28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

OECD-EUROPOL: Shqipëria, portë kryesore për ilaçet e falsifikuara

Cassetti contenenti farmaci all'interno di una farmacia a Roma, in una immagine di archivio. ANSA/VIRGINIA FARNETI

3 vende të tjera  njëlloj si Shqipëria, shërbejnë si porta kyçe për produktet farmaceutike të BE që prodhohen kryesisht në Azi...

Jo vetëm trafik droge, armësh e krim i organizuar, por Shqipëria së fundmi rezulton në listën e vendeve të EUROPOL për kontrabandën e ilaçeve të falsifikuara. Shqetësimet e ngritura prej vitesh nga opozita mbi futjen e medikamenteve të falsifikuara në Shqipëri dhe futjen e tyre në tregun vendas përveç trafikut në vendet e Europës tashmë vërtetohen edhe nga organet zyrtare të Bashkimit Europian. Një studimi i fundit i Zyrës së Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Evropian, OECD dhe EUROPOL e kanë cilësuar Shqipërinë si një ndër portat kryesore hyrëse të ilaçeve dhe pajisjeve të tjera mjekësore.
Egjipti, Maroku dhe Ukraina, janë 3 vendet e tjera që njëlloj si Shqipëria, shërbejnë si porta kyçe për produktet farmaceutike të BE-së që prodhohen kryesisht në Azi. Po ky raport, e vendosi Shqipërinë në vendin e shtatë në listën me 10 vendet kryesore që shërbejnë si burim i ilaçeve farmaceutike të falsifikuara.
Por, ilaçet e falsifikuara dhe ilegale vazhdojnë të mbeten një problem global. Kështu, në vitin 2008, tetë vende kanë nënshkruar një marrëveshje për një propozim të udhëhequr nga Interpoli, Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ky propozim kishte qëllim të frenonte tregun e paligjshëm të ilaçeve dhe mjeteve të tjera mjekësore.
Kjo iniciativë u quajt ‘Operacioni Pangea.” Në bastisjen e fundit që u bë, morën pjesë 197 policë, shërbime doganore dhe agjenci shëndetësore nga 123 shtete. U arrit një rekord me shifra të habitshme: më shumë se 400 të burgosur, 3 584 faqe interneti të mbyllura dhe më shumë se 3000 reklama ilaçesh ilegale të hequra. Përveç kësaj, ilaçet u konfiskuan për 43 milionë euro.
Një fitore e vogël mbi një biznes që qarkullon miliarda euro çdo vit. Një raport i Pfizer në vitin 2014 pohoi se, qytetarët në 14 vende evropiane kishin shpenzuar rreth 11.8 miliardë dollarë për blerjen e ilaçeve në burime të paligjshme.
Përveç kërcënimit të shëndetit publik, sepse ato mund të përmbajnë përbërës të rremë, ndikimi i tyre ekonomik është shumë i madh. Zyra e Pronësisë Intelektuale e Bashkimit Evropian vlerësoi në raportin e saj të fundit se, shitjet e paligjshme dhe falsifikimet nënkuptojnë humbje vjetore prej 1.170 milionë euro vetëm në Spanjë.
Luis González Diez, president i Kolegjit të Farmacistëve të Madridit thekson kontrollin që ekziston në Spanjë në këtë treg, se në zona të tjera si Azi apo Afrikë, ky fenomen arrin dimensione të habitshme.
“Operaconi Pangea” zbuloi se nga lentet e kontaktit të rreme që gjendeshin në Jordani, shkaktoheshin sëmundje serioze të syrit. Këto janë vetëm një ‘monstër’ e gjithë asaj që lëvizin këto rrjete. Disa biznese sipas raportit të fundit nga Zyra e Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Evropian dhe Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, disa biznese kanë qendrat e tyre të shpërndarjes që përfshijnë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Singaporin.

