Është e vështirë të ndalësh sulmet kibernetike. Kjo vlen për institucionet dhe aq më tepër për individët e veçantë. Pak kohë më parë, hakerat bllokuan për dy ditë faqen e Policisë së Shtetit, ndërsa ofrimi i shërbimeve online për qytetarët ka rritur rrezikun e aksesit në informacionet e klasifikuara, apo ato që lidhen me sigurinë kombëtare. Koloneli Walter Unger, ish-drejtor i Mbrojtjes Kibernetike në Ushtrinë Austriake, i cili ishte i ftuar në Tiranë në një forum me aktorë të institucioneve ligjzbatuese, thotë se Shqipëria duhet të bëjë më shumë në forcimin e politikave dhe elementëve të sigurisë. “Kriminelët që fshihen prapa kompjuterëve nuk duan t’ia dinë kush është viktima. Mjafton të kenë përftitime monetare apo të arrijnë qëllimin e tyre dashakeq, ndaj edhe Shqipëria është e rrezikuar si çdo vend tjetër”, deklaron Unger. Sipas kolonelit austriak, Shqipëria duhet të forcojë edhe kuadrin ligjor. “Shqipëria duhet të adoptojë të gjitha praktikat ë Konventës europiane për krimin në fushën e kibernetikës. Është një sfidë që nuk duhet neglizhuar si një vend anëtar i NATO-s, por edhe që aspiron të bëhet pjesë e BE-së. Është i nevojshëm plotësimi i disa hallkave me elementë sigurie shtesë”, thekson Unger.
Pastrimit të parave, raportohen 850 blerje pasurish me fonde të dyshimta

Në harkun kohor të katër viteve të fundit, nga noterët e bankat janë raportuar të paktën 850 raste të blerjes së pasurive të paluajtshme me fonde të dyshimta. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme, bëhet fjalë për blerje pasurish të paluajtshme me burim të panjohur të fondeve. 421 prej blerjeve janë raportuar në vitin 2015, ndërkohë që gjatë vitit të shkuar janë raportuar 258 raste.
Paralelisht janë rritur edhe raportimet nga kompanitë e transfertave. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka referuar në Prokurori të paktën 178 raste të dyshimta në gjysmën e parë të vitit 2017, ndërkohë që një vit më parë u referuan në total 2019 raste të dyshimta.
Rritja e rrezikut të pastrimit të parave u konfirmua edhe nga Instituti i Baselit në Zvicër, i cili vetëm pak muaj më parë publikoi raportin për 2017. Shqipëria këtë vit renditet në vendin e 85-të mes 147 shteteve me një pikëzim prej 5.75, duke shënuar përkeqësim në raport me vitin e kaluar, pasi ishte 5.04.
Skandali me radarët, afera e Mimit që largoi amerikanët
Xhemal GJUNKSHI
Deklarimi i ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, për gjendjen e sistemit kur mori detyrën e saj është një “mashtrim” spekulativ i vijueshëm, të kësaj ish-ministre të dështuar si asnjë ministër Mbrojtje më parë.
Sistemi i radarëve ka patur defektim të dy radarëve gjatë vitit 2012. Deri në muajin maj të vitit 2013 kanë qenë në gjendje pune operacionale pjesërisht katër radarë, por sistemi nuk ka qenë kurrë jashtë funksionit “operacional”, pasi funksiononin nënsisteme dhe mjete të tjera evidentimi-zbulimi të hapësirës detare shqiptare.
Anulimi skandaloz, antiligjor dhe korruptiv i proçedurës së prokuruar dhe miratuar nga ish-ministri i Mbrojtjes, prokuruar më 11.06.2013 dhe shpallur fitues firma “R&T” Sh.p.k me fondin financiar 56 669 192 lekë pa TVSH (pra fond më pak në vlerë, se fondi i “rilindjes”), personalisht nga Ministria e re në detyrë, por e “kalitur për normën 20% të fitimit” në Bashkinë e Tiranës znj. Mimi Kodheli, sipas Urdhërit Nr.1861, datë 01.10.2013, me argumentimin (përsëri mashtrues), për “mungesë të fondit limit” vërtetojnë përsëri sot përzgjedhjen klienteliste të firmës IDEA TEL sh.p.k., firmën të cilën ne e përjashtuam nga proçedura për shkak të shkeljeve dhe abuzimeve të aprovuara gjatë garës së tenderit dhe procesit të zbatimit të kontratës së mirëmbajtjes të sistemit në vitin 2011.
