40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Trafikuan mijëra kallashnikovë në Itali, Antiterrori Italian heton për terrorizëm Tahirin

Operacioni i djeshëm i “Guardia Di Financa” ka përfshirë struktura të shumta të sigurisë të shtetit italian, duke nisur nga Guardia Di Financa, duke vazhduar me marinën italiane, pjesë e ushtrisë dhe pjesa që duket më e fortë në këto hetime është ajo e përfshirjes së Antiterrorit italian. Po përse duhej të përfshihej Antiterrori? Përfshirja e kësaj strukture ka ardhur pas evidentimit se banda ka trafikuar me mijëra kallashnikovë në drejtim të Italisë. Antiterrori po heton se në duart e kujt ka rënë një sasi kaq e madhe e këtyre armëve.

Dyshimet e para janë se armët kanë shkuar në duart e terroristëve. Nuk duhet harruar se Italia ka nisur hetimet prej dy vitesh për këtë bandë me mbështetje qeveritare. Gjatë kësaj kohe në Europë ka pasur disa zhvillime mjaft të rënda dhe goditje të grupeve terroriste. Sulmi i parë për të cilën u përmend emri i krimit shqiptar ishte ai ndaj gazetës franceze “Charlie  Hebdo”. Në raportimet e atyre të shërbimeve sekrete si dhe të mediave u tha se, sulmi ishte kryer me automatikë kallashnikovë dhe dyshimet ishin se këto automatikë kishin ardhur nga krimi i organizuar shqiptar.

Ky detaj kaloi në heshtje në shtypin shqiptar ashtu sikurse të gjitha raportimet e tjera të shërbimeve partnere që dyshonin se lidhjet e krimit të organizuar mund të shërbenin si sponsor për terrorizmin. Prokurori i Antiamafias italiane që mbërriti në Shqipëri pak muaj më parë, në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeprokurorin Llala u shpreh se po hetohej për lidhjet e krimit të organizuar me terrorizmin. Këto dy indikacione të shtrira në kohë dëshmojnë se nuk kanë qenë të rastësishme. Ato kanë qenë pjesë e strukturave të specializuara italiane, të cilat kishin në vëzhgim krimin shqiptar me mbështetje politike në qeveri. Rasti i djeshëm është mjaft domethënës në këtë drejtim. Antiterrorri italian është pjesë e hetimeve dhe është përgjuar në aksion dhe u duhet të hetojë lidhjet e bandës pikërisht me terrorizimin.

Kjo do të jetë një nga pikat më të forta të hetimit dhe nëse provohet pista e përfshirjes së saj në terrorizëm atëherë është e kuptueshme se shumë shpejt do të nisë një valë spastrimi dhe mbushje të burgjeve italiane me politikanë.

Përgjimi i Antimafias italiane, Moisi Habilaj: “30 mijë euro do t’ia çoj Saimirit”

