24.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Boçi: Gardiani i telave me gjemba nuk mund të jetë gardian i fjalës së lirë

Deputeti i PD, Luçiano Boçi tha se qëndrimet e opozitës në raport me Parlamentin do të varen nga qëndrimi që do të mbajë Gramoz Ruçi. Në studion e lajmeve të “Ora News”, Boçi paralajmëroi se raporti me të nuk do të ketë nuancë zbutëse.
Boçi: Pjesa me debatin me zotin Ruçi është instinkt politik që lind nga një rrethanë shumë e thjeshtë. Qëndrimi ynë ndaj tij nuk besoj se do të ketë nuancë zbutëse dhe tendenca e agravimit të debatit varet nga qëndrimet që shpreh dhe shfaq Ruçi janë ato qëndrime që ne kemi paralajmëruar. Ato qëndrime që shprehin arrogancën dhe revanshin e tij. Më vjen keq që zoti Ruçi kërkon të mbyllë karrierën e tij politike në një revansh të tillë politik.
Deputeti demokrat tha gjithashtu se, veprimi i Gramoz Ruçit sot duke përjashtuar kreun e PD ishte një veprim arbitrar.
Boçi: Situata e sotme ishte absurd, ajo përplasje që u krijua që u shoqërua me penalizimin e kreut të opozitë ishte një formë e shfaqjes së arbitraritetit të drejtimit të seancës nga një person siç është Gramoz Ruçi, i kontestuar nga PD pikërisht për këto cilësi që shfaqi sot. Kemi theksuar qëndrimet tona se gardiani i telave me gjemba nuk mund të jetë gardian i fjalës së lirë.
Akti më i pranueshëm tha Boçi, do ishte që Ruçi të largohet nga Kreu i Kuvendit.
Boçi: Akti më i pranueshëm për ambientin politik do ishte që zoti Ruçi të vetëlargohej, të vetëdorëzohej me një kërkesë. Dhe jo që në fund të karrierës të shprehësh mllefin e grumbulluar për kaq vite dhe duke pasur mbi supe edhe njollat e së kaluarës.

 

Alibeaj: Askush s’do mund t’ia mbyllë gojën opozitës

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi dje se as presionet e mazhorancës dhe as kërcënimet e saj nuk do të mund të smbrapsin dot opozitën në betejën e saj e as do të mund t’i mbushin asaj gojën.
Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj e konsideron të paprecedent përjashtimin e kryetarit Basha nga Kuvendi. Ai shprehet se, mazhoranca kërkon të mbyllë gojën e PD-së, pasi nuk kanë argumente.
“Opozita do të qëndrojë këtu. Nuk mund të ndodhë më që t’i mbyllet goja opozitës. Lista e folësve tanë është depozituar që dje. Mazhoranca ka mungesë të argumenteve të tyre. Meqë janë të papërgatitur për t’u përballur me argumentin, bëjnë këtë zgjidhje, na mbyllin gojën ne”, u shpreh ndër të tjera Alibeaj.
Ndërkohë që Alibeaj theksoi se Parlamenti nuk është i Gramoz Ruçit ku snajperat mund të vendosin, e t’i mbyllin gojën opozitës.
“Ne do vazhdojmë të qëndrojmë se ky tempull nuk është i Gramoz Ruçit, ku snajperat mund të vendosin, e t’i mbyllin gojën opozitës. Ajo kohë ka mbaruar me vakt. Ne kërkojmë të drejtën tonë, se çfarë ka ndodhur me zgjedhjet dhe se çfarë ndodh aktualisht me krimin”, u shpreh deputeti.

Ora e takimit me prindër, Qifja pin kafe me mamin e Edit dhe Gaz Demin. Pa koment!

Ka kush mendon për hallin që e ka zënë “Qifen” me kërkesën e PD për hetim të thelluar për dekriminalzimin. Një kafe me Anetën, mamin e Edit është shumë shpresëdhënës.

