30.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Të zotohemi sot ne që të largojmë pasardhësit direkt të xhelatëve të parlamentarëve të lirisë

Sali BERISHA

 

Sot 70 vjetori i ekzekutimit te parlamentareve, martire te Lirise!
Te dashur miq, me 10 tetor te vitit 1947, me firmen e Enver Hoxhes, Hitlerit shqiptar te Pasluftes, u ejzekutuan per bindjet dhe idealet e tyre politike grupi i deputeteve te opozites shqiptare dhe bashkpuntoreve te tyre. Keta burrat te shquar te kombit, elite e tij intelektuale dhe politike vendosen ne kushte te nje terrori te jashtezakoneshem te themelojne opoziten e pare te vertet shqiptare, duke flijuar ne themel te saj jeten e tyre. Pas ketij akti barbar te regjimit, te bazuar ne nje farse gjyqesore, qe zbatoi vendimin direkt te Enver Hoxhes dhe Byrose se tij Politike, ne Shqiperi do vendosej diktatura komuniste me eger e me staliniste ne Europe.
Deputetet e opozites se pare shqiptare dhe bashkpuntoret e tyre, themelues te pluralizmit politik ne Shqiperine, qe kaloi nga pushtimi nazifashist ne pushtimin serbo-shqiptar komunist, vertet u ekzekutuan 70 vite me pare por ata u perjetesuan ne idealet e lirise, per te cilat bene sakrificen sublime. Keto ideale do ngadhenjenin perseri ne Shqiperi me revolucionin demokratik te dhjetorit 1990.
Sot, pas 27 vitesh pluralizem politik, ne qeveri jane pasardhesit e Hitlerit shqiptar te Pasluftes dhe bllokmeneve mizor, Edvin Kristaq Rama dhe neobllokmene te tjere. Kurse parlamentin e vendit e kryeson Gramoz Ruçi, njeriu qe ka mbajtur ne vitin e fundit te diktatures postin e ministrit te sigurimit te shtetit, policise sekrete terroriste te Enver Hoxhes. Pra ekzakt ate post qe mbante Koçi Xoxe, xhelati hoxhist i deputeteve te opozites se pare te vendit dhe bashkepuntoreve te tyre.
Prandaj dhe sot, duke shprehur mirenjohjen me te thelle dhe perulur me nderimin me te madh para vepres se pavdekshme te Riza Danit, Selaudin Totos, Shefqet Bejes, Enver Sazanit, Kolë Kuqalit, Sheh Ibrahim Karbunares dhe te gjithe deputeteve dhe bashkepuntoreve te tyre per sakrificen sublime, qe bene per lirine e shqiptareve, le te zotohemi ne qe te largojme sa me shpejt nga pushteti pasardhesit direkt te xhelateve te parlamentareve te lirise. Nder perjete martireve te pluralizmit politik shqiptar! sb

Regjimet shtypëse bien me revolucion ose përmbysje

Bernd Borchardt

 

 