Lidhjet familjare tregojnë shumë. Veçanërisht nëse një ish-ministër- i larguar nga detyra që në mars- i përfolur dhe shumë i akuzuar në vendin e tij për mbrojtjen e një klani trafikantësh të drogës.
Në Shqipëri lajmi i arrestimit të Moisi Habilajt ka shkaktuar një tërmet të vërtetë politik. 30-vjeçari i kapur dje nga njësitë e Policisë Gjyqësore të Policisë Financiare të Katanjës, në kuadër të operacionit Trëndafilat e të Njëzetëve, është kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Tahiri u vu në qendër të akuzave në vitin 2015, pas dëshmive të shefit të Policisë Kufitare të Vlorës, Dritan Zagani, i cili e akuzoi publikisht si bashkëpunëtor me krimin e organizuar lokal të përfshirë në eksportin e marijuanës në Ballkan.
Sipas pohimeve të policit-më pas i detyruar të kërkonte strehim në Zvicër për shkak se kërkohej nga policia shqiptare që dyshonte se ai kishte njoftuar autoritetet italiane-kushërinjtë e ministrit kishin transportuar drogë, duke shfrytëzuar edhe makinën private të ministrit. Një “Audi” A8 është vënë re shpesh herë, duke kaluar kufirin grek, por edhe të vendeve të tjera.
Nga ana e tij, personi i akuzuar, ministri Tahiri, ka përgënjeshtruar gjithmonë duke shpjeguar se në vitin 2013, ai ua kishte shitur makinën kushërinjve, por në të zezë.
Por verifikimet e hetuesve italianë tregojnë një histori ndryshe, në të cilën shfaqet edhe emri i politikanit.
Moisi Habilaj kishte në Siçili pikën kryesore të biznesit të tij, falë një rrjeti të dendur shitësish shumice të aftë për të blerë me para në dorë qindra kilogramë marijuanë dhe për ta vënë atë pastaj, pa rënë në sy, në dispozicion të të gjitha klaneve mafioze aktive në shpërndarjen e saj. Jo vetëm në Katanjë, por edhe të Sirakuzë dhe Raguzë.
Në Shqipëri, për kushëririn e ministrit ishin grumbulluar shumë dyshime. Asnjëherë i hetuar, asnjëherë i arrestuar, por shumë i fotografuar, për shembull me shefin e Policisë Kufitare të qytetit bregdetar të Dhërmiut.
Një sërë udhëtimesh të vazhdueshme nga Shqipëria në Siçili, duke kaluar nga Pulia, për të rregulluar pazaret e drogës, sigurimin e vendeve të përshtatshme për ankorimin e varkave dhe ato për ruajtjen e drogës.
Gjurmë që çojnë në emra dhe mbiemra. Si ai i Antonino Reilas, i cili dyshohet si pika kryesore e qendrës së Etnas për sigurimin e drogës nga Shqipëria. Në nëntor 2013, hetuesit ushtarakë mbikëqyrën një takim mes këtij të fundit dhe Florian Habilajt, vëllait të Moisiut, pra edhe ai kushëri i ministrit Tahiri.
Takimi ballë për ballë u zhvillua në zonën e San Giorgios dhe, sipas akuzës, Riela i dorëzoi 30 mijë euro para në dorë Habilajt për një sasi marijuane. Qëllimi ishte që të kompensonin sa më shpejt që të ishte e mundur boshllëkun e krijuar nga sekuestrimi i 1 650 kg marijuanë të kapur në brigjet e gjirit të Castellucios pranë Augustës.
“Sikur të kisha patur një kallashnikov do t’i kisha sharruar të gjithë. Bam, bam, bam”, shprehet Moisiu, nën përgjim, i nxehur për ngarkesën e humbur dhe për vështirësitë për t’i shpëtuar ndjekjes së “të zinjve”, pra të forcave të rendit.
Shqipëria për kushëririn e ministrit do të ishte për shumë vite një zonë e lirë për biznes. Në një përgjim mjedisor të realizuar nga ushtarakët e rojes financiare të Katanjës, Moisiu i zbulon disa hollësi ndërmjetësit të tij siçilian, pronar i një benzinate Q8 pranë Lentinit: “Nëse vjen në Shqipëri-thotë Moisiu-ki parasysh se policia shqiptare është e korruptuar dhe që shpesh herë është vetë shefi i policisë që ndihmon në ngarkimin e thasëve”.
Ndërsa në Itali, grupi ndeshet me sekuestrimet të shumta, si ai i 289 kilogramëve marijuanë në Palagonia.
Droga e kartelit italo-shqiptar në ishull u bllokua edhe në portin e Ripostos apo në qendrën tregtare Porte di Catania, ku hetuesit zbuluan një makinë kampingu të marrë me qira të mbushur me drogë.
Për shkak të sekuestrimeve, filluan bisedime të gjata për të planifikuar dërgesa të reja dhe është pikërisht në këto biseda që, sipas hetuesve, Moisiu flet për kushëririn e tij politikan, duke ju referuar një shume që duhet t’ja dorëzonte atij: “Tridhjetë mijë duhet t’ja çoj Saimirit”.
Politikani përfshihet në këtë valle edhe në lidhje me makinën, tashmë të famshme të tij. Kushërinjtë, së bashku me bashkëpunëtorin e tyre Sabi Çelaj, vinin në Siçili edhe me makinën “Audi” të regjistruar zyrtarisht në emër të ministrit.
Ari jeshil i Ballkanit do përfundonte edhe në zotërimin e Sebastiano Sardos, i njohur me pseudonimin Jani me Syze, i cili është kthyer prej pak kohësh në bashkëpunëtor të drejtësisë, por në të shkuarën ka shërbyer si menaxher i drogës për klanin Capello të Katanjës.
Për shqiptarët, ai ishte “ai me syze” me të cilin do të hynin edhe në biznesin shumë fitmprurës të furnizimit të armëve: “Nëse sjellim diçka për ata, fusim edhe ca kallashnikovë-lexohet në përgjime-do të vriten mes tyre, po kujt i plasi, ata vetë i duan armët”.

Laku po të ngushtohet, a ka armatosur banda e ministrit terroristët?

Hetimet italiane që çuan në arrestimin e djeshëm të Moisi Habilajt nisën dy vite më parë. Çfarë ka në dosjen e bandës, nga përgjimet tek provat që sipas “ANSA” shkojnë shumë lart. Kush do të jetë peshku i parë i madh?
Provat italiane për Audin e ministrit me targa AA 003 GB. Lëvizjet e dokumentuara të bandës në takimet me mafien në Itali. Në hetime edhe Antiterrori Italian për shkak të trafikut të mijëra kallashnikovëve.