Makinacionet me pullat e ilaçeve

E gjithë shëndetësia është dhënë me koncesion. I fundit, koncesioni i pullave të ilaçeve, i cili ka marrë përmasat e një skandali të rëndë korruptiv, teksa qeveria shqiptare po bën biznes me një kompani të përfshirë në afera të mëdha korrupsioni në disa shtete të botës. “RD” zbardhi dokumentet që faktojnë se SICPA është dënuar për korrupsion dhe kërcënim të sigurisë kombëtare në Brazil dhe Kenia, ku ka paguar dhjetëra miliona dollarë ryshfete tek qeveritarët për të fituar koncesionin e pullave fiskale. Skandali shpërtheu në 1 korrik të vitit 2015, kur policia braziliane mësyu në zyrat e kompanisë zvicerane. Sipas agjencisë prestigjioze “Reuters”, SICPA kishte paguar 32.6 milionë dollarë ryshfete për zyrtarët e Ministrisë së Financave të Brazilit, për të fituar koncesionin e pullave fiskale të birrës dhe pijeve alkoolike.
Pas hetimit, Marcelo Fisch, njëri prej zyrtarëve të lartë të Ministrisë braziliane të Financave, që kishte përfituar ryshfet u dënua me burg, ndërsa kontrata e koncesionit me SICPO u prish. Por Brazili nuk është rasti i vetëm, ku kompania zviceriane është përfshirë në korrupsion. Në Kenia, ku kompania ka marrë menaxhimin e gjurmimit të mallrave të akcizës, ajo është akuzuar për kërcënim të sigurisë kombëtare dhe vjedhje në shuma të mëdha.

Mungesa e ilaçeve në spitale

Mungesa e barnave në spitale shpesh herë ka shkaktuar pakënaqësi tek pacientët, të cilët detyrohen që t’i blejnë ato. Por, pavarësisht buxheteve të alokuara për barnat, përsëri ka mungesa, të cilat vijnë si rezultat i dy faktorëve kryesorë. Sipas një raporti të realizuar nga shoqata “Together for Life” për “Planifikimin dhe menaxhimin e buxheteve spitalore për të plotësuar nevojat e pacientëve për mjekim të përshtatshëm”, janë planifikimi i buxhetit para se të planifikohet lista e nevojave, mungesa e përditësimit të protokolleve si dhe planifikimi për barna në bazë të historikut. Sigurimi i barnave për spitalet bëhet në bazë të prokurimit të përqendruar që realizohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale në masën e 60% të totalit të shpenzimeve për këtë zë. Si dhe në masën e 40% prokurimet realizohen nga vetë institucionet, spitalet.

Banka Botërore: Qeverisja, Shqipëria përkeqësohet në krahasim me vitin 2015

Banka Botërore ka përditësuar së fundmi indikatorët botërorë të qeverisjes. Këta indikatorë janë gjashtë në total: përgjegjësia, stabiliteti politik dhe mungesa e dhunës, efektshmëria e qeverisjes, cilësia e rregullatorëve, sundimi i ligjit dhe kontrolli mbi korrupsionin. Të gjashtë këta indikatorë vlerësohen me përqindje, ku përqindja sa më e lartë të jetë, aq më mirë performon një vend. Të dhënat e fundit i referohen vitit 2016, dhe bëhet një krahasim me të gjitha vitet e kaluara, ndërkohë që ne po i referohemi 2015-ës. Në krahasim me 2015-ën, katër ndër 6 indikatorët në vendin tonë kanë pësuar përkeqësim, ndërkohë që progres shënon vetëm indikatori i kontrollit të korrupsionit dhe ai i cilësisë së rregullatorëve. Siç duket qartë nga ky grafik, Shqipëria së bashku me Kosovën janë të fundit në rajon në indikatorin e sundimit të ligjit për vitin 2016. Sa i përket kontrollit të korrupsionit, ndërkohë, me një përqindje në 41, Shqipëria vjen pas Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Ekzaktësisht e njëjta gjë vlen për indikatorin që i referohet efektshmërisë së qeverisë, ku Shqipëria arrin të lërë pas vetëm Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën. Kur bëhet fjalë për stabilitetin politik dhe mungesën e dhunës, Shqipëria regjistron performancën më të mirë në rajon, paçka se, është përkeqësuar në krahasim me vitin 2015. Ndërkohë, për përgjegjësinë e qeverisë, Shqipëria është në vend të dytë, shumë pranë Serbisë së vendit të parë.

