33.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025

Objektivat e rinj të presidentit Trump

Qeveria e Presidentit të SHBA, Trump do t’i japë fund “luftës kundër qymyrit”. Me “Clean Power Plan” të paraardhësit të Trumpit, Obama, synohej të pakësohej nxjerrja e gazrave të efektit serë. Drejtori i Autoritetit të Ambjentit EPA, Scott Pruitt bëri të ditur në një takim në shtetin federal Kentucky, se do të nënshkruajë një projektligj për eliminimin e të ashtuquajturit Clean Power Plan, të qeverisë paraardhëse. “Ky është mesazhi i Presidentit: lufta kundër qymyrit mori fund”, tha Pruitt.
Plani për “energjinë e pastër” i Obamas parashikonte që nxjerrja e dioksidit të karbonit të termocentraleve deri në vitin 2030 të ulej me 32 për qind, nën nivelin e vitit 2005. Veç kësaj, lëndët e djegshme fosile do të zëvendësoheshin gjithnjë e më shumë me energji të ripërtëritshme.

Kartë e kuqe nga Gjykata e Lartë
Por Gjykata e Lartë i bllokoi këto plane në vitin 2016. Më shumë se një dyzinë shtetesh të drejtuara nga senatorë republikanë dhe shumë sipërmarrje nga sektori i energjisë i patën hedhur këto plane në gjyq, në vende të ndryshme. Pruitt, në atë kohë prokurori kryesor i Oklahomas, ishte njëri nga arkitektët e rezistencës juridike.

Alternativat? I kërkon kot
EPA argumenton se Obama i ka kaluar me planin në fjalë kompetencat e tij. Një propozim, si mund të kufizohen në të ardhmen emisionet, me sa duket autoriteti i ambientit nuk ka në plan të paraqesë. Këtë Supreme Court e paraqiti si kusht në vendimin e tij të vitit 2016. Në vend të kësaj, në bazë të një projekti, EPA ka në plan të mbledhë propozime nga ekonomia dhe shoqëria, për mënyrën si mund të zëvendësohet ky plan.

Largim nga strategjia e klimës e Obamas
Trumpi i dha detyrë në mars Autoritetit të Ambjentit, që ta verifikojë strategjinë për klimën të Obamas. Trumpi dhe shumë republikanë dyshojnë që sjellja njerëzore ndikon në ndryshimin e klimës. Në qershor, Trumpi shpalli se do të largohet edhe nga Marrëveshja e Parisit për Mbrojtjen e Klimës.

Strategjia e emigracionit
Presidenti Donald Trump e bëri të qartë se do të këmbëngulë për ndryshimin e sistemit të lejeve të përhershme të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, të ashtuquajturat karta jeshile, do të punësojë 10 mijë zyrtarë të rinj të emigracionit, si dhe do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit jugor të vendit. Ai i parashtroi këto si kushte për arritjen e një marrëveshjeje me demokratët për statusin e të ashtuquajturve “ëndërrimtarët”, personat që kanë ardhur ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur.
Muajin e kaluar, Presidenti Trump njoftoi se synon t’i japë fund programit DACA të periudhës së ish-Presidentit Obama që mbron qindra mijëra të rinj që u sollën ilegalisht në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë.
Kërkesa e Presidentit për ndërtimin e një muri kufitar ishte ndër pjesët kyçe të suksesit të fushatës së tij për në Shtëpinë e Bardhë dhe ai e përsëriti këtë kërkesë muajin e kaluar kur mohoi se pati arritur një marrëveshje me udhëheqësit demokratë për këtë çështje.
“Po punojmë për një plan për programin DACA, që do të shoqërohet gjithashtu me një sistem kontrolli masiv të kufijve. Njerëzit duan që kjo të ndodhë. Kemi 800 mijë të rinj që janë sjellë këtu, jo për fajin e tyre, kështu që do të punojmë për një zgjidhje”, deklaroi Presidenti Trump.
Objektivat e Presidentit Trump për politikat e emigracionit synojnë edhe kufizimin e dhënies së kartave jeshile të afërmve të shtetasve amerikanë dhe atyre me qëndrim të përhershëm, si dhe për krijimin e një sistemi pikësh.
Por, demokratët kundërshtojnë me forcë shumë prej këtyre objektivave.
Gjatë një deklarate të përbashkët, udhëheqësja demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe ai në Senat, Chuck Schumer thanë se këto kërkesa “shkojnë shumë përtej të arsyeshmes”.
Por, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions nuk është dakort. Në një deklaratë të fortë të qarkulluar dje, zoti Sessions tha se kërkesat e Presidentit Trump “janë propozime të arsyeshme” dhe se “ato do të rezultojnë në një sistem emigracioni me integritet, për të cilin do të krenohemi”.
Presidenti Trump i ka dhënë Kongresit gjashtë muaj kohë për të hartuar një projektligj që do t’i mbronte “ëndërrimtarët” nga deportimi.

