30.5 C
Tirana
E hënë, 23 Qershor, 2025

Shqipëria humbet 5 vende në FIFA

Dy humbjet radhazi me Spanjën dhe Italinë kanë bërë, që Shqipëria të humbasë 5 vende në renditjen e re të publikuar nga FIFA për muajin tetor. Edhe pse përballë kishin dy kundërshtarë të nivelit shumë të lartë, kuqezinjtë kanë rrëshkitur me 5 pozicione në klasifikimin e ri të FIFA-s dhe tashmë pozicionohen të 71-të. Shqipëria është kaluar nga Uganda, ndërsa me 498 pikë në total mban pas Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Malin. Ka fituar një pozicion Kosova pavarësisht humbjeve ndaj Ukrainës dhe Islandës, teksa renditet në vendin e 183-të. Vazhdon të kryesojë Gjermania që me 1631 pikë në total lë pas Brazilin, Portugalinë, Argjentinën, Belgjikën e Poloninë. Ka fituar 3 vende Spanja që renditet e 8-ta, ndërsa spikat ngjitja në 10-shen e parë e Perusë.

E ardhmja e Grezdës në Serinë A

Paraqitja pozitive e Eros Grezdes në sfidën e “Loro Boriçit” ndaj të kaltërve, ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane që parashikojnë një të ardhme në Serinë A për mesfushorin me tipare sulmuese. Faqja e specializuar, “Tuttomercatoweb” thekson fillimisht se Grezda e vuri disa herë në vështirësi portierin Giggi Buffon, duke i dhënë një ndihmë të madhe në krahun e majtë edhe kapitenit Agolli. “Në aspektin e grintës, ai e vuri disa herë në vështirësi skuadrën e Venturës në ndeshjen e Shkodrës, kjo për meritë edhe të eksperiencave në disa kampionate konkurruese”, thekson faqja italiane që shton më pas se, Grezda u bashkua që në moshën 15-vjeçare me Dinamon e Zagrebit dhe më pas provoi disa eksperienca të ndryshme në Austri dhe Slloveni përpara se të rikthehej në Kroaci te Lokomotiva e Zagrebit, ku bëri hapin e madh të karrierës.
“Tuttomercatoweb” thekson se, në krahun e djathtë të sulmit, ai arrin të shfaqë gjithë potencialin e tij dhe kontrata e tij me klubin aktual të Osijek skadon në vitin 2021. “Trajneri Zekic ka në dispozicion një thesar, të cilit mund t’i besojë shumë dhe nuk është rastësi që janarin e shkuar Crotone shfaqi interes për të. Kjo ndodhi pak ditë përpara debutimit të tij me Shqipërinë në Palermo dhe me shumë mundësi, gjatë merkatos së dimrit, interesi për të do të rikthehet”, përfundon shkrimin “Tuttomercatoweb”.

PSG, Hatem Ben Arfa pranë kalimit te Lille

Hatem Ben Arfa i ka ditët e numëruara te Paris Saint Germain. Sulmuesi francez që pas transferimit në Paris nuk ka patur asnjëherë shanse për të treguar vlerat në fushë, madje ka dhe një betejë ligjore me klubin, por në janar do të luajë në një tjetër ekip francez. Është Marcelo Bielsa që ka bindur lojtarin për t’u transferuar te Lille ku mund të luajë vazhdimisht dhe pa presion. Drejtuesit parisienë nuk do të bënin rezistencë për një lojtar që nuk ka zbritur asnjëherë në fushë këtë sezon me trajnerin Emery.

