39.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Skënderbeu “bën ligjin” në Kukës, fiton 2-1

134 ditë pas sfidës së titullit, përballja Kukësi-Skënderbeu krijon sërish polemika në një 90 minutësh të mbushur me tension që u mbyll me një fitore të rëndësishme të Skënderbeut 2-1 që thyen fortesën “Zeqir Ymeri”, ku skuadra vendase nuk pësonte humbje në kampionat që prej prillit të vitit 2016. Milinkoviç preferoi Hoxhën në vend të të dëmtuarit Shameti, ndërsa Daja hodhi në fushë një formacion të ndikuar nga mungesat e Osmanit, Nimagës dhe Gavazajt. Dy shkëndijat e para i dhanë Bakaj dhe Muzaka pak sekonda më vonë, ndërsa Soue tronditi rrjetën e verilindorëve, por nga pjesa e jashtme, duke dhënë sinjalin e parë të rëndësishëm në këtë ndeshje, ndërsa Musolli mund të kishte bërë më mirë në goditjen me kokë. Skënderbeu i vendosur mirë në fushë tregoi pjekuri në pasime dhe aksionet e ndërtuara, por edhe bindjen se mund ta zhbllokonte këtë sfidë që në pjesën e parë, ndërsa Kukësi forcoi radhët në gjysmëfushë edhe pse ishte sërish sulmuesi nga Gambia, falë forcës fizike kaloi dy mbrojtës, por finalizimi i tij la për të dëshiruar. Hoxha bëri mrekullinë pas një topi të ardhur nga e djathta e sulmit, duke i mohuar Soëe kënaqësinë e golit që gjithsesi ishte në ajër, sepse Dita i asistuar me kokë nga Taku, nuk e pati të vështirë për ta çuar topin në cepin më të largët të Koliçit.
Gol që ndezi ndeshjen, por shtoi edhe dëshirën e korçarëve për të shënuar të dytin. Në minutën e 33-të, Taku u ndal nga shtylla, por Xhejms bëri më të pabesueshmen, duke e nxjerrë topin jashtë. Asnjë moment pushim për të dyja skuadrat, sepse Kukësi nuk u pajtua me këtë situatë. 3 minuta më vonë, Aliyev në një kontakt me Jashanicën u rrëzua në zonën e rreptësisë dhe për kryesorin Meta nuk kishte asnjë dyshim, 11 metërsh. Një vendim që ngjalli reagimin e ashpër të stafit të Skënderbeut me trajnerin Daja që kontestoi gjatë, por nga pika e bardhë Bakaj e ndali topin në rrjetë. Kale përfitoi duke rrëmbyer një top që u ndal nga Orges Shehi. Një aksion që krijoi sërish polemika, pasi u pretendua që fillimisht topi u ndal nga Alyiev, i cili ishte në pozicion jashtë loje dhe e gjithë furia e trajnerit Daja shkoi për anësorin Rexha, i njëjti anësor edhe në sfidën e fundsezonit të kaluar. Dominim i Skënderbeut, por edhe nervozizëm në fundin e kësaj pjese, ku Daja kërcënoi madje gjyqtarin e katërt se nëse ndeshja do të vazhdonte me gjykim tendencioz, atëherë ai nuk do ta nxirrte skuadrën në fushën e lojës gjatë pjesës së dytë. Shumë grintë dhe dëshirë për të fituar shfaqi Skënderbeu në pjesën e dytë që e ktheu zemërimin në forcë. Deri në minutën e 70 ishin korçarët që bënë ligjin, duke krijuar edhe tre raste të rrezikshme me Xhejms, Jashanicën dhe Takun, ndërsa Kukësi replikoi vetëm me një goditje dënimi dhe vetëm kaq. 7 minuta nga fundi, Muzaka që po përgatitej të linte fushën u shkëput në mënyrë të zgjuar dhe u pengua në zonë nga Hoxha. Këtë herë 11-metërshi shkoi në favor të korçarëve dhe Lilaj u shfaq i ftohtë përpara Koliçit.

Bayerni në krizë!