Speciale në versionin print faqe 2,3,5

Lidhjet e bandës së Habilajve me Tahirin

Historia e shkurtër e akuzave të lidhjeve të Saimir Tahirit me vëllezërit Habilaj
Moisi Habilaj, personi i arrestuar sot në Itali, është një nga tre vëllezërit Habilaj, të cilët u bënë të njohur për publikun për shkak të akuzave publike ndaj tyre për trafik droge në drejtim të Greqisë dhe Italisë.
Fillimisht, akuzat ndaj vëllezërve Habilaj u bënë nga Dritan Zagani, ish-punonjës i shërbimit antidrogë në Policinë e Fierit. Zagani ishte informuar dhe si rrjedhojë kishte kryer hetime ndaj vëllezërve Habilaj për përfshirjen e tyre në trafik droge, veçanërisht në drejtim të Greqisë. Për të kryer këto hetime duket se Zagani ndau dhe kërkoi informacion nga oficerë të misionit të Gurdia di Finanza në Shqipëri.
Në mënyrë të pashpjeguar, në vend që faktet e grumbulluara prej tij të referoheshin në Prokurori nga Policia e Fierit dhe e Vlorës, Dritan Zagani u akuzua nga policia për dekonspirimin e aksioneve të saj, duke pretenduar ndër të tjera shkëmbimet e informacionit me oficerët e Guardia di Finanza.
Për këtë arsye, ai u arrestua nga Prokuroria dhe u la në arrest shtëpie nga Gjykata në pritje të mbylljes së hetimeve ndaj tij.
Zagani theu arrestin shtëpiak dhe u arratis nga Shqipëria. Ai kërkoi strehim politik, i cili iu dha nga autoritetet zvicerane.
Pas largimit nga Shqipëria, Zagani deklaroi se akuzat dhe arrestimi ishin hakmarrje ndaj tij nga ministri Saimir Tahiri, për shkak se ai kishte hetuar tre vëllezërit Habilaj. Sipas Zaganit, Habilajt ishin kushërinj të Saimir Tahirit dhe kishin mbrojtjen e tij për trafikimin e pangacmuar të drogës. Zagani akuzoi se Tahiri kishte vënë në dispozicion të tyre makinën e tij vetiake, makinë tip “Audi” me targë AA003GB, me të cilën Habilajt kryenin trafikun e drogës drejt Greqisë, duke qenë se policët kufitarë nuk guxonin të kontrollonin makinën personale të ministrit të tyre.
Saimir Tahiri u përgjigj se ai nuk kishte asnjë lloj lidhje me vëllezërit Habilaj dhe makinën ua kishte shitur atyre, mbasi ishte bërë ministër dhe nuk i njihte dhe nuk kishte asnjë lidhje me ta.
Pas kësaj deklarate, në media u publikuan të dhëna që tregonin se makina “Audi” AA 003 GB që përdornin vëllezërit Habilaj ishte në fakt e regjistruar në emër të ministrit Tahiri.
Përballë këtyre dëshmive, ministri Tahiri u detyrua të pranonte se makina ishte ligjërisht ende në pronësi të tij dhe e regjistruar zyrtarisht në emër të tij. Këtë gjë ai e shpjegoi duke thënë se: Tahiri nuk e kishte deklaruar ligjërisht shitjen dhe për pasojë nuk kishte kaluar letrat në emër të Habiljave, sepse nuk donte që të ardhurat nga shitja t’i sekuestroheshin nga Përmbarimi gjyqësor, pasi me vendim gjykate ai duhet t’u paguante dëmshpërblim për shpifje ndaj fëmijëve të ish-Kryeministrit Berisha, të cilin nuk donte ta paguante, duke deklaruar se nuk kishte para.
Ky deklarim ishte pranim i shkeljes së ligjit dhe evazionit fiskal nga ministri Tahiri, por kjo gjë nuk u hetua nga askush.
Pas disa ditësh, në media doli një e vërtetë tjetër: Ministri Tahiri kishte udhëtuar të paktën dy herë në Greqi me makinë “Audi” AA 003 GB muaj, pasi ai kishte deklaruar që e kishte shitur makinën tek Habilajt.
Këtë fakt të ri Tahiri e shpjegoi me justifikimin se udhëtimet e tij në Greqi ishin private dhe duke mos dashur të përdorte makinën zyrtare për qëllime private, u kishte kërkuar Habiljave t’ja linin makinën për këto udhëtime. Kjo deklaratë e re e tij hodhi poshtë deklaratën e mëparshme se ai nuk kishte lidhje me Habilajt, përtej faktit që u kishte shitur atyre një makinë.
Nën trysninë e këtyre fakteve publike dhe akuzave të vazhdueshme të opozitës, Prokuroria e Fierit nisi hetimin në lidhje me kushërinjtë Habilaj dhe përdorimin e makinës së tyre për trafik droge. Por hetimi u pushua pas pak muajsh me arsyetimin se nuk u gjetën prova për akuzat kundër tyre.
Pas këtij vendimi, ministri Tahiri përshëndeti ndërprerjen e hetimeve ndaj kushërinjve të tij me një mesazh në faqen e tij në Facebook:
“Tani që Prokuroria vërtetoi gënjeshtrat e policit në arrati, Shqup-it i humbi edhe llumi i rrenave. Ky është nga ato rastet, kur gënjeshtra të përplaset në fytyrë, e shqupistave u është nxirë faqja tashmë. Politika që ndërtohet mbi të vërteta, ka vlerë gjithmonë. Gënjeshtra është grykëse, nuk ngop kurrë. Kjo vlen dhe për shqupistat”.
Arrestimi i njërit prej vëllezërve Habilaj si pjesë e një grupi kriminal të trafikimit të drogës hedh dritë të re mbi akuzat e vjetra për aktivitetin e dyshuar kriminal të vëllezërve Habilaj dhe lidhjet e dyshuara të ministrit Tahiri me ta dhe aktivitetin e tyre.
Nga aksioni i policisë italiane është bërë i ditur edhe një fakt interesant, që në pamje të parë duket se mund të konfirmojë një akuzë të hershme ndaj grupit të Habiljave. Policia italiane pohoi se grupi i arrestuar në Itali, ku bën pjesë Moisi Habilaj, ka dërguar në maj të vitit 2015 një sasi prej 800 kg marijuanë nga Shqipëria, sasi e cila u sekuestrua nga policia italiane në atë kohë.
Në të njëjtën periudhë, në maj 2015, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj akuzoi vëllezërit Habilaj se kishin vjedhur nga Komisariati i Vlorës një furgon me 800 kilogramë kanabis sativa të sekuestruar, dhe ministrin Tahiri që kishte krijuar lehtësira për mundësimin e kësaj vjedhjeje.
Ministri Tahiri e hodhi poshtë akuzën e opozitës dhe policia, si në të gjitha rastet e tjera kur janë akuzuar vëllezërit Habilaj, nuk ndërrmori asnjë veprim.
Arrestimi i Mario Habilajt në Itali ndoshta do të shërbejë për fillimin e zbardhjes jo vetëm të aktivitetit të dyshuar kriminal të vëllezërve Habilaj, por edhe të pozicionit të ish-ministrit Tahiri në lidhje me ta. Dyshimet ndaj tij nuk u zhdukën asnjëherë dhe ndoshta ato do të sqarohen përfundimisht.

