25.5 C
Tirana
E diel, 15 Qershor, 2025

Katalonja dhe absurditeti i krahasimit me Kosovën e Himarën

Enver Bytyçi

Katalanja votoi dje për pavarësinë e rajonit të saj nga Spanja. Pak javë më parë votoi edhe Republika Autonome e Kurdistanit në Irak për pavarësinë e tij nga Bagdati. Barcelona dhe Mosuli u promovuan si dy kryeqytete të reja, të cilët u shfaqën në horizontin e hartës gjeopolitike të botës së sotme. Pas promovimit të kartës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, është e natyrshme që grupet etnike të kenë sukses në synimet e tyre për pavarësi dhe kriijimin e shteteve të reja. Referendumet e zhvilluara në këto ose rajone dëshmuan se vullneti i popujve është determinant dhe se forca nuk mund të ndalë shprehjen e tij. Ky është vetëm fillimi i një procesi, që duket se nuk e ka përkrahjen ndërkombëtare, por që në fakt dëshmon për promovimin e politikave të reja globale. Bota gjendet përballë tendencës së dezintegrimit dhe vala e këtij procesi duket se do të përhapet në rajone e vende të tjera federale ose jo federative. Rajone të shumta në botë kanë identitete të ndryshme përkundrejt shteteve me të cilat ato janë asocuar për shkak të rrethanave historike. Të gjitha ose shumica prej tyre do të donin lirinë dhe pavarësinë e tyre, jo thjesht për shkak të mundësive më të mëdha ekonomike e sociale, siç thuhet në zhargonin propagandistik europian për Katalanjën, por për shkak të dallimeve thelbësore në identitet, në kulturë, në trashëgiminë historike e etnike dhe në mënyrën e ndërtimit të jetës politiko-sociale. Në Barcelonë dhe qytete të tjera të Katalanjës pamë policë të shumtë të dhunshëm të dërguar nga qeveria qendrore e Madridit, ndërkohë që u shfaqën policë vendas që merrnin në mbrojtje viktimat e Policisë Speciale madridase. Pamë gjithashtu se si qytetarë të vendosur që paqësisht, madje si në ditë feste, dhanë verdiktin e tyre për pavarësinë e rajonit ku jetojnë. Shfaqje të tilla do të shohim edhe në vende e rajone të tjera, por ka mundësi të shohim edhe dhunë e masakra kundër njerëzve liridashës. Erdogan reagoi pak me cinizëm ndaj referendumit të kurdëve, kur e krahasoi situatën atje me shtetësinë e Kosovës, duke vënë një paralele të panevojshme dhe të pasaktë midis të dy rasteve. Kjo, sepse Kosova ka siguruar deri tash 114 njohje ndërkombëtare dhe se Turqia e Erdogan ishte i dyti ose i treti vend që e njohu pavarësinë e saj. Për këtë arsye, besoj se krahasimi lidhet me ndonjë qejfmbetje të Presidentit të Turqisë ndaj qëndrimeve të Prishtinës në marrëdhëniet e saj me Ankaranë. Ndërsa sa i përket referendumit të Katalanjës shoh që kanë reaguar tri kategori: Së pari, janë entuziastët e optimistët, të cilët e konsiderojnë Katalanjën që sot si shtet të konstruktuar e të promovuar ndërkombëtarisht. Natyrisht që referendumi i djeshëm është vetëm fillimi. Një fillim i vështirë, që do të dojë ndoshta dekada të bëhet realitet, derisa ky vend e ky shtet të ulet në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pra, edhe pse procesi po ndodh në Europë, në kontinentin e vlerave të demokracisë, gjeopolitika dhe influenca e Madridit do ta bllokojë për një kohë relativisht të gjatë formësimin e plotë të shtetësisë së Katalanjës. Spanja e ka dhënë këtë provë në rastin e Kosovës. Prej dhjetë vitesh ajo jo vetëm heziton ta njohë shtetin e Kosovës, por lobon me të gjithë fuqinë e saj në vendet spanjishtfolëse të Amerikës Latine, që edhe këto vende të mos marrin një vendim pro Kosovës. Ndërkaq është Spanja vendi kryesor që po bllokon integrimet euro-atlantike të shtetit më të ri në Ballkan, po megjithatë nuk ia doli