Procesi gjyqësor në ngarkim të Denis Shtrazës, i akuzuari i vetëm për rrëmbimin dhe vrasjen më pas të Gazment Çollakut në Durrës ka vijuar edhe këtë here me ballafaqimin e provave shkencorë. Në gjykatë janë paraqitur dy ekspertë biolog, të cilët kanë interpretuar analizat e AND-së së gjakut të gjetur në makinën me të cilën është rrëmbyer viktima. Sipas eksperteve nga krahasimi gjenetik i bere kampioneve rezulton se profili i Denis Shtrazës nuk përputhet me gjakun e gjetur në vendngjarje dhe as me gjakun e gjetur në makinën e Ervin Dalipajt.
Gjithashtu sipas eksperteve Policia gjyqësore ka ngatërruar mostrat e gjakut që i janë marrë viktimës në morg. sipas tyre gjaku i Çollakut të marrë në morg dhe mostra e marrë në makinën e Dalipajt nuk përputhet me kodin gjenetik të nënës së viktimës, Nurije Çollaku.
I kemi ekspertuar shumë herë, por sërish të njëjtat rezultate. Sipas ekspertëve gjakun nga morgu e ka marrë oficeri Alfred Hoxha, i cili dyshohet se është ngatërruar”.
Në këto kushte gjykata ka urdhëruar riekspertim të kampionëve të gjakut. Krimet e Rënda kanë kërkuar të testohet gjaku i gjetur në bagazh, në kalendar, në çantën e laptopit dhe në fashetat me gjakun e nënës së Gaz Çollakut.
Vrasja e Çollakut, si u ngatërruan mostrat e gjakut
3.5 tonë drogë dhe armë, pranga bandës së ministrit
Moisi Habilaj, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri është arrestuar në Itali si kreu i një bande që trafikonte drogë nga Shqipëra. Habilaj dhe dy shqiptarë të tjerë si dhe katër italianë janë arrestuar nga Guarda di Finanza gjatë një operacioni të koduar “Rosa dei Venti” të zhvilluar në Siçili, si dhe u sekuestruan 20 mijë euro cash. Hetimet kanë zbuluar se organizata ka transportuar mbi 3.5 ton marijuanë nga bregdeti shqiptar në Itali. Po kështu, anëtarët e bandës kanë transportuar kallashnikovë dhe municione. Sipas policisë italiane, kjo organizatë ka qarkulluar mbi 20 milionë euro nga trafiku i drogës dhe armëve. Kanabisi ishte destinuar për në Catania, Ragusa dhe Siracusa.
Lajmi në mediat italiane
Drogë dhe armë, zbulohet organizata kriminale italo-shqiptare
Organizata gjatë viteve të fundit kishte arritur të transportonte në Itali nga brigjet shqiptare mbi 3.500 kilogramë marijuanë që ishte konfiskuar, në disa raste, në rrjedhën e hetimeve të gjata dhe komplekse. “Urdhri i ndalimit për burg është lëshuar nga gjyqtari i Gjykatës së Katanias kundrejt 11 personave që i përkasin organizatës kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe armëve”.
“Organizata gjatë viteve të fundit kishte transportuar në Itali nga bregdeti shqiptar më shumë se 3.500 kilogramë marijuanë që ishte sekuestruar, në disa raste, në rrjedhën e hetimeve të gjata dhe komplekse. Në veçanti, organizata kriminale, ku disponueshmëria e armëve dhe municioneve është konfirmuar me ekzekutimin e konfiskimit të armëve të tipit Kallashnikov dhe qindra municione, kishte fituar kontrollin mbi importin e sasive të mëdha të marijuanës nga Shqipëria, të cilët më pas përdoreshin për të furnizuar sheshet në Katania dhe në krahinat e Raguzës dhe Sirakuzës, duke arritur një fitim prej mbi 20 milionë euro”.
Hetimet
Operacioni, i koduar me emrin “Rosa dei Venti” është kryer nga financierët e Gico dhe Guardia di Finanza e Katanias, duke kryer funksione komplekse teknike për gjurmimin e telefonatave dhe përgjime mjedisore, për të cilat është e nevojshme prova për të përdorur të dyja, si në tokë dhe në det, të vendosjes së njëkohshme të pajisjeve të artikuluara për të luftuar trafikun e paligjshëm.
Gjatë hetimeve, në fakt, është bërë e mundur marrja, në dëm të komponentëve të organizatës kriminale me profil ndërkombëtar, konfiskimi në mënyrë të përsëritur e lëndëve narkotike, ku janë arrestuar më shumë se 20 korrierë, edhe me ndihmën e njësisë të “antiterrorizmit dhe impenjimit të shpejtë” e qentë e grupit të Guardia di Finanza të Katanias.
Janë sekuestruar edhe armë
Aksioni është kryer edhe në det me përdorimin e mjeteve të njësisë detare të Messinës dhe aerodetare të komandës operative në sajë të të cilës, në maj 2015, është zbuluar në gjirin e Ripostos, një anije peshkimi që vinte nga brigjet shqiptare që transportonte rreth 900 kilogramë marijuanë, 2 pushkë Kallashnikov me karikatorët e tyre dhe qindra municione.
Kërkimi i plotë i marrësve çoi në arrestimin e shtatë personave (katër italianët dhe tre shqiptarë) dhe sekuestrimin e rreth 20.000 euro cash.
Të arrestuarit
Shqiptarët e arrestuar janë Moisi Habilaj 39 vjeç, Maridian Sulaj 29 vjeç dhe Fatmir Minaj 55 vjeç, ndërsa italianët Antonio Riela 46 vjeç, Vincenzo Spampinato 44 vjeç, Gianluca Passavanti 37 vjeç dhe Angelo Busacca 37 vjeç. Të arrestuarit, të lokalizuar midis Vittoria e Modica në Raguzë dhe në Palagonia e në lagjen e San Giorgio në Katania, të shtunën në mëngjes, më 14 tetor janë çuar në burgun katanez të Bicoccas dhe në burgun e Piazza Lanza. Kundrejt 4 qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk janë gjetur në territorin kombëtar, do të kërkohet ekstradim.
Kush është, Moisi Habilaj kushëriri i Saimir Tahirit
Moisi Habilaj, kushëriri i ish-ministrit Saimir Tahiri është akuzuar nga opozita dhe media si kreu i klanit Habilaj në Vlorë, që trafikon drogë në Itali. Në vitin 2015, shefi i Antidrogës së Vlorë, Dritan Zagani, akuzoi Tahirin se në disa raste u kishte dhënë makinën e tij “Audi” me targë AA 003 GB vëllezërve Habilaj, për trafik droge vetë Tahiri lejonte veprimtarinë e tyre kriminale. Tahiri fillimisht i mohoi akuzat për përdorimin e makinës së tij nga vëllezërit Habilaj, por më pas pranoi se makina kishte qenë e tij, por ai e kishte shitur Habilajve.
