33.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Vidhet shtëpia e Gjiknurit, dalin thasët, policia e mban të fshehtë

GJIKNURI PERSHENDET PERFAQESUES TE TAP - Ministri i Energjise dhe Industrise, Damian Gjiknuri, duke pershendetur punimet komisionit te nivelit teknik ne kuader te Marreveshjes ndermjet Shqiperise, Italise dhe Greqise per projektin e gazsjellesit TAP./r/n/r/nGJIKNURI MEETS WITH TAP REPRESENTATIVES - Minister of Energy and Industry, Damian Gjiknuri, speaks during the technical trilateral meeting between Albania, Italy and Greece for the TAP pipeline project.

Një nga shtëpitë e ministrit të afërt të Ramës, Damian Gjiknuri është vjedhur në orët e mesditës. Shtëpia gjendet në rrugën “Fortuzi” pas Ministrisë së Drejtësisë dhe është në katin e tretë të një pallati. Hajdutët kanë hyrë në banesë nga dritarja e banjos të banesës

(Të plotë mund ta lexoni në gazetën “RD”, versioni print)

Drejtësia, në gjunjë para Shullazit dhe ‘Saje Qorrit’

Gjykata vihet në gjunjë para “Saje Qorrit” dhe Shullazit, duke zbatuar urdhërat e tyre. Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e bërë nga vrasësi Shullazi dhe zari i tij, ish-ministri i Brendshëm, të cilin ai e thërriste “Saje Qorri” për të dëshmuar në gjyq ish-Kryeministri Berisha, i cili ishte i pari që denoncoi kërcënimin që Shullazi i kishte bërë rektorit Koni. Përse duhej të thirrej Berisha? Kjo ndodh kur gjykata komandohet nga Shullazi dhe shefi i tij në qeveri Rama. Ata mendojnë se kushdo që flet kundër kësaj bande vrasësish duhet të përgjigjet, duke u thirrur në gjykatë. Synohet t’i jepet një paralajmërim të gjithë dëshmitarëve të krimeve se duhet të mbyllin gojën dhe se të fortët bëjnë ligjet edhe në gjykata.
Gjatë seancës së pyetjeve, Tahiri që në fillim e devijoi dëshminë e tij, duke e politizuar çështjen, me deklaratën se, “habitem se përse jam unë këtu, pasi duhej thirrur Sali Berisha”. Edhe pse gjyqtari e paralajmëroi që të mos bëjë politikë, Tahiri vijoi të akuzojë Prokurorinë gjatë dëshmisë së tij se, e ka kthyer çështjen politike. Duke mos e shqiptuar për asnjë moment emrin apo mbiemrin e Shullazit, Tahiri tha se, Koni dhe Kule e kishin dhënë me hamendësime identitetin e kërcënuesve.
I pandehuri Emiljano Shullazi, ndryshe nga herët e tjera gjatë këtij gjyqi maratonë me dëshmitarë të tjerë, nuk i bëri asnjë pyetje Tahirit, por vetëm pasi mbaroi ai “dëshminë” e shkurtër i kërkoi trupit gjyqësor, që të thirret për të dëshmuar edhe Sali Berisha për çështjen e kërcënimit ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Kërkesë që edhe u pranua nga Gjykata.
Saimir Tahiri dhe kapobanda Emiliano Shullazi kanë pasur prej vitesh një miqësi dhe marrëdhënie të ngushtë, por në seancën e djeshme gjyqësore u zbulua se, ndaj tyre vazhdon marrëdhënia e ngushtë si në kohët “e vjetra”.
Të dy bashkëpunuan për fushatën e Partisë Socialiste, njëri si kryetar i PS të Tiranës, tjetri si pjesë e asaj që socialistët e quanin “Ushtria e mbrojtjes së votës”. Shullazi është përdorur nga Rama dhe Tahiri për zgjedhjet e vitit 2013, duke mbledhur vota për Partinë Socialiste nën kërcënimin e armëve. Gjatë fushatës elektorale Shullazi udhëtonte me makinën e Tahirit për të bërë fushatë për PS-në.
Ata u bashkuan për të njëjtën kauzë, pushtetin me çdo mjet. Atëherë Tahirit i ishte premtuar se do të bëhej ministër i Brendshëm, ndërsa Shullazi ishte një emër i afirmuar në botën e krimit. Marrëdhënia personale që ekziston mes Tahirit dhe Shullazit u pa edhe në seancën e djeshme gjyqësore, kur Tahiri nuk ia përmendi asnjëherë emrin Shullazit, por u hodh në sulm kundër Prokurorisë. Për shkak të marrëdhënies së ngushtë mes tyre, Shullazi e thërret me ironi Tahirin “Saje Qorri”.