që të ndalojë procesin e pavarësimit të Katalanjës. Prej Katalanjës sindroma e referendumit për pavarësi do të shtrihet te baskët, pavarësisht se qeveria e Madridit pati besuar fort se do ta evitojë këtë proces me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Madje hezitimi për njohjen e saj më duket se ka përshpejtuar referendumin e djeshëm në Katalanjë dhe ka ndikuar që në heshtje disa vende perëndimore ta pranojnë rezultatin e këtij referendumi. Së dyti, janë deklarimet e liderëve serbë, Vuçiç dhe Daçiç, të cilët shpejtuan menjëherë të venë shënjën e barazimit midis Kosovës si “pjesë integrale” e Serbisë dhe Katalanjës si “pjesë integrale e Spanjës”. Të dy vendet kanë shprehur solidaritet reciprok në “fatkeqësinë” e tyre të “ndarjes së territorit”. Në përgjigje të kësaj aksiome krahasuese duhet sqaruar se, Beogradi dëshiron me këtë rast jo vetëm zhvleftësimin shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por edhe relativizimin e krimeve serbe në Kosovë. Eshtë e njëmijta herë që shkruaj dhe përsëris krimet serbe në Kosovë: Rreth 20 mijë të vrarë, të masakruar dhe të humbur e të pagjetur në varrezat serbe të Milosheviçit. Rreth 20 mijë gra dhe vajza të keqtrajtuara dhe të përdhunuara nga ushtarët, paraushtarakët, oficerët dhe milicët serbë në tre muaj. Mbi 40 mijë banesa, apartamente, godina biznesi, objekte sociale, fetare, kulturore e të shërbimit, të shkatërruara plotësisht e të djegura. Me mijëra hektarë bimësi të produkteve bujqësore, vreshta e pemtari të djegura e të shkatërruara. Dhe më në fund një milion shqiptarë të shpërngulur me dhunë nga shtëpitë dhe pronat e tyre, në kuadër të politikave të spastrimit etnik të Kosovës. Ky ishte bilanci i terrorit serb në Kosovë dhe pas këtij bilanci as ufot nuk do të guxonin të pranonin sovranitetin e ndonjë sunduesi në vendin e tyre. Nëse dikush dëshiron të rikthejë idenë e çmendur të ndarjes së Kosovës ose ndonjë lloj sovraniteti qoftë dhe simbolik të Serbisë në Kosovë, kjo çmenduri do të përkthehej në vazhdimin e një konflikti të nisur 150 vite më parë. Prandaj krahasimet që bëjnë në Beograd janë abuzive dhe jo logjike. Ato vetëm se ndihmojnë të rikthehet analiza e historisë së para 20 viteve në Kosovë, kur Serbinë e sundoi diktatori Milosheviç. Së treti, ka disa që duke kritikuar entuziazmin e shqiptarëve për referendumin e Katalanjës, paralajmërojnë “refrendum në Dropull e Himarë”. Kjo teori është jorealiste. Katalanja është tetë milionë banorë dhe gëzon një autonomi të caktuar me kufij të qartë etnikë. Dropulli është një ishull i rrethuar nga territore të banuar me shqiptarë dhe me diku te 15-20 mijë grekë etnikë. Këta grekë etnikë nuk kanë asnjë mundësi t’i bashkëngjiten shtetit grek, ndërkohë që nuk është parë ndonjëherë në historinë e botës që të krijohen shtete me kaq pak banorë. Himara është histori, për të cilën gabohen këta paralajmërues që e rendisin me Dropullin. Himara është thjesht territor dhe popullsi shqiptare, edhe pse ka himariotë që marrin pensione nga Athina e shpallen si grekë. Një ditë do të kthjellohen retë e kësaj tymnaje që e trazon Athina. Përfundimisht duhet thënë se promovimi i lirive dhe të drejtave themelore individuale në dokumentet ndërkombëtare në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe në dy dekadat e fundit, nuk mund të injorojë si rregull realizimin e të drejtave kolektive. Nëse një individ ka të drejtat e tij edhe në identitet edhe në pjesëmarrjen në qeverisje e për gjithçka tjetër, nuk mundet që një komunitet i madh njerëzish në raport me rrethanat të qëndrojë i ndryshur në të drejtat e tij etnike ose fetare.