Bayern Munchen e përjeton pauzën e kampionatit mes tensioneve më të larta të shfaqura ndonjëherë në këtë klub për gjigantët e futbollit gjerman. Skuadra bavareze mbylli një javë të errët që u shoqërua me humbjen 3-0 ndaj Paris Saint Germain dhe shkarkimin e trajnerit Ançeloti. Situata vazhdoi të ishte e nderë edhe pas ndeshjes me Hertha Berlin, ku Bayerni pa të binte poshtë avantazhi 2-0 për të mbyllur këtë sfidë me barazimin 2-2 për ta çuar në 3 numrin e ndeshjeve radhazi pa fitore. “Nuk jemi më skuadra më e fortë në Gjermani”, tha drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamidzic, pas përballjes me berlinezët.
Herën e fundit që një drejtues i këtij klubi ka thënë një frazë të tillë ka qenë në vitin 2012 me Karl Heinz Rummenigge pas humbjes 5-2 ndaj Borussia Dortmund në finalen e Kupës së Gjermanisë. Në këtë kohë Rummenigge theksoi se në vend ishte një ekip tjetër superior ndaj Bayernit dhe se ajo që duhet të bënte klubi ishte të pranonte disfatat dhe të korrigjonte sa më shpejt gabimet.
Që pakënaqësitë ishin krijuar dhe akumuluar brenda dhomave të zhveshjes së Bayern Mynih, ky ishte një fakt i qartë që reflektohej edhe jashtë tyre. Për herë të parë në karrierë, Karlo Ançelotti, u shkarkua në mes të sezonit. Nga ana tjetër kurrë klubi bavarez nuk e kishte praktikuar një lëvizje të tillë, duke larguar një trajner që në muajin shtator. Gjithsesi, deri para shkarkimit të italianit, shifrat e Baynerit flisnin për 7 fitore në 10 ndeshje si dhe trofeun e ngritur në Superkupë. Kjo tregon qartë se diçka tjetër ziente nën sipërfaqe.
Siç zbulojnë të përdishmet sportive gjermane, bavarezët duket se nuk kishin qenë kurrë entuziastë për mënyrat me të cilat operonte trajneri 58-vjeçar, veçanërisht për seancat e tij të trajnimit. Sipas shtypit gjerman, Ançeloti mësohet të ketë qenë mjaft i butë thuajse indiferent. Që vitin e shkuar, Lahm dhe Xabi Alonso u kishin komunikuar drejtuesve se Ançelotti kishte një ritëm shumë të qetë dhe pasiv në senacat stërvitore, ndërkohë që këtë verë edhe Muller, Neuer e Boanteg patën shprehur dyshime mbi të.
Mbi të gjithë qëndronte Robben, që ishte shprehur se edhe djali i tij i nënshtrohej një stërvitjeje më të fortë. Kjo pati çuar në një konsensus mes lojtarëve për të zhvilluar seanca shtesë stërvitjeje, të cilat ishin refuzuar nga Ançeloti. Mesa duket ky ka qenë një motiv shumë i fortë për lojtarët, që të stëriteshin pa dijeninë e teknikut në fshehtësi. Gjithsesi, sezonin e shkuar Bayerni e fitoi Bundesligën me 15 pikë diferencë nga ndjekësit.