Mbështetur në gjendjen “tekniko-operacionale” të SIVHD-së dhe “ndryshimeve” skandaloze-korruptive të softit MTM200, që menaxhonte sistemin jashtë çdo “norme sigurie”, që prej muajit korrik 2015 e deri më sot, Ju akuzoj publikisht se:
■ Studimi i hartuar për “mirëmbajtjen e sistemit” të SIVHD-së, proçedura e prokuruar SIVHD-së (nga Drejtorët, Gjeneralët, Sekretari personal dhe Kodheli – për të njëjtën proces, e firmosur në dy forma të ndryshme, brenda vitit), lidhja e kontratës si edhe proçesi i zbatimit të saj deri sot është jashtë çdo “norme ligjshmërie” dhe fakton një shpërdorim të vlerave financiare në nivele “miliarda lekësh – 1.156 miliardë lekë vetëm për një vit kalendarik), krahasuar me praktika të mëparshme, e ke shkatërruar përfundimisht atë, duke mos garantuar vijimësi “operacionaliteti” të sistemit, por vetëm rrugë të lirë të drogës dhe terrorizmit drejt Europës dhe vendeve partnere të NATO-s, duke cënuar sigurinë e jetës së njerëzve dhe teknikës në hapësirën detare dhe në veçanti cenimin e Sigurisë Kombëtare.
Ministria e Mbrojtjes ka prokuruar dhe firmosur kontratën me firmën shqiptare me një kosto 5 herë më të lartë se me firmën amerikane.
Fondi financiar i kontratës në vite për mirëmbajtjen teknike të sistemit me firmën amerikne “Lockheed Martin Global Incorporated – SHBA” gjatë vitit 2010 ishte 250 000 $ total, nga ku ishin planifikuar dhe u blenë 70 460 $ pjesë rezervë, të cilat shërbyen për mirëmbajtjen e sistemit deri në shkurt të vitit 2014.
■ Përjashtimi skandaloz, me vetëdijen 100% Tuajën dhe të Sekretarit tend, i partnerit më strategjik – firmës globale amerikane “Lockheed Martin Global Incorporated USA” (firma që ka dizenjuar, implementuar dhe mirëmbajtur këtë sistem) nga proçesi i “mirëmbajtjes/modernizimit të sistemit”, duke thyer me vetëdije dhe flagrancë të gjitha VKM-të, marrëveshjet midis KM/MM-së dhe firmës amerikane, përbën një shkelje “skandaloze-cinike” të normave dhe protokolleve të “bashkëpunimeve strategjike” ndërshtetërore, specifikisht me aleatin tonë strategjik SHBA-në, pavarësisht se Ju morët rekomandime speciale nga KLSH-ja.
■ Ministria e Mbrojtjes nuk ka realizuar asnjë nga objektivat e paketës të Kapaciteteve të Mbrojtjes (CT – M 7204N – shkëmbimin e informacionit detar, me partnerët e vendeve të NATO-s, etj.), nuk ke përmbushur asnjë standard ndërkombëtar të BE-së dhe NATO-s.
■ Forcat e Armatosura zotërojnë të gjitha kapacitetet teknike, njerëzore dhe strukturore që të realizojnë vetë mirëmbajtjen e sistemit, sepse firma LMGI-SHBA ka trajnuar stafin teknik të SIVHD-së. Pikërisht ky staf ka siguruar mirëmbajtjen e komplet sistemit në të gjithë periudhat e pa prokuruar si në vitin 2012, 2013, 2014 deri në momentin që kanë konsumuar komplet pjesët e dedikuara rezervë që gjenden në depon e QVD-së. Pra, Forcat e Armatosura, KFD-ja duhet të sigurojnë vetëm blerjen e pjesëve rezervë për sistemin, duke eliminuar shpenzimet financiare tepër abuzuese.