R.POLISI

1.5 ton drogë nga Shqipëria sekuestrohet në Brindizi

1.5 ton drogë nga Shqipëria u sekuestrua në Brindizi nga Guarda di Finanza. Mediat e shtetit fqinj shkruajnë se, droga e ardhur nga Shqipëria me gomone është shkarkuar në një zonë të mbrojtur dhe më pas është ngarkuar në kamion, që drejtohej nga një italian, i cili si rojtar kishte një shqiptar.
Sipas mediave italiane, një ton e gjysmë marijuanë e paketuar në 63 kartona të fshehura në “barkun” e kamionit, u kapën nga financierët e daljes së Torre Guaceto. Të dy trafikantët u arrestuan. Ata janë Marco Mastro, 40 vjeç, shofer, lindur në Martina Franca, në provincën e Tarantos, dhe një qytetar shqiptar, Sokol Nelaj, 32 vjeç.
Kontrolli që çoi në zbulimin e ngarkesës maksimale të drogës ndodhi natën e së dielës. Një patrullë e kishte vënë re në rrugën bregdetare të Brindisit një automjet, një “Fiat Iveco” me përmasa të mëdha, pasi dilte nga një rrugë në parkun e Torre Guaceto, zonë e mbrojtur dhe për këtë arsye i paarritshëm për mjetet e transportit, dhe shpesh vend zbarkimi për substancat narkotike që vijnë nga Shqipëria.
Në anën e pasme të kabinës, kishte fjalën “transferime”. Financierët kanë parë se mjeti ecte me shpejtësi në rrugë për të marrë rrugën kryesore 379 drejt Barit. Dyshimi se mund të ketë diçka të çuditshme, ka shtyrë ushtrinë e Giamme Gialle për të ndjekur kamionin. Ndjekja zgjati disa minuta derisa “Fiat Iveco” u ndal në anën e rrugës. Kontrolli brenda i ka dhënë të drejtë financierëve: brenda hapësirës së ngarkesës ekzistojnë disa pjesë të siguruara me shirit izolues dhe celofan, që përmbajnë marijuanë.
Policia numëronte 63 pako, për një peshë totale prej 1.537 kilogramësh. U bë i gjithë konfiskimi i drogës së bashku me konfiskimin e mjetit të përdorur për transportin si dhe janë arrestuar dy pesonat dhe janë transportuar në Burgun e Brindizit, në pritje për të dalë para Gjykatës.
Para katër ditësh, Guardia di Finanza bllokoi në Otranto një gomone me 7 kuintalë drogë të nisur nga brigjet shqiptare. Mediat italiane shkruanin se, gomonia është ndjekur në det nga Guarda di Finanza, ndërsa tre trafikantët nga Vlora, kur kanë para që po ndiqeshin nga Guardia di Finanza e hodhën drogën në det për arsye që t’i shpëtonin ndjekjes.
Guardia di Finanza e Puglias, ka bërë të mundur që në orët e para të mëngjesit në afërsi të Otrantos të ndalojë mjetin lundrues tip gomone me tre shtetas shqiptarë në bord konkretisht L.B, 38 vjeç, H.M, 23 vjeç dhe Xh.H 24 vjeç. Guardia di Finanza ka gjetur e sekuestruar në bordin e gomones 712 kg lëndë narkotike kanabis sativa.
Trafiku i drogës drejt Italisë vijon pa ndërprerje, ndonëse policia thotë se janë marrë masa për goditjen e trafikut. Policia shqiptare reagon vetëm në ato raste kur droga bllokohet në Adriatik nga Guarda di Finanza, duke mashtruar se gjoja operacionet janë zhvilluar në bashkëpunim me policinë shqiptare. Nëse policia shqiptare do ta kishte seriozisht luftën kundër trafikut të drogës, atëherë duhet ta godasë atë që në nisje nga brigjet shqiptare dhe të mos mburret me operacionet e Guarda di Fananza italiane.
Ata që drejtojnë trafikun e drogës nga Shqipëria janë njerëz të fuqishëm që kanë lidhje me qeverinë, ndërsa deri tani janë arrestuar vetëm transportuesit e drogës dhe jo krerët e bandës që trafikonin drogë drejt Italisë.
Edhe para dy javësh, policia italiane sekuestroi 2.3 ton drogë që ishte nisur nga Shqipëria. Sipas mediave italiane, droga është kapur në San Benedetto në Tronto, Itali. Sasia më e madhe e drogës e kapur në këtë zonë ishte ngarkuar në Shqipëri, ka bërë të ditur zv/prokurori i Ascoli Pieno, Cinzia Piçioni.