Denoncimi, afera korruptive e Manastirliut me uniformat e spitaleve

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka postuar në Facebook mesazhin e një punonjësi, i cili denoncon aferat korruptive të ministres së Shëndetësisë, Manastirliu, me uniformat e spitaleve. Në mesazh thuhet se, pasi Manastirliu ua ndërroi katër herë uniformat, duke bërë tendera korruptivë stafit të QSUT shkon edhe bën megaskandalin tani me të gjitha spitalet, duke futur të njëjtën kompani. Postimi i Berishës: “Ja si i vesh ndrikull Manastirliu me detyrim punonjësit e shëndetësisë për të mbushur xhepat e vet! Lexoni mesazhin e punonjësit dixhital! Sb “Doktor uroj të jesh mirë dhe jetë të gjatë. Kjo ndrikulla e QSUT që e kanë bërë ministre të Shëndetësisë tani po vesh gjasme me të njëjtat uniforma të gjithë stafin në spitalet e rretheve të ngjashme me ato në QSUT.
Ky është një korrupsion i pastër i ndrikullës Manastirliu, pasi ua ndërroi katër herë uniformat, duke bërë tendera korruptivë stafit të QSUT shkon edhe bën megaskandalin tani me të gjitha spitalet, duke futur të njëjtën kompani.
Beqja me Ramën vodhën sa deshën në kurriz të mjekëve dhe infermierëve me lloj-lloj PPP-je, kurse kjo ndrikulla tall menderen me uniforma se këto kanë ngelur tani”.

Realizimi i buxhetit mbi dy miliardë euro për vitin 2018, vihet në pikëpyetje

Realizimi i buxhetit të Kosovës prej mbi dy miliardë euro për vitin 2018, vihet në pikëpyetje nga përfaqësues të bizneseve në vend. Sipas tyre, nuk janë bërë hapa të duhur nga autoritetet që t’i mundësonin shtetit një buxhet të tillë.
Përveç të tjerash, ata thonë se agjenda politike ka ngufatur edhe objektivat për një buxhet prej mbi dy miliardë euro.
Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, në një intervistë dhënë Radios “Evropa e Lirë” kishte paralajmëruar se Kosova do të ketë një buxhet prej mbi dy miliardë euro në vitin 2018.
“Vlera e buxhetit do të jetë mbi dy miliardë euro, bazuar në burime të qëndrueshme. Sa u përket projeksioneve ne do të jemi të kujdesshëm që të jenë në përputhje me nivelin e rritjes ekonomike dhe normalisht për ndonjë pikë të përqindjes do të jetë më i lartë”, pati deklaruar Hamza.
Megjithatë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë për Radion “Evropa e Lirë” se një buxhet i tillë mund të realizohet, por jo në këto rrethana kur Parlamenti është në formën teknike, kur është një qeveri e ri apo kur është cenuar, siç thotë ai, partneriteti me mekanizmat ndërkombëtarë.
“Dua të besoj që të arrihet një buxhet i tillë, por në këto rrethana e kam frikën se do të jetë shumë e vështirë dhe do të jetë prapë një barrë që do të godet drejtpërsëdrejti sektorin privat. Kur kësaj i shtohet edhe fakti i prolongimit të paargumentuar të fillimit të zbatimit të pakos fiskale 2, atëherë mbetet për t’u dëshiruar, por vështirë për t’u realizuar”, thotë Gërxhaliu.
Derisa, buxhetin prej dy miliardë euro institucionet e Kosovës e kanë bazuar në fuqinë e sektorit privat, sipas Gërxhaliut, ky sektor duhet të ketë mbështetje.
Për të mbështetur këtë sektor, Gërxhaliu thotë se është e nevojshme miratimi i Ligjit për tregti të brendshme, Ligji anti-damping dhe Ligji për mbrojtjen e produkteve vendore.
“Buxheti pritet të grumbullohet nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës, e që do të jetë një barrë për sektorin privat, por dua të besoj që nëse mendohet që të rritet buxheti, institucionet duhet të bëjnë më tepër të mbështetet sektori privat dhe ajo çka kërkon sektori privat është të këtë barazi si vendet e rajonit dhe mbi të gjitha të ketë mbrojtje”, thotë Gërxhaliu.
Buxhetin prej mbi dy miliardë euro, sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka e pamundëson edhe niveli i lartë i ekonomisë jo formale.
Ai thotë se, autoritetet e Kosovës nuk janë treguar efektive në luftimin e ekonomisë në të zezë.
“Nëse institucionet përgjegjëse arrijnë të tregojnë veprime më konkrete në luftimin e ekonomisë joformale, e cila është në shifra alarmante për vendin, realizmi i një buxheti të tillë nuk do të duhej të ishte problematik. Megjithatë, me veprimet e treguar nga ana e institucioneve në të kaluarën në luftimin e ekonomisë joformale, që kanë qenë veprime të mangëta, kjo mund të na bëjë që të jemi pesimist në lidhje me realizmin e një buxheti prej dy miliardë euro”, thotë Zeka.
Sa i përket ekonomisë joformale, zyrtarë qeveritarë në vazhdimësi kishin paralajmëruar luftë të pakompromis kundër kësaj dukurie. Ata kishin deklaruar se si pasojë e ekonomisë joligjore janë miliona euro në vit, të cilat nuk arkëtohen në arkën e shtetit.
Ndërkohë, raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kishin vënë në pah se, evazioni fiskal në Kosovë arrin në mbi 30 për qind.
Buxheti i Kosovës edhe në vitin 2017, kishte shifrën e mbi dy miliardë eurove, i cili ishte më i larti që nga paslufta në Kosovë.

