21.5 C
Tirana
E hënë, 23 Qershor, 2025

Tillerson: Trump do të ndreqë mangësitë e marrëveshjes me Iranin

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson e pranoi sot se, Irani “teknikisht po respekton” marrëveshjen ndërkombëtare për frenimin e zhvillimit të armëve bërthamore, por tha se Presidenti Donald Trump kërkon të zbatojë një “stategji më të plotë” për të rregulluar ato që udhëheqësi amerikan i shikon si të meta në pakt.
Kryediplomati amerikan i tha rrjetit televiziv CNN se, Teherani ka “demonstruar praktikën e shkuarjes deri në kufi” të moszbatimit të marrëveshjes së vitit 2015, duke bërë që Presidenti Trump të mos çertifikojë të premten respektimin e marrëveshjes nga Irani, dhe duke ia lënë në dorë Kongresit mundësinë për të rivendosur sanksionet që ishin para arritjes së marrëveshjes së Teheranit me Shtetet e Bashkuara, Bashkimit Evropian, Francën, Britaninë, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën.
Zoti Tillerson tha se, Presidenti Trump dëshiron që Kongresi, ndoshta përmes një marrëveshjeje tjetër, të rregullojë një “numër mangësish” në marrëveshjen bërthamore dhe të trajtojë “një listë më të gjerë kërcënimesh” që Irani paraqet me agresionin ushtarak dhe “aktivitetet destabilizuese” në Lindjen e Mesme. Ai tha se, provat e Iranit me raketa balistike, të papërfshira në marrëveshje, duhet të ndalohen dhe duhet të vendoset një kufizim më përcaktues ndaj programit të tij bërthamor. Zoti Tillerson tha se, marrëveshja aktuale “thjesht shtyn procesin” mbi ambicjet bërthamore të Iranit. Ndërkohë, nëse Kongresi shqyrton nëse do të vërë sanksione të reja, tha zoti Tillerson, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera nënshkruese duhet që të zbatojnë plotësisht marrëveshjen.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, që negocioi paktin për Teheranin, i tha emisionit “Face the Nation” në kanalin televiziv CBS se me kundërshtimin e marrëveshjes nga zoti Trump, “askush tjetër nuk do të besojë ndonjë administratë amerikane që të angazhohet në negociata afatgjata, sepse zbatimi i marrëveshjeve afatgjata tani e tutje varet nga zgjatja e mandatit të një presidenti amerikan”.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, i tha rrjetit televiziv NBC se mendonte se, për momentin Shtetet e Bashkuara do të respektojnë marrëveshjen me shpresat për të përmirësuar situatën dhe se ky ishte synimi. Nuk po braktisim marrëveshjen, tha ajo, por po mundohemi që ta përmirësojmë situatën në mënyrë që amerikanët të ndihen më të sigurtë, u shpreh ajo. Asnjë nga pesë shtetet apo Bashkimi Evropa që arritën marrëveshjen me Iranin nuk është pajtuar me qëndrimin kundër të Presidentit Trump.

Spanja: Lideri i Katalonjës nuk e ka qartësuar statusin e pavarësisë

Qeveria e Spanjës thotë se lideri separatist i Katalonjës, Carles Puigdemont, ka dështuar të qartësojë nëse ai e ka shpallur pavarësinë pas referendunit në këtë rajon autonom.
Madridi i kishte dhënë afat zotit Puigdemont deri sot për ta qartësuar qëllimin e tij para se qeveria qendrore të lëvizte për suspendimin e autonomisë së Katalonjës.
Në një letër të publikuar para se të kalonte afati, Puigdemont ka kërkuar dy muaj të negociatave me qeverinë e Spanjës.
Zëvendëskryeministrja e Spanjës, Soraya Saenz de Santamaria, tha sot se Puigdemont nuk ka dhënë përgjigje adekuate në letrën e tij dhe se deri më 19 të këtij maji, ai duhet t’i kthehet respektimit të legjislacionit të Spanjës.
Më 10 tetor, liderët e Katalonjës e kanë nënshkruar deklaratën e pavarësisë, por e kanë ndalur implementimin e saj për të mundësuar bisedime me Madridin.
Gjykata Kushtetuese e Spanjës e ka shpallur ilegal votimin në referendum.