R.POLISI

Shtatë pyetje Kumbaros, mbi nxitimin dhe fshehjen e projektit

Partia Demokratike kërkon ndaljen urgjente të punimeve brenda mureve të lashtë të Butrintit, i mbrojtur aktualisht nga UNESKO si pasuri kulturore botërore. Sot, PD ka thirrur në një seancë dëgjimore ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, autore e dhënies së lejes së ndërtimit skandaloz që po shkatërron një nga pasuritë unike kombëtare shqiptare. Përmes një deklarate për mediat, deputetja e PD, Albana Vokshi i bëri thirrje qeverisë që të ndalojë në mënyrë urgjente punimet, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë rastin në fjalë. PD i bën thirrje qeverisë të ndalojë në mënyrë urgjente çdo lloj ndërtimi brenda Parkut Arkeologjik Kombëtar të Butrintit, deri në sqarimin e plotë të të gjitha pretendimeve të ngritura nga profesionistët e fushës, shoqatat dhe media. PD i bën thirrje Prokurorisë të kryejë hetime të thelluara në lidhje me këtë ndërtim, i cili pretendohet që po shkatërron pjesë të vlerës e të kulturës shqiptare. Ne kemi kërkuar dëgjesë urgjente me ministren e Kulturës që do të mbahet nesër në orën 17:00 në Komisionin parlamentar të Medias dhe Kulturës. Dhe do të bëjmë transparencë të plotë për këtë rast skandaloz. Deri atëherë, ne përsërisim kërkesën që qeveria të ndërpresë menjëherë punimet që po bën brenda Parkut Arkoelogjik të Butrinit, pjesë e Trashëgimisë Botërore Kulturore”, tha Vokshi. Nga ana tjetër, ajo shprehu shqetësimin e PD për papërgjegjshmërinë totale të qeverisë dhe ministrisë përkatëse në shkatërrimin e pasurisë kombëtare. Ajo solli në vëmendjen e opinionit publik reagimin e përfaqësueses së UNESCO-s për ngjarjen skandaloze në Butrint sipas të cilës UNESCO nuk ka dijeni për një ndërtim të tillë e as nuk ka dhënë një leje ndërtimi në zonën e mbrojtur të Butrintit. “Prej disa ditësh, PD po ndjek me vëmendje e shqetësim debatin mbi disa ndërtime të lejuara nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbari, në brendësi të Parkut Arkeologjik të Butrintit. Butrinti është një nga qendrat më të rëndësishme të Trashëgimisë Kulturore të vendit, është vlerësuar si pasuri e Trashëgimisë së njerëzimit. Monumentet e shumta arkeologjike mijëvjeçare në këtë qytet antik për shkak të rolit në Thesarin e Kulturës Kombëtare, e bëjnë të jetë nën mbrojtjen e UNESCO-s që prej vitit 1992. Arkeologë e profesionistë të shquar të fushës, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, kanë denoncuar me forcë mënyrën skandaloze të vendimeve të marra nga ministrja e Kulturës, në mungesën totale të transparencës, në një zonë ku ndërtimet pranë një muri prehistorik, që daton në shekullin 7 dhe 5 para Krishtit, janë kategorikisht të ndaluara. Procedura e dhënies së lejeve nga ana e Keshillit Kombëtar të Arkeologjisë e më pas nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (të dy të kryesuar nga ministrja vetë) janë në shkelje totale të ligjit, dhe janë dhënë për më pak se dy javë. Po sot, përfaqësuesja e UNESCO u shpreh se ky institucion nuk ka dhënë leje për një ndërhyrje të tillë, çka nxjerr zbuluar ministren Kumbaro”, tha Vokshi. Parku i Butrintit është rrethuar dhe nuk lejohet të futen as gazetarët dhe as qytetarë të thjeshtë. Në Park, futen vetëm kamionët me beton dhe tulla. Sipas banorëve të zonës, në mes të Parkut po ndërtohet një lokal me pronar nga Tirana. Po ashtu është planifikuar që të ndërtohet edhe një lokal tjetër mbi shkallët e Amfiteatrit Antik të Butrintit. Objekti po ndërtohet në Akropolin e qytetit të lashtë të Butrintit, pranë Kullës Veneciane, e cila është më e larta në Butrint. Punëtorët kanë marrë urdhër për ta mbuluar me barriera jeshile vendin në mes të Parkut, ku tashmë janë hedhur themelet e betonit të lokalit. Ndërtimi i lokalit po bëhet ngjitur me murin prehistorik që daton në shekullin 7-8 para Krishtit. Në këtë kantier nuk ka tabelë për punimet, ndërsa punëtorët nuk kanë frikë të flasin. As ata nuk e dinë se çfarë po ndërtohet. Punëtorët hedhin tulla e beton dhe kyçin gojën për çfarë po ndodh brenda mureve të lashta të Butrintit.

Pyetjet

Cila është arsyeja e një nxitimi kaq të madh në aprovimin e vendimeve të institucioneve në varësi të ministrisë?
Pse ministria refuzon të bëjë publike planin, raportin përkatës së arkeologut që i paraprin çdo ndërhyrje në site të tilla arkeologjike?
Cili është projekti? Sa është kostoja? A ka zhvilluar tender ministria për zhvillimin e punimeve?
A janë bërë gërmimet e detyrueshme para hedhjes së llaçit e betonit?
Cila është pika konkrete ku do bëhet ndërhyrja?
Cili është destinacioni i ndërtimit, dhe kush do ta menaxhojë?
A do jetë një tjetër aferë që këtë herë do shkatërrojë edhe vlerat e trashëgimisë kulturore të shqiptarisë për klientelën qeveritare?

