23.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Ekzekutimi i 29-vjeçarit Ermir Dedja, gjendet i djegur automjeti që dyshohet se u përdor nga atentatorët! Brenda makinës, një armë zjarri

Është gjetur i djegur automjeti që dyshohet se u përdor nga autorët e vrasjes së 29-vjeçarit Ermir Dedja, i cili u ekzekutua me armë zjarri në lagjen nr.18 të qytetit të Durrësit pak pas mesnatës së të hënës (20 Maj).

 

Makina e atentatorëve u gjet në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë. Brenda automjetit raportohet se ishte edhe një armë zjarri që ka dyshime se është përdorur nga autorët e krimit.

29-vjeçari Ermir Dedja, me origjinë nga Shijaku, kishte jetuar kohët e fundit në Gjermani, ku dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari kriminale.

Ai u qëllua për vdekje sapo kishte zbritur nga automjeti i tip tip BMW, në lagjen ku edhe banonte në qytetin bregdetar.

 

Njoftimi i policisë:

Në vijim të kontrolleve dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 20.05.2025, rreth orës 00:50, në lagjen nr. 18, ku dyshohet se u vra me armë zjarri shtetasi E. D., 29 vjeç, shërbimet e Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Tiranës, kanë gjetur në fshatin Gërdec, një automjet të djegur dhe brenda tij një armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.

“Nuk ka qenë udhëtim i lehtë”/ Burhan Misiraj: Duhet të jemi zëri për ata që nuk kanë mundësi

Nga Burhan Misiraj

Të dashur qytetarë të qarkut Fier, miq dhe mbështetës, sot, më shumë se çdo herë tjetër, dua t’ju them faleminderit nga zemra. Faleminderit që më besuat, që më dëgjuat dhe që u bashkuat në këtë rrugëtim, që nuk ishte vetëm i imi, por i të gjithëve ne që besojmë në një Shqipëri më të ndershme, më të drejtë dhe më të mirë.

Ky nuk ka qenë një udhëtim i lehtë, nuk ka qenë as e thjeshtë për të shprehur lirshmërisht me votë mbështetjen kur përballesh me pengesa, presione, madje edhe kërcënime. Dhe pikërisht për këtë arsye, jam akoma më i bindur se duhet të jemi zëri për të gjithë ata që nuk mundën të shprehnin të lirë vullnetin e tyre, për çdokënd që na hapi derën e na mirëpriti në shtëpinë e tyre, për të gjithëve që ju dhamë dorën, biseduam e ndamë problematikat e emigrimit, papunësisë, varfërisë e nevojës për ndryshim, për të gjithë që kishin besim se vendi ynë meriton të qeveriset me ndershmëri.

Një falënderim të veçantë në këtë udhëtim kam padiskutim për familjen time të madhe, që ka qenë gjithmonë pranë meje, në çdo hap, në çdo sfidë dhe më kanë treguar se nuk jam e nuk do të jem kurrë vetëm.

Ne dolëm përpara qytetarëve me ide të qarta, me një program që nuk premtonte mrekulli, por një ndryshim real. Dhe kjo nuk përfundon me një ditë zgjedhjesh. Përkundrazi është vetëm fillimi i një angazhimi që do të vazhdojë, sepse Shqipëria ka nevojë për njerëz që nuk dorëzohen.

Tashmë nis një kapitull i ri, me betejën e përbashkët për të ndërtuar të ardhmen, me besim dhe përkushtim. Sepse Shqipëria meriton më shumë. Qarku i Fierit meriton më shumë.

Ju përulem me respekt. Faleminderit për gjithçka!

BIRN: Media online “injoroi” fushatën e partive të reja në zgjedhjet parlamentare

Nga Besar Likmeta

Mandatet e kandidatëve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit nuk janë certifikuar ende. Megjithatë, sipas rezultateve të deritanishme, në parlamentin e ardhshëm pritet të hyjnë deputetë nga tre parti të reja – Partia “Mundësia”, Lëvizja Bashkë dhe koalicioni Nisma – Shqipëria Bëhet.