Betonizimi i Jugut nga oligarkët, dy komplekse në Ksamil e Jalë

Ndonëse edhe Parlamenti Europian i ka bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme qeverisë të heqë dorë nga vendimet e ndërtimit të hec-ve mbi lumenj qeveria vijon intensivisht masakrën mjedisore duke dhënë të tjera leje që shkatërrojnë tërësisht mjedisin dhe pasuritë urojre të vendit
Rama nis shkatërrimin e bregdetit të jugut, ndërtime betoni dhe komplekse turistike për klientët e miqtë pranë tij
Shqipëria po shndërrohet në një plaçkë në duart e grupeve të ngushta të oligarkëve pranë Ramës. Vetëm Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) i ka dhënë “ok” lejeve për zhvillimin e një kompleksi turistik në Jalë dhe një tjetër në Ksamil. Referuar vendimeve për kompleksin e Jalës, subjekt zhvillues do të jetë “Soleil & Sea” sh.p.k kurse në Ksamil “Boiken” sh.pk”. Në sy bie edhe një vendim tjetër për një kompleks turistik, por që në këtë rast nuk kemi të bëjë me një leje të re, por vetëm me shtyrje të afatit për lejen e ndërtimit të një për objektin: “Ndërtimi i Kompleksit Turistik “41˚N19˚E”, në fshatin Shetaj, Komuna Ishëm, Qarku Durrës, me subjekt zhvillues shoqëria “MWPlan” sh.p.k. “Leje zhvillimi për objektin “Kompleks Turistik në parcelën 5 dhe 6 a, Zona Kadastrale 2297, në zonën turistike Ksamil, Sarandë”, me subjekt zhvillues shoqëria “Boiken” sh.p.k. Leje Zhvillimi për objektin: “Kompleks banimi, shërbimi dhe prodhimi për komunitetin Iranian në Shqipëri”, me vendndodhje në Manëz, Bashkia Durrës, me subjekt zhvillues shoqata “F.A.R.A”. Leje për shtyrjen e afatit të Lejes së Ndërtimit për objektin: “Ndërtimi i Kompleksit Turistik “41˚N19˚E”, në fshatin Shetaj, Komuna Ishëm, Qarku Durrës, me subjekt zhvillues shoqëria “MWPlan” sh.p.k. Leje Zhvillimi për objektin: “Kompleks Turistik, Hoteleri dhe Shërbime, me vendndodhje në Jalë, Bashkia Himarë”, me subjekt zhvillues shoqëria “Soleil & Sea” sh.p.k. Njoftim anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Territorit mbi kërkesat për kontroll përputhshmërie të shqyrtuara nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, për periudhën 22.02.2017 deri më tani, sipas Vendimit Nr. 1, datë 30.07.2015 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave që do të ndiqen nga Autoritetet e Zhvillimit të Territorit për shqyrtimin e kërkesave për Leje Ndërtimi deri në miratimin e Planeve të Përgjithshme Vedore”, i ndryshuar” thuhet në vendimet e KKT. Shtatë Bashki të tjera në vend kanë marrë miratimin nga Këshilli Kombëtar i Territorit për planet e tyre vendore. Ky grup i bashkohet tashmë simotrave të tyre, që morën miratimin në muajin prill të këtij viti në një nga mbledhjet e fundit të mbajtura nga ana e KKT. Bashkitë që kanë marrë miratim të planeve janë: Vlorë, Himarë, Sarandë, Konispol, Shkodër, Lezhë, Rrogozhinë. “Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Vlorë. Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Himarë. Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Sarandë. Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Konispol. Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Shkodër. Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Lezhë. Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Rrogozhinë. Leje Zhvillimi për rikualifikimin në zonën urbane pranë qendrës së qytetit Vlorë, restaurimin e monumenteve të kulturës në këtë zonë dhe rikonstruksion i objekteve të tjerë ekzistues, me subjekt zhvillues Bashkia Vlorë. Leje Ndërtimi Infrastrukture për: “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës, Aksi Selenicë-Kuç-Qeparo”, me subjekt zhvillues Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Leje Ndërtimi Infrastrukture për: “Rikonstruksion i rrugës Shkodër-Velipojë”, me subjekt zhvillues Bashkia Shkodër. Leje Ndërtimi Infrastrukture për: “Rikonstruksion i rrugës Fushë-Krujë-Thumanë, Bashkia Krujë”, me subjekt zhvillues Bashkia Krujë. Leje Zhvillimi për objektin: “Terminali i autobuzave Korçë”, Bashkia Korçë, me subjekt zhvillues Bashkia Korçë. Leje Zhvillimi për ndërtimin e objektit: “Terminali i Autobuzeve, Fier”, me vendndodhje në Bashkia Fier, me subjekt zhvillues Bashkia Fier. Leje Ndërtimi për objektin: “Zona Jet A1 për Magazinimin e Karburantit dhe Sistemin e Shpërndarjes, Aeroporti“NËNË TEREZA” (TIA)”, shoqëria “A&V – Gas” sh.p.k. Leje ndërtimi për objektin: “Ndërtimi dhe administrimi i Impiantit të Trajtimit të Mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, me subjekt zhvillues shoqërinë Integrated Technology Waste Treatment Fier.