Pas Las Vegasit rihapet debati mbi armëmbajtjen

Një javë pas masakrës më të rëndë me armë zjarri në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, po zien përsëri debati për kufizimet mbi të drejtën e armëmbajtjes. Përpjekje të njëpasnjëshme për ligje të reja kufizuese kanë dështuar në të kaluarën në Kongres. Korrespondenti Michael Bowman njofton se po bëhet një përpjekje e re për të nxjerrë jashtë ligji një pajisje që i dha mundësi autorit të masakrës në Las Vegas të përdorte armët me një rezultat shumë më vdekjeprurës se ç’kishin aftësi fillimisht:
Sulmi në Njutaun të shtetit Konektikat, më pas në Çarlston të Karolinës së Jugut, në San Bernadino të Kalifornisë e shumë incidente të tjera shkaktojnë dhimbje, revoltim dhe zgjojnë thirrje për veprim. Por deri tani Kongresi nuk ka vepruar.
“Jemi mbledhur nga trishtimi, tronditja dhe dhimbja e përbashkët për të vrarët dhe të plagosurit e familjet e tyre”, u shpreh Nënpresidenti Mike Pence.
Ndërkohë që kujtohen viktimat në LasVegas, në të dyja Dhomat e Kongresit janë hartuar projektligje për të ndaluar pajisjet që u japin mundësi armëve gjysmë-automatike të qëllojnë me breshëri thuajse të ngjashme me armët automatike.
“E vetmja arsye përse i bëhen modifikime armës është që të mund të vrasësh sa më shumë njerëz brenda një kohe sa më të shkurtër”, shprehet Senatorja Dianne Feinstein.
Shoqata Kombëtare e Armëve, grupi më i madh lobist për të drejtën e armëmbajtjes, javën e kaluar sinjalizoi se mbështet “vendosjen e rregulloreve shtesë” mbi pajisje që intensifikojnë breshërinë e armës. Ata që kërkojnë kontroll mbi armëmbajtjen duan masa më të forta:
“Rregulloret janë mënyra për të krijuar vonesa. Ne duam të ndalohen këto pajisje”, tha Senatori Richard Blumenthal.
Për momentin, Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë komente për ndonjë prej propozimeve.
“Duam të përfshihemi në këtë diskutim. Duam të mbledhim informacion, do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në ditët e ardhshme”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
Kreu i republikanëve në Senat la të kuptohej se nuk është shumë entuziast që të paraqesë për votim projekt-ligje mbi armët.
Mitch McConnell, kreu i republikanëve në Senat.
“Ende nuk kanë përfunduar hetimet. Është e parakohshme të diskutojmë zgjidhje legjislative, edhe sikur të ketë të tilla”, tha Senatori Mitch McConnell. Ndërkaq, është rishfaqur debati nëse kontrolli mbi armët ul ritmet e dhunës në vend, apo përbën kufizim mbi të drejtën kushtetuese të amerikanëve për armëmbajtje.

