31.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Tahiri kërkon të shantazhojë ambasadorët e SHBA e BE-së

Ish-ministri Saimir Tahiri ka shprehur qëndrime kritike ndaj ambasadorëve të huaj në Shqipëri, veçanërisht atij amerikan, duke kritikuar ndërhyrjen e tyre në punët e brendshme të vendit, si dhe efikasitetin e ulët të programeve të ndihmës së tyre për policinë, si dhe duke bërë insinuata për qëndrime të dyshimta të tyre.
Këto qëndrime zoti Tahiri i shprehu, dje, në mbrëmje gjatë një bisede me gazetarë në emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut në TV “Klan”, ku u diskutua për akuzat për përfshirjen e tij në trafikun e drogës.
Ish-ministri i Brendshëm kundërshtoi mendimin se krimi i organizuar është problem serioz në Shqipëri, duke u shprehur se të gjitha bandat ekzistuese kriminale janë lehtësisht të asgjësueshme. Ai u kundërshtua për këtë qëndrim nga gazetarët e pranishëm, të cilët i kujtuan atij vlerësimet e ambasadorëve të huaj dhe të raporteve ndërkombëtare, në lidhje me gjendjen serioze të krimit në vend.
Si reagim ndaj ambasadorëve, zoti Tahiri u shpreh:
Kam shumë respekt për ambasadorët në tërësi, pavarësisht se i kam njohur ndryshe, secili me të vetat, njerëz janë edhe ata.
Duket se me shprehjen “i kam njohur ndryshe”, Saimir Tahiri ka dashur të thotë se ata nuk janë ata që duken në publik, duke vazhduar me një insinuatë ironike se, pavarësisht se janë ambasadorë, edhe ata kanë problemet (apo mëkatet) e tyre si të gjithë njerëzit.
Ironia dhe pakënaqësia më e madhe e tij duket se ka qenë për ambasadorin amerikan, pasi kundërpyetjes së menjëhershme të gazetarit Lorenc Vangjeli ndaj pohimit të mësipërm të Tahirit, i cili e pyeti ish-ministrin “Edhe ambasadori amerikan?”, Tahiri iu përgjigj aty për aty me shpërfillje “edhe ambasadori amerikan”.
Pastaj, Tahiri shprehu qartë kundërshtinë e tij me ndërhyrjen e ambasadorëve të huaj në punët e brendshme të vendit, duke thënë:
S’kam preferuar të jem lloji i politikanit që shtrihet barkas para një ambasadori, apo t’i puthja dorën ndonjë herë një ambasadori. Kam menduar që Shqipëria është një shtet sovran që hallet e veta, t’i zgjidhë vet e as kam pritur që të vijë një ambasador të na zgjidhi problemet që ne mund t’i zgjidhim vet.
Kjo kritikë duket se bie në radhë të parë mbi ambasadorin amerikan dhe atë të BE-së, të cilët kanë qenë jashtëzakonisht aktivë dhe publikë në këshillimet, kushtëzimet deri dhe urdhërimet e tyre ndaj politikanëve të vendit.
Zoti Tahiri e vazhdoi kritikën ndaj ambasadorëve, veçanërisht atë amerikan, duke i akuzuar se ata flasin në parim, por ofrojnë pak ndihmë në praktikë për policinë:
S’ka nevojë Shqipëria për ambasadorë që tregojnë se sa familje apo klane mafioze ka, ia kam thënë ambasadorëve që atëherë s’më duhet mua fare kritika publike e një ambasadori, më duhet që kur të flasi për policinë të vijë të më japi një ndihmë konkrete.
Këtë qëndrim, zoti Tahiri e ka mbështetur me faktin se, sipas tij, programet e mbështetjes së partnerëve të huaj për Policinë e Shtetit në vend që të japin ndihmë reale për zgjidhjen e problemeve reale kanë harxhuar para në projekte pa efikasitet, të cilat ai i quan pallavra:
Gati në 20 vjet Policia Shtetit ka marrë 90 milionë euro ndihma, nga të cilat vetëm 12 janë ndihmë reale, të tjerat ishin përralla, pallavra, trajnime, ekspertizë kot, përralla.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar nëse do të ndihmojë, duhet të ndihmojë realisht, jo me llafe dhe me përralla.
Sërish, duket se shënjestra e ish-ministrit ka qenë ndihma amerikane dhe e BE-së për Policinë e Shtetit, të cilët janë dy donatorët dhe partnerët kryesorë të policisë, për forcimin e kapaciteteve të saj për luftën kundër krimit, veçanërisht përmes programeve respektive OPDAT dhe EURALIS.
Zoti Tahiri ka kundërshtuar edhe pohimin e ambasadorit amerikan se në Shqipëri veprojnë “4 familje mafioze dhe 20 klane kriminale”, duke u shprehur se:
Në vlerësimin tim nuk ka familje mafioze është ekzagjerim i panevojshëm. Sigurisht ka klane kriminale, kollajllisht të çmontueshme. […] Shqipëria nuk është kurrë vend që ka plagë kaq të madhe krimin dhe kriminalitetin.
Megjithatë në fund, ndoshta për të balancuar qëndrimet e veta kritike, zoti Tahiri u shpreh se ai vlerëson qëndrimet kurajoze të ambasadorit amerikan për denoncimin me emra të kriminelëve.

