22.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

Po dështon modeli i Giorgia Melonit? Analiza e DW: Kampet e azilit mbetën sërish bosh! A do t’i çojë miliona euro dëm kryeministrja italiane me qendrat në Shqipëri

Përsëri qeveria e Italisë dështoi në përpjekjen për devijimin e procedurave të azilit jashtë BE-së: Një tjetër gjykatë vendosi kthimin e refugjatëve nga Shqipëria.

Më keq se kaq vështirë se mund të kishte ecur për qeverinë e djathtë të Italisë: Përpara një jave kryeministrja Giorgia Meloni në samitin e BE-së i bëri reklamë modelit të saj, se si mund të menaxhohet një qendër për shqyrtimin e kërkesave për azil në një vend të tretë. Por tani qendra e sapo ndërtuar në Shqipëri – pa llogaritur personelin italian – sërish ka mbetur bosh, për të dytën herë brenda një kohe të shkurtër.

Në tetor Italisë iu desh t’i kthejë në vend 16 azilkërkuesit e transportuar në Shqipëri,  pasi disa ishin minorenë, një tjetër i sëmurë, e dymbëdhjetë të tjerë, sepse sipas ligjit aplikimi i tyre duhej shqyrtuar në Itali. Një javë më parë të premten (08.11) qeveria ndërmori një përpjekje të dytë duke dërguar shtatë migrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi në Shqipëri. Por të hënën (11.11) një gjykatë në Romë vendosi kthimin e këtyre personave në Itali duke referuar, që sqarimi përfundimisht duhej t’i kalojë Gjykatës Europiane. Një anije e truprojës kufitare i ktheu refugjatët përsëri në Brindizi.

Në rast të mbingarkesës qeveria e Italisë shpreson, që të dërgojë deri në 40.000 azilkërkues që tentojnë hyrjen ilegalisht në Itali, t’i zhvendosë në qendrën e Shqipërisë për shqyrtimin e kërkesave të azilit. Por edhe një muaj pas shtyrjes së herë pas hershme mbetet e paqartë, nëse do të mund të merret ndonjëherë qoftë edhe një vendim i vetëm për azilin në strehimoren në Shqipëri.

Stand-Off me drejtësinë

“Tani do të ishte në fakt hapi i duhur, që qeveria Meloni të thoshte: ‘Okay, u përpoqëm, por nuk është e mundur’”, thotë Hein, politolog i specializuar në fushën e politikave të emigracionit dhe të drejtën e azilit në Universitetin LUISS në Romë. Kjo për arsye se si Gjykata Europiane edhe disa gjykata italiane javët e shkuara kanë shpehur rezerva lidhur me konceptin e praktikuar nga Italia lidhur me përcaktimin e vendeve të sigurta të origjinës – “veçanërisht Egjipti dhe Bangladeshi, por edhe Tunizia, janë vendet nga vijnë kryesisht azilkërkuesit në Itali”, thotë për DW eksperti Hein.

IOM: “Aspak efekt frenues”

Modeli i marrëveshjes me Shqipërinë nuk është e vetmja masë restriktive, përmes së cilës qeveria e partisë së ekstremit të djathtë “Fratelli d’Italia” po përpiqet të kufizojë migracionine parregullt: Qëkurse është në pushtet nga tetori i vitit 2022 janë nxjerrë ligje restriktive lidhur me shpëtimin në emergjencë detare. Anijet tani duhet ta përmbyllin misionin e tyre, sapo të marrin në bord personat në nevojë. Më pas ato udhëzohen të lundrojnë drejt porteve të largëta në veri të Italisë, gjë që ua bën më të kushtueshme dhe jo efikase misionet e shpëtimit.

Organizata e OKB-së për Migracionin (IOM) e pyetur nga DW pranon, se gjatë këtij viti ka pasur shumë më pak ardhje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por megjithatë zëdhënësja e IOM shpjegon, se: “Nëse u referohemi ardhjeve të muajve të fundit, që kanë pasur të bëjnë me mot të keq, mund të thuash, se marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë deri tani nuk ka pasur ndonjë efekt frenues. Vetëm gjatë njëmbëdhjetë ditëve të fundit janë regjistruar mbi 3300 ardhje migrantësh përmes rrugëve detare në Itali.”

Zëdhënësja shton, se Europa duke iu referuar numrit të mbërritjeve të migrantëve të parregullt aktualisht është shumë larg situatës së emergjencës të vitit 2015.

Interes i madh – ngjashëm si për modelin britanik me Ruandën

Pavarëvisht problemeve marrëveshja e Italisë me fqinjin përtej Adriatikut, duket se u mirëprit edhe nga qeveritë e tjera europiane; Danimarka, Holanda por edhe politikanë të opozitës në Gjermani preferojnë marrjen në konsideratë të modelit për kanalizimin e migracionit drejt vendeve të treta. Italia është një rast precendet brenda BE-së e me këtë tërhoqi mjaft vëmenden, ashtu si më parë edhe Britania e Madhe. Marrëveshja e Londrës me Ruandën përfundimisht dështoi në verë, pasi qeveria konservatore pati investuar rreth 830 milionë euro.