Së bashku, këto tre grupime politike morën mbi 112 mijë vota brenda vendit, duke siguruar 4 deputetë në parlamentin e ardhshëm.

Megjithatë, po të lexoje mediat online gjatë fushatës elektorale, vështirë se mund ta kuptoje që këto parti garonin në zgjedhje, e aq më pak, nëse kishin shanse për të siguruar ulëse në Kuvend.

Të dhënat e dhjetëra mijë artikujve të analizuara nga BIRN – të publikuara në faqet e internetit të 9 televizioneve, 6 gazetave dhe 25 portaleve, tregojnë se mbulimi i fushatës zgjedhore u fokusua kryesisht te Partia Socialiste në pushtet dhe Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore – një grupim prej 25 partish opozitare i udhëhequr nga Partia Demokratike.

Pak më shumë se gjysma e lajmeve për zgjedhjet parlamentare ishin në formatin e deklaratave politike të kandidatëve dhe liderëve politikë. Nga këto deklarata, 92% i përkisnin dy subjekteve kryesore politike, Partisë Socialiste dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore.

Ndër subjektet e tjera, Partia Koalicioni Euroatlantik mori 2.6%, Partia “Mundësia” u paraqit me 1.9% dhe Koalicioni Nisma – Shqipëria Bëhet përbënte 1.3%. Të gjitha subjektet e tjera zgjedhore së bashku u trajtuan secila në pak më shumë se 1% të artikujve.

Partia Socialiste siguroi një fitore të thellë në zgjedhjet e 11 majit, duke marrë 83 deputetë nga 140 ulëse në parlament. Megjithatë, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë të misionit të OSBE-ODIHR-it, gara nuk ishte e barabartë, për shkak të keqpërdorimit nga partia në pushtet të resurseve të administratës publike, presioneve mbi zgjedhësit dhe kontrollit mbi linjën editoriale të medias.

Media u fokusua te ‘deklarata politike’

Edhe pse Kodi Zgjedhor në Shqipëri nuk e rregullon mbulimin e medias online gjatë fushatave zgjedhore, mbulimi në mënyrë të barabartë dhe objektiv i kandidatëve u jep mundësi votuesve të bëjnë zgjedhje të informuara ditën kur do t’i drejtohen kutisë së votimit.

Numri i mediave online ka parë një shpërthim në vitet e fundit me hapjen e qindra portaleve lajmesh dhe blogjesh. Megjithatë, shumica e këtyre dritareve digjitale informacioni, nuk kanë strukturë të fortë editoriale dhe as burime të mjaftueshme njerëzore për një mbulim profesional dhe të pavarur të ngjarjeve politike komplekse, siç është fushata zgjedhore.

Nga analiza e më shumë se 29 mijë artikujve të publikuar në dy javët e para të garës elektorale nga 40 media online të përzgjedhura gjatë periudhës 11 prill deri më 10 maj, BIRN përzgjodhi 20% të tyre nëpërmjet një kampioni rastësor dhe i kodoi sipas një seti të përcaktuar indikatorësh, për të vlerësuar vizibilitetin e aktorëve politikë në media, tonin e mbulimit dhe fokusin editorial.

Në të gjithë kampionin, formati editorial më i spikatur ishte publikimi i deklaratave politike, që përbënte 54.2% të gjithë artikujve. Opinionet dhe blogjet përbënin kategorinë e dytë më të përdorur, duke zënë 21.9% të totalit. Përdorimi i tyre ishte më i lartë në edicionet online të gazetave, ku opinionet dhe komentet e firmosura nga gazetarë dhe analistë mbeten një tipar qendror.

Raportimi i drejtpërdrejtë nga eventet e fushatës – si mitingje, vizita apo takime me votuesit, mbetet i kufizuar në të gjitha platformat, duke përbërë vetëm 9.4% të artikujve gjithsej. Kjo e dhënë tregon për një angazhim të ulët editorial në raportimin nga terreni.