Paketa fiskale, Dhoma Amerikane kërkon më tepër konsultim me biznesin

Diskutimi dhe njohja e shumë nismave ligjore, por kryesisht e ndryshimeve në ligjet fiskale është kërkuar gjithnjë nga komuniteti i biznesit. Gjatë një interviste në TV SCAN, Drejtorja Ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enida Bezhani, u shpreh se tashmë sipërmarrësit janë në pritje të paketës së re fiskale, që do të shoqërojë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm. Por ajo kërkon që qeveria të jetë “korrekte”, duke iu dhënë kohën e duhur për t’u njohur dhe për të reaguar këtë ndërhyrjet e mundshme. “Dhënia e një mendimi për paketën fiskale është një nga traditat e Dhomës. Është një nga proceset që ne ndjekim më me vëmendje në çdo vit. Ne jemi në pritje të paketës fiskale për vitin 2018 nga qeveria. Ajo që mbetet me shumë rëndësi për ne është natyrisht paraqitja e kësaj pakete të re fiskale në kohë, në mënyrë që ne të kemi mundësi të japim sugjerimet tona, të japim rekomandimet tona në kohën e duhur, duke qenë se ne ndjekim dhe disa parametra të brendshëm të Dhomës në mënyrë që të kemi një përfaqësi të të gjithë procesit. Pra, të gjitha këto le të themi paketa fiskale ndër vite, ashtu si dhe paketa fiskale e pritshme, do të kalojnë pra në të gjithë anëtarësinë tonë, nëpër bord, do të kalojnë nëpër Komitetin e Ligjeve dhe Taksave për të vazhduar pastaj një diskutim me Ministrinë respektive dhe me Komisionin e Ekonomisë deri në momentin e miratimit”. Një vit më parë, fokusi i paketës fiskale ishte përmirësimi i procedurave dhe administrimit të taksave e tatimeve. Ndërkohë që këtë vit akoma nuk ka një draft të publikuar nga Ministria e Financave. Por deklarata e kryeministrit për shtrirjen e TVSH te biznesi i vogël ka bërë që klima në këtë komunitet të “ziejë”.

Procedurat e pastrimit të parave, 250 mijë USD gjoba për 30 kompani ndërtimi

Në harkun kohor të tre viteve të fundit ka arritur në mbi 30 numri i kompanive të ndërtimit të gjobitura nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. “Scan” ka zbardhur të dhënat zyrtare të kësaj drejtorie, sipas së cilës 11 kompani ndërtimi janë gjobitur në vitin 2014, 15 në vitin 2015 dhe 4 në vitin 2016. Totali i vlerës së gjobave për të gjitha kompanitë arrin në rreth 250 mijë dollarë: përkatësisht 6.8 milionë lekë në vitin 2014, 14.7 milionë lekë në vitin 2015, dhe 3.8 milionë lekë në vitin 2016. Ndërkaq, të paktën 15 prej këtyre kompanish ndërtimi i janë drejtuar Gjykatës së Lartë për të kundërshtuar gjobat e vendosura nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Mes tyre gjenden edhe disa prej kompanive më me peshë në vend. Televizioni “Scan” ka zbardhur paditë e ngritura nga shoqëritë e ndërtimit për gjobat që arrijnë në miliona lekë. Pjesa më e madhe e kompanive i kanë kërkuar Gjykatës shfuqizimin e plotë të gjobave të vendosura nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Sektori i ndërtimit është një prej më të ekspozuarve kur vjen fjala te pastrimi i parave. Jo vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, por edhe Policia e Prokuroria janë shprehur se një pjesë e mirë e parave të ardhura nga krimi kanalizohen në ndërtimin e hoteleve e resorteve turistike.

Drogë me vlerë 750 mijë paund, arrestohen shqiptarët në Angli

10 persona janë arrestuar, pasi një sasi droge me një vlerë tregu prej 750 mijë paund, u sekuestrua në disa operacione të zhvilluara nga autoritetet në Gloucestershire të Anglisë. Sipas BBC, oficerët bastisën 11 prona në Gloucester dhe Cheltenham, si dhe 4 lavazhe përgjatë dy ditëve të fundit. 8 persona nga Gloucester u arrestuan, të moshës 20-33 vjeç, një 21-vjeçar nga Norwich dhe një tjetër 34-vjeçar nga Essex.
Një vajzë 17-vjeçare u gjet duke punuar në “kushte të papërshtatshme”. Ajo u mor në mbrojtje nga autoritetet. Operacionet e zhvilluara të mërkurën dhe të enjten ishin pjesë e operacionit Cleveland, që nisi pas të dhënave që autoritetet britanike morën për banda të krimit të organizuar që operonin në vend.
Policia e Gloucestershire tha se, në 6 prona ishin zbuluar fabrika kanabisi, në Gloucester dhe Cheltenham dhe se në disa prej tyre ishin gjetur “anëtarë të bandave shqiptare kriminale”.
Një zyrtar i policisë tha se sasia domethënëse e bimëve të kanabisit që u gjetën në këto fabrika besohet se kapin vlerën e rreth 750 mijë paund.
“Ky operacion 2 ditor çoi në shkatërrimin e bandave serioze të krimit të organizuar që operonin në Gloucestershire, aktiviteti kriminal i të cilave ka patur një impakt të madh në komunitetet tona”.
“Një prej fabrikave të kanabisit ndodhej fare pranë një shkolle fillore në Gloucester. Anëtarët e këtyre bandave nuk kanë asnjë lloj mëshire për sigurinë dhe mirëqenien e atyre që jetojnë në komunitetet ku ata operojnë”, tha zyrtari i policisë, Ian Fletcher.
Të gjithë të arrestuarit, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, po mbahen nën akuzën e mashtrimit, shpërndarjes së drogave të klasit B dhe prodhimit e përpunimit të drogave të klasit B.