TAP, përfundon 75% e punës, investimet do bien me 500%

Konsorciumi i gazsjellësit Trans Adriatik njoftoi se, në Shqipëri dhe Greqi ka përfunduar më shumë se 75% e volumit të punës. Mesa duket, në dy vendet punimet po ecin me ritme të përshpejtuara, duke sinjalizuar se, projekti do të përfundojë brenda afateve të parashikuara, pra, brenda vitit 2020.
Ndër të tjera, në Shqipëri dhe Greqi shtrihet edhe pjesa dërrmuese e projektit, mbi 80%, ndërkohë që pa filluar mbetet vetëm pjesa nënujore në shtratin e Adriatikut, ku do të bëhet edhe lidhja me tubacione mes Shqipërisë dhe Italisë.
Por, fakti që TAP po përfundon, nuk është domosdoshmërisht një lajm i mirë, sidomos për kuadrin makroekonomik. Të dhënat e fundit sugjerojnë se, deri më tani gazsjellësi ka investuar rreth 1.2 miliardë euro në vendin tonë, çka do të thotë se, nga totali i investimit mbeten vetëm 300 milionë euro në tre vite.
Investimet e TAP prekën kulmin gjatë këtij viti me një total prej rreth 500 milionë euro, ose një e treta e totalit. Së fundmi, Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi për rënien e investimeve të huaja në vendin tonë gjatë viteve në vijim, kryesisht si pasojë e tkurrjes së investimeve në sektorin energjetik, rrjedhojë e drejtpërdrejtë e zbehjes së investimeve nga TAP.
Ky nuk ishte as paralajmërimi i parë e as i fundit. Gjatë vitit, edhe Banka Botërore si dhe Komisioni Europian, por edhe Fondi Monetar në raportet e kaluara kanë paralajmëruar qeverinë shqiptare se, stoku i investimeve të huaja do të bjerë.
Diçka e tillë do të reflektohet edhe në termat e rritjes ekonomike. Gjatë vitit të ardhshëm, rritja projektohet më e ulët se viti aktual.