“Exit.al”

Prokurorët Antimafie kundër ushtarëve të krimit

Në zotërim të plotë të përmbajtjes, e prerë në komunikim, me intonacionin e duhur, u shfaq në Këshillin e Mandateve, Prokurorja e Krimeve të Rënda Elizabeta Imeraj. Jo vetëm që nuk u intimidua nga politikanët, të cilët zotërojnë fare mirë aftësi të së folurës në publik, por me delikatesë u tregoi edhe vendin. Me flokët e kapura, këmishë e xhaketë të errët, Imeraj, nënë e 2 fëmijëve u përgjigj shpeshherë, duke mbështetur kreun e Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj dhe kolegun Gentian Osmani.
Së pari, iu kundëpërgjigj ish-pedagoges së saj, socialistes Vasilika Hysi, e cila i kujtoi doktoraturën, por mori mbrapsht një përgjigje që mbase edhe nuk e priste.
Më pas, pa drojë, shkurt dhe me ritëm, i tha “subjektit nën hetim”, siç i referohej Tahirit, se ndryshe nga ai prokurorët nuk veprojnë me deklarata.
Elizabeta Imeraj është prokurorja që arriti të dënojë imamët e vetëshpallur, ku kërkoi 126 vite burg për ta. Ajo është marrë edhe me çështjen e Emiljano Shullazit, dy nga çështjet më të bujshme në Shqipëri.
Detajet e debatit të saj me Hysin dhe më pas Tahirin, për të cilin i kërkoi Kuvendit së bashku me kolegët e saj autorizimin për arrestim.

DEBATI ME HYSIN:

Hysi: E kam me prokuroren që ka mbrojtur doktoraturën, a do pranoni ju që në bazë të thënieve në gazetë, ende pa e lexuar materialin, të krijoni bindjen e mjaftueshme?
Imeraj: Nuk po e marr pyetjen si intimiduese se në fakt më keni dhënë mësim. Nuk kemi ardhur këtu me dy mendje, as të dyzuar. Prokuroria ngre akuzë, është Gjykata që del me vendim përfundimtar. Kjo nuk lidhet me atë çfarë unë mendoj, por me atë çfarë mendon i gjithë grupi hetimor.
Nuk është pak që të kapen 3.5 tonë lëndë narkotike në territorin italian, as pak 4 tonë në territorin tonë.
(Ka ndërhyrje nga anëtarët, zhurmë)
Ruçi: Deputet të lutem mos i ndërhy prokurores! As palës mbrojtëse. Imeraj: Lënda narkotike që është sekuestruar pa i hyrë detajeve të tjera për kanabizimin e gjithë territorit të Shqipërisë, i qëndrojmë kërkesës së bërë.