Gjatë dekadave të fundit, shumë shoqëri në botë janë përballuar me fenomenin e tranzicionit: Afrika, ish-Bashkimi Sovjetik, Evropa Lindore, Amerika Latine: ndryshimet pas-koloniale, përmbysja e diktaturave ushtarake dhe e regjimeve totalitare me shpresën për liri dhe demokraci. Distancimi nga rendi diktatorial kudo çoi në lindjen e pyetjeve të nxehta, si për shembull: si të përballemi me të kaluarën e ligë? Çfarë lloj trajtimi i së kaluarës ndihmon në krijimin e një rendi të ri liberal? Si të bëjmë drejtësi në të mirë të viktimave? Si të krijojmë një narrativë të re çliruese?
Tranzicionet shpesh sjellin ndryshimin e paradigmave normative, gjë që e vështirëson aplikimin e sanksioneve penale në rrethanat e shtetit ligjor: nulla poena sine lege, nuk ka ndëshkim për krimet që përbënin vepër penale në kohën kur janë kryer – ky është rregull thelbësor për shtetet demokratike. Ose, thënë ndryshe: si të vëmë përpara përgjegjësisë individët që kanë kryer shkelje sistemike gjatë një sundimi shtypës? Kjo nuk e përjashton ndëshkimin për krimet më të tmerrshme, por e kufizon sferën e veprimit të drejtësisë penale.
Shoqëritë kanë në dispozicion mjete të ndryshme për realizimin e drejtësisë tranzitore. Kompensimi mund të jetë një prej tyre. Por, edhe për një vend të pasur si Gjermania Perëndimore, nuk ka qenë i mundur kompensimi i plotë i të gjitha dëmeve të shkaktuara prej komunizmit. Kjo sepse fatura e kompensimit do të rëndonte mbi të gjithë taksapaguesit.
Këto dilema – përpjekjet e viktimave për drejtësi dhe alternativat e kufizuara për sanksione dhe kompensim kanë ngjallur hidhërim të thellë tek shumë viktima të regjimit në shumë vende. Ata ndihen sikur kauza e tyre nuk po njihet aq sa duhet. Megjithatë, i takon shoqërisë shqiptare dhe këtij parlamenti të vendosin nëse mund të bëhet më shumë në këtë fushë, madje edhe pas vendimeve më të fundit në lidhje me kompensimin.
Mirëpo, ekzistojnë edhe mënyra të tjera për t’i zbardhur dhe dënuar shkeljet. Këtë po bën edhe ky kuvend i nderuar sot: ju po njihni krimet i së kaluarës dhe po i dënoni ato, dhe kjo në vetvete arrin përmasa shndërruese, sepse pranimi publik kontribuon në çlirimin e shoqërisë. Ekspozimi i shkeljeve i damkos dhe i skualifikon shkelësit, duke i syrgjynosur në të kaluarën e hidhur. Kjo përbën shtysë për avancimin normativ, gjë që është thelbësore për një tranzicion çlirues.
Për mua është nder dhe krenari që më jepet mundësia t’ju drejtohem në këtë moment historik, kur parlamenti thotë bashkërisht në këtë mbledhje në lidhje me krimet e regjimit të mëparshëm: “Po, kjo ishte diçka e gabuar dhe e ligë”, dhe ju e thoni këtë pavarësisht mendimeve tuaja rreth ideve politike të deputetëve të ekzekutuar.
Regjimet shtypëse bien me revolucion ose përmbysje, por ideologjia e tyre mund të vijojë nëse ato nuk diskreditohen. Ju shpallni qëndrimin e përbashkët politik dhe ndani të njëjtën vetëdije politike me votuesit tuaj. Kjo vetëdije, e cila shpall: “Po, kjo ishte diçka e gabuar dhe e ligë”, e ndan edhe më shumë shoqërinë tuaj nga regjimi i mëparshëm; ky akt ritual kontribuon në vetëdijen kolektive lidhur me këtë avancim normativ, sepse po hidhni poshtë ideologjinë e mëparshme dhe po vini në dukje ndryshimin ideologjik që karakterizon shndërrimin çlirues. Prandaj, ky moment është gur kilometrik për procesin që ka filluar në Shqipëri përmes diskutimeve publike, ndërtimit të muzeve, vendeve të kujtesës dhe ngritjes së Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit: ky është dialog kombëtar mbi të kaluarën.
Siç mund ta dini, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është angazhuar prej më shumë se dy vitesh në mbështetje të dialogut lidhur me përballjen me të kaluarën dhe të Autoritetit të Dosjeve të Ish-Sigurimit në punën e tij.
Dija dhe dialogu për të kaluarën, luajnë rol vendimtar në trazicionin çlirues, dhe ndihmojnë në rivendosjen e identitetit të vendit. Ky parlament mund të diskutojë dhe të vendosë nëse Shqipërisë i duhen më shumë akte të tilla tranzitore që krijojnë lidhjen normative mes të kaluarës dhe të ardhmes së vendit. Mundësitë për ta vazhduar dhe për ta thelluar këtë dialog janë të shumta.
Prezenca e OSBE-së e quan kënaqësi mundësinë për të kontribuar në këtë dialog.