Monitor

Basha me biznesin e vogël: PD luftë skemës Rama për TVSH

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ka premtuar bizneseve të vogla se PD do të luftojë nismën e qeverisë për skemën e TVSH ndaj bizneseve, ndërsa i ka garantuar ata për mbështetjen e fuqishme dhe krijimin e mundësive në mbajtjen e aktiviteteve të tyre. Basha takoi përfaqësues të biznesit të vogël lidhur me projektin e qeverisë Rama për përfshirjen e tyre në skemën e pagesës së TVSH. Tregtarët e vegjël me biznes kryesisht familjar, në zonën e Paskuqanit, thanë se futja e tyre në skemën e TVSH do të sjellë kosto shtesë për ta, rritje çmimesh, dhe pamundësi për të mbajtur aktivitetin, pasi edhe me çmimet aktuale ata mezi ia dalin të mbyllin muajin. Basha theksoi se ai dhe Partia Demokratike do të luftojnë që kjo çmenduri të mos ndodhë dhe kërkoi bashkimin e biznesit të vogël në këtë betejë.
“Vijnë e na gjobisin. Ne nuk e çojmë mallin jashtë shtetit. Kontrabandën nuk e bëjmë ne biznesi i vogël. Na vendosin 500 mijë lekë gjobë. E për çfarë?! Për një kupon. Mund ta bësh gabim kuponin nga 200, në 2 mijë lekë, por prapë të venë gjobë. Kjo është për të mbyllur dyqanin. Më kanë borxh prej 2 vitesh, skanë lekë të më sjellin”, tha Xhevairi, një pronar i një dyqani materialesh ndërtimi. “Ke menduar se do të fusin në skemën e TVSH-së?”, pyeti Basha, një pronar bari. “Eshtë një dëm për të dy krahët, për popullin”, tha ai. “Sa do e shes kafen po të erdhi 20% TVSH-ja?”. “Do ngrihet, do shkojë 700 lekë. Populli nuk ka as mundësi ta paguajë as 500 lekë. Zor se e pi një kafe, por po tek ushqimet?! Me këtë që është duke bërë ai është skandal. Eshtë fare skandal”, u përgjigj pronari.
“Siç e ka nisur ai këtë punë do e çojë popullin në zero. Ska bukë të hajë tani, por do e ulë më poshtë. Nuk e di çfarë do bëjmë. Ndoshta edhe populli shqiptar është paksa naiv. Duhet të çohet populli me këto që bën ai. Duhet të marrë flakë”, u shpreh pronari i barit në lagjen Babrru. Festimi ka një bar buzë rruge me të cilin jeton. Ai thotë se rritja e TVSh-së do e bëjë të mbyllë lokalin.
“Nëse do rritet TVSh-ja do rris çmimet. Nga 500 lekë që e kam kafen do e çoj 700. Prapë populli do e hajë. Po e rrita çmimin ska për të ardhur njeri në lokal. Unë me thënë të drejtën, kam qenë i majtë. Nuk jam i kënaqur fare. Nuk ecet më. 27 vite e tani po shkojmë poshtë. Nuk ecet më me mashtrime”, tha Festimi. “Ne kemi dalë sot t’u dëgjojmë. Ne këtë qendrim kemi që rritja e TVSH-së do shkatërrojë biznesin e do rrisë çmimet. Për këtë arsye jemi kundërvënë, nuk është se po bëjmë politikë”, iu përgjigj Basha. “Nuk ka politikë. Këtu kemi të bëjmë me bukën”, tha Festimi. Luljeta, një pronare pastiçerie tha se ajo do detyrohet të rrisë çmimet. “Unë këtë sot e shes 500 dhe nesër do duhet ta shes 600”, tha ajo. “Por ai të thotë që vere njëherë TVSH-në e pastaj TVSH-në e merr nga shteti mbrapa?”. “Siç do ta jap nuk ma jep. Ai është borxh që nuk kthehet”, përgjigjet Luljeta.
Lulzim Basha shpjegon projektin e tij. “Ne qeverisë i themi ta bëjë biznesin e vogël me 12 milionë lekë të reja në vit xhiro, ose 120 milionë lekë të vjetra. 120 milionë e poshtë quhet biznes i vogël dhe pa TVSH. Ne jemi kundër rritjes së TVSH-së, pikërisht se do rrisë çmimet e do falimentojë biznesi”, tha Basha. Bujar Marku ka një market të vogël. “Për mendimin tim TVSH-ja është falimentim”, thotë ai. “Sepse TVSH-ja do sjellë rritje çmimesh dhe do e paguajë populli. Do bjerë konsumi. Nëse është 100 lekë do shkojë 120 lekë”. Një pronar i një dyqani materialesh ndërtimi thotë se po u vendos TVSH, ai do të ulë qepenat. “Do ta hap prapë, kur të vijë Lul Basha në pushtet”, shprehet ai.