“Vështirësitë ligjore, logjistike dhe financiare – dhe këtë e tregoi edhe modeli i Shqipërisë – janë aq të mëdha, sa në fund i gjithë ky mobilizim burimesh dhe energjish nuk ia vlen”, konkludon Christopher Hein. Kemi të bëjmë me “përpjekje të dështuara, për ta devijuar në mënyrë të gabuar situatën e migracionit dhe azilit, gjë që nuk u shërben as azilkërkuesve dhe as nuk justifikon nevojat e popullsisë për më shumë rregull.”

A do të çojë dëm miliona euro Meloni me strehimoren në Shqipëri?

Edhe për Italinë modeli me Shqipërinë rrezikon të kthehet në një dështim financiar. Qeveria i llogarit kostot e menaxhimit deri në vitin 2029 mbi 500 milionë euro. Ndërkohë është vënë në lëvizje Kontrolli i Shtetit në Itali, vendi i BE-së me borxhe të larta.

Profesori i jurispundencës Hein vëren, se ka dukshëm një disproporcion mes shpenzimeve dhe numrit të azilkërkuesve, për të cilët bëhet fjalë: “Kjo mund të ketë madje edhe pasoja penale.” Kontrolli i Shtetit, sipas Hein, ka edhe kompetencën, që si rezultat i verifikimit të pezullojë shpenzimet e mëtejshme.

Javët e ardhëshme pritet vendimi i Gjykatës së Kasacionit, instanca më e lartë në Itali – lidhur me çështjen, nëse Italia i ka shkelur rregullat europiane në shpalljen e vendeve të origjinës si të sigurta. Edhe nga Gjykata Europiane në Luksemburg pritet vendimi. Eshtë e mundur që së shpejti këto instanca do të vendosin, nëse qeveria italiane do të mund t’i përmbahet modelit të saj me Shqipërinë ose jo./DW

Bomberi i Serisë B që donte të behej astronaut, Kristian Shpendi: Shkonim për të luajtur me babain, por unë s’doja të dilja nga makina

Talenti shqiptar, Kristian Shpendi, po kalon një moment të artë në karrierën e tij, teksa kryeson listën e golashënuesve në Serinë B, teksa është pjesë e skuadrës së Çezenës.

 

Në një prononcim interesant të bërë për faqen zyrtare të klubit bardhezi, Kristiani tregon se vëllai i tij binjak, Stiveni ishte i dashuruar me futbollin, ndërkohë që Kristianit, kur ishte i vogël i pëlqente të behej astronaut.  

Ai tregon se shpesh kur shkonin në fushë për të luajtur me babain nuk donte të lite nga makina dhe madje qante sepse nuk dëshironte të luante.  

kristian

“Kemi luajtur gjithmonë futboll, edhe pse mes meje dhe Stivenit, ai që ishte i dashuruar me këtë sport ishe vetëm ai. Shkonim në fushë për të luajtur me babain, por unë shpesh nuk doja të dilja nga makina,. Përkundrazi, shpeshherë qaja pasi nuk dëshiroja të luaja, më pëlqente të luaja futboll, por nuk ishte objektivi im.

Unë kur isha i vogël më pëlqente të bëhesha astronaut, më pëlqente të shihja hënën, yjet”, u shpreh Kristian Shpendi.  

SMS e Berberit për Benet Becin: 500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë për ne me dy klasë shkollë”

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për ish kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, kanë zënë në grackë edhe kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci për implikim në afera gjatë kohës që mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të KESH. Gjatë hetimeve për Berberin, prokurorët e SPAK mes të tjerash kanë sekuestruar edhe telefonin e bashkëshortes së tij A. Ruko.

Por ndonëse ishin nisur për të gjetur prova të mëtejshme në ngarkim të Berberit, në telefonin e zonjës Ruko, prokurorët kanë gjetur dhe disa komunikime mes ish kreut të rrugëve dhe ish drejtorit të KESH. Njëri prej tyre, më flagranti lidhet me një tender me vlerë 832 mijë euro të zhvilluar nga KESH për kontraktimin e një studimi për strategjinë e sektorit energjetik. Bashkëshortja e zotit Berberi ishte caktuar kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të tenderit.

Studimi, i cili do të kryhej në bashkëpunim me profesorë të Harvardit duket se kishte para për të ndarë edhe për dy ish zyrtarët, të cilët donin jo pak por mbi 40 për qind të fondit. Në një nga SMS-të e gjetura nga prokurorët e SPAK, duke ju referuar tenderit për studimin, Evis Berberi i shkruan Benet Becit: “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë.”

Por SMS-ja kompromentuese e Berberit për Becin nuk është prova e vetme. Më vonë ka rezultuar se prokurimi është kryer pikërisht ashtu.