Goditet banda shqiptare e vjedhjeve 1.7 milionë euro në Itali

Një bandë për vjedhjen e makinave luksoze u shkatërrua nga policia italiane gjatë një operacioni të koduar “Tarokko”. Secili prej anëtarëve kishte rol të saktë në grup, që kryenin vjedhjen e makinave, pengonin GPS-në dhe më pas fshehjen e tyre.
Grupi kishte aftësinë të kryente grabitjen në mënyrë spektakolare në vetëm dy minuta. Disa prej grabitjeve janë kryer në Monza. Midis vjedhjeve të shumta janë edhe ky kamionë mallrash.
Makinat e grabitura pas modifikimit ishin transportuar për në Maltë. Kur një shofer rumun mauneje u ndalua dhe u pyet për makinat brenda mjetit të tij, ai nuk ishte në gjendje të shpjegonte. Kjo ngriti të tjera dyshime tek hetuesit, të cilët edhe nëpërmjet përgjimeve zbuluan grupin prej 15 personash, gjysma e të cilëve shqiptarë.
Mediat lokale shkruajnë se mes 7 shtatë shqiptarëve të arrestuar, njëri prej tyre është kreu i organizatës, e cila ka vepruar në Monza. Midis të arrestuarve janë edhe 6 italianë, një rumun, një maroken dhe një bullgar nga mosha 21 deri në 65 vjeç.
Shqiptari i arrestuar i quajtur Ditmir B, 31 vjeç, konsiderohet si kreu i organizatës, ndërsa një tjetër i arrestuar është Ilir Z. 32 vjeç. Veçori e grupit është se ata përdornin kuti të mbyllura në një mënyrë që pengonin lokalizimin nga sistemet e alarmit të GPS-së.
Makinat pastaj u “rikrijuan”, domethënë u hiqej sistemi i alarmit dhe treguesi i vendndodhjes. Makinat i nënshtroheshin edhe riparimeve të tjera dhe më pas bëheshin gati për eksport. Vjedhjet kryheshin brenda disa minutave dhe më së shumti me teknika të veçanta dhe të sofistikuara.
Të paktën 23 makina janë zbuluar deri më tani të vjedhura nga grupi dhe midis tyre ishte edhe një markë e re “Range Rover” vjedhur në maj.
Shuma e grabitjeve të kryera kap vlerën e rreth 1,750,000 €, përfshirë makina “Range Rover”, “Audi”, “BMW” dhe “Jaguar”. Përveç se në Monza, grabitjet janë shtrirë edhe në Milano, Bari, Bergamo, Brescia, Como, Genoa, Verona dhe jashtë vendit, në Gjermani, Shqipëri dhe Mal të Zi.

 

Skandal/ Do të 5 fishohet edhe taksa për banesat në Tiranë

Nga janari qeveria do të fillojë të mbledhë taksën e pronës, një tarifë që do të vendoset mbi vlerën reale të tregut dhe do të vilet përmes faturës së energjisë elektrike.
Burime zyrtare në Ministrinë e Financave thonë se, rritja për individët do të variojë nga 20-50% të shumës që paguhet sot, ndërsa për godinat në periferi nuk do të ndryshojë.
Biznese, që aktualisht paguajnë një tatim të lartë, do të kenë një taksë më të zbutur vitin e ardhshëm.
Tv “Klan” raporton se për vitin 2018-të ky tatim i ri do të nisë të mblidhet fillimisht në Bashkinë e Tiranës, e cila ka edhe numrin më të lartë të pasurive të patundshme dhe njësive tregtare.
Burimet sqarojnë se në qytete të tjera, banorët paguajnë jo më shumë se 5 euro në vit, çka e bën totalisht të papërfillshëm këtë tatim. Taksimi i ri do të varioje nga 0.076, 0.1 dhe 0.114% të vlerës së pronës. Në të gjitha variantet, një shtëpi që sot kushton 100 mijë euro, dhe është 100 metra katrorë do të paguajë 76 euro, 100 euro ose 114 euro në vit.
Aktualisht një apartament i tillë në Tiranë, paguan 22.5 euro, po aq sa një i ngjashëm me të për nga madhësia, por më i ulët në vlerë, pasi është në zonë periferike. Përsa u përket bizneseve, një dyqan 100 metra katror në kryeqytet sot paguan 300 euro tatim pasurie, i cili është 10 herë më i lartë se ai i individëve.
Zyrtarë të Ministrisë së Financave sqarojnë se, kjo është edhe një porosi e FMN-së që taksimi i bizneseve të bëhet në mënyrë të drejtë, e në bazë të vlerës së qirasë që ata japin.