Skandali, Rama urdhër për mos hapjen e asnjë dosje të komunizmit

Një skandal më vete po ndodh në Institutin e ngritur për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Daut Gumeni anëtar i këtij institucioni ka denoncuar publikisht përmes një interviste në media ku ka bërë të ditur se në këtë institucion është dhënë urdhër që të mos hapet asnjë dosje e të mos verifikohet askush. Hapja e dosjeve do të zbardhte të vërtetat e hidhura se një pjesë e mirë e njerëzve me të cilët Rama sot qeveris e që ka futur në Parlament kanë qenë bashkëpunëtorë të devotshëm të regjimit komunist, ndërsa kanë torturuar dhe persekutuar me qindra familje shqiptare. Gumeni akuzon se nuk po bëhet asnjë punë dhe se institucioni është hapur për të mos hapur asnjë dosje. Ai tregon se si po pengohet puna për hapjen e dosjeve nga personat e persekutuar që kërkojnë të dijnë se kush kanë qenë persekutorët e tyre. “Në nëntor mbushim një vit. Nuk mund të themi që kemi bërë atë që duhet. Të dhënat janë marrë nga sekretari ynë. Janë rreth 196 kërkesa individësh që duan të marrin vesh se çfarë është bërë me ta. Janë 110 kërkesa që u janë mbaruar shqyrtimi. Janë në proces zbulimi i atyre që kanë dëmtuar personat dhe ne kemi vështirë pa pasur arkivin tonë. Puna pengohet të shkosh nga një arkiv në tjetrin të marrësh informacion. Të vesh te Arkivi i Ministrisë së Brendshme nuk është se na pengojnë punonjësit. Por vetë mënyra se si janë vendosur dokumentet që na takojnë si institucion të pengon t’i shqyrtosh kur do ti dhe brenda afatit. Me një fjalë, për ata që e dinë se ne jemi një institucion i mrekullive, ne jemi një institucion i zakonshëm që zbatojmë një ligj të caktuar të miratuar nga Kuvendi për t’i njohur për të shkuarën e tyre. Por që të bëhet kjo, ne duhet të kemi godinën e arkivit tonë”, thotë Gumeni. I pyetur se çfarë ka bërë institucioni ku është ai është anëtar, ai thotë: Këto pra që ju thashë. 196 kërkesa të bëra, 110 të shqyrtuara dhe 36 kërkesa janë shqyrtuar nëse kanë apo jo ligjshmëri. Janë 32 kërkesa për të cilat është mbyllur procedura mbi bazën e vendimeve. Dhe 625 persona që janë kontrolluar, por jo nga autoriteti, por nga institucionet e tjera, që u ka kërkuar autoriteti. Janë Shërbimi Informativ dhe Ministria e Brendshme. Ne kemi shërbyer si kamarier. Nuk kemi kontrolluar ne. Ju kemi kërkuar arkivave këtë gjë dhe ata e kanë bërë. Ne nuk kemi kryer asnjë veprim. Thjesht kemi përcjellë atë që na kanë dhënë. Kur nuk ke arkivin tënd, ne shkruajmë që ky institucion thotë kështu. Por në fakt duhet t’i kontrollojmë”. “Puna jonë në këtë 1 vit ka qenë me këta fakirët që duan të dinë se çfarë ka ndodhur, kush i ka spiunuar kushëriri, vëllai, motra. Por nuk ka asnjë verifikim të atyre që e kanë dëmtuar vendin dhe vazhdojnë të mbajnë funksione. Ata që kanë paraqitur kërkesa nuk e dëmtojnë. Nuk janë ata që janë kureshtarë pengesa e përparimit. Por janë ata, që e kanë mbajtur pushtetin dhe e kanë akoma pushtetin. Unë nuk jam pesimist se do gjendet ndonjë nga ata që e kanë dëmtuar këtë vend”, thotë Gumeni. Ai paralajmëron largimin e tij, ndërsa i zhgënjyer shprehet se me këtë ritëm dosjet s’janë për t’u hapur kurrë nën qeverisjen Rama. “Ka edhe momente që e merr rrogën kot. Jam gati të iku nesër dhe jam më i qetë se sa kur më ngarkojnë një punë dhe nuk më lejojnë ta bëj këtë punë. Të vjedhësh rrogën i detyruar nuk është turp vetëm për atë që e vjedh, por edhe për atë që e detyron të vjedhë. Çdo një drejtori politike për të përndjekurit në Ministrinë e Mirëqënies. Mesa duket ne na kanë vënë në këtë institucion për të mos zbuluar asgjë. Këtij institucioni nuk i mungon serioziteti, por nuk e lejojnë të punojë. Për mua, ligji aktual duhet të ndryshohet dhe të bëhet verifikimi një detyrim ligjor. Ndryshe kjo që po bëjmë është pa asnjë vlerë”, thotë Gumeni.

Banda e Shkodrës, kush janë të paprekshmit nga policia?

