Të luash përballë më të mirëve të botës është ëndrra e çdo futbollisti. Kjo është edhe ndjesia e Andi Lilës për duelet e radhës së Shqipërisë me Spanjën dhe Italinë. Ndeshje që çdo futbollist profesionist jeton për t’i luajtur dhe ku kuqezinjtë do të provojnë të tregojnë vlerat e tyre.
“Është fat i madh për brezin tonë që na qëlloi të luanim ndaj dy skuadrave kampione të botës. Çdo lojtar i ka ëndërr ndeshje të tilla, sepse nuk luan dot përditë me lojtarë nga më të mirët në botë. Në ndeshjen e parë luajtëm mirë taktikisht deri në momentin e pësimit të golit, sepse Spanja ka individë që bëjnë diferencën në çdo moment. Spanja ka lojtarët më të mirë, por ne gjithmonë do të dalim në lojën tonë, sepse çdo minutë në kombëtare nuk përsëritet sepse është fat të luash ndaj Spanjës dhe Italisë dhe të bësh gjëra pozitive”, u shpreh Lila.
Të flasësh për rezultat përballë Spanjës nuk është utopi dhe mbrojtësi 31-vjeçar po pret me padurim sfidën në Alikante. “Në çdo ndeshje, jo vetëm me Spanjën, çdo lojtar duhet të japë 200 për qind. Si në ndeshje të tjera me ekipe të forta. Spanja është ndër ekipet më të forta se ka qenë kampione bote dhe Europe. Nevojiten të gjithë komponentet lart për rezultat. Ne do të bëjmë më të mirën për të dalë nga fusha me kokën lart. Edhe Spanja si ndeshjet e tjera vlen tre pikë. Edhe lojtarët vetë e presin me shumë dëshirë këtë ndeshje të madhe dhe trajneri po e përgatit shumë mirë dhe shumë qetë. Presim me padurim të premten që të luajmë”, tha ai.
E ndërsa pohon se ashtu si me De Biasin, skuadra ndihet shumë mirë edhe me trajnerin Panuçi, Lila e pranon që ëndrra e kuqezinjve drejt Kupës së Botës u vështirësua nga fakti që shorti i vendosi në kualifikuese përballë dy skuadrave kampione të botës. “Fati jo i mirë që na qëlluan në grup dy skuadra të nivelit të jashtëzakonshëm dhe duke llogaritur ndeshjen me Izraelin që ishte e çuditshme, normale që nuk ishte entuziazmi i periudhës së kualifikimit të Europianit kur ia dolëm. Por ne mundohemi të lëmë gjurmët tonë në kombëtare, vijmë këtu të japim më të mirën, të ndihmojmë skuadrën dhe që Shqipëria të ecë përpara. Kisha shumë dëshirë të ishim edhe ne pjesë e Botërorit, pasi përjetuam Europianin, që ishte gjëja më e bukur në karrierë. Por do të shohim përpara. Do të japim maksimumin në dy ndeshjet e fundit dhe do të shijojmë çdo minutë”, tha Lila.
Me pozitivitetin që e karakterizon, Andi Lila është optimist se Shqipëria do të arrijë të marrë rezultat në dy ndeshjet e fundit, madje parashikon fitore përballë Italisë në “Loro Boriçi”. “Një pikë? Mendoj që në Shkodër mund të marrim tre pikë. Por, ne do të hyjmë në fushë të japim maksimumin. Siç e dinë të gjithë do të jenë dy ndeshje shumë të vështira, por nuk do të jemi inferiorë ndaj askujt. Nuk kemi çfarë të humbasim. Personalisht jam optimist se do të marrim rezultat, madje tre pikët e plota ndaj Italisë, për të shkruar historinë se kemi fituar përballë një kampioni të botës. Ne kemi tifozët më të mirë. E treguam në Europian se kush ishim dhe ndryshuan opinion për ne si popull. Kur hyj në fushë mundohem të jap 20 për qind edhe për tifozët. Ata na kanë mbështetur gjithmonë në çdo moment dhe i jam shumë mirënjohës. Do t’i thoja të vazhdojnë me këtë rritëm sepse janë më të mirët”, përfundoi Lila.