Tenderi
Tenderi me objekt “Zhvillimi i Strategjisë për Sektorin Energjetik” u shpall nga KESH në 13 janar të vitit 2020 me fond limit të paracaktuar prej 69.5 milionë lekësh ose 695 mijë euro pa tatim mbi vlerën e shtuar. Bashkë me TVSH-në vlera e fondit limit ishte 834 mijë euro.

Në garë pati vetëm një ofertë, që ishte ajo e kompanisë Consulting & Management Albania SHPK në pronësi të biznesmenit Ervis Myftari, e cila ofroi ta kryente shërbimin me vlerën 69.35 milionë lekë pa tvsh ose sa 99.8 për qind e fondit limit.

Një ditë pas tenderit, KESH shpalli fituese pikërisht kompaninë e Ervis Myftarit, e cila me sa duket ishte instrumenti që do të ndante paratë sipas formulës 500 mijë për profesorët dhe 330 mijë për ata me dy klasë shkollë.

Consulting & Management Albania është një kompani konsulence, e cila merr tendera publikë kryesisht në Albcontrol si dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Kjo kompani nuk kishte asnjë eksperiencë për studime energjetike dhe tenderi i vetëm që ka marrë në KESH është pikërisht ai për Zhvillimin e Strategjisë së Sektorit Energjetik.

Pronari i kësaj kompanie, zoti Myftari aktualisht zotëron dhe 8 kompani të tjera, të cilat janë të gjitha me status të pezulluar.

KLSH kapi korrupsionin me tenderin
Në vitin 2022, audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit mbërritën në zyrat e KESH për të audituar kompaninë. Mes gjetjeve që audituesit konstatuan në KESH ishte dhe ajo e tenderit 834 mijë euro për Zhvillimin Strategjik të Sektorit Energjetik.

Në raportin e auditimit, inspektorët e KLSH shkruajnë se tenderi ka një sërë parregullsish serioze, pasi së pari nuk ishte detyrë e KESH të bënte strategjinë e sektorit energjetik të vendit dhe së dyti, Shqipëria e kishte sakaq strategjinë e sektorit, e cila ishte kryer nga ministria e Energjisë në bashkëpunim me donatorët. Për më tepër, audituesit e KLSH konstatojnë se studimi i kryer nga kompania CMA dhe profesorët e Harvardit kishte vetëm informacione publike, lehtësisht të aksesueshme.

Gjetjet e KLSH per tenderin 834 mije euro

“Të gjitha kërkesat e parashtruara nga ana e Grupit të Punës si detyrë për Konsulentin ose janë informacione të cilat kanë qenë lehtësisht të aksesueshme pa qenë nevoja për prokurimin e marrjes së tyre ose kanë qenë të saktësuara në VKM nr. 480 datë 31.07.2018 ‘Për miratimin e strategjisë kombëtare të energjisë për periudhën 2018–2030’,” thuhet në raportin e auditimit.

KLSH e ka klasifikuar procedurën si një punë të sajuar thjesht për të shpenzuar para dhe gjithë shpenzimin si dëm të pastër ekonomik.
“Rezulton se vlera prej 83,220,000 lekë me TVSH përbën përdorim pa efektivitet eficiencë dhe ekonomicitet për fondet e shoqërisë,” thuhet në raportin e KLSH./kapitali.al

Vlora mban rekordin me 65% të banesave në pallate bosh, ndiqet nga Durrësi me 58%! Ç’tregojnë të dhënat e Censit

Në të gjithë vendin, 40% e banesave në pallate ishin të pabanuara sipas rezultateve të cens 2023, por në disa qarqe, kryesisht atyre bregdetare ky numër ishte më i lartë.

Qarku i Vlorës kryesoi renditjen pasi rreth 64,6% e banesave në pallate ishin bosh në kohën kur u zhvilluar numërimi. Në Vlorë kishte mbi 54,7 mijë apartamente në pallate, prej të cilave 35,3 mijë ishin bosh. Në qytetin bregdetar ka shumë apartamente që përdoren si shtëpi të dyta nga rezidentët në Shqipëri dhe emigrantët që jetojnë jashtë vendit.

Nivele të larta apartamenteve bosh kishte edhe Durrësi. Cens 2023 verifikoi se në këtë qark kishte 58% të banesave në pallate bosh. Nga 46,9 mijë banesa në pallate gjithsej në Qarkun e Durrësit mbi 27,2 mijë ishin bosh në kohën kur u zhvillua Cens.

Edhe Durrësi, njësoj si Vlora, disponon hyrje në pallate si banesa të dyta për qytetarët e tjerë të vendit dhe emigrantët. Edhe qarku e Lezhës për shkak të zhvillimeve masive të ndërtimeve me pallate në zonën e Shëngjin, që shërbejnë si shtëpi të dyta, ka 47% bosh.