DEBATI ME TAHIRIN:

(Është nxehur situata në mbledhjen në Këshillin e Mandateve pas marrjes së fjalës nga ana e deputetit Saimir Tahiri. Ai është kapur disa herë me prokurorët, duke u përpjekur që të ndikojë te ata në aspektin psikologjik)
Tahiri: Nëqoftëse unë kam ardhur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për deklarata publike ku implikohesha unë, makina ime dhe shtetasit Habilaj, për cilat arsye ju jeni penguar të nisni hetim?!
Alibeaj: Ajo që po bën zotëri janë komente dhe deklarata. Do ta ketë kohën më pas, pa merak për këtë punë! Të krijojë emocione intimidimi për prokurorët atje…
Imeraj: Fakti që pse nuk keni hetuar atëherë dhe jo tani, ka hetuar atëherë Prokuroria dhe ka konkluduar, heton tani dhe konkludon. Është çështje veprimesh.
Tahiri: Fakti që unë kam ardhur vetë të kërkoj hetim, e hedh poshtë deklaratën tuaj?
Imeraj: Ne nuk operojmë me deklarata!
Halimi: Nuk mund t’i bëjë ai prokurores pyetje, ç’është ky muhabet, pyetje politike prokurorëve?! Kjo është detyra jonë, të dëgjojmë njërin-tjetrin, ju me sa shoh e keni marrë vendimin. Po mirë, po procedurën do ta zbatojmë?!
Ruçi: Mos jep paragjykim as për Prokurorinë as për deputetin. Deputeti ka të drejtën të sqarojë 2-3-5 gjëra. Ju lutem z.Tahiri pyetje të karakterit teknik i bëni dhe të fillojmë menjëherë shpjegimet tuaja!
Hajdarmataj: Z.kryetar për procedurë! Jam i mendimit që po gjykojmë në një terren kushtetues. Gjykimi juaj po mbron deputetin, të njëjtat standarde duhet të na krijohen edhe neve!

Prokurorja e prerë me provat e trafikut të Tahirit

 

Përpjekjeve të vazhdueshme të deputetëve socialistë për të zhvlerësuar provat e Prokurorisë kundër Saimir Tahirit morën përgjigje nga prokurorja Elisabeta Imeri.
Në fillim ishte Ulsi Manja që zhvlerësoi dyshimet e Prokurorisë, që sipas tij bazoheshin në shkrimet e mediave dhe portaleve të opozitës.
Më pas, Vasilika Hysi që pyeti direkt prokuroren, nëse ia vlenin apo jo provat që kishin deri tani prokurorët për arrestimin e Saimir Tahirit.
Në këtë moment, prokurorja Elizabeta Imeri ka ngritur zërin, duke iu drejtuar deputetëve të PS-së.
“Nuk është pak të kapen 3.5 ton drogë në Itali. Nuk është pak të kapen tonelata me drogë në Itali. Për të mos i hyrë fakteve për kanabizimin e të gjithë territorit. Për këtë arsye ne e gjejmë të arsyeshme kërkesën që kemi bërë”, u shpreh Imeri, duke ia përplasur në fytyrë deputetëve të PS-së përfshirjen e Tahirit në trafikimin e një sasie ka të madhe droge.
E ngacmuar sërish nga socialistët që kërkonin prova për arrestimin e Tahirit, Elisabeta Imeraj tha se kishte kërkuar që në fillim që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura dhe që deputetët të nënshkruanin deklaratën për ruajtjen e sekretit.
Në rast të kundërt, ajo la të kuptohej se nuk mund të publikonte të dhëna konfidenciale që dëmtojnë hetimet. Deklaratat e Elisabeta Imerajt kanë shkaktuar sërish pakënaqësi mes socialistëve.

 

Rama urdhëron mediat për të sulmuar prokurorët e çështjes Tahiri

Njerëzit në qeveri që merren me shpërndarjen e lajmeve në media dhe portale kanë nisur sulmin ndaj tri prokurorëve që ndjekin çështjen e deputetit Saimir Tahiri. Në kohën kur Gramoz Ruçi lejoi me vetëdije shkeljen e rregullores së Këshillit, duke i lejuar Tahirit t’i bëjë pyetje prokurorëve, në disa portale pranë qeverisë u përhap lajmi “copy-paste” për tre përfaqësuesit e organit të akuzës. Në lajmin e dalë nga zyrat e qeverisë, aludohet se prokurorët janë të gjithë nga Tropoja dhe kushërinj të Shkëlzen Berishës. Një strategji e tillë ka nisur që mbrëmjen e së enjtes, në emisionin “Opinion”, kur Tahiri u përpoq të bënte pjesë të skandalit të tij, djalin e ish-kryeministrit.