Ndërkohë, raportimet mbi procesin zgjedhor, përfshirë këtu procedurat administrative, votimin nga diaspora apo zhvillimet institucionale, përbënin vetëm 8.6% të artikujve, ndërsa mbulimi i debateve televizive dhe sondazheve të opinionit publik ishte 2.7% e totalit. Një pjesë e shkrimeve (3.2%) fokusohej në aktivitete administrative, si deklaratat institucionale dhe përditësime për proceset logjistike.

Shumica e deklaratave politike të reflektuara në median online i përkisnin kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Sali Berisha. Të dy liderët së bashku përbëjnë 59.3% të të gjitha deklaratave politike të publikuara gjatë fushatës. Edi Rama zinte pjesën më të madhe, duke u përmendur në 33.3% të përmbajtjes, ndërsa Sali Berisha ndiqte me 26%.

Figurat e tjera politike u shfaqën me një frekuencë më të ulët. Lulzim Basha u përmend në vetëm 2% të deklaratave, i ndjekur nga Agron Shehaj (1.8%), Ilir Meta (1.5%) dhe Elisa Spiropali (1.4%).

Edhe mbulimi i drejtpërdrejtë i aktiviteteve zgjedhore gjatë fushatës, prioritizoi partitë tradicionale dhe liderët kryesorë politikë kundrejt partive të reja që garonin në zgjedhje. Këto të fundit morën vetëm 8.7% të mbulimit total të raportimit nga terreni.

Komente negative

Më shumë se dy të tretat e shqiptarëve vlerësohet se e përdorin median online çdo ditë ose pothuajse çdo ditë. Ky tregues thekson rolin thelbësor të mediave të reja në formësimin e opinioneve të zgjedhësve shqiptarë dhe edukimin e tyre.

Ngjashëm me trendin e formateve të tjera të artikujve të publikuar nga media online gjatë 30 ditëve të fushatës elektorale, edhe kategoria e opinioneve dhe blogjeve u fokusuan kryesisht te dy subjektet kryesore që garonin në zgjedhje – Partia Socialiste dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore, të cilat dominuan thuajse në mënyrë të barabartë duke u përmendur në 45% dhe 45.4% të të gjitha artikujve të opinionit, përkatësisht. Në kontrast, subjektet e tjera elektorale u përfshinë në vetëm 9.7% të këtij lloji artikujsh.

Taksa e fshehur e kullave që u ngarkohet qyetarëve me urdhër direkt nga Kryeministri!

Gazetari Klodian Tomorri thote se çdo ndërtues që paraqet një projekt për leje për një pallat, kullë dhe resort duhet të pajtojë një studio të huaj arkitekture dhe se kjo bëhet me vullnetin e kryeministrit.

Ai thekson gjithashtu se kjo skemë po shndërrohet në një nga bizneset më të mëdha në vend, ku dhjetëra miliona euro përfundojnë në duart e studiove të huaja arkitekturore, të cilat shpesh nuk janë të zgjedhura nga ndërtuesit, por të “imponuara” prej instancave të larta.

Kostoja, sipas tij, përfundimisht i faturohet qytetarëve, përmes çmimeve më të larta të apartamenteve dhe njësive të tjera që ndërtohen.

‘Të gjitha tokat në bregdet kanë problematikë me pronësinë. Fakti që mund të jetë tokë private nuk e  çliron nga dyshimet për abuzime në një nga hallkat sesi toka ka përfunduar në privat.

Ky është një nga bizneset më të mëdha në Shqipëri. Janë studio që u imponohen ndërtuesve me detyrim.

Çdo ndërtues që paraqet një projekt për leje në KKRT nëse është pallat, kullë, resort, fshat turistik e ka me detyrim që të pajtojë studio të huaj arkitekturore. Nuk është e shkruar në ligj, se është e paligjshme. Mënyra se u imponohet ndërtuesve është me vullnetin e drejtpërdrejtë të kryeministrit. Atyre u thuhet, pajto studio të huaj të arkitekturës. Ata marrin dhjetëra milionë euro në vit në këtë vend. Është taksë e fshehur që në finale i shkon qytetarëve që blejnë, apartamente. Sepse ndërtuesi ato para që i paguan studiove të arkitekturës do i përcjellë qytetarëve.’, tha Tomorri për MCN Economy.

