25.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Zbulohen vendimet e vitit 1972: Pasi paraqet rrezikshmëri për arratisje jashtë shtetit, Gjyle Avdi Leci të internohet për 3 vjet, kurse Ramadan Zhazedin Daullxhiu, me tetë fëmijë…

Nga Dashnor Kaloçi /Që nga viti 1944, kur erdhi në pushtet e, deri në fundin e vitit 1990-të, regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, në bazë të teorisë dhe “mësimeve të Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit” si dhe ideologjisë që ata ideuan e u aplikua gati në gjysmën e botës, zhvilluan pa ndërprerje luftën e klasave, duke ekzekutuar, burgosur apo internuar kundërshtarët e tyre politikë.

 

Në këtë kuadër, që nga dhjetori i vitit 1944, kur Enver Hoxha dhe qeveria që ai kryesonte zbritën nga malet dhe morën pushtetin, krahas ekzekutimeve me dhe pa gjyq, filluan edhe internimet e dhjetëra e qindra familjeve, që ata i konsideronin “klasa të përmbysura”, apo i akuzonin si; “armiq të popullit”, kryesisht familje të pasura apo të shtresës së mesme, ish-funksionarë të Monarkisë së Zogut, që gjatë periudhës së pushtimit të vendit, kishin aderuar apo kishin mbështetur organizatën nacionaliste “Balli Kombëtar” e Legalitetin.

Po kjo “praktikë”, ndëshkuese e internim-dëbimeve, do të zhvillohej edhe ndaj qindra e qindra komunistëve, (nga ata më të thjeshtët e, deri tek ish-anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së), deputetë, ministra, ushtarakë e funksionarë të lartë etj., e familjeve të tyre, të cilët Enver Hoxha dhe regjimi komunist në fuqi, do t’i shpallte; “tradhtar, revizionistë, armiqtë të popullit”, etj. Nga viti 1944, e deri në 1949-ën, vendimi për internim-dëbimet bëheshin nga “Komisioni i Dëbimeve dhe Konfiskimit të Pasurive”, që funksiononte pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, komision i cili në vitet në vijim, e ndryshoi disa herë emërtesën, deri sa në vitin 1954, kaloi në varësi të Kryeministrisë, duke u quajtur “Komisioni i Internim-Dëbimeve”, i cili funksionoi rregullisht deri në vitin 1990.

Që nga viti 1954 e, deri në 1974-ën, kryetar i atij komisioni ishte Beqir Balluku, anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, që mbante funksionin e ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe njëkohësisht atë të zv. kryeministrit të qeverisë së kryesuar nga Mehmet Shehu, kurse zv. kryetar i komisionit, ishte ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ndërsa si anëtarë, Prokurori i Përgjithshëm Dhori Panariti, e kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela. (Pas dënimit të Beqir Ballukut, në vitin 1974, funksionin e kryetarit të Internim-Dëbimeve, e mori zv. kryeministri Manush Myftiu, kurse pas dënimit të Kadri Hazbiut, funksionin e nënkryetarit e mori Hekuran Isai).

Ky komision, gjatë gjithë periudhës së ekzistencës e funksionimit të tij, dha me dhjetëra e qindra vendime, duke dëbuar e internuar me qindra e mijëra persona, të cilët hiqeshin me dhunë nga vendet e tyre të banimit dhe detyroheshin të jetonin e banonin në fshatra dhe zona të thella të vendit, nga jugu në veri. Kryesisht fshatrat me vendet e kampet e internimit ishin caktuar nga qeveria në zonën e Myzeqesë së Lushnjes e Fierit, (Savër, Çermë, Bedat, Grabian, Gradisht, Plug, Gjazë, Zhamë, Sulzotaj, Kryekuq, Karavasta, Shtyllas etj.), pra në pjesën qendrore të vendit, me qëllim që ata të ishin sa më larg kufijve shtetëror, që të mos arratiseshin jashtë Shqipërisë.

Në bazë të ligjit përkatës me të cilin funksiononte Komisioni i Internim-Dëbimeve, një person, apo një familje, fillimisht internohej për pesë vjet, por ato përsëriteshin, duke u shtyrë çdo pesë vjet, aq sa familje të tëra, kryesisht nga Veriu i Shqipërisë, si: Gjonmarkajt e Mirditës, Kalosht, Sina-jt, Alia-jt, Demat, Dinet, Menat e Ndretë e Dibrës, Bajraktari e Kolgjini të Kukësit, Kola-jt, Allamant e Sulkurtët e Matit, Merlikat, Kupët e Bami të Krujës, Mirakajt e Pukës, Radi dhe Gjekaj të Shkodrës, Pervizt e Kurbinit, Mulletët e Petrelat Tiranës, apo ato nga Jugu i vendit, si; Dostët e Gjirokastrës, Frashëri dhe Çela të Përmetit e Kolonjës, Staraveckat e Skraparit, etj., etj., të cilët qëndruan në vendet e internimit deri në vitin 1991, kur dhe u shemb regjim i komunist. Madje disa prej tyre, edhe shumë vite më pas, sepse nuk kishin se ku të shkonin, pasi nuk u kishte mbetur asnjë kthinë ku të fusnin kokën!

Lidhur me sa më sipër etj., Memorie.al. ka siguruar një dosje voluminoze nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (që mban siglën sekret, por tashmë prej kohësh e de-klasifikuar), me vendimet e Komisionit të Internim-Dëbimeve, të cilat po i publikojmë të plota dhe me faksimilet përkatëse; ku janë emrat e personave dhe familjet që janë dëbuar e internuar, si dhe akuzat përkatëse për çdonjërin prej tyre.

VENDIMI NR. 49 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                         SEKRET

KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE                        Grupi i II-të

                                               Ekz. Nr. 1

                                               Tiranë, më 4.10.1972

                     VENDIM Nr. 49

Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 4.10.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e P. të Brendshme,

                     VENDOSI:

Për arsye se zhvillon veprimtari armiqësore dhe paraqesin rrezikshmëri për t’u arratisur jashtë shtetit, të internojë për 5 vjet kohë në Gradishtë të rrethit të Lushnjë:

1. Vasil Stavro Llajo, i dt. 1917, lindur në katundin Leshnicë të rrethit të Sarandës, me banim në Gradishtë të rrethit të Lushnjë, bujk, arsim fillor, shtresë e mesme, me vendim Nr. 50, datë 27.10.1967.

Më 27.X.1972, i mbaron afati i internimit.

