30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Pique paralajmëron largimin nga Spanja

E cilësoi si ndeshjen më të vështirë të karrierës Gerard Pique atë të luajtur në “Camp Noun” e boshatisur për shkak të tensionit të krijuar në ditën e referendumit për pavarësinë e Katalonjës. Mbrojtësi i Barcelonës, një përkrahës i flaktë i pavarësisë së krahinës katalanase ka pasur jo pak herë fërkime me lojtarët spanjollë kundër kësaj ideje dhe ky fakt i ka krijuar jo pak probleme edhe në kombëtaren e Spanjës. “Mendoj se mund të vazhdoj me Spanjën, por nëse drejtuesit e skuadrës mendojnë se unë jam një problem, do të bëj një hap pas dhe do të largohem nga kombëtarja përpara vitit 2018. Sot ndihem katalanas më shumë se çdo ditë tjetër dhe jam shumë krenar për mënyrën se si po sillen katalanasit.
Votimi është një e drejtë që duhet mbrojtur”, deklaroi Pique pas ndeshjes së kampionatit ndaj Las Palmas, duke lënë të hapur mundësinë e largimit në mes të një momenti delikat. Pique shkon edhe më tej duke kritikuar sjelljen e dhunshme të policisë, duke shtuar se njerëzit nuk janë dakord me atë çfarë po ndodh në Katalonjë sepse ata besojnë te demokracia. Pique është aktivizuar në 91 ndeshje me Spanjën, por referendumi i Katalonjës e ka bërë atë një nga figurat më të urryera në pjesën tjetër të Spanjës. Shpeshherë ai është sulmuar verbalisht në qytete të ndryshme nga mbështetësit e unionit, ndërsa shoku i repartit, Sergio Ramos i ka kërkuar që të tregojë respekt ndaj vendit të tij.

Fejzullahi do të operohet në gju, 3-4 muaj jashtë

Arbnor Fejzullahi nuk do të jetë në dispozicion të Partizanit minimalisht deri në muajin janar. Mbrojtësi i kuq nuk arrin të zgjidhë problemet me ligamentin e gjurit të djathtë dhe shumë shpejt do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale që do të kërkojë një kohë të gjatë rikuperimi që varion nga 3 në 4 muaj. 24-vjeçari i lindur në Preshevë u dëmtua në sfidën e parë të kupës kundër Naftëtarit, duke krijuar probleme për trajnerin Mark Iuliano, i cili duhet të improvizojë për të përshtatur lojtarë në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Fejzullahi do t’i nënshtrohet ndërhyrjes gjatë ditëve të ardhshme në një klinikë në Tiranë, por nuk përjashtohet mundësia që operacioni të kryhet edhe jashtë vendit. Pas ndërhyrjes, lojtari do të nisë fazën e rehabilitimit, por ende nuk ka një datë të saktë për rikthimin e tij në fushë që me shumë mundësi do të jetë në fillim të muajit shkurt. Fejzullahi u transferua te Partizani përpara tre vitesh dhe është një prej lojtarëve më të aktivizuar në formacionin e skuadrës kryeqytetase me 91 ndeshje të luajtura në kampionat gjatë 4 sezoneve të fundit.

Hyka shkëlqen ndaj Portland Timbers

Jahmir Hyka protagonist absolut në fitoren e San Jose. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka treguar një formë shumë të mirë teksa ndihmoi skuadrën e tij të merrte tre pikë shumë të rëndësishme në përballjen kundër Portland Timbers. Hyka ishte një ndër më të mirët për skuadrën e San Jose duke krijuar raste të rrezikshme. Ishte pikërisht 29-vjeçari ai që dhuroi asistin e golit të avantazhit për skuadrën e tij. Ndërsa në minutën e 21 pati një rast shumë të mirë për të shënuar, por gardiani i Portland, Atinnella u tregua pozicional dhe pas tij ishte shtylla që nuk e lejoi Hykën ta ndalte topin në fundin e rrjetës.
Sidoqoftë tre pikë të arta për skuadrën e San Jose që mban gjallë shpresat për të siguruar një vend në zonën e play off. Futbollisti i kombëtares kuqezi që prej momentit kur ka firmosur për këtë skuadrër ka qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm, ku jo në pak raste është shfaqur vendimtar me golat dhe lojën e tij. Ndërkohë që forma e shkëlqyer e Jahmir Hykës është edhe një lajm shumë i mirë për teknikun e kombëtares, Christian Panucci në prag të dy takimeve të fundit për eliminatoret e botërorit Rusi 2018, ndaj Spanjës dhe Italisë.