Në shtator të 2015-ës, Tahiri deklaroi në emisionin “Opinion” se, makinën ua kishte shitur kushërinjve të tij. Pas një kontrolli në sistem, makina dilte sërish në pronësi të Tahirit. Ish-ministri atëhere pretendoi se “Audi” vazhdon të figurojë në emrin e tij, pasi i është bllokuar nga përmbarimi dhe pretendonte se kishte aktin e shitjes së saj.
Tahiri pranoi atëherë përfshirjen e tij direkte në trafikun e drogës, ndërsa tha se, makinën ua kishte shitur kushërinjve të tij, të akuzuar për drogë, dhe se pasi e kishte shitur, ai ua merrte herë pas here makinën kushërinjve për të dalë jashtë shtetit me familjen për të bërë pushime. Ai tha se, makinën e kishte shitur te kushërinjtë e tij, por e kishte rimarrë për ta përdorur për të dërguar familjen me pushime. Ministri është akuzuar nga ish-shefi i Antidrogës së Fierit se, makinën ua kishte lënë disa të afërmve të tij që merreshin me trafik droge. Duke patur makinën në emër të ministrit Tahiri, Habilajt në Vlorë lëviznin lirshëm, pasi policia nuk guxonte të ndalonte një makinë që figuronte në emër të ministrit të Brendshëm.
Një nga faksimilet e publikuara atëherë nga opozita tregonte lëvizjet e makinës në sistemin TIMS. Sipas regjistrimit në TIMS, me këtë makinë kishin dalë jashtë vendit 27 herë në data të ndryshme, kushërinjtë Habilaj, familja Tahiri si dhe vetë ish-ministri.
Një operacion i autoriteteve italiane është zhvilluar në maj të 2015-ës, kur në brigjet italiane u kap një peshkarexhë që vinte nga bregdeti shqiptar me rreth 900 kilogram marijuanë, dy kallashnikovë dhe qindra municione në bord. Droga e trafikuar nga Shqipëria në atë kohë kur mbi vëllezërit Habilaj po hetonte, Dritan Zagani shef i Antidrogës në atë kohë në Vlorë, i cili deklaroi atëherë se vëllezërit Habilaj kishin mbështetjen e Tahirit për trafikun e drogës.
Ky është skafi i drogës së Tahirit në përdorim nga Habilajt
Habilajt kanë trafikuar në Itali tonelata droge me skafin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha, i cili ka reaguar pas arrestimit në Itali të kushëririt të Tahirit, Moisi Habilajt, si kreu i një bande kriminale të trafikut të drogës nga Shqipëria. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, priten zhvillime klamoroze, vetë Saje drejt arrestit ndërkombëtar.
“Zhvillim klamoroz, kapet banda e Saje qorrit. Vetë Saje drejt arrestit ndërkombëtar! Miq! Arrestohet në Itali famozi Moisi Habilaj, tezaku që transportoi 3.5 ton drogë me skafin e Saje qorrit në Itali. Po ju rikujtoj këtu se Habilajt, sipas kontrollit të TIMS kanë transportuar drogë jashtë vendit 27 herë me makinën e kushos-bandit ministër Saje qorri, dhe ky trafik, i denoncuar nga Zagani, i kushtoi postin këtij të fundit, pasi Saje qorri e shkarkoi atë dhe e dha për ndjekje.
Atij, Konfederata Helvetike i dha azil politik, pikërisht ditën e vizitës së Edi Ramës në Bernë. Gjithashu, 3,5 ton drogë në Itali, sipas burimeve të sigurta të vendit mik, është transportuar me skafin e Saje qorrit, të cilin ai e bleu dhe e la në “ruajtje” tek Habilajt dhe pas disa denoncimeve që kemi bërë në Parlament, Saje qorri u detyrua të bëjë një akt shitje falco të skafit të tij, po tek Habilajt! Priten zhvillime klamoroze!”, shkruan Berisha.
Berisha publikoi edhe foton e skafit të Tahirit që përdorej nga Habilajt për trafikun e drogës drejt Italisë. “Në foto skafi i Saje qorrit që transportoi 3.5 ton drogë në Itali me tezakët e tij, Moisiu dhe Habilajt e tjerë në bord!”, shkruan Berisha poshtë fotos së publikuar në Facebook.
Në shtator të vitit 2015, opozita e akuzoi ministrin Tahiri sese kishte lidhje farefisnore me vëllezërit Habilaj dhe lejonte veprimtarinë e tyre kriminale. Opozita publikoi atëherë të dhënat e sistemit TIMS dhe policën e sigurimit të makinës që tregonin se makina e Tahirit me targa AA003GB është përdorur nga vëllezërit Habilaj për trafik droge dhe veprimtari kriminale. Tahiri pranoi se makina kishte qenë e tij, por ai ua kishte shitur Habilajve.
Në emisionin “Top Story”, pranoi se ai e kishte përdorur makinën sërish dy vjet, pasi e kishte shitur atë te kushërinjtë e tij. “Çështja e makinës sime, shkurt dhe pastër është kjo: makinën e kam shitur më 6 nëntor 2013, dy muaj pasi u bëra ministër. Ua kam shitur kushërinjve të mi mjaft të largët dhe në dijeninë time si ministër i Brendshëm, zotërinjtë që akuzohen nga opozita si kryetrafikantë të drogës nuk kanë qenë kurrë të proceduar, nën hetim, të arrestuar apo të gjykuar për trafik droge. Më bllokuan llogaritë bankare, hipotekën e shtëpisë dhe mundësinë e ndërrimit të targave të makinës edhe pse u bëra ministër më duhej të paguaja gjobat pas vendimit të Gjykatës dhe për këtë aplikova për të marrë një kredi, që të shlyeja koston time të të bërit opozitë. Deri në miratimin e kredisë, unë e shita makinën dhe është barrë ligjore e blerësit që të ndërrojë pronësinë. Ata nuk kanë mundur, sepse makinës nuk i ndërrohet pronësia për këtë shkak, ndaj dhe makina figuron ende në emrin tim. Gjatë kësaj kohe, ajo është përdorur edhe dy herë të tjera prej meje”, tha Tahiri.
Tahiri deklaroi atëherë se në dijeninë e tij, Moisi Habilaj dhe të afërtit e tij nuk ishin kriminelë. Të qenurin e tyre kriminelë, Tahiri e cilësonte “rastin më të keq”. Kur të gjithë akuzonin Habilajt, madje edhe vetë vartësi i Tahirit, drejtori i Antidrogës së Vlorës, Dritan Zagani, Tahiri shprehej se në dijeninë e tij, ata nuk ishin kriminelë, por njëri nga vëllezërit Habilaj ishte një bizenesmen i ndershëm. Moisi Habilaj u arrestua dje në Itali për trafik droge me vlerë mbi 20 milionë euro si dhe trafik armësh, ndërsa Tahiri vendosi të bëjë thirrje pas arrestimit në Itali për drejtësi ndaj tyre.