Internimi i fillon më datë 27.X.1972 dhe i mbaron me datë 27.X.1977.

 ZV/KRYETARI I KOMISIONIT                     KRYETARI I KOMISIONIT

KADRI HAZBIU                                               BEQIR BALLUKU

PROKURORI I PËRGJITHSHËM               KRYETARI GJYKATËS SË LARTË

DHORI PANARITI                                            ARANIT ÇELA

               VENDIMI NR. 50 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                   SEKRET

KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE                         Grupi i II-të

                                         Ekz. Nr. 1

                                        Tiranë, më 4.10.1972

                     VENDIM Nr. 50

Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 13.5.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme,

                     VENDOSI:

Për arsye se paraqet rrezikshëmri shoqërore dhe me që burri i saj, Dhimitër Kotefa, është dënuar për krime kundër shtetit, të dëbojë për 5 vjet kohë:

1. Angjeliqi Grigor Kotefa, e dl. 1933, lindur në katundin Çekovicë të rrethit të Sarandës, ish me banim në Tiranë, tani në sektorin e N.B.SH. Adriatik Krujë, arsim fillor, shtresë e pasur.

2. Kosta Dhimitër Kotefa, i biri i Angjeliqisë, lindur në 1951.

Janë dëbuar me vendim Nr. 11, datë 10.6.1970, deri më 5.X.1972.

T’u ndalohet banimi dhe qarkullimi në qytetet Tiranë, Durrës dhe në rrethet kufitare.

Dëbimi i fillon me datën 5.10.1972, deri më 5.10.1977.

ZV/KRYETARI I KOMISIONIT           KRYETARI I KOMISIONIT

KADRI HAZBIU                                     BEQIR BALLUKU

PROKURORI I PËRGJITHSHËM        KRYETARI GJYKATËS SË LARTË

DHORI PANARITI                                    ARANIT ÇELA

              VENDIMI NR. 51 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË         SEKRET

KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE              Grupi i II-të                                                  

                                       Tiranë, më 4.10.1972

                     VENDIM Nr. 51

Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 13.5.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimet e paraqitura nga Ministria e Punëve të Brendshme,

                     VENDOSI:

Për arsye se nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, t’u heqë masën e internim-dëbimit:

1. Antigoni Perikli Biba, e datëlindjes 1924, ish-me banim në qytetin e Tiranës, internuar me vendim Nr. 33, datë 22.9.1971, në Baldushk të rrethit të Tiranës.

2. Eqrem Zini Barçe, i datëlindjes 1938, ish me banim në qytetin e Tiranës, me vendim Nr. 24, datë 23.5.1968, brenda rrethit të Tiranës.

3. Myrteza Mailq Dervishi, i datëlindjes 1942, lindur dhe banues në Tiranë, internuar me vendim Nr. 23, datë 1.7.1969.

4. Koço Vasil Dilo, i datëlindjes 1916, ish- me banim në Tiranë, internuar në Grabjan, me vendim Nr. 55, datë 14.12.1968.

5. Violeta Vlash Dilo, e datëlindjes 1932, ish-me banim në Tiranë, internuar në Grabjan, me vendim Nr. 55, datë 14.12.1968.

6. Belule Kasaj, e datëlindjes 1941, ish-me banim në Tiranë, banuese në rrethin e Fierit, internuar që nga viti 1968, me vednim Nr. 26, datë 3.7.1971, u dëbua deri më 19.4.1976.

7. Petraq Llazi Xega, i datëlindjes 1942, ish- me banim në Tiranë, me banim në Seman, internuar që nga viti 1966, me vendim Nr. 12, datë 12.4.1972, iu zgjat për 5 vjet të tjera.

8. Lida Bajram Çami e datëlindjes 1915, ish- me banim në Tiranë, me banim në Seman, e internuar që nga viti 1966, me vendim Nr. 13, datë 12.4.1972, u dëbua për 5 vjet të tjera.

9. Memetali Lik Toptani, i datëlindjes 1920, ish-me banim në Tiranë, tani në rrethin e Lushnjes, i internuar që në vitin 1964, me vendimin Nr.37, datë 4.12.1969, i dëbuar për 5 vjet.

ZV/KRYETARI I KOMISIONIT           KRYETARI I KOMISIONIT

KADRI HAZBIU                                     BEQIR BALLUKU

PROKURORI I PËRGJITHSHËM         KRYETARI GJYKATËS SË LARTË

DHORI PANARITI                                  ARANIT ÇELA

VENDIMI NR. 52 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË           SEKRET

KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE                 Ekz. Nr. 1                                                  

                                       Grupi i II-të                                                  

                                       Tiranë, më 4.X.1972

                     VENDIM Nr. 52

Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 13.5.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimet e paraqitura nga Ministria e Punëve të Brendshme,

                     VENDOSI:

Për mungesë strehimi, të transferojë në rrethet e tyre, të internuarit e poshtëshënuar:

1. Halil Jaho Shabani, i dl. 1947, të transferohet nga ndërmarrja e bonifikimit të Kuçit, në hidrocentralin e Lepenicës.

2. Piro Thanas Varkavi, i dl. 1948, të transferohet nga ndërmarrja e bonifikimit të Kuçit, në hidrocentralin e Lepenicës.

3. Fatmir Qamil Gusha, i dl. 1951, të transferohet nga Gomsiqe, për më qytetin e Shkodrës.

4. Edmond Kristo Trajani, i dl. 1953, transferohet nga katundi Valias, për në katundin Baldushk të rrethit të Tiranës.

5. Hasan Ahmet Koka, i dl. 1914, ish-me banim në qytetin e Tiranës, internuar në katundin Macukull, të internohet në qytetin e Burrelit.