Buka jashtë standardit, mielli serb po nxjerr kompanitë shqiptare nga tregu

Alarmi që industria e blojës dha një vit më parë se importi i miellit serb nga Kosova po cenon rëndë sigurinë ushqimore dhe po dëmton në mënyrë të padrejtë bizneset e tyre duket se është bërë realitet, i konfirmuar tashmë nga sipërmarrësit e sektorit dhe shifrat zyrtare të bilanceve dhe doganave. Ambienti i vështirë i biznesit nga taksat dhe çmimi i lartë i energjisë ka marrë goditjen finale nga një marifet i importeve nga Kosova, ku mielli i biskotave pa proteinë po hyn si miell buke me çmim më të lirë. Prej këtij fenomeni, fabrikat më të mëdha të prodhimit të miellit në vend kanë pësuar rënie dyshifrore të xhirove në vitin 2016 dhe punojnë me gjysmën e kapacitetit të instaluar. Të dhënat e doganës për 2016-ën konfirmojnë një rënie të importeve të grurit (që përdoret si lëndë e parë nga industria vendase përpunuese) dhe rritje të importeve të miellit të gatshëm, teksa çmimi për kg i miellit që hyn në Shqipëri nga Serbia ka rënë ndjeshëm dhe është dukshëm më i ulët se ai që hyn nga shtetet e tjera si Greqia, apo Italia.
Administratorët e sipërmarrjeve përpunuese shqiptare lajmërojnë se situata është përkeqësuar edhe më tej në 2017-ën. Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Miellit raportoi se së paku 50 linja të përpunimit në vend kanë mbyllur aktivitetin gjatë dy viteve të fundit dhe situata po vështirësohet për operatorët e mëdhenj. Punësimi në sektor është reduktuar ndjeshëm, teksa i gjithë zinxhiri i lidhur me këtë industri është vënë në vështirësi për shlyerjen e kredive. Nga ana tjetër, konsumatorët janë tërësisht të ekspozuar nga mungesa e thellë e standardit. Mielli serb me standard proteine 9% nuk mund të bëhet bukë pa ndihmën e disa aditivëve që janë të rrezikshëm për shëndetin. Duke shpjeguar këtë situatë, Adi Haxhiymeri, kryetar i Shoqatës së Industrisë Përpunuese të Miellit, tha se nëse qeveria shqiptare nuk ndërhyn deri në fund të vitit për të ndaluar konkurrencën e pandershme, situata do të përkeqësohet dhe falimenti do të përfshijë edhe fabrikat e mëdha të blojës. Bloja, fabrika nën zotërimin e zotit Haxhiymeri vitin që shkoi pa rënie të xhiros vjetore me 61%.
Edhe operatori tjetër i madh i tregut, Miell Tirana, vitin e kaluar e mbylli bilancin me rënie të shitjeve 12%, teksa aktiviteti është përfshirë në një trend rënës së paku katër vitet e fundit. Administratori i Miell Tirana, Roland Hysi, tha se industria e blojës, si asnjëherë tjetër, është përfshirë nga një konkurrencë e pandershme e importeve që së pari janë një rrezik për konsumatorin. Zoti Hysi tha se aktiviteti i tij është vënë në vështirësi, duke lajmëruar se, nëse nuk merren masat e duhura në kohë, ai mund ta zhvendosë aktivitetin në fushën e importit.
Në të njëjtën situatë është përfshirë edhe fabrika tjetër e përpunimit të miellit Atlas, e cila për të njëjtat arsye është futur në cikël rënës. Të ardhurat nga shitjet e Atlas pësuan rënie vjetore me 23% më 2016, sipas të dhënave nga bilanci të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Dimitrios Thomoglou, një nga aksionerët kryesorë të Atlas dhe njëkohësisht administrator i saj, pohoi pak kohë më parë se importet e miellit pa standard nga Kosova kanë bërë që fabrika e tij të punojë vetëm me 40% të kapacitetit.
Nga ana tjetër, qeveria është përfshirë në një proces të thellë ristrukturimi dhe mbrojtja e interesave të industrisë së blojës duket se nuk do të jetë prioriteti i parë. Më herët, Ministria e Bujqësisë dhe Dogana kanë refuzuar të japin të dhëna rreth mungesës së standardeve të miellit që vjen nga Serbia.

