27.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Ambasadori Lu: Dua të zgjas mandatin tim në Shqipëri

Ambasadori Amerikan në vendit tonë, Donald Lu i cili është vënë në qendër të vëmendjes mediatike sëfundmi për deklaratat e tij për 4 klanet dhe 20 familjet kriminale, ka bërë sot një tjetër deklaratë, ndryshe nga e para.
Në një prononcim për “News 24”, ai e ka quajtur Shqipërinë një vend të bukur dhe se do të donte të zgjaste mandatin e tij si kryediplomat në këtë vend. Nuk dimë nëse kjo do të jetë e mundur, por Lu tha se do ta kërkonte një gjë të tillë.
– Zoti Ambasador Lu, në janar ju mbushni tre vjet në Shqipëri. A do të largoheni atëherë?
Ka qenë një nder i madh për mua dhe familjen time që kemi qenë këtu në Shqipëri në këto dy vite e gjysmë. E kemi shijuar aq shumë mikëpritjen shqiptare sa kam kërkuar të qëndroj edhe më gjatë në këtë vend të bukur. Kam në plan të largohem nga Shqipëria në verën e vitit 2018. Deri atëherë, kemi shumë më tepër për të bërë sëbashku.

 

Rama tradhëton Shtetet e Bashkuara për votën e homoseksualëve në OKB

Shqipëria i ka dalë sërish kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për herë të dytë brenda 1 viti, që pas zgjedhjes së Donald Trump si president, Shqipëria ka votuar sërish kundër SHBA-së.
Votimi kundër është bërë vetëm një ditë më parë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, të mbajtur në Gjenevë.
Shqipëria ka votuar pro një projekt rezolute të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OBK-së, në lidhje me mos aplikimin e dënimit me vdekje ndaj personave që janë pjesëtarë të komunitetit të LGBT-ve.
Këtë herë Shqipëria i është bashkuar, Kongos, Bregut të Fildishtë, Ganës, Ruandës, Afrika së Jugut, Togos, Kirgistanit, Mongolisë, Kroacisë, Gjeorgjisë, Hungarisë, Letonisë, Sllovenisë, Bolivisë, Brazilit, Ekuadorit, El Salvador, Panamasë, Paraguajt, Venezuelës, Belgjikës, Gjermanisë, Holandës, Portugaliës, Zvicrës, që votuan pro rezolutën që ndalon ekzekutimet e personave që janë pjesë e komunitetit të LGBT-së.
Kundër kësaj rezolute kanë votuar, SHBA-ja Botsëana, Burundi, Egjipti, Etiopia, Bangladeshi, Kina, India, Iraku, Japonia, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërkaq Kenia, Nigeria, Tunizia, Indonezia, Filipinet, Koreja e Jugut dhe Kuba kanë abstenuar.
Rezoluta u kërkon shteteve që ende nuk e kanë hequr dënimin me vdekje, që ta heqin dhe të sigurohen se nuk “zbatohet në mënyrë arbitrare ose diskriminuese”. Ajo gjithashtu dënon vendosjen e dënimit me vdekje për apostazi, blasfemi dhe tradhëti.

 