■ Personeli ushtarak, që të ka rekomanduar apo insistuar në sigurimin dhe lidhjen e një kontrate shërbimi mirëmbajtje afatgjatë të sistemit (softëare dhe hardëare) me firmën “Lockheed Martin Global Incorporated – SHBA” janë shmangur nga pozicionet e tyre drejtues dhe janë përndjekur fatalisht në karrierën e tyre ushtarake.
■ Nuk ke mundur të sigurosh vend – “depo” për pjesët dhe pajisjet rezervë më të domosdoshme të parashikuara në kontratë për riparime emergjente të sistemit (76 shtatëdhjetë e gjashtë artikuj), por ja ke lënë në dorë privatit, (abuzuesit, shpërdoruesit, dhunuesit) duke shënuar një rekord menaxhues katastrofik antiligjor.
■ Firma nuk ka realizuar në kohë (me lejën tende) ndërtimin e sistemit Back-up të Softit të Menaxhimit të Trafikut Detar, Ju bëjmë me dije se: Sistemi i back-up duhej të ishte realizuar nga shoqëria “Idea Tel”, brenda 120 ditëve kalendarike nga hyrja në fuqi e kontratës dhe e instaluar në të gjitha Site-et e SIVHD-së, por vazhdon edhe sot të mos jetë realizuar.
PSE!
■ Lejimi i shoqërisë “Idea Tel” sh.p.k. Tiranë, të instalojë në çdo SITE të SIVHD-së kamera vëzhgimi për ruajtjen e shelterave dhe pajisjeve të SIVHD-së, kur ky proces nuk është parashikuar në kontratën e shërbimit, si edhe lejimin e instalimit të serverit të kamerave tek kompania private, është cënim i rëndë edhe flagrant i normave më elementare të sigurisë dhe të ruajtjes së informacionit.
Ministria Mbrojtjes shkatërroi dhe largoi të gjithë inteligjencën dhe profesionalizmin ushtarak, largoi të gjithë Profesoret, ka patur numrin më të lartë të larguarëve nga ushtria, mbylli kurset e Doktoraturave, shkatëroi Reparte të tëra, fali prona pa hesap, nuk realizoi asnjë rritje financiare apo trajtim për ushtarakët, asnjë premtim të shprehur nuk mbajti, shpërbleu të paaftët, regjistruesit e chateve, abuzoi me tenderat e mbyllur – çdo tender shkoi tek FastTech dhe Idea Tel-i, aplikoi stilin e gradimeve mbi politizimin ektrem të FA-së në kundërshtim me ligjin. U kthye vetëm në një roje postblloku të ministrisë, detyrë të cilën e ka kryer me shumë përkushtim.
Grupi i megakorrupsionit në Ministrinë e Mimit drejt byrosë kombëtare të hetimit.
Humbje me rezultat, por Panuçi po ndryshon mentalitetin e skuadrës
Shqipëria humbi përballë Italisë ndeshjen e fundit për eleminatoren e Kampionatit Botëror 1-0 me Italinë. Në tre ndeshje në krye të stolit të Kombëtares, Panuçi ka mundur të marrë vetëm një pikë ndaj Maqedonisë duke humbur me Spanjën dhe me Italinë. Si në ndeshjen me Spanjën dhe me Italinë, Panuçi po demonstron një ndryshim historic në lojën e Kombëtares shqiptare. Ai po ndryshon mentalitetin se mund të humbësh duke rrezikuar dhe duke qenë jo vetëm mbrojtës, por edhe sulmues. Këtë e dëshmoi edhe sonte në ndeshjen me Italinë. Për të parën herë në shumë e shumë , Kombëtarja e mbyll ndeshjen me 4 sulmues në fushën e lojës dhe duhet thënë se të katër janë cilësorë dhe mjaft premtues. Si Grezda, ashtu edhe Latifi dhe Ahmedi, të cilin Panuçi mund dhe duhet ta aktivizojë më shumë. Ndryshimi i Panuçit është dalja e Kombëtares nga pozitat e inferioritetit ndaj kundërshtarëve. Të ndërtosh një ekip sulmues sikurse po përpiqet të bëjë Panuçi duhet vlerësuar vdhe mbështetur edhe pse rezultatet mund të vonojnë. Spektakli në futboll ëhstë kryesori dhe Panuçi duhet vlerësuar për këtë guxim që ka në ndërtimin e nëj Kombëtareje komplet tjetër.