R.POLISI
ECFR: Rama i dështuar, krim e korrupsion
Është koha që Bashkimi Europian të lëvizë përtej “stabilokracisë” dhe të përballet me liderët politikë nacionalisto–etnikë dhe kleptokratë
Ballkani nuk është aq emocionues sa dikur. Dhuna në shkallë të gjerë që e bëri rajonin një shqetësim kryesor të politikës evropiane në vitet 1990, nuk është më një tipar i politikës ballkanike.
Ky është progres, natyrisht. Por mungesa e dhunës nuk do të thotë mungesë e problemeve. Dobësia e vazhdueshme ekonomike, rritja e frustrimit publik me udhëheqësit dhe tensionet etnike të përtërira kanë krijuar një përzierje të paqëndrueshme nën sipërfaqen e qetë. Ndërsa vëmendja e Evropës ndaj këtyre çështjeve u lëkund, aktorët e jashtëm – më së shumti Rusia, por edhe Turqia dhe Kina, filluan të viheshin në dukje. Nëse Bashkimi Evropian dëshiron të ruajë stabilitetin dhe ndikimin në oborrin e vet të trazuar, do të duhet të ri-angazhohet me Ballkanin.
Anëtarësimi në BE duhet të mbetet një pjesë e rëndësishme e angazhimit evropian. Por duke pasur parasysh problemet akute në rajon dhe ritmin e ngadaltë të zgjerimit, BE duhet të marrë hapa të menjëhershëm dhe konkretë që mund të sjellin një ndryshim për publikun lokal dhe të ndryshojnë dinamikat negative në rajon. Kjo duhet të përfshijë rritjen e investimeve të saj në ekonomitë e Ballkanit, përmirësimin e ndihmës teknike të qeverive të Ballkanit dhe, më e rëndësishmja, mbajtjen e liderëve të Ballkanit në standarde më të larta politike.
Sëmundja Ballkanike
Paqja ka sjellë një rritje të moderuar ekonomike dhe uljen e varfërisë në Ballkanin Perëndimor. Por korrupsioni dhe papunësia, sidomos papunësia e të rinjve, që varion nga 39 për qind në Malin e Zi në 54 për qind në Bosnje dhe Hercegovinë, mbetet një plagë e vazhdueshme. Jo rastësisht, pakënaqësia me politikën dhe politikat është gjithashtu në rritje. 71 për qind e qytetarëve në rajon nuk kanë besim në efektivitetin dhe paanshmërinë e gjyqësorit. E gjithë kjo do të thotë që njerëzit kanë shpresa shumë të ulëta për të ardhmen e tyre. Dyzet e tre për qind e shtetasve të Ballkanit Perëndimor mendojnë të emigrojnë diku tjetër.
Përtej sfidave të ngjashme ekonomike, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ndajnë tensionet etnike të ndezura, megjithëse secila ka specifikat e veta.
Shqipëria ka ndarje të thella politike, në të cilat politikat dhe marrëdhëniet e klaneve ndërthuren në një rrjetë hakmarrjeje dhe korrupsioni. Trafikimi i drogës dhe pastrimi i parave lulëzojnë në këtë mjedis. Në vend që t’i përgjigjet këtyre dështimeve të qeverisjes, Edi Rama, kryeministri shqiptar, kohët e fundit e ka bërë më keq duke rritur spektrin e Shqipërisë së Madhe, duke ushqyer frikën e separatizmit shqiptar në Maqedoninë fqinje.
Bosnja dhe Hercegovina ende vuan nga stanjacioni dhe grindja 22 vjet pas përfundimit të luftës së saj civile. Ndarjet në Bosnje dhe Hercegovinë midis tre grupeve etnike, nëse ka ndonjë gjë, janë rritur në dhjetë vitet e fundit. Pak prej institucioneve shtetërore funksionojnë siç duhet (në mënyrë multietnike).
Për shembull, Banka Qendrore ka tre liderë dhe ushtria ka gjasa të shkatërrohet përgjatë vijave etnike në rast krize. Bast i BE-së që ndërtimi i institucioneve mund të krijojë një shtet multietnik, është nxitur nga politika etnike. Besnikëria etnike ka dalë të jetë më e fortë se çdo institucion i ndërtuar jashtë vendit.
Kosova po përpiqet të krijojë një qeverisje të mirë, ndërkohë që përballet me tensionet e ripërtërishme me Serbinë. Kryeministri i Kosovës dhe heroi i luftës, Ramush Haradinaj, u përball dy herë në Gjykatën e Krimeve të Luftës të Hagës. Prishtina ka arritur gjithashtu të ndezë tensionet me Malin e Zi për shkak të përcaktimit të vijës kufitare.
Në Maqedoni, një krizë e brendshme politike ka shkaktuar tensionet ndëretnike dhe madje edhe dhunë. Përleshjet nuk pritet të përsëriten, por kriza më e madhe vazhdon. Udhëheqësit, si ish-kryeministri Nikola Gruevski, vazhdojnë të luajnë “kartën etnike” për përfitime politike, gjë që rrezikon ndezjen e dhunës.
Mali i Zi arriti të bashkohet me NATO dhe të shpëtojë nga një përpjekje e dukshme e një grushti shteti të ndihmuar nga Rusia. Por është ende në fillim të procesit të reformave të BE dhe ka nevojë për të stabilizuar financat e tij publike.
Së fundi, zyrtarët nga Serbia janë po aq të prirur për të provokuar tensionet rajonale. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç kohët e fundit vuri në dukje se, Serbia kurrë nuk duhet ta kishte njohur Maqedoninë nën emrin e saj aktual. Deklarata të tjera serbe u bënë jehonë akuzave në politikën e brendshme maqedonase, që e përshkruajnë udhëheqësin Zoran Zaev dhe koalicionin e tij të ri si një hap drejt shkatërrimit të Maqedonisë dhe krijimit të një Shqipërie të Madhe.
Tërheqja në “stabilokraci”
Gjendja e sëmurë e Ballkanit ka pasur një efekt goditës kur bëhet fjalë për legjitimitetin e BE–së
Vetëm 39 për qind e publikut në rajon vazhdon ta shohë anëtarësimin në BE si një gjë të mirë për ekonomitë e tyre. Më keq, udhëheqësit e Ballkanit tani shohin të gjithë procesin e pranimit në mënyrë ciklike. Ndërsa, politikani vendas e përshkroi atë kështu: “Ne gënjejmë BE-në se jemi seriozë në lidhje me reformimin dhe ata na gënjejnë se janë seriozë në lidhje me pranimin”.