Torturat e përdorura ndaj grupit të deputetëve dhe intelektualëve

Procesi ndaj grupit të deputetëve dhe intelektualëve të tjerë është zhvilluar nëpërmjet një procesi të tmerrshëm torturash. Gjatë periudhës së hetimit vdiqën nga torturat e rënda, këta të pandehur:
-Ali Begeja, ish kryebashkiak i Tiranës (procesi i parë), vdiq më 18.8.1947. Për të u shkrua se gjoja “vdiq në burg duke u hedhur nga dritarja”.
-Stanislav Zuber (procesi i parë), për të cilin mungon data e saktë e vdekjes, pavarësisht se të dhëna të ndryshme ka.
-Ferit Hysenbegasi, jurist (procesi i dytë), 17.9.1947
-Avdul Bani (procesi i dytë), roja i Islam Radovickës
Torturat kryesore (ka edhe të tjera që do njihen në postime të tjera) të përdorura ndaj grupeve të deputetëve dhe intelektualëve janë dëshmuar në disa burime. Njëri nga hetuesit ka dëshmuar “arsenalin” që ka njohur (shih më poshtë). Për këtë arsye procesi hetimor dhe ai gjyqësor është në masën 90-95% i pavërtetë dhe i manipuluar, efekt i torturave të mëposhtme ku më kryesorja ka qenë ajo e prerjes së mishit.
Lista e torturave
1-Jeleku (tortura më e tmerrshme, njeriu lidhet pas një huri dhe merr pamjen e një qingji që piqet në hell).
2-Kamxhiku dhe druri.
3-Të lënët pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe më këmbë me ditë të tëra.
4-Korrenti elektrik deri sa i binte të fikët.
5-Hedhja në qafë e zinxhirëve me peshë të rëndë.
6-Lidhja me duar nga pas në dritare ose në ndonjë dru varur deri sa t’i priten gishtat.
7-Thyerja e kockave dhe ndukja e mishit me darë (kjo u përdor sidomos pas dënimit me vdekje të Shefqet Bejës dhe kundra tyre).
8-Kripa në gojë.
9-Shpifnim gjoja sikur do të ekzekutoheshin ose do të vareshin dhe u shtihej në ajër ose shpiheshin te litari.
10-Tortura morale në lidhje me familjen: do të burgosim, do të t’i vrasim, bile në Shkodër për të thyer rezistencën e Dulo Kalit shpunë në një dhomë ngjitur me të dy të b burgosura vajza dhe dy të burgosur burra dhe ato bënë gjoja sikur ishin vajzat e tij dhe i kishin prurë t’i çnderuar
11-Futja kokëposhtë në vozë plot me ujë.
12-Një herë Myftar Tarja (hetues-shënim) i futi një Toptanit nevojë në gojë dhe çorape të palara.
13-Djegia e mishit me cigare. Në fund kundra një provokatori të Kukësit i është hedhur alkool në duar ose në leshra dhe i vihesh shpyrtua.
-Gjellë me kripë e lënia pa ujë.
-Futje në ujë dhe lënie me tesha të lagura në dimër.
-Pakësim i ushqimit gradual për të vdekur brenda 1 ose 2 vjetëve
-Lënia pa gjumë në këmbë.