Qarku i Korçës kishte gjithashtu 40% të hyrjeve në apartamente bosh. Niveli më i ulët i apartamenteve bosh ishte në Dibër dhe Kukës me 17 dhe 21% se secila. Në këto qarqe banesat në pallate bosh janë krijuar nga emigracioni dhe zhvendosja e popullsisë në qendrën e vendit.

Tirana ka 30% të apartamenteve në pallate, bosh.

Sipas të dhënave të Cens në të gjithë vendin numërohen 431 mijë banesa në pallate nga të cilat 170,264 janë bosh dhe mbi 261 mijë ishin të banuara.

Banesat bosh janë një pasuri prej miliarda eurosh që është ngrirë në formën e një investimi që nuk gjeneron të ardhura dhe punësim.

Sipas tyre, stoku i banesave bosh është krijuar nga emigrimi i familjeve, të cilët nuk kanë planifikuar qiradhënien. Ndërsa pjesa më e madhe e stokut u takon investimeve që kanë bërë individë brenda dhe jashtë vendit. Shpesh banesat e blera për investime dhe të pa dhëna me qira janë pjesë një zinxhiri të përdorur për pastrimin e parave të bëra në mënyrë të paligjshme.

Teksa sektori i ndërtimit ka mbiofertë për banesa, Këshilli i Rregullimit të Territorit lëshoi leje për ndërtimin e kullave deri në 100 kate muajin e fundit.

Në kontrast, ndërsa oferta për banesa shtohet popullsia e vendit po tkurret me shpejtësi nga emigracioni i lartë dhe nga rënia e lindjeve. Sipas të dhënave të Cens 2011, popullsia e vendit u tkurr me 14.8 për qind ose mbi 400 mijë persona./Monitor

Apeli i GJKKO-së merr vendimin për autorët e ekzekutimit të dy vëllezërve Haxhia, si edhe Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka marrë vendimin për autorët e ekzekutimit të dy vëllezërve Haxhia, si edhe Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias.

Dy të pandehurit Enver Diva dhe Klevis Alla ankimuan vendimin e GJKKO-së që i shpalli fajorë për katër vrasjet të ndodhura në harkun kohor të një muaji në vitin 2020.

Apeli i GJKKO shpalli fajtor Klevis Allën për akuzat janë; “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal” ; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;dhe “Vjedhja”,

Ndërsa pushoi çështjen ndaj tij për akuzën “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, duke lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg ndaj tij.

Gjithashtu u lanë në fuqi dënimet për Besian Xhixha me Enver Divën, përkatësisht 6 dhe 5 vjet, për veprën penale të “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, si edhe shpalljen të pafajshëm të Altin Ndocit.

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Engert Pëllumbi (anëtar),  më datë 14.11.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 50 akti, datë 17.09.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve/të pandehurve K.A., E.D., kundër vendimit nr. 22, datë 02.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A.N., për veprën penale “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, në dëm të viktimave B.H., V.H., D.Sh., A.A., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal”, parashikuar përkatësisht nga nenet 79/d/dh, 278/1, në lidhje me nenet 28, pika 4, 334, pika 1 të Kodit Penal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal, pasi nuk provohet që i pandehuri të ketë kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

1.1. Heqjen e masës së sigurimit personal shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për të pandehurin A.N. dhe lirimin e tij të menjëhershëm, nëse nuk mbahet me masë sigurimi “arrest në burg” për ndonjë fakt tjetër penal.

Deklarimin fajtor të të pandehurit K.A. për veprën penale të “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, në dëm të viktimave B.H., V.H., D.Sh., A.A., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal” parashikuar përkatësisht nga nenet 79/d/dh, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.

2.2. Deklarimin fajtor të të pandehurit K.A. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal”, parashikuar përkatësisht nga nenet 278, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 10 vjet burgim.

2.3. Deklarimin fajtor të të pandehurit K.A. për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

2.4. Deklarimin fajtor të të pandehurit K.A. për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 80 dhe 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

2.5. Deklarimin fajtor të të pandehurit K.A. për veprën penale “Vjedhja” në bashkëpunim, në dëm të viktimave M.J. dhe A.Ç., parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

2.6. Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit K.A. me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.

2.7. Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri K.A., ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë dhe llogaritja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij.

Deklarimin fajtor të të pandehurit B.Xh. për veprën penale të “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 80 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
3.1. Deklarimin fajtor të të pandehurit B.Xh. për veprën penale të “Mashtrimi”, parashikuar nga neni 143/2 të  Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

3.2. Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit B.Xh. me 6 (gjashtë) vjet burgim.

3.3. Në mbështetje të nenit 15, 18 të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri B.Xh., ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Zakonshme dhe llogaritja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij.

Deklarimin fajtor të të pandehurit E.D. për veprën penale të “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 80 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

4.1. Në mbështetje të nenit 15, 18 të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri E.D., ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Zakonshme dhe llogaritja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij.