Berlini: SHBA-ja dhe Evropa do të koordinojnë bisedimet për Ukrainën pas telefonatës Trump-Putin

Shtetet e Bashkuara ranë dakord të “koordinojnë ngushtë” bisedimet për Ukrainën me partnerët evropianë pas një telefonate midis Presidentit Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, tha qeveria gjermane të hënën.

Menjëherë pas bisedës me Putinin, Trump zhvilloi një telefonatë të dytë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, presidentin francez Emmanuel Macron, presidentin finlandez Alexander Stubb, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe shefen e BE-së Ursula von der Leyen.

Në njoftimin e telefonatës, të dhënë nga zëdhënësi i Merz, thuhej se udhëheqësit “folën me njëri-tjetrin për hapat e mëtejshëm” dhe “theksuan gatishmërinë e tyre për të shoqëruar nga afër Ukrainën në rrugën drejt një armëpushimi”.

Rrëfimi i Rafael Leaos: Ibra nuk dëshironte që të bëhesha këngëtar, por pastaj e kuptoi

Rafael Leoao ka zgjedhur që paralelisht me karrierën e futbollistit, të ndjekë edhe atë të këngëtarit të muzikës rap. Një karrierë për të cilën ai ka folur në “Icon Magazine”, duke zbuluar se jo të gjithë në klub e kishin kuptuar fillimisht, me në krye Ibrahimoviç.

“Unë dëgjoj çdo lloj muzike, edhe në bazë të gjendjes time shpirtërore. Ibra nuk ishte i lumtur në fillimin e karrierës si këngëtar? Ka një kohë të duhur për çdo gjë. Ai është një person i cili kërkon përqendrimin maksimal brenda dhe jashtë fushës së lojës.

Por edhe ai e ka kuptuar personalitetin tim, që muzika është diçka që më përket. Gjithashtu edhe që jam një person i përgjegjshëm dhe si lojtar, nuk shpërqendrohem nga ky pasion i imi”, shpjegoi Leao në intervistën e tij.

Zemra, truri, sytë në rrezik! Ja se si tensioni i lartë i gjakut shkatërron shëndetin në heshtje

Me sa duket i padukshëm, tensioni i gjakut mund të jetë një tregues kyç i shëndetit tonë. Kur është brenda kufijve normalë (nën 120/80 mm Hg), nuk ka arsye për t’u shqetësuar.

Por nëse vlerat janë shpesh mbi atë diapazon, bëhet fjalë për hipertension, një gjendje që mund të kalojë pa u vënë re, por që rrit seriozisht rrezikun e atakut në zemër dhe goditjes në tru, demencës, sëmundjes së veshkave dhe problemeve të tjera, shkruan Index.hr.

Hipertensioni shpesh nuk ka simptoma, por mund të ndikojë seriozisht në zemër, tru dhe veshka. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të monitorohet rregullisht presioni dhe të mos injorohen shenjat e mundshme. “Është e rëndësishme të mos i injorojmë ato”, paralajmëron Dr. Snehal Smart.

Dhimbje koke të shpeshta

Nëse keni shpesh dhimbje koke, veçanërisht në mëngjes, kjo mund të jetë një arsye për të kontrolluar tensionin e gjakut. Trupi natyrshëm sekreton hormone si adrenalina për t’u aktivizuar në mëngjes, të cilat mund të rrisin tensionin e gjakut,  dhe kështu të shkaktojnë një dhimbje koke të shurdhër.

Shikim i turbullt

Presioni i lartë mund të dëmtojë enët e vogla të gjakut në sy, duke çuar në shikim të turbullt ose të dyfishtë. Është një shenjë e retinopatisë hipertensive, dhe në raste të rënda mund të çojë në humbje të plotë të shikimit.

Lodhje dhe mjegull mendore

Lodhja mund të ketë shumë shkaqe, por nëse shfaqet së bashku me simptoma të tjera të hipertensionit, duhet të merret seriozisht. Tensioni i lartë i gjakut për një kohë të gjatë mund të zvogëlojë rrjedhën e gjakut në tru, gjë që shkakton probleme me përqendrimin dhe një ndjesi “mjegulle koke”. Gjithashtu rrit rrezikun e goditjes në tru.