Pas denoncimit të bujshëm të bandës së Elbasanit dhe lidhjet e faktuara të kësaj bande me pushtetin, ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar dje një tjetër bandë kriminale po aq të rrezikshme sa ajo e Elbasanit dhe me lidhje po aq të forta me pushtetin. Bëhet fjalë për bandën kriminale të të paprekshmëve në Shkodër, anëtarët e së cilës mbrohen me fanatizëm nga pushteti për krimet e tyre. Berisha ka publikuar dje denoncimet e disa qytetarëve, të cilët dëshmojnë për terrorin që kjo bandë e përbërë nga vrasës serialë, banda të armatosura, me makina të blinduara, kokainë-të lidhura direkt me Ramën, bëjnë ligjin në çdo shesh, rrugë, rrugicë, biznes të qytetit. Berisha ka publikuar jo një, por disa mesazhe të qytetarëve, që denoncojnë emrin e të njëjtit person, që mbahet si më i paprekshmi në qytetin e Shkodrës dhe që sipas qytetarëve, Policia as nuk guxon ta ndalojë. Nuk janë një apo dy denoncime, por dhjetëra të tilla si dhe dëshmi që tregojnë se si bandat e lidhura drejtpërdrejt me Ramën kanë ndikuar përmes kërcënimeve me jetë dhe presioneve ndaj qytetarëve, duke tjetërsuar vullntin e tyre në zgjedhjet e 25 qershorit. Të gjitha denoncimet i referohen bandës së Bajrave e konkretisht Enver Bajrit, i cili sipas denoncimeve është dhe një nga kokat e bandave më të rrezikshme kriminale që veprojnë në Shkodër në llogari të Edi Ramës dhe pushtetit të tij. Si këmbim, Rama i ka ofruar kësaj bande të rrezikshme vrasësish, kriminelësh e trafikantësh mbrojtje të plotë nga ligji dhe policia, duke i shndërruar ata në të paprekshëm. Dëshmitarët tregojnë me raste konkrete se si policia i hap rrugën bandës së Bajrit, i cili lëviz nëpër qytet, duke patrulluar me makina të blinduara, duke terrorizuar qytetin.

Gjashtë denoncime dhe dëshmi mbi pushtetin e krimit në Shkodër

“Përshëndetje doktor!
Bane mir që fole për Shkodrën dje ndoshta situata ashtë më e randë seç e komentuat ju. Para dy ditëve në qendër të Shkodrës tek ish-5 heronjtë policia kishte dalë kontroll, duke ndalu të gjitha makinat deri këtu ok shumë mirë, ska asgjë të keqe, në atë moment kalon një makin ML blu e errët e blinduarme xhama të zinj dhe policia u mobilizua, por kot sa hapi xhamin zotëria që quhet Behar Bajri gjithë policët bënë sikur se panë, faktikisht ai njeri lëviz i armatosur nëpër Shkodër dhe Policia nuk bën tentativën më të vogël për ta ndalu dhe e njohin gjithë në Shkodër se kush është ai njeri, por askush nuk mund të flasë se ka mbështetjen e politikës”.
“Prsh Dr. Sali Berisha
Shkodra gumëzhin tanë ditën nga automjetet e blindume nga kriminelë që kanë ba shumë vrasje dhe plaçkitje gjoba dhe shumë të tjera dhe policia i ka frikë askush në Shkodër janë mbi 20 makina të blindume që lëvizin nëpër Shkodër me armë brenda.
Po këta kriminelë kanë mush kutijat e votimit këto zgjedhje.
Të prsh Zoti të rujt”
“Banda ke në çdo vend të Shqipërisë o Sali Berisha në Dobraç të Shkodrës ke fisin e Bajrave, ku Enver Bajri është organizatori, jeton prej vitesh në Hollandë i vëllai i tij, Behar Bajri, ka bërë mbi 13 vrasje në qytetin e Shkodrës, ku po terrorizon komplet Shkodrën me vënie gjobash me 4 blinda e patrullon në Shkodër është banda që ju bënte presion qytetarëve të votojnë PS ose për ndryshe do shkelen me këmbë kanë lidhje direkt me Edi Kristaq Ramën këto plehra më shumë respekt nga qytetari je i vetmi politikan që kemi respekt dhe besim”.
“Mirdita doktor
Unë bëra një denoncim tek drejtori i Policisë së Shkodrës për Blerim Harushën, nipi i Luan Harushës, kryeplak në Komunën Golem dhe tani deputet dhe mik i ngushtë i Edi Ramës. Këtë e kanë zgjedh për deputet fisi i Bajrave në Dobraç bëra denoncim se kisha informacion të saktë për 5 kg kokainë se kishte ardhë nga Holanda nga Enver Bajri dhe Blerim Harusha e shpërndante në qytetin e Shkodrës dhe Policia e Shkodrës e arrestojnë vetëm me 15 doza, kur unë ja kisha dhënë informacionin drejtorit edhe vendin ku ishte e fshehur kokaina, por nuk e kam idenë nga avulloi 5 kg për t’u kap u kap, por po nxjerrin vetëm 15 doza. Me respekt Sadiku”.
“Përshendetje z.Berisha!
Jam një qytetar që nuk i parapëlqej këto denoncimet, por duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit që po ndodhin, mora shkas të shkruaj; të gjithë flasin për Elbasanin, por vetëm z. Alibeja para pak ditësh tek Fevziu e përmendi Shkodrën. Aty është banda shumë e rrezikshme që vepron dhe jep para me fajde pa kontratë, sepse të vret dhe kanë aq shumë para saqë kanë financuar edhe në zgjedhjen e deputetit z. Luan Harusha (që mund të jenë çun i mirë), por është financuar nga ato! Kisha dëshirë t’i bëje një pyetje z.Harusha? A e keni nr e telefonit të Behar dhe Enver Bajrit në tel tuaj, Faleminderit”.
“Përshëndetje doktor,
Jam një oficer Policie në Komisariatin e Policisë Shkodër, nuk mundemi të japim informacion për një person në kërkim, Artan Dekovi i dënuar me 12 vjet burgim, pasi është djali i xhaxhait të shefit të SHÇBA në Drejtorinë e Policisë Shkodër, Arben Dekovi. Ky person lëviz i armatosur në qytet dhe nuk e ndalon njeri, sepse kemi frikë nga shef Arbeni. Ju lutem publikoje, por anonim”.