5. Në bazë të nenit 190 të K.Pr.Penale, lidhur me provat materiale të sekuestruara gjatë hetimeve gjykata disponon si më poshtë:
5.1. Në bazë të nenit 190 gërma a) të K.Pr.Penale, konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të provave materiale:

– Një çelës i automjetit Benz Mercedez, me targa ***, sekuestruar të pandehurit B.Xh., dokumentacioni i këtij mjeti, si leje qarkullimi, certifikatë pronësie, certifikatë kontrolli Teknik, deklarate zhdoganimi, policë për sigurimin e mjetit të ***, datë 01.092019 si dhe automjeti me targa ***;

– Telefoni celular IPHONE 6 i shtetasit K.A.”, me numër *** dhe numër IMEI ***;

– Dylbi Nigt Vision të futur në një këllëf të zi;

5.2. Mbeten pjesë e fashikullit të gjykimit:

– DVR me pamje filmike të administruar te Farmaci ***.

– Cd-të e ardhura nga Kompanitë telefonike, Vodafone, Ame etj, të cilat janë bashkëlidhur fashikujve.

-Cd-të e pamjeve filmike të sekuestruara, të cilat ndodhen bashkëlidhur fashikujve

-Kuti amballazhi me provat materiale të administrura gjatë kqyrjes së Servis ***, me nr.3505 DR

– Kuti amballazhi e provat materiale të administruara gjatë kqyrjes së Servis ***, me nr.3297 DR

– 4 (katër) katër telefona celularë të sekuestruar viktimave V. dhe B.H. dhe 2 (dy) telefona celularë të sekuetruar viktimës D.Sh. dhe 2 Dvr ku ndodhen aktet e ekspertimit,

– Një kuti me thërrmija xhami të sekuestruara në vendngjarje e datës 02.03.2020,

5.3. Në bazë të nenit 190 gërma c) të K.Pr.Penale,  provat materiale të mëposhtme të asgjesohen:

– Dy targat ***;

– Një pistoletë e djegur me mbishkrimin në anë e djathtë të djepit luajtës STEYR C9-Al e cila në  anën e majtë ka të stampuar STYER MANLICHER AUSTRIA 9X19;

– Një pistoletë e djegur ku në anën e majtë të kapakut të kutisë qytës ka mbishkrim C2 100 CAL 9 LUGER dhe MADE IN CZHEH REPUBLIC;

– Tre armë zjarri me Nr. 069087-88, Nr .818-95, 14186575 si dhe 50 fishekë sekuestruar në Bregun e Kanalit, Rrashbull Durrës.

5.4. Në bazë të nenit 190 gërma ç) të K.Pr.Penale, t’i kthehen të pandehurit A.N., provat materiale të mëposhtme:

– 7 (shtatë) telefona celularë të sekuestruar gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A.N. dhe një kuti telefoni Samsung.

6. Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimeve (sipas formularit përkatës), si dhe shpenzimet gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, iu ngarkohen të pandehurve deklaruar fajtorë, solidarisht.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Prishjen e pjesshme të Vendimit nr. 22, datë 02.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe pushimin e çështjes penale për sa i përket të pandehurit Z. K.A. lidhur me akuzën për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga nenet 80 dhe 25 të Kodit Penal.

Lënien në fuqi të Vendimit nr. 22, datë 02.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën tjetër të tij.

Shpenzimet procedurale të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve apelues.
Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimi të tij.

Foto/ Dikur ish-punonjës i SHISH, ky është biznesmeni i ndërtimit Eduart Reçi, që u vra me plumb në kokë pranë banesës

Ky është biznesmeni i ndërtimit, Eduart Reçi që u vra me plumb në kokë pranë banesës.

Viktima u ekzekutua në një atentat të organizuar pranë pallatit ku 52-vjeçari jetonte, të cilin e kishte ndërtuar edhe vetë.

Autorët e krimit raportohet se kanë pritur derisa Eduart Reçi të dilte nga banesa dhe e kanë qëlluar, dyshohet, nga distanca.

Bizmesmeni i ndërtimit, i cili dikur ka qenë punonjës i SHISH, mori një plumb të vetëm në kokë dhe u dërgua te Trauma, por nuk arriti të mbijetonte.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës (13 Nëntor) rreth orës 23:00, në rrugën “Faik Konica”, ndërsa mësohet se kamerat e sigurisë kanë filmuar vetëm momentin kur vikima është qëlluar me plumb dhe është rrëzuar në tokë, por jo atentatorët.

Biznesmeni është baba i dy fëmijëve, ndërsa familjarët kanë deklaruar se nuk kanë pasur konflikte.

“Jam Erjon Veliaj, më jep 50 mijë euro!”/ Gracka e përgatitur për Shkëlqim Beshirin: Hajde tek Padam-Ok sa të kthehem nga Vlora

Emri i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, duket më i preferuari për mashtruesit me qëllim përvetësimin e shumave të ndryshme të parave nga biznesmenët.

Shënjestër e këtij grupi mashtruesish që prezantoheshin në emër të kryebashkikaut ishte biznesmeni Shkëlqim Beshiri.

