e rrugës që të çon drejt qytetit muzeal të Krujës, ekskavatorët gërryejnë malin të pashqetësuar, duke lënë pas një masakër mjedisore të mbuluar nga pluhuri i bardhë.

Kjo copë tokë rreth vendit të njohur si “Gjurma e Sari Salltikut” është prej korrikut të vitit 2019 pjesë e peisazhit të mbrojtur Krastë- Verjon dhe përfaqëson një ekosistem kompleks kodrinor.

Ligjërisht, zona duhej të ishte në proces rehabilitimi mjedisor pas shfrytëzimit të gjatë si gurore dhe revokimit të lejeve në vitin 2019. Por kur këta reporterë e vizituan zonën më 22 tetor, zhurma e makinerive të rënda gërryese dëgjohej prej së largu dhe shfrytëzimi vazhdonte ilegalisht.

Pamje të tilla nuk janë të izoluara vetëm në zonën e Krujës, ndërkohë që dështimi për të rehabiltuar mjedisin e dëmtuar nga aktiviteti i kompanive minerare shkon të paktën një dekadë pas në kohë.

Të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë që më pak se 1% e kompanive të pajisura me leje minerare e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të kryer rehabilitimin mjedisor në 10 vitet e fundit.

Në të njëjtën periudhë, mjedisi nuk ka përfituar gjithashtu asnjë qindarkë nga një fond prej 761 milionë lekësh, i mbledhur nga e ashtuquajtura “garanci mjedisore” përmes Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.

“Situata është shumë dramatike,” paralajmëron Aleksandër Trajçe, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror, PPNEA.  “Nga kërkimet tona në natyrë, përballemi shpesh me imazhet e krijuara prej këtyre ndërhyrjeve në shumicën e rasteve të paligjshme,” shtoi ai.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, AKBN, pranoi në një përgjigje me shkrim se nuk kishte gati asnjë plan rehabilitimi për zonat e prekura nga aktiviteti minerar, ndërsa shtoi se paratë e mbledhura si garanci mjedisore ishin të depozituara në thesarin e shtetit.

“Vlerat e garancive janë të depozituara në thesarin e shtetit dhe janë të ngurtësuara,” tha AKBN.

Ministria e Infrastrukturës, ajo e Mjedisit dhe Kryeministria nuk iu përgjigjën kërkesave për koment mbi dështimin prej një dekade të skemës së rehabilitimit mjedisor si dhe përgjegjësitë institucionale.

Kompanitë shmangin rehabilitimin mjedisor  

Të dhënat e sipëfaqeve të rehabilituara në raport me sipërfaqet e shfrytezuara. Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri.

Ligji për “Sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë” i detyron kompanitë që zotërojnë leje minerare që të kryejnë rehabilitimin mjedisor në zonat e shfrytëzuara, pas përfundimit të aktivitetit. Ligji detyron gjithashtu Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, që të mbikëqyrë dhe të monitorojë aktivitetin, përfshirë edhe rehabilitimin mjedisor nga ana e kompanive.

Në legjislacion ka gjithashtu të parashikuar një zgjidhje për rastet kur kompanitë braktisin zonën e lejes minerare, pa e kryer rehabilitimin mjedisor. Në këto raste, rehabilitimi duhet të kryhet nga AKBN dhe shpenzimet përballohen nga fondet e garancisë financiare që kompanitë kanë depozituar në thesarin e shtetit gjatë periudhës së aplikimit për leje minerare.

Megjithatë, të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se kompanitë e sektorit minerar nuk e zbatojnë në masë detyrimin për rehabilitimin mjedisor, ndërkohë që edhe paratë e mbledhura si garanci financiare nuk shkojnë në dobi të mjedisit.

Sipas AKBN, nga 641 aplikime për leje minerare në dhjetë vitet e fundit, vetëm 13 prej tyre ose dy për qind e totalit kanë dorëzuar raportin përfundimtar të mbylljes së aktivitetit. Por vetëm 5 kompani kanë përmbushur rehabilitimin mjedisor dhe kanë marrë mbrapsht paratë e depozituara si garanci.