Trump: 20 vjet dështim në politikën ndaj Koresë së Veriut

Presidenti Donald Trump tha sot se çdo përpjekje për të zgjidhur çështjen e Koresë së Veriut ka dështuar për më shumë se dy dekada.
“Vendi ynë ka qenë i pasuksesshëm në ballafaqimin me Korenë e Veriut për 25 vjet, duke dhënë miliarda dollarë dhe duke mos marrë asgjë mbrapsht”, tha Presidenti në Trump në Twitter.
Deklaratat e reja të Presidentit Trump janë sugjerimet e tij më të fundit, se mund të ndryshojë politikën amerikane që synon të pengojë Korenë e Veriut të zhvillojë armë bërthamore pa konfrontime.
Të shtunën, zoti Trump shkroi në Twitter se “presidentët e kaluar amerikanë kanë biseduar me udhëheqësit e Koresë së Veriut, duke bërë marrëveshje dhe duke paguar sasi të mëdha parash… dhe kjo nuk ka funksionuar, marrëveshjet janë shkelur para se të thahej boja, duke i vënë në lojë negociatorët amerikanë. Më falni, por vetëm një gjë do të funksionojë!”
Nuk është e qartë se çfarë donte të thoshte Presidenti, por komentet e tij duket të sugjerojnë se ai iu referohet veprimeve ushtarake.

United, nis numërimi mbrapsht për Ibrahimoviç!

Manchester United po përgatit festën e mirëseardhjes për një lojtar unikal, njëherazi shumë karizmatik. I tillë është gjiganti suedez Zlatan Ibrahimoviç, i cili duket se ka djegur të gjitha etapat e fazës së rikuperimit pas dëmtimit të rëndë që pësoi në gju gjatë muajit prill, që e penalizoi duke lënë jashtë fushës për kaq shumë kohë. Tashmë ka nisur numërimi mbrapsht deri në momentin që sulmuesi do të zbresë në fushë. Tifozët e djajve të kuq duket se nuk kanë më durim dhe kërkojnë të dinë një datë, një vend, një kundërshtar përballë të cilëve do të duelojë bomberi 36-vjeçar, i cili duket se nuk i ndjen vitet mbi shpinë. Për këtë mendon e përditshja britanike “The Mirror”, e cila zbulon se në datë 2 dhjetor, në Londër, përballë Arsenalit, në stadiumin e Emirates, do të jetë i gatshëm ai, Zlatan Ibrahimoviç! Një lajm i shkëlqyer ky edhe për portugezin Mourinho, trajnerin e klubit të “Old Trafford”, që do të mund të mbështetet tek eksperienca e ish-yllit të Juventus, Inter, Milan, Barcelona, e PSG, në fazën e rëndësishme të eleminimeve direkte të Champions League.

Reali vendos të largojë Gareth Bale

Gareth Bale person non grata tek Reali i Madridit. I transferuar me shumë bujë në radhët e klubit Los Blancos, tashmë mesa duket sulmuesi uellsian konsiderohet si një element i panevojshëm për teknikun Zidane. Dëmtimet e shpeshta të 27-vjeçarit duket se janë dhe shkaqet se përse Presidenti i Realit të Madridit sëbashku me teknikun Zinedine Zidane po mendojnë të shesin lojtarin. Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, klubi merenges ia ka ofruar Bale ekipit të Manchester United për shumën e 90-milionë eurove. Në fakt, tekniku i “Djajve të Kuq” Jose Mourinho tentoi tia shkëpuste Ralit yllin e skuadrës gjatë merkatos verore, por një gjë e tillë nuk u realizua kurrë.
Situata tashmë paraqitet ndryshe, këtë herë janë drejtuesit e klubit spanjoll ata që dëshirojnë largimin e uellsianit. Shumë është e përcaktuar 90 milionë euro, ndërkohë nga ana tjetër ish-futbollisti i Tottenham në disa raste është shprehur se ndihet komod tek merenges dhe as që e mendon aspak të largohet. Përtej dëshirës, Bale gjasat janë që e ardhmja e tij të jetë larg Realit të Madridit dhe një gjë e tillë ndoshta mund të ndodhë që në merkaton dimërore.