Ndeshja Shqipëri-Itali në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër përfundoi me fitoren e kombëtares italiane e cila në pjesën e dytë kaloi në avantazh përmes golit të Candreva.
Të ndodhur përpara një skuadre që e kanë adhuruar prej dekadash, tifozët shqiptarë nuk i kursyen komplimentet dhe përshëndetjet për skuadrën italiane, ndërsa i dhanë zemër skuadrës kombëtare shqiptare.
Këto janë çastet më të bukura të pjesës së dytë fiksuar nga fotoreporterja e BIRN, Ivana Dervishi, nga fusha e blertë.
Helmohen sërish nxënësit e shkollës së Gjegjanit
Përsëritet ngjarja e pesë ditëve më parë në shkollën e Gjegjanit të Pukës. Fëmijët që kishin simptoma helmimi janë sëmurë sërish sapo janë rikthyer në ambjentet e shkollës. Aktualisht, ata ndodhen në Spitalin e Shkodrës. Tetë fëmijë të shkollës së bashkuar “Nikoll Lleshi” të njësisë administrative Gjegjan të Pukës u dërguan në Spitalin e Shkodrës të intoksikuar. Shefia e Pedriatrisë, Greta Naraçi thotë se tek fëmijët kanë shfaqur të njëjtat simptoma si përpara 5 ditëve.
Më 4 tetor, 19 fëmijë të shkollës Gjegjan, kanë patur marrje mendsh dhe të vjella. Shkak në atë rast u tha se ishte dizenfektimi që i është bërë shkollës. Fëmijët, pasi kanë marrë mjekim në Spitalin e Pukës u kthyen në shtëpi. 5 ditë më vonë, tetë prej këtyre fëmijëve i janë rikthyer sërish simptomat. Aktualisht, ata po marrin mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër.
Edhe pse nuk ka një shkak zyrtar për ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra Drejtorinë e Shëndetit Publik Pukë, për shkelje të rregullave të dezinfektimit të shkollës. Fiks Fare u nisë drejt qytetit të Pukës, në fshatin Gjegjan. Në ambulancën e fshatit rreth 30 fëmijë ishin trajtuar me serum, ndërkohë që 3 nxënës ishin dërguar në Spitalin e Rrëshenit dhe 4 në atë të Pukës, për mjekim më të specializuar. Shefi i komisariatit të Policisë Pukë , Pal Marku shprehet se nga hetimet paraprake shkak i helmimit të nxënësve është mungesa e ajrosjes së shkollës pas dezinfektimit. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur edhe Zyra Arsimore Pukë ka marrë masa, duke pezulluar nga detyra drejtoreshën e shkollës së Mesme të Bashkuar të Gjegjanit dhe nëndrejtorin e kësaj shkolle.
Drejtoresha Dilore Nikolli shprehet për gazetarët e Fiks Fare se mëngjesin e datës 4 tetor, rreth orës 6 të mëngjesit personeli sanitar ka bërë pastrimin dhe ajrosjen e shkollës. “Na u tha se efekti i substancës së aplikuar kalon për 3 orë. Nga ora 09:30 fëmijët filluan të kenë probleme dhe ne ndërpremë menjëherë mësimin, por ajrosja dhe pastrimi nga ana jonë është bërë siç duhet”, shprehet Nikolli.
Drejtori i ZA pohoi se vendimi për dezinfektimin e shkollës në ditë jave pas procesit mësimore nuk ka qenë i tyre, por i Drejtorisë së Shëndetit Publik Pukë. Ky i fundit në bashkëpunim me Bashkinë Pukë kanë marrë përsipër të bëjnë dezinfektimin, të cilin sipas ligjit duhet ta bëjë një kompani e specializuar.