6. Shyqyri Fadil Sefa, të transferohet nga katundi Shesh, për në katundin Valias të rrethit të Tiranës.

7. Qamile Nexhat Sefa, të transferohet nga katundi Shesh, për në katundin Valias të rrethit të Tiranës.

8. Xhelal Xhemil Dragoti, të transferohet nga sektori i Semanit, për në sektorin e Hoxharës të rrethit të Fierit.

9. Flamur Hajri Rroshi, të transferohet nga sektori i Semanit, për në sektorin e Hoxharës të rrethit të Fierit.

10. Sanije Qani Osmani, të transferohet nga sektori i Semanit, për në sektorin e Hoxharës të rrethit të Fierit.

11. Avni Ali Gero, të transferohet nga sektori i Semanit, për në sektorin e Hoxharës të rrethit të Fierit.

12. Bashkim Hasan Hoxha, të transferohet nga sektori i Semanit, për në sektorin e Hoxharës të rrethit të Fierit.

13 LLambi Tasi Kola, të transferohet nga Libofsha, , për në sektorin e Hoxharës të rrethit të Fierit. 

ZV/KRYETARI I KOMISIONIT             KRYETARI I KOMISIONIT

KADRI HAZBIU                                       BEQIR BALLUKU

PROKURORI I PËRGJITHSHËM          KRYETARI GJYKATËS SË LARTË

DHORI PANARITI                                   ARANIT ÇELA

VENDIMI NR. 53 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË           SEKRET

KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE                Ekz. Nr. 1                                                   

                                       Grupi i II-të                                                  

                                       Tiranë, më 4.X.1972

                     VENDIM Nr. 53

Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 13.5.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme,

                     VENDOSI:

Për arsye se paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe bashkëshorti i saj, Shaqir Noka, është arrestuar për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, ta dëbojë për 5 vjet kohë:

Xhevahire Sadik Noka, e datëlindjes 1932, lindur në Rrënxë të Dibrës, me banim në Tiranë, autodidakte, sanitare në kopshtin Nr. 43.

T’i ndalohet banimi dhe qarkullimi në rrethin e Tiranës.

Dëbimi i fillon me datën 4.X.1972 dhe i mbaron me datën 4.X.1977.

ZV/KRYETARI I KOMISIONIT           KRYETARI I KOMISIONIT

KADRI HAZBIU                                        BEQIR BALLUKU

PROKURORI I PËRGJITHSHËM        KRYETARI GJYKATËS SË LARTË

DHORI PANARITI                                    ARANIT ÇELA

VENDIMI NR. 55 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË          SEKRET

KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE                Ekz. Nr. 1                                                   

                                       Grupi i II-të                                                  

                                       Tiranë, më 10.XI.1972

                     VENDIM Nr. 55

Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 10.11.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme,

                     VENDOSI:

Për arsye se është me qëndrim të keq moralo-shoqëror dhe paraqet rrezikshmëri të theksuar për arratisje, të internohet për 5 vjet kohë në N.B.SH. Çorovodë të rrethit të Skraparit:

1. Agim Asim Aliko, dl. 1951, lindur dhe banues në Tiranë, mekanik, pa punë, me arsim 7 vjeçar, shtresë e varfër, beqar.

Internimi fillon me datën 10.XI.1972, dhe mbaron me datën 10.XI.1977.

ZV/KRYETARI I KOMISIONIT           KRYETARI I KOMISIONIT

KADRI HAZBIU                                    BEQIR BALLUKU

PROKURORI I PËRGJITHSHËM        KRYETARI GJYKATËS SË LARTË

DHORI PANARITI                                 ARANIT ÇELA

 VENDIMI NR. 56 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË           SEKRET

KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE                 Ekz. Nr. 1                                                   

                                       Grupi i II-të                                                  

                                       Tiranë, më 16.XI.1972

                     VENDIM Nr. 56

Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 16.11.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme,

                     VENDOSI:

Për arsye se paraqet rrezikshmëri për arratisje jashtë shtetit, të internohet për 3 vjet kohë në katundin T’pla të rrethit të Tropojës:

1. Gjyle Avdi Leci, e dl. 1930, nga katundi Buçaj i rrethit të Tropojës, e martuar, me fëmijë, e internuar me vendim Nr. 51, datë 16.XI.1967, me banim në T’pla. Me 16.XI.1972, i mbaron afati i internimit.

Internimi i fillon me datën 16.XI.1972 dhe i mbaron me datën 16.XI.1977.

ZV/KRYETARI I KOMISIONIT             KRYETARI I KOMISIONIT

KADRI HAZBIU                                         BEQIR BALLUKU

PROKURORI I PËRGJITHSHËM         KRYETARI GJYKATËS SË LARTË

DHORI PANARITI                                     ARANIT ÇELA

VENDIMI NR. 57 I KOMISIONIT TË INTERNIM-DËBIMEVE

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË             SEKRET

KOMISIONI I INTERNIM DËBIMEVE                   Ekz. Nr. 1                                                  

                                       Grupi i II-të                                                  

                                       Tiranë, më 16.XI.1972

                     VENDIM Nr. 57

Komisioni i Internim-Dëbimeve, i mbledhur me datën 16.11.1972, në mbështetje të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 1906, datë 2.8.1954, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme,

                     VENDOSI:

Për mungesë strehimi dhe front pune, të transferojë brenda rrethit të Tiranës, të internuarit e poshtëshënuar:

1. Ramadan Shazedin Daullxhiu, i datëlindjes 1929, lindur në Berat, banues në Tiranë, punëtor, i martuar me 8 fëmijë.

2. Refije Ahmet Daullxhiu, e datëlindjes 1930, punëtore, bashkëshortja e Ramadanit.

Janë internuar me vendim Nr. 35, datë 15.IX.1971.

3. Luan Ramadan Daullxhiu, i datëlindjes 1950, punëtor, i internuar me vendim Nr.23. datë 20.10.1970.

Të transferohet nga katundi Derje-Shkallë, në katundin Tapizë të rrethit të Tiranës.

4. Besim Enver Xhezo, i datëlindjes 1946, punëtor, internuar me vendim Nr. 54, datë 4.X.1972, të transferohet nga katundi Shënkoll, në katundin Vrap të rrethit të Tiranë, pranë familjes së tij. Memorie.al