Vështirësi në frymëmarrje dhe siklet në gjoks

Dhimbja në gjoks, presioni dhe gulçimi mund të jenë shenja që tensioni juaj i gjakut po rritet. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse flasim për hipertension pulmonar – presion i shtuar në arteriet që transportojnë gjak nga zemra në mushkëri. Këto simptoma mund të tregojnë se presioni i lartë po e sforcon zemrën ose mushkëritë, veçanërisht në rastet e avancuara ose të patrajtuara.

Gjakderdhje nga hunda

Edhe pse e rrallë, presioni i lartë i gjakut mund të shkaktojë gjakderdhje nga hunda. Gjakderdhja nga hunda mund të ketë shkaqe të ndryshme, por nëse përsëritet shpesh pa ndonjë arsye të dukshme, mund të lidhet me presionin e lartë të gjakut. Ashtu si në sy, enët e vogla të gjakut në hundë mund të shpërthejnë për shkak të presionit të shtuar.

Gjakderdhja e tillë më shpesh ndodh me kërcime të papritura dhe serioze të presionit, për shembull gjatë një krize hipertensionale. Nëse e vini re këtë simptomë, është mirë që menjëherë ta matni presionin në shtëpi dhe të kontaktoni mjekun nëse vlerat janë të larta.

BIRN: Pasuria arkeologjike e Shqipërisë mbetet e pastrehë

Objekte Arkeologjike te Butrintit te ekspozuara ne ambientet Muzeut Arkeologjik, gjate nje aktiviteti me rastin e 100 vjetorit te zbulimit te Parkut Kombetar te Butrintit nga arkeologu italian Luigi Maria Ugolini. Gjate ceremonise u prezantua dhe ribotimi i librit "Butrinti, Miti i Eneas, Germimet". /r/n/r/nArchaeological objects of Butrint exhibited in the premises of the Archaeological Museum, during an activity on the occasion of the 100th anniversary of the discovery of the National Park of Butrint by the Italian archaeologist Luigi Maria Ugolini. During the ceremony, the reprint of the book "Butrinti, Miti i Eneas, Germimet" was presented.

Investimi për projektin restaurues të Muzeut Arkeologjik të Durrësit ka hyrë në fazën e tij të fundit, megjithëse nuk dihet nëse ekspozita do të jetë gati për sezonin e ri turistik.

Restaurimi i Muzeut të Durrësit po realizohet me një fond prej 348 milionë lekë të dhuruar nga Bashkimi Europian, por periudha e ndërhyrjeve i ka kaluar të tre vitet.

Vonesat kanë krijuar vështirësi edhe për punën e punonjësve të Institutit të Arkeologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave.

Që nga viti 2008, Muzeu i Durrësit, ashtu si dhe Muzetë e Apolonisë, Butrintit kanë kaluar në vartësi të Ministrisë së Kulturës.

“Instituti i Arkeologjisë dhe Akademia e Shkencave janë përgjegjës për anën shkencore të këtij Muzeu Arkeologjik,” sqaroi Akademia, ndërsa shtoi se “Ministria e Kulturës i ka kaluar afatet e rikonstruksionit të Muzeut.”

“Kjo ka krijuar vështirësi në punën e arkeologëve të Durrësit dhe të mirëmbajtjes së fondeve arkeologjike të këtij qyteti”, theksoi Akademia e Shkencave.

Arkeologët janë të pakënaqur me zgjidhjet që janë ofruar për ruajtjen dhe studimin e rreth 17 mijë objekteve, që përbëjnë fondet arkeologjike të Durrësit.

Në kuadër të restaurimit, ato janë strehuar në një kapanon provizor të ndërtuar prapa Muzeut, të cilit i mungon sipërfaqja e nevojshme për sistemimin e objekteve, dhe po ashtu i mungojnë kushtet për veprimtarinë shkencore të arkeologëve.