Dikush mund të kuptojë cinizmin e tyre. Publiku evropian duket se kundërshton shtimin e anëtarëve të rinj në BE dhe është i gatshëm t’ua tregojë këtë qeverive të tyre. Duhet vetëm një grup politik i papërshkrueshëm dhe një qeveri e dyshimtë për të siluruar gjithçka.
Në mungesë të një procesi efektiv të pranimit, kërkimi për stabilitet në periferi të Europës ka motivuar udhëheqësit e BE-së që të bëjnë një sy qorr ndaj kërcënimit të opozitës dhe rritjes së autoritarizmit. Siç kemi shkruar në një përmbledhje të politikës së ECFR të vitit 2016, “këta ‘të paprekshëm’ sfidojë drejtësinë, duke përdorur një retorikë të fuqishme të populizmit dhe nacionalizmit dhe duke nxitur polarizimin e këtyre shoqërive”.
Raportet e vendeve të Freedom House për Vendet në Transit dhe renditjet e demokracisë për vitin 2016 tregojnë se, pothuajse të gjitha vendet në rajon përjetuan një rënie në rezultatet e demokracisë së tyre. Rënia më e madhe ishte në Maqedoni, e cila mbeti e mbytur në një krizë politike dhe demokratike për shumicën e vitit 2016. E nxehtë ishte situata në Serbi, kryesisht për shkak të parregullsive në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 dhe një rënie të përgjithshme në qeverisjen demokratike.
Një “stabilokraci” e tillë, siç dihet në rajon, përforcon problemet themelore të Ballkanit Perëndimor. Ajo nxit korrupsionin, largon rininë dhe e shtyn rajonin larg BE-së.
Është koha që BE të shkojë përtej stabilokracisë. Trajtimi i sfidave ekonomike është një rrugë e qartë për të dhënë rezultate konkrete. Integrimi në infrastrukturë, transport, energji dhe dixhitalizim janë të gjitha në axhendën e procesit ekzistues të Berlinit që synon të rifreskojë procesin e pranimit. Në të vërtetë, ka mbështetje të fortë publike në vendet e Ballkanit Perëndimor për më shumë bashkëpunim rajonal. Kjo nismë e udhëhequr nga Gjermania duhet të çojë në krijimin e një fondi të infrastrukturës, por çdo përpjekje serioze do t’u kërkonte vendeve anëtare të dyfishojnë fondet në dispozicion.
Por sfida e vërtetë do të jetë politike. BE nuk duhet të lejojë liderët si Gruevski të qëndrojnë në pushtet për kaq gjatë në çdo vend kandidat. Me kalimin e kohës, ata dëmtojnë kontrollet dhe balancat dhe bien ndesh me parimet themelore të qeverisjes demokratike.
Kjo do të thotë se BE-ja duhet të jetë më shumë politike dhe më ndërhyrëse, por vetë institucionet e BE-së nuk kanë traditë në marrjen e kësaj rruge të vështirë. U desh ndërhyrja e SHBA për të zgjidhur krizën e fundit në Maqedoni, edhe pse zyrtarë të ndryshëm të lartë të BE kishin vizituar Shkupin përpara delegacionit të SHBA. Pra, shtetet anëtare duhet të marrin drejtimin.
Vende si Holanda, që kanë një histori të gjatë mbi sundimin e ligjit dhe çështjet e të drejtave të njeriut, duhet të marrin një qëndrim më të spikatur. Dhe madje edhe pas Brexit, Britania e Madhe mund të përfshihet në diskutimet lidhur me sigurinë. Liria e medias dhe legjislacioni i OJQ-ve janë fusha të tjera të ndjeshme ku shtetet e veçanta anëtare (si Franca apo Spanja) mund të luajnë një rol të rëndësishëm. Investimi në konsultime teknike me qeveritë se si të riorganizohen sektorët jetësorë publikë, si shëndeti dhe arsimi, gjithashtu do të sjellin kthime të mëdha.
BE nuk mund të supozojë se “biznesi si zakonisht” do të sigurojë stabilitet në Ballkan. Kjo do të kërkojë që të bashkohen mjetet e pranimit me ambiciet ekonomike dhe qartësi politike.
“ECFR -European Council on Foreign Relations”
Me dhe për biznesin e vogël!
Jorida TABAKU
Nuk e di se kush i mbron oligarkët: Opozita që propozon frymëmarrje edhe më të madhe për biznesin e vogël që punëson 40% të shqiptarëve apo qeveria që i kërkon ndihmë oligarkëve për protestën kundër biznesit të vogël?
Nuk e di se kush i mbron oligarkët; qeveria që është në rrugën e propozimit të një ligji që do t’i taksojë fshehurazi bizneset e vogla me vendosjen e TVSH-së apo opozita që propozon politika lehtësuese për to?
Sot, shqiptarët na qenkan të rrezikuar nga opozita, e cila do të mbrojë Bizneset e Vogla nga rëndimi i xhepit të tyre dhe jo nga qeveria që po propozon taksim më të rëndë për kurrizin e tyre.
Sot, mazhoranca drejton gishtin nga opozita.
Sa më shumë thërret, aq më shumë del zbuluar. Sa më shumë përdridhet, aq më qartë i shohim dhe ne se si mbulojnë diellin e oligarkëve me shoshën e gjoja barazisë.
A mos vallë 100 mijë biznese të vogla duhet t’i nënshtrohen TVSH-së vetëm se administrata e partisë-shtet nuk ka dëshirë të bëjë kontrollet dhe të zbulojë evazionin në biznesin e madh? Sot në Shqipëri, bizneset e vogla mezi mbijetojnë nga niveli i lartë i taksave të vendosura në katër vjet të qeverisjes Rama.
Aktualisht vendi jonë sipas gjithë raporteve ndërkombëtare paguan ndër taksat më të kripura në raport me rajonin.
Përfshirja e TVSH-së edhe tek bizneset e vogla do të sjellë jo vetëm shtrenjtimin e produkteve, por edhe mbylljen e një pjese të madhe të bizneseve.
Jo! Partia-shtet që ka ndërmarrë këtë nismë nuk dëshiron të largojë evazionin, sepse fare kollaj këtë evazion nuk e bën biznesi i vogël.
Jo! Partia-shtet nuk ka synim që të kuptojë dhe të rillogarisë se cilës shkallë i takon një biznes i vogël. Nëse do ta kishin këtë synim mund të dilnin në terren për të kryer llogaritë tek bizneset që dyshojnë dhe mund t’i rivlerësonin. Po ta kishin kaq shumë përzemër këtë pikë nuk kryenin përjashtimin ndaj biznesit të vogël vetëm për fushatë elektorale.