Fabrikat japin alarmin

Nëse nuk i jepet fund konkurrencës së pandershme të miellit nga Kosova, industrialistët shqiptarë do të zhvendosin aktivitetin nga bloja në sektorë të tjera. Fabrika “Bloja” pa përgjysmim të xhiros më 2016 dhe situata, sipas zotit Haxhiymeri, i cili e drejton atë, është përkeqësuar më tej gjatë këtij nga viti. Nga 3.7 miliardë që ishin shitjet e fabrikës së blojës në 2015, ato ranë në 1.4 miliardë lekë më 2016 dhe ky vit pritet të mbyllet edhe më keq. Haxhiymeri po mendon seriozisht që të zhvendoset në aktivitete të tjera, madje edhe jashtë vendit, për shkak se rentabiliteti në industrinë përpunuese ka rënë ndjeshëm. Fakti që ka rreth 200 të punësuar në fabrikë e ka bërë të ndjeshëm atë të vijojë aktivitetin edhe në kushte të vështira.
Shitjet kanë rënë me ritme dyshifrore edhe për fabrikën e Atlas. Nga 1.4 miliardë lekë që ishin shitjet më 2015 ato panë një rënie me 24% në vitin 2016, duke bërë që Atlas të mos xhironte më shumë se 1 miliard lekë. Zoti Thomoglu ka pohuar më parë se aktiviteti është tkurrur ndjeshëm për shkak të importeve më të lira në tregun vendas. Aksionerët e saj kanë investuar 21 milionë euro në teknologji bashkëkohore për të prodhuar rreth 300 tonë miell në ditë, por po shfrytëzohet vetëm një e treta e kapacitetit. Dimitrios Thomoglou, aktualisht administrator, por edhe një nga aksionerët kryesorë të fabrikës, tha se investimi jo vetëm që nuk justifikon vetveten, por ndërmarrja po subvencionohet nga fitimet e aktiviteteve të tjera. Fabrika tjetër e përpunimit, Miell Tirana, gjithashtu ka shënuar ulje të aktivitetit.
Në vitin 2016, xhiroja vjetore e saj ishte 1.8 miliardë lekë, me një rënie 12% në krahasim me 2015. Administratori i saj, Roland Hysi, konfirmoi se situata është rënduar dy vitet e fundit nga konkurrenca e miellit jo cilësor nga Serbia dhe Kosova. “Jam munduar t’i bëj ballë konkurrencës duke e mbajtur të lartë cilësinë. Por rënia e fuqisë blerëse dhe konsumit po çon trendin e blerjes drejt çmimeve më të lira pa marrë në konsideratë sigurinë ushqimore”, – tha Hysi. Ai lajmëroi se nëse situata nuk ndryshon do të marrë në konsideratë zhvendosjen e aktivitetit duke shkuar nga prodhimi në import.
Por teksa fabrikat e mëdha po e përballojnë situatën e rëndë për shkak të fuqisë financiare dhe tregut që zotërojnë, për operatorët e vegjël, ajo ka qenë edhe më e rëndë.
Pothuajse në të njëjtën situatë është e gjithë industria e blojës në vend ku shumë operatorë të vegjël kanë dalë nga tregu.

Mielli serb, si po e dominon tregun

Shoqata e industrialistëve të Blojës pohoi se mielli serb, sidomos në vitin 2017, po e ndan tregun përgjysmë me prodhimin shqiptar. “Nga të dhënat tona, importet e miellit nga Serbia, Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur në rreth 100 mijë tonë vitin e fundit, teksa konsumi i miellit në total është rreth 200 mijë tonë. Më parë, në fillim të viteve 2000, importet nga vendet e rajonit ishin në minorancë”, – tha Haxhiymeri. Sipas të dhënave nga Doganat në vitin 2016 mielli i importuar nga Serbia ishte 42 mijë tonë, ndërsa një pjesë tjetër e madhe hyn kontrabandë pretendojnë prodhuesit e miellit. Sipas te dhënave zyrtare nga doganat importet e miellit nga Serbia janë rritur me 43 për qind, në 2016-n. Ndërsa çmimi i importeve nga Serbia ka rënë ndjeshëm duke vënë në diskutim cilësinë e miellit që importohet nga ky vend. Sipas të dhënave të doganave një kilogram miell nga Serbia u importua me 25 cent të dollarit për tonë nga 35 cent për kilogram që ishte çmimi për kilogramë në vitin 2014, po nga ky shtet.
Çmimi për njësi është shumë më i lirë se mielli që importohet nga shtetet e tjera, psh nga Greqia dhe Italia, me rreth 42 cent për kg, sipas të dhënave të sasisë dhe çmimit nga Dogana.