Basha: Ndjehem fajtor që nuk bëmë shumëçka kundër krimeve të diktaturës, 5 hapat për ndryshim

Lulzim BASHA

Të nderuar familjarë të deputetëve të martirizuar 70 vite më parë, të grupit të elitës intelektuale, bashkëvuajtës të tyre.
Të nderuar anëtarë dhe drejtues të shoqatave të përndjekurve politikë, shkëlqesi ambasadorë, zonja dhe zotërinj, anëtarë të Kuvendit.
70 vjet më parë regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës pushkatoi grupin e deputetëve të fundit opozitarë që kishin mbetur në këtë sallë. I vrau, sepse mendonin ndryshe, i vrau sepse nuk u pajtuan me komunizmin, nuk u pajtuan me vdekjen e pluralizmit politik.
Grupi i deputetëve dhe dhjetëra bashkëvuajtës të tyre, ishin të fundit në radhën e intelektualëve, patriotëve dhe shqiptarëve që i kishin shërbyer me përkushtim dhe mençuri vendit dhe popullit të tyre, por që nuk ju bashkuan klikës së dhunshme komuniste.
Para tyre ishin eliminuar, burgosur, torturuar, ekzekutuar dhe internuar pjesa më e madhe e elitës së kombit. Klerikë, intelektualë, inxhinierë, ekonomistë, artistë, mjekë, dhe profesionistë të shkëlyqer do t’i pasonin në dekadat e ardhshme.
Të gjithë u dënuan pa gjyq ose me gjyqe farsë të montuara nga prokurorët dhe hetuesit kriminelë. Të gjithë u vranë në emër të popullit nën moton “drejtësia është levë e partisë”.
Eliminimi i deputetëve opozitarë 70 vjet më parë varrosi përfundimisht çdo lloj lirie politike në Shqipëri, çdo lloj lirie mendimi dhe çdo lloj disidence apo mosbindje ndaj regjimit.
Pas tyre salla e të ashtuquajturit Kuvendi Popullor u mbush me kriminelë, injorantë dhe shërbëtorë të bindur të klikës gjakatare që shërbyen vetëm si fasadë e shëmtuar dhe gojëkyçur të pushtetit personal të Enver Hoxhës.
Pas kësaj, në Shqipëri kishte vetëm një zë, një mendim, një ngjyrë: enverizmi.
Të gjitha institucionet politike dhe shoqërore të vendit, kuvendi, qeveria, organizatat e rinisë, organizatat e gruas, fronti demokratik, media dhe çdo institucion tjetër, pavarësisht prapashtesave popullore apo demokratike, ishin thjesht instrumenta të sundimit të Enver Hoxhës dhe rrethit të tij të ngushtë, përmes propagandës, manipulimit, dhunës dhe terrorit.
Vrasjet, brugosjet, internimet, persekutimet, shpronësimet dhe gjithë dhuna që u ushtrua në fillimet e regjimit komunist dëshmojnë një të vërtetë të madhe, e cila vazhdon t’i mbahet e fshehur kësaj shoqëri edhe këtij kombi: komunizmi nuk ishte zgjedhje e lirë e popullit shqiptar, por një regjim që u instalua dhe iu imponua popullit me dhunë dhe me gjak dhe që u mbajt me dhunë dhe me gjak.
Kjo dhunë filloi që në ditët e para të ekzistencës së Partisë Komuniste të drejtuar nga Enver Hoxha dhe antishqiptarët jugosllavë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, vazhdoi gjatë gjithë luftës kundër fashizmit dhe nazizmit u bë masive menjëherë pas ardhjes në pushtet të Enver Hoxhës dhe klikës së tij, vazhdoi pandërprerë gjatë gjithë sundimit enverist në Shqipëri.
Vrasjet, brugosjet, internimet, shpronësimet dhe persekutimi tregojnë gjithashtu një të vërtetë sa ironike aq dhe domethënëse: të ashtuquajturat ideale socialiste ishin thjesht dhe vetëm preteksti për pushtetin personal të Enver Hoxhës.
Pushteti i Enver Hoxhës ishte një pushtet personal dhe gjakatar, ideologjitë që ai përqafoi ishin vetëm instrumenti për mbajtjen e këtij pushteti. Kjo është arsyeja që dhuna e tij nuk kurseu askënd, as ata që luftuan me ndershmëri dhe idealizëm në rradhët e ushtrisë partizane. Disa nga deputetët e pushkatuar qenë të tillë, por kontributi i tyre në luftë në krah të komunistëve nuk i shpëtoi dot nga eliminimi.
Të gjithë diktaturat në thelb janë pushtete personale që përdorin ideologjitë dhe kauzat e mëdha si instrumente.
Të njëjtën gjë bëjnë të gjitha autokracitë, të reja dhe të vjetra, që maskohen pas populizmit, pseudonacionalizmit, patriotizmit të rremë, të mirës së popullit.
Ky është mësimi që duhet të nxjerrim nga e shkuara komuniste. Ky është detyrimi që jetët e flijuara të patriotëve dhe martirëve të vërtetë shqiptarë si dhe gjithë viktimave të pafajshme të komunizmit të mos kenë shkuar kot.
