Nëse katër ndeshjet e fundit i shërbyen për të njohur skuadrën dhe për të eksperimentuar, pas mbylljes së kualifikueseve të Botërorit 2018 Christian Panuçi e ka një ide të qartë të asaj që do të bëjë Shqipëria. Trajneri premton një skuadër sulmuese në të ardhmen, që do të kërkojë të marrë rezultate nëpërmjet lojës. “Jam i kënaqur nga paraqitja e kombëtares në dy ndeshjet e fundit. Luajtëm mirë ndaj Spanjës, skuadrës më të fortë në botë, ndërsa ndaj Italisë luajtëm si të barabartë, duke krijuar edhe 3-4 raste për shënim. Jam i kënaqur për idenë që po përpiqemi t’i japim skuadrës dhe që lojtarët po më ndjekin. Ideja është të mos bëjmë më hapa mbrapa, por hapa përpara. Në dy miqësoret që do të zhvillojmë në nëntor do të provojmë skemat me dy sulmues. Kemi një vit kohë për të përgatitur Europianin 2020. Jam i sigurt se kjo skuadër e ka cilësinë që të dalë nga zona e sigurisë dhe provojë të bëjë më tepër përpara. Duhet të dalim nga mbrojtja, por duke njohur edhe ato që janë defektet tona”, u shpreh Panuçi.
Shqipëria sulmuese është një kërkesë edhe e vetë lojtarëve, që i kanë shfaqur dëshirën trajnerit për të guxuar. Duke nisur ndoshta nga Liga e Kombeve, aty ku kuqezinjtë do të përballen me rivalë thuajse të të njëjtit nivel. “Jemi në fillim të një rrugëtimi. Por, duhet të krijojmë një ide dhe një bindje. Nuk do të kemi rastin të përballemi gjithmonë me Spanjën, ndërsa me ndeshje si këto të fundit besoj se mund të kishim fituar përballë ekipeve si Norvegjia apo Zvicra. Unë do të punoj për të luajtur futboll, pasi kjo skuadër i ka mundësitë. Nuk do të luajmë 3-5-2 apo të parkojmë autobusin. Kemi një bazë shumë të mirë dhe do t’i luajmë ndeshjet tona me kurajo.
Ideja është që të shkojmë të marrim pikë. Lojtarët më duken të bindur për atë që po bëjmë, skuadra di ta luajë futbollin që kërkoj. Absolutisht nuk duhet të heqim dorë nga cilësia për sasinë. Duhet të dalim nga “guacka”, sepse këtu njerëzit kanë dëshirë të jetojnë dhe këtë e shoh edhe te skuadra. Djemtë më thonë që duan të provojnë të luajnë në sulm dhe fakti që luajtëm si të barabartë me Italinë është një sinjal që mund të bëjmë më tepër”, tha ai.
Problemi kryesor i kombëtares sipas Panuçit është intensiteti i lojës në disa liga ku aktivizohen lojtarët dhe kjo pasqyrohet edhe me rënien fizike të skuadrës në ndeshje. “I vetmi shqetësim lidhet me faktin që shumë lojtarë luajnë në Zvicër, Greqi apo Rusi. Intensiteti i stërvitjeve apo i lojës në ato kampionate është shumë i ulët. Këtë problem kam: nëse unë e ngre ritmin e stërvitjes, ata lojtarë lodhen. Do të doja të punoja tre muaj me ekipin që t’i bëj të ndjejnë muskujt që dridhen. Me Italinë në minutën e 65-të lojtarët ranë fizikisht, megjithatë dua t’i falënderoj, sepse dhanë gjithçka në fushë. Ndoshta dikush u mërzit se i bëra të vraponin shumë, por të gjithë treguan shumë profesionalitet. Jam i bindur se na pret një e ardhme e ndritur”, tha Panuçi.
Drejtuesi i stolit kuqezi foli edhe rreth ndryshimeve në ekip. Nga enigma Albian Ajeti që duket se po pret Zvicrën, te dera e hapur për Manajn, afrimin e disa lojtarëve nga kombëtaret e moshave dhe nisja e turit të vëzhgimeve, me një listë prej 15 lojtarësh të shpërndarë nëpër Europë.