Sipas shkresave të siguruara nga gazetari i “Ora News”, Edison Vatnikaj, ngjarja ka ndodhur më 24 shtator të këtij viti, ku në Policinë e Shtetit për këtë rast kallëzimi e ka bërë shoqëruesi  i biznesmenit Shkëlqim Beshiri.

Shtetasi Gentian. M ka sqaruar se në aplikacionin “Signal” i ka ardhur një mesazh me emrin Erion Veliaj.

Sipas kallëzuesit, personi i pretenduar si Erjon Veliaj i ka kërkuar shumën prej 50.000 mijë eurosh, duke i dërguar edhe numrin e telefonit të personit që do të merrte shumën e parave.

Pas këtij komunikimi rezulton se shtetasi Shkëlqim Beshiri ja ka kaluar numrin e telefonit shtetasit Gentian, M. Pasi kanë komunikuar përmes telefonit, të dy shtetasit kanë rënë dakord që të takoheshin.

Sipas gazetarit Vatnikaj, nga këqyrja e telefonit të Shkëlqim Beshirit rezulton se ne aplikacionin “Signal”, me datën 24.09.2024, ora 12:14 PM i ka shkuar një mesazh nga numër regjistruar me emrin “Erion Veliaj”, me përmbajtje: “Nga ndodhesh?”

Shtetasi Shkëlqim Beshiri i ka kthyer përgjigje: “Flet dot? Jam në Vlorë një vaki”.

Ndërsa personi i ka shkruar: “Ma mbaro një porosi kur të kthehesh!”.

Shtetasi Shkëlqim Beshiri i është përgjigjur: “Po patjetër!”.

Ndërsa personi i ka shkruar: “Jepi 50! 068……. Tani!!. Po të mar nga darka hajde tek Padam”.

Për këtë qëllim me datën 25.09.2024 është mbajtur marreveshja ndërmjet oficerit të policisë me Gentian M.

Në orën 10:03, shtetasi Gentian M. është takuar me personin në fjalë është zhvilluar në ambientet e një lokali ne Bulevardin “Zogu i Parë”, Tiranë.

Në momentin e takimit ky shtetas ka qenë i shoqëruar edhe me një person tjetër, të cilët kanë marrë takim me shtetasin Gentian M.

Ky i fundit u ka dorëzuar qesen brenda të cilës ndodhej shuma e parave, qese e cila është marrë në dorëzim nga shtetasi i moshës reth 27 vjeç, identifikuar më pas si shtetasi Shkëlqim Saraçi.

Pasi këta dy shtetas janë larguar bashkë me shumën e parave, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë duke bërë kapjen e tyre.

Gjadrit ju vendos dryni, por miqtë e Ramës vijojnë të marrin miliona nga Meloni!

Kontratat dhe shifrat e akorduara nuk gënjejnë: protokolli Itali-Shqipëri për emigrantët është një gropë në arkën e shtetit. Shpenzimet, rreth 900 milionë euro në total, përfshijnë ndërtimin e strukturave, menaxhimin e qendrave, punën jashtë orarit, ushqimin dhe akomodimin e forcave të policisë italiane të stacionuara në Shqipëri. Mikpritja u është besuar dy strukturave të mëdha hoteliere.

Domani” zbuloi se pronari i kompanisë që përfitoi më shumë nga paratë publike nga qeveria e Giorgia Melonit ka lidhje të forta me anëtarët e partisë së kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Por le të nisemi nga dështimi i fundit i operacionit “Albania”, pra kthimi në Itali i shtatë emigrantëve të fundit të dërguar në Gjadër.

Gjyqtarët përsëri vendosën të mos e pranojnë paraburgimin e tyre. Anija Libra e Marinës dhe ajo e rojes bregdetare vijojnë ping-pongun mes bregdetit shqiptar dhe atij italian, me kosto të mëtejshme. Kësaj i shtohen edhe ato që kanë të bëjnë me ushqimin dhe akomodimin e agjentëve italianë të punësuar në qytetin e Ramës.

Pas nëntë milionëve të siguruara nga Ministria e Brendshme për të mbuluar shpenzimet e akomodimit dhe ushqimit të 295 policëve në resortin luksoz ‘Rafaelo‘ për një vit, Ministria e Drejtësisë, siç zbulohet nga “Domani”, është gati të mbyllë një “procedurë negocimi” me vlerë mbi 993 mijë euro për sigurimin e ushqimit për punonjësit e burgjeve, nga dhjetori 2024 deri në dhjetor 2026. Me opsion 993 mijë euro të tjera për 24 muaj të tjerë. Gjithsej mbi 2.4 milionë të miratuara.