Nipi i Ruçit po ndërton HEC në zonën e mbrojtur nga UNESCO

Hidrocentrali në lumin Seta në Dibër po ndërtohet nga nipi i kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Edhe pse kanioni mbi lumin Seta është monument kulture dhe i mbrojtur nga UNESCO, aty kanë nisur punimet për ndërtimin e një hidrocentrali. Banorët e zonës bëjnë të ditur se ky hidrocentral po ndërtohet në kundërshtim me ligjin nga kompania “Al-Building” që menaxhohet nga nipi i Gramoz Ruçit. Banorët e zonës shprehen se, pronari i kësaj firme mburret duke u shprehur se, “jam nipi i Gramoz Ruçit dhe askush nuk mund t’i ndalojë punimet për ndërtimin e hidrocentralit.
Prej ditësh, banorët kanë ngritur shqetësimin për shkatërrimin e kanionit të Setës, por mesa duket kompania që po ndërton hidrocentralin ka mbështetje direkt nga qeveria. Një banor iu drejtua me një mesazh portalit “Nisma Thurje” ku shkruan se Kompania Al-Building që po ndërton hidrocentralin zotërohet nga një nipi i Gramoz Ruçit.
“Dua të shpreh një shqetësim timin edhe të bashkëfshatarëve të mi. Në një fshat të Dibrës i quajtur Çidhën e Epër deri në Njësinë Administrative Arras, në lumin Seta, po ndërtohet një vepër e paligjshme i quajtur hidrocentral. Kjo vepër është në kundërshtim me ligjin, sepse zona është e shpallur monument kulture.
Gjithashtu, kur është projektuar kjo vepër nuk është bashkëbiseduar me asnjë fshatar të fshatit tim. Askush nuk ka ardhur të na njoftojë për projektin. Po ju nis foto të lumit dhe natyrës si ishin dhe si janë bërë mbas ardhjes së pushtuesve. Kompania quhet Al-Building dhe në fshat thuhet se zotërohet nga një nipi i Gramoz Ruçit, ose të paktën kështu prezantohet.
Ju lutem bëjeni publike këtë problem tonin si fshat, sepse po shkatërrohet vepra më e bukur e Shqipërisë që ka në përbërje Sopanikën, vendin më të bukur që kemi në Dibër”, shkruan banori nga Dibra.
Ndërtimi i hidrocentralit në kanionin e Setës në Dibër ka hedhur në revoltë banorët e zonës. Ata shprehen se ndërtimi i këtij hidrocentrali do të çojnë në shkatërrimin e kanionit më të madh dhe më të bukur në vend i mbrojtur edhe nga UNESCO. Seta është një nga kanionet më të bukura në Dibër, 2 mijë metra mbi nivelin e detit. Ky kanion është një nga më të mëdhenjtë dhe më të bukurit në vend. Fillon nga lumi Drin dhe përfundon tek liqenet e Lurës.
Faqet shkëmbore arrijnë deri në pesëqind metra lartësi. Këtu janë me qindra burime ujore dhe ujëvara. Por kjo vepër momument kulture dhe i mbrojtur nga UNESCO po shkatërrohet nga qeveritarët. Banorët shprehen se ndërtimi i Hec-ve në këtë zonë do të rrezikojë shkatërrimin e këtyre kanioneve, të cilët aktualisht janë një thesar natyror jo vetëm i Dibrës, por i gjithë Shqipërisë.
Banorët po kundërshtojnë fuqishëm projektin Seta 4, i cili sipas tyre shkatërron dhe zhduk kanionin. Bëhet fjalë për një Hec, i cili do të fusë në tubacion për rreth 1,2 km gjithë sasinë e ujërave të kanionit dhe për rreth 800 metra me tunel. “Ju lutemi aman, të gjitha forcave dhe të gjithë njerëzve, nëse doni që ta zhvilloni turizmin malor në këtë zonë, ju lutemi ndaloni”, shprehet një prej banorëve. “Prej tre vjetësh vazhdojnë përpjekjet tona për të ndaluar ndërtimin e një vepre shkatërrimtare për këtë zonë”, shprehet një tjetër. “Ky vend është strategjik, historik, arkeologjik. Në këtë vend janë strehuar gjatë luftërave me serbin afro 12 mijë vetë me 9 fshatra”.
Banorët nuk janë kundër investimeve, por janë kundër këtij projekti, i cili nuk është konsultuar me banorët e zonës, ku firmat janë mbledhur nëpër kafene. “Qysh atë ditë, kur janë vendosur i ka firmosur letrat këshilli i komunës, i ka firmosur në lumin e Setës, matanë komunës, nuk i ka firmosur në Zije”, thotë një banor. Me vendim të qeverisë në vitin 2002, në këtë kanion u shpallën 2 monumente natyre të mbrojtura; shpella dhe burimi i Sopanikës, dhe gryka e ngushtë e Setës.