Shkeljet masive të legjislacionit në sektorin minerar kanë shkaktuar një bilanc dramatik të  dëmeve mbi mjedisin. Bazuar në një listë të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës, deri në shkurt të vitit 2023 ishin dhënë për shfrytëzim minierash dhe karrierash mbi 24,400 hektarë tokë, nga të cilat janë rehabilituar vetëm 17 hektarë në dhjetë vjet.

AKBN e pranon faktin se shumë prej subjekteve private nuk e përmbushin detyrimin e rehabilitimit mjedisor, por thekson se u ka bllokuar atyre në këmbim vlerat e garancisë financiare për mjedisin, për të cilat thotë se “kanë kaluar në favor të shtetit”.

“Shumë nga ish-subjektet zotëruese të këtyre lejeve kanë hequr dorë nga rehabilitimi i zonës dhe vlera e akumuluar ka kaluar në favor të shtetit,” deklaroi AKBN.

Agjencia deklaroi gjithashtu se kishte revokuar një numër të konsiderueshëm lejesh minerare për shkak të mospagesës së garacisë financiare mjedisore. Sipas një liste të vendosur në dispozicion, nga 237 leje minerare të revokuara në dhjetë vjet, 43% e tyre kanë si shkak mospagesën e garancisë mjedisore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit fajëson AKBN-në përmes një raporti auditi për faktin që garancia financiare për mjedisin nuk është mbledhur e plotë. Sipas raportit që analizon periudhën 2018-2022 në AKBN, një numër subjektesh nuk shlyenin garancitë financiare vjetore, ndërsa subjekte të tjera kishin vonesa, por mbaheshin me hatër derisa lejet revokoheshin pas dy apo tre vitesh.

KLSH vlerëson gjithashtu se mungesa e rehabilitimit po sillte pasoja të rënda në mjedis, ndërsa miniera të nxjerra jashtë përdorimit ishin duke u shembur, duke krijuar hinka në sipërfaqe.

“Shpeshherë grupi i monitorimit është ndeshur me dalje të hinkave në sipërfaqe në shumë zona si pasojë e hapësirave të krijuara nga shfrytëzimi në vite në këto ish-miniera,” thuhet në raport.

Mes zonave të dëmtuara përmenden miniera Rehovë në bashkinë e Korçës, miniera e Mborje Drenovës në të njëjtën bashki, miniera e Kurbneshit në bashkinë e Mirditës apo miniera e Kripës në Dhrovjan të Bashkisë së Finiqit.

Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës mjedisore Eco Albania thotë se kompensimi i parashikuar si rehabilitim mjedisi është i papërfillshëm dhe zakonisht i kufizuar në kohë.

“Legjislacioni ka mangësi, duke e lënë rehabilitimin në dorë të subjekteve pa monitorim, ose duke e transferuar rehabilitimin nga mjedisor në social, përgjithësisht duke blerë me investime të vogla heshtjen e banorëve të zonave të prekura,” tha Nika.

“Në jo pak raste, ky parim përdoret si një mjet manipulimi për komunitetet e varfëra…,” shtoi ai.

Ku gjenden paratë?!

Paratë e mbledhura si garanci mjedisore nga AKBN dhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar në 10 vjet. Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri.

Kompanitë private të sektorit minerar nuk janë të vetmet që vjelin frytet në kurriz të dëmeve të shkaktuara në mjedis. Edhe institucionet publike, që kanë përgjegjësinë që të kryejnë rehabilitimin mjedisor pas mbylljes së aktivitetit minerar, nuk kanë shpenzuar asnjë qindarkë për këtë qëllim në dhjetë vitet e fundit.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar mblodhën së bashku 761 milionë lekë ose 7.7 milionë euro nga kompanitë minerare si garanci mjedisore financiare gjatë viteve 2014-2023. Por është e paqartë se ky ndodhen aktualisht këto para.

AKBN tha se ky fond ndodhej i ngurtësuar në Thesarin e Shtetit, por Ministria e Financave që menaxhon thesarin nuk e konfirmoi këtë fakt.