De Biasi: Në stadium për Shqipërinë

Fillimi i tij në Primera Divizion me Deportivo Alavesh nuk mund të kishte qenë më i suksesshëm, me De Biasin që fitoi me skuadrën e tij të re 0-2 ndaj Levantes. Një sukses që ka lënë të kënaqur ish-trajnerin e kombëtares kuqezi, që në një lidhje telefonike me emisionin “Zona Gol” foli për rikthimin e tij në Spanjë, por dhe ndeshjet e kuqezinjve me Spanjën dhe Italinë. “Besoj se kam ardhur në një prej kampionateve më të rëndësishëm në Europë dhe ishte zgjedhje futbollistike, pasi për para mund të kisha bërë një tjetër zgjedhje. Jam në një klub serioz dhe pse jo shumë i madh. Jam shumë i kënaqur që fituam në ndeshjen e shtatë, e para e imja, pasi ekipi vinte pas 6 humbjesh dhe ishte rezultat i rëndësishëm sepse na jep besim mua dhe djemve për të ardhmen. Si fillim punova pak në aspektin taktik dhe atë mbrojtës dhe fola me ekipin për besimin që duhet të kemi për njëri-tjetrin”, u shpreh De Biasi.
Dhe pse jo më në stol, Shqipëria mbetet gjithmonë nën vëmendjen e De Biasit që komentoi dhe dy sfidat e radhës së kuqezinjve me Spanjën dhe Italinë. “Më mungon Shqipëria, më shumë tani që nuk jam sesa kur isha. Kur ke kaluar një periudhë të mirë në një vend ke gjithmonë nostalgji. Një ditë më parë mora një mesazh nga presidenti Duka dhe i thashë po fituat me Spanjën do ju bëjnë monument në Itali. Uroj që të fitoni aty dhe pse në ndeshjen e fundit do të bëj tifo për Shqipërinë”, tha ai.
Pavarësisht se punon në La Liga, De Biasi vazhdon të ndjekë me vëmendje Serinë A italiane dhe futbollistët shqiptarë që luajnë aty. “Jam i kënaqur për Etrit Berishën dhe faktin që ka pritur 11-metërshin e Dybala-së. E përcjell Serinë A vazhdimishit, madje Milan-Roma e ndoqa falë Digitalb, që e kam marrë me vete dhe këtu në Spanjë dhe falë tij mund të studioj dhe kundërshtarët e radhës”, përfundoi De Biasi.

Revolta e Katalonjës nis nga ekonomia

BBC News

Qeveria separatiste e Katalonias mbajti një referendum për largimin e rajonit nga Spanja kundër vullnetit të autoriteteve kombëtare. Me një popullsi prej 7,5 milionë banorësh, kryeqyteti i këtij rajoni krenar dhe kryelartë është Barcelona. Lidershipi spanjoll e ka kundërshtuar votimin dhe gjykata kishte urdhëruar bllokimin e tij. Policia spanjolle reagoi duke arrestuar zyrtarë katalanas, duke bllokuar qendra votimi, bastisur ndërtesa rajonale dhe duke u përleshuar me popullsinë që kishte dalë në rrugë për të protestuar. Por çfarë e ka ngjallur këtë etje të madhe për pavarësi dhe a do të arrihet me të vërtetë, pavarësisht rezultateve të referendumit?

