20.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Mattis, zgjidhje diplomatike me Korenë e Veriut

Pentagoni “mbështet plotësisht” përpjekjet e Departamentit të Shtetit për të gjetur një zgjidhje diplomatike me Korenë e Veriut, tha të martën Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis.
Zoti Mattis shtoi megjithatë se veprimet e Departamentit të Shtetit nuk janë domosdo në kundërshtim me komentet e Presidentit Donald Trump se bisedimet diplomatike me Phenianin do të ishin një humbje kohe.
“Ne thjesht po eksplorojmë, nuk po bisedojmë me ta dhe kjo përputhet me shqetësimin e presidentit për mos folur me ta para se të vijë koha e duhur”, tha zoti Mattis, përpara Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura. “Pra, unë nuk shoh ndonjë dallim aq të madh sa është interpretuar nga disa”.
Të shtunën, Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson pohoi se Shtetet e Bashkuara kanë kanale të drejtpërdrejta diplomatike përmes të cilave do të përpiqen të negociojnë me Phenianin lidhur me provat e vazhdueshme bërthamore dhe balistike të Koresë së Veriut.
Një ditë më vonë, Presidenti Trump duket se i doli kundër diplomatit të tij të lartë, duke thënë se zoti Tillerson “po humbet kohën kot” në përpjekje për të negociuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut.
Në një seri komentesh në Twitter, presidenti tha: “Kurseji energjitë Rex, ne do të bëjmë atë që duhet bërë!”
Të hënën, Shtëpia e Bardhë tha se është e interesuar të bisedojë me Korenë e Veriut vetëm nëse bëhet fjalë për lirimin e tre amerikanëve që mbahen nga Pheniani.
Zëdhënësja Sarah Huckabee Sanders afirmoi, ndërkohë mbështetjen e Presidentit Trump për Sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson dhe tha se bisedimet e vetme me Korenë e Veriut janë për të liruar amerikanët e ndaluar.
Deklarata vjen ndërsa Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson zbuloi se Shtetet e Bashkuara janë ende duke shfrytëzuar kanale të drejtpërdrejta komunikimi me autoritetet koreano-veriore dhe se zyrtarët amerikanë po kërkojnë një dialog.
Por deklaratat e zotit Tillerson u minimizuan nga Presidenti Trump. Ja përgjigja e Shtëpisë së Bardhë ndaj deklaratave të zotit Tillerson:
“Bisedat e vetme që janë zhvilluar apo do të zhvillohen do të kenë të bëjnë me kthimin e amerikanëve që po mbahen, si studenti i ndjerë Otto Warmbier. Këto janë bisedat që kjo administratë është e gatshme të zhvillojë. Përtej kësaj, nuk do të ketë biseda me Korenë e Veriut në këtë kohë”.
Megjithë deklaratat e zotit Trump, Shtëpia e Bardhë tha të hënën se presidenti ka ende besim tek Sekretari Tillerson.

Las Vegasi, republikanët bëjnë thirrje për unitet

Udhëheqësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve bënë thirrje për unitet dhe lutje pas vrasjeve masive në Las Vegas, por nuk ofruan ndonjë legjislacion të ri për të shtrënguar ligjet mbi armët e zjarrit.
Ata thanë se një projekt-ligj për të zbutur rregulloret mbi blerjen e silenciatorëve do të shtyhet për një kohë të pacaktuar.
“Ne të gjithë jemi të tronditur nga ky tmerr në Las Vegas”, tha kryetari i Dhomës, Paul Ryan në një konferencë shtypi. “Është thjesht e tmerrshme”, tha ai.
Ryan tha se nuk ka ndonjë plan që Dhoma e Përfaqësuesve të veprojë së shpejti rreth projektligjit të mbështetur nga Shoqata Kombëtare e Armëve për të zbutur rregulloret mbi silenciatorët.
Projektligji nuk është planifikuar për tani. Nuk e di se kur do të planifikohet”, tha zoti Ryan.
Ryan dhe udhëheqësit e tjerë republikanë bënë thirrje për unitet dhe shtuan se një mënyrë pozitive për t’iu përgjigjur tragjedisë është dhurimi i gjakut.
Komentet e zotit Ryan erdhën pas thirrjeve të përsëritura të demokratëve rreth një ligji për sigurinë e armëve.