ZV/KRYETARI I KOMISIONIT                  KRYETARI I KOMISIONIT

KADRI HAZBIU                                               BEQIR BALLUKU

PROKURORI I PËRGJITHSHËM               KRYETARI GJYKATËS SË LARTË

DHORI PANARITI                                             ARANIT ÇELA

Akuariumi i votës që vrau të ardhmen

Nga dr. Eljan Kasa

Bleva dy peshq dhe i vendosa në akuarium. Kanë ushqim me bollëk, ngjyra të bukura, dhe asnjë rrezik për jetën. Por sytë e tyre janë bosh, lëvizjet e tyre janë të njëjta, të mbyllura, të pajeta. Janë gjallë, por jo të lirë. Kanë çdo gjë, përveç më të rëndësishmes: lirinë për të zgjedhur vetë rrugën e tyre.
Sot nuk dua të flas për peshqit. Dua të flas për ju, për ata që më 11 maj e shitën votën për një thes me miell, për një zarf me ca të holla, për një vend pune të përkohshëm, për një premtim të zbrazët. Për ju që menduat se fituat diçka, por në të vërtetë humbët gjithçka. Sepse nuk është vetëm një fletë votimi ajo që dorëzuat në kuti, është dinjiteti, e ardhmja, dhe fjala që nuk mund ta ktheni më.
A e kuptoni çfarë keni bërë? Keni veshur vetë prangat. Keni nënshkruar me dorën tuaj që kjo qeveri e vjetër, që nuk njeh turp, të vazhdojë të sundojë me të njëjtën makineri patronazhimi, shantazhi dhe varfërie. U bëtë peshq në akuariumin e pushtetit. Ju japin ca ushqim për t’ju mbajtur gjallë, por ju kanë hequr çdo drejtim, çdo të drejtë, çdo forcë për të ndryshuar diçka.
Mos më thoni: “Nuk kishim zgjidhje.” Jo. Kishit zgjidhje. Kishit forcën e votës për të thënë mjaft, për të zgjedhur dinjitetin përpara zarfave. Dhe sot, për fajin tuaj, fëmijët tanë do të kenë më pak shpresë, më pak drejtësi, më shumë ikje, më shumë varfëri. Sepse liria nuk jepet, fitohet, dhe ju e shitët.
Ndoshta peshqit e mi në akuarium nuk kanë zgjedhje tjetër. Por ju, njerëz, qytetarë të këtij vendi ndryshe nga ata e kishit. Dhe zgjodhët të jeni më keq se ata. Tani, të paktën, mos kërkoni më ndryshim, kur vetë ishit pengesa më e madhe për të. Dhe herën tjetër, kur t’ju ofrojnë një thes për një të ardhme, të paktën pyesni veten: a jam njeri, apo vetëm një peshk në akuariumin e pushtetit?

Gjermania dhe aleatët e BE-së gati me një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë! Synojnë të ushtrojnë presion ndaj Putinit për armëpushimin në Ukrainë

Gjermania po bashkëpunon me aleatët e saj për një paketë të re sanksionesh, me synimin për të ushtruar presion mbi Rusinë që të pranojë një armëpushim në luftën me Ukrainën.

Qeveria në Berlin po shqyrton dhe rishqyrton vazhdimisht opsionet e saj në lidhje me sanksionet kundër Rusisë, deklaroi të hënën zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, gjatë informimit të rregullt për shtyp. Ai shtoi se Bashkimi Evropian pritet të miratojë këtë javë paketën e 17-të të sanksioneve.

Sanksionet e reja të BE-së pritet të synojnë sektorin financiar rus, si pjesë e përpjekjes më të fundit të aleatëve të Ukrainës për të ushtruar presion ndaj presidentit Vladimir Putin që të negociojë një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës. Sipas agjencisë Bloomberg, BE-ja po përgatitet gjithashtu të vendosë sanksione ndaj bankave të vendeve të treta që mbështesin fushatën ushtarake të Moskës.

Nëse Shtetet e Bashkuara do të ecin paralelisht me sanksionet evropiane do të varet nga rezultati i bisedës telefonike të planifikuar të hënën midis presidentit amerikan Donald Trump dhe Vladimir Putin, tha Kornelius.

Së bashku me aleatët e saj, Gjermania ka bërë vazhdimisht thirrje që Rusia të pranojë një armëpushim pa kushte, dhe sanksionet e reja synojnë ta shtyjnë Putinin në këtë drejtim, shtoi ai.

Mandati i Katërt: Pasqyra e një Sistemi

Nga Mimoza Manxhari

Ka momente në jetën e një kombi kur maskat bien. Zgjedhjet e përgjithshme që sapo kaluam janë një prej këtyre momenteve. Ato nuk treguan vetëm se kush fitoi, por zbuluan, të zhveshur, se çfarë jemi bërë. Ose, më saktë: – çfarë kemi lejuar të bëhemi!

Të fitosh një herë mund të jetë sukses. Të fitosh dy herë, ndoshta inerci. Por të fitosh katër herë radhazi? Nuk është më rastësi. Është regjim i instaluar.

Në këtë pikë, nuk flasim më për popullaritet apo vizion, por për mekanzimat pushtetit -si fitohet, si mbahet dhe si përjetësohet ai. Ky mandat i katërt nuk është thjesht një rezultat politik. Është pasqyrë shoqërore që ekspozon gjendjen reale të demokracisë, shëndetin e institucioneve dhe vetëdijen qytetare.

Pushtet i sigurt?

Në një demokraci të shëndetshme, pasiguria nuk është dobësi, por shenjë jete.

Çdo udhëheqës duhet ta fitojë drejtimin me përulësi dhe vetëdije, sepse mund të refuzohet.

Kur një Kryeministër, dy ditë para zgjedhjeve, thotë:

“Do të iki kur të dua,” dhe përsëri del fitues, problemi nuk është më arroganca, por mosndëshkimi sistematik.

Ajo deklaratë nuk bëhet kot.

Ajo bëhet vetëm kur institucionet që duhet ta frenojnë pushtetin- gjykatat, media, opozita, shoqëria civile – janë të kapura, të heshtura , ose të frikësuara.

Në një mjedis të tillë, askush nuk guxon, ose nuk ndihet i aftë të thotë:

” Ju, nuk mund të flisni kështu.”

Dhe kur askush nuk kundërshton, fjala e tij, bëhet realitet.

E pra, ky besim nuk vjen nga legjitimiteti demokratik, por nga kontrolli mbi informacionin, debatin publik dhe vetë pritshmëritë.

Ne tashmë kemi provën se zgjedhjet nuk janë më gara, por rituale konfirmimi, ku rezultati paraprin votën dhe pushteti rimerret me siguri të plotë e pa ankth.

Dobësia e Institucioneve

Bashkimi de facto i partisë me shtetin, ka turbulluar kufijtë e demokracisë.

Kreu i partisë bëhet edhe kreu i qeverisë. Pa asnjë rezistencë.

Kur e njëjta dorë kontrollon:

institucionet administrative,

burimet publike

organet mbikëqyrëse,

pluralizmi venitet dhe institucionet që duhet ta frenojnë pushtetin, e përqafojnë atë.

Justifikimi: ‘’Nuk ka kush e zëvendëson”, nuk është besim. Është mungese alternativash!

Jo sepse udhëheqësi frymëzon, por sepse nuk ka më askënd përballë.