Kthehen spektaklet komuniste në Kuvend

Vincent van Gerven Oei

Që politika shqiptare po rrëshket plotësisht tek politika e të shkuarës komuniste është diçka që e kam thënë që nga fitorja absolute e Edi Ramës në zgjedhje.
Kthimi tek e shkuara filloi me nismën e Kryeministrit Rama për “bashkëqeverisje me njerëzit e thjeshtë”, e cila u shoqërua me shkarkime masive të drejtorëve e nëpunësve në sistemin e shëndetësisë dhe zyrat e hipotekave dhe legalizimeve.
Këto shkarkime u diktuan drejtpërdrejt nga Kryeministri Rama-burokratët dhe gjyqtarët e korruptuar nuk e çajnë kokën për “shqetësimet” e njerëzve të thjeshtë, dhe i vetmi person që mund t’u sillte drejtësi njerëzve të thjeshtë ishte Udhëheqësi i Madh.
Rama madje hapi procesin e aplikimeve-jashtë çdo lloj kriteri ligjor dhe mbikaqyrjeje-për “Zyrën e Bashkëqeverisjes” në Kryeministri. Megjithëse tashmë ka kaluar prej disa javësh afati i aplikimit për t’u punësuar në këtë zyrë ekstra-ligjore, e cila do të jetë lidhja e vetme midis njerëzve të zakonshëm dhe Udhëheqësit të Madh, asgjë nuk është dëgjuar më për këtë nismë. Jam i sigurt se ajo do të reklamohet e do të nisë punën në një moment më të përshtatshëm politik.
Në valën e histerisë megallomane që e ka pushtuar kohët e fundit, Kryeministri Rama shpalli dhe doktrinën “një parti, një fuqi”, duke pohuar pandashmërinë e Partisë Socialiste, qeverisë dhe shumicës parlamentare.
Duhet të kthehemi vetëm pak dekada më parë për të gjetur një sjellje të ngjashme politike, me të njëjtat karakteristika: theksi ideologjik tek “njerëzit e thjeshtë” (atëhere të quajtur “fshatarësia” dhe “klasa punëtore”), takimet njohëse me njerëzit e thjeshtë në mbarë vendin (atëhere të quajtura “gju më gjunjë me njerëzit”) dhe sigurisht shtetin një partiak.
Megjithatë, kurrë nuk ma kishte pritur mendja se do të shihja në Parlamentin aktual shqiptar një spektakël të tillë nga ish-sekretari i partisë komuniste dhe Kryetari aktual i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili organizoi në Parlament një paradë që nuk ishte parë që nga koha e kongreseve të dikurshme të Partisë së Punës.
Folësja pararojë ishte Rigerta Loku. Më shumë se një vit më parë, Reporter.al i bëri një profil zonjës Loku, diplomuar në politikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin La Sapienza të Romës, e cila, pasi nuk arriti të siguronte një punë në administratën publike, hapi një fermë në Rubik të Mirditës. Në intervistën e atëhershme, ajo pohoi:
Të zgjedhurit e partisë e dinin fort mirë që unë dhe Nardi [bashkëshorti] nuk ishim militantë dhe nuk votonim për ta.
Artikulli më tej theksonte se çifti “tani jeton larg nga politika”.
Është ironike që kjo grua e mirëarsimuar tani u përzgjodh për të intepretuar një pjesë propagande që kishte për qëllim të përlotëte sytë e ish-komunistëve më të rreptë, të pranishëm në “Parlamentin e Parë Rural të Shqipërisë”.
Në vetvete, fjalimi i saj ishte i padurueshëm për t’u ndjekur deri në fund me gjithë anti-pathosin e tij. Zëri i Rigerta Lokut, i dridhur që në fjalët e para nga emocioni, i zgjaste pauzat sikur të imitonte vetë fjalën e Edi Ramës. Përmbajtja e fjalimi-ende po debatohet nëse ajo e kishte shkruar vetë apo jo atë-ai ishte një jehonë e fortë e fjalëve të Udhëheqësit: dëgjimi i njerëzve të thjeshtë (me qëllim flagrant për të maskuar keqqeverisjen e tij):
Jam shumë e emocionuar, ndjej mbi zemër dhe shpatulla peshën që kjo foltore të lëshon mbi shpinë. Ndjej që do iki prapë në provincën time dhe pesha dhe përgjegjësia do bjerë mbi këta deputetë.
Nuk dihet nëse deputetët, të cilëve iu drejtua Loku e kanë ndjerë ndonjëherë peshën e asaj foltoreje, e cila përdoret nga shumica dhe opozita për debate nga më të pakuptimtat, por zonja Loku përdori disa fraza për të sinjalizuar se, ajo ishte tashmë në anën e PS: “Shqipëria evropiane” (aleanca zgjedhore e PS u quajt “Aleanca për një Shqipëri Evropiane”), “rilindje” (përsëri një fjalë kyçe në diskursin politik të PS) dhe “Shqipëria do të bëhet”.
Në minutat e para të fjalimit, Loku e bëri të qartë se ajo nuk ishte më “larg politikës”, por më tepër në qendër të saj.
Në disa momente, Rigerta Loku dukej më shumë si një shenjtore që po përhapte një mesazh të shenjtë, për shembull në fjalinë e saj të zgjatur: “në fshat gjithashtu mbijetojnë esencat e mrekullueshme të një jete të vështirë” dhe lutja e saj për “ato fshatra ku varfëria dhe mrekullia jetojnë në mënyrën më fantastike të mundshme”.
E shenjtë ndoshta, por fetishiste dhe perverse në të njëjtën kohë.
Momente të tjera fjalimi i saj i ngjante një fjalimi të sërës së lartë, duke kaluar nga frazat e lartësuara në zhargonin burokratik.
Përqendrimi i vazhdueshëm i Lokut tek “fshati” u kthye ngadalë në një mantra, në të cilën duket se gjithçka që është e mirë vjen nga zonat e thella rurale të Shqipërisë, ndërsa burokratët e këqinj të elitës janë të qytetit-me fjalë të tjera, një variant i temës “bashkëqeverisje me njerëzit e thjeshtë”:
Le të vishemi bukur sa të duam, të prodhojmë këpucë, biçikleta, industri, makina, avionë, sa të duam ne, por pa fshat të zhvilluar nuk ka qytete të zhvilluara. Po nuk na zhvilluat ne, ju nuk zhvilloheni kurrë! Zhvillimi i vjen Shqipërisë nga periferia! Nga Mirdita ime zhvillohet Tirana juaj dhe jo nga Tirana juaj zhvillohet Mirdita ime!
Ejani ta shikoni! Ejani në fshat! […] Do ju lutesha të mos vini me një makinë të vogël, por të vini me fuoristradë, sepse në fshatra, sidomos ato që nuk janë në akset rrugore kryesore, nuk shkon dot makina. E atje ku nuk shkon makina, nuk shkon asgjë. Nuk shkon as jeta! Fshatrat, sidomos ata të strukurit nuk kanë rrugë, rrugë si arterie gjaku që ushqejnë dhe japin jetë. Jepini ujë dhe rrugë fshatit dhe keni dhënë zhvillim! Nuk kërkojmë asgjë tjetër: Ujë dhe rrugë!
Kristina është një bashkëfshatare e imja. Dhe po t’i thoni Kristinës çfarë do ti që shteti të të japë ty, ajo me shumë modesti do të thotë: Unë dua ujë dhe rrugë. Se ka dinjitet Kristina. Nuk i kërkon asgjë shtetit të saj veçse ujë dhe rrugë. Ujë, rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore efikase”.
“Njerëzit e thjeshtë” në fshat, pra, nuk kërkojnë asgjë nga shteti, sepse ata kanë “dinjitetin” e tyre. Ata kërkojnë vetëm ujë dhe rrugë.
Ata nuk kërkojnë energji elektrike, mundësi të barabarta, punësim, pensione, sigurime shoqërore ose mirëqeverisje. Ata nuk interesohen për shkatërrimin e mjedisit, krimin e organizuar, apo ndotjen e ujërave, për korrupsionin apo keqadministrimin.
“Njerëzit e thjeshtë”, “fshatarët”-ndryshe nga njerëzit mosmirënjohës të qytetit-pyesin vetëm për ujë dhe rrugë, kujdes shëndetësor efikas dhe ndonjë shkollë.
Sa të volitshme si kërkesa, sepse të gjitha këto mund të arrihen shumë kollaj me anë të partneriteteve publiko-private (PPP).
Fundi i fjalimit të zonjës Loku të kujtonte sjelljen e njerëzve të palodhur, punëtorë të fshatit, e shpalosur aq shpesh nga djali i qytetit Erion Veliaj: punë, jo fjalë.
Ky vend ka nevojë për punëtorë që kanë pak llafe e shumë punë. Të fortë e optimistë […].
Fshati nuk ka as politikë, nuk njeh parti, nuk ka opozitë, as pozitë. Ne atje në fshat punojmë me dorën e djathtë e këmbën e djathtë, por zemra na rreh majtas, trurin e kemi në qendër e nëse duam të bëjmë mirë atë që duam të bëjmë, e nëse ky Parlament do të bëjë mirë atë për të cilin është zgjedhur të bëjë duhet që secili prej organeve të bëjë funksionin që i përket.
Shqetësimi ynë për fjalimin e Rigerta Lokut duhet të përqendrohet më pak tek përmbajtja, e cila ishte e thatë dhe e parashikueshme, e më shumë tek forma me të cilën ai na u servir.
Fjalimi i Lokut tregoi vitalitetin e atij modeli të vjetër të retorikës politike: fermeri i thjeshtë që i thotë të vërtetën në sy politikës, fshatari i mençur që i tregon politikanit vendin e tij. Fshatari që nuk kërkon shumë, domethënë pikërisht aq sa i ofron udhëheqësi bujar. Fshatari i ndjeshëm që ngre zërin, por nuk kritikon. Fshatari apolitik, që në fakt është më politiku i të gjithëve.
Rikthimi i kësaj retorike në Parlament, pikërisht në këto momente, duhet marrë si shenjë paralajmëruese. Sepse së bashku me formën e vjetër të retorikës vijnë edhe format e politikës së vjetër.