U-19, Bogdani: Japim maksimumin

Kombëtarja e 19-vjeçarëve është gati të nisë rrugëtimin e gjatë eliminator të Europianit, që do të zhvillohet në Finlandë. Të mërkurën, kuqezinjtë sfidojnë Ukrainën në një test shumë të rëndësishëm ndaj skuadrës favorite të grupit dhe fillimisht në konferencën e shtypit, trajneri Erjon Bogdani prezanton objektivat dhe bën një bilanc të prurjeve të tij në këtë skuadër.
“Objektivi im si trajner është që të sjell sa më shumë lojtarë në U-21 dhe tek kombëtarja. Ekipi është shumë mirë, ka fituar një trofe në Itali. Kemi zhvilluar dy ndeshje të mira me Gjeorgjinë. Rezultatet pozitive që kemi marrë na inkurajojnë. Këto tri ndeshje do t’i përballojmë në mënyrën më të mirë. Pas tyre do të shohim ku jemi. Për një vit kam parë 70 futbollistë, sigurisht ka shumë që s’i kam parë. Detyra ime është t’i shoh të gjithë dhe të afroj më të mirët. Dua të bëj sa më mirë për këtë ekip. Dera e kombëtares është e hapur për të gjithë”, u shpreh Bogdani.
Në vijim ai përqendrohet te ndeshja e parë eliminatore që do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” kundër Ukrainës duke e pranuar se do të ketë përballë një kundërshtar të fortë, por jo të pakalueshëm.
“Të tre ekipet nuk i kemi frikë. Luajmë dy ndeshje në Tiranë, publiku do të na mbështesë. Nëse ata kanë topin ne duhet të mbrojmë, kur ne ta kemi topin normalisht do të jemi ne ata që do të sulmojmë. Nuk dua t’i ngarkoj çunat. Kam studiuar Ukrainën. Kanë marrë pjesë në Kampionatin Europian. Janë ekipe të forta, ne kemi ambiciet tona. Nëse ne japim maksimumin do të arrijmë rezultat të mirë”, tha ai.
Gjithashtu, bashkëpunimi me trajnerin e kombëtares së parë do të jetë një nga pikat kryesore të projektit të Bogdanit, i cili shton se synon të ketë marrëdhënie sa më të ngushta me Christian Panuccin për të ndihmuar në qëllimin e përbashkët.
“Kemi diskutuar me trajnerin U-21 dhe Panuccin. Do të bashkohemi do të krijojmë një ide siç po luan U-21 apo kombëtarja. Ukraina ka një ekip të mirë, janë rritur bashkë nga U-15 deri te U-19. Dinë se si të luajnë me njëri-tjetrin. Ne do t’i krijojmë vështirësi. Kemi pasur një dëmtim të vogël siç është e mbrojtësit Pjetri. Për mua të gjithë lojtarët janë të barabartë. Rregullat i bën UEFA jo unë. UEFA ka bërë të mundur grumbullin e vetëm 20 vetave. S’ka rëndësi kush luan nga ne, pasi do të kemi shumë ndeshje”, u shpreh ai.