Çfarë kërkon Presidenti Steinmeier nga Gjermania

Në vend që të mbajë fjalimin numër X për ribashkimin e Gjermanisë, Presidenti Steinmeier u kujton gjermanëve detyrimet për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Dhe flet atë që duhet të flasë, mendon Rupert Wiederwald.
Është një fjalim i jashtëzakonshëm, ai që mbajti Frank-Walter Steinmeier në Mainz. Si President i Gjermanisë, detyrë e tij është që të mbetet mbipartiak dhe megjithatë të përcjellë pozicionim. Më e mira është sikur ai të nxisë debate, pa përcaktuar rezultatin. Shpesh kjo bën që presidentët federalë të mbajnë fjalime shumë të barazpeshuara, që janë miqësore, nuk sulmojnë askënd hapur dhe prandaj shpesh janë pak të mërzitshme. Kështu që në ditën e ribashkimit gjerman do të kishte qenë normale, sikur Presidenti të kishte theksuar sukseset pas 27 vjetëve bashkim të Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore dhe të kishte skicuar problemet ekzistuese.
Në Mainz, Presidenti Steinmeier nuk bëri pikërisht këtë. Në vend të kësaj, si kryetar shteti ai komentoi zgjedhjet për Bundestagun të pak ditëve më parë – dhe e mori si shkas rezultatin, për të folur për mure të rinj, që nuk ndajnë vendin, por popullin. Dhe kërkoi me ngulm që dallimet të mos lejohet të kthehen në armiqësi të hapura. Këtë e kanë detyrim të gjithë, qytetarë dhe politikanë, tha Steinmeier-i. Ishte e rëndësishme që një gjë të tillë ta dëgjoje nga Presidenti.

Steinmeieri kërkon ligj imigrimi
Steinmeieri i kujtoi gjermanët që ata duhet të flasin sërish më tepër me njëri-tjetrin, në vend që të tundin kokën me mosbesim për njëri-tjetrin,në thelb një e vërtetë e thjeshtë kjo. Por, ajo për të cilën e ka fjalën Steinmeiri është: debatoni me njëri-tjetrin, i nxirrni në pah diferencat, guxoni. Kjo nuk është gjë tjetër veçse kërkesa për debate, të cilat në Gjermani shumë shpesh nuk zhvillohen. Dhe Steinmeieri përmend vetë temën më të rëndësishme të debatit: imigrimin. Gjermania thjesht nuk mund të shprehë dëshirën që migrimi të rrijë larg saj, tha Steinmeieri, por përkundrazi duhet të krijojë më në fund rregulla, të cilat të mundësojnë një qasje legale për imigrantët. Shkurt: Steinmeieri kërkon një ligj për migrimin. Këtë mund ta kuptosh edhe si kritikë ndaj kancelares – partitë unioniste deri tani e kanë bllokuar me sukses një ligj të tillë imigrimi.
Dhe Steinmeieri nis në këtë kuadër një debat tjetër, të cilët shumë e kanë zhvilluar nën konceptin e përgjithshëm të “kulturës dominuese”. Çfarë do të thotë të jesh gjerman, çfarë do të thotë atdhe? Në fakt, ky është bazamenti më i pasigurtë, mbi të cilin mund të ecë një politikan gjerman, por Steinmeieri arrin një akt balance: gjermane është pranimi i historisë gjermane dhe i vlerave demokratike – dhe kjo duhet të vlejë edhe për ata që kanë imigruar. Njëkohësisht, ai e përkufizon në mënyrë individuale atdheun, secili ka një përfytyrim tjetër për atdheun, thotë Steinmeier. Shuma e këtyre atdheve individualë e bën Gjermaninë këtë vend që është.

Kufij për AfD
Pranimin e historisë gjermane të kohës së nacionalsocializmit, kryetari i shtetit gjerman e deklaron të panegociueshëm – aq më tepër për deputetët – dhe në këtë mënyrë, ai i tregon qartë kufijtë partisë së re populiste të djathtë në Bundestag. Pa e përmendur me asnjë fjalë AfD.
Kaq shumë mendim ka qenë rrallë te një President i Gjermanisë – dhe rrallë ka qenë ai kaq i nevojshëm. Në kohë të vështira nevojitet një busull, një qendrim. Dhe kur tjetër, nëse jo tani duhet të fliste Presidenti i Gjermanisë për pasojat, që duhet të ketë rezultati i zgjedhjeve të 24 shtatorit? Ishte fjalimi i duhur në momentin e duhur. Kancelarja Angela Merkel foli në fjalën e saj për ditën e ribashkimit gjerman për shumë gjëra që janë arritur me sukses në vitet e kaluara. Kjo mund t’i japë forcë njeriut, për të zgjidhur problemet që kanë mbetur, tha ajo.