 

Paloka: Po kërkojnë të zhdukin provat

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka reaguar pas kërkesës së avokatit të ish-ministrit të Brendshëm dhe vetë Saimir Tahirit, për kohë në përgatitje të mbrojtjes. “Deri pak më parë kërkonin provat. Provat u dhanë edhe pse me dyer të mbyllura. Tani thonë: duhet kohë për mbrojtje… Kohë për të mbuluar çfarë mund të mbulohet. Komisioni i Mandateve duhet vetëm të lejojë Prokurorinë të procedojë. Vendimet për fajësinë ose jo të Tahirit, nuk i merr as komisioni, as Parlamenti e as Prokuroria, por vetëm gjykata. Që kjo të ndodhë, komisioni duhet të lejojë procedimin dhe pikërisht këtë nuk po lejon Rama nëpërmjet rilindasve në komision. ‘Luftëtari’ i reformës në drejtësi, ‘luftëtari’ kundër pandëshkueshmërisë e tregoi dhe një herë se cili është koncepti i tij për drejtësinë”, shprehet Paloka.

Bylykbashi: Këshilli i Mandateve nuk është gjykatë

Këshilli i Mandateve Rregullores dhe Imunitetit ka qëllim vetëm që Parlamenti dhe jo Sajmir Tahiri, të bindet se në kërkesën e Prokurorisë nuk ka “fumus persecutionis” ose ndryshe, që kërkesa nuk ka qëllim përndjekje politike, me qëllim dëmtimin e deputetit pa u bazuar në prova dhe ligj.
Imuniteti parlamentar nuk është mburoje për deputetin, por koracë kushtetuese për të mbrojtur Parlamentin nga goditja politike antikushtetuese. Ndaj nuk duhet të bindet Tahiri, por Këshilli se nuk po kërcënohet funksionimi i Parlamentit.
Tahiri ka të drejtë të argumentojë se kërkesa e Prokurorisë nuk është e bazuar në prova dhe ligj, ndaj dhe kërkesa është e motivuar politikisht. Nuk ka të drejtë të bëjë debat mbi provat, gjë që bëhet para Gjykatës. Prokuroria e thotë troç që ka prova. Madje prova aq serioze sa duhen shfaqur me dyer të mbyllura.
Provat i çmon Gjykata jo Këshilli parlamentar, sepse nuk është Gjykatë. Këshilli sheh vetëm nëse ka prova dhe se kërkesa nuk është e pamotivuar.
Gramozi me të tijtë ta ndajë mendjen: ose të autorizojnë arrestimin dhe kontrollin e banesës, ose nëse mendojnë se akuza për trafik droge cenon edhe mazhorancën socialiste, të votojnë kundër. Nuk kanë faj se janë të zhytur nga koka te këmbët e mazhorancës në këtë trafik.

Brezi më apatik i të rinjve

Teresa Mull

Ekziston një bindje e përhapur kudo se të rinjtë e sotëm janë të mërzitshëm. Rinia e përbërë nga brezi i lindur ndërmjet viteve 1980 dhe 2000, mund të thuhet vërtetë se vuajnë nga sindroma e indiferentizmit masiv. Njerëzit në përgjithësi kanë kohë që i kritikojnë të rinjtë e ditëve të sotme aq sa janë kthyer në shënjestër nënçmimi e nënvlerësimi. Një “Washington Post” madje fliste me tone veçanërisht të egra në një artikull të titulluar: “Pesë arsye përse i urrejnë të rinjtë e sotëm”.
Është e qartë, askush nuk i ka qejf. Megjithatë, pavarësisht gjithë baltës që prej kohësh hidhet mbi këtë brez, askush nuk guxon të flasë për arsyet e vërteta përse ky brez ka arritur deri këtu apo të drejtojë gishtin tek fajtorët e vërtetë. Do të ishte më e ndershme të flitej pa doreza dhe të hidhej faji tek ata që brezi i të rinjve të sotëm mendojnë se e kanë: tek prindërit e tyre.