Inter dhe United duan Mesut Ozil

Inter dhe Manchester United shënjestrojnë Mesut Ozil. Zikaltërit në janar do të tentojnë të transferojnë në radhët e skuadrës talentin gjerman. Ozil, i cili duket se tashmë i ka prishur marrëdhëniet me Arsenalin dhe teknikun Wenger dhe me rinovimin e kontratës që duket se nuk do të vi, drejtuesit e “Topçinjve të Londrës” kanë vendosur t’i hapin dyert ofertave që do të vijnë në drejtim të mesfushorit, në mënyrë që të mos i humbasin shërbimet e tij me parametra zero. Situata në Londër është e qartë, Ozil i skadon kontrata në fund të sezonit dhe nuk ka aspak ndërmend ta rinovojë edhe pse nga ana e Wenger përpjeket për ta bindur gjermanin nuk kanë munguar.
Pretendët që duan të sigurojnë shërbimet e 28-vjeçarit nuk mungojnë. Inter është një ndër ta. Profili i mesfushorit është mëse i përshtatshm për atë çka kërkojnë në lojën e tyre zikaltërit dhe njeriu ideal për skemat e teknikut Spalleti. Drejtori sportiv i klubit italian, Piero Ausilio, pak më parë u shpreh se lojtarë të tillë vështirë t’i transferosh që në janar. Pavarësisht deklaratës, situata në kampin e Arsenalit i hap rrugë tratativave mes palëve.
Sipas “The Independent”, Manchester United do të përpiqet të transferojë Mesut Ozil gjatë verës si lojtar të lirë. Ozil ka kontratë me Arsenalin deri në fund të sezonit, dhe deri më tani nuk ka treguar se dëshiron të vazhdojë kontratën me klubin nga Emirates. Kështu, Jose Mourinho dëshiron që sërish të punoj me Ozilin, me të cilin kishin qenë së bashku edhe në Real Madrid.