Sipas arkeologes Brikena Shkodra objektet arkeologjike kanë kushte specifike sistemimi, ruajtje, restaurimi dhe studimi.

“Mbi cilat kritere ndërtohet një kapanon me përmasa minimale, që në thelb do duhet të sistemojë të paktën 17000 objekte arkeologjike dhe njëkohësisht ambiente pune për arkeologët,” pyeti ajo.

“Cili do të jetë fati i fondeve arkeologjike dhe hapësirave të kërkimit shkencor në Durrës,” shtoi Shkodra.

Kjo nuk është hera e parë që arkeologët kërkojnë një zgjidhje për strehimin e fondit arkeologjik.

“Ne kërkuam mbështetjen e bashkisë së qytetit për tu vendosur në sektorë të caktuar pranë Mauzoleut të Dëshmorëve dhe Qendrës Kulturore të Fëmijëve,” kujtoi prof. As dr. Eduard Shehi.

“Përpjekjet tona nuk patën suksese edhe kur propozuam rikthimin e godinës së ish-Muzeut arkeologjik në funksionin e saj të hershëm,” shtoi ai.

Fondet arkeologjike të Durrësit e kanë filluar ekzistencën si pjesë e ish-Muzeut të Natyrës, themeluar nga Vangjel Toçi, i cili mblodhi objektet që më parë ishin pjesë e një muzeu të vogël lokal dhe i pasuroi me gjetje të reja.

Në vijim ato u bënë pjesë e Muzeut Arkeologjik, për të kaluar në vazhdim nën administrimin e ish-Bërthamës Arkeologjike Durrës, pjesë përbërëse e Institutit te Arkeologjisë të Akademisë se Shkencave deri ne vitin 2007.

Gjatë kësaj faze, Fondi arkeologjik i Durrësit ka pasur një rritje te konsiderueshme sasiore duke përfaqësuar pasurinë më të madhe arkeologjike të Shqipërisë.

Te marra së bashku Fondi Themeltar (rreth 17000 objekte) dhe Fondi Studimor (mijëra të tjerë), përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme, e zbuluar dhe ruajtur ndër dekada nga arkeologët e Durrësit dhe Instituti i Arkeologjisë.

Rreth viteve ‘80 filloi ndërtimi i godinës së re të Muzeut Arkeologjik të Durrësit (godina aktuale), me idenë e transferimit aty të ekspozitës dhe zyrave te arkeologeve. Ndërsa fondet arkeologjike parashikohej të qëndronin në ambientet e Muzeut të vjetër, i cili ndodhet vetëm 300 metra larg Muzeut të ri.

Në vitin 1999 ndërtesa fillestare e Muzeut Arkeologjik iu rikthye pronarëve.

Arkat e objekteve të imta u sistemuan në katin e dytë dhe të tretë të godinës së re, në hapësira të destinuara për ekspozitë. Ndërsa objektet e gurta u vendosën pa kriter depozitimi e ruajtjeje në oborr.

Procesi i ndërtimit të godinës së re u finalizua pjesërisht ne vitin 2003 me përurimin e ekspozitës muzeale vetëm ne katin e parë të godinës. Ndërsa katet e dytë dhe të tretë të godinës aktuale të Muzeut Arkeologjik u përdoren si hapësira funksionale, depozitimi dhe ruajtje për fondet arkeologjike.

Reforma ne sistemin shkencor/arsimor, e vitit 2007/2008, sanksionoi veçimin e fondeve arkeologjike nga Muzeu Arkeologjik. Që prej këtij viti, Muzeu Arkeologjik u bë pjesë e strukturës rajonale të Ministrisë së Kulturës në Durrës, ndërsa fondet arkeologjike i mbetën nën administrimin e Institutit të Arkeologjisë në Tiranë.

Ky transformim administrativ i hapi rrugë aplikimit të projektit të rikonstruksionit dhe rijetëzimit të godinës së Muzeut Arkeologjik, realizimi i te cilit pengohej nga prania e fondeve arkeologjike.