Arlind RAMA
Shqipëri sulmuese
Konte largohet në fund të sezonit
Antonio Konte po përgatit rikthimin në Itali. Mediat angleze tashmë e japin si të sigurt lajmin se tekniku i Chelsea në fund të sezonit do të largohet nga drejtimi i “Bluve të Londrës”. I pakënaqur me merkaton dhe dëshira për t’u rikthyer pranë familjes, janë këto arsyet se përse italiani po planifikon t’i rikthehet aventurës në Seria A. Në ndjekje të tij është Milan. Drejtuesit e kuqezinjve prej kohësh po mundohen të bindin 47-vjeçarin të bëhet pjesë e projektit të tyre.
Kontrata aktuale e Kontes skadon më 2019 dhe vetë trajneri ka vendosur që kjo marrëveshje të mos rinovohet duke i dhënë një mesazh të qartë drejtuesve të klubit se bashkëpunimit mes palëve po i vjen fundi. Italiani kurrë nuk e ka fshehur pakënaqësinë e tij në lidhje me merkaton e zhvilluar dhe jo në pak raste është shfaqur nostalgjik për kohën kur ai ishte pjesë e kampionatit italian. “Italia është atdheu im, do të kthehem. Nuk e di se kur, por ky është objektivi im”. Kështu shprehej në një intervistë Konte.
Këtë deklaratë mediat angleze e kanë cilësuar si një mesazh të qartë divorci të parakohshëm. Në fund të sezonit numri një i stolit të Chelsea-t pritet t’i kërkojë Presidentit Roman Abramovich një zgjidhje konsensuale të kontratës. Në Itali skuadrat që duan të kenë Antonio Konten si trajner janë të shumtë edhe pse nuk ka asnjë kandidat konkret një gjë është e sigurt, tekniku 47-vjeçar do t’i japë lamtumirën Premier League, për t’u rikthyer aty ku edhe u bë i njohur, në Itali.
De Laurentiis: Dua Chiesën nga Fiorentina
Objektivi i vërtetë i Napolit në merkato është Federico Chiesa. Për të zëvendësuar të dëmtuarin Milik, De Laurentiis po shikon për përforcime dhe për skemat e Sarrit, Chiesa është perfekt dhe këtë nuk e fsheh edhe presidenti napoletan. Ai tha se i ka kërkuar pak ditë më parë vëllezërve Della Valle të blejë Chiesën, por pa marrë një përgjigje për çmimin e kartonit. De Laurentiis e pranoi se çmimi për talentin italian është i lartë, por synimi i tij është ta mbyllë në janar këtë operacion pasi në verë çmimi i lojtarit mund të rritet.
Heroi i Punës Socialiste
Edison YPI
Heronjtë e popullit, të guximit, të vetmohimit, të heshtur (për heronj llafazanë megjithëse kishte plot, kurrë nuk u fol), heronjtë e ditës (heronjtë e natës gjithashtu mungonin), të luftës, të frymëzimit, të kohës sonë dhe të gjitha kohërave, të naftës, të kombinateve, fabrikave, uzinave, të veprave të planeve 5-vjeçare, të veprave letrare, artistike, muzikore, filmike, ku gëlonin heronjtë pozitivë dhe ndonjë negativ që me ndihmën e pakursyer të kolektivit për të ndalur hezitimet dhe ndrequr gabimet edhe ai kthehej në pozitiv, nënat heroina që sipas këshillave të kurvit dhe mësimeve të partisë lindnin dhe rritnin mbi tetë fëmijë, e të tjerë e tjerë, deri tek për merita të veçanta kundër çdo pushtuesi një qytet i tërë shpallej qytet hero – ishin hordhia e derrave dhe dosave bartës të rrenave tepër trashanike.
Fill pas tyre dhe heronjve të panumërt të spiunllëqeve, rrahjeve, burgjeve, që mbanin vendin e parë si sasi, ai që binte më tepër në sy, ishte heroi i heronjve, superheroi, Heroi i Punës Socialiste, rrotull të cilit, si planetët e ftohtë rreth diellit të nxehtë, vërtiteshin gjithë të tjerët. Titullin në fjalë ja jepnin jo vetëm një individi, por edhe një grupi individësh brenda të cilit grup nami dhe nishani i individit humbte si uji në rërë.