Ndërkohë, trajneri i Spanjës, Julien Lopetegui, ka befasuar jo pak në një intervistë të fundit të dhënë për “Radio Marca”, teksa ka folur për ndeshjen e radhës kundër Shqipërisë më 6 tetor. “Ata arritën që të kualifikoheshin me krenari në Kampionatin Europian dhe ishte e vështirë për ne që të fitonim ndaj tyre në ndeshjen e parë. Shqipëria meritonte që të fitonte ndaj Italisë, kanë një ekip me talente, shumë fizik dhe taktik”, u shpreh trajneri spanjoll.
Në Shkodër marrim 3 pikë
Proteste në Lekaj kundër Landfillit
Qindra banorë në Lekaj janë hedhur në protestë kundër ndërtimin të Landfillit. Banorët thonë se Landfilli po ndërtohet në shkelje të ligjeve në fuqi. Deri para 3 javësh e planifikuan (perseri në shkelje të ligjit) në Gose, por pas 3 protestave të mëdha te banoreve, tani po e cojne ne Lekaj. Perfaqsuesi i qeverise deklaroi qe num do behet se kish folur me ministrin Ahmetaj qe qenka edhe deputet i zones, por mbeti pa tekst kur i treguam letren me firme dhe vulë të kreut të bashkisë qe tregon qe do ndertohet ne Lekaj, dhe për më tepër Rajonal, pra të mbledhe mbetjet edhe te qarqeve Fier dhe Elbasan. Banoret janë të irrituar me keto vendim-marrje të kundraligjshme.
Berisha deklaron: Kjo mazhorancë largohet para Dhjetorit

Ish-Kryeministri Berisha paralajmëroi se mazhorancën nuk e zë dhjetori, ndërsa deklaroi se krimi i organizuar ka marrë përmasa akoma më të mëdha se në Elbasan në qytetin e Shkodrës. Berisha akuzoi Ramën si kryekumbarin e Shqipërisë, duke i kujtuar lidhjet me krimin e organizuar dhe mbushjen e Parlamentit me vrasës dhe kriminelë.
“Së pari, ftoj mediat që të fokusohen me të gjithë potencialin e tyre në luftën kundër krimit të organizuar pasi, po del e qartë si drita e diellit çdo ditë, se Shqipëria është në darën e tmerrshme, në sundimin e plotë të qeveritarëve të drogës, qeveritarëve të krimit. Në këtë kontekst dua t’ju them se, ajo që shpërtheu në Elbasan, dy herë mos të them tre herë më agresive është në Shkodër, qytet nga i cili po ikin biznesmenët, po i dorëzojnë krimit bizneset, sepse serial-killerat dhe trafikantët në Shkodër bëjnë ligjin në çdo sekondë të 24 orëshit. Vlorën e patë vetë në çfarë katandisje është. Më pyetët për deklaratën. Deklarata është kjo: Shqipëria ka një krye të meduzës së krimit të organizuar, dhe kreu i meduzës së krimit të organizuar është Edi Rama, dhe çdo deklaratë që i devijon kësaj absolutisht nuk e ndihmon luftën ndaj krimit, por përkundrazi në një farë mënyre i jep strehë atij që është koka e meduzës”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri deklaroi se heqja e të drejtës së fjalës së opozitës në Parlament është një inkurajim për krimin e organizuar.
“Për mua, kryekumbara i Shqipërisë është Edi Rama, sepse kur ju kërkua të mos vendosë Artur Bushin e vendosi, është Edi Rama se shkoi dhe u tha shqiptarëve se burrë më të ndershëm se Elvis Rroshi nuk ka. Është Rama, që zhgërryhet ditë e natë me don Lalën, është Edi Rama që ka zonën e vetë elektorale Vlorën. Është Edi Rama që ato 5 vota që merr në Shkodër, i merr përmes bandave të krimit. Është Rama, që mbushi Parlamentin me vrasës, trafikantë, është Edi Rama, pasi familjarë të së cilit, i vëllai Olsi ka kaluar disa herë kufrin me makinën e famshme të kokainës që unë e denoncova në Parlament.