Zhgënjen Ventura

Është folur gjatë ditëve të fundit për një rikthim të mundshëm të Antonio Contes në Itali, por këtë herë shtypi britanik shkon më tej, duke futur në lojë edhe zhgënjimin e senatorëve të Kombëtares italiane të Futbollit, e në këtë mënyrë asocion stolin e Përfaqësues së Kaltër me teknikun e Chelseat. Në fakt është ndër titujt kryesorë të të përditshmeve sportive angleze, rikthimi i Antonio Contes në stolin e Kombëtaren italiane. Siç raporton “The Sun”, drejtuesit e Federatës Italiane të Futbollit janë duke përpiluar një ofertë joshëse në tentativën për të risjellë teknikun e Chelseat në drejtimin e katër herë Kampionëve të Botës. Marrëveshje e cila pritet të konkretizohet pas Botërorit 2018. Për të ushqyer të gjithë këtë skenar, kanë kontribuar, rezultatet zhgënjyese të Venturës gjatë kohëve të fundit, por edhe pakënaqësia e Contes, pasi nuk arriti të siguronte përforcimet që dëshironte tek Chelsea.
Javën e shkuar në fakt ish-tekniku i kombëtarës italiane, të cilën e drejtoi gjatë sezoneve 2014-2016 pati deklaruar se kishte nostalgji për Italinë dhe se e mendonte rikthimin, pasi të përjetonte edhe një eksperiencë tjetër të rëndësishme jashtë vendlindjes. 48-vjeçari Conte ka një kontratë trevjeçare me Chelsean dhe mësohet se drejtuesit e Klubit anglez janë të gatshëm që të shpenzojnë pa u kursyer në merkaton e dimrit, pikërisht me qëllimin për të mbajtur në stolin e tyre italianin Conte. Tekniku i Bluve të Londrës gjithashtu është në objektivat e Milanit, pas ecurisë aspak të kënaqshme që ka të Vincenzo Montellës, për të cilin fitet se rrezikon pozitat e tij menjëherë për derbyt në rast të një disfate.
Fitorja ndaj Shqipërisë nuk ka zbutur pakënaqësitë e shtypit italian që vijon të jetë kritik ndaj skuadrës së Venturës. Në “Loro Boriçi” kuqezinjtë me paraqitjen e tyre detyruan të kaltërit të mjaftohen me një gol të Candrevës, që për hir të vërtetës përfitoi nga një gabim në mbrojtjen tonë. Pikërisht loja e shfaqur në tapetin e gjelbër nuk ka bindur shtypin italian që edhe pse i është gëzuar kualifikimit për në Play Off nuk ka kursyer kritikat. Në një shkrim të “sportmediaset” është evidentuar që Italia nuk bind si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Paraqitjet me Maqedoninë dhe Shqipërinë kanë treguar limitet e Italisë, ndërkohë që mendohet se senatorët nuk kanë pëlqyer modulin e lojës së trajnerit Gianpiero Ventura, duke kërkuar rikthimin e skemës së përdorur nga Antonio Conte me 3 në mbrojtje.
Por timonieri i të kaltërve vijon të mbetet fanatik i ideve të tij, ashtu siç u pa edhe në “Loro Boriçi” dhe muajin e ardhshëm në sfidat e Play Off ndoshta mund të vendosë të ndryshojë lojtarët që duhet të interpretojnë skemat e ideuara prej tij. Por duket se tashmë Ventura ka të gjithë kundër, pasi shtypi italian ngren alarmin duke e konsideruar përfaqësuesen, e cila në europianin e vitit të shkuar u eliminua nga Gjermania me penallti, si një skuadër provinciale. Edhe suksesi në “Loro Boriçi” nuk qetëson shpirtrat e të kaltërve, të cilët do të vijojnë të jenë të trazuar edhe për një muaj, teksa gjatë kësaj periudhe do të mësojnë në fillim emrin e kundërshtarit në Play Of dhe më pas nëse do të jenë apo jo në Rusi verën e ardhshme.

Spanja s’toleron, shqiptarët i japin fitoren Maqedonisë

Edhe pse pa yje dhe me linjat e dyta në fushën e lojës, Spanja nuk njeh rivalë dhe mbi të gjitha nuk toleron. “La Roja” fitoi 1-0 në fushën e Izraelit, me golin e realizuar nga Asier Illarramendi në të 76-ën. Vetëm pak sekonda, pasi Italia kaloi në avantazh në “Loro Boriçi”, spanjollët u përgjigjën nga Jeruzalemi me rrjetën e mesfushorit të Real Sociedad. Me Sergio Ramos dhe Sergi Busquets që ishin dy titullarët e vetëm në fushë, në një ndeshje pa shumë emocione, iberikët bën thjesht detyrën përballë Izraelit, duke i bërë nder në distancë Shqipërisë në mbrojtjen e vendit të tretë në kualifikueset e Botërorit 2018. Në ndeshjen tjetër të grupit, Maqedonia e mbyll këtë edicion me fitoren me goleadë 4-0 përballë Lihtenshtejnit. Një sukses në shenjën e shqiptarëve, me tre gola të realizuar.
Visar Musliu në të 36-ën zhbllokoi ndeshjen pas asistit të Alioskit, ndërsa pak çaste më pas, Trajkovski dyfishoi rezultatin. Goli i tretë i Maqedonisë mbante firmën e talentit shqiptar nga Shkupi, Enis Bardhi në të 66-ën. Emocionues goli i katërt pak sekonda më pas, që edhe pse shërbeu për statistikë, kishte vlera të mëdha për Arijan Ademin. Shqiptari që është edhe kapiten te Dinamo e Zagrebit u rikthye me gol në përfaqësuesen maqedonase pas pezullimit dyvjeçar për përdorim të substancave të ndaluara.