 

BE e rezervuar në çështjen e Katalonjës

Zyrtarisht, Komisioni i BE nuk është pozicionuar për referendumin e pavarësisë në Katalonjë. Deputetë evropianë kërkojnë ndërmjetësim.
Disa politikanë katalonas, por jo qeveria e Katalanjës, si dhe Grupi parlamentar i Gjelbër në Parlamentin Evropian kërkojnë nga Komisioni Evropian në Bruksel që të ndërmjetësojë në grindjen midis Madridit dhe Barcelonës. Vetë BE, pas përleshjeve në Katalonjë nuk pozicionohet. “Bëhet fjalë për procese dhe për ndërtimin e shtetit në shtetin anëtar të Spanjës, në të cilin BE nuk ndërhyn”, kanë bërë të ditur javët e fundit herë pas herë zëdhënës të BE. Krahas kësaj pikëpamjeje juridike duhet pasur parasysh edhe që “dhuna nuk mund të jetë asnjëherë mjet i zgjidhjes së konflikteve politike”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas. “Të dyja palët duhet ta kalojnë tani nga konfrontimi në dialog”. Komisioni i BE ka besim në aftësinë e kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy, për ta menaxhuar situatën. Votimin e së dielës, Komisioni Evropian e konsideron të kundraligjshëm.
Të Gjelbrit në Parlamentin Evropian e shohin në rrezik sundimin e ligjit në Spanjë dhe kërkojnë nga Komisari përgjegjës i BE, Frans Timmermans, që të ndërmjetësojë midis qeverisë qendrore dhe lëvizjes katalanase të pavarësisë. Megjithatë, BE nuk mund të ndërmjetësojë kundër vullnetit të shtetit anëtar Spanjë, gjykatat më të larta të të cilit e shpallën të paligjshëm referendumin e së dielës. Një ndërmjetësues duhet të ftohet nga të dyja palët, thanë diplomatë të BE në Bruksel. Nga pikëpamja juridike, çdo shtet anëtar është vetë përgjegjës për ndërtimin e brendshëm të shtetit të tij.

Një shtet “Katalonjë” do të ndodhej jashtë BE
Votimi në Skoci për një pavarësi të mundshme në vitin 2014 u krye sipas BE në kushte krejt të tjera, meqenëse qeveria qendrore në Londër ishte shprehur dakord me mbajtjen e një referendumi. Katalonja: Adiós Spanien! Adéu BE? Komisioni i BE bëri të qartë edhe njëherë para referendumit në Katalonjë, që një shtet i pavarur Katalonjë nuk do të ishte më pjesë e BE dhe duhet të kandidonte për t’u pranuar në BE. E njëjta procedurë do të kishte vlejtur edhe për Skocinë, po të kishin votuar pro pavarësisë skocezët.

Europarlamentarët kërkojnë ndërmjetësim
Të dyja grupet e mëdha parlamentare të Parlamentit Evropian, konservatorët dhe socialistët deri tani janë shprehur kundër që tema Katalonjë të vihet në rend të ditës. Në të dyja grupet parlamentare, deputetët spanjollë e kundërshtuan një plan përkatës të Grupit parlamentar të vogël Të Gjelbër. Kryetari i Grupit parlamentar në Parlamentin Evropian, Guy Verhofstadt, nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme, por e dënoi në Bruksel përdorimin e dhunës nga të dyja palët si “absolutisht të papranueshëm”. Është koha më e përshtatshme për deeskalim. “Vetëm një zgjidhje politike, në të cilën të përfshihen të gjitha palët, edhe opozita në Parlamentin katalanas, me respekt për Kushtetutën dhe rendin juridik do të na çojë përpara”, tha Verhofstadt.