Nëse flasim për krimin duhet të flasim për Edi Ramën, nëse nuk flasim për Edi Ramën dhe krimin, ne atëherë mbrojmë Edi Ramën”, tha Berisha.
Paralajmërimi i Berishës për Ruçin dhe metodat hoxhiste
-Zoti Berisha, a mund të fokusohemi tek çështja e ditës që është Reforma Zgjedhore?
Faleminderit për pyetjen. Kjo shumicë po tregon, se dhjetorin, siç e ka nisur nga frika dhe tmerri, nuk e zë. Kanë frikë nga fjala. Çpo kërkon opozita? Po kërkon që ky komision, në dritën edhe të raportit të OSBE/ODIHR-it të mblidhen në diskutim, ndërkohë këta s’duan diskutim. Këta kanë frikë nga fjala. Gramoz Ruçi po fut në Parlament metodat e vjetra të Policisë Sekrete hoxhiste në drejtimin e saj. Dhe e paralajmëroj në mënyrën më serioze, të heqë dorë se janë absolutisht të patolerueshme.
-Votimi elektronik është i mundshëm?
Eshtë jetik për votën e emigrantëve, është jetik për votën e qetë të shqiptarëve, është plotësisht i mundshëm.
-Asnjë nga institucionet europiane nuk e kanë qejf, nuk e kanë konfirmuar…
Absolutisht e vërtetë kjo, që OSBE/ODIHR nuk e preferon shumë, nuk po i hyjë të shpjegoj se pse. Kjo është metodë që po vjen gjithnjë e duke u rritur, duke zënë vend më shumë. Aplikohet në një seri shtetesh si Anglia, Britania e Madhe.
-Një koment për platformën e Lëvizjes për Ringritjen e PD….
Unë nuk kam parë gjë, kam lexuar në media. Nëse është ajo origjinalja, i dorëzohet Kryesisë së PD, i dorëzohet PD dhe bëhen vlerësimet. Unë jam jashtë çdo funksioni nga PD siç e dini.
Basha-Ramës e Ruçit: Keni lepurin në bark, s’dini nga t’ia mbani, jeni ilegjitim
Ky biçim Parlamenti po degradon nga dita në ditë. Sot, ke në rendin e ditës çështjen më të rëndësishme të Shqipërisë dhe shqiptarëve, çështjen e zgjedhjeve. Opozita ka depozituar kërkesën për debat, ke emrat e folësve të opozitës.
Ju vini të papërgatitur për debat për një arsye të thjeshtë; sepse ju nuk e doni debatin. Dhe ti ngre kartonat këtu për t’i mbyllur gojën opozitës me kartona, por kjo nuk mund të ndodhë kurrë.
Mblidhni Konferencën e Kryetarëve tani. Opozita kërkesën e ka bërë konform rregullores. Ky Parlament nuk është pronë e mazhorancës, nuk është pronë e jotja, është pronë e qytetarëve shqiptarë dhe funksionon vetëm në bazë të rregullores dhe jo kartonëve që ngre ti këtu.
Prandaj, ndërpre tani seancën, mblidh Konferencën e Kryetarëve, konstato kush ka përgjegjësinë për këtë problem. E ke mbi tavolinën tënde listën e folësve të opozitës. Eshtë njoftuar tash 4 ditë debati parlamentar për zgjedhjet. Botërisht qytetarët po i ndjekin.
Ju keni lepurin në bark, s’dini nga t’ia mbani; se nga një anë keni ngjarjen e Elbasanit, nga tjetra anë keni rrugën e “Elbasanit”. Po ky është problemi juaj. Problemi i shqiptarëve është se ju vini këtu me një mazhorancë fiktive, në aleancë me krimin, me një Parlament ilegjitim.