E pyetur për fondin e garancive mjedisore, Ministria e Financave pretendoi se “nuk e zotëronte informacionin e kërkuar” dhe ia përcolli kërkesën Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Kjo e fundit nuk ktheu asnjëherë përgjigje.

Dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Financave, të cilët kërkuan që të mos citoheshin me emër, thanë se nuk kishin dëgjuar ndonjëherë për një fond të tillë dhe nuk kishin dijeni për të. Fondi i garancisë financiare mjedisore nuk rezulton i pasqyruar as në të dhënat financiare të buxhetit për vitin 2024.

AKBN nuk iu përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjes nëse e kishte përdorur ndonjëherë garancinë për rehabilitim, por këmbënguli se paratë ndodheshin “të ngurtësuara në thesar”.

Agjencia u justifikua gjithashtu se nuk kishte aplikuar ende plane për rehabilitim, për shkak se po shihte mundësinë që shumë prej zonave t’i jepte sërish për shfrytëzim.

“Këto zona kanë akoma rezerva minerare të pashfrytëzuara, në të cilat mund të merren përsëri leje nga subjektet e interesuara duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore të parashikuara nga legjislacioni minerar,” tha AKBN.

Ekspertët e ekonomisë e shohin me shqetësim paqartësinë institucionale për fondin e krijuar nga ky mekanizëm ligjor dhe mospërdorimin e tij në kohë për rehabilitimin e mjedisit.

Sipas Zef Preçit, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Ekonomike, paratë mund të jenë shkrirë në buxhet dhe kjo sipas tij tregon shumë për raportin e qeverisë me mjedisin.

“Në këto kushte nuk mund të flitet për dëm në kuptimin financiar të këtij emri, por për dëm në terma ekonomikë nga mosrehabilitimi mund të flitet patjetër”, thotë Preçi. “Shkurt, qeveria ka disponuar dhe vazhdon të disponojë disa miliona Euro më shumë, për t’i shpenzuar kudo tjetër, përveçse në rehabilitimin e ambientit,” shtoi ai.

Eduart Gjokutaj, themelues i organizatës së edukimit financiar, “Altax”, thotë se fondi duhet të ekzistojnë në llogaritë bankare të institucioneve dhe se thesari i shtetit do të duhej të ishte i informuar për të. Por, ai thekson se mospërdorimi i këtyre parave për qëllimin që mblidhen në kohën e duhur sjell pasoja të pamatshme.

“Për mjedisin ka pasoja të pamatshme drejtpërdrejt, cilësinë e ajrit, prishjen e ekosistemit e të tjera. Po ashtu dëmtohet ajo që quhet ekonomia pyjore, e cila shërben për interesa të ndryshme dhe matet me indikatorë të veçantë nga ekspertët e mjedisit,” shtoi Gjokutaj.

Dëmi i pallogaritshëm në mjedis

Aktiviteti i guroreve ka lënë pas një masakër mjedisore në zonën e mbrojtur Krastë-Verjon në Krujë. Foto: Vladimir Karaj.

Zona Krastë-Verjon në bashkinë e Krujës u shpall “peizazh i mbrojtur” në vitin 2019 nga Këshilli i Ministrave dhe lejet e shfrytëzimit për gurore u revokuan në të njëjtin vit.

Sipas raportit të hartuar nga AKBN, dymbëdhjetë subjektet që punonin aty u gjetën në shkelje të kushteve teknike të lejeve dhe të paktën pesë prej tyre kishin shfrytëzuar sipërfaqen në thellësi 3 apo 4 herë më shumë nga sa ishin të lejuara.

Në një rast, thellësia e kraterit  të krijuar nga shfrytëzimi ishte 48 metra nga 10-12 metra që është e lejuar për lejet në këtë zonë. Në të gjitha rastet, AKBN vë në dukje se nuk ishin ruajtur parametrat teknike dhe sipërfaqja e shfrytëzuar nuk ishte e përshtatshme për rehabilitim.

Përveç revokimit të lejeve nga AKBN, subjektet u gjobitën më 4 milionë lekë së bashku për mungesë lejesh mjedisore, mungesën e masave antierozive dhe mbjelljen e bimësisë nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit.