Ndërlikohet dëmtimi i Reus, shtyhet rikthimi

Për të shijuar sërish klasin e Marco Reus në fushë tifozët e Borussias së Dortmundit dhe të kombëtares gjermane duhet të presin edhe disa muaj. Në fund të sezonit të kaluar, ylli i verdhezinjëve këputi ligamentin e kryqëzuar të gjurit të djathtë dhe fillimisht u përfol se do të rikthehej në fushë pas 6 muajsh, pra do të ishte gati në janar të 2018-ës. Por mesa duket, faza e rehabilimit ka patur disa komplikacione dhe rikuperimi i Reus kërkon më shumë kohë. Sipas raportimeve të mediave gjermane, gjasat janë që 28-vjeçari të kthehet në fushë në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Dëmtimet e njëpashnjëshme kanë shkatërruar karrierën e Reus, gjatë këtyre viteve të fundit dhe sulmuesi i krahut nuk dëshiron të marrë përsipër asnjë rrezik, dhe nuk do të përshpejtojë etapat e rekuperimit. Ligamenti i dëmtuar ende është shumë i ndjeshëm dhe i shkakton dhimbje herë pas herë futbollistit. Në këtë mënyrë, Reus ka vendosur të rikthehet në fushë vetëm kur të jetë plotësisht i riaftësuar pra, jo përpara marsit të 2018-ës, pasi nuk dëshiron të humbasë një tjetër kompeticion madhor me kombëtaren gjermane siç është Botërori Rusi 2018.

Pesë urdhëresat e FMN-së dhe një gënjeshtër e qeverisë!

Jorida Tabaku

Deklarata përfundimtare e FMN ka prezantuar mbrëmjen e djeshme ripohoi të gjitha shqetësimet tona, që tanimë nuk janë më vetëm të Partisë Demokratike, në lidhje me ekonominë dhe keqpërdorimin që qeveria e djeshme dhe me siguri e sotmja do të vazhdojë t’i bëjë asaj. Dua të falënderoj FMN për punën e palodhshme dhe ndihmën e pakursyer që i është dhënë një qeverie që synim nuk kishte qytetarin, por pasurimin. Tanimë, është e qartë nga kjo deklaratë çështjet që kemi katër vjet që i ngremë me forcë mbi gjendjen tonë ekonomike janë korrekte dhe të mbështetura edhe nga FMN:
– Borxhi publik, nuk do të ulet poshtë 71% as në vitin 2017. Pra, qeveria ka marrë borxh për fasada dhe tendera, duke rritur shumën që duhet të paguajmë për luksin qeveritar për secilin prej nesh.
– PPP janë një rrezik fiskal iminent dhe për hir të transparencës duhet të llogariten si borxh në momentin e lindjes së detyrimit. Deri në fund të këtij mandati qeverisës, nëse vazhdohet me këto ritme llogaritet që borxhi i krijuar vetëm nga PPP të shtohet me (7 pwr qind) 1 mld euro.
– Qeveria po dështon në reformat fiskale dhe mbledhjen e taksave, duke vazhduar të ketë një rentabilitet më të ulët në raport me vendet e rajonit.
– Sistemi fiskal i ngritur nga qeveria është i komplikuar dhe me disa nivele, duke krijuar pabarazi.
– Rritja ekonomike po bazohet tërësisht në Investimet e Huaja Direkte të lidhura me energjinë (hidrocentrali Devollit) dhe TAP.
Dhe mbi të gjitha, qeveria ka krijuar një detyrim të prapambetur në vlerën e 120 mln eurove. Një javë më parë në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Ekonomisë dhe Financave e mohoi borxhin e krijuar që sot shkon sa 1.1% e PBB-së dhe që paguhet nga xhepat e çdo qytetari!