10 ditë që betonieret vijojnë ndërtimin në Butrint

Prej afro 10 ditësh, në Parkun e Mbrojtur Kombëtar të Butrintit, betonieret dhe makineritë e rënda të ndërtimit po kryejnë punime. Ndërhyrja në park erdhi e papritur dhe u zbulua vetëm pas një filmimi amator të hedhur në faqen SarandaWeb pak kohë më parë. Për të kuptuar më mirë atë çfarë po ndodh, është e nevojshme të sqarohen disa karakteristika mbi Parkun e Butrintit. Ky park është i pashoq jo vetëm për vlerat arkeologjike, por edhe për natyrën e turizmit. Butrinti është i vetmi destinacion turistik në vend ku numri i vizitorëve të huaj është disa herë më i lartë se numri i vizitorëve shqiptarë. Në tre vitet e fundit, mesatarja e vizitorëve në këtë park ishte rreth 185 mijë vizitorë në 12 muaj. Kjo shifër e bën një destinacion me vlerë të veçantë turistike Butrintin. Parku i Butrintit është i mbrojtur nga UNESCO dhe klasifikohet si një pasuri e vlerave botërore. Kur një zonë mbrohet nga UNESCO, do të thotë se për këtë zonë është miratuar ligjërisht nga shteti përkatës, një Plan i Menaxhimit i Vlerës Kulturore (Butrint). Ky plan menaxhimi prevalon dhe imponon rregullat e veta mbi cilëndo nismë tjetër. Planet menaxhuese, si rregull rishikohen çdo 5 vite. Kjo, sepse konfigurimi dhe kapacitetet e Parkut mund të modifikohen sipas fluksit të vizitorëve apo rrethanave të tjera. Për shembull, numri i vizitorëve në Park në vitin 1999 ishte rreth 1500 vetë. Për vitin 2016 kjo shifër shkoi afro 200 mijë vizitorë.
Për herë të fundit, Plani Menaxhues është miratuar në vitin 2005 dhe është pikërisht ky plan në fuqi edhe sot e kësaj dite – asnjë ndërhyrje nuk mund të kryhet në Park nëse më parë, nuk rishikohet Plani i Menaxhimit dhe nëse nuk miratohet plani i ri. Aq i rëndësishëm është ky Plan Menaxhues, saqë Agjencia e Planifikimit të Territorit, detyroi në prill 2017 dy kompani konsulente që hartonin projektet urbanistike të Sarandës, e që të ndryshonin propozimin për ndërtimet e reja në Butrint, pasi ishin në kundërshtim me Planin e Menaxhimit. Por ndonëse Plani i Menaxhimit i vitit 2005 që është ende në fuqi, nuk lejon asnjë ndërtim në Park, ministrja Kumbaro i ka dhënë dritë jeshile ndërtimit të disa faciliteteve brenda Parkut, duke kurdisur një procedurë fiktive dokumentacioni, pasi ka siguruar lejen e Institutit të Monumenteve dhe disa hallkave të tjera burokratike.
Këto leje dhe autorizime janë të gjitha nul, të paligjshme, në momentin që ndërhyrja bie në kundërshtim me Planin e Menaxhimit të Parkut. Që Mirela Kumbaro të ndërhynte rregullisht në Butrint, duhej më parë që ajo të miratonte Planin e Ri të Menaxhimit të Parkut, sipas kritereve të UNESCO-s, e më pas bazuar mbi këtë plan, të autorizoheshin dhe ndërhyrjet përkatëse. Por miratimi i një Plani të Ri Menaxhues, nuk është diçka aq e thjeshtë sa ç’mund të jetë ndërtimi i një lokali. Rishikimi i Planit Menaxhues bëhet nën mbikëqyrjen e ekspertëve të UNESCO-s, e cila vlerëson jo vetëm nevojën për facilitetet e reja, por edhe logjikën ekonomike të përdorimit të këtyre faciliteteve. Politikat e UNESCO-s imponojnë që çdo facilitet të jetë në shërbim të vetë Parkut dhe të menaxhohet nga Drejtoria Shtetërore e Parkut.
Aktualisht, Parku i Butrintit ka rreth 1 milionë USD të ardhura në vit nga vizitat dhe e ka plotësisht të mundur dhe vetë që të kryejë investime me të ardhurat për facilitetet në Park. Ky është dhe problemi kryesor që ka ministrja Kumbaro. Ajo ka shmangur tërësisht Planin e Menaxhimit të Butrintit, duke ndërhyrë brutalisht në territor, bazuar në disa leje fiktive institutesh që i kontrollon vetë, e më pas, aktivitetin e ri tregtar që do të ndërtojë, ia ka kaluar një biznesmeni të saj të preferuar. Nuk është ende e qartë se cili grup interesi fshihet pas kësaj lëvizje – në disa media lakohet firma ‘Hako’ e sallamerisë – por pavarësisht identikitit të biznesmenit, është e qartë se vendimin për të bërë biznes privat me Parkun e mbrojtur Kombëtar të Butrintit, e ka marrë ekskluzivisht një person, ky person ka emër: Mirela Kumbaro. / Hashtag.al