Jo! Partia-shtet nuk ka synim që të shpëtojë të vegjëlit e vërtetë nga gjoja të vegjëlit, në të kundërt gjithë synimi i tyre është adresimi i konsumatorëve tek ato oligarkë që shumë shpejt do të kontrollojnë tregun. Mjafton të shihni se kush qenë ato që protestuan përpara disa ditësh nën moton “Partia e di më mirë se sa tregu”.
Partia-shtet për asnjë moment nuk ka synuar tregun e lirë dhe zgjedhjen e lirë, propozime të tilla shtrëngojnë mundësinë e sipërmarrjes për cilindo individ në Shqipëri. E keqja e Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk vjen nga biznesi i vogël, as nga sipërmarrësit e vegjël dhe dyqanet e lagjes. Jo dhe jo! Problemi me vendin tonë nis nga qeveria, e cila dëshiron të taksojë gjithnjë më të dobëtin, duke e justifikuar si luftë ndaj të fortit. Në fund të çdo viti është i forti pranë qeverisë që fiton, merr tenderat, koncesionet dhe paratë e shqiptarëve. Për këtë i duhet dhënë fund kësaj praktike. Partia-shtet dhe gjithë elementët e saj duhet të thërriten për të dhënë llogari se përse shqiptarët janë ato që humbasin pas çdo ligji që miratojnë.
Në katër vjet u morën 1.5 mld USD dhe në këto katër të tjera duan të marrin akoma më shumë!
Misioni i pamundur i kthyer në mundësi i Sebastian Kurz
Enver BYTYÇI
Austria zgjodhi dje Këshillin Kombëtar ose parlamentin e saj. Në më pak se një orë pas mbylljes së kutive të votimit u dhanë rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Fituesi është OVP (Partia Popullore Austriake). Ylli i kësaj fitoreje u bë shefi 31-vjeçar i kësaj partie, Sebastian Kurz. Prej vitit 2008, konservatorët e partisë në fjalë ishin në vendin e dytë dhe qeverisën si partnerë në një koalicion të kryesuar nga socialdemokratët austriakë.
OVP dhe Sebastian Kurz hynë në zgjedhjet e këtij viti nën presionin e të qenit partnerë në koalicion si dhe nën presionin e të djathtës ekstreme FPO (Partia Austriake e Lirisë), kandidati i së cilës ishte fitues i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në Austri. Askush nuk besonte se OVP do të ishte partia fituese me 31.6 të votave në zgjedhjet e djeshme. Ndaj Kurz u shpreh para mbështetësve të tij se, “Ne bëmë të pamundurën të mundur” dhe e quajti atë si një fitore historike! Në vend të dytë u renditën socialdemokratët me 26.9 për qind, ndërsa ekstremistët e djathtë zunë vendin e tretë me 26 për qind.
Kurz është tashmë kancelar i Austrisë. Ai ka lënë të hapur opsionet e një koalicioni qeverisës. Për të nuk ka tabu, edhe për faktin se konservatorët tradicionalë të Kurz kanë bashkëqeverisur si me socialdemokratët, ashtu dhe me ekstremistët djathtistë. Ai është i hapur. E sigurt është se, koalicioni me cilëndo prej partive që vijnë në rend të dytë ose të tretë krijon mundësinë e formimit të një mazhorance me dy të tretat e votave, çka jep shanse për një reformë kushtetutese në vend. Mesa duket koalicioni do të varet shumë nga dakortësia për një reformë të tillë.
Sebastian Kurz është sot personazhi i ditës në Austri dhe jo vetëm. Ai u bë kancelari më i ri në historinë e këtij vendi si dhe lideri politik më i ri i një vendi europian. Madje, në të gjithë historinë e saj. Vetëm 31 vjeç, ai zgjoi shpresa dhe mbolli optimizëm te qytetarët austriakë, duke krijuar besim dhe marrë votën e tyre për zhvillimin e një Austrie ndryshe. Tezat e tij konservatore, sidomos për emigracionin, qëndrimin ndaj Turqisë dhe fesë islame, i dhanë kuptim fushatës elektorale dhe ngjallën shpresën se vendi do të marrë frymë lirisht pa frikën e tensioneve sociale. Ai, ndryshe nga ekstremistët e djathtë, nuk u shfaq armiqësor me emigrantët, as me vendet nga ata vijnë, nuk shfaqi urrejtje ndaj islamit. Përkundrazi, mori në mbrojtje emigrantët që ekzistojnë në Austri dhe premtoi parandalimin e një emigracioni të paligjshëm, ndërtoi strategjinë e mbrojtjes dhe sigurisë sociale të qytetarëve dhe shpalli një program bindës për këto synime. Në një farë mënyre, analistët i krahasojnë qëndrimet e Kurz me politikat e vendeve të Vishegradit sa i përket emigracionit, ku më së shumti dallohet Hungaria.
Lideri i ri konservator austriak u zgjodh në krye të OVP-së në maj të këtij viti. Në pak muaj realizoi një reformë të spikatur në parti dhe forcoi strukturat e saj. Ai nuk i ndryshoi ato, por krijoi një distancë me gardën e vjetër të kësaj partie, duke ndryshuar stilin dhe retorikën elektorale. Sllogani kryesor i tij ishte “Sot është koha”, “O sot, o kurrë”! Kështu, ai dha mesazhin e qartë e të prerë për ndryshimin në Austri. Për të ndryshimi nuk ishte thjesht një ndërrim i një kancelari nga një kancelar tjetër. Ishte më i thellë, në ide, në program, në vizione, në qartësinë e pandryshueshmërinë e premtimeve. Ai u dha austriakëve thelbin e ndryshimit. “Unë kam vullnetin që ta ndryshoj sistemin”, u premtoi në çdo takim zgjedhësve dhe në ditën e fitores deklaroi se “Rezultati i zgjedhjeve është kërkesë për ndryshim në vend.
Sebastian Kurz erdhi në qeverinë federale si ministër për Europën kur ishte 24 vjeç. Në moshën 27-vjeçare ai u bë ministër i Punëve të Jashtme, post të cilin e përdori me mjeshtëri për ushtrimin e politikave të jashtme të Austrisë gjithnjë nga pozita konservatore, edhe pse si kancelar ose shef kabineti kishte një socialdemokrat. Sapo u zgjodh në krye të partisë në moshën 30- vjeçare ai kërkoi zgjidhjen e koalicionit me socialdemokratët dhe me këmbëngulje e çoi Austrinë në zgjedhje të reja. Momenti politik më i rëndësishëm i tij është emërimi në detyrën e rëndësishme të ministrit të Jashtëm. Një person në moshë aq të re e pa asnjë përvojë diplomatike në këtë post ishte risi në Europë. Kishte kryer vetëm një praktikë pune në ambasadën e Austrisë në Uashington, kishte qëndruar në Bruksel disa ditë në përpjekje për t’u njohur me praktikat europiane të politikës së Jashtme dhe kaq. Megjithatë, ai u shqua për intuitën e tij të jashtëzakonshme dhe u orientua shumë qartë në qëndrimet dhe idetë e tij. Kjo i dha Sebastian Kurz një performancë të pazakontë, i dha besimin e anëtarëve të partisë, të cilën e përfaqësoi dhe më në fund edhe besimin e qytetarëve austriakë.