Brez i zbutur dhe i mërzitshëm
Një artikull i “Business Insider” raportonte në fillim të këtij viti se të rinjtë e mijëvjeçarit janë stereotipa të narcizismit, egoizmit, përtacisë dhe arrogancës. Të mos harrojmë faktin që janë edhe të mërzitshëm, të fiksuar pas telefonëve të tyre celularë, të hutuar dhe të papërqendruar.
Rinia është ajo kohë në jetë, kur duhet të bësh gjërat më të bukura dhe të çmendura, të kesh një sjellje aq të papërgjegjshme sa mund t’ia tregosh nënës tënde vetëm, pasi kanë kaluar shumë vite, të eksperimentosh me faza dhe ide për të cilat të rriturit do të tundnin kokën. Me pak fjalë, të rinjtë duhet të bëjnë gjëra të çuditshme, idiote dhe të rrezikshme që mund të kthehen në histori të pabesueshme për t’ia treguar nipërve të t’u kur të plakesh dhe të çlirosh imagjinatën për aq kohë sa ke mundësi. Është gjithashtu e shëndetshme të provosh disa eksperienca të ndryshme në rini përpara se të krijosh një familje. Kjo është mënyra më e mirë për të mësuar, siç ka thënë edhe C.S. Lewis: “Eksperienca është mësuesja më e egër. Ashtu po që zë mend!”.
Por të rinjtë e sotëm nuk bëjnë gjëra të çmendura dhe nuk kanë ndërmend të krijojnë as familje. Nuk janë aspak aventurierë, të çuditshëm, emocionues dhe as lehtësisht të emocionueshëm. Studimet tregojnë se të rinjtë e sotëm pinë më pak alkool, janë më pak përdorues të drogës në krahasim me brezat e mëparshëm dhe nuk janë as shumë të tërhequr pas seksit. Kjo do të ishte analizë e gabuar vetëm në rast se të gjithë të rinjtë nëpër botë kanë rënë dakord që të gënjejnë nëpër sondazhe.
Megjithëse duhet pranuar se është mjaft pozitiv fakti që të rinjtë e sotëm nuk janë duke dëmtuar aq shumë trupin dhe mendjet e tyre me substanca narkotike dhe sjellje të pamoralshme, një pyetje lind natyrshëm. Nëse ky brez nuk rri duke bërë festa, duke çliruar anën më të egër, nuk është i bezdissshëm dhe rebel, dhe nuk është duke zënë mend nga gabimet më të rënda të jetës, çfarë është duke bërë?
Një i ri që punon në një nga lokalet më të frekuentuara nga të rinjtë në Leeds të Anglisë, ka thënë për “Thw Economist” se “të rinjtë e ditëve të sotme duan vetëm të jetojnë brenda botës së tyre të vogël e të mërzitshme, të rrinë gjithë ditën në krevat, duke parë seriale televizivë dhe duke u shëndoshur deri në obezitet”. Në një artikull ku spekullohej me arsyet përse të rinjtë nuk janë më “seks, drogë dhe rock n’ roll”, shkruhej se telefonët smart dhe rrjetet sociale i kanë shtyrë të rinjtë drejt socializimit të izoluar, gjë që i ka shtyrë të pijnë më pak alkool dhe të përdorin më rrallë drogë.
Në vend që të takohen, të marrin vendime të gabuara dhe të argëtohen sëbashku, të rinjë janë të zënë duke u përpjekur t’i bëjnë zili njëri-tjetrit me jetën e tyre pseudo-perfekte përmes fotografive të rregulluara me Photoshop në rrjetet sociale. Jeta është kthyer kështu në një garë pa finish për të kërkuar vlerësimin e të mosharave në jetën virtuale. Buzëqeshje që zgjasin aq sa për të bërë një “selfie”, udhëtime sa për të bërë një check-in. Si u bënë të rinjtë kaq të zbrazët, kaq të dëshpëruar për të pasur pëlqimin e të tjerëve? Nuk është tërësisht faji i tyre.