Masakra në Lushnjë, autorët kishin mbështetje nga policia

Bandat rivale që shkaktuan masakrën në Lushnjë janë fuqizuar vitin e kaluar nga kultivimi dhe trafiku i kanabisit drejt Italisë. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, autorët kanë bashkëpunuar edhe me segmente në radhët e policisë lokale. Dy të akuzuarit nga policia si autorë të masakrës Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, edhe pse ishin të shpallur në kërkim, lëvizin lirisht në qytet. Hetuesit ngrenë dyshime se, i akuzuari Orges Bilbili, edhe pse dënuar me 11 vjet burg vazhdonte të ishte i lirë, pasi ka patur mbështetje nga segmente të policisë. Edhe Laert Haxhiu është kapur para dy vitesh, duke trafikuar një sasi heroine. Kur e kapi policia tha “iku”, sepse mendoi se ishin ata të Aldo Bares.
Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen e rëndë, nuk përjashtoi dyshimin se shënjestër e atentatit të ketë qenë Sajmo (Sajmir) Xhelili. Ky i fundit i shpëtoi mrekullisht atentatit, pasi reagoi në kohë dhe u largua me shpejtësi. Mësohet se ai u është bashkuar viktimave, Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, pak pasi ka ikur Xhulio Shkurti.
Burime nga hetimorët bënë të ditur se, Xhelili është një ndër dëshmitarët kyç të ngjarjes. Ai ka treguar se nuk ishin ulur në lokal, ndryshe nga sa u tha fillimisht. “Ne nuk ishim ulur në kafe. Po rrinim te një pemë në anë të rrugës. Xhulio sapo kishte ikur. Ne po bisedonim në këmbë kur një makinë ndaloi rreth 20 metra më larg dhe që atje doli një person me maskë të zezë në kokë, në duar mbante një armë automatike. Kur u afrua nja 6 a 7 metra, unë u largova me vrap pas ndërtesave. Të tjerët nuk mundën. Autori hapi zjarr dy herë me breshëri kallashnikovi, pastaj u fut në makinë dhe u larguan”, mësohet të ketë thënë në polici, Sajmir Xhelili.
Sipas të dhënave të Policisë, janë sekuestruar kamerat e disa bizneseve nga ku po hetohet dinamika. Ata që kanë qëlluar me armë kanë qenë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Ndërsa një person tjetër i tretë ka shërbyer si drejtues i mjetit, që më pas u gjet i djegur në aksin Lushnjë-Berat.
Hetimet e Prokurorisë
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, masakra e Lushnjës rezulton se ka qenë e menduar mirë nga dy atentatorët e dyshuar të ngjarjes, Laert Haxhiu dhe shoku i tij Orges Bilbili. Në këtë përfundim ka dalë grupi hetimor, pasi 10 minuta para se të ndodhte vrasja e dyfishtë dhe plagosja e dy personave të tjerë, viktimat ishin parë së bashku me disa persona të tjerë jashtë ambienteve të lokalit, duke qëndruar në këmbë. Bashkë me grupin ishte edhe Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por pak momente para krimit, ky i fundit kishte lëvizur për të shkuar tek berberi. Dyshimet kryesore për Prokurorinë e Lushnjës janë se, dy atentatorët Haxhiun dhe Bilbilin dikush mund t’i ketë njoftuar për vendndodhjen e kundërshtarëve dhe praninë e tyre në kafenë në lagjen “Loni Dhamo”.
Sipas grupit të hetimit, Laert Haxhiu, fillimisht ka qëlluar në drejtim të tavolinës ku po qëndronin viktimat Latifi e Hoxha dhe i plagosuri Xhepaxhiu. Pasi i qëllon me breshëri automatiku dy të rinjtë, trupat e të cilëve u gjendën shumë pranë një automjeti tip “Fiat Punto” në pronësi të Xhulio Shkurtit, Haxhiu futet brenda lokalit. Ky ka qenë momenti ku shumë dëshmitarë okularë, kanë shquar autorin e dyshuar të kasaj masakre, si Laert Haxhiu. Por ngjarja nuk përfundoi me kaq. 25-vjeçari, duke menduar se brenda lokalit gjenden pjesëtarët e tjerë të grupit, nxiton drejt tij.
I dyshuari Laert Haxhiu së bashku me mikun e tij, Orges Bilbili kanë hyrë brenda lokalit, mesa duket me qëllimin për të vrarë Xhulio Shkurtin e Saimir Xhelilin. Në ato moment Zamir Latifi, i cili kishte mbetur i plagosur ka qëlluar me pistoletë në drejtim të atentatorëve, por pa rezultat. Me të dalë nga lokali, si kundëpërgjigje, mbi trupin e Zamir Latifit dy autorët derdhën 35 plumba pohojnë hetuesit. Dëshmitarët saktësojnë se ngjarja mund të kishte marrë të tjera përmasa, nëse nuk do të kishin mbaruar plumbat e automatikut të 25-vjeçarit Laert Haxhiu. Kamerat e sigurisë nuk kanë mundur të fiksojnë të gjithë ngjarjen, ndërsa krimi makabër ndodhi shumë pranë komisariatit të Policisë Lushnjë. Pas ngjarjes, atentatorët që mendohen të kenë qenë tre veta, dogjën automjetin në aksin Lushnjë-Berat.
Hetuesit janë në dilemë nëse viktimat Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi ishin shënjestra e atentatit, apo u qëlluan thjesht se shoqëroheshin me Xhulio Shkurtin dhe Sajmo Xhelilin, të cilët për herë të dytë u shpëtojnë plumbave.
Leart Haxhiu nga Prokuroria e Lushnjës është akuzuar për vrasjen e Gerti Salës, i njohur ndryshe si “iriqi” në vitin 2009. Prokuroria e Lushnjës këtë dosje ia delegoi Prokurorisë së Vlorës për shkak se autori ishte i mitur. Por Gjykata e Vlorës e ka dënuar Haxhiun vetëm me një vit burg për akuzën e vjedhjes, pasi nuk u provua akuza e vrasjes. Edhe në 2016, ai është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg nga Gjykata e Durrësit për shitje të lëndëve narkotike. Edhe i shpalluri tjetër në kërkim, Orges Bilbili, është i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 7 vite e 4 muaj burg në mungesë. Ai ka qenë një nga personat që ka paketuar drogën, e cila do ngarkohej në avionin e Xhorxho Riformatos, i cili u rrëzua në plazhin e Divjakës. Ai u zbulua nga shenjat e gishtave, të cilat u gjeten në pakot me drogë.