Si arritën deri këtu?
Katalonia është rajoni më i pasur i Spanjës dhe më produktivi pasi ka një histori 1 mijë vjeçare. Përpara luftës civile spanjolle gëzonte një autonomi të gjerë, por kjo është reduktuar menjëherë gjatë regjimit diktatorial të gjeneralit Francisco Franco. Pas vdekjes së Francos, nacionalizmi katalanas u rizgjua dhe rajonit verilindor iu njoh përsëri autonomia sipas Kushtetutës së vitit 1978.
Statuti i vitit 2006 i ka njohur akoma më shumë pushtet, duke rritur shtrirjen financiare të rajonit dhe duke e quajtur “shtet”, por Gjykata Kushtetuese e Spanjës e rrëzoi këtë statut në vitin 2010 duke inatosur kështu autoritetet rajonale. Të inatosur së tepërmi për reduktimin e autonomisë së tyre, si dhe nga vitet e tëra të recesionit dhe prerjet e shpenzimeve publike, katalanasit mbajtën në vitin 2014 një votim jozyrtar për pavarësi. Në votim morën pjesë mbi 2 milionë nga 5,4 milionë votuesit e rajonit dhe zyrtarët deklaruan se 80 për qind e popullsisë ishte në favor të pavarësisë. Separatistët fituan zgjedhjet në Katalonia në vitin 2015 dhe nisën punën për mbajtjen e referendumit zyrtar për të dalë kundër Kushtetutës së Spanjës, e cila thekson se Spanja është e pandashme.
Kështu, Parlamenti katalan miratoi një ligj të vetin me një votim të njëanshëm të 6 shtatorit ku ndodhej vetëm një pyetje në fletët e votimit: A dëshironi që Katalonia të jetë një shtet i pavarur në formën e Republikës? Më pas ishin dy kuti: Po ose Jo. Sipas këtij ligji të debatuar dhe kundërshtuar, rezultatet janë të ligjshme dhe pavarësia duhet të deklarohet nga Parlamenti brenda dy ditësh, pasi komisioni qendror zgjedhor katalan deklaron rezultatet finale. Presidenti katalan, Carles Puigdemont, theksoi se asnjë gjykatë apo entitet tjetër politik nuk mund ta pezullojë qeverinë e tij apo ta rrëzojë nga pushteti.
Si e priti Madridi? Shumë keq. Kryeministri Mariano Rajoy deklaroi se votimi ishte i jashtëligjshëm: “Këtë e them me qetësi dhe prerë: Nuk do të ketë asnjë referendum”. Pas kërkesës së kryeministrit, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin antikushtetues të miratuar nga katalanasit. Qeveria spanjolle gjithashtu vendosi të marrë në dorë financat dhe politikën e rajonit.
Zyrtarët katalanas që kishin organizuar votimin u arrestuan dhe u bllokuan mbi 10 milionë fletë votimi dhe faqe interneti që informonin katalanasit për referendumin. Vetë forca e policisë së Katalonias, “Mossos d’Esquadra”, u urdhërua të pranonte komandën e Gardës Civile paraushtarake të Spanjës dhe të ndalonte zhvillimin e referendumit. “Spanja ka pezulluar de fakto qeverinë e Katalonias dhe ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme”, deklaroi Carles Puigdemont.
Çfarë ndodhi? Votimi u zhvillua në disa forma dhe disa zona, por mbi 400 persona mbetën të plagosur kur policia përdori forcën për të ndaluar referendumin.