Sot, unë ndjej dhimbje, sepse e di se ceremonia e sotme dhe fjalët që po fliten nga kjo sallë janë për shumë shqiptarë hera e parë, në veçanti për ata të rinj që dëgjojnë konkretisht për krimet dhe të vërtetat e dhimbshme të komunizmit.
Sot unë ndjehem fajtor, si deputet, si politikan, si kryetar i Partisë Demokratike dhe si qytetar, që ne nuk kemi bërë shumëçka për gati tre dekada për të dënuar krimet e komunizmit, për të dënuar mentalitetin dhe praktikën komuniste dhe diktatoriale, për të penguar eksponentët e lartë komunistë dhe autorët e krimeve të komunizmit që të mos ndikojnë më jetën politike dhe shoqërore në vend.
70 vjet pas vrasjes së deputetëve, unë ndjehem i turpëruar që jam pjesë e një kuvendi, i cili drejtohet nga njëri prej atyre që ishte pjesë aktive e asaj klike kriminale që vrau dhe dhunoi shqiptarët që donin lirinë dhe dinjitetin e njeriut.
Ndjehem i trishtuar që 27 vjet pas rënies së komunizmit ky vend ende vazhdon të ketë në krye të institucioneve njerëz të edukuar dhe stërvitur me mësimet e Enver Hoxhës dhe të ushtruar me frymën dhe praktikën enveriste.
Jam po aq i dëshpëruar që pas 70 vjetësh, Kuvendi i sotëm ka njerëz që nuk kanë as ngjashmërinë më të vogël me martirët e demokracisë shqiptare dhe janë vite-dritë larg tyre për nga karakteri dhe integriteti njerëzor, për nga formimi intelektual, për nga aftësitë dhe kontributi profesional dhe mbi të gjitha për nga aftësia për ta dashur pa kushte vendin dhe bashkëqytetarët e tyre.
Ky është dështim, dështimi ynë, i gjithë shoqërisë sonë, i politikës dhe intelektualëve të ndershëm të këtij vendi.
Së fundmi, jam i hidhëruar dhe i revoltuar që me paratë e taksapaguesve shqiptarëvë këto katër vite infrastruktura çnjerëzore e Sigurimit të Shtetit dhe e aparatit të dhunës së komunizmit është kthyer në tërheqje turistike, duke u trajtuar si diçka argëtuese, ndërkohë që nuk ka asnjë monument dhe përkujtimore për viktimat e komunizmit dhe vuajtjet e tyre.
Ndaj sot, dua të zotohem që së bashku me Partinë Demokratike të punojmë që kjo të ndryshojë. E ka ende shumë që ne mund të bëjmë.
Së pari, duhet të gjejmë dhe të identifikojmë të gjitha eshtrat e viktimave të komunizmit ende të pazbuluara.
Së dyti, duhet të nderojmë emrat dhe kontributin e të gjithë martirëve të vërtetë të demokracisë dhe pluralizmit shqiptar. Ne duhet t’i kujtojmë ata, duhet të rrëfejmë jetën e tyre, sakrificat e tyre, tragjeditë e tyre, që janë akte të tragjedisë sonë të kobshme kombëtare nën diktaturën e Enver Hoxhës.
Së treti, ne duhet të tregojmë krimet e komunizmit dhe historinë tragjike se si një popull i tërë ra në kthetrat e përgjakura të komunizmit dhe iu nënshtrua atij për gati pesë dekada.
Së katërti, duhet t’u presim rrugën një herë e mirë të paktën drejtuesve të lartë komunistë nga drejtimi i vendit.
Së pesti, të ndalojmë festimin në publik të shenjave, simboleve dhe figurës së Enver Hoxhës dhe figurave të tjera gjakatare të regjimit të tij.
Ne do t’i prezantojmë Kuvendit akte konkrete për përmbushjen e këtyre objektivave.
Jo vetëm ligje dhe amendamente, por do të kërkojmë që nisur nga buxheti i vitit të ardhshëm të përfshihet një fond për studimin, hulumtimin dhe botimin e historive kriminale të komunizimit dhe të viktimave të tij.
Është koha të sjellim zërat dhe jetët e atyre që luftuan për liri dhe demokraci kundër komunizmit në çdo shkollë, në çdo klasë dhe në çdo bankë të nxënësve shqiptarë.
Eshtë koha të nxisim studiuesit dhe intelektualët që të punojnë për zbardhjen e historisë së zezë të komunizmit në mënyrë që ajo të na bëhet reflektim për ne dhe për brezat e ardhshëm.
Historia e dhimbshme e diktaturës nuk duhet të përsëritet kurrë më. Ne duhet ta ndalojmë me çdo kusht dhe çdo çmim një mundësi të tillë.
Mirënjohje përjetë martirëve të diktaturës gjakatare.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Basha: Shullazi dhe Tahiri të sinkronizuar me urdhër të Ramës ndaj Berishës