Heroi i Punës Socialiste ishte një çudi e madhe me plot çudira të vogla brenda. Ta kuptoje pse ishte, si ishte, sa ishte, heroizmi i Heroit të Punës Socialiste duhet të ishe vetë një hero i durimit të zhbirilimit, fantazisë, hamendjes. Heroi i Punës Socialiste ishte prezent sepse kishte emër, mbiemër, foto të ngërdheshur. Inekzistent ngaqë nuk dilte asgjëkundi i gjallë, i prekshëm, prej mishi, prej gjaku.
Shfaqej vetëm nëpër filma, televizione, revista, gazeta në një mënyrë të çuditshme; Kur shihje në televizion shtylla të tensionit të lartë, lokomotiva, furrnalta, të dilte në përfytyrim Heroi i Punës Socialiste. Kur në televizion shihje surratin e Heroit të Punës Socialiste, përfytyrimi të tregonte një digë hidrocentrali, një traktor që çante arat, një saldator majë një kulle metalike, dhe marrina të tjera.
Në një kohë, kur mund të përfundoje prapa hekurave për hiçgjë, edhe mund të durohej pensionisti që të trokiste te dera për të thënë se duhej të dilje në punë vullnetare për sistemimin e oborrit të pallatit. E kapërdije edhe bezdinë që të shkaktonte zagari që të zgjonte qysh herët për të votuar deputetin e zonës, për shembull Reshat Arbanën. Halli mbi hall, nyja gordiane që s’e zgjidhte dot asnjë inteligjencë dhe s’e priste dot asnjë shpatë, ishte të gjeje me mend se çfarë i bashkonte, një surrat budallai të cilësuar hero me punën dhe socializmin.
A ekzistonin në vende të tjera heronj të punës jo-socialiste, ta zemë, heronj të punës kapitaliste apo heronj të punës revizioniste? Nëse puna lidhej me proletarët ngordhalaqë dhe zhulsa që bënin sikur punonin, socializmi mëshirohej te organizata e partisë së ndërmarrjes, pse dhe si lidheshin këto të dyja me heroizmin? Ndonjëri që shkonte më thellë, duke shtuar një të panjohur të katërt, frymëzimin, e bënte krejt të pazgjithshëm ekuacionin.
Vazhduan rrokullisje hamendësuese të tilla, derisa më së fundi u kuptua se para emrit të Heroit të Punës Socialiste (vetë heroin s’kishe ku e gjeje), veprës së tij, lavdisë së tij, gjigantizmit të tij, lypsej nënshtrim, përulje, tkurrje, zvogëlim deri në kokrrizë pluhuri, për të kuptuar sa i vogël dhe i mjerë ishe para atij emri dhe asaj vepre, sa turp duhej të të vinte për tërë ato herezira që bluaje brenda kokës.
Në pamundësi ta shihnin Heroin e Punës Socialiste në realitet, u shfaqej nëpër ëndërra. Dikujt si buldozer që ndërtonte një digë, një tjetri si eskavator që gërmonte kanale në Myzeqe apo Zadrimë, tjetrit si kamion ngarkuar me mineral. Nëpër thashetheme pëshpëritej se Heroi i Punës Socialiste ishte shofer që natë e ditë në zheg e në acar pa u ndalur asnjë çast ngiste një kamion prej të cilit nuk zbriste kurrë, aty gdhihej, aty ngrysej, aty hante fasule në një gavetë ushtari, aty pinte ujë burimi nga një bucelë, ndërkohë që kamioni ngarkohej.
Një ishullar që më vonë doli spiun, tha se për ta zbërthyer misterin se çfarë ishte në fund të fundit Heroi i Punës Socialiste do bënte atë që bëri Martin Luteri, do mësonte përmendësh krejt Biblën, për ta gjetur atje të fshehtën. Për të gjetur sekretin e trekëndëshit hero-punë-socializëm, një tjetër u nis për në gërmadhat e kishave dhe manastireve të lashtë majë shkëmbinjve ku qetësia është e garantuar, meditimi është produktiv.