Antimafia italiane: Në bandën e Habilajt të përfshirë edhe zyrtarë të policisë

Mediat italiane, duke iu referuar raportit të hetuesve të Antidrogës, shkruanin dje se në bandën shqiptarë që drejtohej nga Moisi Habilaj për trafikun e armëve dhe drogës nga Shqipëria janë të përfshirë edhe zyrtarë të policisë shqiptare. Sipas autoriteteve italiane, hetimet për këtë organizatë kriminale që u shkatërrua një ditë më parë gjatë operacionit të Guarda di Finanza, kanë nisur para katër vitesh dhe është dokumentuar e gjithë veprimtaria kriminale e saj. Për të zbardhur se si funksiononte kjo bandë janë përdorur metodat speciale të hetimit me përgjime telefonike dhe ambientale.
Hetuesit italianë kanë bërë përgjime telefonike dhe ka rezultuar se trafikantët shqiptarë të drogës bashkëpunonin me zyrtarë të policisë për trafikun e armëve dhe drogës drejt Italisë. ANSA shkruan se, hetimet po kryhen nga Antiterrori për shkak se banda shqiptare trafikonte nga Shqipëria armë për terroristët dhe drogë.
Nga hetimet ka rezultuar se nga anëtarët shqiptarë të kësaj organizate, fitimet kryesore i merrte Moisi Habilaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Maridian Sula dhe Fatmir Minaj. Ndërkohë, për anëtarët italianë të organizatës, kryesore është cilësuar Antonio Riela, i cili ka pasur edhe precedentë të mëparshëm penalë me klane mafioze të trafikut të ilaçeve. Mediat italiane shkruajnë se 4 personat e shpallur në kërkim besohet se janë shqiptarë, për të cilët i është kërkuar policisë shqiptare arrestimi dhe ekstradimi. Sipas të njëjtave burime në hetime është përfshirë edhe antiterrorizmi për shkak se ky rrjet i trafikut kishte në fokus të tij edhe armët.
Gazetarja Klodiana Lala, duke iu referuar disa burimeve nga Prokuroria shqiptare tha se, priten arrestime nga radhët e policisë shqiptare si të lidhur me Moisi Habilajn. “Një burim i imi nga Prokuroria më pohon se Prokuroria italiane ka në hetim një sërë drejtuesish nga kupola e policisë shqiptare si të dyshuar për lidhjet me Moisi Habilajn i arrestuar në Itali për trafik droge dhe armësh nga Shqipëria në Itali. Duke u nisur nga kjo, unë mendoj se shumë shpejt do kemi edhe zyrtarë të policisë të arrestuar. Saimir Tahiri la një polici akoma edhe më të korruptuar”, tha gazetarja.