Siguria kibernetike, Shqipëria pa plan masash mbrojtëse

Në Tiranë, Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë dhe Fondacioni “Fridrih Ebert” zhvilluan një konferencë me profesorë europianë mbi Sfidat e Sigurisë Kibernetike në Shqipëri. Studiuesit vendas pohuan se, Shqipëria është ende në hapat e para në këtë fushë, ndërsa rreziqet janë përherë e më të shtuara. Një nga këto rreziqe, pohuan ata, është penetrimi i Rusisë në mediat sociale, krahas radikalizmit dhe terrorizmit online. Zhvillimi i shpejtë i shërbimeve online në Shqipëri, ose si quhet ndryshe qeverisja elektronike, po sjell me vete edhe rrezikun e sulmeve kibernetike. Siguria kibernetike është një sfidë e re për të gjithë, aq më tepër Shqipëria, e cila, sipas studiuesit të çështjeve të sigurisë, Henri Hide, ka mungesa themelore në çështje të sigurisë kombëtare si katastrofat, sulmet terroriste, sigurisë njerëzore dhe asaj ekonomike. “Ne po shkojmë drejt e-government, pra drejt qeverisjes elektronike, kështu që kjo kërkon forcimin e kapaciteteve për t’u mbrojtur nga aktorët e huaj, që janë gjithnjë e më të aftë, më të saktë e më të përgatitur. Kjo kërkon mbi të gjitha një bashkëpunim me partnerët, sepse ne nuk i kemi ato kapacitete. NATO ka kapacitete shumë herë më të sofistikuara dhe të testuara në shumë raste në shumë terrene. Duhet ngritur një vëmendje dhe një ndërgjegjësim më të madh për interesat e Rusisë, një aktor i ri në Ballkan, që po penetron në fusha jotradicionale të sigurisë si siguria kibernetike”, tha zoti Hide. Shqipëria është në hapat e para të studimit të kësaj fushe sipas koncepteve të sigurisë kombëtare, thotë Arben Çejku, drejtuesi i Qendrës për Qeverisje të Mirë, dhe institucionet e sigurisë kibernetike janë në një periudhë riorganizimi. Administrata, sipas tij, ka përgjegjësi për mbrojtjen e qytetarëve të vet, konsumatorëve, firmave, bizneseve dhe institucioneve shtetërore vendase dhe atyre partnere. “Çdo gjë që kalon në online dhe në kompjuter është e rrezikuar, prandaj apeli i kësaj konference dhe studiuesve është që qeveria shqiptare duhet të marrë masa dhe të krijojë menjëherë mundësira konkrete për mbrojtjen e qytetarëve nga këto lloj sulmesh dhe nga ana tjetër të forcojë bashkëpunimin me NATO-n në forma më të mira e më të qarta për sigurinë kibernetike, e cila është një nga shtyllat kryesore të sigurisë sonë kombëtare”, tha zoti Çejku. Analistët pohojnë se, aktorë me rëndësi si Rusia po përpiqen që të penetrojnë në këtë fushë të re, dhe janë shumë të përgatitur në kapacitete, burime njerëzore, përvojë dhe aftësi teknologjike. Shqipëria ka edhe sfidën e terrorizmit online, me aktorë terroristë, që përpiqen të rekrutojnë individë apo të sjellin dëme me përdorimin e mediave online dhe mediave sociale. Nga krimi i thjeshtë kibernetik, situatat kanë shkuar tek nevoja për siguri kibernetike të infrastrukturës kritike, pohojnë studiuesit. Kjo është një fushë e pastudiuar ende sa duhet nga shqiptarët, thotë zoti Hide, dhe se ata ende nuk janë plotësisht të ndërgjegjshëm për rëndësinë dhe rreziqet, që po vijnë nga kjo fushë. “Mendoj se ka një vetëdije për këto rreziqe, e cila këtu është në faza minimale. Shqipëria mendon se ka qenë e izoluar dhe do të mbetet e izoluar dhe se aktorë të tjerë nuk janë të interesuar. Por kjo është një dukuri globale dhe janë aktorët globalë ata që interesohen për gjithë të tjerët. Ka disa raste që tregojnë se ka një rritje të vëmendjes të aktorëve si Rusia për të penetruar në Ballkan me dy mënyra: një, përmes mediave, e mediave online sidomos, dhe së dyti, përmes sulmeve kibernetike. Të dyja këto lidhen me sigurinë kibernetike dhe mendoj se faktorët shtetërorë shqiptarë duhet të forcojnë kapacitetet në këtë drejtim”, tha zoti Hide. Shqipëria ka një ligj të ri për krimin kibernetik, por kjo nuk mjafton, sepse realiteti është një sfidë e përditshme me terrorizmin dhe radikalizmin online, por institucionet shtetërore nuk janë ende të përgatitura për t’u përballur. “Lufta kibernetike është një betejë reale, që zhvillohet në sektorët privatë dhe në institucionet shtetërore. Në fakt, Shqipëria është në hapat e para dhe ka shumë nevojë të ndihmohet jo thjesht nga ana teorike, por duhet të marrë masa urgjente praktike për të rritur kapacitetet dhe për të parandaluar sulme të mundshme”, tha zoti Çejku. Ekspertët pohojnë se kjo është një fushë shumë dimensionale dhe kërkon një përgjigje shumë dimensionale. Nuk mjafton një njësi e vetme pranë ndonjë institucioni, por kërkohet, sipas tyre, një koordinim nga të gjithë aktorët në kohë reale, rritja e kapaciteteve teknologjike dhe aftësisë për t’u përballur me këto lloj sfidash të reja të sigurisë.