“Përmbyset” De Biasi

Kombëtarja shqiptare do të mbyllë eliminatoret e Botërorit 2018 me sfidat ndaj Spanjës dhe Italisë, dy përballje që sipas trajnerit Panucci kanë shumë rëndësi sidomos për imazhin e Shqipërisë. Në këto dy takime Panucci ka thirrur edhe futbollistët e përjashtuar nga De Biasi, Taulant Xhakën, Ergys Kaçen dhe Sokol Cikalleshin. “Janë 2 ndeshje që kanë shumë rëndësi për imazhin e kombëtares. Futbolli na ka mësuar që mund të bëjmë diçka të mirë e të rëndësishme kur ke skuadra më të forta përballë. Këto janë ndeshje ku interesi e përqendrimi është shumë i madh te lojtarët. Duhet të bëjmë 2 sfida plot krenari e dëshirë pasi i sheh e gjithë bota”, tha Panucci.
Kanë mbërritur të gjithë lojtarët brenda ditës së hënë kur ishte caktuar nga trajneri Panucci për fillimin e grumbullimit. Ndër të parët, i përjashtuari i grumbullimit të parë Sokol Cikalleshi. “Disiplina është diçka parësore dhe duhet respektuar sepse ne jemi profesionistë. Çdo vendim merret për të mirën e kombëtares. Me Panuccin nuk kam patur asnjë komunikim deri më tani, por ftesa është komunikimi më i mirë”, u shpreh Cikalleshi.
Pasi u shndërruar në heroin e Atalantës në barazimin me Juventusin të dielën në mbrëmje, Etrit Berisha, shpjegon edhe një herë se si ndaloi Dybala, atëherë kur gjithçka u duk e mbyllur. Ndërkohë do të jetë një rrezik konstant që kombëtarja jonë do ta vuajë më shumë me mungesat që do të ketë. “Do të jetë shumë e vështirë, megjithatë me rikthimin e Ajetit dhe Gjimshitit do të na bëjë që ta përballojmë më mirë”, tha Berisha.
Për sulmuesin tjetër kuqezi, Armano Sadiku këto përballje luksi me Spanjën dhe Italinë, nuk kanë nevojë për motivim. “Këto mund të them që do të jenë dy ndeshje që kushdo do t’i luajë me shumë qejf. Ne kemi treguar gjithmonë se me skuadrat e mëdha japim gjithmonë maksimumin”, u shpreh Sadiku.
Ansi Agolli dhe Elseid Hysaj vazhduan stërvitjen të diferencuar për shkak të problemeve të vogla fizike, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës ishte e plotë. Ashtu siç ka paralajmëruar, Panucci ka dashur që vëmendja mediatike të mos depërtojë deri në detajet më të vogla të seancës stërvitore, duke i hapur dyert për mediat vetën në 15 minutat e para dhe më pas është fokusuar tërësisht te puna me grupin që do të rrisë ritmin në këtë seancë, pasi ndeshja e Alicantes po troket dhe skuadra duhet të jetë fizikisht dhe moralisht gati për t’i bërë ballë një prej ekipeve më të forta të planetit.
Arlind RAMA