Mbreti i Spanjës dënon organizatorët e referendumit

Mbreti i Spanjës, Felipe i VI-të, i ka dënuar organizatorët e referendumit për pavarësi në Katalonjë, duke thënë se ata e kanë vënë vetveten “jashtë ligjit” dhe ka kërkuar nga autoritetet shtetërore për ta mbrojtur “rendin kushtetues” në këtë rajon veriperëndimor të Spanjës.
Në fjalimin e mbrëmshëm televiziv, Mbreti i Spanjës ka kërkuar unitet, duke thënë se situata në vend po ballafaqohet me krizë “shumë serioze”.
Njëherësh, qindra mijëra njerëz kanë dalur në rrugët e Barcelonës, që është kryeqytet i Katalonjës, për të protestuar kundër dhunës policore gjatë referendumit të mbajtur para tri ditësh, me ç’rast ishin lënduar qindra vetë.
Protestuesit i bllokuan rrugët në Barcelonë, ndërsa shërbyesit civilë e ndalën punën pas ftesës së grupeve për pavarësi në rajon, pasi policia e Spanjës me forcë ishte përpjekur për t’i mbyllur vendvotimet gjatë referendumit.
Me këtë grevë janë prekur sektori publik, ai i transportit dhe shërbimet themelore në Barcelonë.
Në shenjë të mbështetjes për grevë, klubi i njohur i futbollit, Barcelona, e ka pezulluar stërvitjen.
Autoritetet e Katalonjës thonë se 2.2 milionë njerëz votuan në referendum, ndërsa 90% prej tyre e kanë mbështetur pavarësinë.
Gjykata Kushtetuese e Spanjës e kishte ndaluar mbajtjen e referendumit.

 

Siri: Sulmi rus vret 12 militantë dhe plagos një lider

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar sot se nga një sulm ajror i forcave të veta në Siri, janë vrarë 12 komandantë lokalë të Frontit Al-Nusra dhe është plagosur seriozisht një lider i këtij grupi.
Fronti Al-Nusra është një grup militant, i cili aktualisht është i njohur si Jabhat Fateh al-Sham dhe vlerësohet se është degë e Al-Kaidës në Siri.
“Si rezultat i sulmit lideri i Fronit Al-Nusra, Abu Muhammad al-Golani, ka pësuar plagosje të shumta dhe e ka humbur një gjymturë, sipas infomacioneve nga disa burime të pavarura”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov.
Sipas tij, janë vrarë, po ashtu, 12 komandantë lokalë të Frontit Al-Nusra dhe afro 50 rojtarë.
Këto shifra nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

 

Ramadani: Rezultat ndaj Islandës

Pas fitores së parë në kualifikueset e Europianit për 21-vjeçarë, Kombëtarja Shpresa kthehet në fushë. Sërish përballë Islandës, përsëri për një fitore, me Ylber Ramadanin, që thekson se objektivi kryesor i skuadrës së Bushit është vendi i dytë në grup. “Prej fillimit të Europianit objektivi ishte vendi i dytë, ose vendi i parë. Kemi një ekip të mirë me një grup cilësor. Jemi paraqitur mjaft mirë, edhe pse në dy ndeshjet e para na ka munguar fati. Kemi lojtarë shumë të mirë në ekip që mund t’i shërbejnë edhe Kombëtares A, por është trajneri që i merr vendimet. Ne do të mendojmë të hyjmë në çdo ndeshje për të fituar dhe për të arritur objektivat tonë”, u shpreh Ramadani.
Pavarësisht fitores 3-2 të përpara një muaji në Islandë, mesfushori nuk e fsheh faktin që kundërshtarët mbeten favoritë, ndërsa ka edhe një thirrje për tifozët”. Islanda është favorite përpara nesh, por ne do të hyjmë në fushë që të japim maksimumin dhe të marrim rezultat. Gjithashtu i ftoj të gjithë tifozët të vijnë në stadium se janë forca jonë”, tha ai.
Ramadani foli edhe për aventurën e re te Velje në Kategorinë e Dytë daneze, me skuadrën që kryeson kampionatin edhe është në rrugën e ngjitjes në elitë. “Te skuadra ime Velje ndihem shumë mirë, sepse kam gjetur trajnerin Sormani me të cilin kam punuar te Partizani. Më ka ndihmuar shumë të përshtatem me stilin e futbollit danez. Ëndrra ime është Kombëtarja A. Kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe kemi pësuar vetëm një humbje. Objektivi ynë këtë vit është Superliga, sepse klubi ka bërë blerje të mëdha, ka investuar shumë dhe besoj se pas këtij sezoni do të ngjitemi mes më të mirëve”, Ramadani.
21-vjeçari mbetet tejet i lidhur me kampionatin shqiptar dhe Partizanin, dhe shfaq besim se të kuqtë do ta kalojnë momentin e vështirë. “I kam ndjekur të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar. Më vjen keq që Partizani është në këtë gjendje dhe besoj se do të kthehet shumë shpejt aty ku e ka vendin. Te Partizani kam kaluar një pjesë shumë të bukur të karrierës, kam luajtur në Champions dhe Europa League. Me djemtë, kam kaluar gjithashtu mjaft mirë, dhe nuk mund të harroj vlerat e presidentit”, përfundoi Ylber Ramadani.