Heshtja nuk është gjithmonë miratim

Pavarësisht:

ekspozimeve publike për korrupsionin, fjalorit të papranueshëm ‘bordello’ për partinë e vet, përçmimit të hapur ndaj qytetarëve dhe institucioneve, nuk pati asnjë pasojë reale politike.

Përkundrazi. Fitore triumfale. Por kjo nuk do të thotë se njerëzit janë domosdoshmërisht dakord. Pjesëmarrja ka rënë nga 46.32% (2o21) në 42.16% këtë vit. Këta nuk janë shenja indiference. Janë shenja dëshpërimi.

Momentin më i rrezikshëm për një demokratike nuk është revolta. Është kur qytetarët dorëzohen në heshtje. Kur nuk besojnë më. Kur nuk marrin pjesë. Heshtja nuk është paqe. Është shenjë e shterimit të shpresës.

Rindërtim Demokratik apo Vazhdimësi e Menaxhuar?

Demokracia nuk është thjesht votimi periodik. Është ndryshim pushteti, konkurrencë reale, llogaridhënie. Kur këto mungojnë, kemi vetëm vazhdimësi të menaxhuar: një sistem që duket demokratik, por nuk është.

Çdo fitore e pakontestuar ushqen një rreth vicioz:

Opozita dobësohet dhe humbet besueshmërinë;

Debati publik zëvendësohet nga një zë i vetëm;

Qytetarët humbin besimin dhe tërhiqen nga pjesëmarrja;

Fitorja përsëritet pa vështirësi;

Dhe gjithçka paraqiten si legjitimitet demokratik!

E vërteta?

Kur mungon konkurrenca dhe zëri kritik, legjitimiteti është vetëm formal. Aaspak pasqyrim i vullnetit qytetar.

A është kjo një fitore?

Përtej fitores zgjedhore, kjo është humbja e ndërgjegjes publike.

Dhe më e dhimbshmja?

Heshtja. Jo heshtja e të paditurve. Heshtja e atyre që dine. Ata që dinë dhe heshtin, nuk janë të pafajshëm.

Ata janë bashkëfajtorë. Sepse kur e vërteta nuk thuhet nga ata që kanë njohuri dhe zë — a nuk është kjo një formë e rafinuar, e miratimit? Në heshtjet e llogaritura, elita nuk qëndron jashtë krimit. Ajo bëhet pjesë e tij.

Ku janë akademikët?

Ku është Akademia e Shkencave? Uuniversitetet? Profesionistët?

A nuk e shohin çfarë po ndodh?

Apo zgjedhin të mos shohin?

Nuk jam e alarmuar.

Jam e kthjellët dhe tani e di: Situata është serioze. Nëse vetëdija tingëllon si britmë në terr, është sepse jetojmë realisht në errësirë dhe pretendojmë se është dritë.

Mesazhe shpirtërore për kohët tona

Tri fe, një mesazh:

Krishti në kryq: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë.” (Luka 23:34, Bibla Shqip)

Kurani paralajmëron: “Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për Xhehennem. Ata nuk kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët.” (Kurani, Surja Al-A’raf 7:179, përkthimi i Sherif Ahmetit)

Shën Pali shkroi: “Sepse ka për të ardhur koha kur nuk do të durojnë mësimin e shëndoshë, por do të mbledhin grumbull pranë vetes së tyre mësues sipas dëshirave të tyre, për të gudulisur veshët.” (2 Timoteut 4:3, Bibla Shqip)

Por sot, më dhimbshëm se këto paralajmërime është sjellja e atyre që e shpallin veten besimtarë, por në vend të drejtësisë dhe frymës së fesë, përqafojnë strukturat politike me adhurim të vebër.

Ne nuk qeverisemi vetëm nga parti të vjetra, por nga zakone të vjetra të menduari.

Partitë e reja shpesh janë fraksione të të njëjtit trung, të veshura si opozitë, por rrënjosur në të njëjtën tokë të kompromisit.

Ku janë zërat e rinj?

Ku janë ata që guxojnë të thonë:

Se sistemi është i sëmurë?

Se problemi nuk është vetëm tek individët, por tek struktura?

Se ndryshimi nuk është vetëm protest, por rindërtim?

Kjo është përgjegjësia jonë. E të gjithëve: E qytetarëve, intelektualëve, pedagogëve, studentëve, punëtorëve e bujqve të thjeshtë – çdo shqiptari që dashuron të ardhmen e këtij vendi.

Mandati i katërt nuk është thjesht një mandat.

Është pasqyrë. Është thirrje -për reflektim të përgjegjshëm dhe veprim të guximshëm. Nëse heshtim sërish, do mbetemi peng i një cikli që nuk përmban shpresë. Nëse duam ndryshim, duhet të nisim me veten, me ndërgjegjen tonë kolektive dhe me përkushtimin për të vepruar. Nuk është vonë, por koha ka ritmin e saj.