S’ka si Doktori

Eison YPI

Duke zbritur shkallët të përshëndet hipokrizisht një llapaqen që ka qenë spiun. Te dyqani ku do blesh diçka të pret një shitës hileqar. Pas pak do kesh punë me një nëpunës të korruptuar. Pak më tutje takon një të mërzitshëm që prej vitesh bën të njëjtat muhabete. Epo i ziu njeri që nuk është aq budalla sa komshiut t’ja rrasi me grusht surratit, dyqanxhiut t’ja përplas kokën pas murit, ryshfetçiun ta vrasi, diçka duhet të bëjë, në ndonjë mënyrë duhet të reagojë, një zgjidhje duhet ta gjejë. Për të mbijetuar në xhunglën shtazarake ikën tek i vetmi njeri serioz që ka mbetur në këtë vend, te Doktori. Por nuk shpëton dot me kaq. Humoristët që qeshin me fjalët e veta, gazetarët që botojnë me vite të njëjtin shkrim, personazhet televizivë që nuk e bëjnë ata të shikueshëm televizionin, por i bën të famshëm televizioni, janë edhe ata gjeneratorë dëshpërimi. Mes kësaj zallamahie, për të evituar çmendurinë, merr një paracetamol, që edhe kjo vajtje te Doktori është. Shpejt ndjen dhe kupton se as këtu nuk mbaron kalvari. Gjithandej meshkuj snoba, femra vanitoze, kushërinj e kushërira copa mishi. Janë aq të shumtë, neveria prej tyre është aq e madhe. E pamundur që sapo ndahesh nga secili prej tyre të mos shkosh me vrap te Doktori. Ka edhe më. Filani apo filania po u afrohen të tridhjetave, kanë me qindra dhe me mijëra miq e mikesha virtualë, por ai nuk ka prekur kurrë femër me dorë, dhe ajo nuk është puthur kurrë nga ndonjë mashkull. Kur mendon këtë platonizëm katastrofik të të rinjve që drithërimat reale sentimentale i kanë mbyll me dry dhe drynin e kanë hëdhur në det, për të qetësuar zemrën dhe gjunjët që dridhen, s’ke ku e përplas kokën veçse te Doktori. Ndoshta s’ke asnjë problem dhe s’të lypset asnjë Doktor. Kur kjo ndodh, nga qefi ja fut me raki, bëhesh dru, ikën rrugës, përplasesh me një shtyllë, rrëzohesh, vijnë të ngrenë, dhe të çojnë me barrelë, e ku tjetër veçse te Doktori. Nuk shtyhet jeta pa Doktor. Në vendin që sa më shumë vidhet aq më tepër pasurohet, sa më tepër tmerre ndodhin aq më i dashur bëhet, ska si Doktori.

Shqiptarët, fluks aplikimesh për Lotarinë Amerikane

Dje në orën 18:00 u hapën aplikimet për programin e Lotarisë Amerikane. Tashmë, në faqen zyrtare të Ambasadës është publikuar edhe udhëzimi me rregullat që duhet të ndjekin aplikantët. Këshilla kryesore e zyrtarëve: “Aplikoni herët, por ama vetëm një herë”
Programi i Vizave Emigruese të Shumëllojshmërisë, i autorizuar nga Kongresi, administrohet nga Departamenti i Shtetit në bazë vjetore.
“Seksioni 203(c) i Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë (INA) mundëson viza për një grup “emigrantësh të shumëllojshmërisë”, prej vendeve me shkallë historikisht të ulët emigrimi në Shtetet e Bashkuara. Pёr vitin fiskal 2019, do të jenë në dispozicion 50,000 viza emigrantësh të shumëllojshmërisë (DV). Regjistrimi për në programin e Lotarisë është falas. Aplikantët që janë përzgjedhur nga programi i lotarisë (“të përzgjedhurit”) duhet të plotësojnë kërkesa të thjeshta, por të rrepta, të pranueshmёrisё në mënyrë që të kualifikohen për një vizë shumëllojshmërie”, thuhet në njoftim.
Sakaq, Emily Enright dhe Lorenc Mansaku, përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Shqipëri kanë qenë në studion e emisionit “Rudina” në Tv “Klan” ku kanë dhënë disa të dhëna të rëndësishme. Si për shembull: Fotoja duhet të jetë e re. Aplikimi bëhet herët dhe saktë në gjuhën angleze, etj.
Sipas Mansakut, këtë vit do të ketë edhe një ndryshim, i cili do të vihet re gjatë përfundimit të procesit të aplikimit, kur bëhet verifikimi i të dhënave do të keni mundësinë të shikoni foton.
“Interes ka, ne e shikojmë këtë edhe në “Facebook”, ku na pyesin shumë për kushtet. Për të marrë pjesë ka dy kritere kryesore, ose duhet të kesh shkollën e mesme me kohë të plotë, ose eksperienca e punës, por arsimi është kryesisht ai që i kualifikon shqiptarët. Ka një ndryshim këtë vit, që kur bëhet verifikimi i të dhënave do të keni mundësinë të shikoni foton. Këtë vit kjo është e mundur dhe ne sugjerojmë që të shikoni me saktësi informacionin që keni hedhur për të aplikuar. Ka vetëm një faqe ku mund të aplikoni: dvlotterystategov.us
Çdokush ka të drejtë të aplikojë. Duhet të keni parasysh gjithashtu që të aplikoni me statusin aktual, nëse jeni në proces divorci, ju duhet të përfshini bashkëshortin tuaj dhe fëmijët nëse keni”, tha Enright dhe Mansaku.