“Trëndafili i erës”/ Si Habilajt mbushën Italinë me armë dhe drogë

Pas arrestimit të kreut të bandës, Moisi Habilaj, dy shqiptarëve dhe shtatë italianëve, mediat italiane e kanë konsideruar “një organizatë të vërtetë kriminale dhe mafioze të trafikut të drogës dhe armëve”. Nga një kërkim në mediat kryesore të vendit fqinj që të gjitha i kanë dhënë hapësirë operacionit të “Guardia di Finanza” që vuri në pranga 3 shqiptarët Moisi Habilaj (39 vjeç), Maridian Sulaj (29 vjeç) dhe Fatmir Minaj (55 vjeç). Në fakt urdhër-arrestet kanë qenë 11. Përveç 3 shqiptarëve, në pranga janë vënë edhe 4 italianë, ndërsa persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk dihet për të cilët është lëshuar një mandat kërkimi ndërkombëtar.

“Trëndafili i erës”

Pikënisja e arrestimeve ka qenë një operacion i koduar “Trëndafili i erës”, ku u sekuestruan 20 mijë euro të thata. Nga hetimet doli në dritë se kjo bandë në vitet e fundit kishte arritur të trafikonte në Itali armë dhe drogë në sasi të mëdha. Llogariten deri në 3.5 ton marijuanë e sekuestruar në disa operacione ku janë vënë në pranga të paktën 20 korrierë. Policia italiane sekuestroi edhe shumë armë kallashnikov dhe qindra municione. Agjentët italianë zbuluan se droga do të shpërndahej në rrugët dhe sheshet e Katanias. Vlera e saj në treg ishte rreth 20 milonë euro.
Në maj 2015 mjetet detare të trupës së Mesinës dhe Komandës Operative Aeronavale interceptuan në afërsi të Riposto, një peshkarexhë që ishte nisur nga brigjet shqiptare në bordin e së cilës u zbuluan 900 kg marijuanë, 2 armë kallashnikov me karikatorë dhe qindra municione.

Si funksiononte banda

Për të zbardhur se si funksiononte kjo bandë janë përdorur metodat speciale të hetimit me përgjime telefonike dhe ambientale. Nga hetimet ka rezultuar se nga anëtarët shqiptarë të kësaj organizate, fitimet kryesore i merrte Moisi Habilaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Maridian Sula dhe Fatmir Minaj. Ndërkohë, për anëtarët italianë të organizatës, kryesor është cilësuar Antonio Riela, i cili ka pasur edhe precedentë të mëparshëm penalë me klane mafioze të trafikut të ilaçeve. Mediat italiane shkruajnë se 4 personat e shpallur në kërkim besohet se janë shqiptarë, për të cilët i është kërkuar policisë shqiptare arrestimi dhe ekstradimi. Sipas të njëjtave burime në hetime është përfshirë edhe antiterrorizmi për shkak se ky rrjet i trafikut kishte në fokus të tij edhe armët.