Në praktikë është një tjetër procedurë drejtpërdrejtë, pra pa garë. Nga sa mund të lexohet në faqen e ministrisë, më 4 nëntor është publikuar një njoftim me qëllim gjetjen e kompanive për dy lote, deri më 19 nëntor. E para është për furnizimin me tre vakte ditore për punonjësit e policisë penitenciare (minimumi 12 dhe maksimumi 36); e dyta, ka të bëjë me ushqimin dhe akomodimin e “katër njësive në sektorin e funksioneve qendrore”. Me pak fjalë, ndërsa agjentët duhet të flenë në parafabrikat, menaxherët do të jenë mysafirë në resortin bregdetar.

Edhe kjo procedurë, si shumë të tjera të zbuluara nga kjo gazetë, është e bazuar te urgjenca, ndaj nuk ka tenderë, duke pasur parasysh “afatet e rrepta që duhen respektuar për aktivizimin e shërbimeve esenciale të pritjes dhe administrimit të ushqimit për punonjësit e shërbimit në IEVP Gjadër”, thuhet në njoftim. Megjithatë, kishte shumë kohë: protokolli u nënshkrua një vit më parë.

Nuk përjashtohet mundësia që të dy lotet t’i besohen sërish hotelit “Inheritor” në Shëngjin, i pajisur me pishina, dhoma cilësore, me të cilin ministria ka lidhur tashmë një marrëveshje, e cila filloi në 15 shtatorr dhe do të zgjasë deri më 14 dhjetor, në një shumë totale prej 152 mijë euro. Oferta e saj ishte më e ulët se ajo e paraqitur nga ‘Rafaelo Resort‘, i cili mori pjesën e tij: tashmë ka siguruar ushqimin dhe akomodimin e gati treqind punonjësve të policisë së shtetit.

Njeriu i ‘Rafaelos’

Ne nuk bëjmë biznes. Dhe tashmë kemi përvojë të mirëseardhjes së refugjatëve afganë”, tha Edi Rama në një intervistë për “Repubblica” pas nënshkrimit të protokollit me Giorgia Melonin. Nëse nuk është qeveria shqiptare ajo që përfiton, janë privatët ata që mbushin xhepat. Pronari i vërtetë i resortit ‘Rafaelo’ është Mark Gjinaj.

Nga viti 2018 deri në vitin 2022, të ardhurat e hotelit u katërfishuan. Një shifër që është rritur në mënyrë eksponenciale edhe sepse që nga tetori i vitit 2021 ai ka pritur (me paratë e Shteteve të Bashkuara) qindra afganë (ata që Rama i referohej në intervistë) që u larguan nga Kabuli pas ikjes së ushtrive perëndimore. Të dhënat më të fundit zbulojnë se, në vitin 2022, të ardhurat e resortit Rafaelo arritën në pothuajse 14 milionë dollarë. Buxheti i ardhshëm do të jetë më i pasur, falë milionave të fituara falë qeverisë italiane.

Sigurisht, pra, Gjinaj vazhdon të bëjë biznes me emigrantët dhe falë marrëveshjeve të bëra nga Rama. Ndër vetë sipërmarrësi ka qenë i aftë në ndërtimin e një rrjeti biznesi në sektorë të ndryshëm: nga turizmi në sektorin e ndërtimit, në sektorin e energjisë. Dhe ai ishte po aq i aftë të krijonte marrëdhënie të spikatura politike me eksponentë të ndryshëm të Partisë Socialiste Shqiptare të kryeministrit Edi Rama, madje dhe me ministra.

Rrjeti politik

Gjinaj në fakt ka lidhje të rëndësishme me klasën politike shqiptare. Në më shumë se një rast ai shfaqet në disa foto të publikuara në Facebook së bashku me sekretarin e Partisë Socialiste Shqiptare Blendi Klosi (ish-ministër i Turizmit në qeverinë Edi Rama nga viti 2017 deri në 2021) dhe Ruzhdi Kurtishaj (kryetar i Shoqatës së Turizmit të Kosovës). Klosi është njeri partiak, nga më besnikët e Ramës dhe ata që e njohin raportojnë se marrëdhëniet mes të dyve janë të shkëlqyera. Përshtatur nga “Domani

Gjadrit ju vendos dryni, por miqtë e Ramës vijojnë të marrin

Manual se si degradojnë komisionet hetimore parlamentare

Nga Ervis Iljazaj

Në republikat parlamentare, komisionet hetimore janë një nga instrumentet kryesorë të funksionit të kontrollit që ka parlamenti ndaj pushtetit ekzekutiv. Madje, nga shumë studiues, mendohet se kontrolli ndaj qeverisë ka mbetur funksioni i vetëm që parlamenti kryen, duke patur paraysh se propozimet legjislative vijnë pothuajse të gjitha nga qeveritë. Dhe ky është një fenomen jo vetëm shqiptar, edhe pse këtu te ne ky fenomen është më i theksuar. Kontrolli i parlamentit ndaj qeverisë në republikat parlamentare ëshë thelbi i demokracisë, pasi qytetarët nuk votojnë për ekzekutivin, por vetëm për legjislativin nga del dhe qeveria. Prandaj ekziston edhe mocioni i besimit dhe i mos-besimit midis dy pushteteve.