I love Lura

Nga Edison Ypi

Në Maqellarë:
-Ku ndodhet Lura ?
-Atje larg në veri-perëndim pas atij malit shkëmbor dhe asaj kodrës së blertë. Lum ti ku po vete. Rrugë të mbarë. I love Lura.
Dibrani ku ndala me pi një çaj, edhe ai tha: I love Lura.
O çun, si shkohet te Lura ?
-Rruga për te bukuroshja Lura është plot rreziqe, dredha, humnera. Kujdes mos humbësh rrugën. Ruhu mos të çajë ujku, mos të kullufit ariu para se me mrrit te e fundbotshmja Lura.
Disa çuna rrotull një Benzi që i është çpuar goma.
Edhe ata, I love Lura njëri, I love Lura tjetri.
Njëri nga çunat, pak si mënjanë të mos e dëgjojnë të tjerët, më thotë: Kta ja fusin kot. Lura është dashdorja ime.
Mesoburrë shtatlartë pak i krrusur, me syze, kapele, çantë.
-Më fol pak për Lurën.
-Dibra ka gjithato bija, njëra më e bukur se tjetra: Maqellara, Shupenza, Kalaja e Dodës, Radomira, Radikja. Por ma e bukura prej krejt bijave të Dibrës ështe Lura. Kalo lumin te ura, dhe ngjitu përpjetë. Nuk do jetë udhëtim, eskursion, vizitë turistike, e më the e të thashë. Do jetë një ikje, një arratisje, një marramendje, mrekullim, katarakt ndjenjash, delir, ndriçim, që s’do zbehet kurrë në mendje drejt palcës së Bukurisë që zbut shpirtrat, drejt zjarrit që djeg botën. Unë i di këto dhe të tjera sepse jam mësues fshati, lexoj libra, por sidomos sepse I love Lura.
Benz i bardhë tatëpjetë.
-Edhe ti e love Lura ?
-S’do mend që edhe unë love Lura. Si mundet mos me e love Lurën unë çuni i njërit prej pronarëve të hoteleve të Lurës ?
Loveri i Lurës ka pamjen e të pangopurit me dashuri për Lurën dhe bukuritë dhe freskitë mes të cilave ka lindur dhe jeton.
Duken-zhduken me zhurmë nëpër kthesa motocikleta të huaja që ikin si të tërbuara drejt Lurës duke ju qepur malit e duke gërvishtur rrugën me thonj si maçokë të çmendur. E kotë tu bësh shenjë. Nuk ndalojnë bishat që ngjiten drejt Lurës mahnitëse.
Zbresin nga rruga me dredha dy Land Rovera me targa të huaja me nga dy veta brenda.
-Lura ? i pyes shqiptarçe me pëllëmbë të hapur dhe gishta të zgjatur në mënyrë habitore.
Përshëndesin me drita dhe përgjigjen me britma të katër si klarineta të ndryshkur të çakorduar;
-I love Lura.
-I love Lura.
-I love Lura.
-I love Lura.
Rruga malore për te elegantja Lura, ka zabele të zymëta ku janë kryer masakra. Pllaja ku janë bërë luftra. Lugina mbushur me lot e gjak nga Historia. Pyje mahnitëse. Kroje të freskëta. Panorama që verbohesh dhe çmendesh po i pe më gjatë se dy minuta.
Nissan gjigand. Tjetër çun pronari hoteli. Mesa duket etërit po u dorzojnë stafetën bijve. Ky ndryshe nga i pari me Benz të bardhë, nuk e ka atë tisin e ëndërrtarit. Është më i mprehtë, më i gjallë. Përveçse pronar, është edhe guidë turistike i licencuar. Sistemon makinën për mos me pengu rrugën. Zbret. Vjen e rrëfen me pasion. Për vendet, Historinë, toponomitë, gjeografinë, relievin, klimën.
Nrënie e lehtë dhe e shpejtë me gjizë dhe djathë Lure, bukë e thekur, vaj ulliri, ujë bjeshke, dhe pak muhabet me hotelxhiun.
Ku ma gjen me flejt një natë me Lurën.
Por s’ka kohë. Po bie pasditja. Te liqenet, tjetrën herë.
Nisem me u kthy nga Lura duke vazhdu rrugën për me dalë në Perlat të Mirditës.
Pas pak kilometra, stop. Më tej nuk është e mundur. Rrugën e kanë zënë ca gurë të mëdhenj që po i hedh nga lart për ndreqjen e rrugës një eskavator që duket si Skënderbeu që po hedh gurë nga mali për të bllokuar hordhitë e turqve me shallvare dhe çallma të mos vijnë ta përdhunojnë Lurën e bukur plot hire gjysëm të çveshur.
Duke u kthyer, dy francezë me një Range Rover në rrugën me dredha.
-You love Lura ?
-J’aime Lura.
-Edhe një herë të lutem, se s’ngopem.
-J’aime Luraaaaaa.
Një gur që vuante, një dru që qante, një përrua që rridhte, njëri këtu, tjetri atje, i treti pak më tutje, thanë pa asnjë hezitim: I love Lura.
Duke u kthyer, në zbritje, Bukuri kaotike të gdhendura nga Zoti prej atyre që s’i mërziten kurrë as syrit, as veshit, as hundës.
Rruga e Lurës është e tëra një bukuri kaleidoskopike aq mahnitëse sa s’ka valle fjalësh, as cirk kuptimesh, ta shprehi.
-Ich liebe Lura, thotë pa e pyetur dhe qetësisht një gjerman që po udhëton me gruan dhe gocën e vogël me bishtaleca të verdha.
Fill pas gjermanit, Io amo Lura, bërtet një pepino nga makina.
Te një kthesë afër urës së Drinit, një Hoxhë me tespie dhe çallmë. Edhe Hoxha, pa i lëviz qerpiku: انا احب لورا.
Me të dalë në rrugën kryesore, disa vajza dorpërdore.
-Goca, edhe ju e Love Lura ?
-Sigurisht we love Lura. Por me Lurën ne gocat kemi konflikt interesi. Jemi vetë të bukura.
Te një kafene, katër a pesë dibranë pensionista, sa dëgjojnë Lura-Lura, nisin dridhen si purteka, u merret goja, ngatërrohen, torollepsen, dhe nisin e bërtasin: I love Lura-I love Lura.
-Я люблю Лурa, thotë me zë të butë një rus që udhëton i vetmuar. Paksa i skuqur në fytyrën e gjërë, pasi ka gjerbur nja dy a tre qelqe vodka, ka derdhur po aq pika lot.
-Me encanta Lura, ja pret një spanjoll mbi një derr Benzi me ja pas zili lacat e Milotit.
Duke u afru te Ura Cerenecit,
-A e love Lurën ti ? pyes anës rrugës një 2-metrosh nga Shupenza.
-I love Lura, thotë kollosi.
-Më fort !
-I love Luraaaaa
Edhe një herë dibran !
Edhe më fort vigan !
Sa më fort shqiptar !
Sa dheu të tundet !
Sa Qielli të griset !
Sa Korabi të trembet !
Sa Drini të tërbohet !
Kollosi nuk përton:
I love Luraaaaaaa…
-Q’ashtu de !

Lista Serbe kërkon kompromis, Prishtina vijon mbylljen e institucioneve të Serbisë

Lista Serbe ka bërë thirrje për përfshirjen e vendeve të QUINT-it – SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Itali dhe Francë, për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për funksionimin e ndërmarrjes “Ujësjellësi Ibër”.

Ky apel vjen ndërsa autoritetet e Kosovës vazhdojnë me mbylljen e institucioneve që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë në veri të vendit.

Më 16 maj, autoritetet kosovare morën nën kontroll objektin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Mitrovicën e Veriut, dhe më herët, u mbyllën institucione të tjera si palestra sportive, muzeu i qytetit, dhe Instituti për Kulturë, Rini dhe Sport. Këto hapësira funksiononin sipas ligjit të Serbisë, dhe autoritetet kosovare i konsiderojnë si institucione paralele dhe ilegale.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi më 14 maj se partia e tij ka qenë gjithmonë për një zgjidhje kompromisi, por ka theksuar se aktualisht nuk ka mundësi për dialog me autoritetet e Prishtinës, të cilat sipas tij kanë refuzuar çdo mundësi bisedimi. Ky është një nga herët e para që Lista Serbe kërkon një zgjidhje për mbylljen e këtyre institucioneve, ndërkohë që autoritetet e Kosovës i kanë konsideruar ato si ilegale që nga fillimi i vitit 2024.