VAR, rekord penalltish në Itali

Kampionati italian po jeton nën epokën e Var edhe pse kanë kaluar vetëm 7 javë nga starti i kampionatit ky sistem i ri në futbollin e vendit fqinj ka prodhuar jo pak, por plot 33 penallti të dhëna. Rekord historik ky në vetëm 7 javë kampionat, gati dyfishi në krahasim me sezonin e kaluar. Video Asistent Refere tashmë është bërë pjesë e futbollit dhe në krahun tjetër publiku është mësuar t’i njohë vendimet që vinë nga ekrani i vogël.
Në Itali, Var deri më tani nuk ka shkaktuar shumë polemika, ndërsa në Gjermani nuk janë të paktat raste, ku opionioni sportiv është shprehur skeptik në lidhjet me vendimet që kanë ardhur nga teknologjia, madje në shumë raste ka pasur dhe debate të forta publike.
Në gjashtë raste në Seria A, kryesori i takimit në momentin e faullit të shkaktuar në zonë nuk ka vërshëllyer, një gjë të tillë e ka bërë vetëm pas sinjalizimit nga asistentët që janë të vendosur përpara ekranit dhe në pesë të tjera ka qenë i bindur për të dhënë penallti në bazë të pamjeve që ai sheh.
Bëhet fjalë për një mesatare prej 3.2 vendimesh të ndryshuara nga ana e arbitrit. Italia nën epokën e Var ka sjellur një reduktim të polemikave për vendimet e dhëna nga ana e gjyqtarëve të paktën deri më tani.

Barcelona në tjetër ligë?!

Në Katalonjë 90 për qind e zgjedhësve votuan pro pavarësisë së rajonit nga Spanja dhe kjo mund të ndryshojë në mënyrë radikale perspektivën e klubit të futbollit Barcelona që rrezikon të përjashtohet nga La Liga. Në këtë kuadër, drejtuesit e klubit mund të vendosin se në cilin kampionat të Europës do të aplikojë për të marrë pjesë, diçka që u la të nënkuptohet edhe nga presidenti Bartomeu. “Katalonja po kalon momente të vështira dhe komplekse. Përsa i përket deklaratës së pavarësisë është një situatë e ndërlikuar dhe që mund të tensionohet në të ardhmen. Është një temë që do të diskutohet edhe në bordin drejtues të klubit, i cili në fund do të dijë të gjejë zgjedhjen më të mirë”, u shpreh ai.
Në ditën e referendumit në Katalonja, mbi 840 persona u plagosën nga përleshjet me policinë spanjolle që kërkoi të bllokojë procesin e votimit. Kjo situatë shtyu drejtuesit e Barcelonës, që të luanin ndeshjen e kampionatit me Las Palmas me dyer të mbyllura, sfidë që u fitua 3-0. Ndërkaq, Katalonja është në një grevë të përgjithshme, një nismë së cilës i janë bashkuar edhe dy klubet e futbollit të këtij rajoni, Barcelona, Espanyol dhe Girona, të cilët anuluan seancat e tyre stërvitore të parashikuara për këtë të martë.