Në Gjykatë HEC-et e Valbonës, Ambasada gjermane: Zona është unike, të ruhet

Gjykata Administrative ka nisur shqyrtimin e kërkesës së banorëve të fshatit Dragobi për pezullimin e punimeve për ndërtimin e dy hidrocentraleve në Valbonë. Në padi, 27 banorë të fshatrave përreth kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve. Nga pala e paditur u paraqit vetëm Ministria e Energjisë dhe Këshilli Kombëtar i Territorit, ndërkohë që munguan disa dikastere të tjera të përfshira në padi. Në hapje të seancës ra në sy mbështetja publike që ju dha banorëve të zonës nga ana e ambasadës gjermane, që e ka ndjekur që nga fillimi këtë përplasje. Zëvendës Ambasadorja Anke Holstein tha se zona ofron vlera natyrore dhe një peizazh unik, i cili duhet të shfrytëzohet për turizëm e rritjen ekonomike të popullsisë përreth. Nga ana e tyre, banorët thanë se puna për ndërtimin e Hec-ve ka vazhduar me ritme të shpejta. Sipas tyre, shpërthimet e dinamitit tronditin çdo natë shtëpitë, ndërkohë që shtrati i lumit është tharë. Më 2 qershor, Gjykata Administrative vendosi rrëzimin e kërkesës së banorëve për pezullimin e punimeve për ta nënshtruar çështjen një gjykimi të mirëfilltë. Banorët e katër fshatrave në luginën e Valbonës i kanë kërkuar një gjykate në Tiranë të anulojë vendimet që lejojnë ndërtimin e hidrocentraleve, që sipas tyre do të shkatërrojnë lumin Valbonë. Me mbështetjen e OJQ-ve në Alpet shqiptare, banorët e luginës së Valbonës i janë drejtuar Gjykatës në përpjekje për të përmbysur një vendim që miraton ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin Valbonë. Pas Vjosës dhe hidrocentralit të Poçemit, kjo është e dyta çështje e madhe mjedisore që i drejtohet Gjykatës.
Që nga shkurti i vitit të kaluar, banorët e mbështetur nga grupe mjedisore dhe artistë kanë protestuar kundër vendimeve për të ndërtuar hidrocentrale në lumë, të cilat qeveria i ka vulosur në vitin 2009 dhe 2013. Ata thonë se, ndërtimi i hidrocentraleve do të dëmtojë mjedisin dhe potencialin turistik të zonës së Alpeve shqiptare.
Protestat e tyre dhe diskutimet me qeverinë kanë rënë në vesh të shurdhët deri më tani dhe disa nga kompanitë koncesionare kanë filluar tashmë ndërtimin e hidrocentraleve, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga vendasit. Të martën, 27 banorë nga Rragami, Valbona, Dragobia dhe Çeremi së bashku me OJQ-në Toka dhe lidhjen Të Shpëtojmë Alpet shqiptare paraqitën në Gjykatën Administrative të Tiranës një padi.
Padia i kërkon Gjykatës të anulojë kontratat për dy hidrocentralet që janë në proces ndërtimi në atë që përcaktohet si park kombëtar. “I kërkojmë Gjykatës të anulojë kontratën e koncesionit dhe lejen mjedisore, lejen e ndërtimit dhe lejen e përdorimit të rezervave ujore”, shkruan deklarata e banorëve. Ata thonë se procedurat që Ministria e Industrisë, Ministria e Mjedisit dhe agjenci të tjera shtetërore kanë ndjekur, kanë çuar në dhënie lejesh që janë shkelur në mënyrë flagrante.

Sistemi shëndetësor tërësisht i dhënë me koncesion

Financimet në shëndetësi cilësohen si “thembra e Akilit” sa i përket përmirësimit të shërbimeve shëndetësore dhe rritjes së cilësisë së tyre. Por më e rëndësishme se vetë financimi është menaxhimi i parave që vihen në shërbim të këtij sektori. Tenderat dhe koncesionet janë format më të përdorura për ofrimin e shërbimeve shëndetësore vitet e fundit. Nëse do të bënim një renditje të kompanive sipas vlerës së kontratave publike të lidhura në këtë sektor do të listonim pesë prej tyre si më kryesoret.
Në vendin e parë është Devis shpk, e cila ka lidhur tetë kontrata me një vlerë përfitimi mbi 861 milionë lekë. Fusha në të cilën ofron shërbime kjo kompani është lavanteri dhe pastrime kimike dhe është krijuar në vitin 2004. Në vend të dytë, renditet Megapharma, e cila vetëm me QSUT ka lidhur kontrata në vlerën e 519 milionë lekë. Në vendin e tretë, renditet Rejsi Farma shpk, e cila ka si objekt të veprimtarisë së saj eksport–importin dhe tregtimin me shumicë dhe pakicë të produkteve farmaceutike e kozmetike.
Në total kjo kompani ka rreth 177 kontrata të lidhura në sektorin shëndetësor me një vlerë financiare mbi 413 milionë lekë. Vetëm me QSUT, kjo kompani ka lidhur 37 kontrata me një vlerë prej 223 milionë lekë.
Në vendin e katër, renditet Biomedica Albania Distribution, kompani e cila është krijuar në vitin 2015 dhe numëron dy kontratat të lidhura në sektorin shëndetësor. Ndërsa në vendin e pestë për nga renditja e bizneseve që kanë lidhur kontrata me vlerë më të lartë në sektorin e shëndetësisë është OES Distrimed shpk. Një numër i lartë kompanish shprehin interes për të bashkëpunuar në sektorin e shëndetësisë dhe sipas gjasave për të gjithë do të ketë një mundësi, duke qenë se orientimi i politikave sociale dhe jo vetëm, është drejtë bashkëpunimit me privatin.