Kandidaturat për Botërorin 2030

Federata e Futbollit të Argjentinës, së bashku me atë të Uruguajit dhe të Paraguajit, i prezantuan presidentit të FIFA-s Gianni Infantino kandidaturën e tyre të përbashkët për të organizuar Botërorin e vitit 2030. Pas një takimi me numrin 1 të FIFA-s Presidenti i Argjentinës, Mauricio Macri, ai i Uruguajit, Tabare Vazquez dhe Presidenti i Paraguajit, Horacio Cartes thanë në një konferencë shtypi të përbashkët se do të fillojnë të punojnë në një komision që do të paraqesë edhe formalisht prezantimin zyrtar në të ardhmen.
Argjentina do të vërë në dispozicion 8 stadiume, ndërsa Paraguaji dhe Uruguaji nga dy secili. Gjithashtu nuk duhet harruar se për Botërorin e 2030 kanë të drejtën e kandidimit edhe Federatat Europiane, ndërkohë që pritet të shprehë interes për organizimin e turneut edhe Kina që jo më kot vitet e fundit ka bërë investime marramendëse në futboll. Ndërkohë, kandidaturat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Meksikës duken të favorizuara për të mikpritur Kupën e Botës të vitit 2026.
Për sa i përket botërorit të vitit 2030 kandidatura e përbashkët e Argjentinës, Uruguajit dhe Paraguajit përmban edhe një simbolikë të veçantë, atë të Centenarios, thënë shqip 100-vjetorit, pasi në vitin e largët 1930 plot 100 vjet më parë, ishte viti i Botërorit të parë ku ishin pikërisht Argjentina dhe Uruguaji që luajtën në finalen për Kupën e Botës në Montevideo, ndeshje që u fitua 4-2 nga Uruguaji.

Kroacia fiton në Ukrainë

Ashtu siç pritej, Islanda dhe Serbia iu bashkangjitën skuadrave të tjera, duke e çuar në shtatë numrin e përfaqësuesve që kualifikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë për në fazën finale të Rusi 2018. Kombëtarja islandeze do të marrë pjesë për herë të parë në finalet e një botërori, për më tepër menjëherë pas kualifikimit historik edhe për në evropianin Francë 2016. Në Rejkjavik përfaqësuesja ishullore u mjaftua me nga një gol për çdo pjesë ndaj Kosovës për të kompletuar një arritje të jashtëzakonshme, që tregon qartë që në këtë sport nuk influencojnë as tradita, as paratë dhe as numri i popullsisë. Golat u realizuan respektivisht në minutat 40 e 68 nga dyshja e Premier League-s, Sigurdsson – Gudmundsson.
Në Grupin I Kroacia pasi vuajti dhe i rezistoi mirë presionit të ekipit të Andriy Shevchenko-s arriti të shënojë dy gola në pjesën e dytë, duke siguruar njëherësh edhe fitoren e parë në histori brenda në Ukrainë. Triumfi 2-0 për skuadrën e Zlatko Dalic u sigurua falë golave të shënuar nga sulmuesi i Hofenhajmit, Andrej Kramaric në minutat 62 e 70, që i japin tashmë mundësinë përfaqësueses kroate për të vazhduar aventurën në play off. Ndërkaq në Turku Turqisë së Mircea Lucescu-t nuk i mjaftuan dy golat e shënuar nga Cenk Tosun, për të dalë me 3 pikë nga Finlanda. Sulmuesi i Beshiktashit zhbllokoi ndeshjen në 57′. Arajuuri barazoi çerek ore para fundit, sidoqoftë pas avantazhit të përkohshëm të Tosun në 83′ vulosi përfundimisht rezultatin 2-2 Pohjanpalo, që shënoi dy minuta para përfundimit. Rikthehet në fazën finale të një botërori gjithashtu edhe Serbia, që mposhti minimalisht në Beograd kombëtaren e Gjeorgjisë.
Goli i kualifikimit u shënua 16′ para fundit nga Aleksandar Prijovic, gol që kthen Serbinë në një aktivitet të tillë që pas botërorit të Afrikës së Jugut. Në Grupin D menjëherë pas Serbisë u pozicionua Republika e Irlandës që e mbylli fazën e grupeve me 2 pikë më pak se ekipi i Slavoljub Muslin. Në Cardiff, Uellsi ishte skuadra më e mirë për pjesën më të madhe të kohës, gjithsesi golin përcaktues e realizoi James McClean, që shënoi golin e fitores që në 12′ të pjesës së dytë. Goli i shënuar nga mesfushori i Ëest Bromwich Albion kualifikon kështu për në play off Republikën e Irlandës, ndërsa dragonjtë që vuajtën edhe mungesën e Gareth Bale eliminohen përpara kohe. Në takimin përmbyllës të këtij grupi, Austria përfitoi nga kartoni i kuq i Jonitës në 55′ për të mundur brenda në Kishinjev, Moldavinë falë golit të shënuar në 69′ nga 22-vjeçari i Rapidit të Vjenës, Louis Schaub.