Ndërkohë që sa më pisk i kishte punët shteti, aq më i largët bëhej viti i ardhshëm për të cilin Heroi i Punës Socialiste punonte pa u lodhur, debate të ashpra u bënë mes ishullarëve për këtë çështje. Problemi vështirësohej nga fakti se kishte plot budallenj që për t’u bërë Hero i Punës Socialiste përmes punës dhe socializmit gdhiheshin e ngryseshin mbi torno, saldatriçe, timon, por nuk u bënë dot kurrë heronj të asnjë lloji.
Nga Shkodra erdhi haberi se një intelektual katolik i heshtur dhe i thellë në vetminë e tij medituese, i ishte futur të kuptonte thelbin e funksionimit të trekëndëshit hero, punë, socializëm, me anë të statistikës matematikore nga këndvështrimi i esencës së ekzistencës. Rropatjet shumëvjeçare për të hedhur sadopak dritë mbi këtë paradoks nuk patën asnjë sukses. Derisa u muar vesh se ta mësoje cili ishte dhe si ishte nga afër Heroi i Punës Socialiste nuk kishte asnjë rëndësi. Ishte si të lodheshe të dije sa kilogram peshon një fjalim, sa metra kub ajër zë një kërcënim, sa gradë celsius është temperatura e mureve ku mbahet një plenium.
Të lodhur nga arsyetimet dhe dilemat, të cfilitur nga pyetjet pa përgjigje, Heroin e Punës Socialiste e pranuan si Zotin, Krishtin, Muhametin, pra si dogmë, si diçka që ekziston dhe pikë, vizë, byrek me gjizë. Pika, viza, gjiza, triumfuan përkundrejt heroizmit, punës, socializmit. Pas këtij zbulimi bajagi lehtësues, Heroi në fjalë u la të ishte çfarë të donte dhe si t’i pëlqente. Vetëm, atëherë u muar vesh se Heroi i Punës Socialiste, në formë ishte një shëmtirë, në përmbajtje një bosh, në rendiment të punës ku e ku më pak se më modesti proletar të sotëm.
Mazzarri në stolin e Everton
Walter Mazzarri pritet të rikthehet shumë shpejt në Premier League. Ish-trajneri i larguar nga Watford verën e kaluar është kontaktuar nga dy ekipe të rëndësishme siç janë Everton dhe West Ham. Të dyja ekipet kanë shfaqur rendiment shumë të dobët në krahasim me investimet e bëra ndaj dhe respektivisht, Koeman me Biliç janë në pikëpyetje. Mazzarri ka krijuar eksperiencën e nevojshme për të punuar në Premier League pas aventurës te Watford dhe nuk do të refuzonte ofertat nga klubet e mësipërme.
Kaka: Po afron fundi, dua të bëhem trajner
Tifozëve të Milanit, të Brazilit dhe jo vetëm pa dyshim që do t’ju mungojë. Ricardo Kaka bëri të ditur se shumë shpejt do të varë këpucët në gozhdë duke lënë futbollin e luajtur. “Futbolli nuk më jep më kënaqësi, pasi ndiej shumë dhembje kur mbaroj një ndeshje. Trupi zbulon gjithë 35 vitet e mi, nuk është më si më parë”, u shpreh Kaka.
Në këtë mënyrë kampioni brazilian ka shpjeguar vendimin e tij për t’u tërhequr së shpejti, edhe pse nuk përcaktoi një kohë të saktë. Gjithsesi ish-futbollisti i Milanit, aktualisht kapiten i Orlando City në Major League Soccer nuk është se do të shkëputet plotësisht nga futbolli. Duke i bërë elozhe karrierës pas tërheqjes së Zinedine Zidane, Kaka nuk e ka fshehur dëshirën për të ndjekur gjurmët e tij duke u bërë trajner. “Është një ide e mirë që të bëj atë që ka bërë Zidane. Të ndalem për pak, të kryej kurset e nevojshme për t’u bërë trajner dhe ta nis nga kategoritë më të ulëta. Dua ta bëj dhe unë ta bëj diçka të tillë”, tha ai.
I njohur gjerësisht si një ndër futbollistët më të mirë të brezit të tij, Kaka shkëlqeu më shumë se kudo te Milani, ku fitoi Championsin në vitin 2007 duke rezultuar dhe golashënuesi më i mirë i kompeticionit, sezon pas të cilit fitoi edhe Topin e Artë.