Dritan Zagani: Si Tahiri e vlerësonte Moisi Habilaj si ‘biznesmen’ të suksesshëm

Ish-shefi i Antidrogës në Fier e Vlorë, Dritan Zagani, i cili u arrestua me urdhër të Tahirit dhe më pas u detyrua të largohet jashtë shtetit pse hetoi kushërinjtë e ish-ministrit Tahiri, për trafikun e drogës drejt Italisë, ka reaguar me anë të një statusi në Facebook, pas lajmit të arrestimit në Itali të Moisi Habilajt. Zagani aktualisht është azilant politik në Zvicër dhe e gjithë historia e tij dhe përndjekja që i është bërë në Shqipëri nga ish-kolegët e tij në polici me urdhër të ministrit Tahiri, ka pasur të bëjë pikërisht me Habilajt, kushërinjtë e ish-ministrit Tahiri, të cilët i hetoi pikërisht për krimin për të cilin u prangos dje në Itali, Moisi Habilaj.
Ish-eksponenti i policisë në kohën që ka qenë me detyrë në Fier dhe Vlorë, ka hetuar për vëllezërit Habilaj, si pjesëtarë të një organizate të fuqishme në trafikimin e drogës. Madje, ai arriti të zbulojë se vëllezërit Habilaj përdornin për trafik droge edhe makinën personale të Saimir Tahirit, ministër i Brendshëm në atë kohë.
Në një postim në Facebook, Zagani shkruan se në kohën që ai i akuzonte vëllëzërit Habilaj për trafik droge me makinën e Tahirit, Tahiri e cilësonte Moisi Habilajn si biznesmen të suksesshëm. “Arrestohet në Itali kushëriri i preferuar Moisi Habilaj…. një “biznesmen” i ndershëm nga Vlora që me “djersën” e ballit këto 4 vite qeverisje të “rilindjes” rriti fitimet e biznesit në ca miliona euro…!
Vite më parë kur unë si polic i “korruptuar” u arrestova me urdhër të kushëririt të Moisiut, ministrit të asokohe z.Saimir Tahiri, nga Saja dhe shefi i tij u tha që unë isha një i arratisur dhe kriminel që bashkëpunoja me trafikantët dhe se kushëriri i shkretë ishte biznesmen i pastër ….!
Çfarë të them më tepër…jam pa fjalë … Vetëm pres me ankth si do reagojë Shqipëria ime (shtypi dhe mediat) apo dhe vetë shteti im për këto “shpifjet” që unë kam vite e vite që i hetoja në cilësinë e policit… si dhe i kam deklaruar si fakte të fatkeqësisë time para më shumë se dy vitesh në mënyrë publike….dhe u shpallën si shpifje nga të gjitha strukturat e shtetit deri te vetë lartgjatësia e tij zoti Rama!”, shkruan Zagani.
Në shtator 2015, Tahiri deklaronte se në dijeninë e tij, Moisi Habilaj dhe të afërtit e tij nuk ishin kriminelë. Të qenurin e tyre kriminelë, Tahiri e cilësonte “rastin më të keq”. Kur të gjithë akuzonin Habilajt, madje edhe vetë vartësi i Tahirit, drejtori i Antidrogës së Vlorës, Dritan Zagani, Tahiri shprehej se në dijeninë e tij, ata nuk ishin kriminelë, por njëri nga vëllezërit Habilaj ishte një bizenesmen i ndershëm.

Njeriu i Ruçit mori peng dhe torturoi një të ri, policia nuk e arrestoi

Sponsori i PS-së së Fierit dhe miku i Gramoz Ruçit ka marrë peng një të ri dhe e ka torturuar për tre ditë, ndërsa policia e ka mbajtur të fshehtë ngjarjen dhe nuk e ka arrestuar autorin, ndërsa policia nuk ka ndërhyrë pavarësisht denoncimit. Denoncimi është bërë nga një punonjës policie, i cili i është drejtuar me një mesazh kryetarit të PD, Basha, ku shkruan se autori është sponsor i PS në Fier dhe një nga njerëzit e Gramoz Ruçit prandaj nuk arrestohet.
“Ky është shteti mafioz i Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit me kompani”, shkruan Basha në një postim në Facebook.
“Përshëndetje zoti Basha, unë që po ju shkruaj jam një punonjes policie në rrethin e Fierit dhe dua tju tregoj për një ngjarje që ka ndodhur në qyetin e Fierit, ku para rreth dy javësh është marrë peng nga Renato Çami një qytetar për tre ditë dhe policia nuk ndërhyri dhe nuk shkoi fare te banesa e këtij të fundit.
Pasi u lirua pas tre ditësh, qytetari i marrë peng shkoi në spital në reanimacion në gjendje të rëndë dhe kur shkoi policia si kishte deklaruar se ishte marrë peng nga Renato Çami në lagjen “1 Maj” në banesën e tij ku nuk guxon të futet njeri, aty erdhën prapë ushtarët e Renatos dhe e kishin goditur dhe ky person kishte ndryshuar dëshminë e tij. Dua të them se Renato Çami është sponsori më i madh i Partisë Socialiste në Fier në bekimin e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Personi, i cili u mor peng dhe u torturua ishte së bashku me një tjetër person i quajtur Klajdi Crraga, por ky i fundit nuk u kap dot. Ne si punonjës policie nuk na vjen aspak mirë që futen në burg njerëz për një tullë dhe te keta persona që marrin peng njerëz dhe i torturojnë ata nuk futemi dot. Policia e Fierit e ka fshehur totalisht këtë ngjarje. Ju lutem anonim”, shkruan punonjësi i policisë.