Kurz sapo mori detyrën e kreut të partisë, përveçse proklamimit të ideve dhe programit të tij për ndryshim, dha edhe disa mesazhe simbolike. Psh ndryshoi ngjyrën e flamurit të partisë, por dhe u paraqit në zgjedhje me emra të rinj në listën e deputetëve.
Të gjithë këta faktorë e bënë Sebastian Kurz yllin e zgjedhjeve të djeshme në Austri, e bënë atë kancelarin e parë 31-vjeçar të vendit dhe liderin politik më të ri në Këshillin e Europës. Për Shqipërinë, kjo duhet vlerësuar si një fitore e saj, sepse kancelari i ri austriak është i njohur për vullnetin dhe përpjekjet e tij në mbështetje të aspiratave të shqiptarëve për integrimeve europiane. Eshtë gjithashtu shenjë e një ndikimi të padiskututeshëm të shtetit mik të shqiptarëve, Austrisë, në promovimin e shtetit shqiptar e atij të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, një pjesë e të cilave e kanë selinë e tyre në Vjenë.
Ndërkaq. fitorja e Sebastian Kurz është gjithashtu fitorja e së djathtës kundrejt një të majte të amortizuar e amorfizuar, pa ide dhe pa veprim aktiv për të realizuar ndryshimin e madh që qytetarët europianë kërkojnë në kohët e sotme. Në këtë kuptim fitorja e OVP dhe Sebastian Kurz është e disafishtë dhe një lajm i mrekullueshëm për Austrinë, për Europën, për Ballkanin dhe për ne shqiptarët!
Një 1997 e re po duket në horizont
Asllan BUSHATI
Shqiptarët, pas Luftës Dytë Botërore, kanë bërë shumë “marrëzira” (në se mund ta përdorim këtë term në kontekstin jo fyes për popullin), disa prej të cilave kanë qenë edhe kolektive, por shumica nga udhëheqësit politik. Edhe kur kanë qenë kolektive janë ideuar e mbështetur po nga politikanët. Shkarazi po përmend disa prej tyre: Nxjerrja në një gjyq fals dhe pushkatimi i gjithë deputetëve opozitarë në 1945. Mashtrimi me bombën në Ambasadën Sovjetike dhe pushkatimi në Tiranë i 22 intelektualëve atdhetarë pa asnjë arsye. Vënia nën shenjestën e nëndetëses së Bazës së Vlorës me ekuipazh sovjetiko-shqiptar për tre ditë (16, 17, dhe18 dhjetor 1959) e një destrojeri amerikan në Mesdhe, me të cilin udhetonte për në Lion-Francë, Presidenti Amerikan Ajzenhauer dhe si pasojë kundërpërgjigjeja amerikane, duke vënë nën shënjestrën bërthamore për më shumë se tridhjetë vjet bazat ushtarako-ajrore të Rinasit e Kuçovës, bazën ushtarako-detare të Vlorës dhe qytetin e Gjirokastrës. Dalldija kolektive e 1967-ës për prishjen e shkatërrimin e gjithë institucioneve të fesë, duke u bërë i vetmi “vend ateist në botë”. Ideja e çmendur “t’u qepemi kodrave e maleve dhe t’i bëjmë pjellore si dhe fushat”, duke shkatërruar tërësisht bimësinë, pemët, pyjet, faunën e florën, e duke bërë erozion shkatërrues të të gjithë vendit me duart tona. “Ndërtimi me sukses i socializmit, duke u mbështetur vetëm në forcat tona”, duke e kthyer vendin në një depo të madhe hekurishtesh me të ashtuquajturat uzina e fabrika moderne. Bunkerizimi i gjithë vendit për t’u “ballafaquar e fituar në luftë me gjithë botën”. Marrëzia kolektive e 1997-ës me futjen e parave në piramida, e cila çoi në humbjen e tyre, humbjen e jetës së mijëra shtetasve dhe për inatë të tyre, shkatërrimin e plotë të shtetit. Vrasja e besimit se ky vend nuk mund të bëhet normal si të tjerët, dhe eksodi i të paktën i një të tretës së numrit të përgjithshëm të popullatës. Nuk na mjaftuan të gjitha këto, por na “duheshim” edhe dy marrëzi të tjera dhuratë nga Edi Rama si: kanabizimi i gjithë vendit, dhe së fundi kriminalizimi i tejskajshëm i pushtetit.
Ka edhe shumë të tjera, por edhe kaq na mjaftojnë për të dalë në konkluzionin se për gati shtatëdhjetë vite, këto janë shumë të tepërta për një popull të vogël si i yni, dhe se këto për të mos thënë i kanë kthyer mbrapsh rrjedhat e përparimit të vendit, më së pakti mund të themi i kanë ngadalësuar ndjeshëm ato në krahasim me popujt e tjerë në rajon e më gjërë. Në këto kushte, pyetja më e thjeshtë nga çdo shtetas shqiptar do të ishte se: pse kanë ndodhur e ndodhin këto gjëra ne? Mendoj se edhe përgjigjja më e thjeshtë do të ishte se: mbi të gjitha është keq qeverisja e këtij vendi.
Edi Rama, nuk realizoi asnjë nga premtimet madhore të mandatit të parë dhe më e keqja, në vend të realizimeve, solli kanabizimin dhe kriminalizimin e gjithë vendit. Disa nxitojnë ta mburrin se ai bëri reforma dhe po e bën Shqipërinë shtet. Në gjykimin tim kjo nuk qëndron. Së pari, shtetin shqiptar e krijoi Ismail Qemali dhe e formësoi me të gjithë elementët e shtetit modern perëndimor, Ahmet Zogu. Së dyti, lidhur me reformat e Edi Ramës, unë mendoj se ata janë gjysmake e përgjithësisht të dështuara dhe se, vetë Edi Rama jo vetëm nuk është reformator, por është një showmen, batutaxhi, hokatar dhe një mashtrues perfekt.