Pakënaqësitë e Katalonias me Madridin
Barcelona është kthyer në një prej qyteteve më të dashura dhe të frekuentuara të Bashkimit Europian dhe është e famshme për Lojërat Olimpike Verore 1992, panairet tregtare, futbollin dhe turizmin. Por kriza ekonomike e vitit 2008 në Spanjë e goditi shumë rëndë Katalonian duke e lënë me një normë papunësie prej 19 për qind. Rajoni është më i pasuri i Spanjës, ka mbi 16 për qind të popullsisë kombëtare dhe përbën 19 për qind të GDP-së spanjolle. Prej kohësh tashmë është krijuar bindja e përgjithshme se qeveria qendrore është duke kontribuar më shumë nga të gjithë rajonet e tjera dhe po merr shumë pak në këmbim.
Por a është e vërtetë se Madridi është duke e zhvatur Katalonian? Në fakt duket se merr më shumë nga ç’jep edhe pse kompleksiteti i transferimit buxhetor e bën të vështirë të gjykohet ekzaktësisht se sa kontribuojnë taksat e katalanasve dhe sa marrin mbrapsht me investime në shërbime si shkolla dhe spitale. Sipas shifrave të vitit 2014, Katalonia pagoi 9.89 miliardë euro më shumë në taksat e Spanjës nga ç’mori mbrapsht si shpenzime qeveritare, ekuivalentin e 5 për qind të GDP-së.
A ka vend për kompromis? Duket se jo. Ministrat spanjollë thonë se referendumi i ditës së dielë është tërësisht i paligjshëm dhe se qeveria e Madridit mund të pranojë vetëm të diskutojë çështjen e reformave kushtetuese. Ata mund të jenë të gatshëm të ofrojnë më shumë para ose autonomi më të madhe ekonomike, tha për “Financial Times” ministri spanjoll i Ekonomisë, Luis de Guindos. Megjithatë, kjo duket se nuk është e mjaftueshme për presidentin Carles Puigdemont dhe për lidershipin katalanas, të cilët prej muajsh të tërë luftojnë për të mbajtur referendumin që të dielën pretendojnë se e kanë fituar dhe është plotësisht i ligjshëm.

Çfarë e pret Spanjën dhe Katalonian tani?
Agresioni i policisë ditën e dielë dhe përleshjet brutale me protestuesit ka gjasa të nxisin akoma më shumë pasionin popullor për pavarësi dhe grupi separatist i bëri thirrje qeverisë rajonale të deklarojë pavarësinë menjëherë pas përleshjeve të dhunshme me policinë. Askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë nëse zyrtarët katalanas do të ndjekin deri në fund zotimin e tyre për ta përdorur referendumin e të dielës si bazë të vetëdeklaruar për pavarësinë, një provokim që mund t’i kushtojë Spanjës shumë, duke larguar një prej rajoneve më të pasur të shtetit, përfshirë edhe qytetin bregdetar të Barcelonës, kryeqyteti i Katalonias.

Kryeministri spanjoll merr në mbrojtje veprimet e policisë

Pas dhunës policore në Katalonjë kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy fajësoi qeverinë rajonale për trazirat. Sipas tij forcat e sigurisë kishin zbatuar vendimet e gjyqësorit.
Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, i quajti si sukses veprimet e dhunshme të policisë kundër referendumit për pavarësinë në Katalonjë. “Sot nuk ka pasur referendum për vetëvendosje në Katalonjë”, tha në një fjalim në TV Rajoy pas përfundimit të votimit. Ai i bëri thirrje qeverisë rajonale të Katalonjës të mos ndjekë një rrugë që nuk të çon askund.
Me urdhër të qeverisë qendrore spanjolle, policë të armatosur rrethuan në Katalonjë qendrat e votimit dhe u përpoqën pjesërisht me dhunë që t’i ndalonin votuesit që të votonin në referendumin e pavarësisë. Para një qendre votimi në Barcelonë, policët përdorën madje shkopinj gome kundër demonstruesve.
Gjatë përleshjeve pati shumë të plagosur. Qeveria rajonale e Katalonjës tha se ka pasur 761 të plagosur. Sipas shërbimit shëndetësor katalanas, dy prej tyre janë në gjendje kritike. Për shkak të dhunës së policisë, kryebashkiakja e majtë e Barcelonës, Ada Colau, bëri thirrje për dorëheqjen e kryeministrit spanjoll, Mariano Rajoy.
Ministria e Brendshme në Madrid tha se gjatë përleshjeve ishin plagosur lehtë njëmbëdhjetë policë spanjollë që ishin goditur me gurë nga demonstruesit. Sipas ministrisë janë arrestuar shumë vetë.
Më shumë se 5.3 milionë vetë qenë ftuar të merrnin pjesë në referendumin për pavarësinë e Katalonjës. Në rast se në referendum shumica do të votojë me “po”, Barcelona dëshiron të kërkojë shkëputjen prej Spanjës, edhe pse referendumi nuk ka fuqi detyruese dhe është shpallur i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese spanjolle. Gjyqtarët i referohen pandashmërisë së shtetit spanjoll të sanksionuar me ligj.