Berisha pëson 3, Genoa gjen fitoren e parë

Atalanta e Etrit Berishës u mposht 3-1, në transfertën ndaj Sampdorias, ndonëse e mbylli pjesën e parë në avantazh. Portieri i kombëtares shqiptare ishte si zakonisht mes shtyllave, por nuk mundi të ndalë dot goditjet e kundërshtarëve. Torino barazoi 2-2, në minutat shtesë, në transfertën ndaj Crotones së Ajetit dhe i hoqi këtij të fundit mundësinë e hakmarrjes ndaj ish skuadrës. Edhe Ajeti luajti për 90 minuta dhe ishte nga më të mirët në skuadrën e tij. Më në fund, Genoa gjeti fitoren e parë në këtë sezon, pas 5 humbjesh dhe dy barazimesh. Skuadra e drejtuar nga Juriç, triumfoi 2-3, në transfertën ndaj Cagliarit.

Morati: Ky Inter, i denjë për titullin!

Pas atij triumfi 3-2 në “San Siro” ndaj Milanit, ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti, në një prononcim publik foli mbi rivalët e “zikaltërve” në Serinë A. “Përtej asaj që themi të gjithë, që Napoli i këtij viti është me të vërtetë i fortë, unë do të shtoja se është konkret dhe me lojë të bukur. Nga ana tjetër, kemi Interin, që pas derbit më ka dhënë idenë se tashmë është më shumë një skuadër, ndoshta është një iluzion i pasndeshjes, por unë do të uroja që lufta për titullin të ishte reale. Më pas kemi Juventusin, gjithmonë një skuadër shumë e fortë. Gjithsesi, nëse Interi do të vazhdojë të ecë përpara, duke treguar karakter, dëshirë për t’ia dalë, por të ketë edhe pak fat, atëherë gjasat janë që ta fitojë kampionatin”, u shpreh Morati.
Moratti shton gjithashtu se e shijoi derbin si tifoz dhe se është i lumtur që pronarët kinezë janë treguar korrektë, duke mos ia hequr aspak shijen milaneze derbit të Madoninnës. “E shijova ndeshjen dhe emocionet nuk munguan. Për Spallettin mund të them se është një trajner i shkëlqyer. Skuadra ka ende nevojë për t’u kompletuar dhe, po të mos ishte për fair play-n financiar, besoj se do të kishin bërë një tjetër sforco ekonomike, që mendoj se do të ndodhë pak më vonë”, tha ai.
Në lidhje me sistemin “VAR”, Moratti shton: “Në fillim nuk isha shumë entuziast, sepse e ndërpret ndeshjen, duke zbehur edhe polemikat që janë pjesë e futbollit. Të zemërohesh me arbitrin është gjithashtu pjesë e këtij sporti. Ndërsa tani na vjen kjo zgjidhja magjike, “deus ex machina” që të dhuron sistemi “VAR”. Jep zgjidhjen perfekte. Gjithsesi, duhet të pranoj se, Interi ka patur më shumë penallti këto ditë me “VAR” krahasuar me gjithë vitin e shkuar”.

Napoli bën presing!