Raporti: Shqipëria, vlerësimin më negativ në botë për investitorët

Shqipëria është tërësisht jokonkurruese në incentivat fiskale që ofron për investitorët. Raporti i Konkurrueshmërisë Globale, i publikuar së fundmi nga Forumi Ekonomik Botëror, e rendit Shqipërinë të 123-ën në mesin e 137 vendeve që janë marrë në studim.
Në një vlerësim nga 0 deri në 7 pikë (ku afër zeros është vlerësim negativ dhe afër 7-es pozitiv) Shqipëria ka marrë vlerësimin më të dobët në rang global me vetëm 2.2 pikë për nxitjen e investimeve nëpërmjet taksave. Shqipëria në këtë indeks lë pas vetëm 14 vende.
Edhe raportet e Bankës Botërore e rendisin Shqipërinë, së bashku me Serbinë, ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të taksave ndaj fitimit. Shqipëria, së bashku me Serbinë, kanë nivelin më të lartë të taksave në rajon, në TVSH, kontributet e sigurimeve, që paguhen nga punëdhënësi dhe tatimin mbi korporatat. Jo më kot, të dy këto shtete kanë nivelin më të lartë të taksave në përqindje ndaj fitimit, përkatësisht 36.5% Shqipëria dhe 39.7% Serbia, sipas raportit “Të bësh biznes 2017”.
Por, ndryshe nga Serbia, Shqipëria nuk jep asnjë lehtësi fiskale ndaj investitorëve qoftë të huaj apo vendas.
Gjithashtu në vendin tonë nuk janë funksionale zonat e lira ekonomike, ku zhvillohet aktivitet ekonomik me regjim të lehtësuar taksash dhe nuk ka as parqe industriale me tarifa të favorshme.
Forumi Ekonomik Botëror ka vërejtur se, Shqipëria në indeksin 2017-2018 e ka përkeqësuar pozicionin e saj në renditjen për ofertën fiskale ndaj investitorëve.
Kjo mungesë konkurrueshmërie në drejtim të investitorëve e ka bërë vendin tonë më pak atraktiv, teksa shihet se Ballkani Perëndimor dhe kryesisht Maqedonia, kanë përfituar dukshëm nga diversifikimi i aktivitetit të kompanive globale.
Shqipëria ka aktualisht TVSH 20% dhe Tatimin mbi Fitimin 15%. Këto nivele janë më të lartat në rajon, por nga ana tjetër për investitorët e huaj nuk ka asnjë toleranca fiskale siç aplikohet në Serbi dhe Maqedoni.

“Monitor”

Diskretitimi i zgjedhjeve, Banka: U hapën shumë vende pune në shtet

Në një anketim të posaçëm për të vrojtuar gjendjen financiare të familjeve, Banka e Shqipërisë ka gjetur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017 papunësia ra, kryesisht prej rritjes së punësimit në shtet.
Rënia e papunësisë më parë ishte konfirmuar nga INSTAT, i cili duke publikuar rezultatet e anketës së punës raportoi se papunësia ra në 13.9% në tremujorin e dytë të vitit nga 14,2 për qind që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
“Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, numri i të punësuarve në kampionin e vrojtuar ka shënuar rritje në terma vjetorë, mbështetur kryesisht nga punësimi në sektorin shtetëror”, raporton Banka në lidhje me rezultatet e vrojtimit.
Anketa e Bankës së Shqipërisë u bë në 1209 familje të përzgjedhura sipas një kampioni rastësor, ku rreth 55% e tyre jetojnë në zonat urbane dhe 45% në zonat rurale të vendit.
Punësimi në shtet në gjysmën e parë të vitit është nxitur më se shumti nga fushata e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Në Shqipëri, precedenti i punësimeve në prag zgjedhjesh për përfitime elektorale është një fenomen i njohur. Punësimet bëhen kryesisht në ndërmarrjet publike.
Sipas matjeve të INSTAT, ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i dytë i vitit 2016 në tremujorin e dytë të vitit 2017, është 3,4%. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është: 9% në sektorin e shërbimeve dhe 2,5% në sektorin e industrisë, ndërsa në sektorin e bujqësisë pati një rënie të punësimit prej 1,7%.
Për shkak të zhvillimeve pozitive në tregun e punës, Banka e Shqipërisë pohoi se niveli i të ardhurave të familjeve dhe niveli i shpenzimeve kanë qenë në rritje gjatë periudhës, por rritja e shpenzimeve ka rezultuar më e madhe, duke sjellë ngushtim të balancës financiare (të ardhura-shpenzime) të familjeve.
Rreth 28% e familjeve deklarojnë se kanë hua për të paguar dhe kjo peshë ka rënë pak krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë.