Hetuesit po kërkojnë atentatorin e tretë

Në masakrën e Lushnjës ka marrë pjesë dhe një atentator i tretë. Një dëshmitar okular nga vendi i ngjarjes rrëfeu dje për ‘News24’ momente nga krimi në qendër të Lushnjës. Dëshmitari pohoi se 3 prej tyre, pasi zbritën nga makina hapën zjarr me kallashnikovë në drejtim të djemve, ku lëshuan 41 plumba, duke lënë të vdekur Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën.
Hetuesit po kërkojnë cili është ky person, fytyrën e të cilit nuk e ka parë asnjë nga dëshmitarët e mbetur gjallë. Aktualisht në kërkim janë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Burime nga grupi hetimor në Lushnjë, tregojnë se në pyetje është marrë dhe Julian Sula, një tjetër emër i njohur për policinë për vepra të ndryshme penale. Me Sulën, dy ditë pas ngjarjes ka shkuar në 34 persona numri i personave të marrë në pyetje. Ndër të parët ishte Xhulio Shkurti, nipi i ish-kapobandës së Lushnjës, Aldo Bare, Sajmo Xhelili dhe i plagosuri Marjo Xhepexhiu. Të tre dëshmitarët kanë pohuar se kishin identifikuar Laert Haxhiun kur gjuante me kallashnikov, por nuk e kishin njohur personin e tretë.