Rritet importi i miellit, ulet ai i grurit

Sipas të dhënave nga doganat, importet e miellit në total, janë rritur në vitin 2016 me 29% në krahasim me vitin 2015. Ato arritën një vlerë tregu rreth 18 miliardë lekë. Gjysma e këtyre importeve u realizuan nga Serbia. Të dhënat tregojnë se importi i miellit është rritur në mënyrë të qëndrueshme tre vitet e fundit. 65% e importeve të miellit vijnë nga Serbia dhe Kosova dhe pjesa tjetër nga italia dhe Greqia.
Nga ana tjetër, importet e grurit kanë shënuar rënie për të njëjtin vit. Importet e grurit gjatë vitit 2016 ranë me 7% në 325 mijë tonë, teksa importuesit e grurit raportojnë se më 2017, rënia është edhe më e madhe. Në vitin 2016, Serbia ishte furnizuesi më i madh i tregut vendas me drithëra, nga i cili u importua 44% e totalit të importeve me 143 mijë tonë. Më 2015, ishte Rusia furnizuesi i parë që zinte rreth 60% të totalit, teksa shihet se janë ulur dukshëm importet nga italia.
Serbia dhe Rusia furnizojnë mbi 87% të tregut shqiptar me drithëra, me çmime dy herë më të lira se vendet e tjera partnere që kanë 13% të tregut. Një ton grurë nga Serbia kushton, sipas të dhënave nga INSTAT, 206 euro, ndërsa e njëjta sasi nga Rusia është 188 euro. Shihet se po një ton grurë nga italia kushtoi 666 euro dhe nga Spanja 756 euro mesatarisht për 2016. Importet nga këto dy vende nuk zënë as 2% të totalit. Gruri spanjoll dhe ai italian nuk përdoret për bukë, por për pjesë të tjera të industrisë së brumërave që kërkojnë një kualitet më të lartë.
Grafiku i mëposhtëm tregon se në vitin 2016, kur u shfaq dhe shqetësimi i industrialistëve shqiptarë, ka një rritje të fortë të importeve të miellit në total, me 30%. Në të njëjtin vit, importet e grurit, që shërben si lëndë e parë për industrinë vendase ranë me rreth 13%.

Doganat po lejojnë importin e miellit pa standard, fabrikat po mbyllen

Fabrikat janë në kolaps prej katër vitesh. Ky fenomen mori përmasa gjigante me rritjen e eksportit të miellit nga Serbia me 5 herë. Ne nuk jemi kundër importit nga Serbia, por kërkojmë dy kushte. Të importohet miell për bukë vetëm me proteinë 12. Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, tha se, “ligjërimi” i importeve të miellit serb nga Kosova pa standard ka tkurrur në mënyrë drastike aktivitetin e fabrikave të blojës në Shqipëri. Ai tha se, për shkak të kësaj situate, 50 linja të përpunimit të miellit kanë mbyllur aktivitetin dhe janë 30% e punonjësve janë larguar nga puna. Haxhiymeri thotë se importi i miellit pas standarde po bëhet me dijeninë e doganave. Ai zbardhi skemën dhe dha disa rekomandime se si mund të përmirësohet situata. “Standardi 12.5 i proteinave në miell është treguesi kryesor për cilësinë e grurit nga i cili varet edhe çmimi i tij, sikurse klasifikohet nafta nga oktavët dhe ari nga karatët. Ky standard proteinash përcakton edhe çmimin. Kjo do të thotë se mielli me nivel më të ulët proteinash kushton më pak. Ky miell përdoret për biskotat, të cilat pavarësisht cilësisë së miellit, e realizojnë nevojën ushqimore me elemente të tjera. Një udhëzim i Ministrisë së Bujqësisë ka arritur të kamuflojë standardin, duke e lejuar importin e miellit me nivel të ulët proteinash për prodhimin e biskotave. Këtu lindi edhe abuzimi. Shteti shqiptar e licencoi një marrëveshje me tregtarët që sjellin miell nga Serbia, Mali i Zi dhe nga Kosova për futjen e këtij mielli, i cili në ambalazhin e tij shkruan miell për bukë. Asnjë ambalazh që hyn në Shqipëri nuk e ka të shkruar miell për biskota. Tregtarët, nga njëra anë, tregtojnë thjesht miell, dhe organet e shtetit si AKU e klasifikojnë për biskotë (cilësi e dobët). Këtu ne sfidojmë doganën shqiptare, pasi nga 70 mijë tonë miell që kanë hyrë vitin e kaluar me standard proteine 9, në asnjë nuk tregohet në ambalazh që është për biskota. Përveçse është dëmtuar shumë rëndë industria shqiptare e blojës, e cila sot është industria më avangardë në rajon, janë krijuar një sërë problemesh zinxhir. Industria ka investuar 150 milionë euro në fabrika nga të cilat 70 milionë euro janë kredi dhe disa sipërmarrës janë kthyer në kredimarrës të këqij”, shprehet Haxhiymeri.