Kjo lojë, nuk mund të vazhdojë gjatë, ndaj mblidh Konferencën e Kryetarëve. Mos ngri kartonat bosh këtu. Ose përndryshe, bëhu përgjegjës për bllokimin total të punimeve të këtij Parlamenti.
Mblidh Konferencën e Kryetarëve tani!
Vendos për një afat të arsyeshëm debati. Nuk mund të shtyhet me një javë debati. Për një afat të arsyeshëm debati ne kemi propozuar orën 16:00, nëse ju duhet më shumë kohë të përgatiteni, merrni orën 18:00.
Por kjo seancë nuk mund të procedojë në shkelje totale të normave dhe rregullores së Parlamentit.
Eshtë në rendin e ditës, s’mund ta heqësh nga rendi i ditës ti, sepse ke ardhur i papërgatitur. Se kështu, i bie që për katër vite të shtysh debatin për një qëllim: t’i mbyllësh gojën opozitës.
Ne këtë nuk ta lejojmë Gramoz. Ndaj pezullo seancën, mblidh Konferencën e Kryetarëve. Mbani përgjegjësi.
Shqiptarët presin sot debatin. Dhe fakti që s’ju pëlqen, sepse këtë javë ka dalë raporti i OSBE/ODIHR-it dhe raporti i Këshillit të Europës që flet për dhunim, për shitblerje të votës, dhe përdorimin e grupeve kriminale, fakti që ju ndodh që gjithë Shqipëria është nën terrorin e bandave, nuk ju jep kurrë të drejtën t’i mbyllni gojën opozitës.
Përkundrazi, sot dhe jo nesër, shqiptarët meritojnë debat në këtë sallë. Ndaj ndërpres seancën, mblidh Konferencën e Kryetarëve.
Qytetarët meritojnë debatin, opozita është për të bërë debat dhe jo për të të bërë fresk ty.
Ministri i diktaturës përjashton opozitën nga Parlamenti, provokon përplasje
Ministri i fundit i krimeve të diktaturës Gramoz Ruçi ka përjashtuar kreun e opozitës nga Parlamenti pasi nuk ka lejuar zhvillimin e një debati parlamentar për zgjedhjet. Opozita ka kërkuar që para një jave seancën e debatit dhe në përputhje me rregulloren e Parlamentit seanca do të zhvillohej sot. Ruçi nuk ka lejuar zhvillimin e debatit duke zbatuar urdhrin e PS. Kjo ka sjellë edhe reagimin e Bashës, i cili ka deklaruar se Parlamenti nuk është pronë e PS. Ruçi ka kërkuar lirimin e Bashës nga foltorja. Kur kjo nuk ka nodhdur Ruçi ka ndërprerë seancën dhe me rifillimin e saj pas 5 minutash ka përjashtuar Bashën nga Parlamenti.
Arkivol Qazim Sejdinit në shtëpi
Një qytetar nga Elbasani i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku shkruan se, në qytet po qarkullon një lajm sikur kryebashkiakut Qazim Sejdini i kanë dërguar arkivol në shtëpi në shenjë hakmarrjeje. Ai shkruan se, ky që është arrestuar sot në Elbasan është thjesht një ushtar i bandës. “Në Elbasan klanet në thikë e në pikë! Qyteti gumëzhin se Don Lalës klani tjetër mafioz i ka dërguar arkivol në shtëpi?!?! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Doktor mirëmbrëma. Po lexoj nëpër media sikur Policia në Elbasan ka arrestuar autorin e ngjarjes së 18 shtatorit, sikur u kap autori. Ky është një lajm sa për të bërë bujë, sepse autorët e vërtetë nuk janë kapur. Ata mbrohen nga Edi Rama dhe Qazim Sejdini. Këta që janë arrestuar janë thjesht ushtarë. Sa për Qazim Sejdinin, mikun më të ngushtë të Edi Ramës, sot në qytet po qarkullon një lajm sikur i kanë dërguar arkivol në shtëpi në shenjë hakmarrjeje për ato që ai ka bërë. Nuk dihet sa i vërtetë është ky lajm, por sot i gjithë Elbasani po flet për këtë ngjarje. Të gjithë e dinë në Elbasan që Qazim Sejdini ka shumëfishuar rojet dhe badiguardët”, shkruan qytetari nga Elbasani.