Nuk do të humbim

Shqipëria nuk e pranon kapitullimin pa kushte ndaj Spanjës dhe Italisë. Grinta e trajnerit Panuçi është transmetuar edhe në skuadër dhe këtë e konfirmon mbrojtësi Frederik Veseli, që deklaron se kuqezinjtë nuk e mendojnë humbjen. “Ne do të provojmë të fitojmë, është e vështirë, por ne do të japim maksimumin. Nuk shkojmë me idenë se do të humbasim. Të dy ndeshjet janë të bukura, nuk ka ndryshim nëse është Spanja apo Italia, duhet të bëjmë më të mirën tonë. Jam shumë optimist. Nuk dua të mendoj për humbjen. Më vjen inat kur thonë Spanja dhe Italia më të fortë se ne. Ditën e ndeshjes do të vërtetohet”, u shpreh Veseli.
Në duelin e parë në Loro Boriçi, Kombëtarja u mposht 2-0 nga Spanja, pa i krijuar asnjëherë vështirësi serioze iberikëve, por këtë herë mbrojtësi beson se skuadra do të paraqitet ndryshe. “Kemi shanset tona. Kemi kualitet në skuadër. Ndaj Spanjës golat erdhën për shkak të disa gabimeve tona, më shumë presion ka Spanja se sa ne. Sigurisht që do te jemi një skuadër ndryshe kemi një trajner të ri. Ai na kërkon disa gjëra ndryshe nga De Biasi”, tha ai.
Veseli nuk është aktivizuar në dy sfidat e fundit ndaj Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë, ndërsa mungesat e të pezulluarve Mavraj e Kukeli mund të jenë shansi i tij. 24-vjeçari nuk ngutet dhe ia lë zgjedhjen trajnerit. “Trajneri vendos. Nuk do të thotë gjë se kush luan më shumë në Itali do të jetë në fushë ndaj Italisë. Unë jam gati për Kombëtaren, se kush luan është detyra e trajnerit, ai vendos. Nëse ka nevojë për mua në rregull, nëse jo, nuk ka problem, pasi jam në dispozicion të skuadrës”, tha Veseli.
Gjatë merkatos së verës, Veseli zgjodhi të qëndronte te Empoli edhe pse skuadra ra nga kategoria. Mbrojtësi zbulon arsyet e vendimit dhe objektivat sezonalë. “Kam pasur oferta për t’u larguar nga Empoli. Presidenti bëri gjithçka që unë të qëndroja. Me plotësoi të gjitha kushtet. Objektivi ynë është të ngjitemi në Serinë A. Me pune dhe vullnet do ta arrijmë”, përfundoi Veseli.
Interesimi mbi Shqipërinë dhe trajnerin e saj shtohen, kur përballë janë Spanja dhe Italia. Tekniku i përfaqësueses kuqezi është intervistuar nga “FIFA.com” në lidhje me përballjen e radhës kundër Spanjës, por edhe për shanset e Italisë për kualifikim.
“Është një moment delikat për Venturën, pasi kombëtarja po kalon një fazë tranzicioni, por trajneri duhet lënë i lirë që të bëjë punën e tij. A do kualifikohet? Nuk e di. Italia është e mësuar që të jetë në Botëror dhe ka ende shanse për t’ia dalë. Unë shpresoj që ata t’i arrijnë finalet e Botërorit. Në fakt, jam i sigurt që do t’ia dalin dhe do kualifikohen. Dhe kur Italia shkon, ata e dinë si ta bëjnë të mundur mbërritjen deri në finale”, ka deklaruar ndër të tjera trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, në një intervistë të dhënë për “FIFA.com”.
Arlind RAMA

Cavani: Neymar? Gjëra që ndodhin!