 

Më të varfërit në Europë çmimet më të larta për bukën e qumështin

Shpenzimet për ushqime zënë peshën më të madhe në buxhetin e familjeve. Ushqime bazë të shportës, si qumështi, buka, vezët, djathi, orizi apo dhe perimet marrin një pjesë të madhe të të ardhurave të familjeve.
Duke krahasuar të dhënat për rajonin, të cilat janë të mbledhura nga portali Numbeo, që ka një databazë të kostove të jetesës, çmimet e pasurive të paluajtshme, përkujdesin shëndetësor, ndotjen, trafikun dhe cilësinë e jetës për të gjitha shtetet në botë, shikojmë se Shqipëria ka çmimet më të larta për produktin e bukës dhe të qumështit.

Buka

500 gramë bukë e bardhë kushton në Shqipëri 0.54 cent, referuar të dhënave të Numbeo.com. Ndërsa në Prishtinë, të njëjtën masë buke mund ta blesh për vetëm 0.29 cent. (shiko tabelën me të dhënat)
Në Beograd, 500 gramë bukë e bardhë kushton 0.4 cent.

Qumështi

Produkti tjetër më i shtrenjtë është qumështi. Për një litër qumësht shqiptarët paguajnë mesatarisht 0.92 cent, më shtrenjtë se i gjithë rajoni. Të njëjtën sasi, shqiptarët e Kosovës e blejnë në Prishtinë mbi 10 lekë më lirë. Sarajeva është kryeqyteti ballkanik me çmimin më të lirë të qumështit, ku një litër blihet për 0.69 cent.
Produktet bazë në përgjithësi prodhohen nga industria vendase dhe duke qenë se një pjesë e mirë e industrisë vendase nuk është konkurruese dhe operon me kosto të larta, çmimet për disa produkte janë më të shtrenjta se rajoni.

Veza dhe djathi

Për sa u përket vezëve, një duzinë me vezë, që është dhe standardi i paketimit kushton në Shqipëri mesatarisht 1.11 euro. Çmimin më të shtrenjtë të vezëve e ka Sarajeva, ku një pako standarde kushton 1.36 euro. Edhe djathi kushton më shtrenjtë në Sarajevë, ku një kilogram bën 5.77 euro. Më lirë djathi kushton në Prishtinë, ku një kilogram është 3.58 euro.

Shqipëria, shteti që shpenzon më shumë për bukë dhe drithëra në Europë
Sipas tabelave të publikuara më herët nga Instituti Europian i Statistikave (Eurostat), shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) ishin 4.9%, më të lartat në Europë.
Shteti i dytë pas nesh është Mali i Zi, me 3.9% të GDP-së si shpenzime për bukë dhe drithëra, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 3.3% dhe Maqedonia me 2.9%. Listën e vijon sërish një vend i Ballkanit Perëndimor, Serbia, me 2.7% (të dhënat për Kosovën mungojnë). Edhe Greqia, ndonëse një vend në Bashkimin Europian, shpenzon 2.7% të GDP-së për bukë dhe drithëra.
Mesatarja e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate (përjashtuar Turqinë dhe Kosovën) është 3.3% e GDP-së, shumë më e lartë se mesatarja prej 1.1% e 28 vendeve të Bashkimit Europian.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se jo vetëm shqiptarët shpenzojnë më shumë për të siguruar këtë nevojë bazë jetike, por kjo përqindje është më e lartë se 10 vjet më parë. Në 2007-ën, viti më i hershëm kur i raporton të dhënat INSTAT, kjo përqindje ishte 4.4, ndërsa në 2016-ën u shënua niveli maksimal prej 4.9% e PBB-së (të dhënat e Eurostat janë përditësuar në qershor 2017).
Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për bukë e drithëra janë 183 euro në vit, më të lartat në rajon. Vendet e zhvilluara shpenzojnë më shumë për frymë për këtë produkt, pasi është më i shtrenjtë, por për shkak të të ardhurave të larta, ai nuk rëndon në xhepat e tyre.