Brezi i të llastuarve
Të rinjtë e sotëm janë rritur nga brezi i quajtur “Baby Boomers”, të lindurit ndërmjet viteve 1946-1964. Brezi i fëmijëve të tyre është rritur nga një brez prindërisht mbytës dhe tepër protektivë ndaj fëmijëve. Kjo ishte koha kur dolën në modë edhe familjet e vogla, kështu mungesa e motrave dhe vëllëzërve i bënte fëmijët të kthehehin në qendrën e vëmendjes. Teksa fëmijët mbyteshin me vëmendje dhe përkujdesje, me çdo lëvizje të tyre të monitoruar në mënyrë të bezdisshme, nuk iu dha as disiplina e duhur dhe as standardet e nevojshme për t’u rritur siç duhet.
Prindërit dhe edukatorët e të rinjve të sotëm kanë rritur një brez me vetvlerësim që kalon çdo kufi. Fëmijët nuk janë lënë të argëtohen dhe të jetojnë fëmijërinë, pasi duhet të silleshin “si të rritur” që në moshë të hershme. Me këtë lloj edukimi, ata nuk arritën të krijonin një identitet interesant personal, por shqetësoheshin që të ishin po aq të zotë sa të tjerët.
Prindërit e të rinjve të sotëm kanë krijuar “brezin e egoistëve”, duke i thënë fëmijëve vazhdimisht sa të mrekullueshëm ishin. Të gjithë fëmijët ishin fitimtarë, të gjithë meritonin një trofe. Asgjë nuk ishte e paarritshme. Të ruash virgjërinë për martesë, t’i japësh fëmijës një emër normal, të qëndrosh i martuar dhe të tjera principe morale tradicionale ishin harruar plotësisht përpara se të lindte ky brez i të rinjve. Nuk është aspak çudi që u kthyen në një brez narcizist, përtac dhe arrogant. Pyetja është: Përse, ndër të tjera, ky brez është kaq i rëndomte dhe pa imagjinatë?

Çfarë e vrau krijimtarinë?
Vlerat tradicionale të besimit fetar, familjes dhe lirisë kanë qenë bazat e kulturës amerikane dhe asaj perëndimore, deri sa të rinjtë e lindur në fillim të mijëvjeçarit i zëvendësuan me relativizmin, egoizmin dhe indiferencën. Shpirti rebel amerikan që frymëzoi patriotët të mundnin sundimin britanik, shtyu edhe James Deal, që të rebelohej pa ndonjë shkak personal dhe detyroi Jack Kerouac të shëtiste gjithë Amerikën, u shua plotësisht kur brezi i ri që nuk kishte kureshtje për asgjë përveç vetes, nuk arriti ta ushqente siç duhet.
Të rinjtë nuk dinë më si të rebelohen, megjithatë duhet pranuar fakti se nuk kanë pasur shumë arsye për ta bërë. Sot njerëzit shqetësohen vetëm për të komentuar jetën e njerëzve të famshëm dhe politikanëve në rrjetet sociale, jo të rebelohen kundër çdo ideje apo ngjarjeje, për të prodhuar ndonjë rezultat domethënës. Rinia e sotme nuk di të ngrihet kundër autoritetit, duan vetëm të vazhdojnë jetën e tyre në konformitet të plotë të realitetit që i ofrohet.
Rregullat janë bërë për t’u thyer, por të rinjtë në të kundërt kanë tendencën në ditët e sotme t’i imponojnë vetes akoma më shumë rregulla dhe duan medoemos të përshtaten me një grup të caktuar apo një etiketimi të caktuar në komunitet, në një kohë kur të rinjtë e mëparshëm donin të bënin çmos për të qenë ndryshe dhe për të mos u përshtatur me rregullat që i impononte shoqëria.
Lufta pa mbarim me idenë e ekzistencës së qenieve njerëzore e shprehur në veprat e Hemingway, Fitzgerald, Edward Abbey, Tom Wolfe dhe shumë të tjerë, nuk preket dhe as kuptohet nga “artistët” e ditëve të sotme. Të rinjtë nuk janë më sot të etur për dije, për eksperiencë dhe beteja. Indiferenca dhe izolimi janë tiparet që karakterizojnë shumicën e 20-30 vjeçarëve.
Të rinjtë e viteve 60 mund të kenë qenë të shfrenuar dhe rebelë, por të paktën dinin të jetonin. Të rinjtë e sotëm dinë vetëm të etiketojnë njëri-tjetrin me terma si “seksist”, “racist” apo “homofobë”. Bindjet dhe argumentet janë zëvendësuar me qëndrime dhe në vend të filozofëve, sot na duhen më shumë psikologë. Kjo e fundit është veçanërisht e vërtetë për faktimin se studimet e fundit tregojnë se ky brez është vërejtur se ka numrin më të lartë të personave që vuajnë nga problemet mendore.