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës për të thirrur si dëshmitar ish-Kryeministrin Berisha në gjyqin e Shullazit pas kërkesës së bërë nga Tahiri dhe kapobanda Shullazi. Në një postim në Facebook Basha shkruan se, kjo është një përpjekje e koordinuar mes dy ortakëve me urdhër të Edi Ramës për të larguar vëmendjen nga krimet dhe trafiqet ku janë përfshirë së bashku.
“Sajmir Shullazi dhe Emiljano Tahiri në sintoni të plotë me njëri-tjetrin kërkojnë dëshminë e Sali Berishës. Kjo natyrisht nuk është rastësi, por një përpjekje e koordinuar mes dy ortakëve me urdhër të Edi Ramës për të larguar vëmendjen nga krimet dhe trafiqet ku janë përfshirë së bashku. T’i kërkosh Edi Ramës të luftojë krimin e organizuar është njësoj si t’i kërkosh të luftojë vetveten”, shkruan Basha.

70 vjetori i ekzekutimit të grupit të deputetëve, Ruçi nuk drejton seancën

Ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua një seancë përkujtimore për 70-vjetorit të pushkatimit të deputetëve opozitarë. Ajo që ran ë sy ishte fakti se seanca nuk u drejtua nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Arkeologu britanik kundër ndërtimit të lokalit në Butrint

Skandali i ndërtimit të një lokali brenda Parkut Kombëtar të Butrintit merr përmasa ndërkombëtare. Arkeologu i mirënjohur britanik, Oliver Gilkes, përmes një postimi në Facebook jep alarmin për atë që është duke ndodhur në këtë pasuri kombëtare të Shqipërisë të mbrojtur nga UNESCO. “Një lajm tjetër për Butrintin. Gjithmonë kam menduar që Butrinti ka nevojë për disa lehtësira dhe për më shumë vizitorë dhe facilitete. Por ajo që po ndodh është se janë duke i zhvendosur turistët në një tjetër cep të Akropolis. Kjo situatë kërkon përgjigje. Atje ndodhet një kështjellë. Përse nuk po rinovohet ajo në vend që të ndërtohet një “qendër multifunksionale”? Kjo çështje duhet zgjidhur në vend që të trajtohet si një problem se “kush komandon”, shkruan Gilkes.
Ndërtimi po bëhet pranë një muri prehistorik, i cili daton në shekullin e 7-8 para Krishtit. Në brendësi të zonës së mbrojtur po ndërtohet një bar-kafe për qëllime biznesi. Leja për ndërtimin e një lokali në Parkun Kombëtar të Butrintit është dhënë nga Ministria e Kulturës.