Katalonjë, 90% për shkëputjen nga Spanja

Separatistët në Katalonjë festojnë rezultatin e referendumit. Ata kërkojnë shtetin e pavarur duke e futur Spanjën në krizën më të rëndë kushtetuese prej disa dekadash.
48 orë deri tek pavarësia. “Ligji i shkëputjes” i miratuar nga Parlamenti katalonjas e parashikon këtë afat. Zëdhënësi i qeverisë rajonale të Katalonjës është shprehur në orët e para të së hënës në Barcelonë, se 90% e votuesve i kanë thënë “Po” shkëputjes.

Në votime do të kishin marrë pjesë më shumë vetë
Që të dielën në mbrëmje, kreu i shtetit katalonjas, Carles Puigdemont është shprehur për shkëputjen nga Spanja. “Ne kemi fituar të drejtën që të kemi shtetin tonë të pavarur”, tha ai në Barcelonë. Por vetëm 42% e 5,3 milionë njerëzve me të drejtë vote kanë dhënë votën e tyre. Gjithsej janë numëruar 2,26 milionë vota dhe numri i votave pro kap shifrën e 2,02 milionë vetëve, ka thënë zëdhënësi. Ai kërkoi hapa ligjorë kundër qeverisë në Madrid, që të përgjigjet për dhunën e së dielës.
Me gjasë në votime do të kishin marrë pjesë më shumë njerëz, sikur Madridi të mos e kishte kategorizuar referendumin si ilegal. Policia pengoi në mënyrë masive zhvillimin e votimeve. Në të gjithë botën u shpërndanë pamje me policë të armatosur, që rrëmbyen fletëvotimet dhe penguan njerëzit në votime me shkopinj gome dhe plumba plastikë. 840 vetë u plagosën, sipas të dhënave të qeverisë rajonale. “Nuk ka pasur referendum”, u shpreh Rajoy që theksoi se spanjollët janë orientuar gabimisht në një votim të jashtëligjshëm.

 

A ishte paralajmëruar masakra në Las Vegas?