Le të ndalemi pak tek kanabizimi. Disa mendojnë se, ai solli punësim të përkohshëm të një sasie njerëzish dhe se fitimet janë brenda vendit e duke u shndërruar në një pasuri kombëtare. Në këndshikimin tim, kjo nuk qëndron për shumë arsye, por nga më kryesorët janë: dëmtimi i imazhit të vendit në sytë e ndërkombëtarëve dhe frenimi i biznesit ndërkombëtar për investim afatgjatë në Shqipëri. Për rrjedhojë kjo frenoi mbi të gjitha, hapjen e vendeve të reja të punës kaq të domosdoshme për brezin e ri, por zvogloi ndjeshëm prodhimin e brendshëm buqësor. Kanabizimi duke qenë fenomen masiv, tashmë është kthyer në një bankë informale të parave të pista që kërkojnë të blejnë pasuri të patundshme deri forcërisht, duke dëmtuar kështu pronarët e biznesin e vogël dhe duke tjerërsuar forcërisht elementët themelor të bazës ekonomike të vendit. Shkurt me paratë e kanabisit, mafia po krijon pasuri konkuruese të pa ligjshme dhe krejt të pa ndershme.
Tjetër aspekt është se paratë e drogës deformuan vullnetin, votën e lirë edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të qershorit 2017-të. Edi Rama i bleu ato, duke bashkëpunuar hapur me kriminelët e drogës dhe për pasojë me rreth njëzet për qind të votave të shqiptarëve udhëheq i vetëm gjithë vendin pa e ditur se ku do të shkojë, se për këtë mandat të dytë, ai nuk ka bërë asnjë premtim elektoral. Ai i fitoi zgjedhjet jo për zotësi e punë të madhe në realizimin e premtimeve elektorale, por për një ligj elektoral skandal, për një lëvizje të gabuar politike të LSI-së, e cila nuk ju bashkangjit opozitës, dhe për një mbështetje të pa drejtë dhe të pandershme që atij i dhanë ndërkombëtarët.
Humbëse e vetme e zgjedhjeve me më shumë se dyqind mijë vota, doli PD-ja dhe shumë i baltosur e i plagosur Lulzim Basha. Në gjykimin tim, kjo ndodhi jo për faj dhe paaftësi të zotit Basha, por të rrethanave, sepse megjithë përpjekjet e tij për rishikimin e ligjit zgjedhor për gati një vit e gjysëm, ajo ju bë e pamundur në një kohë që edhe ndërkombëtarët ja kishin premtuar një gjë të tillë. Basha me synim zgjedhjet e lira e të ndershme u fut në çadër para Kryeministrisë dhe nuk do të futej edhe në zgjedhje pa u krijuar kushtet për to. Por ndërkombëtarët OSBE, ODIHR-i, BE e SHBA i dhanë gjithë përkrahjen e duhur Edi Ramës (duke mbyllur sytë përpara mosrealizimeve dhe paudhësive që kishte bërë) dhe duke u bërë bashkautorë në shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ata duke mos dashur të ballafaqohen me të vërtetën zgjedhore dhe të drejtën, zgjodhën rrugën e deklarimit se zgjedhjet ishin të mira për Shqipërinë. Por jam i bindur se po të kishte ndodhur kjo situatë në një vend tjetër demokratik me siguri (nuk do të quheshin të mira për rrethanat), por do të quheshin skandal zgjedhor.
Përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit amerikan Yee, e detyroi zotin Basha të mos shtonte në dokumentin e rekomanduar të ndërkombëtarëve, qoftë edhe një presje të vetme, por vetëm të thoshte “PO”. Pra, ndërkombëtarët nuk u shqetësuan sa duhet për ardhjen e të inkriminuarve në Parlament e në strukturat drejtuese të shtetit dhe kanabizimin e vendit para zgjedhjeve, për të cilat opozita dhe Basha ishin shumë të motivuar e të vendosur për të luftuar kundër tyre. Pyetja shtrohet: atëherë po pse tani kur zgjedhjet kanë mbaruar dhe i ka fituar padrejtesisht Rama, ngrihen e thonë se në Shqipëri ka katër grupe kriminale, njëzet familje etj. Ku ishin këto ndërkombëtarë para zgjedhjeve, kur opozita dhe zoti Basha thërrisnin me të madhe nuk shkohet në zgjedhje me Edi Ramën dhe kriminelët e armatosur? Pse ata i imponuan Bashës dhe opozitës një zgjidhje turpruese me disa ministra teknik, figurant e pafuqi vepruese për rregullimin dhe zgjidhjen e problemit të zgjedhjeve? Pse i mëshojnë sot specifikisht temës së kriminalitetit, kur ai ishte një fenomen veprues edhe para zgjedhjeve? A mendojnë ata se me këtë veprim dalin paqshëm dhe të larë nga ndotja zgjedhore që krijuan? Jo, mendimi im është se ata nuk janë të pastërt dhe të larë me zgjedhjet e qershorit 2017 në Shqipëri, por janë të baltosur dhe me përgjegjësi. Ata jo vetëm nuk kanë qenë një arbitër i paanshëm zgjedhor, por shumë të anshëm e pro qeveritar. Më e pakta gjë që mund të thuhet është se kjo është e pandershme.
Tani, Edi Rama erdhi në pushtet i vetëm e me fuqinë e parave dhe të armëve të bandave. Ata nuk i duhen më, por ai është i pa fuqishëm t’i largojë, se i kërkojnë pjesën që kanë investuar. Në këtë raport interesash, bandat kanë filluar të sulmojnë fillimisht njëra-tjetrën në Elbasan, Vlorë, Durrës, Shkodër, Lushnjë etj, por njëherazi po i tregojnë dhëmbët edhe Edi Ramës, duke i bërë karshillëk në pushtetin vendor, të cilin ka rrezik ta nëpërkëmbin shpejt aty ku nuk e kanë nën kontroll akoma. Pas pushtetit vendor bandat do të përplasen me segmentet e shëndosha të policisë, shërbimit informativ, Prokurorisë, opozitës dhe segmenteve qeveritare që nuk i përkrahin. Kam të dhëna nga shokë, miq e dashamirë se në Shkodër, Lezhë, Laç, Fush-Krujë, Vorë, Tiranë, Shijak, Durrës, Elbasan, Lushnjë, Vlorë etj., shumë pronarë dyqanesh, trojesh e banesash e biznesesh të vogla, po largohen nga pronat e tyre nga presioni i bandave. Në shumicën e rasteve, ata ju ofrojnë një ofertë poshtruese dhe më pas në se nuk ja arrijnë qëllimit, u drejtojnë grykat e armëve dhe tritolin. Por ky nuk është fundi se pas tyre presioni do të drejtohet tek bankat dhe organet e drejtësisë. Kur e kudo që bandat do të hasin në pengesa, ata më së pari e pastrojnë vendin me armë. Kjo është 1997-ta e re që po gatuhet në vorbullën e ideve e të praktikave të Edi Ramës.