Luftë në Durrës, një i plagosur me armë, terrorizohen banorët

Të shtëna me breshëri armësh në qytetin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme në lagjen nr.18 të qytetit bregdetar dhe si pasojë e breshërisë së plumbave është plagosur shtetasi Marvin Malja. Bëhet e ditur se 25-vjeçari ka marrë dy plumba në këmbë dhe është dërguar në spital. Banorët janë terrorizuar nga breshëritë e plumbave.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur mes një blloku pallatesh, në të njëjtin vend ku muaj më parë iu vendos tritol një ambienti që po përdorej nga LSI si zyrë elektorale. Ende nuk dihen shkaqet e plagosjes së 25- vjeçarit me armë.
Ditët e fundit, vendi ka përjetuar një seri krimesh të rënda, të cilat kanë shkaktuar frikë dhe terror tek qytetarët.
Më 18 shtator në Elbasan, një prej bandave të Elbasanit, drejtuar nga Suel Çela dhe Sokol Sanxhaktari, ushtroi dhunë mbi një grup policësh. Makina e Zëvendës/drejtorit të Policisë u përplas nga një makinë e blinduar që dyshohet se është në pronësi të Suel Çelës.
Më 29 shtator në Laprakë, katër persona u plagosën pas një konflikti me armë brenda një lokali. Një ndër personat e përfshirë është Arben Seferaj, person në kërkim për një tjetër vepër penale.
Në Shkodër, ndodhi një shpërthim me eksploziv në katin e parë të banesës 3 katëshe të Avdyl Dërgutit.
më 30 shtator në Peqin, një 63-vjeçar qëlloi me armë zjarri ndaj një 56-vjeçari pas një konflikti.
Më 1 tetor në Vlorë, persona të pa identifikuar qëlluan me armë drejt makinës së Ferdinand Llanajt. Mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij 8-vjeçar dhe Dritan Bega. Ndërsa më 2 tetor në Vranisht të Vlorës, një 40-vjeçar u plagos për motive ende të panjohura.

Skandal, punonjësit pa rroga, ministrat zhgërryhen në luks!

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhet e dy zyrtarëve, të cilët shprehen se kanë dy muaj pa marrë rrogat. “Punonjësit pa rroga, ministrat zhgërryhen në luks! Ky është shteti i Noriegës! Lexoni mesazhet e punonjësve dixhital!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Përshëndetje Doktor Berisha. Jam një mjek nga Qarku i Dibrës. FSDKSH (drejtoria e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore) Dibër ka rreth dy javë pa drejtor dhe pa nëndrejtor dhe nuk është komanduar askush, sepse Beqja i koncesioneve nuk ka mbaruar akoma pazaret e emërimeve. Jemi rreth 600 vetë personel infermier dhe mjek të shërbimit parësor që nuk mund të marrim rrogat. Janë dhe shumë subjekte farmaceutike të pa likuiduara. Ju lutem publikojeni ju këtë shqetësim, sepse ndryshe nuk ndërgjegjësohen ata që na kanë paralajmëruar me kohë që nuk kemi parë gjë akoma. Janë infermierë që presin atë rrogë për të mbajtur familjet e tyre dhe 10 ditë vonesë (e cila mund të shkojë dhe një muaj me këto të papërgjegjshëm) është e palogjikshme. Shumë faleminderit!”
– Nëpunësi dixhital, 100 punonjësit e Ministrisë së Turizmit e Mjedisit pa paga.
“I nderuar Dr. Berisha,
Me shpresën që ju do ta bëni publik shqetësimin tonë, ju bëj me dije se mbi 100 punonjës të Ministrisë së Turizmit e Mjedisit me VETO të ninistrit Klosi nuk kanë marrë pagat e muajit shtator.
Deri në këto momente asnjë procedurë nuk ka nisur ende.
Aktualisht shumë punonjës të Shërbimeve Mbështetëse (Shoferë, pastruese, roje, mirëmbajtës) këtë rrogë e kanë jetike dhe shumë të tjerë e kanë të pamundur të paguajnë kreditë e marra, detyrimet e shkollës për fëmijët e tyre, si dhe nevojat jetike në këto kushte që siç e dini çdo gjë është shtrenjtuar. Ju lutem bëjeni publik këtë mesazh me besimin se ministri Klosi mund të verë dorën në zemër e na jep pagën!”, shkruan zyrtari.