Policia në Las Vegas, thotë se një person hapi zjarr gjatë një koncerti me muzikë “country” të dielën në darkë, duke vrarë të paktën 50 vetë dhe plagosur mbi 200 të tjerë.
Sherifi i Las Vegasit, Joseph Lombardo, u tha gazetarëve se autori i sulmit ishte në katin e 32 të kazinosë, Mandalay Bay, përballë vendit ku mbahej koncerti në natyrë, prej nga videopamjet tregojnë njerëz, duke bërtitur e vrapuar për të gjetur strehë, mes breshërive të të shtënave pa pushim.
Sherifi Lombardo tha se policia e vrau personin që po qëllonte dhe se autoritetet kanë gjetur një numër armësh në dhomën e hotelit. Sipas sherifit Lombardo, autori i sulmit është 64-vjeçari Stephen Paddock, i cili besohet të ketë vepruar i vetëm. Autoritetet po kryejnë hetime për të kaluarën e tij.
Ne nuk e dimë ende se në çfarë besonte ai, tha sherifi Lombardo.
Autoritetet po ashtu ishin në kërkim të një gruaje që besohet se kishte qenë me të dhe sipas sherifit Lombardo, ajo mund të jetë kapur.
Në mesin e të vrarëve janë edhe disa oficerë policie jashtë detyrës.
Derisa situata po përkeqësohej, njerëzit kërkonin siguri nëpër hotelet e shumta që ndodhen në këtë zonë të famshme turistike. Aeroporti ndërkombëtar i Las Vegasit ndodhet po ashtu në afërsi dhe fluturimet në të janë pezulluar përkohësisht për shkak të situatës.
Jason Aldean, ylli i muzikës country, ishte në skenë duke kënduar në çastin që filluan të shtënat. Disa orë më vonë, ai e përshkroi ngjarjen si “të tmerrshme”.
“Ende nuk di se çfarë të them, por doja t’ua bëj me dije të gjithëve, se unë dhe ekipi im jemi të sigurt. Mendimet dhe lutjet e mia shkojnë për të gjithë njerëzit e përfshirë sonte. Ma lëndon zemrën fakti që kjo ka mundur t’i ndodhë kujtdo që kishte ardhur të kënaqej në atë që pritej të ishte thjeshtë një natë argëtuese”, tha ai në rrjetin social Instagram.
Edhe të tjerë artistë që ishin pjesë e shfaqjes kryesore të martën në “Route 91 Harvest Festival” kanë reaguar në rrjetin social Twitter.
Senatori nga Nevada, Dean Heller, e cilësoi ngjarjen “një akt të pakuptimtë dhe të tmerrshëm të dhunës”, derisa guvernatori i Nevadas, Brian Sandoval, e përshkroi ngjarjen si “tragjike dhe të tmerrshme”.
Kryeministrja britanike, Theresa May, po ashtu shprehu mbështetjen e saj duke thënë se mendimet e tyre janë me viktimat dhe personelin e emergjencave.

Paralajmërimi
Grupi terrorist ISIS kishte publikuar një video, duke paralajmëruar për një sulm në Las Vegas në muajin maj të këtij viti.
Zyrtarët e policisë dhe kundër-terrorizmit në Las Vegas ishin në alarm të lartë, pasi videoja e nxehtë 44 minutëshe doli nga grupi terrorist duke u bërë thirrje ndjekësve të kësaj ideologjie të rrezikshme të sulmojnë, raportoi “Daily Mail”.
Ndërsa nuk është konfirmuar se sulmi ndaj Las Vegasit ishte i Shtetit Islamik, videoja mund të ketë qenë një thirrje për një xhihad të mundshëm.
Videoja e grupit terrorist që paraqiste pamjet e Pallatit të Cezarit, Hotel Bellagio dhe ikonave të tjera të kazinos në Bulevardin e Jugut të Las Vegasit. Megjithëse pamjet janë përcaktuar të jenë nga 2015, autoritetet e konsideruan si kërcënim të besueshëm, sidomos pas masakrës zonën e Manchesterit.
Policia e Las Vegasit rriti patrullat në dritën e kërcënimit të ri dhe kërkoi vigjilencë nga komuniteti. Videoja propaganduese e ISIS-it e publikuar në maj përmban një njeri të identifikuar nga grupi terrorist si Abu Hamza al-Amriki-al-Amriki që do të thotë ‘amerikan’. Në videon, që besohet të jetë bërë në Mosul, ai shihet duke thënë në anglisht: “Amerika sot po mban flamurin e kryqit dhe lufton kundër myslimanëve”.
Ai përshkruan sulme ajrore kundër objektivave të ISIS si ‘të egër’, duke thënë se mijëra gra dhe fëmijë u vranë nga forcat amerikane. “A jeni i paaftë të thërrasni një (jo besimtar) me thikë ose ta hedhni jashtë një ndërtese ose ta drejtoni atë me një makinë?”, kishte thënë ai. “Çliro veten nga ferri i zjarrit, duke vrarë një jo besimtar. Jobesimtari dhe vrasësi i tij nuk do të bashkohen së bashku në xhehenem”, deklaroi ai.

 

Sa mund të integrohen refugjatët në Gjermani?