Në gjykimin tim, Edi Rama është i falimentuar në çdo kuptim, se ai nuk ka para e nuk ka mundësi ta thërrasë investitorin e huaj se është i pa besueshëm për të. Pra, nuk mund të hapë vende të reja pune, nuk mund të bëjë investime publike në infrastrukturë, arsim e shëndetësi etj. Edhe në se bën përpjekje për ngritjen e rrogave e të pensioneve, ose do të shtojë borxhet, (të cilat aktualisht janë shumë të larta), ose do të rrisë inflacionin që është po ashtu shkatërruese për ekonominë e Shqipërisë. Pra, ky njeri i falimentuar nuk i duhet askujt tjetër përveç bandave që vetë i krijoi. Atëherë pse duhet të mbahet në pushtet? Shqiptarët nuk kanë nevojë për një showmen, hokatar e batutaxhi, që kudo që shkon bën teatër, një njeri pa ide e platforma për të ardhmen e vendit. Ai nuk është reformator, por thjeshtë gënjeshtar e një mashtrues i kamufluar, të cilit s’mund t’i besosh për asgjë jo më të ardhmen e vendit.
Në këtë situatë është e nevojshme që opozita jo vetëm të bllokojë foltoren e Parlamentit, por ta rrethojë Parlamentin, Kryministrinë, ministristë, sheshet e kryqëzimet me njerëz paqësor, e jo të dhunshëm, për ta larguar nga pushteti një orë e më parë Edi Ramën. Largimi i tij do të krijojë mundësinë dhe hapësirën e nevojshme për të luftuar dhe zhbërë strukturat organizative, paratë, pasuritë, asetet dhe çdo gjë të mafias dhe të bandave kriminale, të cilat janë një rrezik serioz për të ardhmen e Shqipërisë. Që 1997-ta të mos përsëritet më, këtij njeriu të papërgjegjshem i duhet thënë NDAL.
Shqiptarët viktima të skllavërisë moderne, 346 viktima në Britani
Kryetari i PD, Basha ka denoncuar faktet rrënqethëse të raportrit britanik ku rezultojnë 346 viktima nga Shqipëria si pasojë e trafikut të vajzave dhe grave nga bandat në Shqipëri.
“Shqiptarët janë viktimat më të mëdha të skllavërisë moderne në Britani, 346 viktima nga 1500 viktima të dokumentuara. Raporti britanik tregon një plagë të madhe të shoqërisë tonë, trafikimin e vajzave dhe grave nga bandat kriminale. Kjo ndodh kur KM i vendit ndan pushtet me trafikantët dhe përdhunuesit!”, u shpreh Basha
I vetmi që mbron oligarkët është KM, a po e lexon FMN-në
Keqardhje për KM, i cili në panik e çoroditje totale nga reagimi popullor, opozitar dhe i institucioneve financiare ndërkombëtare, lidhur me futjen e biznesit të vogël në TVSH, rreket të gjejë strehë tek statusi i një deputeti të tij.
Marrëzi të thuash se opozita po i del në mbrojtje biznesit të madh, duke propozuar kufirin e regjistrimit në 12 milionë lekë?! Pra, të nxjerrësh jashtë skemës së TVSH dhjetëra mijëra biznese të vogla dhe t’u garantosh atyre një taksim të thjeshtë e të ndershëm me kuota fikse e pa regjistrime kontabël të ndërlikuara, qenka mbrojtje e oligarkëve? Sharlatanizëm!!
Pse KM dhe deputeti i tij pas gati 4 vitesh në pushtet paskan lejuar të mëdhenj të shtiren si të vegjël? Pse pas kaq e kaq fushatave gjoja antiinformalitet, shteti i KM dhe deputetit të tij detyrohet të dorëzohet para oligarkëve të vërtetë, të cilët duan t’u rrëmbejnë të vegjëlve djersën, mundin dhe sakrificën në 21 vite jetë të ekzistencës së TVSH?
Po FMN e lexon KM dhe deputeti i tij? Po ekspertët e tij i dëgjon KM dhe deputeti i tij?
Kush ju përgjigjet pyetjeve të mësipërme e kupton qartë se i vetmi që mbron oligarkët është KM dhe deputeti i tij.
Lërini provokimet dhe uluni të diskutoni me biznesin e vogël, me shoqatat e konsumatorëve, me FMN, pse jo, edhe me opozitën. Propozimi ynë për rritjen e pragut të biznesit të vogël pa TVSH në 12 milionë lekë është zgjidhja për këtë situatë absurde të krijuar nga çmenduria.
Lumë HEC-esh dhe një fabrikë
Ndonëse edhe Parlamenti Europian i ka bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme qeverisë të heqë dorë nga vendimet e ndërtimit të hec-ve mbi lumenj, qeveria vijon intensivisht masakrën mjedisore, duke dhënë të tjera leje që shkatërrojnë tërësisht mjedisin dhe pasuritë ujore të vendit. Në listën e vendimeve bien në sy se shumica janë leje ndërtimi për hidrocentrale siç janë HEC-et Osojë, Goricë, Murasi. Në një pjesë tjetër ka edhe miratime për ndryshime projektesh ekzistuese hidrocentralesh. Një tjetër vendim është dhënia e lejes për Leje ndërtimi për objektin: “Fabrika e pasurimit të bakrit dhe vend depozitim i masës sterile, Spaç, Bashkia Mirditë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “TETE ALBANIA TUNNEL & MINING” sh.p.k. “Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i Hidrocentralit Osojë, Bashkia Maliq”, me zhvillues shoqërinë “Favina” sh.p.k. Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i Hidrocentralit Goricë, Bashkia Maliq”,me zhvillues shoqërinë “The Blue Star” sh.p.k. Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i Hidrocentralit Murasi, Bashkia Malësi eMadhe”, me zhvillues shoqërinë “Mateo&Co” sh.p.k. Leje për shtyrjen e afatit të Lejes së Ndërtimit për objektin “Ndërtimi i hidrocentralit “Stavec”, me subjekt zhvillues shoqëria “Koka & Ergi Energy Stavec”sh.p.k. Leje për miratimin e ndryshimeve në projekt gjatë ndërtimit dhe shtyrjen e afatit të Lejes së Ndërtimit për objektin “Ndërtimi i hidrocentralit Kabash Poroçan”, me subjekt zhvillues shoqëria “Heci-i Kabash Poroçan” sh.p.k. Për miratimin e ndryshimeve në projekt gjatë ndërtimit për objektin: “Hidrocentralet “German 1”, “German 2”, “German 3” dhe “German 4”, me vendndodhje në përroin Zalli i Germanit, Qarku Dibër”, me subjekt zhvillues shoqërinë koncesionare “SA’GA-MAT” sh.p.k” thuhet në vendimet e KKT.