Kush është Renato Çami

Renato Çami, emri i vërtetë i të cilit është Renato Saliu, është konsideruar vazhdimisht si eksponent krimi në qytetin e Fierit. Ndërsa krahu i djathtë i tij është konsideruar shtetasi Gramoz Yzeiri, i cili deri në vitin 2009, ku u ekstradua nga Amerika, konsiderohej si një person me rrezikshmëri të lartë dhe ishte një ndër më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare. Gramoz Yzeiri, nga lagjja Sheq i Madh i Fierit, njihej si person me precedentë të shumtë penalë. Rezultonte i skeduar në listat e personave të shpallur në kërkim që nga viti 2003, i kërkuar për vrasjen e Xheladin Qelisë, ngjarje e ndodhur në vitin 1998, në qendër të qytetit të Fierit.
Për këtë ngjarje u dyshua si i implikuar edhe Renato Çami, madje kishte dyshime se vrasjen e kryen në bashkëpunim. Sipas hetimeve të Prokurorisë, Gramoz Yzeiri, së bashku me Renato Saliun, kanë ndaluar shtetasin Xheladin Qelia, i cili ka qenë duke udhëtuar me një motor së bashku me një person tjetër, me inicialet Sh.J. Autorët nën kërcënimin e armëve, pasi kanë ndaluar viktimën dhe personin që e shoqëronte, kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi shtetasin Xheladin Qelia, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas kryerjes se krimit, Yzeiri dhe Çami janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Policia e Fierit pranon pengmarrjen

Pas publikimit të lajmit të marrjes peng dhe torturave ndaj një qytetari në Fier nga Renato Çami, sponsor i PS, dhe mik i Gramoz Ruçit, ka reaguar Policia e Fierit. Policia e Fierit në reagimin e saj pranon se një i ri është mbajtur peng për tre ditë dhe është torturuar dhe deklaron se lajmi është publikuar në faqen zyrtare. Megjithëse policia pranon marrjen peng të një qytetari, nuk e ka arrestuar autorin.
“Në lidhje me statusin e publikuar nga Kryetari i Partisë Demokratike në rrjetin social ‘Facebook’, ku akuzohet Policia e Fierit për fshehjen e një ngjarje, informojmë se ngjarja në fjalë nuk është fshehur, por sipas procedurës standarde të punës është publikuar dhe mund të gjendet lehtësisht si çdo njoftim tjetër në faqen zyrtare online të Policisë së Shtetit.
Burime nga Policia thanë se i dëmtuari nuk ka dhënë asnjë emër personi të dyshuar, por ka bërë vetëm përshkrim fizik, sipërfaqësor, duke pretenduar se nuk i njihte autorët. Por nga ana tjetër, kreu i opozitës, që i referohet denoncimit të bërë nga një punonjës i Policisë së Fierit, deklaron se autori i kësaj ngjarjeje është shtetasi Renato Çami dhe sipas tij, Policia nuk ka ndërhyrë.
Renato Çami, emri i vërtetë i të cilit është Renato Saliu, është konsideruar vazhdimisht si eksponent krimi në qytetin e Fierit. Ndërsa, krahu i djathtë i tij është konsideruar shtetasi Gramoz Yzeiri, i cili deri në vitin 2009, ku u ekstradua nga Amerika, konsiderohej si një person me rrezikshmëri të lartë dhe ishte një ndër më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare. Gramoz Yzeiri, nga lagjja Sheq i Madh i Fierit, njihej si person me precedentë të shumtë penalë. Rezultonte i skeduar në listat e personave të shpallur në kërkim që nga viti 2003, i kërkuar për vrasjen e Xheladin Qelisë, ngjarje e ndodhur në vitin 1998, në qendër të qytetit të Fierit.
Për këtë ngjarje u dyshua si i implikuar edhe Renato Çami, madje kishte dyshime se, vrasjen e kryen në bashkëpunim. Sipas Policisë, Gramoz Yzeiri, së bashku me Renato Saliun, kanë ndaluar shtetasin Xheladin Qelia, i cili ka qenë duke udhëtuar me një motor së bashku me një person tjetër, me inicialet Sh.J. Autorët nën kërcënimin e armëve, pasi kanë ndaluar viktimën dhe personin që e shoqëronte, kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi shtetasin Xheladin Qelia, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas kryerjes se krimit, Yzeiri dhe Çami janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Konkretisht ngjarja e pasqyruar në web “Më datë 03.10.2017 u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, për veprën penale “Heqje të paligjshme të lirisë”, parashikuar nga neni 110/2 i Kodit Penal, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, pasi më datë 03.10.2017 është paraqitur dhe ka bërë kallzim shtetasi F.L., 20 vjeç, banues në fshatin Petovë Fier, se në datë 02.10.2017, në lagjen “1 Maj” Fier është rrahur nga disa persona dhe është mbajtur peng për disa orë në një banesë”.
Policia e Shtetit është e vendosur të kryejë detyrën me përgjegjësi e seriozitet dhe të ndëshkojë çdo paligjshmëri e këdo që shkel ligjin. E për këtë arsye, Policia e Shtetit fton çdo qytetar dhe parti politike të kërkojë informacion, duke u garantuar përgjigje në kohë, për të shmangur pasaktësitë në mos abuzimet me faktet”.