Shqiptarët më të varfërit në Europë për të ardhurat për frymë

Shqiptarët ngelen ndër më të varfërit në Europë në renditjen e të ardhurave për frymë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, të ardhurat për frymë të shqiptarëve, sipas parimit të barazisë së fuqisë blerëse për vitin 2016 ishin 11,928 dollarë ndërkombëtarë.
Dollari ndërkombëtar është njësi matëse për të krahasuar të ardhurat mes vendeve, duke barazuar fuqinë blerëse të monedhave. Vitin e kaluar, të ardhurat e shqiptarëve, sipas kësaj metode, u rritën me 3.7%, rritje kjo e përafërt me nivelin e rritjes ekonomike.
Me këtë shumë, Shqipëria renditet e parafundit në rajon, duke lënë pas vetëm Kosovën. Në dy vitet e fundit, Shqipëria është kaluar në këtë renditje edhe nga Bosnje-Hercegovina, ku të ardhurat për frymë kanë kaluar kufirin e 12 mijë dollarëve.
Vetëm Kosova renditet poshtë Shqipërisë, me të ardhura për frymë në afërsisht 10 mijë dollarë. Shteti me mirëqenien më të lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor është Mali i Zi, ku të ardhurat mesatare për frymë shkojnë në afro 17 mijë dollarë.
Vendet e rajonit sidoqoftë ngelen larg vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian sipas kësaj metode krahasimi. Vendi me të ardhurat më të larta në Europë është Luksemburgu, me afro 106 mijë dollarë në vit, nivel ky nëntë herë më i lartë se Shqipëria.

Investitoret e huaj akuza tatimeve: Po na kontrollojnë inspektorë të paaftë

Investitorët e huaj ankohen se inspektorët që u paraqitet në kontrolle janë të pakualifikuar, madje dhe qëndrojnë në zyra në një afat të gjatë, duke penguar aktivitetin. Shqetësim është ngritur në një takim midis Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Drejtorisë së Tatimeve vetëm pak ditë pas nisjes së fazës së tretë antiinformalitet. Për këtë të fundit është nënvizuar se aksioni nuk mund të jetë më faza. Ndërsa drejtorja e Drejtorisë së Tatimpaguesve, Enkelejda Pipa, premton ndryshim të shpejtë të formës së kontrolleve. Vetëm disa ditë pas nisjes së fazës së tretë të aksionit antiinformalitet përfaqësuesit e investitorëve të huaj shprehin ankesa mbi kontrollet nga inspektorët tatimorë. Ky problem është prezent nga bizneset amerikane që operojnë në Shqipëri gjatë një takimi të zhvilluar me Drejtorinë e Tatimeve. Alketa Uruçi, anëtare e Bordit të Dhomës Amerikane të Tregtisë u shpreh se ndodh shpesh që, inspektorët që vijnë për kontrolle nuk kanë kualifikimin e duhur. “Fatkeqësisht deri tani edhe nga Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj që sigurisht ka inspektorët më të trajnuar dhe më cilësorë profesionalisht shohim inspektorë që vijnë në kontroll dhe rrinë 2 muaj, 3 muaj duan të shohin çdo gjë, por nuk dinë çfarë të kontrollojnë”, u shpreh ajo. Dhoma Amerikane kërkoi ndër të tjera që lufta ndaj informalitetit të jetë e vazhdueshme dhe jo me faza. “Do të doja që të shihja një luftë kundër informalitetit konstante, jo me aksione, jo me kontrolle të dhunshme”, tha më tej. Përfaqësuese e DHAT, Alketa Oruçi deklaroi se në fillim, rezultatet nuk ishin ato që priste qeveria. “Nuk mund të mos them se ishim në të njëjtat pozita, ku rezultatet nuk ishin ato që priste qeveria. Do të doja që kontrollet të ishin konstante dhe jo luftë. Do të doja që inspektorët të ishin më të trajnuar. Shohim inspektorë që nuk dinë çfarë kërkojnë. Harxhohet koha nga të dyja palët. Kontrolli duhet të jetë më i fokusuar”, deklaroi znj. Oruçi. Ajo shton se kontrolli nga zyra, duhet të përcaktohet më mirë dhe t’i bëhet i njohur Tatimpaguesve më parë. “Kjo do të shkurtonte procedurat burokratike, duhet të na lajmëroni më parë. Edhe kërkesat me e-mail nga Administrata Tatimore bëhen të bezdisura, nuk duhet të vijnë njëkohësisht të gjitha”, këshilloi në fund përfaqësuesja e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Në ditët e para të aksionit antiinformalitet në të gjithë territorin e vendit janë kontrolluar rreth 1400 biznese.