Tragjedia me 3 viktima në Torovicë, shkëmbi u shkëput nga erozioni
Erozioni dhe mungesa e bimësisë janë sipas eksperteve gjeologjik arsyet pse shkëmbi u shkëput nga mali, duke shkaktuar tre të vdekur. Sipas tyre, në të dy anët e malit përgjatë rrugës Lezhë-Torovicë ka rrezikshmëri për udhëtarët që kalojnë aty dhe banorët. Masivi 20 tonësh që ra nga lartësia e malit goditi fuqishëm furistradën që po lëvizte në Torovicë të Lezhës.
Pasojat ishin aq tronditëse saqë edhe ekspertët e policisë e patën të vështirë këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Kjo tragjedi vazhdon të mbajë të mbërthyer banorët e zonës. Disa prej tyre thonë se panë tmerr me sy. “Ja aty tek ura, e kam parë punë 10 sekondash ka rënë nga aty këtu. Madje e kishte marrë drejtimin këtu (pak më tutje), por e devijoi kjo lugina dhe erdhi këtu. Thamë se ra tërmet në lagje të re”, u shpreh një nga banorët.
Për banorët, prerja e pyjeve u bë shkak që menjëherë pas reshjeve të shiut të shkëputej shkëmbi. Një prej tyre thotë se kështu ka ndodhur edhe herë të tjera.“Bien, bien ndonjëherë…, tha ai”.
“Kanë rënë gjithmonë gurët, bien sepse është shkëmb këtu. Është zhveshur, digjet për çdo vit mali, nuk ka sesi të mos bien gurët”, tha banori.
Menjëherë pas verifikimeve që do të bëhen në zonë pritet të përcaktohet edhe nevoja e ndërhyrjes për shmangien e përsëritjes së ngjarjeve të tilla. Tre viktimat ishin dy vëllezërit Valentin, Edmond dhe nusja Aida Zefi nga Rraboshta.
Rrëmbimi i Çollakut, 3 oficerë policie dëshmojnë në Gjykatë
Dy specialistë të Krimeve të Rënda të Durrësit dhe një Oficer i Policisë Gjyqësore dëshmuan në seancën e së hënës ndaj Denis Shtrazës tek Krimet e Rënda. Ai po gjykohet për rrëmbimin me pasojë vdekjen të Gazmend Çollakut mbrëmjen e 6 janarit 2016 në qytetin bregdetar.
Oficerët e Policisë rrëfyen para gjykatës se njollat e gjakut në bagazhin e mjetit “MERCEDES ML” me të cilin dyshohet të jetë kryer rrëmbimi, u konstatuan tre javë pas sekuestrimit të tij.
Sipas dëshmitarëve Rebani Farruku, Alfred Hoxha e Lorenc Dervishi, mjeti qëndroi i mbyllur në oborrin e Policisë së Durrësit. Kontrolli fillestar nuk kishte zbuluar gjë të dyshimte. Por, sipas tyre, në momentin kur mjeti është dërguar në pikën e bllokimit të automjeteve në Rrushbull, janë vënë re disa njolla gjaku.
Për këtë shkak “Mercedesi” i Ervin Dalipajt, i vrarë në prill 2017 është rikthyer në ambientet e policisë, ku i është nënshtruar një këqyrjeje të hollësishme. Prokuroria për Krimet e Rënda pretendon se gjaku i gjetur në mjet përputhet me gjakun e gjetur në fashetat me të cilat ishte lidhur viktima Gazmend Çollaku.
Prokuroria: Ja si funksiononte grupi kriminal i kanabisit në Vlorë
Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar hetimet dhe kërkon nisjen e gjykimit për 8 shtetas, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të cilët ushtronin aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të lëndës narkotike kanabis sativa në fshatrat Vezhdanisht-Treblovë, në Vlorë.
Në operacionin e zhvilluar një vit më parë janë asgjësuar mbi 7 mijë rrënjë kanabis sativa. Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, në këtë zonë Policia e Shtetit zbuloi një sasi shumë të madhe lënde narkotike, të shpërndarë në parcela, si edhe në proces tharjeje.