I vihet tritoli një dyqani në Tiranë

Një pako me eksploziv ishte vendosur mëngjesin e djeshëm në një dyqan rrobash në rrugën “Petro Nini”, pranë Shkollës së Baletit në Tiranë. Policia dhe ekspertët xhenierë që mbërritën në vendin e ngjarjes, konstatuan se lënda plasëse ishte vendosur pranë shkallëve të dyqanit, në pronësi të Bruneta Aliaj, 55 vjeç.
Menjëherë forcat e policisë kanë ndaluar qarkullimin e makinave dhe të qytetarëve në atë zonë, duke nisur procedurat për shpërthimin e kontrolluar të pakos së dyshuar të eksplozivit. Ka qenë telefonata e pronares së dyqanit në atë zonë që ka alarmuar Policinë e Tiranës.
Pas këqyrjes së kryer prej ekspertëve, u vu re se eksplozivi, nuk kishte shpërthyer, pasi nuk kishte të aktivizuar kapsollën dhe detonatorin. Pakoja u administrua nga ekspertët, të cilët do të kërkojnë të gjejnë shenja gishtash, por edhe të mbetjeve biologjike për të identifikuar autorët.
Pronarja 55-vjeçare është bërë objekt i një sulmi edhe në 2 maj të këtij viti. Në veturën e saj “Smart”, shpërtheu një sasi eksplozivi në zonën e 9-katësheve, pa lënduar njerëz. Ajo është shoqëruar nga Policia në Komisariatin Nr.1, ku ka dhënë dëshminë e saj mbi ngjarjen. Policia e lidh ngjarjen e fundit me atë të 4 muajve më parë. Po verifikohen konflikte të mundshme të tregtares 55-vjeçare.

Gjendet një trup i pajetë në Vlorë

Trupi i pajetë i një 50-vjeçari është gjetur mesditën e djeshme në rrugën që të çon në plazhin e Zvërnecit. Burime nga policia thanë se mesditën e djeshme me anë të një telefonate janë njoftuar se në anë të rrugës, kur shkon për në plazhin e Zvërnecit gjendet një person i pa jetë.
Policia dhe ambulanca kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku edhe kanë konstatuar se ‘në anë të rrugës, në hyrje të plazhit të Zvërnecit gjendet i pajetë 50-vjeçari me inicialet A.J.’ Dyshohet se ky person të jetë vetëhelmuar. Por policia po punon për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Komandoja i ushtrisë, kapo i grupit që shiste drogë tek ish-Blloku

Ushtari profesionist Xhuliano Kasaj i prangosur tashmë, ishte drejtuesi kryesor i rrjetit që tregtonte droga të forta. Edhe pse kishte zgjedhur rrugën fisnike, duke shërbyer si ushtar profesionist në forcat tokësore të Zallherrit, nuk i kishte shpëtuar pjesëmarrjes në aktivitet kriminal. Kokaina e sekuestruar një ditë më parë në Tiranë, kishte si treg të saj lokalet e natës dhe ato të lojërave të fatit.
Xhuliano Kasaj u arrestua ditën e hënë nga oficerët e Komisariatit Nr. 6., në Tiranë, gjatë operacionit të koduar “Tekstili”, dhe iu gjetën në banesë rreth 80 gram kokainë. Së bashku me ushtarin Kasaj, në pranga ra edhe “vartësi” i tij Denis Kanani, i cili përveç kokainës shpërndante edhe kanabis.
Fillimisht për të rënë në gjurmët e Kasajt, Policia kishte mbi një muaj që monitoronte çdo lëvizje të Denis Kananit. Ky i fundit, tregtonte lëndë narkotike në lokalet e natës, në zonën e ish-Bllokut, duke u fiksuar në të paktën 3 raste nga kamerat e sigurisë. Sipas hetimeve blerësit e kokainës dhe kanabisit ishin, personat VIP, si këngëtar apo edhe lojtar i lojërave të fatit.
Ky aksion, lidhet me atë të policisë disa ditë më parë, në kryeqytet, ku u sekuestrua, drogë, tavolina pokeri dhe ambiente të përshtatshme për marrjen e lëndëve narkotike. Fillimisht, komandoja, 22-vjeçar ka tentuar të largohet në momentin e arrestimit të tij, ku po qëndronte në një lokal pranë zonës së ish-Kombinatit Tekstil. Ai ishte munduar më së miri që ta fshihte kokainën në banesë. Policia e gjeti drogën poshtë dyshekut, të mbështjellë me një qese dhe e ndarë në disa doza.