63% e shqiptarëve: Asnjë mundësi punësimi

Shqipëria ka peshën më të lartë të të vetëpunësuarve në Europë, me rreth 35% të totalit të punonjësve, teksa pas saj është Greqia, me rreth 30%. Por gjithashtu vendi ynë ka përqindjen më të lartë në këtë kategori, që deklarojnë se vetëpunësohen, pasi nuk kanë asnjë mundësi tjetër për punë.
Një studim i ndërmarrë nga Bashkimi Europian për punësimin dhe perspektivat e tij në Europë ka gjetur se 63% e të anketuarve kanë deklaruar se e bëjnë këtë zgjedhje, pasi nuk kanë alternativë tjetër. Kjo është përqindja më e lartë në të gjithë Europën, teksa pas nesh është Serbia, me 53% të totalit. Nivel të lartë të vetëpunësimit “nga halli” kanë dhe shtetet e tjera të rajonit, si Mali i Zi e Maqedonia (shih grafikun).
Arsyet janë krejt të ndryshme në vendet e zhvilluara, ku vetëpunësimi tashmë është një zgjedhje personale.
Për shembull, në Suedi 86 për qind e të vetëpunësuarvë kanë zgjedhur të jenë të tillë për shkak të komoditetit dhe të ardhurave që sjell ushtrimi i një profesioni në gjendje të lirë. “Freelance” është një kategori shumë e përhapur në këto vende.
Por, duke parë arsyet pse njerëzit vetëpunësohen, shihet se grafiku nis e zhbalancohet tek vendet më pak të zhvilluara të Europës dhe ato në zhvillim.
Për shembull në Turqi dhe në Rumani vjen e rritet numri i personave që vetëpunësohen se nuk shohin alternativa të tjera punësimi. Por në mesin e 36 vendeve europiane, Shqipëria renditet e para për numrin e lartë të personave që vetëpunësohen nga mungesa e mundësive për të punuar me rrogë.
Në Shqipëri, numërohen sipas të dhënave nga tatimet 80 mijë biznese të vogla që nuk janë të përfshira në pagesën e TVSH-së. Pjesa dërrmuese e këtyre bizneseve përfaqësohet nga të vetëpunësuarit kryesisht në sektorin e tregtisë dhe në atë të shërbimeve. Kjo kategori zë rreth 76 për qind të totalit të bizneseve në regjistrin aktiv të ndërmarrjeve. Prandaj, Shqipëria është kaq e pazakontë në njësitë e shitjes me pakicë ku dyqanet e veshjeve apo ato të ushqimeve dominojnë në të gjitha rrugët dhe lagjet e qendrave urbane.
Ndërsa sipas të dhënave të INSTAT, statistikat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri për vitin 2015, shprehin se, 99,9% të ndërmarrjeve aktive e zë kjo kategori. Sektori i tregtisë mbizotëron në numrin e ndërmarrjeve aktive me 43,1%, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera me 19,3%.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri angazhojnë 81,3% të totalit të të punësuarve. Tre janë sektorët që punësojnë mbi 50% të të punësuarve në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; sektori i tregtisë mbizotëron me 24,5%, i ndjekur nga sektorët e shërbimeve të tjera me 16,0% dhe sektori i industrisë përpunuese me 14,2%.
Mirëpo, sektori më i madh i punësimit në vend rrezikon të shkojë në kolaps për shkak të zhvillimeve në tregjet e pakicës. Hapja me shpejtësi i qendrave tregtare vitet e fundit dhe supermarketeve nga njëra anë dhe nga rënia e konsumit prej krizës ekonomike të vitit 2008 nga ana tjetër e ka vënë biznesin e vetëpunësimit në vështirësi. Tre vitet e fundit bizneset e vogla po kalojnë me shpejtësi në regjistrin pasiv të biznesit. Që nga maji i vitit të kaluar, kur lista e bizneseve pasive u publikua për herë të parë 18 mijë biznese kanë pushuar aktivitetin. Numri total i bizneseve pasive arriti në 109,099 biznese sipas përditësimit të muajit të kaluar. Përllogaritjet tregojnë se, çdo muaj kanë kaluar së paku 1200 biznese në regjistrin pasiv. Mbi 95 për qind në regjistrin pasiv janë mikronjësi. Por, nëse qeveria jetëson në janar të vitit që vjen një nismë për përfshirjen e tyre në pagesën e TVSH-së, do të jetë goditja më fatale për të vetëpunësuarit.