Betonizimi i Tiranës, miratohen dy kulla të reja 20 katëshe dhe pallate pa fund

Ndërtimi është kthyer në sektorin kryesor që po tërheq fondet e lira në ekonomi. Punimet janë rizgjuar vrullshëm në kryeqytet pas miratimit të planit të ri rregullues dhe zgjerimit të Tiranës në pjesën veriore.
Portali i Ndërtuesve prezantoi ndërtimin e dy kullave 20-katëshe “Projekti Vaqari” në mes rrugës “Jordan Misja” dhe Bulevardit të Ri. Kullat do të ndërtohen nga kompania Kontakt shpk, e cila gjithashtu e ka paraqitur zyrtarisht projektin.
Projekti i Bulevardit të Ri, i cili ka përfunduar në 500 metrat e para dhe shumë shpejt do të përfundojë tërësisht deri në Lumin e Tiranës e ka sjellë zonën përreth tërësisht në parametra të tjerë.
Pjesa veriore e Tiranës poshtë unazës, nga rruga “5 Maji”, “Siri Kodra”, “Jordan Misja”, “Don Bosko” dhe deri në Laprakë është përfshirë nga një valë e re ndërtimesh. Deri më tani kjo zonë është dominuar nga ndërtesa të ulta, ish-magazina, por projektet e Bashkisë së Tiranës sidomos me ndërtimin e Bulevardit të ri pritet ta sjellin atë në dimensione të tjera.
Tirana është duke zgjeruar me blloqe të mëdha banimi të organizuara brenda dy unazave.
Kompania Kontakt SHPK dhe OMA një kompani gjermane e arkitekturës e kanë shpallur zyrtarisht projektin e tyre për zhvillimin e një blloku banimi të madh në qytetin e Tiranës. Projekti është prezantuar nga Reinier De Graf, partner i OMA dhe përgjegjës për projekte ndërtimi dhe masterplane në Europë, Rusi dhe Lindjen e Mesme.
Projekti do të jetë një bllok i madh banesash me ngjyra dhe do të jetë vendosur ndërmjet lagjes “Ali Demi” dhe Qytetit “Studenti”, një zonë aktualisht e dominuar nga ndërtimet informale.
Masterplani i Tiranës në këtë zonë propozon zhvillimin në një zonë pa rrugë makinash, me 70% hapësirë të lirë. Përgjatë zonës kalon një aks qendror që e lidh me qytetin, që shërben si hapësirë publike për të lidhur oborret.
Por teksa Tirana është duke u zgjeruar me shpejtësi si në ndërtimin e kullave të larta dhe komplekseve të ulta më shumë ndërtesa, projeksionet demografike nuk janë shumë optimiste. Popullsia e vendit do të vijojë tkurrjen, duke shkuar në rreth 1.7 mln banorë në vitet 2100, teksa ecuria aktuale e popullsisë po ecën më keq se parashikimet. Në fillim të vitit 2017 ishin 8 mijë persona më pak se projeksionet e popullsisë së variantit të mesëm që lëshoi INSTAT për periudhën 2011-2031. Numri i lindjeve ishte 8% më i ulët se pritshmëritë dhe rënia e popullsisë në grup moshën deri në 15 vjeç ra gjithashtu me shpejtësi. /Monitor