Një vit më parë autori i masakrës së Lushnjës kërcënoi nipin e Aldo Bares

“Nuk e ke të gjatë ti”… me këtë fjalë ka paralajmëruar masakrën e së mërkurës, pak më shumë se një vit më parë Laert Haxhiu. Premtimin për t’i marrë jetën ia kishte bërë nipit të Aldo Bares, Xhulio Shkurtit, pasi kishte qëlluar mbi të duke e lënë të plagosur.
ABC Neës ka siguruar një dokument ku 25-vjeçari Haxhiu akuzohet për plagosje të dyfishte të ndodhur në qendër të qytetit të Lushnjës dhe objektivi ishte i qartë, ekzekutimi i nipit të Aldo Bares, Xhulio Shkurti.
Pavarësisht se atentati kishte ndodhur një vit më parë, konkretisht më 25 shtator, Laert Haxhiu në arrati gjeti mundësinë dhe organizoi një masakër të dyfishtë përsëri në qendër të qytetit. Në deklaratën e dhënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore, një pjesë të të cilës e disponon edhe ABC Neës i plagosuri, Shkurti, kishte deklaruar, se: “Në atë çast përballë meje në rrugë ka ndaluar një autoveturë e bardhë tip “Smart” me targa italiane dhe e drejtuar nga i pandehuri Laert Haxhiu. Ky i fundit kishte në dorë një psitoletë dhe qëlloi deri sa i mbaruan plumbat. Një nga plumbat më kapi në këmbën e majtë, ndërsa i plagosur tjetër mbeti edhe Sajmo Xhelili në pjesën e barkut. Pasi i kanë mbaruar fishekët e pistoletës Laert Haxhiu më tha: nuk e ke të gjatë ti…”
Pastaj, ka shtuar i plagosuri Xhulio Shkurti se atentatori u largua në drejtim të rrugës së gjimnazit “18 tetori”. Problemet me drejtësinë Haxhiu ka pasur edhe në vitin 2015, ku u prangos së bashku me disa persona të tjerë me rreth 1.2 kg heroinë në qytetin e Durrësit. Edhe atë herë, ai u dënua nga Gjykata për moskallzim krimi, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar 8 vite heqje lirie. Leart Haxhiu ndërkohë rezulton person në kërkim, pasi është dënuar me 21 vjet heqje lirie për plagosjen e Xhulio Shkurtit dhe shokut të tij, Sajmo Xhelili.

Durim Keçi në listën e mafiozëve më të rrezikshëm në Itali

Në një artikull investigativ të revistës italiane “Lespresso” publikuar në janar të 2006, Durim Keçi deri më vitin 2005 rezultonte në listën e bosave mafiozë më të rrezikshëm në Itali, ndaj të cilëve ushtrohej regjimi i burgimit special i quajtur “41 bis”.
Ky lloj trajtimi nënkupton një izolim të plotë të të burgosurit pa asnjë mundësi komunikimi me të burgosurit e tjerë, mbikëqyrje speciale, limitim të komunikimit me familjarët dhe avokatët, ndalim i marrjes së ushqimit apo objekteve të tjera nga jashtë burgut, ndalim i mbajtjes në qeli të objekteve personale, etj.
Nën këtë regjim special burgimi, ndodhen aktualisht bosat mafiozë të “Cosa Nostra” si Toto Riina, Bernardo Provenzano, Matteo Messina Denaro etj.
Në materialin investigativ të revistës italiane “L’Espresso”, deri më vitin 2005 në listën e të dënuarve të rrezikshëm në Itali e nën regjimin e burgimit të ashpër “41 bis” ndodheshin dhe dy bosa mafiozë shqiptarë: Haki Aleksi me aktivitet kriminal në Xhenova e Durim Keçi.
Investigimi i revistës italiane zbulon se në fund të 2005 dy bosave shqiptarë Haki Aleksi e Durim Keçi, u hiqet regjimi i burgimit të izoluar “41 bis”.
“Surprizisht zbulojmë, shkruan “L’ Espresso” se vendimin për deklasimin dhe heqjen e “41 bis” ndaj dy bosave mafiozë shqiptarë, nuk e merr siç bëhet zakonisht nga Gjykata e Mbikëqyrjes, por ky vendijm vjen drejtpërdrejtë nga Ministria italiane e Drejtësisë, e cila drejtohej në atë kohë nga Roberto Castelli, eksponent i lartë politik i forcës “Lidhja e Veriut”.
“Vetëm në 3 raste të tjera ndaj 3 bosave më të vegjël mafiozë, ministri i Drejtësisë ka marrë një vendim të tillë”, shkruan “L’ Espressso”. E kush e di ç’mendojnë pas këtij fakti votuesit e Lidhjes së Veriut kaq të ndjeshëm ndaj kriminalitetit ballkanik”.
Pas deklasimit, pra pas heqjes së regjimit të burgut special “41 bis”, i dënuari kthehet në një të burgosur të zakonshëm.
Kryetari i PD, Basha një ditë më parë bëri publike fotot e të shumëkërkuarit nga Interpoli dhe Policia italiane të Durim Keçit, i cili rezulton që të jetë një nga anëtarët e stafit elektoral në fushatën e fundit të Ramës për zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit. Në foto Keçi shfaqet në një mbledhje të shtabit elektoral. Në një foto tjetër, Durim Keçi është me dorën në krah të ministrit Klosi, i cili tani është ministër i Mjedisit. Në një tjetër foto, Durim Keçi shfaqet në krah të Administratorit socialist të Shijakut të vendosur nga Rama dhe Dako.