Pa asnjë drejtim
Kur asgjë nuk shkon mirë, nuk mund të thuash se gjithçka shkon keq. Për të rinjtë sot, gjërat nuk shkojnë as mirë, as keq. Nihilizmi është vërtetë i mërzitshëm, por mungesa e qëllimit dhe kuptimit të jetës të çon detyrimisht në vetmi, boshllëk dhe më pas depresion. Sot, njerëzit mundohen të kapen pas diçkaje dhe gjërat më sipërfaqësore si “selfie”-t përdoren për të mbushur boshllokën dhe për t’i dhënë jetës një farë domethënieje. Ky brez është rritur për të kërkuar dhe marrë lavdërime, kështu sot ata kanë frikë të humbasin vendin si qendra e vëmendjes. Këtë vend përpiqen ta kërkojnë në rrjetet sociale ku ndjejnë se janë të pëlqyer dhe pranuar nga shoqëria.
Të rinjtë sot nuk janë ekscentrikë. I mungon shkëndija që shtynte brezat e tjerë të rebeloheshin dhe të shkundnin gjërat, për të qenë provokues dhe për t’i rishpikur gjërat që kontribuan në përmirësimin e botës, për ta bërë atë një vend më interesant. Sot, ata janë një grup homogjen njerëzish që pretendojnë dëshpërimisht se “janë vetvetja” në të njëjtën mënyrë identike.
Në fakt, nuk ka asgjë që nuk shkon me një komunitet të mbyllur në vetvete, ku të gjithë shohin dhe punojnë për të mirën e përbashkët. Por për çfarë punojnë të rinjtë e sotëm? Për mendësi të mbyllur dhe përbuzje. Çfarë mund të sjellë mendësia e mbyllur, shtypja e mendimit? Art? Muzikë? Komedi? Jo. Vetëm një jetë të rëndomtë që nis dhe mbaron e zbrazët.
Megjithatë, ekziston një anë pozitive që buron nga zhvillimi i jashtëzakonshëm që ka marrë sot teknologjia. Jetët e zbrazura dhe “arti” pa kuptim i prodhuar nga brezi më i mërzitshëm i të rinjve, është i destinuar të humbasë përgjithmonë në botën e pamëshirshme të hapësirës kibernetike, ku gjithçka harrohet dhe zëvendësohet çdo sekondë nga diçka tjetër. Të shpresojmë që fëmijët e këtij brezi të kenë fatin të rebelohen kundër prindërve të tyre.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Të fundit në rajon për shpejtësinë e internetit

Sa shpesh ju ka ndodhur që nuk keni pasur një lidhje të mirë interneti? Apo shpejtësia ju ka zhgënjyer? Apo më keq akoma ju është shkëputur shpesh?
Pavarësisht se jetojmë në vitin 2017, të tilla situata janë të njohura për një pjesë të mirë të shqiptarëve, pavarësisht se në çfarë qyteti jetojnë.
Sipas hartës së përpiluar nga e përditshme britanike “The Independent”, duke marrë për bazë të dhënat nga kompania Cable, Shqipëria renditet e 78 në botë për shpejtësinë e internetit. Shqiptarëve, sipas këtyre të dhënave, u nevojiten 13’155 sekonda për të shkarkuar një film HD nga interneti, ose më ndryshe 3.65 orë.
Krahasuar me rajonin, jemi të fundit. Me shpejtësinë më të madhe duket se është Serbia, e renditura e 41 në botë, ndjekur më pas nga Maqedonia e 59, më pas Mali i Zi i 71-ti.
Një raport i mëparshëm i kryer nga veleunomad.com, e nxjerr Shqipërinë të parafundit në Europë për shpejtësinë e ulët të internetit.
Kjo renditje e bën atë një vend jo tërheqës për investime nga kompani të ndryshme të telekomunikacionit. Si shkaqe të nivelit të ulët të shpejtësisë së internetit nënvizohen kushtet e dobëta të biznesit, si dhe PPB-ja e ulët.
Ndërsa sipas Akmai referuar të dhënave të tremujorit të fundit të 2016-ës, Koreja e Jugut është vendi me shpejtësinë më të lartë në botë 26.1Mbps, 8.9 më e lartë se në SHBA. Norvegjia renditet e dyta me 23.6Mbps ose 2.5Mbps më shumë se vitin e kaluar. Pas ndjekin vende si Suedia (22.8 Mbps), Hong Kongu me 21.9Mbps, Zvicra me 21.2Mbps. Këto vende përbëjnë edhe 5-shen e vendeve me shpejtësi më të lartë në botë.