Prokuroria sqaron se në krye të grupit kriminal qëndronte Taulant Haxhiraj, ndërsa vijon të mbetet në kërkim efektivi i policisë Renaldo Avduli, i cili bashkëpunonte ngushtë me Haxhirajn.
Kryetari i grupit bashkëpunonte me policinë
Në krye të grupit të strukturuar kriminal qëndronte shtetasi Taulant Haxhiraj, i cili bashkëpunonte ngushtë me punonjësin e Policisë, Renaldo Avdulaj, si edhe me disa persona të tjerë. Këta të fundit kishin për detyrë marrjen e masave konkrete për kultivimin, magazinimin dhe më tej, shpërndarjen e lëndës narkotike.
Si kultivohej kanabisi në tokë shtet ose privat
Nga hetimet e kryera rezulton e provuar se, nga ana e Policisë Gjyqësore janë siguruar dhe mbledhur të dhëna, për aktivitetin kriminal të disa grupeve personash, shtetas shqiptarë, të cilët në mënyrë të organizuar kultivonin bimë narkotike në disa zona të rrethit Vlorë. Nga të dhënat, ka rezultuar se një grup personash, gjatë muajve prill dhe maj, pasi kanë siguruar më parë sipërfaqe toke, në pyll, kullota, tokë në pronësi shtet ose në pronësi dhe posedim të personave privat, që ndodhet në territorin e zonës Administrative Vlorë, kanë filluar kultivimin e sasirave të mëdha të bimëve narkotike të llojit kanabis sativa.
Në kërkim efektivi i policisë – Në vijim të hetimeve, në datë 04.10.2016, forcat e Policisë kanë ndërhyrë, duke realizuar arrestimin e 11 personave, ndërkohë që nuk është bërë i mundur ende arrestimi i shtetasit Renaldo Avduli.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda i akuzon shtetasit, si më poshtë:
-Për kryerjen e veprave penale “Kultivimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal”, “Kryerjes së veprave nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, akuzohen shtetasit Taulant Haxhiraj, Renaldo Avdyli, Shkëlqim Koçiaj, Xhovalin Baço, Reshat Radhima dhe Marjus Bajrami.
Për kryerjen e veprës penale “Moskallëzim krimi”, akuzohen shtetasit Klajdis Imeri dhe Anis Pajo. Në bazë të veprimeve proceduriale për këtë hetim, janë arrestuar edhe 4 persona të tjerë, të dyshuar për veprën penale të “Kultivimit të lëndëve narkotike”. Për këta persona, çështja është veçuar dhe hetimi i tyre i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Vlorës.
69 vjet nga kryengritja e parë antikomuniste në Zhapokikë
Gjatë ditës së djeshme, Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit organizuan në Zhapokikë të Tepelenës një ceremoni përkujtimore në 69-vjetorin e kryengritjes antikomuniste të Zhapokikës (shtator-tetor 1948). Morën pjesë kryetari SHAKPP, Nebil Çika drejtori i ISKPK, Agron Tufa si dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj dhe Luan Baçi, familjarë të luftëtarëve të lirisë, ish-të përndjekur politikë antikomunistë etj.
Në këtë ceremoni folën kreu i SHAKPP dega Tepelenë, Kastriot Ajdini, sekretari i degës Memaliaj, Bukurosh Ajdini, drejtori i ISKPK, Agron Tufa, deputeti i përndjekur politik, Enkelejd Alibeaj dhe kreu i SHAKPPSH, Nebil Çika. Në fjalën e tyre, ata vlerësuan këtë kryengritje antikomuniste me rëndësi të veçantë historike e politike, e cila është lënë jo pa qëllim jashtë teksteve të historiografisë komuniste e postkomuniste. Zhapokika bashkë me Kelmendin dhe Postribën janë tre lëvizjet kryesore antikomuniste që dëshmojnë faktin se shqiptarët pa dallime krahinore etj., rezistuan ndaj komunizmit, duke sakrifikuar edhe jetën e tyre.
Lëvizja e armatosur e Zhapokikës: shtator-tetor 1948 ishte një kryengritje si reagim i antikomunistë i banorëve të zonës ndaj pakënaqësisë së qeverisjes komuniste dhe përpjekja e qartë kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.