Katalonja dhe absurditeti i krahasimit me Kosovën e Himarën

Enver Bytyçi

Katalanja votoi dje për pavarësinë e rajonit të saj nga Spanja. Pak javë më parë votoi edhe Republika Autonome e Kurdistanit në Irak për pavarësinë e tij nga Bagdati. Barcelona dhe Mosuli u promovuan si dy kryeqytete të reja, të cilët u shfaqën në horizontin e hartës gjeopolitike të botës së sotme. Pas promovimit të kartës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, është e natyrshme që grupet etnike të kenë sukses në synimet e tyre për pavarësi dhe kriijimin e shteteve të reja. Referendumet e zhvilluara në këto ose rajone dëshmuan se vullneti i popujve është determinant dhe se forca nuk mund të ndalë shprehjen e tij. Ky është vetëm fillimi i një procesi, që duket se nuk e ka përkrahjen ndërkombëtare, por që në fakt dëshmon për promovimin e politikave të reja globale. Bota gjendet përballë tendencës së dezintegrimit dhe vala e këtij procesi duket se do të përhapet në rajone e vende të tjera federale ose jo federative. Rajone të shumta në botë kanë identitete të ndryshme përkundrejt shteteve me të cilat ato janë asocuar për shkak të rrethanave historike. Të gjitha ose shumica prej tyre do të donin lirinë dhe pavarësinë e tyre, jo thjesht për shkak të mundësive më të mëdha ekonomike e sociale, siç thuhet në zhargonin propagandistik europian për Katalanjën, por për shkak të dallimeve thelbësore në identitet, në kulturë, në trashëgiminë historike e etnike dhe në mënyrën e ndërtimit të jetës politiko-sociale. Në Barcelonë dhe qytete të tjera të Katalanjës pamë policë të shumtë të dhunshëm të dërguar nga qeveria qendrore e Madridit, ndërkohë që u shfaqën policë vendas që merrnin në mbrojtje viktimat e Policisë Speciale madridase. Pamë gjithashtu se si qytetarë të vendosur që paqësisht, madje si në ditë feste, dhanë verdiktin e tyre për pavarësinë e rajonit ku jetojnë. Shfaqje të tilla do të shohim edhe në vende e rajone të tjera, por ka mundësi të shohim edhe dhunë e masakra kundër njerëzve liridashës. Erdogan reagoi pak me cinizëm ndaj referendumit të kurdëve, kur e krahasoi situatën atje me shtetësinë e Kosovës, duke vënë një paralele të panevojshme dhe të pasaktë midis të dy rasteve. Kjo, sepse Kosova ka siguruar deri tash 114 njohje ndërkombëtare dhe se Turqia e Erdogan ishte i dyti ose i treti vend që e njohu pavarësinë e saj. Për këtë arsye, besoj se krahasimi lidhet me ndonjë qejfmbetje të Presidentit të Turqisë ndaj qëndrimeve të Prishtinës në marrëdhëniet e saj me Ankaranë. Ndërsa sa i përket referendumit të Katalanjës shoh që kanë reaguar tri kategori: Së pari, janë entuziastët e optimistët, të cilët e konsiderojnë Katalanjën që sot si shtet të konstruktuar e të promovuar ndërkombëtarisht. Natyrisht që referendumi i djeshëm është vetëm fillimi. Një fillim i vështirë, që do të dojë ndoshta dekada të bëhet realitet, derisa ky vend e ky shtet të ulet në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pra, edhe pse procesi po ndodh në Europë, në kontinentin e vlerave të demokracisë, gjeopolitika dhe influenca e Madridit do ta bllokojë për një kohë relativisht të gjatë formësimin e plotë të shtetësisë së Katalanjës. Spanja e ka dhënë këtë provë në rastin e Kosovës. Prej dhjetë vitesh ajo jo vetëm heziton ta njohë shtetin e Kosovës, por lobon me të gjithë fuqinë e saj në vendet spanjishtfolëse të Amerikës Latine, që edhe këto vende të mos marrin një vendim pro Kosovës. Ndërkaq është Spanja vendi kryesor që po bllokon integrimet euro-atlantike të shtetit më të ri në Ballkan, po megjithatë nuk ia doli që të ndalojë procesin e pavarësimit të Katalanjës. Prej Katalanjës sindroma e referendumit për pavarësi do të shtrihet te baskët, pavarësisht se qeveria e Madridit pati besuar fort se do ta evitojë këtë proces me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Madje hezitimi për njohjen e saj më duket se ka përshpejtuar referendumin e djeshëm në Katalanjë dhe ka ndikuar që në heshtje disa vende perëndimore ta pranojnë rezultatin e këtij referendumi. Së dyti, janë deklarimet e liderëve serbë, Vuçiç dhe Daçiç, të cilët shpejtuan menjëherë të venë shënjën e barazimit midis Kosovës si “pjesë integrale” e Serbisë dhe Katalanjës si “pjesë integrale e Spanjës”. Të dy vendet kanë shprehur solidaritet reciprok në “fatkeqësinë” e tyre të “ndarjes së territorit”. Në përgjigje të kësaj aksiome krahasuese duhet sqaruar se, Beogradi dëshiron me këtë rast jo vetëm zhvleftësimin shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por edhe relativizimin e krimeve serbe në Kosovë. Eshtë e njëmijta herë që shkruaj dhe përsëris krimet serbe në Kosovë: Rreth 20 mijë të vrarë, të masakruar dhe të humbur e të pagjetur në varrezat serbe të Milosheviçit. Rreth 20 mijë gra dhe vajza të keqtrajtuara dhe të përdhunuara nga ushtarët, paraushtarakët, oficerët dhe milicët serbë në tre muaj. Mbi 40 mijë banesa, apartamente, godina biznesi, objekte sociale, fetare, kulturore e të shërbimit, të shkatërruara plotësisht e të djegura. Me mijëra hektarë bimësi të produkteve bujqësore, vreshta e pemtari të djegura e të shkatërruara. Dhe më në fund një milion shqiptarë të shpërngulur me dhunë nga shtëpitë dhe pronat e tyre, në kuadër të politikave të spastrimit etnik të Kosovës. Ky ishte bilanci i terrorit serb në Kosovë dhe pas këtij bilanci as ufot nuk do të guxonin të pranonin sovranitetin e ndonjë sunduesi në vendin e tyre. Nëse dikush dëshiron të rikthejë idenë e çmendur të ndarjes së Kosovës ose ndonjë lloj sovraniteti qoftë dhe simbolik të Serbisë në Kosovë, kjo çmenduri do të përkthehej në vazhdimin e një konflikti të nisur 150 vite më parë. Prandaj krahasimet që bëjnë në Beograd janë abuzive dhe jo logjike. Ato vetëm se ndihmojnë të rikthehet analiza e historisë së para 20 viteve në Kosovë, kur Serbinë e sundoi diktatori Milosheviç. Së treti, ka disa që duke kritikuar entuziazmin e shqiptarëve për referendumin e Katalanjës, paralajmërojnë “refrendum në Dropull e Himarë”. Kjo teori është jorealiste. Katalanja është tetë milionë banorë dhe gëzon një autonomi të caktuar me kufij të qartë etnikë. Dropulli është një ishull i rrethuar nga territore të banuar me shqiptarë dhe me diku te 15-20 mijë grekë etnikë. Këta grekë etnikë nuk kanë asnjë mundësi t’i bashkëngjiten shtetit grek, ndërkohë që nuk është parë ndonjëherë në historinë e botës që të krijohen shtete me kaq pak banorë. Himara është histori, për të cilën gabohen këta paralajmërues që e rendisin me Dropullin. Himara është thjesht territor dhe popullsi shqiptare, edhe pse ka himariotë që marrin pensione nga Athina e shpallen si grekë. Një ditë do të kthjellohen retë e kësaj tymnaje që e trazon Athina. Përfundimisht duhet thënë se promovimi i lirive dhe të drejtave themelore individuale në dokumentet ndërkombëtare në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe në dy dekadat e fundit, nuk mund të injorojë si rregull realizimin e të drejtave kolektive. Nëse një individ ka të drejtat e tij edhe në identitet edhe në pjesëmarrjen në qeverisje e për gjithçka tjetër, nuk mundet që një komunitet i madh njerëzish në raport me rrethanat të qëndrojë i ndryshur në të drejtat e tij etnike ose fetare.