Përsëri u kërkua zbrazja e hapësirave të katit të dytë dhe të tretë nga pasuria arkeologjike dhe nxjerrja e tyre jashtë godinës, dhe jo vetëm kaq, por u kërkua me ngulm që një pjesë e fondeve studimore të groposeshin, si të pavlera, sipas ekspertizës së projektuesve te rijetëzimit.

Rezistenca e arkeologëve te Durrësit, për të mos lejuar groposjen e pasurisë arkeologjike, së paku detyroi ndërtimin e një kapanoni, vetëm 140 m2. Por kjo ndërtesë ishte shumë e vogël për të strehuar të gjithë objektet e fondit.

Prof. As. Dr. Brikena Shkodra kujtoi se 10 vjet më parë, falë ndihmës ekonomike të ofruar nga kolegë e institucione bashkëpunuese si Instituti Arkeologjik Gjerman i Romës dhe Universiteti i Lilës, u siguruan dy kontejnerë për sistemimin e një pjese te fondit të mbetur jashtë.

“Që prej 3 vitesh edhe arkeologët punojnë në kontejnerë të skaduar që janë bërë strehë edhe e brejtësve të kanaleve përreth,” theksoi Shkodra./reporter.al

Spitali i Gjakovës, plot me pacientë nga veriu i Shqipërisë! Rrëfimet: Këtu kemi gjetur shërbim dhe ndjehemi më të sigurt

Pas dëshmive të qytetarëve të Tropojës dhe vizitës në Spitalin e Bajram Currit, gazetarja e emisionit investigativ “Tak Fak” Anxhela Gjiriti zhvendoset për pjesën e tretë të investigimit në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, aty ku qytetarët nga veriu i Shqipërisë marrin çdo ditë shërbime që mungojnë në vendin e tyre.

Në hyrje të spitalit, gazetarja e “Tak Fak” takon pacientë që kanë udhëtuar nga Shqipëria drejt Gjakovës për t’u operuar apo për të marrë trajtime emergjente.

“Jam nga Hasi. Kam ardhur këtu për operacion dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë. Mjekët dhe stafi na kanë pritur me shumë përkujdesje,”  thotë një paciente e operuar në repartin e Ortopedisë.

Një tjetër pacient, i shtruar për ndërhyrje në këmbë thotë se në spitalin e Gjakovës ndjehet më i sigurt se në Tropojë.

“Jam nga Hasi. U ndjeva më i sigurt këtu sesa në spitalin tonë. Më mirë eci ca kilometra më shumë, por të jem i qetë”, thotë ai.

Në repartin e Ortopedisë, të tjerë pacientë të ardhur nga Bajram Curri dëshmojnë se në spitalin e qytetit të tyre nuk ka shërbim ndaj ata janë detyruar të vijnë në Gjakovë.

Një prej tyre është dhe dëshmia e një gruaje të re që sapo ka lindur në spitalin e qytetit fqinj kosovar.

Në repartin e kardiologjisë, një tjetër pacient që ka marrë trajtimin e koronares, shprehet se ka ardhur nga Tropoja pasi atje jeta është në rrezik.

Një nga mjekët specialistë të spitalit të Gjakovës tregon se fluksi i pacientëve nga Shqipëria është i përditshëm

“Na vijnë qytetarë nga Tropoja, Hasi, Krumë. Kjo është një lidhje e hershme, e natyrshme, madje historike. Edhe në luftë kemi qenë bashkë, tani edhe në shëndetësi jemi bashkë.”

Një pacient i shtruar nga Tropoja, i revoltuar nga mungesa e shërbimeve në vendin e tij, deklaron se “duam referendum!

Të bashkohemi me Gjakovën. Aty ku na shërojnë, aty e kemi shtetin”, thotë ai.

Përkujtohet 26-vjetori i ngjarjes së Dubravës, aty ku serbët vranë 160 të burgosur shqiptarë

Njëzet e gjashtë vjet më parë në Burgun e Dubravës ka filluar të kryhet njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit serb Sllobodan Millosheviq.

Brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej nëntëmbëdhjetë deri më njëzet e katër maj 1999.

Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve. Për këtë masakër ende nuk është dënuar askush./kp