Edinson Cavani shuan zjarrin. Pas atij episodi aq shumë të përfolur e mediatizuar mes uruguajanit dhe brazilianit Neymar, mbi momentin e gjuajtjes së penalltisë në sfidën me Lion, sulmuesi i Paris Saint Germain deklaron se, tashmë klima është e qetë dhe mes tyre nuk ka më tension. Nga grumbullimi me Kombëtaren e Uruguait dy ditë para sfidës me Venezuelën, e vlefshme për kualifikimin në Botërorin Rusi 2018, 30-vjeçari saktësoi:
“Janë gjëra që ndodhin në futboll. Bëhet fjalë për episode, që më pas marrin përmasa të tjera nga media, që i fryn e i zmadhon ato. Sidoqoftë e rëndësishme është që gjithçka të sqarohet në dhomat e zhveshjes”, u shpreh Kavani.
Situata të tilla kanë zgjidhje dhe e rëndësishme është që ish-bomberi i Napolit duket se i ka vënë kapak kësaj historie. Gjithçka, nisi në 17 shtator në sfidën përballë Lionit, e cila përfundoi me rezultatin 2-0 në vafor të PSG, ku Neymar dhe Cavani u panë duke debatuar se cili do të gjuante penalltinë. Tashmë duket se dy amerikanojugorët kanë një bashkëjetesë të qetë në klubin nënkampion të Francës.

Simeone: E ku më mirë se te Atletico?

“E ardhmja ime? E përsëris gjithmonë, e ku më mirë se te Atletico Madrid?! Kështu deklaroi trajneri argjentinas, Diego Simeone gjatë një prononcimi për shtypin spanjoll. Në këtë mënyrë El Cholo, hedh poshtë hipotezat e një rikthimi të tij të mundshëm në Itali. “Kritikat të bëjnë gjithnjë më të mirë. E dimë se çfarë na pret dhe që ky fillim sezoni mund të konsiderohet si ngadaltë për ne, por njerëzit harrojnë faktin se nga 7 takimet në kampionat kemi luajtur vetëm dy në shtëpi”, u shpreh Simeone.
Në fakt, Atletico renditet në vendin e katërt në tabelën e klasifikimit pas 7 ndeshjeve të para, ku kanë marrë katër fitore e tre barazime. Gjithsesi, grupit të Los Colchoneros nga janari do t’i shtohet edhe Diego Costa, për të cilin Simeone shprehet: “Vitin e shkuar pas një bisede me Gameiron i komunikova se Diego Costa ishte zjedhja e parë për mua. Nga lojtarët që kam pasur, Diego është ai që më ka impresionuar më shumë, dhe nëse nuk do të kishte qenë edhe dëshira e tij për të ardhur tek ne, nuk do t’ia kishim dalë dot të arrinim transferimin. Nuk është e vështirë të jesh numri 9 i kësaj skuadre. Të gjithë ata që kanë mbajtur veshur fanellën me këtë numër në shpinë kanë shënuar, kujtoj Falcaon, Costan apo Mandzukiç”.
Simeone gjithashtu ka një konsideratë shumë të lartë për Mesin, Barcelonën dhe Realin e Madridit, skuadra me të cilat ka rivalizuar fort përgjatë këtyre viteve të fundit. “Me Mesin në strukturë Barcelona do të jetë gjithmonë një skuadër e veçantë, e rrezikshme dhe do të ketë gjithmonë një as më shumë se të tjerët në dorë. Ndërsa, Reali i Madridit është skuadra më e mirë në Botë, ka një formacion të shkëlqyer”, tha ai.
Lidhur me një afrim të mundshëm të tij në stolin e Kombëtares së Argjentinës, Simeone shtoi: “Nuk jam ende në fazën që të mbyllem në shtëpi e të përgatis për katër muaj me radhë një ndeshje. Kam nevojë të jem përditë i angazhuar dhe mendoj se duhet ende të përmirësohem. Në fund të fundit, jam vetëm 47 vjeç!