Monitor

Tek Reali nuk kam qenë i lumtur

Në një intervistë të gjatë për “Telefoot”, Jose Mourinho ka folur për etapat më të rëndësishme të karrierës së tij. Mes kujtimeve të “Special One” nuk mund të mungonte koha e kaluar tek Inter: “Ka patur disa momente shumë të bukur, por jam i kënaqur me karrierën time. Champions-i me Port-n? Të fitosh në Europë me një klub të vendit tënd është një ndjesi e veçantë sepse bëhet pjesë e historisë së klubit dhe të vendit”.
Inter – “Inter ka qenë diçka shumë e veçantë, ka qenë një histori dashurie. Kisha një grup fantastik dhe për atë brez lojtarësh ishte mundësia e fundit për të fituar. I kemi dhuruar familjes Moratti dhe të gjithë tifozëve një gëzim të jashtëzakonshëm. Lamtumira ime? Ka qenë momenti më i mirë për të shkuar te Real dhe për t’u përballur me Barcelonën më të fortë të të gjitha kohërave. Pse Barcelona zgjodhi Guardiola-n para meje? Një ditë do të them të vërtetën, por jo sot. Një ditë djali më tha: do të fitosh shumë kundër Messi-t, por jo me atë. Kjo më ka bërë të mendohem”.
Real Madrid – “Vendimi për t’u larguar nga Real Madrid? Vajza ime studionte në Universitetin e Londrës dhe kemi dashur ta mbajmë të bashkuar familjen. Ka qenë një vendim personal dhe gjatë vitit të tretë te Real nuk kam qenë i lumtur”.
PSG – “Ditën tjetër, djali im që jeton në Londër ka vendosur të shkojë në Paris dhe jo në Mançester për të parë ndeshjen, sepse për momentin Parisi është një vend i veçantë. Rinia, cilësia e jetës… është gjithçka fantastike. E ardhmja? Ajo që mund të them është se jam një trajner me ambicie dhe me dëshirën për të bërë gjëra të reja, jam i sigurt se nuk do ta mbyll karrierën time këtu (Manchester United)”.

 

Montella optimist

Optimist pavarësisht humbjes në derbi. E ardhmja e Vincenzo Montellës në stolin e Milanit është vënë në dyshim të madh pas këtij fillim sezoni aspak të mirë me kuqezinjtë, që në 8 javët e para të Serisë A kanë regjistruar 4 fitore dhe 4 humbje. Gjithsesi edhe pse Milani i tij u mposht 3-2 në derbin e Madoninës ndaj Interit, tekniku i kuqezinjve ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e skuadrës. “Kam parë një reagim të shkëlqyer në pjesën e dytë, krijuam 7 apo 8 raste për gol, kemi luajtur me shpirt dhe duhet të shohim anët pozitive të kësaj disfate”, u shpreh Montella.
Objektiv i Milanit vazhdon të mbetet vendi i 4-t që do t’i siguronte kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm me Montellën që beson ende te arritja e tij. “Sigurisht që kemi mundësi për t’u renditur të 4-it, për momentin ky objektiv ngjason me diçka të pamundur, por kampionati është ende shumë i gjatë”, tha ai.
Një lojë e denjë për t’u quajtur “derbi” është parë nga të dyja ekipet e Milanos mbrëmjen e së dielës në “San Siro”, duke mbajtur gjatë gjithë 90 minutëshit nën ankth tifozeritë e të dyja ekipeve. Të parët që kalojnë në avantazh janë zikaltrit me anë të Mauro Icardi në të 28-ën, goli i vetëm për pjesën e parë.
E ndërsa zikaltrit kanë qenë më dominantë në fraksionin e parë të ndeshjes, në të dytën është parë një variant tjetër i “kushërinjve”, ku që në fillim u aktivizua Cutrone në vend të Kessie. E pas një sërë tentativash, Suso në të 56-ën ka barazuar shifrat në 1-1.
Shtatë minuta më pas janë zikaltrit që përfitojnë në mbrojtje nga një gabim i Biglias dhe hidhen në kundërsulm duke kaluar sërish në avantazh me anë të Mauro Icardit. Por asgjë nuk ka përfunduar dhe në minutën e 80, Bonaventura shfrytëzon mjaft mirë një krosim të ardhur në zonë nga ana e Borinit dhe e ka dërguar në rrjetë, duke barazuar rezultatin. Por kur të gjithë filluan të besonin se ndeshja po përfundonte në barazim 2-2, kryesori Paolo Tagliavento ka akorduar penallti në favor të zikaltërve, e cila është shndërruar në gol nga Icardi që shënon kështu golin e tretë personal në këtë derbi dhe të tretin për Interin.
Në minutat e mbetura nuk kishte asgjë për të shënuar dhe pas 3 minuta shtesë, Interi e sheh veten fitues i një ndeshjeje mjaft të vështirë dhe në vendin e dytë pas 8 javësh në Serinë A, vetëm 2 pikë pas Napolit kryesues me të cilin do të përballet javën e ardhshme.
Arlind RAMA