Pep Guardiola ka folur për kundërshtarin e të martës në mbrëmje, në Champions, kryesuesit e Serisë A, Napolin. Trajneri spanjoll ka vlerësuar lojën e tyre dhe idetë e trajnerit Sarri, teksa është shprehur se ka admirim për këtë të fundit. “Ata luajnë futboll të njëjtë me ne, presing të lartë, me pasime të shpejta dhe vertikale. Më pëlqejnë shumë idetë e Sarrit, është nga të paktët trajnerë që e adhuroj”, tha spanjolli.
Guardiola vlerësoi edhe paraqitjet e Lorenzo Insignes, duke i cilësuar atë si futbollistin më të mirë të italianëve. “Insigne është një lojtar shumë i shpejtë, teknik, i aftë të futet në hapësira të ngushta dhe me një nuhatje të shkëlqyer për portën. Gjithsesi, është edhe loja e skuadrës ajo që ia lehtëson punën”, tha Guardiola.
Trajneri spanjoll, thurri elozhe edhe për Napolin e Maurizio Sarrit. “Napoli më pëlqen shumë kur e shikoj se si luan. Ka lojtarë të mrekullueshëm si Mertens, që po bën mirë edhe rolin e Higuainit në qendër të sulmit. Nuk i them këto fjalë thjesht për ta respektuar si kundërshtar. Ata luajnë në një mënyrë ndryshe nga Premier League dhe ne duhet të përshtatemi kundër tyre”, tha ai.
Dihet debulesa e Pep Guardiolës për Lionel Mesin, të cilin e ka patur nën urdhrat e tij te Barcelona. Trajneri i Manchester City-t, kur u pyet për nivelin e Kevin De Bruyne, duke e krahasuar me “yllin” e Barcës, dha një përgjigje të drejtpërdrejtë:
“Çdo trajner e ka ëndërr të rrisë nivelin e lojtarëve të tij, që të krahasohen me Lionel Mesin. Kevin është një futbollist fantastik, por nuk mund ta krahasojmë me një kampion si Lionel Mesi, i aftë për të shënuar 60 gola në sezon. De Bruyne mund të përmirësohet më shumë dhe të shndërrohet ndër më të mirët në botë”, u shpreh Guardiola.
Napoli i tij po ecën me një ritëm të frikshëm, pasi ka regjistruar 8 fitore në 8 ndeshjet e para të Serisë A dhe kryeson me pikë të plota kampionatin. Por edhe pse ky mund të jetë sezoni i duhur për të fituar një tjetër titull kampion pas atyre të viteve 1987 dhe 1990, presidenti i të kaltërve Aurelio De Laurentis është supersticioz dhe nuk e përmend kurrsesi fjalën “Scudetto”.
Në një intervistë i pyetur nëse Napoli mund të fitojë titullin, numri 1 i klubit jugor theksoi se është supersticioz dhe atë fjalë nuk e përmend, pasi mund t’i ndjellë ters skuadrës së tij, duke u kërkuar gazetarëve të ndryshojnë temë. De Laurentis nënvizoi gjithashtu se, te Napoli do të përpiqen të bindin sulmuesin polak Milik të huazohet te Chievo në janar për të rifituar formën e tij optimale pas dëmtimit që po e mban jashtë fushave gjatë kësaj periudhe.