Në këtë kontekst, Lista Serbe ka apeluar për angazhimin e shteteve të QUINT-it për të ndërmjetësuar në një zgjidhje që mund të çojë në një funksionim të qëndrueshëm të institucioneve në veri të Kosovës. Pas mbylljes së institucioneve, kjo është hera e parë që një parti politike serbe kërkon një kompromis për këtë çështje.

Qeveria e Kosovës nuk ka ofruar asnjë informacion nëse ka gatishmëri për të rinisur dialogun mbi funksionimin e institucioneve serbe në Kosovë, duke lënë të hapur mundësinë e një përplasjeje të mëtejshme për këtë çështje të ndjeshme.

Shqipëria nuk bën zgjedhje parlamentare, por farsë zgjedhore

Nga Erl Kodra

Analizë Juridike e Papajtueshmërisë së Kodit Zgjedhor me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë

I. Objekti
Objekti i kësaj analize është konstatimi i shkeljes së drejtpërdrejtë dhe flagrante të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë nga dispozitat e Kodit Zgjedhor që rregullojnë sistemin e shpërndarjes së mandateve parlamentare.

II. Fakti juridik
Sistemi aktual zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, ndonëse formalisht etiketohet si “proporcional me lista shumemërore”, në substancë funksionon si një sistem thellësisht jo proporcional dhe diskriminues, në të cilin:
Partia e parë fituese (zakonisht Partia Socialiste) siguron 1 mandat deputeti me rreth 10,000 vota;
Partia e dytë (zakonisht Partia Demokratike) siguron 1 mandat me rreth 10,200 vota;
Ndërsa partitë e tjera, të quajtura “të vogla”, arrijnë të sigurojnë vetëm 1 mandat me mbi 60,000–70,000 vota.
Kjo asimetri brutale në peshën efektive të votës nuk është thjesht një “imperfeksion teknik”, por përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të normave themelore të rendit kushtetues demokratik.

III. Dispozitat e shkelura të Kushtetutës
1. Neni 1, pika 2
“Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme dhe periodike.”
Shkelja është e plotë dhe e drejtpërdrejtë.
Vota e qytetarëve nuk është e barabartë në peshë, sepse 10,000 vota për një parti nxjerrin një deputet, ndërsa 70,000 vota për një tjetër parti nxjerrin po një deputet.
Kjo nuk është “shmangie” nga barazia, por nënshtrimi i një pjese të qytetarëve ndaj peshës inferiore të votës së tyre, çka bie drejtpërdrejt në kundërshtim me parimin e barazisë zgjedhore.
2. Neni 45, pika 2
“Zgjedhësit gëzojnë votën e barabartë, të lirë dhe të fshehtë…”
Shkelja është thelbësore dhe e pakundërshtueshme.
Kur një parti ka nevojë për 7-fishin e votave për të marrë një mandat në krahasim me një parti tjetër, votuesit nuk gëzojnë të njëjtën fuqi përfaqësimi.
Vota e një qytetari që voton për një parti “të madhe” ka 7 herë më shumë vlerë reale në përfaqësimin parlamentar sesa ajo e një qytetari që voton për një subjekt më të vogël.
Kjo është pabarazi kushtetuese në formën më të pastër dhe më të rrezikshme të saj.
Barazia e votës nuk është simbolike — është matematikore. Ose ekziston, ose është shkelur. Dhe në këtë rast është shkelur në mënyrë flagrante.
3. Neni 64, pika 1
“Deputetët zgjidhen me sistem proporcional, me lista shumemërore.”
Shkelja është strukturore.
Kodi Zgjedhor prodhon rezultate që janë numerikisht jo proporcionale. Kjo nuk është një “devijim metodologjik”, por mohim substancial i proporcionalitetit zgjedhor.
Kur një parti me 70,000 vota merr po aq mandate sa një parti me 10,000 vota, sistemi nuk është më proporcional — është manipulues dhe i dhunshëm ndaj përfaqësimit të drejtë.
Kodi Zgjedhor ka shndërruar një sistem të deklaruar proporcional në një mekanizëm dominues për partinë e parë, duke e bërë në praktikë një sistem mazhoritar të deformuar dhe antikushtetues.

IV. Pasojat mbi rendin kushtetues dhe demokracinë përfaqësuese
Kjo shkelje nuk është thjesht teknike, por ka pasoja të drejtpërdrejta dhe të rënda mbi:
Legjitimitetin demokratik të Kuvendit të Shqipërisë,
Përfaqësimin real të popullsisë shqiptare në organin ligjvënës,
Besimin e qytetarëve në sistemin demokratik,
Kushtetutshmërinë e vetë qeverisjes që del nga ky përfaqësim i deformuar.
Me fjalë të tjera:
Ky sistem e zhvesh demokracinë përfaqësuese nga përmbajtja reale dhe e redukton në një procedurë formale të kontrolluar nga një mekanizëm i pabarabartë votash.

V. Konkluzion juridik
Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë është në shkelje të drejtpërdrejtë dhe flagrante të Kushtetutës, në veçanti të:
Nenit 1, pika 2 — mbi barazinë e zgjedhjeve;
Nenit 45, pika 2 — mbi barazinë e votës si të drejtë kushtetuese individuale;
Nenit 64, pika 1 — mbi detyrimin për përfaqësim proporcional.
Ky sistem është antikushtetues. Ai nuk prodhon përfaqësim të drejtë, nuk garanton barazi, dhe nuk respekton demokracinë përfaqësuese.

VI. Ndërhyrje institucionale
Në përputhje me këtë analizë, kërkohet me urgjencë institucionale:
Shqyrtimi i kushtetutshmërisë së dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor nga Gjykata Kushtetuese;
Ndërhyrje legjislative për të rikthyer përfaqësimin proporcional real dhe barazinë efektive të votës;
Ndërprerja e menjëhershme e tolerimit të një sistemi që shkel në themel të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për përfaqësim të barabartë.

Shtetet “kampion” për punë nga shtëpia, ja vendi që kryeson dhe kush kategori e preferon më shumë

Gjermanët punojnë mbi mesataren nga shtëpia në një numër ditësh të javës. Në Evropë, vetëm finlandezët punojnë më shumë nga shtëpia. Por mesatarja gjermane është gjithashtu e lartë në krahasimin global.