U-19, Bogdani: Japim maksimumin

Kombëtarja e 19-vjeçarëve është gati të nisë rrugëtimin e gjatë eliminator të Europianit, që do të zhvillohet në Finlandë. Të mërkurën, kuqezinjtë sfidojnë Ukrainën në një test shumë të rëndësishëm ndaj skuadrës favorite të grupit dhe fillimisht në konferencën e shtypit, trajneri Erjon Bogdani prezanton objektivat dhe bën një bilanc të prurjeve të tij në këtë skuadër.
“Objektivi im si trajner është që të sjell sa më shumë lojtarë në U-21 dhe tek kombëtarja. Ekipi është shumë mirë, ka fituar një trofe në Itali. Kemi zhvilluar dy ndeshje të mira me Gjeorgjinë. Rezultatet pozitive që kemi marrë na inkurajojnë. Këto tri ndeshje do t’i përballojmë në mënyrën më të mirë. Pas tyre do të shohim ku jemi. Për një vit kam parë 70 futbollistë, sigurisht ka shumë që s’i kam parë. Detyra ime është t’i shoh të gjithë dhe të afroj më të mirët. Dua të bëj sa më mirë për këtë ekip. Dera e kombëtares është e hapur për të gjithë”, u shpreh Bogdani.
Në vijim ai përqendrohet te ndeshja e parë eliminatore që do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” kundër Ukrainës duke e pranuar se do të ketë përballë një kundërshtar të fortë, por jo të pakalueshëm.
“Të tre ekipet nuk i kemi frikë. Luajmë dy ndeshje në Tiranë, publiku do të na mbështesë. Nëse ata kanë topin ne duhet të mbrojmë, kur ne ta kemi topin normalisht do të jemi ne ata që do të sulmojmë. Nuk dua t’i ngarkoj çunat. Kam studiuar Ukrainën. Kanë marrë pjesë në Kampionatin Europian. Janë ekipe të forta, ne kemi ambiciet tona. Nëse ne japim maksimumin do të arrijmë rezultat të mirë”, tha ai.
Gjithashtu, bashkëpunimi me trajnerin e kombëtares së parë do të jetë një nga pikat kryesore të projektit të Bogdanit, i cili shton se synon të ketë marrëdhënie sa më të ngushta me Christian Panuccin për të ndihmuar në qëllimin e përbashkët.
“Kemi diskutuar me trajnerin U-21 dhe Panuccin. Do të bashkohemi do të krijojmë një ide siç po luan U-21 apo kombëtarja. Ukraina ka një ekip të mirë, janë rritur bashkë nga U-15 deri te U-19. Dinë se si të luajnë me njëri-tjetrin. Ne do t’i krijojmë vështirësi. Kemi pasur një dëmtim të vogël siç është e mbrojtësit Pjetri. Për mua të gjithë lojtarët janë të barabartë. Rregullat i bën UEFA jo unë. UEFA ka bërë të mundur grumbullin e vetëm 20 vetave. S’ka rëndësi kush luan nga ne, pasi do të kemi shumë ndeshje”, u shpreh ai.