Pochettino: Ronaldo e Messi janë të veçantë

Trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino, ka insistuar se djelmoshat e tij duhet të kenë kujdes nga e gjithë skuadra e Real Madridit e jo vetëm Cristiano Ronaldo kur të përballen në Champions League të martën.
Pochettino përballet me Madridin që ka fituar Ligën e Kampionëve në dy vitet e fundit. Ata fituan në uikend kundër Getafes falë golit të Ronaldos në minutat e fundit të ndeshjes. Favoriti për “Topin e Artë” këtë vit dhe golashënuesi më i mirë në histori të Realit, Cristiano Ronaldo, ka shënuar gjashtë gola në të gjitha garat këtë edicion. “Ai është lojtar shumë i rëndësishëm, por ata kanë shumë futbollistë të mirë”, tha Pochettino.
“Kanë skuadër të mrekullueshme dhe trajner shumë të mirë. Janë klub fantastik, por për të fituar tituj të duhet kontributi i gjithë skuadrës”, shtoi ai. “Cristiano është si Lionel Messi, janë shumë të rëndësishëm për ekipet e tyre. Ai është një ndër lojtarët më të mirë në botë, kjo është e qartë”. “Është e vështirë të thuash diçka për këta lojtarë, sikur Diego Maradona – ata janë specialë”.
“Ata mund ta ndryshojnë ndeshjen dhe të bëjnë ekipin e tyre të luajë më mirë. Nuk jemi duke luajtur vetëm kundër Real Madridit, por do të luajmë edhe kundër lojtarit më të mirë në botë”, theksoi mes të tjerash Pochettino. Real Madridi dhe Tottenhami do të përballen në “Santiago Bernabeu” të martën në ora 20:45.

Balotelli, “këshilltar” i Milanit

Mauro Icardi ishte protagonisti i padiskutueshëm i derbit të së dielës mes Interit e Milanit. Kapiteni i zikaltërve ishte autori i të 3 golave për skuadrën e tij, duke shkruar tashmë emrin në historinë e kësaj skuadre. Paraqitja e argjentinasit nuk ka lënë asnjë indiferent, madje as Mario Balotellin, që ka qenë pjesë si e Interit, ashtu edhe e Milanit. Sulmuesi i Nicës vendos të marrë edhe rolin e “këshilltarit” për kuqezinjtë. “Icardit i bëj komplimentet e mia. Është vërtet shumë i zoti, një golashënues i vërtetë. Ndoshta Milani zgjohet dhe blen kartonin e tij”, shkruan Balotelli në rrjetin social Instagram. Mauro Icardi, me paraqitjen e bërë në “San Siro” e çoi në 9 kuotën e golave të shënuar, në 8 ndeshje të luajtura këtë sezon në Serie A. Përpara tij qëndrojnë vetëm Immobile i Lacios, me 11 gola, dhe Dybala i Juventusit, me 10 të tillë.

Barcelona mendon për Eriksen

Barcelona ka piketuar objektivin për merkaton e janarit. Sipas asaj që raportohet në media, klubi katalanas dëshiron mesfushorin e Tottenham, Christian Eriksen, i cili ka kontratë me “Spurs” deri në vitin 2020. Kartoni i 25-vjeçarit kushton 50 milionë euro dhe blaugranat duhet vetëm të gjejnë akordin me Tottenham, pasi vetë lojtari nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të luajtur në një skuadër si Barcelona.