Griezmann, objektivi për Barçën
Barcelona shënjestron Antoine Griezmanm. Paolo Dybala ka qenë një objektiv i hershëm i katalanasve. Madje, gjatë merkatos që lamë pas u fol shpesh për një transferim të mundshëm të argjentinasit në radhët e blaugranave. Oferta ishte konkrete, por drejtori i Përgjithshëm i Juventusit, Beppe Marotta në shumë raste është shprehur i prerë në lidhje me këto zëra. Dybala nuk ikën, pavarësisht shumës që mund të ofrohet për të. Në muajt në vazhdim drejtuesit bardhezinj do të bëjnë çmos për ta blinduar numrin 10. Nisur nga ky fakt, Barcelona tashmë është vënë në ndjekje të një tjetër sulmuesi, atij të Atletico Madrid, Antoine Griezmann. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, qëllimi i blaugranave është që t’ia shkëpusë Atleticos yllin e skuadrës përpara fillimit të botërorit në Rusi. Momentalisht francezi ka një klauzolë që kap shifrën e 200 milionë eurove, klauzolë që qershorin e ardhshëm do të reduktohet në 100 milionë euro, duke thjeshtësuar në njëfarë mënyre operacionin. Në radhët e Los Colchoneros duket se tashmë i janë dorëzuar idesë që sulmuesi nuk do të jetë më pjesë e skuadrës sezonin e ardhshëm, duke parë dhe interesin e fortë që ka United për 26-vjeçarin. Sidoqoftë pista Premier League është opsioni që kuotohet më pak pasi dëshira e Grizemann është të vazhdojë aventurën në La Liga.
Ekzekutimi i 16 deputetëve të opozitës, si firmosi diktatori
Nuk ishte e lehtë të bëje opozitë edhe në vitet kur regjimi komunist në Shqipëri ishte ende i pakonsoliduar. Në fakt, për dy vjet me radhë, nga krerët e Partisë Komuniste u punua që menjëherë pas lufte, vetëm grupimi i tyre politik të dilte në skenë. Në këtë mënyrë, që nga “Mukja” filloi puna për eliminimin e eksponentëve të organizatave të tjera politike si Balli Kombëtar apo Legaliteti. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, fatin e keq në Shqipëri e pati edhe “Grupi i deputetëve”, opozita e së cilës lindi me shumë bujë dhe që pati një jehonë të jashtëzakonshme, për vetë faktin se mori përsipër të hapte siparin e mendimit ndryshe.
“Grupi i deputetëve” u morën si të pandehur nga regjimi komunist dhe u vunë në bankën e të akuzuarve në fillimin e shtatorit të vitit 1947. Në atë gjyq, i cili u zhvillua në kinemanë “17 Nëntori” të kryeqytetit nga data katër shtator e vitit 1947 e deri në datën 27 shtator, kur u dha edhe pretenca, u gjykuan si të pandehur 24 persona. Pjesa më e madhe e tyre ishin intelektualë, të cilët ishin diplomuar në universitetet e Perëndimit dhe disa prej tyre, si Shefqet Beja, Enver Sazani dhe Sheh Ibrahim Karbunara, ishin deputetë të Parlamentit shqiptar të propozuar si kandidatë të Frontit Demokratik. Ka qenë pikërisht koha, kur ky grup kishte marrë iniciativën për të penguar miratimin e projektkushtetutës së parë komuniste. Iniciativa e tyre për të ndalur revanshin komunist do t’u kushtonte jetën jo vetëm deputetëve që kishin mundur të hynin në Parlament, por edhe shumë bashkëpunëtorëve, duke arritur numrin e 40 vetave.
Eliminimet
Ideja për eliminimin e kundërshtarëve politikë, nuk filloi pas mbarimit të luftës, por që gjatë saj. Për këtë bëjnë fjalë dhe dokumentet e nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, të shkruara nga Enver Hoxha. Në një prej këtyre dokumenteve, të shkruar nga dora e Enverit në datën 19 gusht 1944 dhe që mban numrin “46” jepen këto porosi:
“Zain e Fundos ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. T’i kërkohet të japi shpjegime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva? Cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të englezëve? Të japi shpjegime për aktivitetin e tij të mëparshëm dhe për tradhtinë e tij. Deponimet e Zait na i dërgoni këndej me një njeri të sigurtë. Zain e vrisni atje”. Poshtë këtij dorëshkrimi ndodhet emri “Enver”.