Në shumë vende ku kanë forma qeverisjeje parlamentare, komisionet hetimore parlamentare janë instrumente shumë të rëndësishëm në dorë të legjislativit. Nëpërmjet punës së tyre janë hartuar ligje, janë bërë reforma të rëndësishme, janë luftuar krimi i organizuar apo dhe grupe mafioze. Si të thuash, përdoren në shërbim të qytetarëve si funksion kryesor që qytetarët i kanë deleguar parlamentarëve. Komsionet hetimore kryesisht janë konceptuar si instrument i pakicës parlamentare, por kjo nuk do të thotë që nuk mund ta përdorë dhe mazhoranca.

Nëse ne vendet demokratike komisionet hetimore janë një gjë serioze, në Shqipëri, fatkeqësisht, janë gjithmonë e më shumë duke degraduar si institucion parlamentar. Ditët e fundit me komisionin hetimor për disa koncesione në shëndetësi e tregojnë të qartë këtë. Madje, Shqipëria mund të shërbejë si manual se si këto institucione kaq të rëndësishme parlamentare mund të degradojnë.
E para, mund degradojë një institucion parlamentar kur me përdorimin e tij abuzohet. Kur kërkohen komisione hetimore parlamentare për çfarëdo lloj tematike, madje kërkohen dhe 8 komisionet hetimore parlamentare në të njëjtën kohë. Aq më tepër kur një komision hetimor lejohet si pasojë e një marrëveshjeje opozitë-pozitë.
E dyta, kur mazhoranca parlamentare mendon se e ka ajo në dorë të ngrihet ose jo një komision hetimor parlamentar, dhe jo një e drejtë kushtetutese e opozitës.

E treta, kur ngrihet një komisionit hetimor paralmentar për një çështje që është duke u hetuar nga drejtësia, ashtu sikurse është komisioni për tenderat në shëndetësi. Dhe në këto raste, më shumë se sa ndihmohet drejtësia, ajo pengohet. Ose më saktë, kërkohet të konfondohet opinioni publik.
E katërta, kur në një komision hetimor parlamentar bërtitet, ulëritet, madje dhe përplasen fizikisht anëtarët e tij, sepse qëllimi nuk është vënia përpara drejtësisë përgjegjësit, por thjesht propaganda politike e një pale. Madje, lihen me orë të tëra të presin dëshmitarët me pranga në duar për dy ditë me radhë. Të bërtasësh dhe të ulërasësh, nuk tregon aspak se je agresiv me qeverinë nëse komisioni nuk arrin qëllimet e tij për të cilat ekziston. Mund të jesh agresiv fizikisht, por jo politikisht.

Dhe e fundit, por më e rëndësishmja, kur aprovohet një ligj për komisionet hetimore parlamantare që është antidemokratik dhe shërben si një mur mbrotjës ndaj pushtetit. Njësoj si ligji që ka sot Shqipëria për këto komisione. Një ligj me këto karakteristika nuk ekziston në asnjë vend demokratik.

Në të gjithë historinë e parlamentarizmit shqiptar, i vetmi komision hetimor që ka kryer funksionin e tij ashtu sikurse e kërkon ligji dhe detyra e parlamentit, është ai për inceneratorët, i cili dha rezultatet e tij pozitive. Por dhe ai, u ngrit si pasojë e këmbënguljes së aleatëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, dhe jo prej vullnetit të politikës tonë. Degradimi i këtij institucioni parlamentar kaq i rëndësishëm për demokracinë, është një nga shenjat e qarta se si parlamentarizmi shqiptar ka degraduar në përgjithësi./Liberale.al

Trump e zgjodhi në krye të CIA-s, mediat serbe publikojnë foton e Ratcliffe: Skandal!

Donald Trump, Presidenti i porsazgjedhur në SHBA, njoftoi të martën se John Ratcliffe, ish-drejtori i tij i inteligjencës kombëtare, i cili është renditur si një “kontribues” në Projektin 2025 , është zgjedhja e tij për të udhëhequr CIA-n.

Emri i tij duket se nuk u ka pëlqyer disa mediave serbe, teksa kanë rikthyer sot një foto të disa kohëve më parë, kur John Ratcliffe bënte shqiponjën dykrenore me duar.

Ata e cilësojnë skandaloze këtë foto, ndërsa shtojnë: Në një fotografi të një periudhe më të hershme, John Ratcliffe ka treguar me duar “Shqiponjën shqiptare”, simbol i Shqipërisë së Madhe dhe duke bërë thirrje për shkatërrimin e sovranitetit dhe integritetit të vendeve në Ballkan.

“Ratcliffe njihet për lidhjet e tij të forta me komunitetin shqiptar në SHBA. Në vitin 2016, Ratcliffe mori pjesë dhe foli si i ftuar special në “Forumin Ekonomik të Diasporës Shqiptare në SHBA”, të mbajtur në Nju Jork, organizuar nga Rrjeti Shqiptaro-Amerikan”, shkruan “Informer”.