Pesë vite më pas, nuk është ndërmarrë asnjë hap për rehabilitimin e zonës, ndërsa makineritë e rënda vazhdojnë të shkaktojnë dëme të reja në mjedis në mënyrë ilegale. Përveç vëzhgimit me sy të lirë në terren, një krahasim historik i imazheve të përftuara nga Google Earth tregon se sipërfaqja e shfrytëzuar, në të majtë të rrugës për në Krujë, u rrit dukshëm nga viti 2020 deri në vitin 2023, periudhë kur lejet ishin revokuar.

E pyetur se pse kompanitë vazhdonin punën edhe pas revokimit të lejeve, AKBN lau duart nga përgjegjësia.

“AKBN nuk e ka tagrin të bëjë konstatime apo verifikime në zonë, për sa kohë subjektet apo personat që shfrytëzojnë nuk janë subjekt i zbatimit të ligjit minerar,” tha Agjencia në përgjigje.

Ndërkohë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT tha se kishte ndërmarrë masa administrative dhe gjoba ndaj kompanive në vitin 2023, por fajësoi AKBN-në se nuk e kishte informuar mbi situatën ligjore të subjekteve që vepronin në zonë.

“Sjellim në vëmendjen tuaj që Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në asnjë moment nuk ka patur kërkesa apo/dhe informacione nga AKBN-ja mbi situatën ligjore të këtyre subjekteve”, tha IKMT, ndërsa këmbënguli se subjektet ishin spostuar më në Veri dhe kishin dalë jashtë zonës së mbrojtur. Agjencia Kombëtare e Mjedisit e përjashtoi veten nga përgjegjësia, duke thënë se “nuk kishte kompetenca”.

Pas shumë vitesh shfrytëzimi pa kriter, rehabilitimi mjedisor në zonën e mbrojtur Krastë- Verjon konsiderohet i vështirë dhe një zyrtar i AKBN-së tha se mund të kërkonte ndërhyrjen e ushtrisë. Vetë AKBN i ka llogaritur kostot e rehabilitimit bazuar mbi sipërfaqet e shfrytëzuara dhe jo mbi thellësinë e kratereve të krijuara në kushtet e shkeljes së lejeve.

“Sot thellësia e gropave është shumë e madhe dhe kërkohet ndërhyrje e xhenios për rehabilitim,” tha zyrtari në kushtet e anonimatit.

Por Elvana Tivari, eksperte e legjislacionit mjedisor, tha se dëmet duheshin llogaritur jo vetëm për shfrytëzimin sipas lejes minerare, por edhe për dëmin e shkaktuar nga aktiviteti i paligjshëm. Sipas saj, problemet e përllogaritjes së dëmit vinin nga mungesat në legjislacion.

“Fondi i krijuar nga garancia mjedisore mblidhet për dëmet e shkaktuar brenda kushteve të lejes, për dëmet jashtë kushteve të lejes i duhet kërkuar përgjegjësia atij që ka shkaktuar,” tha Tivari, duke vënë në dukje se përgjegjësitë në këtë rast nuk ishin vetëm administrative, por edhe penale.

Eksperti Gjokutaj nga “Altax” e vë në dyshim faktin nëse garancitë mjedisore të mbledhura nga AKBN janë të mjaftueshme për rehabilitimin e dëmeve të shkaktuara nga aktiviteti i sektorit minerar.

“Asnjëherë nuk mund të përkojë ajo që ke vënë në garanci dhe ke parashikuar në fillim me atë që ka ndodhur në praktikë, për arsye të ndryshme, që nga ndryshimi i peizazhit, gabime në zbatim të punimeve apo dhe faktorë të tjerë që lidhen me rritjen e kostove të rehabilitimit,” tha Gjokutaj.

“Karrierat shfrytëzohen egërsisht, ndosin mjedisin, dëmtojnë cilësinë e jetës së banorëve dhe rrisin kostot ekonomike për zonën,” përfundoi ai./BIRN

*Ky artikull u mundësua me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making (CRPM), mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.