Masakra e Lushnjës, autorët orientoheshin me radio-marrëse policie

Ekzekutimi i tipit mafioz në qendër të qytetit dhe shumë pranë Komisariatit të Policisë Lushnjë të Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, ka krijuar dyshime se tre atentatorët mund të janë ndihmuar ose favorizuar nga uniformat blu, pasi këta të fundit nuk reaguan në kohë. Këto dyshime i ka ngritur grupi hetimor i çështjes dhe përforcohen edhe më shumë nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes. Dëshmitarët në vendngjarje, kishin shquar se atentatorët ishin Laert Haxhiu dhe Oreges Bilbili, ndërsa drejtuesi i automjeti tip “Mercedes Benz” që i largoi nga vendi i krimit vrasësit mbante në dorë një radio-marrës, si ato të policisë. Ky person vijon ende të mos jetë zbuluar nga forcat e policisë, por nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes edhe shumë njerëzve të tjerë në atë ngjarje kriminale që tronditi të gjithë qytetin.
Ndërkohë, pak pas masakrës së Lushnjës e ndodhur më 11 tetor, autorët e kishin menduar mirë se si do t’i shpëtonin ndjekjes së policisë. Ata dogjën automjetin në rrugën Lushnjë-Berat, në vendin e quajtur ‘Çukas i Vjetër’, ndërsa u gjetën dhe tre armë zjarri.
Vrasësit jo rastësisht kishin zgjedhur atë pikë për të humbur gjurmë. Tre janë rrugët, sipas policisë, që mund të jenë larguar Laert Haxhiu e Orges Bilbili dhe miqtë e tyre; e para, që të dërgon drejt rrugës nacionale për te Ura Vajgurore e pastaj në qytetin e Beratit. E dyta nga fshati Toshkëz, drejt Krutjes së Poshtme e më pas humb ndjekja, pasi ka shumë degëzimë rrugësh. Pistë, e cila po monitorohet imtësisht nga uniformat blu është nga fshati Cërraga, rrugë që lidhet me zonën e Dumresë e më pas shkon në Belësh e përfundon në Cërrik.
Dy nga autorët e masakrës me dy të vrarë në Lushnjë janë ende në kërkim, por hetuesit kanë shumë enigma. Në një kohë që nuk është identifikuar autori i tretë, grupi hetimor nuk ka gjetur as pronarin e vërtetë të makinës tip “Benz” që u përdor në masakër dhe më pas u shkrumbua. Sipas Prokurorisë së Lushnjës, targa e automjetit të djegur që u gjet në afërsi të fshatit Çukaj, në një rrugë dytësore, nuk korrespondon me shasinë, ç’ka hedh dyshime se mund të jetë vendosur targë falco. Por në të njëjtën kohë numri i shasisë së “Benz”-it është tepër i dëmtuar.
Një orë pas ngjarjes së datës 11 tetor, policia zbuloi mjetin në flakë, kurse në brendësi të tij tre kallshnikovë. Që prej asaj dite, policia vazhdon kontrolle në gjithë territorin e vendit për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim; Laert Haxhiut dhe Orgest Bilbilit.
Prokuroria nuk konfirmon asnjë pistë të re, apo dëshmi që të çojë në identifikimin e autorit të tretë të ngjarjes. Ditën e shtunë në mbrëmje, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa, bëri një vizitë të papritur në Komisariatin e Lushnjës dhe kërkoi zbardhjen urgjente të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve.

Interpol Tirana nuk di ku ndodhet Domart Konjari

Interpol Tirana e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, por nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e Domart Konjarit, i pandehur tek Krimet e Rënda, si drejtues i grupit të trafikut të drogës në Francë.
Shkresa e Interpol u lexua në seanën e së hënës, e cila u shty për shkak të mosgjetjes së Konjarit dhe njoftimit të të pandehurit për gjyqin. Konjari ndodhet në arrati, pasi ende nuk është ekzekutuar masa “arrest në burg”, caktuar në mungesë ndaj tij.
Në të njëjtën seancë, Gjykata citoi edhe një shkresë të Komisariatit të Policisë Nr. 4, sipas të cilit Konjari nuk ishte më banor i kësaj zone. Gjykata shtyu seancën, në pritje të një përgjigjeje nga Komisariati i Policisë Nr.1 në Tiranë, si edhe rikërkoi informacion nga Interpol Tirana.
Lirimi i Konjarit nga qelia në mars 2016, shkaktoi përballje mes Prokurorisë dhe Apelit për Krimet e Rënda. Për lirimin e tij reagoi ambasadori francez në Tiranë. Ministri i kohës i Drejtësisë, bëri një ndjesë publike.