Spanja në stërvitje, fyerje dhe fërshëllima ndaj Pike

Spanja zhvilloi pasditen e së hënës seancën e parë stërvitore në prag të sfidës me kombëtaren shqiptare dhe e gjithë vëmendja ishte mbi Gerard Pike. Ashtu siç pritej, tifozët nuk i kursyen fërshëllimat dhe pankartat kundër mbrojtësit 30-vjeçar, madje edhe fyerjet ndaj tij ishin të shumta. Gjendja arriti deri aty sa të kërkohej edhe largimi i futbollistit nga përfaqësuesja spanjolle. Situata ishte kaq e tensionuar sa trajneri Julen Lopetegui vendosi që të mbyllë stërvitjen pas vetëm 25 minutash.
Gerard Pike, që ka fituar si botërorin ashtu edhe europianin me skuadrën e Spanjës, kohët e fundit është shfaqur hapur pro votimit për referendumin në Katalonjë, duke bërë që të rritet urrejtja ndaj tij te tifozët e tjerë. Ai që i doli në mbrojtje në këtë moment delikat, mbrojtësit katalanas ishte trajneri Lopetegui në një intervistë për radion COPE. “Kam folur me Pike. Doja të dija se si ishte në aspektin psikologjik duke parë edhe situatën e krijuar. Vura re se ishte shumë mirë, i motivuar dhe me shumë dëshirë. Po të ishte e kundërta nuk do të ishte me ne. Tani i takon atij të shuajë këtë situatë të ndezur. Në ndeshjen kundër Shqipërisë është në lojë puna e 1 viti e gjysmë. Duhet të jemi të përqendruar për të mbyllur çështjen e kualifikimit dhe për këtë duhet kontributi i të gjithëve”, tha ai. Skuadra spanjolle u kthye në La Rozas paraditen e kësaj të marte për të zhvilluar seancën e radhës stërvitore dhe këtë radhë ishte e gjitha me dyer të mbyllura.

Holanda do shqyrtojë rikthimin e vizave me Shqipërinë

Holanda mund ta konsiderojë kthimin e vizave për Shqipërinë. Kështu bën me dije gazetari Vincent Triest. Ai shkruan se ministri holandez për Siguri dhe Drejtësi, Stef Blok, pohon se numri i shqiptarëve të arrestuar në vitin 2016 është dyfishuar në raport më vitin 2015. Po ashtu, në dokumentin e publikuar bëhet me dije se numri i shtetasve shqiptarë që janë përgjegjës për krime të rënda, është goxha i lartë. Për shtetin holandez ekziston edhe problematika e kalimit ilegalisht nga Holanda në Angli.
Nisur nga këta precedent, ministri holandez shprehet se mundësia e kthimit të vizave ekziston, por diçka e tillë do të diskutohet dhe vendimi do të merret në fund të vitit, kur ministria të ketë të gjitha të dhënat në dispozicion. Lajmi i publikuar para pak kohësh nga ABC News për rikthimin e vizave, shkaktoi një valë të madhe reagimesh në vendin tonë, si dhe një sërë mohimesh për vërtetësinë e tij. Ndërkohë, sipas këtij dokumenti, pritet që fundi i këtij viti të ndajë njëherë e mirë këtë çështje dhe të mësohet nëse realisht Holanda do t’i rikthejë vizat me Shqipërinë apo jo.
“Kabineti është njohur me rregulloren që e keni përmendur. Kjo përfshin marrëveshjet për monitorimin e vendeve pa viza nga Komisioni Evropian. Në këtë kontekst, Komisioni Evropian ka njoftuar një monitorim për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë. Ky monitor pritet në fund të këtij viti. Qeveria së pari dëshiron të marrë rezultatet e atij raporti që përmban objektive, informacione konkrete dhe relevante, si dhe të dhënat nga autoritetet përkatëse përpara se qeveria të vendosojë nëse do të thirret në procedurën e frenimit emergjent”, thuhet ndër të tjera në dokument.