Ventura: “Urime Shqipërisë”!

Trajneri i Italisë, Ventura, si edhe lojtarët Candreva, Parolo edhe Chiellini komentuan për fitoren minimale 1-0 me Shqipërinë në “Loro Boriçi”. “Tre pikët përballë Shqipërisë ishin të rëndësishme, sepse na lejojnë të jemi kokë serie në ‘play off’. Muajin e fundit humbëm pak sigurinë, por sot u kthyem në rrugën tonë. Në pjesën e dytë dominuam në fushë, mund të kishim shënuar edhe më tepër, pavarësisht se prej disa gabimeve i dhuruam Shqipërisë raste për shënim. Ishte kënaqësi që luajtëm në një stadium të mbushur me tifozët që u sollën shumë mirë. Shqipëria po punon mirë dhe po paraqitet mirë, edhe pse u lodhën pas minutës së 70-të, ndoshta edhe për meritën tonë. I uroj mikut tim Panuçit të bëjë të njëjtën rrugë si mikut të italianëve, De Biasi. Në shortin e fazës ‘play off’ nuk kam frikë nga asnjë kundërshtar. Ndërkohë me Spanjën dua të përballem sërish në Botëror”, u shpreh Ventura.
“Vinim nga rezultate jo pozitive dhe duhej të riktheheshim pas ndeshjes me Maqedoninë. Ia arritëm. Ndeshjet zgjidhen me episode, deri në Madrid kemi luajtur mirë në këto kualifikuese. Por, tani jemi të përqendruar te ndeshjet e fazës ‘play off’”, tha Candreva.
“Ishte një ndeshje ku Shqipëria vrapoi shumë, por edhe në u përgjigjëm mirë. Ndoshta për këtë arsye ranë fizikisht në pjesën e dytë dhe ne patëm më shumë hapësira. Gjithsesi ishte një ndeshje e bukur, një stadium plot, por në një klimë futbolli, është bukur të luash në një atmosferë të tillë. Më pëlqyen edhe duartrokitjet gjatë himnit italian, kështu që komplimente”, tha Parolo.
“Ka 20 vjet që Italia nuk luan në play off, por është një ndjesi e re, për të gjithë, por duhet të përballemi me skuadra shumë fizike dhe duhet të jemi në gjendje të mirë pasi duam të shkojmë në Botërorin në Rusi. Mendoj se pas Spanjës humbëm energjinë pozitive, por sot e rigjetëm. Mendoj se ishte një ndeshje e mirë, dhe tani jemi të fokusuar te Botërori. E kisha studiuar mirë Sadikun, që është një sulmues i mirë. Jam i lumtur për klimën që gjeta këtu, duket që jemi të mirëpritur. Fanellën e ndryshova me Grezdën, pasi ishim shumë afër në përfundimin e ndeshjes”, u shpreh Chiellini.