Prokuroria urdhëron arrestimin e ushtarit të bandës Çela në Elbasan
Një nga anëtarët e bandës “Çela” në Elbasan, u arrestua mbrëmë me urdhër të Prokurorisë. Enea Bekteshi u arrestua në Cërrik gjatë një operacioni, i cili u krye nën drejtimin e Krimeve të Rënda në Tiranë. Sipas burimeve të Prokurorisë, Enea Bekteshi, ka qenë në “Audin” e blinduar që goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë në Elbasan, Gjergj Oshafi. Gjatë kontrollit në mjetin e tij është gjetur një sasi e lëndëve narkotike.
Enea Bekteshi dyshohet të këtë qenë anëtar i disa ngjarjeve kriminale. Bekteshi dyshohet se ka qenë në makinën tip “Audi” që goditi mjetin e nëndrejtorit të Policisë, para 2 javësh në Elbasan. Por Enea Bekteshi dyshohet se është pjesë e grupit të njohur si banda “Çela”, që disa muaj më parë, më 6 gusht 2017 qëlloi me antitank biznesin e fisit “Çapja”, hotel “Universin”.
Kapja e Bekteshit vjen dy ditë pas deklaratave të forta të ambasadorit amerikan Donald Lu, se vendin e drejtojnë katër klane dhe 20 familje mafioze.
Prokuroria kërkoi të përgjohet banda Çela, policia refuzoi
Prokuroria i ka kërkuar policisë që ta vinte në përgjim Enea Bekteshin, si pjesë e një bande të rrezikshme kriminale në qytetin e Elbasanit, por policia refuzoi me pretendimin se punonjësit e policisë janë me pushime. Pak ditë më parë u publikua nga “ABC News” një foto e një makine të djegur në qytetin e Elbasanit, e cila sipas policisë, dyshohet se u përdor mbrëmjen e 6 gushtit për të qëlluar me antitank, drejt banesës së familjes Çapja. Siç duket edhe nga fotoja, makina nuk është shkrumbuar plotësisht, duke lënë gjurmë brenda në kabinë, të cilat janë të vlefshme për ekspertët e Policisë Shkencore.
Automjeti luksoz, një BMW X3, sipas efektivëve ishte vjedhur në qytetin e Durrësit në fillim të gushtit, teksa rezulton pronë e një drejtuesi lokal të atij qyteti. Fillimisht, automjetit iu ndryshuan targat në unazën lindore të qytetit dhe më pas atentatorët përshkojnë të gjithë gjatësinë e saj, deri kur mbërrijnë tek objektivi.
Fatmirësisht, predha e antitankut, një armatim i rëndë lufte nuk ka shpërthyer. Ai u gjet nga policia në oborrin e shtëpisë dhe u çmontua nga forcat xheniere. Vetëm pak çaste pas ngjarjes, automjeti i vjedhur në Durrës u gjet i djegur afër Spitalit Psikiatrit “Sadik Dinçi”, rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes.
E gjithë kjo histori e denjë për filmat hollivudian u mbajt e fshehtë nga organet e rendit. Policia e Elbasanit nuk dha asnjë njoftim në komunikatën e përditshme, siç ndodh rëndom për ngjarje me arrestime të drejtuesve të automjeteve në gjendje të dehur, apo motoçikleta pa dokumente.
Menjëherë për këtë ngjarje të rëndë, Prokuroria urdhëroi që nga data 11 deri më 26 gusht të mbaheshin nën përgjim, ambiental, fotografik, filmik dhe me audio, Sokol Sanxhaktari, Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri. Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë së Elbasnit për të mbajtur nën mbikëqyrje personat e lartpërmendur, Policia e Shtetit ka kthyer këtë përgjigje në organin e akuzës. “Nga ana e sektorit të forcës së posaçme, nisur nga dinamika e madhe me shërbime në funksion të procedimeve penale në ndjekje dhe numrit të limituar të ndihmës specialistëve si pasojë e ndjekjes së grafikut të pushimeve vjetore, është e pamundur kryerja e veprimeve të vëzhgimit të fshehtë të personave dhe mjediseve në këtë periudhë kohore”.