Helmim masiv në një shkollë në Pukë, asnjë i ndaluar për ngjarjen

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në Njësinë Administrative Gjegjan të Bashkisë së Pukës. Rreth 40 nxënës të shkollës 9-vjeçare të këtij fshati janë helmuar gjatë orëve të mësimit. Mësohet se, shkak i helmimit mund të jetë bërë hedhja e një dezinfektuesi nëpër klasa. Theksojmë se ende deri tani nuk ka asnjë informacion zyrtar nga policia lokale apo nga Drejtoria Arsimore. Fëmijët janë dërguar në spital dhe po u jepet ndihma e parë mjekësore. 3 fëmijë janë në gjendje më të rëndë dhe janë dërguar në Spitalin e qytetit të Pukës dhe afro 4 të tjerë janë në ambulancën e fshatit Gjegjan.
Deri tani nuk ka asnjë të ndaluar për këtë ngjarje të rëndë. Policia bëri të ditur se, rreth orës 9:00 ka ardhur një telefonatë në sallën e komandimit Pukë se tek Shkolla Mesme në Gjegjan, Pukë janë helmuar disa nxënës. Nga informacionet paraprake bëhet me dije se janë dizinfektuar ambjentet e shkollës, dje me datë 03.10.2017 në orën 14:00 nga Shërbimi i Shendetit Publik me klor në kuadër të dezinfektimit të shkollave. “Pasi kanë filluar procesin mësimor kanë shfaqur probleme shëndetësore disa nxënës, të cilët kanë shkuar për ndihmë mjekësore në Qendrat Shëndetësore më të afërta. Momentalisht bëhet me dije se janë 10 nxënës, nga të cilët kanë shkuar në Qendrën Shëndetësore në Rrëshen 3 fëmijë, në Qendrën Shëndetësore në Pukë 3 fëmijë, dhe në Qendrën Shëndetësore në Gjegjan 4 fëmijë, ku nuk paraqesin probleme për jetën. Nga ana Policisë po kryehen veprimet me grup hetimor për sqarimin e rrethanave të plota të kësaj ngjarje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