Vetëm dy ditë më pas, urdhri i Enver Hoxhës për eliminimin e kundërshtarëve politikë do të vazhdonte me letrën me numër “45”, në të cilën thuhet:
“Lirisë, shumë konspirative. Mos kërkoni më prej Ganiut të dorëzohet, por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet. Në qoftë se Ganiu ashtë dorëzuar, më lajmëroni sa më parë. Duhet të veproni shpejt, se mund të vijnë në ndihmë kosovarë. Enver”.
Kuptohet qartë që në ato ditë lufte, urdhrat për ekzekutimet pa gjyq jepeshin dhe nga ketë kreu i Partisë Komuniste, Enver Hoxha. Por ndërhyrja e drejtpërdrejtë e tij do të vazhdonte edhe më pas, madje dhe kur bëhej fjalë për një grup deputetësh, të cilët nga opozitarë u cilësuan si “armiq”.
Si filloi
Më 2 dhjetor të vitit 1945, nga shteti komunist shqiptar i asaj kohe u organizuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Pjesa dërrmuese e deputetëve të zgjedhur ishin anëtarë te Partisë Komuniste Shqiptare dhe funksionarë të lartë të partisë-shtet. Të gjithë deputetët, pa përjashtim, ishin të lidhur ngushtë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, që drejtohej nga Partia Komuniste Shqiptare gjatë periudhës 1942-1944. Duke konstatuar se, Partia Komuniste Shqiptare po vendoste në Shqipëri një shtet diktatorial, disa prej deputetëve të shkolluar në Francë, Vjenë, Romë, etj, si: Gjergj Kokoshi, Enver Sazani dhe Selaudin Toto, filluan të shprehnin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë së Tiranës, të drejtuar nga Enver Hoxha. Bisedat po amplifikoheshin midis deputetëve me pikëpamje liberale. Por pa dyshim që Sigurimi i Shtetit ishte në dijeni të bisedave “reaksionare” që zhvilloheshin midis të pakënaqurve.
Organizimi
Grupi i deputetëve doli hapur si grup i organizuar në mbrojtje të parimeve të demokracisë perëndimore dhe mori përsipër të bënte opozitën në Parlamentin e parë të Shqipërisë komuniste. Aftësitë intelektuale dhe organizuese, shumë shpejt ranë ndesh me përpjekjet e diktaturës, e cila kishte filluar të instalohej pak nga pak. Opozita u bë pre e përndjekjes deri në arrestimin e tyre. Qëndresa e tyre për të ndalur revanshin komunist u kushtoi jetën 16 deputetëve, që kishin mundur të hynin në Parlament. Gjyqi i “Grupit të deputetëve” filloi dhe u mbyll si një proces gjyqësor tërësisht i montuar, mbështetur në dëshmi që u ishin marrë të pandehurve nëpërmjet një dhune fizike dhe psikike të pashembullt gjatë hetuesisë. Gjykata Ushtarake nën urdhrat e drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës urdhëroi ekzekutimin e 16 të pandehurve të atij procesi dhe dënime të rënda për dhjetëra të tjerë nga rrethe të ndryshme, të cilët i akuzuan për lidhje dhe bashkëpunim me “Grupin e deputetëve”.
Platforma
Ishte korriku i 1946-ës kur u mblodhën sërish krerët e organizatës së deputetëve në një takim të planifikuar për realizimin e platformës së tyre politike. Aty u ngarkuan Riza Dani, Faik Shehu dhe Jup Kazazi me detyra konkrete organizuese për të përgatitur ndërhyrjen e aleatëve. Në këtë nismë u vendos që të jepej një vrull i përgjithshëm për të krijuar turbullira në vend. Gjithsesi, më pas ata do të deklaronin për mosbesimin që kishin pasur në iniciativat e veta. Kështu, njëri prej tyre, Tefik Deliallisi, gjatë procesit të tij gjyqësor para trupit gjykues do të deklaronte:
“Ne dyshonim që me forcat tona të mund t’i futeshim kryengritjes, por vetëm kishim besim në ndihmën e anglo-amerikanëve. Fillimi i kryengritjes ishte vetëm sa për të gjetur pretekst për të ndërhyrë me armë, në mënyrë që të paraqisnim në botën e jashtme se në Shqipëri gjendja është e turbullt…”.