LSI: Ekonomia e rrezikuar, FMN e konfirmoi

Sipas raportit të FMN-së, me rëndësi parësore është fuqizimi i zbatimit të kuadrit të PPP-ve për vlerësimin dhe monitorimin e projekteve, pasi paraqesin risqe të konsiderueshme financiare. Kjo referuar programit ambicioz të autoriteteve për investime publike nëpërmjet PPP-ve, sipas projektit 1 miliard euro. Në një dalje për mediat, deputeti LSI, Përparim Spahiu është shprehur se kjo forcë ëstë në të njëjtën linjë me FMN-në sa i përket PPP-ve. “Përsa i takon qasjes ekonomike të qeverisë, si përsa i përket PPP-ve, madje për bashkimin e tatimeve me taksat ka kosto financiare që ekspertët i llogarisin me 15-20%. Këto janë shqetësime të njëjta, jemi në të njëjtën linjë me FMN-në, gjë të cilat i kemi paraqitur në takimet që kemi pasur me ta. Përsa i përket PPP-ve, ju e dini që është depozituar në Kuvend, më herët se sa të depozitohej projektligji për statusin e minatorit, një draft ku është kërkuar më shumë filtra, më shumë transparencë, pasi është e vërtetë e nevojshme të kuptohet se ç’po ndodh, se ç’situatë financiare është. Mungon shumë transparenca, dhe fakti që FMN e parashtron si problem them që qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme në këtë aspekt”.

Tare: Kundër Italisë do mbështes vendim tim

Një shqiptar në qendër të vëmendjes së futbollit italian. Nuk bëhet fjalë për një lojtar, por për një ish-lojtar që pasi realizoi ëndrrën për të luajtur në Serie A shumë vite më parë vazhdoi rrugën si drejtues dhe në postin e drejtorit sportiv të Lazios po bën gjëra të pabesueshme. Është ai arkitekti i ringritjes së klubit bashkë me presidentin Claudio Lotitto, i cili i beson verbërisht, duke i lënë në dorë çelësat e skuadrës dhe merkatos. Igli Tare është tashmë një simbol i njeriut të talentuar dhe punëtor, që shfrytëzon çdo mundësi dhe moment për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe ta prezantojë në treg si të barabartë përballë klubeve me buxhet disafish më të madh. Lista e goditjeve të mëdha me buxhet të vogël është e gjatë, por i fundit që ka spikatur është mesfushori Luis Alberto. Spanjolli u afrua te Lazio një vit më parë për diçka më shumë se 5 milionë euro dhe këtë sezon po rezulton një nga zbulimet e Serie A.
Tare ndalet edhe te ndeshja Shqipëri-Itali duke shkëputur pak fjali, por shumë domethënëse: “Jam adoptuar profesionalisht nga Italia, por do të jem përherë shqiptar. Shqipëria është atdheu im dhe shpresoj që të fitojë kundër Italisë, sepse për ne shqiptarët kjo është një ndeshje që e presim prej shumë vitesh. Më vjen keq që do të luhet në momentin e gabuar, pasi do të dëshiroja të isha edhe unë në fushën e lojës. Do të shkojmë të gjithë në stadium për të bërë tifo për flamurin dhe vendin tonë”, thekson me krenari Tare. Ndërkohë edhe trajneri Simone Inzaghi që është gjithashtu një prej emrave ku Tare ka investuar më shumë besim, shkëput fjalë të ëmbla për drejtuesin shqiptar, duke theksuar fillimisht se ishte pikërish Tare që këmbënguli për të blerë Luis Alberton dhe koha po i jep të drejtë.