Kelmend Xhaferri u prangos në tregun Agro-Ushqimor më 18 shtator, kur u godit makina e nëndrejtorit të Policisë, pasi lëvizte gjatë gjithë kohës me eskortë, ndërsa për dy të tjerët, Policia nuk jep asnjë të dhënë. Në momentin e prangosjes, Xhaferri kishte në përdorim një automjet tip “Range Rover”, ndërsa pas tij qëndronte një “Audi A8” i blinduar. Aktualisht, pas hekurave për ngjarjen e 18 shtatorit qëndrojë vetëm Ledio Zabeli dhe roja i objektit të tregut, Valmir Dedja. Ndërsa ndaj Kelmend Xhaferrit, Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi qëndrim me arrest shtëpie.
Ndërkohë, autori kryesor i sulmit ndaj Policisë në Elbasan, Suel Çela, është larguar jashtë shtetit nga Aeroporti i Rinasit me ndihmën e Policisë. Denoncimi u bë një ditë më parë nga një oficer policie, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Oficeri i Policisë së Elbasanit shkruan se, Suel Çela është larguar jashtë shtetit që natën e 18 shtatorit, pasi sulmoi me makinë nëndrejtorin e Policisë së Elbasanit. Ai bëri të ditur se, Çela është përcjellë nga Policia në Aeroportin e Rinasit. Biznesmeni Petrit Çela është mik i afërt i kreut të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe kryeministrit Rama. Banda e drejtuar nga djali i tij dhe dhëndri i kreut të Bashkisë detyruan qytetarët që të votojnë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 qershorit.
R.POLISI
Pse nuk dënohen dëshmitarët që ndryshojnë dëshmitë ndaj Shullazit?
Emiljano Shullazi, i cili po gjykohet për gjobëvënie dhe kërcënim, duket se po shkon drejt lirisë. Për t’ia arritur këtij qëllimi, ai po ushtron presion ndaj dëshmitarëve nëpërmjet njerëzve të tij që ndodhen në liri për të ndryshuar deklarimet në seancat gjyqësore. Dhe mesa duket kjo skemë e tij po funksionon, pasi disa nga dëshmitarët e thirrur nga organi i akuzës në seancat gjyqësore kanë ndryshuar dëshmitë ndaj Shullazit. Në këtë skemë duket se janë të përfshirë edhe struktura shtetërore, spese ndonëse ligjërisht dëshmitarët dënohen me burg për dëshmi të rreme, deri tani nuk është marrë asnjë masë ligjore për dëshmitarët që kanë ndryshuar dëshmitë në sallën e gjyqit ndaj Emiljano Shullazit.
Gjatë senacave të fundit gjyqësore disa nga dëshmitarët kanë dëshmuar të kundërtën e deklaratave që kanë bërë në Prokurori ndaj Shullazit. Njëri ndër ta ishte edhe biznesmeni nga Lushnja, Adriatik Kërçuku, të cilit iu vu tritol në biznesin e tij në janar të vitit 2016. Ishte kallzimi i tij në Prokurori që la në burg Emiljano Shullazin, por çuditërish ai ndryshoi dëshminë një ditë më parë në seancën gjyqësore.