166 të vdekur në aksidentet rrugore në 9 muaj

Shqipëria vijon të ketë një prevalencë të lartë të humbjes së jetës prej aksidenteve rrugore. Edhe pse me një rënie me 17 për qind në raport me vitin e kaluar, 166 persona kanë ndërruar jetë prej aksidenteve me makinë në rrugë gjatë janar-shtator 2017, raportoi INSTAT.
Pjesa më e madhe e jetëve të humbura më shumë se 93 persona ose 56 për qind e atyre që vdiqën ishin të rinj të moshës deri në 35 vjeç.
Vetëm në muajin shtator 2017 numërohen 172 aksidente rrugore nga 191 aksidente të ndodhur në shtator 2016. Në krahasim me shtator 2016, numri i aksidenteve është ulur me 9,9%
Numri i të aksidentuarve është 214 persona nga 265 që ishte një vit më parë, për të njëjtën periudhë. Në nëntëmujorin 2017, numri i të aksidentuarve është ulur 5,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i personave të plagosur gjatë muajit shtator 2017 është 197 nga 246 persona të plagosur në shtator 2016. Krahasuar me mesataren e personave të plagosur gjatë vitit 2016, ky numër është ulur me 5,8%.
Sipas INSTAT, në shtator, aksidentet rrugore, në 86,0% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25-35 vjeç, duke zënë 31,4% të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u rritur me 5,9%, krahasuar me një njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në nëntëmujorin 2017, aksidentet rrugore, të cilat kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit zënë 81,3% të rasteve.
Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25-35 vjeç duke zëne 28,0% të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u ulur me 3,9% me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në shtator 2017, numri i të vdekurve për 100.000 banorë ishte afërsisht 1 person.

Do të paguajmë 21 milionë euro më shumë taksë prone në 2018

Shqiptarët do të paguajnë të paktën 21 milionë euro më shumë si taksë prone në buxhetin e vitit të ardhshëm. Të paktën këtë parashikim ka bërë Ministria e Financave dhe Ekonomisë në draftin e saj të buxhetit të vitit 2018, ku totali i të ardhurave në këtë zë është parashikuar rreth 60 milionë euro.
Sipas tabelave të reja të buxhetit, arkëtimi nga taksa e pronës në 2018-ën pritet të rritet me 54%, për të arritur në 8.1 miliardë lekë, nga 5.3 miliardë lekë që pritet të mblidhen këtë vit.
Qeveria synonte që të reformonte taksimin e pronës për vitin e ardhshëm, por duket se e vetmja pjesë me reformim do të jetë taksa e ndërtesës, ndërsa taksa që paguhet për tokë truall dhe tokë bujqësore do të mbeten sipas modelit të vjetër.
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm taksa mbi pronën do të pësojë ndryshime të dukshme. Financat kanë aktualisht një draft me ndryshime në ligjin “Për taksat vendore”, ku mes të tjerave është vendosur që taksimi mbi pronën të bëhet në bazë të vlerës së tregut. Aktualisht e njëjta taksë llogaritet në bazë të sipërfaqes së banesës pra metër katror herë një vlerë fikse që ndryshon sipas tre zonave në vend.
Për momentin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po diskuton mbi një variant që sipas përllogaritjeve të bëra nga ekspertët e këtij institucioni ka nxjerrë si nivelin më optimal të taksimit nivelin 0.05 për qind të vlerës së ndërtesës. Kjo përqindje garanton një vlerë më të përballueshme sipas ministrisë për ata që e paguajnë aktualisht këtë taksë dhe për ata që do të futen në sistem për herë të parë.
Dy vitet e para të zbatimit të taksës sipas formulës së re, deri në finalizimin e kadastrës fiskale duket se do të shërbejnë si provë për ministrinë dhe agjentin tatimor që do të përzgjidhet për të gjetur mënyrën më të mirë të administrimit, por edhe nivelin e duhur të taksës që do të shkojë tek vendorët.
Ndryshimet në ligjin e taksave vendore pritet të kalojnë edhe me disa nisma të tjera si pjesë e paketës fiskale të vitit 2018.