Real e United negociojnë shkëmbimin Bale-De Gea

Manchester United dhe Real Madrid janë duke diskutuar për të realizuar shkëmbimin kokë më kokë mes sulmuesit uellsian Gareth Bale dhe portierit spanjoll De Gea. Bale ka nisur sezonin e tij të pestë te madrilenët, por asnjëherë nuk ka arritur të bëhet lider dhe në moshën 29-vjeçare do të mirëpriste një rikthim në Angli. Edhe Mourinho është në kërkim të një futbollisti që të jetë i aftë të luajë në të dy krahët dhe një ekspert i Premier League, si uellsiani do t’i bënte shumë punë.
Nga ana tjetër, edhe 26-vjeçari De Gea luan prej 6 vitesh në Angli dhe ka kohë që e ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga ishulli dhe rikthyer në Madrid. De Gea është një nga portierët më të mirë në qarkullim dhe Reali do të ishte i gatshëm t’i besonte katërkëndëshin për vitet e ardhshme. Gjithsesi, për të parë nëse ky transferim do të konkretizohet apo jo, duhet të presim fundin e Botërorit ‘Rusi 2018’, sepse deri atëherë do të jetë e pamundur të bëhen hapa konkretë.

Sion humb sërish, ‘mbushet kupa’ për Tramezzanin?!

Sioni është mposhtur sërish në fushën e vet, 1-2 ndaj St. Gallenit dhe kjo me shumë gjasa do të jetë ndeshja e fundit e Tramezzanit në krye të tyre. Ish-ndihmës trajneri i De Biasit te kombëtarja shqiptare, erdhi për të drejtuar ekipin drejt titullit kampion dhe pati dorë të lirë në merkato, por deri tani ka zhgënjyer tërësisht. Sion është eliminuar nga Europa League dhe nga Kupa e Zvicrës, ndërsa në kampionat ka marrë vetëm 12 pikë në 11 takime. Te Sion luajnë edhe dy futbollistët e kombëtares shqiptare, Ermir Lenjani dhe Burim Kukeli, të dy të afruar nga Tramezzani gjatë kësaj merkatoje verore, por që nuk kanë mundur t’i shpërblejnë atij besimin.

Skënderbeu – Partizani i Beogradit, gjykon polaku Stefanski

Daniel Stefanski është gjyqtari kryesor që UEFA ka ngarkuar për të drejtuar takimin e ditës së enjte, Skënderbeu – Partizani i Beogradit. 40-vjeçari nga Polonia do të ketë asistentët e tij, Marcin Boniek dhe Dawid Igor Golis. Ndihmësat e treshes kryesore do të jenë polakët Bartosz Frankowski dhe Zbigniew Dobrynin, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Krzysztof Myrmus. Për ekipin e Ilir Dajës, që vazhdon të mbetet i pamundur në shtëpi në aventurën e sivjetshme në Europa League, kurioz është fakti që është arbitruar përherë nga gjyqtarë nga vende të ndryshme. Kështu për Skënderbeun sivjet kjo është ndeshja e 11-të në Europa League dhe është për herë të parë që klubi korçar do të gjykohet nga një arbitër polak. Daniel Stefanski ka drejtuar gjithsej 27 takime klubesh dhe 25 ndeshje të skuadrave përfaqësuese, ku pjesën më të madhe, më saktë 13 prej tyre, e zënë pikërisht sfidat e moshave të 19 dhe 21-vjeçarëve. Në 18 nga këto 52 ndeshje, Stefanski ka qenë gjyqtar i katërt. Polaku konsiderohet një arbitër që e nxjerr lehtë kartonin e verdhë, por tepër rrallë atë të kuq, pasi numërohen vetëm 9 të tillë gjithsej.