Arrestimet
Në fillim të vitit 1947, pa iu hequr mandati i deputetit, u arrestuan: Riza Dani, deputet i Shkodrës; Shefqet Beja, deputet i Durrësit; Enver Sazani, deputet i Durrësit; Selaudin Toto, deputet i Gjirokastrës; Irfan Majuni, deputet i Dibrës; Faik Shehu, deputet i Dibrës; Kosta Boshnjaku, deputet i Tiranës dhe Gjergj Kokoshi, deputet i Shkodrës, i pari ministër i Arsimit pas Luftës së Dytë Botërore. Gjyqi u zhvillua në kinema “17 Nëntori” (Nacional) në Tiranë, me po atë dekor të brendshëm dhe të jashtëm, me po ato parulla të hedhura nga turma e irrituar, sikurse edhe në Gjyqin Special të zhvilluar në kinema “Kosova”. Shefqet Beja, pati guximin të zhvishet në sallën e gjyqit, për t’i treguar trupit gjykues dhe të pranishmëve në sallë, plagët e shkaktuara nga hekuri i skuqur në gjoks dhe në shpinë. Një pjesë e mirë e të pandehurve, nën efektin e torturave, pranuan se kishin krijuar një “Grup opozitar”, për të vendosur në Shqipëri një regjim kapitalist. Vendimi u dha në fund të muajit shtator të vitit 1947 dhe ishte i paapelueshëm.
Vendimi
Më së fundmi, pas shumë akuzash dhe kundërakuzash, Gjykata e Lartë nxori vendimin nr. 187, datë 27. 9. 1947:
“…Për veprën e tradhtisë së lartë për rrëzimin e shtetit demokratik shqiptar…” dënohen:
Me vdekje me pushkatim: Selaudin Toto, Irfan Majuni, Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agothokli Xhitoni, Abdyl Kokoshi, Selim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Sogioti, Tefik Delialliasi, Pertef Karagjozi, Shefqet Beja, Sulo Klosi.
Në fund, numri i të ekzekutuarve arriti deri në 40 persona, pasi më mbrapa në këtë akuzë u përfshinë dhe ata që u konsideruan “bashkëpunëtorë të deputetëve”.
Ekzekutimi në Malin me Gropa
Plot një muaj të lidhur që nuk mund të lëviznin fare kanë ndenjur të gjithë deputetët e dënuar me vdekje në qelitë e Burgut të Sigurisë së Lartë Nr. 313 në kryeqytet, në pritje të zbatimit të vendimit të ekzekutimit të tyre. Brenda atij muaji ata u munduan të bëjnë dhe përpjekjet e fundit për të shpëtuar jetën. Kështu, secili dërgoi në organet më të larta të shtetit dhe kryesisht në Kryesinë e Asamblesë Kushtetuese, anëtarë të së cilës deri pak kohë më parë se të dënoheshin kishin qenë edhe ata vetë, kërkesat për falje të tyre. Deri në momentet e fundit nuk i kishin humbur shpresat për falje nga ish-kolegët e tyre parlamentarë. Megjithatë, ajo nuk u realizua kurrë. Ka qenë një shkresë e nisur në Drejtorinë e Burgut, ku ata ishin të izoluar, e firmosur nga Sekretari i Presidiumit, Sami Baholli, e cila u bënte të ditur refuzimin e lutjeve të tyre për t’u dhënë mundësinë për të jetuar. Konkretisht, ajo shkresë ka mbajtur datën 9 tetor 1947 dhe ka qenë regjistruar në numrin 180 të regjistrit të Parlamentit të atij viti. Pas kësaj do të vinin orët e para të mesnatës së 10 tetorit, kur skuadra e pushkatimit do t’i merrte për t’i çuar në zonën e Malit me Gropa, ku do të ekzekutoheshin që të gjithë.