Biznesmeni Kërçuku, deklaroi para trupit gjykues se nuk e njihte Emiljano Shullazin. Kërçuku u shpreh se disa kohë para se të ndodhte ngjarja, dikush i ishte prezantuar në telefon: “Shullazi jam, të pres të më takosh”, tha ai, ndërsa po sipas tij, një muaj më pas i kishte ndodhur një shpërthim në makinë. “Unë nuk e njoh Emiljano Shullazin. Një ditë të bukur një person më mori në telefon dhe m’u prezantua si Shullazi. Ai më kërkoi të vija ta takoja në Tiranë, por unë nuk pranova. Më pas, pas një viti më është vënë eksploziv tek pronat”, ka deklaruar Adriatik Kërçuku. Por përfaqësuesit e akuzës deklaruan se dëshmia e tij para togave të zeza ndryshonte nga ajo e dhënë para prokurorëve. Prokurorrja e çështjes deklaroi para Gjykatës, se Kërçuku kishte deklaruar para prokurorëve se ishte kërcënuar nga Shullazi.
Të njëjtin version ka mbajtur edhe Ismail Dervishaj, magazinier në biznesin ku ndodhi shpërthimi. 62-vjeçari tha se, nuk njeh asnjë nga të pandehurit, pavarësisht se ka qenë ai që ka pritur personin e prezantuar si Shullazi. Prokuroria kundërshtoi dëshminë e tyre, pasi në hetimet paraprake ata kanë deklaruar tjetër gjë.
Sipas Prokurorisë, kallëzimi i biznesmenit nga Lushnja bëri që Gjykatat e Apelit për Krimet e Rënda të vendosë mbajtjen në burg të Emiljano Shullazit, Blerim Shullazit dhe Gilmando Danit. Kërçuku kishte depozituar një dëshmi në Komisariatin e Lushnjës dhe më pas në Drejtorinë e Policisë së Fierit, ku tregonte se në muajin janar 2016 është telefonuar nga një numër i panjohur, duke i kërkuar takim, por ai i është përgjigjur se s’mund të takoheshin, pasi atë ditë ndodhej në Durrës. Sipas dëshmisë së biznesmenit të aluminit, telefonata e panjohur është kryer pas vizitës që katër djem të panjohur kanë kryer në biznesin e tij në autostradë, afër Lushnjës.
Më tej është zbuluar se bëhej fjalë për Emiljano Shullazin. Në dëshminë e tij biznesmeni Kërçuku, thotë se tek njësia e shërbimit kanë shkuar 4 vetë me një “BMW” të zezë, me targa të identifikuara dhe janë prezantuar tek punëtori i tij, Mili Dervishi, duke i kërkuar takim me pronarin.
Ai ka sqaruar se, njëri prej tyre i është prezantuar si Emiljano Shullazi. Këtë ia ka rrëfyer punëtori i tij, ndërsa vetë biznesmeni thotë se nuk e ka takuar ndonjëherë Shullazin. Telefonata ku i kërkohej takim i ka ardhur pas kësaj “vizite”. Ai e ka refuzuar dhe pak ditë më pas, më 25 janar 2016 një sasi tritoli shpërtheu brenda oborrit të biznesit të tij. Por dëshmitari në seancë e mohoi këtë version, duke shtuar se kërcënuesi nuk ishte Shullazi.
Deri më tani i vetmi që i ka qëndruar dëshmisë së dhënë më parë se, Emiliano Shullazi e ka kërcënuar dhe marrë shuma të mëdha parash në formë gjobëvënie është dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja. Në dëshminë e dhënë para Gjykatës dëshmitari i marrë në mbrojtje Ylvi Beqja ka treguar se është kërcënuar me armë nga Shullazi dhe u detyrua t’i ofronte shuma të mëdha parash. “Jam detyruar t’i jap pronën sapo kemi shkuar te noterja A. Spahiu, pasi aty Shullazi ka mësuar për shitjen e një pjesë të ish-Vollgës, te çifti Kodra. Pas kërcënimit që më bëri me pistoletë dhe me fjalë të ndryshme, një ditë më pas kam shkuar te noterja A. Spahiu, duke i kërkuar që t’i jepte Shullazit 30 për qind të pronës, dhe jo 20 për qind siç kishim rënë dakord”, ka pohuar në Gjykatë biznesmeni Ylvi Beqja. Gjithashtu ai ka deklaruar edhe për një shumë prej 700 mijë eurosh, që i kishte dhënë Shullazit dhe miqve të tij nëpërmjet kërcënimit.