Fluksi i më shumë se një milion azil-kërkuesve në Gjermani në vitin 2015, shihet gjerësisht si nxitës i rritjes së partisë anti-imigrantëve, ‘Alternativa për Gjermaninë’ ose AfD, e cila fitoi 13% të votave në zgjedhje. Qeveria shpreson ta frenojë këtë rritje duke i integruar refugjatët sa më shpejt që të jetë e mundur. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Henry Ridgëell vizitoi Berlinin dhe foli me disa nga të ardhurit rishtaz rreth përvojës së tyre në Gjermani dhe mendimet e tyre mbi suksesin e partisë AfD.
Dilshad e la qytetin e tij të lindjes, Sinjar në Irak, ndërsa Shteti Islamik përfshiu rajonin në vitin 2014. Si mijëra të tjerë, ai u nis për në Gjermani. Pasi u përpoq të gjente strehim të përhershëm, tani jeton në një qendër për të pastrehët. Dilshad thotë se nuk shqetësohet nga rritja e së djathtës ekstreme.
“Nuk kam fare frikë. Pasi erdha nga Iraku, ku mbizotëronte frika, Gjermania nuk është vend për të patur frikë. Këtu ndiqen parimet demokratike. Falenderoj ‘Mama’ Merkelin në emrin tim dhe të gjithë refugjatëve”.
Por kjo demokraci i ka dhënë partisë së ekstremit të djathtë ‘Alternativa për Gjermaninë’ 88 vende në Parlament. Posterat e fushatës janë qartësisht kundër imigrantëve. Një prej tyre ka portretin e një gruaje të bardhë shtatëzënë ka mbishkrimin – Gjermanët e Rinj? Ata i bëjmë vetë.
Gesa Massur ndihmon në menaxhimin e qendrës. Ajo thotë se Dilshad është me fat, pasi ka shumë refugjatë të tjerë të rinj që janë neglizhuar nga shteti.
“Mendoj se kjo është vërtetë e rrezikshme, pasi disa të rinj mund të mos dinë ç’të bëjnë dhe marrin rrugën e gabuar”.
Imigrantët e rinj përpiqen të ndihmojnë njëri-tjetrin. Një program i qeverisë trajnon imigrantët sirianë dhe irakianë të veprojnë si guida në muzeumet e Berlinit. Ata u mësojnë refugjatëve, si Tony Al-Arkan nga Siria, rreth Gjermanisë dhe si të ndërtojnë një jetë të re.
“Trajnimi nuk ka të bëjë shumë me atë që është brenda në muze. Ai është edukues. Ne tregojmë atë çfarë kemi mësuar si të ardhur të rinj”.
Salma Jreige kryen ture përreth Muzeut të Historisë Gjermane.
“Për shembull, Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore u shkatërrua plotësisht. Si e ndërtuan gjermanët vendin e tyre është një mësim i rëndësishëm për ne. Aty është një objekt nga Damasku. Kur njerëzit shohin se kultura e tyre është e ekspozuar nëpër muzeume, kjo i jep atyre ndjenjën se kultura e tyre respektohet. Pa këtë, integrimi është i pamundur”, thotë Salma Jreige, refugjate nga Siria.
Përmes programeve si këto në muzetë e Berlinit, qeveria synon integrimin e refugjatëve sa më shpjet që të jetë e mundur. Përfitim për vetë refugjatët, por edhe për shoqërinë gjermane.

Ambasadori i ri i SHBA-së arrin në Moskë

AppleMark

Jon Huntsman, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Rusi, ka arritur në Moskë.
Zëdhënësja e ambasadës amerikane, Maria Olsen, ka mirëpritur ambasadorin dhe gruan e tij, në një postim në Twitter.
Më 3 tetor, Huntsman, në një ceremoni do t’i paraqesë kredencialet e tij te presidenti rus, Vladimir Putin.
Huntsman, 57-vjeçar, ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara, në Kinë nga viti 2009-2011, dhe ishte ambasador në Singapor në vitet 1992–1993.
Emërimi i Huntsmanit nga Presidenti Donald Trump, ishte aprovuar unanimisht nga Senati i Shteteve të Bashkuara, më 28 shtator.