 

Puna nga shtëpia është mjaft e popullarizuar në Gjermani. Në këtë vend, njerëzit mesatarisht punojnë nga shtëpia veçanërisht shpesh krahasuat me vendet e tjera. Këtë e tregon një analizë e re e Institutit të Ekonomisë, ifo mes punonjësve që kanë përfunduar universitetin në 40 vende.

Sipas saj, njerëzit në Gjermani punojnë nga shtëpia mesatarisht 1.6 ditë në javë. Kurse mesatarja globale është 1.2 ditë në javë e punës me kohë të plotë të paktën gjashtë orë në ditë. “Pavarësisht shembujve të spikatur të kompanive që rikthejnë punonjësit e tyre në zyrë, rezultatet tona tregojnë se ruajtja e trenidt të punës nga shtëpia ka qenë e qëndrueshme në botë që nga viti 2023,” thotë studiuesi i ifo, Mathias Dolls.

Prindërit preferojnë punën nga shtëpia nëse munden
Në Evropë, vetëm Finlanda ka një përqindje më të lartë të akademikëve që punojnë nga shtëpia (mesatarisht 1.7 ditë në javë). Kurse në mbarë botën puna nga shtëpia ësht mjaft e përhapur në Kanada (1.9 ditë) dhe Mbretërinë e Bashkuar (1.8 ditë). Në SHBA dhe Indi, njerëzit gjithashtu punojnë nga shtëpia rreth 1.6 ditë në javë. Puna nga shtëpia është më pak e përhapur në Korenë e Jugut (0,5 ditë), Kinë dhe Greqi (0,6 ditë secila).

Kurse nga kategoritë e punonjësve, ata me fëmijë të vegjël ka më shumë gjasa të ndajnë javën e tyre të punës midis “zyrës së shtëpisë” dhe vendit të punës tek punëdhënësi. Ata pa fëmijë kanë më shumë gjasa të punojnë ose plotësisht nga distanca ose plotësisht në vend. Pothuajse në të gjitha vendet tendena e punës shtëpiake është e ngjashme për burrat dhe gratë. Kurse dëshira për të punuar nga shtëpia është më e theksuar te gratë me fëmijë sesa tek gratë pa fëmijë./DW

Gaza në krizë të thellë humanitare, OBSH: Dy milionë njerëz po vuajnë nga uria! Tonelata ushqimesh qëndrojnë të bllokuara në kufi nga Izraeli

Rripi i Gazës ndodhet në një krizë të thellë humanitare, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar për rrezikun në rritje të një urie masive. Sipas tij, dy milionë njerëz po vuajnë nga uria.

 

“Rreziku i urisë në Gaza po përkeqësohet për shkak të ndalimit të qëllimshëm të ndihmës humanitare, përfshirë ushqimet, si pjesë e një bllokade që vazhdon ende,” deklaroi Ghebreyesus gjatë hapjes së Asamblesë Vjetore të Shteteve Anëtare të OBSH-së në Gjenevë.

Ai shtoi se “dy milionë njerëz po vuajnë nga uria, ndërkohë që tonelata ushqimesh qëndrojnë të bllokuara vetëm disa minuta larg, në kufi”.

Pas presionit të madh ndërkombëtar mbi bllokimin e ndihmës humanitare, Izraeli njoftoi dje se do të lejojë rifillimin e kufizuar të saj, ndërkohë që ka nisur edhe operacione tokësore në shkallë të gjerë në Gaza.

Vendimi për të lejuar hyrjen e ndihmës në territorin palestinez, mbi dy muaj pas vendosjes së bllokadës më 2 mars, është konsideruar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu si një hap i vështirë, por i domosdoshëm.

Sipas kreut të OBSH-së, përshkallëzimi i dhunës, urdhrat për evakuim, reduktimi i hapësirës humanitare dhe bllokimi i ndihmës po e çojnë sistemin shëndetësor në kolaps.

“Njerëzit po vdesin nga sëmundje që mund të parandalohen, ndërkohë që ilaçet qëndrojnë të bllokuara në kufi. Sulmet ndaj spitaleve po i privojnë njerëzit nga kujdesi shëndetësor dhe i trembin të kërkojnë ndihmë,” shtoi ai.

Mijëra pacientë në Gaza kanë nevojë të evakuohen për arsye mjekësore, theksoi Ghebreyesus, duke i bërë thirrje shteteve anëtare të pranojnë më shumë të sëmurë për trajtim.

Ai i kërkoi gjithashtu Izraelit të lejojë evakuimin e pacientëve dhe futjen e ushqimeve e barnave në Rripin e Gazës.

Organizatat ndërkombëtare të ndihmës dhe Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar prej javësh për mungesa të rënda në ushqime, ilaçe dhe furnizime bazë në këtë zonë të rrethuar.

Trajneri i Leçes: Jam zënë shpesh me Ramadanin, është lojtar me temperament të fortë

Mesfushori i Shqipërisë, Ylber Ramadani i dhuroi fitoren Leçes falë një eurogoli kundër Torinos. Pas përfundimit të sfidës, trajneri Marko Xhiampaolo foli pikërisht për këtë triumf dhe marrëdhenien e tij me futbollistin e Kombëtares kuqezi.

“Nuk kishim alternativë tjetër përveç fitores. Duhej të fitonim për të krijuar një mundësi tjetër dhe kjo është ajo që ndodhi. Nuk ishte një ndeshje e lehtë për sa i përket burimeve nervoze, filluam paksa të tensionuar. Nuk mund të mendosh t’i zgjidhësh këto ndeshje pas dy minutash. Duhet ta ndërtosh fitoren përmes supozimeve në 95 minuta. Një gol i shkëlqyer nga Ramadani dhe më pas skuadra u lidh me rezultatin. Unë dhe Ramadani kemi një lloj marrëdhënieje të caktuar. Nuk e kam lënë gjithmonë të luajë. Ndonjëherë madje kemi debatuar. Por gjithmonë me shumë besnikëri. Kur e njeh besnikërinë e ndërsjellë edhe në debate, ka respekt. E di që Ramadani ka temperament, gjithmonë e kam ditur. Nuk është numri i paraqitjeve që ka rëndësi, por cilësia me të cilën luan. i kërkova Ramadanit të rriste nivelin karizmatik të ekipit dhe ai ishte i mirë”, deklaroi trajneri.