Vrasja e biznesmenit shqiptar në Athinë, po hetohet në dy pista

Biznesmeni shqiptar, Roland Shembitrasi mbeti i vdekur në atentatin e ndodhur rreth orës 4:30 të së dielës në “Glyfada” të Athinës. Mediat helene raportojnë se për vrasjen e 39-vjeçarit shqiptar, i cili njihej ndryshe Roni, policia po heton në dy pista, prishja e pazareve të drogës dhe konkurrenca në bizneset e klubeve të natës.
39-vjeçari shqiptar, babai i dy fëmijëve të vegjël, ishte një nga aksionerët e klubit të natës. Mediat raportojnë se, bashkëpronari i një klubi nate në Athinë dyshohet se është vrarë nga vrasës me pagesë. Dëshmitarët kanë treguar në polici se, mes viktimës dhe ekzekutorëve ishte zhvilluar një dialog, me gjasë për t’u siguruar për identitetin e tij.“Më vjen keq, por duhet ta bëjmë”, është dëgjuar të thotë një prej tyre, përpara se shoqëruesi i tij të qëllonte tri herë me pistoletë Shembitrasin.
Në tavolinë me viktimën ishte edhe një shqiptar tjetër, 37-vjeçari Gjergji Kapaj, i cili mbeti i plagosur. Viktima mund të jetë eliminuar për shkak të prishjes së pazareve të drogës, pasi dyshohej se ishte një prej personave të përfshirë në trafikimin e një ngarkese me drogë të kapur nga policia greke dy muaj më parë. Për këtë arsye ishte prej kohësh në përgjim.
Pista tjetër është ajo e konflikteve të viktimës me ortakët e tij në bizneset e klubeve të natës. Edhe aksionerit, të cilin Shembitrasi kishte zëvendësuar që prej vitit 2013, i ishte bërë një atentat, të cilit i kishte mbijetuar.

Gomone nga Vlora drejt Italisë, trafikantët hedhin drogën në det

Një gomone me drogë është nisur nga bregdeti i Vlorës mbrëmjen e të dielës drejt Italisë, por pas ndjekjes së Guarda di Finanza italiane dhe policisë shqiptare, trafikantët kanë hedhur drogën në det dhe janë kthyer sërish në tokën shqiptare, duke i shpëtuar ndjekjes së policisë. Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit sqaron se, ndjekja ka nisur në ujërat territoriale shqiptare, dhe falë bashkëpunimit në kohë reale me Policine italiane nëpërmjet zyrës ndërlidhëse të Policisë së Shtetit në Bari, mjeti u gjurmua nga Guardia di Finanza e Barit me një avion dhe një helikopter, si dhe helikopteri i FRONTEX.
Skafistët duke e patur të pamundur të vijonin rrugën drejt Italisë, falë ndjekjes nga 3 njësitë policore në të dy vendet, 3 skafistët janë kthyer sërish drejt Shqipërisë.
Pasi kanë përfituar nga deti i trazuar trafikantët kanë hedhur lëndën narkotike në det dhe me shpejtësi kanë dalë në breg në një zonë të vështirë dhe janë larguar.
Forcat policore që ishin në ndjekje po vijojnë krehjen e zonës për kapjen dhe arrestimin e tyre. Vijojnë operacionet e kërkimit të lëndës narkotike të hedhur në det nga trafikantët. Në këtë operacion janë angazhuar forcat e Policisë së Shtetit, Rojës Bregdetare dhe Guardia di Finanzas.