Kur u vra demokracia
Me anë të këtij procesi, i cili nga dëshmitarët e kohës u cilësua si fund e krye farsë, Enver Hoxha synoi të nënshtronte dhe asgjësonte opozitën e vërtetë demokratike, duke i dhënë fund shprehjes së mendimit të lirë. Propaganda e shfrenuar i paraqiti ata në popull, si armiq që kishin bashkëpunuar me kriminelët dhe agjenturat e huaja. Me këto gjyqe të bujshme për nga makabriteti, diktatura komuniste synoi të shuante përgjithmonë çdo shpresë apo tentativë për demokraci e pluralizëm te shqiptarët. Dhe kjo vazhdoi për 45 vjet me radhë.
60 vjet më parë, 10 tetor 1947, ora 3 pas mesnate, i ngarkuari me cilësinë e prokurorit, përshkoi rrugën deri në burg e mori në dorëzim të dënuarit me vdekje, deputetët:
Shefqet Beja (me varje në litar)
Riza Alizoti (me varje në litar)
Sulo Klosi (me varje në litar)
Selaudin Toto (me varje në litar)
Sheh Ibrahim Karbunara
Paolo Saggioti
Agathokli Xhitoni
Mehmet Prishtina
Abdul Kokoshi
Beqir Çela
Salim Kokalari (me varje në litar)
Tefik Deliallisi
Irfan Majuni (me varje në litar)
Pertef Karagjozi
Enver Sazani (me varje në litar)
Hysen Shehu
Me heqje lirie të përjetshme u dënuan:
Foto Bala
Ramazan Tabaku
Rram Marku
Gjovalin Vlashi
Me nga 20 vjet heqje lirie u dënuan:
Shefki Minarolli
Rustem Sharra
Xhevat Xhafa
Me 15 vjet heqje lirie u dënua:
Sulo Konjari
Trupi gjykues
Kryetar
Major Niko Çeta
Anëtar
Kapiten I
Nexhat Hysejni
Kapiten II
Mustafa Iljazi
Kryesekretari
Aspirant Thoma Rino
Prokuror,
Zv/Prokuror i Përgjithshëm
Josif Pashko
Kush ishte prokurori i ekzekutimeve
Sot më datën 10. X. 947 ora 3 paradite, unë Josif Pashko, i ngarkuar me cilësi Prokuror, i shoqëruar dhe nga ndihmësi Harito Nashi dhe Dr. Major Ibrahim Dervishi, shkuam në burg dhe muarmë në dorëzim të pandehurit të dënuar me vdekje: Shefqet Beja, Riza Alizoti, Sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agathokli Xhitoni, Abdyl Kokoshi, Salim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Saggioti, Tefik Deliallisi dhe Pertef Karagjozi dhe mbasi u siguruam për identitetin e tyre të shoqëruar dhe nga rojet, shkuam në vendin e caktuar për ekzekutimin e të pandehurve. Mbasi u kënduam vendimin e Gjykatës së Naltë Nr. 187 dt 27. IX. ,947 që dënon të gjithë të pandehurit e naltpërmendur me vdekje, mbasi u kënduam shkresën e Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 180 të Regj. Dt 9. X. ,947 që refuzon lutjet e tyre për falje dhe mbasi u pyetën dhe thanë fjalën e fundit, në bazë të vendimit të naltpërmendur u ekzekutuan.
Nënshkruar sot më 10/X/1947
Prokuror
Josif Pashko
Ndihmës prokurori
Ibrahim Dervishi
Të pandehurit
1. Shefqet Beja
2. Enver Sazani
3. Sheh Ibrahimi Karbunara
4. Selaudin Toto
5. Irfan Majuni
6. Tefik Deliallisi
7. Hysen Shehu
8. Salim Kokalari
9. Sulo Konjari
10. Ramazan Tabaku
11. Gjovalin Vlashi
12. Rustem Sharra
13. Xhevat Xhafa
14. Rram Marku
15. Beqir Çela
16. Riza Alizoti
17. Sulo Klosi
18. Saggioti Paolo
19. Foto Bala
20. Abdyl Kokoshi
21. Shefki Minarolli
22. Pertef Karagjozi
23. Mehmet Prishtina
24. Agathokli Xhitoni