SHBA: Luftë qeverive të korruptuara në Ballkan

Ndihmës/Sekretari Amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Wess Mitchell ka lëshuar një paralajmërim të fortë dje, ndaj të gjithë krerëve të qeverive të Ballkanit përfshirë edhe Shqipërinë, ndërsa i ka akuzuar drejtpërdrejtë ato për korrupsion dhe autoritarizëm. Ky mesazh i fortë i Mitchell dëshmon për rëndësinë që Presidenti Donald Trump i jep situatës në Ballkanin Perëndimor si dhe në Shqipëri gjithashtu.
Vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë është kujdesur të emërojë njeriun e ri që nga dita e djeshme ka marrë në duar drejtimin e diplomacisë së re amerikane në rajon.
Wess Mitchell është Ndihmës/Sekretari i ri Amerikan i Shtetit që pason në detyrë paraardhësit e tij, Viktorja Nuland, e dorëhequr me 25 janar 2017 sapo Trump erdhi në krye të Shtëpisë së Bardhë, e pasuar në këto muaj nga Hot Bryan Yee.
Zoti Yee në koordinim me ambasadorët aktualë në Shkup dhe Tiranë arriti të zgjidhë krizat e brendshme politike, ndërsa pasuesit të tij Michelll i mbetet barra që t’i çojë përpara interesat amerikane në këtë rajon.
Duke folur për vendet e ish-bllokut komunist, Ndihmës Sekretari i ri i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Wess Mitchell ka kritikuar qeverisjet autoritare dhe korrupsionin në rritje.
“Në një farë mënyre ne dhe Perëndimi në përgjithësi, është në luftë me ata që kanë realizuar në praktikë idetë e tyre për qeverisje autoritare në disa shtete në Europë dhe Azi. Ata i kanë krijuar mundësi të përdorin forma hibride të qeverisjes. Korrupsioni në çdo shtet në tranzicion mbetet një problem i sigurisë tonë kombëtare. Ka faktorë të jashtëm gjeopolitikë që po përpiqen të shfrytëzojnë problemet e qeverisjes në këto shtete. Do t’i kërkoj Moskës t’i japë fund aktiviteteve destabilizuese në Ballkan” është shprehur Wess Mitchell, Ndihmës/Sekretari Amerikan i Shtetit.
Deklarata e Mitchell vjen në një kohë kur prezenca dhe shqetësimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi keqqeverisjen në shumë vende të Ballkanit përfshirë edhe Shqipërinë është rritur si kurrë më parë.
Me ardhjen në detyrë në administratën Trump të shefit të ri për Ballkanin duket se kanë nisur edhe orientimet e reja ndaj zhvillimeve politike në këto shtete. Në Shqipëri ambasadori Lu, në detyrë që nga dhjetori 2014 kërkoi publikisht nga qeveria aktuale të reagojë ndaj 4 klaneve dhe 20 familjeve që kontrollojnë trafikun e drogës dhe të dënohen peshqit e mëdhenj që po pengojnë vettingun. Por krahas kësaj, një deklaratë tjetër të fortë Lu e përcolli pak ditë më parë edhe ndaj të rinjve shqiptarë, ku i ftoi ata të ngrihen në rrëzimin e qeverisë, në rast se kjo e fundit nuk përmbush kërkesat e tyre legjitime për të jetuar si çdo qytetar europian.

Kush është Wess Mitchell

Wess Mitchell është emëruar si Asistent Sekretar i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë. Mitchell ka zëvendësuar në këtë post, Victoria Neuland. E gjithë karriera e tij e mëparshme ka të bëjë me çështjet e Europës Qednrore dhe Lindore. Para se të merrte pozitën e tij aktuale, Mitchell ka qenë president dhe Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane. Më 19 korrik 2017, Presidenti Donald Trump e caktoi Mitchellin si Ndihmës Sekretar të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike. Ai u konfirmua nga Senati i Shteteve të Bashkuara në shtator 2017. Para se të bashkohej me Qendrën për Analizën e Politikave Europiane në 2004, ai ishte një bashkëpunëtor hulumtues në Qendrën Kombëtare për Analizën e Politikave. CEPA është një institut hulumtimi publik jo-fitimprurës i politikës publike që studion Evropën Qendrore dhe Lindore.
Mitchell, i cili përshkruhet si një ekspert për NATO dhe marrëdhëniet transatlantike. Ai themeloi CEPA në 2005 dhe ka qenë president i saj që nga viti 2009. Sipas faqes së internetit të CEPA, ai shërbeu në ekipin e sigurimit kombëtar për fushatën e kandidatit republikan Mitt Romney gjatë vitit 2012 në SHBA në zgjedhjet presidenciale. Ai është i njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Rusisë, të cilën ai e quan një “vend revizionist”. Në vitin 2012, ai ishte një konsulent i ekipit të tranzicionit të sigurisë kombëtare për fushatën presidenciale Mitt Romney. Mitchell është bashkëautor i dy librave, paqetë Frontier: Aleatët e cenueshme, rivalët në rritje dhe kriza e fuqisë amerikane me Jakub J. Grygiel dhe The Godfather doktrinën: një shëmbëlltyrë Politikë të Jashtme me John Hulsman. Ai shërben në këshillat e Institutit Richard G. Lugar për Diplomaci dhe Kongres, Komisionin Atlantik Sllovak, Iniciativës Atlantike dhe Shoqërisë Alexander Hamilton.